Pianistja Melisa Ibrahimi shkëlqen në koncertin recital në Romë: Më rikthyen në skenë mbi shtatë herë

Një tjetër koncert i suksesshëm është shënuar nga pianistja Melisa Ibrahimi i mbajtur në teatrin “Teatro di Marcello” në Romë, Itali. Ky koncert u organizua në kuadër të Festivalit “Concerti del Tempietto”, në një nga teatrot më të lashtë dhe me histori të pasur shekullore në kryeqytetin italian, shkruan KultPlus.

Në këtë eveniment, Melisa Ibrahimi ka shfaqur një repertor të pasur me vepra të kompozitorëve të njohur si Domenico Scarlatti dhe Franz Liszt.

Koncerti ka zgjatur 60 minuta, në të cilat Melisa Ibrahimi ka shfaqur një aftësi dhe pasion të rrallë në interpretimin e mjeshtërisë së muzikës klasike. Audienca, e përbërë kryesisht nga profesionistë të pianos dhe artdashës të muzikës klasike, u mbush me emocione dhe admirim për paraqitjen e shkëlqyer të artistes kosovare.

Pjesë e publikut ishte edhe pianistja dhe profesoresha e njohur italiane Silvia Rinaldi, anëtare e jurisë së garës Chopin në Romë, e cila ka qenë pjesë e këtij evenimenti për 32 edicionet e fundit.

Duartrokitjet dhe ovacionet e përsëritura tregonin jo vetëm respektin, por edhe adhurimin e të pranishmëve për mjeshtërinë dhe talentin e pianistes shqiptare e cila është shprehur jashtëzakonisht e lumtur për këtë fakt.

“Mikpritje dhe audiencë e mahnitshme, pata momente të pabesueshme kur ata iu përgjigjën performancës sime me duartrokitje të gjata, duke më rikthyer në skenë më shumë se 7 herë! Gjithashtu një teatër shumë i bukur me akustikë të mrekullueshme”, është shprehur Melisa e cila nuk ka harruar të falënderoj edhe profesoreshën e saj Alberta Troni, e cila është mbështetja e saj më e madhe gjatë karrierës së saj. / KultPlus.com

Mbi dy dekada krahë pianos, Ardita Statovci: Jam krenare për promovimin që ia kam bërë muzikës sonë në nivel ndërkombëtar

Jeta Zymberi

Historia e saj është një udhëtim emocionues që fillon nga fëmijëria. E lindur në një familje ku pianoja ishte e lidhur me emocionet më të thella dhe momentet më të veçanta të jetës së tyre, Ardita Statovci nuk kishte si t’i ikte magjisë së këtij instrumenti.

Në familjen e Arditës, por edhe sot për vetë Arditën, pianoja, e njohur për vargëzimet e saj të bukura dhe tingullin e saj mahnitës, është më shumë se një instrument – ajo është një mjet që ka shërbyer si një udhërrëfyes i emocioneve të saj, një rrugë e çuditshme për të shprehur gëzimin, dhimbjen, pasionin, dhe ndjenjat e shumta që e kanë përcjellë në rrugëtimin e saj artistik, shkruan KultPlus.

Karriera e saj është një udhë e gjatë që ka përfshirë koncerte të mrekullueshme në skena mjaft prestigjioze ndërkombëtare. Krejt këto me një qëllim të qartë, që të jap kontributin e saj në promovimin e muzikës kosovare në nivel ndërkombëtar.

E lindur në Prishtinë më 2 mars 1982 si vajza më e re e dy profesorëve të Universitetit të Prishtinës, ajo filloi mësimet për piano në klasën e Hadije Gjinalit dhe më pas tek Lejla Pula në Prishtinë. Që në moshën 15 vjeçare ajo u pranua në Universitetin me renome “Mozarteum” në Salzburg të Austrisë ku në vitin 2007 përfundoi studimet e magjistraturës në klasën koncertale të Christoph Lieske, duke marrë vlerësimin maksimal nga juria internacionale.

Në vitin 2009 ajo studio me pianistin legjendar Menahem Pressler në Indiana University në Bloomington/SHBA. Përderisa studimet postgraduale ajo i bëri me Boris Petrushansky dhe Franco Scala në Akademinë Pianistike në Imola të Italisë.

