Territoret e sunduesve në librin e Kadaresë

Nga Sadik Bejko

Libri i fundit i Ismail Kadaresë, “Kur sunduesit grinden” me nëntitull “Rreth misterit të telefonimit Stalin-Pasternak” ka tërheqjen e një thrilleri dhe lexohet me një frymë. Duke dashur të zbulojë një mister, atë se çfarë fshihet pas një bisedë që ka zgjatur në pak minuta, libri me anketimin racional të varianteve të së njëjtës bisedë të fut në një labirint pa rrugëdalje. Në fund mbetesh nën tronditjen e përjetimit të një ankthi tragjik. Sunduesit nuk i lëshojnë territoret e tyre, sunduesit…. grinden.

1-Si me librin poetik “Shekulli im”, 1961, (poema “Rrugëve të Moskës” etj), si me romanin “Dimri i madh”, 1972, me novelën “Një verë në Dubulti”, me romanin “Muzgu i Perëndive të stepës”, 1978, me poezinë ‘Lora” te libri “Ftesë në studio”, edhe me këtë libër të ri, “Kur sunduesit grinden”, autori të çon në Moskë. Moska kryeqyteti i Rusisë, dikur ishte kryeqyteti i ish-Bashkimit Sovjetik, qendra e komunizmit botëror, qendra e kampit socialist, e botës Lindore, botë e ndarë si me perde të hekurt nga bota tjetër, nga blloku i vendeve atlantike, i Perëndimit. Cila do të ketë qenë ajo shtysë që dhe tani në thellësi të moteve e kthen Kadarenë në vitet e studimeve, në Institutin “Gorki”, në Moskën e fund viteve ’50 të shekullit që shkoi? Çfarë ka mbetur ende e pa thënë nga librat e mëparshëm me temë Moskën? A nuk janë trajtuar drejtpërdrejtë e gjerësisht ngjarjet e atyre viteve në romanin “Muzgu i perëndive të stepës”?

Ky roman së bashku me “Kamaren e turpit”, botuar në Shqipëri më 1978, të përkthyer anglisht tani pas 40 vjetësh, janë pritur shumë mirë nga kritika në ShBA, madje ‘Kamarja e turpit” u rekomandua si një ndër 10 librat më të mirë të vitit 2018. Bashkëbisedimi Stalin-Pasternak ka ndodhur më 23 qershor 1934, ka zgjatur tre-katër minuta, por ka sjellë moskuptim dhe mjegull që po vazhdojnë si të tilla edhe sot pas dhjetra vitesh. Stalini i bën disa pyetje Pasternakut për shkrimtarin Mandelshtam të cilin e kishte arrestuar KGB-ja. Pasternaku përgjigjet disi, por Stalini i pakënaqur ia mbyll telefonin. Pasternaku rreh të flasë prapë me sunduesin, por rruga i është mbyllur. Mandelshtami që kishte shkruar një epigram ku e stigmatizonte Stalinin si “maloku i Kremlinit”, në burg torturohet, rreh të vetëvritet. Më pas lirohet, por arrestohet prapë dhe vdes në internim pas disa vitesh më 1938. Kjo histori, siç shkruan autori “do të jetë një zile alarmi që nuk e lë të flejë kurrë ndërgjegjen njerëzore”. Mandelshtami nuk duhet të jetë i vetëm në pavdekësinë e tij. Pas 20 vjetësh nga vdekja e Mnandelshtamit, Pasternaku nominohet të marrë çmimin Nobel me romanin “Doktor Zhivago”, botuar në Perëndim. Udhëheqja e lartë e Bashkimit Sovjetik i kërkoi që të mos e pranojë Nobelin. Pasternaku kështu e ka vënë veten në zonën e vdekjes: ta marrë, mos ta marrë Nobelin, të rrojë a të mos rrojë? Me javë ai u anatemua, u sha si judë e tradhtar, si i shitur te Perëndimi. E refuzoi Nobelin, por i urryer dhe i kryqëzuar publikisht nga i gjithë Bashkimi Sovjetik, nga një e gjashta e botës, ai u sëmur dhe vdiq mbas gati një viti. Kadareja, student në Moskë, ka qenë dëshmitar i fushatës linçuese kundër Pasternakut dhe e ka pasqyruar te “Muzgu i perëndive të stepës”. “Pastenaku për të ishte bërë i pashmangshëm”. “Ishin të dy nga i njëjti fis, ai i shkrimtarëve”. Dhe Kadareja kur shkruante “Muzgun…” sapo ishte nominuar për Nobelin. Zhurmat e urrejtjes publike ndaj shkrimtarëve në Tiranë e në Moskë vazhdonin po njësoj. I rikthyer prapë te kjo dëshmi ai vëren se poeti rus Boris Pasternak është i pari shkrimtar në botë që u vra nga çmimi Nobel. Vdekjet e këtyre dy njerëzve dhe sot të lavdishëm, vdekja e Mandelshtamit dhe e Pasternakut, duket kanë rënduar në ankthin e gjatë dhe të pandërprerë të shkrimtarit. Që ta zbusë disi këtë ankth, ka shkruar këtë libër për sivëllezërit e tij letrarë, shkrimtarë me rrezatim botëror si Pasternak, Ahmatova, Mandelshtam… U referohet dhe autorëve shekullorë si Horaci, Seneka, Shekspiri, Pushkini, Blloku, Tolstoi. Është në fushën e tij. E ka jetuar mbi 45 vjet diktaturën. Është si i familjes midis të mëdhenjve. Prej gati një gjysmë shekulli (që vitit 1975) vazhdon të nominohet për çmimin Nobel.

2-Libri është një meditim për autorin e shquar nëpër shekuj, për shkrimtarin e madh që me lavdinë e tij të pavdekshme nxit zilinë e sundimtarëve shtetërorë dhe vihet nën dhunën e shtetit. Autorët e mëdhenj me ndikimi përtej vendit dhe përtej kohërave të tyre me prurjet e tyre të panjohura më parë, lartësohen e njësohen me fuqitë planetare të pazhdukshme, me fuqitë botërore… Termi “fuqi botërore” ngjan si i egzagjeruar për një shkrimtar, për një person të vetëm. Fuqi botërore janë quajtur perandori të mëdha si ajo Romake, perandoria Bizantine, Otomane, perandoria Britanike, perandoria ruse etj Në kohët tona fuqi botërore janë quajtur Bashkimi Sovjetik, SHBA… Këto fuqi shtetërore historikisht kanë sunduar me legjionet, armatat, flotat, potencialin ekonomik dhe bankar, me shtrirjen e influencës në sipërfaqe kolosale të globit. Si mund të matet një shkrimtar me fuqi të tilla të stërmëdha shtetërore? Një shkrimtar si Homeri, një poet si Horaci, Pushkini, një tragjedian si Eskili a Shekspiri, një romancier si Servantesi a Tomas Mani, një poet si Dantja a Pasternaku, individë të vetmuar me ca libra të shtypura në fletë letre mund të jenë fuqi konkuruese me fuqitë shtetërore që zotërojnë tokat e detet, që zotërojnë armatimet më të sofistikuara e më shkatërruese që ka shpikur mendja? E vërteta është se shkrimtarët e shquar që u përmendën më lart janë fuqi planetare. Ismail Kadare në fillim të librit citon Exegi monumentum të Horacit (një monument i ngrita vetes).

Një monument i ngrita vetes ka shkruar edhe Pushkini. Një monument jo prej duarsh, por prej shpirti. Monumenti im, thotë Pushkini, ngrihet më i lartë se shtylla e Aleksandrit, e Carit. Në ballafaqimin e pushteteve midis poetit dhe perandorit, shkrimtarët, duan apo nuk duan, rivalizojnë. Lavdia e tyre e tejkalon atë të Carit. Perandaoritë e Cezarëve rrëzohen, edhe gjuhët në të cilat dikur kanë shkruar gjenitë vjetërohen a vdesin si greqishtja e vjetër dhe latinishtja, por veprat e tyre mbeten ende të gjalla. Jo si relike, jo si fakte historike, por si modele artistike të patejkalueshme nga kohët. Ky libër me titullin “Kur sunduesit grinden” shtjellon atë se shkrimtarët si fuqi e butë, si fuqi e kulturës së lartë, nëpër shekuj kanë bashkëjetuar dhe kanë rivalizuar me pushtetin e perandorit. Ata janë sundues të ndarë, sundojnë mbi territore të veçanta: dikush sundon mbi lëndën, tjetri mbi shpirtin. Atëherë pse grinden sunduesit? Ata që kanë në dorë forcën shtrënguese të shtetit, ligjet, burgjet, prangat, spiunët, policët, torturuesit, telat e kampeve të internimit i kanë në dorë jetët e artistëve, shkrimtarëve. Shkrimtarët janë më të pambrojturit. Ndodh që sa më të lavdishëm të jenë, aq më përzishëm e vuajnë lavdinë. Shpesh ajo i ka çuar nën pranga, në internim, në çmendine, në litar a përballë skuadrës së pushkatimit. Është fama një mallkim i racës së shkrimtarëve? Lavdia u paguaka shtrenjtë? Lavdia qënka njëherësh dhe ogur i mirë, dhe short fatal që shpesh të merr jetën? Pse ndodh kjo? Mos, duke qenë të lavdishëm shkrimtarët vetiu u bëjnë hije sundimtarëve të pushtetit shtetëror, apo shkrimtarët e krruajnë vetë kurrizin, i bëjnë karshillëk, e stigmatizojnë keq sundimtarin, monarkun, perandorin a Sekretarin e Parë? Fuqia e butë e kulturës, e letrave është fuqi binare me atë të pushtetit shtetëror që sundon nëpërmjet sanksioneve të detyrueshme. Që me figurën e Janusit romak në kopertinën e librit jepet kjo ide e dy profileve të të njëjtit trup. Epokës i duhen dhe poeti dhe perandori. Kultura madje i jep cementin lidhës një qytetërimi, një kulture. Në se themi kultura antike greke kemi parasysh dhe Perikliun si shtetar, dhe Akropolin, dhe tragjedinë greke. Poeti dhe perandori janë nyja lidhëse e materiales me shpirtëroren, lidhje që i jep fytyrën reale një epoke. Këto dy fuqi nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën.

Janë në funksion: pa Mikelanxhon, pa Da Vincin nuk kuptohet epoka e tyre, nuk mund të kuptohet monarkia absolute në Francë pa Rasinin, Kornejin, Molierin. Atëherë kush nga këto dy forca nuk e duron tjetrën? Në rastet e pushteteve absolute, e absolutizmit oriental, apo e diktaturave ideologjike a teokratike, poetët, artistët shihen si rivalë prej natyre, rivalë edhe kur nuk i kundërvihen hapur sistemit. Në libër përmendet tragjedia e Senekës, filozof e dramaturg që me urdhër të Neronit vetëvritet, prêt venat. Pushkini po jep shpirt në shtrat të vdekjes kur poeti Zhukovski, i dërguari i Carit, kërkon poezinë Exegi Monumentum, për ta censurar, për të hequr emrin e Car Aleksandrit. Epoka e komunizmit ka qenë padyshim më e ashpra. Rastet e Pasternakut, Ahmatovës, Mandelshtamit, Cvetajevës, të Solxhenicinit, të Brodskit flasin për përndjekjet, për atë rivalitet për jetë a vdekje të shkrimtarit me shtetin. Për herë të parë në letrat tona shkruhet se klasikët e marksizmit, krerët më të lartë komunistë si Marksi, Stalini janë armiqësorë me shkrimtarët. Po vend të veçantë i jepet Leninit, për nihilizmin, për helmin e tij antiletërsi. Ky udhëheqës i lartë i komunizmit botëror, i vizatuar si paqësor nga propaganda servile, sipas këtij libri që kemi në dorë, ka qenë një monstër, një kryeterrorist i pashenbullt. Ai është vrasësi i familjes së Carit dhe i një fëmije hemofil si careviçi. Me urdhërin e tij pushkatoheshin pa gjyq me mijëra e mijëra vetë në mbarë Bashkimin Sovjetik. Ky sifilistik me një portret të mjerë fizik e moral ka qenë frymëzuesi i urrejtjes shtetërore dhe i nihilizmit më të zi ndaj shkrimtarëve të mëdhenj, ndaj stërshkrimtarët siç i quante.

3-Libri i bën një homazh madhështor një shkrimtari si Boris Pasternak. Ai vizatohet në raportet me shtetin dhe kolegët. Autoriteti i tij ishte i ndjeshëm dhe i qëndrueshëm përpara sunduesve dhe përpara shkrimtarëve të kohës. Me naivitetin e gjeniut u qendronte larg intrigave. Me mikun e tij Mandelshtam ai është I ndershëm. I thotë që zëre se nuk e kam lexuar këtë poezi stigmatizuese për Stalinin. Atë e kanë akuzuar sikur Mandelshtami vdiq prej tij dhe menjëherë pas bisedës së famshme me Stalinin më 1934. E akuzojnë se nuk e mbrojti mikun. Ai ndërhyri te Buharini për ta liruar, këmbënguli që të bisedojë përsëri me Stalinin por ia mbyllën rrugën. Pas daljes nga burgu ata takohen dhe Mandelshtami i lexon tani një ode lavdëruese për Stalinin.

