Sonte në Teatrin Kombëtar jepet repriza e shfaqjes ‘La Rrem’

Sonte në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të jepet repriza e shfaqjes ”La Rrem”.

Repriza fillon në orën 21:00.

”La Rrem” është shfaqje për artistin shumëdimensional, aktorin, regjisorin, këngëtarin dhe dramaturgun Muharrem Qena.

”La Rrem” është artisti antikonformist, jokonvencional, bohemi e dashnori i veçantë.

”La Rrem” është dashuria dhe pasioni për artin, për të bukurën. Është kënga, që buron nga shpirti, nga vuajtja e nga gëzimi. La Rrémi ynë është universal. Ai i flet kohës edhe botës sonë. Kudo dhe kurdo. La Rrém është njeriu revoltues, kryengritës dhe mosnënshtrues.

Shfaqja ”La Rrem” është më shumë se sa dramë muzikore. Është pasioni, emocioni, talenti i rrallë i artistit të madh.

Aktorët që luajnë në këtë shfaqje janë Ernest Malazogu, Ylber Bardhi, Shengyl Ismaili, Arta Selimi, Flaka Latifi, Bujar Ahmeti dhe Tristan Halilaj./ KultPlus.com

Teatri Kombëtar njofton për anulimin e shfaqjes ‘La Rrem’

Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se shfaqja “La Rrem”, e paraparë më 17 dhe 18 janar është anuluar, shkruan KultPlus.

“Anulohet shfaqja “La rrem” që ishte në kalendarin mujor (17,18 janar), fakti që njëra nga aktoret e shfaqjes ka rezultuar të jet pozitiv”, thuhet në njoftim.

Të gjithë ata që kanë rezervuar apo blerë biletat, mjetet mund ti tërheqin në biletari çdo ditë pune ose mund ti shfrytëzojnë të njejtat në shfaqjen e ardhshme. /KultPlus.com

Shfaqja ‘La Rrem’ sot shënon nisjen e aktiviteteve kulturore në ‘Java e Flamurit’

KultPlus ju sjell aktivitetet kulturore të planifikuara për Javën e Flamurit (23-30 Nëntor 2021):

Data 23.11.2021 – ora 20:00
Shfaqja “La Rrem” nga Arian Krasniqi, regjisor Kushtrim Koliqi
Vendi: Teatri Kombëtar i Kosovës

Data 25.11.2021 – ora 13:00 -14:30
Dita e Bibliotekës
Vendi: Holli i ekspozitave në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës

Data 25.11.2021 – ora 14:30-15:15
Ekspozitë e librit: Kosova “My Home”, libra të punuar nga bibliotekarët gjatë punëtorive në kuadër të projektit “Programi Kombëtar i Arsimimit Bibliotekar”
Vendi: Holli i ekspozitave në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës

Data 25.11.2021 – ora 19:00
Shfaqja “Tanzminiaturen” & “Tangata” me koreografi nga Ricardo Fernando
Vendi: Teatri Kombëtar i Kosovës

Data 27.11.2021 – ora 19:00
Koncert festiv
Vendi: Teatri Kombëtar i Kosovës, organizatorë, AKKV “Shota”

Data 28.11.2021 – ora 11:00-12:00
Promovimi i librit: FAMILJA JASHARI – në dritën e betejës për liri (artikuj të gazetave dhe revistave të Kosovës – dhjetor ‘91 – mars ‘98); Vendi: Holli i ekspozitave në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës

Data 30.11.2021 ora 20:00
Shfaqja “Aroma e Hënës, nga Mehmet Kraja autor dhe regjisore Rozi Kostani
Vendi: Teatri Kombëtar i Kosovës / KultPlus.com

Edicioni i 4-të i Kosovo Theatre Showcase nis me shfaqjen “La Rrem”

Edicioni i 4-të i Kosovo Theatre Showcase nis nesër në Teatrin Kombëtar të Kosovës me shfaqjen “La Rrem” të Arian Krasniqit e në regji të Kushtrim Koliqit. Showcase i këtij viti mbahet prej 2 deri më 7 nëntor në Prishtinë, Ferizaj e Gjilan ndërsa bashkon në Kosovë, rreth 50 drejtues festivalesh, kritikë, gazetarë e profesionistë të tjerë të teatrit nga rajoni e bota të cilët do të kenë mundësinë të shohin prodhimtarinë më të fundit teatrore në Kosovë.

Shfaqja “La Rrem” është një rekuiem muzikor për aktorin, regjisorin, këngëtarin e kompozitorin Muharrem Qena ndërsa në vete ngërthen pasionin e artistit për të bukurën e artin.

