Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se për shqiptarët nuk ka datë me rëndësishme në 100 vitet e fundit, se Dita e Çlirimit të Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i LVV-së, në tubimin me strukturat e partisë organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në kuadër të ‘Javës së Lëvizjes”, tha se nuk është rastësi që Lëvizja Vetëvendosje u formua në përvjetorin e çlirimit të Kosovës në vitin 2005.
Ai tha se nuk është rastësi Vetëvendosje gjithmonë e ka nderuar 10 qershorin e Lidhjes ë Prizrenit dhe 28 Nëntorin e Vlorës, dhe tash me qeverisjen e Vetëvendosjes, edhe 17 shkurtit po i japin kuptimin e vërtet, siç kanë dashur dëshmorët dhe martirët tanë dhe populli liridashës i Kosovës.
Kreu i VV-së, Albin Kurti, ka përmendur dhe ish krerët e UÇK-së që janë në gjykim në Hagë e që tha se presin që të kthehen në Kosovë siç e meritojnë ata.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka vizituar shtëpinë muze të filozofit dhe aktivistit të çështjes kombëtare Ukshin Hotit, në Krushë të Madhe, nga ku ka thënë se nuk do të reshtet kurrë së kërkuari drejtësi.
Kryeministri Kurti më tutje ka thënë se ribotimi i veprës së plotë të Ukshin Hotit, për të cilën është themeluar dhe një grup redaktues i posaçëm me vendim të Qeverisë, është më e pakta që mund të bëhet për ta mbajtur përherë të gjallë kujtesën për Ukshin Hotin.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti në facebook:
Sot mendimtari politik, filozofi dhe aktivisti i çështjes kombëtare Ukshin Hoti, do t’i mbushte 81 vjet. Në nderim të ditëlindjes së Bacës Ukë, vizitova Shtëpinë Muze në Krushë të Madhe, si vend i lavdisë historike shqiptare, i mendimit të thellë politik dhe i një jete të jetuar denjësisht. Këtu kthehemi çdo vit, në ditëlindje e ndërmjet ditëlindjeve, për ta rikujtuar jetën e tij teksa rilexojmë veprën e tij, e cila është përherë aktuale.
Ribotimi i veprës së plotë të Ukshin Hotit, teksteve, e dokumenteve të pabotuara deri më tani për të cilën është themeluar dhe një grup redaktues i posaçëm me vendim të Qeverisë, është më e pakta që mund të bëjmë, për ta mbajtur përherë të gjallë kujtesën për Ukshin Hotin dhe lexuar rreshtat e mendimit të mprehtë politik të tij.
Sepse Ukshin Hoti ka bërë aq shumë për Republikën në kuptimin teorik edhe në aspektin praktik, për arritjen e Kosovës së lirë dhe të pavarur. Nuk do të reshtim kurrë së kërkuari drejtësi për Ukshin Hotin, i cili u zhduk menjëherë pas lirimit nga burgu, nga aparati shtetëror serb./ KultPlus.com
Në përvjetorin e lindjes së profesor Ukshin Hotit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Muzeun e Masakrës në Krushë të Madhe. Ai kujtoi 22 dëshmorët dhe 155 martirët të cilët u vranë nga Serbia gjenocidale, teksa ktheu në kujtesë edhe 64 krushjanë të cilët edhe sot e kësaj dite janë ende të pagjetur, në mesin e të cilëve 14 janë nga komuniteti ashkali.
Me dëshmitarët e masakrës së Krushës së Madhe, përkujtuan një nga masakrat më mizore të kryera nga aparati shtetëror serb mbi civilët shqiptarë. Ndërmjet 25-27 mars 1999, në Krushë të Madhe forcat serbe vranë 155 civilë. Në mesin e të vrarëve janë dhe 7 fëmijë e 5 gra, njëra prej tyre shtatzënë. Mbi 700 shtëpi u dogjën, përfshirë institucione fetare e kulturore dhe u shkatërruan pasuritë e fshatarëve. Gjatë luftës u zhdukën me dhunë 64 krushjanë, përfshirë dhe profesorin Ukshin Hoti pas lirimit nga burgu.
Banorët e Krushës folën për dy krematoriumet në Krushë të madhe. Në krematoriumin e parë nga i cili ekzistojnë ende gjurmë të tij, janë djegur 19 civilë të pafajshëm shqiptarë, ndërsa në krematoriumin e dytë në shtëpinë e familjes së Nezir Durakut, forcat paramilitare serbe kanë djegur mbi 40 civilë të pafajshëm shqiptarë. Kjo e fundit është vizituar më 23 qershor 1999 dhe nga atëherë ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Robin Cook.
