Publikohet letra kur Madonna i quante mediokre Whitney Houston dhe Sharon Stone

Madonna i ka shkruar një letër aktorit John Enos në 1990 duke u ankuar për atë që ajo e pa si një mungesë suksesi, duke e krahasuar me karrierën “tmerrësisht mediokre” të Sharon Stone dhe Whitney Houston.

Në një letër të papublikuar më parë, që tashmë ka dalë në ankand, Material Girls e nis me shpjegimin se ka qenë ‘me humor të keq’ dhe “ndihet shumë e parehatshme me veten”. Madje vazhdon të thotë se do të donte të vdiste se sa të ishte ‘kjo femër’.

Madonna shfryn për reagimin që kishte marrë për përpjekjet e saj të fundit.

“Unë kam bërë kaq shumë njerëz të zemërohen dhe po ndëshkohem, e në thelb do të jem e qetë dhe e ulur në një cep, ndërsa të gjithë njerëzit e tjerë më pak interesant po marrin përfitimet e rrugëve që unë shtrova”, shkruan ajo.

“Është shumë zhgënjyese të lexosh se Whitney Houston ka karrierën muzikore që unë do të doja dhe Sharon Stone ka karrierën kinematografike që nuk do ta kem kurrë. Jo se unë dua të jem si këto femra, se do preferoja më mirë të vdisja, por janë kaq mediokre dhe gjithmonë janë mbajtur si paragone të virtyteve dhe një lloj shkopi matës për të më poshtëruar mua”, vijonte në letrën e saj Madonna.

Duke iu shfryrë të dashurit të saj të asaj kohe, ajo thotë se çdo gjë që bën është origjinale dhe unike dhe vendos veten kaq shumë në të si në libër, dhe regjistrime, dhe kjo “më solli shumë dhimbje”. / KultPlus.com

‘T’padashtun’, filmi që solli sfidat e një gruaje të dhunuar nga serbët

Rizvanolli, i cili është në vlugun e punëve edhe në një serial të Holandës, ku është pjesë e disa episodeve, ka përmendur për filmin “T’padashtun”, se kritikat negative që ka marrë nga disa njerëz është tempo e ngadaltë e filmit, por, sipas tij, kjo tempo ka qenë pikërisht qëllimi i tij, që dalë ngadalë të shkoj edhe deri te zbërthimi i filmit, shkruan KultPlus.

Me një tempo jo të shpejtë, me pak dialog, me përsëritje të skenave dhe jo me shumë dramë, është përcjellë mesazhi i filmit “T’padashtun”, me skenar dhe regji të Edon Rizvanollit, film i cili ka pas premierën kosovare, pikërisht në mbrëmjen e së enjtes, në hapjen e PriFest, pas premierës botërore në Karlovy Vary Festival.

Edhe audiencës kosovare iu desh të përballej po me këtë tempo të ngadaltë, deri te zbërthimi i krejt filmit, pikërisht në pesë minutat e fundit të kësaj drame, që është realizuar nëpërmjet lojës së Adriana Matoshit dhe Jason de Ridder, në rolet kryesore.

Filmi i xhiruar në Holandë e Kosovë, përpos lokacioneve ku ishte xhiruar filmi, zhvillimet Kosovë- Holandë, vëreheshin edhe nëpërmjet anës regjisoriale.
Një dramë jo e lehtë, me një mesazh shumë të fuqishëm, sidomos për pjesën ballkanike, por e sjellë ftohtë nëpërmjet lojës së aktorëve, në përjashtim të skenës së fundit, ku audienca përjeton për pesë minuta krejt dramën e Zanës, të sjellë nga Adriana Matoshi.

Për filmin “T’padashtun”, film i cili prekë dhunimet e grave të Kosovës nga ana e serbëve, për sfidat e gruas së dhunuar, e përzënë edhe nga familja e saj, për jetën e saj në Holandë dhe sjelljen në jetë të djalit të saj, Albanit, fryt i dhunimit nga ana e serbëve, për dashurinë e djalit të saj, pikërisht me një vajzë serbe, vetë Edon Rizvanolli, skenarist dhe regjisor i këtij filmi është përgjigjur edhe para gazetarëve, në konferencën e sotme, që është mbajtur po në kuadër të PriFest.

Duke u shprehur i kënaqur se pikërisht filmi i tij ka hapur edhe edicionin e sivjetmë të këtij festivali, Rizvanolli ka thënë se mbrëmja e së enjtes i ka sjellë një emocion të veçantë, për faktin se filmi është shfaqur edhe para familjarëve dhe miqve të tij.

“Gjithçka ka shkuar mirë dhe me rregull, dhe në fund më kanë ardhë edhe komente shumë të mira, natyrisht se ka pas edhe kritika aty këtu, dhe edhe ato kanë qenë të mirëseardhura, por në përgjithësi, njerëzit kanë qenë jashtëzakonisht të kënaqur”, ka thënë fillimisht Rizvanolli, i cili në Holandë bën edhe jetën e aktorit.
Edhe vetë Rizvanolli është shprehur se sipas përshtypjeve të para, ka mësuar që audiencës kosovare i ka pëlqyer më shumë pjesa ku janë realizuar xhirimet në Kosovë, duke përmend edhe një detaj tjetër, që sipas informatave të tij, filmi në mbrëmjen e së enjtes, është përcjellë edhe në Sheshin Zahir Pajaziti, nga rreth 1300 persona.

