Jeta është tjetërkund

Nga: Milan Kundera

JETA ËSHTË TJETËRKUND

– Pasthënie për botimet amerikane, italiane dhe gjermane të romanit –

“Jeta është tjetërkund” është një referencë e fjalisë së famshme të Rimbaud-it. André Breton-i e citon në përfundim të Manifestit të mbirealizmit. Në Paris, në maj të vitit 1968, studentët e shkruan si një parullë mbi muret e Sorbonës. Por titulli origjinal i romanit ishte Koha lirike. E ndryshova kur pashë tmerrin në fytyrën e botuesve të mi që dyshonin nëse ndokush do mund të blinte një roman me një titull kaq abstrakt.

Koha lirike është rinia. Romani im është një epope e rinisë, një analizë e asaj që unë e quaj qëndrim lirik. Qëndrimi lirik është njëra nga mundësitë e gjithkujt, njëra nga kategoritë themelore të ekzistencës njerëzore. Nëse poezia lirike, si zhanër letrar, ka ekzistuar gjithmonë, kjo ka ndodhur ngaqë gjithmonë qëndrimi lirik është tipik për njeriun. Poeti është mishërimi i qëndrimit lirik.

Poeti, duke nisur me Danten, është gjithashtu personazhi madhështor që përshkon Historinë e Evropës. Ai është simboli i identitetit kombëtar (Camoes, Goethe, Mickiewicz, Pushkin), zëdhënësi i revolucioneve (Béranger, Petëf, Majakovski, Lorca), zëri me të cilin flet Historia (Hugo, Breton), ai është një mit, objekti i një kulti pothuajse fetar (Petrarka, Bajron, Rimbaud, Rilke) dhe, mbi të gjitha, përfaqësuesi i një vlere shumë të shenjtë, emrin e së cilës ne jemi gati ta shkruajmë me germë të madhe: Poezisë.

Por, ç’ka ndodhur vallë me poetin europian në rrjedhë të gjysmës së dytë të shekullit XX? Zëri i tij mezi dëgjohet. Pa e vënë re askush, poeti e ka braktisur skenën e madhe dhe të zhurmshme të botës. Për shkak të ironisë djallëzore të Historisë, e fundmja periudhë e shkurtër ku ai luajti sërish rolin e tij të madh publik ishte epoka e revolucioneve komuniste në Evropën Qendrore, në vitet që pasuan mbarimin e Luftës së Dytë Botërore.

Më duket e rëndësishme të theksoj se këto pseudorevolucione të çuditshme, të importuara nga Rusia e të kryera nën mbrojtjen e një ushtrie dhe një policie të huaj, qenë të mbushura me psikologjinë tipike për revolucionet autentikë e të jetuar nga partizanët e tyre me një patos, një entuziazëm, një engjullizëm dhe një besim eskatologjik në ardhjen e një bote krejt të re. Gjatë atyre viteve, për herë të fundit, poetët e gjetën veten në ballë të skenës. Ata kujtuan se po luanin rolin e tyre të zakontë në dramën e famshme të Evropës, pa dyshuar se drejtori i teatrit e kish ndryshuar papritmas programin dhe se ata po ndodheshin në mes të një farse të zezë.

E kam parë nga shumë afër atë epokë ku “poeti mbretëronte së bashku me xhelatin”. Kam dëgjuar atëherë poetin tim të preferuar, Paul Eluard-in, të mohonte, madhërisht e faqe botës, mikun e tij pragez që drejtësia staliniste e kish dënuar me vdekje. Ky episod (për të cilin flas te Libri i qeshjes dhe harresës) ishte për mua një tronditje e thellë: Kur një xhelat vret, kjo është, tekefundit, brenda rendit të gjërave. Por nëse poeti (për më tepër një poet i madh) bëhet psalt i kësaj vrasjeje, sistemi i vlerave, që ishte konsideruar si i paprekshëm, tronditet i tëri. Nuk ka më asnjë siguri, gjithçka bëhet problem, çështje, objekt shqyrtimi dhe dyshimesh: Progresi dhe Revolucioni. Rinia. Amësia. Por edhe Njeriu. Gjithashtu Poezia. Kam parë para vetes botën e vlerave të tronditura dhe, në mendjen time, ngadalësisht, përgjatë vitesh të tërë, si lindte personazhi i Zharomilit dhe bashkë me të nëna e tij dhe vajzat që ai dashuroi.

Mos më thoni që Zharomili është një poet i keq! Ky do ishte një shpjegim që i kushton pak rëndësi historisë së jetës së tij. Zharomili është një poet i pajisur me ndjeshmëri dhe me një përfytyrim të madh. Është një djalë fin. Është gjithashtu një monstër. Por monstruoziteti i tij është virtualisht i pranishëm brenda secilit prej nesh. Është tek unë. Është tek ju. Është te Rimbaud-i. Është te Shelley, është tek Hugo-i. Është brenda çdo djaloshi të çdo kohe e të çdo regjimi. Zharomili nuk është një produkt i komunizmit. Komunizmi ka nxjerrë në dritë vetëm aspektet e tij të fshehura, vetëm sa ka çliruar atë që, në rrethana të tjera, do kishte fjetur tek ai qetësisht.

Ndonëse historia e Zharomilit dhe e nënës së tij ndodh në një moment historik të përcaktuar, të cilin jam përpjekur ta rikthej tëpkë (pa më të voglin synim satirik), nuk kisha si qëllim përshkrimin e epokës. “Nëse ne zgjodhëm ato vite, këtë e bëmë jo sepse deshëm t’u ravijëzonim atyre portretin, por vetëm sepse ato vite na dukeshin se ishin një kurth i pakrahasueshëm i ngritur ndaj Rimbaud-it dhe Lermontovit, një kurth i pakrahasueshëm i ngritur ndaj poezisë dhe rinisë.” Ndryshe thënë: për një romancier, një situatë historike bëhet një laborator antropologjik në të cilin ai studion pyetjen e tij kryesore: ç’është ekzistenca njerëzore? Në rastin e këtij romani, me shumë pyetje vijuese: ç’është qëndrimi lirik? Ç’është rinia? Çfarë roli të fshehtë luan nëna gjatë formimit të universit lirik të një djaloshi? Dhe, nëse rinia është mosha e papjekurisë, cila është marrëdhënia midis papjekurisë dhe etjes për absoluten? Po midis etjes për absoluten dhe entuziazmit revolucionar? Dhe në ç’mënyrë qëndrimi lirik shfaqet te dashuria? A ekzistojnë “format lirike” të dashurisë? Etj., etj.

