Shënohet Dita Olimpike 2022

Shumë fëmijë sot u bënë bashkë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, për të zhvilluar aktivitete të ndryshme sportive.

Atletika, kërcimi për së gjati dhe hedhja e gjyles ishin disa nga disiplinat e sportit që ata praktikuan në kuadër të aktiviteteve të shumta të organizuara nga Komiteti Olimpik i Kosovës për Ditën Olimpike 2022.

Qëllimi i kësaj ngjarje është promovimi i vlerave olimpike, masivizimi i sportit në Kosovë, inkurajimi i fëmijëve të merren me sport.

Të pranishëm ishin ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, përfaqësues të Komunës së Prishtinës, përfaqësues të Federatës së Sportit Shkollor e sportdashës.

Ky aktivitet shënoi përmbylljen e Javës Olimpike 2022, e cila ka nisur që nga 13 qershori. / KultPlus.com

Tri kampionet olimpike të Kosovës nderohen në stadiumin Fadil Vokrri para ndeshjes me Greqinë

Tri kampionet olimpike të Kosovës, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, janë nderuar nga tifozët në stadiumin Fadil Vokrri para takimin kualifikues për Kupën e Botës 2022 mes verdhekaltërve dhe Greqisë të dielën.

Kosova është duke u përballur me Greqinë në një ndeshje të Grupit B kualifikues për Botërorin e Katarit në Prishtinë, transmeton KultPlus.

Para fillimit të ndeshjes, tifozët dardanë i shpalosën një pankartë të madhe me imazhet e tri kampioneve olimpike të Kosovës.

Krasniqi dhe Gjakova iu bashkuan Kelmendit si kampione olimpike, pasi fituan medalje të arta në Lojërat Olimpike Tokio 2020 gjatë kësaj vere në Japoni.    

Kosova i fitoi dy medalje të arta në Tokio, duke e çuar në tri numrin e përgjithshëm të medaljeve në historinë e vet në Lojëra Olimpike, pas të medaljes së parë olimpike, të artë po ashtu, të Majlinda Kelmendit në debutimin e Kosovës në Olimpiadë në Rio 2016.

Distria Krasniqi e fitoi medaljen e artë në kategorinë 48 kilogramë, e cila ishte e para për Kosovën në Tokio dhe e para për të në karrierë. Nora Gjakova e përsëriti suksesin e saj duke e fituar medaljen e artë në kategorinë 57 kilogramë.

Kosova i dërgoi 11 atletë në Lojërat Olimpike në Tokio, prej të cilëve gjashtë ishin me normë olimpike. Duke e parë numrin e atletëve pjesëmarrës, rezultati i Kosovës vlerësohet të jetë fantastik. /gazetaexpress/ KultPlus.com