Kryeministri Kurti: Po përgatitemi që ta akuzojmë Serbinë për krime lufte

Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se po bëhen përgatitjet që të akuzohet Serbia si shtet përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Këto komente, Kurti i bëri gjatë homazheve në nderim të martirëve të familjes Muliqi.

“Janë duke u bërë përgatitjet që të akuzohet Serbia si shtet përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, e që janë krime kundër njerëzimit dhe (krime të) gjenocidit”, tha Kurti.

Shefi i ekzekutivit i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit që të angazhohet maksimalisht, ditë e natë, “në mënyrë që vrasësit, për të cilët ka dëshmitarë të gjallë, të ndiqen të akuzohen, të dënohen sepse padrejtësi me vetëm të vërtetën plagët vazhdojnë të mbesin të hapura”. /rtk/klanKosova

Kryeministri Kurti përkujton të rënët e familjes Qerkezi: Shtëpia e Nënës Ferdonije dëshmon gjenocidin dhe spastrimin etnik të Serbisë në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar të rënët e familjes Qerkezi në Gjakovë në 25 vjetorin e rrëmbimit të tyre, ku edhe ka deklaruar se shtëpia e Nënës Ferdonije dëshmon gjenocidin dhe spastrimin etnik të Serbisë në Kosovë.

Kryeministri Kurti po ashtu ka përkujtuar edhe masakrat në Dardaninë e Pejës, Klladernicë të Skënderajt, Mamushë, Obiliq dhe Fushë Kosovë.

Me këtë rast Kryeministri Kurti ka thënë se sakrifica e popullit të Kosovës është themeli i Republikës së lirë.

Shkrimi i plotë i Kryeministrit Kurti në facebook:

Në rrugën “Martirët Qerkezi”, në shtëpinë-muze qëndron Nëna Ferdonije. Brenda shtëpisë së zbrazët, ajo jeton mes kujtimeve dhe dëshmon forcën e Nënës. Shtëpia e familjes Qerkezi dëshmon gjenocidin dhe spastrimin etnik të Serbisë në Kosovë.

Nga aty, 25 vite më parë, forcat policore të Serbisë ia rrëmbyen dhe zhdukën të katër djemtë: Artanin, Armendin, Ardianin e Edmondin, si dhe bashkëshortin Halimin. Nga ajo shtëpi u rrëmbyen edhe Vegim Qerkezi, Shpejtim Ymeraga, Skender e Myrteza Dylhasi, dhe Shpend e Fatos Jetishi.

Në Dardaninë e Pejës, më 27 mars 1999 forcat e armatosura serbe, policë të njësive speciale dhe serb lokal, brenda tri orëve i masakruan 40 civilë shqiptarë të kësaj lagje.

Ne i kujtojmë çdoherë e nuk do t’i harrojmë kurrë.

Në këtë 25 vjetor i përkujtojmë edhe 75 të vrarët në masakrën në Klladernicë të Skënderajt, 18 të vrarët në Mamushë, dhe 10 anëtarët e familjes Rama të vrarë në Obiliq. Sot, në Fushë Kosovë përkujtohen 168 shqiptarët e vrarë nga forcat e armatosura serbe.

Me mall e dhembje, i kujtojmë sot dhe ҫdo ditë, të gjithë të vrarët dhe të zhdukurit me dhunë nga Serbia.

Sakrifica e popullit tonë është themeli i Republikës sonë të lirë.

Lavdi të gjithë të rënëve në rrugën e gjatë për ҫlirimin e Kosovës!/KultPlus.com

Kryeministi Kurti përkujton masakrat e Krushës së Madhe, Krushës së Vogël dhe të Suharekës: Serbia kishte plan gjenocidal për shfarosjen e popullsisë

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar masakrat e Krushës së Madhe, Krushës së Vogël, Suharekës, Gjakovës, Landovicës dhe Padalishtës të cilat Serbia i ka realizuar  më 26 Mars, sipas planit gjenocidal “Patkoi” me synim shfarosjen e popullsisë shqiptare të Kosovës.

Kryeministri Kurti përmes një shkrimi ka thënë se përkulemi me shumë dhembje, dashuri dhe krenari para kujtimit të të gjithë të vrarëve, sakrifica e të cilëve do të shërbejë si udhërrëfim për të ecur përpara.

Shkrimi i plotë në facebook:

Në pranverën e vitit 1999, Serbia po realizonte planin gjenocidal “Patkoi” për shfarosjen e popullsisë shqiptare vendase në Kosovë.

Në paraditën e 26 marsit, forcat e Serbisë sulmuan fshatrat Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël. I detyruan gratë dhe fëmijët të largoheshin për në Shqipëri. Burrat dhe djemtë i ndaluan. Ua konfiskuan letërnjoftimet dhe artikujt me vlerë. Pastaj hapën zjarr me mitraloz mbi ta. Të shtënat zgjatën disa minuta.

Atë ditë, forcat serbe vranë 243 civilë shqiptarë në masakrën në Krushë të Madhe dhe 113 në Krushë të vogël.

Në orët e hershme të mëngjesit të 26 marsit, tanket serbe rrethuan oborrin e familjes Berisha në Suharekë. I dëbuan familjarët nga shtëpitë dhe i çuan në një kafene. Pastaj hapën zjarr. Hodhën edhe eksplozive. Forcat serbe aty i vranë 48 anëtarë të familjes Berisha, përfshirë 11 fëmijë. Mes tyre, Dorentinën 3 vjeҫare, Ismetin 2 vjeҫar, ndërsa Eroni dhe Redoni ishin vetëm 1 vjeҫ. Trupat e tyre u dërguan në varrezë masive në Batajnicë, afër Beogradit.

