Presidentja Osmani priti Koordinatorin e ri të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, Stephen O’Malley

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Koordinatorin e ri të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, z. Stephen O’Malley.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani e uroi z. O’Malley për roli i tij të ri dhe i dëshiroi sukses gjatë mandatit që nis. Ajo gjithashtu shprehu mirënjohje për kontributin e Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, të cilat, në bashkëpunim me institucionet vendore, kanë ndihmuar në arritjen e objektivave të përbashkëta.

Mes fushave kryesore që u diskutuan përfshihen:

Fuqizimi i të drejtave të njeriut, me fokus te personat me nevoja të veçanta

Barazia gjinore dhe Agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik

Projekte të tjera strategjike me rëndësi për zhvillimin e vendit

Takimi nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes institucioneve të Kosovës dhe OKB-së për të avancuar qëllimet e përbashkëta për një shoqëri më të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse./KultPlus.com

Presidentja Osmani priti Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur dje në takim Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi se Kosova ka një nga sistemet më të avancuara në Evropë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe se vendi mbetet i përkushtuar ndaj garantimit të të drejtave të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie, feje apo përkatësie tjetër, përcjellë KultPlus.

Presidentja gjithashtu përmendi punën e përditshme të Presidencës përmes Këshillit Konsultativ për Komunitete, që bashkëpunon me përfaqësuesit e komuniteteve jo-shumicë për të adresuar shqetësimet e tyre dhe për të gjetur zgjidhje konkrete. Ajo ritheksoi rëndësinë e fuqizimit të qytetarëve, avancimit të standardeve demokratike dhe promovimit të diversitetit si vlerë të shoqërisë.

Osmani rikujtoi se Kushtetuta e Kosovës, e bazuar mbi standardet më të avancuara demokratike, ofron mekanizma të fuqishëm për mbrojtjen e identitetit kulturor, gjuhësor dhe fetar të komuniteteve, duke e bërë Kosovën shembull të demokracisë gjithëpërfshirëse.

Gjithashtu, Presidentja dhe z. Kamp diskutuan për rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes institucioneve të Kosovës dhe OSBE-së, përmes programeve që synojnë forcimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, ku Kosova ka shfaqur progres të qëndrueshëm./KultPlus.com

Kurti: 1584 persona ende të zhdukur, Serbia vazhdon të mohojë krimet

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, kryeministri Albin Kurti, së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit Dimal Basha, u përkulën para monumentit kushtuar të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Kurti tha se ende 1584 qytetarë të Kosovës mungojnë, ndërsa theksoi se institucionet e vendit janë të angazhuara në zbardhjen e fatit të tyre. Ai bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar janë kryer gërmime në 23 lokacione, ndërsa këtë vit janë realizuar 18 aktivitete kërkimore, transmeton KultPlus.

Sipas tij, Serbia vazhdon të pengojë procesin. “Në Kozhle nuk kanë filluar gërmimet, ndërsa në Batajnicë nuk janë rifilluar, edhe pse kanë kaluar dy vjet nga Marrëveshja e Brukselit dhe Deklarata për këtë çështje”, tha Kurti.

Ai shtoi se mohimi i drejtësisë për viktimat po shoqërohet me mohimin e krimeve të kryera nga Serbia, ndërsa falënderoi partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen profesionale dhe teknologjike në kërkime. Kurti u bëri thirrje aleatëve që të ushtrojnë më shumë presion mbi Beogradin, pasi “e vërteta dhe përgjegjësia për gjenocidin mbi shqiptarët e Kosovës ndodhen në arkivat e Serbisë”./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Mbështesim ndërtimin e urave të reja mbi Ibër, kërkojmë heqjen urgjente të masave ndaj Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të dërguarin e posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, ambasadorin René Troccaz, me të cilin diskutoi mbi zhvillimet politike në vend, sigurinë rajonale dhe proceset integruese të Kosovës.

Në fjalën e saj, Presidentja Osmani ritheksoi orientimin strategjik të Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe përkushtimin për Këshillin e Evropës, duke nënvizuar se reformat, sundimi i ligjit dhe përputhja me standardet evropiane mbeten prioritetet kryesore të institucioneve.

