NEX24news: Shqipëria thesari i pazbuluar i kirurgjisë estetike

Shqipëria, vendi i vogël përgjatë bregdetit adriatik dhe atij jonian, nuk ka rënë ende në sy për sa i përket turizmit shëndetësor, shkruan faqja e njohur gjermane NEX24.news.Jo shumë të huaj njohin bukurinë e peizazhit dhe mikpritjen e njerëzve atje.E megjithatë, Shqipëria mund të ofrojë më shumë.

Turizmi shëndetësor, një lloj i ri i turizmit, po bëhet gjithnjë e më popullor në vitet e fundit. Nëse disa pacientë e shfrytëzojnë atë për parandalimin e sëmundjeve, për të tjerët bëhet domosdoshmëri për trajtime mjekësore.

Në Gjermani, shoqëria është duke pësuar ndryshime dhe për këtë arsye shëndetit i jepet një rëndësi e madhe. Nga njëra anë, kjo përforcohet nga zhvillimi demografik, nga ana tjetër nga ndryshimi i strukturave të financimit.

Një trajtim dentar mund të çojë në një barrë shumë të madhe financiare, ndërkohë që kirurgjitë estetike janë të papërballueshme për shumë njerëz. Për këtë arsye, parandalimi shëndetësor dhe trajtimet mjekësore rrisin kërkesën për shërbimet e turizmit shëndetësor. Gjithnjë e më shumë vende po i përmbushin këto kërkesa.

Një treg i ri, që cili po rritet me shpejtësi.

Vetëm disa vjet më parë, Franca, Italia, Spanja dhe Anglia ishin destinacionet kryesore për trajtim mjekësor jashtë vendit, ndërsa tani janë shtuar me kalimin e kohës dhe Hungaria, Republika Çeke, Polonia dhe Rumania. Për disa vite, Turqia ka qenë gjithashtu një destinacion shumë i njohur për udhëtimet shëndetësore.

Në panairin më të madh ndërkombëtar të botës për turizmin, ITB, që u hap në Berlin, ky lloj i ri i turizmit për shumë ekspozues zinte një pjesë të konsiderueshme në prezantimin e vendeve të tyre.

“Shqipëria është ende pak e njohur në këtë sektor, por ne kemi mjekët dhe spitalet më të mira”, u shpreh Anduela Çela, nga klinika “Travel and Smile” ose “Viaggiare e Sorridere” në një bisedë me NEX24, në ambientet e këtij panairi.

Ajo thekson se kursehen mbi 60 për qind të vlerës për sa i përket trajtimeve dentare si dhe për procedurat estetike të cilësisë së lartë krahasuar me vendet e tjera evropiane.

Sipas Dritan Gremit, themeluesit të kompanisë, në këtë mënyrë, ata do t’u ofrojnë pacientëve të tyre edhe shërbime individuale turistike për ta bërë qëndrimin e tyre në Shqipëri sa më të këndshëm.

“Misioni ynë nuk përbëhet vetëm nga përsosmëria mjekësore, por ne gjithashtu garantojmë mirëqënie dhe mikpritje”, shpjegon themeluesi Gremi, duke shtuar se “shpenzimet e trajtimit përfshijnë transfertën vajtje-ardhje nga aeroporti si dhe akomodimin në hotel ose apartament. Shoqërimi nga një përkthyes si dhe vizita nëpër vende të bukura të një kombi të ri dhe dinamik, në kryeqytetin e të cilit duken simbolet e rilindjes së tij, të cilat janë gjithashtu pjesë e shërbimit falas”, thotë Gremi.

‘’Travel and Smile’’ është ende një klinikë e re. Në vitin 2009, Dritan Gremi realizoi ëndrrën e tij. Ishte e rëndësishme për të që të kombinonte bukurinë e vendit të tij me artin mjekësor të shërimit. Ai ndërtoi një klinikë dentare dhe një qendër kompetente bashkëpunimi për klinikat, të cilat janë të specializuara në trajtimet minimale invazive të kirurgjisë estetike. Ndërhyrjet kryhen nga mjekë specialistë të njohur ndërkombëtarisht.

Sipas deklaratës së Anduela Çelës, klinikat janë duke zhvilluar punën në nivelin më të lartë.

Ata ofrojnë trajtime dentare të cilësisë së lartë duke përdorur teknika pa dhimbje dhe mini-invazive, si dhe produktet dentare të certifikuara nga BE. Implantet dentare nga Tirana tashmë i kanë dhënë një buzëqeshje të re shumë pacientëve.

Që nga themelimi i tij janë trajtuar me sukses 12 000 pacientë. Një pjesë e konsiderueshme e klientëve vijnë nga Italia, por gjithnjë e më shumë pacientë gjermanë kanë vlerësuar përparësitë e një trajtimi profesional në klinikën e tij./  a.jor. / KultPlus.com

Shqipëria, bukuria e pazbuluar e Ballkanit

Televizioni gjerman RTL i ka dedikuar një shkrim turizmit shqiptar të cilin e vlerëson si një bukuri të pazbuluar.

Teksa vë në dukje një sërë pikash turistike në Shqipëri si plazhet e mrekullueshme të Ksmailit, apo qytetet e lashta si Berati, Gjirokastra e Butrinti, RTL shkon më tej duke shtuar se Shqipëria ofron siguri dhe nuk është shumë e shtrenjtë për xhepat e turistëve gjermanë.

Më poshtë shkrimi i plotë i RTL:

Bukuria e pazbuluar e Ballkanit

Plazhe fantastike me peisazhe të egra dhe romantike dhe një kulturë e mahnitshme – dhe për momentin me çmimet më të ulëta në të gjithë Mesdheun.

Po flasim për Shqipërinë. Vendi i vogël në Ballkan është një nga destinacionet të pavlerësuara, por ndoshta jo për një kohë të gjatë.

“Lonely Planet” e përzgjodhi Shqipërinë si destinacionin e tij absolut të ëndrrave.

Shqipëria nuk e rëndon xhepin tuaj

Nëse Kroacia është plot me turistë dhe Greqia është shumë e shtrenjtë, atëherë ndoshta duhet të bëni një vizitë në Shqipëri.

Bregdeti është i bukur, ka shumë histori për të zbuluar dhe plazhet nuk duhet të fshihen nga ato të vendeve të tjera të Mesdheut. Dhe: është më i lirë se të gjithë!

Në Shqipëri, për pushimet e verës, një apartament për katër persona, për dy javë kushton 750 euro.

Shqipëria është për të gjithë

Siguria? Shqetësimi është pa baza. Edhe pse mund të ketë krim të rrugës, ai është jashtëzakonisht i rrallë. Dhe fatkeqësisht ky lloj krimi mund të jetë i pranishëm në çdo rajon turistik.

Ka shumë arsye të vizitoni vendin përgjatë deteve Adriatik dhe Jon – plazhet e ëndrrave në Rivierën Shqiptare janë një prej tyre.

Por, vendi i vogël ballkanik ka shumë më tepër për të ofruar, përfshirë Alpet e Shqipërisë.

Vendpushimi bregdetar i Ksamilit

Në jug të Shqipërisë është fshati i Ksamilit që ka një plazh të mrekullueshëm. Një përzierje e guralecëve dhe e rërës formon bazën e tij, çka për rrjedhojë bën që uji i detit të jetë kristal i pastër dhe me reflekse të blusë së thellë.

