Prej disa kohësh në kinematografinë botërore janë shtuar në masë akuzat për ngacmim seksual ndaj regjisorëve apo aktorëve të tjerë.
Kësisoj, për një gjë të tillë sa i përket kinematografisë shqiptare është pyetur edhe aktorja e madhe shqiptare, Tinka Kurti.
Çfarë ndodhte në kinematografinë shqiptare, a kishte ngacmime seksuale ndaj aktoreve?
“Absolutisht jo. Nuk guxonte askush. Flas për vete dhe për shoqet e mia. Gjatë gjithë karrierës, teatrale dhe kinematografike nuk kam dëgjuar diçka të tillë. Ne rrimin bashkë edhe 9 muaj në sheshxhirim, kur bënim filma. Se kishte dubla pafund. Nuk kishte ngacmime. Përkundrazi ne shkonim mirë. Argëtoheshim pafund. Nuk mund t`ia bëj kot diçka të tillë”, është shprehur ajo në një bisedë për TP./ KultPlus.com
Projekti gjigant që hap sezonin e ri operistik në TKOB, është opera “Carmen”, shkruan KultPlus.
Kjo shfaqje ndërthurë ekselencën shqiptare në botë me emra të mëdhenj të muzikës operistike shqiptare. “Carmen” vjen me regji të baritonit të njohur shqiptar Gëzim Myshketa e nën dirigjimin e Ricardo Casero.
Kjo operë që vjen premierë më 30 janar, sjellë në skenë aktoren Tinka Kurti, pastaj i ftuari special, koreografi me famë ndërkombëtare Gheorghe Iancu, të ftuar special janë edhe balerinët: Anbeta Toromani dhe Alesandro Macario ndërsa Carmen vjen nën interpretimin e Vikena Kamenica dhe Ivana Hoxha.
Mjeshtri Gheorghe Iancu do të jetë koreografi i trupës së baletit të TKOB. Ai sot ka mbërritur në Tiranë që t’i bashkohet stafit të operës “Carmen”. Inacu për dy vite radhazi nga viti 2008 drejtoi trupën e baletit të Operas Shtetërore të Bukureshtit.
Kjo shfaqje gjigante, vjen më 30 janar në Pallatin e Kongreseve me fillim nga ora 19:00. Pas premierës pasojnë edhe reprizat ku e para do të jetë menjëherë më 31 janar, 1, 2 dhe 3 shkurt./ KultPlus.com
Ikona e kinematografisë shqiptare, Tinka Kurti do të festojë datëlindjen e 85-të në Teatrin “Migjeni”, në Shkodër, shkruan KultPlus.
Me datën 17 dhjetor ajo do të festojë datëlindjen në këtë teatër ku edhe është rritur profesionalisht. Ajo pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Shkodër, ku edhe iu bashkua teatrit në moshë të re.
Ajo u ngjit për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 16 vjeç. Për disa vjet u aktivizua në teatrin amator në Shkodër. Më 1947 u përjashtua nga Liceu Artistik i Tiranës dhe nuk mori asnjëherë ndonjë diplomë shkolle, por kjo nuk e pengoi të bëhet një aktore e madhe dhe e shumë e kulturuar./ KultPlus.com
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur një delegacion të Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, të kryesuar nga kryetarja Zenepe Luka.
Presidenti Thaçi i ka falënderuar përfaqësueset e delegacionit për vizitën në Kosovë dhe u ka shprehur mirënjohje për të arriturat secilës anëtare në fushat përkatëse.
“Ky fondacion tregon më së miri për marrëdhëniet e lira kulturore që sot mund të zhvillohen në mbarë hapësirat e banuara me shqiptarë”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ndërsa, Kryetarja e Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, Zenepe Luka, duke folur për aktivitetin e këtij fondacioni, ka thënë se janë munduar gjithnjë të promovojnë kontributin e gjithanshëm të gruas shqiptare në fushën e kulturës, shkencës, artit dhe shoqërisë.
“Fondacioni ka degë të shumta në mbarë trojet shqiptare”, ka thënë ajo.
Për kontributin e tyre në kuadër të këtij fondacioni, aktoret Tinka Kurti dhe Margarita Xhepa, si dhe kryetaren e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, Zenepe Luka, presidenti Thaçi i ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave./ KultPlus.com
Tinka Kurti mbetet ndër ato aktore të cilat nuk i janë dorëzuar lehtë ligjit të natyrës.
Aktorja e njohur shqiptare, me një karrierë që shtrihet në më shumë se pesë dekada, gjithmonë ka ditur të mahnitë publikun shqiptar dhe atë ballkanik me rolet e saj.
E lindur në Bosnje, nga një baba shqiptar dhe nënë hungareze, ajo e kaloi një pjesë të mirë të fëmijërisë e rinisë në Shkodër, aty ku edhe ka xhiruar disa filma.
“Nuk i frikësohem plakjes, madje as vdekjes. I frikësohem pleqërisë së trurit, dhe kur të vije ai moment do të jem dyfish e vdekur. Ja pse dua të punoj” thotë Tinka Kurti.
“Bota”, “Etjet e Kosovës”, “Zemra e nënës”, “Si gjithë të tjerët” janë disa prej roleve ndër vite që Tinka i solli me mjeshtërinë që e karakterizon, me karizmën prej një gruaje të fuqishme që mund ta përqafojë secilin skenar që është i denjë për të.
“Jam shumë kritike ndaj vetes për rolet që kam lozur ndër vite, dhe prandaj të thashë dhe pak më lart se nuk i shikoj filmat” pati thënë Tinka në një intervistë të mëhershme të sajën.
Të jesh e veçantë si Tinka Kurti, po, është e vështirë. Ende e gatshme të lexojë libra, të analizojë përreth saj, Tinka Kurti është aktore që nuk e ka secili shtet. Një fshat në Shqipëri, fshati Lekbibaj, ka një shkollë e cila është emëruar me emrin e saj.
“Lexoj shumë, nuk ngopem duke lexuar. Sa herë që ka dhe panaire libri shkoj, madje i falënderoj shumë se dhe na dhurojnë libra” pohon artistja shqiptare e cila ka marrë edhe medalje shtetërore për karrierën e saj.
Dhe ndoshta nuk e keni ditur, por Tinka ishte vetëm 16 vjeçare kur nisi karrierën në teatër, aty ku nuk ka reshtur së shkëlqyeri. Që nga viti 1949 ajo ka luajtur në rreth 120 drama, numër ky i madh në bagazhin artistik të aktores.
Ajo ishte aktore në filmin e parë shqiptar me metrazh të gjatë – “Tana”. Tinka Kurti ka marrë çmime të shumta, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe në ato të teatrit. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës.
Po, të jesh e vecantë si Tinka Kurti është e vështirë, por ajo është një grua e rritur në një frymë plot pozitivitet dhe po këtë virtyt ajo e reflekton edhe sot në moshë më të shtyrë. / KultPlus.com