Një pjesë e diskutimit u përqendrua tek urat mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Presidentja u shpreh se mirëpret ndërtimin e një ure të re dhe hapjen e urës kryesore, duke i cilësuar ato si ura integrimi, bashkimi dhe lëvizjeje të lirë për qytetarët. Ajo theksoi se pengesat nuk janë vetë urat, por strukturat kriminale të mbështetura nga Serbia, të cilat kanë krijuar frikë e tensione për dekada me radhë.

Sa i përket masave kufizuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, Presidentja Osmani i quajti ato “të padrejta dhe të dëmshme”, pasi sipas saj, ndikojnë drejtpërdrejt në qytetarët, zhvillimin demokratik dhe kredibilitetin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja.

Në përfundim të takimit, Presidentja riafirmoi se Kosova do të mbetet një partner i besueshëm në forcimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Procesi i konstituimit të Kuvendit po zhbllokohet, shpresoj për votimin e Qeverisë së re sa më parë

Presidentja e Republikës së Kosovës ka mirëpritur zhvillimet e fundit në procesin e konstituimit të Kuvendit, duke theksuar se ky hap po shënon një zhbllokim të situatës institucionale në vend.

Ajo ka uruar punë të mbarë dhe në interes të Kosovës kryetarit të ri të Kuvendit, Dimal Basha, si dhe nënkryetarëve të zgjedhur: Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku, Kujtim Shala dhe Emilija Redžepi, përcjellë KultPlus.

Në reagimin e saj, Presidentja theksoi se pret që ky proces të përmbyllet sa më shpejt dhe në përputhje me Kushtetutën e vendit. Ajo shtoi gjithashtu se pret që Kuvendi të procedojë me votimin e Qeverisë së re, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, duke respektuar vullnetin e qytetarëve.

Ky zhvillim vjen pas javësh diskutimesh dhe bllokadash politike rreth konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve të reja. Me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, pritet që hapat e radhës të përqendrohen në formimin e Qeverisë së re, si një proces i domosdoshëm për ecjen përpara të vendit./KultPlus.com

Osmani takohet me presidentin e Austrisë: Diskutime miqësore mbi forcimin e marrëdhënieve me një nga aleatët më të fortë të popullit tonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar sot me presidentin e Austrisë, Alexander Van der Bellen, si dhe Zonjën e Parë, Doris Schmidauer, përcjell KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Osmani tha se në këtë takim diskutuan për forcimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve.

Në vijim, KultPlus ua sjel postimin e presidentes Osmani:

Me Presidentin e Austrisë, Alexander Van der Bellen, si dhe Zonjën e Parë, Doris Schmidauer, në Alpbach-un e bukur.

Diskutime miqësore mbi forcimin e marrëdhënieve me Austrinë, një nga aleatët më të fortë të popullit tonë./KultPlus.com

Presidentja Osmani me të rinjtë shqiptarë në Alpbach: Një gjeneratë që nuk njeh kufij

Në një pasdite të mbushur me energji pozitive në zemër të Alpeve austriake, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me të rinjtë shqiptarë pjesëmarrës në Forumin Evropian Alpbach, një prej ngjarjeve më prestigjioze ndërkombëtare që bashkon liderë të rinj, akademikë dhe vendimmarrës nga e gjithë bota.

Përmes një postimi, Presidentja u shpreh e frymëzuar nga përkushtimi dhe pasioni i të rinjve shqiptarë që po ndjekin forumin, duke i cilësuar ata si “një gjeneratë që nuk njeh kufij”.

“Pasdite e bukur në zemër të Alpeve austriake, mes të rinjve të jashtëzakonshëm shqiptarë në Forumin Evropian Alpbach. Të gjithë kanë një të përbashkët: dashurinë për vendin dhe vendosmërinë për ta bërë Kosovën më të mirë,” ka shkruar Osmani./KultPlus.com

Presidentja Osmani në Forumin Alpbach: Kosova, zë i fuqishëm për paqe dhe vlera demokratike në Evropë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në Forumin Evropian të Alpbach-ut në Austri, ku është takuar me të rinj e të reja nga mbarë Evropa, të cilët konsiderohen si udhëheqësit e ardhshëm të kontinentit.

Në këtë bashkëbisedim frymëzues, Presidentja Osmani foli për rolin aktiv të Kosovës në promovimin e paqes dhe sigurisë, si dhe për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit transatlantik.