Përballë plazheve janë katër ishuj të vegjël, madje dy prej tyre shumë pranë. Dy të tjerët mund t’i arrini më këmbë kur ka zbaticë.

Kur koha është e mirë, ju mund të shikoni edhe Korfuzin, që ndodhet nga ana tjetër e Jonit.

Zona antike e Butrintit

Parku Kombëtar i Butrintit është rreth 9,5 hektarë dhe ofron pamje spektakolare.

Atraksioni kryesor i parkut është zona antike e Butrintit. Ajo është një nga zonat më të bukura arkeologjike të Shqipërisë (që daton në shekullin 8 para Krishtit) dhe është një nga destinacionet turistike më popullore të Shqipërisë si dhe një nga atraksionet më të famshme turistike.

Syri i Kaltër

Syri i Kaltër është gjysmë ore me makinë nga Ksamili. Këtu, një lumë i tërë buron nga nëntoka.

Ai është burimi më i pasur i ujit në vend. Thellësia e tij llogaritet në më shumë se 25 metra. Për shkak të ngjyrës së tij blu, burimi i ujit nga një liqen malor me temperaturë 12 gradë Celsius quhet Syri i Kaltër.

Gjirokastra – qyteti i 1000 hapave

Gjirokastra është një qendër kulturore e Shqipërisë, kështu që te ajo ka shumë për të zbuluar.

‘’Qyteti i 1 000 hapave’’ është shpallur Trashëgimi Botërore nga UNESCO që në vitin 2005 dhe është një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë.

Gjirokastra është e veçantë për shkak të pamjes së saj unike.

Berati – Qyteti i një mbi një dritareve

Berati është një nga qytetet më të vjetra në Shqipëri dhe të impresionon me shtëpitë e bardha, xhamitë dhe kishat.

Berati është quajtur edhe “Qyteti i një mbi një dritareve” për shkak të shtëpive tipike, dritaret e të cilave “bien” mbi njëra-tjetrën duke zbukuruar pamjen e qytetit.

Në vitin 1961 Berati u shpall qytet-muze.

Që nga viti 2008 ai është shpallur Trashëgimi Botërore nga UNESCO dhe kjo është arsyeja që në tri lagje të vjetra të qytetit, Mangalem, Goricë dhe Kala ndërtimet e reja janë ndaluar plotësisht./ Top Channel

“DonneCultura”: Mrekullitë e rivierës së Shqipërisë që nuk duhen humbur në 2019

Portali europian “DonneCultura” që i kushtohet udhëtimeve dhe kulturës, i ka dedikuar një reportazh jugut të Shqipërisë ku vlerëson plazhet shumë të pastra dhe ujërat e kristalta që karakterizojnë këtë zonë.

“Shqipëria është vendi që ka pasur rritjen më të madhe të turizmit në vitin 2017, madje në vitin 2011 u zgjodh destinacioni i vitit nga portali i njohur Lonely Planet”, shkruhet në reportazhin e “DonneCultura”.

Në fakt Shqipëria është bregu tjetër i mrekullueshëm i rivierës puljeze dhe asaj greke, por “Low Cost”.

Madje për të pritur këtë fluks turistësh, Shqipëria është pajisur mirë, pasi mund të shkohet me traget ose me avion me çmime të arsyeshme, mbi të gjitha jashtë sezonit turistik.

Bregu ka arritur të ruhet nga rritja e ndërtimit dhe ofron ujëra dhe plazhe magjepsëse, ndonëse tashmë përballet me një rritje të turizmit masiv në kulm të sezonit.

Sipas portalit “DonneCultura”, destinacionet që nuk duhen humbur janë Karaburuni, që ofron peizazhe unike në gjithë Europën. Në këtë gadishull ndodhet edhe Gjiri i Gramës ku gjenden shkrime antike nga marinarët dhe shpella e famshme e Haxhi Aliut që ndryshe quhet “Shpella e Piratëve”.

Duke vazhduar në jug, vjen mali i Llogarasë, ku kalon në një rrugë piktoreske në një lartësi prej 1 027 metra. Pasi zbret këtë mal, mbërrin në Rivierën Shqiptare që mund të fotografohet lehtësisht edhe kur je sipër Llogarasë.

Plazhi i parë i famshëm është ai i Dhërmiut. Në muajt e verës, Dhërmiu është plot me turistë, por mund të zgjidhni të shkoni në gjiret e shumta përreth, si Drimadha apo Jala që është një plazh i vogël, i mrekullueshëm dhe i qetë.

Ndërsa në Himarë, përpiquni të evitoni plazhet e mbushura me turistë si Spille, Potam dhe Prinos, e njëjta vlen edhe për Livadhin, vetëm tre kilometra larg qendrës. Më mirë të shkoni në Llaman, që është më pak i frekuentuar edhe në kulm të sezonit.

Porto Palermo, një gadishull i vogël është vërtetë sugjestive dhe është përdorur gjithashtu nga regjisorët për kështjellën e saj të vogël.

Fshati i Borshit është fantastik për një shëtitje përgjatë bregut. Plazhi është i rrethuar nga ullinj dhe agrume.

Saranda është Rimini i Shqipërisë, anashkalojeni për shkak të fluksit të lartë të turistëve dhe shkoni për në Ksamil dhe katër ishujt e tij të paharrueshëm, të pasura me gjelbërim, që arrihen lehtësisht me not ose me varka me pedale.

Pranë Ksamilit ndodhet Parku Kombëtar i Butrintit, trashëgimi njerëzore në UNESCO për historinë e tij antike. /G.S/ KultPlus.com

Prestigjiozja Le Monde: Shqipëria mes 20 destinacioneve më të bukura për 2019

Shqipëria renditet mes 20 destinacioneve më të bukura për 2019.

Prestigjiozja e përditshme Le Monde ka renditur Shqipërinë mes 20 destinacioneve të preferuara që duhet vizituar gjatë këtij viti.

“MIRËMËNGJES , dhe me këtë faqe të prestigjozes së përditshme Le Monde, e cila mes 20 destinacioneve të preferuara të vitit 2019 e sugjeron Shqipërinë si zgjedhjen e gjashtë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Kryeministri Edi Rama.

Edhe Gazeta britanike “The Sun” ka botuar një artikull mbi dhjetë destinacionet më të mira në të gjithë botën për turizëm mes të cilave përmend edhe Rivierën Shqiptare.

”Vendasit i kanë ruajtur me dinakëri për vete plazhet dhe gjiret e detit për dekada të tëra. Por tani, Lonely Planet e ka quajtur vendin një destinacion të mirë për 2019. Mund të vini bast se është vetëm çështje kohe para se Shqipëria të bëhet një Kroaci e re”, shkruan “The Sun”./a.g/ KultPlus.com

“The Sun”: Shqipëria, një Kroaci e re

Gazeta britanike “The Sun” ka botuar një artikull mbi dhjetë destinacionet më të mira në të gjithë botën për turizëm mes të cilave përmend edhe Rivierën Shqiptare.

“Nëse po kërkoni të filloni vitin me një aventurë të re, këtu janë disa sugjerime që do t’ju ndihmonin për udhëtimet tuaja,” shkruan gazeta.

Riviera Shqiptare

PSE ËSHTË E NJOHUR: Vendasit i kanë ruajtur me dinakëri për vete plazhet dhe gjiret e detit për dekada të tëra.

Por tani, Lonely Planet e ka quajtur vendin një destinacion të mirë për 2019. Mund të vini bast se është vetëm çështje kohe para se Shqipëria të bëhet një Kroaci e re.

