Buxhovi: Askund nuk kam deklaruar se UÇK-ja i ka vrarë njerëzit e LDK-së

Historiani e publicisti Jusuf Buxhovi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se asnjëherë nuk e ka thënë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës, i ka vrarë veprimtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Zoti Buxhovi, tha ditë më parë në një intervistë për emisionin Rubikon në Kosavision, se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare dhe përgjithësisht rezistenca e armatosur në Kosovë ishte e drejtë, por çdo luftë ka elementë të papastër. Ai përmendi edhe vrasjet e 102 veprimtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe deklaratat e tij nxitën reagime e kundërshtime të ashpra, përfshirë edhe kryetarin e Parlamentit, Kadri Veseli, i cili i tha Zerit të Amerikës se deklarimet e tilla nuk i ndihmojnë qartësimit të së vërtetës historike. Me zotin Buxhovi bisedoi korrespondenti ynë në Prishtinë, Leonat Shehu.

Zëri i Amerikës: Z. Buxhovi, ditëve të fundit jeni përballur me akuza të rënda nga zyrtarë të lartë të shtetit, pas disa deklaratave tuaja lidhur me pastërtinë e luftës së ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si i shihni këto reagime?

Jusuf Buxhovi: Po këto janë shkëputur dhe qëllimisht është krijuar një atmosferë linçimi nga një kontekst pak më i gjerë. Ata që e kanë përcjellë emisionin “Rubikon” (Kohavision), shkas ka qenë përfundimi i librit “Kosova” vëllimi gjashtë, shtatë dhe tetë, ku përfshihet periudha e shtetndërtimit, veçmas problemet nga vendosja e protektoratit ndërkombëtar deri te shpallja e pavarësisë, do të thotë hyrja e NATO-s në qershor të vitit 1999 deri te 17 shkurti i vitit 2008. Në këtë problematikë gjithsesi bën pjesë edhe çështja e shtetndërtimit dhe problemet të cilat kanë qenë dhe gjithsesi koha kalimtare ka qenë e përcjellë me vrasje, me kriminalitet dhe tjera, do të thotë ai vakuumi që UNMIK-u ka qenë dashur ta plotësoj duke vendosur institucione demokratike, është plotësuar prej grupeve kriminale dhe tjera, që objektivisht është vlerësuar prej të gjitha institucioneve botërore që ka qenë një kohë shumë e vështirë për Kosovën dhe unë mbështetëm te librat dhe të dhënat e librave. Në atë kohë kemi pra edhe vrasje të shumta, 102 janë aktivistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe 92 janë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Janë 603 qytetarë të Kosovës për të cilët pjesërisht ose fare hiç drejtësia nuk e ka dhënë përgjigjen e vet. Unë si shkrimtar dhe historian i kam përfshirë në librin tim dhe unë jam kritik ndaj kësaj dhe në librin tim hedh edhe një faj te UNMIK-u dhe veçmas EULEX-i, që jo vetëm nuk i ka zgjidhur këto raste, por ka bashkëpunuar edhe me struktura të caktuara kriminale. Kjo ka qenë. Askund nuk kam deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është bartëse e këtij procesi. Përkundrazi, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka përfunduar misionin e saj në qershor të vitit 1999, diku në shtator apo tetor është demilitarizuar në përputhje me marrëveshjen (Michael) Jacksonn- (Hashim) Thaçi dhe aty ka filluar një mision tjetër i FSK-së ku po ashtu ka probleme të shumta ku po ashtu shumë pjesëtarë të FSK-së janë përfshirë në disa veprime kriminale, terroriste dhe tjerë, por është një kapitull tjetër. Askund unë nuk kam thënë se janë vrarë aktivistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ajo është shkëputur prej kontekstit, një portal, “Expresi” e ka publikuar menjëherë të nesërmen se ka qenë një luftë e papastër dhe se unë e kam karakterizuar dhe aty ka filluar e gjithë fushata e linçimit.

​Zëri i Amerikës: A ndjeheni të rrezikuar nga këto reagime dhe linçime?

Jusuf Buxhovi: Për mua të them të drejtën, kërcënimet janë dy llojesh. Kërcënimet që vijnë nga atmosfera e linçimit, do të thotë nga militantët e partive veçmas e klientelizmit të ndryshëm qw e mbikëqyr Partia Demokratike e Kosovës. veçmas nga një pjesë e veteranëve të rremë, të cilët, po ashtu janë të varur prej tyre dhe po ashtu, unë ndjehem i kërcënuar nga vet institucionet e shtetit. Kjo e para ka arsye sepse nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës ka dalur me një deklaratë skandaloze. Ai në një farë mënyre thotë se pse nuk i kemi qëruar hesapet gjatë luftës me Buxhovin dhe Buxhovizmin. Në një farë mënyre e pranon se ka qenë i përfshirë në vrasjet politike dhe se ato vrasje do të duhej të përfshinin edhe më tutje. Unë në një farë mënyre kam pritur që qeveria do të distancohet nga një zëvendëskryeministër i tillë. Nuk është distancuar, përkundrazi, kemi edhe deklaratën e (Ramush) Haradinajt në një farë mënyre kërkon prej meje gjoja sqarime, thuajse unë jam prokuror apo nëpunës i tij. Unë jam historian dhe këto janë libra dhe ai mund të shikoj librat dhe nuk ka nevojë të më shprehë mua pyetje të tilla. Edhe ajo që është edhe më keq dhe më tutje, unë kam prit që kjo fushatë së paku që është ushqyer prej niveleve shtetërore dhe veteranëve të ndërpritet në një farë mënyre. Kam pritur që kryetari i Parlamentit (Kadri Veseli) në Washington së paku të kërkoj falje dhe në një farë mënyre ta marr në mbrojtje fjalën e lirë sepse kryetari i parlamentit ka qenë mysafir në Washington, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SHBA-ja është tempulli i lirisë dhe demokracisë dhe aty para njëzet vjetëve kemi qenë gjithë spektri jonë me të cilin SHBA-ja i ka ndihmuar shtetndërtimit tonë dhe lëvizjes tonë, ku ndër tjera është thënë se ju do të ndihmoheni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në qoftë se do zotoheni për një shoqëri të lirë e demokratike, çfarë në të vërtetë ka qenë angazhimi ynë. Ndërkohë pas njëzet vjetësh shkon krye parlamentari atje dhe në vend që të kërkoj falje, sulmon edhe më ashpër një krijues, tregon se nuk është përkrahës i fjalës së lirë, nuk është përkrahës i mendimit shkencor dhe në një farë mënyre për mua kjo paraqet një shqetësim shumë të madh, sepse merr përsipër barrën e shtetit, në këtë moment, do të thotë pas 20 vjetësh të lirisë, shteti i Kosovës i linçon krijuesit e vet, i kërcënon krijuesit, i kërcënon historianët. Unë i kam shkruar 50 libra, kam shkruar historinë e Kosovës. Shumë nga veprat e mia janë të përkthyera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe atje mbaj ligjërata herë pas here dhe është e pakuptimtë se si një kryeparlamentar shkon në SHBA dhe kërkon partneritet të Kosovës me Shtetet e Bashkuara, por harron se partneriteti kërkon fjalën e lirë e demokracinë ndërsa ai e bën të kundërtën atje.

Zëri i Amerikës: Zoti Buxhovi përse keni zgjedhur të bëni akuza publike në vend që t’u drejtoheni institucioneve të drejtësisë për këto çështje?

Jusuf Buxhovi: Nuk kam bërë unë akuza publike, unë kam folur për librin. Emisioni i është kushtuar librit, e tjetër është që keqinterpretuar. Si historian, unë i kam hedhur këto të gjitha dhe në librin gjashtë e shtatë “Kosova” unë flas aty me burime relevante botërore dhe kurrfarë akuzash nuk kam bërë unë, vetëm kam treguar aspektin si historian, e kam trajtuar, do të thotë një aspekt i gjithë asaj është edhe problemet që e kanë përcjellur thash shtetndërtimin tonë, ato tetë vitet, krimi i organizaur, krimet politike tjera ku për fat të keq edhe shumë nga pushtetarët e tanishëm janë pjesë e grupit të organizuar dhe vet Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe institucionet më të rëndësishme evropiane vazhdimisht tërheqin vëmendjen se në Kosovë politika është e përfshirë prej krimit të organizuar dhe se jo rastësisht vet konstelacionet e fundit me qeverinë dhe parlamentin e Kosovës tregojnë se krimi i organizuar aty ka fuqi të madhe dhe se unë si intelektual por jo vetëm si intelektual, kam për detyrë që ta tërheq vërejtjen ndaj këtyre dukurive. Intelektualët janë të përgjegjshëm jo vetëm për atë që e thonë dhe duhet ta thonë, por për atë që duhet thënë e që nuk është thënë. Prandaj unë e kam mbrojtur kauzën e lirisë, kauzën e fjalës së lirë. Do të vazhdojë në ndërkohë, që kujtoj që edhe SHBA-të edhe faktori perëndimor do të jetë në gjendje të mbrojnë fjalën e lirë dhe kauzën e lirë, sepse për këtë edhe ka intervenuar.

Zëri i Amerikës: Z. Buxhovi pas gjithë këtyre akuzave të rëndë, a do të bëni ndonjë ankesë?

Jusuf Buxhovi: Jo absolutisht, unë nuk do të bëj kurrfarë ankese. Unë jam shkrimtar, historian dhe janë librat e mia. Njerëzit mund të manipulojnë, portalet e partitë e ndryshme, forcat politike të cilat objektivisht i kanë bërë dëme të mëdha këtij vendi dhe gjithsesi do t’i nënshtrohet edhe përgjegjësisë politike. Unë do të vazhdoj të punoj. E vetmja gjë që për mua ka qenë shqetësuese, ka qenë që shteti i Kosovës është përfshirë në një atmosferë linçuese kundër një krijuesi i cili e thotë fjalën ashtu si ai e mendon dhe këto të gjitha i shkruan në libra dhe unë kujtoj se librat janë ajo pasuria më e madhe. Ato do të duhej t’i vlerësonte një klasë politike dhe shteti dhe jo të ngrihen kundër tyre.

