Gazeta britanike “Metro” rendit Shqipërinë, si destinacion për t’u vizituar në 2023

Shqipëria, e cila 3 dekada më parë ishte e panjohur për Botën, e me hapjen e kufijve një destiancion për ata më guximtarët, në vitet e fundit ajo po vendoset në krye të listës së operatorëve turistik, ndërsa medie prestigjioze po i bëjë jehonë, bregdetit e alpeve tona.

Kryeministri Edi Rama ndau sot një shkrim të gazetës britanike “Metro”, e cila rendit vendin tonë në krye të listës së vendeve që duhen vizituar në 2023.

“Edhe gazeta britanike “Metro”, këtë fundvit rendit sugjerimet për vendet që duhen vizituar në vitin 2023, ku natyrisht Shqipëria është pjesë e guidës së rekomanduar. Nga janari deri në nëntor të këtij viti 157 mijë vizitorë anglezë mikpritëm në Shqipëri, 93% më shumë se një vit më pare”, u shpreh Rama në rrjetet sociale.

Shqipëria sipas “Metro” është destinacioni i vitit 2023.

“Takoni destinacionin e vitit 2023. Brigjet e tij në ngjyrë karamel dhe ujërat që imitojnë Maldivet, përballueshmëria e këtij vendi jo të Eurozonës mund të jetë e parezistueshme pas faturave të frikshme të energjisë të dimrit”, thuhet në artikull.

“Metro” jep informacion mbi kostot për të mbërritur në bregdetin e Durrësit, përfshirë dhe fluturimin.

“Në prill, për shembull, fluturimet Londër-Tiranë kushtojnë nga 64 paund, nëpërmjet Easy Jet, taksitë për në Durrës fillojnë nga 15 paund dhe në bregdetin e resortit bregdetar, hoteli i mirënjohur “Cosmo” kushton vetëm 57 paund në natë. Kjo do të thotë se fundjavat mund të vijnë nën 200 paund për person, duke përfshirë kostot e tjera të mundshme”, citohet në shkrim. /atsh /KultPlus.com

Gazeta britanike “Metro” rekomandon Shqipërinë si destinacion për vitin 2023

Kryeministri Edi Rama ndau sot një shkrim të gazetës britanike “Metro”, e cila rendit Shqipërinë në krye të listës së vendeve që duhen vizituar në 2023.

“Edhe gazeta britanike “Metro”, këtë fundvit rendit sugjerimet për vendet që duhen vizituar në vitin 2023, ku natyrisht Shqipëria është pjesë e guidës së rekomanduar. Nga janari deri në nëntor të këtij viti 157 mijë vizitorë anglezë mikpritëm në Shqipëri, 93% më shumë se një vit më pare”, u shpreh Rama në rrjetet sociale.

Shqipëria sipas “Metro”, është destinacioni i vitit 2023.

“Takoni destinacionin e vitit 2023. Brigjet e tij në ngjyrë karamel dhe ujërat që imitojnë Maldivet, përballueshmëria e këtij vendi jo të Eurozonës mund të jetë e parezistueshme pas faturave të frikshme të energjisë të dimrit”, thuhet në artikull.

“Metro” jep informacion mbi kostot për të mbërritur në bregdetin e Durrësit, përfshirë dhe fluturimin.

“Në prill, për shembull, fluturimet Londër-Tiranë kushtojnë nga 64 paund, nëpërmjet Easy Jet, taksitë për në Durrës fillojnë nga 15 paund dhe në bregdetin e resortit bregdetar, hoteli i mirënjohur “Cosmo” kushton vetëm 57 paund në natë. Kjo do të thotë se fundjavat mund të vijnë nën 200 paund për person, duke përfshirë kostot e tjera të mundshme”, thuhet në shkrim. / KultPlus.com

Dita e Diasporës, Rama: Përulje dhe respekt për shqiptarët që punojnë jashtë

18 dhjetori shënon Ditën e Diasporës.

Sot në Ditën e Diasporës në mbledhjen vjetore të Këshillit Koordinues të Diasporës ishte i pranishëm edhe edhe kryeministri Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse Rama e konsideroi këtë takim si një moment reflektimi dhe diskutimi mbi çfarë është bërë së bashku dhe se sa shumë gjëra mbeten akoma për tu adresuar ndërkohë që marrëdhënia mes Diasporës dhe vendit amë është një marrëdhënie dinamike, me probleme që asnjëherë nuk shterojnë sepse kohët ndryshojnë. /KultPlus.com

“Dita e Rinisë”, Rama uron me vargjet e Migjenit

Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar sot “Ditën e Rinisë” që shënon 32 vjet nga krijimi i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit të vitit 1990.

Në këtë Ditë të Rinisë, Rama krahas videos të publikuar në rrjetet sociale ka uruar të rinjtë  me vargjet e kolosit të madh të letrave shqipe, Millosh Gjergj Nikolla (MIGJENI).

“Dita e Rinisë” në vendon tonë është festë kombëtare në nder të të gjithë studentëve të Dhjetorit 1990, vendim i marrë nga Kuvendi në vitin 2009.

“Rini, thueja kangës ma të bukur që di!

Thueja kangës sate që të vlon në gji.

Nxirre gëzimin tand’ të shpërthejë me vrull…

Mos e freno kangën! Le të marri udhë.

Thueja kangës, rini, pash syt e tu…

Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnu

me zjarrm tand, rini… Dhe të na mbysi dallga prej ndjenjash të shkumbzueme q’i turbullon kanga.

Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi

Kumbi i zanit te përplaset për qiellë

dhe të kthejë prap te na – se hyjt ta kanë zili

e na të duem fort si të duem një diell.

Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!

Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote” /atsh /KultPlus.com

Rama: Samiti BE-Ballkani Perëndimor, ngjarje historike për vendin

Samiti BE-Ballkani Perëndimor që do të mblidhet në 6 dhjetor në Tiranë, konsiderohet si një ngjarje historike për vendin.