Të gjitha këtyre pyetjeve, romani, sigurisht, nuk u jep asnjë përgjigje. Përgjigjja janë vetë pyetjet; sepse, siç e ka thënë Heidegger-i, thelbi i njeriut ka karakterin e një pyetjeje.

E përktheu Alket Çani /KultPlus.com

Milan Kundera: Njerëzit ndahen në katër kategori

“Të gjithë kemi nevojë që dikush të na shohë. Ne mund të ndahemi në katër kategori, sipas llojit të shikimit që na nevojitet. Kategoria e parë dëshiron shikimin e një numri të pafundëm sysh anonimë, me fjalë të tjera, shikimin e publikut.

Kategoria e dytë përbëhet nga njerëz që kanë një nevojë jetike që të shihen nga shumë sy të njohur. Këta janë organizatorët e palodhur të festave me kokteile dhe darkave. Këta janë më të lumtur se sa njerëzit në kategorinë e parë, të cilët, kur humbasin publikun, kanë ndjesinë sikur dritat janë fikur në dhomën e jetëve të tyre. Kjo u ndodh të gjithë atyre, herët a vonë. Njerëzit në kategorinë e dytë, nga ana tjetër, gjithmonë mund t’i kenë sytë që u nevojiten.

Pastaj është kategoria e tretë, kategoria e njerëzve që duan të jenë vazhdimisht para syve të personit që dashurojnë. Situata e tyre është po aq e rrezikshme, sa edhe situata e njerëzve në kategorinë e parë. Një ditë, sytë e të dashurit të tyre do të mbyllen, dhe dhoma do të bjerë në errësirë.

Dhe në fund, është kategoria e katërt, më e rralla, kategoria e njerëzve që jetojnë në sytë imagjinarë të atyre që nuk janë të pranishëm. Këta janë ëndërrimtarët”. /bota.al/ KultPlus.com

Nga KultPlus, dhjetë libra si propozime për lexim gjatë janarit

Me fillimin e një viti të ri, gjithmonë ekziston dëshira edhe për të menduar për librat që do të lexoni këtë vit.

Janari gjithmonë ka shumë rëndësi, meqë po u krijua shprehia e leximit tash, do të vazhdojë e tilla gjatë tërë vitit 2020.

Plot libra në raft, pak kohë për t’i lexuar. Megjithatë, është koha të mendojmë seriozisht të lexojmë diçka.

KultPlus po ju sjellë një listë me dhjetë libra prej të cilëve mund të zgjedhni të lexoni çkado që doni, për një fillim të mbarë, dhe pse jo letrar, të këtij viti.

1.Franz Kafka – Letër babait

Kjo letër duhet lexuar e rilexuar. Mund të lexohet edhe me një frymë, e mund të reflektohet mbi të sa herë të doni. Niseni vitin 2020 duke lexuar një letër të dhimbshme dhe shumë të sinqertë nga shkrimtari, dedikuar babait të tij, një burri i cili nuk u kënaq asnjëherë me djalin e tij dhe të arriturat e këtij të fundit.

2. Elena Ferrante – Histori arratie e qëndrese

3. Shpëtim Selmani – Libërthi i dashurisë

4. Stephen Hawking – Përgjigjje të shkurtra për pyetje madhore

5. At Zef Pllumi – Rrno për me tregue

“Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë, ata që kanë jetuar në atë kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që nuk e kanë jetuar. Kanë nevojë te shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët. Shkurt për të ka nevojë ndërgjegjja jonë” Ismail Kadare në lidhje me veprën “Rrno vetëm për me tregue” të At Zef Pllumit.

6. Milan Kundera – Mosdija

7. George Orwell – 1984

8. Robert Elsie – Fiset Shqiptare

Ky është një nga librat më të thelluar për studimin e historisë, shoqërisë dhe kulturës shqiptare nga albanologu Robert Elsie. Është nga veprat e fundit që la autori para se të ndahej nga jeta. Në këtë libër trajtohen 69 fiset shqiptare, me një historik të shkurtër dhe me drejtuesit e tyre. Noel Malkolm shkruante: asnjëri nuk do të mund ta bënte këtë më mirë sesa Robert Elsie, i cili është i pashoq në njohjen e kësaj lënde.

9. Entela Tabaku dhe Shqiptar Oseku – ‘Enciklopedia e Mërgimit’

10. Michel Houellebecq – Serotonina

“Serotonina”, me magjinë e saj të papërsëritshme, mes ironisë thukëse dhe trishtimit të fshehur pas saj, është një vaj për jetën e vërtetë që po venitet relievit mahnitës të Francës. Houellebecq është zëri i qartë francez, që bën shpjegimin tronditës për Europën sot, por edhe të botës ku po jetojmë. Si përherë, edhe me këtë vepër, “profeti ogurzi” e parashikoi lëvizjen e “jelekëve të verdhë” disa javë përpara se ajo të shpërthente, siç ka ndodhur deri tani me veprat e tij. / KultPlus.com

Kulturës i duhen kufijtë e hapur

Bisedë me Milan Kunderën
Bisedoi: Olga Carlisle

Çehres së tij ia ka marrë anën muzgu i Parisit; i shihen vetëm sytë e kaltër. Flet ngadalë, me një frëngjishte të zgjedhur, me theks të fortë të sllavishtes. “Vetëm krijimtaria letrare që vë në pah një fragment të panjohur të ekzistencës njerëzore ka arsye të ekzistojë”, thekson ai në një intervistë të gjatë pasuese me pyetje dhe përgjigje. “Të jesh shkrimtar nuk do të thotë vetëm të predikosh të vërtetën, por do të thotë të zbulosh një të vërtetë”.

Në vitet 1980, Milan Kundera, 56 vjeç, ka bërë vendlindjen e tij, Çekosllovakinë, çfarë Gabriel Garcia Marquez bëri për Amerikën Latine në vitet 1960 dhe Aleksandr Seolzhenitsyn për Rusinë në vitet 1970. Ai ia ka kujtuar Evropën Lindore lexuesit perëndimor dhe këtë e ka bërë me thellësinë e të vërtetave që janë universale për nga thirrja e tyre. Thirrja e tij për të vërtetën dhe për lirinë e brendshme pa të cilën nuk mund të njihet e vërteta, gjakimi i tij se vetëm duke kërkuar të vërtetën ne përgatitemi të mësohemi me vdekjen – këto janë temat që i kanë dhënë atij mirënjohje kritike, përfshirë Çmimin e Jerusalemit për Letërsi dhe Shoqëri të Njeriut në Shoqëri që i është ndarë para dy javësh.

