Kosovarët nuk do të mund të hyjnë në Suedi deri vitin 2022

Qeveria suedeze ka zgjatur ndalimin e hyrjes në këtë shtet për vendet jashtë Bashkimit Evropian, deri më 31 janar 2022. Ky vendim përfshin edhe Kosovën, qytetarët e së cilës, muajve të fundit nuk janë lejuar të hyjnë në shtetin skandinav.

Siç thuhet në njoftimin e qeverisë suedeze, ndalimi i hyrjes në këtë shtet bazohet në një rekomandim të Këshillit të Bashkimit Evropian, që është në fuqi për një kohë të pacaktuar.

Rregullorja përcakton se një shtetas i huaj që udhëton në Suedi nga një vend jashtë BE-së u nënshtrohet ndalesave deri në fund të janarit të vitit të ardhshëm. Kjo nuk vlen vetëm për ata që bëjnë pjesë te “përjashtimet”, të cilëve për të hyrë në Suedi u duhet gjithsesi testi negativ. Përjashtimet, sipas njoftimeve të qeverisë suedeze, përfshijnë shtetasit e huaj që kanë leje qëndrimi në Suedi, që kanë ndonjë nevojë emergjente, ose që kanë ndonjë funksion në këtë shtet.

Këto ndryshime do të hyjnë në fuqi më 5 nëntor 2021.

Ndërkaq, ndalesat për shtetasit e vendeve të Bashkimit Evropian do të shtyhen deri më 30 nëntor të këtij viti.

Shtetasit e BE-së mund të hyjnë në Suedi nëse e paraqesin certifikatën e vaksinimit, një test negativ të kryer në 72 orët e fundit, ose dëshminë se janë shëruar nga Covid-19 në gjashtë muajt e fundit. / express / KultPlus.com

Kolona të gjata në Vërmicë, kosovarët ia mësyejnë bregdetit shqiptar

Në pikën kufitare të Vërmicës janë krijuar kolona të gjata.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në dalje të Kosovës janë krijuar kolona deri në 150 metra, transmeton KultPlus.

Si duket kosovarë ia kanë mësyer edhe këtë vikend pushimeve në Shqipëri.

Kujtojmë se vetëm në fillim të muajit qershor në pikën kufitare të Vërmicës u regjistruan mbi 30 mijë pushues nga Kosova që iu drejtuan bregdetit shqiptar. / KultPlus.com

Holanda tregon arsyet pse s’po e mbështet liberalizimin e vizave për kosovarët

Holanda është në mesin e disa prej shteteve të Bashkimit Evropian që po e pengojnë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës, Bo de Koning, ka bërë të ditur se argumentet e ofruara nga institucionet e Kosovës për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk kanë qenë mjaft bindëse deri më tani.

Koning ka përmendur mbledhjen e fundit të Këshillit të Evropës në të cilën nuk ka pasur përkrahje të mjaftueshme për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Përveç Holandës, një gjë të tillë po e vështirësojnë edhe qëndrimet e shteteve, si Franca dhe Belgjika, të cilat po kërkojnë hapa më konkret në luftimin e këtyre dukurive negative.

“Deri më tani, në Këshill ka përkrahje të pamjaftueshme për liberalizimin e vizave për Kosovën. Siç e dini, liberalizimi i vizave është një proces teknik, i cili drejtohet nga standardet që duhet t’i përmbushë një vend në mënyrë të qëndrueshme, para se Këshilli të marrë vendim për heqjen e vizave. Kur Komisioni Evropian së fundi raportoi për këtë çështje, shteti i Holandës arriti në përfundim se konkluzionet për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelin e lartë nuk ishin mjaft bindëse”, ka thënë Koning për KP.

Më tej, ajo bëri të ditur se aktualisht nuk ka ndonjë vizitë të planifikuar të këtyre delegacioneve në Kosovë për shkak të formimit të qeverisë së re në Holandë. Megjithatë, ajo theksoi edhe një herë gatishmërinë e këtij shteti për ta ndihmuar Kosovën në këtë proces.

“Kosova mund të llogarisë në mbështetjen tonë përmes projekteve, këshillave dhe ekspertëve për të arritur këto rezultate të qëndrueshme në luftimin e këtyre dukurive”, shtoi ajo.

Zëdhënësja e diplomacisë holandeze i ka quajtur inkurajuese planet e Qeverisë aktuale për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivel të lartë.