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot në rrjetet sociale se “Shqipëria ka kënaqësinë e vendit mikpritës për herë të parë të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, një ngjarje historike, me respektin për ne që të ardhmen e shohim në familjen e madhe europiane”.

Samiti është i parë i këtij lloji që zhvillohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe është pjesë e zbatimit të Axhendës Strategjike të Këshillit Evropian 2019-2024.

Ai konsiderohet një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një rajon me një perspektivë të qartë drejt BE-së.

Sipas axhendës zyrtare të publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Bashkimit Europian, ndër temat kryesore të diskutimit do të jenë: trajtimi i pasojave të agresionit rus kundër Ukrainës; intensifikimi i angazhimit politik; përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja duke adresuar sfidat e paraqitura nga migrimi, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Gjithashtu në Samit do të bëhet vlerësimi i progresit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në tregun e brendshëm të BE-së.

Samiti do të jetë një mundësi për të diskutuar veprimet e koordinuara për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

Po ashtu, udhëheqësit do të shkëmbejnë pikëpamjet për trajtimin e përbashkët të menaxhimit të migracionit pasi numri i migrimeve të Ballkanit Perëndimor është rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar. Kjo përfshin harmonizimin e politikës së vizave të BE-së dhe bashkëpunimin në sistemet e kthimit.

Ata do të diskutojnë gjithashtu forcimin e bashkëpunimit kundër terrorizmit dhe parandalimit të radikalizimit.

Samiti i fundit midis liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor ishte Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Brdo pri Kranju në tetor 2021. Ai u organizua nga Presidenca Sllovene e Këshillit./ KultPlus.com

Rama uron 29 Nëntorin, ditën e Çlirimit

Kryeministri Edi Rama uroi mëngjesin e sotëm 29 Nëntorin, ditën e çlirimit të atdheut nga pushtuesit nazifashistë.

29 Nëntori është dita e mirënjohjes ndaj çlirimtarëve dhe e nderimit të dëshmorëve të Lirisë.

Krerët e shtetit bëjnë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve ku përulen me respekt në kujtim të atyre që dhanë jetën për çlirimin e vendit.

Në Luftën e Dytë Botërore, shqiptarët u bashkuan rreth vlerave të antifashizmit dhe të lirisë, vlera të cilat qëndrojnë në themelet e Shqipërisë demokratike. / atsh / KultPlus.com

Rama: Porti i ri i Durrësit, motor ekonomik për Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se porti i ri i Durrësit do të jetë motor i jashtëzakonshëm ekonomik për Durrësin e mbarë Shqipërinë.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama përshëndeti votimin e marrëveshjes nga Kuvendi me 74 vota pro dhe 35 vota kundër.

“Me kënaqësinë e hapjes me votën e mbrëmshme PRO të rrugës për ndërtimin e Portit Turistik, që do të jetë një motor i jashtëzakonshëm ekonomik për Durrësin e mbarë Shqipërinë”, tha Rama.

Në fjalën e tij në Kuvend, Rama theksoi se Porti Turistik i Durrësit është investimi më i madh i huaj në historinë e vendit, i cili do ta kthejë Durrësin në një portë të bukur të Mesdheut turistik dhe do t’i japë Shqipërisë një hov të madh drejt majës së vendit kampion të turizmit në Ballkan.

Kryeministri tha se ai do të jetë një motor ekonomik që do të sjellë një vlerë prej 8 miliardë euro në Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Rama u shpreh se shteti nuk fal asnjë taksë në rastin e ndërtimit të Portit Turistik të Durrësit, por përfiton 1.069 miliardë euro nga taksat.

Sipas tij, “për herë të parë në histori shteti është edhe ortak me një investitor të huaj, i cili investon të paktën 2.1 miliardë”.

Kuvendi i Shqipërisë votoi mbrëmjen e djeshme me 74 vota pro dhe 35 vota marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a. dhe Nshmi Development L.L.C, në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & jahtet e Durrësit”. / atsh / KultPlus.com

Java e Kulturës Shqipëri-Kosovë kulmon me koncertin e Dua Lipës

Nga data 21 deri në 30 dhjetor organizohet Java e Kulturës Shqipëri-Kosovë, në kuadër edhe të Festave Kombëtare.

Kryeministri Edi Rama informoi sot se “një larmishmëri aktivitetesh artistike, letrare, kinematografike dhe pa dyshim edhe patriotike do të dominojnë gjatë kësaj jave në eventet që do të mbahen Tiranë, e qytete të tjera të vendit”.

“Aktivitetet do të kulmojnë në datën 28, për Festën e Pavarësisë, me koncertin e Dua Lipës, në sheshin “Skënderbej”, ndërkohë që i shumëpritur mbetet edhe koncerti i virtuozit Tedi Papavrami, në datën 25 nëntor në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, apo shfaqja e filmave si “Liqeni Im” i Gjergj Xhuvanit e “Shkëlqimi e rënia e shokut Zylo” i regjisorit Fatmir Koçi, në Tulla Culture Center”, tha Rama.

Organizatorët e Javëve Kulturore kanë përfshirë në këto aktivitete edhe shumë artistë nga Kosova, si sopranon Besa Llugiqi, Baletin Kombëtar të Kosovës, si dhe grupin e mirënjohur Jericho që është planifikuar të performojë tek Pazari i Ri. / KultPlus.com

Infantino vlerëson Shqipërinë për pritjen e afganëve, Rama: Moment krenarie

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale deklaratën e kreut të FIFA-s, Gianni Infantino i cili gjatë konferencës për mediet në nisje të Botërorit të Katarit vlerësoi Shqipërinë që hapi dyert për refugjatët afganë.

Rama e konsideron një moment krenarie për Shqipërinë.

Në deklaratën e tij, Infantino tha se të gjithë vendet evropiane e amerikane, shtete e Amerikës së Veriut, mbyllën dyert duke kërkuar falje se nuk mundeshin.