Vepra më e re e Kunderës, “Libri i të qeshurës dhe harresës” (1980) dhe ajo e vitit të kaluar “Lehtësia e padurueshme e qenies”, merren me vdekjen e kulturës në kohën tonë. E shprehur troç nëpërmjet ndjenjës së kërcënimit është rreziku i luftës bërthamore. Kundera merret me këtë rrezik në mënyrë alegorike, me ndjenjën e pashtypur të groteskut.

Si bashkatdhetari i tij, Milosh Forman, regjisori i çmimit kryesor të Akademisë Amerikane të Filmit, i cili i ishte përshtatur ekzilit dhe ia ka dalë të lulëzojë në Perëndim, edhe Kundera, i cili jeton në Francë prej vitit 1972, ka qenë shumë i frytshëm sa për ta mohuar pretendimin e shumëpërfolur se shkrimtarët që largohen nga vendlindja humbin frymëzimin. Vepër pas vepre, lexuesi ndjen pasion, lojën e madhe dhe frymën e erotizmit. Kundera ia ka dalë ta kthejë Çekosllovakinë e rinisë së tij në një tokë erotike, mitike dhe të gjallë.

Natyra e arritjes së tij mund të shpjegojë pjesërisht pse Kundera e mbron fort privatësinë e tij. Asnjë krijues mitesh a mistifikues nuk dëshiron të shpaloset. Në një intervistë dhënë së fundmi, novelisti Philip Roth citonte Kunderën t’i ketë thënë: “Kur isha çunak me shortse të shkurta, ëndërroja një kremë mrekullibërëse që do të më bënte të padukshëm. Pastaj u rrita, nisa të shkruaja dhe doja të bëhesha i suksesshëm. Tani jam i suksesshëm dhe do të doja ta kisha atë kremë që do të më bënte të padukshëm”.

Pritshëm, ndihej mungesa e entuziazmit në zërin e Kunderës kur e telefonova në banesën e tij në Paris nga San Francisko, për t’i kërkuar të më pranonte për një intervistë. Ndihma më erdhi prej një qoshe të papritur – kujtim i gjyshit tim, dramaturgut rus Leonid Andreyev. I paralajmëruar nga miqtë se nënshtrimi sovjetik i vendit të tij ia kishte mbushur mendjen Kunderës t’i shihte me dyshim rusë – të gjithë rusët – ndieja se duhej ta tregoja prejardhjen time ruse.

Kundera ma ktheu se në rini kishte lexuar dhe admiruar krijimtarinë e gjyshit tim. Kështu, u thye akulli, dhe lamë datën e takimit për intervistën. Por në një letër që e mora pak kohë pas asaj bisede telefonike, Kundera shkruante: “Më duhet t’ju paralajmëroj se nuk jam njeri që ju shkoj për qejfi. Nuk jam i zoti kur vjen puna për të folur për veten, jetën time dhe gjendjen e shpirtit tim. Jam diskret pothuajse deri në nivel patologjik, dhe në këtë pikë nuk mund të bëj asgjë. Nëse nuk ju prish punë kështu, do të doja të flisnim për letërsinë”.

Milan Kundera dhe gruaja e tij, Vera, jetojnë në rrugët e qeta anësore të Montparnasset; banesa e tyre e vogël është një banesë pullazi e rimodeluar me pamje kah pullazet e hirta parisiane. Ajo çfarë e shquan dhomën e pritjes janë pikturat moderne surrealiste në mure. Disa sosh janë të artistëve çekosllovakë, të tjerat të vetë Kunderës – koka të stërmëdha shumëngjyrëshe dhe duar me gishta të gjatë, si të vetë Kunderës.

Vera Kundera është një brune e hijshme, flokëshkurtër, hollake me xhinse të kaltra. Na shërben verë dhe mjeshtërisht na qëron kivi. Derisa lëshohemi në muhabet, mahnitem me mirënjohjen e çiftit për anën festive të jetës parisiane – qejfi për të bërë pazar në Bon Marchen në afërsi, frutat ekzotike në dyqanin në qoshe të lagjes, ekspozitat e shumta gjatë gjithë vitit. Por më vonë gjatë intervistës, Vera është e zënë në dhomën tjetër, duke shkruar me makinë shkrimi dhe duke iu përgjigjur thirrjeve telefonike nga vende të largëta. Edhe Kunderën e ka rrëmbyer jeta e famshme dhe i ka rënë gruas hise që të merret me menaxhimin e kërkesave që vijnë prej televizioneve, kinemave dhe regjisorëve evropianë të filmit.

I gjatë dhe hollak, me një duks të kaltër të vjetër, Kundera lëshohet në kolltuk. Dhe ky është vendi ku ky burrë ndihet më së miri – bien dans sa peau – nëse do ta përdornim shprehjen franceze të cilën e ka shpalosur gjerë e gjatë në “Lehtësia e padurueshme e qenies”. E inkurajuar prej pyetjeve të tij, i tregoj pak për fëmijërinë time si emigrante në Paris. Mahnitja ime me Pragën lidhet me ato ditë të dikurshme, kur poetja ruse emigrante, Marina Tsetayeva, na vizitonte mbrëmjeve dhe recitonte vargjet e saj, zërin e saj grykor. Një poemë që kurrë s’e harrova i ishte kushtuar njërës prej shtatoreve mbi urën që këpuste lumin Vltava, një kalorësi që hidhte shikimin mbi Pragën: Kalorësi Pale, është gardian i lumit që spërkat, i viteve që kalojnë, teksa shikon unaza dhe traktate, që përplasen faqeve të gurëve të argjinaturës. Janë thyer sa e sa sosh gjatë katërqind vjetëve të fundit.

Duhet të kenë qenë vitet 1936 ose 1937, por edhe atëherë Praga ishte shumë me Gjermaninë naziste dhe me Rusinë komuniste gjithashtu. Përmasat e tradhtive që do të vinin dhe premtimet e shkelura as mund të merreshin me mend.

Kundera ishte pjesë e Pranverës së Pragës së vitit 1968, premtimit të socializmit me fytyrë njeriu që ishte shtypur brutalisht nga tanket sovjetike. Botimi në Pragë i veprës së tij të parë, “Shakaja”, ishte një prej ngjarjeve të mëdha që do të konsideroheshin të huaja për sistemin.

