8 tablo të artistes Lumturi Blloshmi ekspozohen te galeria ‘Kalo’ (VIDEO)

Prej tre muajsh artistja Lumturi Blloshmi nuk është më fizikisht midis nesh. Ajo humbi betejën nga pandemia Covid 19. Por, krijimtaria që ka lënë pas është një pasuri jo vetëm për artet pamore, Galerinë Kombëtare të Arteve, edhe koleksionistët privat, por veçmas për artdashësit.

8 tablo të artistes Lumturi Blloshmi janë ekspozuar këto ditë në galerinë “Kalo” nën titullin “Mendje e bukur”. Kuratorja Suzana Varvarica rrëfen kontributin e artistes, që diti të guxojë

“Në këto ditë të vështira pandemie po kujtojmë Lumturi Blloshmin me punët e saj, brenda këtyre tetë punimeve shikojmë Lumen përmes artit pamor”, thotë kuratorja Varvarici.

Suzana Varvarica argumenton se Lumturi Blloshmi do të njihet në historinë e artit shqiptar të shekullit XX, si artistja më kreative e grupimit femëror. Pasi ka qenë e para që ka eksploruar një mendësi ndryshe nga ai i para viteve ’90, duke guxuar në pikturë, në instalacion dhe me objektet e riciklueshme në natyrë, të cilat i ndërthurte më së miri me performancën e fotografisë, muzikës dhe dansit. 

“Ishte një artiste revolucionare në kuptimin e bukur të fjalës, që theu kornizat, edhe jo se nuk e provoi se çfarë ishte realizmi socialist, por e kishte shumë të vështirë që të përshtatej me të”, tregon Varvarica.

Ndërsa, për tablonë “Aksionistja” që çelur këto ditë në Galerinë Kombëtare të Arteve në ekspozitën “Synime” e kuruar nga Adela Demetja dhe Ermirë Krasniqi, Varvarici analizon arsyet se përse nuk është më përfaqësuesja e veprave të saj

 “Nuk mund të them se përfaqëson të gjithë personalitetin krijues të Lumes kjo tablo, por që ta kujtosh në këtë 7 Mars Lumen, në këtë ditë që lidhet me dijen, mendoj se kjo ekspozitë rëndon shumë edhe është shumë e rëndësishme. Janë punime që e përfaqësojnë, pavarësisht se ka realizuar dhe instalacione të tjera”.

Ekspozita “Mendje e bukur” vazhdon që të qëndrojë hapur në galerinë “Kalo”./ shqiptarja/ KultPlus.com

Agim Morina për Lumturi Blloshmin: Shpirti i saj i vuejtun është i shpërndamë nëpër çdo pikturë

Vdekja e piktores Lumturi Blloshmi përveç që ka tronditur skenën artistike, ka ngjallur edhe reagime të shumta, që bëjnë të besojnë se ajo do të rroj nëpërmjet krijimtarisë së saj të pasur, shkruan KultPlus.

Poeti Agim Morina në një shkrim të shpërndarë në facebook dhe me titull “U njohëm më 27 nëntor”, ka kujtuar mënyrën e takimit të parë me piktoren.

Ishte pikërisht 27 nëntori, dita kur këta dy artistë ishin takuar për herë të parë, e që vite më pas piktorja Blloshmi do të vdiste në këtë datë. Morina në shkrimin e tij përmendi ekspozitën e mbajtur në fund të vitit 1995 “Onufri” në Tiranë.

Nga të gjitha krijimet artistike të ekspozuara, atij i kishte lënë mbresë vepra e Lumturisë, me ç’rast edhe kishte pasur mundësinë ta takonte dhe t’i ndante me të mendimet për to.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Agim Morinës:

U NJOHËM MË 27 NËNTOR

Kur shkova në Tiranë, në fund të vitit 1995, arrita në kohën kur, disa javë më pas, u hap ekspozita Onufri. Ajo u hap më 27 nëntor, që i bjen rrafsh para 25 vjetësh. Në ekspozitë shkova me një ndjenjë pasigurie për atë se çfarë kam me pa. Pas gjysmë shekulli të ndrydhjes staliniste, nuk mund të prisja ndonjë mrekulli. E merrja me mend se nuk do të shihja grushta burrash e grash muskulorë me kazma e lopata në duer, tue vështru rreptas larg në horizont, nuk do t’i shihja tue ba thirrje për çarje bllokadash e kthimin e kodrave në fusha, por, doemos – mendoja unë – kanë me qenë prapë po ata trupa me muskuj, po aj optimizëm i rremë dhe naiv, tipik për enverizmin, veçse tani pa kazma e lopata dhe pa parulla.

Kur hyna në sallën e madhe të Galerisë Kombëtare, thjesht, u mrekullova me punimet e piktorëve shqiptarë. Ishin mbresëlanëse. Thjesht mbeta pa fjalë. Energjia që gufonte në ato punime ishte vullkanike. Natyrisht, kishte eksperimentime, ndërthurje stilesh e rrymash të ndryshme artistike, ku ndonjëherë mundeshin me u dallu lehtë edhe piktorë e punime të veçanta të artit botënor prej nga ishin frymëzu, që nga klasicizmi, impresionizmi, kubizmi, surealizmi, pop-arti, op-arti, hiper realizmi etj. Por, megjithatë, në krahasim me rrethanat nëpër të cilat kishin kalu piktorët shqiptarë kishin arrijtë në caqe të mahnitshme artistike. Shihja potencialin që kishte nisë me shpërthy dhe do të derdhej në dhjetëvjeçarë të ardhshëm. Thjesht, vizita në galeri u kthy në një festë të vogël për sytë e mi.

