Presidentja Osmani: Kosova dhe Kroacia e kuptojnë dhe përkrahin njëra-tjetrën pa kushte

Presidentja Vjosa Osmani po qëndron në Kroaci, e cila ka realizuar takim me presidentin kroat Milanovic, shkruan KultPlus.

Pas takimit me të parin e shtetit kroat, presidentja Osmani është shprehur të jetë falënderuese për mbështetjen e shtetit kroat që ka për Kosovën, duke përfshirë edhe mbështetjen e fundit të Kosovës, përgjatë ballafaqimit me pasojat e agresionit të Serbisë.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e presidentes.

Kosova dhe Kroacia e kuptojnë dhe përkrahin njëra-tjetrën pa kushte.

Jemi me fat që kemi një aleat të tillë në krah, që na qëndron pranë në kohë të mira e në kohë të vështira. Kjo përkrahje po dëshmohet edhe këto ditë teksa Kosova po ballafaqohet me pasojat e aktit të agresionit të Serbisë.

President Milanović, faleminderit për mikpritjen dhe mbështetjen ndaj Kosovës! 🇽🇰🇭🇷./ KultPlus.com

Osmani: Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për mbështetjen e Komisionit Evropian

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Osmani potencoi se tani Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për mbështetjen e Komisionit Evropian.

“Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për mbështetjen e Komisionit Evropian, ndërkohë që po përballemi me sfida të paprecedentë”, shkroi Osmani në platformën X. /KultPlus.com

Osmani takohet me aleatë e partnerë të Kosovës, diskuton për sigurinë në vend pas sulmit terrorist në Veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së fundi po qëndron në Spanjë ku edhe është takuar me aleatë dhe partner të Kosovës.

Në takimet e krerëve shtetërorë, Osmani ka diskutuar edhe për sigurinë e Kosovës pas sulmit terrorist në veri të Kosovës nga forcat kriminale serbe.

“Diskutime të rëndësishme me aleatë dhe partnerë të Kosovës rreth situatës së sigurisë pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë, si dhe për fuqizimin e aleancave tona në përballje me sfidat aktuale.”, ka shkruar presidentja Osmani në faqen zyrtare në Facebok./KultPlus.com

Osmani në Spanjë përfaqëson Kosovën në samitin e tretë të Komunitetit Politik Evropian

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është në udhëtim për në Granada të Spanjës, ku do të përfaqësojë Kosovën në samitin e tretë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), shkruan KultPlus.

Kjo ngjarje e rëndësishme, e organizuar me ftesën e Presidentit të Këshillit të Bashkimi Evropian, Charles Michel, dhe Kryeministrit të Spanjës, Pedro Sanchez, ka për qëllim nxitjen e dialogut politik dhe forcimin e bashkëpunimit për të adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.

Samiti i EPC-së pritet të mblidhë krerë shtetesh nga 47 vende të kontinentit evropian, si dhe liderët e institucioneve evropiane. Qëllimi kryesor i kësaj ngjarjeje është të përmirësojë bashkëpunimin ndërmjet vendeve evropiane për të siguruar një Evropë më të qëndrueshme, e pasur dhe më gjeostrategjike.

Presidentja Osmani do të marrë pjesë në sesionet kryesore të samitit, ku do të diskutohet për sfidat që i pret Evropën në fushën e sigurisë dhe stabilitetit. Ajo gjithashtu do të zhvillojë takime të veçanta me liderët evropianë për të informuar ata mbi agresionin e Serbisë kundër Kosovës dhe për të diskutuar mënyrat e thellimit të bashkëpunimit për tejkalimin e këtyre sfidave të përbashkëta.

Para liderëve evropianë, Presidentja Osmani pritet të përçojë mesazhin e përkushtimit të palëkundur të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për paqe, stabilitet dhe siguri në vend dhe rajon. Kjo prezantim i Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare është një shenjë e qëndrueshmërisë dhe përkushtimit të vendit në promovimin e paqes dhe bashkëpunimit në Evropë. /KultPlus.com

Pas sulmit në veri, Osmani takohet me ambasadorin turk Angılı

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, shkruan KultPlus.