Veseli: Buxhovi, një fosil që s’i ndihmon qartësimit të së vërtetës për vrasjet e pasluftës

“UÇK-ja nuk ka qenë e pastër. Ka qenë e drejtë, por ka pasur shumë gjëra të këqija. Janë vrarë mbi 100 zyrtarë të LDK-së”. Kjo deklaratë e Jusuf Buxhovit, njërit prej themeluesve të LDK-së, e dhënë në Rubikon të KTV-së, ka ngjallur reagime të shumta.

Së fundmi ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka thënë se “personi i cili e ka vënë këtë theks në këtë formë njëngjyrëshe”, duke iu referuar Buxhovit, “është lloji i fosilit i cili nuk i ndihmon as qartësimit të së vërtetës historike, pavarësisht se lufta në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Zëri i Amerikës: Zoti Veseli, para disa ditësh, historiani i njohur, Jusuf Buxhovi, tha në një intervistë se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përgjithësisht rezistenca e armatosur në Kosovë ishte e drejtë, por çdo luftë, tha ai, ka elementë të papastër. Ai përmendi edhe vrasjet e 102 veprimtarëve të LDK-së. Çfarë po bëjnë institucionet për të ndriçuar këto vrasje? Është një problem shqetësues në Kosovë.

Veseli: Është një nga elementët më të dhembshëm pas luftës së Kosovës, së cilës duhet t’i shkohet deri në fund. Ka të bëjë me vrasje pas luftës të cilat janë kriminale nga njerëz të këqij të cilët nuk ia duan të mirën Kosovës, por personi i cili e ka vënë këtë theks në këtë formë njëngjyrëshe, është lloji i fosilit i cili nuk i ndihmon as qartësimit të së vërtetës historike, pavarësisht se lufta në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës …

Zëri i Amerikës: Ai ka thënë megjithatë që lufta ishte një faqe e lavdishme…

Veseli: …pavarësisht, mund të ketë pasur edhe gabime, por varet se nga kush vjen, nga personi. Për të folur në këtë pjesën, në shtet ligjor. I pamëshirshëm do të jem ndaj gjithë atyre që kanë thyer ligjin dhe kanë bërë gabime, qoftë gjatë lufte, qoftë pas lufte. Por në të njëjtën kohë edhe vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të mbrohen deri në fund dhe jo çdokush të vërë pikëpyetje ato kur të dojë.

Buxhovi, ky shërbëtor i lirisë

Populli i Dardanisë ka ba shumë lufta për liri. E mbrama ka mbaru para 20 vje­të­ve. Por vendi ynë nuk asht ende krejt i lirë, ndërsa sun­dim­tarët e pa­su­nuem prej pu­shtetit sul­mojnë inte­lek­tualët e ska­mun që shpre­hin men­dimin e tyne të mirë­mbë­shtetun.

Kët javë, shkrimtari e his­to­riani Jusuf Bu­xhovi e çmoi luftën e drejtë t’Ush­trisë Çlirim­ta­re të Ko­so­vës, por dënoi krimet që dy­­sho­het se i kanë ba pjesë­­tarët e saj.

«UÇK-ja nuk ka qenë e pas­tër», tha Buxhovi. «Ka qenë e drejtë, por ka pasur edhe shumë gjëra të kë­qi­ja. Janë vrarë mbi 100 zyr­tarë të LDK-së, mbas luf­tës».

Njerëzit e pushtetit iu vër­su­lën pas­krupull­sisht, tue e qujtë pro­pa­gan­dist, tradh­tar të ko­m­bit e shpiun të Sërbisë. Do thanë se Bu­xho­vi po e njo­llon «luftën e pa­s­tër të UÇK-së» dhe «pjesë[n] më të lav­di­shme të his­torisë së kom­bit dhe po­pullit shqip­tar».

Me reagimet e tyne, kun­dër­­shtarët e Buxho­vit shpër­­faqën sa mos­dije aq dhe mos­durim ndaj drej­tësisë e lirisë.

Tregunë mosdije, sepse shpikën kon­ceptin e «luf­tës së pastër». Dije­tarët kanë ri­kujtu këto ditë se e drejta dhe marrë­dhaniet ndër­kom­bë­tare nuk e njo­hin luf­tën e pastër; njo­hin vetëm luftën e drejtë. Dhe Buxhovi e ka për­sëritë ma fort se kush­­do se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë. Kët javë ai foli për krime që shteti ynë ende nuk i ka ndëshku.

Tue i shpërfillë ato krime — mbi 100 vrasje poli­tike të mbas­luftës — për­ndje­kë­sit e Bu­xho­vit tregunë shpir­tin des­potik. Tue u thirrë në gjoja inte­resat e gru­pit, këta zhvleftë­sojnë je­tën e njeriut, shty­pin li­rinë e in­di­vidit, dhe pen­gojnë sun­dimin e ligjit. Kë­shtu sjellja e tyne për­ban për­kufi­zimin klasik të fa­shiz­mit, kurse guximi i Bu­­xho­vit thel­bin e luftës për liri.

Librat e Jusuf Buxhovit i kam pasë në dorë qysh fë­mijë. Atëherë nuk dij­sha se ç’brezi i për­kiste, nga vin­te, a ç’dia­lekt fliste. E çmoj­­sha si tre­gim­­tar shqip­­tar. Por ma fort i ad­mi­roj­sha herojtë liri­da­shës për të cilët shkrunte.

Te Shënimet e Gjon Nikollë Ka­zazit, osmanët e va­rin Col Shku­pin që ka guxu me shkru arbë­nisht dhe me andë­rru për lirinë e po­­pu­llit tonë. E shkrim­ta­rët e nji­mendtë duhet me qenë po aq trima sa per­so­na­zhet që krijojnë.

Vite ma vonë, shkrimtarin tonë e kam taku kur kam qenë student n’Ame­rikë. Aso­kohe kam për­kthy ang­­lisht librin e tij për Ko­so­vën nën Peran­do­rinë Os­­mane. E kam përcjellë në ligjerata n’univer­si­te­te ame­ri­kane, në takime me bo­tues e in­telek­tualë ven­das, dhe në tu­bi­me me mër­­gim­tarët tanë. Të gjithë e çmoj­shin dhe e për­krah­shin.

Disa e mbajshin mend prej kohës kur vep­rat i le­xo­­he­shin si radio­dramë në Pri­sh­­tinë, disa prej vi­te­ve kur pu­nonte ko­rres­po­n­dent i Rilind­jes në Gjer­­mani, e do tjerë nga ditët e the­me­limit të LDK-së dhe vizitat e her­shme në ShBA me krye­ta­rin Ib­ra­­him Ru­gova. Kish miq bashkë­­kombas nga të gjitha tro­jet tona dhe nga ko­­lonitë arbë­reshe. E prit­shin in­telek­tualët, biznes­menët, pro­fe­sio­nis­tët, dhe pu­në­torët e thjeshtë. Dhe e nde­roj­shin veçmas ata mër­gim­tarë që e kishin mbë­sh­tetë luf­tën çlirim­tare, tue dhanë mi­liona dollarë për UÇK-në ose tue iu bashku vetë ra­dhëve të saj.

E kemi lehtë me gjetë di­çka me të cilën s’paj­to­he­mi në mbi 40 libra dhe qinda in­ter­vista e li­gje­ra­ta, dhe Bu­xho­vi ka po aq. Por asht pa­qy­te­ta­ri me e sha nji njeri aq të res­pek­tuem si Bu­xhovi.

Shkrimtari ynë asht kthy në vend­lindje më 2000, mbasi ka kalu mbi dy de­kada në mër­gim si gaze­tar e re­fugjat. Për dallim prej kundër­shta­rëve të tij që ndje­kin pri­vi­legjet e pu­sh­tetit, Bu­xhovi nuk ka kër­ku kurrë post në qeveri. Sot jeton mo­de­s­tisht në nji ba­nesë të vogël në Pri­sh­tinë, ku vijon me shkru ro­­mane e pu­bli­cistikë.

Foto: Unë me shkrim­tarin Jusuf Bu­xhovi në nji pro­mo­vim libri, në lib­ra­rinë Du­ka­gji­ni në Pri­sh­tinë, dhjetor 2016./plisi.or

Flet edhe një herë Jusuf Buxhovi, ka një mesazh për ata që e kritikuan pas deklaratës për UÇK-në

Ka mjaftuar një deklaratë e historianit të njohur Jusuf Buxhovi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që të ngjallen reagime të shumta.

“UÇK-ja nuk ka qenë e pastër. Ka qenë e drejtë, por ka pasur shumë gjëra të këqija. Janë vrarë mbi 100 zyrtarë të LDK-së”, ishte kjo deklarata e Buxhovit, e thënë mbrëmë në “Rubikon”, që shkaktoi reagime të shumta në opinion.

Me kritika ndaj Buxhovit, është shprehur fillimisht zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik dhe anëtari i PDK-së, Gani Koci, i cili ka thënë se lufta e UÇK-së është dashur të spastrojë “mbeturina të sojit të buxhovëve”.

Edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka reaguar ndaj Buxhovit, duke thënë se lufta e Çlirimtare e Kosovës ishte e pastër si loti dhe se ajo luftë e fitoi mbështetjen ndërkombëtare.

“Është më shumë se e turpshme kur akuzat e ndonjë “intelektuali” shqipfolës sot puqen në plotëni me gënjeshtrat serbe. Populli ynë thotë: “Turpi nuk hahet me bukë””, ka deklaruar mes tjerash ai.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj, ka kërkuar më shumë shpjegime nga një ndër themeluesit e LDK-së, rreth deklaratës së tij.

