Vendoset para TKK-se instalacioni ‘Kosova on Apple, fight fake news’, përkrahen Rita e Dua

Tash e një kohë në rrjetet sociale ka filluar kërkesa për vendosjen e Kosovës në hartën e Apple. Kjo kërkesë e cila është realizuar me anë të peticionit online ka marrë përkrahje edhe nga këngëtaret shqiptare me famë botërore, Dua Lipa dhe Rita Ora, duke bërë kështu bujë të madhe në mediat botërore, e sidomos në ato serbe, shkruan KultPlus.

Gjatë ditës së sotme para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, është vendosur instalacioni artistik i quajtur “Kosova on Apple, fight fake news”, instalacion ky i realizuar nga komuniteti artistik vendor ku përfaqësues ishin Fahrush Azemi dhe Mentor Mripa.

Fahrush Azemi potencoi se pas reagimit të këngëtareve shqiptare me famë botërore me mesazhe që tronditën botën dhe armiqtë tonë, ai së bashku me artistët e tjerë të komunitetit artistik vendosën që të tregojnë përkrahjen e tyre nëpërmjet instalacioeve të vendosura në sheshin e Prishtinës.

“Së bashku me kolegun tim Mentor Mripa kemi ardhur sot për t’i mbështetur dy artiste tona të mëdha Duan dhe Rita Orën të cilat pa hezitim, duke e parë një energji inerte të shtetit tonë, por gjithashtu duke e parë një padrejtësi e madhe që po i bëhet vendit tonë ato reaguan me mesazhe që tronditën botën dhe gjithashtu ato mesazhe tronditën më së shumti armiqtë tanë, ata që nuk na e duan të mirën vendit tonë”, deklaroi Azemi

Ndërkaq Metor Mripa ka thënë se kur artistët e suksesshëm e reprezentojnë denjësisht vendin e tyre atëherë edhe ne na takon t’i përkrahim ata.
“Ne kur përkrahim vlera, ne përkrahim veten realisht, fillimisht sepse nëse reprezentacioni i Kosovës, ose po them Majlinda Kelmendi ose natyrisht Dua Lipa, Rita Ora dhe shumë të tjerë të suksesshëm na reprezentojnë denjësisht pse edhe ne mos t’i përkrahim ato”, u shpreh Mripa.

Në njërin nga instalacionet ishte i printuar një imazh gjigant i këngëtares shqiptare, ku shkruante “Mbështeteni Duan”.

Gjithashtu pjesë e këtyre instalacioneve ishin edhe disa nga shkrimet e mediave serbe në të cilat është shprehur gjuhë e urrejtjes ndaj këngëtares Dua Lipa, dhe të cilat në këto instalacione etiketohen si lajme të rreme pasi që ato nuk paraqesin të vërtetën. / KultPlus.com

“Britania akoma po flet” sjellë Alketa Xhafa Mripën me një video interesante

Artistja Alketa Xhafa Mripa ka realizuar një video pothuajse 6 minuta si pjesë e “Britani akoma po flet”, një kundërpërgjigje ndaj instalacionit të saj “Mirësevini refugjatë” të realizuar në vitin 2016, shkruan KultPlus.

“Britania akoma po flet” është një projekt për të cilin artistja akoma është duke punuar. Regjinë e ka bërë Roberto Duque, ndërsa është mbështetur nga Counterpoints Arts. Përderisa, Rachel Elderkin, Lydia Mckenzie, Kassi Jameson, Thomas Higginson dhe William John Banks janë valltarët të cilët i janë bashkuar artistes Xhafa.

“Kam ardhur në Britani në vitin 1997 nga Kosova. Jam shumë me fat që kam ardhur në këtë vend në një kohë kur ai ishte mikpritës ndaj refugjatëve, sikurse unë. Është shumë e vështirë për këdo që lë rehatinë e shtëpisë së vet, jo nga zgjedhja por si pasojë e dëshpërimit dhe nevojës për të mbijetuar. Më është thyer zemra duke parë pamjet e fundit të cilat shpalosin krizën e refugjatëve përgjatë Evropës… dhe për këtë arsye ka qenë veçanërisht e rëndë të shihen qëndrimet e ashpra të britanikëve kundrejt refugjatëve”, është një pjesë e përshkrimi të dhënë në këtë video të publikuar.

Artistja me instilacionin e saj në kamion “Të mirëpresim refugjatët”, përreth Britanisë vitin e kaluar, ftoi publikun që të hynte brenda kamionit që të pinin qaj së bashku me refugjatët. Kjo hapësirë, e siguruar përmes instalacionit, inicio dhe frymëzoi një bisedë shumë të nevojshme në lidhje me këtë temë.

Kjo krijoi një platformë të sigurt për shoqërinë britanike dhe për të gjithë ata që ndjehen si në shtëpi në Britani, që të ndajnë mendimet e tyre duke treguar solidaritet dhe mikpritje nga britanikë për refugjatët, përkundër asaj që thonë mediat.

Këtu barten shënimet, ndjenjat, mendimet dhe fjalët e disa njerëzve pas BREXIT…ku edhe sot “Britania akoma flet”…/KultPlus.com