Ish-oficeri Alexander Kueng dënohet për vrasjen e George Floyd

Një ish-oficer policie në Minneapolis, i cili u gjunjëzua në kurrizin e George Floyd, është dënuar me tre vjet e gjysmë burg për rolin e tij në vdekjen e zotit Floyd, transmeton KultPlus.

J Alexander Kueng u deklarua fajtor për një akuzë shtetërore për ndihmë dhe nxitje për vrasje të shkallës së dytë në tetor.

Ai ishte një nga katër oficerët e përfshirë në arrestimin, filmuar nga kalimtarët e rastit, të 46-vjeçarit.

Floyd u vra nga policia në maj të vitit 2020 ndërsa ishte i shtrirë dhe i prangosur, shkruan BBC.

Vdekja e tij shkaktoi zemërim global dhe një valë demonstratash kundër padrejtësisë racore dhe përdorimit të forcës nga policia.

Kueng do të vuajë dënimin e tij të ri për akuzat shtetërore njëkohësisht me një dënim të mëparshëm federal për shkeljen e të drejtave civile të zotit Floyd. /KultPlus.com

Dëmtohet murali ku nderohet George Floyd

Një mural që nderon George Floyd, Breonna Taylor dhe Ahmaud Arbery në Portland u vandalizua nga mbështetësit e një grupi urrejtës nacionalist të bardhë, tregojnë fotot.

Artisti që krijoi muralin “We Stand With You” të Floyd, Taylor dhe Arbery vitin e kaluar zbuloi dëmin e lënë pas nga mbështetësit e Frontit Patriot me bazë në Teksas., duke treguar tre fytyrat e tyre të mbuluara me bojë të bardhë dhe të zëvendësuara nga adresa e faqes së internetit të grupit të urrejtjes, transmeton KultPlus.

“Unë jam i trishtuar, i hutuar dhe i humbur për fjalët se sa urrejtje dhe injorancë është në komunitetin tonë,” shkroi Christian Grijalva.

“Që urrejtësit supremacistë të bardhë të vijnë të vandalizojnë dhe prishin pikturën time murale dhe muralin e komunitetit thjesht më trondit mendjen.”/ KultPlus.com

Nderohet nga Pulitzer adoleshenjta që incizioi rastin e George Floyd-it

Darnella Frazier u vlerësua me Citim të Veçantë nga Pultizer për “regjistrimin e guximshëm të vrasjes së George Floyd”, përderisa ishte vetëm 17 vjeçare.

Frazier, e kishte incizuar në maj të vitit të kaluar momentin që çoi Floyd-in drejt vdekjes v Çmimit Pulitzer të premten. Ajo u vlerësua për videon buja e të cilës nxiti protesta kundër brutalitetit të policisë në të gjithë botën, duke theksuar rolin thelbësor të qytetarëve në kërkimin e gazetarëve për të vërtetën dhe drejtësia “, sipas Bordit të Çmimit Pulitzer, përcjell KultPlus.

Në video shiheshin oficerët e policisë së Minneapolis që kishin shtrirë Floyd-in në tokë për disa minuta, teksa ai thoshte që “nuk mund të merrte frymë”. Videoja u përhap në të gjithë botën dhe vijoi në protesta masive në të gjithë SHBA-në dhe jo vetëm, shkruan Deutsche Welle, përcjell klankosova.tv

Organizatat e lajmeve gjithashtu fituan çmime për pasqyrimin e tyre të protestave që shpërthyen nga videoja, përfshirë Associated Press dhe Star Tribune të gazetës Minneapolis. / KultPlus.com

Në përvjetorin e vdekjes së Floydit, familja e tij kërkon reforma në polici

Anëtarët e familjes së George Floydit kanë biseduar me ligjvënësit amerikanë, duke iu bërë thirrje këtyre të fundit që të miratojnë legjislacionin për reforma në polici në emër të Floydit, në përvjetorin e parë të vdekjes së tij në Mineapolis.

Floyd, 46-vjeçar, afrikano-amerikan, është vrarë nga një zyrtar i bardhë policor, i cili i ka bërë presion me gju në qafë viktimës për më shumë se nëntë minuta.

Vdekja e tij ka nxitur protesta kundër racizmit dhe dhunës policore në një mori qytetesh në Shtetet e Bashkuara dhe më larg, si dhe ka shtyrë përpara përpjekjet për reforma policore në nivel kombëtar.

“Ne duhet të punojmë së bashku për t’u siguruar që nuk jetojmë më me frikë në Amerikë”, ka thënë Philonise Floyd, vëllai i George Floydit, para gazetarëve në Kongres, teksa ka qëndruar afër udhëheqëses së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, demokrate dhe ligjvënësve që kanë premtuar se do të votojnë në të mirë të legjislacionit të bllokuar aktualisht në Kongres.

“Ne shpresojmë që mund të sjellim qetësi në familjen tuaj duke miratuar këtë projektligj shumë shpejt”, ka thënë Pelosi.