Madje flasin se Stalini, sado mizor në një moment, kur i vdiq gruaja, e tregoi veten njeri si gjithë ata që i zë fati i keq. Eci pas arkivolit të gruas i vetëm, larg të tjerëve, i kërrusur, me kokën futur midis dy supeve,. Si burrë i mjerë, burrë që i ka vdekur gruaja. Kjo nuk e shlyen tmerrin e purgave dhe të gulagëve të kohës staliniane. Pasternakut ia internojnë të dashurën, Olgën. Prangat në duart e saj ishin pranga poshtërimi në duart e atij. Botimi në PerëndIm i romanit “Doktor Zhivago” e ndërlikoi ndërkombëtarisht jetën e tij. Ky roman u përdor si armë propagandistike në luftën mes dy blloqeve, midis Lindjes dhe Perëndimit. Zhivagua i Pasternakut me humanizmin, me lirinë individuale, pavarësisht nga politika, me të drejtën për mbrojtjen e jetës private u kundërvihej pikëpamjeve komuniste mbi mënyrën e jetesës. Atij i thanë larg nga ai helm, larg nga fama në Perëndim. Një kërcëllim i tillë dhëmbësh dëgjohej dhe në Plenumet e Lidhjes në Tiranë.

4-Stili i këtij libri vjen i ngjeshur dhe me ritëm të përshpejtuar. Një stil plot reliev në gdhendjen e argumenteve, në skalitjen e situatave të rrëshqitshme. Argumentet këmbehen me kundërargumentet , hipotezat me kundërhipotezat, faktet me hamendësimet. Kjo të bën të ndalesh, të marrësh frymë, të kthehesh pas ndonjëherë. Nuk ka si të ndodhë në një kohë kur sundon pabesia, kur të përgjon e të ndjek shteti, kur nuk dallon dot provokimin a intrigën nga një ftesë miqësore për çaj, nuk e ndan dot të mjegulltën nga e vërteta, skenën nga prapaskena, kur miqtë e rremë këmbehen me trokitjet e agjentëve të policisë në derën tënde. Kur e mbaron librin, të ngjan se ai mund të vazhdonte dhe pak. Autori ka vënë një shënim për mundësinë e një botimi të ardhshëm më të plotësuar. Nuk e dimë seç mund të sjellë më tej pena e Kadaresë. Ne si lexues jemi në pritje. /KultPlus.com

Kosova

ISMAIL KADARE

Sa herë kam kaluar mbi qiellin tënd, Kosovë,
Midis reve të tua të rënda, gjëmimeve të tua.
Ca pika shiu u rrokullisën nga dritarja e avionit, diç thanë.
(As ato s’mund t’i prek dot, janë përjashta.)
Një vetëtimë që kaloi përbri m’u duk se ma bëri me dorë.

E pra, ky është shiu yt, retë e tua, bubullimat e tua.
Ca sinjale të shpejta, xixëllima mendimi inkandeshente.
Kurse kurrizi i gjerë i tokës sate vrapon diku poshtë,
Duket e zhduket i zymtë midis zgavrave dhe humnerave të reve

Largohemi vazhdimisht. Tani ti mbete prapa.
Tani krahu i avionit në qindra copa të pret.

1966

Duke të pritur ty

Poezi nga Ismail Kadare.

Ne orën pese duhet te vijsh
Ja rruga,
Ja shenjat e bardha ku do te kalosh,
Si re te bardha qe notojne mbi asfalt.

Tek xhamia,
Perballe sahatit une rri
Akrepat, si vetulla
Ne fytyren e kohes,

Here te qeshur, here te ngrysur atje lart.
Pas pak do te bjere pese
Tani pellumbat
Rrotull sahatit vertiten, te bardhe, te bardhe.

Në qoftë se…

Poezi e shkruar nga Ismail Kadare.

Në qoftë se mes vargjesh edhe strofash,
Do të dalin rastësisht ca flokë të verdhë.
Kjo s’do të thotë se midis nesh ka mbetur,
Qoftë edhe më e vogla lidhje apo shpresë.

Asgjë, unë vetë se mbolla me ndërgjegje,
Vetë ato mbinë, pa u ndjerë fare.
Ashtu si mes pllakash prej mermeri,
Të një pallati të braktisur, mbin bari.

“Si kanë qenë marrëdhëniet e Ismail Kadaresë me Enver Hoxhën”, rrëfehet Elena

Elena Kadare, bashkëshortja dhe bashkudhëtarja e jetës dhe e veprës së Ismail Kadaresë, në një intervistë për “Shqiptarja.com” ka folur rreth shkrimit të librit më të ri “Kur sunduesit grinden”, që u promovua dje në panairin e librit Tirana 2018.

Promovimi është bërë me një pjesëmarrje të pazakontë të lexuesve dhe fansave të Kadaresë pranë stendës së shtëpisë botuese “Onufri”, të cilët “e kanë detyruar” shkrimtarin për rreth 2 orë e 30 minuta të qëndrojë aty duke biseduar e shkruar pareshtur autografe.

Elena Kadare që ishte pranë bashkëshortit të saj në këtë manifestim të vlerave të librit në Tiranë, rrëfen sesi ka nisur si ka nisur intriga e librit “Kur sunduesit grinden”.

Duke e parë Kadarenë, jo vetëm si bashkëshort, por edhe në distancën e lexuesve, Elena Kadare rrëfen makthin e përjetuar të shkrimtarit gjatë diktaturës, sa herë nisnin tentativat për ta dënuar. “Ishte fat që shpëtoi, për ne dhe letërsinë”, thotë Elena Kadare që është edhe vetë shkrimtare në profesion./ KultPlus.com

Ismail Kadare promovoi sot librin e ri në Tiranë

Shkrimtari Ismail Kadare ka prezantuar këtë të premte librin e tij më të fundit në Panairin e Librit që po zhvillohet në Tiranë.

Libri me titullin “Kur sunduesit grinden”, nga shtëpia botuese “Onufri”, bëhet një paralele filozofike ku trajtohen marrëdhëniet mes sunduesve të qiejve-perëndive, dhe atyre të tokës, siç janë personazhet e mëdha të politikës.

Në prezantimin e librit ka qenë i pranishëm vetë Kadare, i cili ka firmosur autografe të shumtë për lexuesit, të cilët kanë qëndruar para stendës botuese ku ndodhej shkrimtari.

Të shumtë ishin lexuesit, të cilët kanë qëndruar para stendës së shtëpisë botuese ku ndodhet edhe Kadare për të marrë një autograf nga shkrimtari i nominuar disa herë për Çmimin Nobel” për letërsi./ KultPlus.com

Kadare gati për t’i sjellë lexuesve librin më të ri në Panarin e Librit në Tiranë

Kanë mbetur edhe disa ditë deri në hapjen e Panairit të Librit në Tiranë, atje ku krahas shumë librave të njohur të Kadaresë tashmë vjen edhe libri i tij më i ri “Kur sunduesit grinden”, shkruan KultPlus.

Shtëpia botuese “Onufri” sapo ka publikuar imazhin e shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare, i cili po rishikon faqet e fundit të librit të tij më të ri, i cili do të promovohet në Panairin e Librit në Tiranë.

Deri më sot veprat e Kadaresë janë përkthyer në disa dhjetëra gjuhë të botës.
Panairi i 21 i Librit “Tirana 2018” fillon me 14 nëntor dhe zgjatë deri më 18 nëntor./ KultPlus.com

Kadare: Shqipëria i vetmi vend në Europë, që nuk ka një ngrehinë teatri, të denjë për këtë emër

Tashmë, për çështjen e Teatrit Kombëtar ekziston dhe një qëndrim i Kadaresë. Ai shkon krah gjykimit të Ramës mbi atë çfarë përfaqson ajo godinë, ndonëse si opinion është i pak viteve më parë.

“Dramaturgjia përbën pjesën më të papërfillshme në letrat shqipe. Nga ana e saj, jeta teatrale nuk ka shkëlqyer kurrë në këtë zonë të Ballkanit. Shqipëria është i vetmi vend në Europë, që nuk ka ende një ngrehinë teatri, të denjë për këtë emër.

Teatri Kombëtar i sotëm, ish-Teatri popullor i kohës së komunizmit, i cili quhej dikur kinema Kosova, nuk ka qenë veçse një ndërtesë e përkohshme, nga ato që ushtria italiane i përdorte për zbavitjen e trupave të saj.

Për një habi, që në pamje të parë ngjan e pashpjegueshme, faktorët proteatrorë në Shqipëri janë të barabartë me ata kundër teatrorë. Duket sikur nga përplasja e tyre nuk mund të kishim veçse këtë tokë të askujt…”, shkruan Kadare.

Ky qëndrim i tij i përket parathënies së veprës “Drama e një lideri”, kushtuar Mid’hat Frashërit, shkruar në vitin 2008.

Këto fjalë të Kadaresë që vijnë në kohën e një përplasjeje të madhe artistiko-politike për fatin e Teatrit Kombëtar, u “zbuluan” gjatë promovimit të serisë Vepra të Zgjedhura të Mid;hat Frashërit, ku i pranishëm ishte dhe vetë shkrimtari i njohur./ KultPlus.com

Ismail Kadare

Thënie me shumë vlerë nga Ismail Kadare

“Ka gjithmonë kohë që njerëzit të bëjnë diçka për popullin e tyre”.

“Të falësh nuk do të thotë të harrosh”.

“Sillu aq mirë me ata që të lëndojnë, sa t’iu vijë neveri nga vetja e tyre”.

“Ata që shohin qart edhe larg, në të ardhmen janë të padëshirueshëm për çdo pushtet tiranik”.

“Armiku mbetet armik, edhe i vdekur qoftë”.

“Sa i hollë është kufiri mes urrejtjes dhe dashurisë. Në ankthin e dhimbjes klith: Të urrej, sepse nuk mund të dashuroj askënd tjetër”.

“Fjala është si bleta që ka edhe mjaltin, edhe thumbin”.

“Kultura antike është pasaporta autentike e kulturës kombëtare”.

“Dëgjo… Është shumë e vështirë të diskutosh në mbretërinë e idiotëve”./KultPlus.com

Ismail Kadare një mesazh plot dhimbje e krenari për Fatos Arapin

Pas vdekjes së shkrimtarit Fatos Arapi, të shumta kanë qenë mesazhet plor dhimbje për këtë humbje të madhe për letërsinë shqipe.

Një mesazh plot dhimbje e krenari e ka përcjellë edhe shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare. Ai ka vlerësuar jetën dhe veprën e Fatos Arapit si “një jetë dhe krijimtari dramatike të shtrirë në dy epoka” e cila sipas tij “do të jetë e veçantë dhe e çmuar në kroniken e gjatë të letërsisë shqipe”.

Mesazhi i plotë i shkrimtarit Ismail Kadare:

“Pas ikjes së Dritëro Agollit, letërsia shqipe i ka gjithmonë e më të vështira humbjet e tjera, të dhimbshme si kjo e Fatos Arapit.
Shkrimtar i rëndësishëm, me një jetë dhe krijimtari dramatike të shtrirë në dy epoka, Fatos Arapi, mik dhe koleg i dashur, u bë pjesë e pandarë e kalendarit letrar shqiptar të shekujve XX e XXI. Dëshmia e tij artistike do të jetë e veçantë dhe e çmuar në kronikën e gjatë të letërsisë shqipe”.

Fatos Arapi u nda sot nga jeta në moshën 89 vjeçare. Ai i përket brezit të shkrimtarëve të shquar të shekullit të 20, një poet dhe prozator i thellë, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë shqiptare. /KultPlus.com

Libri i Ismail Kadaresë botohet edhe në gjuhën portugeze

Libri “Kamarja e turpit” nga Ismail Kadare do të botohet për herë të parë në Portugali.

Libri i botuar në Tiranë në vitin 1978, një libër historik dhe me një tregim siç di Kadare ta thurë, vjen për herë të parë para lexuesit portugez në fund të këtij viti.

Shtëpia Botuese ‘Sextante’ do të sjellë kësisoj librin në titullin ‘O Nicho da Vergonha’, të shkrimtarit shqiptar që ishte laureati i parë i çmimit Booker International në vitin 1998, shkruan KultPlus.

“Kamarja e turpit” ka qenë botuar për herë të parë më 1978, si pjesë përbërëse e librit “Ura me tri harqe”, me titullin “Pashallëqet e mëdha”. Romani që ka në qendër fatin e Ali Tepelenës, pashait rebel shqiptar, që u ngrit kundër sulltanit dhe shtetit osman, dhe është konsideruar nga kritika botërore si një nga veprat më tragjike të Kadaresë, ku përshkruhet terrori shtetëror. Libri ka 208 faqe.

Versioni anglisht i librit ishte në listën e ngushtë të Man Booker International Prize vitin e kaluar. / KultPlus.com

Kadare kundër rishikimit të kufijve Kosovë-Serbi: Do të cenonte stabilitetin në Ballkan

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare është shprehur kundër rishikimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai, sipas gazetes KohaJone, thotë se një lëvizje e tillë do të cenonte stabilitetin në Ballkan.

