Kur e pa se si kufoma e Kolonelit të vrarë, e nënçmuar tmerrësisht gjatë parakalimit nga lapidari në lapidar nga pankartat “Tradhtar” dhe me to do të hudhej në atë gropën ku bagëlonin bagëtija gjatë mrizimit, Vlera e çmendur, u shkëput nga funerali dhe iu drejtue Sukës, me ulërimëm: “Oh, Ametikë!… Amerikë!…”
Me shpirt të shkallmuar, zvarritja ime sikur mori fund para një askundje, ku dukej se ishte ai fundi që më priste dhe e prisja gjatë atij udhëtimi të zherbjes sime. Por, seç m’u bë se në atë përhumbje ishte zëri i sime Amë, si një përftim nga ajo botë, që po i jepesha për me shpëtue, që më tha diçka rreth “Sëmundjes së territ”. Çfarë t’i thosha tjetër kur ajo paraqiste një çekuilibrim tlë përhershëm shpirtëror midis dy gjendjeve, që i përcjell ata që mbesin në gjysmë të rrugës? A nuk do të thoshte kjo se mundimi im do të vazhdonte edhe përkundër asaj se bredhja ime në kërkim të madhështisë kishte marrë fund, ngaqë i kishte munguar vullneti i fuqisë, ajo shtysa me të cilin përballohet “sëmundja e territ”? Desha t’i thosha, po ashtu, se mund të kishte qenë pikërisht ajo që, si fëmijë, kur më kishte thënë se duhej të lirohesha nga mbërthimi i rrethit për t’i takuar një bote të pakufishme të dijeve, që më kishte futur në kurthin e një mashtrimi, ngaqë të zhytur në terrim shpirti, atë e kishim kob të përhershëm, ku nga ndjenja e smires, që e kishim ilet të përbashkët,shuhej secili yll shprese pa u parë mirë? Mbase, do t’i flisja edhe për mundimet tjera, që më kishin përcjellë deri te ajo pikë kur po hetoja fundin ngushëllues, por ishin fjalët e saj, që po ma bënin me dije rreth fundit si fillim dhe fillimit si fund, pra për përsëritjen e të njëjtës, që më trishtuan, ngaqë, po rikthehesha në atë botë të përhumbur dhe tejet mizore, ku jeniçeri dhe jeniçerët, kremtoheshin engjëj shpëtimtar madje! Medet, thashë, ç’e do kur deshtakët si unë i kanë fat jeniçerët!…
(Shkëputje nga romani “Jeniçeri i fundit”, Prishtinë, 2013) / KultPlus.com
-Përshtypje nga leximi i librit “Kosova” 1912-1945 të autorit Jusuf Buxhovi, botoi “Jalifat Publishing” dhe “Faik Konica”, Prishtinë 2015
Sa herë që e lexojë historinë e popullit shqiptarë aq herë më rrëqethet trupi nga vuajtjet, vrasjet, burgosjet, shpërnguljet, humbjet e territoreve dhe pasurive private e shtetërore.
Por, pastaj ndalem dhe mendoj, por nuk ishin vetëm të huajt që na binin ditë të zeza, ishim edhe ne bashkëfajtorë. Pse, pse ky popull kaq i vogël e lindi kaq shumë tradhtar???
Ndoshta në një periodë kaq të shkurtër kohore me një zhvillim të marramendshëm të shpejtë të ngjarjeve ishte e pamundur që çdo figurë politike të mos gabonte, por gabimet e tyre dallonin në ato të mëdha që ishin te kobshme për të ardhmen e vendit dhe gabime të vogla e të mundshme për riparim.
Historia na tregon disa herë që qeveritë shqiptare u ngritën me ndihmën e Serbisë.
Ishte qeveria e Esat Pashës, qeveria e Ahmet Zogut dhe në fund kishim Enver Hoxhën që morri në dorë udhëheqjen Shqipërisë me ndihmën e Serbisë.
Ishte Ahmet Zogu që me ndihmën e Serbisë i shpallë luftë të pa mëshirë ndaj figurave të mëdha në popull siç ishin Bajram Curri, Azem Bejta, Hasan Prishtina e shumë të tjerë.
Dhe në fund kishim Enver Hoxhën që me ndihmën e komunistëve serbë morri pushtetin në Shqipëri.
Në libër autori përshkruan edhe luftërat vëllavrasëse gjatë 1912-1945: Kishim tri luftëra vëllavrasëse: Lufta e parë 1914-1915 grushtshteti islamik proturk në krye me Haxhi Qamilin “ duam babën”. Lufta e dyte 1924 grushtshteti kundër qeverisë së Ahmet Zogut dhe Lufta e tretë 1944 kur Enver Hoxha me njësitet shqiptare dhe serbe sulmojnë forcat reaksionare siç ishin Ballistët, Zogistët, SS-Skenderbeg.
Për lexuesin shqiptarë është e qartë kur lexon për programet antishqiptare të akademikëve serbë si ” Naçertanja” e Ilia Garashaninit dhe “Shpërngulja e Shqiptarëve” (Iselevanje Arnauta) e Vasa Çubrilloviqit, por është e pa kuptueshme qëndrimet e komunistëve shqiptarë nga Shqipëria.
Hyrja e brigadave të Shqipërisë në Kosovë ishte mashtrimi më i madh në historinë e Kosovës. Nga frika që kishin për tu përballur me forcat balliste, zogiste dhe të SS-ve shqiptare, Tito dhe komunistët serbo/jugosllav dhanë urdhër dy brigadave shqiptare të Shqipërisë të nisen për në Kosovë për të mashtruar popullin se ne jemi këtu që t’ju mbrojmë nga gjermanët fashistë.
Me fotografi të Titos dhe Enverit dhe me dy flamurët atë shqiptar dhe jugosllav, pasi luftuan disa ditë me vëllezërit e tyre shqiptarë dhe forca të pakta gjermane morrën qytetin e Gjakovës, duke valëvitur flamurin shqiptar dhe pa KURRFARË PARALAJMËRIMESH SE PAS TYRE DO TË VININ ARADHAT PARTIZANE SERBO/JUGOSLLAVE.
Këtë poshtërim na solli Enver Hoxha, Ramiz Alia, Reiz Malile e të tjerë. Dy gjenocide serbe dhe një gjenocid të përbashkët nga serbo-shqiptarët komunist.
Kishim dy gjenocide të bëra më herët nga serbët mbi popullsinë shqiptare, atë të vitit 1877-8 dhe të vitit 1912, por që gjenocidi i tretë ndaj popullit shqiptarë të ndihmohet edhe nga vetë komunistët shqiptarë të nisur së pari nga Enver Hoxha me bashkëpunëtorët e tij e pastaj të ndiqet edhe nga komunistët shqiptarë të Kosovës siç ishte Fadil Hoxha me bashkëpunëtorët e tij kurrë se kisha besuar që kjo mund të ndodhte.
Gjenocidi i tretë mbi popullin shqiptarë të Kosovës filloi kur Tito pranoi ofertën e Çubrilloviqit për vrasjen e 200.000 gjermanëve dhe 50.000 shqiptarëve.
Urdhri për mobilizimin e mijëra shqiptarëve për ti dërguar në front erdhi nga shtabi suprem i armatës Jugosllave dhe e zbatuan shtabet e divizioneve V e VI të UNÇ të Shqipërisë. 15.000 mijë shqiptarë vdesin në frontin e Sremit.
