Shtëpinë e restauruar të Fishtës, askush nuk mund ta vizitojë

Shtëpia e At Gjergj Fishtës u restaurua në tetor të vitit 2020, por për çështje administrimi, shtëpia e kolosit të letrave shqipe vijon që të jete e kyçur.

Të shumtë janë personat të cilët kane shfaqur interes ta vizitojnë ketë monument kulture, por janë kthyer mbrapsht. Kjo për studiuesin Frano Kulli nuk është aspak normale.

“Kjo shtëpi duhet të kthehet në vend peligrinazhi kulturore, duke ndjekur itenerarin fishtjan sikur e kishte premtuar Ministria e Kulturës”, ka thënë ai. “Ky monument kulture u restaurua fale donacioneve, pasi ishte degraduar dhe rrezikonte ekzistenca e saj”./tch/ KultPlus.com

Shtëpia e Maks Velos nuk do të bëhet muze, Gjykata rrëzon vendimin e Ministrisë së Kulturës

Dy ditë pas ndarjes nga jeta të arkitektit Maks Velo, pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Materiale, Ministria e Kulturës vendosi që shtëpinë e tij ta shpallë monument kulture të kategorisë së II.  Ky vendim, pas padisë së ngritur nga nipi i Velos, i cili është edhe trashëgimtar i tij, është shfuqizuar nga gjykata e Tiranës.

Duke e konsideruar këto akte administrative të paligjshme, paditësi i cili nuk është njoftuar për procedurën i është drejtuar gjykatës duke pretenduar se; i është cenuar e drejta e pronësisë se tij.  Konkretisht nuk është respektuar parimi i ligjshmërisë,  parimi i transparcës, parimi i informimit, parimi i ushtrimit të ligjshëm të diskrecionit, parimi i proporcionalitetit, i drejtësisë dhe paanësisë, parimi i objektivitetit, përgjegjësisë dhe deburokratizimit dhe i eficencës.

“Nuk e kuptojmë se si ky proces mund të ndodhë paraprakisht, kur në fakt duhet të ishte një proces invers. Kuptojmë që kjo nismë erdhi si pasojë e një emocioni të momentit dhe ndoshta për të treguar se sa shumë e donim dhe vlerësonim të ndjerin xhaxha, por duket qartazi që është një nismë jo vetëm e pamenduar mirë, por në kufijtë e talljes dhe të papërgjegjshmërisë”, është shprehur në padinë e ngritur trashëgimtari i Velos.

Në të dy shkresat e dërguara nga ana e palës së paditur, sqarohet se: Ministria e Kulturës duke vlerësuar figurën, kontributin profesional, të intelektualit, artistit, arkitektit dhe shkrimtarit Maks Velo, si dhe për të mbajtur gjallë kujtimin e personalitetit të shquar, ka arritur në ketë vendimmarrje.

Por ligji për trashëgimitë edhe muze një ndërtesë mund ta shpallë Monument Kulture të  kategorisë së II për vlerat e spikatura arkitektonike edhe për pamjen e jashtme.

Ndërtesën nuk e ka ndërtuar as Maks Velo edhe as ndonjë arkitekt i njohur dhe sipas paditësit nuk i rezulton që kjo ndërtesë të ketë ndonjë vlerë të spikatur për pamjen e saj të jashtme. Prandaj ndoshta do ishte më mirë të deklarohej një monument kulture një godinë e arkitektura nga z. Velo dhe jo një shtëpi që nuk ka as një vlerë arkitektonike.

Pra, nga tërësia e kësaj veprimtarie administrative, gjykata vlerëson se pala e paditur Ministria e Kulturës nuk ka respektuar standardet e procesit të rregullt ligjor, të cilat nuk janë të kufizuara vetëm në procesin gjyqësor, por edhe në atë me karakter administrativ, pasi nuk i ka dhënë mundësi paditësit për t’u dëgjuar dhe mbrojtur në këtë proces, i cili në thelb kufizon të drejtën e pronësisë, aspekt shumë i rëndësishëm i të cilës është disponimi si dhe e drejta për ta zhvilluar atë, në bazë të ligjit nr. 107/2014 ‘’Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit’’.