Kësaj masakre i mbijetuan vetëm Shyhrete Berisha dhe Vjollca me të birin, Gramoz Berisha.

Po atë mëngjes, forcat serbe e sulmuan fshatin Padalishtë të Skenderajt, duke masakruar 19 anëtarë të familjes Imeraj, nga mosha 2 deri 76 vjeçe. Në mesin e tyre 11 gra dhe pesë fëmijë.

Në Landovicë të Prizrenit, më 26 mars 1999, u vranë 23 banorë të këtij fshati dhe fshatrave tjerë, përfshirë gjashtë fëmijë dhe një grua shtatzënë.

Në mbrëmje, në qytetin e Gjakovës, në një shtëpi në rrugën “Ymer Grezda”, forcat e Serbisë vranë me armë zjarri të gjashtë burrat shqiptarë që ishin në atë shtëpi.

Këto janë dëshmitë e gjenocidit të Serbisë, që me forcat policore e ushtarake, u përpoq të shfarosë shqiptarët në Kosovë.

“Kujtesa e Kosovës” titullohet vëllimi i librave me dëshmitë e rrëfimet të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe, që u promovua mbrëmë, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Kujtesa e Kosovës është e freskët.

Themelimi dhe funksionalizimi i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës ka për qëllim dokumentimin e të gjitha krimeve të luftës së fundit në Kosovë, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale nga Serbia. Ky është një nga obligimet e shumta që po përmbushet ndaj kujtimeve tona si popull dhe kërkesës për drejtësi.

Si institucione të Republikës, jemi të përkushtuar që brezi aktual i fëmijëve dhe brezat e ardhshëm, që s’kanë lindur ende, të mos kalojnë nëpër këto vuajtje që i kaluam ne. Si institucione e qytetarë të Republikës, po angazhohemi bashkë, që fëmijët të gëzojnë lirinë dhe të kenë të ardhme të ndritshme në Kosovën tonë.

Përkulemi me shumë dhembje, dashuri dhe krenari para kujtimit të të gjithë të vrarëve. Rënien e tyre me flijim e me sakrificë, e kemi udhërrëfim se si të ecim përpara.

I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!

E paçin të përhershme lavdinë!/KultPlus.com


Kryeministri Kurti përkujton të rënët e Fortesës, Celinës dhe Brestocit të Rahovecit: Arritëm lirinë me rrënjët në gjakun e martirëve dhe dëshmorëve

Kryeministri Albin Kurti, në 25 vjetorin e masakrave ka përkujtuar të rënët e fshatrave të Rahovecit, Prizrenit dhe Gjakovës, të cilët u ekzekutuan nga forcat serbe në vitin 1999.

Kryeministri Kurti tha se pas fillimit të sulmeve ajrore, forcat e RFJ-së dhe të Serbisë filluan fushatën e tyre të gjerë dhe sistematike për vrasjen dhe dëbimin me dhunë të shqiptarëve të Kosovës.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë:

“Kërkoni ndihmë nga NATO tash!”, u kishin thënë policët e Serbisë grupit prej 13 shqiptarëve në Fortesё (ish Bellacёrkё) para se të shtinin mbi ta me armë automatike. Çlirimi, Lumturija, Dhurata, Dardana dhe Dardani nga familja Zhuniqi dhe Xhemajli, Qamilja, Fiqirija, Ilirijana, Marigona, Labinoti e Lirimi nga familja Spahiu mbeten të vrarë. Ekzekutimit i mbijetoi vetëm Shkodran Zhuniqi, 4 vjeҫar.

Më 25 mars 1999, në Fortesë të Rahovecit u vranë 69 shqiptarë, mes tyre 15 fëmijë. Më i vogli ishte 3 vjeç.

Atë ditë në Celinë të Rahovecit, rreth 500 ushtarë të Serbisë hynë në fshat nga katër drejtime. Ata vranë e masakruan 82 persona të moshave të ndryshme. 18 nga trupat i dogjën.

13 nga të vrarët ishin fëmijë: Alma (18 muajshe), Albani (5 vjeҫ), Bledari (8 vjeҫ), Besarti (10 vjeҫ), Altini (10 vjeҫ), Albulena (11 vjeҫe), Suzana (11 vjeҫe), Burbuqja (13 vjeҫe) nga familja Zeqiri, Ramazani (8 vjeҫi), Mejremja (15 vjeҫe) dhe Gëzimi (17 vjeҫ) nga familja Salihu, dhe Bedrush Hasani (15 vjeҫ) e Alban Rexhepi (14 vjeҫ).

Po atë ditë në masakrën në Brestoc të Rahovcit, forcat e armatosura serbe vranë 54 shqiptarë.

25 vite më parë, masakrat mizore të Serbisë mbi popullsinë civile, lanë edhe 46 të vrarë në Tërnje të Suharekës dhe 20 të vrarë në Goden të Gjakovës, kufomat e të cilëve pastaj u dogjën. Në Randobravë të Prizrenit, forcat serbe vranë 8 anëtarë të familjes Pajaziti. Në mesin e tyre ishte një nënë me katër fëmijët e saj, të moshave ndërmjet 7 dhe 2 vjeç.

