At Anton Harapi, i pushkatuar nga regjimi komunist, lindi më 5 janar 1888 në Shkodër. Studioi për teologji dhe filozofi në Hungari e më pas filloi punë si meshtar në Grudë. Më 1910 jep mësim në Kolegjin e Fretënve, Shkodër. Më 1918-1919, shërben si famullitar në Malësinë e madhe. Gjatë viteve 1922-1924 ishte bashkëthemelues e drejtues i grupit atdhetar “Ora e Maleve”.
Punoi si mësues filozofie në gjimnazin “Illyricum” dhe më pas në vitin 1924 bëhet drejtor i tij. Në vitet 1930-1936 drejtoi revistën “Hylli i Dritës” dhe gjatë kësaj periudhe shkroi rreth 70 artikuj në revista të ndryshme, si dhe botoi disa libra.
Më 1940, u zgjodh anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Më 1943 u emërua anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës, ku qëndroi deri në fund të vitit 1944. U arrestua më 5 qershor 1945 e më pas më 20 shkurt 1946 u pushkatua nga diktatura. / KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë, Mary May Simon, me rastin e përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit.
Në mesazhin e saj, Guvernatorja e Përgjithshme ka theksuar lidhjet e ngushta ndërmjet dy vendeve, të cilat bazohen në vlerat dhe qëllimet e përbashkëta, përfshirë angazhimin për paqe, stabilitet rajonal dhe demokraci, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.
Ajo ka ritheksuar mbështetjen e palëkundur të Kanadasë për rrugën europiane dhe transatlantike të Kosovës dhe ka vlerësuar përparimin e bërë në këtë drejtim.
Sipas Guvernatores së Përgjithshme, mërgata kosovare në Kanada përfaqëson një komunitet të gjallë dhe të angazhuar që kontribuon ndjeshëm në shoqërinë kanadeze përmes trashëgimisë kulturore, angazhimit akademik dhe pjesëmarrjes në jetën sociale dhe ekonomike.
Në përfundim të urimit, Simon ka shprehur dëshirën për të vazhduar forcimin e lidhjeve dypalëshe dhe bashkëpunimit në forume ndërkombëtare, duke uruar presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për shëndet, lumturi dhe prosperitet në vitin e ardhshëm./ KultPlus.com
Rënia e bustit të Enver Hoxhës nuk mund të harrohet nga asnjë nga ata që ditën e 20 shkurtit të vitit 1991 ishin në shesh, por dhe të tjerë që e panë nga televizioni.
Historiani Kastriot Dervishi ka nxjerrë një foto para disa viteve nga arkivat e Ministrisë së Brendshme, ku duket edhe makina e tipit “Ifa” duke tërhequr bustin e ish diktatorit komunist.
Pamje e sheshit “Skënderbej” pak çaste para rrëzimit të shtatores së diktatorit. Makinat tip “Ifa” që shihen në foto janë të parkut të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Me njërën prej tyre (të shënuarën me vijë të kuqe), pasi u rrëzua, u tërhoq zvarrë shtatorja e diktatorit. /KultPlus.com
Çmimi i arit ka shkrua pranë 3000 dollarëve për ons, për shkak të blerjeve të shtuara nga bankat qendrore dhe shqetësimeve të investitorëve për rritjen ekonomike globale pas njoftimeve për tarifa të reja amerikane.
Në tregun fizik, çmimi i një onsi (28 gramë) ari rreth mesditës ishte 2943 dollarë, duke u rritur me 0.3 për qind krahasuar me mbylljen e djeshme të tregjeve. Për një moment, arriti një nivel të ri rekord prej 2946 dollarësh, që është hera e nëntë këtë vit që arrihet një kulm i ri që nga fillimi i vitit.
Në tregun amerikan të kontratave të së ardhmes, ari u tregtua me një çmim 0.4 për qind më të lartë, prej 2961 dollarësh. Sipas llogaritjeve të Shoqatës Botërore të Ardhjes (WGC), çmimi i arit u rrit mbi 28 për qind vitin e kaluar për shkak të kërkesës së fortë nga bankat qendrore dhe investitorët gjatë periudhave të tensioneve të larta gjeopolitike, transmeton Telegrafi.
Bankat qendrore kanë vazhduar të mbushin rezervat edhe në vitin 2024, duke rritur ritmin e blerjeve në tetor, dhe pritet të vazhdojnë këtë trend edhe në vitin 2025, sipas vlerësimeve të WGC në mes të dhjetorit.
Kërkesa për investime në ar u rrit gjithashtu për shkak të rreziqeve gjeopolitike dhe luhatjeve të forta në tregjet financiare rajonale. Investitorët rifilluan blerjet në tremujorin e tretë të vitit pasi bankat qendrore nisën të ulnin normat kryesore të interesit, shkruan reuters.
Në fillim të këtij viti, nervozizmi u shtua pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për tarifat doganore. Dje, Trump tha se planifikon të vendosë tarifa prej rreth 25 për qind për importet e makinave, si dhe tarifa të ngjashme për gjysmëpërçuesit dhe produktet farmaceutike.
Tregtarët kanë frikë se këto tarifa mund të çojnë në një luftë tregtare dhe të dëmtojnë ekonominë globale.
“Duket se rritja e çmimit të arit është nxitur nga deklaratat e Trumpit për tarifat ndaj veturave dhe ilaçeve, që mund të hapin rrugën për arritjen e nivelit prej 3000 dollarësh”, tha analisti i tregut në OANDA, Zaid Wanda.
Që kur u rikthye në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka vendosur tashmë një tarifë prej 10 për qind për importet nga Kina dhe një tarifë prej 25 për qind për importet e çelikut dhe aluminit nga vende të ndryshme të botës. “Mendoj se bankat qendrore do të vazhdojnë të blejnë ar dhe të diversifikojnë rezervat e tyre me ar, duke mbështetur kështu rritjen e çmimit të tij”, tha analisti i UBS, Giovanni Staunovo.
Gjithashtu, çmimi i argjendit, i cili përdoret në komponentët elektrikë, u rrit me 0.4 për qind, duke arritur në 32.99 dollarë për ons. Ndërkohë, platina, e cila përdoret në katalizatorët e automjeteve, ra me 0.6 për qind, duke u tregtuar në 981.56 dollarë. Ndërsa çmimi i paladiumit (metal i rrallë dhe i shkëlqyeshëm argjend-bardhë) mbeti pothuajse i pandryshuar, në 987.75 dollarë./ KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) fton studiuesit, ekspertët e arkivave të trojeve shqiptare dhe të mbarë rajonit, si edhe çdo të interesuar të bashkësisë shkencore, për të marrë pjesë në botimet e vitit 2026.
Drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido tha në një deklaratë për shtyp se “për vitin e katërt radhazi, DPA-ja, e rikthyer në funksionin e botueses periodike, publikon studime mbi periudha dhe figura të rëndësishme në historinë e vendit. Po ashtu, pjesë e publikimeve të përvitshme janë edhe udhëzuesit mbi metodologjinë arkivore në hapësirën kombëtare”.
“Me synimin për të dhënë një kontribut në historiografinë shqiptare, DPA-ja propozon tematika që përkojnë me përvjetorët e ndodhive historike, me lindjen dhe me vdekjen e disa prej emrave më të angazhuar në veprimtarinë publike. Mes tematikave të dedikuara botimeve të këtij viti, sugjerojmë të trajtohen jubilarë të rëndësishëm, sikurse janë: Diplomacia shqiptare gjatë periudhës së Republikës (1925-1929); 130-vjetori i lindjes së Mujo Ulqinakut; 110-vjetori i themelimit të Komisisë Letrare të Shkodrës; 110-vjetori i vdekjes së Isa Boletinit; 100-vjetori i vdekjes së Aqif Pashë Elbasanit; 80-vjetori i vdekjes së Lef Nosit”.
Sipas tij, risia e këtij viti është publikimi i një udhërrëfyesi arkivor, që do të ketë për qëllim orientimin e studiuesve në procesin e kërkimit online, në platformën e Sallës së Studimit apo në Këndet Arkivore të çelura në dhjetëra qytete në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Greqi dhe në jug të Italisë.
Për secilën prej këtyre gjinive të botimeve, të interesuarit duhet t’i drejtohen adresës botime.arkiva.gov.al për të depozituar kërkesën e tyre për pjesëmarrje dhe abstraktet e punimeve të propozuara.
“Po ashtu, në materialet të mundshme për botim përfshihen përmbledhjet e dokumenteve për një periudhë, çështje apo personalitet historik; punimet monografike të lidhura me historikun e arkivave, sfidat dhe problematikat e tyre në Shqipëri e më gjerë; botimet e dokumenteve në gjuhë të rralla (osmanisht, greqisht, latinisht etj.); botimet e akteve ligjore dhe nënligjore për punën me dokumentet arkivore; inventarët, katalogët dhe treguesit e punës kërkimore në arkiva”, theksoi Bido.
Bido tha se “çdo punim i paraqitur nuk duhet të kapërcejë kufirin prej 400 mijë shkronjash dhe shenjash, ose të 10 fletëve tipografike”.
Thirrja për pjesëmarrje do të qëndrojë e hapur deri më datën 5 prill 2025.
Para luftës së fundit në Kosovë kanë ekzistuar plot grupe të njohura në estradën shqipe të rock&rollit dhe zhanreve tjera.
Një nga grupet më të famshme ka qenë grupi TRIX si një ndër grupet e para të rock and rollit shqiptar që u formua në vitin 1974, vit ky në të cilin u formuan edhe disa rok grupe të tjera të njohura si Grupi MAK nga Mitrovica, grupi TNT nga Mitrovica, grupi LUNIAZËT nga Prizreni, shkruan KultPlus.
Grupi Trix i cili u formua në pranverë të vitit 1974 në fillim përbëhej nga tre anëtarë: Veli Sahiti, Muhamet Bislimi, si dhe Nuredin Azemi. Po në këtë vit u bënë edhe ca ndryshime, në grup inkuadrohen edhe dy anëtarë, Hil Prenk Palaj (Daullist) si dhe Gjergj Prenk Palaj (Harmonike goje).
Sot po ju sjellim një nga hitet më të mëdha të këtij grupi muzikor, bashkangjitur gjeni edhe tekstin e këngës.
U ndamë në errësirë Atë natë kur binte shi Më puthe një herë Më the lamtumirë
Dy lotë më pikojnë O shpirti im Pse më len të vetëm Sa je e pamëshirë
Ato fjalë i kujtoj Zemra më vajton Te dua vashë, të dua Pa ty s´mund të jetoj.
Dy lotë më pikojnë O shpirti im Pse më len të vetëm Sa je e pamëshirë. /KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi edhe nga Princi i Kurorës së Kuvajtit Sabah Khaled Al-Hamad Al Sabah për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
“Me këtë rast ju përcjell urimet më të mira për shëndet të plotë e lumturi për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj mik, zhvillim e prosperitet të mëtejshëm”, ka thënë Princi i Kurorës, duke potencuar miqësinë dhe bashkëpunimin e ngushtë në mes dy vendeve.
Më 19 shkurt të vitit 2016, ndërroi jetë njëri nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë botërore, Umberto Eco.
Sot, KultPlus ju sjell një pjesë të shkëputur nga libri ‘Kronika të një shoqërie likuide’
-Ju lutem mbani parasysh që ideja ime për idiotët nuk kishte konotacione negative. Askush, me pak përjashtime, nuk është idiot për nga profesioni, por dikush që është bakall i shkëlqyer, mjek i shkëlqyer, apo një punonjës banke i shkëlqyer, mund të thotë disa broçkulla për gjëra që as nuk i njeh dhe as nuk i di, apo as nuk i ka menduar mjaftueshëm.
Reagimet në Internet janë të menjëhershme, pa lënë kohë për reflektim.
Jam argëtuar shumë nga një lajm që doli në Internet në lidhje me idiotët. Për ata që nuk e kanë ndjekur, u raportua në mediat online dhe në ato të shkruara se në një të ashtuquajtur leksion, unë kam deklaruar se Interneti është i mbushur me idiotë. Kjo nuk është e vërtetë. Leksioni ishte për një temë krejt tjetër, por ai demonstron se si lajmi shtrembërohet kur qarkullon nëpër gazeta dhe në Internet.
Lajmi për idiotët doli gjatë një konference shtypi, kur teksa i përgjigjesha një pyetjeje, bëra një vëzhgim krejt të arsyeshëm dhe logjik. Nga shtatë miliard banorët që ka planeti, ka një numër të pashmangshëm idiotësh, shumë prej të cilëve janë mësuar që ua komunikojnë përçartjen e tyre miqve apo të afërmve në bar, kështu që opinionet e tyre janë të kufizuara në një rreth të caktuar. Një numër domethënës i këtyre njerëzve tashmë mund t’i shprehin mendimet e tyre në rrjetet sociale. Prandaj opinione të tilla mbërrijnë në audienca të mëdha, dhe shkrihen bashkë me shumë opinione të tjera, që shprehin njerëz të arsyeshëm.