Rizvanolli, i cili është në vlugun e punëve edhe në një serial të Holandës, ku është pjesë e disa episodeve, ka përmendur për filmin “T’padashtun”, se kritikat negative që ka marrë nga disa njerëz është tempo e ngadaltë e filmit, por, sipas tij, kjo tempo ka qenë pikërisht qëllimi i tij, që dalë ngadalë të shkoj edhe deri te zbërthimi i filmit.
Krejt në fund, ai ka zbuluar edhe pikënisjen e këtij filmi, ku sipas tij, krejt ky film ka nisë në bazë të një fotografie të një çifti, të cilët janë duke qëndruar në maje të një kulmi, dhe kuptojnë që janë gjysmë vëlla e motër.

Filmim “T’padashtun”, pritet të jetë pjesë e festivaleve të ndryshme ndërkombëtare. Ky film është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Fondi i Filmit Holandez, Komuna e Gjakovës dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Oda e Leximit këtë herë vjen me librin ‘Kështu foli Zarathustra’

Oda e Leximit po organizohet për të pestën herë në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Oda e Leximit në bashkëpunim me Klubin e Librit organizon një takim libri, këtë herë mbi veprën “Kështu foli Zarathustra” të autorit Fridirih Niçe, shkruan Kult Plus.

Takimi do të mbahet të martën më 18 korrik në Termokiss (ish objekti i Termokos-it).

“Nietzsche i ka dhënë këtij libri, si shok udhe, nëntitullin: “Një libër për të gjithë e për askënd”. Hajde ta diskutojmë e kuptojmë pse ky nëntitull? Kush është Zarathustra? Kush është ‘mbinjeriu’ i Nietzsche-s që na e mëson Zarathustra e që shumë shpesh keqpërdoret? E shumëçka tjetër që assesi s’bën me t’ikë!”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e organizatorëve.
Oda e Leximit po organizohet për të pestën herë në Prishtinë. /KultPlus.com

Mural prej 500 metrave në San Francisko

Festivali është një mënyrë për të siguruar që artistët e rinj të komunitetit të vazhdojnë trashëgiminë fuqizuese të kthimit të historive dhe veçanërisht të njerëzve me ngjyra, në art, përcjellë KultPlus.

Festivali Vjetor i Arteve Rinore Urbane Precita Eyes i cili mbahet në Parkun Precita të San Franciskos, ka pasur gjithmonë prani të madhe të komunitetit, përcjellë KultPlus. Edicioni i radhës do të mbahet më 22 korrik dhe do të ketë 500 metra sipërfaqe për të gjithë për të pikturuar. Do të ketë edhe organizata rinore të komunitetit që mësojnë të rinjtë se si të bashkëpunojnë dhe të krijojnë një murale. Edhe fëmijët e vegjël do të përfshihen në këtë mural, pasi do të ketë një pikturë me kapele dhe një pikturë me fytyrë.

Festivali në vitet e fundit ka tërhequr deri në 300 artistë, kurse ky vit shënon përvjetorin e 21-të të festivalit, ndërsa Precy Eyes do të festojë 40 vjet në Misionin me një gala mbrëmje më 30 shtator. Organizata 40-vjeçare i ka lejuar njerëzit të kontribuojnë në atë se si duken komunitetet e tyre dhe se si ato janë portretizuar – muralet e saj zbukurojnë dhe ruajnë kujtimet dhe përvojat e njerëzve që i pikturojnë ato.

Festivali është një mënyrë për të siguruar që artistët e rinj të komunitetit të vazhdojnë trashëgiminë fuqizuese të kthimit të historive dhe veçanërisht të njerëzve me ngjyra, në art. Piktura në festival jep një përvojë të mirë për të rinjtë, tha Ezoe, sepse u jep atyre një prizë për të shprehur dhe përfaqësuar veten. “Ne kemi shumë rezultate të mira, shumë lulëzim”, tha ajo. Festivali i të rinjve është një hapësirë për artistët e rinj për të reflektuar mbi përvojat e tyre, për të gjetur frymëzim dhe për t’u shprehur në një mjedis argëtues dhe mbështetës./KultPlus.com

Këngët e Vjollca Robellit po finalizohen në Los Angeles, aty ku janë punuar këngët e Michael Jackson e Joe Cocker

Këngë tipike me rrënjë shqiptare, por finalizimi i tyre po bëhet në një ndër studiot më prestigjioze të botës për master, shkruan KultPlus.

Bëhet fjalë për këngët “Zare” dhe “Burrnesha”, të këngëtares Vjollca Robelli Mripa, e cila para pak muajsh i promovoi këto këngë në Prishtinë, kurse tashti janë në fazën finale ku po bëhet master i tyre, në studion prestigjioze të masterit në botë në “Bernie Grundman Mastering Studios”, në Los Angeles të SHBA-ve.