Në dritën e zhvillimeve të fundit në rajonin verior të vendit, pas një sulmi terrorist dhe agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës, Osmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me shtetet aleate dhe koordinimin e institucioneve të sigurisë për të parandaluar përsëritjen e akteve të tilla.

Sipas presidentes Osmani, institucionet e Republikës së Kosovës janë plotësisht të përkushtuara për menaxhimin e situatës aktuale dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

Gjatë takimit me ambasadoren Angılı, presidenti Osmani theksoi edhe përkushtimin e Kosovës për forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe intensifikimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme me Turqinë. /KultPlus.com

Presidentja Osmani në pritjen e Presidentit Biden: Themelet e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës janë në aleancën e përhershme me SHBA-të

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.

Në një bashkëbisedim të ngrohtë me Presidentin Biden, Presidentja Osmani ka theksuar se në themelet e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës është aleanca e përhershme me SHBA-të.

Rrjedhimisht, në këtë kontekst, ka përsëritur qëndrimin se partneriteti me Amerikën është ekzistencial, i pacenueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Presidentja poashtu pati mundësinë ta njoftojë Presidentin Biden për zhvillimet e fundit dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova.

Pas këtij bashkëbisedimi, Presidentja Osmani theksoi se ka marrë garanca të fuqishme nga Presidenti Biden për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj Kosovës. Presidentja Osmani ka falënderuar Presidentin Biden për ndihmën, të cilën në vazhdimësi e japin SHBA-të për Kosovën në rrugën e saj drejt stabilitetit dhe zhvillimit. / KultPlus.com

Presidentja Osmani mori pjesë në shënimin e 10- vjetorit të Grave Lidere në Politikë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet Sesioni i 78 i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, mori pjesë në një ceremoni në të cilën u shënua 10 vjetori i Grave Lidere në Politikë.

Në një adresim para grave tjera lidere, Presidentja Osmani foli për angazhimin dhe rolin e shquar të grave në epoka të ndryshme të historisë së zhvillimit të vendit. Ajo theksoi se Kosova, në 15 vjetët e pavarësisë së saj, shquhet për lidership të grave në politikë, teksa potencoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe rrjetëzimit të vazhdueshëm me qëllim të fuqizimit të grave në jetën publike.

Presidentja Osmani në adresimin e saj, theksoi se Kosova po dëshmohet si vend lider në udhëheqjen e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe potencoi se fuqizimi i grave në fushën e sigurisë, si dhe në fusha të tjera, është mundësia më e mirë për ta avancuar shoqërinë në tërësi. / KultPlus.com

Presidentja Osmani merr pjesë në takimin e liderëve të rajonit në Procesin Brdo-Brione që mbahet në Shkup

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Republikën e Maqedonisë së Veriut për të marrë pjesë në takimin vjetor të krerëve të shteteve të rajonit në kuadër të Procesit të Brdo-Brione.

 Në sesionin e përbashkët me liderë të rajonit, Presidentja Osmani do ta mbajë fjalim, ndërkaq më pas do të zhvillojë takime bilaterale me krerët e disa shteteve pjesëmarrëse.

 Takimi i Brdo-Brione është ngjarje vjetore multilaterale në të cilën takohen presidentët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe të Sllovenisë dhe Kroacisë, e ku fokusi kryesor është në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe anëtarësimin e rajonit në BE.

Temat qendrore të takimit të sivjetem janë përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në BE, luftimi dhe zvogëlimi i pasojave nga ndryshimet klimatike në rajon, si dhe krijimi i kushteve për qëndrimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor.

Procesi i Brdo-Brione është një nismë rajonale e bashkëthemeluar nga presidentët slloven dhe kroat në vitin 2010.