Familjarët e Floydit më pas janë nisur drejt Shtëpisë së Bardhë për ta takuar presidentin amerikan Joe Biden dhe nënpresidenten Kamala Harris.

Vajza e Floydit, nëna e saj, bashkë me motrat, vëllezërit e Floydit pritet të jenë në mesin e atyre që do të jenë pjesë e takimit.

Biden, demokrat, pritet të diskutojë me familjen, përparimin e arritur në legjislacionin në emër të Floydit.

Presidenti pati dëshiruar që ligjvënësit të përfundonin punën në legjislacionin që kërkon ndryshimin e praktikave të policisë, deri në përvjetorin e vdekjes së Floydit.

Një grup dypartiak në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, është duke punuar në atë drejtim./ KultPlus.com

Reagimi i familjarëve të George Floyd pasi ish-polici shpallet fajtor për vdekjen e tij (VIDEO)

Para pak minutash, ish oficeri i policisë së Minneapolis, Derek Chauvin është dënuar për të gjitha akuzat nga një juri në gjykatën e qarkut Hennepin.

Ai u dënua për vrasje të shkallës së dytë në vdekjen e George Floyd në maj të vitit 2020.

Dënimi maksimal për vrasje të paqartë të shkallës së dytë është burgimi jo më shumë se 40 vjet.

E sigurisht që familjarët e tani të të ndjerit, Floyd, janë entuziazmuar për shpalljen e këtij vendimi./ KultPlus.com

Polici që vrau George Floyd shpallet fajtor për të gjithë akuzat

Derek Chauvin, efektivi i policisë 45-vjeçar që akuzohet si autor i vrasjes së afro-amerikanit George Floyd në Mineapolis në majin e vitit të kaluar, u dënua për të tre akuzat ndaj tij.

Juria ishte e përbërë nga 5 burra dhe 7 gra, dhe debatoi për rreth 10 orë në dy ditë, fillimisht të hënën, duke u rikthyer sot me vendimin përfundimtar.

Chauvin kishte deklaruar veten të pafajshëm për akuzat e ngritura, që ishin tre, vrasje e paqëllimshme e gradës së dytë, vrasje e gradës së dytë që nënkupton vrasjen e qëllimtë,  dhe të gradës së tretë, ku kjo e fundit nënkupton një veprim të qëllimtë për të shkaktuar dëm, pa asnjë respekt për jetën e tjetrit.  

Polici mund të gjykohej për të tre akuzat, ku dënimi parashikohet deri me 10 vjet për akuzën e parë, 40 vjet për vrasjen e gradës së dytë dhe 25 për atë të gradës së tretë.

Vrasja e George Floyd dhe thirrja e tij “Nuk marr dot frymë!”, drejtuar policit, u bënë simbol i një vale proteste që kaloi edhe kufinjtë e Shteteve të Bashkuara, ku akuzave për arrogancën e policisë ndaj personave me ngjyrë iu bashkua edhe një përkrahje globale kundër racizmit,  e drejtuar nga lëvizja “Black Lives Matter”.

Verdikti u ndoq edhe nga vetë presidenti Joe Biden, që për rastin ndryshoi edhe takimet e tij institucionale./ KultPlus.com

Amerika është në pritje të verdiktit për vrasjen e George Floyd

Amerika është në pritje të verdiktit për ish-policin, Derek Shouvin, i akuzuar për vrasjen e afroamerikanit, George Floyd.

Për tri javë, pala akuzuese solli dëshmitarë dhe ekspertë që treguan se 46-vjeçari ishte viktimë e dhunës së tepruar policore, e cila kulmoi me presionin për 9 minuta me radhë mbi organet respiratore të afroamerikanit.

Pala mbrojtëse me ekspertët e vet pretendon se Floydi ishte përdorues i ilaçeve të forta dhe se në vdekjen e tij kontribuan ato dhe faktorë si gazrat e lëshuar nga makina e policisë gjatë arrestimit.

Ish-oficeri Shouvin rrezikon 40 vite burg për akuzën e vrasjes.

Teksa gjyqit i vjen fundi, qyteti i Mineapolisit ku ndodhi ngjarja majin e kaluar po përgatitet edhe për protesta të mundshme nëse policët e pandehur do të faleshin nga anëtarët e jurisë.

Gjykatësi i çështjes ka paralajmëruar se procesi ndaj ish-policit Shouvin dhe kolegëve të tij do të zgjatë edhe pak teksa palët përgatiten të japin argumentet e fundit në favor dhe kundër tyre./ KultPlus.com

Koleksionohen më shumë se 800 murale dedikuar George Floyd-it

Një grua po ruan muralet e realizuara që janë vendosur në Twin Cities, regjion në Minnesota të SHBA-së pas vdekjes së George Floyd, vitin e kaluar.