Vjollca Robelli Mripa ka thënë për KultPlus se ndihet të jetë e privilegjuar që këngët e saja të cilat këndohen shqip dhe të cilat shtjellojnë traditën dhe kulturën shqiptare, tu bëhet master në këtë studio prestigjioze. Në këtë studio të famshme, finalizimin e këngëve e kanë kryer edhe këngëtarë të famshëm botërorë, si Micheal Jackson, Prince, Macy Gray, Mary G Blidge, The Doors, Joe Cocker e shume yje te tjera botërore. /KultPlus.com

Retrospektivë nga Andrey Tarkovskit në kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’

Pas shfaqjes së filmave do të ketë edhe diskutim të hapur me audiencën rreth temave që trajtojnë filmat, përcjellë KultPlus.

Kinemaja ‘Jusuf Gërvalla’ do të organizojë një retrospektivë të dy prej veprave më të njohura të autorit rus Andrei Tarkovsky, shkruan KultPlus.

Filmat që do të shfaqen janë ‘Stalker’ i cili vjen më datë 21 korrik në ora 16:00 dhe ‘Andrei Rublev’ më 22 korrik në ora 16:00. Pas shfaqjes së filmave do të ketë edhe diskutim të hapur me audiencën rreth temave që trajtojnë filmat.

“Çfarë do të thotë të besosh? Sa është e rëndë barra e besimit në kohën moderne? A mund të fitoj besimi i njeriut, në një botë që nuk beson më në asgjë? Këto janë vetëm disa prej preokupimeve që Tarkovsky i shfaq në Stalker”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Filmat do të shfaqen me titra shqip dhe hyrja është falas. / KultPlus.com

Hapet edicioni i nëntë i ‘PriFilmFest’, Prishtina shndërrohet në një qytet të filmit (FOTO)

Hapja e ceremonisë u bë nga aktorët Lyra Xhoci dhe Tristan Halilaj, të cilët qysh në hapje premtuan që PriFest për një javë do ta shndërrojë Prishtinën në një qytet të filmit, shkruan KultPlus.

Qysh në mëngjesin e ditës së djeshme, hyrja para Teatrit Kombëtar të Kosovës kishte marrë pamje të re. Ishte tepihu i kuq ai që kishte zbukuruar gjithçka dhe që po paralajmëronte se diçka e bukur do të ndodhte aty.

‘PriFilmFest’ po vinte. Ishte mbrëmja ajo që hapi dyert e teatrit dhe mirëpriti mysafirë të shumtë, artistë vendor e botërorë të cilët kishin ardhur të ndjekin nga afër hapjen e edicionit të nëntë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit ‘PriFilmFest.
Ky është edicioni i parë i PriFilmFest i cili mbahet gjatë verës, andaj para teatrit mysafirët po i shoqëronte edhe muzika e pijet e freskëta.

Hapja e ceremonisë u bë nga aktorët Lyra Xhoci dhe Tristan Halilaj, të cilët qysh në hapje premtuan që PriFest për një javë do ta shndërrojë Prishtinën në një qytet të filmit.
“Përveç filmave më të mirë nga vendi e bota, PriFest sjellë edhe kineastë nga e gjithë bota, mysafirë special e debate të shumta”, u tha në hapje të festivalit.

E këtu nuk u la po u përmendur edhe mysafiri special i PriFilmFestit, regjisori Paul Heggis, fituesi i shumë çmimeve Oskar.
Tutje fjalën e mori drejtoresha e këtij festivali, Vjosa Berisha, e cila fillimisht i falënderoi të gjithë mbështetësit e festivalit dhe tregoi rreth risive të këtij edicioni.

“Dua të falënderoj një person të veçantë, regjisorin Agim Sopi i cili mundësoi që kjo ngjarje të mbahet në korrik në teatër. Një tjetër gjë e rëndësishme sa i përket bashkëpunimit, është se këtë herë kemi bashkëpunuar me shtetin e Turqisë dhe kemi ftuar një delegacion të tyre prej 17 personash, të cilët vijnë nga Ministra e Kulturës së Turqisë. Ata sot janë këtu dhe ne jemi krenarë për këtë, sepse do të kemi mundësi të diskutojmë me ta gjatë këtyre ditëve për mundësi bashkëpunimi. Gjatë këtyre 7 ditëve të Festivalit do të kemi mundësi ta eskplorojmë Kosovën dhe të mësojmë se si të realizojmë filma në Kosovë”, tha Vjosa Berisha.

Ajo tutje ftoi në skenë ekipin e filmit “T`padashtun” me regji nga Edon Rizvanolli, njëkohësisht ky ishte edhe filmi që e hapi festivalin këtë vit.
“Po më vjen shumë mirë që jam këtu, për mua ka qenë gjithmonë ëndërr të jem në këtë teatër”, tha Rizvanolli duke vazhduar tutje të falënderoi mbështetësit e filmit, ekipin dhe gjithë aktorët.

Filimi “T`padashtun” u shfaq për të gjithë të pranishmit e ftuar në ceremoninë e hapjes së “PriFilmFestit”, në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Ndërsa ceremonia e hapjes së PriFilmFest prej orës 22:00 u bart edhe në sheshin “ZahirPajaziti”, ku në kinemanë e hapur u dha premiera e filmit kosovar “T`padashtun” dhe hyrja ishte falas për të gjithë. /KultPlus.com

Laureatët e ‘Prishtina ime’ magjepsen me vizitën në Turqi, gjithçka nis me Stambollin

Kjo vizitë është një kujtim i këndshëm veçanërisht për gjashtë fëmijët fitues të konkursit ‘Prishtina ime’, të cilët pas kësaj do të hapnin një ekspozitë modeste në Shoqatën ‘Prizreniler’, shkruan KultPlus.