Gjatë qëndrimit në Krushë të Madhe, kryeministri shkroi dhe në librin e kujtimeve të Muzeut të Masakrës në Krushë të Madhe.
Kryeministri Albin Kurti ka uruar festën e Kurban Bajrami për të gjithë besimtarët myslimanë.
Ai ka theksuar se me zemra të hapura dhe duar të zgjatura njëri-tjetrit, në këtë Kurban Bajram, “le të ndajmë gëzimin me të gjithë ata që na rrethojnë”.
“Me fat Bajrami! Gëzuar kjo festë që është edhe kujtesë për vlerat e sakrificës dhe devotshmërisë. Për të qenë falënderues për bekimet tona dhe për t’i ndarë me ata që kanë më shumë nevojë. Për më shumë mirësi ndaj njëri-tjetrit, bujari e kujdes për të gjithë, e për bashkim rreth thirrjes për vepra të mira”.
“Me zemra të hapura dhe duar të zgjatura njëri-tjetrit, në këtë Kurban Bajram, le të ndajmë gëzimin me të gjithë ata që na rrethojnë. Le të jemi zemërgjerë, jo vetëm me të mirat materiale, por edhe me kohën, dashurinë dhe mbështetjen tonë. U shtoftë solidariteti ndër ne. Sakrifica e dëlirë u bëftë shpërblim për më të mirën në ne”, ka thënë Kurti në rrjetin social Facebook.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i gëzuar që studio-bunkeri ku janë përhapur lajmet e radios “Kosova e Lirë”, tani është nën përkujdesjen e shtetit tonë.
Përmes një postimi në Instagram ku ka ndarë edhe disa fotografi, ai shprehi mirënjohje për çlirimtarët lajmëtarë.
“Radio “Kosova e Lirë” ishte radio e Kosovës që luftonte për liri. Lirinë e medias sot, nuk do ta gëzonim dot pa luftën për liri. Gëzohem që kjo vlerë e veçantë e luftës, ky studio-bunker, tani është nën përkujdesjen e shtetit tonë. Një mirënjohje dhe urim i veçantë u takon çlirimtarëve lajmëtarë. Urime 25-vjetori i çlirimit të vendit”, ka shkruar shefi i qeverisë, njofton Klankosova.tv.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti mori pjesë dhe ishte njëri nga folësit kryesorë të ngjarjes së organizuar në Prizren për 146-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që këtë vit po mbahet në kuadër të agjendës shtetërore për shënimin e 25-vjetorit të çlirimit të vendit.
Në fjalën e tij, ai tha se Lidhja Shqiptare e Prizrenit paraqet gur themelin e përpjekjeve tona për pavarësi, e cila më pas u kurorëzua me datat e 28 Nëntorit të vitit 1912, me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e 96 vite më pas, me 17 shkurt 2008, me shpalljen e pavarësinë e Kosovës, duke e realizuar kësisoj një pjesë të programit të Lidhjes, që nuk u arrit të plotësohet në vitin 1912, përcjell Arbresh.info.
“Të ballafaquar nga vendimet e marra në Traktatet e nënshkruara në Evropë, përfaqësues të territoreve të banuara me shqiptarë, u mblodhën në Prizren dhe e themeluan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Një organizatë kjo politike dhe ushtarake mbarë-shqiptare, në mbrojtje të drejtave shqiptare, duke përcaktuar parimet themelore për një jetë të organizuar kolektive e politike në epokën moderne. Kjo është hera e parë në histori kur shqiptarët po flisnin me një zë, pa dallim krahine e feje, duke shprehur kërkesën themelore dhe universale për vetëvendosje dhe për ruajtjen nga copëtimi i territoreve të banuara me shqiptarë”, u shpreh Kurti.
“Në 25-vjetorin e çlirimit dhe 146-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, ai po ashtu solli në kujtesë faktin që me 27 mars të vitit 1999, forcat ushtarake serbe me eksplozivë e rrënuan dhe dogjën ndërtesën, duke i rrënuar edhe shtatoret e Abdyl Frashërit dhe të Ymer Prizrenit, si një përpjekje tjetër e Serbisë, e dimensionit të gjenocidit kulturor, për të zhdukur gjurmët e historisë shqiptare vrasjet masive dhe zhdukjen e kufomave. Gjatë agresionit të shtetit serb brenda periudhës shkurt 1998 – qershor 1999 janë shkatërruar së paku 1800 monumente të trashëgimisë kulturore; janë plaçkitur mbi 3000 objekte arkeologjike dhe etnografike, e dokumentacion arkivor; dhe janë djegur mbi 1.7 milion libra në bibliotekat publike. Ky veprim në bazë të Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, është vlerësuar si Krim Kundër Njerëzimit”, thuhet në njoftimin nga ZKM.