“Nuk e njoh shumë Buxhovin, por e njoh si njërin nga themeluesit e LDK-së. Konteksti ose vrasja nëse ka ndodhë duhet me shpjegua se çka nënkupton. Ka krime të pasluftës, ai është mirë me i shpjegua se si ka ndodhë. Por, edhe nëse flet për luftë është mirë me shpjegus se si kanë ndodhë”, ka deklaruar Haradinaj.

E për të gjitha këto reagime, ka komentuar vet historian Jusuf Buxhovi në një prononcim për gazetën “Bota sot”. Ai ka deklaruar se mbetet në qëndrimet e tij publike, të bëra mbrëmë në KTV.

Ndërsa, për kritikuesit, ai ka thënë se nuk do të merret me të tillët dhe thashethemet e tyre që i duhen kuzhinës orvelliane.

“Unë nuk do të merrem me të tillët dhe thashethemet e tyre që i duhen kuzhinës orvelliane. Kam folur publikisht dhe mbetëm te ato qëndrime”, ka thënë Buxhovi.

Ai ka kërkuar edhe nga mediat, që kenë kujdes me bartjen e informatave dhe të mos bien pre e fenomenit të inskenimit të atmosferës linçuese, siç ndodhi sot, sipas tij, edhe nga zëvendësministri Koci, që përmendi likuidimin.

Jusuf Buxhovi ka të drejtë

Nezir H. Kraki

Lufta e UÇK-së padyshim ka pasë qëllim të pastër por brenda UÇK-së ka pasë papastërti të gërditshme.

Nga ajo papastërti kanë dalë shumica e atyre që torturonin popullin menjëherë pas luftës dhe shumica e këtyre që sot e dhunojnë Kosovën dhe popullin e saj. Këta që s’u ngopen edhe pse kanë 20 vite që vjedhin.

Edhe ju që e kritikoni sot Jusuf Buxhovin jeni të dhunuar deri në dinjitet nga të njejtat banda. Nuk mund ta rezymoni veprimtarinë e Buxhovit me një fjali që kopjohet e shpërndahet pa kontekst.

Tash a të themi se ata ranë nga qielli në Kosovë në vitin 2000? Jo! Ata dolen nga UÇK-ja dhe me sjelljen e tyre e zbehen edhe qëllimin fisnik të luftës. Me çdo veprim të tyrin e kanë turpëru edhe luftëtarin e gjallë edhe heroin e vrarë. UÇK, ajo e vërteta me qëllim të pastër e ka kry misionin e saj. Ajo s’ka lidhje me këta.

Buxhovi nuk është i çmendur. Ai nuk i përgjithëson gjërat. Ka vite që punon dhe shkruan për çeshtjen tonë me mund dhe me djersë, pa dhurata e privilegje të shtetit bandit. Tash dilni e shisni patriotizem duke e sulmu Buxhovin.

A mund të mohohen vrasjet politike sot? JO! A u ndalen ato në momentin që këta e morren pushtetin? PO!

Dhe a dini çka?

Ditën kur këta do mbesin pa torten e shtetit dhe kur ta kuptojnë që pasuria, diplomat, kravatat e krejt jeta e tyre ishin veç fiksion, ka fort gjasa te rifillojnë vrasjet politike. Mbajeni në mend këtë!

Lerëni të qetë Jusuf Buxhovin dhe mendoni kush është fajtori që s’keni as ku me u sheru as ku me u shkollu sot.

Buxhovi: Raportet krijuese midis Tiranës dhe Prishtinës kanë sjell tek ky nënçmim

Çmimi “Kadare” i cili jepet tash e sa vite nga Universiteti Europian i Tiranës, i mbështetur nga Institucioni Europian PASHKO, që përveç emrit të shkrimtarit Ismail Kadare, si çmim kap vlerën 10.000 euro, përcjell KultPlus.

Pikërisht kjo shumë është arsyeja që është bërë shumë zhurmë këto ditë, për vetë faktin që fituesi i këtij çmimi, para dy vjetësh ishte shkrimtari Musa Ramadani, me romanin “Profeti nga Praga”.

Ka dy vjet që autorit në fjalë nuk i janë paguar paratë e këtij çmimi, por vetëm 50% e tyre. Merret vesh se, edhe kjo pagesë e përgjysmuar i është bërë me rata, pas shumë përpjekjeve dhe ankesave nga të afërm të autorit.

Në rrjetin social Facebook, Agron Gashi, me vetë konfirmimin e shkrimtarit Ramadani, ka shënuar për këtë problem, ku pas publikimit kanë reaguar edhe shkrimtarë, publicistë, emra të njohur të letrave shqipe.

Po ashtu, ka reaguar edhe shkrimtari dhe historian, Jusuf Buxhovi: “Më vjen keq që është kështu, por ç’e do që raportet krijuese midis Tiranës dhe Prishtinës, të ndërtuara mbi një vasalitet tonin ndaj andej, kanë sjellë te ky nënçmim, që prek edhe shkrimtarët e rëndësishëm, si Musën e të tjerët!”, thotë ai./KultPlus.com

Kjo është Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990

Jusuf Buxhovi

Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 – gurthemel i shtetësisë së Kosovës

Shtetësia e Kosovës është e lidhur ngusht me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990. E shpallur nga 111 delegatë të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, Deklerata zhvlerësoi Rezolutën e Konferencës së Prizrenit, të 10 korrikut 1945, me të cilën Serbia, pasi që kishte anulua me gjak Rezolutën e Bujanit, e aneksoi Kosovën. 
Kështu, Deklarata e 2 korrikut, me shpalljen e Kosovës njësi të barabartë të federatës jugosllave, ua hapi rrugën veprimeve të mëtutjeshëm (Kuvendit të Kaçanikut të 7 shtatorit 1990 kur edhe u shpall Republika e Kosovës, Referendumit për Pavarësi të vitit 1991 si dhe zgjedhjeve të para parlamentare dhe presidenciale të Kosovës të vitit 1992), me të cilat u rrumbullaksua legjitimiteti i infrastrukturës demokratike të shtetit të pavarur të Kosovës. 
Shpallja e Kosovës shtet i pavarur, më 17 shkurt 2008, rikofirmoi këtë proces historik që filloi më Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe u përmbyll me Referendumin për Pavarësi të vitit 1991.
Andaj, për historikun e shtetësisë së Kosovës 2 korriku 1990 paraqet gruthemelin e saj.

Teksti i plotë i Deklaratës Kushtetuese i botuar në “Fletorën Zyrtare” të KSAK, nr 21, më 3 korrik 1990.

1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.

2. Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.

3. Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).

4. Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.

5. Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.

Prishtinë, më 2 korrik 1990. Delegatët nënshkrues të Deklaratës:”

(Pasojnë nënshkrimet e 114 delegatëve shqiptarë, boshnjakë e turq. Të nesërmen, më 3 korrik, Deklaratën e ka nënshkruar edhe një delegat)./KultPlus.com

Ali Podrimja, Robert Elsie e Jusuf Buxhovi në një fotografi

Jusuf Buxhovi ka ndarë një fotografi të vjetër me ndjekësit e tij. Në këtë fotografi shihet bashkë me Ali Podrimja e Robert Elsie, shkruan KultPlus.

Buxhovi ka treguar edhe historinë e kësaj fotografie. Më poshtë po e sjellim postimin e plotë të Buxhovit.

Nga albumi i kujtimeve të paharrueshme:
Me miqt e penës: Ali Podrimja dhe Robert Elsi, në Gjermani, në vitin 1997, nga koha e madhe kur,si çdo gjë tjetër, edhe krijuesit dhe krijimtaria e tyre i nënshtrohej kauzës së lirisë, për ç’gjë, vargu i Podrimjes, “Kosova është gjaku ynë që nuk falet”, u kthye në betim të saj.( Foto. S. Gashi). /KultPlus.com

Maqedonia në një optikë të re historiografike

Jusuf Buxhovi: ”Maqedonia nga antika deri te koha jonë”, botoi “Jalifat Publishing” , Houston dhe “Faik Konica” Prishtinë, 2019.

Nga Ramadan Musliu

Projekti më i ri historiografik i Jusuf Buxhovit, “Maqedonia nga antikita deri te koha jonë” është një shembull ilustrativ i pohimit të dijetarit të njohur austriak se historia ka për funksion “zgjerimin dhe fuqizimin e botës sonë mendore, falë njohjes së thelluar të zhvillimit të përjetshëm moral” (Johann Gustav Droysen, Grundriß der Historik). Historia e Maqedonisë vjen pikërisht në një moment historik kur po bëhet ridefinimi i identiteteve etnike por edhe i atij shtetëror i shqiptarëve në shtetin të sotëm të quajtur Maqedonia e Veriut, e cila është “suksesore” e pjesërishme e territorit të Maqedonisë antike. Autori me një qasje metodologjike tashmë të identifikueshme si një sintezë e gjerë e dijes dhe informacionit për periudha përkatëse, ke ndërtuar një sistem kritik dhe rivlerësues të procesit historik, trajton edhe Maqedoninë, në dy plane kryesore: në korelacionin Maqedoni antike, si monarki dhe si perandori globale botërore me Maqedoninë e Veriut tashmë, si një sajesë politike në një teritor të tjetërsuar etnikisht, dhe, si plan i dytë referencial del ndjekja e vazhdimësisë etnike të hapësirës maqedone që nga antikiteti e deri në aktualitet, vazhdimësi kjo që favorizon popullatën autoktone, domethënë atë shqiptare.