“Gjithsesi duhet ruajtur integriteti territorial i shtetit të Republikës së Kosovës dhe çdo pretendim për lëvizje të kufijve apo copëtim të Kosovës nuk do të ishte në favor të paqes dhe stabilitetit në rajon. Shqiptarët dhe serbët, dialog e marrëveshje po në Bruksel, por asesi në dëm të sovranitetit të Kosovës!

Askush s’ka të drejtë, Serbia hiç e më hiç, të cenojë integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Reciprocitet mes Veriut dhe Luginës së Preshevës meqë këta te fundit nuk janë rehat. Nisur nga historia, vuajtjet e popullit të Kosovës, sot nuk është duke u bërë aq sa duhet për këtë pjesë të Europës. Çdo angazhim për Kosovën nuk mjafton kurrë, sepse ajo e meriton shumë e më shumë….’

Më pas, duke komentuar situatën në Kosovë dhe Luginën e Preshevës, Kadare, thekson se, “situata në Luginën e Preshevës është e papranueshme, ku popullata e atjeshme, shqiptarët etnikë në trojet e tyre, ende në këtë shekull ballafaqohen me diskriminimin e të drejtave të tyre elementare. Prandaj, perspektiva e Luginës së Preshevës, sikur viset e tjera të Ballkanit, duhet të jetë drejt Europës, gjë kjo e cila mund të bëhet me një angazhim më të madh të përfaqësuesve të Luginës në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar. Prandaj, po e përsëris se për popullin shqiptar, si në Kosovë, ashtu në Luginën e Preshevës, me një të kaluar me vështirësi të mëdha e me sakrifica, mund të themi se nuk është duke u bërë mjaft e aq sa duhet për ta, pasi ata meritojnë edhe më shumë. Nuk është kurrë shumë të bësh për ta. Është gjithmonë pak…” – thekson shkrimtari i madh.

Ndërkaq, sa i përket vizitave të kreut të shtetit serb në Kosovë, Kadare thotë se, “ashtu si serbët e Kosovës që presin personalitetet e tyre të larta nga një vend fqinj, edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë të drejtë dhe dëshirë, bile së paku për të mos u harruar, që të vizitohen nga personalitetet tona nga Prishtina dhe Tirana”.

Ndërkaq, në këndvështrimin se si e sheh Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në Ballkan pas një shekulli të shtetit shqiptar vjet pas pavarësisë, Kadare thekson se ndihet i kënaqur, duke pohuar se “kombi ynë në përgjithësi ka arritur shumë suksese, sidomos dekadën e fundit, në çdo sferë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë dhe viset e tjera të Ballkanit, me përjashtim te Krahinës së Preshevës sipas të cilit trevat i kemi keq. Por, kjo nuk do të thotë të ndalemi këtu.

Me suksese Shqipëria dhe Kosova duhet të vazhdojë. Sepse shqiptarët sot gjenden në kulmin e zhvillimeve dhe ata janë në rrugë të mbarë”.

“Përfaqësuesit e popullit tonë, dhe jo vetëm këta, por të gjithë ne bashkërisht: shkrimtarë, intelektualë, rinia, meqë gjendemi para një sërë sfidash, na presin edhe shumë detyra dhe përgjegjësi të mëdha për të ardhmen e kombit tonë, ndaj nuk duhet ndalur së punuari, duhet vazhduar misioni ynë për zhvillimin e kombit tonë, për një të ardhme edhe më të mirë dhe të sigurt e orientuar drejt Europës”, ka thëne në fund Kadare, shkruan Koha Jonë./KultPlus.com

Kush ia sugjeroi Kadaresë titullin për romanin “Kronikë në gur”?

Arkitekti dhe piktori Maks Velo, ka treguar se ishte ai që ia kishte sugjeruar Ismail Kadaresë që romanit “Kronikë në gur” t’ia vendoste këtë titull.

Në një intervistë për emisionin CODEX në KTV, Velo ka rrëfyer historinë se si Kadare i kishte kërkuar atij ta lexonte atë roman, – atëherë në dorëshkrim, – dhe t’i sugjeronte ndonjë titull.

Ideja e Velos që ai të titullohej “Kronikë në gur”, ishte pranuar më pas nga Kadare. I botuar më 1971, “Kronikë në gur” mbahet si një nga veprat më të rëndësishme të Ismail Kadaresë./KultPlus.com

New York Times u rekomandon lexuesve të lexojnë Ismail Kadarenë

Gazeta prestigjioze amerikane, New York Times, i rekomandon lexuesit të lexojnë librin “Kamarja e turpit” të shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare . Në listën prej 9 librash që rekomandon çdo javë për lexuesit e saj, New York Times rendit “Kamaren e turpit” si një nga librat që nuk duhet humbur pa lexuar.

Libri është përkthyer në anglisht nga John Hodgson. “Kërkimi për kokën e prerë të Ali Pashë Tepelenës shërben si një simbol i errët satirik në këtë roman shqiptar të botuar fillimisht në vitin 1978, një fabulë alegorike për autoritarizmin e shekullit të 20-të,” shkruante Jason Goodwin. “Ndërsa ky roman vendoset në mënyrë të shkëlqyer, lakonike dhe me elemente të zymtë komikë, bëhet e qartë se shteti është, në mënyrën e vet, një kokë e frikshme. Një Meduzë, ndoshta, me aftësinë për të shkatërruar,” vijon më tej kritiku i New York Times, raporton gazeta-shqip.com

“Kamarja e turpit” ka qenë botuar për herë të parë më 1978, si pjesë përbërëse e librit “Ura me tri harqe”, me titullin “Pashallëqet e mëdha”. Romani që ka në qendër fatin e Ali Tepelenës, pashait rebel shqiptar, që u ngrit kundër sulltanit dhe shtetit osman, është konsideruar nga kritika botërore si një nga veprat më tragjike të Kadaresë, ku përshkruhet terrori shtetëror./ KultPlus.com

Kur Lasgushi i shkruante Kadaresë: Merre me ment sa keq, në ç’nevojë të madhe jam

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare, në vitin 1978 mori dy letra nga poeti i madh Lasgush Poradeci. Këto dy letra, Kadare i kishte kujtuar të humbur, por krejt rastësisht i kishte gjetur e më pas edhe i ka bërë publike duke dashur kështu të tregoj se si poeti i rrallë i letrave shqipe, Lasgush Poradeci, u mënjanua dhe u la në harresë të plotë nga shteti i vet.

Më poshtë po ju sjellim opinionin e Kadaresë për këto dy letra të marra nga Lasgush Poradeci, si dhe dy letrat e plota.

TO GO WITH STORY BY LAURENT LOZANO
Albanian novelist Ismail Kadare gestures during an interview with AFP on February 8, 2015 in Jerusalem. Born in 1936 in the Albanian mountain town of Girokaster, Kadare has won a number of prestigious prizes including the first international Man Booker Prize in 2005. AFP PHOTO/ GALI TIBBON

Nga Ismail Kadare

Gjatë sistemimit të arkivit vetjak, për gëzimin tim të madh, gjeta midis dorëshkrimeve, dy nga letrat e Lasgush Poradecit. I kam kujtuar të humbura, pas ikjes në Francë në vitin 1990, ashtu siç kam menduar për një pjesë të dorëshkrimeve, hamendje e natyrshme për një arkiv që pasi u sekuestrua, ka kaluar, siç dihet, nga zyrat e Prokurorisë në ato të Gjykatës, për të përfunduar për fat të mirë në Arkivin e Shtetit. Me sa jam në dijeni, Lasgush Poradeci, më i madhi poet i gjallë i Shqipërisë, gjatë kohës së diktaturës komuniste, ka lënë pak letra të datuara në këtë kohë. Poet i rrallë në historinë e letërsisë botërore, të cilit i ra fati tragjik që, duke qenë ende gjallë, të përjetojë vdekjen e tij në kuptimin e plotë të fjalës, Lasgush Poradeci, për një kohë të gjatë do të vërë në skajim të vështirë ndërgjegjen e kombit të vet. Mënjanimi nga jeta dhe lënia në harresë të plotë e poetit, i cili do t’i bënte nder çdo letërsie evropiane, ka qenë një nga mizoritë më të mëdha të epokës. Këto dy letra janë vetëm një copëz nga mozaiku i zymtë që dëshmon se si poeti më elitar i letrave shqipe, ai që e kishte shpallur veten Zog i qiejve, do të detyrohej të ecte nëpër baltrat e burokracisë komuniste, të trokiste në zyrat e saj shterpa, t’u kërkonte një shkresë a një telegram nëpunësve kokëtrashë e cinikë, që ngazëlleheshin ngaqë e kishin në dorë e mund ta bënin të vuante. Letrat që po botohen janë të dyja të vitit 1978. Kishin kaluar dy vjet qysh nga një përpjekje e dështuar për t’i dhënë Poradecit statusin e shkrimtarit profesionist, gjë që praktikisht do të lejonte ribotimin, me fjalë të tjera, rikthimin e tij në jetë. Ana tjetër e problemit do të ishte lehtësimi i halleve të tij të përditshme. Duke u prerë çdo shpresë për çështjen madhore, atë të lejimit të krijimtarisë së tij, mbeti problemi i vështirësive të jetës. Siç shihet qartë nga dy letrat e poetit, regjimi dinte të dënonte edhe në mënyra të tjera. Duke mos u mjaftuar me krimin e parë, ndalimin e veprës, shteti komunist vazhdonte të torturonte poetin pa bujë, duke ia helmuar ditët e pleqërisë. Ky helmim bëhej në mënyrë cinike: me veshin shurdh, me mosdëgjimin e kërkesës së tij modeste për emërimin e vajzës si mësuese në Pogradec, me vonesën e një shkrese, të një telegrami. Sa shpejt e sa ngutshëm mbërrinin në administratën e diktaturës letrat denoncuese, shkresat për arrestime, dëbime, burgime! Dhe sa ngadalë shkresat e tjera, sidomos ato që mund ta lehtësonin disi jetën njerëzore! Çdo artdashësi e sidomos çdo adhuruesi të poetit të madh, do t’i dhembi në zemër kur të lexojë këto tekste, kur dëshpërimi dhe mungesa e shpresës shfaqen në mënyrë ciklike, nëpërmjet një thatësire frazash, si vijat e rërës në shkretëtirë. Është bota e dhunshme e burokracisë, e kundërta e krejt e botës së poetit, që, duke e detyruar të bjerë në mëshirën e saj, hakmerret me poetin për qiellsinë e tij. Një analizë e thjeshtë e tekstit e jep këtë dhunim. Në më pak se dy faqe gjenden më shumë se 50 fjalë e terma administrative: 10 herë fjala ministria, 11 herë emërim, 7 herë telegram (zyrtar), 6 herë Komitet ekzekutiv, 6 herë Kuadër ose shef kuadri, 4 herë dosje, përveç fjalëve transferim, administratë, pasaportizim, dokument, shkresë zyrtare, kompetencë etj. Pasioni për t’u ulur kokën shkrimtarëve e poetëve ka qenë i njohur, jo vetëm në të gjithë regjimet totalitare, por edhe në sistemet e të menduarit që kanë lidhje me to. Këto sisteme të menduari vazhdojnë ende të jetojnë edhe kur regjimet bien. Siç u tha pak më lart, eksperimenti shqiptar me Lasgush Poradecin shkoi edhe më larg. Regjimi u përpoq dhe në njëfarë mënyre ia arriti, qe ta vdiste për së gjalli më të madhin poet të vendit. Në këtë kah letrat e tij të rralla e të ftohta qysh në atë kohë dukej sikur vinin që poshtë pllakës së mermertë të varrit. Tiranë, nëntor 2002 ———————–

Letra e parë

Merr: Ismail Kadare Pogradec, 8 korrik 1978

I dashur Kadare

Nuk di ç’u bë me emërimin e çupës sime (Kostandina Gusho) si Mësonjëse në Pogradec pasi u fjalosmë në Tiranë më 25 maj. Në mbrojtjen e Diplomës në letërsi ajo mori notën 9. Pas dëshirës sime, e cila është një nevojë imja e madhe (fort shumë e madhe siç të fola në Tiranë), më gëzove dhe mora një kurajë që në dëshpërimin tim më the përnjëherësh do t’i thuash Ministrit. Mora kurajë meqë unë këtu në Pogradec ku ri për shëndet në shtëpi të babajt ku kam lindur jam i vetëm pa asnjeri familjeje dhe pa asnjë shërbim prej asnjeriu. Merre me ment sa keq, në ç’nevojë të madhe jam, fort shumë të madhe jam. Këtu në Pogradec Mësonjësja e letërsisë Ana Jovan duke i vdekur bashkëshorti u transferua me kërkesën e saj për në Shkodër ku ka prindërit shkodranë. Posti i Ana-s si Mësonjëse letërsie mbeti në Pogradec vakant. Lutem folë ku duhet, që të destinohet për Kostandinën ky post vakant, duke u emëruar ajo provizorisht Mësonjëse për në Pogradec pa ia hequr pasaportizimin prej Tirane- ashtu siç është praktika e administratës, sikundër praktikisht që dërgohen provizorisht, që transferohen provizorisht nëpunësit për në tjetër vend, për në tjetër post pa jua hequr pasaportizimin prej vendit origjinar, prej postit origjinar. Shtoj se këtu në Komitetin ekzekutiv Kryetari (që vendos për transferimet) me pranoi me gatishmëri për dëshirën dhe nevojën time, dhe pret pa kundërshtim – Shkresën e Ministrisë. Të fala edhe të përqafoj Lasgushi Poradec, 1 Shtator 1978 —————