Sarandë Selimi

Qendra Kulturore e Fëmijëve të Prishtinës dhe Yunus Emre Enstitüsü në Prishtinë, me rastin e ’11 Qershorit Ditës së Prishtinës’, patën organizuar konkurs të pikturës dhe fotografisë, me ç’rast tre vendet e para në secilën kategori do të shpërbleheshin me një vizitë kulturore në Turqi. Kësisoj, gjashtë fituesit: Erika Arllati, Enea Lajqi, Diella Valla, Adea Hajrizi, Lend Haliti dhe Dion Asllani, të mërkurën mbrëma, bashkë me tri mësuese, përfaqësuesin e Komunës së Prishtinës dhe përfaqësues të Yunus Emre, morën rrugën për në Turqi, përkatësisht Stamboll, ashtu siç ishte premtuar edhe shpërblimi. Pas mbërritjes në Stamboll, këta fëmijë mëngjesin e së enjtes nisën vizitën e tyre ku gjithçka nisi me Xhaminë ‘Sulltanahmet’ apo ‘Blue Mosque’ për të vazhduar aty afër edhe me Muzeun Ayasofia, ndryshe katedralen e kthyer në xhami.

Histori pas historie tregonte cicëroni me të cilin fëmijët bashkë me pjesën tjetër të ekipës si dhe me dy pjesëtarët e shoqatës ‘Prizreniler’, u nisën për të bërë një vizitë me anije nëpër Bosfor edhe kjo një kujtim i këndshëm veçanërisht për gjashtë fëmijët fituesit e konkursit ‘Prishtina Ime’, të cilët pas kësaj do të hapnin një ekspozitë modeste në Shoqatën ‘Prizreniler’.

Bashkë me pikturat dhe fotografitë e tyre, fëmijët u nisën tek shoqata, aty ku nikoqire ishte Gylen Tyrker-Drejtoreshë e Shoqatës ‘Prizreniler’. Ajo përveç që bëri nga një fotografi me secilin fëmijë veç e veç, dhe u dhuroj atyre nga një dhuratë modeste, për KultPlus, tha se është kënaqësi e veçantë të ketë këso lloj bashkëpunimesh me Kosovën, pasi që, edhe vetë ideja e shoqatës është e tillë.

“Jemi një shoqatë që si qëllim primarë për ne është që të kemi lidhje të forta mes Turqisë e Kosovës, dhe mendoj që me këto lidhje që kemi na ndihmon që të njohim rininë e Turqisë e poashtu edhe rininë e Kosovës, ku mendoj që do të jetë një bashkëpunim i frytshëm për njohjen e tyre. Kam kënaqësinë që jam pjesë e projektit të ekspozitës për fëmijët e Kosovës. Kur më ka ardhur ftesa nga Yunus Emre, ka qenë kënaqësi e veçantë dhe me qejf e kam pranuar”, u shpreh Tyrker.
Ndërkohë, në fund të kësaj dite, fëmijët patën rastin të shohin nga afër pallatin e fundit të ndërtuar nga Perandoria Osmane.
Edhe pse ishte ditë pushimi për punëtorët e këtij pallati, pra e enjtja nuk ishte ditë për vizitorë në këtë pallat, administratori i DolmaBahce Sarayi-Palace, vinte nga Kosova dhe padyshim që hapi pallatin për këta fëmijë ku për shumicën nga ta ishte hera e parë që vizitonin Turqinë dhe njiheshin nga afër me kulturën turke.

Një pallat jashtëzakonisht i madh ku secila pjesë përmbante një histori në vete, ishte ai që magjepsi vizitorët nga Kosova dhe nuk mbet pjesë e tij pa u arkivuar në një fotografi.
Sinan Sisman-Administrator i DolmaBahce Sarayi-Palace tha për KultPlus, se ky pallat përgjatë një javë mirëpret nga 3000 deri në 5000 vizitorë, dhe krejt kjo kërkon një punë e angazhim shumë të madh. Ai poashtu u shpreh i lumtur me këtë vizitë.

“Unë po e ndjejë vetën shumë të lumtur, më duket sikur ka ardhur një pjesë e familjes sime, sepse edhe unë kur e kam vizituar Kosovën e kam ndjerë këtë gjë kështu që njëjtë është. Sa i përket vizitave në këtë pallat, në javë vijnë nga 3000 deri në 5000 njerëz. Çdo punëtorë që është i punësuar këtu është i specializuar në drejtimin e vet, duke nisë nga mirëmbajtja, gjendja arkitektonike e kështu me radhë dhe kjo ndoshta e bënë më të lehtë punën tonë, normal është e vështirë të menaxhosh gjithë këtë pallat por kemi punëtorë të mrekullueshëm”, pohoi Sisman.