Komandant Shaban Haxhia nga Tropoja tregon: “Mbasi kishim hyrë brenda kufijve të Serbisë, na ngujuan në trena të mbyllur dhe 48 orë na mbajtën në çelës. Nuk dinim se ku ishim e shka po bahet me ne…Na dukej vetja rob lufte…pa ushqim. Po na vinte një vdekje e ngadalshme. Ma në fund, na përplasen në Banatë në duart e oficerëve serbë. Qëllimin e kuptuam, kur na përpiu një tifo dhe na hallakatën nëpër repartet serbe në luftime. Shtabin tonë shqiptarë na e hoqën dhe e kthyn për në Kosovë…” Komandanti e përfundon me fjalët tronditëse: “U kthyem pa ushtri në Kosovë. Pyetjet se ku i lamë djemtë tanë, ishin tepër rënduese për ne….”
Ndërsa në vrasjen e Shaban Polluzhës me 8000 luftëtarë të tij në Drenicë, Ramiz Alia duke lëvduar punën e partizanëve jugosllav raporton: “ Kjo lëvizje ka qenë dhe ka përfshi në gjirin e saj një pjesë të mirë burrash 7000-8000 të armatosur. Lëvizja e këtyre reaksionarëve u shua disi nga veprimi i disa brigadave të Kosmetit dhe disa brigadave jugosllave të ardhura për këtë punë. Tashti gjenden akoma grupe të vogla bandash nga 20-30 vetë…”
Në një raport të Reiz Maliles, zëvendës komisar politik i Divizionit V dërguar komandantit suprem Enver Hoxhës shkruan: “ Partizanët shqiptarë janë duke ndjekur dhe asgjësuar bandat reaksionare kosovare, nē njē sulm ku morri pjesë edhe Divizioni VI asgjēsuam 68 reaksionarë kosovarë”.
Brigadat shqiptare përveç vrasjeve bënin spastrimin e terrenit nga përkrahësit dhe tē familjeve të tyre, burgosjes së tyre, të gjithë dezertorët e kapur janë dorëzuar te shtabi operativ i Kosmetit, ku ata pushkatoheshin ose dërgoheshin si njësi plotësuese partizane në frontin e Sremit, ku gjenin VDEKJEN E PASHMANGSHME SI PARAROJË PËR PASTRIMIN E TERRENIT NGA MINAT.
Nga të dhënat jugosllave del se nga Divizionet shqiptare partizanëve jugosllavë u janë dorëzuar mbi dy mijë shqiptarë që ishin dorëzuar te ta, ku këta së bashku me 13.000 ushtarë të tjerë shqiptarë të mobilizuar me dhunë i dërgojnë në grupe të vogla në frontin e Triestës, ku shumica e tyre u vranë gjatë rrugës Prizren-Kukës-Shkodër-Mali i Zi.
Dhe masakra më e madhe ndodhi në Tivar ku u vranë qëllimisht mbi 4000 mijë shqiptarë dhe 400 shqiptarë në një depo të Shibenikut kur atë do ta marrë flaka.
Pas këtyre vrasjeve, burgosjeve, shpërnguljeve të shqiptarëve nga komunistët serbë dhe shqiptarë nga frika udhëheqësit shqiptarë të Kosovës njëherit nënshkrues të marrëveshjes së Bujanit ( Mehmet Hoxha kryetar, Fadil Hoxha mësues, Ali Shukriu, Hajdar Dushi etj) ndryshuan qëndrimet e tyre 100% kur votuan pro rezolutës për bashkim të popullit shqiptarë me serbinë mbajtur në kuvendin e Prizrenit me 1945.
Mehmet Hoxha: “Që Kosova dhe rrafshi i Dukagjinit t’i bashkohen Serbisë Federale, nuk e frikëson popullin shqiptarë, por e forcon dhe i jep siguri se do të ketë të njëjtat të drejta me popujt e tjerë”.
Xhavid Nimani: “Është dëshirë e masave tē gjëra të Kosovës e të rrafshit të Dukagjinit që të bashkohen me Serbinë Federale”. Memorandumi i Çubrilloviqit Në radhë të parë është e nevojshme që për shpërnguljen e Shqiptarëve, të bëjmë për vete klerin dhe njerëzit me ndikim, me para ose me shtrëngim…
Dr. Vasa Çubrilloviq 1937 Statistikat tona të viteve 1921-1931, tregojnë se politikën tonë të kolonizimit e mundi pjellorja e grave shqiptare. Pra, shtrohet pyetja: cili ishte gabimi më fatal për kombin shqiptarë? Gabimi më i madh historik i popullit shqiptarë sipas meje ishte prishja e marrëveshjes së Mukjes me 1943 nga Enver Hoxha.
Më 1943 filloi tmerri i shqiptarëve në Ballkan e që përfundoi me rënien e komunizmit në Shqipëri dhe sulmin e Nato-s ndaj forca e serbe. A ka tentime që edhe sot Shqipëria me liderët e saj të përzihen në punët e brendshme të Kosovës? Po! / KultPlus.com
Shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi, në përputhje me nevojën që krijimtaria e tij letrare të jetë në dispozicion të lexuesit të gjerë, ka hapur faqen e tij jusufbuxhovi.com në të cilën gjenden disa nga veprat e tij si libra elektronik, shkruan KultPlus.
Buxhovi është shprehur që kjo faqe vjen si rezultat i kërkesave të shumta të lexuesve që librat të jenë të qasshme edhe në mënyrë elektronike.
Në faqen e tij, Buxhovi tashmë ka renditur disa nga veprat e tij: “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, “Vdekjet e kolonelit”, “Kujtimet e Zonjës Von Braun”, “Kodi i dashurisë”, fituese e çmimit kombëtar “Azem Shkreli” në vitin 2006 si dhe “Dosier B” (Dosja B) në anglisht.
Së shpejti, këtyre veprave do t’u shtohen edhe disa të tjera.