E megjithatë, “as shtypja mbi njëshekullore, plaçkitja, djegia e rrënimi, nuk kanë arritur të asgjësojnë besimin dhe luftën tonë për liri”, theksoi kryeministri.
Ai bëri thirrje që të vazhdojmë me përkushtim, bashkëpunimin e ngushtë për avancimin e vlerave të demokracisë, drejtësisë e të barazisë në vendet tona e shtetet tona, si dhe punën pa kusht, drejt integrimit së bashku të shteteve të Ballkanit Perëndimor, në Aleancën Veriatlantike e në Bashkimin Evropian, si e ardhmja më e mirë e shqiptarëve dhe e kombeve fqinjë me ne.
“Idealet politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit le të na frymëzojnë sot në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt avancimit të interesave të përbashkëta e forcimit politik e ushtarak, ekonomik e kulturor të shteteve tona”, tha ai në fund të fjalës së tij.
Në këtë ngjarje, gjatë të cilës u shfaqë edhe një ekspozitë e organizuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, të pranishëm ishin krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, kryeparlamentari, Glauk Konjufca, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, drejtues e përfaqësues tjerë të institucioneve shtetërore e lokale, e përfaqësues politikë të Preshevës e Bujanocit.
Sot, në moshën 87-vjeçare, ka vdekur piktori, profesori dhe shkrimtari, Rexhep Ferri, përcjell KultPlus.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shprehu ngushëllime familjarëve dhe gjithë komunitetit artistik duke u shprehur se Kosova humbi një nga figurat më të rëndësishme të artit dhe kulturës.
Në vijim, KultPlus ua sjell postimin e plotë të kryeministrit Kurti:
Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Rexhep Ferrit, piktor, profesor dhe shkrimtar. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Ferri dhe gjithë komunitetit artistik në emër të popullit dhe qeverisë së Kosovës.
Rexhep Ferri, i lindur në vitin 1937 në Kukës, jetoi dhe punoi në Prishtinë. Ai u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Beograd në vitin 1966 dhe përfundoi masterin në vitin 1970. Që nga viti 1974, ishte profesor në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1996 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, dhe në vitin 2000 u bë anëtar i rregullt.
Rexhep Ferri organizoi shumë ekspozita të pavarura kombëtare dhe ndërkombëtare dhe mori pjesë në ngjarje të rëndësishme artistike në Kosovë dhe jashtë saj. Në vitin 1971, ai u nderuar me Çmimin e Dhjetorit për kontributin e tij në artin figurativ.
Përveç veprave artistike, ai ka botuar edhe poezi, ese dhe romane që pasurojnë trashëgiminë tonë kulturore.
Në vitin 2021, ai u nderua me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Muslim Mulliqi” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, që iu dorëzua në vitin 2022. Më 26 gusht 2023, kisha nderin ta takoj personalisht dhe të bisedoj me të për artin dhe trashëgiminë kulturore, një takim që nuk do ta harroj asnjëherë dhe do ta mbaj si kujtim të veçantë.
Kontributet e tij si pedagog dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës kanë lënë një trashëgimi të pasur artistike dhe edukative. Kosova humbi familjarin e dashur, Akademikun, Profesorin, shokun, kolegun dhe një nga figurat më të rëndësishme të artit dhe kulturës. Do të kujdesemi që vepra e tij të dokumentohet, të mbrohet dhe të njihet e studiohet nga gjeneratat e reja.
Ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që patën nderin ta njohin dhe të punojnë me të. Le ta kujtojmë dhe nderojmë gjithmonë jetën dhe veprën e Rexhep Ferrit./KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar varrin e dijetarit të shquar Sami Frashërit, me rastin e 174 vjetorit të tij të lindjes, shkruan KultPlus.
Kryeministri Kurti tha se nuk mund të përshkruhet mjaftueshëm me aq epitete për ta bërë sa më të kuptueshme figurën e tij, porse mbi të gjitha ai konsiderohet thesar kombëtar dhe personalitet që ka kontribuar jashtëzakonisht në mendimin politik, shoqëror e filozofik shqiptar.