Letra e dytë

I dashur Kadare,

Sot në mëngjes më 1 Shtator vajta në Komitetin ekz., pyeta Shefin e Kuadrit të Arsimit, Nella Çobanin: pse nuk m’a emëruat çupën në Mbledhjen e caktimit të Kuadrit, kur se më kini pritur gjer më sot kaq mirë, më kini thënë se do t’a emëroni edhe në një vend sa më të mirë?. Shefi i Kuadrit më tha: Në mbledhjen e djeshme muarmë në shqyrtim më parë emërimin e çupës suaj, por me qenë se s’kishin ndonjë Shkresë ose ndonjë Telegram nga ana e Ministrisë së Arësimit, ndonjë Dokument nga ana e Ministrisë mbi të cilin të bazohemi për emërimin – nuk mundim të vendosim për emërimin. Po të na bëjë Ministria qoftë edhe një telegram që: emëroj aty në Pogradec si Mësonjëse vajzën e Lasgush Poradecit, neve e emërojmë menjëherë duke patur ku bazohemi në një Shkresë zyrtare, në një dokument zyrtar, sepse edhe telegrami është për neve një bazë zyrtare, një Shkresë zyrtare, një dokument zyrtar. Ne s’kemi këtu në Komitet kompetencë që të bëjmë asnjë emërim pa urdhërin e Ministrisë së Arësimit. Kështu më tha, Kadare, sot në mëngjes më 1 Shtator Shefi i Kuadrit të arësimit. Lutem, le të bëjë Ministria një telegram – telegram sa më urgjent për emërimin e çupës sime, Konstandina Gusho, si Mësonjëse në Pogradec, le t’a bëjë Telegramin sa më urgjentisht, meqë shkollat sot më 1 Shtator filluan, dhe mua këtu në Kuadër, sot më thanë që i kanë ruajtur cupës sime një vend vakant, vend të krijuar duke nxjerrë në prituni, me të drejtë rroge, një Mësues shumë të merituar po që vuan prej vitesh nga nervat e tronditura gjatë shërbimit të tij ushtarak nënëdetësor. Unë po përsëris, që, më parë se nga çdo gjë tjetër, Ministria të dërgojë këtu një telegram, në mbështetjen e të cilit Kuadri i Pogradecit të mund të bëjë pa vonesë emërimin. Pastaj, pas dërgimit të telegramit, Ministria le të kërkojë Dosjen e studentes së diplomuar Kostandina Gusho në Seksionin e arësimit të komitetit ekz. të Tiranës, për t’a dërguar Ministria Dosjen këtu në Pogradec; ose, në qoftë se Dosja dërgohet prej vetë Seksionit të Arësimit të Komitetit ekz. të Tiranës, le t’a dërgojë këtu Dosjen Komiteti ekz. i Tiranës. Unë, i dashur Ismail, po e dërgoj çupën në Tiranë në datën 2 Shtator, ditë e Djelë, ka këtë letër, për t’jua dhënë juve çupa letrën në dorë që sot të Djelën me këto shpjegime të hollësishme nga ana ime, shpjegime të cilat edhe nuk janë të nevojshme pas fjalimeve tona këtu në Pogradec, veç se ato janë shprehje e shqetësimit tim, e shqetësimit tim të madh si edhe e shpresës sime të madhe (shpresës absolute) për emërimin e çupës pas ndërhyrjes sate kaq mirëdashëse për mua. Me dashuri dhe mirënjohje të përqafon Lasgushi. /KultPlus.com

Kush e urren Kadarenë

Rexhep Shahu

Ismail Kadareja ka shkruar se Dantja është i pashmangshëm për planetin tonë të vogël, ka shkruar se Dantes nuk mund t’i iket siç nuk mund t’i iket ndërgjegjes. I bindur them se Kadaresë nuk mund t’i iket, nuk mund t’i shmangesh sepse ai tashmë është ndërgjegja jonë, ndergjegja jonë kombëtare, është pasaporta dhe identiteti i çdo shqiptari, krenaria e mburrja e çdo shqiptari jo analfabet dhe jo bir i urrejtjes, i çdo shqiptari jo shpirt shitur, i çdo shqiptari jo argat i djallit e të keqes që han bukën e vet e ban dertin e huaj. Edhe qortuesit më të mëdhej të Kadaresë, edhe kundërshtarët që e urrejnë sepse i fut nën hije, ua zë diellin dhe nuk i le të rriten, të gjithë armatat e mediokërve, armatat e lilipuëve hidhen me furi në sulme kundër Kadaresë të armatosur deri në dhembë me arsenalin e fjalëve të mësuara prej Kadaresë, me stilin shfarosës të Kadaresë.

Ai, atje në majë, qesh dhimbshëm dhe mendon se ende nuk kanë mësuar të shkruajnë letërsi këta kundërshtarët e mi të vobektë që mendojnë se janë të mëdhej por nuk punojnë për t’u bërë të mëdhej. Kadareja është bërë tashmë ndërgjegja jonë, krenaria jonë, është bërë i pashmangshëm për ne dhe për letësinë botërore, është bërë sundues, është bërë “tiran” për “armiqtë e kundërshtarët e tij”, është bërë ‘i padurueshëm”, po ua zë diellin gjithë kundërshtarëve.

Por ata që nuk e durojnë Kadarenë dhe nuk ngopen edhe sikur ta shohin të coptuar, që knaqen sikur atë ta mbulojë harrimi, si armatat e pafundme të mediokërve që shkruajnë letërsi për të kompensuar dashurinë që s’e patën kurrë ose për të kërkuar famën, që s’e mbërritën kurrë në jetë me punët e bëmat e tyre si ushtarë të partisë apo oficerë aktivë e rezervë të ish sigurimit të shtetit apo të shërbimeve sekrete të huaja, famën që i përbuzi me neveri, ata e kërkojnë famën në letërsi, bëhen adoleshentë e dashnorë të shpifur në poezi, ose pleq që u ka ikë treni dhe duan të rendin pas trenit me të cilin u ka ikë e dashura por s’kanë këllqe të bëjnë as dy hapa vrap se ju del gjuha një pash.

Kadarenë e urren Serbia, e urrejnë shërbimet e fshehta të saj, e urrejnë komunistët shqiptarë që janë rracë në zhdukje (s’kam asgjë si njerëz por si mendësi, si filozofi), dhe ish sigurimi i shtetit shqiptar që i ka ngulë rrënjët thellë në të ardhmen tonë. Sulmi ndaj Kadaresë është melodi serbe, është i frymëzuar nga qarqe serbe, i orkestruar nga qarqet serbe, është histeri serbe, është hakmarrje serbe. Për shkak të qëndrimeve dhe përplasjeve të Kadaresë me serbët në mbrojtje të identitetit kombëtar shqiptar, në mbrojtje të Kosovës dhe shqiptarëve dhe ndëshkimin e dhunës serbe. Nuk duhet që letërsia shqipe të ketë Nobelist, nuk duhet që gjuha shqipe të ketë një Nobelist, thonë serbët se pastaj edhe gjuha e letërsia shqipe do të hyjnë në rangun e kulturave të mëdha. Nobelistë duhet të ketë Serbia se ata mendojnë se janë gjuhë e madhe, popull i madh, letërsi e madhe. Ata serbët bëjnë letërsi të madhe, ata kanë nxjerrë Nobelistë, an ipse Nobelistë autor platformash shfarosëse ndaj shqiptarëve.

Në korin e korbave shqiptarë anti Kadare përçohet kjo deshirë serbe. Shqiptarët janë gati ta vrasin njëri – tjetrin që të mos jetë asnjë më i madh se tjetri. Shqiptarët që shkruajnë libra, libra që duhen djegë për shkak të cilësisë së dobët, për shkak se janë anti libra që duhen ndaluar për të mos e përllomë edhe më keq mjedisin dhe shijet e lexuesve, janë më të zellshmit kundër Kadaresë. Në fakt, si dritëshkurtër që janë, ata anti Kadaretë nuk janë kundër Kadaresë por janë kundër Shqipërisë, kundër shqiptarëve se ashtu duan serbët. Janë kundër gjuhës shqipe, kundër letërsisë shqipe. Por dritëshkurtërit nuk e dinë ose e dinë por duan të bëjnë ashtu, që duke sulmuar Kadarenë të sulmojnë shqiptarët, gjithë shqiptarët e globit, gjithë shqiptarët në hapsirën e tyre jetike. Dhe jo pak herë kemi dëgjuar të thuhet se “serbët kanë letërsi të madhe…”.

Po, kanë, dhe ne nuk na ka ardhë keq kurrë pse kanë letërsi të madhe, pse kanë Nobelistë edhe Nobelistë antishqiptarë të zellshëm. Por ne si shqiptarë nuk jemi kundër serbëve, ne jemi kundër tonëve, jemi kundër vetes tonë, edhe pa e ditur edhe duke e ditur se veprojmë për llogari të serbëve, nuk duam askënd në mesin tonë, matemi sejcili me hijën e mengjesit, matemi sejcili me Homerin, Danten, Xhojsin, matemi me Kadarenë që tashmë është bërë i pashmangshëm nga jeta jonë, nga kujtesa jonë kombëtare, nga memoria jonë, për të mos thënë se është bërë memoria jonë, është ylli në pasaportën tonë kombëtare me Nënë Terezën e Skëndërbeun se ai ka shkruar historinë tonë në letërsi.

Një popull që e ka të shkruar historinë në letërsi, ai popull nuk vdes sepse historia e mirëfilltë shkruhet nga letërsia Shajmë e kritikojmë Kadarenë me fjalët që i kemi mësuar prej Kadaresë, me stilin që kemi mësuar prej Kadaresë. Shajmë Kadarenë dhe harrojmë se letërsia e Kadaresë është përkthyer në mbi 40 gjuhë të botës dhe është pëlqyer, pranuar, lavdëruar jo prej çobanëve të botës apo lexuesve çobanë por prej ekspertëve, prej figurave më të mëdha të letërsisë, prej popujve që lexojnë dhe që kanë kult librin, prej popujve që quhen popuj libri. Duke sharë Kadarenë për llogari të serbëve, sharësit mendojnë se maten me Kadarenë, mendojnë se bëhën të famshëm si ai duke u marrë me Kadarenë dhe presin që ai t’u thotë se më mirë po marr në dorë një kovë me mut se sa po u përgjigjëm ju sharësve të porositur e me pagesë ndoshta prej Serbisë. Kadarenë e shajnë komunistët e zellshëm shqiptarë, më të paditurit, më idiotët, gjithë komunistët të cilët e kanë parë gjithmonë Kadarenë si armik në radhët e partisë, si armik të brendshëm por që s’kanë patur çfarë t’i bëjnë, thjeshtë janë detyruar ta lexojnë e bile bile ta mësojnë përmendësh për të gjetur në rrjeshta e mes rrjeshtave armikun e partisë.

Kadarenë e shajnë komunistët, ata komunistë që kanë menduar se e kanë të tyrin e të partisë së tyre dhe ndjehen të tradhëtuar prej tij, kur në fakt Kadareja i tyri nuk ka qenë kurrë, kurrë. Ia përmendin poemat për partinë, për komunizmin, për stalinin etj etj, që ai i ka. Por edhe ato i ka art të vërtetë. Por i ka haraç që ka paguar për jetën e vet se diktatura kërkonte domodo haraç që ta linte gjallë. Komisioni i Nobelit dhe anti Kadaretë nuk arrijnë ta kuptojnë këtë gjë, këtë marrëveshje, këtë kontratë. Inatin e kanë me Kadarenë, inat që s’e kalb dheu kurrë, se Kadareja si askush ia ka bërë autopsinë diktaturës, komunizmit.

Komunistët të gjithë e shohin veten tek Nëpunësi i pallatit të ëndrrave e disa duan vërtetë të jenë, ndjehen të lumtur të jenë e disa kanë turp, disa kanë frikë mos identifikohen. Rrinë dhe ia kujtojnë Kadaresë një e dy se ka qenë shkrimtar i diktaturës. Po çfarë të bëjë ai që i ra të jetojë atë kohë, atë periudhë historike. Por edhe pse kanë kërkuar edhe letrat në koshat e nevojtoreve, nuk kanë mundë t’i gjejnë Kadaresë flirte me diktaturën e tiranët e vendit. Diktatura është dridhë prej Kadaresë dhe Kadareja është dridhë prej diktaturës, – kjo ishte epoka. Dostojevski – ndërgjegja apo pasqyra e shpirtit rus kur ishte në pranga, në galerë në Siberi, i dënuar me vdekje prej Carit, ndërsa ishte i pafajshëm, i thur një ditiramb të famshëm Carit me një pendesë të thellë si puthje dore për ndëshkimin që ia kishte bërë (sipas Cvajgut).

