Britania e Madhe: Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës

Kosova duhet të lejohet të ecë përpara me anëtarësimin në Këshillin e Evropës, tha përfaqësuesi i Britanisë së Madhe, John Howell, në seancën e Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate ndërkombëtare.

Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit, me seli në Strasburg të Francës.

Në një debat të mbajtur me iniciativën e Britanisë së Madhe në selinë e Këshillit të Evropës, Howell kërkoi që çështja e anëtarësimit të Kosovës të ndahet nga progresi në dialogun e Kosovës me Serbinë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian (BE).

“Kosova nuk duhet të mbahet peng në raport me progresin në dialogun e udhëhequr nga BE-ja. Duhet të tregojmë se Këshilli i Evropës është i ndarë nga Bashkimi Evropian dhe se ka vlerat dhe parimet e veta mbi bazën e të cilave sillen vendimet”, tha Howell në fjalën e tij.

Gjatë seancës, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia mbështetën anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa Serbia u bëri thirrje anëtarëve që ta refuzojnë kërkesën e Kosovës.

Kosova e ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në maj të vitit 2022.

Serbia e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në institucione dhe organizata të tjera ndërkombëtare dhe në mënyrë aktive është duke bërë fushatë për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Në këtë fushatë, Serbia ka aleate Rusinë, e cila u përjashtua nga Këshilli i Evropës në mars të vitit 2022, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Pa Rusinë, dy të tretat e shteteve anëtare të asaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.

Nëse merret parasysh se vendimet sillen me shumicën e votave të shteteve anëtare, mundësia që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës është reale.

Gjatë debatit, anëtarët e Asamblesë së Këshillit të Evropës shprehën shqetësimin për tensionet në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe rolin e Rusisë dhe presidentit të saj Vladimir Putin në këtë situatë.

“Nëse është kështu, ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë dhe të ndërmarrim hapa konkretë”, tha përfaqësuesi i Britanisë së Madhe, John Howell. /REL/ KultPlus.com

The Guardian: Shqipëria akuzon Britaninë e Madhe për mungesë bashkëpunimi

Burime qeveritare në Tiranë, sipas medias britanike The Guardian, thonë se përpjekjet e shumta për të marrë informacion nga Britania e Madhe në lidhje me pasagjerët në varkat e vogla kishin dështuar, duke i lënë emigrantët të vepronin në errësirë.

Ministria e Brendshme Britanike dyshohet se është përgjegjëse për vonimin e përpjekjeve për ndalimin e kalimeve të Kanalit anglez duke mos i dhënë qeverisë shqiptare informacion mbi rrugët e udhëtimit të emigrantëve që mbërrijnë në Britani, përcjell KultPlus.

“Ne kemi bërë gjithçka që na është kërkuar. E vetmja gjë që kemi kërkuar nga miqtë tanë britanikë është të na japin disa informacione për 140,000 shqiptarët që jetojnë në Britani. Vetëm Britania e Madhe ka informacion mbi rrugët”, tha një burim i qeverisë shqiptare për median britanike.

Më shumë se 38,000 emigrantë kanë mbërritur në Britani me varka të vogla përgjatë Kanalit deri më tani këtë vit. Rreth 12,000 raportohen si shqiptarë krahasuar me një total prej 800 vitin e kaluar dhe 50 në 2020.

Dan O’Mahoney, komandanti për Forcën Kufitare, tha të hënën se numrat barazoheshin me “1 për qind deri në 2 për qind” të burrave shqiptarë të moshës 20 dhe 40 vjeç”.

“Burimet e qeverisë shqiptare shprehën zhgënjimin për mungesën e një bashkëpunimi efektiv, nisur nga shqetësimet për këtë çështje në qeverinë britanike. Tirana ka siguruar oficerët e Forcave Kufitare për të operuar në Dover, siç kërkohet nga Zyra e Brendshme, dhe zyrtarët kanë kontrolluar ata që po fluturonin jashtë Shqipërisë”, thuhet në shkrim.

Dështimi i qeverisë britanike për të vënë në veprim një marrëveshje për dëbimin e shpejtë të shqiptarëve që hyjnë ilegalisht në vend, nënvizohet nga mediat britanike, si burimi kryesor i shqetësimit në Tiranë. /KultPlus.com

Britanikët përballen me ndërprerje tre orësh të energjisë këtë dimër

Familjet britanike mund të përballen me një seri ndërprerjesh tre-orëshe të energjisë këtë dimër nëse presidenti rus Vladimir Putin ndalon plotësisht furnizimin me gaz dhe Britania goditet nga një valë moti i ftohtë, ka paralajmëruar Rrjeti Kombëtar i Energjisë.

