Ekspozitë për Mësonjëtoren e Parë Shqipe

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, njoftoi sot përmes një postimi në rrjetet sociale, për çeljen e një ekspozite që i bën homazh institucionit të parë të gjuhës shqipe, Mësonjëtores së Korçës.

“Kuptimin e vërtetë 7 marsi e ka në Korçë, në Mësonjëtoren e Parë Shqipe, që shpërndau dritën në të gjithë Shqipërinë”, shkruan ministrja Margariti, duke ftuar në këtë mënyrë, pranë Muzeut të Arsimit në Korçë, ku nesër me rastin e Festës së Mësuesit, do të hapet ekspozita “Mësonjëtoret e para përmes dëshmive të kohës”, ekspozitë e cila sjell objekte, fotografi, zëra.

7 marsi i këtij viti përkon me 136-vjetorin e Mësonjëtores. Me këtë rast Muzeu i Arsimit ka përgatitur një ekspozitë me sende personale, fotografi dhe materiale që do të shfaqen në video, si homazh i përpjekjes për dije.

Mësonjëtorja u hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë në periudhën e fundme të Perandorise Osmane. Tashmë ndërtesa e shkollës shërben si muze. / atsh / KultPlus.com

135 vite nga hapja e Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë

Muzeu Historik Kombëtar sot përkujtoi 7 marsin e vitit 1887, kur në Korçë u hap Mësonjëtorja e parë kombëtare shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri, përcjell KultPlus.

Lidhur me këtë ngjarje të shënuar, më 8 mars 1887, patrioti i shquar Thimi Marko i shkruante me gëzim Visar Dodanit në Bukuresht: “…Msoni Visar që gjer sot dëshira t’onë u mbarua; shkolla shqipe u hap, druri që vumë në dhet këtu e dy vjet, sot lulëzoj dhe dha pemë të ëmbla. Gëzjou se dje u hap dhe u shkruan djem mësonjëtorë 35. Zot’ i jetës, o vëlla, e bekoftë dhe e shpëntë përpara për nder të të gjithëvet. Mundimet tona, Visar, dhe të luftuarit e faqezinjvet grekomanë gjer sa mbaruam këtë të shenjtëruarë punë janë aqë shumë sa nuk mund t’ua shkruanj ndë kartë“.

Edhe pse në kushte të vështira, Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin lidhet me dëshirën e zjarrtë të tyre për të përhapur dijen në mesin e popullit. Rilindasit dhe patriotët shqiptarë u bënë gjithashtu nismëtarë për hartimin e teksteve të para shkollore për nxënësit shqiptarë. Ata punuan me përkushtim edhe për pajisjen e shkollës me mjetet e duhura didaktike. Nxënësit që mësuan në këtë shkollë kombëtare u edukuan me frymën e patriotizmit. Ata u bënë pasuesit e denjë të ideologjisë kombëtare dhe luftëtarë të devotshëm në luftën për liri dhe pavarësi.

Kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar. Për shkak të sundimit osman, deri në këtë periudhë, mësimdhënia kryhej në mënyrë të fshehtë. Që nga ajo ditë, 7 marsi njihet si dita e mësuesit dhe kremtohet nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. / KultPlus.com

Mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë, tërësisht e rilindur (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Mësonjëtoren e parë shqipe, në Korçë, që tanimë është rilindur edhe më e fortë, edhe më e bukur, edhe më tërheqëse pas goditjes së tërmetit, si një tjetër destinacion për të gjitha moshat e për turistët e “Parisit të Vogël”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, që shoqëri kryeministrin gjatë kësaj vizite, tregoi mbi punimet e rinovimit të ndërtesës pas dëmeve nga tërmeti dhe rivendosjen e aseteve historike që mbart Mësonjëtorja.

Margariti e informoi kryeministrin se pas restaurimit të plotë të godinës dhe ambienteve të brendshme me të gjithë elementët përkatës historik dhe me sistem të dixhitalizuar, është përgatitur edhe platforma për vendosjen e shkronjave që janë simbol i kahershëm i këtij muzeu që gjenden në hyrje të muzeut.

“Mbi platformën e përgatitur do të vendosen shkronjat dhe pena ashtu siç kanë qenë që në krye të herës, ndërsa për momentin janë pozicionuar në  hapësirën e gjelbër të pjesës së jashtme të muzeut, sa të përfundonte restaurimi i plotë i objektit”, tha ministrja.

Sipas saj, tashmë edhe hapësira e jashtme është plotësisht e ndriçuar dhe e rregulluar duke qenë një muze i vizitueshëm në çdo kohë dhe për grupmosha të ndryshme.

Margarti theksoi se asgjë nuk është lëvizur dhe objektet janë vendosur ashtu sikurse kanë qenë.

Rama u shpreh se, “me vendosjen e shkronjave aty ku kanë qenë, punimet për restaurmin e Mësonjëtores së Pare Shqipe, përfundojnë plotësisht”.

Nuk ka asnjë të vërtetë se shkronjat e Mësonjëtores janë lëvizur dhe hequr.

“Si shpjegohet që kur janë duke rënë, kur janë me merimanga, me mbeturina, si nuk ngrihen njëherë, por sa rregullohen gjërat menjëherë ngrenë gishtat, ça janë këta, nga vijnë këta dhe trazojnë mendjet e gjithë njerëzve”- tha Rama.

Ministrja u shpreh se “të simbolizosh një godinë të tillë dhe një ndërhyrje që nuk kishte ndodhur që në 1997, vetëm me simbolin e disa shkronjave, është fatkeqësia politike që para çdo pune të mirë bën zhurmë”.

Margariti tha se, “rindërtimi ka përfshirë që restaurimin muzeor të gjithë këtij objekti. Është hera e parë që kemi në një muze hapësirë dedikuar bibliotekës, që frekuentohet nga komuniteti. Kemi mbi 750  tituj që i janë dhuruar kësaj biblioteke”.

I gjithë restaurimi i godinës është bërë me fonde nga buxheti i shtetit, çatia dhe oxhaku patën dëmtime të konsiderueshme nga tërmeti.

Në njërën nga dhomat, tha ajo, është vendosur një bankë shkolle, simbolikë se si është mësuar në atë kohë. Ndërsa pjesa muzeale ka objekte historike origjinale. Gjithashtu informoi Margariti, është implementuar sistemi dixhital që nëpërmjet kodit mund të merret informacion për çdo element të këtij muzeu”.

Ndërkohë, janë vendosur ambiente ku nëpërmjet kufjeve mund të dëgjohen pjesë audio të materialeve letrare të asaj kohe.

Sipas saj, ky muze për herë të parë ndërthur të gjithë tregimin dixhital të historisë, ndërsa vend të rëndësishëm zënë edhe pikturat origjinale, disa prej të cilave i përkasin viteve 1890 që janë  restauruar në kohë të ndryshme.

“Ky është një muze që fton të gjithë qytetarët ta vizitojnë dhe të mbajnë gjallë kujtimin historik të Mësonjëtores”, u shpreh ministrja Margariti. /atsh / KultPlus.com