Dumoshi takohet me klubin e shahut të femrave, kërkohet që shahu të futet si disiplinë shkollore

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur përfaqësueset e klubit të shahut të femrave “Malësorja e Kosovës”, të kryesuar nga Shehrije Gërbeshi, në një takim në të cilin u fol për një varg çështjesh, duke veçuar nevojën e futjes së sportit shahut në kurrikulat shkollore, ndër të tjera.

Përfaqësueset e “Malësorja e Kosovës” e njoftuan ministren për historikun e klubit i cili është i vetmi i këtij lloji në Kosovë, ku anëtaret dhe shahistet janë të gjinisë femërore.

Gërbeshi tregoi për sukseset dhe pjesëmarrjen në garat vendore dhe ndërkombëtare. Ajo e informoi ministren për shtrirjen garave të klubit në 6 komuna të vendit dhe synimi i tyre është që ta promovojnë dhe shtrijnë këtë aktivitet sportiv në tërë territori e Kosovës ashtu që të ketë një masivizim të sportit të shahut tek gjinia femërore.

“Ne kemi zhvilluar takime me shumë përfaqësues institucionesh dhe kemi kërkuar që shahu të futet si disiplinë shkollore”, theksoi Gërbeshi.

Ndërkaq, ministrja Dumoshi, e mirëpriti iniciativën dhe sukseset e klubit. Ajo i tregoi përfaqësueseve të klubit të shahut për përkrahjen që jep MKRS-ja për sektorët që mbulon, veçanërisht për sportit, ku veçoi ndihmën prej 1.5 milion euro nga fondi emergjent vetëm për sportin dhe këto mjete financiare nëpërmjet federatave u janë shpërndarë klubeve dhe sportistëve.

“Më vjen mirë kur shoh këto të reja që merren me sport dhe jemi dëshmitarë që vajzat tona po na përfaqësojnë denjësisht në sport dhe ne si ministri me mundësitë dhe kapacitetet tona po e përkrahim sportin në bazë të prioriteteve programore që kemi si ministri. Objektiv i ynë është që të rinjtë të përqafojnë sportin dhe të merren sa më shumë me aktivitete sportive”, tha mes tjerash ministrja, duke shtuar se fokusi i saj por edhe i ministrisë është tek të rinjtë dhe se shteti është krijues i mundësive që ata të merren me sport.

Ministrja po ashtu përmendi se për shkak të pandemisë e ka pamundësuar bashkërendimin e nevojshëm dhe të mjaftueshëm me Ministrinë e Arsimit që shahu të futet si lëndë e veçantë në kurrikulat shkollore ashtu siç e parasheh edhe rekomandimi i Bashkimit Evropian që shahu të futet si lëndë në tërë shkollat e Evropës. / KultPlus.com

Dumoshi nga stadiumi ‘’Fadil Vokrri’’: Zëri i heroinave të Kosovës sot kumbon për fitoren e madhe

Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi ka vizituar stadiumin ‘’Fadil Vokrri’’, meqë rast ka shprehur përkrahjen e saj ndaj lojëtarëve të Kosovës për lojën kundër Moldavisë, shkruan KultPlus.

Të veshur me fanela të cilat janë një kombinim mes Dardanëve dhe llogos së fushatës si përkrahje ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale, Dumoshi ka shpërndarë fotografi bashkë me kryeministrin Avdullah Hoti dhe ish-presidenten Atifete Jahjaga.

‘’Forca djelmoshave që sonte sfidohen në lojën kundër Moldavisë. Bashkë me Kryeministrin Hoti dhe ish-Presidenten Jahjaga sapo vizituam stadiumin “Fadil Vokrri” ku do të mbahet ndeshja e i cili sot është veshur nga “Dardanët” në mbështetje të fushatës senzibilizuese ‘Bëhu zëri im’ në përkrahje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë’’, ka shkruar ministrja Dumoshi.