Përsa më sipër, gjykata çmon se Urdhri nr. 163, date 08.05.2020 “Per deklarimin e pasurise kulturore te objektit “Banesa ku ka jetuar Maks Velo, rruga “Hoxha Tahsim”, nr. 57/2” Tirane”, i Ministrit të Kulturës dhe vendimi nr. 130 datë 08.05.2020 dhe i Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale janë nxjerrë në kundërshtim me ligjin nr. 27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, dhe si të tillë duhen shfuqizuar, kjo, në mbështetje të nenit 40 të ligjit nr. 49/2012 datë 03.05.2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të kësaj çështje, gjykata ka arritur në konkluzionin që padia të pranohet si e bazuar në ligj dhe prova, në datë 08.05.2020 “Për deklarimin e pasurisë kulturore te objektit “Banesa ku ka jetuar Maks Velo, rruga “Hoxha Tahsim”. /shqiptarja/ KultPlus.com

Shitet për 88 milionë dollarë, shtëpia ku dikur kishte jetuar Marilyn Monroe

Shtëpia spektakolare në Los Angeles ku për një kohë kishte jetuar ylli, Marilyn Monroe, është shitur për një çmim prej 88 milionë dollarëve. Fillimisht kjo pronë e cila gjendet në “Holmby Hills”, kishte dalë në shitje me një çmim marramendës prej 180 milionë dollarëve, para se kjo shifër të ulej në 115 milionë. Por, përfundimisht shtëpia ku aktorja ikonike e hollywoodit kishte jetuar, u shit për gjysmën e çmimit origjinal të caktuar në vitin 2017.

Rezidenca e stilit të vjetër Tuscan ishte ndërtuar në vitin 1935 nga Robert D. Farquhar, për çiftin Florence dhe Charles Quinn, dhe më pas i ishte shitur bashkëthemeluesit të studios “20th Century Fox”, Joseph Schenck.

Me kalimin e kohës Marilyn Monroe e filloi një lidhje romantike me Schenckun, dhe përfundoi duke jetuar në shtëpinë për mysafir të kësaj prone luksoze. Përfundimisht Schencku ia shiti këtë rezidencë e cila i përfshinë nëntë dhoma të gjumit, aktorit Tony Curtis kur ishte kah fundi i karrierës së tij filmike.

Pasi ishin ftuar në një ndejë për të famshëm në këtë shtëpi, Cher dhe bashkëshorti i saj i parë, Sonny Bono, kishin vendosur se kjo ishte shtëpia e tyre e ëndrrave dhe e blenë atë. Sidoqoftë, duke qenë se lidhja e tyre po shkonte drejt fundit, dyshja e famshme filloi të jetonte në anë të ndryshme të rezidencës luksoze, dhe eventualisht vendosën t’ia shesin atë, Ghazi Aitas nga Monaco.

Shtëpia ikonike e cila gjithashtu i përfshinë dy shtëpi roje, pishinë, një shtëpi tjetër me pishinë dhe disa fontana, ka më shumë se tri vjet që ishte në treg për t’u shitur.

Ndërkohë në vitin 2017, një tjetër shtëpi e Marilyn Monroes u shit në vlerë prej 7 milionë dollarëve. Kjo pronë e cila po ashtu gjendet në Los Angeles, u ble për 350 mijë dollarë më shumë se çmimi i kërkuar dhe i shit në më pak se 10 ditë.

Aktorja e kishte blerë këtë shtëpi në vitin 1961, për një çmim prej 80 mijë dollarëve dhe kishte jetuar aty me, Eunice Murrayn, kujdestarja e saj prej kohësh. / KultPlus.com

Shtëpia e Elvis Presleyt hap dyert për vizita virtuale

‘Graceland’, shtëpia e këngëtarit legjendar Elvis Presly në Memphis të Shteteve të Bashkuara të Amerikës tani është duke ofruar vizita online për të gjithë fansat e tij nga mbarë bota, përfshirë edhe ata që nuk mund të udhëtojnë për në atraksionin turistik në Tennessee, gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit, transmeton KultPlus.

Organizatorët e ngjarjes kanë bërë të ditur se vizitat dyorëshe me ciceron do t’i dërgojnë vizitorët brenda shtëpisë së Presleyt, që është shndërruar në muze, dhe nëpër Kopshtin e Meditimit, ku dhe është i varrosur këngëtari.