“Diskutuam për rolin e Kosovës si kontribuese aktive për paqe e siguri, për rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik, si dhe për rikthimin e Evropës tek forca jonë më e madhe: mbrojtja e vlerave demokratike. Jo vetëm në fjalë, por në veprim. Me guximin për të qëndruar krah atyre që i mbrojnë këto vlera dhe për t’i hapur dyert Kosovës dhe shteteve të tjera që punojnë me përkushtim për to”, u shpreh Osmani.e

Presidentja u bëri thirrje vendeve evropiane që të qëndrojnë krah atyre që mbrojnë këto vlera dhe të hapin dyert për Kosovën dhe shtetet e tjera që punojnë me përkushtim për të njëjtat parime./KultPlus.com

Takim Osmani-Reiffenstuel: Forcimi i marrëdhënieve Kosovë-Gjermani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel. Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, me fokus të veçantë tek procesi i konstitutimit të parlamentit.

Presidentja Osmani vuri theksin te forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimi ekonomik, si dhe fuqizimi i pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ajo konfirmoi gatishmërinë për bashkëpunim të thellë me Qeverinë e Kancelarit Merz dhe vlerësoi rolin jetik të Gjermanisë në mbrojtjen e vlerave demokratike, unitetit transatlantik dhe sigurisë evropiane, transmeton KultPlus.

Osmani nënvizoi se Gjermania mbetet shtyllë strategjike për Kosovën në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe avancimin e rrugës euroatlantike të vendit. Ajo kërkoi mbështetjen e vazhdueshme të Berlinit për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës, duke përfshirë anëtarësimin në Këshillin e Evropës, si dhe përforcimin e institucioneve demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Presidentja theksoi nevojën për qartësi strategjike, afate të përcaktuara dhe objektiva konkrete, duke insistuar se normalizimi duhet të nënkuptojë njohjen reciproke dhe respektimin e integritetit territorial të Kosovës.

Gjithashtu, Osmani foli për rëndësinë e largimit të masave të padrejta dhe rolin e mundshëm të Gjermanisë në këtë drejtim.

Në përfundim të takimit u diskutua edhe për mënyrat konkrete të bashkëpunimit bilateral, duke theksuar se takime të tilla dhe vizita të nivelit të lartë kontribuojnë në realizimin e objektivave të përbashkëta për paqe dhe stabilitet në rajon./KultPlus

Presidentja Osmani: DokuFest shndërron Prizrenin në kryeqendrën kulturore dhe të ideve të reja

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar ndikimin e jashtëzakonshëm që DokuFest ka në qytetin e Prizrenit, duke e kthyer atë në një nga qendrat më të rëndësishme kulturore dhe artistike në rajon.

Në një postim të fundit, Osmani e përshkroi këtë festival si një përvojë të mrekullueshme, ku bashkohen historitë që frymëzojnë dhe njerëzit që e bëjnë artin pjesë të jetës së tyre të përditshme. Sipas saj, DokuFest nuk është vetëm një festival filmi, por një hapësirë ku kultura, arti dhe idetë e reja takohen dhe ndikojnë në zhvillimin e shoqërisë.

Ky festival ndërkombëtar, i cili sjell në Prizren artistë, kineastë dhe krijues nga e gjithë bota, është bërë një platformë e fuqishme për promovimin e filmit dokumentar dhe diskutimeve kulturore, duke rritur edhe më shumë vlerën dhe rëndësinë e Prizrenit si qytet multikulturor dhe historik.

Përmes DokuFest, qytetarët dhe vizitorët kanë mundësinë të ndjekin filma me tematika të ndryshme, të marrin pjesë në punëtori, panele dhe debate që sjellin ide dhe perspektiva të reja, duke nxitur dialogun dhe bashkëpunimin artistik në një mjedis kreativ dhe stimuluese.

Presidentja Osmani falënderoi organizatorët, artistët dhe komunitetin lokal për përkushtimin në zhvillimin e këtij festivali, duke e cilësuar atë si një gur themeli të rëndësishëm të kulturës së Kosovës dhe rajonit./KultPlus.com

Presidentja Osmani pret në takim Anu Prattipati: SHBA mbetet aleat kyç për zhvillimin dhe integrimin e Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati, për të diskutuar mbi thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zhvillimet më të fundit politike dhe ekonomike në vend.