Duke trajtuar Maqedoninë si konstrukt politiko-juridik, që nga Maqedonia antike e Filipit e veçmas e Aleksandrit të madh, krijuesit të një perandorie globale botërore, autori merret me thyerjen e tabuve politikë që janë krijuar gjatë periudhave të ndryshme e sidomos shfaqjen e Maqedonisë si një çështje sllave, si pasojë e implikimit rus në Ballkan dhe e Krizës lindore, të cilës i ka ndihmuar edhe inteligjencia romantike europiane, e cila idealizmin kulturor e hodhi në rrafshin politik, duke u përpjekur të krijojë madje edhe entitete shtetërore.
Të gjitha këto probleme, deri tek periudha e fundit, ajo e krijimit të shtetit maqedon nga Tito, si shkëputje e suksesshme e Maqedonisë nga sfera e interesit politik serb, bullgar e grek, e deri tek riemërtimi i këtij shteti në Maqedoni e Veriut, autori i vështron në kontinuitet, duke ndërtuar një rend kronologjik sipas periodizmit nga historia e përgjithshme, duke filluar me antikitetin. Autori, duke u mbështetur në një faktografi të tërë, problemin maqedon e nxjerr jashtë sferës sllave, të cilët shfaqen në Ilirik nga mesi i shekullit VII , Maqedoninë e trajton si një hapësirë dhe etni që vjen nga degëzimet pellazge, të vendosur në trekëndëshin mes ilirëve, thrakëve dhe dardanëve, madje duke i përafruar me dardanët si suksesor të perandorisë së hershme po ashtu të një koncepti botëror të perandorisë së tyre që gjen inkarnim në atë maqedone të Aleksandrit të madh. Duke trajtuar fillesën maqedone, së pari në domenin e mitit mbi Makedonin si të birin e Zeusit, apo të birit të LIkaonit, të birit të Pellazgut, pra si nip i Pellazgut apo edhe si të birit të perëndsisë egjiptase, Ozirisit, megjithatë origjina e tij mbetet pellazge, domethënë e përbashkët me popujt të tjerë më të cilët ishte i rrethuar, me Brygët, Pajonët apo dardanët, siç i njeh G.F. Hani, dhe ilirët e thrakët që janë të një gjaku sa na e kujton pohimin e Georgievit, i cili thotë se maqedonët, epirotët, thrakët e madje edhe ilirët e flasin të njejtën gjuhë. Kësisoj historia edhe antike edhe e tanishme e Maqedonisë është ë pashkëputshme nga kompleksi pellazg e veçanërisht e lidhur me atë dardane, të cilët, sikurse edhe me Tribalët, kanë bërë lufta të pandërprera, si karakteristike e luftërave brenda llojit të fiseve pellazge.

Pas rënies nën sundimin e Perandorisë romake roli i maqedonëve vjen duke u zbehur sa ata shkrihen në etninë dominuese, atë liro-dardane, duke ruajtur vetëm tiparet gjuhësore dhe kulturore, por edhe famën e dikurshme me të cilën do të lidhet edhe vetë Skënderbeu duke u cilësuar si princ i maqedonëve dhe i epirotëve. Mengadalë Maqedonia vjen duke u zbehur si entitet shtetëror dhe si bartës i dikurshëm i një perandorie gjithëbotërore. Një përpjekje për ta faktorizuar, përkatësisht për ta politizuar, bëhet me ardhjen e sllaveve, përkatësisht sundimi bullgar i këtyre trojeve, çështje që ende nuk është ndriçuar sa duhet shkencërisht. Manipulimet e mëdha bëhen nga politikat shtetërore të dy shteteve, bullgarëve dhe serbeve, sidomos ne periudhën e ekspansionit të tyre gjatë shekullit XIX dhe XX, periudhë kur në Serbi zë fill shkolla nacional-historike e themeluar nga Garashanini, modelet e të cilës edhe sot i ndjekin historianët shqiptar, duke pranuar të gjitha falsifikatet e tyre. Po kaq rol në këtë spekulim historik kanë edhe bullgarët, të cilët një gjuhë liturgjike, çfarë ka qenë sllavishtja, mundohen ta bëjnë një gjuhë të perandorisë bullgare më një shtrirje të gjerë në Ilirik.

Me invanzioni osman problemi maqedon, deri në fazën e dekompozimit të kësaj perandorie, mbetet si i margjinalizuar ngase statusi i saj është i njëjtë me të gjithë shqiptarëve. Maqedonia, pjesa më e madhe e territorit të sotëm, hyri në kuadër të ndarjes administrative të kohës, si Vilajet i Manastirit, kurse në planin global popullata edhe kulturalisht edhe politikisht është unijon me ato të vilajeteve të tjera dhe përpjekjeve për pavarësim. Vetëm më shfaqjen e krizës lindore, domethënë me implikimin rus në Ballkan, Maqedonia imponohet si një çështje e kohës që duhet të shkojë në kuadër të procesit të defaktorizimit të elementit shqiptar, ndonëse gjatë kësaj periudhe edhe në këtë pjesë shqiptare ka përpjekje për inkuadrim në proceset politike që do të shpinin nga shkëputja prej Perandorisë otomane. Implikimi rus nënkupton implikimin sllav, përpjekjet serbe dhe bullgare që të marrin në administrim këtë hapësirë, lëvizje që shkojnë në disfavor të elementit shqiptar, Madje kjo krizë rezulton edhe në luftëra ballkanike, pas të cilave territori maqedon trajtohet si pjesë e Serbisë së vjetër, gjithnjë në pajtim me spekulimet dhe falsifikimet historike serbe.

Megjithatë shqiptarët, përkundër këtyre përpjekjeve janë element aktiv, ngase marrin pjesë në të gjitha proceset e rëndësishme të Perandorisë osmane, për të mos thënë se janë faktori kryesor në lëvizjen xhonturke, nga e cila shqiptarët dalin të deprimuar. Brenda këtyre rrethanave Manastiri, por edhe Shkupi behën qendra të rëndësishme të lëvizjeve politike dhe kulturore shqiptare, qoftë kur është fjala për organizimin e Kongresit të alfabetit të (1908) në Manastir apo përpjekjet që Shkupi të bëhet qendër politike e lëvizjes për pavarësinë s Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe e mbizotëron ideja e integralizmit kombëtar, ide që gjithnjë do të zbehet pas krijimit të shtetit shqiptar me shpalljen e pavarësisë në Vlorë në fund të nëntorit të vitit 1912. Gjatë periudhës midis dy luftërave botërore shqiptarët e Maqedonisë, të mbetur nën tutelën serbe, i nënshtrohen një presioni të madh që është një lloj specifik i gjenocidit ngase në këtë kohë bëhet marrëveshja e njohur e Lloznaës mes Serbisë dhe Turqisë, me të cilën bëhen një shpërngulje masovike për në Turqi. Studiuesi Buxhovi, duke ndjekur parimin e objektivitetit shkencor, bën edhe zbardhjen e disa të vërtetave të kamufluara nga historiografia sllave, veçanërisht kur është fjala për proceset politike mbi të cilat kinse është mbështetur tradita e popullit maqedon, para se ai të identifikohet si një nacion, merret vesh i kamufluar. Ndër këto ngjatje është pa dyshim Kryengritja e Ilindenit dhe Republika disaditëshe e Krushevës, që është një lëvizje e nxitur nga bullgarët dhe ku shqiptarët u përdorën si një burim i konfliktit reciprok, në njërën anë popullata ortodokse shqiptare e në anën tjetër, ajo e besimit islam. Këtë ngjarje tragjike dhe pa ndonjë peshë historike më vonë përpiqen edhe disa qarqe politike ta marrin si një aktivitet të përbashkët maqedono-shqiptar, duke i dhënë konotacione politike të kohës së vet.

Megjithatë, në këtë periudhë, të cilën autori i cilëson si rikthim të Jugosllavisë, kur ndodh edhe një rindarje administrative e Maqedonisë, duke marrë statusin e një banovine, e ashquajtur e Vardarit, kur ndodh dominimi i elementit sllav, në radhë të parë i atij serb, i cili Maqedoninë e shndërroi pas asnjë bazë historike, etnike dhe politike në “Serbi të vjetër”, megjithatë Maqedonia, përkatësisht Shkupi, mbetet si një epiqendër e zhvillimeve kulturore ehe politike e shqiptarëve sepse dominanca entike ishte ajo që e përcaktonte qoftë edhe kuantitativisht zhvillimet e të gjitha sferave.

Kapitull më vetë në libër dhe që gjen në trajtim shkoqitës është ai “ Republika e Maqedonisë dhe Jugosllavia – Maqedonia krijesë e Titos”, problemi maqedon kalon nga një nivel gjeografik jo vetëm në nivel politik, por shtetëror, sepse kthesa e madhe që u bë në Jugosllavinë e atëhershme me Luftën e Dytë Botërore, bëri që Maqedonia të pushojë së qeni monedhe për kusuritje, sepse ajo shndërrohet në një entitet shtetëror dhe sllavët e kësaj hapësire katapultohen me identitet të ri, shndërrohen në komb maqedon, çështje që do të ketë pasoja të rënda për popullatën dominuese shqiptare të kësaj hapësire. E gjithë kjo ndodh me vendimet e Kuvendit të tretë të AVNOJ-it të mbajtur në Beograd më 1945, kur kinse me vullnetin e lirë të gjitha pjesët e ish-Jugosllavisë monarkiste i bashkohen shtetit të ri komunist. Në libër jepet një pasqyre e gjerë e zhvillimeve politike të kohës, por edhe ushtarake, të cilat, për shkak të politikës pragmatiste të Titos, arritën të largojnë pretendimet hegjemoniste serbe dhe bullgare nga Maqedonia, ndonëse me një kosto të madhe për etninë shqiptare. Në kuadër të këtyre proceseve një vështrim i rëndësishëm i bëhet edhe lëvizjeve nacionaliste shqiptare, organizimin e frontit antisllav, midis të cilave shquhet NDSH, që është një përpjekje e vonuar e implikimit euroatlantik në Ballkan, të cilët mendonin që përmes elementit shqiptar të bëjnë ndryshime në hartën politike jugosllave, pasi që e panë gabimin strategjik të Jaltës dhe konferencave të tjera. Edhe NDSH, sikundër edhe lëvizjet e tjera politiko-ushtarake dështojnë ngase inicimi i saj ishte vetëm një sprovë se çfarë mund të bëhej po qe se krijohet një momentum politik për ndryshimin eventual në këtë hapësirë. Një hapësirë të gjerë zë trajtimi i zhvillimeve politike në vend gjatë periudhës së pas çlirimit dhe deri tek krijimi i shtetit të pavarur maqedon sikundër edhe analiza e shkaqeve politike që shpiejnë deri të shpërthimi i luftës së fundit në vitin 2001, të njohur si luftë e Ushtrisë çlirimtare Kombëtare. Edhe kësaj ngjarjeje me peshë, e cila çon deri të Marrëveshja e Ohrit, për të cilën autori mendon se është një përmbyllje e pa suksesshme politike e një luftë të suksesshme, i jep një tretman të duhur, duke e marrë si një ngjarje me peshë historike, duke i ndarë komponentet qenësore të saj, atë ushtarake, diplomatike dhe politike.