Këngëtari e aktori i njohur ka vdekur në Memphis, më 16 gusht të vitit 1997.

Në biletën 100-dollarëshe për këtë vizitë përfshihet edhe një vizitë në aeroplanin e Presleyt dhe një ecje nëpër kompleksin e karrierës, që përmban ekspozita dhe artefakte të lidhura me Presleyn.

“Graceland” zakonisht i mirëpret me qindra mijëra mysafirë, të cilët e vizitojnë atë për çdo vit. Por numri i turistëve ka shënuar rënie të dukshme gjatë kohës së pandemisë.

“Graceland” ka qenë i mbyllur për disa javë vitin e kaluar dhe tani është i hapur, por me kapacitet të kufizuar. Vizitat virtuale janë caktuar të mbahen më 27 janar, 25 shkurt dhe 25 mars, ndërkaq pritet që të përfshihen edhe data të tjera. / KultPlus.com

Shitet shttëpia e famshme e Michael Jackson

Neverland Ranch, dikur shtëpia e Michael Jackson, është blerë prej ish këshilltarëve të biznesit të tij, shkruan TMZ, transmeton KultPlus.

Miliarderi Ron Burkle blekur kompleksin prej 1,093 hektarësh në veri të Santa Barbara në qytetin e Los Olivos. Burkle punoi me Jackson në dekadën para vdekjes së këngëtarit, shumicën e kohës për të shmangur kreditorët që po shkonin pas tij për të mbledhur borxhe të mëdha dhe të papaguara.

Neverland ishte vendi ku Jackson pretendohej se ngacmonte djem të rinj. Jackson u gjykua për ngacmim të pretenduar dhe u shpall i pafajshëm.

Pas vdekjes së Jackson, shtëpia doli në shitje për 100 milionë dollarë në vitin 2015, por nuk kishte asnjë marrës. Vitin e kaluar ai u rishkrua për 31 milionë dollarë, por prapë nuk pati blerës.

MJ e bleu pronën për 19.5 milionë dollarë në vitin 1987 dhe e shndërroi atë në një fantazi fëmijërore për veten dhe vizitorët e tij.

Prona ka 22 struktura – kryesorja është një rezidencë 12,000 metra katrorë. Ka gjithashtu një pishinë, fusha basketbolli dhe tenisi dhe një teatër filmi me 50 vende. / KultPlus.com

Kurrë nuk pati shtëpi për mua

Kur isha e vogël mendoja që shtëpia e babës ishte edhe shtëpia ime, për më tepër kur më pyeste ndokush se ku e kam shtëpinë, ia bëja me gisht kah shtëpia e babës!

Por kur u rrita më treguan se kjo nuk është shtëpia ime, shtëpia jote është te burri yt.
“Bijo, çika është e derës huaj”, më ngushëllonte nëna ime!

Por unë nuk i besoja, thoja se e ka vetëm për të më qetësuar se shtëpia e babës do të jetë gjithmonë edhe e imja dhe ia plasja vajit!

Kur shkova te burri, jetonim në “bashkallëk” dhe për disa vite ende zemra më qëndronte te shtëpia e babës, por kur u “ndamë” dhe secili kunat shkoi në shtëpinë e tij, burri më puthi në ballë dhe më tha: “Fisnike, kjo është shtëpia e jonë dhe e bijëve tanë, e gëzofshim!”

I besova buzëve të tij dhe sinqeritetit të tij, sepse asnjëherë nuk më kishte gënjyer, për këtë e shkriva tërë trupin tim duke e mirëmbajtë shtëpinë time.

Kaloi një kohë dhe më vdiq burri e fëmijët u rritën e u bën për martesë. “Shtëpia ime” e vogël, por që e ngroha me shpirtin tim gjithë këto vite, më nuk e donte askush dhe një ditë bijtë e mi vendosën ta prishin “shtëpinë time” dhe më premtuan se do të ma ndërojnë një shtëpi më të re, më të bukur dhe më të madhe! Më rrodhën lotët nga zemra ashtu si dikur kur u ndava nga shtëpia e babës!

