Radio Televizioni Zviceran: Lini është ndërtuar mes 5800-5900 para Krishtit, ky zbulim projekti më i madh arkeologjik në Evropë

Radio Televizioni Zviceran, (Schweizer Radio und Fernsehen) SRF, i ka kushtuar një reportazh zbulimeve më të fundit të arkeologëve në Lin të Pogradecit që është pothuajse 8 000 vjet i vjetër.

Ekspedita arkeologjike e stafit shqiptaro-zviceran, drejtuar nga arkeologët Adrian Anastasi dhe Albert Hafner ka nisur prej vitit 2021 dhe po zhvillohet në tre shtete: Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Greqi, por tanimë fokusi është përqendruar në sitin e Linit, nga vijnë edhe rezultatet e para, të cilat do të plotësohen me përmbylljen e gërmimeve të këtij viti.

SRF shkruan se vendbanimi më i vjetër buzë liqenit u gjet gjatë gërmimeve në liqenin e Ohrit në Shqipëri.

“Provat e para shkencore janë tashmë të disponueshme se Lini është ndërtuar midis 5800 dhe 5900 para Krishtit. Kjo e bën atë rreth 2000 vjet më të vjetër se vendbanimet më të vjetra të njohura në Zvicër”, thuhet ndër të tjera në këtë reportazh.

Sipas studiuesve, “ky është projekti më i madh arkeologjik në Evropë”.

Sipas raportit të hartuar nga Anastasi e Hafner, materialet organike drusore të zbuluara në sitet nënujore ose të mbuluara me sediment në Liqenin e Ohrit apo në bregun e liqenit, dëshmojnë për një vendbanim të hershëm fermerësh, që daton rreth 5900 – 5800 para Krishtit.

“Këtu janë fillimet e bujqësisë dhe blegtorisë dhe për rrjedhojë edhe “ndryshimi më i madh kulturor në Evropë”,  shprehet Albert Hafner, profesor i Arkeologjisë Prehistorike në Universitetin e Bernës.

Ai thekson se “ky vend është i rëndësishëm jo vetëm për këtë rajon, por për të gjithë Evropën Juglindore”.

“Në fillim të viteve 1970, niveli i ujit në Liqenin e Ohrit ra ndjeshëm dhe kjo e bëri të dukshëm këtë vend nënujor”, thotë Adrian Anastasi nga Instituti Shqiptar i Arkeologjisë në Tiranë.

Gërmimet nënujore janë sfiduese. “Këtu kemi të bëjmë me shumë bimësi bregore. Duhet të luftosh nëpër shtretërit e dendur të kallamishteve për të arritur në vendin e zhytjes”, thotë arkeologia dhe hulumtuesja Marie-Claire Ries, e cila koordinon operacionet e zhytjes në vend.

Sipas specialistëve, vendbanimet palafite bregliqenore në Lin janë më të vjetrat në Europë dhe ky burim informacioni konsiderohet si një ndër më të rëndësishmit në llojin e vet në rang botëror. / atsh / KultPlus.com

Detaje mbi zbulimet e reja në Linin mijëravjeçar

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau të tjera detaje mbi zbulimin e fundit të arkeologëve, në Lin të Pogradecit.

Stafi shqiptaro-zviceran, drejtuar nga arkeologët Adrian Anastasi dhe Albert Hafner po zhvillojnë një ekspeditë kërkimore arkeologjike.

Kjo ekspeditë ka nisur prej vitit 2021 dhe po zhvillohet në tre shtete Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Greqi, por tanimë fokusi është përqëndruar në sitin e Linit nga vijnë edhe rezultatet e para, të cilat do të plotësohen me përmbylljen e gërmimeve të këtij viti.

Sipas specialistëve, mbështetur mbi dijet e deritanishme vendbanimet palafite bregliqenore në Lin, janë më të vjetrat në Europë dhe ky burim informacioni konsiderohet si një ndër më të rëndësishmet në llojin e vet në rang botëror.

Sipas raportit të hartuar nga Anastasi e Hafner, materialet organike drusore të zbuluara në sitet nënujore ose të mbuluara me sediment në Liqenin e Ohrit apo në bregun e liqenit, dëshmojnë për një vendbanim të hershëm fermerësh që daton rreth 5900- 5800 para Krishtit.

Analizat me metodën e radiokarbonit po kryhen në Laboratorin C14 në Universitetin e Bernës, që është një nga partnerët në këto kërkime, së bashku me Institutin e Arkeologjisë, financuar nga Bashkimi Europian. / atsh / KultPlus.com