Artisti i popullit, Avni Mula feston 92-vjetorin e lindjes

Artisti i Popullit dhe Nderi i Kombit, Avni Mula, feston sot 92-vjetorin e lindjes. Vajza e tij, sopranoja e madhe shqiptare, Inva Mula, i ka dedikuar nje urim shumë special, duke e quajtur atë hero 29-vjeçar.

“Happy birthday to my 29 years old Hero!” – “Gëzuar ditëlindjen Heroi im 29 vjeçar” – shkruan ajo në faqen e saj në FB, duke e numëruar ditëlindjen e 92-të mbrapsht dhe duke postuar një foto me të atin dhe dy fëmijët e saj.


Në këtë përvjetor, Inva Mula nuk do të jetë pranë të atit, pasi do të japë shfaqje në Gstaad.

“Prandaj nuk jam sonte të festoj me të”, thotë ajo për voal.ch “por do të këndoj për të”.

I madhi, Avni Mula ka lindur në Gjakovë në 4 janar të 1928, në një familje ku ishte i shtati fëmijë, më i vogli mes tre djemve dhe vajzave në atë familje.

Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës (1952-1957), ku u diplomua si këngëtar lirik, bariton. Gjatë studimeve ai u njoh dhe u martua me sopranon ruse Nina Mula me të cilën kaloi një jetë të mrekullueshme.

Familja Mula është një nga Familjet e Mëdha të Artistëve shqiptarë, ku të gjithë anëtarët e familjes janë artistë: Avni Mula, Nina Mula dhe dy vajzat, Adelina Mula, pianiste dhe Inva Mula, me famë botërore.

Karrierën artistike Avni Mula e nisi menjëherë pas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike. Veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës, etj.

Avni Mula zhvilloi një aktivitet të pasur koncertal brenda dhe jashtë Shqipërisë. Veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve ’60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”.

Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë, mes të cilave “Valsi i lumturisë”./KultPlus.com

Kjo figurë ka një atribut alt të zbrazët; emri i kartelës për të është avni.jpg