Statovci ka performuar si soliste me orkestra të mëdha nëpër shtete të ndryshme të botës.

Rrugëtimi i saj nuk ka mbetur pa u vlerësuar edhe me çmime të ndryshme duke përfshirë këtu çmimin “Bösendorfer” nga Universiteti Mozarteum, e garës zgjedhore Yehudi Menuhin Live Music Now në Salzburg si dhe çmimeve “Talent i Kosovës”.

Paraqitjet e saj janë të vazhdueshme dhe tashmë janë bërë më shumë se dy dekada që kur Ardita me pasion dhe vendosmëri ka punuar për të arritur këtë nivel të jashtëzakonshëm të aftësive pianistike, dhe është bërë një figurë e rëndësishme në skenën muzikore.

Kur dëgjon tingujt e pianos së Ardita Statovcit, është e pashmangshme dëshira për të zbuluar më shumë rreth këtij pasioni frymëzues të cilin e nxjerr magjishëm nga ky instrument paqësor.

Në një intervistë për KultPlus, ajo ka treguar për ndjesinë e thellë që përjeton para çdo koncerti dhe përgatitjen e frytshme e momentet e mrekullueshme kur shfaqet para publikut. Në këtë udhëtim artistik, Statovci na ka ofruar pamje nga bota e saj muzikore, ku interpretimi i një note është një udhëtim emocional që e bën publikun të ndihet i lidhur me muzikën në mënyra të jashtëzakonshme.

Një fakt i veçantë është edhe kontributi i Statovcit në ngritjen e emrit të Kosovës në skenën ndërkombëtare të muzikës klasike. Ajo ka shpalosur për lexuesit e KultPlus edhe krenarinë e saj kombëtare duke interpretuar vepra të kompozitorëve kosovarë dhe duke i prezantuar ato në skena të mëdha ndërkombëtare.

Mbi të gjitha, Statovci përvojën e saj mundohet ta ndajë me artistët e rinjë, duke i ofruar njohuri e duke i frymëzuar për të ndjekur ëndrrat e tyre. Së fundmi, një koncert bashkë me talentet e rinj, fitues të çmimeve të ChopinPianoFEST, Ardita e mbajti në Berlin, në sallën e bukur të Universitetit të Arteve Joseph-Joachim-Konzertsaal, ku ishin të pranishëm shumë personalitete të jetës publike, diplomatë, përfaqësues të institucioneve, artdashës dhe studentë e pjesëtarë të diasporës tonë në Berlin.

KultPlus: Si e filluat karrierën tuaj muzikore dhe çfarë ju frymëzoi për të bërë muzikë profesionale?

Ardita Statovci: Piano luaj që nga fëmijëria e hershme. E kishim pianon në shtëpi, nëna dhe motrat e mia kishin vijuar shkollën e muzikës, ndërsa babi luante në mënyrë autodidakte. Loja në piano ishte fascinuese, frymëzuese dhe më rrëmbente tërë vëmendjen. Ishte mënyra më e bukur për të shprehur të gjitha emocionet, e këto ishin nga më të ndryshmet.

KultPlus: Mund të na tregoni për eksperiencën tuaj në koncertin e fundit në Berlin dhe reagimin e publikut aty? U prezantuat në këtë koncert bashkë me talente të rinj, si ishte ky bashkëpunim për ju?

Ardita Statovci: Koncerti në Berlin u realizua për të paraqitur gjeneratat e reja e të suksesshme të pianistëve të Kosovës. E veçanta e kësaj ishte Çmimi special “Chopin Piano Fest” i cili tash e 5 vite i është ndarë një pianisteje/pianisti të ri nga Kosova. Në bashkëpunim me një nga festivalet më të mira e më të respektuara të Kosovës, Chopin Piano Festin dhe drejtoreshën artistike prof. Lejla Pula dhe drejtoreshën menaxheriale prof. Besa Luzha, kemi formuar këtë çmim për t’i hapur dyert në botën e muzikës një pianisteje/pianisti të ri për të koncertuar në vendet gjermanofone dhe për të mbajtur masterklasë në një nga Universitet në këto vende. Çmimi është sponsorizuar dhe është mundësuar nga Herbert Groeger, një njohës dhe përkrahës i madh i të rinjve gjithandej nëpër botë nga fusha e muzikës klasike. Për të kurorëzuar punën 5-vjeçare, erdhi ideja që të mbajmë një koncert në Berlin dhe isha e nderuar dhe e lumtur që kësaj radhe pata rastin të ndaj skenën së bashku me të rinjtë tanë. Është ndjenjë e mirë që koncerti shkoi për mrekulli, ishte bukur dhe audiencë ishte shumë e këndshme. I jemi mirënjohëse institucioneve tona, Ambasadës së Kosovës në Gjermani, MKRS dhe MPJD që mundësuan realizimin e koncertit.