Edhe kjo luftë nuk solli atë për të cilën ishin bërë sakrifica njerëzore, ndonëse në një rrafsh të të drejtave të njeriut u arrit një përparim, por jo edhe qëllimi themelor, shndërrimin e shqiptarëve në një faktor shtetformues, pa të cilin shteti Maqedonia e Veriut nuk mund te ketë perspektivë dhe ky status inferior do të jetë gjithnjë burim i krizave të reja.

Edhe në këtë kapitull jepet një pasqyrë e gjerë e zhvillimeve politike në kuadër të të cilave përfshihet edhe spektri politik që nga themelimi, ridefinimi i programeve të tyre në varësi nga kushtet e reja të krijuara me kontekstin e ri politik.

Në fund të themi se ky botim kapital për historinë e Maqedonisë, i cili pret një receptim dhe një qasje kritike historiografike, sepse rëndësia e tij është ajo që e bën të paevitueshëm një akt të tillë, duke qenë së është iunicues dhe frymëzues për trajtimin e çështjeve të shtruara në një plan më të gjerë, paraqet edhe një sukses shumë të madh të Jusuf Buxhovit si historian, që lirisht mund të konsiderohet si një pjesë komplementare të projektit Kosova në tetë vëllime, pasi që historia e kësaj hapësire është e pashkëputshme me historinë e Kosovës. /KultPlus.com

Promovohet libri i fundit i Jusuf Buxhovit: Maqedonia, nga antika deri te koha jonë

Buxhovi i jep një tjetër dhuratë historiografisë me një vepër voluminoze mbi Maqedoninë që nga koha antike deri në kohën tonë. Në librin e tij më të ri, me mbi 1000 faqe, Jusuf Buxhovi eksploron të gjithë historinë e Maqedonisë, përcjellë KultPlus.

 Sipas kritikëve dhe miqëve të autorit, libri është quajtur si pjesë e librit disa-volumësh i veprës ‘Kosova’. Fjalën e fillimit në këtë promovim e ka marrë botuesi dhe miku i Buxhovit, zotëri Nazmi Rrahmani.

‘Autori ka nisur ta shkruajë këtë libër duke parë që Maqedonia trashëgon edhe një pjesë të shqipëtarëve, që nga ilirët e deri sot. Autori ka ngrituar çështjen maqedone duke trajtuar çdo aspekt të saj, si gjeografik e politik ashtu edhe etnik’ tregon Rrahmani.

Lëvdatave për librin pati edhe Ramadan Mjeku, përfaqësues i shtëpisë botuese, i cili ka treguar për bashkëpunimin e gjatë të tyre me shkrimtarin Buxhovi. Ai ka treguar që autorë si Buxhovi ‘e kanë marrë përgjegjësinë për ta treguar si të mirëfilltë historinë e kombit tonë.’

Urimeve për mikun e tyre i është bashkangjitur edhe redaktori i librit zotri Musliu. ‘Libri i Buxhovit i ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë tona. Libri vie në një moment historik kur po bëhet ridefinimi dhe riemërimi i Maqedonisë. Autori e ka ndarë Maqedoninë në dy periudha, në kohën antike dhe moderne duke komentuar edhe në riemërimin e saj si pjesë e propagandave politike’ u prononcua redaktori i librit.

Musliu gjithashtu ka treguar që autori është mbështetur në një faktografi duke treguar lidhjet e maqedonëve me dardanët, si dhe duke gjetur lidhje farefisnore mes dy vendeve. Ai citon nga libri i Buxhovit duke thënë ‘maqedonët, grekët e pëllazgët e flasin të njëjtën gjuhë. Kronologjizmi i detajuar i historisë së Maqedonisë na mëson se si janë zhvilluar ngjarjet që nga antika deri në kohërat tona”, ka thënë Musliu për librin.

Në qendër të këtij libri janë shqiptarët, pavarësisht në cilën pjesë jetojnë, ka shtuar Musliu. Musliu na bën të ditur gjithashtu që Serbia i referohet Maqedonisë si ‘Serbia e vjetër’ duke treguar tendencat territoriale ndaj këtij shteti, në fund të fjalës së tij për librin.

Një kapitull të veçantë të këtij libri e përbën çështja e ekzistencës apo jo të popullit maqedon, duke i ftuar lexuesit të diskutojnë e të mendojnë më gjatë për këtë temë. Promovimi është përmbyllur nga vetë Buxhovi i cili ka thënë se Dardania çfare e njohim ne nuk është ajo që ka qenë, ashtu siç nuk është as Maqedonia, prandaj ka marrë përgjegjësinë ta shkruajë.

‘Libri është përkthyer në anglisht dhe pritet që të botohet në këtë gjuhë në fund të këtij viti’ ka sqaruar autori Jusuf Buxhovi për të pranishmit. Së fundi autori ka shtuar që ndihet i zhgënjyer nga raportimi i medieve për 12 qershorin, ditën e Çlirimit, që sipas tij, është përdorur për përfitime të tyre politike. Sipas Buxhovit, ngjarje si kjo e sotmja janë shkaku që ai merret me punën e dokumentimit të saktë të historisë.

 Fare në fund autori ka paralajmëruar librin e radhës që është ‘Dardania mesjetare’. Ky libër do të plotësojë trinomin historik të krijimtarisë së Jusuf Buxhovit./RronaJaka/KultPlus/

Jusuf Buxhovi promovon librin “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”

Autori Jusuf Buxhovi sot promovon në kryeqytet librin e tij më të ri “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”.

Në këtë vepër voluminoze, autori, jo vetëm që i plotëson me argumente të tjera disa nga tezat e shfaqura në “Kosovën” në tetë vëllime rreth ndërlidhjes së ilirëve me pellazgët dhe të rolit të madh të Dardanëve e Dardanisë në formimin e perandorive të mëdha botërore: Trojës, Romës dhe të Bizantit me ç’rast ata shihen edhe si shtrat i qytetërimit antik, por qëndrimin për mosekzistencën e “shtetit mesjetar serb” dhe të gënjeshtrën për gjoja “Kosovën – djep shpirtëror dhe historik serb” e riformulon me shkëputjen e Rashës dhe dinastisë së Nemanjajve nga origjina sllave (serbe) duke e ndërlidhur atë me origjinën e botës ilire.

Promovimi mbahet në ora 18:00 në librarinë Dukagjini./KultPlus.com

Promovimi i “KOSOVËS” I-V në Manhajm

Nën organizimin e Shoqatës humanitare “Dardania” të Manhajmit, sot u promovua “KOSOVA” I-V e Jusuf Buxhovit. 

Kryetari i Shaqatës “Dardania”, Naser Hoxha, tha se vepra e historianit Buxhovi vjen në ambientin e këtushëm të bashkësisë shqiptare në kuadër të përpjekjeve që të promovohen vlerat e rëndësishme shqiptare, që i shërbejnë emblemës së saj identitare në raport me atdheun por edhe Gjermaninë, ku jetojnë.

Historiani Buxhovi me këtë rast përkujtoi se identiteti shpirtëror dhe historik shqiptar me rrënjë në atikitet, doli në pah pikërisht nga historianët dhe gjuhëtarët gjermanë para katër shekujsh, me ç’rast, nga ana e tyre u njohtua opinioni shkencor dhe politik botëror rreth kësaj të vërtete që kërkohej të mbahej e fshehur. Sipas Buxhovit, gjermanët ishin të angazhuar edhe në çastet vendimtare në dobi të shtetndërtimit shqiptar si dhe në çlirimin e Kosovës dhe njohjen si shtet të pavarur.

Duke folur për këtë të arritur historike ndër më të mëdhatë e shqiptatizmit në këtë shekull, historiani Buxhovi tha se shteti Kosovës nuk po konsolidohet në përputhje me idealet e themeluesve të tij. Për këtë ai fjësoi klasën e papërgjegjshme politike të përkrahur nga një pjesë e faktorit ndërkombëtar e interesuar që Kosova të mbetet poligon i krimit ndërkombëtar./KultPlus.com

Loja me alteregon

Albulena Krasniqi

Romani “Dushkaja”, i autorit Jusuf Buxhovi, është ndërlidhje paralele tematike ndërmjet historiografisë dhe anës shpirtërore. Këto dy çështje janë emblema e këtij romani bashkëkohës. Prozën e karakterizon narratori i gjithëdijshëm, i cili ngjarjen e rrëfen me procedim realist, duke specifikuar kështu vendin(atelien), ndjenjat e piktorit, e deri te konteksti kohor historik.