ÇFARË PRESIN TURISTËT: “Njerëzit shpesh kanë një imazh të ashpër për Shqipërinë,” na tregon Tom.

“Prandaj, ata mbeten të befasuar kur shohin se sa idilik është ai vend”.

Në Drimadhë, vizitori ndjen shijen e parajsës shqiptare: hotelet e bukura dhe baret rreshtohen përgjatë rërës së bardhë, plazhit dhe detit si pastër si kristali.

Gjithashtu, Shqipëria në mënyrë të konsiderueshme ia kalon Greqisë dhe Italisë fqinjë kur është fjala për koston.

Vera nё Shqipёri ka temperaturat mё tё mira mbi 20°C, por edhe turmat më të mëdha për shkak të popullaritetit të saj në rritje.

Prandaj, provo tё vizitosh Shqipërinë në maj dhe shtator.

“Mundohuni të vizitoni Shqipërinë gjatë majit ose shtatorit për të shmangur turmat e mëdha për shkak të popullaritetit të saj në rritje”, përfundon “The Sun”/ata/ KultPlus.com

12 atraksionet më të bukura të Shqipërisë, në kalendarin e Ambasadës së Zvicrës

Ambasada zvicerane në Shqipëri, ka përzgjedhur 12 vendet, atraksionet më të bukura dhe më të spikatura në Shqipëri, për t’i pasqyruar ato në kalendarin e Vitit të Ri 2019.

“Kalendari ynë për 2019 përmban foto nga e gjithë Shqipëria”, shkruan Ambasada e Zvicrës në Tiranë duke uruar edhe “Gëzuar Vitin e Ri!”.

Fotografitë me pamjet e spikatura nga laguna e Divjakës, ishulli i Sazanit, kanionet e Osumit e vargmalet e mbuluara me borë, etj, janë pjesë të kolazhit artistik që përmes ngjyrash të relievit gjeografik që pasqyrojnë, reflektojnë jo vetëm bukuritë turistike të Shqipërisë, por edhe 4 stinët e vitit. /e.xh//a.g/KultPlus.com

A e dini sa të huaj jetojnë në Shqipëri?

Nuk janë vetëm shqiptarët që kërkojnë të jetojnë jashtë. Sipas të dhënave të publikuara nga portali “Our World in Data” janë rreth 57, 616 mijë të huaj që jetojnë në Shqipëri, bazuar kjo në të dhënat e Bankës Botërore. Prej tyre 13 mijë janë të pajisur me leje pune.

Prej vitit 2010 numri i të huajve në Shqipëri ka qenë në rritje. Në vitin 2010 sipas të dhënave të Bankës Botërore kishte rreth 52,784 mijë të huaj, ndërsa në 2015-n (viti i fundit me të dhëna të përditësuara) numri i të huajve është rritur me 10%.

Ndër arsyet kryesore të tërheqjes së të huajve në Shqipëri është kosto e lirë e jetesës. Për sa i përket lejeve të punës, italianët kanë numrin më të lartë. Së fundi Shqipëria po shndërrohet në një destinacion të preferuar edhe për studentët italianë. Popullsia e dytë është ajo turke, pasur më pas nga kinezët.

Edhe shqiptarët e Kosovës përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të emigrantëve në Shqipëri. Megjithatë numri i tyre në raport me vite më parë është më i ulët. Në vitin 2000, për shkak se në Kosovë vijonin trazirat e pas luftës për shkëputjen nga Serbia, shumë shqiptarë të Kosovës u strehuan në Shqipëri. Prandaj viti 2000 shënon rekord të numrit të të huajve me rreth 77 mijë të huaj, raporton ‘monitor’.

Në rajon Shqipëria renditet ndër vendet me numër të ulët emigrantësh. Numrin më të madhe e ka Serbia, me rreth 807 mijë të huaj që jetojnë atje. Në Maqedoni janë rreth 130 mijë dhe në Malin e Zi rreth 82 mijë të huaj.

Bosnje Hercegovina ka numrin më të ulët të huajve në rajon, ku sipas Bankës Botërore në 2015-n ishin rreth 32 mijë.

Në botë rekordin për numrin më të lartë të të huajve e mbajnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 46.6 milionë emigrantë.

Në vend të dytë për sa i përket numrit të emigrantëve është Gjermania. Nga të dhënat e Bankës Botërore për vitin 2015, numri i emigrantëve atje ishte 12 milionë.

Vendi i tretë për numrin më të madh të emigrantëve është Rusia me 11.6 milionë emigrantë, pasuar nga Arabia Saudite me 10.1 milionë./ KultPlus.com

Shqipëria, mes 10 vendeve që duhet vizituar më 2019

Revista e famshme britanike “Harper’s Bazaar” që i kushtohet botës së modës, artit dhe kulturës, ka zhvilluar një sondazh në Instagram në bashkëpunim me ekspertët e udhëtimeve për vendin që dëshirojnë të vizitojnë turistët më 2019 dhe Shqipëria është në dhjetë më të preferuarat, në një klasifikim ku ndodhen vende si Sri Lanka, Kanadaja, Zelanda e Re apo Japonia.

“Ky vend i Evropës Jugore për një kohë të gjatë ka qenë nën hijen e tërheqjes turistike që kishin vendet fqinje, si Greqia dhe Mali i Zi, megjithatë, disa ekspertë udhëtimesh parashikojnë se 2019-a do të jetë viti i këtij vendi”, shkruan “Harper’s Bazaar”, transmeton “ATSH”.

“Booking.com cilëson Ksamilin, në jug të vendit, një xhevahir të fshehur. Për më tepër, ajo thekson se ky vend është vlerësuar nga vizitorët e mëparshëm për gatimet e detit dhe njerëzit miqësorë”, shkruan revista britanike.

Shqipëria ka arritur të listohet edhe nga “Lonely Planet” në destinacionet më të mira për vitin 2019: “Shqipëria mbetet një destinacion ku mund të ngjisësh male të bukura, të qëndrosh në fshatra të vogla dhe përtej kohës si dhe të eksplorosh kryeqytetin Tirana plot gjallëri shumë më i lirë se sa kudo tjetër në Europë”.

Mbi 5,6 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë në 2018

 Numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë në 11-mujorin e vitit 2018 është 5 646 104 duke u rritur me 16,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Sipas INSTAT, në nëntor 2018, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Anglia ka pasur rritjen më të madhe me 108,9%, ulje kanë pasur shtetasit nga Kosova me 26,6 %.

Në 11-mujorin e 2018, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe 34,5%.

Numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj të hyrë në territorin shqiptar, në muajin nëntor 2018, është rritur me 2,9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas INSTAT, në nëntor 2018 rezulton se në vendin tonë kanë hyrë 646 826 shtetas shqiptarë dhe të huaj.

Nga këta, rezulton se 246 678 janë shtetas të huaj. Krahasuar me nëntor 2017, ky numër është ulur me 3,7 %.

Turizmi i bardhë, Valbona destinacioni i preferuar

Sezoni i turizmit dimëror ose turizmi i bardhë, tashmë ka nisur dhe  biznesi privat i ka filluar përgatitjet, ka ngrohur ambientet pritëse dhe kërkon ndihmën e pushtetit lokal dhe atij qendror në mirëmbajtjen e rrugëve e shërbimeve energjetike e mjekësore për të qenë në lartësinë e duhur. Flitet për zonat e veriut të vendit ku dhe prania e dëborës është më e madhe dhe më e vizitueshme.