Një ditë më parë kishte filluar fushata bombarduese nga forcat e NATO-s, me qëllim të ndalonin gjenocidin që po e kryente shteti i Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Pas fillimit të sulmeve ajrore, forcat e RFJ-së dhe të Serbisë filluan fushatën e tyre të gjerë dhe sistematike për vrasjen dhe dëbimin me dhunë të shqiptarëve të Kosovës.

Bombardimet e NATO-s ndaluan projektin gjenocidal të Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve.

Me ndihmën e vendeve aleate të NATO-s e arritëm lirinë e Kosovës, me rrënjët në gjakun e martirëve dhe dëshmorëve.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë të rënët për lirinë që e gëzojmë!/KultPlus.com

Kryeministri Kurti i shkruan telegram ngushëllimi familjes së poetit Abdullah Sidran: Ishte shpirti i Sarajevës, një zë që artikulonte të vërtetat e thella

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e vdekjes së shkrimtarit Abdullah Sidran, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së të ndjerit.

Kryeministri Kurti ka thënë se puna e autorit Sidran do të vazhdojë të frymëzojë brezat e ardhshëm.

Më poshtë gjeni telegramin Kryeministrit drejtuar familjes Sidran:

E dashur familje Sidran,

Me respekt të thellë për personalitetin dhe figurën e Abdullah Sidranit, i prekur dhe i pikëlluar nga largimi i tij, ju drejtohem me fjalët më të sinqerta të ngushëllimit.

Abdullahu juaj i dashur, i nderuar dhe i respektuar ndër breza, la gjurmë të pashlyeshme. Kontributi i tij në kulturën, letërsinë dhe artin boshnjak është i pamatshëm, ndërsa fjalët dhe veprat e tij do të mbeten për të gjithë ne, që patëm privilegjin ta njihnim dhe ta ndiqnim punën e tij.

Z. Sidran ishte më shumë se një artist i talentuar; ai ishte shpirti i Sarajevës, një zë që artikulonte të vërtetat e thella të njerëzimit tonë të përbashkët. Veprat e tij, nga “Sahbaza” te “Lotët e nënave të Srebrenicës”, lanë gjurmë të thella në skenën e artit dhe kulturën e Ballkanit dhe më gjerë.

Biseda jonë e fundit, në të cilën diskutuam politikën, Sarajevën dhe rëndësinë e librave dhe të leximit, do të mbetet në kujtesën time si një dëshmi e përkushtimit të tij të palëkundur ndaj drejtësisë dhe besimit në fuqinë e fjalëve, se ato ndryshojnë botën për mirë. Ishte një bisedë, që konfirmoi admirimin tim për gjenialitetin e tij poetik dhe aftësinë e tij për të ndriçuar skutat e errëta të realitetit tonë përmes vargjeve të tij.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal shpreh ngushëllimet më të thella për ju dhe të gjithë admiruesit e punës së tij. Kujtimi i Abdullah Sidranit do të jetë i gjallë përmes të gjithë juve dhe përmes veprës së tij, e cila do të vazhdojë të frymëzojë brezat e ardhshëm.

Pushoftë në paqen e përjetshme./KultPlus.com

Kryeministri Kurti përkujton Albright: Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse për përkrahjen e saj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar ish-sekretaren e shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright në dyvjetorin e vdekjes.

Kryeministri Kurti, ka thënë se Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse ndaj saj për ndalimin e gjenocidit në Kosovë.

“Kanë kaluar dy vjet që nga vdekja e Sekretares së Shtetit të SHBA, Madeleine Albright, një avokate e vendosur për vlerat amerikane jashtë vendit. Kosova do të jetë gjithmonë jashtëzakonisht mirënjohëse për përkrahjen e saj ndaj ndërhyrjes së NATO-s, e cila ndaloi krimet e papërshkrueshme të gjenocidit”, ka shkruar Kurti në platformën X.

Kryeministri Kurti: Serbinë e njohim më mirë se ShBA-ja – kur na kërkojnë diçka që e kemi dëgjuar nga Beogradi, duhet të kemi kujdes

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se nga pikëpamja e tij, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të mira dhe të dykahshme.

Kurti tha se ndoshta në të kaluarën kanë qenë marrëdhënie njëkahore, por sot, sipas tij, janë dykahore.

“Që do të thotë se ka edhe dhënie, edhe marrje, sepse të tilla janë marrëdhëniet ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur pavarësinë e Kosovës edhe de jure, edhe de facto. Kur Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga ne sjelljen e refugjatëve nga Afganistani në Kosovë, ne nuk pyesim pse, vetëm kur dhe si. Na e treguan datën dhe vendin ku vijnë – Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës”, tha Kurti në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, Kurti tha se Kosova e njeh Serbinë më mirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sipas tij, Kosova s’mund të ketë këndvështrim karshi Beogradit identik me atë të Uashingtonit.

“Por, kur na kërkojnë diçka, që ne e kemi dëgjuar më herët nga Beogradi, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë edhe ndërmjetëse, atëherë ne duhet të kemi kujdes. Serbinë ne e njohim më mirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Populli shqiptar i Kosovës e njeh më mirë Serbinë se Uashingtoni. Dhe, Uashingtoni nuk e ka fqinje Serbinë. Ne e kemi fqinje Serbinë”, tha Kurti./KlanKosova/KultPlus.com

Kryeministri Kurti takon kryetarin dhe nënkryetaren e Leposaviqit, flasin për projektet potenciale që mund të realizohen

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin, kanë takuar kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemin dhe nënkryetaren Marina Bogojeviq.