Shkruar me kujdes dhe kompozuar shtjellueshëm, “Shakaja” ishte padi ndaj absurditetit gri të jetës nën komunizëm, por edhe e jetës kudo kur tradhtia dhe hakmarrja lejohen të të gërryejnë shpirtin. Dorëshkrimi kishte mbërritur deri në shtëpinë botuese të Parisit, “Editions Gallimard” dhe shumë shpejt do ta rrokte edhe vëmendjen ndërkombëtare. Pas pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë, Kundera humbi pozitën e tij si profesor në Institutin për Studime të Avancuara Kinematografike në Pragë dhe veprat e tij u ndaluan. Pak nga pak, jeta po bëhej e padurueshme për të dhe nuk i kishte mbetur tjetër derë, pos të largohej nga vendlindja.

Veprat që do të binin pastaj në duar të lexuesve perëndimorë në vitet pasuese do të shpinin në një udhëtim intelektual dhe emocional. “Jeta është diku tjetër”, botuar më 1974 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte një eksplorim me humor të zi të pasojave të fundit të revolucionit dhe zellit poetik. “Dashuria qesharake” (1974) dhe “Valsi i lamtumirës” (1976) i thurnin lavde dashurisë erotike dhe përzienin hilaritetin me pasionin. Në “Valsi i lamtumirës” ka një moment që të shtangë. Kur njëri prej karaktereve të tij, Jakobi, ndan mendjen të largohet nga atdheu i pushtuar, futet në një territor të ri, të panjohur, në tokën e ekzilit. Kjo afërmendsh se ishte qasje që ishte shtjelluar edhe para se vetë Kundera të largohej nga Çekosllovakia më 1975 dhe isha gjëja e parë për të cilën doja ta pyesja në intervistën tonë.

Olga Carlisle: Janë bërë thuajse dhjetë vjet prej se jetoni në Francë, prej se ishit 46 vjeç. A ndiheni si emigrant, francez, çek ose thjesht si evropian pa kombësi specifike?

Milan Kundera: Kur intelektualët gjermanë u larguan nga vendlindja e tyre për të shkuar në Amerikë në vitet 1930 ishin fort të sigurt se një ditë do të ktheheshin në Gjermani. Qëndrimin jashtë vendit e konsideronin si diçka të përkohshme. Unë, krejt ndryshe, nuk kam kurrfarë shprese se do të kthehem në vendlindje. Nuk kthehem përjetësisht nga Franca, andaj nuk jam emigrant. Franca është tani atdheu im i vetëm i vërtetë. As nuk ndihem i shkulur kah rrënjët. Ka një mijë vjet qysh se Çekosllovakia është pjesë e Perëndimit. Sot është pjesë e perandorisë së lindjes. Më i parrënjë do të ndihesha në Pragë sesa në Paris.

Olga Carlisle: Por ju ende shkruani në çekisht?

Milan Kundera: Esetë i shkruaj në frëngjisht, por novelat në çekisht, sepse përvojat e mia të jetës dhe imagjinata ime jetojnë në Bohemi, në Pragë.

Olga Carlisle: Ishte Milosh Forman, ai i cili para jush e bëri Çekosllovakinë të njohur për një publik më të gjerë në Perëndim, nëpërmjet filmave si “The Fireman’s Ball”.

Milan Kundera: Në të vërtetë, ai është inkarnim i asaj çfarë unë e quaj fryma e Pragës – ai dhe regjisorët e tjerë çekë, Ivan Passer dhe Jan Nemec. Kur Miloshi vjen në Paris, të gjithë tronditen dhe verbohen. Si ka mundësi që një regjisor të jetë indiferent ndaj snobizmit? Në Paris, edhe një shitëse njomake në Galeries Lafayette nuk di si të sillet natyrshëm. Thjeshtësia e Formanit duket si provokim.

Olga CarlisleSi do ta përshkruanit “frymën e Pragës”?

Milan Kundera: “Kështjella” e Kafkës dhe “Ushtari i mirë Schweik” i Jaroslav Hasekut janë të mbushura me atë frymë. Ndjenjë e jashtëzakonshme e reales. Pikëpamja e njeriut të rëndomtë. Ta shohësh historinë nga poshtë. Thjeshtësi provokuese. Gjeni absurdi. Humor plot me pesimizëm të pafund.

Olga Carlisle: Ta zëmë, një çek kërkon vizë emigrimi. Zyrtari e pyet: “Ku dëshironi të shkoni?” “Nuk ka rëndësi”, ia kthen burri. I ofrohet një glob. “Ju lutem, zgjidhni”.

Milan Kundera: Burri i botës e shikon globin, e sjell ngadalë dhe e pyet: “A nuk keni edhe një tjetër glob?”

Olga Carlisle: Përveç rrënjëve tua në Pragë, cilat kanë qenë pasionet e tjera letrare që ju kanë formësuar?

Milan Kundera: Së pari, novelistët francezë, Rabelais dhe Diderot. Për mua, themeluesi i vërtetë, mbreti i letërsisë franceze, është Rabelais. Dhe “Zhak fatalisti” i Diderotit ngërthenin frymën e Rabelais në shekullin e tetëmbëdhjetë. Mos u ngatërroni nga fakti se Diderot ishte filozof. Kjo novelë nuk mund të tkurret në diskurs filozofik. Është dramë ironie. Novela më e lirë e shkruar ndonjëherë. Liri e kthyer në novelë. Kam bërë së fundi një përshtatje të saj për teatër. U vu në skenë prej Susan Sontag në Cambridge Massachussets, si “Zhaku dhe i zoti i tij”.

Olga Carlisle: Rrënjët tua të tjera?

Milan Kundera: Novela e Evropës Qendrore e shekullit tonë. Kafka, Robert Musil, Herman Broch, Witold Gombrovicz, këta novelistë nuk ndjekin – e bëjnë në mënyrë madhështore – atë që Andre Malraux i quante “iluzione lirike”. Janë mosbesues të iluzioneve që shqetësohen për përparimin, mosbesues ndaj kiçit të shpresës. Ndaj keqardhjen e tyre të madhe për muzgun perëndimor. Nuk është punë e keqardhjes sentimentale. Është ironike. Dhe rrënjët e tjera, të tretat: poezia çeke moderne. Për mua ishte shkollë e madhe e imagjinatës.