Thethi është vend i bukur për t’u vizituar, por është shumë vështirë për të shkuar atje në dimër, sepse, sipas informacionit që kemi nga Drejtori i AdZM Shkodër Agim Dardha, nga Qafë Thorë deri në Theth, rruga është e vështirë dhe kalohet me mjete të larta. Ndërsa për në Razëm është e mundshme.

Po kështu, vështirësi në periudhën e dimrit paraqesin edhe  Valbona. Besnik Hallaçi, specialist i AdZM Qarku Kukës që mbulon zonën e Tropojës, konfirmon për ATSH se rrugë-kalimi drejt Luginës së Valbonës është i kalueshëm dhe vizitorët e bardhësisë janë të përditshëm por sidomos në fundjavë. Halluçi thotë se më të shumtit vijnë nga Kosova, por pritet që ndërrimi i viteve t’i gjej hotelet dhe bujtinat vendase të mbushura sepse pronotimet po thuajse janë mbyllur.

Turizmi malor duket se është shndërruar në një nga tendencat më të pëlqyera të shqiptarëve.

Tashmë dëshira për të kaluar pushime nuk mbetet vetëm në sezonin veror.

Dimri është një mundësi po aq bindëse për të kaluar bukur dhe ndryshe përmes udhëtimesh apo sporteve dimërore, peizazheve dhe natyrës së bukur. Në natyrën tonë ka disa vende që preferohen për pushimet dimërore.

Destinacionet më perfekte për të provuar një aventurë të tillë, çmimet dhe alternativat që ato ofrojnë, mundësitë infrastrukturore që deri diku janë të përballueshme në mënyrë normale, janë edhe Razma e Boga, në veri të vendit mbi Shkodër, por edhe Voskopoja e Dardha në zonën e Korçës.

Edhe Razma ofron mundësi për zhvillimin e disa llojeve të turizmit, më i frekuentuar është ai i skive në morenat akullnajore, sidomos në fushën e Zezë e në fushën sportive të kampit të Razmës etj.

Po kështu dhe Boga sipër Razmës është një destinacion tepër interesant për turizmin dimëror.

Këtu keni mundësi të akomodoheni në disa shtëpi pritëse mjaft komode, të ushqeheni në restorantet e fshatit, të provoni gatimet tradicionale si, mishin e fërlikut, jardunin e deles, djathin e zier, kaçamakun, patatet në kaki etj.

Biznesi i turizmit të dëborës ka nisur përgatitjet për të pritur vizitorët e shumtë që preferojnë këto lartësi të ashpra malore që nisin me malësinë e Shkodrës e vazhdojnë me ato të Tropojës, Kukësit, Peshkopisë e të jugut të Shqipërisë. Ne sot u njoftuam për lartësitë e veriut me Thethin e Valbonën, por ndërrimi i viteve do të ketë më shumë vizitorë të lartësive të bardha. Dhe të parët kanë mbërritur bashkë  me festën e Krishtlindjes.

Ata janë vendas dhe të huaj që kanë nisur pronotimet hotelerike. atsh / /Kultlus.com

Shqipëria së bashku me 20 shtet të Evropës në mbrojtje të Monumenteve Bizantine

Shqipëria dhe 20 shtete nga Evropa dhe rajoni i Mesdheut, u bënë pjesë e nënshkrimit të “Kartës së Selanikut” për mbrojtjen e Monumenteve Bizantine, shkruan KultPlus.

Përgjatë një takimi disaditor në Selanik, vendet pjesëmarrëse si dhe përfaqësues nga UNESCO, ICOMOS dhe Europa Nostra, zhvilluan konsultimet e tyre rreth “Kartës së Selanikut”, e cila synon jo vetëm mbrojtjen e monumenteve të trashëgimisë bizantine, por do të shërbejë edhe si një pikënisje e bashkëpunimeve të reja mes palëve në fushën e trashëgimisë kulturore.

21 shtete, 4 komitete, 3 ditë konsultime, 1 kartë e përbashkët!/ KultPlus.com

Shqipëria do të përjashtojë nga TVSH-ja librat elektronikë

Qeveria po sheh mundësinë e një ndryshimi në ligjin “Për librin në Republikën e Shqipërisë” që përfshin përjashtimin nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar të atyre që sot njihen si e-librat, apo libra që lexohen në platforma elektronike dhe jo në versionin tradicional letër. Draftligji i nxjerrë për konsultim bën dy shtesa të rëndësishme.

Ndryshimi i parë në Nenin 18/1 nënvizon se “furnizimi i shërbimeve të shtypshkronjave, shtëpive botuese, dhe materialet e ofruara në formën tradicionale dhe çdo formë tjetër elektronike të librit, pavarësisht përmbajtjes së tij, që mund të lexohet nëpërmjet pajisjeve të tjera ndihmëse përfshirë edhe platformat elektronike (e-libri), përjashtohet nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.

Ndryshimi i dytë i rëndësishëm po i lidhur me TVSH-në tek libri sanksionohet në nenin 49 shtohen dy pika të reja 3 dhe 4 të cilat përcaktojnë se pas miratimit të këtij ligji ka nevojë për ndërhyrje në dy ligje të tjera siç është ai për TVSH-në dhe ai për prokurimin publik”./ KultPlus.com

Hapet në UNESCO ekspozita me ikona të Artit Mesjetar Shqiptar

U hap në Paris, në sallen Miro, UNESCO, ekspozita “Dritare në Artin Mesjetar Shqiptar”, me rastin e 60- vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në UNESCO, me pjesëmarrjen e Ernesto Renato Ottone Ramirez, Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm për Kulturën në UNESCO, Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, Zëvendës Ministres së MPJE, Artemis Dralo, Ambasadorit të Shqipërisë në UNESCO, Ferit Hoxha dhe personalitete e ambasadorë në UNESCO.

“Çfarë mund të bëjmë për të promovuar paqen në botë? Kjo është çështja që UNESCO-ja shtroi për zgjidhje që kur u krijua në vitin 1945, fill pas luftrave që përgjakën botën.

Një përgjigje për këtë na e ka dhënë Shenjëtorja jonë shqiptare, Nënë Tereza: Shko në shtëpi dhe duaj familjen tënde!”- u shpreh ministrja Kumbaro në fjalën e hapjes.

Kjo ekspozitë në Paris, në sallën Miro, përbën një rrugëtim në historinë e pikturës bizantine dhe pas bizantine të zhvilluar në territorin shqiptar dhe fton publikun e gjerë dhe studiues të fushës në një eksperiencë të rrallë në njohjen e mjeshtërve eponim dhe anonim si dhe atelieve më të spikatura të kohës, nëpërmjet veprës së trashëguar prej tyre.

“Kur Shqipëria hyri në UNESCO, 60 vite përpara, ende nuk e kishim zgjidhur problemin e paqes me veten, ndaj dhe për më shumë se 30 vite prania jonë ishte gati formale, thjesht me dëshirën për të qenë në paqe të rreme me të tjerët. Gjithçka nis pra me njohjen e vetes dhe tjetrit. Ky është thelbi. Dhe njohja nis nga zakonet, traditat, mënyra e jetesës, të shprehura në arkitekturën e shtëpive, qendrave historike apo objektet e rralla, pra në trashëgiminë materialedhe shpirtërore që mbart gjithësecili, nis kështu nga Kultura”- u shpreh më tej në fjalën e saj Kumbaro.

