Dritëro Agolli: Poetët dridheshin para Vaçe Zelës

KultPlus ju sjellë fjalët që i kishte thënë poeti Dritëro Agolli kur kishte marrë lajmin se këngëtarja shumë e dashur për publikun shqiptar, Vaçe Zela, kishte vdekur.

Për poetin Dritëro Agolli, Vaçe Zela nuk ka vdekur, por do të kthehet në një flutur e cila do të fluturojë kudo përmes këngës së saj.

“Tingujt e këngëve të saj kanë hyrë në thërrmijat e tokës sonë, por dhe në fëshfërimën e fletëve të pemëve, të kopshteve, kanë hyrë në grumbullimat e përrenjve dhe valët e lumenjve. Kështu që ajo jeton përherë në këtë popull, do të jetojë edhe në brezat e tjerë që do të vijnë. Ajo është një pemë që nuk do të thahet kurrë. Gjithmonë ajo do të lulëzojë dhe do të bëjë fruta dhe fruti është kënga”, do të shprehej Dritëro Agolli.

https://www.youtube.com/watch?v=kYD5dtQjGNY

“Ajo edhe në diktaturë ka qenë yll i këngës sonë. Në atë kohë ajo u rrit si këngëtare, u bë këngëtare e vërtetë, këngëtare me kitarë. Pak kemi ne vajza edhe me kitarë edhe më këngë. Ajo ishte shumë kërkuese në çdo këngë që i bënin kompozitorët dhe në çdo varg që i shkruanin poetët. Edhe poetët tanë dridheshin para saj kur bënin vargjet. Incizimet e këngëve të saj duhet të ripërsëriten, të freskohen. Tani ka teknika që të bëhen këto pasi ç ’është e vërteta i kemi lënë mënjanë. Këngët e saj këndohen, por zëri i saj pak është ndjerë”, shkruan panorama.com.al se ka thënë Agolli. / KultPlus.com

Dy ikonat e muzikës shqiptare në një fotografi (FOTO)

Vaçe Zela dhe Nexhmije Pagarusha përbëjnë dy nga emrat më të njohur sa i përket muzikës shqiptare, shkruan KultPlus.

Ndër vite ato i kanë sjellë publikut magji me interpretimet e zërave të tyre të veçantë. Këngët e tyre dëgjohen e përjetohen edhe sot me ndjesinë e njëjte, sikur në interpretimet e para të këngëtareve.

Sot KultPlus ju sjellë një fotografi të përbashkët të këtyre dy këngëtareve të mëdha shqiptare./
KultPlus.com

Sot në 79 vjetorin e lindjes së këngëtares Vaçe Zela

Shkruan Albert Vataj

Vaçe Zela ishte dhe mbeti emblemë e këngës shqiptare. Vokali i saj i jashtëzakonshëm, ai zë që i’u thurën legjenda, kujtesa dhe nostalgjia e gjeneratave e njohu si një mit. Vaçe Zela mishëronte përfytyrimin më konkret të asaj çka ne kërkonim si në eter të përmbushte atë shpirt të etur për magjiken e këngës. Këndoi gjithçka, dhe kudo la vulën e një personaliteti të papërsëritshëm, që komunikoi me tërë arsenalin e mundshëm të ndjenjave, prej të cilave do të veçoja atë çka përbën thelbin e shpirtit të saj: dhimbjen njerëzore. Arritjet e saja udhëtuan me kohën për tu shndërruar në model frymëzimi dhe inspirimi. Zëri dhe repertori i pasur që la trashëgim vijojnë të mbeten gurë shndritës në xhërdanin e traditës shqiptare të këngës.

Vaçe Zela u lind në Lushnjë më 7 prill 1939 dhe vdiq në Bazel, Zvicër, më 6 shkurt 2014. Vaçe Zela ishte një nga këngëtaret ikonë e skenës shqiptare. Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën Fëmija i parë, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Fituese 12 herë e festivalit, Vaçja fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli Artist i Merituar në vitin 1973 dhe Artist i Popullit në vitin 1977. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Ajo ishte e martuar me Pjetër Rodiqin dhe së bashku ata kanë vajzën Irma. Që nga viti 2002 Zela ka jetuar me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor.
Vace Zela ne festivalin e Kenges ne Radio TelevizionAjo është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.

Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj./ KultPlus.com

Vaçe Zela kishte fituar njëmbëdhjetë herë çmimin e parë në Festivalin e RTSH-së

Festivali i Muzikës në Shqipëri,që viteve të fundit e dërgon këtë shtet edhe në Eurovizion, edicionin e parë e kishte nisur në vitin 1962, dhe sivjet ka shënuar edicionin e 56-të, shkruan KultPlus.