Rrugëtimi i fituesve të ‘Prishtina Ime’ që organizohet nga Qendra Kulturore Turke në Prishtinë Yunus Emre, nuk përfundon këtu. Ata do të kenë mundësin që edhe përgjatë tri ditëve të tjera qëndrim në Turqi të vizitojnë edhe Bursan. Një qytet tjetër, mjaft interesant që mbetet për tu shpalosur nga fëmijët prishtinas nga e premtja./ KultPlus.com

Beerfest Kosova po vjen

Si festival i birrës, kjo ngjarje është e hapur vetëm për personat e moshës mbi 18 vjet, dhe për t’u futur në hapësirat e festivalit do të nevojitet letërnjoftimi.

MODUS shpk, njofton se festivali i parë dhe më i madh i birrës në Kosovë, do ta mbajë edicionin e 7-të të tij prej 26 deri më 30 korrik, në qendër të Prishtinës, tek parkingu prapa Pallatit të Rinisë.

“Në 7 vjetorin e ‘BeerfestKosova’, në lokacionin e ri, e gjithë hapësira do të transformohet me krijimin e shtandeve impozante dhe vizualisht të mrekullueshme të kompanive prezente. Skenë gjigande të kompletuar me zërim të përmasave të festivaleve të mëdha, të mbushur me efekte speciale vizuele dhe program artistik shumë të larmishëm dhe të pasur për të gjitha shijet”, tha Leart Zeqa, drejtor organizativ.

“Do të jenë prezentë birrat më të njohura dhe më të dëshirueshme për vizitorët e beerfest Kosova nga të cilat edhe 4 birra vendore dhe të gjitha këto do të jenë në dispozicion për adhuruesit e birrës me çmime promovuese. Nuk do të mungojnë edhe ushqimi e pijet joalkoolike si dhe lojërat argëtuese e shpërblyese”, përfundoi Zeqa.

Organizatorët njoftuan se edhe sivjet, sikurse në edicionin e kaluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe koordinim të plotë me Komunën e Prishtinës, janë koordinuar që për të gjithë qytetarët t’iu ofrohet një festë shumë mirë e organizuar dhe gjithë përfshirëse.

Si festival i birrës, kjo ngjarje është e hapur vetëm për personat e moshës mbi 18 vjet, dhe për t’u futur në hapësirat e festivalit do të nevojitet letërnjoftimi. / KultPlus.com

Kushtrim Hoxha: Është padrejtësi e madhe që kosovarët kanë ende nevojë për viza

I pyetur se çfarë kauze ai e përkrahë, ai ka folur mbi liberalizimin e vizave.

Aktori kosovar Kushtrim Hoxha, i cili ka kohë që jeton dhe punon në Amerikë, në një intervistë për NY Elite Magazine ka zbuluar më shumë për veten e tij dh planet e tij.

Derisa ka treguar se i pëlqen muzika dhe shkruan tekste këngësh në kohën e lirë, ai ka treguar se aktrimi është një mënyrë edhe për ta njohur veten.

“Nuk ka të bëjë me pasuri apo me famë. Unë do të vazhdoj të eksploroj role të tjera dhe do të zbuloj më shumë mbi veten në karakteret që i luaj, dhe kjo e bën aktrimin ende më të mahnitshëm” ka treguar Hoxha.

Roli i Montanos në Othello dhe i Stefanit në The Americans, dhe roli i Fadilit në Cold November janë rolet që ai i përmend si më të rëndësishmet dhe që kanë lënë më shumë mbresa tek ai.

I pyetur se çfarë kauze ai e përkrahë, ai ka folur mbi liberalizimin e vizave.

“Unë jam përkrahës i të drejtës së fjalës dhe lirisë së lëvizjes. Është e pabesueshme që edhe 20-të vite pas luftës në Kosovë njerëzit ende duhet të presin në radhë për të marrë një vizë. Mendoj se kjo është padrejtësi dhe nuk është njerëzore” tregon aktori Hoxha në këtë intervistë.

Hoxha ka lindur në Gjakovë në vitin 1978. / KultPlus.com

Eki Rrahmani, regjisori i vendeve në luftë dhe pjesë e Al Jazeera

Ai është pjesë e dokumentarëve “People and Power” (Njerëz dhe Fuqi), gjegjësisht pjesë e regjisorëve që e realizojnë këtë emision.

Arbër Selmani

Ai jeton tash e dy dekada jashtë Kosovës, ndërsa së fundmi jeta e ka dërguar në Katar, në Lindjen e Mesme.
Regjisori kosovar Eki Rrahmani po udhëton nëpër këtë pjesë të botës për shkak të disa dokumentarëve të cilët ai i realizon në bashkëpunim me rrjetin e madh televiziv Al Jazeera.
Ai është pjesë e dokumentarëve “People and Power” (Njerëz dhe Fuqi), gjegjësisht pjesë e regjisorëve që e realizojnë dhe ideojnë këtë emision.

Temat të cilat i trajton ky emision hulumtues kanë të bëjnë me parregullsitë politike, shoqërore dhe ekonomike. Dy episodet e fundit janë përqëndruar në Jobar, qytetin në Siri ku edhe regjisori nga Prishtina ka qenë i pranishëm për të nxjerrë më të mirën.
Pamjet e dokumentarit janë të rënda për faktin se ka njerëz të vdekur, shkatërrim dhe intervista që shpërfaqin dhimbjen e banorëve, krahas bombave e gazrave kemikale të cilat po marrin jetën e njerëzve të pafajshëm.
Emisioni në fjalë realizon dokumentarë që investigojnë mbi tema të ndryshme dhe vende të ndryshme nëpër botë, së fundmi edhe në Bellorusi, Afganistan, Kinë e Uganda. Emisionet e tilla transmetohen çdo të mërkurë në ora 22:30 GTM në Al Jazeera.

