Qeveria e Holandës kundër liberalizimit: Kosova e zhytur në korrupsion

Qeveria e Holandës ka konstatuar se Kosova është e zhytur thellë në korrupsion, dhe si rezultat i kësaj thonë se e kundërshtojnë liberalizimin e vizave. Sipas MPJ-së së këtij shtetit, Kosova vuan nga një nivel i lartë i korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Të njëjtët kanë thënë se në Këshill nuk ka përkrahje të mjaftueshme që Kosovës t’i liberalizohen vizat, shkruan Schengenvisainfo.com.

Ministria theksoi gjithashtu se “liberalizimi i vizave është një proces teknik, që udhëhiqet nga standardet, në të cilin një vend duhet të përmbushë të gjitha parakushtet përpara se Këshilli të vendosë të heqë vizat”.

 Këtë qëndrim për liberalizimin e vizave Holanda e mban për vite me radhë, duke u shndërruar kështu në një prej vendeve skeptike.

Liberalizimin e vizave nuk e përkrah ende as Franca e Emmanuel Macron, duke thënë se ende s’janë plotësuar kushtet./Express/ KultPlus.com

Edhe artistët pjesë e letrës së hapur dërguar Bashkimit Evropian për heqjen e vizave

Emra të njohur të shoqërisë civile dhe mediave iu janë drejtuar me anë të një letre Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian me anë së cilës kanë kërkuar që të miratojnë vendimin për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. Kësaj kërkese i janë bashkangjitur edhe artistë, shkruan KultPlus.

Për: Komisionin Evropian, Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Bashkimit Evropian

Letër e hapur nga shoqëria civile e Kosovës

Të nderuar komisionerë, europarlamentarë dhe ministra të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian,
Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Evropë që nuk e gëzojnë të drejtën e lirisë së lëvizjes brenda Zonës së Schengenit.
Ka kaluar një dekadë, që kur vendi ynë i është nënshtruar reformave dhe plotësimit të kushteve specifike në kuadër të procesit të liberalizimit.
Mijëra studentë, personalitete të suksesshme të artit, kulturës, sportit ende duhet t’i nënshtrohen regjimit të vizave, që kufizon qëndrimin për një afat të përcaktuar kohor. Familje të tëra nuk kanë mundësi të vizitojnë familjet e tyre, vende e qytete.
Po ashtu, nuk kanë mundësi të njihen me vlerat kulturore europiane, ndërsa në teori i mësojnë fëmijët e tyre se perspektiva e Kosovës është në Bashkimin Evropian.
Shumë pak të rinj të Kosovës kanë pasur fatin të shohin ndonjë shtet evropian, ngaqë edhe vizitat studimore janë projekte vështirë të realizueshme për shkak të regjimit të ashpër të vizave.
Në Kosovë ekziston perceptimi se BE-ja ka parashtruar kërkesa të veçanta dhe është duke e diskriminuar Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave. Kemi kaluar nëpër një bllokadë politike për tre vjet radhazi për shkak të çështjes së demarkimit të kufirit me Malin e Zi, kriter ky i vendosur gjatë procesit të liberalizimit. Kjo çështje, përveç se ka polarizuar skenën politike, ka ndarë edhe qytetarët, ka rritur pasigurinë dhe besimin e qytetarëve ndaj partive politike kosovare dhe autoriteteve të Brukselit. Me gjithë ndjeshmërinë e lartë të kësaj çështjeje ne kemi gjetur modalitetin e aprovimit të Marrëveshjes së Demarkacionit, meqë ka qenë kriter i kërkuar specifikisht për liberalizimin e vizave.
Tani, të nderuar europarlamentarë dhe ministra të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, ju jeni para marrjes së vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ne, si shoqëri civile e Kosovës, ju bëjmë thirrje që të merrni vendim PËR liberalizimin e vizave për Kosovën, ndër të tjera, për këto arsye:
1. Qytetarët e Kosovës janë të vetmit, nga i gjithë rajoni, ndaj të cilëve aplikohet regjimi i vizave Shengen, me gjithë vullnetin tonë shoqëror që kemi për procesin e integrimeve europiane.
2. Si shoqëri jemi duke humbur shanse të mëdha për transformim të bazuar në modele evropiane për shkak se jemi të privuar nga mundësia që të shkëmbejmë përvoja me qytetarët e shteteve anëtare të BE-së.
3. Kemi konstatuar se izolimi i të rinjve ka qenë faktor shtytës për përfshirje në organizata radikale e ekstremiste, sidomos ato me bazë në Lindjen e Mesme.
4. Dhe, më e rëndësishmja, ne mendojmë se Kosova ka plotësuar kriteret e matshme të dala nga procesi i liberalizimit të vizave.
Presim që raporti final vlerësues për liberalizimin e vizave të jetë pozitiv dhe i bëjmë thirrje Parlamentit Evropian, Këshillit të Ministrave dhe veçanërisht shteteve anëtare të BE-së që të votojnë në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Mbështesim synimin e BE-së për të vendosur kontroll në rrjedhën e migracionit dhe për të futur mekanizmat për pezullimin e liberalizimit të vizave, ashtu siç është i aplikueshëm për shtetet e tjera. Konsiderojmë se Kosova nuk përbën një rrezik migrimi për BE-në.
Duke marrë parasysh se Bashkimi Evropian do të mbajë zgjedhjet në fillim të vitit të ardhshëm, shpresojmë shumë që ky vendim të merret në qershor të këtij viti, me qëllim që qytetarët – mbajtësit e pasaportave biometrike të Kosovës – të gëzojnë të drejtën e udhëtimeve afatshkurtra dhe pa viza në Zonën e Schengenit.
Çdo shtyrje eventuale e vendimit të Këshillit për liberalizimin e vizave do të dëmtojë rëndë ambicien e shoqërisë kosovare për integrim europian dhe do të përjetohet gjerësisht si diskriminim ndaj qytetarëve të Kosovës edhe në raport me rajonin.
Prandaj, të nderuar europarlamentarë dhe ministra të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, u bëjmë thirrje shteteve anëtare të BE-së që ta miratojnë vendimin sa më parë që të jetë teknikisht e mundur dhe të vendosin PËR liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Deklarata është përkrahur nga:
Adriatik Kelmendi, Publicist
Arijana Qosja, Aktiviste e Sh.C.
Artan Demhasaj, Aktivist i Sh.C.
Astrit Gashi, Publicist.
Berat Buzhala, Publicist.
Dastid Pallaska, Avokat.
Dushan Radakovic, Aktivist i Sh.C.
Eliza Hoxha, Artiste.
Fadil Vokrri, President tek FFK.
Fahredin Spahija, Fotograf.
Igballe Rugova, Aktiviste e Sh.C.
Imer Mushkolaj, Publicist.
Ismet Kryeziu, Aktivist i Sh.C.
Jehona Lushaku, Politologe
Jeton Neziraj, Rexhisor .
Kushtrim Sadiku, Gazetar.
Lulzim Peci, Aktivist i Sh.C.
Majlinda Kelmendi, Xhudiste, fituese e Lojërave Olimpike.
Oda Haliti, Artiste.
Petrit Zogaj, Aktivist i Sh.C.
Sibel Halimi, Sociologe.
Uta Ibrahimi, Alpiniste e Kosovës – FBAK.
Zake Prelvukaj, Artiste./KultPlus.com