Olga Carlisle: A ishte Jaroslav Seifert ndër poetët modernë të cilët ju kanë frymëzuar? A e meritoi ai çmimin Nobel që iu nda më 1984?

Milan Kundera: Pa dyshim se e meritoi. Është thënë se për herë të parë ishte propozuar për çmimin Nobel më 1968, por juria ishte treguar e matur; druante se çmimi që do t’i ndahej atij do të konsiderohej si gjest i keqardhjes për një vend të pushtuar së fundmi.

Çmimi iu nda tepër vonë. Tepër vonë për popullin çek, i cili ishte poshtëruar. Tepër vonë për poezinë çeke, epoka e madhe së cilës kishte përfunduar kaherë. Tepër vonë për Seifertin, i cili ishte 83 vjeç. Thuhet se kur ambasadori suedez i kishte shkuar te shtrati në spital për t’i treguar për nderin, Seiferti e kishte shikuar një copë herë. Në fund i kishte thënë zemërthyeshëm: “Po çfarë do të bëj tani me krejt këto para?”

Olga Carlisle: Çfarë mendoni për letërsinë ruse? A ju prekin ende, apo mos ju kanë bërë mosbesues ndaj letërsisë ruse zhvillimet politike të vitit 1968?

Milan Kundera: Më pëlqen jashtëzakonisht shumë Tolstoy. Ai është larg më modern se Dostoyevsky. Tolstoy ishte i pari, mbase, që i ra në sy roli i irracionales në sjelljen njerëzore. Roli i luajtur prej budallallëkut por, kryesisht, pa dhënë llogari për veprimet njerëzore të udhëhequra prej subkoshiencës që është edhe e pakontrolluar, edhe e pakontrollueshme.

Rilexoni paragrafët që i prijnë vdekjes së Ana Kareninës. Pse e vrau veten pa e pasur ndërmend? Si e mori vendimin? Për të kapur këto arsye, që janë irracionale dhe të pakuptueshme, Tolstoy pasqyron rrjedhën e ndërgjegjes së Anës. Ajo është në pajton: imazhet e rrugës përzihen në kokën e saj me mendime të copëtuara, jologjike. Krijuesi i parë i monologut të brendshëm nuk ishte Joyce, por Tolstoy, në këto pak faqe të “Ana Kareninës”. Kjo rrallëherë pranohet. Sepse Tolstoy është përkthyer keq. Njëherë kam lexuar një përkthim francez të këtij paragrafi. U mahnita. Çfarë në tekst origjinal është jologjike dhe e copëtuar, bëhet logjike dhe racionale në përkthimin francez. Sikur të rishkruhej kapitulli i fundit i “Uliksit”, monologut të gjatë të Molly Bloomit do t’i jepej karakteri logjik, me shenja pikësimi konvencionale.

Andaj, përkthyesit na tradhtojnë. Nuk kanë guxim të përkthejnë të pazakonshmen në tekstet tona – të parëndomtën, origjinalen. Druajnë se kritikët do t’i akuzojnë për përkthim të keq. Për ta mbrojtur veten, i zbusin gjërat për ne. Nuk keni ide sa shumë mund dhe kohë kam humbur duke korrektuar përkthimet e veprave të mia.

Olga Carlisle: Flisni me pasion për babanë tuaj në “Libri i të qeshurës dhe harresës”.

Milan Kundera: Babai im ishte pianist. Kishte pasion për muzikën moderne – për Stravinskyn, Bartokun, Schoenbergun, Janacekun. Luftoi fort për ta njohur Leos Janacekun si artist. Janacek është kompozitor modern mahnitës, i pakrahasueshëm, e pamundshme ta klasifikosh. Opera e tij, “Nga shtëpia e të vdekurit” për kampet e punës së rëndë, bazuar në novelën e Dostoyevskyt, është prej veprave më të mëdha dhe më profetike të shekullit tonë, si “Procesi i Kafkës” ose “Guernika” e Picassos.

Babai im e performonte këtë muzikë të vështirë në salla koncertesh që ishin pothuajse boshe. Si djalosh i vogël, urreja publikun që refuzonte të dëgjonte Stravinskyn dhe duartrokiste Tchaikovskyn ose Mozartin. Më është rikthyer pasioni për artin modern; kjo vjen për shkak të babait. Por refuzoja që ta zgjidhja profesionin e tij prej muzikanti. Më pëlqente muzika, ama jo edhe muzikantët. Më qeshej me mendimin se mund ta kaloja jetën në mesin e muzikantëve.

Kur unë dhe gruaja u larguam nga Çekosllovakia, mund të merrnim një pak libra me vete. Në mesin e tyre ishte edhe “Kentauri” i John Updikes, një vepër që më kishte prekur loçkën e zemrës – një dashuri me vuajtje për babanë e mposhtur e të nëpërkëmbur.

Olga Carlisle: Në “Libri i të qeshurës dhe harresës”, ju lidhni kujtimin e babait tuaj me një tregim për Taminan, që jeton në një ishull ku ka vetëm fëmijë.

Milan Kundera: Ky tregim është një ëndërr, një imazh ëndrre që më nuk më shkoqet nga mendja. Imagjinojeni veten t’i kaloni ditët e mbetura të jetës rrethuar prej fëmijëve, pa pasur madje as edhe një rast të vetëm që të ndërroni ndonjë llaf me një të rritur. Ankth i vërtetë. Prej nga vjen imazhi? Nuk e di. Nuk më pëlqen t’i analizoj ëndrrat. Preferoj t’i kthej në tregime.

Olga Carlisle: Fëmijët zënë vend të çuditshëm në veprat tuaja. Në “Lehtësia e padurueshme e qenies”, fëmijët torturojnë një sorrë, dhe Tereza papritmas i thotë Tomasit: “Të jam mirënjohës që nuk ke dashur fëmijë”. Në anën tjetër, në veprat tuaja shihet një dashamirësi e treguar ndaj kafshëve. Në veprën tuaj të fundit, një derr na del një karakter i pëlqyeshëm. A nuk është paksa kiç kjo pikëpamje për kafshët?