U ndërtua “shtëpia ime” e re, ma caktuan dhomën më të voglë, aty ku më shumë ladronin nipat e mbesat se sa që rrija unë!
Por në shtëpinë time të re tani më nuk guxoja të flisja, nuk kisha të drejtë të këshilloja e as të propozoja! Më dukej vetja si një “cung i vjetër” në shtëpi të re, dhe ashtu isha. Çdo gjë në këtë shtëpi ishte e re, edhe gozhdat ishin më të reja se unë!

Derisa një ditë djali më tha: “Nanë, do të dërgoj sot në një shtëpi të re!”
Sapo e dëgjova këtë fjali, e kuptova se as kjo shtëpi nuk qenka e imja!

Dhe më solli këtu në “shtëpi të pleqëve” në shtëpi të atyre që kurrë n’jetën e tyre s’kanë pasur shtëpi!

Por nipi kur më vizitoi për herë të fundit më bëri me lot kur më tha në vesh: “Gjyshe, kur të rritem unë, do ta ndërtoj një shtëpi, ajo do të jetë shtëpia ime dhe shtëpia jote”

E përqafova fort atë dhe i thash:”Biri jem, të pastë gjyshja ty, se gjyshja në këtë dynja kurrë s’ka pas shtëpi, por do Zoti më jep një shtëpi në Parajsë, e do ta lus Zotin që të na bashkojë aty ku asnjëherë nuk do t’ketë ndarje e lot.”

– Nga jeta e një nëne, ku dallgët e jetës e hodhën prej një vuajtje në një vuajtje tjetër. / KultPlus.com

Shtëpia ku u lind Hitleri shndërrohet në stacion të policisë

Është zbuluar plani që do ta shndërrojë në stacion të policisë ndërtesën ku ishte i lindur lideri nazist, Adolf Hitler.

Ministri i Punëve të Brendshme të Austrisë, Karl Nehammer dhe drejtues të tjerë kanë paraqitur detaje të planit në një konferencë për shtyp, të mbajtur në Vjenë të martën. Shtëpia në Baunau am Inn, qytetin në kufi me Gjermaninë, ka qenë subjekt i një mosmarrëveshje të gjatë.

Qeveria e Austrisë shumë kohë më parë e mori ndërtesën me qira nga pronari i saj, me qëllim për ta ndalur turizmin e ekstremit të djathtë që zgjati dekada. Në vitin 2017 gjykata më e lartë në Austri vlerësoi se qeveria kishte të drejtë të shpronësonte ndërtesën, pasi pronari nuk po pranonte ta shiste.

Nehammer ka thënë se shndërrimi i shtëpisë në stacion të policisë ka kuptim, pasi policia mbron lirinë e njerëzve.

Hermann Feiner, udhëheqës i komisionit për ridizajnim, ka thënë se ristrukturimi i shtëpisë do të kompletohet deri në vitin 2022 dhe do të kushtojë pesë milionë euro.

Arkitekti Robert Wimmer ka thënë se aspektet historike të shtëpisë do të mbrohen.

Projekti ishte iniciuar në nëntor të vitit 2019, ndërsa arkitektë nga mbarë Evropa ishin ftuar për të paraqitur planet. Të martën u shpall projekti fitues. /KultPlus.com

Fotografi frymëzuese për ata që punojnë nga shtëpia

Tani më shumë se asnjëherë tjetër, njerëzit po punojnë nga shtëpia.

Një laptop, pizhame dhe patjetër një kafe ngjitur me krevatin. Gjëja e parë që duhet të bëni është të hiqni pizhamet dhe të vishni rroba të tjera.

Pastaj hidhini sytë nga “zyra” juaj e shtëpisë. A është këndi i duhur? A mund të përmirësosh diçka që orët e punës nga shtëpia të jenë edhe më të këndshme?!

Ju që punoni nga shtëpia, frymëzohuni me këto foto!

Nuk ka rëndësë sa e madhe është shtëpia juaj, një kënd i vockël i dekoruar bukur është gjithmonë i arritshëm.

Ju që punoni nga shtëpia, frymëzohuni me këto foto!

E përbashkëta e këtyre fotove? Gjelbërimi!

