Tri herë kampion olimpik në cilësinë e trajnerit, Driton Kuka pranon çmimin “Arritjet më të mëdha në vitin 2021”

Tri herë kampion olimpik në cilësinë e trajnerit, Driton Kuka, ka pranuar çmimin nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos për “Arritjet më të mëdha në vitin 2021”, përcjell KultPlus.

Çmimi iu nda në Paris të Francës, ku këtë fundjavë mbahet Grand Slami i xhudos.

Kosovën e përfaqësojnë kampionia olimpike, Distria Krasniqi (-52 kg), Flaka Loxha (-57 kg), Laura Fazliu (-63 kg) dhe Akil Gjakova (-73 kg). / KultPlus.com

Xhudistja e artë, Majlinda Kelmendi mbyll karrierën si sportiste aktive për të vazhduar atë si trajnere: Vendi im, populli im, ishin frymëzimi im

Nën organizimin e Presidencës së Kosovës, është mbajtur ceremonia për nderimin e xhudistes Majlinda Kelmendi dhe kalimin e saj nga një sportiste aktive në arenën e sportit të xhudos në trajnere.

Në Institutin e Historisë ” Ali Hadri” në Prishtinë, ku u mbajt ceremonia, përveq Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës e Majlinda Kelmendit, morën pjesë, Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Agron Kuka, Kryetar i Federatës së Xhudos të Kosovës, Driton Kuka, Trajner i Kombëtares së Kosovës në xhudo, Atifete Jahjaga, ish-Presidente e Kosovës, Gazmend Muhaxheri, Kryetari i Komunës së Pejës, familja e Majlinda Kelmendit, kryetarë të partive politike, ambasadorë të akredituar në Kosovë, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe personalitete tjera publike dhe sportive.
Me një video mesazh nderimi e falënderimi në ceremoni mori pjesë edhe Marius Vizer, Kryetar i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, në pamundësi të të jetë i pranishëm fizikisht në Prishtinë, njofton Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në cilësinë e nikoqires, Presidentja Osmani, shprehu mirënjohjen më të përzemërt për kampionen e shumëfishtë në xhudo Majlinda Kelmendi dhe i ndau Urdhrin “Shotë Galica” i cili u jepet personave që kanë avokuar apo kanë bërë vepra apo akte guximi.

“Ëndrrën e nisur prej moshës 8 vjeçe, Majlinda e përmbushi duke fituar çdo titull. Ajo nuk u josh që të vesh uniformën e ndonjë shteti tjetër por luftoi për ngjyrat e shtetit të Kosovës”, theksoi ndër të tjera presidentja.

Kurse ministri Hajrulla Çeku, tha se kjo është një ngjarje e rëndësishme për të ardhmen e sportit të xhudos në vendin tonë sepse Majlinda Kelmendi po merr një përgjegjësi të re, atë të trajneres përkrah trajnerit të saj që solli shumë suksese ndër vite, Driton Kukës.

Ministri po ashtu shtoi se Kosova ka arritur suksese të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare nëpërmjet xhudisteve tona dhe këtë sukses e filloi xhudistja jonë e artë Majlinda Kelmendi, e cila dëshmoi se me përkushtim dhe punë çdo gjë është e mundur.

“Majlinda Kelmendi me arritjet e saja është shndërruar në ikonën e suksesit kosovar, dhe është bërë shembull i shoqërisë tonë, duke i kaluar të gjitha vështirësitë dhe sfidat. Ajo i ka dëshmuar rinisë tonë, se kur punohet me përkushtim dhe qëndrueshmëri suksesi është i pashmangshëm”, u shpreh mes tjerash ministri, duke theksuar se Majlinda po mbyll karrierën e saj si sportiste aktive, por që për sukseset e saj në rrugën e re do të dëgjojmë gjithmonë.

Kryetari i FXHK-së, Agron Kuka, tha se 20 vite angazhim, mund, djersë e lëndime, janë kurorëzuar me fitoret dhe sukseset e Majlindës, duke e bërë që të gjithë të na respektojnë dhe nderojnë shtetin dhe simbolet tona edhe ku nuk na kanë pasur dëshirë.

Kurse trajneri i Majlindës, Driton Kuka, foli për përvojën dhe ndjenjat që ka kaluar së bashku me Majlindën. “Më krenove mua, krenove familjen, krenove një Komb Majlindë. Kënaqësi kur Majlinda ka pushtuar Rusinë, Brazilin dhe vende tjera që nuk e kanë pranuar realitetin e quajtur Kosovë. Të jam mirënjohës deri në frymën e fundit Majlindë”, u shpreh Driton Kuka.