Populli rus kurrë nuk ia përmendi, kurrë nuk ia bëri të madhe këtë gjë Dostojevskit të vet. Sepse ai është popull i Dostojevskit, ndërgjegje e tij. Ne nuk ngihemi kundër Kadaresë dhe jemi gati të paguajmë që të zhduket e të mos ekzistojë më çmimi Nobël, vetëm e vetëm të mos e marrë Ismail Kadareja, shkrimtari i famshëm shqiptar në arenën ndërkombëtare, shkrimtari që ka shkruar si askush historinë shqiptare dhe shpirin shqiptar, shkrimtari që i ka bërë avokati si rrallë kush çeshtjes kombëtare shqiptare. Cinizmi e dashakeqësia e kumunistëve është e jashtëzakonshme, urrejtja është e përjetshme, Akademia e Nobelit nuk e kupton këtë se duke nderuar Kadarenë ka ndëshkuar diktaturën më të egër në Europë, diktaturën më të shpikur.

Duke nderuar Kadarenë, nuk kuptojmë se do të nderohej rajoni ynë i vogël që është sa një lagje Europe. Duke nderuar Kadarenë do të nderohej gadishulli Ballkanik. Duke urrye Kadarenë do të vazhdojmë të mbetemi gadishulli i urrejtjes edhe për shumë kohë. Kadarenë e urren për vdekje ish sigurimi i shtetit. Sepse ish sigurimit të shtetit Kadareja i ka thënë se nderi i atdheut nuk është te vrima e shurrës së vajzave e grave shqiptare. Se po të jetë nderi i shqiptares aty do të thotë që ai nder është i pistë sepse aty pshurret dhe i vjen era shurrë. Dhe nderit të shqiptarit nuk duhet t’i vijë era shurrë, ani se lejohet t’i vijë era hajni, mashtrim, tradhëti, besë prerje, mos mbajtje fjale e bese, shpifje, etj etj. Ish sigurimi e partia e komunistëve ushqeu popullin me idenë se nderi është te vrima e shurrës dhe nuk është e pandershme të tradhëtosh atdheun, të gënjesh e të mashtrosh, të vjedhësh, të presësh në besë, të shpifësh, të spiunosh vëllanë, motrën, gruan, babën, nënën, e të bësh një mijë e një të zezat e tokës. Alfred Nobeli po të ishte gjallë do të ndjehej i turpëruar me mosvlerësimin e Kadaresë.

Ai çmim ka nevojë për Kadarenë sepse Kadareja përfaqëson një gadishull ku urrejtja është lulja që gjindet gjithkund në këtë rajon, gjendet në gjithë tavolinat e zyrave të shtetarëve të këtij rajoni ku jetojnë njerëz që “n’mëni të shoi-shoqit kemi le” siç thotë kandidati i parë shqiptar për çmimin Nobël, Gjergj Fishta, i quajtur Homeri shqiptar./KultPlus.com

Pushteti i frikës, tirania dhe dashuria në romanin “Qorrfermani” të Kadaresë

Shkruan: Ndue Ukaj

Të lexosh një vepër letrare, është akt i kënaqësisë që të jep arti, bota e re që ti e zbulon, ndërkaq, të marrësh përsipër të shkruash për të, është përgjegjësi e ndërlikuar, dhe kjo lidhet, me raportin që krijon teksti me autorin, veprën dhe lexuesin. Pa dyshim, të shkruash për një autor të madh- për një univers letrar- siç është Ismail Kadare, është përgjegjësi e dyfishtë. E para e punës, shkëlqimi artistik i veprës së tij, ka tejkaluar qëmoti kufijtë e mundshëm dhe komunikon universalisht, me statusin e artit të përjetësishëm. Në këtë mënyrë, vepra e tij është përtej mundësive që afron mendimi për letërsinë, qoftë edhe ai më i përparuari.

Duke u nisur nga kjo sfidë dhe përgjegjësi, studiues të ndryshëm të letërsisë, janë rrekur të trajtojnë përgjegjësitë që kanë, në këtë rast, lexuesit, përballë një vepre letrare, sidomos ata që shkruajnë për të. Njohësit e letërsisë, flasin për validitetin e interpretimit dhe mundësitë e leximeve më të mira, (E. D. Hirsch, JR), si dhe për kërkesat etike që shtrohen përpara lexuesit (Derek Attridges).

Për shembull, studiuesi i letërsisë, Derek Attridges, pyet për përgjegjësitë që ka lexuesi karshi veprës letrare, për faktin e thjeshtë, se, asnjë vepër nuk mund të kuptohet pa marrëdhënien e ndërliqshme që ajo e krijon me lexuesin, sidomos me ata që i përkasin fushës së letërsisë; të tillët që, me tekstet e tyre për shkrimtarë a vepra të caktuar, marrin qëndrime publike; pra i riartikulojnë “mesazhet” e autorit dhe të veprës.

Mirëpo, mendimi për lehtësinë, gjer me sot, nuk ka arritur të tregojë se, cili është leximi më i miri i letërsisë apo i një vepre letrare. Në hollinë e shumë shkollave, metodave, qasjeve, lexuesi, ka ndodhur të bie “prehë” e yshtjeve të kritikëve, për të parë dhe gjykuar një vepër nga një këndvështrim specifik, i ngushtë, që, realisht, mund të jetë përtej qëllimeve të autorit, dhe, ndonjëherë përtej asaj çfarë është një vepër letrare si e tillë.

Sa herë flitet për këto raporte, mua më pëlqen ta citoj, Oscar Wilde-in, i cili shkruante: “Për ne që merremi me art, nuk mund të pranohet asnjë teori për të bukurën, në këmbim me vetë të bukurën.” Duke u nisur nga ky parim, atëherë, një lexim semantik dhe artistik i një vepre letrare, për mua ngjason me një shtegtim, thënë ndryshe, me një udhëtim, në një botë të panjohur, në një botë, ku ndeshim katedrale madhështore, ura dhe humnera, fusha, male dhe lumenj, njerëz të bukur dhe të shëmtuar, që bien në dashuri dhe ndahen, sisteme politike të çmendura, që tkurrin njeriun në botën e frikës, ndeshim dashuri dhe urrejtje të çmendura, ndërtesa të punuara me shije dhe njerëz që jetojnë në to, me halle e tendosje shpirti, por që dinë edhe të cakërrojnë gotat e lumturisë të mbushura me verë, dhe të kënaqen me bukuritë e pafundme që afron jeta, pra, e gjejmë një jetë në totalitetin e saj të mundshëm. Pikërisht pse një vepër është një totalitet, është e pamundur t’ia paraqitsh lexuesit gjithë këtë përmasë.
Arti i madh i Kadaresë, para lexuesit shfaqet si hapësirë e pafund semantike, gjuhësore dhe kohore, ku përplasen dhe dyzohen, e keqja dhe e mira, dhe ku autori, përmes gjuhës alegorike dhe simbolike, thërret të hiqet qafe e shëmtuara dhe të jetohet e bukura. Këtë thirrje letrare, e hasim në mënyrë të shkëlqyer, te romani, “Qorrfermani”, i cili, “ndonëse u shkrua në vitin 1984, për shkak të subjektit tepër delikatë dhe të analogjisë së ngjarjes që ndodh në Perandorinë Osmane, me një fushatë spastrimesh tipike staliniste, aq shumë të njohura në të gjitha vende t ish-komuniste, vepra nuk ishte e mundur të botohej në Shqipëri, dhe botohet vetëm pas autori kishte kërkuar strehim politik në Francë.” Kjo e dhënë jashtëletrare, por, para së gjithash tematika dhe shtjellimi i ngjarjes, e përforcojnë mendimin se, letërsia e Kadaresë, në esencë është një jehonë e fuqishme antitotalitare, një kamp lirie kundër totalitarizmit dhe të gjitha formave të egra të manifestimit të tij.

Në këtë roman magjeps, lexuesi i Kadaresë, e ndien peshën reale të një realiteti tejet dramatik, të vendosur në një perandori të mynxyrshme, në të cilën shqiptarët pësuan keq. Autori i vë lexuesin përpara makthit të verbimit, pra, të çsyzimti, në një rrëfim mbresëlënëse, të mbushur me pikëllim, dhimbje, tension, tronditje, dashuri. Kjo prozë është e shkruar me stil rrëmbyes, ndërkaq, lexuesi, duke parë si zhvillohet kjo dramë letrare, e ndien fuqinë dhe peshën e frikës së errësirës, skëterrës, që vjen nga verbimi, por, më shumë e ndien frikën që përhapin regjimet totalitare. Në një atmosferë të pashpresë, autori e tërheqë lexuesin nga e bukura, ngaqë, duke folur për terrin, pra, për çsyzimin e njerëzve të dyshuar si sykëqij, në të vërtetë, ai flet për sytë, për dritën, për atë kandilin që rri ndezur përherë dhe i thërret njerëzit kah liria, andej kah e shpie në të vërtetë lexuesin kjo prozë e sofistikuar.

Kadare, në këtë roman, edhe njëherë na vë përballë pyetjeve esenciale: çfarë është vërtet bota në të cilën jetojmë, dhe, cilat janë raportet e pushtetit me njerëzit e një vendi apo me njerëzimin në përgjithësi?

Këto dilema, janë shtruara nëpër kohë të ndryshme, nga shkrimtarë, filozofë dhe njerëz të shquar të historisë, dhe janë tema të përhershme të letërsisë, e të cilat, te vepra letrare e Kadaresë, zënë vend të veçantë, dhe shfaqen në variante të ndryshme kuptimore: si kujtesë njerëzore, prej të cilës ai vjel përherë gjëra të bukura, që shëmbëllejnë me realitetin e vendit të tij, dhe gërshetohen me kontekstin kohor në të cilin u shkrua vepra e tij. Në të vërtetë, arratisja e autorit në histori, mite, me një fjalë, në të kaluarën e largët, të cilën nuk kishte si ta zotëronte ndokush, janë paradigma letrare, të cilat, atij i mundësuan ta formësonte dhe ta tipologjizonte botën autentike letrare, të mbështjellë me një pushtet të përtejmë; pushtet ky i cili ishte përtej mundësive mizore të tiranit dhe ai nuk kishte forcë ta mposhte dhe ta mbizotëronte, meqë bëhej fjalë për gjëra të përjetshme.

Kjo arratisje imagjinare, kësisoj, duket si strategji letrare që autori e ka përdorur, për t’i treguar lexuesit, për tmerret që u vijnë atyre nga tiranët, pikërisht siç ngjet në këtë roman, ku, madje tmerri bie edhe mbi Vezirin e madh, dhe, më këtë element letrar, Kadare tregonte se, pushtet sajojnë marrëzira, për të arsyetuar çmenduritë e tyre, duke thënë: “ja, pra, edhe të mëdhenjtë e pësonin njëlloj si të vegjlit.” Njësoj e pësojnë poetë dhe njerëz të pafajshëm, siç është rasti me poetin e shquar, Tasin Kurtogllu, të cilit i kërkohet llogari “për disa vargje që kishte botuar, si dhe për ca fjalë që kishte lëshuar andej-këndej me miqtë e tij.” Ndonëse, të gjitha akuzave, poeti u përgjigjet me jo, duke thënë se ato “ishin shpifje e trillime të sivëllezërve të tij smirëzinj”, ai për një fije qime i shpëton verbimit. Poeti, në fund përfiton nga “zemërgjerësia” e shtetit, i cili mjaftohet me qortim, fakt ky që nuk e kënaq turmën e zemëruar, që kërkon nga zyrtarët verbimin e tij.

Në romanin “Qorrfermani”, Kadare shkruan edhe njëherë për natën e errët shqiptare, për Perandorinë Osmane, ndërkaq, për subjekt ka një familje shqiptare, siç ngjet me romanin e madh, “Pallati i ëndrrave”, më të cilin ky roman ka një lidhje semantike dhe kuptimore.

Pra, në këtë prozë, Kadare rrëfen për një dekret të sovranit të perandorisë, për një dekret të madh, por që kishte emër të shkurtër, “Qorrferman.” Ky dekret absurd, i çuditshëm, por i tmerrshëm, arsyetohet kështu: “Meqenëse kohëve e fundit ishin shpeshtuar rastet e goditjes së syrit të lig dhe meqenëse sykeqoja (fjala ishte nxjerrë prej një fjalori të vjetër të shekullit gjashtëmbëdhjetë), kishte rrezik të kthehej në stihi të vërtetë, shteti, për të mbajtur po aq vetveten, sa edhe shtetasit prej këtij rreziku, detyrohej të ndërhynte me një sërë masash.

Nuk dënoheshin me vdekje, si dikur sykëqijtë, por vetëm u hiqej mundësia e krimit. Dhe kjo bëhej duke u hequr armën dëmtuese, që ishin sytë e ligj.