Më shumë se 800 punime tani janë duke u ruajtur në depo. Leesa Kelly me “Save the Bords to Memorialize the Movement” (Ruani punimet për të përkujtuar Lëvizjen) dëshironte të ruante punime e bëra në kompensatë e që ishin vendosur nëpër biznese në regjionin Twin Cities.

“Thjesht më ishte thyer zemra dhe isha duke përjetuar shumë trauma dhe më duhej të bëja diçka”, ka shpjeguar ajo, transmeton KultPlus.

Murale që kapin emocionet e një komuniteti gjatë dhembjes për vdekjen e Floydit.

“E gjitha nisi kur muralet filluan të flisnin me mua”, ka thënë Kelly. “Kisha një ndjesi të veçantë emocionale kurdo që kaloja me makinë dhe i shihja në ndërtesa dhe unë thjesht pyesja veten se çfarë do të ndodhte me to pasi që do të hiqeshin”, ka thënë ajo.

Në vend që të kalonte para tyre, Kelly shkonte nga biznesi në biznes duke u kërkuar leje për të ruajtur muralet.

“Kur shikoni përreth kësaj dhome dhe shihni muralet e realizuara në kompensatë, ju merrni historinë e plotë të asaj që ka ndodhur me të vërtetë”.

Ndërsa Kelly thotë se ky është një projekt i pafund, ajo e sheh këtë si një punë dashurie që do të ruajë këtë moment në histori edhe në vitet që vijnë pas.

“Është si një lloj transportimi i njerëzve përsëri në verën e vitit 2020 dhe duke kujtuar kryengritjen, duke kujtuar ato ndjenjat e vështira me të cilat ne të gjithë duhet të pajtoheshim dhe t’i procesonin, në mënyrë që të mos shohim diçka të tillë duke ndodhur përsëri”, ka thënë ajo.

Vdekja e Floydit, gjatë majit të vitit të kaluar, bashkë me xhirimin e këtij afro-amerikani që thoshte se nuk po mundet të marrë frymë dhe kalimtarëve që i bërtisnin me zemërim policit të bardhë që ta lëshonte, kishin nxitur protesta në gjithë botën. Videoja, që sipas prokurorëve dëshmon përdorimin e tepërt të forcës, kishte tmerruar njerëzit në tërë botën dhe kishte qenë sebep për njërën prej lëvizjeve më të mëdha protestuese në SHBA të dekadave të fundit. Shumica i janë referuar vdekjes së Floydit si shembull brutaliteti që përdoret në mënyrë rutinore nga policët amerikanë ndaj njerëzve me ngjyrë.

Derek Chauvini, polici 45-vjeçar, i cili menjëherë pas rastit është shkarkuar nga detyra, përballet me akuza për vrasje dhe vrasje pa paramendim dhe mund të dënohet deri në 40 vjet burgim. Kurse tre policët e tjerë të pranishëm në incident do të gjykohen po ashtu gjatë këtij viti. /news4sa/ KultPlus.com

Shefi i policisë në Mineapolis: Chauvin shkeli rregullat gjatë arrestimit të Floydit

Derek Chauvin ka shkelur rregullat e Departamentit të Policisë në Mineapolis, ashtu sikurse kodin e etikës gjatë arrestimit të George Floydit në maj të vitit të kaluar, ka dhënë shefi i policisë së qytetit Medaria Arradondo, teksa ka dëshmuar për rastin ku është përfshirë ish-kolegu i tij.

“Nuk është pjesë e trajnimit tonë, dhe nuk është pjesë e etikës dhe vlerave tona”, ka thënë Arradondo, teksa i është referuar mënyrës sesi Chauvin, zyrtar i bardhë policor, ka shtypur me gju qafën e Floydit, 46-vjeçar me ngjyrë, për më shumë se nëntë minuta.

Një video-material që tregonte momentin e vdekjes së Floydit, pati nxitur protesta globale kundër brutalitetit policor.

Në dëshminë e tij për tri orë e gjysmë, Arradondo ka hedhur poshtë pretendimet e mbrojtjes së Chauvin, i cili është deklaruar i pafajshëm në akuzat për vrasje, se ka qenë duke ndjekur trajnimin që ka pranuar për 19 vjet sa ka qenë pjesë e policisë.

Sipas ekspertëve ligjorë, të cilët ndjekin proceset gjyqësore ndaj policëve, është shumë e pazakonshme që një zyrtar i lartë policor të dëshmojë se një nga ish-kolegët e tij ka përdorur forcë të tepruar.

Deklarata e shefit policor ka forcuar edhe më shumë një deklaratë që ka lëshuar ai vitin e kaluar, pasi ka përjashtuar nga puna Chauvin dhe tre zyrtarë tjerë të përfshirë në arrestimin, të cilin e ka cilësuar incident me vrasje, jo mungesë të trajnimit.

Gjyqi ndaj Chauvinit pritet të zgjasë për tri javë tjera.

Ekipi i tij i mbrojtjes ende nuk e ka prezantuar qëndrimet për rastin.