Ndërsa, Majlinda Kelmendi u shpreh se tani e tutje dijen dhe përvojën e saj do ta përcjell tek gjeneratat e reja, pas pensionimit si sportiste aktive. Ajo falënderoi trajnerin dhe ekipin “Një falënderim shumë shumë për vendin tim, për popullin tim, që keni qenë frymëzimi im. Ka qenë nder dhe privilegj shumë i madh për mua ta përfaqësoj Kosovën”, tha ajo mes lotësh. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Majlinda Kelmendi dëshmoi se nuk ka shtete të vogla që nuk mund të kenë sukses

Majlinda Kelmendi sot me një ceremoni shtetërore edhe zyrtarisht i ka dhënë fund karrierës së bujshme të saj.

Për nder të xhudistes më të suksesshme kosovare, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka organizuar një ceremoni shtetërore.

Kjo ceremoni po mbahet në institutin “Ali Hadri” në Prishtinë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani tha se Majlinda dëshmoi se nuk ka shtete të vogla që nuk mund te kenë sukses

“Ka fituar çdo gjë që mund të fitohet. Falë përkushtimit te saj, flamuri i Republikës së Kosovës valoi në Rio.  Pa Majlinden dhe perkushtimin e saj, sot nuk do ta kishim as Distrian e Noran. Ajo dëshmoi se nuk ka shtete të vogla që nuk mund të kenë sukses”, tha presidentje e Kosovës, Vjosa Osmani.  

Majlinda konsiderohet si sportistja më e madhe që e ka pasur ndonjëherë Kosova.

Ajo e arriti kulmin e karrierës në vitin 2016 kur ia solli Kosovës medaljen e parë të artë olimpike nga “Rio 2016”.

Ndër të tjera, ajo është shpallur dy herë kampione botërore dhe katër herë kampione evropiane.

Në total, Majlinda i ka fituar 46 trofe në sportin e xhudos.

Në gara të rëndësishme, ajo i ka koleksionuar 29 medalje të arta, 6 të argjendta dhe 9 të bronzta.

Majlinda e kishte përfaqësuar Shqipërinë në Olimpiadën e Londrës më 2012, ndërsa këtë vit mori pjesë në Olimpiadën e Tokyos, ku nuk ia doli ta mbronte titullin e kampiones.

Tash e tutje, Kelmendin do ta shohim në zejen e trajneres pasi ajo do të jetë asistente e trajnerit Driton Kuka. / KultPlus.com

Nesër organizohet ceremonia përuruese e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë

Nesër duke filluar prej orës 11:00, do të organizohet ceremonia përuruese e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë.

Në përurimin e Qendrës Nacionale do të marrin pjesë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, kryeministri Albin Kurti, kryetari Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Federatës së Xhudos së Kosovës dhe shumë personalitete e mysafirë tjerë vendorë e ndërkombëtarë.

Lokacioni i Qendrës Nacionale të Xhudos: Lagjja Tabjet, Pejë

Agjenda e ceremonisë përururese:

Moderatore: Donika Hyseni

11:00 – 11:05 Hapja e ngjarjes nga Moderatorja
11:05 – 11:10 Fjalimi i Presidentes
11:10 – 11:15 Dekorimi i Sportisteve nga Presidentja
11:15 – 11:23 Fjalimi i Kryeministrit
11:23 – 11:30 Fjalimi i Kryetarit të FNXH-së, Marius Vizeri
11:30 – 11:35 Fjalimi i Kryetarit te Komunës së Pejës
11:35 -11:40 Fjalimi i Agron Kuka
11:40 – 11:43 Përmbyllje nga Moderatorja
11:43 – 11:50 Prerja e shiritit
11:50 – 12:00 Performancë nga Sportistet e Xhudos brenda Qendrës Nacionale / KultPlus.com

Kuka: Ëndërr e imja gjithmonë ka qenë të shkoj në Olimpiadë, shpresoj të kthehem me medalje

Loriana Kuka e ka realizuar tashmë ëndrrën e saj. Xhudistja kosovare e ka pasur ëndërr fëmijërore pjesëmarrjen në Lojëra Olimpike dhe ajo e arriti këtë falë punës së madhe që e bëri në vitet e fundit, përcjellë KultPlus.

24 vjeçarja e fitoi normën olimpike dhe nesër në mëngjes, me kohën tonë lokale, do të debutojë në “Tokio 2020”.

Xhudistja e lindur dhe rritur në Zvicër, e cila sakrifikoi shumë duke ardhur për të jetuar dhe për të ushtruar në Kosovë, synon të fitojë medalje olimpike.

Qëllimi i kampiones evropiane U-23 dhe medalistes së bronztë në Kampionat Evropian dhe Botëror është që ta ngrisë në tre numrin e medaljeve të vendit tonë në këtë Olimpiadë, pas Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës.

Për më tepër, deklaratat e Lorianës mund t’i shikoni në videon e mëposhtme, të realizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës. / KultPlus.com