Ju që punoni nga shtëpia, frymëzohuni me këto foto!
Ju që punoni nga shtëpia, frymëzohuni me këto foto!

Një vazo me lule, apo qoftë edhe një kaktus i thjeshtë do t’jua bëjë vendin ku punoni më interesant, shkruan Anabel.

Ju që punoni nga shtëpia, frymëzohuni me këto foto!

Të punoni ndërkohë që shihni përtej xhamit. Një kënd i sajuar në ballkon, apo në oborrin e shtëpisë do të ishte perfekte. Më shumë se punë do t’ju dukej argëtim dhe karantina më pak stresuese.

Ju që punoni nga shtëpia, frymëzohuni me këto foto!

“The Guardian” reportazh për vilën e Enver Hoxhës

Brenda vilës tre katëshe, të mbushur me nënkalime, të Enver Hoxhës, është thuajse ashtu siç ishte kur lideri komunist i Shqipërisë u nda nga jeta në 1985.

Sipas të përditshmes britanike “The Guardian”, asokohe, Hoxha sundonte me diktaturë staliniste, në vendin që e kish shndërruar në një prej më të izoluarve dhe më represivëve në botë.

Në erën e komunizmit, e gjithë zona rreth shtëpisë së Hoxhës, ishte e izoluar nga policia dhe agjentë sekretë. E njohur si blloku, zona funksiononte si një lloj Kremlini pa mure, në zemër të Tiranës, rezervuar për elitën e partisë dhe familjet e tyre.

Tani, shkruan “Guardian”, blloku është një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës, e mbushur me bare, klube nate dhe restorante. Në mesin e tyre, është edhe shtëpia fantazmë e Hoxhës, e paprekur dhe e mbyllur për publikun.

Shqipëria e ditëve të sotme, shkruan “Guardian”, kërkon anëtarësimin në BE pas shumë vitesh në të cilët njerëzit kanë preferuar të harrojnë të shkuarën.

Por tani, shqiptarët po provojnë të përballen me trashëgiminë e diktatorit dhe po mendohet si të hapet shtëpia e diktatorit për publikun. Brenda saj, muret janë dekoruar me art socialist, shumë dhoma janë pajisur me televizorë shqiptarë të vjetër, dyert e dhomës së gjumit të diktatorit kanë veshje që izolon tingujt ndërsa në bodrum, ka një pishinë dhe një derë sekrete që çon në një tunel në të cilin Hoxha “paranojak” mund të largohej në rast sulmi.

Kryeministri Edi Rama, nënvizon “Guardian”, po mendon prej kohësh për dilemën se çfarë duhet të bëjë me shtëpinë, pasi edhe druhet se do të ishte njësoj e papërshtatshme si mbajtja në gjendjen aktuale, ashtu edhe shkatërrimi i plotë.

“Është e vështirë të gjesh një zgjidhje të mirë, kur e shkuara është ende aty por ti i shërben të ardhmes”, thotë ai.

“Guardian” shkruan se edhe ndërtesa të tjera që simbolizojnë regjimin e Hoxhës janë rikonceptuar për përdorim publik, ndër të cilat edhe zyrat qendrore të sigurimit, që tani janë kthyer në muze. Po ashtu edhe bunkerët. Tani, janë aktuale ndërkohë planet për të transformuar piramidën e ndërtuar në fund të viteve 80 si një muze për diktatorin e ndjerë. Por pavarësisht planeve të mëdha, nuk ka ende një monument të denjë për viktimat e Hoxhës, shkruan Guardian.

Prizreni humb shtëpinë e shekullit XIX me leje të institucioneve

Shtëpisë së shekullit XIX në rrugën “Bajrakli”, në Qendrën Historike të Prizrenit, tashmë nuk i ka mbetur asnjë gjurmë. Për dallim prej shumicës së rasteve, kjo ndërtesë është rrënuar me leje të institucioneve.

