Karateistja Rinesa Osmani fiton medaljen e artë në grupmoshën juniore në Venecia të Italisë

Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, priti dje karateisten Rinesa Osmani, pas suksesit të arritur në Ligën e të Rinjve, të mbajtur në Venecia të Italisë, përcjell KultPlus.

Rinesa fitoi medaljen e artë në grupmoshën juniore (-59 kg). Krahas medaljes së artë, ajo edhe në Botërorin e këtij viti, kishte shënuar sukses, duke zënë vendin e pestë në grupmoshën juniore.

Momentalisht, ndodhet e katërta në renditjen botërore, ndërsa me suksesin e arritur në Ligën e të Rinjve, pritet të dalë në vendin e parë. / KultPlus.com

Shënohet Dita Olimpike 2022

Shumë fëmijë sot u bënë bashkë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, për të zhvilluar aktivitete të ndryshme sportive.

Atletika, kërcimi për së gjati dhe hedhja e gjyles ishin disa nga disiplinat e sportit që ata praktikuan në kuadër të aktiviteteve të shumta të organizuara nga Komiteti Olimpik i Kosovës për Ditën Olimpike 2022.

Qëllimi i kësaj ngjarje është promovimi i vlerave olimpike, masivizimi i sportit në Kosovë, inkurajimi i fëmijëve të merren me sport.

Të pranishëm ishin ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, përfaqësues të Komunës së Prishtinës, përfaqësues të Federatës së Sportit Shkollor e sportdashës.

Ky aktivitet shënoi përmbylljen e Javës Olimpike 2022, e cila ka nisur që nga 13 qershori. / KultPlus.com

Hapet Panairi i Turizmit dhe Sportit

Është hapur edhe zyrtarisht Panairi i Sportit dhe Turizmit, si dhe Panairi i Edukimit, të cilat po mbahen në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Të pranishëm në hapje ishin edhe drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Ismet Krasniqi, sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, nënpresidenti Gazmend Maxhuni dhe anëtari i Bordit Ekzekutiv, Musa Selimi.

Në fjalën e tij, presidenti Krasniqi, foli për vlerat dhe rëndësinë që ka sporti në promovimin e turizmit në Kosovë.

“Organizimi i ngjarjeve vendore dhe ndërkombëtare sportive për Kosovën, kanë ndikim edhe me benefitet multidimensionale, të cilat përveç atyre sportive, kanë edhe efekte ekonomike, duke pasur fokusin e veçantë tek turizmi, që sporti ia sjell vendit. Nja nga qëllimet e KOK-ut dhe federatave sportive në vend, janë edhe organizimi i garave të ndryshme ndërkombëtare, ku krahas sportit, hoteleria do të ishte përfituesi më i madh”, tha mes tjerash presidenti Krasniqi, duke i bërë thirrje Qeverisë të vazhdojë investimet edhe në infrastrukturën sportive, veçanërisht atë dimërore, e cila do të luante rol kyq në turizëm.

Të pranishëm të tjerë ishin edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, përfaqësues të Ambasadës së Malit të Zi në Kosovë, mysafirë nga organizatat turistike të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, si dhe udhëheqës të Odës Hoteliere dhe Turizmit të Kosovës, të cilët vlerësuan lartë Panairin, duke përmendur edhe sportin si mundësi të mirë të zhvillimit të turizmit.

Në Panair, ofertat e tyre, krahas bizneseve hoteliere dhe turistike, si dhe atyre të institucioneve arsimore, po i paraqesin edhe federatat dhe klubet e ndryshme sportive./ KultPlus.com

Çeku priti në takim zyrtar Kiana Kryeziun, nënshkruajnë memorandum me Federatën Skitare të Kosovës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka pritur në takim zyrtar sportisten, Kiana Kryeziu, e cila së fundmi arriti të sigurojë kualifikimin në Lojërat Olimpike “Pekini 2022”, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare, Çeku njoftoi se diskutuan për punën, përkushtimin dhe sukseset e sportistëve të Kosovës, në veçanti për zhvillimet në sportin e skijimit.

Postimi i tij i plotë:

“Kiana Kryeziu është 17 vjeçare. Ajo tashmë ka hyrë në historinë e sportit kosovar si vajza e parë që do të përfaqësojë shtetin tonë në Lojërat Olimpike Dimërore. Sot prita në takim skitaren Kiana Kryeziu, sportisten që ka fituar normën olimpike për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Dimërore, kryetarin e Federatës Skitare të Kosovës, Milaim Kelmendi dhe kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi. Në takim diskutuam për punën, përkushtimin dhe sukseset e sportistëve tanë, në veçanti për zhvillimet në sportin e skijimit. Së bashku me Kianën vendin tonë në Olimpiadën dimërore Pekini 2022 do ta përfaqësojë edhe skitari Albin Tahiri. Me qëllim të përgatitjes së sportistëve për këto gara olimpike nënshkruam memorandum me Federatën Skitare të Kosovës për mbështetje financiare të sportistëve tanë”. /KultPlus.com

Komiteti Olimpik i Kosovës pret dënim meritor për Serbinë pasi pengoi boksierët kosovarë

Moslejimi i boksierëve kosovarë që të marrin pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit në Beograd duhet të pasohet nga një dënim i rëndë. Kështu vlerëson Komiteti Olimpik i Kosovës që thotë se ky është një rast i përsëritur, pasi një gjë e tillë kishte ndodhur edhe me ekipin e karatesë, prandaj presin që Serbisë t’i hiqet e drejta për organizime madhore sportive siç janë kampionatet evropiane apo botërore.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, në një intervistë për KosovaPress, thotë se pengesat ndaj boksierëve kosovarë për të kanë qenë një “film i përsëritur” që ka ndodhur më 2018 me Federatën e Karatesë.