“Për Holandën është e rëndësishme që korrupsioni i nivelit të lartë jo vetëm të ndiqet penalisht, por të ketë edhe zbatim efektiv të dënimeve ndaj atyre që janë përgjegjës. Planet e Qeverisë për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar janë inkurajuese, andaj po presim të shohim rezultatet, meqë kjo është një nga prioritetet e tyre”, ka deklaruar Koning.

Krejt në fund, ajo tha se qeveritë e Holandës dhe Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm në Prishtinë përmes autoriteteve përkatëse.

Në mbledhjen e fundit të Komisionit për Integrime Evropiane, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se problem për procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën nuk janë pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, por shtetet si Franca dhe Holanda, të cilat janë të pakënaqura me luftën që ka bërë Kosova kundër krimit dhe korrupsionit.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, i cili nuk ka liberalizim vizash, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të përmbushur kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian për këtë proces./Kp / KultPlus.com

Kolona të gjata në Rrugën e Kombit, kosovarët nisen drejt Shqipërisë (VIDEO)

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të kenë Shqipërinë, destinacionin kryesor për pushime.

Për pasojë, lëvizja në Rrugën e Kombit, gjatë paradites së sotme paraqitet e rënduar.

Të favorizuar nga moti i mirë dhe temperaturat e larta, ata kanë vendosur të kalojnë këto ditë pranë bregdetit.

Disa javë më parë, qeveria e Kosovës, vendosi si masë kufizuese anti Covid, kalimin e kufirit, vetëm më testin negativ PCR të koronavirusit.

Kjo pengonte qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës të udhëtonin lirshëm drejt dy shteteve. Megjithatë, Kosova doli me një vendim të dytë, ku theksohet se nuk është nevojë për testin negativ, për të kaluar kufirin.

Ndërkohë, Shqipëria ka dalë nga lista e kuqe e vendeve, që paraqesin risk të lartë të pandemisë Covid 19./tch/ KultPlus.com

Afër 7 mijë kosovarë kanë hyrë në Ulqin në dy ditët e fundit

Drejtori i Turizmit në Ulqin, Gëzim Hajdinaga, ka bërë me dije se nga të dhënat që ka marrë nga pika kufitare në Muriqan për dy ditë në Ulqin kanë hyrë afër 7 000 qytetarë nga Kosova, transmeton KultPlus.

Ai ka thënë se kjo shifër shumë shpejtë do të rritet.

“Nga të dhënat që kemi marrë nga pika kufitare në Muriqan, afër 7 mijë qytetarë nga Kosova kanë hyrë në Ulqin në pikën kufitare. Besojmë se shumë shpejtë kësaj shifre do t’i shtohet edhe një zero”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, pas përmirësimit të motit, një numër i madh i kosovarëve gjatë këtij vikendi janë nisur edhe për në Shqipëri. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Pa filluar vikendi, kosovarët nisen masivisht për Shqipëri

Temperaturat e larta dhe Festa e 1 Majit, ka shkaktuar nisjen e shqiptarëve të Kosovës në bregdetin shqiptar.

Fundjava ka sjelur një fluks kosovarë në pikën kufitare të Morinës.

Dalja nga pika kufitare në Morinë(Vërmicë) sipas Qendrës për Menaxhimin e Kufirit zgjat 15-20 minuta, teksa kolona të veturave ka në një gjatësi deri në 70 metra.

Temperaturat e larta dhe Festa e 1 Majit, ka shkaktuar nisjen e shqiptarëve të Kosovës në bregdetin shqiptar.

Vetëm deri në mesditën e së premtes mbi 5600 qytetarë kanë kaluar pikën kufitare në drejtim të Shqipërisë.

Ndër të tjera mësohet se përveç qytetarëve që kanë zgjedhur Shqipërinë për pushime, ka dhe shumë të tjerë të cilët vijnë për arsye pune. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Kosovarët, ndër më të lumturit në botë

Kosova është renditur e 33-ta në gjithë botën në Indeksin Global të Lumturisë, që e ka përpiluar Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Ndërsa në Gadishullin Ballkanik e ka përpara vetëm Slloveninë që zë vendin e 29-të, transmeton KultPlus.

Niveli i lumturisë te kosovarët është 6.3 nga 10 shkallë sa ka raporti.

Këtu përfshihen jeta e shëndetshme, bujaria, liria për të zgjedhur, mbështetja sociale e përshtypjet për korrupsionin.