Në qendër të romanit kemi piktorin, një intelektual që është vazhdimisht në luftë me trazimin e brendshëm shpirtëror,shkaktuar kështu nga gjendja kritike, politike e vendit të tij. Vend ky, i dhënë me emër simbolizues në vepër : “Dushkaja”, që si titull, mund të merret si një toponim, metaforë, apo alegori, nëpërmjet së cilës autori mjeshtërisht paraqet edhe historinë e vendit në depresion. Periudha e vështirë në të cilën ky vend ndodhet, pasqyrohet mjaft mirë nga frazat e shumta në vepër.

“Po kameleonët?…Si ta zunë udhën kur ata me përshtatjen në përputhje me rrethanat nuk shqetësojnë kënd?…Shmangin ngatërresat e panevojshme, ndonjëherë edhe luftërat,madje..Me të tillë Dushkaja e harruar është plot e përplot…Janë hijeshia e saj…

Ata janë pjesë e mashtrimit më të madh me të cilin ndeshet bota.”

Në një botë pushtuar nga krimi, vrasësit me pagesë, si dhe ndërrimi i përhershëm i ushtrive, në luftërat pa mbarim, gjeneralët e pasluftës dhe komandantët e vetëshpallur, të cilët rrënojnë konceptin e lirisë, si dhe cubat, që me një fjalë nënkupton, tradhtarët e kombit.

Të gjitha këto dukuri, të ndodhura në “Dushkajën e harruar të mbushur me ferra e murriza”, vend, i cili në zemrën e piktorit, cilësohet i pastër,i pafajshëm.

Dialogu në vepër, zhvillohet ndërmjet piktorit, me “zërin”. Ky i fundit, është personazh fiktiv, që simbolizon ndërdijen e piktorit, e që ne lirisht mund të themi, se personazhi i veprës ndahet në dysh, pra, krijon alteregon e tij, duke e liruar nga vetja përbindëshin e mbyllur, gjatë gjashtëdhjetë viteve karrierë, si në agoni. Duke vendosur kështu, që ta lë të frymojë, dhe të lëvizë,e t’i kushtëzojë lojën “cicmic”, e cila artistit i shërben për të sfiduar veten në relacion me veten. Shoqërimi nga ky personazh, vjen në fillim të veprës, e qëndron deri në fund të saj, për ti shtuar kështu dramacitetin analizës së veprave artistike, si dhe shqetësimit krijues.

Kthimi në retrospektiv, ngarkon thellë psiken e piktorit, dhe loja që nga sytë e tij shihej si konceptim i luftës në relacion me zërin, përderisa vendos gurët në dërrasën e cicmicit, dilemat e veprimit të tij  zgjasin dhe janë çdoherë ndërmjet triumfuesit ose humbësit, por që loja, duhet patjetër të luhet, kusht ky, që i rikujtohej nga kundërshtari pa formë!

 Autori, nëpërmjet figurës së alegorisë, pasqyron qëndrueshmërinë e njeriut shqiptar, edhe përkundër dhunës e tmerrit të përjetuar. Pra, natyrisht, ky roman duhet të kuptohet më thellë, e jo në kuptimin sipërfaqësor të tij. Loja që detyrimisht luhet, figuron gjendjen e intelektualit shqiptar, i cili është pre e aparaturës shtetërore, e cila dhunon psiken dhe fizikun e atyre që nuk janë të gatshëm për bashkëpunim.

“Horri,horri!…Je mospërfillës!…Je kryengritës si gjithë soji i poshtër i krijuesve!…për këtë do ta paguash!… Mbas atyre çirrmave pashë grushtin e tij si mu afrua te hunda…Një unazë e madhe shkëlqente e gatshme të më qëllonte.”

Gjaku si element i  përdorur tejmase në vepër, shtron përpara historinë e një vendi, ku gjaku si njollë famëkeqe, ka ndjekur përherë popullin shqiptar. Dhe këtë periudhë kohore, e cila jepet numerikisht në vepër, përshkon periudhën afro një shekullore.

Ndërsa shkronjën A, piktori e vendoste në fundin e çdo vepre të tij, duke treguar kështu, se krijuesi ndodhej përsëri në fillim, ani pse e përfundon atë, njëkohësisht duke përshkruar kështu edhe natyrën e tij të padefinuar.

Ndryshimet e shpeshta të temperaturës trupore të artistit, ngërthejnë kuptimin alegorik, për gjendjen dëshpëruese individualo-kolektive të popullit tonë.

Buxhovi, kërkon dritën e lirisë, për popullin e Dushkajës, dhe mëkëmbjen e saj, nga e kaluara e errët historike, si dhe kërkon të fshihen gjurmët e së tashmes, të përfaqësuara nga motivet kameleonase.

Ky roman, ndërlidh mjaft mirë elementin historik me atë letrar, duke na dhuruar kështu realitetin e Kosovës së pasluftës, përmes gjuhës metaforike të autorit mjeshtër./KultPlus.com

Azem Shkreli – ikonë e poezisë shqipe

Në “Takimet letrare Azem Shkreli”, që u mbajtën dje në Ennpental të Gjermanisë, me ç’rast, nën organizimin e Lidhjes së Shkrimtarëve nga Gjermania, krijues të shumtë nga diaspora, përkujtuan poetin tonë të madh, tashmë ikonë të poazisë shqipe, u promovuan edhe veprat e historianit dhe shkrimtarit Jusuf Buxhovi “KOSOVA” I-V si dhe romani “Dosja B”.

Me këtë rast, autori Buxhovi, pasi që evokoi disa kujtime nga jeta dhe vepra e Azem Shkrelit, u ndal te disa aspekte që lidhen me konceptin historiografik të “KOSOVËS” si dhe hapjen e çështjeve që zgjuan reagime të shumta në disa qarqe shkencore dhe politike në Beograd, Tiranë dhe Prishtinë nga ato obkektive e deri te refuzueset dhe anatemueset deri e përmasave linçuese, siç ishin nga Akademia e Sebe e Shkencave dhe Arteve, të cilave, në njëfatë dore, iu bashkuan edhe disa “akademikë” dhe “historianë” nga Kosova!

Sipas autorit, reagimet nga Beogradi ishin të pritshme,ngaqë për herë të parë, nga një autor shqiptar kundërshtoheshin gënjeshtrat historike për gjoja shtetin mesjetar serb në Kosovë si dhe tezat e tyre shoveniste për “autoktoninë e mjegulluar të shqiptarëve në mesjetë” e shpifje të ngjashme me të cilat është ushqye politika antishqiptate në dy shekujt e fundit me pasoja tragjike për shqiptarët. Ndërsa reagimet e ngjashme nga Prishtina, autori i lidh me mendësinë e historiografisë serbe të thadruar te shumë prej tyre si dhe frikën se rrënimi i tyre rrënon edhe “kredibilitetin shkencor” të veprave të tyre! Sidoqoftë, sipas Buxhovit, “Kosova” theu këtë diskurs dhe i hapi udhën një qasjes tjetër në historiografinë shqiptare drejt lirimit nga kthetrat e ideilogjisë si dhe nga diktati i Beogradit dhe kornizave antishqiptare.

“KOSOVA” po ashtu u hapi rrugën edhe rishqyrtimeve të domosdoshme brenda historiografisë shqiptare në raport me antikitetin, ku teza pellazge fiton legjitimitet ndaj rrudhjes te ilirishtja si dhe ridefinimi i raporteve iliro-romake dhe atyre me Bizantin dhe kundrimit “pushtuesi”, me ç’rast dardanët dhe ilirët shihen ndërtues të tij, gjëqë arbërit i vendos në qendër të perandorisë dhe assesi në margjina apo në perferi të saj. Buxhovi këtë e arsyetoi me perandorët dardanë-ilir Konstandinin e Madh dhe Justiniani si dhe reformat e tyre me cilat Iliriku dhe Dardania morën rolin e rikthimit të saj në histori për dhjetë shekuj.


Me këtë rast, autori u ndal edhe te aktualiteti politik për të cilin tha se është në shpërputhje të thellë me aspiratat histotike të shqiptarëve për liri,demokraci dhe përkatësi përendimore nga shkaku se kjo klasë politike idelin e shtetit e ka kthyer në plaçkë për pasurim dhe despotizëm politik. Shkas për këtë revoltë ishte romani “Dosja B”, që pa ashtu u promovua gjatë këtyre takimeve. Autori, tha se historia nuk mund të kthehet në fakt jetësor pa letërsinë dhe artin, dhe se romani “Dosja B” i ka shërbyer që luftës së fundit që ishte heroike dhe e drejtë t’ia nxjerr në pah edhe anët e errta, veçmas kur në to kyçen strukturat kriminale, heronjtë e rremë dhe gjithëfarë ujemu, zhvillime këto që janë të pashmangshme dhe pjesë e dramave dhe teagjikës së tyre, por që ato bëhen apokolptike kur “çlirimtarët” uzurpoj ë pushtetin dhe kthehen në pushtues të brendshëm!

Jusuf Buxhovi promovon librin në Gjermani

Buxhovi – mysafir i takimeve letrare “Azem Shkreli” në Gjermani.

Në takimet e sivjeme letrate “Azem Shkreli”, që mbahen nesër (e diel) në Ennepetal të Gjermanisë, (“Haus Ennepetal”, Gasstrase – 10), shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi,.promovon librin historiografik “KOSOVA” I-V si dhe romanin “DOSJA B”.

Gjatë qendrimit disaditësh në Gjermani, autori do të ketë disa promovime të veprave të fundit në qytet gjermane./KultPlus.com

Botohet libri “Maqedonia nga antikiteti deri te koha jonë” nga Jusuf Buxhovi




Ka dal nga shtypi libri “Maqedonia nga antikiteti deri te koha jonë” i autorit Jusuf Buxhovi.