Milan Kundera: Nuk pajtohem. Kiçi është dëshirë për t’i kënaqur njerëzit me çfarëdo çmimi. Të flasësh mirë për kafshët dhe t’i shikosh me skepticzëm fëmijët nuk është se i kënaq kushedi sa njerëzit. Madje edhe mund t’i irritosh. Nuk është puna se kam diçka kundër fëmijëve. Por kiçi i fëmijërisë më acaron. Këtu në Francë, para zgjedhjeve, të gjitha partitë politike kishin posterët gjithandej. Gjithkah të njëjtat slogane për të ardhme më të mirë dhe gjithkah fotografi fëmijësh që qeshen, vrapojnë dhe luajnë.

Mjerisht, e ardhmja jonë njerëzore nuk janë fëmijët, por pleqëria. Humanizmi i vërtetë i shoqërisë vihet në pah nëpërmjet sjelljes së njerëzve ndaj pleqve. Por pleqëria, e ardhmja e vetme me të cilën përballemi gjithsecili prej nesh, asnjëherë nuk do të shpaloset në posterë propagande. As nga e majta, as nga e djathta politike. E shoh se belaja ndërmjet të djathtës dhe të majtës nuk ju mahnit kushedi sa.

Olga Carlisle: Rreziku që na kërcënon është perandoria totalitare. Khomeini, Mao, Stalini, a janë ata majtistë apo djathtistë?

Milan Kundera: Totalitarizmi nuk është as i majtë e as i djathtë dhe brenda perandorisë, zhduken dy drejtimet politike. Unë kurrë nuk kam qenë besimtar, por pasi pashë katolikët çekë teksa po persekutoheshin gjatë terrorit të Stalinit, u solidarizova nga thellësia e zemrës me ta. Çfarë na ndan, besimi në Zot, ishte e dorës së dytë krahasuar me atë që na bashkonte. Në Pragë ata varën socialistët dhe priftërinjtë. Kështu, lindi vëllazëria e të varurve. Kjo është arsyeja pse lufta kryeneçe ndërmjet të majtës dhe të djathtës më duket e dalë mode dhe goxha provinciale. Urrejtja përfshihet në jetën politike, megjithëse politika më mahnit si shou. Një shou tragjik, vdekjeprurës në perandorinë e lindjes; një shou shterpë në aspektin intelektual, por mahnitës në Perëndim.

Olga Carlisle: Thuhet nganjëherë se, paradoksalisht, shtypja i jep më shumë seriozitet dhe gjallëri artit dhe letërsisë.

Milan Kundera: Të mos bëhemi romantikë. Kur represioni zgjat shumë mund ta shkatërrojë krejtësisht një kulturë. Kulturës i duhet jeta publike, këmbimi i lirë i ideve; i duhen botimet, ekspozitat, debatet dhe kufijtë e hapur. Prapëseprapë, për njëfarë kohe, kultura mund të mbijetojë në rrethana jashtëzakonisht të vështira.

Pas pushtimit rus më 1968 ishte ndaluar pothuajse krejt letërsia çeke dhe qarkullonte vetëm në dorëshkrim. Ishte shkatërruar jeta kulturore publike. Megjithatë, letërsia çeke e viteve shtatëdhjetë ishte e mrekullueshme. Proza e Hrabalit, Grusës, Skvoreckyt. Dhe atëherë, në kohën më të rrezikshme të ekzistencës së saj, letërsia çeke rroku vëmendjen dhe fitoi reputacionin ndërkombëtar. Por, sa mund të mbijetojë në nëntokë? Kurrkush s’e di. Evropa kurrë nuk ka përjetuar situata të ngjashme më parë.

Kur vjen puna te fatkeqësia e kombeve nuk duhet ta harrojmë dimensionin e kohës. Në një shtat fashist, diktatorial, gjithkush e di se një ditë do të marrë fund. Gjithkush sheh fundin e tunelit. Në perandorinë e lindjes tuneli është i pafund. Pa fund, së paku, nga pika e vështrimit të jetës njerëzore. Andaj, nuk më pëlqen kur njerëzit e krahasojnë Poloninë, le të themi, me Kilin. Po, tortura, vuajtja, janë të njëjta. Por tunelet janë të gjatësive krejt të ndryshme. Dhe kjo ndryshon gjithçka.

Represioni politik përbën një tjetër rrezik, i cili – posaçërisht për novelën – është edhe më i keq se censura dhe policia. E kam fjalën për moralizmin. Represioni krijon kufij të prerë ndërmjet të mirës dhe të keqes, dhe shkrimtari shumë lehtë i dorëzohet joshjes së predikimit. Prej pikëpamjes njerëzore, kjo mund të jetë çështje e thirrjes së sinqertë, por për letërsinë është vdekjeprurëse.

Herman Broch, novelist austriak, të cilin e dua më fort se të tjerët, ka thënë: “Morali i vetëm për shkrimtarin është dijenia”. Vetëm një vepër letrare që sjell në dritë një fragment të panjohur të ekzistencës njerëzore arsyeton veten. Të qenët shkrimtar nuk do të thotë të predikosh një të vërtetë; nënkupton vënien në pah të një të vërtete.

Olga Carlisle: Por a nuk është e mundshme që shoqëritë që përjetojnë shtypjen ofrojnë më shumë mundësi për shkrimtarin për ta vënë në dritë “fragmentin e panjohur të ekzistencës” se ato që bëjnë jetë paqësore?

Milan Kundera: Mbase. Nëse e keni fjalën për Evropën Qendrore, çfarë laboratori i jashtëzakonshëm historie! Në një periudhë prej gjashtëdhjetë vjetësh ne kemi jetuar kohën e rënies së një perandorie, rilindjen e shteteve të vogla, demokracinë, fashizmin, pushtimin gjerman me masakrat e tij, pushtimin rus me dëbimet e tij, shpresën e socializmit, terrorin stalinist, emigrimin… gjithnjë jam shtangur prej njerëzve përreth meje që ishin mbajtur edhe në këso situate.

Njeriu është bërë enigmatik. Ai mbahet si dilemë. Dhe është përtej mahnitjes se pasioni për të shkruar novelë ka lindur prej tij. Skepticizmi im në lidhje me vlera të caktuara që janë pothuajse krejtësisht të pakundërshtueshme është rrënjosur në përvojën time në Evropën Qendrore.

Ta zëmë, rinisë zakonisht nuk i referohemi si fazë, por si vlerë në vetvete. Kur e thonë këtë fjalë, politikanët gjithnjë kanë çehre teveqelësh. Por unë, kur isha i ri, jetova një periudhë terrori. Dhe ishte rinia që mbështeste terrorin, madje ishte një hise e madhe e rinisë, nëpërmjet mungesës së përvojës, papjekurisë dhe moralit krejt a hiç. Më skeptikja në mesin e krejt novelave të mia është “Jeta është tjetërkund”. Tema të saj janë rinia dhe poezia. Aventura e poezisë gjatë terrorit stalinist. Qeshja e poezisë. Qeshja e përgjakshme e pafajësisë.