Kjo është arsyeja pse hapi i parë domethënës me UNESCO-n erdhi në vitin 1992 me pranimin e Butrintit në sitet e mbrojtura të trashëgimisë botërore. Për të parën herë një pasuri e jona mori meritën që i takonte duke u bërë pjesë e mozaikut të trashëgimisë botërore. Si për të përligjur konceptin se qytetërimi nuk mund të ndërtohet me kështjella të mbyllura, por me amfiteatër të hapur, nuk mund të kuptohet pra pa shkëmbime, ndikime, marrëdhënie dhe shtresëzime kulturash.

“UNESCO mbetet e pazëvendësueshme në këtë rol unik të rëndësisë që i jep arsimit, kulturës, vlerave të qytetërimeve të cilat përbëjnë garantimin e stabilitetit të vendeve tona, të cilat do të shpëtohen nga Kultura. Shqipëria bëhet pjesëmarrëse në krijimin e vlerave të përbashkëta të qytetërimit evropian, për të cilin kemi strukturën dhe të cilën ne dëshirojmë të zhvillojmë së bashku, sepse e kaluara që ne e ruajmë së bashku do të jetë themeli i së ardhmes sonë”-shtoi Kumbaro në fjalën e saj.

Përtej interesit vizual dhe qëllimit artistik që konsiston në ilustrimin e fazave të pikturës ekleziaste, boshti kryesor në përzgjedhjen e ikonave është paraqitja e aspekteve të realitetit të përditshëm të shoqërisë së kohës, idetë dhe shqetësimet që përshkonin marrëdhëniet njerëzore, apo dhe dimensione të tjera – pjesë e jetës materiale – si civilizimi, veshja, duke i konvertuar ato në koncepte të drejtpërdrejta për t’u kuptuar nga vizitori. Në një këndvështrim më të gjerë, ekspozita kontribuon në kuptimin e ndikimit që ushtroi Civilizimi Bizantin në popujt e tjerë të botës mesdhetare, duke dëshmuar vazhdimësinë e kësaj tradite kulturore dhe estetike në pikturën religjioze edhe pas rënies së Kostandinopojës në vitin 1453 dhe vendosjes në Ballkan të turqve osman.

“E tillë është kjo ekspozitë që ne hapim sot këtu në UNESCO, një gjest i vogël i kulturës sonë të mrekullueshme, Histori e artit tonë, një pjesë e vogël e artit tonë bizantin, që i kemi ekspozuar në një muze të ri dhe të mrekullueshëm të artit mesjetar në Korçë, një qytet i bukur në Shqipëri, me një ekuilibër të përsosur në mes të lindjes dhe Perëndimit, siç është edhe vetë Shqipëria, ku jeta shpirtërore është dashuria njerëzore, si në veprat më të suksesshme të artit”-përfundoi Kumbaro. / KultPlus.com

“Shqipëria e re shikon në të ardhmen, duke ëndërruar Europën”

“Shqipëria e re shikon në të ardhmen, duke ëndërruar Europën.” Kështu e nis artikullin Face Magazine, një ndër revistat e lifestyle dhe turizmit më e njohur në Itali.

“Është larg 8 gushti i vitit 1991, kur anija Vlora zbarkoi në portin e Barit, ngarkuar me 20 mijë shqiptarë. Sot, shqiponjat e mëdha, simboli i vendit, fluturojnë lart. Ka tri fusha kryesore ku ju mund të admironi shtëpitë e pikturuara: pas Urës së Tabakëve, tek sheshi Willson ne fund te Bllokut dhe Sheshi Zogu i Zi.

E kaluara është një kujtesë e largët. E vetmja reminishencë është xhamia Muradie, një ish kishë bizantine konvertuar nga osmanët në 1537. Blloku është simbol i Tiranës së re. Këtu jetonin zyrtarët e regjimit komunist, sot është një varg i gjatë me bare dhe kafene, restorante dhe dyqane të modës.”- thuhet në artikull.

Tatimi i ulët dhe disa rregulla burokratike kanë sjellë shumë italianë dhe evropianë në vend. Në Shqipërinë e re, lulëzon turizmi, në sajë të çmimeve të ulëta, plazhet e bukura dhe kureshtje për të zbuluar një destinacion i ri” – citon artikulli.

“Bumi sjell mundësi, por gjithashtu rrezikon, thekson artikulli. Çimento gjithashtu rritet me ekonominë: vendpushimet e ndërtuara mbi shkëmbinjtë rrezikojnë shumë zona arkeologjike pa ndonjë plan ndërtimi. Shqipëria më autentike mbetet kështu me qytetet historike të Gjirokastrës dhe Beratit, sitë të Trashëgimisë Botërore Unesco, me Përmetin dhe banjot e Bënjës dhe Luginës së Valbonës, e “mrekullia e Alpeve Shqiptare”, siç e quajnë shqiptarët./ KultPlus.com

“El Pais”: Pesë arsye për të zbuluar Shqipërinë

E përditshmja prestigjioze spanjolle “El Pais” i dedikon një artikull bukurive të Shqipërisë ku fton lexuesin që të zbulojë pesë arsye përse duhet të vijë të zbulojë këtë vend të mrekullueshëm.

“Në Ngushticën e Otrantos, aty ku gati prek takën e çizmes së Italisë, ky vend i vogël të mahnit me peizazhet e mrekullueshme dhe kështjellat fantastike”, shkruan “El Pasi”.

Ka qenë vendi më sekret në Europë. Kur komunisti Enver Hoxha erdhi në pushtet në Shqipëri në vitin 1944, askush nuk mund të dilte apo të hynte. Ka qen një regjim brutal, një laborator i stalinizmit. Nuk kishte pronë private, asnjë hapësirë lirie, nuk kishte as buke, as qumësht, por kishte radhë gjigante për t’i marrë ato. Si dhe më shumë se një milion bunkere betoni, në rast se armiku i jashtëm do të sulmonte.

Shqipëria, një kandidat për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, është një vend i vogël, me një sipërfaqe sa ajo e Galicisë (Spanjë) dhe gati tre milionë banorë, një e treta e të cilëve jetojnë në kryeqytet, Tiranë. Pavarësisht territorit të vogël, variacioni i peizazheve është mahnitës, me male në veri, liqene që dalin në vendet fqinje, plazhe që mund të konkurrojnë ato në Greqinë fqinje… Madje edhe “Lonely Planet” e ka përfshirë Shqipërinë në listën e destinacioneve kryesore për vitin 2019 për çmimet shumë të ulëta që ka. Më poshtë keni pesë arsyet pse duhet ta vizitoni Shqipërinë.

1- Ndikimi italian

Para Luftës së Dytë Botërore, influenca italiane ishte e jashtëzakonshme. Madje shkrimtari italian, Indro Montanelli botoi udhëtimet e tij në Shqipëri në vitin 1939. Pas aneksimit të Austrisë nga Hitleri, Musolini, që të mos mbetej pas, pushtoi Shqipërinë (1939) dhe e bashkoi atë me Kurorën e Italisë. Kur ra fashizmi dhe erdhi komunizmi, të gjithë flisnin italisht në Shqipëri. Përveç arsyeve historike, ka edhe një shpjegim tjetër më prozaik: gjatë viteve të sundimit të regjimit komunist, e vetmja linjë lidhjeje me jashtë ishte lidhja kalandestine me pjata satelitore… që kapnin valët e televizionit italian.