Ju lutem mbani parasysh që ideja ime për idiotët nuk kishte konotacione negative. Askush, me pak përjashtime, nuk është idiot për nga profesioni, por dikush që është bakall i shkëlqyer, mjek i shkëlqyer, apo një punonjës banke i shkëlqyer, mund të thotë disa broçkulla për gjëra që as nuk i njeh dhe as nuk i di, apo as nuk i ka menduar mjaftueshëm. Reagimet në Internet janë të menjëhershme, pa lënë kohë për reflektim.
Eshtë e drejtë që Interneti t’u lërë hapësirë atyre që nuk kanë asgjë të arsyeshme për të thënë, por tepria e budallallëkut është duke mbushur radhët. Dhe disa reagime të pahijshme që kam parë në Internet, konfirmojnë pretendimin tim. Në të vërtetë, dikush raportoi se unë kam thënë që Interneti ofron të njëjtën famë, si për mendimet e një budallai, ashtu edhe ato të një fituesi të Çmimit “Nobel”, dhe krejt papritur nisi një debat i kotë, që u bë edhe viral, mbi faktin nëse unë e kisha pranuar apo jo Çmimin Nobel – ndërkohë që askush nuk mori mundimin as të hapte Wikipedian. E gjithë kjo tregon se sa shumë të prirur janë njerëzit që të flasin, pa u ndalur për të menduar. Në çdo rast, numri i idiotëve tani mund të kuantifikohet: 300 milionë. Raportohet se Wikipedia ka humbur 300 milion përdorues kohët e fundit. Këta janë të gjithë njerëz që lundrojnë, po nuk e përdorin më Internetin për të gjetur informacion, por preferojnë të rrijnë online duke biseduar me të singjashmit, dhe me gjasë pa u ndalur për të menduar.
Përdoruesi normal i Internetit duhet që të jetë i aftë të rrokë dallimin mes ideve jokoherente dhe të artikuluara mirë, dhe këtu lind problemi i filtrimit të informacionit. Nuk lidhet vetëm me opinione të shprehur në blogje apo Twitter, por është një çështje urgjente për të gjitha faqet e internetit, ku mund të gjesh informacion që është i besueshëm dhe i dobishëm, por gjithashtu – dhe sfidoj këdo që dëshiron ta mohojë – edhe përçartje të gjithfarëlloji, rrëfime për komplote joekzistente, mohime të Holokaustit, racizëm, informacion që është i rremë nga pikëpamja kulturore.
Si mund ta filtrosh informacionin? Secili prej nesh e ka aftësinë ta filtrojë informacionin, kur shohim faqe interneti që merren me tema për të cilat kemi njohuri, por unë i pari do e kisha problem të dalloja, nëse një faqe interneti thotë të vërtetën apo gënjen, kur shkruan për Teorinë e Fijeve. As edhe shkollat nuk munden t’u mësojnë nxënësve si të filtrojnë informacionin, përderisa mësuesit janë në të njëjtin pozicion si unë, dhe ata që japin mësim gjuhën greke mund të gjenden të pambrojtur, kur lexojnë një faqe që shkruan për teorinë e katastrofës së Luftës së Tridhjetë Viteve.
Ka vetëm një zgjidhje. Gazetat janë shpesh skllave të Internetit, pasi aty gjejnë lajme dhe histori që shpesh rezultojnë false, duke i dhënë kështu një zë rivalit të tyre më të madh – dhe duke e bërë këtë gjithmonë më vonë se sa Interneti. Në vend të kësaj, ato duhet t’i dedikojnë dy faqe çdo ditë analizës së website-ve, në po të njëjtën mënyrë siç bëjnë vlerësime të filmave apo librave, duke nxjerrë në pah faqet që janë virtuoze dhe ato që nxjerrin lajme të gënjeshtërta apo komplote pa lidhje. Kështu do të bënin një shërbim të vyer publik, e madje mund të bindin edhe ata shumë përdorues të Internetit që po u ikin gazetave, që të rikthehen.
Për një sipërmarrje të tillë, një gazetë do të kish nevojë për një ekip analistësh, shumë prej të cilëve do të duhej të vinin nga jashtë. Do të kushtonte, por do të ofronte një shërbim të vyer kulturor dhe do i jepte shtypit një qëllim të ri. / KultPlus.com
Shmangni destinacionet e mbipopulluara dhe zbuloni disa nga vendet e qeta, por sensacionale të pushimeve për një arratisje të paharrueshme këtë vit, shkruan Daniel Stables në të përditshmen britanike “Independent”.
“Ferri janë njerëzit e tjerë” – kështu shkruante Jean-Paul Sartre, figurë udhëheqëse në filozofinë dhe marksizmin francez të shekullit XX – i cili mund të kishte qenë më pak një mizantrop nëse do të kishte kaluar më pak kohë në Paris, kryeqytetin më të populluar të Evropës – dhe në vend të tij të shkonte drejt zonave më të qeta të vendit të tij; Camargue – rajoni bregdetar në Francën jugore apo ndoshta, Occitania – rajoni historik në Evropën Jugore.
Sot, turizmi masiv është bërë një problem në cepat e botës ku njerëzit nuk kishin shkelur një ose dy shekuj më parë, dhe aq më pak në Francë.
Antarktida po mbushet me anije lundrimi dhe shpesh shfaqen bllokime të trafikut në majën e Everestit.
Kjo nuk është vetëm e tmerrshme për mjedisin, por është një mënyrë e sigurt për të prishur pushimet.
Ne ju sugjerojmë disa destinacione më pak të vizituara në të gjithë botën, të cilat janë po aq magjepsëse sa vendet homologe më të njohura si: Shqipëria; Omani; Sulawesi, Indonezia dhe Zimbabve.
Shqipëria
Male të larta, plazhe të mahnitshme dhe ishuj që shkëlqejnë në detin Jon – Greqia është e bukur në pranverë, por fqinja e saj ballkanike, Shqipëria, i premton të gjitha këto thesare – me shumë më pak vizitorë dhe një larmi më të madhe peizazhesh natyrore në një sipërfaqe toke më të vogël.
Parku Kombëtar i Thethit, në veri të vendit është shtëpia e ecjeve të shkëlqyera dhe pamjeve befasuese si Syri i Kaltër, një burim karstik me ujëra të kaltra.
Aty pranë, Bjeshkët e Nemuna formojnë Alpet Dinarike.
Ky vend me majat e frikshme, të thepisura, që rrethojnë luginat e gjelbra akullnajore – me lule të egra në pranverë, sigurisht që ia vlen të vizitohet përpara se të zbulohet dhe të bëhet një nga destinacionet më të nxehta të ecjes në Evropë.
Kryeqyteti i gjallë, Tirana, ju jep ndjesinë e një vendi që kompenson kohën e humbur.