Tutje ajo ka theksuar se zëri i heroinave të Kosovës sot kumbon për fitoren e madhe.

Ulëset e stadiumit ‘’Fadil Vokrri’’ sot morrën një pamje tjetër, duke u veshur me llogot e lules Anemone, kuptimi i së cilës është shpresë për të mbijetuarit e dhunës seksuale./ KultPlus.com

Ministrja Dumoshi: Teatri Kombëtar, ndër institucionet më të rëndësishme të kulturës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar një takim me Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, pas konsolidimit të këshillit të ri, në përbërje të: Agron Shala, Besim Rexhaj, Ismet Azemi, Munish Hyseni, Mustafë Halili Samka Ferri dhe Feim Maliqaj – përfaqësues i MKRS-së.

Me anëtarët e Këshillit të Teatrit, Ministrja Dumoshi, diskutoi për mbarëvajtjen e punës dhe realizimin e repertorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, e cila është ndër sfidat e TKK-së pasi që shumë shfaqje premierë nuk kanë mundur të realizohen sipas planit të paraparë për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia.

 Gjithashtu, ministrja tha se për shkak të hyrjes në fuqi të ligjit të ri për zyrtarë publikë, i cili parasheh edhe ndryshimin e procedurave të rekrutimit, ka krijuar vonesa në hapjen e konkursit për zgjedhjen e drejtorit dhe udhëheqësit artistik të teatrit.

 “Bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme jemi duke punuar në hartimin e akteve nënligjore të cilat përcaktojnë kriteret dhe mënyrën e përzgjedhjes së zyrtarëve publikë, e në këtë rast edhe të pozitave drejtuese të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Sapo të miratohen këto akte nënligjore, ne menjëherë do ta shpallim konkursin për drejtor dhe udhëheqës artistik të teatrit dhe në këtë proces drejtpërsëdrejti jeni të përfshirë ju si anëtarë të Këshillit Drejtues”, u tha mes tjerash ministrja anëtarëve të KD të TKK-së.

 Ministrja Dumoshi tha se në interesin e saj dhe si prioritet në fushën e kulturës ka forcimin e institucioneve kombëtare të kulturës dhe se me Këshillin Drejtues të TKK-së pret një bashkëpunim konkret dhe dinamik me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe performancës së institucionit të teatrit.

 “Ne si MKRS, në vazhdimësi e kemi përkrahë teatrin dhe kemi investuar edhe në infrastrukturë. Ka edhe shumë për t’u punuar dhe ne në bazë të mundësive dhe kapaciteteve do të bëjmë më të mirën për teatrin. Forcimi i mëtejmë i institucionit të teatrit është një ndër objektivat e mia, sepse Teatri Kombëtar i Kosovës është një prej institucioneve më të rëndësishme të kulturës në Kosovë”, u shpreh ministrja.

 Nga ana e tyre, anëtarët e Këshillit Drejtues të TKK-së, falënderuan ministren për takimin dhe gatishmërinë e treguar për bashkëpunim dhe për mbështetjen e pakursyer për teatrin. 

Në kuadër të kompetencave dhe hapësirës ligjore, KD i TKK-së do të bëjnë maksimumin që institucioni i teatrit të jetë në vendin e merituar në kulturën e Kosovës, ka thënë kryesuesi i KD i TKK-së, Agron Shala, i cili edhe e informoi ministren se tashmë veç e kanë mbajtur mbledhjen e parë ku kanë biseduar për prioritetet dhe sfidat që ka teatri.