Hetemi e Bogojeviq e njoftuan Kurtin për arritjet e deritanishme dhe për sfidat në qeverisjen komunale.

“Në takim u fol për projektet potenciale që mund të realizohen në bashkëpunim me nivelin qendror, teksa u theksua rritja e interesimit të qytetarëve për të aplikuar për programet e komunës për subvencione”, thuhet në njoftimin e qeverisë, transmeton Klankosova.tv.

Kurti e përgëzoi Hetemin e Bogojeviqin për punën, angazhimin dhe kontributin, teksa i kërkoi qeverisje të drejtë, të mirë e demokratike.

Kryemistri Kurti viziton flotën e kamionëve ushtarakë: 10 janë blerë me buxhet të shtetit, 5 janë donacion

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se bashkë me komandantin e FSK’së, Bashkim Jashari, dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kanë parë nga afër flotën e kamionëve ushtarakë.

Kurti ka thënë se këta kamionë janë prodhim gjerman dhe se 10 janë blerë me buxhet të shtetit e 5 janë donacion.

Ai ka shtuar se modernizimi dhe fuqizimi i ushtrisë janë qenësore drejt objektivit për anëtarësim në NATO.

“Mbrojtje e siguri për shtetin tonë. Pas inaugurimit të Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Lejtënant Bashkim Jashari pamë nga afër flotën e kamionëve ushtarakë multifunksional RheinMetall MAN HX2, 8X8 të cilët i janë shtuar arsenalit të ushtrisë. Kamionët ushtarakë RheinMetall MAN HX2 janë prodhim gjerman, ku nga 15 gjithsej, 10 janë blerë me buxhet të shtetit, ndërkaq pesë janë donacion. Modernizimi dhe fuqizimi i ushtrisë sonë, janë qenësore drejt objektivit për anëtarësim në NATO”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri Kurti mirëpriti Ambasadorin jo rezident të Bangladeshit në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës sot mirëpriti Ambasadorin jo rezident të Bangladeshit në Kosovë, Mosharraf Hossain Bhuiyan.

Marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme e me interes dypalësh ishin temat kryesore të takimit. Theks iu dha fushës së ekonomisë dhe kulturës.

Kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje në Kosovë ambasadorit Bhuiyan në vizitën e tij të tretë në vend. Ai e falënderoi për mbështetjen e Bangladeshit ndaj Kosovës dhe për bashkëpunimin në rritje, teksa e njohu me zhvillimet e fundit në vend dhe rezultatet e qeverisjes. Mirënjohës për mikpritjen dhe raportet, ambasadori i përcolli kryeministrit Kurti ftesën nga kryeministri i Bangladeshit për vizitë atje. 

Folën për mundësitë dhe potencialin e përmirësimit të shkëmbimeve tregtare në vitet në vijim. Këtu u veçua rëndësia për të dy vendet e largimit të tatimit të dyfishtë. Mbi 70 kompani me kapital nga Bangladeshi janë të regjistruara në Kosovë.

Në takim u fol edhe rreth mundësive të bashkëpunimit në fushën e kulturës, sportit dhe rinisë.

Bashkë me kryeministrin Kurti në këtë takimi ishte edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.

Kryeministri Kurti: Epopeja e UÇK-së, e papërsëritshme, me domethënie të pashteruar

Kryeministri Albin Kurti fjalimin e tij në akademinë përkujtimore për Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e nisi me këngën e Shkurtë Fejzës “Mora fjalë”.

Ai ka thënë se fjalët nuk mundesh t’i gjesh dot për Epopenë e UÇK-së për ta shpjeguar e përshkruar.

“Ndonëse fjalët i pasojnë mendimet dhe i paraprijnë veprat, fjalët janë gjithmonë të pamjaftueshme për ti përçuar si mendimet ashtu edhe veprat. Në rastin e Epopesë së UÇK-së kjo bëhet pamundësia vet, andaj edhe kënga “Mora fjalë” tregon edhe kufijtë e fjalës. Fjalët që doemos nuk i gjen dot, që duhet t’i marrësh e t’i gjesh diku e disi, për ta shpjeguar a përshkruar këtë Epope të papërsëritshme me domethënie ende të pashteruar”.

“Me fjalë të tjera “Mora fjalë” do të thotë që për këtë epope është vështirë të ketë ep, të gjithë e keni parasysh tekstin e këngës e cila nisë me atë se çfarë po bëjmë ne që po këndojmë Mora fjalë mora vargun mora qarkun me i thur këngë, pra çfarë po bëjmë ne kështu nis kënga”.

“Më pastaj strofa e dytë porsa përpiqemi të themi diçka ne themi ‘Qohu Adem’, pra është e pamundur të shkosh më larg se strofa e parë e pa rënë në veprim e unë besoj se kjo është arsyeja se pse ka këngë por nuk ka tekst, vetëm me këngën me një tekst kaq të bukur dhe me një melodi të jashtëzakonshme është bërë e mundshme që të gjejmë diçka artistike që bëhet kulturë meqenëse rrah por si zemra e popullit”, ka thënë Kurti. /Klankosova.tv/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti priti në takim antropologen, Janet Reineck, flasin për trashëgiminë kulturore

Kryeministri Albin Kurti, priti sot në takim antropologen, Janet Reineck.