KultPlus: Keni pasur rastin të performoni në disa skena ndërkombëtare, na fol pak mbi këtë përvojë?

Ardita Statovci: Performimi në skena të ndryshme ndërlidhet jo vetëm me lojën para publikut por edhe me një sërë udhëtimesh dhe lëvizjesh nga vendi në vend. Takimet me njerëz nga kultura e prejardhje nga më të ndryshmet janë inspiruese. Ndjehem fatlume që kam koncertuar në pjesën më të madhe të shteteve europiane, në vende aziatike si Kina, India, Japonia dhe në SHBA. Ndër skenat e veçanta ku kam luajtur do përmend Elbphilharmonie në Hamburg, KKL në Luzern, Musikverein në Vjenë, Mozarteum në Salzburg, Pallati Mbretëror në Stockholm, Shtëpia e koncertit në Ankara, Sallat e koncertit në Shanghai, Nanchang, Mumbai dhe ka edhe shumë të tjera ku rikthehem me dëshirë.

KultPlus: Cilat janë inspirimet dhe influencat tuaja kryesore në muzikë?

Ardita Statovci: Mendoj që nga fëmijëria kam pasur fatin për të mësuar nga figura e personalitete të jashtëzakonshme vendore e ndërkombëtare. Ndonëse pjesën më të madhe të shkollimit muzikor e kam bërë në Austri, Itali dhe SHBA, ku kisha fatin të mësoja me pianistë e pedagog legjendar Menahem Pressler, Christoph Lieske, Boris Petrushansky, unë me endje i kujtoj mësimet e para të pianos në Prishtinë me profesoreshat e mia Lejla Pula dhe Hadije Gjinali.

KultPlus: Si e përshkruani stilin tuaj muzikor dhe repertorin tuaj të preferuar?

Ardita Statovci: Repertori im pianistik përfshin vepra nga baroku e deri te kompozitorët e kohës së sotme. Ka shumë vepra që adhuroj, jo domosdoshmërisht vetëm pianistike, por edhe nga literatura simfonike, vokale, korale etj. Më pëlqen Bach, Schubert, Brahms, Gershwin… e shumë e shumë të tjera.

KultPlus: Cilat janë momentet më të rëndësishme në karrierën tuaj muzikore deri më tani?

Ardita Statovci: Secila paraqitje e ka një veçanti dhe një rëndësi në rrugën artistike e cila nganjëherë vjen në pah tek më vonë. Për një artist është e rëndësishme që ta tejkalojë veten në secilin koncert dhe secilën herë të jetë më mirë se ajo e kaluara. Paraqitja në salla të mëdha e të njohura ngërthen një rëndësi dhe përgjegjësi të madhe. Më kanë lënë mbresa paraqitja në Elbphilharmonie – një institucion gjigand kulturor i ndërtuar së fundmi, në Konzerthaus në Dortmund si soliste me orkestër derisa luaja koncertin për piano, trompetë e orkestër nga Shostakovich, koncertet në Kinë e shumë të tjera.

KultPlus: Si përgatiteni për një koncert të madh dhe si e menaxhoni emocionin para performancës?

Ardita Statovci: Mundohem të fokusohem jo vetëm në piano, por edhe në punën e analizës së partiturës dhe leximit të saj me vëmendje. Është e natyrshme që përgjegjësia e lartë, si paraqitjet në skenë të mëdha e të njohura, bëjnë që emocionet të jenë gjithashtu të forta – është ky një lloj gëzimi dhe një synim për të cilin njeriu punon – ai momenti unik i paraqitjes në skenë.

KultPlus: Cilat janë planet dhe projektet e ardhshme për ju në botën e muzikës?