Chauvin përballet me dekada në burg nëse shpallet fajtor. / KultPlus.com

E përjavshmja franceze Charlie Hebdo me satirë për mbretëreshën, nuk pritet mirë nga britanikët

“Jo satirë, ne jemi britanikë”. Karikatura në faqen e parë të së përjavshmes satirike franceze, Charlie Hebdo, nuk u prit mirë nga britanikët. Në të shfaqet Mbretëresha Elizabeth që shtyp gruan e Princit Harry në tokë me gjurin në qafë si në rastin e afro-amerikanit të vrarë nga një oficer policie në Minneapolis.

“Pse Meghan u largua nga Buckingham?”, është titulli. Përgjigjja të kujton fjalët e fundit të George Floyd: “Sepse nuk mund të merrja më frymë”. Një koment “alla Charlie” ky lidhur me intervistën në të cilën Meghan tha se ishte në prag të vetëvrasjes për shkak të mënyrës se si u trajtua nga oborri Windsor. Nga intervista me Oprah Winfrey, gjithashtu dolën akuza për racizëm kundër mbretërve britanikë.

Shtypi konservator britanik reagoi furishëm, por disa dënime të fundit të Charlie,  i njohur për karikaturat e tij të diskutueshme për Mohamedin, erdhën gjithashtu nga organizata që luftonin kundër racizmit.

Sipas një sondazhi të YouGov, popullariteti i Princit Harry dhe gruas së tij ra në Mbretërinë e Bashkuar pas intervistës: 15 dhe 13 pikë më poshtë, përkatësisht, në më pak se dy javë.

Karikatura, e cila përmend vdekjen e George Floyd, shkaktoi protesta në të gjithë Britaninë e Madhe: “Charlie Hebdo është i rremë në të gjitha nivelet”, shkroi në Twitter Halima Begum, kryetare e grupit kundër racizmit, Runnymede Trust.

“Mbretëresha si vrasësi i George Floyd që shtyp qafën e Meghan? Meghan që thotë se nuk mund të marrë frymë?”, vazhdon postimi, është diçka që kalon çdo kufi, që nuk bën të qeshë askënd dhe nuk dëmton racizmin. Redukton problemin dhe shkakton fyerje në të gjitha nivelet.”

Të indinjuar janë gjithashtu edhe “Black and Asian Lawyers For Justice”. Sipas tyre, është një kopertinë e një racizmi skandaloz, të neveritshëm dhe fashist”, tha ai. Për një grup tjetër anti-racist është “një përgjigje mediokre dhe e menduar keq nga Charlie Hebdo që përkeqëson problemin. Kjo formë e thjeshtë e satirës nuk ka vend në luftën kundër racizmit”. / Gazeta express / KultPlus.com

Autoritetet amerikane ofrojnë dëmshpërblim rekord për familjen e Floydit

Qyteti i Mineapolisit të premten u pajtua që të paguajë 27 milionë dollarë në rastin gjyqësor që është paraqitur nga familja e George Floydit në lidhje me vdekjen e tij në duart e policisë. Rasti kishte nxitur protesta masive kundër padrejtësisë racore dhe brutalitetit të policisë në Shtetet e Bashkuara.

Floyd, burrë me ngjyrë në moshën 46-vjeçare, vdiqë në maj të vitit të kaluar, pasi polici Derek Chauvin ia mbajti gjurin mbi qafë për më shumë se tetë minuta. Thirrjet e Floydit për ndihmë ishin incizuar dhe videoja u përhap në mbarë botën, duke nxitur protesta jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në vende tjera.

Benjamin Crump, njëri nga avokatët e familjes së Floydit, tha se kjo marrëveshje është më e madhja e këtij lloji në një padi për vdekje joligjore në historinë e Shteteve të Bashkuara, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express, përcjellë KultPlus.

“Sasia e dëmshpërblimit thekson që vdekja e një personi me ngjyrë në duart e policisë nuk do të shkruhet më si gjë e vogël, e parëndësishme apo që nuk ia vlen për pasoja”, tha avokati Crump gjatë një konference për gazetarë, i shoqëruar të të afërmit e viktimës, kryetari i Mineapolisit, Jacob Frey, dhe zyrtarë tjerë.

Familja e Floydit përmes një deklarate tha se është e kënaqur që kjo tragjedi është zgjidhur në rrugën e drejtësisë. “Përderisa zemrat tona janë të thyera, ne jemi të ngushëlluar që e dimë se edhe në vdekje, George Floyd i tregoi botës si të jetohet”, thuhet në deklaratë./gazetaexpress/ KultPlus.com

Floyd në frymën e fundit: Thuaji fëmijëve të mi që i dua

Në Shtetet e Bashkuara janë publikuar dokumente që tregojnë në detaje momentet e fundit të jetës së George Floyd, i cili vdiq pasi një polic e shtypi me gju në qafë për gati nëntë minuta.