Në njoftimin e lëshuar nga Qeveria e Kosovës thuhet se Reineck është një antropologe e njohur dhe mike e madhe e Kosovës, është një figurë e rëndësishme në hulumtimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të trojeve tona.

“U bisedua për rëndësinë e trashëgimisë kulturore, sfidat dhe potencialin e turizmit rural në vendin tonë. Gjithashtu, diskutuan për rëndësinë e unitetit të popullit tonë në shtetndërtim, dhe rolin e të rinjve në këtë drejtim”.

“Kryeministri Kurti, duke falënderuar znj. Reineck për punën dhe kontributin e saj për Kosovën, u shpreh i gatshëm për mundësi të bashkëpunimit më të afërt në të ardhmen. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi, synohet të përforcohet promovimi i trashëgimisë kulturore dhe të avancohet turizmi rural në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Kurti: Kemi ende probleme në kufirin me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendi që udhëheq vazhdon të jetë i kërcënuar nga ata që duan të pasurohen me luftë dhe armë, duke aluduar në organizatat kriminale që veprojnë në veri të Kosovës.

Në një intervistë për agjencinë italiane “AGI” Kurti ka thënë se ka ende probleme në kufirin me Serbinë.

“Fatkeqësisht ata që u pasuruan me luftën janë kthyer në kriminelë dhe vazhdojnë të pasurohen me bitcoin, drogë dhe armë. Ata e mbulojnë biznesin e tyre me ide nacionaliste, por janë ende kriminelë”, ka thënë Kurti, i cili është në Itali dhe po merr pjesë në kongresin e Parlamentit Evropian Socialist.

Shefi i Qeverisë së Kosovës e ka akuzuar Listën Serbe për lidhje të forta me Serbinë dhe Rusinë.

“Ata flasin për nacionalizëm dhe patriotizëm, por në realitet kanë ide fashiste dhe lidhje me Vuçiqin dhe Putinin”, ka shtuar ai.

Kurti ka deklaruar se po bëjnë çmos që t’i afrohen Bashkimit Evropian. Kosova e dorëzoi aplikacionin për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022, pasi u njoh zyrtarisht nga Komisioni Evropian si shtet “kandidat potencial”.

“Nuk jemi ende zyrtarisht kandidatë për anëtarësim, por po bëjmë çmos që sa më shpejt t’i afrohemi Bashkimit Evropian”, ka vazhduar Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka folur edhe për marrëdhëniet me Italinë, duke thënë se ishte skeptik kur Giorgia Meloni u zgjodh kryeministre.

“Duhet të jem i sinqertë. Në të kaluarën e konsideroja Giorgia Melonin të lidhur me të kaluarën e saj të djathtë, me fashizmin. Që kur u bë kryeministre kam vënë re marrëdhëniet e saj të shkëlqyera me Bidenin dhe SHBA-në, mbështetjen e palëkundur për Ukrainën. Jo kështu për Salvinin që ka marrëdhënie me Putinin”, ka thënë Kurti./rtk/KultPlus.com

Kurti takoi ministren e parë të Irlandës së Veriut

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë vizitës që po bën Britanisë së Madhe është takuar edhe me liderët e Irlandës së Veriut.

Ministrja e parë Michelle O’Neill dhe zëvendësministrja e parë Emma Little-Pengelly pritën sot në Kështjellën Stormont kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Diskutimet mbuluan një sërë çështjesh, duke përfshirë paqen dhe pajtimin”, njofton ekzekutivi i Irlandës së Veriut në llogarinë zyrtare në platformën ‘X’.

Kryeministri Kurti viziton këngëtaren e mirënjohur të muzikës së lehtë qytetare, Nezafete Shala

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka vizituar këngëtaren e muzikës së lehtë qytetare, Nezafete Shalën dhe familjen e saj, përcjell KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në Instagram, kryeministri Kurti tha se së bashku, ata diskutuan rrerh trashëgimisë tonë muzikore, përvojave dhe performimeve të saj të shumta.

Në vijim, KultPlus ua sjell postimin e plotë të kryeministrit Kurti:

Nezafete Shala sonte e vizituam në ambientin e saj familjar. Nga babai i saj deri te nipat e mbesat barten këngët. Diskutuam shumë rreth trashëgimisë sonë muzikore ndër breza, përvojave dhe performimeve të saj të shumta.

U mirëpritëm ngrohësisht nga e gjithë familja, e cila shihet se mban në vete vlerat e njëjta të kultivimit të kulturës sonë dhe i ruan ato me aq shumë dashuri.

Shala është një nga këngëtaret e fundit të plejadës së këngëtareve të mëdha të muzikës së lehtë dhe asaj qytetare. Duke e njohur kontekstin e zhvillimit tonë kulturor, ajo merr një rëndësi edhe më të madhe sot. Nezafetja, bashkë me grupin e saj të njohur dhe artistikisht të arritur, vazhdon jo vetëm të ruajë por edhe të gjallërojë muzikën e këngën që ajo e do dhe e performon, që publiku ynë e kërkon dhe e pëlqen./KultPlus.com

Kurti takon përfaqësuesit e Shoqatës së të Burgosurve Politikë, flasin për masakrën e Dubravës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim përfaqësuesit e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës.