Ai më tej tha se Frashëri ishte një mërgimtar i arrirë, që s’e harroi kurrë vendin e tij, i cili duhet të jetë shembull për kombin, mërgatën dhe frymëzim për çdokënd.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti në Facebook:
Ideolog i shquar dhe dijetar i ndritur. Atdhetar, rilindas e mendimtar përparimtar. Nuk mund të përshkruhet mjaftueshëm me fjalë e të ketë aq epitete për ta bërë sa më të kuptueshme figurën e tij. Sami Frashëri është thesar kombëtar dhe personalitet që ka kontribuar jashtëzakonisht në mendimin politik, shoqëror e filozofik shqiptar. Krijimtaria e tij është e lidhur ngushtë me idealet e lëvizjes kombëtare për çlirim, me nevojat e shkollës e të kulturës kombëtare, dhe nga idetë iluministe evropiane. Ai la një trashëgimi të pazëvendësueshme, e cila mbetet bashkëkohore ende sot. Mjafton të lexosh veprën e tij monumentale “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet”, për të kuptuar largpamësinë socio-politike dhe mendimin e mprehtë me shprehjet e thukëta. Një gur që ngulit e skalit të vërtetën dhe të drejtën në mendjen tonë.
Dje, në ditëlindjen e Samiut, vizituam varrin e tij në Stamboll dhe vendosëm lule të freskëta, për ta kujtuar e nderuar atë. Para kësaj, në Ankara qëndruam në Qendrën Kulturore Shqiptare atje e cila përveçse mban emrin e tij, e nderon çdo ditë trashëgiminë e tij duke qenë vend që i bën bashkë shqiptarët e ku flitet e mësohet gjuha shqipe, ashtu siç na mësonte Samiu gjuhën përmes kombit, e kombin përmes gjuhës.
Ai la gjurmë, gjurmë të pashlyeshme, që ende sot, preken e përjetohen. Një mërgimtar i arrirë, që s’e harroi kurrë vendin e tij. Shembull për kombin, shembull për mërgatën dhe frymëzim për çdokënd.
Kryeministri Albin Kurti i shoqëruar nga Ministrja për Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rozeta Hajdari, zhvilluan sot një takim me anëtarët e Dhomës Ekonomike Zvicër-Kosovë.
Në njoftim të Zyrës së Kryeministrit thuhet se gjatë takimit, u diskutua për politikat më të fundit industriale dhe tregtare, rëndësinë e diasporës së Kosovës në Zvicër, për procesin e sapo përfunduar të regjistrimit të popullsisë, dhe progresin e deritanishëm në zbatimin e sistemit të arsimit dual.
Kurti theksoi se Zvicra ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës më 27 shkurt 2008 dhe se ka qenë e mbetet një ndër investitorët kryesor në Kosovë, “me vlerë investimesh direkte prej rreth 1.1 miliardë euro nga viti 2007 deri në fund të vitit 2023 dhe se Zvicra renditet si vendi i dytë për sa i përket eksporteve më të mëdha të Kosovës”.
Gjatë bisedës u theksua se deri më tani Kosova dhe Zvicra kanë nënshkruar 18 marrëveshje të ratifikuara, gjashtë nisma për marrëveshje ndërkombëtare që mbulojnë bashkëpunimin teknik dhe financiar, aviacionin civil, lëvizjen e lirë të personave dhe mallrave, tregtinë, mbrojtjen e investimeve dhe sigurimet shoqërore.
Kryeministri Albin Kurti, ministri Hajrulla Çeku dhe ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, kanë vizituar sot Galerinë Kombëtare të Kosovës për të parë nga afër ekspozitën retrospektivë të artistit të ndjerë Gjelosh Gjokaj “Rrugëtimi Modernist i Gjelosh Gjokaj”, kuruar nga Shkëlzen Maliqi.
Në ekspozitë janë të përfshira vepra nga e gjithë krijimtaria artistike e Gjelosh Gjokajt dhe përbëhet nga dy koleksione të artit. Koleksioni bazë, me 75 vepra të artistit nga Sead Gjokajt, kushëririt të tij nga Podgorica, dhe 18 vepra nga fondi i Galerisë Kombëtare të Kosovës.
Ekspozita që po vizitohet çdo ditë edhe nga artdashës, është përkrahur nga Ministria e Kulturës dhe është e hapur për publikun deri më 7 korrik.
Kryeministri Albin Kurti, mëngjesin e së dielës bëri homazhe në qytetin e Prizrenit, për të vrarët në masakrën e Tusuzit.
Ai vendosi kurora me lule te varret e të vrarëve, në nderim dhe përkujtim të martirëve e dëshmorëve të Lagjes së Trimave.