Studimi monografik mbështetet mbi konceptin se Maqedonia nga antikiteti, mesjeta e deri te koha jonë është pjesë e botës ilire-dardane. Duke u përqendruar te faktorët etnikë, shoqëror-politik dhe kulturor në një vazhdimësi mbi dy mijë vjeçare, në trekëndëshin e mbretërive maqedone, dardane dhe asaj epirote, nxirret në pah një identitet i caktuar historik me trashëgimtar të vetëm shqiptarët e sotëm. 

Në këtë vepër voluminoze, autori, jo vetëm që i plotëson me argumente të tjera disa nga tezat e shfaqura në “Kosovën” në tetë vëllime rreth ndërlidhjes së ilirëve me pellazgët dhe të rolit të madh të Dardanëve e Dardanisë në formimin e perandorive të mëdha botërore: Trojës, Romës dhe të Bizantit me ç’rast ata shihen edhe si shtrat i qytetërimit antik, por qëndrimin për mosekzistencën e “shtetit mesjetar serb” dhe të gënjeshtrën për gjoja “Kosovën – djep shpirtëror dhe historik serb” e riformulon me shkëputjen e Rashës dhe dinastisë së Nemanjajve nga origjina sllave (serbe) duke e ndërlidhur atë me origjinën e botës ilire. 

Kështu, duke u mbështetur mbi dokumente të shumta nga Vatikani, Bizanti, po edhe ato sllave, që nuk janë manipuluar dhe sajuar nga historiografia serbe dhe ajo ruse e shekullit të kaluar dhe në vazhdimësi, dinastia e Rashës del e veçuar nga formacionet politike dhe shoqërore sllave, të faktorizuara në mesjetë nga Vatikani dhe Kostandinopoja për qëllime politike, me ç’rast edhe përpjekjet hegjemone të Nemanjajve në Ilirik, të cilësuar vazhdimisht si Tribal (fis ilir) shihen si vazhdimësi e mbretërisë dardane për ta trashëguar kurorën e Bizantit, gjë që nuk është e rastit që edhe në bulat dhe kartat e pamanipuluara nga Beogradi, në kuadër të shtetit të Rashës vazhdimisht përfshihen edhe Arbrit dhe Maqedonët. Në këtë aspekt, dinastia rasiene e Nemanjajve, krishterimin e shfrytëzoi për pushtet politik siç kishte vepruar Konsandini i Madh dhe Justiniani, me ç’rast, në raporte e reja të ndarjes së kishave dhe luftës së tyre për pushtet, ndonëse së fundit u mbështet te kisha lindore, ruajti lidhjet e mira dhe madje të pashkëputura me Vatikanin dhe katolicizmin, së cilit edhe i kishte takuar nga fillimet dhe prej nga buron edhe fuqia politike e tyre. 

Në pjesën e fundit, që ka të bëjë me zhvillimet nga Kriza Lindore e këndej,e ku për herë të parë shfaqet edhe Maqedonia si koncept gjeografik për qëllime hegjemoniste serbe, greke dhe bullgare prej nga, në vitin 1944, Titoja e shfrytëzoi për krijimin e republikës maqedone në kuadër të federatës jugosllave, shpërbërja e ish Jugosllavisë në vitin 1991 si dhe shpallja e shteti të pavarur maqedon, shihet si një zhvillim antihistorik për rrëzimin e identitetit historik të shqiptarëve. Të trajtuar si pakicë, shqiptarët përjashtohen nga shtetformimi, me çka edhe lufta e vitit 2001 shihet e papërfunduar, ndërsa shteti maqedon, i përkohshëm dhe faktor i një krize të hapur.

“Maqedonia nga antikiteti deri te koha jonë” botohet nga “Jalifat Publishing” – Hustoni dhe “Faik Konica” – Prishtinë dhe ka 1068 faqe. Pritet që promovimet e para të bëhen në Shkup dhe Tetovë nga fillimi i qershorit, ndërsa në Prishtinë gjatë Panairit të Librit. / KultPlus.com

“Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” në Panairin e Librit në Paris

Në Panairin Ndërkombëtar të librit në Paris, që u hap pardje, ka gjetur vend edhe romani i Jusuf Buxhovit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” (QUI REISTE A LA PESTE RESISTE AU DIABLE), i botuar nga botuesi i njohur parisien “L’Harmattan” në përkthimin e Odette Marquet.

Romani i Buxhovit në frëngjisht ka pasur dy promovime të suksesshme në Paris si dhe tri ribotime brenda një kohe të shkurtër në Francë.


Në Panairin e Librit, autori Buxhovi, është prezantuar në stendën e botuesit parisien “L’Harmattan”, bashkë me autorët tjerë shqiptarë të përkthyer nga ky botues me renome botërore.

Romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, i botua në vitin 1982, krahas dhjetëra ribotimeve, është përkthyer edhe në sllovenisht (1990), serbisht (1986) dhe është në përkthim e sipër edhe në italisht dhe anglisht. / KultPlus.com

Tri vëllime të ‘Kosovës’ nga Jusuf Buxhovi do të promovohen në Zagreb

Gjatë qëndrimit në Zagreb, historiani Buxhovi do të pritet në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kroacisë, në Rektoratin e Univeristetit të Zagrebit si dhe nga Kryebashkiaku i Zagrebit

Në kuadër të “Javës së Kosovës në Kroaci”, ku me shumë manifestime kulturore dhe artistike shënohet 11 vjetorit i pavarësisë së Kosovës, në Zagreb, promovohen tri vëllimet e fundit të “Kosovës” së Jusuf Buxhovit. 
Promovimi i organizuar nga Këshilli i Pakicës Kombëtare Shqiptare në Zagreb dhe Qyteti i Zagrebit, mbahet këtë të hënë, më 11 shkurt, në orën 18, në bibliotekën e kryeqytetit “Bogdan Ogrizoviq”.

Për veprën e Buxhovit flet historiani Njazi Muhamedi.

Gjatë qëndrimit në Zagreb, historiani Buxhovi do të pritet në Rektoratin e Universitetit të Zagrebit nga rektori, prof.dr. Damir Boras si dhe në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kroacisë, me ç’rast, në këtë institucion me renome shkencore do të bisedohet për projektet e përbashkëta hulumtuese, sidomos ato që prekin raportet shqiptare-kroate nga mesjeta e tutje. Historiani Buxhovi do të pritet edhe nga Krybashkiaku i Zagrebit, Milan Bandiq.

Buxhovi: Çmimi amerikan botuesit Ramiz Tafilaj, mbështetje shtetit të Kosovës dhe historisë së saj

Nga Jusuf Buxhovi

Çmimi i Presidentit për Arritje Jetësore (President’s Lifetime Achievement Award) që iu dha Ramiz Tafilajt, drejtor i shtëpisë botuese “Jalifat Publishing” nga Houstoni, është shpërblimi më i lartë për vullnetarët në Shtetet e Bashkuara.

“Keni shërbyer si model i shpirtit amerikan. Orët e shumta të shërbimit tuaj kanë forcuar lidhjet e bashkëpunimit dhe besimin që afron njerëzit me njëri-tjetrin, ndërsa keni ndihmuar për të zgjidhur disa nga sfidat më të mëdha të kohës sonë, shkruan pos tjerash kyetari Trump.

Në të vërtetë, Z. Tafilaj u nderua veçanërisht për punën e jashtëzakonshme për shqiptaro-amerikanët dhe për punën e tij në çështjet shqiptare në Ballkan në lidhje me politikën amerikane në rajon, por ajo që e dalloi veprimtarinë e tij të palodhshme nga të tjerët në SHBA dhe këtij çmimi i jep një peshë të veçantë, është padyshim veprimtaria e tij botuese, me ç’rast, botimi i “Kosovës” në tetë vëllime si dhe përkthimi i saj, në tri vëllime në anglisht, paraqesin një të arritur të jashtëzakonshme, një punë pionieri, që i takon shtetit dhe institucioneve akademike.

Me këtë rast duhet thënë se botimi në anglisht i “Kosovës” në vitin 2014, në saje të përkushtimit të madh të botuesit Tafilaj, si vepra e parë historiografike e një autori shqiptar e përmasave të tilla shkencore, jo vetëm që ka depërtuar në tregun amerikan të librit, por është futur në të gjitha institucionet shkencore dhe universitare amerikane dhe në Bibliotekën e Kongresit me statusin e literaturës për historiografinë e Europës Juglindore. Si e tillë, “Kosova” në tri libra, në anglisht, shfaqet si dëshmi historike për shtetin e Kosovës, por edhe për historinë shqiptare nga antikiteti deri te koha, e fokusuar te Dardania si epiqendër e saj etnike, shoqërore dhe politike, dëshmi kjo që kthen rëndësinë e shqiptarëve për qytetërimin antik si faktor të saj përbërës dhe njëherësh rrënon gënjeshtrën e propagandës serbomadhe për gjoja Kosovën “djep mesjetar të shtetit serb” dhe shqiptarët pa identitet kulturor dhe historik, të shpërndara prej tyre prej dy shekujsh, të cilave u ka munguar kundërpërgjigja e argumentuar shqiptare. 

Andaj, çmimi amerikan botuesit Z.Tafilaj, paraqet një mbështetje të veçantë amerikane për shtetin e Kosovës, për të cilin ata kanë merita të mëdha si dhe për historinë e tij të shkruar si fundament mbi të cilin qëndron ai si realitet shoqëror dhe politik. /KultPlus.com

“Kosova” e Buxhovit u promovua në librarinë “Dukagjini”

Në ambientet e kulturuara të librarisë “Dukagjini” në Prishtinë, mbrëmë u bë promovimi i tre vëllimeve të fundit (VI,VII dhe VII) të “Kosovës”.

Me këtë rast, botuesi Nazmi Rrahmani tha se fjala është për një vepër kapitale të historiografisë shqiptare të parën të llojit të tillë, në të cilën nëpërmes Kosovës përfshihet historia shqiptare nga antikiteti deri te koha jonë. Rreth tri veprave të fundit, vëllimeve VI, VII dhe VIII me të cilat përmbyllet kompleti prej tetë veprave, Nazmi Rrahmani tha se këto hedhin dritë në fazën e fundit, por më të ndjeshme të shtetformimit të Kosovës, atë të protektoratit ndërkombëtar nga qershori i vitit 1999 e deri më 17 shkurt 2008 kur shpallet pavarësia e shtetit të Kosovës. 