Në këtë takim është theksuar rëndësia e dokumentimit në shërbim të memories kolektive si dhe të drejtësisë për shtypjen politike dhe dhunën e përdorur mbi aktivistët politikë shqiptarë dhe intelektualët e angazhuar për të drejta politike, për vetëvendosje, për çlirim dhe për Kosovën.

“U bisedua për mundësitë e dokumentimit për të dëshmuar të vërtetën mbi torturat fizike dhe trysnitë psikike nga regjimi kriminal i Serbisë mbi mijëra të burgosur shqiptarë. Duke veҫuar masakrën mbi të burgosurit politikë në burgun e Dubravës, u tha se ndonëse të burgosurit e mbijetuar e kanë rrëfyer historinë e masakrës bashkë me emrat e atyre që kryen këtë krim lufte, kryesit ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë, përkundër dëshmive dhe dëshmitarëve”, thuhet në komunikatën për media të kryeministrisë.

Tutje, thuhet se në takimin e përbashkët me kryetarin e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Shefki Sadiku dhe përfaqësuesit Meriman Braha, Hydajet Hyseni, Xhemajl Pllana dhe Xhevat Bislimi, u bisedua për format e mundshme të mbështetjes për ShBPK-së dhe fuqizimin e saj.

Kryeministri Kurti: Instituti për Krime lufte, përmbushje e kërkesës sonë për drejtësi

Në prani të kryeministrit Albin Kurti, në hapësirën e Institutit për Dokumentimin e Krimeve të Luftës në Kosovë është bërë pranim-dorëzimi i  dokumenteve të para të këtij instituti.

Kryeministri Kurti me këtë rast falënderoi kryetarin e Këshillit Koordinues të Asociacionit të Familjarëve të të zhdukurve të Kosovës, Ahmet Grajçevci, si dhe të drejtorit ekzekutiv Avdi Hetemi, për punën e pakursyer të tyre ndër vite, si dhe për ceremoninë e pranim-dorëzimit të dokumenteve të para në këtë institut.

 Kryeministri Kurti foli për angazhimin dhe sakrificën e popullit tonë për liri e pavarësi, sidomos në vitet ’90-ta.

“Ne po angazhohemi që të bëjmë më të mirën që mundemi që të adresojmë gjithë atë çfarë ka ndodhur gjatë luftës së fundit në vendin tonë”, deklaroi Kurti, teksa shtoi më tej se funksionalizimi i këtij instituti është një obligim që po përmbushet ndaj kujtesës sonë si popull dhe ndaj kërkesës sonë për drejtësi./rtk/KultPlus.com

Osmani, Konjufca e Kurti bëjnë homazhe te varri i Rugovës dhe Demaçit

Krerët e shtetit në kuadër të shënimit të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës kanë bërë nderime dhe homazhe personalitetet e shquara.

Fillimisht presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë nderime te Monumenti i të Pagjeturve, e më pas kanë vazhduar homazhet te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe tek ai i veprimtarit të  çështjes kombëtare, Adem Demaçi. Homazhe do të bëhen edhe në Kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz.

Osmani, Konjufca e Kurti bëjnë homazhe te varri i Rugovës dhe Demaçit

Kryeministri Kurti: Me përkrahjen e aleatëve ndërtuam shtëpinë tonë të përbashkët, Republikën e Kosovës

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në 16-vjetorin e pavarësisë, ka thënë se me mbështetjen nga partnerët dhe aleatët ndërkombëtar u ndërtua Republika e Kosovës.

Kurti, mes tjerash në një mbledhje të Qeverisë, theksoi se Kosova do të jetë shtëpia të gjithë qytetarëve pa dallim.

“Republika shteti ynë sot feston  përvjetorin e 16-të. Sivjet shënojmë dy përvjetorë të rëndësishëm, 26-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe 25 vjetorin të çlirimit tonë nga okupimi i Serbisë”, ka thënë Kurti.

Shefi i qeverisë theksoi se  prejardhja e republikës sonë është e  luftës çlirimtare dhe të lëvizjet e rezistenca shekullore të popullit tonë për liri.

“Nga kemi ardhur nga, ku jemi dhe nga po shkojmë këto janë pyetje që i shtrojmë veç e veç dhe bashkërisht. Sot jam i veshur me petkun e kryeministrit të Kosovës përkatësisht kryeshërbëtorit tuaj. Ne vijmë nga një betejë çlirimtare me karakter antikolonial që rrënjët i ka te rilindja kombëtare shqiptare, prejardhja e republikës sonë është e  luftë çlirimtare dhe të lëvizjet e rezistenca shekullore të popullit tonë për liri”, tha ai,

“Ne i mbijetuam gjenocidit të fundit të shekullit 20 pas luftës shkatërruese 98, 99, ne rindërtuam shtëpitë tona, me mbështetjen nga partnerët dhe aleatët ndërkombëtar ndërtuam shtëpinë tonë të përbashkët Republikën e Kosovës. Me drejtësi e barazi për drejtat e saj kontribuuese ne paqe dhe garanci për paqe një shtet që vlerat demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut dhe të gjitha pakicave i ka në thelb të çdo kursi politik dhe shoqëror”.