Dizajnimin e faqes e ka bërë Tahir Hoxha, të cilin Buxhovi e falënderon. / KultPlus.com
Kuvendi i Lidhjes u hap më 10 qershor 1878 në Prizren, në medresën e Mehmet Pashës, pranë Bajrak-Xhamisë. Edhe data e mbajtjes nuk ishte e rastësishme, meqë ajo duhej të mbahej para se të fillonte punimet Kongresi i Berlinit që ishte caktuar të mbahej më 13 qershor. Nga të dhënat e tanishme, të cilat janë të pakta, meqë është ruajtur vetëm një pjesë e protokolleve të mirëfillta të mbledhjes, merret vesh se në Kuvend kanë marrë pjesë më shumë se njëqind përfaqësues të shumë krahinave shqiptare, por ku mungonin delegatët e vilajetit të Shkodrës (nisja e të cilave thuhet se ishte penguar nga intrigat e valiut turk Hysen Pasha, por që arsyet janë pak më të thella), ndërsa nga Vilajeti i Janinës mori pjesë vetëm Abdyl Frashëri. Megjithatë, nga këta 110 emra që gjenden dhe shumica vinë nga Vilajeti i Kosovës, kryesisht janë personalitete që kishin marrë pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit, ndër të cilët shquhen Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Ymer Prizreni (kryetar i komisionit organizativ të Kuvendit), Abdullah pashë Dreni, Ahmet Korenica, Shaban bej Prizreni, Jashar bej Shkupi, Shaban bej Peja, Filip Doda, Sulejman Vokshi, Shuajip Spahiu, Ali Ibra e të tjerë. Në kuvend morën pjesë si delegatë disa feudalë boshnjakë dhe sulltanistë nga viset e Bosnjës-Hercegovinës. Aty mori pjesë edhe mytesarifi turk i Prizrenit, Qamil Beu bashkë me disa përkrahës së linjës sulltaniste, që bazuar në raportet e konsujve të pranishëm në Prizren, ishte mjaft aktiv. Kjo demanton në tërësi pohimet se Lidhja u mbajt “fshehtë” dhe pa dijen e Portës. Në bazë të dokumenteve me mangësi të shumta, megjithatë, kuptohet se Kryetar i Kuvendit u zgjodh Iljaz pashë Dibra, ndërsa aty foli Abdyl Frashëri, jo në cilësinë e “kryetarit” e as “të kryesuesit” të Lidhjes, siç është shënuar nga një pjesë e mirë e historiografëve shqiptarë, por si përfaqësues i Komitetit të Stambollit. Ajo që ishte më e rëndësishme, megjithatë kishte të bënte me faktin se Kuvendi ia doli të marrë vendimin për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, te një Lidhjeje (Ittifaku), me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me çdo mjet interesat e vendit. Sipas traditës, së bashku me formimin e Lidhjes, u shpall edhe një besë e përgjithshme, në bazë të së cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave që ishin përfshirë në Kuvendin e Prizrenit. Kuvendi themeloi organet e larta. Në krye të Lidhjes ishte Këshilli i Përgjithshëm me seli në Prizren, nga i cili do të vareshin degët krahinore. Kryetar i tij u zgjodh Iliaz pashë Dibra. U formua edhe Komiteti Qendror i Lidhjes nga tri komisione: komisioni i punëve të jashtme me përgjegjës Abdyl Frashërin, komisioni i punëve të brendshme i drejtuar nga Haxhi Shabani dhe komisioni i të ardhurave financiare i drejtuar nga Sulejman Vokshi. Aktet e para të Kuvendit të Përgjithshëm ishin: një peticion për çështjen shqiptare, dërguar Kongresit të Berlinit, dhe një peticion, dërguar Portës së Lartë , Kararnameja (Akti i vendimeve-kanuni) dhe Talimati (Urdhëresa). Kararnameja (Akti themelor) kishte gjashtëmbëdhjetë pikë, me të cilin mund të thuhej se sanksionohej formimi i Lidhjes si organizatë politike (pika 16) dhe përcaktonte detyrat e saj më të ngutshme. Në pikën 1 theksohej karakteri mbrojtës, ndaj çdo qeverie, përveç asaj të Portës së Lartë, të veprojë aktivisht me të gjitha mjetet për të mbrojtur integritetin e vendit. Në nenin 4 kur thuhet se “me ligjet e lara të sheriatit, ne do të mbrojmë jetën, pasurinë dhe nderin e shokëve besnikë të besimit jomysliman, ashtu si për vete”, bën të ditur për ruajtjen e karakterit islamik, gjë që si formulim në ato rrethana ishte edhe i pashmangshëm. Frymën kombëtare nga e cila ishte e privuar më 10 qershor ditën e hapjes së Kuvendit dhe veçmas nga kërkesat për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një, që ishte një formë e autonomisë, me të cilën sigurohej mbrojta e vendit nga copëtimet e mëtutjeshme që kërcënonin nga të gjitha anët, Lidhja do të fillojë ta animojë qysh në Kuvendin e Përgjithshëm, i cili u mblodh në Prizren, më 1 korrik 1878. E kompletuar me 96 delegatë nga Kosova dhe me delegatët nga Shkodra (26 sish) e Vilajeti i Janinës (me 20), pas një diskutimi të gjerë, Kuvendi miratoi një Rezolutë ose Kanun të ri për Lidhjen e Prizrenit, me të cilin u bënë hapat e rëndësishëm në përpunimin e mëtejshëm të programit të Li-dhjes. Sepse, Kanuni i ri, e shpalli botërisht organizatën e themeluar në Prizren si Lidhje Shqiptare dhe organin i saj qendror e quajti Komiteti Kombëtar. Statuti i ri ishte pastruar nga ndonjë formulim me karakter fetar islamik dhe nga ideja e besnikërisë ndaj Perandorisë Osmane, që kishte pasur vend në Kararname. Në tekstin e Kanunit thuhej shprehimisht se Lidhja do të luftonte për të drejtat kombëtare shqiptare dhe se veprimtarinë e saj do ta shtrinte vetëm në trojet shqiptare. Ajo i jepte të drejtë Komitetit Kombëtar të formonte nënkomitete të Lidhjes në qendrat e sanxhaqeve të Shqipërisë, të organizonte një ushtri të armatosur për të mbrojtur trojet shqiptare, të shpallte mobilizimin ushtarak të të gjithë burrave të aftë për armë, të vilte, për nevojat e veta buxhetore, një sërë taksash të ndryshme dhe të jepte dënime penale kundër dezertorëve nga Lidhja Shqiptare, me çka mund të thuhet se Lidhja kishte krijuar rrethanat për marrjen mbi vete funksionet e një qeverie. Kanuni i miratuar më 2 korrik 1878, shënon një fitore të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në gjirin e Lidhjes së Prizrenit. Në të vërtetë, me këto të drejta, që u sanksionuan në kanunin e 2 korrikut 1878, Lidhja Shqiptare e Prizrenit fitoi bazën ligjore për të ngritur shkallë-shkallë një shtet autonom shqiptar brenda shtetit perandorak osman. / KultPlus.com
Historiani i njohur nga Kosova, Jusuf Buxhovi, së fundmi ka botuar romanin “MONA”, të cilin sot e ka promovuar në Gjakovë, shkruan KultPlus
“Autori deklaroi se Gjakova është zgjedhur jo rastësisht për promovim, meqë Gjakova historikisht dhe politikisht ka qenë cak i karantenimeve me të cilat është synuar që me gjenocide dhe etnocide t’i rrënohet qenies etnike dhe shpirtërore e një ambienti që paraqet berthamën e shqiptarizmit”, thuhet ndër të tjera në postimin e tij në Facebook.