“I vetmi vend që tha: ‘Mirë sillini këtu se ne e dimë çfarë do të thotë të vuash dhe të ikësh nga vendi yt”, ishte Shqipëria. Dhe miku im, Edi Rama, tha: Ato janë të mirëpritura në Shqipëri ku mund të ndërtojnë një të ardhme”. Kështu Shqipëria hapi dyert. Nga të gjithë vendet, Shqipëria u hapi dyert refugjatëve afganë që duhej të iknin sepse luanin futboll në Afganistan”, tha Infantino. / atsh / KultPlus.com

/

Zëvendëskryeministri Grubi priti kryeministrin Edi Rama në Shkup

Zëvendës kryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi së bashku me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Fatos Reka pritën në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit delegacionin qeveritar të Republikës së Shqipërisë të kryesuar nga Kryeministri Edi Rama, që do të qëndrojë sot në Shkup për të realizuar seancën e përbashkët qeveritare.

Sot do të nënshkruhen disa nga marrëveshjet më të rëndësishme që do të determinojnë kahjen e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional mes të dyja vendeve për realizimin e projekteve të interesit të përbashkët në çdo sferë.

“Pritje vëllazërore për Kryeministrin Edi Rama në Shkup, për t’i uruar mirëseardhje atij dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë në mbledhjen e përbashkët historike ndërqeveritare.” – ka shkruar Grubi në faqen e tij në rrjetin social Facebook.

Rama: Kongresi i Drejtshkrimit, rol të patjetërsueshëm në njehsimin e shqipes

Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot rolin e patjetërsueshëm të Kongresit të Drejtshkrimit (1972) në njehsimin e gjuhës shqipe.

Në fjalën e mbajtur në konferencën jubilare me rastin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, Rama shprehu mirënjohjen ndaj intelektualëve e firmëtarëve të Kongresit, të cilët iu futën punës me bindjen se kombi është një, prandaj edhe gjuha duhej kodifikuar në një standard.

“Imagjinoni sot sikur tranzicionit shqiptar t’i shtoheshin dhe dialektet dhe ne mos të kishim një gjuhë të njehsuar. Kongresit nuk mund t’i çlegjitimohet puna vetëm pse u zhvillua nën regjimin komunist. Kundërshtarët e rrezikshëm të Kongresit të Drejtshkrimit që janë edhe injorantët më të mëdhenj, nuk kanë së pari kulturën e gjuhës”, tha ai.

Kryeministri theksoi se nuk mund të hidhet poshtë puna kolosale që Kongresi bëri për gjuhën shqipe, vetëm pse u mbajt nën regjimin komunist.

“Ne sot nuk do të kishim dot një abetare, do t’i kishim si ato tekstet alternative që solli demokracia, ku diku data e Çlirimit është 28 Nëntor, diku tjetër 29 Nëntor”, tha Rama.

Kryeministri tha se “trungu i përbashkët që na lidh të gjithëve është trungu që mbolli Kongresi i Drejtshkrimit”.

“Imagjinoni procesin e integrimit si do të merreshim vesh për të përkthyer në gjuhën e Brukselit, 7 palë gjuhët tona. Se do të kishte dalë gegnishtja e Shkodrës dhe pastaj e Pukës, toskërishtja e Vlorës, por do të dilte edhe e Tepelenës”, shtoi Rama.

Kryeministri vlerësoi se në vitin 1972, kur u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit, edhe pse Shqipëria ishte nën regjimin komunist, në fakt ishte një vend me institucione kërkimore-shkencore.

“Në kohën kur është bërë Kongresi i Drejtshkrimit, ajo botë akademike ishte e standardeve europiane, jo e papërfillshme”, tha ai.

Kryeministri citoi Kadarenë (në një intervistë për Gazetën “Zëri” në Kosovë) dhe tha se “gjuha është më i vështiri pakt që njerëzit kanë lidhur mes tyre”, për të treguar rrugën e gjatë që flamujt e Republikës së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut kryen për të ndenjur krah njëri-tjetrit në këtë konferencë, duke përmbushur simbolikisht këtë pakt.

“Nuk duhet të harrojmë sa e pamundur dukej disa vite më parë që gjuha shqipe të flitej, të shkruhej e të pranohej lirisht si e drejta themelore e shqiptarëve në trevat ku ky komb shtrihet”, tha Rama.

Kryeministri lexoi një pjesë të Rezolutës së Kongresit, ku parashikohej nevoja që mund të parashtronte e ardhmja, për ta përshtatur gjuhën letrare me plotësimet e domosdoshme që sjell koha.

Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe u mbajt gjatë datave 20-25 nëntor të vitit 1972 në Tiranë. Në të morën pjesë 87 delegatë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Italia, për të dakordësuar Rezolutën që standardizoi rregullat drejtshkrimore të gjuhës shqipe. /atsh /KultPlus.com

Projektbuxheti 2023, Rama: 50 miliardë lekë për të mbrojtur njerëzit nga goditjet e luftës së Putinit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria do të vijojë të mbështesë qytetarët edhe në vitin që vjen duke mos u lëshuar atyre barrën e rritjes së çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare, si rezultat i luftës së Rusisë në Ukrainë.

Gjatë debatit në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2023, kryeministri Rama tha se fatura për të mbrojtur qytetarët nga kjo rritje e çmimit të energjisë pritet të shkojë afërsisht 50 miliardë lekë, deri në fund të këtij viti.

“Buxheti i vitit 2023 diskutohet në kushtet e një tjetër krize, e treta radhazi, e lidhur me ato paratë që keni marrë ju”, iu drejtua kryeministri Rama opozitës duke nënkuptuar akuzat për financim rus.

Rama tha se qeveria përmes këtij projektbuxheti do të vijojë të mbështesë qytetarët dhe biznesin për të përballuar këtë goditje.

“Ne jemi këtu për të përballuar atë goditje që është arsyeja e luftës. Vladimir Putin nuk e ka filluar luftën për të marrë copa nga Ukraina, por për të gjunjëzuar Perëndimin, bashkësinë euroatlantike, për të ndryshuar ekuilibrat e kësaj bote, ku ju i bëni hije kot”, iu drejtua ai sërish opozitës.