Në takim, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të veçantë për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve, duke veçuar mesazhin e fundit nga Presidenti Donald Trump, i cili në letrën e tij theksoi partneritetin e fortë me Kosovën.

“Jemi të përkushtuar të punojmë ngushtë me SHBA-në në avancimin e objektivave tona strategjike të përbashkëta,” deklaroi Osmani, duke theksuar rëndësinë e aleancës transatlantike për zhvillimin demokratik të vendit.

Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar ishte vazhdimi i Kompaktit të MCC-së, për të cilin Presidentja u informua nga Zëvendëssekretari amerikan Christopher Landau. Osmani e cilësoi këtë si një hap thelbësor në mbështetjen e zhvillimit afatgjatë të sektorit të energjisë dhe digjitalizimit të Kosovës.

Gjatë takimit, u trajtuan gjithashtu zhvillimet e fundit politike, me fokus në procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, si dhe nevoja për të vazhduar hapat konkretë në drejtim të bashkëpunimit në fusha strategjike me interes të përbashkët.

Takimi konfirmoi edhe një herë se Shtetet e Bashkuara mbeten një partner i pazëvendësueshëm për Kosovën, në rrugën e saj drejt stabilitetit, integrimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm./KultPlus.com

Presidentja Osmani publikon letrën e plotë që pranoi nga Donald Trump

Presidentja e Republikës së Kosovës ka shprehur falënderimin e saj të sinqertë ndaj Donald J. Trump për përkrahjen e vazhdueshme dhe për fjalët e fuqishme që ai ka dhënë në mbështetje të partneritetit mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke publikuar kështu edhe letrën e plotë që pranoi nga Trump, i cili ndër të tjera i drejtohet Osmanit me “mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara”.

Në falënderimin që publikoi në llogarinë e saj në Facebook, Vjosa Osmani, theksoi edhe rëndësinë jetike të marrëdhënieve me SHBA-të, duke e quajtur aleancën me Uashingtonin një shtyllë kyçe për paqen, zhvillimin dhe sigurinë në rajon. Presidentja ritheksoi përkushtimin e saj për të forcuar më tej këtë partneritet strategjik:

“Mbetem e përkushtuar të punojmë së bashku me Presidentin Trump për ta thelluar edhe më tej aleancën tonë në vitet që vijnë.”

Ky falënderim mirënjohjeje dhe publikimi i letrës së Trump, vijnë në një kohë kur bashkëpunimi mes Kosovës dhe SHBA-ve mbetet më i rëndësishëm se kurrë, si në fushën e sigurisë, ashtu edhe në atë të zhvillimit ekonomik dhe integrimit ndërkombëtar të vendit.

Mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara, veçanërisht nga figura të larta politike si Donald Trump, konsiderohet si një element kyç në avancimin e interesave të Kosovës në skenën globale./KultPlus.com

Osmani pas takimit me Peter Sørensen: Procesi i drejtë i dialogut, kyç për paqen në rajon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Peter Sørensen, me të cilin ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.

Ajo theksoi se një proces i drejtë dhe i paanshëm i dialogut, me objektiva të qarta, është thelbësor për paqen dhe stabilitetin në rajon. Në takim u trajtua gjithashtu rëndësia e avancimit të integrimit evropian të Kosovës, si dhe nevoja për heqjen e masave të padrejta të vendosura ndaj qytetarëve të saj.

Presidentja Osmani ngriti edhe shqetësimin për arrestimet arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë, duke i cilësuar si shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe pengesë për normalizimin e marrëdhënieve.

Takimi vjen në një kohë kur tensionet në rajon mbeten të larta dhe Bashkimi Evropian po kërkon rifillimin e dialogut me angazhim të shtuar nga të dy palët./KultPlus.com

Deklaratë e Presidentes Osmani për thirrjet anrishqiptare në ndeshjen Maqedoni e Veriut – Rumani

Thirrjet antishqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes në Kumanovë janë të papranueshme dhe cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, që duhet të jenë themel i çdo shoqërie demokratike me aspirata evropiane. Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre si dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër.  