Këtu keni statusin e tij të plotë:
“Promovimi i romanit MONA në Gjakovë
PAKTI I INTELEKTUALËVE ME SHBA-të – EKZISTENCIAL
Shkrimtari Jusuf Buxhovi sot promovoi romanin e ri “Mona” në Bibliotekën e Qytetit në Gjakovë. Autori deklaroi se Gjakova është zgjedhur jo rastësisht për promovim, meqë Gjakova historikisht dhe politikisht ka qenë cak i karantenimeve me të cilat është synuar që me gjenocide dhe etnocide t’i rrënohet qenies etnike dhe shpirtërore e një ambienti që paraqet berthamën e shqiptarizmit. Meqë kjo vepër letrare trajton artistikisht gamen e këtyre raporteve me SHBA-të në përputhjen me pasthirrmën “Oh, Amerikë!”, që është refren i një të çmendure, – intelektuale kritike, që është shpallur e tillë për t’u heshtur të vertetat e saj (dhuninet gjatë luftës, vrasjet politike, uzurpimet e të tjerat) nga “aleatët” amerikanë në kuadër të politikës ditore, autori i kushtoi një vemendje raporteve politike me SHBA-të, të cilat, tha se kanë prodhuar pasoja negative për Kosovën pikërisht në saje të partneritetit amerikan me të tillët. Shkrimtari deklaroi se vepra e tij nuk është antiamerikane. Përkundrazi ajo miqësinë me SHBA-të e konsideron ezistenciale, ngaqë ajo ishte fryt i një “pakti” midis intelektualëve me SHBA-të në prill të vitit 1990 të ndërtuar mbi formulën “liri, barazi,demokraci”. Kjo formulë nga pragmsatizni politik i rrethanave, kur kërkohej që luftës diplomatike të kthehej në diplomaci të luftës , pra kur u desh ndërhyrja ushtarake kundër Millosheviiqit, në vitin 1999, u zëvendësue me atë “të çlirimit”, formulë kjp që u keqpërdor nga ata që e përvetësuan për ta kapur shtetin në të gjitha segmentet. Autori theksoi se, në këtë aspekt, as që mund të flitet për antiamerikanizëm, por për qendrim kritik ndaj partnerëve të tyre që kanë manipuluar me “miqësinë” me amerikanët. Dhe në tjetrën anë mund të flitet edhe për një kërkesë të intelektualëve që të mbështeten klasat politike që angazhohem për parlamentarizëm dhe sistem të vlersve prëndimore. Në fund autori tha se klithja e autorës “Oh, Ametikë” ka të bëjë me shqetësimin intelektul kundër klasës politike që po mundohet të rrënojë institucionet siç po veprohet në Shqipëri. Si shembull, autori, theksoi sjelljen e papërgjegjshme të Presidentit për hapjen e çështjeve që kanë të bëjnë me rrënimin e sovraniitetit shtetëror në emër të një marrëveshjeje me Serbinë, atë të kryeministrit të shkarkuar që SHBA-të i vuri në dyshim se po ia përgtisin thikat Kosovës si dhe sjelljen e papërgjegjegjshme të Kryeparlamentarës, që të mos drejtojë seancën e Psrlamentit për motive politike që degradojnë institucinon”. / KultPlus.com
“Mona”, romani më i ri i shkrimtarit dhe historianit Jusuf Buxhovi, nesër do të promovohet në Gjakovë, shkruan KultPlus.
Autori ka zgjedhur Gjakovën, jo vetë se në njëfarë mënyre, ambienti i saj (Dushkaja, Reka e Keqe, Suka), janë pjesë e ngjarjeve të imagjinuara të romanit, pra protagonist aktiv, por edhe për atë se nga aspekti historik dhe kulturor, ky qytet, në të kaluarën, ka qenë laborator i karantenimeve të ndryshme, që kanë pasë për qëllim luftën kundër identitetit etnik dhe atij kombëtar deri te përmasat e gjenocideve dhe etnocideve.
Promovimi mbahet nesër, në Bibliotekën e Qytetit, në orën 12:00.
“MONA” mbetet në kuadër të orbitrit tematik nga romanët e fundit “Dosja B” dhe “Dushkaja”. Vepra fokuson dramën e një Koloneli, ish ushtarak i armatës jugosllave, që mbahet i mbyllur për vite të tëra i rrethuar nga forcat ndërkombëtare diku në një ambient të izoluar të Rekës së Keqe nga dyshimi se ato që flet në një gjendje thuajse të çrregullt mendore, të shumtën kërcënime bashkëluftëtarëve të dikurshëm nga lufta e fundit, kthehen në vrasje.
Pra, bëhet fjalë për një konstrukt thuajse absurd për të cilin Mona, një gazetare hulumtuese, alarmon opinionin ndërkombëtar. Me këtë rast, një gazetë e njohur amerikane, kritike ndaj partneritetit të faktorit ndërkombëtar në Kosovës me struktura të caktura kriminale, të cilat me anën e tyre etablohen në politike, nis një hulumtim rreth mbylljes (izolimit të paligjshëm të Kolonelit të sëmurë) dhe vdekjes së tij, që dyshohet se ishte vrasje me paramendim… /KultPlus.com
Lahu ma zuri priten para mejhanes krye Çarshisë. Më tha se më priste një bakshish-kafe. Nuk më la ta pyesja për shkakun e bakshishit. “Peshqesh nga kajmekami”. “Paska krisë ndonjë e mirë?” Lahu si Lahu, gjithë gaz e verë, më tha se bakshish-kafja shkon me njëfarë rrene që duhet të merret si e vërtetë. “Epo, edhe kohëve të liga u shkojnë mahitë… Njerëz jemi… Edhe ato ndihmojnë nganjëherë…” Pyeta se cila ishte rrena e ditës. “Fluturon, fluturon kali…” “Ka edhe ndonjë tjetër?…” “Thuhet se cjapi i Sylës ka dalë në Çabrat dhe po flet si njeri për një zaman të ri kur insani kthehet në hajvan dhe hajvani në insan…”
(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”)
Kur e takova për herë të parë te “Kafe Qorri” kujtoja se, nga ato që kishte përjetuar si dhe nga anatema e ambientit që “për arsye morale”,nuk i pranonte dëshmitë e tilla, do të kisha të bëj me një të çmendur. Ç’është e vërteta, ajo fillimisht ma përplasi në fytyrë klithmën “Ah! Amerikë!… Amerikë!…”, që e kishte si refren dhe sikur nuk mund t’ia niste pa të. Por, sapo i thashë se as Amerika nuk ishte engjëll, se isha shumë kritik ndaj disa qëndrimeve të politikës amerikane në pjesë të ndryshme të botës, veçmas ndaj partneritetit të fshehur me grupe religjioze dhe kriminale për qëllime që i di vetëm ajo, më tha se kur fliste ashtu kishte parasysh se atë duhej kuptuar si një gjendje thuajse absurde, që i përshtatet asaj: “vaj pa Amerikën, e hall me të…” Duket se ato që ia thashë në mënyrë kritike për politikën amerikane, sikur ia zbutën mllefin që e shprehte si refren. Kështu, në një anglishte të rrjedhshme, qetë-qetë, zuri të fliste për atë se kush ishte dhe si kishte ardhur deri aty që të shpallet “e çmendur” me certifikatë mjekësore, e lëshuar nga Klinika Psikiatrike e Prishtinës. Dhe, madje, atë gjendje ta pranojë për t’u shpëtuar edhe të tjerave, që e quajti si “privilegj”, ngaqë “liria e çmendisë” e amnistonte prej çfarëdo sjelljeje qoftë edhe e ndëshkueshme nga ana ligjore. Kështu ndjehej e lirë në një vend të robëruar shpirtërisht dhe politikisht nga një klasë kriminele, që ndonëse me pushtet të madh politik, megjithatë mbeteshin të robëruar nga ndërgjegjja e papastër që i vret dhe do t’i vrasë përherë…
(Shkëputje nga romani “MONA”, që sapo doli nga shtypi) /KultPlus.com
“Mona” është romani më i ri i shkrimtarit dhe historianit Jusuf Buxhovi, shkruan KultPlus.
Proza mbetet në kuadër të orbitrit tematik nga romanët e fundit “Dosja B” dhe “Dushkaja”. Vepra fokuson dramën e një Koloneli, ish ushtarak i armatës jugosllave, që mbahet i mbyllur për vite të tëra i rrethuar nga forcat ndërkombëtare diku në një ambient të izoluar të Rekës së Keqe nga dyshimi se ato që flet në një gjendje thuajse të çrregullt mendore, të shumtën kërcënime bashkëluftëtarëve të dikurshëm nga lufta e fundit, kthehen në vrasje.
