Hapet ekspozita ‘Lule kundër luftës’ e gazetares Luydmila Makey, sjell realitetin ukrainas në Kosovë

Për ndër të Ditës Botërore të Refugjatëve, gazetarja nga Ukraina, Lyudmila Makey, ka realizuar ekspozitën e parë dedikuar shtetit të saj të lindjes. Ekspozita ‘Lule kundër luftës’, e Makey u mbajt sot në Muzeun Kombëtar të Kosovës, me fillim nga ora 13:00, shkruan KultPlus.

Me sy të ngazëllyer e të mbushur përplot me lotë, Makey hapi ekspozitën e saj të parë në Kosovë, përpara njerëzve që ishin të pranishëm aty. Përshëndetjet e bëra në gjuhën shqipe, ishin fjalët hyrëse të prezantimit të vetes së saj e punës artistike të realizuar nga ajo.

Ekspozita “Lule kundër luftës”, ka si synim të pasqyrojë paqen e shpresën të dalë kundër gjakut e vuajtjes. Me anë të dhjetëra pikturave të vendosura nëpër muret e Muzeut Kombëtar, Makey u mundua të përçojë një mesazh të fuqishëm ‘Luftë për paqe, ëndërr për shpresë, e guxim për mosdorëzim’.

Pikturat, për gazetaren dhe piktoren ukrainase janë një mënyrë vetëçlirimi, me anë të se cilave ajo e nxjerr përjashta atë që e mundon nga brenda.

“Kur unë pikturoj mendoj për paqe, mendoj edhe për vendlindjen time. Në kokën time unë shoh piktura të bukura, dhe jo shkatërrime. Unë e di që unë mund të bëhem e dobishme për vendin tim, për Kosovën dhe për të gjithë njerëzit e tjerë.”- tha ajo për KultPlus.

Ndër të gjitha pikturat e punuara për një vit radhazi, Makey nuk lë pa specifikuar dy nga to, e për të cilat ajo dha më shumë detaje.

“Është shumë e vështirë të bëj një zgjedhje, por mbase lulja ukrainase është ndër më të pëlqyerat e mia. Në këtë pikturë shohim një lule shumë të sëmurë për shkak të erërave të forta, por që nga qielli ne në të shohim lulediellin. Simbolika e kësaj pikture është ringjallja e Ukrainës”, u shpreh Makey.

Ndërsa, punimi tjetër që Lyudmila Makey e ndjen thellë në zemër është piktura afër lules ukrainase, me përbërje të ngjyrës së kaltërt dhe të verdhë. Kjo për faktin se të dy këto ngjyra janë simbolizuese të flamurit të Ukrainës dhe njëkohësisht Kosovës. Dy vende, që ajo i do dhe admiron shumë.

Në mesin e të pranishmëve ishte edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila u solidorizua me të gjithë refugjatët anë e kënd botës. Gjatë fjalimit të thënë, shpalosi një faqe të Kosovës të përfunduar vite më parë, ku kujtoi vitet e 99-ta, kohën kur populli ynë po kalonte vuajtje dhe tmerr.

“Në këtë ditë nuk ka se si të mos solidarizohem me të gjithë refugjatët anë e kënd botës, por në vecanti me ata që sot e kanë strehë vendin tonë. Populli i Kosovës e ndjen më së miri këtë sepse 24 vjet më parë neve na janë hapur dyert në shumë shtete të botës”, perfundoi Osmani.

Osmani gjithashtu tha se refugjatet nuk janë thjesht numra, por janë individë me ëndërra dhe potencial të fortë.

Përpos falënderimeve të panumërta karshi Kosovës si vend, Lyudmila Makey, nuk la pa falënderuar edhe Feride Rushitin, Drejtoreshën e Organizatës së Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

“ Me të ardhur në Kosovë, unë takova Feride Rushitin, takova  një person të mrekullueshëm. Ajo me tregoi që njerezit mund të jetojnë edhe pas luftës, edhe pas dhimbjeve të shpirtit. Mua Feridja me ka ofruar materialet  e nevojshme për të shfaqur kreativitetin tim, të cilin sot unë po e shpalos përpara jush”- perfundoi ajo.

Gazetarja dhe njëkohësisht piktorja ukrainase, tha që Kosova është shtëpia e saj e dytë dhe se njerëzit këtu janë shumë mikëpritës dhe bujarë. Përmes tërë punës së saj artistike, ajo don ti japë botës edhe një mesazh. Tu tregojë që është gjallë, që e do botën dhe se njerëzit kanë nevojë për paqe.

Duartrokitjet e njerëzve nuk mungonin pas çdo fjalie të përfunduar nga Makey, kjo për shkak të respektit ndaj saj dhe impresionimit ndaj punës së mahnitshme që shfaqi sot.

Në mesin e pjesëmarrësve, nuk munguan as refugjatët e nacionalitetëve të tjera të cilët tashmë kanë zënë vend në Kosovë.

Amina Ohmid është njëra ndër gazetaret afgane që jeton në Kosovë tash e pesë muaj dhe e cila e admiroi shumë artin e realizuar nga gazetarja dhe piktorja, Lyudmila Makey. Ohmid tha se është shumë e vështirë të integrohesh në vende të tjera, por gazetarët ukrainasë dhe afganë po na e vërtetojnë të kundërtën.