Njerëzit më të lumtur në botë kanë dalë të jenë finlandezët.

Në përgjithësi, autorët e raportit thonë se njerëzit janë përmbajtur emocionalisht nga ndikimi i pandemisë COVID-19.

“Kemi bërë dy lloje pyetjesh. Një për jetën në përgjithësi dhe tjetrën për gjendjen emocionale, stresin, ankthin. Ajo që kemi vërejtur është qëndrueshmëria e njerëzve, megjithëse ne jemi akoma në mes të një krize të thellë”, thotë Jeffrey Sachs, bashkautor i Raportit Botëror të Lumturisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës sivjet janë radhitur në vendin e 19. Ndërsa Shqipëria është e 93-ta sa i përket lumturisë së banorëve të saj. / KultPlus.com

Si po u nxjerrin ‘telashe” emrat kosovarëve në Zvicër ?!

Kush preferohet në tregun e punës? Nëse dosjet për aplikim në një vend pune janë identike, ai që preferohet është aplikanti me emër zviceran, shkruan gazeta NZZ am Sonntag në një artikull të zgjeruar.

“Përparim Avdili e di nga përvoja personale se çfarë handikapi mund të jetë emri që tingëllon si i huaj, kur kërkon punë. “Në rininë time ekzistonte një shoqëri me dy nivele: nxënësit me pasaportë zvicerane fitonin më lehtë vendin në shkollën profesionale (praktikën) – pavarësisht nga notat e tyre. Kjo ishte normale për ne, askush nuk e quante padrejtësi këtë ecuri”.

Ndërkohë, sot, në moshën 33 vjeçare, Avdili angazhohet për mundësi më të barabarta. Në fillim të vitit ai ka prezantiar një iniciativë jopartiake si këshilltar (parlamentar) bashkiak nga FDP në qytetin e Cyrihut: Në atë nismë kërkohet që administrata e qytetit, e cila punëson 28,000 njerëz, të anonimizojë të gjitha aplikimet

Kjo do të thotë: Dosjet e aplikuesve të mos përmbajnë as foto dhe asnjë informacion tjetër në lidhje me emrin, kombësinë, gjininë ose moshën e aplikuesit. Në vend të kësaj, aty do të renditeshin vetëm kualifikimet dhe përvoja. Në SHBA dhe Kanada, aplikacione të tilla anonime ka vite që janë bërë standarde.

Të huajt “bien poshtë” në fazën e parë, atë të përzgjedhjes

Edhe studimet shkencore kanë treguar se njerëzit me sfond migrimi janë ende në disavantazh kur aplikojnë për punë, shpjegon Avdili synimin e tij.

“Të huajt rrallë kanë shansin të bëjnë prezantimin personal (intervistën) për  vendin e synuar të punës. Sepse ata bien poshtë më shpesh në procesin e përzgjedhjes”.

Në shumicën e rasteve, ky disavantazh ndodh në mënyrë të pavetëdijshme, thekson Avdili: “Kur vjen puna tek biseda personale (intervista për punësim), origjina është fare pak e mundur të luajë rol vendimtar”, shton ai.

Avdili e vëren këtë edhe në rastin e tij: “Edhe pse jam plotësisht i integruar këtu, herë pas here dëgjoj vërejtjen me befasi të dikujt se si e flitkam në mënyrë të përsosur gjermanisht zvicerane”, thotë Avdili. Ai ka ardhur me familjen e tij nga Maqedonia në Zvicër si foshnjë dhe tani është drejtues i ekipit në sektorin financiar.

Por, çfarë thotë shkenca rreth diskriminimit ndaj të huajve në tregun e punës?

“Disa studime kanë treguar se të qenët zviceran përmirëson ndjeshëm shanset për të gjetur punë”, shpjegon Michael Siegenthaler nga Qendra për Kërkime Ekonomike (KOF) në ETH Cyrih. Siegenthaler është një nga ekonomistët kryesorë të tregut të punës.

“Arsyeja është që në proceset e aplikimit, rekrutuesit hierarkizohen në mënyrë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme sipas origjinës. Kështu, origjina e huaj mund të nënkuptojë që dikush nuk merret në konsideratë pavarësisht se ka kualifikime të njëjta ose madje edhe më të mira “.

Sa i përket shkallës së papunësisë, dallimet në mes të kombësive janë të mëdha dhe ato janë rritur më tej me pandeminë.