“Martirët dhe dëshmorët e kombit janë në njërën anë dëshmi e qëndresës sonë, e rezistencës së popullit, e atdhedashurisë për të jetuar në liri e në paqe në tokën stërgjyshore, por në anën tjetër janë gjithashtu edhe dëshmi e krimeve të Serbisë, e krimeve të kryera gjatë luftës, ku bëjnë pjesë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi”, tha Kurti.
“27 martirët e Tusuzit, janë sot 27 lule nga të cilët rritet liria jonë dhe gëzohet shteti ynë”, shtoi shefi i qeverisë.
Në këto homazhe, teksa përkujtoi të rënët e masakrës, kryeministri u shpreh se në lapidarin e të rënëve është i skalitur emri i Behar Abdylmexhitit, i cili atë kohë ishte vetëm 17 vjeçar, si dhe Fazile Maqkaj, e cila u dogj e gjallë në karrocën invalidore të saj.
Më tej, kryeministri duke përmendur djegien e mbi 300 shtëpive, dhe dhembjen për vrasjen e 27 civilëve nga forcat armike serbe, që sot janë martirë të kombit, theksoi se nevojitet edhe drejtësia e jo vetëm pavarësia e shtetit.
Teksa foli për këtë masakër, për të cilën vetëm dy persona mbahen në burg dhe katër të tjerë ndiqen, Kurti shtoi se numri i ekzekutorëve dhe urdhërdhënësve është shumë më i madh se kaq, tha Zyra e Kryeministrit në një kumtesë, raporton Klankosova.tv.
Kurti i bëri thirrje Prokurorisë së shtetit që me fuqinë dhe dijeninë e saj të bëjë gjithçka, në mënyrë që të ketë drejtësi ata që mungojnë tash e 25 vite.
Kryeministri tha se drejtësia i mbyllë plagët që kullojnë dhe sjellë paqe të qëndrueshme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Mbretërinë e Bashkuar.
Kurti, do të marrë pjesë në Konferencën e Mbrojtjes në Londër, ku edhe do të jetë folës kryesor.
Aty do të zhvillojë një takim bilateral me Sekretarin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, i cili gjithashtu do të marrë pjesë në këtë konferencë.
“Gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri Kurti do të zhvillojë takime edhe në Parlamentin britanik, si dhe do të ketë një bashkëbisedim me Drejtuesen Ekzekutive të Institutit ODI (Overseas Development Institute), Sara Pantuliano, për 25-vjetorin e përfundimit të luftës dhe çlirimit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se më 16 maj 1999, profesori Ukshin Hoti, pas lirimit nga burgu i Dubravës, u rrëmbye dhe u zhduk.Ai tha se edhe pas një ҫerek shekulli më vonë, fati i tij nuk është zbardhur.
“Kosova e shqiptarët në përgjithësi nuk kanë një politikan filozof e teoreticien të politikës sikur ai. Drejtësia për të nuk ka filluar ende”, tha ai.
Ai ka thënë se çdo ditë kujtojmë krimet e pamohueshme që Serbia ka kryer në Kosovë.
“Në këtë ditë, në përvjetorin e vdekjes, përkujtojmë heroinën Marte Tunaj. Me guxim tregoi të vërtetën për dhunën seksuale, të përdorur nga Serbia si armë lufte në Kosovë. Për këto krime, drejtësia është vonuar”, tha ai.
“25 vite pas, Serbia jo vetëm që nuk pranon këto krime por ende i fsheh ato. Për paqe dhe siguri në rajonin tonë, ballafaqimi me të kaluarën dhe përballja me drejtësinë janë të domosdoshme”.
Tutje ai tha se Republika nuk ndalet në betejën për drejtësi për të gjitha krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar për në Mal të Zi, ku do të marrë pjesë në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, sonte Kurti do të marrë pjesë në darkën e liderëve të shtruar nga Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajic, ndërkaq nesër do të jetë folës në panelin e diskutimit “Situata aktuale dhe planet e së ardhmes – Plani i ri i rritjes”.
“Ky samit gjatë të cilit liderët e vendeve të rajonit, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të diskutojnë Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, po mbahet në Kotor të Malit të Zi nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët”, thuhet tutje në komunikatë.
Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se deri tani janë regjistruar mbi 1,420,000 qytetarë residentë në Kosovë.
Ai me anë të një video të publikuar në rrjetin social Facebook ka bërë thirrje që kosovarët edhe në diasporë të regjistrohen sa më shumë në pasi ky proces tashmë është në javën e fundit të implementimit.