Sipas transkripteve të gjykatës, polici amerikan i akuzuar për vrasjen e George Floyd, i tha atij të ndalojë së foluri derisa vazhdimisht i shtypte qafën me gju, njofton REL, transmeton KultPlus.

“Thuaji fëmijëve të mi që i dua. Unë jam i vdekur”, kishte thënë Floyd në momentet e fundit të jetës.

Floyd u përgjërua për ndihmë ndërsa ishte i shtrirë në tokë, sipas transkriptit të bërë publik të mërkurën, si pjesë e një mocioni të paraqitur në Gjykatën shtetërore të Mineapolis.

“Unë jam klaustrofobik. Më dhemb stomaku. Qafa ime më dhemb. Gjithçka më dhemb. Kam nevojë për ujë ose diçka tjetër, ju lutem. Ju lutem? Nuk mund të marr frymë oficer”, ka thënë ai.

Polici Derek Chauvin, u përgjigj “atëherë ndaloni së foluri, ndaloni të bërtisni, shpenzoni shumë oksigjen duke folur”.

Chauvin, i cili është i racës së bardhë, u arrestua në 29 maj, katër ditë pas vdekjes së Floyd. Ai ka thënë se nuk është fajtor për akuzat e vrasjes së shkallës së dytë.

Tre ish-oficerë të tjerë të policisë në Mineapolis, janë akuzuar si bashkëfajtorë në këtë rast.

Dokumentet ofrojnë fotografinë më të qartë të momenteve të fundit të Floyd. Vdekja e tij në maj nxiti trazira në pothuajse tërë botën.

Vdekja e Floyd çoi në një valë protestash kundër racizmit, të udhëhequra nga lëvizja “Black Lives Matter”, dhe ngjalli debate dhe reflektim në SHBA mbi historinë e ndarjes racore. / KultPlus.com

Vajza e George Floyd merr një dhuratë të madhe, bëhet aksionare e Disney

Falë bujarisë së Barbra Streisand, Gianna, vajza më e vogël e George Floyd, afroamerikanit që u vra nga polici, është aksionare e Disney.

Nuk është zbuluar vlera e aksioneve të saj, por Gianna ka postuar një foto me certifikatën.

Edhe Kanye West mori përsipër të paguajë kolegjin e Gianna-s derisa të përfundojë shkollimin.

Vajza i ka falënderuar të dy, në emrin e saj dhe të nënës. / KultPlus.com

Nderime në gjithë botën për afro-amerikanin George Floyd

Që nga Shtetet e Bashkuara deri në Meksikë e në Spanjë, mijëra vetë u mblodhën për të nderuar afrikano-amerikanin George Floyd që vdiq ndërsa ishte i ndaluar nga policia në shtetin e Minesotës. Vdekja e tij ka shkaktuar protesta në gjithë botën dhe thirrje për t’i dhënë fund dhunës racore.

Akivisti i të drejtave civile, reverendi Al Sharpton i kërkoi turmës në një ceremoni përkujtimore për George Floyd-in të imagjinonte se si duhej të ishte ndjerë ai.

Në video, Floyd shfaqet nën pranga, me fytyrën përtokë dhe një oficer me gjurin në qafën e tij për mbi tetë minuta.

“Ndërsa numëroni tetë minuta, mendoni se ç’po përjetonte George, shtrirë në tokë për tetë minuta, duke u lutur për jetën e tij, sikur po bënte rrëfimin e vdekjes së tij. Kjo nuk mund të vazhdojë”, tha reverendi Sharpton.

Qindra të tjerë u mblodhën para kishës së Universitetit Verior Qendror të Mineapolisit, ku u mbajt shërbesa. Ishte e para mes tre ceremonive që do të mbahen në tre qytetet, ku Floyd lindi, u rrit dhe vdiq.

Jashtë Shteteve të Bashkuara mbi 1 mijë vetë u mblodhën në Barcelonë për të shfaqur solidaritetin e tyre.

Njerëzit ndezën qirinj dhe mbanin parrulla.

“Shpresoj që njerëzit tani të ngrihen dhe të thonë ‘nuk vazhdohet kështu’ dhe të dalin në rrugë. Po të shohësh historinë, njerëzit vërtet sollën ndryshim, dolën në rrugë, protestuan, rrëzuan udhëheqës nga pushteti. Dhe ne populli mund t’ua heqim njerëzve pushtetin që u kemi dhënë. Duhet vetëm të ngremë zërin”, tha bashkëorganizatori i protestës, Jonathan Courtney.

Edhe në qytetin e Meksikos, qindra dolën për të shprehur nderimet e tyre.

“Duhet t’u themi njerëzve se jeta e afrikano-amerikanëve është e vlefshme”, tha protestuesi Luis Ceron.