“La Rrem” i flet botës dhe kësaj kohe, në cilindo rast. Kjo është më shumë se një dramë muzikore: është pasioni e emocioni i një talenti të rrallë të një artisti të madh. Drama e tij është edhe drama jonë”, thuhet në deklaratën e producentëve të shfaqjes.

Në shfaqjen “La Rrem” luajnë: Malazogu, Ylber Bardhi, Shengyl Ismaili, Arta Selimi, Flaka Latifi, Bujar Ahmeti, Tristan Halilaj. Muzikën e ka komponuar e aranzhuar Trimor Dhomi ndërsa në skenë luajnë instrumentistët: Leonard Canhasi, Teoman Ukça, Edmond Gjinolli e Ermal Sadiku.

Këtë vit Showcase-i prezenton 10 performanca teatrore nga Kosova dhe rreth 4 të tjera nga rajoni dhe Evropa./KultPlus.com

“La Rrém’’, revolucionari që i flet kohës, botës e shoqërisë sonë në çdo moment

Era Berisha

Drama muzikore ”La Rrem” erdhi në një piedestal të lartë të ndjeshmërisë nostalgjike dhe ëmbëlsisë së butë ku sado që inkuadroheshin situatat dramatike dhe humoristike, dashuria, adhurimi dhe nderimi i figurës multidimensionale së Muharrem Qenës është shkrirë tërësisht nga performanca e aktorëve të cilët shpirtin e tyre e lanë në skenën e shenjtë ndërsa publikut i dhuruan një llahtari të bukur e të këndshme, shkruan KultPlus.

Shfaqja ”La Rrem”, është shfaqje e dedikuar për artistin shumëdimensional, aktorin, regjisorin, këngëtarin dhe dramaturgun Muharrem Qena. ‘La Rrem’ mendohet të jetë një artist antikonformist, jokonvencional, bohem e dashnor i veçantë por mbi të gjitha një njeri revolucionar që i flet kohës, botës dhe shoqërisë tonë në çdo moment duke portretizuar talentin e rrallë, dashurinë, pasionin, vuajtjet e gëzimet të figurës së mirënjohur të Qenës.

Gjithçka nisi kur numri i madh i të pranishmëve, në mesin e tyre shumë artistë, kolegë, familjar të Qenës, adhurues të talentit të tij dhe jo vetëm, mbushën tërësisht sallën e Teatrit Kombëtar në një qetësi absolute. Dritat u fikën e perdja u hap duke lënë vend për aktorët si: Ernest Malazogu, Ylber Bardhi, Shengyl Ismaili, Arta Selimi, Flaka Latifi, Bujar Ahmeti dhe Tristan Halilaj, të cilët dhanë një performancë që fragmentet e shkëndijave elektrike do t’i vinin në siklet.

Kjo dramë muzikore shpërtheu pamëshirë përmes skenave të shumta të llojllojshme që u shoqëruan me këngët e bukura e unike të Qenës si: ‘Kaqurrelja’, ‘Mallëngjimi’, ‘Oj hanë’, ‘Mustafa’, e për të përfunduar me këngën ‘Lamtumirë’ e cila përçoi një rrotullim emocionesh që shikuesin e vunë në një slitë rul ndërsa rrëqethet e trupit derdheshin rrëke.

Këto këngë të interpretuara nga muzikantët si: Leonard Canhasi, Teoman Ukça, Edmond Gjinolli, Ermal Sadiku së bashku me video animacionet nga Florian Canga që shfaqeshin papritmas në një frymë me skenën, lanë një përshtypje se gërshetimi unik i melodive dhe tingujve tundues po hipnotizonin atmosferën me një sërë thumbimesh nga talenti i performuesve.

‘La Rrém’, përveç se njihet si njeriu revoltues, kryengritës dhe mosnënshtrues, ai është një artist i përmasave të mëdha duke na rikujtuar se Qena është një artist i jashtëzakonshëm multidimensional dhe i pa përsëritshëm andaj edhe kjo dramë është e tij dhe përmes saj u shfaq edhe realiteti i një teatri që zbulon gënjeshtra por edhe të vërteta. Pra, teatri portretizon jo vetëm dashuri, pasion, performanca të çmendura por edhe formën tërësisht të zhveshur të tij duke shpalosur detajet dhe veçantitë më intime të teatrit, qofshin ato të bukura apo të shëmtuara.