Gjatë qëndrimit të Maqedoninë e Veriut, Presidentja Osmani, krahas presidentit Stevo Pendarovski dhe atij të Shqipërisë, Bajram Begaj do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të bustit të Shën Terezës në hapësirën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup./ KultPlus.com

Presidentja Osmani solidarizohet me popullin maroken pas tërmetit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, iu ka uruar forcë e shërim të gjithë të prekurve nga tërmeti shkatërrues në Marok.

E para e shtetit iu shprehu ngushëllime të gjithë familjeve që humbën më të dashurit e tyre sot.

“Populli i Kosovës solidarizohet me popullin e Marokut në këtë kohë tragjike”, shkroi Osmani.

Kujtojmë se Maroku është goditur nga një tërmet 6.8 shkallë të Rihterit, i cili i la të vdekur 820 persona ndërsa të paktën 672 persona u lënduan, duke përfshirë 205 të cilët janë në gjendje të rëndë. / KultPlus.com

Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, Vjosa Osmani: Triumf i jashtëzakonshëm i sportit kosovar

Kosova do të jetë nikoçire e Lojërave Mesdhetare 2030, përcjell KultPlus.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, nëpërmjet një postimi në Facebook e përgëzoi Komitetin Olimpik të Kosovës dhe të gjitha institucionet e angazhuara në këtë arritje.

Në vijim gjeni postimin e plotë të presidentes Osmani:

Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare 2030 duke i hapur dyert për 26 shtete nga tri kontinente dhe afër 5 mijë sportistë.

Përgëzime për Komitetin Olimpik të Kosovës dhe të gjitha institucionet e Kosovës të angazhuara në këtë arritje të madhe.

Pa dyshim se Lojërat Mesdhetare do të jenë frymëzim për shumë të rinj e të reja, si dhe për sportistët kosovarë që të prekin majat e suksesit!/KultPlus.com

Osmani: Lidhja e Kosovës me NATO-n, është e përjetshme

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot në takim nga Sekretari i Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në selinë qendrore të NATO-s. Takimi trajtoi zhvillimet e sigurisë ne vend dhe çështje të ndryshme të interesit të përbashkët, si dhe nevojën për vazhdim dhe thellim të bashkëpunimit.

Në takim, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të NATO-s, për lirinë dhe sigurinë e popullit të Kosovës, si dhe ruajtjes së paqes në rajon. Në këtë frymë, Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e palëkundur të institucioneve të Kosovës për ta vazhduar bashkëpunimin me aleatët tanë në NATO dhe misionin e KFOR-it në përpjekjet e përbashkëta për paqe dhe siguri afatgjate.

Në takim u diskutua edhe për sfidat e sigurisë me të cilat po përballet rajoni dhe kontinenti ynë si rezultat i agresionit së Rusisë kundër Ukrainës dhe popullit të saj, përfshirë këtu edhe përpjekjet destabilizuese përmes satelitëve të saj në rajonin tonë. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani theksoi se Kosova vazhdon të qëndrojë në anën e drejtë të historisë, duke bashkërenduar politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me aleatët e saj, dhe duke mbështetur popullin e Ukrainës.

Në lidhje me zhvillimet e fundit të sigurisë në rajon, përfshirë edhe sulmet e dhunshme në veri të vendit nga grupet kriminale të mbështetura nga Beogradi kundër forcave të NATO-s, Policisë së Kosovës, qytetarëve e gazetarëve, Presidentja theksoi nevojën për përgjegjësi për këto sulme për ta parandaluar përsëritjen e tyre, ndërsa theksoi se Serbia përmes përpjekjeve të saj destabilizuese vazhdon edhe frikësimin dhe kërcënimin kundër qytetarëve serb të Kosovës, përfshirë edhe zyrtarët policor serbë të Policisë së Kosovës dhe institucioneve tjera.