Plani i emergjencës do të miratohet nga Mbreti Charles me rekomandimin e Sekretarit të Biznesit.

Një zhvillim i tillë do të nënkuptonte që konsumatorët në pjesë të ndryshme të vendit do të njoftoheshin një ditë më parë për periudhat tre-orëshe gjatë të cilave do t’u ndërpritej energjia elektrike, për të ulur konsumin e përgjithshëm me 5.0 për qind, raporton Guardian./FrontOnline/ KultPlus.com

Kush është Penny Mordaunt, gruaja që ka gjasa të marrë drejtimin e Britanisë së Madhe

Penny Mordaunt është aktualisht favoritja për të zëvendësuar Boris Johnson si lidere e Partisë Konservatore dhe kështu si kryeministre e ardhme e Britanisë. Ajo u rendit e dyta në dy votimet e para të deputetëve konservatorë, që u mbajtën nga 13 dhe 14 korrik.

Më pas sërish nëpërmjet një votimi nga 180,000 anëtarë të partisë, numri i kandidatëve do të reduktohet nga 5 në 2. Nëse Mordaunt arrin të jetë në dyshen e kandidatëve, ajo ka një mundësi shumë të madh për të fituar, sipas një sondazhi nga ConservativeHome dhe YouGov.

Kush është Penny Mordaunt dhe pse konservatorët shohin potencial tek ajo?

Mordaunt ka lindur në vitin 1973. Babai i saj, një ish-parashutist, e quajti atë sipas hms Penelope, një kryqëzor britanik.  Ajo  ka thënë se dashuria dhe krenaria e saj për Britaninë u rrit në moshën nëntëvjeçare, në Portsmouth, duke parë anijet që lundronin për në luftë në Falklands (ajo tani është një rezerviste e marinës).

Më vonë, fëmijëria e saj u bë e vështirë: nëna e saj vdiq kur ajo ishte 15 vjeç dhe babai i saj u sëmur vitin e ardhshëm. Ajo mbeti e vetme për të rritur vëllain e saj të vogël. Ajo punoi si asistente dhe studioi filozofi në Universitetin e Reading.

Ajo u zgjodh deputete për Portsmouth North në vitin 2010. Karriera e saj lulëzoi nën udhëheqjen e David Cameron dhe Theresa May. Ajo shërbeu si ministre e forcave të armatosura, sekretare e zhvillimit ndërkombëtar dhe sekretare e mbrojtjes.

Gjatë garës së lidershipit konservator të vitit 2019, ajo mbështeti Jeremy Hunt, rivalin e Boris Johnson. Sipas aleatëve të saj, ishte pikërisht kjo që e bëri atë të ishte më pak favorite dhe që atëherë ajo ka mbajtur pozita jo me rëndësi shumë të madhe, si ministre e tregtisë, raporton abcnews.al.

Mbështetësit e shohin atë si një kundërhelm ndaj mandatit të mbushur me skandale të Johnson, duke e përshkruar atë si një njëri punëtor dhe të përgjegjshëm, dhe provinciale dhe jo metropolitane. Ajo nuk njihet veçanërisht si ideologjike. Ajo mbështeti Brexit-in, por nuk është obsesive për sa i përket divorcit.

Në Greater: Britain After the Storm, një libër që ajo ka qenë bashkëautore vitin e kaluar, ajo ofron një portret të Britanisë moderne si një tokë e mbushur shërbime të mira të NHS-ve,( Shërbimi Shëndetësor Kombëtar), bareve dhe Aktit të të Drejtave të Njeriut.

Politikat e saj shpesh fokusohen në zgjidhje të bazuara në komunitet dhe jo në zgjidhje strukturore: ajo sugjeron që deputetëve t’u jepen para për t’i përdorur për kauza të mira në zonat e tyre elektorale dhe që paratë që mblodhën vullnetarët që gjatë Covid-19 të vihen në përdorim.

Kjo mund të duket e pamundur për një parti të nxitur nga Brexit dhe betejat për madhësinë e shtetit. Po aq e rëndësishme, sipas një deputeti, është ndjenja e besnikërisë ndaj partisë dhe aftësia për të bërë punën.