Kështu krejt në fund, përveç elementeve simbolike si shalli, që e kishte të vendosur Malazogu, dritat, skena, kostumet dhe skenografia, ajo se çka vulosi fundin e shfaqjes ishte edhe piktura e njohur e Rron Qenës e titulluar ”Artisti” që nëpërmjet video animacionit, mbylli perden e fundit në një ndjenjë që dërgoi publikun në emocione shumëngjyrëshe të cilat ngjyrosën atmosferën me intensitetin e lartë të zhurmës që vinte nga duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta e të pa ndalura të të pranishmëve.

Ndërsa, për të shpalosur më shumë rreth një bashkëpunimi të tillë të cilin ai e vlerëson si të jashtëzakonshëm, për KultPlus foli autori i tekstit Arian Krasniqi.

“Unë kam bashkëpunuar në fazat e draftimit të skenarit, në konsultim me idetë që i kemi pasur me regjisorin për tekstin dramatik dhe mendoj se mbi atë tekst është bërë një shfaqje multimediale me këngë e me muzikë dhe situata komike por edhe ato dramatike. Kjo nuk është jetëshkrim i tij dhe nuk është biografia e tij komplet, por thjesht është një shfaqje që ka elemente nga jeta dhe vepra e Muharrem Qenës por që i dedikohet atij”, shpalos Krasniqi.

Sipas tij, është dashur dhe nevojitur një punë dhe përkushtim i madh për një tekst interesant që komunikon me kohën dhe audiencën prandaj edhe besohet se janë arritur pritshmëritë e publikut. Megjithëse, ai shprehet se nuk ka qenë e lehtë sepse përmasat e një artisti multidimensional janë një përgjegjësi e madhe për tu pasur parasysh.

“Ka qenë një bashkëpunim i mirë me regjisorin, ekipin dhe punën kreative që është bërë edhe në interpretim, muzikë, skenografi, kostume dhe në të gjitha elementet e shfaqjes. Andaj, unë si autor i tekstit së dramës jam jashtëzakonisht i kënaqur me shfaqjen dhe punën që ka bërë tërë ekipa”, përfundon Krasniqi për KultPlus.

Kurse, për të folur rreth idesë për realizimin e një shfaqje të tillë, për KultPlus foli edhe regjisori Kushtrim Koliqi.

“Neve na ka rënë që të punojmë disa monografi ku njëra prej tyre ka qenë monografia e Qenës. Duke e punuar këtë monografi kemi menduar që pse të mos krijojmë̈ një shfaqje për artistin për shkak të gjithë emrit të tij dhe se çfarë ai ka në prapavijë duke përfshirë kontributin e tij në teatër por edhe në fusha tjera”, tregon Koliqi.

Sipas tij, të gjithë mund të shohin dy anët e medaljes. Ana e para është se si disa artistë të rinj mund të bashkohen në një grup për të krijuar diçka që i afrohet standardit të emrit të figurës së Qenës. Por, në anën tjetër emri i tij ka qenë një shtysë dhe motivim për Koliqin që ti shyjnë kufijtë kreativ në punë dhe përkushtim për të arritur një rezultat që ai ka shpresuar që është arritur mbrëmë.

“Ka qenë e vështirë për të krijuar një shfaqje të tillë por ne kemi punuar shumë gjatë dhe besoj që atë energji dhe besim që e kemi pasur brenda njëri-tjetrit për shfaqjen, e kemi arritur mjaft mirë”, përfundon Koliqi për KultPlus.

Gjithashtu, aktori që portretizoi më së miri figurën e Muharrem Qenës, Ernest Malazogu për Kult Plus ka folur rreth vështirësisë për të luajtur këtë rol.

“Ka qenë e vështirë shumë sepse është një figurë kombëtare, një emër shumë i madh dhe nuk e di a do të lind një emër, karakter dhe njeri i tillë si Muharrem Qena”, shpalos Malazogu.

Sipas tij, provat gjithsej kanë shkuar me ndërprerje për shkak të situatës pandemike por që me një punë 4 javore është arritur edhe fundi i shfaqjes. Teksa ai ka treguar se ndonjëherë edhe kanë kënduar në të ‘thatë’ kur mikrofonat nuk kanë punuar.

“Pritshmëritë janë gjithmonë më të mëdha, por besoj që e kemi arritur deri diku, por ne asnjëherë nuk jemi rehat dhe nuk kënaqemi me atë punë që e kemi bërë por besoj që i kemi arritur pritshmëritë e publikut sonte”, përfundon Malazogu për KultPlus.