Edhe më shqetësues mbetet fakti që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtëse e përjashtuese, duke lënë hapësirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe harmoninë që vendi synon të ndërtojë në rrugën e tij drejt familjes evropiane. Sporti duhet të jetë mjet bashkimi, jo platformë për ideologji të errëta që ngjallin kujtime të dhimbshme dhe kërcënojnë paqen.  

U bëjmë thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme kundër organizatorëve të këtyre thirrjeve, përgjegjësve dhe atyre që nxisin e përhapin urrejtje, duke dënuar çdo formë të gjuhës së urrejtjes , mbrojtur parimet e bashkëjetesës dhe tolerancës, si vlera bazë të një shteti që synon integrimin në BE. Republika e Kosovës do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë./ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Sunny Hill Festival, një ëndërr që vendosi Kosovën në hartën kulturore globale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar lart Sunny Hill Festival, duke e cilësuar si një rrëfim suksesi që e ka kthyer një ëndërr në realitet.

“Një ëndërr që nisi me dashurinë për vendin dhe u kthye në një nga ngjarjet më frymëzuese që e vendos Kosovën në qendër të hartës kulturore globale”, shkruan Osmani në një postim në rrjetet sociale, transmeton KultPlus.

Ajo falënderoi Dua Lipën për vizionin dhe guximin që e bëri këtë ngjarje realitet, si dhe ekipin e festivalit për punën e palodhshme çdo vit.

“Përmes muzikës, pasionit dhe energjisë së rinisë – Kosova po shkëlqen. Po tregon se edhe nga një vend i vogël, mund të lindin gjëra të mëdha”, u shpreh Presidentja, duke theksuar rolin e festivalit në promovimin e imazhit të Kosovës në botë.

Sunny Hill Festival ka kthyer Prishtinën në një epiqendër të muzikës moderne, duke sjellë artistë të njohur ndërkombëtarë dhe mijëra vizitorë nga brenda dhe jashtë vendit./KultPlus.com

Presidentja Osmani pret zyrtarin amerikan: Bashkëpunimi me SHBA-të, prioritet strategjik

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur sot në një takim zyrtar Zv. Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes së SHBA-ve, David A. Baker.

Në një postim në rrjete sociale, Osmani theksoi rëndësinë e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara, duke u shprehur se kur Amerika qëndron përkrah Kosovës, vendi është më i fortë, më i sigurt dhe më i zhvilluar, transmeton KultPlus.

Ajo ritheksoi përkushtimin e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-të në fushën e mbrojtjes, përfshirë edhe industrinë e mbrojtjes, të cilën e vlerësoi si një mundësi me përfitime të ndërsjella.

Presidentja theksoi gjithashtu se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet një objektiv strategjik, ndërsa nënvizoi se mbështetja amerikane në këtë proces është thelbësore./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Dyert e Presidencës do të jenë gjithmonë të hapura për mërgatën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përcjellë një mesazh të ngrohtë për mërgatën shqiptare, duke theksuar rëndësinë dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për vendin.

Përmes një postimi të shkurtër, Osmani shkroi:
“Dyert e Presidencës do të jenë përherë të hapura për mërgatën tonë të jashtëzakonshme! Faleminderit”, transmeton KultPlus.

Ky mesazh vjen në kohën kur mërgata shqiptare po qëndron masivisht në vendlindje gjatë muajve të verës, duke sjellë jo vetëm përkrahje ekonomike, por edhe energji e gjallëri në jetën sociale e kulturore të Kosovës.

Presidentja ka qenë vazhdimisht një zë i fortë në mbështetje të mërgatës, duke e cilësuar atë si një shtyllë të fuqishme të zhvillimit dhe promovimit të vendit në arenën ndërkombëtare./KultPlus.com

SHBA miraton vazhdimin e programit MCC për Kosovën

Pas takimeve të zhvilluara në Washington D.C., është konfirmuar zyrtarisht nga Zv. Sekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau, se Administrata Trump ka miratuar vazhdimin e programit të Kompaktit të MCC-së (Millennium Challenge Corporation) për Kosovën.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani shprehet se ky vendim pritet të ketë ndikim të madh transformues në sektorin e energjisë si dhe në zhvillimin ekonomik të vendit, përcjellë KultPlus.