Për sa i përket anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe përfshirjen në Programin e Partneritetit për Paqen, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë strategjike në këtë drejtim. Ajo bëri thirrje për kreativitet dhe fleksibilitet për ta lehtësuar integrimin e Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqen, si vlerë e shtuar drejt anëtarësimit të plotë në NATO.

Në përfundim, Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës ndaj paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit me NATO-n dhe aleatët e saj. Ajo theksoi nevojën për përpjekjet e përbashkëta për t’i adresuar sfidat e sigurisë në rajon dhe për ta siguruar një të ardhme të sigurtë për Kosovën dhe rajonin në përgjithësi. /KultPlus.com

Osmani: Porti i Durrësit kursen kohën dhe koston e bizneseve kosovare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së dytë të vizitës shtetërore që po zhvillon në Shqipëri, ka qëndruar edhe në qytetin e Durrësit, shkruan KultPlus.

Gjatë takimit me kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako tema e diskutimit ka qenë për sezonin turistik, si dhe mundësitë e bashkëpunimit me komunat e Kosovës.

Presidenca njoftoi se presidentja Osmani dhe kryetarja Sako kanë vizituar Pikën Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, me ç`rast kanë takuar drejtorin e Doganave të Kosovës, Agron Llugaliu dhe homologun e tij nga Shqipëria, Genti Gazheli.

“Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e përdorimit të këtij Porti nga ana e bizneseve kosovare. Sipas saj, Kjo Zyrë kursen kohën dhe koston, sikurse edhe e lehtëson operimin e bizneseve kosovare në tregjet ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Nga presidenca njoftuan gjithashtu përmes komunikatës zyrtare se të dy drejtorët e doganave kanë prezantuar bilancin e shkarkimit të mallërave nga Kosova në këtë Port dhe mundësive për përdorim më të shumtë të tij në këtë funksion. /KultPlus.com

Mbillet bredhi i Nënë Terezës në oborrin e Presidencës së Kosovës

Presidentja Osmani bashkë me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve- Shkup mbollën bredhin e Nënë Terezës në oborrin e Presidencës së Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Nënë Terezës”, bashkë me drejtorin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve- Shkup, Skënder Asani dhe biografin e Nënës Terezë, Don Lush Gjergji, sot në oborrin e Presidencës së Kosovës, në kujtim të Shën Terezës,  mbollën bredhin me farat e bredhit të shkatërruar të Nënë Terezës.


“Ky bredh, i mbjellë sot, simbolizon dëshminë e veprës së Nënë Terezës në shërbim të njerëzimit, vullnetin e saj për t’i shërbyer atij. Nënë Tereza gjeti gjithmonë forcë që dhimbjen e saj, të popullit të saj dhe të të gjithë të vuajturve ta kthejë në dashuri për njerëzimin, në vepër të përvuajtur në shërbim të të varfërve, madje, sikur thoshte vetë, në shërbim të më të varfërve ndër të varfrit”, tha presidentja Osmani.

“Ndërkaq, drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, Skënder Asani, tha se bredhi dedikuar Nënë Terezës simbolizon lidhjen mes njerëzve, popujve e vendeve. Shembulli i saj në shërbim të njerëzimit është modeli më i vyer, të cilin ne mund ta njohim”, thuhet në njoftim.

Osmani: I urojmë popullit të guximshëm të Ukrainës Gëzuar Ditën e Pavarësisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar popullin e Ukrainës për ditën e pavarësisë, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Twitter”, Osmani ka thënë se populli ukrainas ka mbetur i pathyer edhe pas një pushtimi që po përpiqet ta bëjë Rusia.

“Zemra e një kombi rreh brenda popullit të tij dhe në mes të hijeve të një lufte gjenocidale, shpirti i ukrainasve mbetet i pathyer.