Eki është regjisor i njohur ndërsa këtë vit është i pranishëm edhe në festivalin PriFilmFest me një projekt filmik për të cilin do të lexoni ditëve në vazhdim në portalin KultPlus. / KultPlus.com

Balada e dashurisë së vonë

Poezi e shkruar nga shkrimtarja kubane Dulce Maria Loynaz.

Dashuri që vjen aq vonë,
më sill të paktën prehje :
ti dashuri e vonuar, nga ç’udhë
endacake vjen tek vetmia ime ?
Dashuri që më ke kërkuar pa të kërkuar,
nuk di kush vlen më shumë :
fjala që do të më thuash
apo ajo që unë s’e them dot…
Dashuri… Nuk ke ftohtë ti ? Jam Hëna :
Kam vdekjen e bardhë dhe të vërtetën
e largët… Mos m’i jep trëndafilat e tu të freskët ;
jam shumë e ngrysur për trëndafila. Më jep detin…
Dashuri që vjen aq vonë, ti s’më ke parë
dje kur këndoja në fushën me grurë…
Dashuri e heshtjes dhe lodhjes sime
Të paktën sot, mos më bëj të qaj.
Dulce Maria Loynaz

Vrasja e aktores Sharon Tate nga ‘Familja Manson’, do të realizohet film

Aktorja dhe modelja Sharon Tate u vra në shtëpinë e saj në vitin 1969 nga ‘Familja Manson’, pikërisht këtë histori të tmerrshme që tronditi Hollywoodin, regjisori Quentin Tarantino do ta realizojë film, përcjellë KultPlus.

Regjisori Quentin Tarantino ka filluar të realizoj një film të bazuar në vrasjet e tmerrshme që ka kryer familjes Manson, vraje këto që tronditën Hollywoodin.

Tarantino, tashmë ka filluar ta ndërtoj listën për ndarjen e roleve. Tarantino po i jep fund dorëshkrimit të skenarit dhe është vendosur të filloj xhirimet në verën e vitit 2018.
Sipas The Hollywood Reporter, filmi do të fokusohet në vrasjen e Sharon Tate nga ‘Familja Manson’, përcjellë KultPlus.
Në fund të viteve 1960 në Kaliforni, Charles Manson udhëhoqi një komision thuajse komune dhe urdhëroi anëtarët për të kryer vrasje, më e rëndësishmja ishte vrasja e aktores dhe modeles Sharon Tate në shtëpinë e saj më 1969. Tate u martua me regjisorin Roman Polanski.

Manson dhe disa anëtarë të “Familjes” së tij u gjetën fajtorë në vitin 1971, dhe ai është ende gjallë dhe në burg sot.
Sipas The Hollywood Reporter, projekti i pa titulluar është në fazat e hershme të zhvillimit. Brad Pitt dhe Jennifer Lawrence janë kontaktuar për pranimin e ndonjë roli, ndërsa Deadline raporton se Tarantino gjithashtu i është afruar tashmë edhe yllit të “Suicide Squad” Margot Robbie për të marrë rolin e Sharon Tate. / KultPlus.com

Për herë të parë në New York artet e kuzhinës Ilire nga Ahmet Dursun

Ky event do të jetë i vetmi i kësaj natyre në të cilin Ahmet Dursun do të risjellë shije të kulturës antike Ilire në New York, duke përfshirë edhe ushqime ekzotike.

Ahmet Dursun, një shqiptar i lindur në Turqi, por me origjinë nga Kosova, më saktë nga Gjakova dhe Nishi, familjarisht të dëbuar para 130 viteve, 25 vite më parë është kthyer në Tiranë për të studiuar në Institutin e Arteve për Kanto, kështu që pjesën e gatimit e ka edhe pasion, madje pasion shumë mirë të studiuar dhe i gjithë qëllimi është të sjellë në pah një kulturë e cila ka mbetur nën rrënoja apo në pluhurin e harresave.

Në kërkim për rrënjët e tij, gjatë kohës, ai është bërë një ekspert i Arteve të Kuzhinës, duke rizbuluar rrënjët e Ilirisë së lashtë. Ahmeti ka lidhur të katër elementet e natyrës: qiellin, tokën, ajrin dhe zjarrin, nëpërmjet ritualeve, duke krijuar një përzierje kulture-ushqimi për shpirtin dhe shpirtit që i përket tokës.

Ahmet Dursun është një gazetar Shqiptar, poet, eksplorues dhe artist kuzhine që kërkon të mbrojë vlerat më të larta të kulturës së Ilirëve nëpërmjet fjalës dhe ushqimit. Tani ai është në SHBA duke u përpjekur të krijojë një lidhje me komunitetin tonë duke përcjellë të gjitha ato çfarë ka mësuar nëpërmjet kërkimeve të tij, shkruan Illyriapress.com
Pasi arriti në New York, Ahmet Dursun u lidh me Sabit & Cathy Bitici, të cilët e pritën përzemërsisht dhe i rekomanduan që të lidhej me Arben Krasniqin të Restorantit Momento në Perendimt të Mitford. Ai pati gjithashtu dhe mbështetjen e Ilir Allajbegut.