Pra, bëhet fjalë për një konstrukt thuajse absurd për të cilin Mona, një gazetare hulumtuese, alarmon opinionin ndërkombëtar. Me këtë rast, një gazetë e njohur amerikane, kritike ndaj partneritetit të faktorit ndërkombëtar në Kosovës me struktura të caktura kriminale, të cillat me anën e tyre etablohen në politike, nis një hulumtim rreth mbylljes (izolimit të paligjshëm të Kolonelit të sëmurë) dhe vdekjes së tij, që dyshohet se ishte vrasje me paramendim.
Nxjerrja e kësaj të vërtete trishtuese kalon nëpër dy vija paralele: atë të hulumtimit të gazetarit amerikan me rastin, duke kaluar nëpër ngjarjet gjatë dhe pasluftës kur edhe do të ndodhin vrasej dhe krime të ndryshe të shumtën me motive poltike të pasqaruara, dhe të Monës, që shpallet e çmendur, ku paraqiten situatat e një trilleri politik të pasluftës, ku Koloneli, në njërën anë kremtohet si idealist dhe në tjetrën si vrasës dhe tradhtarë. Rrëfimi ka pikënisje kohën prej gjashtë orësh të bartjes thuajse zvarrë të kufomës së Kolonelit nëpër Dushkajë për t’u gjuajtur në një gropë ku mrizojnë bagëtia. Ndonëse këto dy linja mbesin të hapura, ato megjithatë sjellin përfytyrimin trishtues të një vrasjeje të paralajmëruar me motive politike prej nga gazetarit amerikan sikur i tumiret dyshimi i Monës së shpallur të çmendur, se Dushkaja po kthehet në një laborator për eksperimentimin e një virusi të ri nga ideologjia dhe religjioni, për nevojat e rendit të ri botëror, për nga ka burimin edhe klithma e saj absurde para atyre që ajo i merr për vrasës: Oh, Amerikë! /KultPlus.com
Seç m’u lidh në mendje pamja e akullt e Harun Xhaferit dhe shikimi i tij zhbirues gjatë takimit me Kajmekamin kur po na shikonte si kufoma. Si i tillë, nuk m’u hoq as kur po kaloja nëpër Çarshi të Madhe skaj tezgave të shkreta. E nuk m’u hoq as kur dola në pjesën e Rrypës që soste te Ura e Tabakut, e mbyllur nga zabitët në të dy anët e saj. Haruni nuk m’u hoq as kur po bëhesha gati për uratën e mbrëmjes. Në atë përndjekje Haruni i sertë sikur po më thoshte diçka se me grithje kishim nxjerrë një kashtë dhe kishin dalë njëzet e gjashtë… “ Nuk keni si t’i ikni asaj që ju pret… Kajmekami me të vetën… Shefqet Aga me të vetën… Dhe, ndonjë tjetër, që nuk e vëreni fare, u sillet përreth për me i vu kapak hesapit…” Nga kërcënimet më shkëputi për pak Padër Coli që po më priste për uratën. U ngrita si i shkallmuar dhe iu vuna mbas me shpresën se do t’i ikja fjalëve të Harun Xhaferit. Por, ato nuk po më ndaheshin edhe kur zbritëm shkallët e drunjta, e as kur dola para altarit. Në atë gjendje të rëndë, mezi nxora nga goja fjalët e uratës, sikur të ishin fjalë morti… Për t’i ikur atij ligështimi, fare i hallakatun dola jashtë. Këmbët më çuan te plemet e Rremë Kusarit. Burri azgan, sapo më pa ashtu dyfish dhe i dalë syretit, më tha se me jetë mbrohet jeta dhe jo me frikën e vdekjes dhe ulëritjet për të…Ato të çmendin… “Jetën e kemi dhuratë nga Perëndia… Për këtë duhet me luftue deri në dakikun e fundit dhe me ju gëzua asaj gjithnjë…” Fjalët e Rremë Kusarit sikur ma hoqën nga koka Harun Xhaferin… “Të paçim”, i thashë. “Ketë kemi për detyrë”.
(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”) / KultPlus.com
Ato që na i tha Shefqet Aga rreth barrës që na binte “me i ba zap të çmendunit për me i shpëtue nga spitali i Shkukzës” prej nga nuk kishte kthim, kishin filluar të jetësoheshin. Mora vesh se gjatë natës, bashibozukët e shumtë kishin hyrë në disa mëhallë dhe kishin bastisur familjet e njohura, me ç’rast nga çdo shtëpi kishin marrë të parët e tyre.
“Po i mbledhim të çmendurit… Ketë e keni peshqesh nga grithja”, çirreshin. Edhe ma të rënda më erdhën ato që m’i tha Lami rreth dyshimeve se oficeri Harun Xhaferi mund të ishte dërguar nga Zyrat e Errëta si hetues i posaçëm për t’u marrë vesh e verteta rreth atyre që tashmë lidheshin me frenimin e murtajës me anën e grrithjeve.
“Mendja ma thotë se Haruni po ua matë kokat Kajmekamit dhe Shefki Agës, cila prej tyre të përfundojë në Kamarën e Turpit… Kjo mund të jetë me rreziqe të tjera për ne…”
Atë mendim kishte edhe Sheh Alia, i cili njihej për tëhollimin e gjanave. Tha se Haruni i sertë është këtu për me e tjerrë përgjegjësinë e tyre për dështimin, sidomos kur kjo lidhet me grithjen.
“Ndaj, Kajmekami në njërën anë dhe mjeku Shefki Aga në tjetrën anë, mund të dalin me hesape të tjera për t’i dhënë punës kapak… Të tillët, për me ruejt pushtetin dhe për me shpëtue kokën, me murtajë apo pa murtajë, janë në gjendje me kallë edhe dynjanë..”
Shtoi se nga ato që kishte marrë vesh tërthorazi nga disa myhibë që i shërbenin Kajmekamit, ai po mundohej që me anën e hafijeve për me nxitë ndonjë kryeneçësi në mënyrë që, në rrethanat e Fermanit për shtetërrethimin të shfrytëzohej asqeri për qërim hesapesh me të madh e të vogël. Ndërsa Shefki Aga ka zgjedhur marifetin e çmendjes për të mbushur spitalin e Shkuzës. Me një të rame, këkon dy të vrame… “Harun Xhaferi i sertë nuk ashtë kot këtu…”
(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”) / KultPlus.com
“Ditari i karantinës”, si shtojcë, do të bëhet pjesë e romanit “Shënimet Gjon Nikollë Kazazit” të autorit Jusuf Buxhovi, botuar në vitin 1982 me shumë botime dhe i përkthyer në disa gjuhë botërore, përcjellë KultPlus.
Ç’është e vërteta, kjo nuk është “ndërhyrja” e parë që i është bërë veprës. Buxhovi ka bërë disa ndryshime gjuhësore dhe stilistike në botimin e vitit 1990. Ndërsa në vitin 2016 bëri disa plotësime në vetë konceptin e veprës, me ç’rast, mbijetimi në rrethanat e murtajës dhe përpjekjet për ta luftuar atë me anën e grrithjes, ndërlidhen me aspektet e “metastazimeve” të përvojave jetësore dhe filozofike nga dijet e vjetra, të cilat rikthehen në rrethana të situatave me qenë ose mos me qenë, siç ishte murtaja, involvimi imagjinar i së cilës kthehet në një metaforë të së keqes.