2 – Tirana në pararojë

Në vitin 1920, Tirana kishte 10 000 banesa, rrugë të pista dhe vetëm një bulevard. Kur erdhën italianët, vendosën ta kthejnë atë në një qytet me të gjitha kushtet. Për këtë Konte Çiano, dhëndri i Musolinit, bëri një përpjekje të veçantë. Ata ngritën ministritë sipas arkitekturës fashiste, hapën bulevarde, rregulluan rrugët. Sot pranë godinave italiane ngrihen kulla prej xhami, qendra tregtare, një xhami qendrore dhe projekte në pararojë siç janë Tetari Kombëtar i ardhshëm, një projekt i një teatri transparent nga “Bjarke Ingels Group” (BIG).

Tirana është porta kryesore hyrëse në vend falë aeroportit Nënë Tereza (që ishte shqiptare). Por janë duke u planifikuar dy aeroporte të reja ndërkombëtare, një në Kukës, në veri, për fluturimet me çmim të ulët dhe një në Vlorë, në jug, për turistët që duan plazhin dhe diellin.

3 – Qyteti i Krujës

Në veri të Tiranës të presin peizazhe me majat e maleve plotë dëborë, shpate për ski dhe pyje të dendura. Si dhe kështjella të ngritura në maja të pamundura, sikur të ishin foletë e shqiponjave. Një nga këto fortesa ruan qytetin e Shkodrës, përballë liqenit me të njëjtin emër që del edhe në Mal të Zi.

Një pamje të ngjashme ofron edhe qyteti i Krujës, që ngrihet në maja të thepisura. Pazari i tij oriental të dërgon në një qytezë që është një simbol i patriotizmit. Nga këtu u drejtua rezistenca kundër Turqve, në shekullin XV, heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Ai kishte një bashkëpunim të mirë me Alfonson V të Aragonës para se të lidhej me italianët. Madje Vivaldi i ka dedikuar një opera (Scanderbeg). Kështjella, që vazhdon të qëndrojë është kthyer në një muze të historisë, që lartëson figurën e tij.

4- Trashëgimia historiko-kulturore

Rreth gjysmë orë me makinë larg Tiranës, Durrësi qëndron mbi një plazhi gjigant me rërë që mirëpret shumë turistë në verë (dikur ishte destinacioni veror i liderëve komunistë). Aty ndodhen disa rrënoja të amfiteatrove romake apo mure otomane. Por më në jug do të gjeni zonat kryesore arkeologjike, disa prej të cilave cilësohen nga UNESCO si trashëgimi botërore. Në Apoloni, për shembull, mund të gjeni rrënoja greko-romake.

Vlora, rreth 50 km në jug, është një tjetër resort veror. Plazhet e saj, të mbrojtura nga gadishulli i Karaburunit dhe ishulli i Sazanit, përfundojnë në me një liqen dhe rrënojat romake të Orikumit.

Në brendësi, Berati, një trashëgimi botërore dhe një destinacion turistik. Qyteti, që ngrihet mbi lumin Osum, ka shtëpi me arkitekturë osmane. Aty ndodhet një qyteze e konservuar shumë mirë, me katër kisha bizantine që mbuluara me afreske dhe muze që kanë objekte të jashtëzakonshme.

5- Llogaraja dhe Gjirokastra

E ashtuquajtura Riviera Shqiptare fillon nga Parku Kombëtar i Llogarasë. Një seri plazhesh dhe gjiresh, shpellash ujore, shkëmbinjsh dhe fshatërash tradicionale. Ka të njëjtën bukuri si fqinji i saj, Greqia dhe ishulli i Korfuzit. Në zbarkimin e tij në 1823 për të luftuar për çlirimin e grekëve (ku edhe vdiq), Lord Bjroni, pasi vizitoi Tepelenën i dedikoi vargje maleve të Shqipërisë. Madje në portretin e tij më të famshëm, ai shfaqet me veshje shqiptare.

Porto Palermo është një prej vendeve që duhen vizituar gjatë pushimeve në këto brigje dhe Saranda, më në jug, është kryeqyteti i tyre. Kjo pjesë pret dy prej zonave arkeologjike më të famshme të vendit, Butrintin, një imitim i Trojës dhe Gjirokastrën, me shtëpitë e saj me arkitekturë osmane që janë ruajtur me shumë kujdes sepse ky ishte qyteti i lindjes i Enver Hoxhës, ndonëse dikush u përpoq të shpërthente shtëpinë e tij. /G.S/ KultPlus.com

Shqipëria dhe Sllovenia, projekte të përbashkëta në zejtari

Shqipëria dhe Sllovenia, do të koordinohen për konkretizim projektesh bashkëpunimi dhe vendosje kontaktesh e bashkëpunimi në fushën e zejtarisë.

Në kuadrin e diplomacisë ekonomike, Agjensia e Zhvillimit të Investimeve, AIDA, prezantoi para Dhomës sllovene të Zejtarisë dhe Biznesit të vogël, klimën e biznesit dhe të mundësive të investimeve direkte të huaja në Shqipëri.

Të pranishmit i përshëndetën Danijel Lamperger, drejtor i Dhomës sllovene të Zejtarisë dhe Biznesit të vogël dhe ambasadori Pëllumb Qazimi.

Përfaqësuesit e AIDA-s, Artur Pilkati dhe Pëllumb Qoseja, pas prezantimeve iu përgjigjën pyetjeve të shtruara nga të pranishmit.

Diskutimet e zhvilluara ideuan rrugë e mënyra për qasje të re dhe aktive në bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Sllovenisë.

Zejtaria dhe biznesi i vogël, përfshi investimet sllovene ishin në qendër të debatit.

Në periudhën e afërt në vijim do të koordinohet për konkretizim projektesh bashkëpunimi dhe vendosje kontaktesh e bashkëpunimi edhe me Dhomën shqiptare të Zejtarisë./ KultPlus.com

Shqipëria përfaqësohet në Oscars me një film rumun

Ka përfunduar edicioni i 16 i TIFF pas një jave kushtuar filmit në vendet kryesore të Tiranës. Shtatë juritë ndërkombëtare vendosën për çmimet në kategoritë përkatëse.

“Bufi i artë”, BEST FEATURE FILM, iu dha filmit “Irina”, me regjisore Nadejda Koseva nga Bullgaria. Me motivacionin e një historie të fuqishme mbi mbijetesën në një mjedis të pakënaqshëm, përmes një personazhi femër, e cila tregon si mund të falim dhe të gjejmë në fund shpresën.

Filmi më i mirë në kategorinë e filmave të shkurtër, i cili kualifikohet edhe për Oscars, u shpall “Everything is Far Away” nga Emanuel Parvu nga Rumania. Rene Eller u shpall regjisori më i mirë me filmin “WE”, raporton Tch.

Çmimi i Audiencës iu dha “Delegacioni”-t nga Bujar Alimani, i cili po ashtu fitoi edhe Çmimin e Medias, por edhe skenarin më të mirë. Viktor Zhusti, Ndriçim Xhepa and Xhevdet Ferri morën një Special Mention për International Feature Competition.

HONORARY LIFE AWARD, i dhënë nga TIFF, shkoi për Michael Glaëogger. Filmi më i mirë debutues shkoi për “In Between” nga Aliyar Rasti, ndërsa çmimi për kinematografinë më të mirë shkoi për Audrius Kemezys, për filmin e tij Breathing into.