Audienca e saj e synuar nuk ishte aq e spikatur. Sa i përket deputetëve, paqartësia e saj ideologjike e ka bërë atë një zgjedhje tërheqëse për ata që nuk e pëlqejnë Rishi Sunak, ish-kancelarin dhe kandidatin kryesor, dhe Liz Truss, sekretaren e jashtme.

Kampet rivale po përmbysin situatën. Lordi Frost, ish-negociatori britanik i Brexit-it, i cili po mbështet Truss, tha më 14 korrik se ai kishte “rezerva të rënda” për kandidaturën e saj. Sipas tij, ajo nuk ka qenë mjaftueshme kur punonte si zëvëndësnegociatore.

Të tjerë e kanë përshkruar atë si dashamirëse të të drejtave transgjinore, gjë që ata besojnë se do të nervozojë edhe më shumë anëtarët konservatorë. Edhe mbështetësit e saj e pranojnë se ajo nuk ka shumë eksperiencë dhe se shumë do të varej nga fakti nëse, si kryeministre, ajo do të ishte e përgatitur të emëronte rivalë të fortë në poste të mëdha, ose nëse do të vepronte siç bëri Johnson, duke gjetur persona që pranonin gjithçka që ai vendoste. /abcnews.al / KultPlus.com

EBU konfirmon: Eurovision 2023 nuk do të mbahet në Ukrainë


EBU sot ka konfirmuar se për shkaqe të sigurisë Eurovision 2023 nuk do të mbahet në Ukrainë, bisedimet tashmë kanë filluar me BBC që festivali i vitit të ardhshëm të mbahet në Britaninë e Madhe, përcjellë KultPlus.

Deklarata e EBU mbi organizimin e Eurovizionit 2023:

Pas fitores së tyre në Eurovision Song Contest (ESC) në maj, EBU ka eksploruar opsionet për organizimin e konkursit të vitit të ardhshëm me transmetuesin publik të Ukrainës UA:PBC, i cili më parë organizoi ngjarjen në 2017 dhe 2005.

Është bërë një traditë e njohur që fituesi i Eurovision Song Contest organizon konkursin vitin e ardhshëm, duke siguruar disa kritere, duke përfshirë sigurimin e qëndrueshmërisë së organizimit të ngjarjes dhe sigurinë e të gjithë aktorëve, përfshirë publikun, që janë përmbushur.

Duke pasur parasysh luftën e vazhdueshme që nga pushtimi rus i vendit fitues të këtij viti, EBU ka marrë kohë për të kryer një vlerësim të plotë dhe studim fizibiliteti si me UA:PBC ashtu edhe me specialistë të palëve të treta, duke përfshirë çështjet e sigurisë.

Eurovision Song Contest është një nga produksionet televizive më komplekse në botë me mijëra që punojnë dhe ndjekin ngjarjen dhe 12 muaj kohë përgatitore e nevojshme.

Pas analizës objektive, Grupi i Referencës, bordi drejtues i ESC-së, ka arritur të marrë këtë vendim me keqardhje të thellë, por duke pasur parasysh rrethanat aktuale, garancitë e sigurisë që kërkohen për një transmetues për të organizuar dhe prodhuar Eurovision Song Contest sipas Rregullave të ESC, Ukraina kësaj radhe nuk mund të jenë vendi adekuat për t’i plotësuar ato.

EBU dëshiron të falënderojë UA:PBC për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre të përzemërt në eksplorimin e të gjithë skenarëve që nga fitorja e Orkestrës Kalush më 14 maj në Torino dhe ndajnë trishtimin dhe zhgënjimin e tyre që Konkursi i vitit të ardhshëm nuk mund të mbahet në Ukrainë.

EBU ka mbështetur UA:PBC në një gamë të tërë zonash që nga pushtimi. Ne do të sigurojmë që kjo mbështetje të vazhdojë në mënyrë që UA:PBC të mund të ruajë shërbimin e domosdoshëm që u ofrojnë ukrainasve.

Si rezultat i këtij vendimi, në përputhje me rregullat dhe për të siguruar vazhdimësinë e ngjarjes, EBU tani do të fillojë diskutimet me BBC-në, si nënkampion i këtij viti, për të pritur potencialisht Konkursin e Këngës së Eurovizion 2023 në Mbretërinë e Bashkuar.