Ndër të tjera, Këshilli Drejtues i TKK-së në kuadër të kompetencave ka mbikëqyrjen punës së teatrit; aprovon politikat afatgjata të zhvillimit të teatrit dhe politikën artistike; me propozim të drejtorit të përgjithshëm, miraton planin vjetor buxhetor të teatrit; me propozim të udhëheqësit artistik dhe në përputhje me buxhetin vjetor miraton programin artistik vjetor të teatrit; shqyrton dhe miraton raportin vjetor financiar të teatrit; harton dhe propozon statutin, rregulloret dhe aktet tjera nënligjore të teatrit, të cilat i miraton Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit; interviston kandidatët dhe zgjedh drejtorin e përgjithshëm dhe udhëheqësin artistik; inicion procedurën dhe shkarkon drejtorin e përgjithshëm dhe udhëheqësin artistik. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi nderohet nga Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka pritur në takim drejtuesit e Federatës së Bjeshkatarëve Alpiniste të Kosovës. Në këtë takim ishin të pranishëm kryetari i Federatës, Arben Lila, nënkryetarja dhe njëkohësisht shqipëruesja e librit, Teuta Bicaj, si dhe alpinisti dhe shqipëruesi i librit Abdurahim Abdushi.

Gjatë këtij takimi ministres Dumoshi iu dhurua libri “Aftësitë Bjeshkatare: Shkolla Verore”, i shqipëruar nga prof. Teuta Bicaj dhe Abdurahim Abdushi, si shenjë mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme që i jep sportit. Libri në fjalë është vepër e krijuar nga Federata Ndërkombëtare e Bjeshkatarisë dhe Alpinizmit (UIAA) në bashkëpunim me Fondacionin “Petzl”. Ky libër është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Aftësitë Bjeshkatare: Shkolla Verore” është një libër mësimi, i cili i dedikohet bjeshkatarëve, kacavarësve dhe alpinistëve, të cilët dëshirojnë të përparojnë në ushtrimin e aktivitetit të tyre të preferuar, duke përvetësuar njohuri dhe aftësi të reja. Libri është hartuar si një dokument referimi për bjeshkatarë dhe alpinistë, e posaçërisht për udhëheqës në bjeshkë dhe instruktorë të federatave dhe klubeve anëtare të Federatës Ndërkombëtare të Bjeshkatarisë dhe Alpinizmit (UIAA), anëtare e së cilës, me të drejta të plota, që nga viti 2011, është edhe Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës (FBAK).

Me këtë rast, ministrja Dumoshi tha se “për mua është kënaqësi të pranoj nga ju një libër kaq të veçantë, i cili qenka më shumë se libër, pasi që tregon saktësisht , në mënyrë të ilustruar bukuritë e vendit tonë. Unë ju uroj për botimin e këtij libri dhe ju premtoj mbështetje edhe në të ardhmen, pasi që si Ministri e Sportit kemi synim dhe prioritet që të avancojmë sportin e vendit tonë”.

Ndërkaq, kryetari  i Federatës Bjeshkatare e Alpiniste të Kosovës, Arben Lila, falënderoi ministren Dumoshi për pritjen dhe mbështetjen dhe tha se ky libër është mjaft voluminoz me përmbajtje të gjerë, i cili iu dedikohet bjeshkatarëve, kacavarësve dhe alpinistëve, të cilët dëshirojnë të përparojnë në ushtrimin e aktivitetit të tyre të preferuar. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi viziton Muzeun e Kosovës me të rinj të komuniteteve të ndryshme

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka pritur sot në takim një grup të rinjsh nga komunitete të ndryshme të Kosovës.

Ministrja gjatë këtij takimi tha se është kënaqësi kur organizatat rinore kërkojnë takime për të shprehur idetë dhe kërkesat e tyre sepse kjo ua mundëson asaj dhe ministrisë t’i realizojnë politikat rinore.

Në këtë kohë pandemie keni bërë një punë të shkëlqyer përmes aktiviteteve të ndryshme. Duke pasur parasysh që ne si ministri e kemi prioritet rininë ju jeni të mirëseardhur çdo herë për të shprehur idetë dhe kërkesat e juaj. Përmes projekteve kemi paraparë t’i certifikojmë 400 të rinj si ndërmarrës, tha ministrja Dumoshi.