“Një çerek shekull pas luftës Republika jonë qëndron e fortë, përkundër sfidave shteti ynë po zhvillohet. Kosova është shtet sovran i pavarur dhe i pandashëm, ashtu si në ditën kur u shpall 16 vite më parë, Kosova ishte është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetare të saj pa dallim ne sot festojmë e urojmë jo vetëm shqiptarët por edhe komunitetin joshumicë në republikën tonë”.

“Integrimet euroatlantike janë sepse duhet të jenë ylli ynë polar nga ku po shkojmë, për barazi mes popujve dhe kontinentit tonë dhe paqe brenda shteteve, për siguri për të gjithë për secilin dhe secilën, vizioni është i qartë – ne rreshtohemi me kombet paqësore demokratike që mishërojë lirinë unitetin dhe solidaritetin, kjo është arsyeja pse kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe BE”.

“Teksa festojmë ditëlindjen e shtetit përkujtojmë çdo jetë të dhënë gjakun e derdhur, përpjekjet e vetëmohimin për të mirën e përbashkët të këtij vendi për ruajtjen e jetës dhe për jetesën e mirë për ta. Përkujtimi është i anasjellë me rininë dhe popullin tonë ecim përpara njëkohësisht duke kujtuar veprimtarinë e atyre që ishin para nesh, rrugën e kësaj vepre duhet përmbajtur, rrugën që nuk duhet lëshuar asnjëherë”, u shpreh kryeministri Albin Kurti. /Klankosova.tv./KultPlus.com

‘Albin Kurti, shpresa e fundit’, mërgimtari të mërkurën zbulon shtatoren e kryeministrit Kurti

Një mërgimtar nga qyteti i Podujevës ka vendosur të realizojë një veprim jo shumë të zakonshëm.

Mërgimtari të mërkurën do ta zbuloj shtatoren për kryeministrin Albin Kurti, në fshatin Peran të Podujevës.

Sipas disa fotografive, në pllakë të shtatores shkruhet “Albin Kurti, shpresa e fundit”, që lë të nënkuptohet se bëhet fjalë për një simpatizant të Kryeministrit Kurti.

Sipas Tv Llapi, zbulimi do të bëhet nesër, më 14 shkurt në ora 12:00.

‘U futën para me thes për terrorizëm’- Kurti ua sqaron serbëve rregulloren e BQK’së në gjuhën serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu është adresuar komunitetit serb në Kosovë përmes një videoje në gjuhën serbe. Kurti ka thënë se arsyeja e rregullores së re të BQK’së nuk është ndalimi i dinarit por formalizimi i parave. Sipas tij, Serbia ka financuar terrorizëm, duke dërguar para me thasë për në Kosovë.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm për fushatën e ngritur mbi baza të rrejshme, kundër institucioneve të pavarura të themeluara me Kushtetutë, siç është Banka Qendrore e Kosovës, për hir të ruajtjes së mënyrave tashmë të konsoliduara të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit duke dërguar para të gatshme në thasë përmes kufijve të Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë ai.

“Më 1 shkurt të këtij viti, ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore për pagesat me para të gatshme. Kjo rregullore nuk i referohet dinarit dhe as nuk e përmend atë si të tillë. Prandaj, synimi i Bankës Qendrore është formalizimi i pagesës dhe procedurat lidhur me të, për dallim nga përpjekjet për të dëshmuar se qëllimi i saj është heqja e dinarit apo e ndonjë monedhe tjetër në Kosovë”, vijon ai.

Tutje, ai ka thënë se shuma e parave që vjen nga Beogradi, do të dihet saktësisht nga autoritetet e Kosovës. /Insajderi.org/KultPlus.com

Kryeministri Kurti kujton Mon Balajn dhe Arben Xheladinin në 17-vjetorin e vrasjes së tyre

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar sot në 17 vjetorin e vrasjes Mon Balajn dhe Arben Xheladinin.

Kryeminstri Kurti ka thënë se vrasja e tyre ndodhi derisa Lëvizja VV po protestonte për të drejtën e popullit për vetëvendosje, për liri me të drejta, për pavarësi me sovranitet dhe për shtet me demokraci.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të Kurtit në facebook:

Atë ditë, e shtunë sikurse sot, 17 vjet më parë, në të drejtën tonë, ecnim drejt ne anëtarët e VETËVENDOSJE!-s, për të drejtën e popullit për vetëvendosje, për liri me të drejta, për pavarësi me sovranitet, për shtet me demokraci. Atë 10 shkurt të vitit 2007, ne ishim në sheshin ku ishte protestuar prej dekadash: në vitin 1968, sikur edhe më pas në vitet 1981, 1988, 1989, 1990, 1991, 1997 dhe 1998. Atë të shtunë, ne ishim me mijëra trupa dhe vullnete të bashkuara për të kundërshtuar paqësisht koncesionet monoetnike të Pakos së Ahtisaarit, që ishte publikuar tetë ditë më parë, më 2 shkurt 2007.

Atë ditë, pasi gjatë ditëve paraprake e patëm kundërshtuar duke e kritikuar nëpër forume dhe debate publike, ne po e kundërshtonim me protestë paqësore decentralizimin që krijonte komuna mbi baza etnike; zonat eksterritoriale që i serbizonin manastiret dhe kishat ortodokse; shuarjen e plotë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës; përfshirjen e Kosovës në borxhin e jashtëm të Serbisë; veton jodemokratike të deputetëve me ulëse të garantuara dhe të rezervuara në Kuvendin e Kosovës; dhe vazhdimin e administrimit ndërkombëtar në Kosovë me fuqi ekzekutive mbi ne e pa llogaridhënie ndaj nesh.