Është qëllimi ynë i plotë që fitorja e Ukrainës të pasqyrohet në shfaqjet e vitit të ardhshëm. Ky do të jetë një prioritet për ne në diskutimet tona me nikoqirët e ardhshëm. / KultPlus.com

BE: Kosova refuzon propozimin e QUINT’it për mbajtjen e zgjedhjeve serbe

Zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka thënë të martën, 22 mars, në konferencën për shtyp të Komisionit Evropian, se Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për atë që ai e ka quajtur “vendim të Kosovës për të refuzuar propozimin e QUINT-it”, për votimin e Serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi.

Vendet e Quint-it janë: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Franca.

“BE-ja ka vepruar si lehtësues, Përfaqësuesi i Lartë ishte i angazhuar në kontakte për të gjetur marrëveshje për zgjidhje praktike që do t’u mundësonte qytetarëve me dyshtetësi të marrin pjesë në zgjedhje. ‘Kemi bërë përpjekje të gjejmë zgjidhje praktike duke përdorur analogjitë që ishin vendosur në votime në të kaluarën”, ka thënë zëdhënësi i BE-së duke pohuar se Serbia ka luajtur rol konstruktiv e Kosova ka refuzuar.

“Duke pranuar se Serbia ka qenë e hapur për gjetjen e zgjidhje ne shprehim keqardhje se konsensusi mes palëve në fund nuk u arrit pas vendimit të Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të Quint-it”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

Ai e ka quajtur këtë vendim të jetë “në kundërshtim me përkushtimet e Kosovës për rrugëtim evropian dhe të ardhme demokratike dhe kundër parimeve të mbrojtjes të së drejtës demokratike të të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe të atyre që i takojnë popullatës jo shumicë”.

“Tash ne presim nga Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet dhe retorika e cila mund të rris tensionet dhe po ashtu u bëjmë thirrje të dyja palëve të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në negociata në kuadër të dialogut” ka thën zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ai ka thënë se në këtë moment nuk është në gjendje të paralajmërojë ndonjë takim në kuadër të dialogut, porse janë duke punuar në atë drejtim.

“Po punojmë në atë drejtim dhe ftojmë të dyja palët të veprojnë me përgjegjësi në mënyrë që të jetë e mundur të organizohet një takim i tillë”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të hënën pas takimin me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës, se për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Kurti u ka thënë ambasadorëve dhe përfaqësuesve diplomatikë se “ne nuk dëshirojmë që t’ua pamundësojmë të drejtën e votës qytetarëve të Republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”.

Ai është thënë të jetë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e vendeve të Kuintit në Kosovë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën, në një aktivitet parazgjedhor, se “Qeveria e Kurtit kërkon nga Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të lejohen zgjedhjet”, të cilat mbahen më 3 prill.

“Do të merrni nesër (të martën) përgjigjen”, ka thënë Vuçiq më 21 mars.

Autoritetet serbe kanë paralajmëruar që të martën, në ora 12:00 do të mbahet një takim i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të vendosur “rreth hapave të ardhshëm”.

Më 15 janar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë, përmes së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese.

Vendet e Quint-it dhe BE-ja e patën pritur me keqardhje vendimin e Qeverisë së Kosovës për këtë referendum.

Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat. Ato vota më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

Kjo praktikë është krijuar qysh në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kanë lejuar këtë gjë.

Nga OSBE-ja kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm t’i grumbullojnë votat edhe për zgjedhjet e 3 prillit, por me pëlqimin e të gjitha institucioneve përkatëse./REL/KultPlus.com

Albumi “30” nga Adele ishte më i shituri në Britani të Madhe gjatë vitit 2021

Lansimi i fundit muzikor i këngëtares Adele, “30”, ishte albumi më i shitur i vitit 2021 në Britani të Madhe dhe ky sukses u arrit vetëm gjashtë javë pas daljes në treg.

Albumi, këngët e së cilit janë inspiruar nga shkurorëzimi i kantautores britanike dhe i cili është vlerësuar lartë nga kritikët, i ka shitur më shumë se 600 mijë kopje. 80 për qind e tyre ishin shitje të CD-ve çka është e kundërta e trendit të fundit për ta matur suksesin e një artisti bazuar në shitjet online.