“Ne kemi paraparë 400 të rinj të certifikojmë si ndërmarrës të rinj. Kjo rrjedhimisht reflekton në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Për mua ka qenë kënaqësi që në Ranilluk u dhanë certifikimet e para për të rinjtë e komitetit serb dhe kjo do të vazhdohet edhe më tutje me certifikimet që do tu bëhen të rinjve të etnive të ndryshme”, u shpreh ministrja Dumoshi.

Ndërkaq, Egzona Shala, drejtoreshë e EKOS-it, falënderoi ministren Dumoshi  për përkrahjen në emër të të rinjve pjesëmarrës.

“Këta të rinj kanë shprehur vullnetin të vijnë e të krijojnë një komunikim të ndërsjellë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, tha ajo.

Pas këtij takimi ministrja së bashku më të rinjtë vizituan Muzeun e Kosovës ku u priten nga drejtori i muzeut Ajet Leci.

Ministrja Dumoshi u tha të rinjve se ky është një rasti mirë që të njoftohen me Muzeun e Kosovës, duke inkurajuar të rinjtë që të mësojnë më shumë për trashëgiminë e Kosovës.

“Kjo është një mundësi e mirë të njiheni me trashëgiminë tonë kombëtare. Vetë  ndërtesa ka domethënie të madhe. Është një objekt i vjetër që është ruajtur e mirëmbajtur dhe ku gjenden eksponate të cilat janë gjetur ndër vite. Toka dhe trashëgimia e Kosovës është shumë e pasur. Për këtë do të bindeni edhe vet dhe të çuditeni me gjetjet që janë bërë. Shpresoj shumë që kjo vizitë t’ju shërbejë si njohje me historikun e Kosovës dhe me traditën e lashtë të vendit” tha ministrja Dumoshi.

Ministrja Dumoshi theksoi që është shumë e nevojshme që të rinjtë e Kosovës të mësojnë më shumë për trashëgiminë tonë kulturore dhe për historinë e përbashkët të vendit të cilit i përkasin. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi takohet me rininë në “Debat n’Shilte”: Kosova pasurinë më të madhe e ka rininë

Tubimet publike nuk u organizuan që një kohë të gjatë për shkak të pandemisë. Mirëpo, Parku i Qytetit kësaj radhe tuboj ministren për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshin në “Debat n’Shilte” me të rinj nga organizata të ndryshme për të diskutuar për sfidat e rinisë në kohën e pandemisë, shkruan KultPlus.

Në një atmosferë të këndshme parku u bë bashkimi i të rinjve nga organizata, kuvende e qendra rinore nga qytete prej gjithë Kosovës bashkë me ministren Dumoshi, zëvendësministren Engelbert Zefaj dhe drejtorin e Departamentit për Rini, Xhevat Bajrami.

Krerët e institucionit vendimmarrës për rini, kulturë dhe sport, nën organizimin e kësaj të fundit dhe OJQ “Together Intiaitve for Progressgether”, diskutuan për sfidat e rinisë në kohë të pandemisë, mbështetja nga Ministria për ta, synimet, objektivat dhe planifikimet e të dy palëve.

Ministrja Dumoshi në fjalën e saj hyrëse në këtë debat u shpreh se ndjehej e lumtur që ishte me ta.

“Ta fillosh ditën me rini është gëzim që e shohim një të sotme dhe një të ardhme shumë të ndritur sepse Kosova pasurinë më të madhe ju ka juve”, iu drejtua Dumoshi rinisë.

Ndër të tjera, ministrja Dumoshi përmendi Projektin e Ndërmarrësisë, në të cilën kanë aplikuar 1000 të rinj, 400 prej tyre janë përzgjedhur për të vazhduar me trajnime për ndërmarrësin, të cilët më vonë mund të aplikojnë në MKRS me ide biznesi.