Pra, dekretohej nxjerra e syve të këtij të të gjithë atyre që do të vërtetohej se ishin të tillë.”
Por, pyetja e makthshme që shtrohet është si do të kryhet çsyzimi”

Dekreti, siç mund të kuptohet, ishte i makthshëm për të gjithë shtetasit e Perandorisë Osmane, të cilët ndodheshin përpara çsyzimit, pra, heqjes së syve. Dhe, si çdo dekret i madh, edhe ky kishte format e manifestimit dhe të ekzekutimit. Pra, ishin përcaktuar edhe mënyrat e nxjerrjes së syve: “bizantino-veneciane (me hekur me dy gjilpëra), tibetianen (me shtypje gurësh mbi zgrof për të shkaktuar daljen e kokërdhokëve), mënyra vendase (me thartirë gërryese), romano-kartagjenasen (me tepri drite) dhe atë europiane (me mungesë drite)”, ndërkaq, për të gjithë ata që lajmëroheshin vetë, kishte lehtësira.
Përballë një atmosferë të tillë, njerëzit janë të trullosur, të humbur, të trishtuar dhe të pushtuar nga frika. Në të vërtetë, efekti i parë i këtij dekreti mizor ishte mbjellja e frikës, pra frika nga shteti. Kadare këtu luan mjeshtërisht me logjikën si funksionojnë tiranët dhe pushtetet e tilla, pushtete që ngulitin frikë te qytetarët, përmes formave të ndryshme të përhapjes së terrorit, siç ngjet në këtë roman. Autori kështu e përshkruan frikën:

“Një gjë e njohur, disi e harruar që prej vjetësh, nisi të notonte në erë: frika. Ishte një frikë e veçante, fare e ndryshme nga ato që përftonin sëmundjet, kusarët, fantazmat apo vdekja: frika prej shtetit. E akullt, pa përmasa, me një zbrazëti të madhe tejpërtej, por që mbushte megjithatë gjithçka, ditë për ditë e orë pas ore, ano nisi të përfshinte në qerthullin e saj qindra-mijëra njerëz.”
Dekreti për të cilin rrëfen Kadare, natyrshëm dhe habitshëm, shkakton pasiguri, konfuzion, ndjenja ankthi dhe tmerri, dhe krejt këtë tendosje, shkrimtari e përshkruan, duke rrëfyer në dy nivele: efektet e tij të jashtme, ato që janë publike, dhe ato që ndodhin në një familje shqiptare, që janë personale, dhe lidhen me familjen e Aleks Urës.

Në mënyrë që të arrinte efektin plotë ky dekret, duhej një fushatë e menduar mirë. E përgatitur mirë, dhe ku përfshiheshin të gjitha instrumentet e shtetit. Fushata kundër sykeqojës zhvillohet shpejt, furishëm, dhe, efekti i vërtetë ishte, se “flitej hapur për larje llogarish dhe luftë për pushtet midis klaneve politike.” Kjo atmosferë kaq e tendosur, me të gjitha karakteristikat e veta, lexuesit i duket sikur ka ndodhur në Shqipërinë totalitare dhe me personazhe lehtë të identifikueshëm. Të duket sikur verbimi për të cilën rrëfehet është ai i kohës së shkrimit, dhe, ç’mund të bënte më shumë një shkrimtar, që nuk i shpëtonte syrit të diktatorit, sesa të arratisej në histori dhe të tregonte ferrin osman dhe kështu, analogjinë për ferrin komunist.

Ky roman, ashtu sikurse “Pallati i ëndrrave”, dhe shumë romane tjera, duke përftuar nga e kaluara e shqiptarëve nën pushtimin osman apo ajo e popujve tjerë, flet për portat ferrit, përpara të cilëve ndodheshin të gjithë, dhe brenda të cilit mund të përfundonte secili që vihej në kurthin e syrit të sovranit, që vëzhgonte çdo gjë dhe çdo kënd, me syrin e tij të mbrehtë dhe shpatën e tij të gatshme dhe mizore për të goditë në çdo kohë. Ndërkohë që kjo furtunë e sovranit bënte punën e vet, “një valë spastrimesh, që të gjithë e ndienin se ishte e fundit, kishte përfshirë gjithë shtetin. Njerëzit s’mendonin veçse si të shpëtonin nga kjo valë, e cila, ngaqë ishte e fundit, ngjante edhe më e hidhur.”
Si në të gjitha vepra te mëdha letrare, edhe në këtë roman, lexuesi ndeshet me dritën dhe errësirën, me pushtetin e frikës dhe të dashurisë së njerëzve për jetën, rrjedhimisht, për dritën. Por, fatet e njeriut dhe të një kombi, shteti, perandorie, në regjime të egra, përcaktohen nga çmenduritë e sovranit. E ky mund të jetë një tiran i kohëve të lashta apo i kohës së autorit, që rri në qerthullin e vet dhe nuk brengoset për njerëzit, për ata që bien në pusitë e jetës. Dhe, pikërisht të drejtëve, të mirëve, ua prishë ëndrrat, siç ngjet me dy personazhet kryesorë të këtij roman, Marie Urën, dhe të fejuarin e saj, Xheladini, të cilët, teksa po përgatiteshin të fluturonin në qiejt e lumturisë, përpara u shfaqet qielli i zi, i cili, ua errëson ëndrrat, të ardhmen, shpresat, dhe përfundimisht i hedh në humnerë.

Këtë dramë të thellë njerëzore, sidomos momentin kur Maria e kupton nga i dashuri saj se, është pikërisht ai në radhën e atyre që duhet të verbohet, shkrimtari e përshkruan duke përshkruar gjendjen shpirtërore të tyre, por edhe kontekstin politik:

-“Po përse? Përse?- gati s’klithi ajo.

Vështronte sytë e tij me atë rrjetë të imët bojë hiri, si të kërkonte në të vjegën që mund të kishte shërbyer si fillim i së keqes.

-Ti pyet përse, -tha ai, duke shkaktuar në fytyrë një nënqeshje të hidhur.- Nuk po e fus veten ndër sytë e ndritur, ata që shohin më qartë dhe më larg, në të ardhmen, dhe që janë të padëshiruar për çdo pushtet tiranik.

O Zot, mendoj ajo. Babai i saj një mbrëmje i kishte thënë pothuajse të njëjtat falë.

-Pra, nuk e fus veten në radhën e mendjeve të ndritura, -vazhdoi ai.-Megjithatë, ka një arsye që sytë tanë duhet të zhbëhen, zhdukja e gjurmëve.

-Si? Nuk të kuptova-thotë ajo.

-Është e thjeshtë,- u përgjigj ai.-Ne jemi dëshmitarë të shumë gjërave që duhet të harrohen.

-Kush ju?-pyeti ajo.

-Ne që gjer dje kemi shërbyer ne komisionet e verbimit. Sytë tanë anë parë shumë gjëra që s’duhet t’i shinin, më kupton?”

Pra, “Qorrfermani”, pasi mbërrin efektin, dhe komisionarët kryejnë punë e përcaktuar nga lart, një ditë, vetë ata duhet të zhdukën, që të zhdukën gjurmët.

Ironia me të cilën autori e qesëndis këtë ferman, përshkruhet në faqet e fundit të librit. Pasi që dekreti pushoi së ekzistuari, njerëzit më nuk kishin makth e lemeri prej tij, atëherë, për të gjithë të prekurit prej tij u shtura një, “Dreka e pajtimit.” Ajo u “shtrua në sallën mbretërore të kuajve, ndërtesë që mund të nxinte tryeza për mijëra të ftuar.”

Ç’ironi therëse, ofshan lexuesi!

Të verbëritë vërshuan nga të gjitha anët drejt ngrehinës. Pa dyshim, në këtë drekë ka fjalime, ku zyrtarët me patos flasin për të mirën e shtetit, por kulmi është momenti kur lexohet letra e sovranit, i cili fton të gjithë të harronin ç’kishte ndodhur e t’i mbeteshin besnik shtetit.

Kur të mbërrin në këto faqe, lexuesi e ndien peshën e madhe të absurditetit të veprimeve të tilla, situata këto që i përjeton në çdo kohë.

Kadare, përmes kësaj proze, tregon se, të gjithë tiranët e të gjitha kohërave, përndizen nga dëshira që të bëjnë zullum, të pastrojnë terrenin nga “sykëqijtë”, prandaj, të tillëve, të çmendur, nuk duhet duartrokitur.

Kadare, në këtë libër, lexuesit i flet për Perandorinë Osmane, sovrani i të cilit, me një pushtet të pakufizuar dhe të pakontrolluar, donte do të pastronte botën nga sykëqijtë. Në të vërtetë, lexuesi i kultivuar, këtu e ndien realitetin universal, dhe nën petkun e sovranit, sheh dhjetëra tiranë tjerë të kohëve dhe kombeve të ndryshme. Secili lexues, kur të përfundojë romanin, e kupton ç ‘lemeri shkakton totalitarizmit, të cilin autori e përshkruan përmes ikjes në kohë dhe hapësirë, dhe me një nëntekst të sofistikuar, për t’i dhënë status universal.

Natyrisht, si në gjitha rrëfimet letrare, këtu ka intriga, mashtrime, trille, habi, dhe lojë të pafund. Kadare me virtuozitet dhe me stil elegant e përshkruan dramën e personazheve të tij, në një atmosferë mjegullnaje e zymtësie, ku secili mund të mendonte për tjetrin: po sikur ai të dyshonte te unë. Dhe kjo mjaftonte që ai të verbohej. Pra, në këtë atmosferë, “askush, përveç të verbërve, nuk ishte i sigurt se mund të ndodhej jashtë veprimit të dekretit, dhe siç e kuptuan shumë shpejt të gjithë, këtu mbështetej pikërisht fuqia hijerëndë e Qorrfermanit”,–shkruan Kadare.

Shkrimtari, me nota tejet delikate dhe njëkohësisht lirike, e përshkruan dramën në familjen e Aleks Urës, aty ku vajza e tij, Marie Ura, përgatitej të martohej me Xheladinin, zyrtarin turk.
Maria është një personazh fantastik. Plot jetë dhe gjallëri, ajo përshkruhet si vajzë e dëlirë, e çiltër, plot hire dhe pa kurrfarë hezitimi noton nëpër ujërat e ëmbla të seksit, ndonëse ende e pamartuar. Skenat që përshkruan autori përbrenda mureve të shtëpisë së saj, janë peizazhe mahnitëse letrare. Maria, mbyllet në dhomën e vet, zhveshët dhe me orë të tëra provon të brendshmet e saj para pasqyrës, dhe kur ka fatin të ketë të dashurin aty, provon ëmbëlsinë e seksit, si një ndjenjë fisnike njerëzore. Ajo e pasionuar, nuk ëndërron për asgjë tjetër, nuk çan kokën për politikë, pos që, pret të martohet dhe të rri me orë të tëra me burrin e saj e zhveshur, siç ka dëshirë. Por kjo ëndërr i këputet, sepse burrit të saj të ardhshëm, pak kohë para se të martoheshin, i jepet vendimi që të çsyzohet, pra atij do t’i hiqen sytë, do të verbohet. Drama është e madhe, e pamatshme, e papërshkrueshme, është dramë e shpirti të tronditur, që, duke ëndërrua qiejt e lumturisë, përnjëherë bie në skëterrë. Skenat që jep Kadare në roman, lexuesit i mbesin gjatë në kujtesë. Sidomos, momenti tejet tragjik, kur Maria, në kulmin e kënaqësisë, e kupton se kështjella e saj po shembet.
Xheladini është personazh tragjik, që ka fatin e qindra e mijëra viktimave të sistemit. Ai i duhet sistemit për t’i zhdukur gjurmët, prandaj duhet të dënohet. Lexuesi ndien dhimbje për të, si dhe me fatin e tij, që rrëzohet përtokë.

Romani “Qorrfermani” është shkruar me mjeshtëri, ku përshkruhet me nota dramatike pushteti i frikës që buron nga tirania, por aty ndeshim, gjithashtu, pushtetin e dashurisë së madhe, dhe të heshtave vdekjeprurëse që i godasin atë. Vetëm një mendje gjeniale, si ajo e Kadaresë, me një talent të pashoq, ka mundësi që me kaq mahnitje, tension, pasion, dhe dhimbje, të krijojë një roman kaq dridhmues dhe njëkohësisht, të shkruar kaq bukur.

Autori, edhe në këtë roman, siç ngjet në shumicën e veprës së tij, ka provuar suksesshëm fuqinë e epërme të letërsisë, si gjuhë dhe mendim, për të treguar ekzistencën tonë dhe sfilitjet përballë pushtetit dhe formave të tij të egra, kur ai stërkeqet dhe tenton të kontrollojë gjen më të çmuar të njeriut: lirinë.