Nga një tokë e forcës, demokracisë dhe shpresës në tjetrën, i urojmë popullit të guximshëm të Ukrainës Gëzuar Ditën e Pavarësisë! 🇽🇰🇺🇦”, thuhet në postimin e Osmanit. /KultPlus.com

Presidentja Osmani viziton Ulpianën pas zbulimit të shkrimit monumental: Çdo gërmim zbulon fragmente të qytetërimit tonë të lashtë

Presidentja e vendit Vjosa Osmani, pas zbulimit historik ka vizituar Lokalitetin Arkeologjik Ulpiana, meqë rast ka thënë se çdo gërmim në Ulpianë zbulon thesare të fshehura të kaluarës tonë si dhe zbulon fragmente të qytetërimit tonë të lashtë, shkruan KultPlus.

Presidentja Osmani thënë po ashtu se këto zbulime janë evidenca të rëndësishme për historinë e Dardanisë dhe dardanëve gjatë Antikitetit të vonë-Mesjetës së hershme.

“Ulpiana është një udhëtim nëpër kohë që zbulon thesaret e fshehura të së kaluarës sonë. Çdo gërmim zbulon fragmente të qytetërimit tonë të lashtë.

Nga Mbretëria e Dardanisë e deri te Perandori Justinian janë shekuj të trashëgimisë sonë të prekshme, e cila ndërlidhë të tashmen tonë me të kaluarën e largët.

Zbulimet e fundit në Ulpianë (Justiniana Secunda), paraqesin evidenca të rëndësishme për historinë e Dardanisë dhe dardanëve gjatë Antikitetit të vonë-Mesjetës së hershme”, thuhet në postimin e presidentes në facebook./KultPlus.com

Presidentja Osmani pas dënimit të Krivaqës: Le të jetë ky një mesazh për ata që zgjedhin dhunën ndaj grave

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale pasi u mor vendimi nga Gjykata Themelore në Ferizaj e cila e ka dënuar sot me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën dhe me 15 vjet burg Arbër Sejdiun, për vrasjen e 18-vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmanit.

Presidentja Osmani ka thënë se ky rast le të jetë një mesazh për të gjithë ata që zgjedhin dhunën ndaj grave si mjet.

“Autorët e femicidit meritojnë dënim kapital. Ashtu siç u dënua sot vrasësi e torturuesi i Marigona Osmanit.

Le të jetë ky një mesazh për të gjithë ata që zgjedhin dhunën ndaj grave si mjet.

Dhuna nuk do të tolerohet!

Femicidi do të ndalet!”, shprehet Osmani. / KultPlus.com

Presidentja Vjosa Osmani dekoroi post mortem regjisorin Bekim Lumi me Medaljen Presidenciale të Meritave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në 5-vjetorin e ndarjes nga jeta, në prezencë të familjarëve dhe kolegëve, ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave krijuesin, regjisorin e pedagogun, Bekim Lumi.

Regjisori Lumi është dekoruar për merita të spikatura në artet dramatike, krijimtarinë kulturore dhe kontributin e çmuar për edukimin e brezave në teatër.

Presidentja Osmani ka theksuar se regjisori Lumi shquhej për guximin dhe përkushtimin ndaj arteve dramatike, duke e vendosur teatrin kosovar në hartën kulturore evropiane.

“Krijimtaria e Bekimit ishte alternative dhe avangarde, me një lojë të pasur estetike e skenike. Ai përfaqësoi në mënyrë dinjitoze teatrin e Kosovës nëpër teatrot evropiane, duke u shndërruar në emblemë të teatrit bashkëkohor të shtetit tonë. Na artësoi, siç preferonte të shprehej ai, ndërkaq ne sot po i shprehim mirënjohje dhe e nderojmë figurën dhe krijimtarinë e tij”, ka theksuar Presidentja Osmani në ceremoni./KultPlus.com

Presidentja Osmani uron Zvicrën për Ditën Kombëtare: Do të forcojmë lidhjen mes vendeve tona

Presidentja Vjosa Osmani ka uruar Zvicrën për Ditën Kombëtare, duke thënë se ajo është një pëkrahëse e flaktë e popullit të Kosovës.