Krasniqi ka sqaruar se boksierët nuk do paraqiteshin pa uniformën shtetërore, por kërkesa që të mos vishej rrugës me idenë që nuk do të pranohej nga ana e Kosovës e kështu Federata kosovare e Boksit do të hiqte dorë nga pjesëmarrja duke e lënë palën kosovare fajtore, ishte manovër e dështuar.

“Për mua personalisht ka qenë një film i përsëritur… Unë këtë rast e kam pasur në vitin 2018 me Federatën e Karatesë dhe ka ndodhur e njëjta procedurë e shtetit serb, e politikës serbe, ashtu si ka ndodhur me karatenë, ashtu edhe me boksin… Dua ta sqaroj një problem se shumë njerëz kanë komentuar pse ekipi i Kosovës shkon pa uniformë atje, kjo nuk ka qenë asnjëherë e vërtetë mirëpo ndoshta ky ka qenë qëllimi i politikës serbe që ne nuk do të shkojmë pa uniforma veshur gjatë rrugës për në Serbi dhe ndoshta do të japim dorëheqje nga shkuarja në Beograd mirëpo ne nuk e bëmë këtë dhe u nisëm edhe në atë mënyrë por prapë se prapë na ndaluan”., tha Krasniqi.

Veprimin e Serbisë, Krasniqi e ka quajtur si një njollë të zezë për sportin botëror dhe Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Ai për KosovaPress ka thënë se presin që AIBA dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar të marrin masa penalizuese shumë të mëdha për Serbinë.

“Unë besoj që në këtë rast, vetëm në Serbi, politika ka fituar në këtë rast me sportin edhe është një gjë shumë e keqe për sportin botëror edhe për Komitetin Olimpik Ndërkombëtar të cilët e kanë dënuar shumë këtë akt. Siç e dini edhe ju pas vitit 2018 me Federatën e Karatesë ku kishim problem, mospjesëmarrja e Federatës së Karatesë në Novisad në Kampionatin Evropian, prej asaj kohe Serbisë, i është ndaluar prej Federatës Botërore që mos të mbajë asnjë aktivitet ballkanik, as evropian, as botëror në Serbi derisa të zgjidhet problemi i statutit të Kosovës me Serbinë. Besoj se kjo është një arritje shumë e madhe edhe besoj që shumë shpejtë edhe AIBA edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të merr masa shumë të mëdha”, theksoi Krasniqi.

Krasniqi gjithashtu ka shtuar se në bashkëpunim Komitetin Olimpik Ndërkombëtar janë duke punuar që Serbia të humbasë të gjitha të drejtat e organizimeve të aktiviteteve të mëdha sportive.

“Besoj që i vetmi arter që mund të ndikojnë në, mos të them dënimin mirëpo, për zgjidhjen e këtij problemi përfundimtar me Serbinë është Komiteti Olimpik i Kosovës në kontakt me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Ne do të jemi akteri kyç i cili do të mundohet dhe besoj që do ta zgjedhim këtë problem njëherë e përgjithmonë edhe besoj që me këtë rast do të jetë Serbia para aktit të kryer sepse ky shtete dalëngadalë do t’i humb të gjitha të drejtat e organizimeve të aktiviteteve të tilla siç janë kampionati evropian apo botëror”, shtoi Krasniqi.

Mospjesëmarrja e Kosovës në Kampionatin Botëror të Boksit ngjalli reagimin e të gjitha institucioneve në vend, ndërsa u paralajmërua se mund të shtrohet si çështje edhe në Bruksel në kuadër të takimeve mes dy shteteve. Ndërsa, vet Bashkimi Evropian kërkoi që Federata e Boksit e Kosovës të trajtohet njësoj si të gjitha federatat e tjera. / KultPlus.com

Ismet Krasniqi: Kosova në Tokio ka qenë temë e diskutimit nga e gjithë bota

Ekipi olimpik i xhudos tashmë ka ateruar në Aeroportin “Adem Jashari”. Dy kampionet olimpike nga Tokyo 2020, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova tashmë kanë shkelur në tokën dardane.

Në konferencën për media që po mbahet në Aeroportin Adem Jashari, ka folur edhe Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi. ai ka thënë se Kosova u njoh ndërkombëtarisht pas fitoreve të Majlinda Kelmendit në Tokio.

“Kosova me tri medalje te arta. Për mua është kënaqesi e veçantë dhe privilegj t’i prijë një ekipi të tillë që na bëri krenarë gjithë shqiptarinë. Kosova në Tokio ka qenë temë e diskutimit nga e gjithë bota. Kosovës atje iu shtua një emër: Kosova e artë. Jemi ndje krenarë. Falënderojme Majlinda Kelmendin që e ka hapur derën për sportistët e kosovës dhe i ka treguar që nëse punojnë mund të arrijnë shumë”, ka thënë ai. / KultPlus.com