Botimi më i ri, që doli nga fundi i vitit të kaluar nga botuesi “Pena”, shfaqet me idiomat e shumta të gegnishtes, si pjesë e pasurisë së gjuhës shqipe, me të cilat karakterizohet e folmja e Gjakovës, Rekës së Keqe dhe e Malësisë së Gjakovës. Me rikthimin e paskajores, pjesores dhe i disa nazaleve është synuar që personazhet, me anën e të folmes autentike, të pasqyrojnë karakteret tipike të kohës dhe të rrethanave dhe veçmas psikologjinë e një bote autentike, ku naracioni ekzistencial nuk shfaqet vetëm si formë e thjeshtë e mbijetimit, por si refleks i një kozmogomie universale.
“Ditari i karantinës”, pjesë të së cilës prej disa ditëve po qarkullojnë në media, do të shfaqen si shtojcë-variant, ku ruhen në tërësi personazhet, ngjarjet e murtajës në versionin e parë të vitit 1982, por që “korniza autentike”, ajo e ngjarjeve të vitit 1747, përfshin reflektimet e kohës sonë me dramat dhe tragjeditë, që po e përcjellin atë në format më autentike si formë e “përsëritjes së të njejtës”, që Shopenhaueri e sheh si “mallkim të njerëzimit”.
Ndonëse autori e din se historia nuk përsëritët, megjithatë, me këtë rast, me anën e narracionit imagjinativ, synon ta tregojë se kjo është e mundshme madje, ngaqë te qenia njerëzore, lufta midis së mirës dhe së keqes, është pjesë e natyrës së tij, që nuk e ka zgjidhur as mitologjia, as filozofia, as religjioni, e aq më pak politika, e cila kërkon ta kthejë në kredo të sjelljes së saj fund e krye mashtrimtare… / KultPlus.com
Vala e tretë solli pak të prekur nga murtaja. Këtë nuk mund ta fshihnin as ulërimat err e terr të tellallëve nëpër Çarshi të Madhe, e as çirrjet kërcënuese të fedainjëve për “vdekjen hak”, që nuk pushonin. Por, shpresa që po e mundnim sëmundjen, zu të na venitet me shfaqjen e të çmendurve në shumë pjesë. Sapo hidheshin rrugëve, kapeshin nga zabitët dhe me të shpejtë dërgoheshin në spitalin e Shkuzës, prej nga askush nuk kthehej. Mjeku Izet Aga, na tha se ndonëse puna e të çmendurve nuk rregullohej me Ferman, megjithatë në rrethanat e shtetrrethimit dhe të karantenimit të shehrit, ata duhej të përfundonin në Spitalin e Shkuzës. Shtoi se mund të shpëtoheshin, po qe se ne merrnin përsipër të mos dilnin rrugëve dhe t’i bënim zap për mos me ra ndesh me Fermanin. “Fati i të çmendurve është në duar tuaja”. Sheh Alia mend plasi nga ato që i dëgjoi nga Izet Aga. Tha se Paria e Shehrit nuk merret me punët që i takojnë hyqymetit. Por, shtoi se do të bëhet çmos që spitali i Shkukzës të ketë sa ma pak punë… Fjalët e Sheh Alisë e hidhëruan gjeneralin Ibrahim Pasha, që si me qesendi na u drejtua me fjalët ” se, si po shihej, spitali i Shkukzës do të ketë shumë e shumë punë…” Me kërcënimin e hapur se spitali i Shkukzës na priste të gjithëve, sapo u ktheva në kishë, në atë gjendje të turbullt, sikur të kërkoja njëfarë ndihme nga librat, dora ma kapi “Librin e Perandorive”. Aty bëhej fjalë edhe për shfaqjen e çmendjes si dhe të sëmundjeve të tjera të rënda shpirtërore në krahinat kryeneçe (të Dalmatëve, Liburnëve dhe të tjerëve), që nuk kishin pranuar nënshtrimet. Pas fushatave të dështura ushtarake, dikujt i kishte shkuar ndër mend se arma më e përshtatshme ndaj tyre ishte mbyllja e gjatë (karantenimi). “Popujt e lirë, në rrethana të mbylljeve të tilla, çmendën, ose vetëvriten.” Nga tronditja, për pak, hodha librin mënjanë dhe po ofshëtija. Mbase edhe do të ulërija me sa zë kisha, që të lirohesha nga ai makth. Por ishte Padër Colit, që më shkëputi nga ajo gjendje. Hyri pa kërkuar leje dhe gjithë trishtim dhe më tha se te Ura e Taliqit ishte vetëvrarë Cen Kurti. Njeriu i shkretë kishte behanen e të qeshurit, që nuk i hiqej për një kohë të gjatë. Këtë e dinin të gjithë dhe përpiqeshin t’i ndihmonin gjatë sulmeve të gazit. “Njerëzit e Izet Agës e kanë marrë për të çmendur dhe kanë deshtë ta dërgojnë në spitalin e Shkukzës”!
( Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”,1982) / KultPlus.com
Në realitetin e “Fermës së kafshëve”, ku blegërima paraqet “shprehjen e lirë”, ndalohet çfarëdo blegërime jashtë tufës. Monotonia sanksionon edhe shkeljet mbi kriteret “e çakordimit” dhe të “dakordimit” të tonaliteteve. Kështu, “çakordimet”, me arsyetimin se prishet harmonia, konsiderohen shkelje të rënda dhe sanksionohen me linçim publik. Ndërsa “dakordimet” trajtohen pjesë e “tonaliteteve” për brenda konceptit të monotonisë. Që i bie se ato mund të jenë edhe të dirigjuara nga Dirigjenti dhe shfaqen sipas nevojës. Nuk ka këtu asgjë të jashtëzakonshme nëse kihet parasysh se simetria “e fajit” e ka burimin te fryma e Kushtetutës së “Fermës së kafshëve” dhe interpretimi i saj nga Sovrani (Kryederri), sipas të cilës “të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat!”… / KultPlus.com
Kajmekami, i futur midis Ibrahim Pashës dhe Izet Agës, dukej i zymtë. Na vidhte me shikim dhe prapë i kthehej letrave që mbante në dorë sikur aty ta kapte fillin e atyre që duhej të na i thoshte gjatë atij takimi që na kishte thirrur me ngut. Dikur ia la letrar para Ibrahim Pashës dhe tha se tash e tutje do të kishim punë me të. “Fermani po shkilet”, foli gjenerali kërcënueshëm. Mbas një pushimi të shkurtër, gjithnjë me shikimin kah unë dhe Sheh Alia, shtoi se nga Reka e Hasi në sheher futën tebdil festaqinjë të shumtë. Nëpër kisha e teqe flasin sikur fermani është me sherr dhe se duhet me e kundërshtue me heqjen e mbylljes. Thonë se Gjakova dhe Malësia janë ndarë për t’u shkatërruar tinëzisht dhe çmos… “Ne po luftojmë me vdekjen, ndërsa këta shpifin sikur ne nuk bëjmë tjetër pos hapim varre të fshehura… Dikush këtu po lyp sherr. Hyqymeti nuk do të rrijë duarkryq!” Lam Mula po ziente. Mbase do të shpërthente, por ishte Sheh Alia i Teqes së Madhe, që si përherë, Ibrahim Pashës i tha se shtëpitë e zotit ishin të hapura për të gjithë. Ndërsa shqetësimi për të keqen që po na kërcënon nuk është kurrfarë armiqësie… “Shpifjet e tilla kanë për qëllim revoltën deri në shpërthim dhe kryeneçësinë kundër fermanit… Ne nuk hamë barë!…” Në fund Ibrahim Pasha, gjithnjë me atë shikimin kërcënues tha se dikush po kërkon llugë, por ajo ia ha kokën… “Ne e dimë se kush hedh gurin dhe fsheh dorën…”