“I kemi paraparë 400 të rinj t’i bëjmë ndërmarrës të rinj, që ta marrin këtë trajnim dhe të kthehen me një plan biznesi të tyre të hartuar. Të konkurrojnë dhe të marrin grante nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, theksoj Dumoshi teksa tregoj se ky projekt do të zgjerohet edhe më shumë.

Përveç tjerash, Dumoshi shtoj tutje se buxhetin prej 1 milion e 500 mijë euro të Departamentit të Rinisë do ta ndajnë për të siguruar punësim të të rinjve të cilët janë të regjistruar në zyrën e punësimeve, duke i dërguar ata të punojnë në organizata dhe institucione të ndryshme.

“Këta të rinj do të bëhen pjesë e organizatave të ndryshme, të punojnë, ku do të ju ndihmojmë financiarisht, do ta kenë pagën e tyre”, u shpreh Dumoshi.

Përgjatë diskutimeve në “Debat n’Shilte”, Dumoshi theksoj së është duke u bërë hartimi i Ligjit për Rini në bashkëpunim me Ministrinë dhe organizatat e ndryshme. Tutje ajo theksoj se janë duke u bërë ndërhyrjet e nevojshme të cilat kanë ardhur si kërkesë nga shoqëria civile.

Kësisoj, mosha e paraparë si i ri sipas këtij ligji do të jetë nga 15 deri në 29 vjet si dhe vullnetarizmi do të njihet si përvojë pune. Poashtu, Dumoshi premtoj që ky projektligj do ta ketë edhe pjesën e diskutimit publik nëpër Komuna të ndryshme të Kosovës.

Për fondin emergjent 5 milionësh, u tha se janë në pritje nga Ministria e Financave. Ndërkaq njëri nga organizatorët, Egzon Pacolli për KultPlus theksoj se ky aktivitet është organizuar për rininë në mënyrë që të dinë të përballen me institucionet.

“Ky diskutim është bërë që t’i vetëdijësojmë të rinjtë. Të tregojmë se cilat janë sfidat e të rinjve dhe çka presin ata nga Ministria. Sot po besoj që ky aktivitet ka ndikuar pozitivisht, po e presim rezultatin”, theksoj drejtori i OJQ-së “Together Intiaitve for Progressgether”.

Në fund, të gjithë të pranishmit bënë fotografi së bashku dhe kaluan momente të mira në koktej në Parkun e Qytetit të Prishtinës. /KultPlus.com

Ministrja Dumoshi me mesazh për Muajin e Rinisë: Angazhimi i tyre është parësor për zhvillimin e vendit

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka përçuar një mesazh për Muajin e Rinisë. Ajo është shprehur se i gjithë shtatori i takon potencialit  dhe energjisë që përçojnë të rinjtë e vendit tonë, të cilët përbëjnë pjesën dërrmuese të popullatës.

 Gjithashtu ajo është zotuar se të rinjtë i ka prioritet qysh nga koha e marrjes së detyrës si ministre e kulturës.

KultPlus ju sjell mesazhin e plotë të ministres Dumoshi:

Të dashur të rinj të Kosovës,

1 shtatori shënon fillimin e muajit të rinisë. I gjithë shtatori i takon potencialit dhe energjisë që përçojnë të rinjtë e vendit tonë, të cilët përbëjnë pjesën dërrmuese të popullatës.

Në çdo periudhë historike, rinia ishte promotore e ndryshimeve rrënjësore në Kosovë prandaj edhe sot angazhimi i tyre është parësor për zhvillimin e vendit.

Si Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit prej marrjes së mandatit i kam pasur të rinjtë e vendit prioritetin kyç të punës time. Jam shumë e lumtur, që përmes mekanizmave të MKRS-së kemi arritur të shpërndajmë grante për shumë të rinj, të përkrahim organizata rinore dhe të intensifikojmë punën për ligjin për fuqizimin e rinisë.

Përkushtimi im për fushën e rinisë do të jetë konsistent e i vazhdueshëm dhe ju siguroj pa dallim që do të jem derë e hapur e bashkëpunimit.