“Në këto libra, autori me anën e dokumenteve pasqyron sfidat me të cilat u ballafaqua shtetformimi, nga ato të angazhimit ndërkombëtar e deri te vendoret, që ishin me zhvillime shpesh kundërthënëse dhe të përcjella me konflikte, sidomos me ato që kishin për qëllim këtë proces ta ndalnin ose ta fusnin në një rrugë pa krye në mënyrë që të pengohet pavarësia.”


Edhe redaktori i librit, Ramadan Musliu, përmbylljen e veprës me tri vëllimet e fundit, e quajti “projekt kapital të historiografisë shqiptare” edhe për faktin se është vepra e parë e cila nxjerr në pah një raport historik jashtë konventave ideologjike dhe limiteve të tjera të vëna ngahistoriografia serbe, e ku Dardania, e anashkaluar qëllimisht, shfaqet si amëz e antikitetit shqiptar e ndërlidhur me lashtësinë pellazge. 

“Meritë tjetër e madhe e Buxhovit”, theksoi Musliu “është edhe rrënimi i gënjeshtrës së historiografisë hegjemoniste serbe rreth Kosovës – djep mesjetar serb, që është kthyer në program nacionalist-hegjemonist serb me të cilën është pushtuar Kosova prej një shekulli”. 

Në fund, Ramadan Musliu, tha se vepra e Buxhovit mbetet model po edhe shtrat i pakapërcyeshëm i historiografisë shqiptare.


Autori i librit, me këtë rast tha se vepra e tij paraqet certifikatën historike të Kosovës të ndërlidhur me Dardaninë si qendër të antikitetit, vendi dhe rëndësia e së cilës ka qenë e madhe dhe përcaktuese jo vetëm për qytetërimin antik, por edhe për zhvillimet tjera, që kanë përcaktuar karakterin shoqëror, politik dhe kulturor të botës ilire si pjesë e asaj pellazge. Rolin e madh të Dardanisë në këtë aspekt, që ka përcaktuar edhe zhvillimet në mesjetë dhe veçmas në Bizant, ku duhet kërkuar identitetin administrativ, atë shpirtëror dhe shtetëror shqiptar, Buxhovi e theksoi edhe në zhvillimet e vonshme që lidhen me nacionalizmin shqiptar që çuan te shpallja e pavarësisë shqiptare në vitin 1912. Ndër këto ngjarje autori veçoi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si dhe kryengritjen e Kosovës të vitit 1912, të cilat ishin përcaktuese për shfaqjen e shtetit shqiptar.

Duke iu referuar Kosovës si qendër e nacionalizmit shqiptar që vuri në binarët historik shpalljen e pavarësisë kombëtare, Buxhovi tha se me shpalljen e pavarësisë së shtetit të Kosovës, në një farë mënyre përmbushet edhe koncepti i Rilindjes kombëtare për shtetësinë shqiptare të përkatësisë evropiane në përmasat e përafërta me shtrirjen e saj etnike gjatë Perandorisë Osmane. Por, sipas autorit, shteti i Kosovës, kjo e arritur e madhe historike, që çështjes shqiptare i jep impulse historike dhe politike për të qenë dominuese në rajon në aspektin gjeostrategjik, duhet të mbrohet dhe të konsolidohet me anën e patriotizmit shtetëror në mënyrë që të përballojë sfidat historike dhe kurthet, ndër të cilat, Buxhovi theksoi ato që i vinë nga Beogradi dhe projekt ruso-sllave, që veprojnë me perfiditet të madh dhe operojnë në forma të ndryshme. /KultPlus.com

“Kosova” e Jusuf Buxhovit promovohet nesër në librarinë “Dukagjini”

Nesër në Prishtinë do të promovohet “KOSOVA” VI,VII dhe VIII nga autori Jusuf Buxhovi, shkruan KultPlus.

Promovimi i tre librave të fundit , me të cilën mbyllet projekti autoriale i “Kosovës” në tetë libra – që paraqesin certifikatën historike të shtetit të Kosovës, por edhe të rolit të Dardanisë në kompleksitetin e antikitetit, po vazhdon rrugëtimin e promovimit në vende dhe ambiente të ndryshme. Kësaj radhe “KOSOVA” do të promovohet në librarinë “Dukagjini” nesër në orën 18:00.

Përveç promovimit të tri vëllimeve të fundit të “KOSOVËS” VI,VII dhe VIII, me këtë rast do të bëhet edhe shitja e kompletit prej tre librash me zbritje 50% (nga 30 në 15 euro). / KultPlus.com

Sot në Pejë u promovua ‘Kosova VI,VII dhe VIII’ nga Jusuf Buxhovi

Nën organizim të drejtoratit për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Pejës sot është bërë promovimi i librave ‘Kosova VI,VII dhe VIII’ nga publicisti dhe historiani i njohur shqiptar, Jusuf Buxhovi.

Historiani dhe publicisti, Jusuf Buxhovi, u shpreh i lumtur që iu dha mundësi që të bëjë promovimin e librave të tij në vendlindjen e tij, ku edhe ka kaluar një pjesë të fëmijërisë së tij.

Duke diskutuar me të pranishmit për librar, ai u shpreh se historianët ia kanë borxh popullit që ngjarjet e mëdha historike ti dokumentojnë. Sipas tij e vërteta duhet të bartet tek brezat e ri dhe mbi themelet e saj të ndërtohet shteti i Kosovës dhe e ardhmja e tij. Në kuadër të qëndrimit të tij në Pejë, Jusuf Buxhovi, do të vizitoj edhe Bibliotekën “Azem Shkreli” ku edhe do të dhurojë 100 libra ndërsa nesër ai do të ketë edhe bashkëbisedim së bashku me të rinjtë e kësaj komunë.

Pas pesë vëllimeve të para që përfshijnë Antikën, Mesjetën, periudhën e Perandorisë Osmane, periudhën e viteve 1912-1945 dhe atë 1945-1999, vijnë tre vëllime të reja. Libri i gjashtë përfshin ngjarjet e ndodhura në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni gjatë viteve 1999-2001 dhe në librin e shtatë vështrohen të gjitha ngjarjet më kryesore në Kosovë dhe për Kosovën në periudhën 2002-2008.
Në vëllimin e tetë janë përfshirë dokumentet më të rëndësishme historike që kanë të bëjnë me shqiptarët në përgjithësi, siç janë Vendimet e Shën Stefanit, Protokollet e Kongresit të Berlinit (1878), si dhe ato të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të cilat kanë qenë përcaktuese të fatit të shqiptarëve në përgjithësi. Këto tetë vëllime i kanë mbi 5 mijë faqe, projekt i përbashkët i Shtëpisë Botuese “Jalifat Publishing”, dhe Shtëpisë Botuese “Faik Konica”./KultPlus.com

Buxhovi: Shkupi kryeqytet historik i shqiptarëve

Sot u bë promovimi i “Kosovës” VI,VII dhe VIII në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup.

Edhe promovimi i sotëm i “Kosovës” VI, VII dhe VIII në Shkup , zgjoi interesimin e studentëve dhe të intelektualëve të Shkupit. Me këtë rast, autori u prit nga Rektori Ais Pollozhani si dhe stafi akademik i Universitetit, ku u përgëzua për veprën dhe përkushtimin që në të të gjej vend edhe Maqedonia.

Ndërsa prorektori Rizvan Sulejmani, Buxhovin e vlerësoi autor të rëndësishëm të historiografisë shqiptare, shkrimtar, por edhe intelektual, që i kontribuoi politikisht procesit të shtetndërtimit të Kosovës nga çastet e para. Redaktori i librit, Ramadan Musliu, edhe këtë herë theksoi se projekti i rrumbullakuar i “Kosovës” në tetë libra, paraqet njërën ndër punët më të rëndësishme në historiografinë shqiptare.

Autori, në ligjëratën e tij, u ndal te Maqedonia dhe roli i shqiptarëve në të nga antikiteti deri te koha jonë. Sipas autorit, Maqedonia antike si pjesë e botës dardano-ilire dhe Maqedonia si shtet politik, janë pjesë e pandashme e historisë shqiptare, duke e ilustruar këtë edhe me faktin se Shkupi paraqet kryeqytetin historik të shqiptarëve. Me këtë rast, autori bërë me dije se së shpejti botohet studimi voluminoz “Maqedonia nga antikiteti deri te koha e jonë”. /KultPlus.com

Buxhovi paralajmëron botimin e veprës voluminoze “Maqedonia nga antikiteti deri te koha jonë”

Në librarinë “Nobel” të Tetovës, u bë promovimi librar i “Kosovës” VI, VII dhe VIII të autorit Jusuf Buxhovi.

Me këtë rast, autori pati një takim me lexuesit, të cilët u interesuan për vendin e Maqedonisë, që zë një hapësirë të rëndësishëm në librin VI.

Me interes u përcollën vlerësimet e autorit rreth Maqedonisë si çështje shqiptare me një kontinuitet historik, etnik dhe politik nga antikiteti e deri te koha jonë.

Autori bëri të ditur se përfshirja e Maqedonisë në këtë vepër është pjesë e studimit voluminoz me mbi një mijë faqe:
“Maqedonia nga antikiteti deri te koha jonë”, që së shpejti del nga shtypi. Ky libër do të përkthehet edhe në anglisht në mënyrë që opinioni botëror të ketë edhe versionin e një autori shqiptar rreth Maqedonisë dhe faktorit shqiptar në të nga antikiteti e deri te koha jonë./E.D /KultPlus.com