Organizatorët lexuan emrat e afrikano-amerikanëve të tjerë që ashtu si George Floyd vdiqën, pas incidenteve me policinë, ndërsa pjesëmarrësit u ulën në gjunjë në heshtje me qirinj në duar. zëri i amerikës /KultPlus.com

Yjet i dalin në krah aktorit Boyega

Yjet, si shkrimtarja JK Rowling dhe Jordan Peele, kanë lavdëruar aktorin John Boyega për fjalimin emocional në protestën kundër vdekjes së afroamerikanit George Floyd, që gjatë së mërkurës u mbaj në Londër.

“Jeta e afroamerikanëve është e rëndësishme. Kemi qenë të rëndësishëm dhe vazhdimisht të suksesshëm”, ka thënë aktori i filmave “Star Wars”.

Ai nderoi Floydin, që vdiq pas keqtrajtimit nga policia më 25 maj. Aktori ka thënë se komentet e tij mund ta dëmtojnë karrierën, por nuk ishte i shqetësuar për këtë.

Por yjet nga Hollwoodi i kanë shprehur përkrahjen për fjalimin.

“E ke përkrahjen tonë”, ka thënë Peele, regjisori që fitoi çmimin “Oscar” për filmin “Get Out”. Ndërkaq shkrimtarja e njohur Rowling është shprehur e gatshme që në çfarëdo kohe të bashkëpunojë me aktorin.

Boyega me prejardhje nga Nigeria në fjalimin e tij ka thënë se dyshon që pas protestës do të ketë karrierë në film.

“Po flas me ju nga thellësia e zemrës. Sot gjithçka është për njerëzit e pafajshëm që kanë lënë në gjysmë rrugëtimin e tyre. Nuk e dimë se çfarë ka mundur të arrijë në jetë Floydi dhe as Sandra Bland, por sot do të sigurohemi se nuk do të jemi të huaj për më të rinjtë”, ka thënë aktori para turmës së mbledhur në qendër të Londrës. “Tani është ky moment dhe unë nuk e kam ndërmend të pres”, ka shtuar ai.

Aktorja e filmit “Booksmart”, Olivia Wilde, ishte në mesin e yjeve të para që reagoi me lavde ndaj fjalimit të Boyegas.

“Do të isha e nderuar të punoja me të dhe shpresoj që ta kem shansin. E ke përkrahjen tonë, mos u dorëzo”, ka shkruar Wilde.

Kolegu i Boyegasit, aktori i njohur Mark Hamill, i cili e luan rolin e Luke Skywalker në trilogjinë e filmave “Star wars”, ka thënë se kurrë nuk është ndier më krenar.

Përkrahje i ka dhënë edhe llogaria e filmave “Star Wars” në Twitter.

“E keqja që vjen me racizmin duhet të ndalet. Do të vazhdojmë të jemi pjesë e ndryshimit. John Boyega, ti je heroi ynë”, ka shkruar faqja e “Star Warsit”.

Polici Derek Chauvin është ngarkuar për vrasje të shkallës së dytë, ndërsa tre kolegët e tjerë, të përfshirë në rastin e vdekjes së Floyd-it, po përballen me akuza për ndihmë. Vdekja e tij ka shkaktuar trazira të mëdha në Amerikë dhe demonstrata në mbarë botën. / KultPlus.com

Gruaja e George Floyd përkrah vajzës 6 vjeçare ju drejtohet mediave, kërkon drejtësi (VIDEO)

Vdekja e qytetarit nga Minneapolisi, George Floyd, i cili e humbi jetën pasi një polic i vuri gjurin në fyt për nëntë minuta, gjatë kohës sa po e arrestonte atë në Minnesota, ka bërë bujë të madhe në gjithë botën.

Veprimi i policëve të përfshirë në këtë ngjarje, cilësohet të ketë motive raciste dhe kështu ka shkaktuar protesta shpesh të dhunshme të cilat po vazhdojnë ende.

Por, këtë ngjarje tragjike më së rëndi po e përjeton bashkëshortja e George Floyd dhe vajza e tij 6 vjeçare.

Roxie washington, bashkëshortja e George, krah vajzës ka folur sot gjatë një konference për media.

“Në fund të ditës, të gjithë po i kthehen familjeve. Giana nuk e ka më babanë. Kurrë nuk do ta sheh duke u rritur, të shkoj në mbrëmje të maturës. Kurrë nuk do të jetë aty për ta dërguar në altar. Nëse ka ndonjë problem, nuk do ta ketë babanë për t’iu drejtuar”, tha ndër të tjera Roxie në fjalimin e saj përgjatë të cilit nuk mund t’i mbante lotët. Ndërsa vajza e vogël, e cila ndonëse nuk foli, fytyra e saj tha më shumë se fjalët.

Familjarët e të ndjerit kanë kërkuar proces gjyqësor të pavarur si dhe dënim të merituar ndaj Chauvinit, ata gjithashtu janë kundër dhunës, pasi që kanë bërë thirrje të ftohen gjakrat duke kërkuar thjesht vetëm drejtësi. / KultPlus.com

Mblidhen mbi 10 milionë dollarë për George Floyd-in

Në një fond për funeralin e afrikano-amerikanit George Floyd janë mbledhur më shumë se 10 milionë dollarë, vetëm një javë pas vdekjes së tij gjatë arrestimit nga policia.