Aktualisht, 2.5% e zviceranëve janë të regjistruar si të papunë. Ndër të huajt, shkalla e papunüesisë është 6.4%. Për shtetas të disa shteve të caktuara përqindja është edhe më e lartë: Në rastin e polakëve, për shembull, papunësia është rritur nga 5.0% , sa ishte para pandemisë, në 9.6%.

Fakti që të huajt më shpesh nuk kanë punë nuk ka të bëjë gjithmonë me diskriminimin. Kjo ndodhë gjithashtu eshe për faktin se ata kanë kualifikime më të ulëta.

Disa studime janüe marrë me sqarimin e kësaj dukurie – duke bërë aplikime fiktive. Kjo duket kështu: dosjet identike janë dorëzuar për secilin vend të shpallur pune. Dosjet ndryshonin vetëm për sa i përket kombësisë së kandidatëve. Një ekip nga Universiteti i Neuchâtel-it kohët e fundit ka realizuar një eksperiment të tillë në lidhje me 800 vende të lira pune, në katër profesione.

Me emrat kosovarë, duhen 40% më shumë aplikime për t`u thirrur në intervistë!

Rezultati: Aplikuesit me emër të huaj duhej të bënin mesatarisht 30% më shumë aplikime në mënyrë që të merrnin një ftesë për intervistë. Ndërsa, në rastet kur emri tregonte origjinën kosovare të aplikuesit, duheshin madje edhe 40% më shumë përpjekje.

Megjithatë, ky lloj studimi mundëson vetëm një vlerësim të rasteve individuale të zgjedhura, shpjegon Siegenthaler. Kjo është arsyeja përse ai, së bashku me profesorin e ETH Dominik Hangartner dhe ekonomistin e KOF Daniel Kopp, ka zhvilluar një lloj të ri metode për matjen e diskriminimit. Bëhet fjalë për platformën job-room.ch e cila përmban profilet e 150,000 punëkërkuesve.

Të tre studiuesit tani kanë marrë një pasqyrë të sjelljes reale të mënyrë së kërkimit që praktikojnë specialistët e personelit që përzgjeshinn kandidatët përmes “job-room”. Në këtë mënyrë, ata ishin në gjendje të vlerësonin 450,000 aplikime për punë, në formë të anonimuar.

Në studimin, i cili është botuar javën e kaluar në revistën e njohur të specializuar “Natyra”, ata kanë ardhur në këtë përfundim: Kur profilet e aplikuesve kanë të njëjtin nivel, kandidatët me origjinë të huaj marrin 6.5% më pak kërkesa për intervistë pune.

Ndërkaq nëse personi vjen nga Ballkani, Afrika ose Azia, probabiliteti i një interviste bie deri në 19%.

“Sa më e madhe të jetë distanca kulturore midis një grupi të huaj dhe zviceranëve, aq më të vogla janë shanset në tregun e punës”, thotë Michael Siegenthaler duke përmbledhur rezultatin e studimit.

Diskriminim i të huajve edhe në varësi të orës së ditës kur bëhet shikimi i dosjeve!

Shumica e specialistëve të rekrutimit përpiqen të zgjedhin gjithmonë njerëzit më të aftë dhe të mos drejtohen nga paragjykimet.

“Studimi ynë sugjeron që zgjedhja ndikohet në mënyrë të pavetëdijshme edhe nga modelet ose stereotipet”, shpjegon eksperti i tregut të punës.

Ai madhe sqaron se një tregues në këtë pikë është luhatja e diskriminimit në varüesi nga rutina ditore. “Rreth orës së drekës dhe në mbrëmje, kur rekrutuesit kanë më pak kohë  në dispozicion për të analizuar dosjet e kandidatëve, disavantazhi i punëkërkuesve të huaj rritet, përcjell albinfo.ch. Ne e shpjegojmë këtë model me faktin se klishetë e subkoshiencës vijnë në plan të parë sa kohë që bie përqendrimi në punë i rekrutuesve.

Duhet të kontrollohet nëse aplikacionet anonimizuese çojnë në zgjedhje më të mirë të personelit, thotë Siegenthaler. Platformat online të tilla si job-room.ch do të ishin veçanërisht të përshtatshme për ta testuar këtë. “Kjo do të ishte ekonomikisht e dobishme, përcjell albinfo.ch. Kur ka më pak diskriminim, ne mund të përdorim më mirë potencialin ekzistues të fuqisë punëtore”, shprehet ai.