Mbrëmja e madhe e ndarjes së çmimeve mbyll kështu shtatë ditë me mbi 128 filma të shfaqur dhe me një fokus të veçantë si protestat e 50 viteve më parë nën moton “For another Dream”./KultPlus.com

79% e të rinjve duan të ikin nga Shqipëria

Për shumë vite me radhë, mosha e re e popullsisë është konsideruar nga ekonomistët si shpresa më e madhe e Shqipërisë drejt zhvillimit të shpejtë ekonomik. Por, kjo shpresë po shuhet!

“Dua të iki sa më parë. E kam menduar të iki në Gjermani”, tha një i ri shqiptar.

Sipas një vrojtim të “Gallup”, 79 për qind e të rinjve shqiptarë nga 15-29 vjeç duan të largohen përgjithmonë nga Shqipëria. Kjo është norma më e lartë në botë, me diferencë të theksuar nga të gjitha vendet e tjera, përfshirë ato në konflikte të armatosura.

Ndër vendet e rajonit, shifra e dytë më e madhe vihet re në Bosnje-Hercegovinë, me 62 për qind, e më pas Maqedonia me 51 për qind, ndërkohë që për Serbinë dhe Malin e Zi, pjesa e të rinjve që duan të largohen është më e ulët se 50 për qind.

Por, pse të rinjtë shqiptarë duan ta braktisin vendin e tyre?

“Sepse nuk ka punë, sepse është shumë e vështirë jetesa”, thotë një tjetër i ri.

Sipas INSTAT-it, në tremujorin e dytë të vitit papunësia për moshat nga 15-29 vjeç ishte 22.6 për qind, gati dy herë më e lartë sesa papunësia mesatare. Por, më shumë sesa mungesa e punës, të rinjtë i largon humbja e shpresës.

“Sepse këtu nuk ka të ardhme”, tha një e re shqiptare.

Mes të rinjve ka dhe nga ata që e shohin të ardhmen në Shqipëri. Por kjo është pakica…

“Sepse po ikëm ne, kush do të qëndrojë këtu?”, tha një i ri.

Largimi i të rinjve po shndërrohet në një nga problemet më të mëdha të Shqipërisë, një fenomen që ka pasoja të mëdha negative për të ardhmen e ekonomisë, financave publike, por edhe në rrafshin social./T.CH

Përshëndetje nga vendi im i 120-të që vizitoj, Shqipëria

“Kjo shënon fundin e udhëtimit tim dymujor europian dhe gjithçka që mund të them është se Shqipëria nuk është një destinacion turistik shumë i popullarizuar në krahasim me vendet e tjera europiane, kështu që nuk prisja shumë. Përveç planit madhështor të vendit, arsyeja pse zgjodha Shqipërinë është për t’u çlodhur pakëz”, shkruan twomonkeystravelgroup.com, raporton ata.

“Unë absolutisht e kam dashur Shqipërinë dhe do të kthehem një ditë! Tani për tani, unë do t’ju jap 10 arsyet pse Shqipëria duhet të jetë në listën tuaj të preferuar të kësaj 2019”.

1) Është një destinacion aktiv, pasi kur udhëton shumë në qytetet evropiane, do të vijë në një pikë që ju do të ndjeheni sikur gjithçka është e njëjtë. Arkitektura e bukur, kështjella të mëdha, ushqim të mirë, kisha shekullore, kafene dhe restorante, dhe sigurisht mijëra turistë. Shqipëria është një vend i mahnitshëm për të bërë diçka të ndryshme në Europë. Ju mund të shkoni për të bërë rafting, not, vela, ecje dhe gjithçka! Është një vend krejtësisht i mirë për të marrë një pushim nga qyteti.

2) Është historike! – Qyteti i Beratit është një qytet i trashëgimisë botërore të UNESCO-s që nga viti 2018 dhe nuk është e vështirë të kuptohet pse. Përzierja e harmonisë që mbizotëron. Shkova në Berat, ku kemi filluar vizitën nga lagjja Mangalem, më pas te pazari i vjetër afër lumit. Më pas shkuam në kalanë e shekullit IV para Krishtit në majë të kodrës me pamje nga lumi Osumi. Ky qytet është kaq i bukur. Galeria e Onufrit duhet të jetë një vizitë e nevojshme!

Qyteti i lashtë i Durrësit është gjithashtu shumë interesant dhe më pak se një orë nga Tirana. Në qytet ju do të shihni rrënojat e qytetit të vjetër, banjot romake, qendrën e e qytetit, amfiteatrin, muret bizantine, kullat veneciane dhe një muze arkeologjik me një ekran panoramik të zbulimeve dhe planifikimit urban të qytetit.

3) Kanë plazhe të bukura. Nëse ju doni për të notuar, të ndjeni rërën në mes të këmbëve tuaja ose të gjitha më lart, mund t’i merrni kudo që ju mund të gjendeni në Shqipëri. Më të famshme janë plazhi Dhërmiut, i Livadhit , Himarës, Plazhi i Pulebardhës në Sarandë dhe plazhi në Borsh.

4) Është e lirë në krahasim me vendet e tjera evropiane – Ne të gjithë e dimë se Europa është e shtrenjtë, por Shqipëria është shumë më e lirë krahasuar me vendet e tjera evropiane. Për sa i përket menusë, një vakt i plotë në një restorant të lirë është 4,78 euro, një birrë 1,20 euro dhe një biletë për një transport lokal me 0,32 euro. Gjithçka që thuhet këtu mund të jetë dy herë ose tri herë më pak se në pjesë të tjera të Europës.

5) Është ende e paprekur krahasuar me vendet e tjera në Ballkan. Ky vend është ende i paprekur. Ju do të shihni mijëra turistë si ju që vizitojnë muzetë dhe do të relaksoheni nga plazhi, nuk do t’u shtohen tarifat e tepruara kudo ju shkoni dhe mbi të gjitha, ju do t’i përjetoni gjërat siç janë.

6) Vendasit janë shumë miqësor dhe të këndshëm, mes të gjitha vendeve që kam vizituar në Europë, më pëlqen që njerëzit janë më të ngrohtë dhe të sinqertë. Ndryshe nga njerëzit në disa vende europiane të cilët japin një buzëqeshje si një valë e shpejtë. Ndonjëherë, ata madje të të thonë ‘’përshëndetje’’ dhe fillojnë të bisedojnë. Ky është vendi që unë ndihem më ‘’i mirëpritur’’ në Evropë, me të vërtetë!

7) Kuzhina e tyre lokale meriton një vëzhgim dhe këtë gjë e kam përjetuar në Shqipëri. Kam shijuar mishin dhe peshkun më të mirë dhe përbërësit më të freskët.

Ju duhet të provoni speca të mbushura, spinaq, byrek dhe verë shtëpie në Fishtë afër Lezhës, ku ju mund të shijoni disa ushqime të jashtëzakonshme tradicionale shqiptare përgatitur në mënyrë moderne.

8) Bujqësia është mjeshtëria e tyre – Vegjetarianë dhe ushqimorë, gëzohuni! Shqipëria është shtëpia e perimeve më të freskëta në Europë thjesht sepse është gjëja e tyre. Unë ju thashë për dashurinë në kafshatën e parë që unë kam përjetuar këtu dhe u largova nga kuzhina. Domate, qepë dhe hudhra dhe vetëm kjo e mori ushqimin në një nivel krejtësisht të ndryshëm. Çka më tepër nëse shtojnë xhenxhefil, patate dhe sallatë marule?