(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982) / KultPlus.com
Vota mund të jetë edhe “tirani e gishtave” thotë Karl Poper, mjet që përherë, në situata të krizave, është shfrytëzuar dhe shfrytëzohet nga populistët për pushtet. Ky fenomen, ma mirë se kudo, kuptohet nga “Ferma e kafshëve” e Orvellit dhe gatishëmria e grixhës që duke i shkuar pas Oskarit, “zgjidhjen” e kthen në “problem”! / KultPlus.com
Vala e tretë kishte sjellë edhe më pak të prekur nga sëmundja. Ishte më se e qartë se grithja po e bënte të veten, edhe pse nuk na shkonte mendja se tashmë ia kishim dalë… Përkundrazi, Lami, Shehë Alia, Rremë Kusari dhe të tjerët nga Paria e Shehrit druanin se ma të keqes nuk i kishim ikur, ngaqë Kajmekami dhe Izet Aga vazhdimisht flisnin për “vullnetin e Allahut”, ndërsa ne e dinim se pas atyre fjalëve fshehej hesapi i disave nga hyqymeti, të cilët, nuk do të hiqnin dorë prej saj, pa marrë parasysh se me çfarë mjete do ta arrinin, ngaqë u kushtonte me kokë… “Mendja e ligë çka s’pjell… E keqpërdor edhe të Madhin dhe vullnetin e tij… Medet…”, fliste Lami me dëshpërim. Sheh Alia thoshte se duhet vazhdue me grithjën edhe në pjesët tjera në drejtim të Malësisë, Pejës dhe Prizrenit… “Nuk humbim gja me të… Ma mirë me veprue se me u dorëzue… Ketë e kemi për detyrë…” Kur u ndamë te Ura e Namazxhasë dhe mora drejtimin për në kishë, mbeta i ngujem te pjesa e Kullës së Begut. Zabitët kishin mbyllë rrugën kah Çarshia e Madhe. Moria e njerëzve po përcillte parakalimin e qerreve me mushama të mbushura me të sëmurët, apo të vdekurit, që në rrugë për në spitalin e Shkukzës, ku përfundonin në gropat e gëlqeres, ishin ndalur para Xhamisë së Hadumit të rrethuara nga daullxhinjë të shumtë. Tamtamet e daulleve, përcilleshin me ulërimën e trishtueshëm dhe kërcimin shfrenues të shumë fedainjve të paparë deri më atëherë në shehër. I trishtuar nga pamja e atij ziqri të hapur, drodha rrugën kah Ura e Taliqit për në Kishë. Tamtamet e daulleve nuk kishin të ndalë bashkë me ulërimën e fedainjve me çirrmat : “Vdekjen e kemi hak!…Vdekja…” Tamtamet dhe ulërimat e fedainjve për vdekjen para xhamisë së Hadumit zgjatën deri mbas iqindisë. Vazhduan edhe në pjesën tjetër për te ura e Tabakut, deri atëherë kur qerret me mushama humbën në drejtim të Shkuzës. “Tmerr, atë, tmerr. Kremtohet vdekja!”, tha padër Coli me buzë në vaj. “Po i frikësohen fitores së jetës”, ia ktheva edhe pse nuk isha i sigurtë se kush po i thoshte këto fjalë: njeri i uratës, apo luftëtari, që tashmë ishin ngatërruar në mua?…
(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982) / KultPlus.com
Vala e dytë e murtajës kishte prekur për gjysmë më pak njerëz nga ajo e para. Duket se grithja po e bënte të veten. Por, ne, nuk dëshironim të mendonim se po shkonim kah fitorja, ngaqë e dinim se kjo jo vetëm që nuk do të pranohej nga ata që e kishin sjellë dhe kishin hesapet me murtajën, por do të përcillej me masa të tjera nga futja e vëllavrasjes e deri te gjetja e ndonjë shkasi që gjendja e jashtëzakonshme të kthehej në gjendje lufte, me çka, përfundimisht, atë që nuk do ta arrinte mikrobi, ta bënin armët, paçka se gjitha, do t’i ndajmbathej murtajës… “Atyre u duhen numrat”, i thashë Lamit. “A nuk e sheh mjekun Izet Aga , gjoja me brengosje, se si nxjerr numra të të prekurve nga sëmundja ose edhe të vdekur, që ne nuk i dimë fare, për t’u paraprirë masave të tjera. A nuk u fut në këtë mënyrë në karantinë edhe shehri? Mjeku izet Aga arsyetohet se kështu ndërpritet përhapja e murtajës, edhe pse dihet se shkëputja e shehrit nga nahija, do të thotë më keq se murtaja – dënim me vdekje, jo vetëm nga uria, por ngaqë ai, pa Malësinë dhe Rekën bëhet pre e çfarëdo komploti shkatërrues?” “Njëmend, ma ktheu Lami gjithë brengosje, kur shehri shkëputet nga Reka e Malësia, ai vritet…Por, kjo nuk duhet pranue… Do të gjejmë rrugë që qarku ynë jetësor të mbahet. Përndryshe, po ra Gjakova, vdes edhe Reka… Vdes edhe Malësia… Vritemi shpirtnisht… Këtë do Ibrahim Pasha…”
(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982. / KultPlus.com
Kishim dikur Aleksandrin e Madh, pastaj Pirro Molosin, Konstadinin e Madh, Justinianin e deri te Gjergj Kastrioti-Skenderbeun!
Kishim dikur Shkupin si qender ushtarake po edhe politike te kryengritjes shqiptare te vitit 1912.
Mos ta harrojme edhe alfabetin e gjuhes shqipe ne Manastir 1908.
Por konferenca e Londres 1913, ndodhi njohja e Shqiperise se pergjysmuar, Maqedonia mbet nen pushtimin serb.
Memorandumi i Vasa Cubrilloviqit dhe kisha ortodokse Shkupin e kthyen ne qender te islamizmit, ndersa Manastirin ne qender te identitetit ortodoks.
Nisen shpernguljet e dhunshme te shqiptareve per ne Turqi dhe kolonizimin e trojeve shqiptare me popullate serbe dhe malaziase.
Nisen mohimin e gjuhes shqipe, mohimin e identitetit kombetar si dhe zevendesimi i tij me fetar ”mysliman” te shoqeruar me kombesine ”turke”.
Beogradi hapi shkollat fetare islamike ne gjitha qytetet, hapi medresen e madhe ne Shkup si dhe themeloi Shoqaten e Myslimaneve te Serbise ”Xhemjeti”.
Ketij asimilimi te plote iu nenshtruan edhe shqiptaret ortodokse, te cilet u shpallen ”serbe”. Te njejtit ne kohen e Titos, u shpallen maqedonas.
Shpalljes se shtetit maqedon ne vitin 1991 mbi parimin shtet-komb i vetem maqedoneve, shqiptaret iu pergjigjen nepermes nje referendumi ne vitin 1992 me shpalljen e republikes autonome te Ilirides.
Por sapo Kosova te futet nen protektoratin nderkombetar ne qershor 1999, shqiptaret e diskriminuar nga ”demokracia parlamentare maqedone”, filluan nje kryengritje e cila filloi nga Tanusha e deri te hyrja e ”Ushtrise Kombetare Clirimtare” ne Shkup.