Rama tha se Shqipëria është pjesë e asaj bote të cilës i ka hapur luftë Rusia, jo duke hedhur bomba këtu, por duke goditur përmes energjisë së kthyer në armë dhe përmes inflacionit të luftës, që dihet që është një armë më vete.

“Dhe ajo fatura e energjisë që shkon te familjarët, dhe ajo dora e inflacionit që kap çdo dorë që shtrihet për të blerë diçka, janë pjella të kësaj lufte. Ne jemi këtu për të konfirmuar vazhdimësinë e një përpjekjeje që ka bërë deri sot që asnjë familje shqiptare të mos paguajë asnjë qindarkë më shumë për energjinë se sa e paguante para se të fillonte kriza”, u shpreh kryeministri.

Kreu i qeverisë, vuri në dukje se kriza energjetike të cilën ai e kishte paralajmëruar që në tetor të vitit 2021, ishte preludi i luftës dhe sipas tij, çmimet e energjisë shkuan në stratosferë, ndërkohë që në Shqipëri çdo familje dhe biznes i vogël paguan të njëjtin çmim si para krizës dhe luftës.

“Kjo vjen nga fakti që kjo qeveri i del për zot familjeve, biznesit të vogël, duke i mbrojtur me një mburojë financiare prej 460 milionë euro. Këto janë nga buxheti, që ato faturat e energjisë të vazhdojnë të shkojnë të njëjta në dyert e çdo familjeje shqiptare. Si po e ndjejmë në shumë vende siç po e ndjejnë shqiptarët që jetojnë jashtë, jo se jemi më të zotët, por ne e kemi marrë këtë vendim të sanksionuar edhe në buxhetin e vitit 2023. Ne do të mbrojmë me çdo çmim, çmimin e energjisë elektrike për familjet dhe bizneset”, tha Rama.

Rama tha se në buxhetin e vitit që vjen janë 50 miliardë lekë që shkojnë për të mbrojtur njerëzit nga goditjet e kësaj lufte, nga goditja në çmimin e energjisë, bizneset e vogla nga goditja marramendëse e inflacionit.

“Nuk është rastësi që Shqipëria ka inflacionin më të ulët në rajon, sepse ka çmimin e energjisë të mbrojtur dhe për familjet dhe për bizneset, sepse nëse do të rrisnim çmimin për bizneset e vogla, detyrimisht do t’ja përcillnim një pjesë të goditjes edhe vet familjeve”, u shpreh ai.

Sipas kryeministrit Rama, buxheti paguan deri në 80 % të çdo fature të energjisë së familjeve shqiptare. /atsh / KultPlus.com

Rama në Jeruzalem: Shpëtimi i hebrenjve, thesar i trashëgimisë sonë kombëtare

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk është thjesht një faqe e bukur e historisë së Shqipërisë, por është një thesar shumë i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kombëtare.

Rama mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Lëvizja Lufto Antisemitizmin në Jeruzalem, ku iu drejtua të pranishmëve me një fjalë.

Rama theksoi se “pranimi i hebrenjve dhe mbrojtja e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore janë vetëm episodi i fundit i bashkëjetesës shembullore të gjatë me shqiptarët në atdheun e tyre, i cili u pa globalisht si një atdhe i dytë për hebrenjtë në vitet ’30 dhe shumë pak njerëz e dinë”.

“Ka një komponent themelor që bashkon ardhjet masive më të mëdha të hebrenjve në Shqipëri. Ata nuk janë drejtuar asnjëherë drejt këtij porti të qetë, por vetëm kur kanë qenë më të rrezikuarit. Siç tregohet nga historiani i parë i krishtërizmit, Flavius Joseph në librin e tij mbi luftërat judaike, vendbanimet më të hershme hebreje u krijuan në jug të Shqipërisë në shekullin e parë. Tre mijë hebrenj që kishin hipur në anije që drejtoheshin për në kryeqytetin e Perandorisë Romake si fuqi punëtore, u rrëmbyen në Adriatik dhe u devijuan në brigjet tona ku toponimia hebraike si Galile, Fionike, Orikum, Paleste, është ende e pranishme. Ata kishin ndërtuar sinagogën e parë në Ballkan, në shekullin e pestë në Sarandë, qytetin në kufi me Greqinë, në të njëjtën ndërtesë me bazilikën e krishterë”, tha Rama.

Ai shtoi se “kur në Spanjë dhe Portugali shpërtheu zemërimi i inkuizicionit kundër hebrenjve, mijëra të tjerë erdhën dhe u vendosën në qytetet shqiptare”.

“Sipas studiuesve të njohur si Alain Ducellier e Bogumil Hrabak, hebrenjtë sefardi ose sefardikë përbënin afër, nëse jo, shumicën e popullsisë në Vlorë gjatë atij shekulli, qyteti në jug ku po ndërtojmë muzeun hebraik. Gjatë shekujve të sundimit osman në Shqipëri, hebrenjtë e të gjitha grupeve si Sefardikë, Romaniote, Marrano u bashkuan në Shqipëri edhe pse dihet se marrëdhëniet mes këtyre grupeve nuk kanë qenë gjithmonë vëllazërore. Më e bukura për hebrenjtë, të paktën sipas dijes sonë që janë trima për luftë por jo për të rënë dakord me njëri-tjetrin”, tha ai.

Rama tha se hebrenjtë mundën të jetonin në mënyrë të shkëlqyer mes tyre dhe me shqiptarët.

“Kjo doli të ishte e vërtetë edhe kur grupi i katërt hebre që rrezikonte çrrënjosjen, hebrenjtë ashkenazi, u vendosën në Shqipëri pas nisjes së doktrinës së zgjidhjes përfundimtare. Në vitin 1931, qeveria e Shqipërisë urdhëroi regjistrimin e plotë të popullsisë. Me këtë rast hebrenjve iu njoh e drejta e tyre për bashkësi, duke përfshirë Sabatin. Ky ishte një akt i rrallë në Europën e asaj kohe, ku dominonte antisemitizmi. Në fakt, ishte i vetmi rast. Ndërsa kudo tjetër po shteroheshin, Shqipëria u dha atyre me ligj barazi etnike dhe fetare njësoj si të gjitha komunitetet e tjera në vend. Konsiderohet të jetë rasti i vetëm i diskriminimit pozitiv për hebrenjtë në ato kohë të errëta”, tha Rama.