Lidhur me këtë çështje të mërkurën ka pasur reagime nga anëtarët e Kuvendit të Komunës, nga aktivistët e shoqërisë civile, por edhe nga vetë Ekzekutivi lokal. Këta të fundit kanë theksuar se për shkak të mospërfshirjes në listën e objekteve me trashëgimi kulturore, nuk ka pasur mundësi ligjore që të ndalohet rrënimi. Njëherësh lidershipi komunal ka theksuar se çështja e shtëpive tradicionale duhet të trajtohet me masa ndërinstitucionale. Ndërkaq zyrtarët e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren kanë deklaruar se ndërtesa e shekullit XIX i ka humbur vlerat dhe se ka qenë në gjendje të degraduar.

Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” përmes një reagimi ka theksuar se sipas informatave fillestare ndërtesa në fjalë “është rrënuar me leje institucionale”.

Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ka konfirmuar se “të dielën Prizreni humbi edhe një shtëpi të bukur në qendrën historike”, shkruan KD.

“Në rrugën ‘Bajrakli’ është rrënuar objekti me vlera të shtëpive tradicionale, por fatkeqësisht për shkak të mospërfshirjes në listën e objekteve me trashëgimi kulturore nuk ka pasur mundësi ligjore që të stopohet rrënimi”, ka thënë Haskuka. Personalisht do të angazhohem që objekti i rrënuar të rindërtohet ashtu siç ka qenë, me dukje të njëjtë”, ka deklaruar Haskuka./ KultPlus.com

Fillon restaurimi i shtëpisë-muze të vëllezërve Frashëri

Shtëpia muze e vëllezërve Frashëri, monument kulture i kategorisë I, e ndodhur në hyrje të fshatit me të njëjtin emër në qytetin e Përmetit, tashmë i është nënshtruar procesit të restaurimit.

Në këtë shtëpi muze kanë shkuar për të parë nga afër fillimin e këtij kantieri restaurimi specialistët përkatës ku kanë takuar dhe Marjanën, një banore e cila që prej 25 vitesh kujdeset për këtë shtëpi plot dashuri.

Për restaurimin “Shtëpia e Vëllezërve Frashëri”, janë parashikuar ndërhyrje në restaurimin e çatisë, dyerve dhe dritareve në përgjithësi, eleminimin e çarjeve në fasadë, restaurimin e dyshemeve dhe riparime në suvatime. Gjithashtu do të bëhet sistemimi i terrenit përreth.

Kjo shtëpi muze është ndërtuar në vitin 1974 mbi rrënojat e banesës së vjetër të shkatërruar. Ajo u rikonceptua si një përmbledhje e historikut të zonës, e veprimtarisë së tre rilindasve dhe është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kombëtare.

Me ringritjen e saj është bërë përpjekje për ruajtjen e origjinalitetit të volumit fillestar, duke shtuar elemente të reja si, ndërkate e tavane druri dhe oxhakët nëpër dhoma.

Disa nga dhomat e kësaj shtëpie-muze pasqyrojnë mënyrën e jetesës së kohës, duke ekspozuar orendi të vjetra të mbledhura edhe nga banorë të zonës.

Interesi për këtë banesë duket se është jo i pakët, për vetë rëndësinë dhe historinë që ajo ka. Shtëpia-muze përmban në fondin e saj libra e dorëshkrime të vëllezërve Frashëri, ku mund të veçojmë disa botime origjinale të Sami Frashërit./ KultPlus.com

Kjo është shtëpia ku lindi Faik Konica (VIDEO)

Shkrimtari dhe diplomati i shquar shqiptar Faik Konica lindi në Konicë të Greqisë në vitin 1875. Publicisti Ilir Ikonomi kujton se pikërisht sot është ditëlindja e shkrimtarit dhe patriotit Faik Konica dhe sjell në faqen e tij në Facebook videon me pamje të shtëpisë ku ka lindur shkrimtari.

Postimi i plotë i Ilir Ikonomit:

15 marsi është ditëlindja e Faik Konicës

Ai lindi në vitin 1875 në këtë shtëpi të Konicës (sot Greqi), të cilën e vizitova për herë të dytë në nëntor 2012, kësaj here me gazetarin Sokol Balla. Shtëpia është ende aty, e rrënuar, e braktisur.

Në vitin 2010, kur e zbulova shtëpinë, shkrova këto rreshta, të cilat po i ribotoj me rastin e përvjetorit të lindjes së Faik Konicës:

“Ishte një pamje vërtet trishtuese, sepse çatia dhe dyshemetë e kateve brenda ishin shembur plotësisht, ca nga koha e ca nga një tërmet në vitin 1996. Disa trarë, që vareshin si pendulë, dukej sikur do të këputeshin mu në sytë e mi.