Shqiptaret fituan disa te drejta por perfundoi pa ndonje sukses te madh politik. Andaj, si e tille, kjo lufte mbetet e paperfunduar. / KultPlus.com
Lam Mula , ishte gjithë pezm e vnerë. Tha se në kohën kur po
kryejnë gërrithjën, në disa mëhallë, kanë filluar fesate gjoja për me u mbrojtë
nga sëmundja, por që kanë për qëllim vendosjen e mbikëqyrjes mbi to dhe
krijimin e hallakamës së përgjithshme ku qeni nuk njeh të zotin…
“O zot, ofshana, pushtet mëhallësh në kohë murtaje!.. Kjo mund të jetë më e
rrezikshme se mikrobi i muratjes!…”
Në ato fjalë, erdhi Sheh Alia. Dukej i qetë edhe kur tregoi se i dinte ato që
po ndodhnin. Por, tha se kishte folë me Sheh Himën e teqesë së rufainjve dhe
Sheh Danin e teqesë së vahabive, që t’i pengojnë çallmat e myhibëve të tyre
nëpër mëhallë.
“U thashë se nuk është koha për karshilleqe mesveti, sepse këtë e do ai që po
na kërcënon me murtajë, por është kohë për luftimin e saj ashtu si po veprojmë bashkërisht.
Sheh Dani sikur pranoi se ditëve të fundit kishte hetuar disa të panjohur në
teqenë e tij që flisnin për njëfarë kryeneçësie, por nuk i kishte shkuar mendja
se kjo mund të ishte një kurth për fesate, që mundtë çojë redhete
gjakderdhjet..”
Në fund, Sheh Alia, tha se ishte koha që i madh e i vogël t’i bëjmë ballë
përçarjes, dhe se për këtë, nuk do të kursehet asgjë…
(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”) / KultPlus.com
Pa Lamin dhe bisedat e përditshme me të, ndjehesha i vetmuar dhe i humbur madje… Këtë ia thash, si me shaka, kur u kthye nga Hasi dhe më tregoi se atje grithja po kryhej mirë, edhe pse kishte familje që i rrinin larg ngaqë kryhej jashtë mbikëqyrjes së hyqymetit… Por, nga ato që m’i tha Lami gjatë qëndrimit andej e më banë përshtypje, ishte ndjenja e njëfarë, si e quajti, “barabarësie” midis njerëzish, ku i pasuri dhe i varfëri, i shëndoshi dhe i sëmuri, trimi dhe frikacaku, ndjeheshin njësoj të pafuqishëm ndaj murtajës… “Murtaja sikur ka hequr kufirin midis pasjes dhe mospasjes, ndërsa mbijetimi, sikur ka shlyer të djeshmen dhe të nesërmen…” Këto që i tha, Lami i lidhi me shfaqjen e ndjenjës së hiçit, me çka u pajtova dhe shtova se në kohë të tilla, qoftë edhe si frikë, ajo ishte shënja e parë e kthimit të njerëzve nga njerëzorja, nga ajo që nuk e kishin parë ose nuk kishin dashtë me e pa. Por, thash, se ndjenja e hiçit nuk vjen nga ajo se bota është pjesë e hiçit dhe për hiçin, që duhet të përfundojë me hiçin, pra si asgjë, por nga të kuptuarit e saj se jeta është themel i krijimit, që qëndron mbi sistemin e vlerave morale dhe humane, që duhet shfrytëzuar për ta jetuar në përputhje me logjikën e krijimit, për të mirën dhe me të mirë dhe jo për ta përvetësuar, ose për me e kthye në plaçkë nga forca dhe ndjenja e të qenit i gjithëfuqishëm. i pavdekshëm ose mbinjeri…”
(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982)
Sheh Alia i Teqes së Madhe ishte fjalëpakë. Si prijës i Parisë
së shehrit, edhe sjelljes së Kajmekamit për të na treguar se ishim të
nënshtruar, ia humbte fuqinë… Kjo u pa më së miri kur pas atyre që i tha
Shefki Aga rreth shpalljes se shtetrrethimit dhe fuqisë së fermanit, kërkoi që Paria
e shehrit të dinte për të gjitha, veçmas për qerret me mushama që shkonin natën
në drejtim të Urës së Tabakut për në Shkugëz si dhe për punën e minjve që përhapeshin natën rrugicave nga disa të
panjohur…
Kajmekami u mundua që të sillej me mospërfillje
ndaj Sheh Alisë, ndonëse qehrja po ia pasqyronte një mllef të brendshëm, që
mezi e përthekonte. Tha se hyqymeti i dinte punët e veta, ndërsa mileti duhej
vetëm të bindej…
Kur Sheh Alia ishte gati të largohej pa ize bashkë
me ne, ndërhyri Shefki Aga. Tha se mund të ishte koha e ligë dhe e keqja e
madhe që po na kërcënohej, që sillte edhe shqetësime dhe keqkuptime, por, shtoi
se fermani ishte ferman dhe se atij të gjithë i nënshtrohen…
“Ne do ta luftojmë të keqen… Nuk ka ferman që e
ndalon këtë…”
Kur dolëm jashtë dhe dita me diell të shëndritshëm
të marsit sikur për pak na hoqi sikletin e fermanit, te skaji i urës, Lam Mula,
hapi punën e sjelljes së plakave të malësisë që do të merreshin me grrithjen,
që ishte punë me rrezik pas shpalljes së fermanin, por duhej bërë medoemos.
“I ke myhibët e mi të gatshëm edhe me dekë” , tha
Sheh Alia. “ Mos kurse njeri… Në kohë murtaje edhe ujku e dhia bahen
bashkë…”
(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982). / KultPlus.com
Rremë Kusari
rrinte dyfish i mbështetur për trapazanin e kullës. Dukej i thyer fare dhe
tjetër nga ai burri i ngjeshur me pamjen e një fisniku, që e njihte i gjithë
shehri.
“Kam mendue se jemi ma ndryshe”, foli si me zor.
Desha t’i thosha se jemi po ata që ishim, dhe se, sëmundja kishte nxjerrë në
pah ato që nuk shiheshin. Sikur ta kishte blerë mendimin tim, tha se nuk kishte
parasysh ndonjë trimëri, meqë në kohë të tilla ato janë të padobishme, por
fjalën e kishte për punët e liga të disave që në vend se të ndihmojnë, merren
me thashetheme dhe shpifje ndër më të ulëtat, që i shkojnë për lale së keqes…
“Këto i kanë kohë e liga, vëlla…”
Një copë herë heshti. Dukej edhe më i ngrysur. I thash se murtaja nuk do të
ishte murtajë pa ata që janë pjesë e saj, që shesin fytyrën për një cikërr…
Këto sikur e qëlluan edhe më shumë.
“I kuptoj hyzmeqarët që punojnë për kafshatë të gojës, por nuk i kuptoj ata që
neve që po përpiqemi ditë e natë për me i ba ballë kësaj virane, po na quajnë
tradhtarë…”
E dija se ku e kishte hallin. Kishte ditë që në shehër ishte shfaqur njëfarë
Qosaleshi, që sillej si fakir dhe nëpër çarshi hapte fjalë se ata që vepronin
kryenveti kundër murtajës, ishin tradhtarë, hafije dhe çmos. Ai, fliste gjithë
tallandi, se me veprime të tilla po e përhapnim sëmundjen, se ishim vrasës e
çmos, meqë po të kishte ilaç, atëherë këtë do ta bënte padishahu dhe jo
druvarët, siç e kishte quajtur Rremë Kusarin…
(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”,1982) / KultPlus.com