Programi i MCC-së synon të përmirësojë infrastrukturën energjetike dhe të krijojë kushte më të favorshme për rritjen e qëndrueshme ekonomike. Lajmi është pritur me entuziazëm në Kosovë dhe konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës./KultPlus.com

Presidentja Osmani pret Ramë Lahajn dhe yjet e Festivalit Ndërkombëtar të Operës në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim tenorin e mirënjohur ndërkombëtar, Ramë Lahaj, së bashku me yjet e operës botërore që po marrin pjesë në edicionin e pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Ramë Lahaj”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në Kosovë dhe rajon.

Në këtë takim solemn, Presidentja Osmani ka mirëpritur edhe artistët e ftuar special të këtij edicioni, përfshirë Ramón Vargas, një nga tenorët më të shquar të skenës operistike botërore, Anita Rachvelishvili, mezzosopranoja me famë ndërkombëtare nga Gjeorgjia, si dhe dirigjentin Besmir Vokopola, i njohur për bashkëpunimet e tij me institucione prestigjioze të muzikës klasike.

Presidentja Osmani ka vlerësuar lart kontributin e Ramë Lahajt në promovimin e Kosovës përmes artit dhe kulturës, duke theksuar rolin e tij si ambasador kulturor në skenat më të mëdha të operës në botë. Ajo gjithashtu ka përgëzuar përkushtimin e tij për të sjellë artistë të kalibrit ndërkombëtar në Prishtinë dhe për të ngritur standardet e artit operistik në vend.

“Festivali ‘Rame Lahaj’ tashmë është bërë një ngjarje kulturore me dimension evropian, që i jep Kosovës një vend të merituar në hartën ndërkombëtare të muzikës klasike,” – u shpreh Presidentja Osmani.
Festivali, i cili këtë vit po zhvillon edicionin e tij të pestë, ka arritur të bëhet një platformë elitare për bashkëpunim artistik dhe përfaqësim të denjë të kulturës kosovare në botë./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Policia e Kosovës është fortifikata e sigurisë në çdo pëllëmbë të vendit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur nderimin dhe mirënjohjen më të thellë për 24 pjesëtarët e Policisë së Kosovës që kanë rënë në krye të detyrës, duke i cilësuar ata si heronj të vërtetë që me guximin dhe përkushtimin e tyre mbrojtën jetën, lirinë dhe sovranitetin e vendit.

Në mesazhin e saj, Presidentja Osmani ka veçuar emrat e Afrim Bunjakut dhe Enver Zymerit, duke thënë se ata janë “heronj të ditëve të sotme” që i treguan botës se Kosova nuk përkulet përballë askujt. Ajo theksoi se bashkë me ta kujtohen edhe 22 policë të tjerë, emrat e të cilëve do të mbeten përjetësisht në kujtesën e kombit.

“Ata nuk zgjodhën rrugën më të lehtë, por rrugën e nderit, betimit dhe zotimit për atdhe!”, u shpreh Osmani, duke theksuar se sakrifica e tyre është burim krenarie dhe frymëzimi për çdo pjesëtar të Policisë së Kosovës sot.

Presidentja gjithashtu vlerësoi përkushtimin e mijëra grave dhe burrave që shërbejnë çdo ditë në radhët e Policisë së Kosovës, duke mbrojtur vendin me kurajë, përgjegjësi dhe dashuri për Republikën. Sipas saj, në kohë paqeje apo tensioni, në veri apo në jug, Policia e Kosovës mbetet “fortifikata e sigurisë” në çdo cep të territorit.

“Lavdi përjetë të rënëve në krye të detyrës! Faleminderit Policisë sonë, e cila vazhdon ta mbrojë atdheun me besnikëri!”, u shpreh Osmani në fund.

Presidentja Osmani nderon Adem Demaçin: “Simbol i qëndresës dhe zëri i të pambrojturve”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar sot figurën e Adem Demaçit në një mesazh përplot vlerësim e mirënjohje për kontributin e tij në kauzën kombëtare dhe për lirinë e popullit shqiptar.

Në deklaratën e saj, Presidentja Osmani e quajti Demaçin “simbol të qëndresës, disident të pathyeshëm dhe zë të të pambrojturve”. Ajo tha se ai ishte një njeri i lirë edhe kur ndodhej prapa grilave dhe se përkundër vuajtjeve, ai predikoi paqen, pajtimin dhe guximin për të thënë të vërtetën.