Gëzuar Muajin e Rinisë! E gëzofshi rininë dhe jetën, me energjinë që ju karakterizon! / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi merr pjesë në hapjen e trajnimeve që do të aftësojnë të rinj

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi e shoqëruar nga zv/ministrat Halil Matoshi e Qazim Rrahmani mori pjesë në hapjen zyrtare të trajnimeve që do të mbahen në kuadër të projektit “Përgatitja e të rinjve për përpunimin e të dhënave përmes SPSS dhe platformave të ngjashme për hulumtime” i cili do të realizohet në komunën e Lipjanit dhe Komunën e Fushë Kosovës nga Akademia INFINIT, me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Objektivi kryesor i këtyre trajnimeve është ofrimi dhe promovimi i mundësive për kyçje në tregun e punës, përmes trajnimeve për personat e papunësuar, me qëllim të pajisjes me njohuri, shkathtësi punësimi dhe punësim direkt.

Ministrja Dumoshi u shpreh shumë e lumtur që ka rastin të shohë se si një angazhim i saj direkt për avancimin dhe fuqizimin e shkathtësive të të rinjve ka arritur të realizohet.

Ministrja e përsëriti edhe njëherë gatishmërinë e saj dhe të MKRS-së për të qenë derë e hapur e të rinjve ambiciozë të cilët me vullnet e angazhim do të jenë pjesë e tregut të punës.

“Punësimi i sa më shumë të rinjve dhe ndërlidhja e edukimit formal dhe joformal me tregun e punës është një nga objektivat kryesore që ka qeveria aktualisht e sidomos Ministria e Kulturës. Si Ministri jemi përpjekur maksimalisht brenda kapaciteteve tona të ndihmojmë përmes thirrjes publike organizata rinore të cilat synojnë të integrojnë sa më shumë të rinjtë në tregun e punës si dhe organizata të cilat kanë sjellë përmes projekt propozimeve ide inovative, kreative e të realizueshme.

Këto trajnime synojnë përgatitjen e të rinjve përmes sesioneve të edukimit joformal me rastin e aplikimit për vend të caktuar pune te punëdhënësit e ndryshëm, biznes ose shoqëri civile si dhe synojnë të ndihmojnë të rinjtë në mëdyshje për zgjidhjet që duhet të bëjnë për profesionet e ardhshme. Kjo do të arrihet përmes mësimit të teknikave që i bëjnë ata më të suksesshëm dhe më të përgatitur për tregun e punës.

Programi ndër shumë të tjera do t’i aftësojë të rinjtë për krijimin e bazës së të dhënave, njohjen me procesin e hulumtimit, njohjen me variablat dhe nivelin e matjeve, krijimin e të dhënave të munguar, analizën deskriptive të të dhënave, eksplorimin e të dhënave me grafe, analiza korrelacionale dhe regresionale, teste jo parametrike etj.

Të gjithë të trajnuarve do tu mundësohet ndjekja e trajnimit dhe qasja në materiale falas. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi priti zyrtarisht në pranimin e detyrës, zëvendësministren Bajrami

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur zyrtarisht në pranimin e detyrës zëvendësministren e MKRS-së, Valdete Bajrami, me të cilën diskutoi për detyrat e përbashkëta që pritet të realizohen në të ardhmen.

Ministrja Dumoshi e njoftoi Bajrami për prioritetet dhe sfidat e ministrisë për këtë vit dhe planet që priten të realizohen gjatë këtij mandati.

Nga ana tjetër, zëvendësministrja Bajrami e falënderoi ministren për pritjen duke shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar në realizimin e planeve të MKRS-së. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi nënshkroi memorandume me dhjetë federata

Në vazhdën e nënshkrimit të memorandumeve me federatat sportive edhe sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u nënshkruan memorandume bashkëpunimi edhe me dhjetë federata sportive.