“Kjo situatë bindëse inkurajoi ambasadorin amerikan në Tiranë, Herman Bernstein, një figurë qendrore botërore e Sionizmit në vitet 1930, të propozonte një marrëveshje ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara për 500 familje hebreje të pranohen në Shqipëri. Misionarët e Kongresit Botëror Hebre negociuan gjithashtu me qeverinë mbretërore dhe mandatuan misionarin Leo Elton që të vizitonte i cili pati bisedime me dy ministra shqiptarë duke rënë dakord me ta që Shqipëria të pranonte masivisht hebrenjtë në rrezik dhe që ata të vendoseshin të lirë në territore për të krijuar vendbanime të ngjashme me kibucin e sotëm. Raporti i misionarit Leo Elton iu dha Rektorit të parë të Universitetit Hebraik, Profesor Judah Leib dhjetë vjet më vonë, ku qëndron edhe sot e kësaj dite. Faktet e pakta që dalin nga ky raport 50 faqesh flasin për të njëjtin model historie nderimi dhe solidariteti reciprok mes shqiptarëve dhe hebrenjve”, vijoi ai.

“Siç shkruante disa vite më parë në të përditshmen Haaretz, publicisti hebre Nir Hasson, Shqipëria konsiderohet në këto dokumente sipas Leo Elton një atdhe i dytë dhe shtesë për hebrenjtë. Ndërkohë një pjesë e opinionit europian ishte në panik nga frika se Shqipëria po asimilohej nga hebrenjtë. E gjithë kjo po ndodhte ndërkohë që qeveria në Shqipëri ishte nën kontrollin e Romës fashiste. Kështu shkruante një tekst i koduar i një informatori italian për Ministrinë e Jashtme në vitin 1936. “Pa dashur të alarmoj, më duhet të them se simpatitë shqiptare për ne do të shuhen së shpejti dhe vendin tonë do ta zënë hebrenjtë””, shtoi Rama.

Kryeministri solli në vëmendje se “në shtator 1943, kur ish-ambasadori nazist në Beogradm Neubacher erdhi në Tiranë për të takuar katër përfaqësuesit e komuniteteve fetare për të pranuar formulën e pavarësisë relative për neutralitetin relativ, ai premtoi gjithçka me kusht që të plotësoheshin tre kushte të panegociueshme: sigurimi i një listë e hebrenjve; dorëzimi i arit monetar që ndodhej në Romë dhe dorëzimi i dy ungjijve të shenjtë të Beratit”.

“Katër negociatorët refuzuan kategorikisht fillimin e negociatave nëse nuk tërhiqej kushti për dorëzimin e listës hebreje.  Duhet ta dini që në Kushtetutën e Parë Shqiptare, të shkruajtur në Mesjetë ka një paragraf që ka përkufizuar historinë e shqiptarëve me shekuj me radhë. “Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut”. Fjala “mik” nuk ka kuptim njeriun e ftuar, por atij që troket në portë sepse ka nevojë për ndihmë. Tradhtia ndaj këtij miku në Kodin e Nderit së shqiptarit është krim i pafalshëm. Këta negociatorë u shpjeguan nazistëve se nëse do të guxonin të pranonin dorëzimin e hebrenjve do të humbitnin të gjithë besimtarët e tyre. Ndaj pranuan të dorëzonin arin dhe nuk pranuan të dorëzonin hebrenjtë”, tha Rama.

Kryeministri tha se “nazistët u përpoqën edhe një herë në prill ’44 dhe në qershor ‘44, sipas enciklopedisë Izraelite Pinkas Hakehillot, derisa u arrit në përfundimin se nuk mund të arrihej asnjë marrëveshje me shqiptarët për këtë pikë”.

“Në pranverën e vitit 1942, në përputhje me statusin special të Mitrovicës, i cili lejoi ushtrinë naziste të hynte pa autorizim në të ashtuquajturat “teritori liberi” (territoret e lira) të Kosovës pa autorizim. Këtu po sjell një episod dhe më vjen keq për Spilbergun, që po ta dinte për Shqipërinë, do të ishte më i suksesshëm për rrëfimet e hebrenjve. Por dëgjojeni këtë. Një ekspeditë e forcave speciale të Rajhut me seli në Beograd, u caktua për të arrestuar të gjithë burrat hebrenj që jetonin në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës. Drejtori i spitalit të qytetit ishte një shqiptar nga Shqipëria, doktor Spiro Lito, i cili në dijeninë time është gjithashtu një i drejtë midis kombeve në Yad Vashem, ai u kërkoi pacientëve shqiptarë të dilnin nga spitali, edhe pse me plagë të rënda që të ktheheshin në shtëpi dhe të lironin shtretërit dhe strehoi në spital gjithë burrat hebrenj të qytetit”, theksoi ai.

Rama u shpreh se “për të penguar hyrjen në spital për kontrolle, drejtori e rrethoi gjithë territorin e spitalit me tabela ku shkruhej: ‘Virus vdekjeprurës. Mos u afro’”.

“Pjesa interesante e historisë është se asnjë nga pacientët që u kthyen në shtëpi, disa prej tyre në gjendje të rëndë shëndetësore dhe asnjë nga të afërmit e tyre nuk shkuan te nazistët për të thënë, dikush i çmendur më ka flakur babanë, gjyshin ose vëllanë për të zbrazur shtretërit për këta njerëz që po kërkoni. Kështu nazistët u kthyen pa asnjë hebre në duart e tyre. Pjesa tjetër e historisë është kontributi i pabesueshëm i Kishës Katolike. Jeni të vetëdijshëm se Kisha nuk ishte shumë e sjellshme me hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por në Shqipëri, Kryepeshkopi u angazhua personalisht për t’u dhënë hebrenjve certifikata false të pagëzimit për t’i shpëtuar ata”, tha ai.