“Gëzuar Ditën Kombëtare Presidentit Alain Berset dhe miqve tanë zviceranë! Zvicra është partneri ynë i kahershëm dhe një përkrahës i flaktë i popullit të Kosovës. Së bashku, ne do të vazhdojmë të forcojmë lidhjen midis vendeve tona, me diasporën tonë që luan një rol kryesor”, ka shkruar Osmani.

Zvicra shënon Ditën Kombëtare më 1 gusht kur u themelua Konfederata Zvicerane u festua për herë të parë në këtë datë në vitin 1891. / KultPlus.com

Presidentja Osmani përkujton policin Enver Zymberi: Policia e Kosovës janë mbrojtësit e palëkundur të kufijve të shtetit tonë nga agresioni i vazhdueshëm i Serbisë



Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar heroin Enver Zymberi në dymbëdhjetë vjetorin e rënies.

Në vijim gjeni të plotë përkujtimin e Presidentes:

Dymbëdhjetë vjet më parë polici Enver Zymberi ra në mbrojtje të integritetit territorial të Kosovës. Sot e nderojmë guximin dhe sakrificën e heroit. Ai ishte mishërim i përkushtimit, guximit dhe vetëmohimit.

Atij, sikurse edhe të gjithë policëve të rënë në detyrë u përkulemi për kontributin e çmuar për sigurinë tonë në çdo cep të vendit.

Sikurse atëherë, ashtu edhe sot, Policia e Kosovës janë mbrojtësit e palëkundur të kufijve të shtetit tonë nga agresioni i vazhdueshëm i Serbisë, prandaj ata duhet jo vetëm të respektohen por edhe të vlerësohen e mbështeten maksimalisht për punën dhe sakrificën e tyre. / KultPlus.com

Presidentja Osmani i bashkohet rrjetit Threads

Pak orë pasi u lansua, rrjeti social Threads theu rekorde të përdoruesve të rinj. Ndonëse nuk ishte akoma i çasshëm në Evropë, Threads për 7 orë u bë me mbi 10 milionë përdorues.

Teksa rrjeti social po rritet, pjesë e tij po bëhen edhe figura të rëndësishme. Edhe presidentja Vjosa Osmani ka hapur llogari në Threads.

Llogaria e saj u verifikua menjëherë si zyrtare. Ajo nuk ka grumbulluar akoma shumë ndjekës, meqë numri i abonentëve po shkon gradualisht duke u rritur në mbarë botën. Threads është rrjet social i ngjashëm me Twitterin, ku përdoruesit mund të postojnë gjëra të ndryshme./ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Më 4 korrik, festojmë lirinë e Amerikës, po aq sa festojmë lirinë tonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 4 korrikut, ditës së pavarësisë, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në Facebook, presidentja Osmani u shpreh se 17 shkurti dhe 4 korriku simbolizojnë të njëjtën gjë, lirinë.

Në vijim gjeni postimin e plotë të presidentes Osmani:

Më 17 Shkurt, në ditën e pavarësisë së Kosovës, valojnë po aq flamuj të Amerikës sa edhe të Kosovës.

Më 4 korrik, festojmë lirinë e Amerikës, po aq sa festojmë lirinë tonë.

Sepse liria jonë ka gjurmë amerikane kudo. Në jetët e shpëtuara, në institucionet e ndërtuara, në çdo rresht të deklaratës së pavarësisë, në çdo njohje të kësaj pavarësie, në çdo sukses e në çdo të arritur.

Sepse 17 Shkurti dhe 4 Korriku simbolizojnë të njëjtën gjë: LIRINË.

Një liri e ndërtuar mbi aleanca. Një aleancë që do të rrojë po aq sa shteti i Kosovës, përgjithmonë!/KultPlus.com

Presidentja Osmani uron SHBA-në për Pavarësinë: Le të vazhdojë të forcohet partneriteti ynë i palëkundur

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), në Ditën e Pavarësisë, duke uruar që partneriteti mes dy vendeve të vazhdojë të jetë i palëkundur.