Konkretisht, memorandumet u nënshkruan me Federatën e Sporteve Universitare të Kosovës, Federatën e Boulingut, Federatën e Aeronautike, Federatën e Body-Buildingut dhe Fitnesit, Federatën e Autosporteve, Federatën Sportive të Punëtorëve, Federatën e Peshëngritjes, Federatën e Muay Thai, Federatën e Minigolfit dhe Federatën e Kik-Box-it të Kosovës.

Ministrja Vlora Dumoshi, i nënshkroi memorandumet në emër të MKRS-së ndërsa për federatat firmën e vunë drejtuesit e federatave përkatëse.

Këto marrëveshje mes MKRS-së dhe federatave bëhen më qëllim të përkrahjes financiare për federatat sportive për të realizuar objektivat dhe synimet që ato kanë planifikuar për këtë vit.

Të gjitha këto memorandume bazë ligjore kanë rregulloren për kategorizim dhe vendimin e ministres Dumoshi për caktimin e vlerës së pikëve.

Ministrja Dumoshi, fillimisht i priti në takim të përbashkët drejtuesit e federatave dhe i informoi për sfidat që do të ballafaqohet vendi ynë konkretisht edhe sporti, ajo iu premtoi që MKRS do të bëjë të pamundurën që t’u gjendet afër federatave edhe pas nënshkrimit të këtyre memorandumeve, shumë shpejt MKRS-ja do të transferojë në xhirollogaritë e federatave këstin e parë (tremujorin e parë) që federatat të kenë mundësinë të konkretizojnë fillimin e planit që kanë për këtë vit, tha ndër të tjerash ministrja Dumoshi.

Ministrja Dumoshi gjithashtu dëgjoi për sfidat dhe problemet që kanë federatat, dhe një gjë që u theksua ishte çështja e rregullores për kategorizimin e sporteve.

“Në këtë kohë të vështirë pandemie që po kalon vendi dhe gjithë bota jam e vetëdijshme që edhe federatat në vendin tonë po kalojnë një fazë të vështirë dhe ne si MKRS jemi maksimalisht të angazhuar që t’ju ndihmojmë për të lehtësuar barrën me të cilën përballeni secila federatë. Dua t’u informoj se edhe rregullorja për kategorizim është në planin legjislativ të sivjetmë për plotësim-ndryshim”, tha mes tjerash ministrja Dumoshi.

Po ashtu, ministrja u shpreh se sporti dhe federatat do të kenë kujdesin dhe vëmendjen maksimale të ministres dhe MKRS-së.

Ministrja Dumoshi kërkoi nga të gjithë sportistë që të tregohen të kujdesshëm për shëndetin dhe nëpërmjet drejtuesve të federatave porositi që në bazë të mundësive, sportistë të përgatiten vazhdimisht ashtu që të rikthehen fuqishëm drejt sukseseve e fitoreve të reja.

Ndërkaq, drejtuesit e federatave e falënderuan ministren Dumoshi dhe stafin e MKRS-së për punën dhe përkrahjen që po japin për sportin. Ata u shprehën se do të vazhdojnë të angazhohen për të qenë të gatshëm që me kalimin e pandemisë t’i kthehen edhe më fuqishëm garave dhe sukseseve. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi vizitoi Komunën e Kllokotit, u bisedua në dobi të zhvillimit të kulturës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka vizituar sot Komunën e Kllokotit, me ç’rast ka zhvilluar një takim pune me kryetarin e kësaj komune, Srećko Spasić dhe nënkryetarin, Hasan Rashiti, përcjellë KultPlus.

Në këtë takim, ndërmjet ministres Dumoshi dhe drejtuesve të Komunës së Kllokotit, Spasić dhe Rashiti, u bisedua për nevojën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qendrore dhe atyre komunale, në dobi të zhvillimit të kulturës, rinisë dhe sportit, si fusha të rëndësishme për të promovuar tolerancën dhe zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës.