Arkitektura e larmishme e qytetit pasqyron shumëllojshmërinë e tij kulturore, lëvizjen e tij përmes diktaturave fashiste dhe komuniste dhe hapjen e tij ndaj botës më të gjerë që nga vitet 1990.
Ndërtesat që bien në sy përfshijnë Piramidën e Tiranës, e ndërtuar si një muze per diktatorin Enver Hoxha; Xhamia monumentale e Namazgjasë, më e madhja në Ballkan; dhe Shtëpia me Gjethe, një muze spiunazhi dhe një qendër mbikëqyrjeje e policisë sekrete komuniste.
Aty ku Tirana merr jetë, megjithatë, është skena e saj kulturore bashkëkohore.
Muzeu i artit modern – Bunk’Art është një simbol i gjallë i rishpikjes, i vendosur në një bunker të rindërtuar të Luftës së Ftohtë; ndërsa Blloku – dikur i frekuentuar vetëm nga elita komuniste ka rilindur si një lagje plot restorante dhe bare të modës./atsh/ KultPlus.com
André Gide ishte një autor francez dhe fitues i Çmimit Nobel në Letërsi (në 1947).
Ai është autor i më shumë se pesëdhjetë librave. Gazeta “The Neë York Times” e kishte përshkruar atë si “njeriu më i madh bashkëkohor i Francës në letra”.
Për lexuesit tanë sjellim këtë koleksion me thëniet më të bukura të tij:
Të dish të lirosh veten nuk është asgjë; gjëja e mundimshme është të dish çfarë të bësh me lirinë e dikujt.
Njeriu nuk mund të zbulojë oqeane të reja, nëse nuk ka guximin të harrojë bregun.|
Besojuni atyre që kërkojnë të vërtetën. Dyshoni tek ata që e gjejnë.
Ji besnik ndaj asaj që ekziston brenda vetes.
Gjithçka është thënë tashmë, por meqenëse askush nuk po dëgjonte, ne duhet të fillojmë përsëri.
Ngjyra e së vërtetës është gri.
Vetëm ato gjëra janë të bukura të cilat janë të frymëzuara nga çmenduria dhe të shkruara nga arsyeja.
Hipokriti i vërtetë është ai që pushon së perceptuari mashtrimin e tij, ai që gënjen me sinqeritet.
Ju lutem mos më kuptoni shumë shpejt.
Të kesh zili për lumturinë e një njeriu tjetër është çmenduri; nuk do të dinit çfarë të bënit me të nëse do ta kishit.
Ai që dëshiron një trëndafil duhet ta respektojë gjembin e tij.
Vetëm budallenjtë nuk e kundërshtojnë vetveten.
Ka shumë gjëra që duken të pamundura për aq kohë që dikush nuk i provon ato.
Frika nga tallja lind frikacakun më të keq.
Guxo të jesh vetvetja.
Atëherë ju mendoni se dikush mund të mbajë një dashuri të pashpresë në zemrën e tij për aq kohë sa? … Dhe se jeta mund të marrë frymë mbi të çdo ditë, pa e shuar atë?
Ji besnik ndaj asaj që ekziston askund tjetër veç te vetja jote – dhe kështu bëhu i domosdoshëm.
Urtësia nuk vjen nga arsyeja por nga dashuria.
Eshtë më mirë të të urrejnë për atë që je sesa të të duan për atë që nuk je.
Si do të ishte një rrëfim i lumturisë? E tëra që mund të përshkruhet është se çfarë e përgatit atë, dhe pastaj çfarë e shkatërron atë.
Veprimet më vendimtare të jetës sonë – dua të them ato që ka më shumë të ngjarë të vendosin gjithë rrjedhën e së ardhmes sonë – janë, më shpesh , të pamenduara.
Ne duhet ta shijojmë këtë verë, lule më lule, sikur të ishte e fundit që do të shohim.
Të lexosh një shkrimtar është për mua jo thjesht të marr një ide se çfarë thotë ai, por të shkoj me të dhe të udhëtoj në shoqërinë e tij.
Çdo çast i jetës sonë është në thelb i pazëvendësueshëm: duhet ta dini këtë në mënyrë që të përqendroheni në jetë.
Unë nuk dëshiroja asgjë përtej buzëqeshjes së saj dhe të ecja me të kështu, dorë për dore, përgjatë një dielli të ngrohur, në shtegun e luleve.
Trishtimi nuk është pothuajse kurrë asgjë, por një formë e lodhjes.
Kapaciteti për të fituar falas nuk është asgjë; aftësia për të qenë i lirë është detyra.
Gjërat më të rëndësishme për të thënë janë ato që shpesh nuk i mendoja të nevojshme t’i thosha – sepse ishin shumë të dukshme.
Mirëpriteni gjithçka që ju vjen, por mos dëshironi për asgjë tjetër.
Arti fillon me rezistencën – në pikën ku rezistenca kapërcehet. Asnjë kryevepër njerëzore nuk është krijuar kurrë pa punë të madhe.
Arti është një bashkëpunim midis Zotit dhe artistit, dhe sa më pak që bën artisti, aq më mirë.
Në mënyrë që të jem plotësisht i lumtur, e vetmja gjë e nevojshme është të përmbahem nga krahasimi i këtij momenti me momentet e tjera në të kaluarën, të cilat shpesh nuk i shijoja plotësisht, sepse i krahasoja me momentet e tjera të së ardhmes.
Më shpesh njerëzit kërkojnë situata të jetës për të këmbëngulur në mendimet e tyre sesa për të arsimuar veten e tyre.
Rrugët më të rrahura janë sigurisht më të sigurtat, por mos shpresoni të fitoni shumë me to.
Kam ndërmend t’ju sjell forcë, gëzim, guxim, zgjuarsi, sfidë.
Novelisti nuk ka shumë dëshirë ta shohë luanin duke ngrënë bar. Ai e kupton që i njëjti Zot krijoi ujkun dhe qengjin, pastaj buzëqeshi, “duke parë që puna e tij ishte e mirë”.
Ata krijojnë dallime dhe rezerva të cilat unë nuk mund t’i zbatoj për vete, sepse ekzistoj vetëm si një i tërë; I vetmi pretendim im është të jem i natyrshëm dhe kënaqësinë që ndiej gjatë një veprimi, e marr si shenjë se duhet ta bëj.
Vetë gjërat që më ndanin dhe më dallonin nga njerëzit e tjerë ishin ato që kishin rëndësi; gjërat që askush tjetër nuk do të donte dhe nuk mund të thoshte, këto ishin gjërat që unë kisha për të thënë.
Krijimet më të bukura të burrave janë vazhdimisht të dhimbshme. Cili do të ishte përshkrimi i lumturisë?./KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga presidenti i Republikës Çeke, Petr Pavel, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
Në mesazhin e tij, presidenti Pavel ka rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Republikës Çeke për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe për rrugëtimin e saj drejt integrimit euroatlantik.