Kështu u vendos që të krijonin një Shije Origjinale Ilire për komunitetin Shqiptar të dielën më 16 korrik, nga ora 17:00 deri në 19:30. Ky event do të jetë i vetmi i kësaj natyre në të cilin Ahmet Dursun do të risjellë shije të kulturës antike Ilire në New York, duke përfshirë edhe ushqime ekzotike të cilat ne as që nuk e dinim se ekzistonin. / KultPlus.com

Shqiptari nga Kosova me njërin nga restorantet më të famshme në Berlin

Fatos Xhafolli, një shtetar shqiptar i Kosovës është pronar i restorantit “Nuovo Mario”.

Ai para 25 vjetësh ishte prapa banakut, kurse tani është ‘bosi’, shkruan “sueddeutsche.de”. Restoranti italian është shumë i vizituar në Berlin, duke njëri nga restorantet më të mira në vend, përcjell albinfo.ch.

“Nuovo Mario” është njëri nga restorantet më të mira italiane në qytet, por pronari i tij është shqiptar. Shqiptar nga Kosova. Në Berlin nuk ka shumë njohuri për këtë vend, që nuk janë shumë pozitive. Picat dhe pastat i duan gjermanët, por edhe Tavë kosi, por edhe qengji i pjekur me oriz nga kuzhina tradicionale shqiptare. Gjermanët kanë disa lidhje me Italinë, por jo me Shqipërinë apo Kosovën.

Fatos Xhafolli (40-vjeçar) kishte ardhur nga kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, për të filluar si një i huaj, por duke punuar shumë, ka arritur të jetë i suksesshëm në këtë fushë. Tashmë ai është shefi. Vendi i tij është shumë i vizituar, çka nuk mund të thuhet për Kosovën. Ky vend ka shumë pak vizitorë, dhe njëri nga më të dobëtit ekonomikisht në Evropë. Ky vend ishte shkatërruar gjatë luftës para 20 vjetësh, kurse BE ka dhënë shumë ndihma. Disa kanë qenë të suksesshëm në Gjermani, por rruga është e vështirë.

Ai është nënkryetar i rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Gjermani, ku nënkryetar është edhe Bekim Borovci, derisa kryetar është Mustafë Abazi. Ky i fundit tregon për problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët. Xhafolli ka dy dekada që jeton dhe vepron në Berlin të Gjermanisë, ku në këtë qytet ai ka në pronësi tre restorante, në të cilat ka të punësuar 65 punëtorë./KultPlus.com

Promovohet në Tiranë romani ‘Merimanga e Sarajevës’ nga shkrimtari anglez Robert Wilton

Romani “Merimanga e Sarajevës” i shkrimtarit anglez Robert Wilton është përkthyer mjeshtërisht nga Diana Çuli, shkruan KultPlus.

Botimet Toena dhe Instituti i Librit dhe i Promocionit në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar organizojnë promovimin e romanit “Merimanga e Sarajevës” të shkrimtarit anglez Robert Wilton, përkthyer mjeshtërisht nga Diana Çuli.
Promovimi i romanit bëhet më datë 19 korrik, ora 18:30, në Muzeun Historik Kombëtar, salla “Unesco”.
Të ftuar në panel për të folur rreth librit do të jenë: autori Robert Wilton, përkthyesja e librit Diana Çuli, dhe gazetarja Arta Marku.
Promovimi do të bëhet në shoqërinë e kuartetit të harqeve “Tinguj & Monumente”.
Robert Wilton është shkrimtar, përkthyes i poezisë shqipe në gjuhën angleze dhe bashkëthemelues i shoqatës bamirëse The Ideas Partnership në Kosovë. Ai ka punuar në sektorë të ndryshëm të qeverisë britanike, duke përfshirë dhe detyrën si Sekretar Privat i tre Sekretarëve të Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar për Mbrojtjen. Ka qenë këshilltar i kryeministrit të Kosovës në periudhën e luftës për pavarësi e më pas ka punuar si drejtor i Zyrës Ndërkombëtare të Monitorimit dhe të Këshillimit për Qeverinë e Kosovës. Sot punon në Tiranë, në detyrën e zëvendësambasadorit të OSBE-së.
Robert Wilton është i njohur për një numër romanesh të ciklit Drejtoria e Përgjithshme (The Comptrollerate-General): Merimanga e Sarajevës (The Spider of Sarajevo), Fusha e tradhtarit (Traitor’s Field), Batica e tradhtisë (Treason’s Tide). Është vlerësuar nga Historical Writer’s Association, me çmimin Goldsboro Crown për romanin historik më të mirë debutues/ KultPlus.com

Sonte nisë PriFilmFest (FOTO)

Hapja zyrtare e PriFilmFest do të bëhet me shfaqjen e filmit ‘T’padashtun’ nga regjisori Edon Rizvanolli, shkruan KultPlus.