Osmani në një cicërimë në Twitter ka thënë se amerikanët dhe shqiptarët kanë vlera dhe ideale të përbashkëta.

“Gëzuar 4 korrikun për Bidenin, miqtë dhe aleatët tanë amerikanë! Sot, ne bashkohemi me ju për të festuar kombin tuaj të madh dhe idealet e vlerat për të cilat rreh zemra e çdo amerikani dhe çdo kosovari. Le të vazhdojë të forcohet partneriteti ynë i palëkundur!”, ka shkruar ajo./ KultPlus.com

Presidentja Osmani merr pjesë në Samitin e vendeve të Evropës Juglindore



Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka udhëtuar për në Podgoricë, Mal të Zi, për të marrë pjesë në Samitin e krerëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

Në këtë Samit, Presidentja Osmani do t’i bashkohet krerëve të 13 shteteve për të biseduar rreth thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë për përshpejtimin e perspektivës evropiane të rajonit, garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe promovimit të bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimit të qëndrueshëm. / KultPlus.com

Hapet ekspozita ‘Lule kundër luftës’ e gazetares Luydmila Makey, sjell realitetin ukrainas në Kosovë

Për ndër të Ditës Botërore të Refugjatëve, gazetarja nga Ukraina, Lyudmila Makey, ka realizuar ekspozitën e parë dedikuar shtetit të saj të lindjes. Ekspozita ‘Lule kundër luftës’, e Makey u mbajt sot në Muzeun Kombëtar të Kosovës, me fillim nga ora 13:00, shkruan KultPlus.

Me sy të ngazëllyer e të mbushur përplot me lotë, Makey hapi ekspozitën e saj të parë në Kosovë, përpara njerëzve që ishin të pranishëm aty. Përshëndetjet e bëra në gjuhën shqipe, ishin fjalët hyrëse të prezantimit të vetes së saj e punës artistike të realizuar nga ajo.

Ekspozita “Lule kundër luftës”, ka si synim të pasqyrojë paqen e shpresën të dalë kundër gjakut e vuajtjes. Me anë të dhjetëra pikturave të vendosura nëpër muret e Muzeut Kombëtar, Makey u mundua të përçojë një mesazh të fuqishëm ‘Luftë për paqe, ëndërr për shpresë, e guxim për mosdorëzim’.

Pikturat, për gazetaren dhe piktoren ukrainase janë një mënyrë vetëçlirimi, me anë të se cilave ajo e nxjerr përjashta atë që e mundon nga brenda.

“Kur unë pikturoj mendoj për paqe, mendoj edhe për vendlindjen time. Në kokën time unë shoh piktura të bukura, dhe jo shkatërrime. Unë e di që unë mund të bëhem e dobishme për vendin tim, për Kosovën dhe për të gjithë njerëzit e tjerë.”- tha ajo për KultPlus.

Ndër të gjitha pikturat e punuara për një vit radhazi, Makey nuk lë pa specifikuar dy nga to, e për të cilat ajo dha më shumë detaje.

“Është shumë e vështirë të bëj një zgjedhje, por mbase lulja ukrainase është ndër më të pëlqyerat e mia. Në këtë pikturë shohim një lule shumë të sëmurë për shkak të erërave të forta, por që nga qielli ne në të shohim lulediellin. Simbolika e kësaj pikture është ringjallja e Ukrainës”, u shpreh Makey.

Ndërsa, punimi tjetër që Lyudmila Makey e ndjen thellë në zemër është piktura afër lules ukrainase, me përbërje të ngjyrës së kaltërt dhe të verdhë. Kjo për faktin se të dy këto ngjyra janë simbolizuese të flamurit të Ukrainës dhe njëkohësisht Kosovës. Dy vende, që ajo i do dhe admiron shumë.