“Presidenti Pavel ka shprehur besimin e tij se marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Çekisë do të vazhdojnë të zhvillohen me sukses, duke u bazuar në miqësinë dhe përkushtimin e ndërsjellë për vlerat demokratike dhe stabilitetin rajonal”, thotë Presidenca e Kosovës në njoftimin për media.
Poezi nga Pedro Salinas Përkthyer nga Enkeleda Suti.
Kur të më zgjedhësh mua – zgjidh dashurinë – Unë dola zbuluar nga anonimiteti i madh ndaj kujtdo, nga asgjëja. Deri atëherë Une nuk kisha qenë kurrë më i gjatë sesa vargmalet e thepisura të botës. Nuk u zhyta kurrë më thellë sesa shënjimet maksimale të tabelave të marinës. Dhe gëzimi im, ishte i trishtuar, ashtu siç janë orët e vogla pa nje rrip që t’i shtrëngojë rreth rrethit të dorës, pa akrepa, në vend. Por kur ti the ti: ti, për mua, ishte shenja që unë qëndroja përmbi yjet, më thellë sesa koralet. /KultPlus.com
“Leximi i librave është kalimi më i lavdishëm që njerëzimi ka krijuar ende,” vuri në dukje poetja polake dhe fituese e çmimit Nobel, Wislawa Szymborska, në meditimin e saj të bukur se pse ne lexojmë. “Sa më shumë nevoja për argëtim dhe edukim të zakonshëm mund të plotësohet nga shpikjet e reja,” pohoi Hermann Hesse, një brez më parë, “aq më shumë libri do të rimarrë dinjitetin dhe autoritetin e tij.” Por sot, më shumë se gjysmë shekulli më vonë, çfarë ka mbetur nga dinjiteti dhe autoriteti i librit, teksa tekno-distopistët përshkruajnë vdekjen e tij dhe tekno-fetishistët e shtrëngojnë atë nga jeta në përpjekjet e tyre të pandërprera për ta “përmirësuar” atë përtej njohjes?
Kjo është ajo që shqyrtoi, romancieri, eseisti, filozofi dhe semiotiku i madh italian Umberto Eco (5 janar 1932–19 shkurt 2016) në “Ky nuk është fundi i librit” – të dhënat e tij të gjata dhe të mrekullueshme, bisedë e gjerë me romancierin, dramaturgun dhe skenaristin francez Jean-Claude Carrière për të ardhmen e librit dhe shpërblimet e tij të përhershme si një medium i njerëzimit të pazëvendësueshëm.
Eko shikon në të kaluarën për të dalluar të ardhmen:
Një nga dy gjërat do të ndodhë: ose libri do të vazhdojë të jetë mjeti për lexim, ose zëvendësimi i tij do të ngjajë me atë që libri ka qenë gjithmonë, edhe para shpikjes së shtypshkronjës. Ndryshimet e librit si objekt nuk e kanë modifikuar as funksionin e as gramatikën e tij për më shumë se 500 vjet. Libri është si luga, gërshërët, çekiçi, rrota. Pasi shpiket, nuk mund të përmirësohet. Nuk mund të bësh një lugë më të mirë se një lugë. Kur projektuesit përpiqen të përmirësojnë diçka si tapashja, suksesi i tyre është shumë i kufizuar; shumica e “përmirësimeve” të tyre as që funksionojnë. Philippe Starck tentoi një shtrydhëse limoni novatore; versioni i tij ishte shumë i pashëm, por i lë gropat. Libri është testuar tërësisht dhe është shumë e vështirë të shihet se si mund të përmirësohet për qëllimet e tij aktuale. Ndoshta do të evoluojë në aspektin e komponentëve; ndoshta faqet nuk do të jenë më prej letre. Por sërish do të jetë e njëjta gjë.
Eco merr në konsideratë pse librat kanë lindur në radhë të parë dhe çfarë i bën ata të qëndrueshëm në përvojën njerëzore:
Mund ta mendojmë shkrimin si një zgjatim i dorës, dhe për rrjedhojë si pothuajse biologjik. Është mjeti i komunikimit që lidhet më ngushtë me trupin. Pasi u shpik, nuk mund të hiqej kurrë… Shpikjet tona moderne – kinema, radio, internet – nuk janë biologjike.
Me një sy në pritshmërinë e formateve të reja mediatike, të cilat bëhen të vjetruara brenda një ose dy brezash, Eco shton:
Duke dashur të zgjedh diçka lehtësisht të transportueshme dhe që është treguar e barabartë me dëmtimet e kohës, zgjedh librin./AlbertVataj/ KultPlus.com
Gjiganti amerikan i internetit “Google” i ka paguar Italisë 326 milionë euro, tha sot zyra e prokurorit publik në Milano, për të zgjidhur mosmarrëveshjen tatimore që ka vazhduar prej disa vitesh.
Kompania konfirmoi zgjidhjen e mosmarrëveshjes jashtë procesit gjyqësor, duke deklaruar se “Google” dhe autoriteti financiar italian kishin arritur një pakt dhe kishin caktuar një kontroll tatimor për periudhën midis 2015 dhe 2019 pa procedura ligjore.
Në të njëjtën kohë, prokurori Marcello Viola njoftoi synimin e tij për të kërkuar mbylljen e çështjes ndaj filialit irlandez “Google Ireland Limited”, e cila kishte të bënte me evazionin fiskal.
Mosmarrëveshja përfshinte pretendimet se kompania amerikane ishte përpjekur të anashkalonte pagesat e taksave në Itali nëpërmjet Irlandës./atsh/ KultPlus.com
Nikolaus Kopernikus (Koperniku), polonisht: Mikołaj Kopernik (lindi me 19 shkurt 1473 ne Thorn (sqt.: Torn) Poloni dhe vdiq me 24 maj 1543 në Frauenburg) u bë njëri nga astronomët më të shquar evropianë me teorinë e tij të lëvizjës së planetëve nëpër orbita rreth diellit. Me zbulimet e tij ai krijoi një botëkuptim të ri pas mesjetar. Përveç kësaj ai ishte astrolog, astronom, jurist, fizikant, diplomat, ekonomist matematikan, mjek, qeveritar dhe ushtarak.
Kombësia e Kopernikut që nga shekulli i 19 u bë shkak për shumë kundërshtime të ashpra. Një gje por është e qartë se ai ishte ose polak, ose gjerman. Kjo gjë pasqyrohet në emrin e tij. Në gjermanisht ai quhet përgjithsisht Nikolaus Kopernikus, për shkak të versionit të latinizuar Copernicus nga mbiemri Koppernigk. Polonisht ai quhet Mikołaj Kopernik. Koperniku ishte biri i një gruaje gjermane, kombësia e të atit është e paqartë. Qyteti i tij i lindjes Torn pak kohë pas lindjes së tij kaloi nën sundimin e mbretit polak, kështu që ai formalisht njihet si polak.