Për një ndërmarrje të vogël, aplikacionet anonime janë më pak të përshtatshme, thotë Përparim Avdili. Por qyteti i Cyrihut, si një punëdhënës i madh publik, duhet të veprojë si një model.

“Në grupin e 30 deri në 39 vjeçarëve në Cyrih, më shumë se gjysma kanë prejardhje të huaj. Nëse i kufizojmë shanset e tyre në tregun e punës, ajo që vuan është shoqëria në tërësi”. /albinfo/ KultPlus.com

Shifra të “frikshme”: Kosovarët kanë gati 1 milionë profile në Facebook, 680 mijë në Instagram

Bazuar në statistikat e fundit të publikuara nga Agjencia për Statistika (ASK), 93 % e familjeve kosovare kanë pasur qasje në internet gjatë vitit 2018. Kështu kosovarët renditen në mesin e përdoruesve më të mëdhenj të Internetit në Evropë, duke lënë mbrapa edhe vendet e zhvilluara si Gjermania e Franca.

Valon Kerolli njohës i fushë së IT-së, ka treguar saktësisht në 12 vjet shtet, sa përdorues të rrjeteve sociale janë në Kosovë.

Ai ka bërë të ditur se nga shpallja e pavarësisë e deri tani janë 920 mijë përdorues aktiv në Facebook, 740 mijë përdorues aktiv në Messenger të Facebookut, 680 mijë përdorues në Instagram, 480 mijë përdorues në Snapchat, 78 mijë në Twitter dhe 58 mijë në Linkedin, shkruan Reporteri.net.

Ai poashtu ka treguar se edhe sa përdorues aktiv të telefonisë mobile gjatë 12 viteve pavarësi.

Miratohet projektligji që i mundëson kosovarëve të marrin pasaportë të Shqipërisë

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, më 31 korrik, është miratuar projektligji i ri “Për Shtetësinë”. Në projektligjin që do i dorëzohet Parlamentit ka disa ndryshime thelbësore, siç është Neni 6 ku parashikohet “Fitimi i shtetësisë me origjinë”.

Aty parashikohet:

1.Shtetësia shqiptare fitohet nga i huaji, të paralindurit e të cilit kanë origjinën shqiptare, me kusht që të provohet lidhja familjare në vijë të drejtë, deri në tri shkallë, e kërkuesit me të paralindurin.

2.Në këtë rast shtetasi paraqet kërkesë për fitimin e shtetësisë shqiptare në bazë të origjinës dhe plotëson kriteret e përcaktuara në shkronjat “dh” dhe “ë”, të pikës 1, të nenit 8, të këtij ligji.

3.Dokumentacioni i nevojshëm që provon origjinën shqiptare të kërkuesit përcaktohet me udhëzim të ministrit.

Ky nen u krijon mundësinë të gjithë shqiptarëve që kanë lindur në shtete të tjera, por që arrijnë të provojnë origjinën shqiptare, të marrin shtetësinë e Shqipërisë. Qytetarët e Republikës së Kosovës u përjashtuan nga marrja e shtetësisë shqiptare me një vendim të korrikut të 2013-ës, pavarësisht se mund të provojnë origjinën (kombësinë) shqiptare.

Por ky vendim shfuqizohet në projektligjin e ri.

Në projektligj shkruhet: “Ligji nr.8389, datë 5.8.1998, “Për shtetësinë shqiptare”, i ndryshuar, vendimi nr.554, datë 3.7.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave për njohjen ose fitimin e shtetësisë shqiptare nga personat me origjinë shqiptare, me përjashtim të shtetasve të Republikës së Kosovës”, dhe çdo dispozitë tjetër në kundërshtim me këtë ligj shfuqizohen.”

Një tjetër ndërhyrje e rëndësishme është edhe dhënia e shtetësisë shqiptare për këdo që lind brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Në nenin 4 “Mënyrat e fitimit të shtetësisë”, përveç origjinës është shtuar edhe: “lindje në territorin e Republikës së Shqipërisë”.

Kjo do të thotë se Shqipëria pranon parimin e “Jus soli”, që i jep shtetësinë çdo personi që lind brenda territorit të saj edhe nëse asnjë prej prindërve nuk ka shtetësinë shqiptare. Ky parim respektohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në disa shtete të Evropës janë disa kritere shtesë që duhet të plotësohen./tch/