Fondi zyrtar përkujtimor për George Floyd i mblodhi saktësisht 10,113,200 dollarë nga 390,100 dhurues deri të martën pasdite, në kohën kur në shumë qytete të Shteteve të Bashkuara po mbahen protesta masive për këtë rast dhe kundër diskriminimit racor.

Kjo shifër është një ndër më të lartat që është mbledhur ndonjëherë përmes internetit në faqen “Gofundme”, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

Fillimisht, ky fond ishte hapur me qëllimin për t’i mbledhur vetëm 1.5 milion dollarë, por shifra tashmë gati është shtatfishuar.

Ky fond u hap para shtatë ditësh nga vëllai i afrikano-amerikanit të vdekur, Philonise Floyd.

Këto të holla do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve të funeralit, këshillimeve psikologjike, udhëtimet drejt gjykatave dhe për përkrahje të familjes së viktimës, përfshirë kujdesin dhe shkollimin e dy fëmijëve që i ka lënë pas vetes. / KultPlus.com

Zbulohet se çfarë ndodhi gjatë 30 minutave të fundit të jetës së George Floyd

SHBA-ja është dënuar nga protestat mbarëkombëtare për vdekjen e një burri afrikano-amerikan në arrest policor.

George Floyd, 46 vjeç, vdiq pasi u arrestua nga policia jashtë një dyqani në Minneapolis, Minesota.

Pamjet e arrestimit në 25 maj tregojnë një oficer policie me lëkurë në ngjyrë të bardhë, Derek Chauvin, duke vënë gjurin në qafën e Z. Floyd ndërsa ai ishte i shtrirë në dysheme.

Z. Chauvin, 44, është akuzuar për vrasje.

Ngjarjet kryesore që çuan në vdekjen e Z. Floyd ndodhën brenda 30 minutave. Bazuar në llogaritë nga dëshmitarët, pamjet video dhe deklaratat zyrtare, këto janë ato që dimë deri më tani.

Filloi me një raport për një faturë të rreme prej 20 dollarësh (16,20 £).

Një raport u bë në mbrëmjen e 25 majit, kur Z. Floyd bleu një paketë cigaresh nga Cup Foods, një dyqan ushqimesh.

Duke besuar faturën 20 dollarë që ishte falsifikuar, një punonjës i dyqanit e raportoi atë në polici.

Z. Floyd kishte jetuar në Minneapolis për disa vjet pasi u transferua atje nga Houston-i, në Teksas. Kohët e fundit kishte punuar si një roje në hyrje të një klubi nate në qytet, por, si miliona amerikanë të tjerë, mbeti pa punë nga pandemia e koronavirusit.

Z. Floyd ishte një klient i rregullt në Cup Foods. Ai ishte një fytyrë e njohur, një klient i këndshëm që kurrë nuk shkaktoi telashe, i tha NBC pronari i dyqanit Mike Abumayyaleh.

Por zoti Abumayyaleh nuk ishte në punë ditën e incidentit. Në raportimin e faturës së dyshimtë, punonjësi i tij adoleshent ishte vetëm duke ndjekur protokollin.

Në një telefonatë ndaj 911, të bërë në 20:01, punonjësi i tha operatorit se kishte kërkuar cigaren mbrapsht, por “Floyd nuk dëshiron ta bënte këtë”, sipas një transkriptimi të lëshuar nga autoritetet.

Punonjësi tha se burri u shfaq “i dehur” dhe “jo nën kontrollin e vetvetes”, thuhet në transkript.

Menjëherë pas telefonatës, rreth orës 20:08, mbërritën dy oficerë policie. Z. Floyd ishte ulur me dy persona të tjerë në një makinë të parkuar rreth qoshe.

Pasi iu afrua makinës, një nga oficerët, Thomas Lane, nxori armën dhe urdhëroi zotin Floyd të tregonte duart e tij. Në një histori të incidentit, prokurorët nuk shpjegojnë pse Z. Lane mendoi se ishte e nevojshme për të tërhequr armën.

Z. Lane, prokurorët thanë, “vendosi duart mbi Z. Floid dhe e tërhoqi atë nga makina”. Pastaj Z. Floyd “rezistoi në mënyrë aktive gjatë prangosjes”.

Megjithatë, pasi u prangos, Z. Floyd u bind, ndërsa Z. Lane shpjegoi se po arrestohej për “kalimin e monedhës së falsifikuar”.

Ishte momenti kur oficerët u përpoqën ta fusnin zotin Floyd në makinën e tyre.

Rreth orës 20:14, Z. Floyd “ngriu, ra në tokë dhe u tha oficerëve se ishte klaustrofobik”, sipas raportit.

Z. Chauvin arriti në vendin e ngjarjes. Ai dhe oficerët e tjerë u përfshinë në përpjekje të mëtejshme për të futur zotin Floyd në makinën e policisë.