Vizat bëhen shkak që Kosova të mos paraqitet në një festival rumun

Shfaqja e Qendrës Multimedia “Një shfaqje teatri me katër aktorë…”, e cila është dashur të jepet sot, me datë 21 maj në ora 17:00, në Teatrin Hungarez në Timisoara të Rumanisë, si pjesë e festivalit TESZT – Euroregional Theatre Festival Timișoara, është anuluar.

Fatkeqësisht, siç thuhet në njoftim, një pjesë e ekipit të shfaqjes nuk ia doli që t’i siguroj vizat për të udhëtuar në Rumani.

“Këto dy muajt e fundit, stafi i Qendrës Multimedia kemi qenë në një përpjekje shumëfrontëshe për të siguruar vizat për krejt ekipin, por përpjekjet tona janë ndeshur me burokracinë dhe trajtimin poshtërues të disa prej ambasadave Evropiane në Kosovë. Jam i shokuar nga fakti se mbas krejt këtyre prezentimeve ndërkombëtare (mbi 100 sosh) të shfaqjeve tona, regjimi i vizave Schengen për artistët tanë është bërë më rigjid, më i egër dhe më jo-dashamirës. E provuar në lëkurën tonë, dhe jo vetëm këto dy muaj, por përgjatë krejt këtyre viteve të fundit, zona e Schengenit, për ne është shndërruar në një zonë të “fashizmit të butë”, me të cilin birokracia rregullative evropiane e konvertuar në “viza Schengen” shtypë, keqtrajton dhe poshtëron”, thuhet në njoftim.

Paradoksalisht, thuhet tutje, por para dhjetë ditësh, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë më ndau mirënjohjen “Evropiani i vitit”, për “promovimin e ideve dhe vlerave Evropiane”.

“Dhe ja, dhjetë ditë pas, mua dhe ekipit të shfaqjes na u pamundësua udhëtimi në Rumani. Dhe prandaj, po pyes, nëse këto “vlera e ide Evropiane” përfshijnë edhe këtë qasje raciste e poshtëruese që disa prej ambsadave të shteteve të EU-së në Kosovë kanë ndaj nesh kosovarëve? Sepse, atëherë më me dëshirë do të rrija pa këtë kurorë ‘evropiane’, atëherë më me dëshirë do të rrija artist që përpiqet dhe lufton kundër rregullave që shtypin të voglin, të pafuqishmin, të ndryshmin, artist që është kundër privilegjeve të disa qytetarë evropian në kurriz të disa të tjerëve ‘jo-evropian’”, thuhet në komunikatën dërguar nga Jeton Neziraj.

Kjo është hera e dytë që një shfaqje e Qendrës Multimedia pamundësohet të jepet jashtë Kosove. Para disa vitesh, autoritetet kineze patën anuluar vizat për ekipin Kosovar, dhe pjesmarrja e trupës kosovare në festivalin Shanghai International Experimental Theatre Festival (SIETF) qe pamundësuar.

“Sot ndërsa është hera e dytë që na pamundësohet të japim shfaqjen tonë, sërish si rezulltat i komplikimeve birokratike e politike me viza. Por përderisa herën e parë, komplikimet dhe anulimi i shfaqjes kishin njëfar kuptimi “logjik”, duke e pasur parasyshë që Kina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, pamundësinë e pjesmarrjes tonë në një festival Evropian e shohim me shumë shqetësim. Evropa dhe zona e saj e schengenit dhanë sot një shembull të vogël (por domethënës) se, kur jan në pyetje kosovarët, me Kinën i ndanë vetëm gjeografia:, thuhet në fund. / KultPlus.com