9) Është e sigurt – Personalisht, kurrë nuk kam pasur ndonjë përvojë të keqe me njerëzit këtu në Shqipëri. U ndjeva e sigurt kudo që shkuam dhe vendasit kanë qenë me të vërtetë simpatikë! Krahasuar me vendet e tjera europiane ku hajdutët e çantave janë gjithmonë në lëvizje, Shqipëria ka vetëm disa raste të kësaj natyre.

10) Është e lehtë për të shkuar në vende të tjera nga këtu. Përveç aeroportit ”Nënë Tereza” ata gjithashtu ndajnë kufirin me Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë dhe Greqinë. Këto vende janë lehtësisht të arritshme me makinë, autobus ose tren./ KultPlus.com

Kosova e Shqipëria shpalosin hulumtime për sfidat e nacionalizmit shqiptar nga Lidhja e Prizrenit deri sot

Në Institutin Albanologjik të Prishtinës ka filluar tryeza shkencore “Sfidat e nacionalizmit shqiptar nga Lidhja e Prizrenit e deri më ditët e sotme”.

Tetë studiues nga Kosova e Shqipëria do te shpalosin hulumtimet e tyre sa i përket rrethanave historike të shqiptarëve qysh prej vitit 1878 deri në ditët e sotme, raporton Koha Ditore.

Sipas organizatorëve, qëllimi i tryezës është që të dalin në pah rrethanat, mundësite e zgjedhjet e udhëheqësve shqiptare ndër vite./ KultPlus.com

Rritje e numrit të turistëve, Shqipëria lë pas vendet e rajonit

Shqipëria ka një potencial të madh ende të pashfrytëzuar, edhe pse sezoni turistik i këtij viti bëri të mundur rritjen e sektorit me gati 30%, një shifër kjo që lë pas vende të rajonit si Serbia, Mali i Zi, Maqedonia apo edhe Bullgaria, që kanë shifra nën 15%.

Kryeministri Rama i pranishëm në takimin me operatorë dhe kontribues të sezonit turistik, theksoi se shifrat e këtij sezoni konfirmojnë një rritje prej 30 % në gusht dhe shifrat e shtatorit tregojnë për një sezon si asnjëherë tjetër.

“Rritja e numrit të turistëve dhe të ardhurave nga turizmi janë domethënëse, nëse marrim parasysh rikthimin e disa destinacioneve që deri vjet konsideroheshin të papërshtatshme që nga Turqia, tek Egjipti e Tunizia”, – theksoi Kryeministri.

Ai shtoi se këtij fakti i shtohen shifrat që tregojnë për shtim në pesë vjet të numrit të turistëve nga 3,4 milionë në 6 milionë vizitorë, dhe 1 miliard në 2 miliardë euro nga turizmi, një ndikim në punësim me 30 mijë të punësuar në funksion të sezonit turistik, shkruan ata./ KultPlus.com

Kadare: Shqipëria i vetmi vend në Europë, që nuk ka një ngrehinë teatri, të denjë për këtë emër

Tashmë, për çështjen e Teatrit Kombëtar ekziston dhe një qëndrim i Kadaresë. Ai shkon krah gjykimit të Ramës mbi atë çfarë përfaqson ajo godinë, ndonëse si opinion është i pak viteve më parë.

“Dramaturgjia përbën pjesën më të papërfillshme në letrat shqipe. Nga ana e saj, jeta teatrale nuk ka shkëlqyer kurrë në këtë zonë të Ballkanit. Shqipëria është i vetmi vend në Europë, që nuk ka ende një ngrehinë teatri, të denjë për këtë emër.

Teatri Kombëtar i sotëm, ish-Teatri popullor i kohës së komunizmit, i cili quhej dikur kinema Kosova, nuk ka qenë veçse një ndërtesë e përkohshme, nga ato që ushtria italiane i përdorte për zbavitjen e trupave të saj.

Për një habi, që në pamje të parë ngjan e pashpjegueshme, faktorët proteatrorë në Shqipëri janë të barabartë me ata kundër teatrorë. Duket sikur nga përplasja e tyre nuk mund të kishim veçse këtë tokë të askujt…”, shkruan Kadare.

Ky qëndrim i tij i përket parathënies së veprës “Drama e një lideri”, kushtuar Mid’hat Frashërit, shkruar në vitin 2008.

Këto fjalë të Kadaresë që vijnë në kohën e një përplasjeje të madhe artistiko-politike për fatin e Teatrit Kombëtar, u “zbuluan” gjatë promovimit të serisë Vepra të Zgjedhura të Mid;hat Frashërit, ku i pranishëm ishte dhe vetë shkrimtari i njohur./ KultPlus.com

Ismail Kadare

UNILAD, Shqipëria destinacion turistik evropian

Shqipëria si destinacion evropian i cili ka shumë për t’u zbuluar dhe për t’u eksploruar, vazhdon të tërheqë vëmendjen e agjencive dhe web-siteve të huaja.

Vendi i shqiponjave po promovohet kudo në botë si një thesar që pret për t’u zbuluar dhe promovimi i saj edhe nga turistët e huaj ka bërë që vendi ynë të jetë në agjendën e vendeve turistike mjaft të pëlqyera, e cila ofron një turizëm gjithëvjetor dhe të larmishëm.

Së fundmi, një prej portaleve të njohura britanike, UNILAD ka shpërndarë një video që tregon vendet më të bukura të Shqipërisë që nga liqenet, deti dhe deri tek malet si një vend turistik plot ngjyra dhe mjaft i bukur, ku ndërthuret gjelbërimi dhe natyra e qetë, me majat e thepisura me bukuri të egër.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi është shprehur se, “kjo video e një prej portaleve të njohura britanike, UNILAD vlerëson bukuritë natyrore të Shqipërisë dhe fton turistët ta vizitojnë vendin tonë”.

Shqipëria tashmë është kthyer në një thesar vlerash dhe po eksplorohet përherë e më shumë nga turistët aventurierë që vizitojnë çdo cep të vendit tonë, duke ndërthurur argëtimin me bukuritë natyrore.

Media gjermane: Shqipëria, bukuria sekrete e Europës

Shqipëria është bukuria sekrete e Europës, shkruan faqja e njohur informative gjermane, nordbayern.de.

Gazetarë të specializuar në fushën e turizmit pohojnë bindshëm se ”Shqipëria, është padyshim bukuria sekrete e kontinentit europian”.

”Me gjithë egërsinë e saj, pasurinë e saj kulturore, pjesë e trashëgimisë botërore, bregdetin e mahnitshëm, alpet e thepisura dhe qytetet me arkitekturë greke, otomane dhe veneciane, Shqipëria është aventura e fundit e Europës”.

“Thënë ndryshe, bukuria sekrete e kontinentit europian”, shkruan nordbayern.de.

”Në industrinë e turizmit, vendi konsiderohet kryesisht si vend me turistë të brendshëm, por kjo nuk do të jetë e tillë për shumë kohë. Duam të jemi të ndershëm. Natyrisht, ne nuk do të kishim ardhur në Shqipëri, nëse fati nuk na kishte futur në një udhërrëfyes që dukej sikur ishte shpikur për ne”.

”Jorg Dauscher është gazetar dhe publicist i ‘Die Welt’, i cili ka studiuar në Universitetin e Tiranës gjatë kohës kur punonte në institutin ‘Gëte’ në Shqipëri. Ai ka shkruar edhe dy libra mbi Shqipërinë, ku shqiptarët përshkruhen si mikpritës dhe dashamirës”, vazhdon nordbayern.de.