Gjatë kësaj përpjekjeje, në 20:19, Z. Chauvin tërhoqi zotin Floyd nga ana e pasagjerit, duke bërë që ai të binte në tokë, thuhet në raport.

Ai shtrihej atje, me fytyrën poshtë, ende me pranga.

Ky ishte momenti kur dëshmitarët filluan të filmojnë Z. Floyd, i cili ishte në një gjendje të mjerueshme. Këto momente, të kapura në shumë telefona celularë dhe të shpërndarë gjerësisht në mediat sociale, do të dëshmojnë se janë të fundit të Z. Floyd.

Z. Chauvin vendosi gjurin e majtë midis kokës dhe qafës së tij.

“Nuk mund të marr frymë,” tha Z. Floyd vazhdimisht, duke u lutur për nënën e tij dhe duke u përgjëruar “ju lutem, ju lutem, ju lutem”.

Për tetë minuta dhe 46 sekonda, Z. Chauvin mbajti gjurin e tij në qafën e Z. Floyd, thuhet në raportin e prokurorëve.

Derek Chauvin do të paraqitet në gjykatë në Minneapolis të hënën.

Rreth minutës së 6, Z. Floyd u bë i pavetëdijshëm. Në video dëgjohet dhe duket që kalimtarët u kërkuan oficerëve të kontrollonin pulsin e tij.

Një nga oficerët e tjerë, JA Kueng, e bëri pikërisht këtë gjë, duke kontrolluar dorën e djathtë të Z. Floyd, por “nuk mund ta gjente një”. Megjithatë, oficerët nuk lëvizën.

Në 20:27, Z. Chauvin hoqi gjurin nga qafa e Z. Floyd. Pa lëvizje, Z. Floyd u dërgua në Qendrën Mjekësore të Qarkut Hennepin në një ambulancë.

Ai vdiq rreth një orë më vonë.

Natën para vdekjes, Z. Floyd kishte folur me një nga miqtë e tij më të ngushtë, Christopher Harris. Ai e kishte këshilluar Z. Floyd të kontaktonte një agjenci të përkohshme pune.

Falsifikimi, tha ai, nuk ishte karakter për Z. Floyd.

“Mënyra se si ai vdiq ishte e pakuptimtë,” tha Harris. “Ai u lut për jetën e tij. Kur përpiqeni kaq shumë të besoni në këtë sistem, një sistemin që e dini që nuk është i dizajnuar për ju, kur vazhdimisht kërkoni drejtësi me mjete të ligjshme dhe nuk mund të merrni atë, ju filloni të merrni ligjin në duart tuaja. /KultPlus.com

Fotoreportazh: Amerika del ‘jashtë kontrollit’

Katër policë u qëlluan në St. Louis të SHBA natën e shkuar, teksa u mbush java me protesta të dhunshme pas vdekjes së George Floyd.

Ndërkohë një tjetër polic është qëlluar në kokë në Las Vegas, raporton Daily Mail. Skenat që vijnë nga SHBA tregojnë një vend jashtë kontrollit, shkruan gazeta.

Kjo situatë ka bërë që presidenti Donald Trump të paralajmërojë se do dërgojë ushtrinë në rrugë, njësoj si në trazirat e vitit 1992. Mijëra ushtarë do mobilizohen në mbarë vendin për t’i dhënë fund trazirave dhe mungesës së ligjit, tha Trump.

Daily Mail sjell këto foto nga trazirat në SHBA.

Fjalët e fundit të George Floyd-it “fluturojnë” në qiellin e qyteteve amerikane

Fjalët e fundit të afrikano-amerikanit Geoerge Floyd, i cili vdiq në duart e policisë në Minneapolis, janë bërë parullë e fuqishme për protestuesit në Shtetet e Bashkuara.

Përderisa protestat kundër brutalitetit të policisë janë përhapur në mbarë Shtetet e Bashkuara dhe në disa vende të botës, artisti Jammie Holmes e ka gjetur një mënyrë të re për ta përkujtuar thirrjen e Floyd-it për ndihmë – duke i dërguar ato në qiellin e pesë qyteteve të mëdha.

Gjatë fundjavës, pankartat me fjalët “Të lutem, s’po mund të marr frymë” dhe “Ata do të më vrasin” janë parë duke u tërhequr nga aeroplanët në qiell në Detroit dhe New York. Në tri qytete të tjera, në Los Angeles, Miami dhe Dallas, në pankarta shkruhej “Po më dhemb barku”, “po më dhemb qafa” dhe “gjithçka po dhemb”, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.

Floyd u shpall i vdekur pak kohë pas arrestimit të hënën e 25 majit. Polici Derek Chauvin është parë duke ia mbajtur gjurin mbi qafë për disa minuta, pavarësisht se afrikano-amerikani thoshte se nuk po mund të marrë frymë. / KultPlus.com