I pranishëm në këtë natë ishte edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku i cili për KultPlus shpalosi përshtypjet e tij për natën e mbrëmshme.

“Besoj që përveç cilësisë artistike ishte një shfaqje që na la shumë përshtypje pozitive sepse sonte ishte një moment shumë i rëndësishëm për ta kujtuar Muharrem Qenën sepse shfaqja iu kushtua atij. Njëri ndër figurat më të rëndësishme të artit dhe kulturës në Kosovë, prandaj besoj që artistët dhe aktorët sonte bashkëpunuan me ekipin që e ka realizuar shfaqjen edhe muzikën që ishte pjesë integrale e shfaqjes”, thotë Çeku.

Sipas tij, ata i kanë dhënë shumë momente të këndshme por në të njëjtën kohë kanë treguar që njerëzit e artit, e sonte të teatrit, do të kujtohen sepse ata do të vazhdojnë të jetojnë përmes veprave të tyre të cilat i kanë lënë pas.

“Ne si institucione jemi shumë të lumtur që artistët tanë më meritor të cilët sot fizikisht nuk janë më në mesin tonë, vazhdojnë të jetojnë në kujtesën tonë por edhe në veprimtarinë tonë artistike”, thotë Çeku.

Për Çekun, fakti që insitucionet e kulturës kanë veprimtari shumë aktive dhe cilësore e bënë atë shumë të lumtur, por ai thotë se nuk duhet të ndalemi asnjëherë që të kërkohet cilësia artistike edhe më e madhe për të prezantuar një dinjitet të produktit vendor artistik në nivel ndërkombëtar.

Ndërkaq, reprizat e shfaqjes ”La Rrem” do të vijnë me datat: 11, 12 dhe 14 maj. / KultPlus.com

‘’La Rrém’’ nga Kushtrim Koliqi, sonte premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Shfaqja ‘’La Rrem’’ vjen sonte në orën 19:30 në Teatrin Kombëtar, një shfaqje requeim për artistin shumëdimensional, aktorin, regjisorin, këngëtarin dhe dramaturgun Muharrem Qena, shkruan KultPlus.

La Rrém është artisti antikonformist, jokonvencional, bohemi e dashnori i veçantë. “La Rrém” është dashuria dhe pasioni për artin, për të bukurën. Është kënga, që buron nga shpirti, nga vuajtja e nga gëzimi. La Rrémi ynë është universal. Ai i flet kohës edhe botës sonë. Kudo dhe kurdo. La Rrém është njeriu revoltues, kryengritës dhe mosnënshtrues.

Drama muzikore përfshin aktorë si: Ernest Malazogu, Shengyl Ismaili, Ylber Bardhi, Arta Selimi, Armend Baloku, Bujar Ahmeti dhe Flaka Latifi.

Ndërkaq, reprizat e shfaqjes vijnë me datë: 11,12 dhe 14 maj. / KultPlus.com

Shfaqja ‘La RREM’ e Kushtrim Koliqit rikthen në teatër figurën shumëdimensionale të Muharrem Qenës

Xhemile Hysenaj

Artisti i jashtëzakonshëm i teatrit, filmit e muzikës shqipe, Muharrem Qena po kthehet edhe njëherë në teatër, pikërisht në vendin ku la gjurmët më të fuqishme artistike. Me tekst të Arian Krasniqit e me regji të Kushtrim Koliqit, shfaqja ‘LA RREM’ që do të shpalosë personazhin e Muharrem Qenës, ka filluar me provat eksploruese tekstuale në kuadër të programit artistik të skenës së madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Drama është një dedikim për figurën e Muharrem Qenës si projektuesi i frymës moderne në teatër si aktor dhe regjisor si dhe në fushën e formulimeve dhe interpretimeve muzikore, ndërkaq, rolin e tij do ta luaj Ernest Malazogu.

Ka qenë vajza e Muharrem Qenës, Rebeka, ajo e cila së bashku me Kushtrim Koliqin, regjisorin e shfaqjes kanë vendosur që të merren më seriozisht me figurën e Qenës. Pasi siç ka treguar Koliqi për KultPlus, ai shpesh në biseda me komunitetit artistik ka deklaruar se figura të tilla artistike si ajo e Qenës, duhet të ringjallen në forma të ndryshme.

“Një nga arsyet që më shumë më ka shty me u marrë me Muharremin ka qenë fakti se tjerët nuk janë marrë sa duhet. Unë besoj se ai nuk e ka ende vendin meritor, ashtu siç është dashtë me pas”, ka theksuar Koliqi për KultPlus.