Kështu, Adele bëhet sërish artistja më e suksesshme e vitit që e lamë pas duke i mundur yjet e tillë si, Olivia Rodrigo, Elton John dhe grupi “ABBA”. Globalisht, albumi “30” renditet në vendin e vendin e parë në 36 shtete të ndryshme.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, projekti i fundit muzikor i Adeles i ka shitur gjithsej 839 mijë kopje, vetëm në javën e parë të lansimit.

“30” po ashtu u bë LP albumi me shitjen më të madhe si dhe albumi i parë i vitit 2021 që i ka shitur më shumë se 1 milion kopje. Konkurrenti i saj më i madh në tregun e muzikës në Amerikë ishte, Morgan Wallen, këngëtari i zhanrit country i cili në fillim të vitit që e lamë pas u bë lajm në media për përdorimin e fjalëve raciste, dhe më pas i kryesoi toplistat muzikore për dhjetë javë rresht.

Siç u theksua nga televizioni BBC, në Britaninë e Madhe shitjet e incizimit të fundit të këngëtares shumë të dashur nga publiku, megjithëkëtë janë më të ulëta krahasuar me albumin e parafundit me titull, “25”.

Transmetimi përmes platformave online tani është forca dominuese e padiskutueshme në muzikë, duke zënë rreth 83 për qind të konsumit të audiencës.

Koncertet e planifikuara të këngëtares në Las Vegas, pritet të fillojnë më 21 janar dhe do të vazhdojnë deri më 16 prill të këtij viti. Besohet se për një shou në qytetin e dritave, Adele do të paguhet rreth 2 milionë dollarë.

Ylli i hitit “Someone Like You” në këtë mënyrë i bashkohet listës së legjendave të muzikës që kanë performuar për fansat në Las Vegas të tillë si, Sir Elton John, Mariah Carey dhe Lady Gaga.

Adele konsiderohet një nga artistet më fitimprurëse dhe shquhet për baladat muzikore të shndërruara në hite anembanë botës. / KultPlus.com

Stuhia në Britani, bllokohen brenda një pub-i për tre ditë 61 persona

61 klientë të një pub-i në Britaninë e Madhe kanë mbetur të bllokuar për tre ditë brenda tij, si pasojë e stuhisë që ka përfshirë veriun e vendit. Por mes muzikës, pijes dhe ushqimit disa prej tyre u mërzitën që aventura përfundoi me ekipet e shpëtimit që më në fund arritën të hapin derën e bllokuar nga bora, shkruan The Guardian.

Ata kishin ardhur nga vende të ndryshme, duke sfiduar motin, për të dëgjuar një koncert me këngët e Oazis, për të kënduar pak, të hanin diçka dhe të ktheheshin në shtëpi. Por kur koncerti përfundoi 3 metra borë kishte bllokuar derën e pub-it.

Klientët dhe menaxherët nuk e humbën humorin e mirë dhe kur e kuptuan se nuk mund të ktheheshin në shtëpi, sistemuan ambientin për të fjetur me turne. Ditën tjetër kushtet meteorologjike nuk u përmirësuan dhe me muzikë, birrë dhe oxhak të ndezur kaluan dhe 24 orë të tjera. Ekipet e shpëtimit erdhën ditën e tretë, e madje disa u mërzitën që aventura përfundoi./ KultPlus.com

“Unë jam një refugjate”, Rita Orës i vendoset pllakatë në shenjë mirënjohjeje në shkollën e saj fillore në Londër

Artistja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, i ka bërë një vizitë shkollës së saj fillore në Londër.

Ajo është fotografuar e buzëqeshur pranë një pllakate, e cila është vendosur për nder të saj në murin e shkollës, shkruan The Sun.

Përveç emrit të saj me shkronja të mëdha, në pllakate shkruhet edhe: “Këngëtarja dhe aktorja iku nga lufta në Kosovë dhe studioi këtu pasi mbërriti në Britaninë e Madhe në vitin 1991”.

Rita e cila sot është 30 vjeçe ka një karrierë të suksesshme mbarë globale si këngëtare, aktore dhe modele.

Ajo shkrepi disa fotografi aty pranë pllakatës në shkollën fillore “St Cuthbert” në Londrën Perëndimore.

Anëtarja e jurisë së spektakleve “The Voice Australia” dhe “The Masked Singer” më pas vizitoi shkollën “Sylvia Young Theatre School”, në të cilën përfundoi shkollimin e mesëm. / KultPlus.com

Medalja e fundit e artë e Britanisë së Madhe thyen një rekord Olimpik 113-vjeçar

Sportistët e Britanisë së Madhe siguruan një tjetër medalje të artë në pishinën Olimpike me një fitore dominuese në stafetën 4×200 metra të stilit të lirë në not në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, përcjellë KultPlus.