Po në këtë festival, në bazë të historikut të fituesve nëpër edicione të ndryshme, vendin e parë e mbanë këngëtarja e famshme Vaçe Zela, e cila nëpër vite të ndryshme ishte shpërblyer plotë njëmbëdhjetë herë me çmimin e parë.

Cmimin e parë e kishte fituar në vitin 1962, me këngën “Fëmija i parë”, më pas po kësaj këngëtare i është dhënë çmimi i parë për këngën “Sot jam 20 vjeç”, sikurse që i është dhënë edhe për këngën “Dritaren kërkoj”.

“Shqiponja e lirë”, “Këngë për Shkurte Vatën” “Mësuesit hero” janë këngët që janë shpërblyer për tri vite me radhë, 66,67 dhe 68, këngë që ishin interpretuar po nga kjo këngëtare.
Pastaj me këngën “Mesnatë” është shpërblyer në vitin 1970, “Gjurmët e arta” në vitin 1973. Në vitet pasuese 76, 77 poashtu ka dalë fituese me këngët: Nënë moj do të pres gërshetin dhe Gonxhe në pemën e lirisë”. Kurse fitorja e saj e fundit në këtë festival është shënuar në vitin 1980 me këngën “Shoqet tona ilegale”. Vaçe Zelan kishte lindur më 7 prill të vitit 1939 dhe ka vdekur më 6 shkurt të vitit 2014./KultPlus.com

“Po ku ka si ti, o Shqipëria ime” (VIDEO)

Një nga dy këngët që fitoi çmimin e dytë në festivalin e 19-të të Këngës në RTSH.

Kjo këngën erdhi në dhjetor të vitit 1980 përmes zëri të mrekullueshëm të Vaçe Zelës, shkruan KultPlus.

Po ku ka si ti, o Shqipëria ime,
Moj fisnikja përmbi gur.
Rrjedh në këngë e ligjërime,
ballëlarta me flamur…/ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=kYD5dtQjGNY

“Fëmija i parë” i Vaçe Zelës, kënga që qëndron thellë në kujtesën e adhuruesve (VIDEO)

Ikona e muzikës shqipe Vaçe Zela, edhe pse fizikisht nuk ndodhet më në mesin e adhuruesve të saj, zëri i saj ende vazhdon të kumbojë mes tyre.

KultPlus, sot po e kujton Vaçe Zelën, dhe këngën e saj “Fëmija i parë”.

Kjo këngë u këndua në edicionin e parë të Festivalit të Këngës në RTSH, në vitin 1962. Është kompozuar nga Abdulla Grimci me tekst të Dionis Bubanit.

Në atë edicion nuk u dha asnjë çmim i parë, morën çmim të dytë “Këndoj”, “Lule të bukura sjellë pranvera” dhe “Vashëzo”. Ndërsa çmimi i tretë i takoi “Fëmija i parë dhe “Mos më qorto”./ KultPlus.com

Anita Take dhe Vaçe Zela në një fotografi të rrallë

Një foto e rrallë e Anita Takes dhe Vaçe Zelës në Moskë gjatë viteve të 1950-ta. Fotografia është marrë nga faqja Albanian Vintage Photography, pople, cities, kulture and histori, ndërsa KultPlus, po e sjellë si foto lajmin e ditës së sotme./ KultPlus.com

Aurela Gaçe rrëfen takimin me ikonën e skenës Vaçe Zela: Një kujtim i shtrenjtë

“Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë”, ishte shprehur shkrimtari Dritëro Agolli për këtë artiste shqiptare, shkruan KultPlus.

Por, figurën e saj, e kujtojnë e vlerësojnë të gjithë ata që e njohën, dëgjuan e jetuan me muzikën e saj.

Vaçe Zela, e cila ka ndërruar jetë vite më parë, do të qëndrojë gjithmonë në memorien e publikut me hitet e saj të pavdekshme si ‘Rrjedh në këngë e ligjërime’, ‘Lemza’, ‘Vals i lumturisë’, ‘Moj e bukura Shqipëri’ etj.

Por, për takimin me ikonën e muzikës shqipe ka rrëfyer edhe këngëtarja Aurela Gace, e cila ka treguar rreth emocioneve që ka ndierë në ato momente.

“Një kujtim i shtrenjtë. U hutova aq shumë kur e takova . Emocionet ishin aq të forta sa nuk haja dot asnjë copë nga keku që më ofroi…. Vaçe Zela, dëgjoj zërin e saj dhe them “sa me fat jemi që e kishim një zë-shpirt-art-magji-si i saji” . Mund të ishte artiste e një kombi tjetër , por ja që është e jona. Histori. Krenari. Sigurisht nuk ishte thjesht zëri i saj që e bëri të pavdekshme. Një zë i veshur me shpirt, me zgjuarsi, me ndjenjë, me vizion të qartë në atë që thoshte e këndonte …fuqia e magjia që kishte për të të rrënqethur, ishte dhe është e njëjtë”, ka shkruar Aurela Gace në Instagram. / KultPlus.com

Nexhmije Pagarusha: Nuk i ka kënduar kurrkush këngët e mia

Për herë të parë, Nexhmije Pagarusha në Tiranë shkon në vitin 1971. Pak vonë për këngëtaren shqiptare por megjithatë kjo ishte koha kur rrethanat e mundësuan një udhëtim të tillë.