Kryeministri theksoi se “mbrojtja dhe shpëtimi i hebrenjve është një virtyt i natyrshëm shqiptar”.

“Vlen të përmendet rasti i katër hebrenjve dhe ky një tjetër rast unik në Evropë, që u arrestuan. Ka shkëmbim letrash midis komandës naziste dhe qeverisë kolaboracioniste shqiptare, njerëz të caktuar nga nazistët, ku kërkonin lirimin e tyre, duke paguar një garanci prej 1500 napolona ari për secilin prej tyre. Pra, kjo ishte tronditëse për nazistët por ka prova të dokumentuara që qeveria kolaboracioniste këmbënguli dhe më në fund i liroi këta hebrenj duke paguar për ta”, tha Rama.

Por, kryeministri theksoi se do të ishte gabim të pretendohej se asnjë hebre nuk vdiq në Shqipëri gjatë Holokaustit.

“17 prej tyre nuk kanë vdekur duke u internuar apo spiunuar, por kanë vdekur si antifashistë pjesëmarrës në luftën nacionalçlirimtare dhe janë shpallur dëshmorë. Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan ku përbërja fetare nuk ka një rol përcaktues apo dallues për sa i përket identitetit. Katër komunitete fetare tashmë jetonin së bashku në atë që Papa Françesku pagëzoi jo si një harmoni fetare, por si një vëllazëri fetare. Dhe një bashkësi e pestë e hebrenjve nuk ishte aspak problem”, u shpreh Kryeministri.

Rama tha se “kjo nuk është thjesht një faqe e bukur e historisë sonë, por është një thesar shumë i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kombëtare”.

“Dhe ne nuk duhet vetëm ta tregojmë, por duhet të sigurohemi që brezat e rinj ta kuptojnë me mendje e shpirt si pjesë e thelbit të të qenit shqiptar dhe të krenarisë që janë shqiptarë. Për ne është absolutisht e rëndësishme të jemi në linjë në luftën kundër antisemitizmit sepse siç e kuptojmë nuk ka të bëjë vetëm me hebrenjtë”, shtoi Rama.

Sipas tij, bëhet fjalë për njerëzimin. “Lufta kundër antisemitizmit nuk është të mbrosh hebrenjtë apo Izraelin, por mbron veten, familjen, fëmijët dhe të drejtën tënde për t’u respektuar në të qenit musliman në Paris, i krishterë në një vend mysliman ose çfarëdo feje në cilindo vend ku nuk jeni pjesë e shumicës dhe ndërsa po e ndaja me themeluesin dhe sponsorin tuaj të hirshëm gjithashtu, unë besoj fuqimisht se rreziku më i madh me të cilin përballemi kur bëhet fjalë për antisemitizmin nuk është nga vandalët që vandalizojnë varrezat apo sinagogat hebreje. Kjo është diçka vërtet e turpshme, por është shumë e turpshme për të qenë vërtet e rrezikshme”.

“Përkundrazi, kjo ekspozon anën barbare të një skaji të caktuar. Rreziku më i madh vjen nga ata që duken të arsyeshëm dhe debatojnë e relativizojnë antisemitizmin. Nuk u ndjeva kurrë aq keq sa kur dëgjova disa anëtarë të Partisë Laburiste Britanike në një moment të caktuar disa vite më parë për antisemitizmin që më bëri shumë më të frikësuar se sa të dëgjosh lajmet për një sinagogë apo varrezë që u vandalizuan. Përsëri sepse relativizmi mund të na kthejë në vende vërtet të këqija. Vandalizmi është aty, i ekspozuar, është i qartë dhe lehtshëm përcaktohet vija ndarëse. Kështu që nuk mund t’ju them më shumë për antisemitizmin, ju e dini gjithçka për të”, tha ai.

“Gjyshja ime ishte katolike. Ajo nuk shkoi kurrë në universitet, por më besoni se kishte një mençuri të pakrahasueshme me të gjithë shkencëtarët që njoh në Shqipëri. Ajo më thoshte kur prindërit e mi ishin të pakënaqur me mua… meqë ra fjala, isha një fëmijë i vështirë. Nuk mund të bëhesh kryeministër i Shqipërisë nëse nuk je fëmijë i vështirë. Unë mërzitesha me ta dhe ajo më thoshte: Mos u shqetëso. Rri qetë. Kështu janë prindërit. Je djalë dhe djemtë bëhen burra dhe burrat nga natyra nuk janë krijesa të përsosura dhe perfekte. Kështu që do të bësh gabime gjithë jetës sepse je burrë. Por ka një gjë që nuk duhet ta harrosh. Një burrë mund të përballojë të bëjë gabime, por nuk mund të përballojë të jetë i mërzitshëm”përfundoi Rama. / atsh / KultPlus.com

Rama takon Belushin: Dokumentar mbi Shqipërinë në Discovery Channel

Kryeministri Edi Rama priti sot në një takim aktorin e famshëm të Hollivudit, Jim Belushi.

“Blues Brothers. Me legjendën Jim Belushi për dokumentarin amerikan mbi Shqipërinë, në serialin e Discovery Channel”, shkroi Rama në rrjetet sociale, teksa ndau foto nga takimi me aktorin Belushi.

Aktori i madh me origjinë shqiptare, Jim Belushi ndodhet në Tiranë për të realizuar dokumentarin që do të transmetohet së shpejti në median amerikane. Një ditë më parë, ai shpërndau foto nga Tirana duke shkruar: E dua këtë vend./atsh/ KultPlus.com

Muzeu Etnografik i Gjirokastrës, ndërthurja e bukur e traditës dhe modernes

Muzeu Etnografik i Gjirokastrës është magneti më i ri turistik në qytet, restaurimi i të cilit i riktheu vlerave të qytetit të gurtë, hijeshinë e një kompleksi muzeal autentik, ku tradita e artizanëve gjirokastritë është çmuar dhe respektuar në çdo detaj.