“Është e vështirë të vendosesh në vende të tjera, të integrohesh dhe të jesh aktive, por ne po shohim njerëzit ukrainasë  dhe afganë që po integrohen në komunitet, po aktiviziohen dhe gjithashtu po mirëpriten shumë mirë nga njerëzit këtu”, theksoi Ohmid.

Ndërsa, sa i përket artit të realizuar, Ohmid tha se Makey me anë të këtyre pikturave, po pasqyron vendin që la dhe vendin që gjeti dhe se secilat nga pikturat e saj janë kuptimplota.

Pikturat në këtë ekspozitë janë në shitje dhe të gjitha paratë e mbledhura do të shkojnë në mbështetje të gazetarëve ukrainas që i mbijetuan robërisë.

Rikujtojmë që ekspozita Lule kundër luftës është hapur sot në ora 13 :00 në Muezun Kombëtar të Kosovës dhe do të qendrojë e hapur për gjashtë ditë radhazi, deri në datën 26 qershor. Ndërkaq,  Lyudmila Makey është gazetarja e parë Ukrainase e cila është gazetarja e parë ukrainase që është strehuar në Kosovë që prej prillit të vitit të kaluar./ArlindaHajdaraj/KultPlus.com

Gazetarja ukrainase në Prishtinë: Më bën përshtypje se si dhimbja e popullit tim ndihet te kosovarët

Gazetarja e parë nga Ukraina, që është strehuar dje në Prishtinë, thotë se i bën përshtypje se si kosovarët ndjenjë dhimbjen për atë që po e përjetojnë tani ukrainasit.  

Nga zyrat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, gazetarja ukrainase, Lyudmila Makey, ka folur për përshtypjet e saj që mori nga Prishtina.

“Sapo zbrita nga avioni, ndjeva sinqeritetin dhe mikpritjen e njerëzve që më takuan”, thotë Makey.

“Më ka bërë shumë përshtypje se si dhimbja e vendit tim, ndihet në zemrën e popullit të Kosovës. Ajo godet deri në lot. Sepse e di sa e vështirë është të shërohen plagët e lënë nga një luftë e tmerrshme në vendin tënd”, ka thënë ajo, transmeton Gazeta Express.

Gazetarja ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për përkrahjen ndaj shtetit të saj.

Ajo ka folur për gjendjen e gazetarëve tani në Ukrainë, duke thënë se të gjithë janë kthyer në reporterë lufte. Ajo thotë se Rusia po vret gjithkënd, pa dallim as profesioni, as gjinie, as moshe.

Gazetarja tregon për kolegët e saj në qytetin e bllokuar të Mariupolit, për të cilët thotë se s’ka dëgjuar për një kohë të gjatë.

Për Kosovën, thotë se ka lexuar për luftën, por nuk ka raportuar asnjëherë për të.

“Kam lexuar përpara për Kosovën, dhe e kam kuptuar se njerëzit që e kanë ndjerë luftën e njëjtë, janë ndier siç ndihemi ne tani”

“S’kam pasur mundësi më herët që të shkruaj për Kosovën, sepse nuk kam pasur ndonjë koleg këtu që do të më jepte informatat e sakta, por tani i kam”. / KultPlus.com

Gazetarja e parë nga Ukraina mbërrin në Kosovë

Lyudmila Makey, gazetare nga Ukraina, është e para që ka mbërritur në Kosovë, sot në mesditë si pjesë e programit “Gazetarët në Rezidencë në Kosovë (Journalist in Residence in Kosovo)”.

Ajo është detyruar të largohet Ukraina për shkak të luftës. Makey është vendosur në Prishtinë dhe AGK-ja do të përkujdeset që ajo të vazhdojë punën nga Kosova.

Për javë të tëra, shumë institucione publike vendore dhe ndërkombëtare kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për të pritur gazetarët nga Ukraina.

Me të arritur në aeroport, Makey tha që sot është e rrezikshme që të jesh gazetare në Ukrainë duke përmendur faktin që forcat e okupatorit rus kanë vrarë  21 gazetarë në Ukrainë deri më tani.

“Falënderoj shumë të gjithë juve që më keni mundësuar të vijë në Kosovë. Ky program më mundëson që të mbetem në profesionin e gazetares. Jam thellësisht e prekur me faktin se si njerëz tërësisht të huaj dëshirojnë të na ndihmojnë. Besoj që bashkëpunimi ynë dhe solidariteti nga gazetarët tjerë është një hap i rëndësishëm drejt paqes”, shtoi ajo.

“Gazetarë në Rezidencë në Kosovë”, është program i inicuar nga Qendra Europiane për Liri të Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), i financuar dhe mbështetur nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme .

Programi është duke u zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e dy unioneve të gazetarëve në Ukrainë. Ky program ofron pagë mujore, akomodim në banesë, kushte për punë, kurse të gjuhës dhe të integrimit, si dhe ndihmë psiko-sociale sipas nevojës.

Zonja Makey është pritur në aeroport nga Xhemajl Rexha (AGK), Flutura Kusari (ECPMF), si dhe përfaqësues të MPB-së e Policisë së Kosovës./ KultPlus.com