Ardita Statovci: Do të kem koncerte në vende të ndryshme, do paraqitem me recitale solistike, si dhe me piano me katër duar së bashku me kolegen time zvicerane Ariane Haering me të cilën kemi duon pianistike Ariadita Duo. Krahas koncertimit do vazhdoj të jap kontributin tim edhe në fushën e mësimdhënies në piano në Washington Conservatory of Music në SHBA.

KultPlus: Si ndiheni për kontributin tuaj në promovimin e muzikës kosovare në nivel ndërkombëtar?

Ardita Statovci: Janë bërë tani më shumë se 25 vite që luaj muzikën e kompozitorëve tanë në nivel ndërkombëtar, nisur që nga viti 1997 kur shkova të studioja në Universitetin Mozarteum në Salzburg të Austrisë. Sot ka shumë e shumë kolegë që kanë studiuar jashtë dhe kanë krijuar karriera të respektuara. Ndërsa në atë kohë kur unë nisa studimet në Austri ka pasur fare pak ose gati se hiç muzikantë nga vendi jonë. Nuk është gjë e lehtë, meqë gjithçka duhet bërë në baza individuale, duke u nisur edhe nga ajo që të bindësh drejtorët artistik ose organizatorët e festivaleve që të luash muzikë nga kompozitor që ata mund të mos i njohin. Por unë me dëshirën më të madhe vazhdoj ta bëj këtë kudo që kam mundësi dhe jam shumë krenare për promovimin që ia kam bërë muzikës dhe vendit tonë në nivel ndërkombëtar tani për dy dekada e gjysmë.

KultPlus: Si do të përshkruani marrëdhënien tuaj me publikun dhe përkrahjen që keni marrë nga komuniteti i muzikës në Kosovë?

Ardita Statovci: E them gjithmonë që publiku në Kosovë është shumë i dashur, janë njerëzit që më kanë njohur dhe më kanë përcjellur që nga fëmijëria, andaj secila herë është një ndjenjë shumë e veçantë të koncertosh para këtyre njerëzve kaq të dashur.

KultPlus: Çfarë këshillash keni për të rinjtë që ndjekin ëndrrën e tyre në muzikë?

Ardita Statovci: Profesioni i pianistit kërkon shumë pasion, punë, përqendrim dhe një karakter të fortë. / KultPlus.com

Vajzat dhe gratë e Kosovës që shkëlqyen në botë – Melisa Ibrahimi

KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.

Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.

Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.

Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.

Në vazhdim, KultPlus iu sjell pianisten tjetër që ka arritur suksese të mëdha në arenat ndërkombëtare, Melisa Ibrahimi, e cila vitin e kaluar ka fituar medaljen e bronztë në “The Nodric Piano Competition-Northen Lights” në Suedi.

Ibrahimi, gjithashtu ka zënë edhe vendin e dytë në ‘International Music Competition Belgrade, Serbia’ dhe triumfojë në Rusi, duke zënë vendin e parë në ‘International Music Competition Moscow’. /KultPlus.com

Pianistja Melisa Ibrahimi fiton medaljen e bronztë në “The Nordic Piano Competition-Northen Lights” në Suedi

Ndonëse e re në moshë, pianistja kosovare Melisa Ibrahimi deri më tani shënon një numër të madh çmimesh nëpër garë të ndryshme ndërkombëtare për piano, shkruan KultPlus.

Rusia, Serbia, Gjermani e Londra tashmë veç janë njoftuar me talentin e saj, ku në gara të ndryshme të organizuara në këto vende, ajo ka arritur të dalë shpesh triumfuese.

Ndërsa tashmë Melisa ka njoftuar për një tjetër arritje. Është Suedia vendi i cili përmes garës “The Nordic Piano Competition-Northen Lights” 2021 ka shpërblyer pianisten kosovare me vendin e tretë.

Për këtë fitore ka njoftuar vetë Melisa duke e konsideruar si një fitore mjaft të rëndësishme. 

“Edhe nje fitore shume e rendesishme, •Vendi i III-te medalje e Bronzte ne International “The Nordic Piano Competition-Northen Lights” 2021 Suedi, ne kategorin vetem me veprat e kompozitorit F.LISZT”, ka shkruar Melisa teksa tutje ka treguar se vepra e interpretuara nga ajo është zgjehdur gjithashtu të jetë në live stream në kanalin “TrueArtTV” në fillim të muajit korrik.