“Adem Demaçi sakrifikoi lirinë e tij individuale për lirinë kolektive të popullit të tij. Emri i tij do të jetojë sa vetë liria”, theksoi Osmani.

Në fund të mesazhit të saj, Presidentja nderoi kujtimin e tij me fjalët: “Qoftë i përjetshëm kujtimi për Bacën Adem!”

Adem Demaçi, i njohur si “Mandela i Ballkanit”, mbetet një nga figurat më të respektuara të historisë së re të Kosovës, për kontributin e tij si disident politik dhe luftëtar për të drejtat e njeriut./KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadoren e Sllovenisë, Minca Benedejčič

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim lamtumirës ambasadoren e Republikës së Sllovenisë në Kosovë, znj. Minca Benedejčič, me rastin e përfundimit të mandatit të saj diplomatik në vendin tonë.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen më të thellë për kontributin e çmuar të ambasadores Benedejčič në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, si dhe për përkushtimin e saj në thellimin e bashkëpunimit bilateral në fusha të ndryshme.

Gjatë mandatit të Ambasadore Benedejčič, janë realizuar vizita të shumta të nivelit të lartë ndërmjet dy shteteve, të cilat kanë forcuar më tej raportet ndërshtetërore, duke reflektuar miqësinë dhe solidaritetin e ndërsjellë që karakterizon marrëdhëniet ndërmjet popullit të Kosovës dhe atij slloven.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani vlerësoi rolin e Sllovenisë në mbështetje të Kosovës, që nga periudhat më të vështira historike e deri sot përmes mbështetjes në përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian, NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Duke e falënderuar për bashkëpunimin e shkëlqyer gjatë mandatit të saj, Presidentja Osmani i uroi znj. Benedejčič suksese në angazhimet e mëtejme./KultPlus.com

Presidentja Osmani për koncertin e Armend Rexhepagiqit: Një natë magjike e mbushur me emocion dhe nostalgji

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas koncertit të mbajtur nga artisti i njohur Armend Rexhepagiqi, duke e quajtur ngjarjen një natë të paharrueshme që bashkoi emocionin, kujtimin dhe dashurinë për muzikën.

“Në një koncert magjik, ku emocioni, kujtimi dhe dashuria për muzikën u bashkuan në një natë të paharrueshme,” – shkruan Osmani, duke vlerësuar thellësisht ndikimin që artisti ka pasur në breza të tërë.

Ajo e përshkroi Rexhepagiqin si një artist me zë që “sfidon kohën” dhe një shpirt që “rrëmben zemrat e shumë gjeneratave”, duke e cilësuar performancën si një udhëtim ndërmjet nostalgjisë dhe freskisë së krijimeve të reja.

“Faleminderit, Armend, për çdo akord që na bëri të ndiejmë emocion e nostalgi dhe për krijimtarinë që sfidon kohën!” – përfundon mesazhin e saj Presidentja Osmani./KultPlus.com

Presidentja Osmani nderon Epopenë e Rahovecit: “Përulemi me nderim para sakrificës së dëshmorëve dhe martirëve”

Në përvjetorin e Epopesë së Rahovecit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nderuar me respekt të thellë sakrificën e dëshmorëve të UÇK-së dhe martirëve të lirisë, të cilët ranë gjatë luftimeve dhe krimeve të kryera nga forcat serbe në korrik të vitit 1998.

Nga 17 deri më 26 korrik të atij viti, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë ekzekutuan rreth 100 civilë, përfshirë gra, fëmijë dhe pleq. Shumë prej tyre ishin të strehuar në teqenë e Sheh Myhedinit në Rahovec dhe në zonat përreth.

“Rahoveci është plagë, dhimbje, por edhe kujtesë që na frymëzon ta çojmë përpara betejën për drejtësi,” u shpreh Presidentja Osmani në mesazhin e saj përkujtimor.

Ajo theksoi se kujtimi për viktimat është i përjetshëm dhe se zëri për drejtësi nuk do të ndalet derisa ajo të triumfojë.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për dëshmorët e UÇK-së dhe martirët e lirisë!”, përfundon mesazhi i Presidentes Osmani.

Epopeja e Rahovecit mbetet një prej ngjarjeve më të dhimbshme dhe njëherësh më të rëndësishme të historisë së rezistencës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi./KultPlus.com