Jeta
Koperniku, biri i një tregtari, lindi më 1473 në Poloni në qytetin Torni. Në Krakov dhe shumë universitete ai studioi matematikën, astronominë, teologjinë, drejtësinë dhe mjekësinë. Që nga viti 1512 derisa vdiq, më 1543, jetoi në Frauenburg, një qytet i vogëlth në Prusinë Lindore, ku u emërua kanonik në katedrale. Koperniku në fakt është specialist i së drejtës kanunore, disiplinë në të cilën arriti gradën doktor. Puna si kanonik në katedrale i plotësonte nevojat ekonomike, kështu që mund t’u kushtohej hulumtimeve shkencore të trupave qiellorë. Astronomia ishte disiplina e preferuar e tij. Pozicioni gjeografik i Frauenburgut, që ndodhej në bregdet, e favorizonte punën ajgëtuese të tij. Kopereniku e vendosi observatorin dhe vendbanimin në një nga kullat mbrojtëse të bregut. Instrumentat e tij ishin shumë të thjeshtë, por më i madhi i vazhduesve të veprës së tij, Tiho Brahe, ishte më i lumturi i njerëzve kur i ofruan një të tillë.
Koperniku ishte më shumë teoricien se vrojtues. Ndihmesa e tij në astronomi, që është një ndihmesë mjaft e madhe, qëndron në një teori:në kundërshtim me idetë e pranuara deri atëherë, nuk është kupa qiellore që bën një rrotullim të përditshëm përreth tokës, por është toka që rrotullohet rreth boshtit të saj imagjinar, dhe përshkon në të njëjtën kohë një rrotullim rreth diellit. Koperniku arriti në këtë përfundim pasi studioi astronomët grekë e arabë, por edhe nga vrojtimet vetjake. Toka nuk është qendra e universit, por një nga planetet që rrotullohen rreth diellit. Kjo frazë e thjeshtë e thjeshtë është parimi themelor i “pikëpamjes kopernikiane për një nga miliona trupat e tjerë qiellorë. Koperniku në përfundimet e tij arriti pas shumë fakteve shkencore, por do të duhej të vinte gjysma e shekullit XIX për ta provuar atë përfundimisht.
Sot ende, anipse Koperniku vërtetoi që kjo nuk ishte e vërtetë, ne themi “ngritja”, apo “ulja” e diellit në fillim dhe në fund të ditës.
Zigmund Frojd, në një nga veprat e tij, thotë se gjatë rrjedhës së kohëve, shkenca i ka dhënë dy goditje krusmuese mendimit naiv që njeriu kishte për vlerat e tij: herën e parë, kur Koperniku nuk e pranoi tokën si qendrën e universit dhe e dyta kur Darvini provoi t’i heqë njeriut pozicionin e privilegjuar që besonte se zinte përballë botës së kafshëve. Përpara Kopernikut mendohej se dielli dhe yjet iahin krijuar në funksion të tokës dhe toka në funksion të njeriut. Kur ai shpalli se universi nuk rrotullohej rreth planetit tonë, vetëdija njerëzore pësoi një trandje shungulluese. Koperniku pati një ndikim aq revolucionar në botëkuptimin që njerëzit kishin për botën, sa vetëm bashkëkohësi i tij, Kristofor Kolombi, mund të mendohej se kishte arritur një lavdi të atillë. /KultPlus.com
Presidentja e Konfederatës Zvicerane, Karin Keller-Sutter, ka uruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Në mesazhin e saj, presidentja Keller-Sutter shprehu kënaqësinë dhe urimet më të përzemërta për popullin e Kosovës, duke theksuar marrëdhëniet e ngushta dhe të larmishme mes dy vendeve.
Ajo gjithashtu theksoi se këto marrëdhënie do të thellohen edhe më tej në vitet në vazhdim, duke u udhëhequr nga angazhimi i përbashkët për stabilitet, paqe dhe siguri.
“Jam e kënaqur që vendet tona vazhdojnë të gëzojnë marrëdhënie të ngushta dhe të larmishme dypalëshe. Jam e bindur se këto lidhje do të thellohen edhe më shumë në vitet në vijim, të udhëhequra nga përkushtimi ynë i përbashkët për stabilitet, paqe dhe siguri”, shkruhet mes tjerash në urim.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Në urimin e tij, Presidenti Begaj ka përgëzuar institucionet dhe qytetarët e Kosovës për përkushtimin e tyre në ndërtimin dhe konsolidimin e një shteti të pavarur, sovran dhe demokratik.
Presidenti Begaj ka vlerësuar faktin që Kosova është një realitet i pakundërshtueshëm dhe një partner i besueshëm në rajon, duke theksuar kontributin e saj për paqen, sigurinë dhe prosperitetin. Ai ka theksuar rëndësinë e intensifikimit të marrëdhënieve “si dy shtete të një kombi me një të ardhme të përbashkët euroatlantike”.
Në mesazhin e tij, Presidenti Begaj ka ripërsëritur mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Kosovën në të gjitha sfidat e saj, përfshirë përpjekjet për njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe rajonale./KultPlus.com
“Ilustrowana Republika” ka botuar, të shtunën e 10 marsit 1928, në faqen n°5, intervistën ekskluzive asokohe me Aleksandër Moisiun nëŁódźtë Polonisë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Një artist me famë botërore në skenën e teatrit të qytetitŁódź.
Aleksandër Moisiu erdhi nëŁódźpër disa ditë.
Burimi : Ilustrowana Republika, e shtunë, 10 mars 1928, faqe n°5
Dje, në orën 7 të mëngjesit, ai erdhi drejtpërdrejt nga Berlini në qytetin tonë. — Aleksandër Moisiu.
— Unë isha mbi oqean 8 ditë më parë — na thotë ai me një gjermanishte të butë dhe me theks gjatë provës së “Henri IV” — sapo jam kthyer — siç ndoshta e dini tashmë — nga Amerika, ku kam luajtur me grupin e Reinhardt-it.
— Pra — direkt nga Nowy Świat (Bota e Re) në Łódź ?
— Jo saktësisht, por — pothuajse… Unë u ndala në Hamburg për një paraqitje të Hamletit, pastaj pushova një natë në Berlin dhe ja ku po përmbush marrëveshjen me drejtorin Gorczyński…
Shkojmë në dhomën e zhveshjes dhe fillojmë bisedën aktuale. Moisiu është shumë llafazan, i gjallë, gazmor, në çdo fjalë që thotë, herë i theksuar nga një gjest, herë nga një shtrëngim i muskujve të fytyrës, shpalos temperamentin racor të një artisti të madh dhe të një jugori…
Sepse nga lindja është italian.