Poezia është edhe një prej atyre vlerave të pakundërshtueshme në shoqërinë tonë. U trondita kur, më 1950, poeti i madh komunist francez, Paul Eduard, aprovoi publikisht varjen e mikut të tij, shkrimtarit të Pragës, Zavis Kalandra. Kur Brezhnevi dërgoi tanket për t’i masakruar afganët, është gjë e tmerrshme, por është, nëse mund të themi, normale – pritej. Kur një poet i madh lavdëron një ekzekutim, është një goditje e fuqishme që prish krejt imazhin tonë të botës.

Olga Carlisle: A i bënë autobiografike veprat tuaja përvoja e madhe jetësore?

Milan Kundera: Asnjëra prej novela të mia nuk është autoportretizuese, e as ndonjëri prej karaktereve të mia një person i gjallë. Nuk më pëlqejnë autobiografitë e maskuara. Urrej pamaturinë e shkrimtarëve. Për mua, pamaturia, mungesa e diskretes, është mëkat i madh. Kushdo që vë në pah jetën private të dikujt tjetër meriton të fishkullohet. Po jetojmë në një epokë kur jeta private po shkatërrohet. Policia e shkatërronte jetën private në shtetet komuniste, gazetarët kërcënojnë jetën private në shtetet demokratike dhe, pak nga pak, vetë njerëzit kanë humbur shijen për jetën private dhe sensin për të.

Jeta kur njeriu nuk mund të fshihet prej syve të të tjerëve është ferr i vërtetë. Ata që kanë jetuar në shtete totalitare e dinë më së miri, por ai sistem po sjell, si një xham zmadhues, tendencat e krejt shoqërisë moderne. Shkatërrimi i natyrës, rënia e të menduarit dhe artit, burokratizimi, depersonalizimi, mungesa e respektit para jetës personale. Pa të fshehta, pa sekrete, asgjë nuk është e mundshme, as dashuria, as miqësia.

Është bërë goxha vonë kur mbaron intervista, dhe Kundera më përcjell në këmbë deri në hotel, në një shëtitje tipike në natën parisiane. Një ose dy ditë më vonë, Kunderat më ftojnë në drekë me salcë shëlinjash të zier në stilin çek. Kundera është tekanjoz dhe zemërgjerë. Thotë se po lexon gjithnjë e më pak për shkak se botuesit francezë po botojnë libra të formatit më të vogël. Nuk e merr në konsideratë mundësinë se nuk është fjala për një komplot francez dhe i duhen syze të reja. Ai tregon bishtnimin e shkrimtarit të vërtetë kur pyetet se çfarë fiksioni po shkruan tani. Por flet me qejf për bashkëpunimin e tij të fundit mbi “farsën metafizike” me regjisorin francez të filmit, Alain Resnais. Kundera po shkruan skenarin dhe është në kërkim të një titulli. A të jetë “Tre burra dhe dy të dashura” ose “Dy burra dhe tri të dashura”? Domosdoshmëria për pak sekrete shkon huq sherri i një lëshimi të vogël.

Ky është Milan Kundera, të cilin miqtë e vitit 1968 e kujtojnë si njeri të lumtur, Kundera i shkujdesshëm i “Dashurive qesharake”, të cilën e pëlqen më së shumti prej të gjitha veprave të tij, sepse është e lidhur me periudhën më të hareshme të jetës së tij.

(Marrë, pas përkthimit nga “New York Times”, dhënë në maj të 1985-s, nga numri i pestë i revistës për kulturë, gjuhë dhe media, “Akademia”, botuar këtë muaj)

O të dashuruar, keni kujdes nga ato ditët e para

“Secila marrdhënie romantike qëndron mbi një marrëveshje të pashkruar nga të dashuruarit në javët e para të dashurisë së tyre.

Ata disi ende janë një lloj ëndërre por në të njejtën kohë, pa e ditur, janë duke u tërhequr nga nenet e detajuara të kontratës së tyre, ashtu sikurse avokatët e pakompromis.

O të dashuruar! Keni kujdes nga ato ditët e para! Nëse njëherë e sillni mëngjesin në shtrat, këtë pastaj duhet ta bëni përgjithmonë, përveç nëse dëshironi të akuzoheni për mungesë të dashurisë dhe për tradhëti.”

– Milan Kundera, “The Book of Laughter and Forgetting”

Milan Kundera: Praga ime dhe rusët që nuk i urrej më

“Shakaja” u prit në Perëndim pothuajse si një model i letërsisë antikomuniste ose, siç thuhej asokohe, disidente. Megjithatë, romani ishte botuar në Çekosllovakinë komuniste një vit para Pranverës së famshme të Pragës, saktësisht në pranverën e vitit 1967… Fillova të shkruaja “Shakanë” rreth vitit 1961, pak a shumë i sigurt se do të publikohej. Gjatë viteve gjashtëdhjetë, shumë përpara Pranverës së Pragës, realizmi socialist dhe gjithë ideologjia zyrtare kishin marrë fund, ata ishin tashmë vetëm një lloj fasade që askush nuk e merrte më seriozisht. Pasi e mbarova në dhjetor 1965, dorëshkrimi mbeti për rreth një vit në zyrat e censurës që, në fund, nuk kërkoi asnjë ndryshim. Romani u botua në pranverën e vitit 1967 dhe pati një sukses të menjëhershëm, tri botime me rreth 117 000 kopje tirazh.

Në pranverën e vitit 1968 libri fitoi çmimin e Bashkimit të Shkrimtarëve Çekosllovakë. Romanin e përdora më vonë për një skenar për mikun tim Jaromil Jireš, i cili bëri një film që kurrë nuk më doli nga zemra. Kritika letrare nuk u mor shumë me aspektin politik të librit, duke theksuar ndërkaq esencën e tij ekzistenciale (…). Pra, në fillim të udhëtimit tim si romancier, jam ndier i kuptuar në mënyrë të përkryer në atdheun tim. Por ishte një moment që zgjati vetëm pak. Një vit më vonë, në vitin 1968, pushtimi rus krijoi sërish një regjim stalinist të stërlashtë dhe shtypës nga pikëpamja intelektuale. Ky ishte momenti kur “Shakaja” u zhduk nga libraritë dhe bibliotekat. Dhe atëherë nisi aventura ndërkombëtare e romanit tuaj… Në vitin 1967, menjëherë pas botimit, shtëpia ime botuese në Pragë, e ngazëllyer nga suksesi i librit, ia propozoi romanin Gallimard-it. Këtu dorëshkrimi iu dorëzua, siç ishte rregulli, një lexuesi çek që jetonte në Paris. Atij iu duk pa interes romani dhe çështja u mbyll.