“Mbi 1,420,000 qytetarë residentë të regjistruar deri më tani, teksa kemi hyrë në javën e fundit të procesit më të rëndësishëm për 10-vjeçarin e ardhshëm”.
“Thirrja jonë për regjistrim vazhdon. Të gjithë ata që nuk janë regjistruar deri më tani, në Kosovë e në diasporë, ju ftoj t’i shfrytëzoni këto ditë të mbetura deri me 17 maj”, ka thënë Kurti.
Në videon e publikuar ai bën me dije sot ka qenë për vizitë në Komunën e Kamenicës me ministrin për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, me të cilin thotë se janë të kënaqur me numrin e madh të qytetarëve që i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës për regjistrim.
“Të dhënat më të fundit na tregojnë se banorët e kësaj komune i janë përgjigjur pozitivisht dhe pahezitim thirrjes sonë për regjistrim. Kamenica është një nga shembujt më të mirë të bashkëjetesës ndëretnike në Kosovë”.
“Kjo po vërtetohet edhe me përqindjen e lartë të qytetarëve tanë të komunitetit serbe në procesin e regjistrimit të popullësisë”, ka thënë Kurti.
Kryeministri, Albin Kurti, ka kujtuar sot në Ditën e Martirëve në Korishë 77 civilë shqiptarë të vrarë, prej tyre 14 fëmijë, kur më 13 maj të 1999-ës, forcat serbe kryen masakër mbi popullsinë civile.
Në këtë ditë kushtuar martirëve, Kurti kujton civilët shqiptarë nga Korisha dhe fshatrat Bllacë, Budakovë, Greikoc, Reshtan, Mushtisht e Maçitevë, të vrarë në maj të vitit 1999.
”Dita e Martirëve në Korishë
Më 13 maj të vitit 1999, forcat e armatosura të Serbisë kryen masakër mbi popullsinë civile të pafajshme në Korishë. Aty u vranë 77 civilë. Prej tyre, 14 ishin fëmijë.
Vrasjet pa dallim moshe e gjinie, janë dëshmi e pafajësisë së tyre dhe e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
Në Ditën e Martirëve të Korishës, kujtojmë civilët shqiptarë nga Korisha dhe fshatrat Bllacë, Budakovë, Greikoc, Reshtan, Mushtisht e Maçitevë, të vrarë në maj të vitit 1999. Përkujtojmë viktimat civile që ishin futur në kurthin e vdekjes prej forcave serbe.
Lavdi martirëve të Korishës!
Lavdi secilës jetë të sakrifikuar në rrugën tonë për liri!”.
Kryeministri Albin Kurti bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta në nderim të dëshmorit Agron Rrahmani, në përvjetorin e rënies së tij heroike.
“U përkujtua maji i vitit 1998, kur brenda gjashtë ditësh, rezistenca e armatosur për çlirimin e Kosovës mori goditje të rënda nga humbja e Bahri Fazliut, Ilir Konushevcit dhe Agron Rrahmanit. Bahriu u vra më 7 maj, Iliri më 9 maj, kurse Agroni më 12 maj. Sot u bënë nderime në 26 -vjetorin e rënies së Agron Rrahmanit, i cili u vra në lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë, më 12 maj 1998”, kujtoi Kurti.
Për ta përkujtuar Agron Rrahmanin, kryeministri Kurti bëri homazhe te varri i tij në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë, ku janë pranë njëri-tjetrit edhe varret e bashkëluftëtarëve.
“Lavdi dëshmorit Agron Rrahmani, i rënë për lirinë e Kosovës bashkë me shokët dëshmorë, Bahri Fazliun dhe Ilir Konushevcin”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dedikuar një shkrim Heroit Kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, pasi ka hipoteza të historianëve që ditëlindja e tij mund të jetë sot, më 6 maj.
Kryeministri Kurti ka thënë se Skënderbeu është referenca e parë fillestare e çdo vetëdije shtetëndërtuese dhe e çdo ndërgjegjje komunitare për shqiptarët.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti:
Nga Prishtina në Gjakovë e nga Tirana në Shkup dhe deri te arbëreshët në San Basile të Italisë, këto ditë u kujtua me nderime dhe me shtatore të reja heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ky portret i tij, është publikuar në biografinë më të njohur të Skënderbeut, shkruar nga Marin Barleti dhe botuar më 1508.