“Atëherë kur hapen pakëz rrugët, kur takohet me këngëtarë në zë të asaj kohe, sidomos me Vace Zelën, me të cilën thotë se e lidhin shumë gjëra të përbashkëta, se kanë shumë ngjashmëri shpirti” tregon Nexhmija kur flet për këtë përvojë në librin e shkruar nga Sanije Gashi – “Ecje nëpër kujtesë”, shkruan KultPlus.

“Me vetë paraqitjen e saj në skenë, Vaçja ka pasur diçka madhështore, ka qenë një mrekulli. Kur e kam parë së afërmi- kam menduar – s’ka krijesë më të bukur, me fjalët që fliste, me atë pasurinë shpirtërore. Fatkeqësisht, nuk kemi mundur të rrinim gjatë së bashku, se, siç e dimë, ishte kohë pa kohë. E kam vizituar edhe në Zvicër, kisha takuar edhe Luçie Milotin, edhe Fitnete Rexhën, tani që të dyja të ndjera. Fitnetja ka qenë një shpirt i madh, këngëtare e madhe, por ka pasur një jetë të rëndë, gjithë vuajtje… Po më vjen mirë që sot këngët e Vaçes po i këndojnë të gjithë këngëtarët. Se, ka pasur vërtet, repertor të pasur! Unë kam një repertor shumë të larmishëm, por s`i ka kënduar kurrkush këngët e mia, nuk e di c`është puna, ndoshta pse nuk kam CD, pse nuk më kanë dëgjuar shumë, veç “Bareshës” e cila ka qenë në long play, e incizuar shumë herët nga Lidhja Turistike e Kosovës (Botim i Beogradit) dhe më vonë, në një audiokasetë të botuar në Shtëpinë e kasetave në Prishtinë, para shumë vjetësh. Përzgjedhjen e atyre këngëve e kanë pas bërë ata të radios, natyrisht që nuk më ka pas pëlqyer, por edhe ka qenë ndaluar shitja e saj! Eh” tregon Nexhmija në një pjesë të bisedës së saj realizuar brenda librit.

Marrë nga “Ecje nëpër kujtesë” – Sanije Gashi.

Çka thanë për njëra tjetrën Nexhmije Pagarusha dhe Vaçe Zela?

Nuk mund të dalin asnjëherë në peshore, sepse të dyja janë figura që kanë hyrë në historinë e kulturës dhe artit shqiptar.

Njëra me zërin e saj madhështor dhe tjetra me vokalin e saj hyjnor, Nexhmije Pagarusha dhe Vaçe Zela ndër vite i kanë dhënë shikuesit shqiptar emocione të fuqishme, rrahje zemre të forta dhe këngë e performanca gati gati teatrore të cilat vështirë se mund të përsëriten.

Për njëra tjetrën, të dyja kanë thënë fjalët më të mira, lavdet që e çojnë në piedestal njëra tjetrën.
“Nexhmija është një këngëtare e madhe dhe unë kam përjetuar kënaqësinë kur e kam parë për herë të parë në skenën tonë. Ishte një grua e bukur, me një dinjitet të plotë artistik” ka thënë dikur Vaçe Zela për Nexhmije Pagarushën, shkruan KultPlus.

“Ajo ndiente nevojë të madhe shpirtërore të këndonte para spektatorit tonë. Atëherë, te Nexhmija pashë një emocion që e kam vërejtur herë pas here te vetja ime. Zëri i saj ishte një vokal në një lirizëm të ëmbël, kishte shumë kolorit popullor, amtar. Ajo kishte një zemër shumë të madhe dhe unë personalisht e vlerësoj këtë virtyt njerëzor” citohet Vaçe Zela kur përmend talentin e madh të Nexhmijes.

Por edhe Nexhmija – Bilbili i Këngës Shqipe, nuk është kursyer kur ka folur për mënyrën e këndimit të Vaçes.
“Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se tek Vaçe Zela” thotë Nexhmija kur pyetet për Vaçen.

https://www.youtube.com/watch?v=kYD5dtQjGNY

“Nuk di çtë them me fjalë se çka ka qenë ajo në shpirtin tim, në jetën time. Si këngëtare, për mua ka qenë krejt diçka tjetër” është shprehur Nexhmije Pagarusha kur ka marrë lajmin për vdekjen e Vaçe Zelës. / KultPlus.com