Letërsia e Kadaresë përpara lexuesit shfaqet si hapësirë e pafundme ëndjesh e ardhjesh. Autori e arratisë lexuesin në histori dhe e rikthen në aktualitet, përmes fuqisë së rrëfimit, letërsisë, dhe veprave të shkruara me sqimë dhe gjenialitet. Vepra e tij shfaqet si zbulim mahnitës, ndërkaq, shkrimtari, me erudicion letrar, përherë arrin t’ia paraqesë lexuesit një botë të veçantë, me bukurit dhe shëmti dhe ku kufijtë e të mundshmes dhe të pamundshmes, shfaqen e zhduken, si portat e ferrit dhe të parajsës. Pa dyshim, nëpër këso labirinte artistike, mund të shpie vetëm imagjinata e një shkrimtari pa caqe gjuhësore dhe me imagjinatë pa kufij.

Kadare, ndër dhjetë autorët e rekomanduar nga gazeta angleze

Revista angleze “Calvert Journal” ka botuar listën e dhjetë shkrimtarëve që rekomandohen për tu lexuar e që vijnë nga Ballkani.

Me ndarjen e Jugosllavisë, siç shkruan Hannah Weber për CJ, u shkaktua lëvizje edhe në identitetin e Ballkanit, por kjo sidoqoftë ka ndihmuar në lulëzimin e një letërsie bashkëkohore në këtë anë të kontinentit evropian.

Ajo ka rekomanduar dhjetë autorë nga Ballkani që duhet lexuar, duke nisur nga elegjitë për Kosovën deri te mitet pagane ballkanike. Kësaj liste nuk i mungon shkrimtari Ismail Kadare, dhe sidomos libri “Tri këngë zie për Kosovën”.

Krahas Kadaresë, në listë janë edhe Dubravka Ugresic nga Kroacia, Ioana Parvulescu nga Rumania, Miroslav Penkov nga Bullgaria e Herta Muller nga Rumania, mes të tjerëve, shkruan KultPlus. i Kadaresë përbëhet nga tri tregime: Lufta e vjetër, Zonja e madhe dhe Lutje mbretërore. Të tria këto tregime bëjnë fjalë për betejën e Kosovës më 1389./ KultPlus.com

TO GO WITH STORY BY LAURENT LOZANO
Albanian novelist Ismail Kadare gestures during an interview with AFP on February 8, 2015 in Jerusalem. Born in 1936 in the Albanian mountain town of Girokaster, Kadare has won a number of prestigious prizes including the first international Man Booker Prize in 2005. AFP PHOTO/ GALI TIBBON

Si e shpëtoi pikturën e Maks Velos nga djegia Ismail Kadare

Në parathënien e librit “Jetë paralele”,libri me dosjen sekrete të përndjekjes nga Sigurimi i Shtetit të Maks Velos (UET PRESS), Alda Bardhyli tregon për historinë e një pikture të Maks Velos që mundi t’i shpëtojë sekuestrimit apo djegies, pasi u ruajt me kujdes nga familja Kadare.

Kadarenjtë e fshehën në dhomën e gjumit. Ky është një rast unikal në historinë e vendeve komuniste kur një shkrimtar ndihmon një artist duke i fshehur pikturat. Dihet miqësia e hershme që Kadare ka pasur me Velon.

Krijimtaria e Velos piktor ndahet në dy periudha: atë nga fillimet deri në vitet 1978 (kur i sekuestrohen dhe digjen nga policia me vendim gjykate 249 vepra të ndryshme arti) dhe periudhën pas viteve ’90, që është më e pasura për sa i përket krijimtarisë jo vetëm në pikturë, por edhe letërsi, studime e skulptura.

Periudha e parë fatkeqësisht nuk njihet, për shkak të eliminimit fizik të veprave të cilësuara nga pushteti komunist i kohës si “dekadente”, “me ndikime të artit perëndimor”, vepra të cilat u bënë dhe aktakuza kryesore e dënimit të Velos me 10 vjet heqje lirie.

Në këtë libër ne kemi bashkangjitur disa nga fotot e veprave të fotografuara në hetuesi, më pas të djegura në kaldajën e Gjykatës së Tiranës nga Ruko Sako, me urdhër të kryetarit të gjykatës, Viktor Konomi.

Nga ky koleksion kanë shpëtuar disa vepra që artisti ia pat dhuruar mikes së tij franceze, Odile Daniel dhe një vepër e ruajtur në familjen Kadare. Bëhet fjalë për veprën “Vallja labe” që çifti Kadare e vendosi në dhomën e gjumit për ta ruajtur për gati 20 vjet.

Vetë Kadare e shihte këtë vepër si të bukur e dramatike, duke parë aty reflektimin e një bukurie që arrinte të sfidonte dhe frikën e një bastisjeje që mund t’ia behte nga momenti në moment. Ky është një rast unikal në historinë e vendeve ish-komuniste, kur një shkrimtar mbron një artist duke i strehuar veprën në shtëpinë e tij.

“Ndonjëherë mendoja në duhet t’ia ndryshoja emrin, pasi do të ishte më e lehtë për ta ruajtur dhe emri i tij Velo mezi dallohej”, do të kujtonte Kadare kohë më parë teksa e pyeta për këtë histori”, shkruan Bardhyli, shkruan gazeta-shqip.com /KultPlus.com

Kur Kadare pyeste Pjetër Arbnorin: A dashurohet i burgosuri me qelinë?

Nga Edison Ypi

Zoti Pjetër, iu drejtua Ismail Kadareja, Pjetër Arbnorit gjatë një vizite në shtëpinë e Kadaresë ku veç Arbnorit ndodhesha dhe unë e ca të tjerë, a është e vërtetë se pas një kohe të gjatë në burg, i burgosuri dashurohet me qelinë ?

-Po udhëtoj nëpër botë, tha Arbnori, po shoh qytete të kristalta, grataçiela marramendës, autostrada si gjarpërinj të zinj kilometrikë, ura të varura të bukura si nëpër ëndrra. Po vizitoj ekspozita dhe muzeume të arteve figurative me vepra madhështore me tu mbush trupi me mornica. Por rrëqethja estetike që nuk më shqitet asnjë çast nga mendja; betoni i mureve të qelisë me pllanga gjaku të tharë, fije flokësh të ngjitur, copa lëkure ngecur nëpër plasatitje, gërvishtje nga prangat dhe goditjet, është kryevepra e kryeveprave. Po, i burgosuri dashurohet me qelinë./ KultPlus.com

Ismail Kadare tmerrohet me lajmin e rremë (FOTO)

Shtëpia botuese Onufri dje përgënjeshtroi me vendosmëri një lajm të rremë për shëndetin e shkrimtarit Ismail Kadare, përcjellë KultPlus.

“Jemi të autorizuar të njoftojmë të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen, se Kadare gëzon shëndet të plotë dhe për momentin ndodhet në rezidencën e tij verore në Malin e Robit, Golem, Durrës”, u tha në njoftimi e tyre, të cilët po ashtu treguan edhe për librin e ri të Kadaresë, “Kur sunduesit grinden”, i cili do të dalë në Panairin e Librit të Tiranës.

Ndërkohë, është publikuar edhe një fotografi nga Beti Njuma, ato moment kur Ismail Kadare ka lexuar këtë lajm të rremë.

“Një njeri i papërgjegjshëm ka përhapur këto orë lajmin se Ismail Kadare është shtruar në një spital të Parisit në gjendje të rëndë shëndetësore. Botuesi i tij Bujar Hudhri e hedh poshtë këtë fake neës duke konfirmuar se shkrimtari ynë i madh është si kokrra mollës. Jetë të gjatë Ismail Kadaresë dhe një porosi për kolegët që nxituan të botojnë “lajmin”: verifikoni pastaj publikoni!
Ja! Edhe Ismaili vetë shqeu sytë”, ka shkruar Beti Njuma./ KultPlus.com

Kadare është shëndosh e mirë, ja në cilin libër është duke punuar

Shtëpia botuese Onufri përgënjeshtron me vendosmëri një lajm të rremë për shëndetin e shkrimtarit Ismail Kadare, përcjellë KultPlus.

Jemi të autorizuar të njoftojmë të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen, se Kadare gëzon shëndet të plotë dhe për momentin ndodhet në rezidencën e tij verore në Malin e Robit, Golem, Durrës.

Kemi rastin e lumtur që t’ju bëjmë me dije lexuesve të tij të shumtë, se Kadare është në përfundim të librit të tij më të ri “Kur sunduesit grinden”, i cili do të dalë në Panairin e Librit të Tiranës./KultPlus.com

Shkëmbi i Princeshës Argjiro

Kalaja e Gjirokastrës dhe legjenda e princeshës Argjiro që e kujtojmë të gjithë përmes Ismail Kadares.

Princesha Argjiro është sundimtarja e qytetit të Gjirokastrës gjatë shekullit XIV. Pas vdekjes së burrit, Princesha Argjiro lufton me turqit kur ata e rrethojnë kalanë e Gjirokastrës, mirëpo njeri truprojë e tradhton ndaj ata futen në kala. Për të mos rënë e gjallë në duart e turqve, u hodh nga kulla më e lartë e kalasë bashke me djalin e saj foshnje dhe u copëtua mbi një shkëmb. Mirëpo foshnja sipas legjendës mbeti gjallë.

Princesha me djep në krahë
U vërvit nga kulla poshtë…
Dallëndyshet i ke parë
Kur mësojnë vjeshtës zogjtë?
Rrugën e parë në jetë
Me foshnjën bënte princesha.
Në qiell t’atdheut përpjetë
Ajo mbeti, e varur peshë.
Ajo bije e nuk po bije,
Një shami në hapësirë.
Pezull mbi shekujt me hije
Si ëndërr e bardhë ka ngrirë.

(Fragment nga libri Princesha Argjiro-Ismail Kadare)./KultPlus.com

Rrëfimi i Kadaresë, nga raportet me nënën tek dëshira për martesë në moshën 12 vjeçare

Janë thuajse të pangjashme ato raste, kur një shkrimtar flet pa dorashka për nënën e vet. Jemi mësuar zakonisht me figura të ëmbla, të dhembshura, të sakrifikuara.. Shumëkush është përpjekur ta tregojë shumë më shumë nga ç’ka qenë në të vërtetë, edhe pse me gjasë asnjëherë nuk ka një kut matës në atë ç’ka është nëna për ty.

E megjithatë, Kadare flet ndryshe.. Tek e fundit, ashtu si ka bërë në gjithë sa ka shkruar përgjatë gjithë karrierës së tij si shkrimtar. “Kukulla” është shembulli i përshkrimit të tjetërllojtë për figurën e nënës.

Një nga ato raste që janë të rralla, jo vetëm për letërsinë shqipe, por edhe në atë botërore. I tillë, i pangjashëm me një të dytë, është edhe rrëfimi i tij, në një bisedë konfidenciale me drejtuesen e Departamentit të Letërsisë në Fakultetin e Histori-Filologjisë, Lili Sula. Si vjen “Kukulla” në letërsinë shqipe dhe cila ishte marrëdhënia e shkrimtarit me të ëmën.

ISRAEL-ALBANIA-LITERATURE-NOBEL-KADARE

LILI SULA

“Kukulla” është një nga rrëfimet më delikate e mbresëlënëse të prozës suaj. E botuar më 2014, në “Mëngjeset në kafe Rostand: motive të Parisit”, romani u publikua shumë shpejt si libër më vete e më pas në frëngjisht, italisht, spanjisht etj., duke tërhequr vëmendjen e lexuesit dhe të kritikës. Po, çfarë është “Kukulla” për ju?

Për “Kukullën”, në radhë të parë, nuk u nisa të jap ndonjë risi për figurën e nënës në letërsi, se figura e saj në letërsi, duhet pranuar, është ndoshta konceptuale, si shqetësim i shkrimtarëve, si dëshirë për të shkruar, si romantikë, si gëzim ose hidhërim ndonjëherë, në rastet kur ata kanë pasur marrëdhënie jo fort të mira me nënat. Në këtë kuadër, do të thoshim se është e njohur marrëdhënia që shkrimtarët kanë me nënat e tyre.

Pothuajse të gjithë kanë qenë të prirur që të shkruajnë për to, madje edhe në rastet kur marrëdhëniet mes tyre nuk kanë qenë edhe aq të mira, siç e përmenda më lart. Po, kjo çuditërisht është e vërtetë! Për këtë kam shkruar hapur edhe unë. Nga shkrimtarët modernë që kanë shkruar për marrëdhëniet jo të mira me nënën do të përmendnim, për shembull, Xhek Londonin, i cili kishte një acarim të vazhdueshëm me nënën e tij. Biografitë profesionale e përmendin këtë, madje e pranonte edhe vetë shkrimtari. Edhe Balzaku kishte një marrëdhënie jo të mirë me nënën, – jo deri në këtë shkallë, – por edhe ai ka shkruar hapur për të. Nëna e Balzakut e qortonte: – Ti s’di të shkruash! – Ti je dështak! E si mund të imagjinohet kjo! Përse nënat nganjëherë, me bijtë e tyre, shkrimtarë gjenialë, të tërë të talentuar, të silleshin në këtë mënyrë?! Tek-tuk mund të qëllonte që biri të sillej keq me nënën, pa ndonjë arsye.