E veçantë nga të gjithë me stabilitetin e shprehjes artistike m’u duk punimi i autorit “L. Bloshmi.“ Para punimit të tij mbeta tue kundru gjatë. Si ishte e mundun? Kompozicioni i zgjidhun mirë, koloriti i balancuem, siguria e hoveve të penelatave dhe një trajtim artistik që tregonte një shpirt kryengritës. Ky autor ishte më i veçantë. Pas një kohe iu drejtova një kujdestareje të galerisë dhe e pyeta se kush ishte autori i këtyre punimeve. Ajo buzëqeshi me mirësjellje e më tha:

– Nuk asht autor! Asht autore. Quhet Lumturi Bloshmi.

– Shumë mirë! – gati klitha e vazhdova – punimet e saja po më pëlqejnë shumë. Po më duket krejt e veçantë…

– Po, asht e veçantë… Por, ajo asht këtu, nëse doni ta takoni? – më tha ajo.

Befasitë po renditeshin njëna pas tjetrës.

E ndoqa pas kujdestaren dhe u ndala prapa një zonje, koka e së cilës u kthy ngadalë kah unë. U shfaq një fytyrë me sy të mëdhej, buzë të holla, shikim të mprehtë. E shkujdesun në veshje dhe me flokë pak të hapërdamë, mbështjellë me një shall lara-lara ajo buzëqeshi ambël. I erdhi shumë mirë që punimi i saj më kishte lënë përshtypje. Por edhe habi, se si nga të gjitha punimet më kishte pëlqy e saja. Biseduem një copë kohë dhe e lamë të takoheshim prapë. Gjatë gjithë bisedave, ajo asnjëherë nuk më foli për rrethanat e randa të jetës së saj. Ma vonë kam me kuptu këtë prej të tjerëve. Por, vetëm kështu pata arrijtë me kuptu se pse thellë në sytë e saj përhidhej një flutur ankthi e dhembjeje, që ajo përpiqej me e fshehë e me e mbajtë vetëm për vete.

Sonte mora lajmin e hidhun që Lumturi Bloshmi na paska lanë. Saktësisht, në ditën e 25-vjetorit që u patëm njohë atë ditë në Galerinë e Arteve në Tiranë. I qoftë i lehtë dheu! Shpirti i saj engjëllor, i vuejtun e kryengritës, i shpërndamë nëpër çdo pikturë të saj në trajtë ngjyrash e vijash, ka me na ba dritë përgjithmonë. / KultPlus.com

Ministrja e Kulturës për Blloshmin: Ti na fole me veprën tënde më shumë se mijëra fjalë

Për vdekjen e piktores Lumturi Blloshmi nga Covid-19 ka reaguar edhe ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në facebook ministrja ka shkruar për veprimtarinë e bujshme të Blloshmit.

“Covid 19 na mori sot një tjetër emër të madh të artit shqiptar: Lumturi Blloshmin, ndër të paktat artiste pamore të brezit të saj, që sfiduan kohën, sistemet politike, ndryshimet e mëdha”, ka shkruar Elva Margariti

Tutje ka kujtuar momentet kur ishte ndalur para bustit të saj në Galerinë Kombëtare të Arteve

“Një portret i skalitur ashtu si ishte arti dhe qëndrimi i saj estetik”, ka shkruar Margariti.

Për fund, ministrja ka vlerësuar se Blloshmi ka folur me veprën e saj më shumë se me mijëra fjalë.

E krahasuar me Frida Kahlon, Lumturi Blloshmi mban mbi shpinë 25 vite krijimtari. Ajo njihet si piktorja që lëvroi ndër të parat performancën dhe instalacionin në vendin tonë. Vitet e fundit Lumturi Blloshmi u prezantua edhe me ekspozita në disa galeri private në Tiranë, Durrës, apo Korçë. / KultPlus.com

Koronavirusi i merr jetën piktores së njohur, humb betejën pas 3 javësh Lumturi Blloshmi

Ka vdekur për shkak se ishte infektuar me Covid-19, piktorja e njohur shqiptare, Lumturi Blloshmi.

Mësohet se ajo po luftonte me virusin e rrezikshëm prej tre javësh, pa mundur t’i bëjë ballë.

E krahasuar me Frida Kahlon, Lume Blloshmi mban mbi shpinë 25 vite krijimtari. Ajo njihet si piktorja që lëvroi ndër të parat performancën dhe instalacionin në vendin tonë.

Puna e saj në artin pamor nisi në vitet 1973-1974, një periudhë delikate në artin shqiptar. Lumturi Blloshmi arriti të krijojë dhe t’i shmanget presionit të kohës duke u fokusuar tek peizazhi dhe natyrat e qeta. Në fillim të viteve ’90, Blloshmi kërkoi dhe gjeti një karakter tjetër artistik dhe u bë shumë shpejt pjesë e atyre artistëve që i dhanë frymëmarrjen e parë artit modern dhe postmodern shqiptar përmes performancave dhe instalacioneve.

Lumturi Blloshmi lindi në Tiranë në vitin 1944. U diplomua për pikturë në vitin 1968. Në vitin 1988 çeli ekspozitën e parë personale në Berat dhe po atë vit mori pjesë në Bienalen e Ankarasë (Egjypt). Gjatë viteve ’89-’91, çeli dy ekspozita vetjake në GKA. Midis viteve 1992- 2010 Blloshmi ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme në grup si në Selanik, Madrid, Lion, Budapest, Stamboll, Paris, Zyrih, Gjenevë, Modena, Hag, New York etj. Ishte fituese e konkursit ndërkombëtar “Onufri ’94”.

Vitet e fundit Lumturi Blloshmi u prezantua edhe me ekspozita në disa galeri private në Tiranë, Durrës, apo Korçë. / rita.tv/ KultPlus.com