Megjithatë, kur ishte 17 vjeç, ai u largua nga vendlindja. E filloi karrierën e tij skenike në Gjermani, aty spikati përkrah të famshmit Reinhardt dhe u bë një nga aktorët më të mëdhenj të dramatikës bashkëkohore, i njohur si në Berlin ashtu edhe në Paris, në Londër, Romë dhe Nju Jork, kudo ku ka rryma të forta të jetës kulturore-artistike.
— Nuk është hera e parë që vini në Lodz. A mund t’ju pyes se çfarë përshtypje ju bën qyteti ynë ?
— Nuk mund t’ju them asgjë specifike për këtë… Zoti im — rreth një vit më parë isha këtu për disa orë — tani jam këtu që prej në mëngjes — çfarë mund të di për Łódź-in ? Trafiku — si kudo, shtëpi — si kudo… Teatri —
Këtu Moisiu ndalon dhe buzëqesh në mënyrë misterioze —
— … teatri është shumë i vogël për një teatër gjerman (Städtisches Theater) në një qytet kaq të madh… Dhe — jo shumë i madh…
Ne informojmë Moisiun se teatrot tanë “u dogjën” dhe se kjo ndërtesë është vetëm një lloj improvizimi deri në ndërtimin e një ndërtese të madhe monumentale.
— “Epo, po, mirë, atëherë është diçka tjetër…”, buzëqesh artisti i madh.
— Në Nju Jork, sigurisht, keni luajtur në një ndërtesë më madhështore —
— Po sigurisht… Kam qenë 3 muaj në Amerikë. Unë jam ende i mahnitur nga atmosfera e Botës së Re — der Neuen Welt… Ekipi i Reinhardt-it arriti sukses të jashtëzakonshëm atje…
— pjesa e luanit e së cilës ndoshta duhet të transferohet në llogarinë tuaj … — mbarojmë fjalinë —
— E luanit ? Nuk e di, duhet të jesh modest, por duhet ta pranosh me të vërtetën se kam fituar një popullaritet të jashtëzakonshëm mes amerikanëve… Kemi luajtur “Kufomën e gjallë” të Tolstoit, “Intrigën e dashurisë” të Schilleran-it, “Shërbëtorin e dy zotërinjve” të Goldoni-t, “Hamletin”. Suksesi më i madh ishte drama e Tolstoit, gazetat botuan kolona të tëra me kritika të hollësishme…
Nga ana tjetër, Moisiu fillon të bëhet entuziast për atmosferën liridashëse amerikane.
— E shikon, kur kthehesh në Evropë prej andej, e kupton se sa e ngushtë është në të vërtetë në këtë botë tonë të “vjetër”… Liri individuale atje, dhe pasaportë, vizë, kufi në çdo hap në Evropë… Atmosfera e punës dhe lirisë atje, dhe dallimet e titujve dhe statuseve këtu… Dhe kështu në çdo fushë…
— Këto dallime i ndjej me dhimbje, natyrisht, jo si politikan, që nuk jam, por si artist, sepse jam i vetëdijshëm dhe i bindur, i përvetësuar përmes dëshmitarëve okularë, se arti mund të zhvillohet vetëm në një atmosferë lirie…
— Unë njoh teatro nga e gjithë bota kulturore, kam dhënë shfaqje shumë herë — jo vetëm në Rusi (si në kohën cariste ashtu edhe në kohën bolshevike), në Francë, në Angli, kam vëzhguar ekzistencën dhe thelbin e teatrit kudo dhe besoj se në një të ardhme të afërt Amerika do ta kalojë Evropën, — si në çdo aspekt, edhe në zhvillimin e artit teatror… Teatri amerikan po merr rrugë krejtësisht të ndryshme dhe po merr vrull të çmendur…
— Po në Itali, në atdheun tuaj — si janë gjërat — e pyesim ?
Moisiu tund dorën me ngurrim,…
— Nuk besoni se Musolini do ta çojë lart artin italian ? e pyesim sërish.
— Musolini ? Një atmosferë e lirë u duhet njerëzve të punës dhe njerëzve të talentuar… Askush dhe asgjë nuk mund ta zëvendësojë atë…
***
Nis prova e aktit të dytë të “Henri IV”. Aty-këtu duhet të rakordosh tekstin e kopjes polake me atë gjermane, Moisiu dëgjon barrën e fjalëve polake, komunikon në frëngjisht me këtë apo atë partner — edhe një herë — po zhvillohet një punë e ethshme përgatitore për shfaqjen e jashtëzakonshme të së shtunës — një shfaqje në të cilën do të shohim një nga përfaqësuesit më të mëdhenj bashkëkohorë të artit dramatik.
Largohem nga zona e prapaskenës nën magjinë e ndikimit të bisedës me një artist të madh./ KultPlus.com
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot.
Bëhet e ditur se Kurti e Gueroti folën për zgjedhjet e 9 shkurtit, mbarëvajtjen e tyre, ndërhryjet e Serbisë dhe rrugën përpara për formimin e institucioneve.
“Zgjedhjet e 9 shkurtit, mbarëvajtja e tyre, ndërhyrjet e Serbisë dhe rruga përpara për formimin e institucioneve të dala nga rezultatet e zgjedhjeve, ishin çështjet kryesore të diskutimit”, thuhet në njoftimin e qeverisë, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, në njoftim thuhet se gjatë takimit u fol edhe për bashkëpunimin në mes ambasadës franceze dhe institucioneve të vendit por edhe për marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Francës.
Rrugët e qytetit të Shkodrës u gjallëruan sot nga parada e fëmijëve të veshur me kostume shumëngjyrëshe, me rastin e festës së Karnavaleve.
Të veshur si personazhet e dashura për ta, fëmijët përcollën gëzim dhe energji në rrugët e qytetit përmes paradave, koncerteve dhe performancave artistike.
Bashkia e Shkodrës fton qytetarët të vizitojnë qytetin verior për të festuar karnavalet duke shijuar gjallërinë dhe bukurinë e kësaj atmosfere unike.
“Një festë që ruan traditën dhe e bën Shkodrën një pikë të veçantë festive”, shkruan bashkia në një postim në rrjetet sociale.
Prej dy ditësh në Shkodër ka nisur Festa e Karnavaleve, ku kostumet shumëngjyrëshe, maskat si dhe atmosfera festive po mbizotërojnë në të gjitha rrugët, sheshet dhe në kalanë e Rozafës. Të rinjtë dhe fëmijët e qytetit kanë shpalosur kreativitetin e tyre.