Katërshja apo kuarteti i Britanisë së madhe në 200 metra i përbërë nga Tom Dean, Duncan Scott, James Guy dhe Matthew Richards fituan garën dhe arritën brenda 0,03 sekondave të rekordit botëror në një performancë mahnitëse.

Kuarteti britanik fitoi në gjashtë minuta 58.58 sekonda – 3.23 sekonda të qarta nga Komiteti Olimpik rus, ndërsa Australia fitoi medaljen e bronztë.

Britania e Madhe ishin favoritët që hynë në garë pasi u kualifikuan më shpejt dhe ata prodhuan atë që ish-olimpiku Mark Foster e përshkroi si një “demonstrim i një performance”.

Fitorja do të thotë që Dean bëhet notari i parë britanik që fiton dy medalje ari në të njëjtat Lojëra Olimpike që nga viti i largët 1908. / KultPlus.com

“Britania akoma po flet” sjellë Alketa Xhafa Mripën me një video interesante

Artistja Alketa Xhafa Mripa ka realizuar një video pothuajse 6 minuta si pjesë e “Britani akoma po flet”, një kundërpërgjigje ndaj instalacionit të saj “Mirësevini refugjatë” të realizuar në vitin 2016, shkruan KultPlus.

“Britania akoma po flet” është një projekt për të cilin artistja akoma është duke punuar. Regjinë e ka bërë Roberto Duque, ndërsa është mbështetur nga Counterpoints Arts. Përderisa, Rachel Elderkin, Lydia Mckenzie, Kassi Jameson, Thomas Higginson dhe William John Banks janë valltarët të cilët i janë bashkuar artistes Xhafa.

“Kam ardhur në Britani në vitin 1997 nga Kosova. Jam shumë me fat që kam ardhur në këtë vend në një kohë kur ai ishte mikpritës ndaj refugjatëve, sikurse unë. Është shumë e vështirë për këdo që lë rehatinë e shtëpisë së vet, jo nga zgjedhja por si pasojë e dëshpërimit dhe nevojës për të mbijetuar. Më është thyer zemra duke parë pamjet e fundit të cilat shpalosin krizën e refugjatëve përgjatë Evropës… dhe për këtë arsye ka qenë veçanërisht e rëndë të shihen qëndrimet e ashpra të britanikëve kundrejt refugjatëve”, është një pjesë e përshkrimi të dhënë në këtë video të publikuar.

Artistja me instilacionin e saj në kamion “Të mirëpresim refugjatët”, përreth Britanisë vitin e kaluar, ftoi publikun që të hynte brenda kamionit që të pinin qaj së bashku me refugjatët. Kjo hapësirë, e siguruar përmes instalacionit, inicio dhe frymëzoi një bisedë shumë të nevojshme në lidhje me këtë temë.

Kjo krijoi një platformë të sigurt për shoqërinë britanike dhe për të gjithë ata që ndjehen si në shtëpi në Britani, që të ndajnë mendimet e tyre duke treguar solidaritet dhe mikpritje nga britanikë për refugjatët, përkundër asaj që thonë mediat.

Këtu barten shënimet, ndjenjat, mendimet dhe fjalët e disa njerëzve pas BREXIT…ku edhe sot “Britania akoma flet”…/KultPlus.com

Dua Lipa uron Ditën e Nënave: Gruaja që më mësoi që të jem vet bosi (VIDEO)

Sot në Britaninë e Madhe festohet Dita e Nënave dhe me këtë rast këngëtarja e njohur shqiptare, Dua Lipa ka uruar nënën e saj, Anesa Lipa, shkruan KultPlus.

Për t’i uruar këtë festë, Dua Lipa ka publikuar një video të shkurtër nga ndeja e Brit Awards, nga nata kur ajo mori dy çmime të mëdha.

“Urime Dita e Nënave për nënën më të mirë dhe shoqen time. Gruaja që më mësoi të jem vet bosi. Rina, Gjini dhe unë jemi shumë me fat. Nuk di çfarë do të bënim pa ty”, ka shkruar Dua Lipa poshtë videos që ka postuar në rrjetin e saj Instagram./ KultPlus.com