Atë ditë, ne i kemi paralajmëruar pasojat e shumta për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës, të cilat ndër vite i kemi bartur dhe të cilat ndërkohë janë kthyer në shkaktarë pasojash të tjera. Atë ditë, ne ishim duke protestuar bashkë me simbolin e rezistencës të shqiptarëve të Kosovës, bacën Adem Demaçi, i cili aty deklaroi: “Kjo është rruga jonë, rruga e Kosovës”.

Dhe pikërisht atë ditë, më 10 shkurt 2007, kjo rrugë e jona, rruga e Kosovës, u mbulua nga gazi lotsjellës i hedhur nga policët e atëhershëm ndërkombëtarë të UNMIK-ut. Atë ditë, ajri i sheshit qendror të Prishtinës u mbush me tym, kurse toka e tij u mbush me plumba gome madhësish të ndryshme që u hodhën në drejtim të protestuesve, në shpërputhje me protokollet e përdorimit të tyre në turma. Gjithsej 232 plumba i goditën protestuesit, nga të cilët, dy u vranë, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, kurse 80 protestues të tjerë u plagosën rëndë dhe lehtë. Atë ditë, Moni dhe Arbeni ranë dëshmorë në shesh të kryeqytetit, ku sheshazi e bashkë po kërkonim vetëvendosje! Atë ditë, protestuesit i bartën trupat e tyre, kurse nga ajo ditë e deri sot, ne i bartim kujtimet tona për ta, në të cilat rrijnë të ngarkuara të gjitha idealet politike të përbashkëta jo vetëm të asaj dite. Atë ditë dhe në ditët në vijim e deri sot, policët ndërkombëtarë që shtinë mbi protestuesit, u mbrojtën nga imuniteti ndërkombëtar. Por si atë ditë, si sot, si nesër, askush, asnjëherë, nuk mund të ketë imunitet para drejtësisë!

Atë ditë, ne po kërkonim vetëvendosje për popullin e Kosovës, drejtësi e barazi për qytetarët e saj, si dhe republikë të mirëfilltë demokratike si shtet sovran. Atë ditë ne ishim të përcaktuar për vetëvendosje dhe demokraci, këmbëngulës për drejtësi e barazi dhe të bindur për republikë e për integritet.

Pak javë pas asaj dite të 10 shkurtit 2007, ish presidenti finlandez, emisari special i OKB-së, Martti Ahtisaari, në raportin e tij dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, e që përmbante atë pakon e tij të 2 shkurtit 2007, e shton një faqe hyrëse ku propozon “pavarësi të mbikëqyrur” si status për Kosovën.

Atë ditë, ishte 10 shkurt, sikur sot, kur 17 vite pas po e kujtojmë protestën e drejtë me kërkesat politike të saj dhe dëshmorët e asaj rruge politike që kemi ndjekur dhe e cila na ka sjellur deri këtu. Atë ditë sikur edhe sot, ne qëndrojmë në të drejtën tonë për vetëvendosje, për demokraci dhe për republikë!

Lavdi Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, mes përkujtimeve për protestën e 10 shkurtit 2007 dhe mes dëshmorëve të tjerë të kombit!/KultPlus.com

Kryeministri Kurti për AFP: Uroj t’i normalizoj marrëdhëniet me Serbinë sivjet

Kryeministri Albin Kurti tha se shpreson të normalizojë marrëdhëniet me rivalin e përhershëm të vendit, Serbinë këtë vit, pas disa raundeve të bisedimeve të dështuara mes dy palëve.

“Normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë uroj për këtë vit, për vitin 2024, dhe në vitet dhe dekadat e ardhshme dua të dal fitimtar në çështje si pabarazia sociale, ndryshimet klimatike dhe kërcënimet e sigurisë”, tha Kurti për AFP. /Klankosova.tv/KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Zahiri, Edmondi, Iliri e Hakifi e shtuan vetëbesimin e UÇK-së

Kryeministri Albin Kurti me kryeparlamentarin Glauk Konjufca kanë bërë homazhe te shtatoret e Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës, Hakif Zejnullahut dhe Ilir Konushevcit, në Podujevë.

Kurti tha se ata ishin lufta e paraluftës, aksionet para betejave, kushtrimi për lirin e popullit dhe çlirimin e vendit.

“Andaj sot i kujtojmë më shumë mall e krenari për punën, veprën, jetën dhe flijimin e tyre për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar”, tha Kurti.

Ai shtoi se Zahiri, Hakifi dhe Iliri i dhanë një hov të jashtëzakonshëm çlirimit të Kosovës dhe se ata e shtuan vetëbesimin brenda radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërsa kryeparlamentari Glauk Konjufca, tha se heronjtë tanë, kolosët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu dhe Ilir Konushevci, përmes aksioneve të suksesshme guerile bënë që çdo polic e ushtar i Serbisë okupatore në Kosovë të mos ndihej i sigurt, duke theksuar se kjo është arritje shumë e madhe sepse e ngriti moralin popullor.

“Ata dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në themelimin e UÇK-së, lufta e lavdishme e të cilës çoj në çlirimin e Kosovës dhe në shporrjen e Serbisë okupatore nga trojet tona”, tha ai./RTK/KultPlus.com