Paradat e karnavaleve të Shkodrës do të vijojë deri më 23 shkurt.
Shkodra është qyteti që e ka festuar më herët Karnavalen. Festimet e para i përkasin gjysmës së dytë të shekullit XIX, saktësisht vitit 1860, duke krijuar një traditë solide që vazhdoi deri në vitin 1946, ku për shkak të regjimit komunist, u ndalua së festuari për t’u rikthyer sërish si traditë pas viteve ’90./atsh/KultPlus.com
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu.
Bëhet e ditur se Kurti e De Riu folën për zhvillimet në vend, me theks të mbarëvajtja e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Diskutuan për zhvillimet në vend, me theks te mbarëvajtja e zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe hapat për formimin e institucioneve pas certifikimit te rezultateve”, thuhet në njoftimin e qeverisë, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, gjatë takimit u theksua edhe rëndësia e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe Kosovë – Itali.
Jam argëtuar shumë nga një lajm që doli në Internet në lidhje me idiotët. Për ata që nuk e kanë ndjekur, u raportua në mediat online dhe në ato të shkruara se në një të ashtuquajtur leksion, unë kam deklaruar se Interneti është i mbushur me idiotë. Kjo nuk është e vërtetë. Leksioni ishte për një temë krejt tjetër, por ai demonstron se si lajmi shtrembërohet kur qarkullon nëpër gazeta dhe në Internet.
Lajmi për idiotët doli gjatë një konference shtypi, kur teksa i përgjigjesha një pyetjeje, bëra një vëzhgim krejt të arsyeshëm dhe logjik. Nga shtatë miliard banorët që ka planeti, ka një numër të pashmangshëm idiotësh, shumë prej të cilëve janë mësuar që ua komunikojnë përçartjen e tyre miqve apo të afërmve në bar, kështu që opinionet e tyre janë të kufizuara në një rreth të caktuar. Një numër domethënës i këtyre njerëzve tashmë mund t’i shprehin mendimet e tyre në rrjetet sociale. Prandaj opinione të tilla mbërrijnë në audienca të mëdha, dhe shkrihen bashkë me shumë opinione të tjera, që shprehin njerëz të arsyeshëm.
Ju lutem mbani parasysh që ideja ime për idiotët nuk kishte konotacione negative. Askush, me pak përjashtime, nuk është idiot për nga profesioni, por dikush që është bakall i shkëlqyer, mjek i shkëlqyer, apo një punonjës banke i shkëlqyer, mund të thotë disa broçkulla për gjëra që as nuk i njeh dhe as nuk i di, apo as nuk i ka menduar mjaftueshëm. Reagimet në Internet janë të menjëhershme, pa lënë kohë për reflektim.
Eshtë e drejtë që Interneti t’u lërë hapësirë atyre që nuk kanë asgjë të arsyeshme për të thënë, por tepria e budallallëkut është duke mbushur radhët. Dhe disa reagime të pahijshme që kam parë në Internet, konfirmojnë pretendimin tim. Në të vërtetë, dikush raportoi se unë kam thënë që Interneti ofron të njëjtën famë, si për mendimet e një budallai, ashtu edhe ato të një fituesi të Çmimit “Nobel”, dhe krejt papritur nisi një debat i kotë, që u bë edhe viral, mbi faktin nëse unë e kisha pranuar apo jo Çmimin Nobel – ndërkohë që askush nuk mori mundimin as të hapte Wikipedian. E gjithë kjo tregon se sa shumë të prirur janë njerëzit që të flasin, pa u ndalur për të menduar. Në çdo rast, numri i idiotëve tani mund të kuantifikohet: 300 milionë. Raportohet se Wikipedia ka humbur 300 milion përdorues kohët e fundit. Këta janë të gjithë njerëz që lundrojnë, po nuk e përdorin më Internetin për të gjetur informacion, por preferojnë të rrijnë online duke biseduar me të singjashmit, dhe me gjasë pa u ndalur për të menduar.
Përdoruesi normal i Internetit duhet që të jetë i aftë të rrokë dallimin mes ideve jokoherente dhe të artikuluara mirë, dhe këtu lind problemi i filtrimit të informacionit. Nuk lidhet vetëm me opinione të shprehur në blogje apo Twitter, por është një çështje urgjente për të gjitha faqet e internetit, ku mund të gjesh informacion që është i besueshëm dhe i dobishëm, por gjithashtu – dhe sfidoj këdo që dëshiron ta mohojë – edhe përçartje të gjithfarëlloji, rrëfime për komplote joekzistente, mohime të Holokaustit, racizëm, informacion që është i rremë nga pikëpamja kulturore.
Si mund ta filtrosh informacionin? Secili prej nesh e ka aftësinë ta filtrojë informacionin, kur shohim faqe interneti që merren me tema për të cilat kemi njohuri, por unë i pari do e kisha problem të dalloja, nëse një faqe interneti thotë të vërtetën apo gënjen, kur shkruan për Teorinë e Fijeve. As edhe shkollat nuk munden t’u mësojnë nxënësve si të filtrojnë informacionin, përderisa mësuesit janë në të njëjtin pozicion si unë, dhe ata që japin mësim gjuhën greke mund të gjenden të pambrojtur, kur lexojnë një faqe që shkruan për teorinë e katastrofës së Luftës së Tridhjetë Viteve.
Ka vetëm një zgjidhje. Gazetat janë shpesh skllave të Internetit, pasi aty gjejnë lajme dhe histori që shpesh rezultojnë false, duke i dhënë kështu një zë rivalit të tyre më të madh – dhe duke e bërë këtë gjithmonë më vonë se sa Interneti. Në vend të kësaj, ato duhet t’i dedikojnë dy faqe çdo ditë analizës së website-ve, në po të njëjtën mënyrë siç bëjnë vlerësime të filmave apo librave, duke nxjerrë në pah faqet që janë virtuoze dhe ato që nxjerrin lajme të gënjeshtërta apo komplote pa lidhje. Kështu do të bënin një shërbim të vyer publik, e madje mund të bindin edhe ata shumë përdorues të Internetit që po u ikin gazetave, që të rikthehen.
Për një sipërmarrje të tillë, një gazetë do të kish nevojë për një ekip analistësh, shumë prej të cilëve do të duhej të vinin nga jashtë. Do të kushtonte, por do të ofronte një shërbim të vyer kulturor dhe do i jepte shtypit një qëllim të ri.
Umberto Eco – Shkëputur nga libri “Kronika të një shoqërie likuide” (Artikulli është botuar në 2015) – Në shqip nga bota.al/ KultPlus.com