Siç besohet gjerësisht, Gjergj Kastrioti kishte lindur para 619 vitesh, më 6 maj të vitit 1405. Kjo duke u bazuar në një traditë antroponomike mesjetare, sipas së cilës të lindurit në ditë shenjtorësh pagëzoheshin me emrin e shenjtorit përkatës, prej nga disa historianë kanë hedhur hipotezën që Gjergj Kastrioti, mund të ketë lindur pikërisht më 6 maj, ditën e Shën Gjergjit, me emrin e të cilit shenjtor është pagëzuar.
Sidoqoftë përtej ditëlindjes së tij, ka gjithmonë arsye dhe dobi të kujtohet jeta dhe vepra e Skënderbeut, Zotit të Arbërisë, fisnikut më të shquar arbëror të Mesjetës. Skënderbeu ishte një luftëtar i paepur për liri, strateg ushtarak gjenial, burrështetas i guximshëm dhe diplomat vizionar. Ai drejtoi një rezistencë dhe qëndresë të pathyeshme ndaj osmanëve që nga viti 1443 e deri sa vdiq më 1468.
Lidhjet e Skënderbeut me shtetet italiane dhe perëndimore si me Mbretërinë e Napolit, me Papatin e Romës dhe me Republikën e Venedikut, janë rikthyer dhe rimarrë si raporte referenciale politike për shqiptarët edhe në kohët moderne. Në shekullin e XIX, figura e Skënderbeut u mor nga rilindasit shqiptarë dhe u vendos në qendër të identitetit kombëtar të shqiptarëve. Stema dhe flamuri i dikurshëm i Kastriotit u bënë bazë e flamurit kombëtar dhe shtetëror nga shqiptarët në fillim të shekullit të XX.
Vepra e Skënderbeut është dhe do të mbetet referenca e parë fillestare e çdo vetëdije shtetëndërtuese dhe e çdo ndërgjegjje komunitare për shqiptarët.
Andaj përherë, lavdi i Skënderbeut brez pas brezi do të shtohet!/KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar në 25 vjetorin e vrasjes profesorin Fehmi Agani.
Kryeministri Kurti ka thënë se profesori Agani u vra në kohën kur operacionet gjenocidale të forcave policore e ushtarake të Serbisë në Kosovë ishin në kulmin e tyre.
“Një polic serb e pikasi Profesor Aganin mes të tjerëve, e ndau nga familjarët duke e zbritur nga autobusi dhe bashkë me policë të tjerë e hipën në një veturë të kuqe. Fehmi Agani u ekzekutua atë ditë, në afërsi të Lipjanit nën një urë. Prej atëherë dhe deri sot që u bënë 25 vite, rrethanat e vrasjes së Fehmi Aganit nuk janë sqaruar plotësisht, kurse ekzekutuesit e tij nuk janë nxjerrë para drejtësisë”, tha Kurti.
Ai tha se profesor Fehmi Agani, ishte busull mes turbullirave politike të kohës në Kosovë.
“Fehmi Agani do të kujtohet përherë mes të rënëve të popullit tonë në përpjekjet dhe sakrificat për liri të Kosovës!”, tha shefi i qeverisë Albin Kurti.
Kryeministri Albin Kurti ka uruar komunitetin e goranëve për ditën e tyre.
Në urimin e Kurtit thuhet se kontributi i goranëve në jetën shoqërore të vendit mbetet i rëndësishëm, i veçantë dhe i çmueshëm.
“Vitin e kaluar, kam pasë mundësinë të takohem përsëri me përfaqësues tuaj, si në Prishtinë, por po ashtu dhe gjatë një vizite në Dragash. Që nga fillimi i mandatit tonë, kemi dëshmuar se askush, nga asnjë komunitet, nuk do të lihet pas, por do të jetë pjesë e zhvillimit e progresit tonë, ku politikat progresiste të shtetit mbërrijnë tek të gjithë”.
“Andaj dhe nuk kanë munguar investimet e qeverisë sonë si në përmirësimin e infrastrukturës, por edhe mbështetjes ekonomike, ndërtimit të shtëpive, përfitimit nga kuotat e punësimit apo dhe verifikimit të diplomave. Kjo ditë feste na rikujton se bashkë kemi bërë shumë, por mund të bëjmë ende më shumë. Do të vijojmë punën në mbrojtjen, promovimin e mbështetjen e komunitetit goran”, thuhet në urim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypi ka thënë se qeveria e tij është e hapur dhe e gatshme të adresojë shqetësimet e medias në vend.
Këtë deklaratë Kryeministri Kurti e ka bërë në rrjetin “X”.