Koliqi ndër të tjera, ka treguar poashtu se fillimisht është punuar biografia e artistit, nga regjisorja tashmë e ndjerë Arzana Kraja dhe dramaturgu Arian Krasniqi, mirëpo që kjo monografi akoma nuk është botuar si pasojë e pengesave të shkaktuara nga situata pandemike.

“Është një presion i shtuar karshi shfaqjeve tjera, sepse për shkak të respektit individual që e kam për Muharrem Qenën e sidomos për kontributin e tij në skenën e teatrit është përgjegjësi e madhe të realizosh një shfaqje për të. Por besoj që ky presion është pozitiv sepse na shtynë drejt rezultateve më të mira për realizimin e shfaqjes”, thekson tutje Koliqi.

‘LA RREM’ nuk është një vepër autobiografike. Qëllimi i kësaj shfaqjeje është që të shpalosë kryesisht figurën e një artisti shumëdimensional siç ishte Qena, një artist jokonformist i cili kurrë nuk i është përkulur sistemit e as nuk i është lajkatuar por përkundrazi ka qenë një rebel i papërmirësueshëm duke mos pranuar asnjëherë të intervenohet në punën e tij artistike. Një artist tejet i talentuar, për të cilin Koliqi potencon se kishte lindur në kohë e vend të gabuar dhe kontributi i tij nuk ishte njohur aq sa është dashur t’i njihej.

“Njerëzit kanë me i kuptuar përmasat e një artisti si Qena nëpërmjet rrugëtimit të tij jetësor dhe sfidat që ai i ka pasur përgjatë këtij rrugëtimi. Një artist i cili nuk e gjen veten në vendin ku jeton. Poashtu ata do të shohin se cila është kostoja e të qenit një artist i tillë”, deklaron Koliqi për KultPlus.

Ndër të tjera, Koliqi me adhurimin më të madh për figurën dhe artin e Qenës, e quan këtë të fundit një njeri revolucionar.

Për Arian Krasniqin, tekstshkruesin e kësaj drame, realizimi i një personazhi kaq kompleks si Muharrem Qena, nuk ka qenë aspak e lehtë. Duke pasur parasysh natyrën e tij prej këngëtari, dramaturgu, aktori e regjisori, veçsa e ka shtuar përgjegjësinë e Krasniqit karshi këtij personazhi.

“Qena ka qenë i veçantë në jetën artistike të vendit tonë dhe një shfaqje dedikuar atij mendoj se është më e pakta që mund të bëjmë ne, brezi i ri, si shenjë mirënjohjeje për jetën dhe veprën e tij”, ka potencuar Krasniqi për KultPlus.

Krasniqi ndër të tjera ka theksuar se duke pasur parasysh faktin që është bashkautor i librit monografik mbi jetën dhe veprën e Muharrem Qenës, ai veçse ka pasur një bazë që të konceptojë dhe projektojë edhe veprën dramaturgjike që tashmë ka filluar të jetësohet në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“Unë ndjehem i nderuar që jam ftuar nga Teatri Kombëtar për t’u angazhuar si autor i këtij teksti dramaturgjik dhe mendoj se ekipi me në krye regjisorin Kushtrim Koliqi do të arrijë të realizojë një shfaqje të suksesshme, dhe gjithsesi meritore, si dedikim për artistin e madh Muharrem Qena”, ka deklaruar tutje Krasniqi për KultPlus.

Pjesë tjetër e ekipit të shfaqjes janë edhe Trimor Dhomi, kompozitor; Yllka Brada, kostumografe; Mentor Berisha, skenograf; Florian Çanga, video projeksion; Kreshnike Osmani, asistent regjisore; Bajram Mehmetaj, inspicient. Ndërkaq përveç Ernest Malaozgut, aktorët tjerë pjesëmarrës në këtë shfaqje do të jenë: Shengyl Ismaili, Ylber Bardhi, Arta Selimi, Armend Baloku, Bujar Ahmeti dhe Flaka Latifi.

Kastën e aktorëve të shfaqjes e përbëjnë emra të përzgjedhur enkas nga regjisori i shfaqjes qoftë nga trupa rezidente e Teatrit poashtu dhe nga pjesa e jashtme, të cilët janë krijues të skenës së artit. Në kuadër të shfaqjes është dhe një bend muzikor fakti që pjesa teatrore qëndron mes formatit muzikor dhe atij dramatik.

Premiera e shfaqjes është para-planifikuar për pjesën e parë të muajit prillit. / KultPlus.com