Projekti i përfunduar i Muzeut Etnografik, krijim i arkitektit të famshëm Jesus Hernandez, mundësuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Gjirokastrës, përfshin edhe muzealizimin e Shtëpisë Kadare, itinerarin “Eduart Lir dhe udhëtarët”, që dëshmon të gjithë rrugëtimin që Lear ka bërë në zonën historike, si dhe itinerarin “Kronikë në Gur”.

Kryeministri Edi Rama ishte sot një prej vizitorëve të Muzeut, së bashku me ministren e Kulturës, Elva Margariti dhe ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, të cilët shpjeguan detaje nga rikonceptimi artistik që u është bërë objekteve. / KultPlus.com

Në Kukës po merr formë “Parku i Aventurave”

Kukësi do të ketë së shpejti “Parkun e Aventurave”.

Në Shishtavec të Kukësit po merr jetë “Parku i Aventurave” një investim që do të krijojë mundësi në rritjen e potencialit ekonomik të zonës.

Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale foto që tregojnë aspekte nga ky investim i ri, nën emrin “Parku i Aventurave”, që po merr formë në këtë zonë me bukuri natyrore.

“Po merr formë pak nga pak “Parku i Aventurave”, një investim i mençur i Bashkisë Kukës, një zonë magjepsëse të natyrës shqiptare si Shishtaveci, ku kemi një plan ambicioz zhvillimi të turizmit malor”, u shpreh Rama.

“Parku i Aventurave” është një projekt i fituar nga bashkia Kukës në kuadër të Skemës së Granteve të Zhvillimit Rajonal dhe Kohezionit të Programit (PZHRSH).

Nga ky investim do të promovohet zona nëpërmjet krijimit të hapësirave për zhvillimin e turizmit të aventurës dhe sporteve. / atsh / KultPlus.com

Marrëveshja Kosovë-Shqipëri, në përfundim të punimeve “Parku i Aventurave” në komunat Dragash dhe Kukës

Në marrëveshjen mes Kosovës dhe Shqipërisë, është dakorudar që të hapet pika kufitare Krushevë – Shishtavec, shkruan KultPlus.

Tani në këtë pikë kufitare, po zhvillohet edhe ekonomia dhe turizmi malor, në komunat Dragash dhe Kukës.

“Po merr formë pak nga pak “Parku i Aventurave”, një investim i mençur i Bashkisë Kukës, në zonë magjepsëse të natyrës shqiptare si Shishtaveci, ku kemi një plan ambicioz zhvillimi të turizmit malor”, ka shkruar Edi Rama në “Facebook”.

Ndërkaq, zyrtari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Lorik Lipoveci, ka thënë se ndjehet krenar që ishte kryenegociator i delegacionit punues për këtë marrëveshje.

“Disa muaj më parë, u nënshkrua marrëveshja bilaterale mes qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht ministrave të MPB-ve z.Sveçla dhe z.Çuçi, për hapjen e pikës kufitare Krushevë – Shishtavec 🇽🇰🇦🇱 Pika kufitare u hap, tani ka filluar zhvillimi ekonomik, turizmi malor, në këtë zonë kufitare në komunat Dragash dhe Kukës. Ndjehem krenar që kisha nderin të jem kryenegociator i delegacionit punues për këtë marrëveshje”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com

Rama në Këshillin e Evropës: Është Republika e Kosovës, kështu duhet t’iu drejtoheni

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka nisur fjalimin e tij në Asamblenë e Këshillit të Evropës.

Ai ka thënë se nuk është aty për të folur vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën, pasi konsideron se janë të lidhura si shpirti me trupin.

“Jam këtu të flas. Kthimi i historisë nga konflikti në bashkëpunim kërkon vullnet dhe besim të ndërsjellë edhe midis institucioneve ndërkombëtare. Nëse ato dështojnë të sjellin drejtësi, atëherë kjo kalon tragjedinë personale”, është shprehur Rama.

“Shqipëria vazhdon ta ndërtojë të ardhmen me trashëgiminë e së kaluarës. Serbia tani është një partner I rëndësishëm brenda Ballkanit të Hapur. Evropa për ne është projekt ekzistencial. Historia nuk ka qenë e kujdesshme me ne, nuk kemi mundur që të zgjedhim se ku përkasim”.

Në fjalën e tij Rama e ka përmendur edhe Kosovën, duke kërkuar që të mos i drejtohen me “Kosovo”

“Është Republika e Kosovës. Nuk është kurrë vonë për të përmirësuar gabimet. Sikur Ukraina sot, Republika e Kosovës është përballur pak dekada më parë. Ka përpjekje që të tërhiqen paralele midis Krimesë dhe Republikës së Kosovës, cka është e paqëndrueshme”. /KultPlus.com

Rama: Bajpasi i Vlorës nxori në pah pamjen piktoreske të vijës bregdetare

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Bajpasi i Vlorës, ku së fundmi po organizohen edhe aktivitete turistiko-sportive.

Kreu i qeverisë shprehet se, Bajpasi i Vlorës është një prej veprave më spektakolare të infrastrukturës sonë kombëtare.

Rama thekson se, krahas impaktit në lehtësimin e trafikut, Bajpasi i Vlorës , nxori në pah pamjen piktoreske të vijës bregdetare të rivierës shqiptare e ku së fundmi po organizohen edhe aktivitete turistiko-sportive.

Bajpasi i Vlorës jo vetëm që lehtësoi trafikun gjatë sezonit veror, por nxori në pah pamjen piktoreske të vijës bregdetare të rivierës shqiptare.

Autoriteti Rrugor Shqiptar organizoi një aktivitet sportiv “Pedalojmë bajpasin e Vlorës” me çiklistat e Klubit të Tiranës, që përshkuan me biçikleta një nga rrugët më panoramike të Shqipërisë, eksperiencë kjo unike dhe e paharrueshme.

Bajpasi i Vlorës, një vepër shumë komplekse, por dhe e rëndësishme për zhvillimin turistik të vendit, që lehtëson aksesin drejt bregdetit të jugut, është i hapur për qarkullimin e automjeteve.