Po ashtu, në këtë takim, u bisedua për nevojën e ndërtimit të një qendre rinore në këtë komunë.
Ministrja Dumoshi u shpreh se MKRS-ja do të mbështes komunën për realizimin e këtij projekti, me planifikimin buxhetor të vitit 2018.

Më tej, ministrja Dumoshi, drejtuesve të Komunës së Kllokotit u premtoi mbështetje të aktiviteteve të kësaj komune, sidomos ato që lidhen me komunitetet dhe bashkëjetesën shumetnike.

Kjo vizitë e ministres Dumoshi është zhvilluar në kuadër të Muajit të Rinisë, ku ministrja mori pjesë në aktivitetet që ka mbështetë MKRS-ja. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi: Të rinjtë, pjesa më potenciale e Kosovës

Në kuadër të Muajit të Rinisë, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, takoi përfaqësuesit e strukturave dhe organizatave rinore në Kosovë, të Këshillit Qendror të Veprimit Rinor, të Qendrave të Rinisë, të Këshillave të Veprimit Rinor Lokal, dhe diskutoi me të rinjtë për fushën e rinisë në përgjithësi ku drejtpërsëdrejti u informua duke dëgjuar propozimet e tyre dhe shqetësimet me të cilat përballen të rinjtë e vendit tonë, përcjellë KultPlus.

Pjesë e diskutimeve të takimit, me theks, ishin manifestimet dhe aktivitetet që realizojnë të rinjtë anekënd Kosovës, dhe përkrahjen që MKRS-ja jep për ta, përmes programeve të ndërmarrësisë për punësim, mbështetja e aktiviteteve sportive me karakter jo-garues, përkrahja e aktiviteteve me qëllim të promovimit të vlerave kulturore Kosovës, qofshin ato tradicionale apo bashkëkohore, duke ftuar edhe të rinj të vendeve nga rajoni dhe vendet e tjera të Botës, për ta vizituar Kosovën si dhe organizimin e ngjarjeve në ditë të shënuara, si 12 gushti – Dita Ndërkombëtare e Rinisë, dhe aktivitetet e materialet që përkrahen në fushën e edukimit shëndetësor dhe sigurisë njerëzore.

Ministrja Dumoshi u shpreh se rinia është pjesa më potenciale e vendit tonë dhe ne si institucion përpiqemi vazhdimisht që kjo pjesë elitare e shoqërisë të jetë pjesë aktive dhe kontributdhënëse në të gjitha fushat e zhvillimit të vend.

Ndër të tjera, ministrja i informoi përfaqësuesit e të rinjve se Ministria është në proces të draftimit të “Strategjisë Kosovare dhe Planin e Veprimit për Rini 2018-2023” përmes të cilit parashihet të krijohet një sinergji e përbashkët ku do të rritet përkrahja edhe më tej për t’i arritur synimet e parapara që ndërlidhen me përmirësimin e pozitës së rinisë në jetën ekonomike dhe shoqërore të Kosovës.

Ministrja i inkurajoi strukturat dhe organizatat rinore që të fokusohen në ngritjen e kapaciteteve në përgjithësi, sidomos për aplikim dhe sigurim të projekteve rajonale dhe europiane, siç është Zyra për Bashkëpunim Rinor Rajonal (RYCO).

Ndërkaq, përfaqësuesit e rinisë shprehën falënderimin dhe mirënjohjen për gatishmërinë e ministres Dumoshi dhe të stafit të MKRS-së për të rritur mbështetjen për rininë, duke i dëgjuar propozimet e tyre, me synim të hartimit dhe realizimit të një strategjie që e nxitë pjesëmarrjen e rinisë në jetën institucionale dhe vendimmarrëse të Kosovës.

Gjithashtu, përfaqësuesit e rinisë e vlerësuan bashkëpunimin e deritashëm të MKRS-së me strukturat dhe organizatat rinore, duke përkrahur edhe edukimin jo-formal. / KultPlus.com