Ndodhi që një intelektual i Pragës, Antonín Liehm, një lloj emisari i artit jozyrtar çek jashtë vendit, i foli për romanin tim Lui Aragonit i cili, në atë kohë, demonstronte një solidaritet të madh ndaj intelektualëve të vendeve komuniste që kundërshtonin regjimet e tyre (roli i Aragonit u harrua, por unë jam gjithmonë i lumtur ta kujtoj atë). Pa e njohur madje tekstin çek, ai e rekomandoi atë te Claude Gallimard, i cili vendosi ta botonte. Në këtë pikë, rastësia ndërhyri përsëri: “Shakaja” doli nga shtypi ditët e para të shtatorit të vitit 1968, pra pikërisht tre javë pas pushtimit rus të Çekosllovakisë! Në peshën e asaj ngjarjeje Aragoni, me gjasë aty për aty, shkroi parathënien për romanin, që më vonë u bë e famshme. Në Francë, pritja e librit ishte e jashtëzakonshme. Momenti i mirëkuptimit që kishit përjetuar një vit më parë në Pragë u përsërit, pra, edhe në Paris? Gruaja ime shpesh më qesëndis: “Ti mbërrite në Paris si një fitimtar ndaj tankeve ruse”.

Në ato javë të shtatorit 1968, gazetat, në fakt, nuk flisnin për gjë tjetër përveçse për tanket ruse në Pragë dhe romani i një çeku tërhoqi automatikisht simpatinë e lexuesve dhe emrat e kritikëve të mëdhenj. Për të gjithë unë isha gati një ushtar në bordin e një tanku dhe të gjithë vlerësonin guximin me të cilin kisha luftuar kundër totalitarizmit. Por kur unë po shkruaja “Shakanë”, nuk isha ndier kurrë veçanërisht trim. Sfida ime nuk ishte politike, por ekskluzivisht estetike. Cila ishte sfida juaj? Të kapja përmbajtjen ekzistenciale të paprecedent të një situate historike të pashembullt. (…) Sapo vutë këmbë në Francë, filluat të shkruanit në frëngjisht ese për revista të ndryshme, ese që më vonë u bashkuan pjesërisht në vitin 1986 në “Arti i romanit”, në vitin 1993 në “Testamentet e tradhtuara”, në vitin 2005 në “Sipari” dhe në vitin 2009 në “Një takim”. Në vitin 1995 shkruat romanin tuaj të parë në frëngjisht. Por çekishtja dhe frëngjishtja nuk janë vetëm dy gjuhë të ndryshme, ato janë gjithashtu dy përvoja, dy mënyra për të shprehur rrënjët përkatëse. Të braktisësh një gjuhë për një tjetër, nuk do të thotë të heqësh dorë përfundimisht nga e kaluara? Mendohet gjithmonë se një romancier i ka rrënjët e tij në një vend. Nuk është kështu. Si romancier, ai i ka rrënjët në disa tema ekzistenciale që e magjepsin dhe për të cilat ai ka diçka për të thënë. Jashtë rrethit magjik të temave të tij, ai e humbet gjithë forcën. Imagjinoni për një çast sikur Kafka të ishte i detyruar të shkruante një sagë familjare ose një roman historik për Maria Terezën: si çdolloj nxënësi i keq, ai nuk do ta kalonte provimin. Në rregull. Por unë ju pyes: a nuk është ky rreth magjik i temave ekzistenciale i lidhur me një vend, një gjuhë, një përvojë të caktuar historike?

Sigurisht. Tronditja e revolucionit komunist më ka zgjuar një kureshtje ekzistenciale: isha i tunduar të thellohesha në situatën e çuditshme ku gjendeshim unë dhe njerëzit rreth meje. Pa këtë përvojë të lidhur me vendlindjen, kurrë nuk do të bëhesha romancier. Por temat ekzistenciale nuk i njohin kufijtë. Lirizmi që kam parë në të gjitha shëmtinë e tij në Çekosllovakinë komuniste, është i pranishëm në jetën e njeriut të të gjitha kohërave dhe një nga personazhet e librit “Ngadalësia” (1995) është kushëriri francez i Jaromilit, poetit çek në librin “Jeta është kudo” (1969). (…) Ju njiheni si nje njeri mjaft alergjik ndaj rusëve. Në gjithçka që keni shkruar për Evropën Qendrore, keni treguar dallimin e thellë midis kombeve të vogla të Evropës Qendrore dhe Rusisë … Polonia, Hungaria, Çekosllovakia u shndërruan pas Luftës së Dytë Botërore në satelitë të Rusisë. Kjo ishte fatkeqësia e tyre e përbashkët. Megjithatë, historia e marrëdhënieve të çdo kombi me Rusinë është e ndryshme. Polakët veç mund t’i urrenin rusët, të cilët, që nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë nuk kishin bërë gjë tjetër, përveç përfshirjes së territorit polak në perandorinë e tyre. Hungarezët kishin qenë aleatë të gjermanëve gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Kështu, në vitin 1945, ushtria ruse fitimtare nuk ishte shumë e sjellshme me ta. Çekët, nga ana tjetër, gjithmonë kanë qenë rusofilë. Kur rusët në vitin 1945 e çliruan Çekosllovakinë, ata u pritën me dashuri. Kjo dashuri për rusët e bëri shumë të fuqishme Partinë Komuniste Çeke dhe bëri që kundërshtia e saj ndaj regjimit stalinist të ishte më pak e ashpër sesa në Poloni dhe Hungari. Vetëm pas pushtimit të vitit 1968, çekët, ashtu si popujt e tjerë të Evropës Qendrore, filluan të urrenin rusët. Dhe ju ende i urreni? Jo, aspak. Por u larguam nga tema e dialogut tonë… Nga libri “Dialog i pambaruar”, Massimo Rizzante, përktheu MY

30 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)

ETIKETAT:KULTURE