Momenti historik i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës (VIDEO)

Momenti i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës mbetet historik.

Ky moment do të shënonte edhe një hap të madh e deri diku të ‘rrezikshëm’ për politikanët e Kosovës, të cilët kishin vendosur ta çonin një hap më përpara vendin.

Me 17 shkurt 2008, në një mbledhje të Parlamentit, i takoi Hashim Thaçit ta shpallte vendin “shtet të pavarur dhe demokratik”.

Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi përmes vendimit këshillëdhënës se Pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar. / KultPlus.com

Emocionet e 17 Shkurtit në ekspozitën e Zyres së Presidentit dhe të Kuvendit

Kushdo që i drejtohet Zyres së Kuvendit apo Zyres së Presidentit të Kosovës, tashmë që në hyrje mund t’i kthej kujtimet e datës së 17 Shkurtit, të vitit 2008, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë, ka mbledhur disa nga fotografitë më domethenëse të kësaj date, nga fotoreporterë të ndryshëm. Momente festive, e përplot emocion vërehen mes perqafimeve e duarve drejt qiellit. Këto fotografi reflektojnë emocionet në sytë e fëmijeve që në duar mbajnë flamurin kuq e zi dhe në sytë e rrudhosur të pleqve që në kokë mbajnë plisin.

Në ballkone, kafene, e mes turmave, emocionet e kësaj date janë të shenuara në historinë e shtetit të ri të Kosovës, qe mbajnë si datë historike 17 Shkurtin, para plot një dekade.KultPlus ju sjellë disa nga fotografitë e kësaj ekspozite që është hapur sot në këto dy instutucione. /KultPlus.com


Prishtina ka filluar të zbukurohet për 10-të vjetorin e Pavarësisë

Komuna e Prishtinës ka filluar që të rregulloj sheshet në qendër të Prishtinës për të shënuar 10-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Në shesh veç po vërehen ngjyrat kaltër, e verdhë dhe ajo e bardha, sikurse që shihet numri dhjetë, që shënon edhe dhjetëvjetorin e Pavarësisë.

Po ashtu në shesh është duke u punuar edhe në vendosjen e dy skenave të cilat do të shfrytëzohen për realizimin e aktiviteteve të ndryshme të cilat janë paraparë që të mbahen për këtë ditë. Disa nga aktivitetet e organizuara nga Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës tashme janë bërë të ditur gjersa pritet që të publikohet edhe kalendari i plotë kulturor për këtë 10-të vjetorë të Pavarësisë së Kosovës./KultPlus.com

Spektakël me flamuj e parashutistë mbi qiellin e Prishtinës

Në kuadër të aktiviteteve festive, mbi qiellin e Prishtinës do të fluturojnë parashutistë kosovarë me flamuj të Kosovës.

Federata Aeronautike e Kosovës, me parashutistët e saj, sot do të performojë mbi qiellin e Prishtinës për dhjetëvjetorin e Pavarësisë. Ky fluturim i tyre mësohet se po bëhet me kërkesë të Këshillit Organizativ për Shënimin e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

Fluturimin e nesërm të tyre e ka konfirmuar edhe Adil Behramaj nga Këshilli Organizativ.
“Po, nesër nga ora 12:00 – 13:00, parashutistët e Federatës Aeronautike pritet të fluturojnë mbi Prishtinë, konkretisht mbi zonën e gjerë të qendrës së kryeqytetit. Lejen nga KFOR-i e kanë siguruar dhe parashikimi i motit për nesër është i pranueshëm, prandaj besojmë që edhe fluturimi i tyre do të realizohet”, ka thënë Behramaj për Gazetën Express.

Gjithashtu, Behramaj ka thënë se nesër do të vazhdojnë edhe dekorimet e mbetura, derisa Komiteti Olimpik i Kosovës, në sheshin “Edit Durham” – amfiteatrin e hapur te hoteli “Grand”, do ta bëjë edhe hapjen e Festivalit Olimpik PyongChang 2018, ku do të hapet edhe fusha sintetike për patinazh, hokej dhe karlling, të cilat janë sporte të reja në Kosovë. /KultPlus.com

Ish presidenti i SHBA-ve George Bush, dërgon mesazh për vajzën shqiptare Pavarësia Sopa (FOTO)

Pavarësia Sopa është vajza e cila ka lindur dy minuta pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, dhe pikërisht kjo vajzë para disa muajve i kishte dërguar një mesazh ish presidentit të SHBA-ve, George Bush, shkruan KultPlus.

Dhe Ambasada e Kosovës në Washington DC, ka bërë të ditur se tashmë vetë George Bush i ka kthyer mesazhin kësaj vogëlusheje kosovare.

“Dje vizituam vajzën më simpatike, Pavarësia Sopa, të cilës i dërguam një mesazh të veçantë nga një mik shumë i madh i pavarësisë së Kosovës. Muaj më parë, Pavarësia i dërgoi një kartolinë Presidentit Bush, dhe ai i ktheu mesazhin. Pavarësia na tregoi që do të bëhet aktore në Hollywood kur të rritet, dhe me aq sa pamë, do të jetë e shkëlqyer. Gjithashtu tha që emrin nuk do t’a ndërroj kurrë, siç bëjnë shumë aktorë në Hollywood, në mënyrë që t’i tregoj gjithë botës historinë e Kosovës”, kanë bërë të ditur nga Ambasada e Kosovës në Washington DC./KultPlus.com