“Në këtë Ditë Botërore të Lirisë së Shtypit, ne duam të pranojmë përpjekjen që duhet për të ndriçuar të vërtetën në një kohë dezinformimi të madh dhe të armatosur”, shkroi Kurti në X.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se Kosova po bëhet shteti me kapacitetin më të madh të baterive për kokë banori në botë.
Kurti, në një postim në rrjetin social Instagram, tha se programi ‘Kompakt’, është investimi më i madh në energji në dekadat e fundit dhe kap vlerën prej 236.7 milionë dollarë është, kurse vlera e investimit. 202 milionë prej tyre grant nga SHBA-ja.
“Kosova po bëhet shteti me kapacitetin më të madh të baterive për kokë banori në botë. Programi Kompakt, që është investimi më i madh në energji në dekadat e fundit, hyri në fuqi nga sot. 236.7 milionë dollarë është vlera e investimit. 202 milionë prej tyre grant nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kurse 34.7 milionë bashkëfinancim nga Qeveria e Republikës së Kosovë”, ka shkruar Kurti në Instagram.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (MCC) lansuan programin Kompaktin MCC-Kosovë, i fokusuar në ofrimin e zgjidhjeve moderne të energjisë së pastër për të përmirësuar besueshmërinë e energjisë elektrike në vendin tonë.
Qëndrimi në Hannover i kryeministrit Albin Kurti, vijoi ditën e sotme me takimin e radhës me kryetarin e landit të Niedersachsen, Stephan Weil.
Në njoftim thuhet se Kurti fillimisht e falënderoi për ftesën në darkën e djeshme, ku takoi edhe ministrin e Ekonomisë të Gjermanisë, njëherësh zëvendës kancelarin gjerman, Robert Habeck dhe ministrin e Industrisë dhe Resurseve Minerale të Arabisë Saudite, Bandar Alkhorayef.
“Gjatë bashkëbisedimit, u trajtuan tema si bashkëpunimi ekonomik dhe kulturor dhe rëndësia e bashkëpunimi rajonal në përgjithësi. Biseduan për energjinë e ripërtëritshme, marrë parasysh potencialin dhe investimet që po bën Kosova këtë sektori dhe përvojën e landit të Niedersachsen në këtë fushë, si dhe për sektorin e teknologjisë dhe industrisë dhe ofertën e vendit tonë për investitorë të huaj”.
“Rëndësi e veçantë iu kushtua dhe mërgatës sonë atje, kontributin e tyre jo vetëm nga ana ekonomike por edhe në jetën shoqërore e kulturore në Gjermani dhe mundësitë për shkëmbimin e përvojave. Në këtë takim, Kryeministri Kurti u shoqërua dhe nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti”, thuhet në njoftim. /Klankosova.tv/KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në vizitën e parë në Sofje të Bullgarisë, është pritur nga liderë shtetërorë dhe kanë marrë pjesë bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në Forumin Ekonomik të Vjenës, që kësaj radhe, sipas Kurtit, mbajti punimet në kryeqytetin bullgar.
“Qëndrimin atje e filluam me pjesëmarrjen në ceremoninë hapëse të Forumit. Në fjalën përshëndetëse vura theksin te rëndësia e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal drejt integrimit më të madh ekonomik dhe prosperitetit për rajonin tonë”, ka shkruar i pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti në faqën e tij në Facebook.
Për marrëdhëniet e mira ndërmjet vendeve, Kurti tha se sfidat dhe mundësitë, raportet dypalëshe dhe bashkëpunimi rajonal kanë biseduar me kryeministrin në detyrë të Bullgarisë, Dimitar Glavchev me të cilin, siç tha Kurti, janë takuar për herë të parë, dhe me presidentin e vendit, Rumen Radev, katër muaj pas bisedës në Prishtinë.
“Ndërmjet takimeve me krerë të shtetit bullgar, isha folës në sesionin e diskutimit me titull “Pyetje për vizionarët: Roli i inovacionit, teknologjisë dhe edukimit në bashkëpunimin ekonomik rajonal”, në kuadër të Forumit Ekonomik të Vjenës që sivjet u zhvillua me moton “Vazhdimi i ndërtimit të urave në kohë të vështira”. Aty shpalosëm historinë tonë të suksesit dhe arritjet përgjatë qeverisjes sonë dhe vizionin tonë për sektorin e teknologjisë që dita ditës po bëhet identitet i vendit”, ka shkruar Kurti.
Ai ka shkruar se pas Sofjes, vazhdojnë drejt Hanoverit të Gjermanisë bashkë me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, për më shumë takime me ndërmarrës, investitorë potencialë dhe përfaqësues politikë të landit gjerman Niedersachsen.