Bajpasi i Vlorës ka një gjatësi prej 29 kilometrash. Pjesë e projektit janë edhe disa vepra arti./ atsh/ KultPlus.com

Zyra doganore në Durrës, Rama: Deti ynë, i Kosovës edhe për tregti

Kryeministri Edi Rama përshëndeti sot hapjen e Zyrës Doganore të Kosovës në portin e Durrësit, në të cilën prej 1 tetorit po kryhet zhdoganimi i mallrave.

“Shqipëri-Kosovë, jena 1”, u shpreh Rama. “Ja ku ka nisur edhe zhdoganimi në Portin e Durrësit për mallrat me destinacion Kosovën dhe deti ynë nuk është më edhe i Kosovës veç për turizëm, po është edhe i Kosovës për tregti”, shtoi Kryeministri.

Zyra Doganore e Kosovës në Portin e Durrësit nisi funksionimin më 1 shtator, por zhdoganoheshin vetëm maunet dhe karburantet. Nga 1 tetori në këtë zyrë kryhen procedurat e zhdoganimit për çdo lloj malli.

Nga hapja e kësaj zyre doganore janë 1040 biznese nga Kosova që përfitojnë jo vetëm kohë, por edhe kosto të reduktuar zhdoganimi.

Hapja e Zyrës Doganore në portin e Durrësit, i kursen rreth 2 milionë euro biznesit, ndërsa koha e procedurave shkurtohet ndjeshëm./atsh/ KultPlus.com

Rusët kanë filluar të largohen nga vendi i tyre, Rama: Janë të mirëpritur në Shqipëri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur sot qëndrimin e tij për rusët që po largohen nga vendi i tyre pas mobilizimit të pjesshëm ushtarak të Presidentit Vladimir Putin.

Gazetarët e pyetën Ramën për zhvillimet e fundit në Rusi, e ai tha se është pro hapjes së dyerve për rusët dhe se ata mund të largohen nga vendi i tyre në shenjë revolte ndaj Putinit.

Ai u përgjigj shkurt duke thënë: “Janë të mirëpritur në Shqipëri”.

Sipas raportimeve në mediat e huaja, numri i atyre që u larguan nga Rusia kaloi në 100,000 vetëm në Kazakistan dhe Gjeorgji dhe numri i tyre po rritet pas frikës së rekrutimit në front.

Gjermania ishte vendi i parë që hapi dyert për rusët që largoheshin nga vendi i tyre, duke u premtuar atyre kujdes dhe vëmendje. /KultPlus.com

Rama: Serbia duhet ta njohë Kosovën si Republikë të pavarur dhe sovrane

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i bëri thirrje edhe një herë Kosovës dhe shteteve të tjera të rajonit që t’i bashkohen nismës së Ballkanit të Hapur, shkruan KultPlus.

Kjo nismë, sipas Ramës, i cili pati një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, do të lehtësonte shumë dialogun e kahershëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri shqiptar tha edhe një herë se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën, derisa Serbia të njohë si Republikë të pavarur dhe sovrane.

“Duke forcuar marrëdhëniet me Serbinë, Shqipëria nuk do të lëviz asnjë centimetër për mbështetje që të njohë Serbinë. Është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin përtej ngërçit dhe të bëjnë rolin e tyre për një marrëveshje të mbështetur nga BE dhe SHBA. Dialogu është i nevojshëm dhe Ballkani i Hapur do ta ndihmojë këtë proces.”

“Nëse do të ecësh shpesh ec i vetëm. Nëse do të ecësh lart, ec krah për krah”, tha ai mes tjerash. /KultPlus.com

Elektrizoi Tiranën me interpretimin e saj, kryeministri Rama për Rita Orën: Faleminderit kinge

Mbrëmjen e djeshme, këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora ka performuar në sheshin Skënderbej, duke elektrizuar atmosferën me disa nga këngët më të njohura nga repertori i saj.

Ajo është pëlqyer shumë nga publiku, të cilët kishin mbushur sheshin për ta parë nga afër këngëtaren. Në një moment, Rita kërceu dhe vallen e Tropojës. Pasi kërceu nën ritmet e valles popullore në sfond, këngëtarja këndoi më pas këngën hit “Black Window”. Në veshjen e saj ishin të ndërthurura detajet e shqiponjës dy krenare.

Për këtë sukses, ka shkruar edhe kryeministri Edi Rama, i cili e ka falënderuar artisten dhe duke e cilësuar atë si ‘kinge’.

“Faleminderit kinge”, ka shkruar ai krahas fotos së Ritës me flamurin shqiptar./ KultPlus.com

Rama: Shqipëria turistike, jehonë në mediet e huaja

Kryeministri Edi Rama ndau sot shkrimin promovues të medies së njohur zvicerane “20 Minutes”, ndërsa u shpreh se “Shqipëria turistike vijon të bëjë jehonë në mediet e huaja”.

“’20 Minutes’, një medie shumë e njohur zvicerane, në një artikull të fundit të saj iu sugjeron lexuesve që të vijnë për pushimet e shtatorit në Shqipëri. Shqipëria renditet në artikull si destinacioni i parë i preferuar, krahas Stambollit, Hieres në Francë, Algraves në Portugali dhe Kalabrisë në Itali”, shkruan Rama.

“20 Minutes” e rendit Shqipërinë mes 5 vendeve më të bukura që nuk duhen humbur gjatë muajit shtator, kur temperaturat janë të favorshme, kuzhina është e shijshme, vala e madhe turistike ka kaluar dhe çmimet ulen.

Me dy foto ilustruese të peizazhit piktoresk dhe të ujërave të kristalta të Ksamilit, prestigjiozja zvicerane ka veçuar Sarandën dhe rrethinat e saj.

“Saranda është afër kufirit me Greqinë. Duke marrë rrugën që të çon në Ksamil, një fshat simpatik, mund të shihni Korfuzin nga larg. Vendi është pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit. Më në jug, mund të vizitoni me varkë dy ishuj të vegjël: Ishullin e Tongos dhe atë të Stillos”, shkruan mes të tjerash “20 Minutes”. / atsh / KultPlus.com