Në mesin e të pranishmëve ishte edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila u solidorizua me të gjithë refugjatët anë e kënd botës. Gjatë fjalimit të thënë, shpalosi një faqe të Kosovës të përfunduar vite më parë, ku kujtoi vitet e 99-ta, kohën kur populli ynë po kalonte vuajtje dhe tmerr.

“Në këtë ditë nuk ka se si të mos solidarizohem me të gjithë refugjatët anë e kënd botës, por në vecanti me ata që sot e kanë strehë vendin tonë. Populli i Kosovës e ndjen më së miri këtë sepse 24 vjet më parë neve na janë hapur dyert në shumë shtete të botës”, perfundoi Osmani.

Osmani gjithashtu tha se refugjatet nuk janë thjesht numra, por janë individë me ëndërra dhe potencial të fortë.

Përpos falënderimeve të panumërta karshi Kosovës si vend, Lyudmila Makey, nuk la pa falënderuar edhe Feride Rushitin, Drejtoreshën e Organizatës së Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

“ Me të ardhur në Kosovë, unë takova Feride Rushitin, takova  një person të mrekullueshëm. Ajo me tregoi që njerezit mund të jetojnë edhe pas luftës, edhe pas dhimbjeve të shpirtit. Mua Feridja me ka ofruar materialet  e nevojshme për të shfaqur kreativitetin tim, të cilin sot unë po e shpalos përpara jush”- perfundoi ajo.

Gazetarja dhe njëkohësisht piktorja ukrainase, tha që Kosova është shtëpia e saj e dytë dhe se njerëzit këtu janë shumë mikëpritës dhe bujarë. Përmes tërë punës së saj artistike, ajo don ti japë botës edhe një mesazh. Tu tregojë që është gjallë, që e do botën dhe se njerëzit kanë nevojë për paqe.

Duartrokitjet e njerëzve nuk mungonin pas çdo fjalie të përfunduar nga Makey, kjo për shkak të respektit ndaj saj dhe impresionimit ndaj punës së mahnitshme që shfaqi sot.

Në mesin e pjesëmarrësve, nuk munguan as refugjatët e nacionalitetëve të tjera të cilët tashmë kanë zënë vend në Kosovë.

Amina Ohmid është njëra ndër gazetaret afgane që jeton në Kosovë tash e pesë muaj dhe e cila e admiroi shumë artin e realizuar nga gazetarja dhe piktorja, Lyudmila Makey. Ohmid tha se është shumë e vështirë të integrohesh në vende të tjera, por gazetarët ukrainasë dhe afganë po na e vërtetojnë të kundërtën.

“Është e vështirë të vendosesh në vende të tjera, të integrohesh dhe të jesh aktive, por ne po shohim njerëzit ukrainasë  dhe afganë që po integrohen në komunitet, po aktiviziohen dhe gjithashtu po mirëpriten shumë mirë nga njerëzit këtu”, theksoi Ohmid.

Ndërsa, sa i përket artit të realizuar, Ohmid tha se Makey me anë të këtyre pikturave, po pasqyron vendin që la dhe vendin që gjeti dhe se secilat nga pikturat e saj janë kuptimplota.

Pikturat në këtë ekspozitë janë në shitje dhe të gjitha paratë e mbledhura do të shkojnë në mbështetje të gazetarëve ukrainas që i mbijetuan robërisë.

Rikujtojmë që ekspozita Lule kundër luftës është hapur sot në ora 13 :00 në Muezun Kombëtar të Kosovës dhe do të qendrojë e hapur për gjashtë ditë radhazi, deri në datën 26 qershor. Ndërkaq,  Lyudmila Makey është gazetarja e parë Ukrainase e cila është gazetarja e parë ukrainase që është strehuar në Kosovë që prej prillit të vitit të kaluar./ArlindaHajdaraj/KultPlus.com