Deri në një farë lartësie, muret e jashtëm ishin prej guri ngjyrë gri të gdhendur dhe i kishin qëndruar kohës për bukuri. Kjo duhet të ketë qenë pjesa e hershme e shtëpisë, e ndërtuar që më 1771 sepse, siç mora vesh, ajo qe rindërtuar shtatëdhjetë e ca vite më vonë. Edhe qemeri i portës kishte mbetur i paprekur. Në të dyja anët e tij kishte nga një pllakë guri ku shkruhej Bismillah al-Rahman al-Rahim dhe fjalë të tjera arabisht që ftonin mysafirin brenda. Dikush qe përpjekur ta lyente shtëpinë nga jashtë me gëlqere, por kjo kishte rënë thuajse krejt.

Shtëpia ishte dykatëshe dhe kishte një bodrum përgjysmë nën dhe. Me sa kuptohej, kati i parë kishte patur shtatë dhoma. Ndërkaq, dy palë shkallë të harkuara prej guri, që shquheshin me vështirësi në gjithë atë shkatërrirë, të çonin në odat sipër. Vetëm një gjë nuk qe prekur thuajse fare dhe ky ishte oxhaku i lartë që kishte mbetur si direku i një vapori. Të bënte të mendoje se ndërtuesit e hershëm duhet t’i kishin kushtuar kujdes të veçantë oxhakut si shenjë e sërës së familjes.

Jashtë në avlli, rrasat e gurit mezi dukeshin nga bari. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore shtëpia qe kthyer në shkollë të mesme dhe pastaj i pat kaluar bashkisë për ta riparuar. Si duket rindërtimi qe lënë në mes dhe askush nuk kishte vënë dorë më. Ishte pak a shumë si në ato pamjet e dokumentarit Life After People, që rrëfen se si do të jetë jeta në planetin tonë pasi të jenë zhdukur njerëzit.

Befas mu fanepsën imazhet e largët të një Faiku të vogël, të cilit hoxha i fshatit me çallmë në kokë i mësonte arabisht në shtëpi. Jashtë portës më pushtoi një ndjenjë e pashpjegueshme dhe nisa të shihja me kujdes ku e hidhja këmbën. Po shkelja mbi ato rrasa të avllisë, ku Faiku bashkë me vëllezërit dhe motrat kishin kaluar ditët e gjata duke luajtur nën diellin e ngrohtë dhe në ajrin e kthjellët të maleve.

Vështrova qiellin blu, pastaj majat me borën gati të përjetshme dhe u përpoqa të përfytyroj se si mund të kishte qenë ajo kohë e shkuar. Duhet të kishte qenë tamam ashtu siç e kishte shkruar Faiku: “Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Botiçelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumtëri të ëmbël”. (Nga libri “Faik Konica – Jeta në Uashington” Ilir Ikonomi)./ KultPlus.com

Shtëpia e At Gjergj Fishtës në shkatërrim e sipër, nisin matjet për hartimin e projektit restaurues (FOTO)

Shtëpia ku ka jetuar At Gjergj Fishta, tashmë është në një gjendje thuajse të mjerueshme.

Dritareve të thyera, pamjes jo të mirë të oborrit dhe gjendjes fizike të shkatërruar të kësaj shtëpie që është Monument Kulture, duket se i ka ardhur fundi, shkruan KultPlus.

Sot përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, nga drejtori i Trashëgimisë Kulturore-Historike në Lezhë Paulin Zefi, është bërë e ditur se kanë nisë të bëhen matjet për hartimin e projektit restaurues të këtij objekti.

“Në Fishtë pranë shtëpisë Monument Kulture ku ka jetuar i madhi At.GJERGJ FISHTA duke bërë matjet për hartimin e projektit restaurues të këtij objekti tejet të amortizuar së bashku me specialistët e Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit(Bashkia-Lezhë)..
*Lidhur me gjendjen fizike të Monumentit, pamjet flasin vetë…”, ka shkruar Zefi në rrjetin social Facebook./ KultPlus.com