Për herë të parë, Kosova do të përfaqësohet në garat ndërkombëtare të ‘Esportit’

Për herë të parë, Kosova do të përfaqësohet në garat ndërkombëtare të Esportit (sporte elektronike).

Kjo ndodhi pas anëtarësimit të Federata Esports Kosova në Federatën Ndërkombëtare përkatëse.

Lajmin e ka bërë të ditur Komiteti Olimpik i Kosovës përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

Dy ekipe tona do të garojnë në kualifikimet për Kampionatin botëror, që do të mbahet në nëntor në Eilat të Izraelit.

Kosova merr pjesë në lojërat CS-GO dhe DOTA 2. Në këtë të fundit sot takohet më Maqedoninë e Veriut.

Iu urojmë fat dhe suksese“, thuhet në njoftimin e tyre. / KultPlus.com

Xhudistja Erza Muminoviq fiton medaljen e bronztë në ‘Kampionatin Evropian’ për junior në Luksemburg

Xhudistja Erza Muminoviq fiton medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian për junior në Luksemburg.

Lajmin e ka bërë të ditur Komiteti Olimpik i Kosovës:

Bravo Erza, medaliste e bronztë e Evropës për junior.

Xhudistja jonë, Erza Muminoviq, ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian për junior, që po mbahet në Luksemburg.

Erza fitoi medaljen në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Në luftën për të bronztën mundi me ippon italianen, Federica Silveri, përmes repesazhit.

Në përgjithësi, ajo shënoi katër fitore dhe një humbje.

Fatjona Kasapi u ndalë në luftën e parë, kategoria -57 kg.

Urime Erzës dhe Federës së Xhudos së Kosovës. / KultPlus.com

Prishtina feston fitoren e Distria Krasniqit, KOK-u pret medalje edhe nga sportistët e tjerë

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në bashkëpunim me departamentin e sportit dhe kulturës së Komunës së Prishtinës, kanë organizuar festë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë në nder të fitores së medaljes të artë të Distria Krasniqit në Lojërat Olimpike ”Tokio 2020”.

Musa Selimi anëtar i Bordit të Komitetit Olimpik të Kosovës, tha se pas Majlinda Kelmendit, tanimë po shndrisin edhe sportistë tjerë kosovarë.

Ai tha se nga Tokio 2020 presin edhe medalje tjera, ndërsa uroi të gjithë shqiptarët për triumfin e Distria Krasniqit.

“Pas Majlindës po shndrisin edhe yjet tjerë. Po shndrit një yll i cili sot i dha botës një kampione të vërtetë. Shpresojmë të kthehemi me numër më të madh të medaljeve pas disa ditëve. Vlerat olimpike po shndërrisin në Kosovë, rinia jonë e shkëlqyeshme po demonstron që Kosova jonë e dashur ka yje, ka njerëz me zemër të madhe që po na përfaqësojnë denjësisht. Urime Prishtinë, urime Kosovë. Urime të gjithë shqiptarëve kudo që janë”, tha ai.

Edhe Fitim Rexhaj nga drejtoria e departamentit të kulturës nga Komuna e Prishtinës, tha se presin nga sportistët tjerë rezultate të njëjta si të Distria Krasniqit. Edhe ky uroi të gjithë shqiptarët për këtë fitore historike.

“Ne presim rezultate të mira edhe nga sportistët tjerë. Ndërsa ne i përkrahim të gjithë sportistët kosovarë pa dallim dhe urojmë që nesër edhe Majlinda të sjell një rezultat të ngjashëm dhe të na gëzojë e të na bëjë krenar. Urojmë Distrian për këtë rezultat dhe shpresojmë që edhe sportistët e tjerë të na gëzojnë kështu. Gëzuar për të gjithë”, tha ai.

Në këtë mbrëmje ku pjesëmarrja ishte e madhe u ekspozuan video nga garat e Distria Krasniqit në ”Tokio 2020”, ndërsa u hodhën edhe fishekzjarrë të shumtë.

Më pas mbrëmja vazhdoi me interpretimin e këngëve nga disa bende të njohura muzikore. / KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e Sportit dhe Mjedisit

Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me organizatën “Ta Pastrojmë Kosovën” shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Sportit dhe Ambientit, përcjell KultPlus.

Sot në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) – Spitali i Onkologjisë, organizohet aktiviteti, në të cilin do të mbillen dhjetëra pemë, për të kontribuar për një ambient të pastër.

Pjesëmarrës krahas ministrave të ministrive të ndryshme, mjekë, drejtues të sportit, sportistë, do të jenë edhe OJQ “Marakli të Biciklave”, të cilët do t’i bashkohen aktivitetit me biçikleta.

Po ashtu, do të ndërtohet një vend-parking për biçikleta dhe të gjithë ata që duan të marrin pjesë në këtë aktivitet mund të kontribuojnë duke e blerë një pemë dhe duke e mbjellë atë në po të njëjtin lokacion.

Pjesëmarrësit obligohen që t’i respektojnë rregullat e përcaktuara nga institucionet përkatëse. / KultPlus.com