Përveç tjerash, ky çmim i fituar nga Melisa, përfshinë edhe propozimin e jurisë për vazhdimin e karrierës në ndonjë nga Universitetet e ndryshme të botës.

Pjesë e jurisë në këtë garë ka qenë edhe pianisti Tony Yike Yang që ishte fitues i vendit të 5-të në garën “XVII International Chopin Piano Competition” 2015.

Ky çmim dhe diplomat e garës do t’i shërbejnë Melises për të mirë pasi pranohen nga të gjitha Universitetet e botes.

 Si cdo herë, Melisa nuk harron të falënderoj profesoreshën e saj Alberta Troni të cilën e konsideron si më meritoren për të gjitha këto suksese.

“Per çmimet dhe te gjitha sukseset e mija padyshim qe meritat me te medha i ka Profesoresha ime Alberta Troni. I jam falenderuese gjithmone per mbeshtetjen , punen, perkrahjen e madhe dhe cdo gje qe me ofron!”, ka shkruar Melisa. / KultPlus.com

Pianistja Melisa Ibrahimi shpërblehet me çmimin e parë në garën internacionale në Rusi

Deri më tani ajo ka arritur të shpërblehet me shumë çmime ndërkombëtare, kjo falë talentit që posedon dhe dëshirës për të arritur gjithmonë lart e më lartë, shkruan KultPlus.

Melisa Ibrahimi është pianistja e re nga Kosova e cila çdo ditë e më shumë po e dëshmon veten.

Viti 2020 asaj i solli disa çmime, por për të përmbyllur këtë vit si është më së miri, ajo dje është shpërblyer me çmimin e parë, kësaj radhe në Rusi në garën internacionale “International Music Competition Moscow, Russia”.

Për këtë sukses të radhës, Melisa është shprehur shumë e lumtur e që nuk harron ta falënderoj edhe profesoreshën e saj Alberta Troni.

“Një super përmbyllje e vitit 2020 me fitore në Rusi. Emocion i veçantë të zgjedhem fituese e vendit të I-rë në garën “International Music Competition Moscow, Russia”. Garë e nivelit Internacional me konkurrentë nga e gjithë bota. Një vit i jashtëzakonshëm me suksese e me shumë punë së bashku me profesoreshën time Alberta Troni!”, shprehet pianistja.

Kujtojmë që Melisa Ibrahimi në muajin nëntor të këtij viti u shpërblye edhe me çmimin e parë në kategorinë ‘Senior’ në garën internacionale të pianos në ‘Grand Prize Virtuoso 2020’ të mbajtur në Bonn të Gjermanisë. / KultPlus.com

Pianistja Melisa Ibrahimi shpërblehet me çmimin e dytë në “International Music Competition”

Melisa Ibrahimi, studente e pianos e vitit tё II-tё, nё Fakultetin e Arteve Universiteti i Prishtinёs “Hasan Prishtina”, nё klasёn e profesoreshës Alberta Troni, është shpёrblyer me ҁmimin e dytё nё garat ndërkombëtare “International Music Competition” nё Beograd, Serbi, përcjellë KultPlus.

Melisa ёshtё studente dhe pianiste e dalluar, pjesёmarrёse nё shumё koncerte dhe fituese e disa ҁmimeve pianistike nё vend.

Nё njё garё internacionale e cila u mbajt nё mёnyrё virtuale pёr arsye tё rrethanave tё pandemisё, dhe me njё konkurencё tё madhe nga mbarё bota, e vlerёsuar nga nje juri profesionale prej gjashtё pianistёve botёrore nga Kina, Rusia, Serbia, Polonia, Gjermania dhe Franca, Melisa arriti tё fitoj ҁmimin e dytё nё kategorinё “Senior” (nga18 vjet e mё lartё).

Ky lajm i mirë vjen nё kёto ditё dhe rrethana qё jemi duke kaluar kundër luftёs me pandeminё Covid-19, kur tё gjitha aktivitetet dhe institucionet kulturore botёrore kanё anuluar ose shtyrë jetёn e tyre kulturore pёr data tё tjera. / KultPlus.com