Pra, është vështirë të gjenden në letërsi rastet kur bijtë silleshin keq me nënat e tyre. Arti i nxiste ata që të shkruanin të vërtetën. Po shtroj një pyetje në lidhje me këtë gjë: A kërkon letërsia botërore apo morali botëror, apo kurioziteti kulturor botëror në përgjithësi, të vërtetën apo të pavërtetën për nënën? Kjo është një pyetje naive për letërsinë. Letërsia nuk merret me kërkesa të tilla. Ajo s’ka nevojë për asgjë nga këto. Nuk ka nevojë as për nënë, as për babë, as për nip, as për mbesë [qesh]…

Letërsia është letërsi dhe mbetet e tillë. Ajo ka nevojë për vetveten. Fakti tregon se letërsia e madhe, ajo botërore, shpreh vetveten. Letërsia ka ligjet e saj. Dhe, mbi të gjitha, bukuria dhe hyjnia e saj e brendshme është ajo çka të nxit, prandaj unë nuk u nisa të jap ndonjë të vërtetë për nënën. – Jo! Kam sjellë ndër mend nënën time, me një intuitë letrareartistike. Kam kuptuar se figura e saj të jep dorë për letërsi. Figura e nënës sime ishte e pazakontë e kjo më ndihmoi. Po të mos ishte ashtu, nuk do të shkruaja fare për të, por do ta krijoja vetëm në mendjen time.

Ato të dhëna që kam gjetur te nëna ime ishin të tilla… Thuajse nuk e kam përmendur fare nënën në veprën më përpara. I shmangesha gjithmonë përshkrimit të saj. I shmangesha se e ndieja që donte një sqarim kjo gjë; për të thënë të vërtetën e saj. Për shembull, për gjyshen kam shkruar me shumë dashuri, gjithashtu, edhe për gjyshin nga nëna, babazotin, po ashtu edhe për ungjërit, tezet, për të gjithë…

Domethënë, vetiu e kam shmangur gjithmonë nënën, se ishte e komplikuar për t’u shkruar; ishte jashtë skemave. Siç thashë, kjo nuk është e rëndësishme për letërsinë, pra që të shkruaj si ishte nëna ime. Fundja, janë çështje private. Nuk është parim ky. Por është një rastësi në jetën e shkrimtarit. Fillova të shkruaj për figurën e saj të komplikuar se është bukur për letërsi. Nëna ime, Hatixhe quhej, ishte e lindur për letërsi, me atë mendjen e saj të kufizuar. Unë e kam thënë, pa e fshehur, që s’ishte as e zgjuar shumë e as e pazgjuar [qesh]. Ajo e dinte këtë, e pranonte. Dhe ne bënim humor me të. Ajo ishte e tillë që përjashtonte skemën: nënë e mirë ose nënë e keqe; nënë e kujdesshme ose e pakujdesshme. I përjashtonte këto të gjitha. Do të shkruaj thashë. Në këtë rast nuk kam ndonjë tjetër shtysë sesa të respektoj letërsinë, jo nënën, as familjen.

Mund të na veçoni ndonjë prej shkrimtarëve botërorë, që ka lënë gjurmë te ju, në qendër të veprave të të cilëve është figura e nënës?

Plot kam lexuar. Nuk ka vepra kush e di se çfarë për nënën. Ka edhe libra ku trajtohet nëna me tone paksa groteske… Ja, përse e kam marrë zët “Nënën” e Gorkit. Është thuajse e neveritshme! Nëna e tij jepte vetëm këshilla revolucionare. Gorki ishte shkrimtar i madh, të themi të drejtën. Po, si ka rënë ai në këtë personazh?! Nëna e tij qe model për revolucionarët e rinj. Prandaj edhe për letërsinë tonë, ajo [‘Kukulla’] është një arritje. Është një pjekuri që nuk pritet nga një vend ballkanik. Pritej nga Balzaku, për shembull, që të shkruante diçka për nënën, diçka jo të mirë, negative. Por nuk shkroi, vetëm la tek-tuk ndonjë kujtim. Po nëna e Xhek Londonit? Hapi furrë buke vetëm për të turpëruar të birin. Ai filloi të bëhej i pasur nga botimet, ndërsa ajo donte t’i fitonte vetë të ardhurat, kështu u bë furrtare. Siç janë të mira nënat, janë edhe të këqija ndonjëherë. Dhe mua Zoti më dha, si të thuash fati, një nënë që nuk më detyronte as nga njëra anë e as nga ana tjetër që të shformoja gjurmët.

Si mendoni, a përkon titulli “Kukulla” me pjesën e pazakontë të një nëne të çuditshme, pak koketë e artificiale?

Po, e ka këtë lidhje me kukullën si krijesë artistike, artificiale. E kam thënë se ishte pak artificiale si njeri, në kuptimin që nuk ishte e zakonshme. Dhe, në të vërtetë, është një Kukull krejt e veçantë dhe pikërisht këtu qëndron origjinaliteti i saj. Është e thjeshtë! Nëna ime ka vdekur vonë; njëzet vjet pas babait. Dhe më kujtohet, ishte shumë naive. Kishte vërtet një naivitet të theksuar e gati të tepruar. Vuante se mos nuk e merrnim seriozisht. Dhe mirë e kishte, se nga naiviteti thoshte gjëra që të vinte për të qeshur. Ishte gati si fëmijë… Babai im ka qenë i pashëm, ndërsa nëna ka qenë grua e mesme. Në tërë këtë konceptim duhen thënë gjërat që janë… Vërtet lexuesit mund të shfaqin habi për nënën time. E vërteta është se ishte naive, tepër naive, për këtë, jo vetëm babai, por edhe ne, si të thuash, e vinim në lojë. Mospëlqimi i familjarëve për mënyrën se si e kam përshkruar nënën erdhi pa dramaticitet.

Në letërsinë bashkëkohore, “kukulla” luan rolin e çelësit modern në interpretimin e rrëfimit. Po te ju, si vjen ajo?

Vetë figura e saj, e kukullës, është moderne. Një çelës që të kujton njeriun, sendërgjimin e tij. Është ai a s’është ai. I shkon letërsisë, për të thënë se i shkon shumë bukur. Dhe për çudi, ne kështu e perceptonim, edhe fëmijët e mi, si një kukull. Lozte rolin e kukullës edhe me vajzat. Ndoshta nga kjo e lidha edhe në subkoshiencë. Vajzat e mia i vinin tela, ajo rrinte, se ishte e durueshme dhe e urtë. – Nëna rri kështu tani, – dhe ajo rrinte. Ato e zbukuronin, e kur vinim ne ajo thoshte: – Ç’të bëj unë, më vjen keq t’ua prish vajzave. Kështu ishte tipi i saj [qesh].

Ishte naive. Ajo donte, në kuptimin, i pëlqente dhe ëndërronte të bëhej e famshme, me naivitetin krejt si të fëmijëve, të cilët duan të bëhen mbreti/mbretëresha ose princi/princesha. Ngaqë dëgjonte që unë u bëra i famshëm, me sa duket e ngacmonin gratë dhe me mendjen e saj fare naive mendonte se ç’bëjnë shkrimtarët. Kisha shkruar diku që shkrimtarët e famshëm ndërrojnë nënat, si ndërrohen gratë [qesh]. Nëna ime kujtonte se kjo mund të ndodhte me të vërtetë [qesh]. Nuk e dinte! Dinte ndërrimin e grave, më vonë, që martoheshin e rimartoheshin…

Mirëpo, si të ndërrojë njeriu nënën?! [qesh] Po ishte aq naive, saqë arrinte ta besonte këtë. Me siguri e nxiste fakti që unë isha i dëgjuar, shumë i dëgjuar, dhe ajo e përjetoi këtë gjë; e shijoi si të thuash. Ia thoshin të gjithë: djali yt është i dëgjuar, i famshëm. Dhe i pëlqente që të trajtohej si nëna që ka lindur një fëmijë të famshëm, por edhe këtë e shprehte me naivitet. Gjatë shkrimit të “Kukullës” doja që ajo të më koincidonte me një përfytyrim të bukur të nënës dhe thuajse të gjithë e kanë kapur këtë sens origjinal.

Thënë ndryshe, më nxiti edhe ana e saj artificiale, çka thashë, ana prej manekine, më ndihmoi ai gjaku i saj që ishte pak i ngrirë, në kuptimin statik. Më falte atë përjetësi. Afër statujës. Diçka origjinale që më ka shkuar në mendje është, se më dukej që ajo pagoi një taksë për mua. Pati një mendje të thjeshtë. Nuk do ta besonte njeri që një shkrimtar që quhet i shquar, i madh, e ku e di unë, të ketë një nënë kaq naive e të pamençur, të flasim realisht.

Nga ana tjetër, ju e keni sofistikuar e modernizuar figurën e saj, duke përmbysur gjithë imazhin e nënës në letërsinë tonë.

Mirëpo, e pranoi publiku botëror. E kam vënë re, se ka me qindra artikuj për të. Askund nuk ka diçka jo të mirë ose si të thuash një negacion për të. Përkundrazi, çmohet! Është një nënë e vërtetë dhe e pavërtetë, një nënë e vërtetë për letërsi. E sakrifikuar për letërsinë. Kam përshkruar Izmini Kokobobon, jo vetëm në këtë vepër, por edhe në vepra të tjera, kështu e kishte emrin në të vërtetë.

Ajo kishte studiuar në Itali. Nëna ime pati një rivalitet të hapur me të. Izmini e ngacmonte dhe krijonte situata humori në shtëpinë tonë, duke i thënë: – Ti je nëna e një shkrimtari të famshëm. – E, ashtu jam!, – ia kthente nëna, por me të e kishte si me inat, si të thuash. – Po si nuk del të flasësh në ndonjë konferencë…, – vazhdonte Izmini. Nëna qëndronte pa folur dhe vetëm e dëgjonte, sepse nuk arrinte ta kuptonte a e kishte me të vërtetë apo jo. Unike, në letrat tona, figura e Kukullës-nënë, krijim i fantazisë dhe i kujtesës, që tkurr format trupore për t’i lënë vend lehtësisë së grafikës me tone karikatureske e portretit të zbrazët. Po! E vërtetë është. Nëna ime nuk ishte trupore, njerëzore. Unë nuk e mbaj mend, për shembull, dhe e them me të vërtetë këtë, nuk e mbaj mend ta shihja të hynte ose të dilte nga tualeti. I shmangej kësaj. Por jo vetëm kësaj… Kaq shumë përjashtohej ana trupore tek ajo. Është e çuditshme! Kishte një prudencë, një vetëpërmbajtje, në kohën që unë nuk isha ndonjë i turpshëm [qesh]…

Siç e përmendët, janë të njohura dy forma kryesore marrëdhëniesh mes fëmijëve, (shkrimtarëve të famshëm) me prindërit e tyre. Ç’mund të na thoni për rolin e kujtesës në sendërtimin e Kukullës-nënë?

Është një nga pakënaqësitë e mia! Kam edhe pakënaqësi të tjera, për të cilat kam shkruar edhe gjetkë, siç janë, për shembull, bisedat e tyre në mëngjes, të cilat nuk më pëlqenin fare, për arsye thjesht egoizmi. Mendoja se ata duhet të mendonin të më martonin mua [qesh], e jo të flisnin për ato gjepura; jo nuk na dalin paratë, jo kështu e jo ashtu… Në të vërtetë, unë kisha marrëdhënie të mira me prindërit. Babai dhe nëna ishin njerëz krejt të kundërt. Babai (Haliti) ishte serioz e i heshtur. Kur kam shkruar se babai bënte gjyqe në shtëpi, nuk është trillim, por e vërtetë. Babai im ishte ftues gjyqi. Ftues gjyqi është postier i gjyqit, postier special që dërgon dokumentet gjyqësore.

Pra, ishte një postier i besuar. Një pjesë të kohës e kalonte në sallën e gjyqit. Tërë jetën ka dëgjuar sekrete gjyqësore, që janë të pafundme në një qytet si Gjirokastra; sekrete intime nga ndonjëherë, sekrete që kishin lidhje me trashëgiminë, me tradhtinë bashkëshortore, me tapitë, me ndarje pasurish e të tjera si këto. Ai nuk tregonte asgjë lidhur me to. Ishte institucional, respektonte shtetin, ashtu siç ishin burrat gjirokastritë në përgjithësi.

E siç po thosha, bisedat e tyre të mëngjesit ishin përgjithësisht për anën ekonomike, por unë e kisha mendjen se si nuk më martojnë, të mendojnë për martesën time. Isha dymbëdhjetë–trembëdhjetë vjeç dhe doja të martohesha [qesh]. Të gjithë ne të vegjlit ishim me ëndërrime të tilla. Ëndërronim si është trupi i femrës dhe thoshim ç’bëjnë këta prindërit tanë, duhet të mendojnë të na martojnë [qesh]. Ishim idiotë nga mendja. Ka sinqeritet [te ‘Kukulla’], por kryesorja është që kam respektuar artin. Kam gjetur një personazh në familjen tonë, që ishte e lindur për letërsi, shkruan Panorama./ KultPlus.com