Kryeqyteti sonte do jetë më ndryshe, kjo pasi që është vendi nikoqir ku do të zbarkojnë mysafirë të shumtë, artistë botërorë e vendorë, për të qenë pjesë e hapjes në edicionin e nëntë të festivalit `PriFilmFest`.
Tashmë gjithçka është gati dhe hapja solemne e festivalit pritet të bëhet sonte në Teatrin Kombëtar, por në të njëjtën kohë, hapja do të bëhet edhe në sheshin `Nëna Terezë` me premierën e filmit ‘Tpadashtun’ të regjisorit Edon Rizvanolli.
Gjatë këtij edicioni, nuk do të mungojë edhe artistë të njohur botërorë, në mesin e tyre sonte do të jetë edhe mysafiri special, fituesi i Çmimeve Oskar, regjisori Paul Heggis.
“Jemi zyrtarisht në javën e festivalit. Edhe më i madh se në edicionet e kaluara, PriFest është gati që ta dërgojë kulturën filmike të vendit tonë në një tjetër nivel! PriFest9 po vjen! Bëhuni gati për një javë fantastike, me plot filma, muzikë e argëtim”, kanë shkruar organizatorët në Facebook.
Filmat e edicionit të sivjetmë të PriFest-it do të shfaqen në 5 hapësira të ndryshme, si dhe do të ketë organizime të ndryshme të ngjarjeve përcjellëse të industrisë së filmit, ngjarjeve muzikore me artiste nga vendi dhe bota. / KultPlus.com

Dua Lipa poston fotografi të vëllait të saj Gjinit, nga një shfaqje në shkollë

Këngëtarja Dua Lipa, me tërë famën që po e merr nga publiku përherë e më shumë, asnjëherë nuk lë anash të dashurojë më të afërmit e saj.

Gjini, vëllai i Duas, në një shfaqje teatrore në shkollë është vizituar nga e motra e cila ka postuar disa fotografi të kësaj dite në Twitter.
Dua dhe Rina janë dy motrat e Gjinit dhe të dyja ishin aty për Gjinin, në një ditë të rëndësishme për të.
Dua Lipa është fëmija më i madh në familjen e Dukagjin Lipës. Dua së fundmi në një intervistë tregon se muzika rrjedhë në familjen e saj dhe se gjithmonë ka pasur muzikë në ambientet ku ajo është rritur. / KultPlus.com

Kulla e Asllan Tupellës shpëtohet nga rreziku

Vitin e kaluar, pas hulumtimit të bërë nga CHwB Kosova, kjo kullë u vlerësua të jetë në gjendje shumë të keqe, përcjellë KultPlus.

Kulla e Asllan Tupellës e cila gjendet në fshatin Kqiqi i Vogël, në Komunën e Mitrovicës, vitin e kaluar, pas hulumtimit të bërë nga CHwB Kosova, kjo kullë u vlerësua të jetë në gjendje shumë të keqe duke rrezikuar familjen që jeton pranë saj.
Kështu kulla hyri në listën “Trashëgimia në Rrezik” e publikuar në platformën trashegimianerrezik.com dhe u apelua për shpëtimin e saj. Sot, kjo kullë ishte pjesë e Programit të Intervenimeve Emergjente të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke u shpëtuar nga rrënimi. / KultPlus.com

Vendi i pestë për Postën e Kosovës, për pullën më të bukur postare (FOTO)

Ky çmim i është ndarë në ekspozitën ndërkombëtare “Grand Prix De L’Exposition Wipa” të mbajtur në Austri, ku kanë marrë pjesë Administrata Postare nga shumë vende të zhvilluara të botës, shkruan KultPlus.

Në ekspozitën ndërkombëtare “Grand Prix De L’Exposition Wipa” të mbajtur në Austri, Posta e Kosovës është shpërblyer me vendin e 5-të për pullën më të bukur postare për vitin 2016, shkruan KultPlus.

“Ky është një sukses mjaft i madh i Filatelisë së Postës së Kosovës duke marrë parasysh se jemi renditur më lartë se shumë Administrata Postare të vendeve më të zhvilluara të botës që kanë traditë qindravjeçare në filateli”, ka shkruar drejtori i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, i cili është shprehur të jetë krenar për këtë shpërblim.

“Njëherësh ky është një inkurajim për Postën e Kosovës për zhvillim të mëtejmë të Filatelisë, përkatësisht pullave tona postare”, ka përfunduar ai./KultPlus.com

Rene Rexhepi dëshiron të lidhë njerëzit me natyrën

“Noma” është restaurant i cili për herë të parë është themeluar nga René Rexhepi, në Kopenhagë, Danimarkë, në vitin 2004, ndërsa tani “Noma” ka në vende të ndryshme të botës. / KultPlus.com

Kjo lidhje e njerëzve me natyrën tentohet të bëhet përmes aplikacionit për mobil “Wild Food”, i cili shpjegon se si lexohet natyra dhe si të zbulohen dhe zhvillohen aftësitë në kuzhinë.
“Nëse njerëzit e shohin se sa shumë varen nga natyra dhe nëse ata rriten duke e dashur atë, atëherë ata do të luftojnë për t’u kujdesur për të”, ka thënë Rene Rexhepi.

“Noma” është restaurant i cili për herë të parë është themeluar nga René Rexhepi, në Kopenhagë, Danimarkë, në vitin 2004, ndërsa tani “Noma” ka në vende të ndryshme të botës. / KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës prezantohet me dy shfaqje në ‘Mozart Festival’ në Bullgari

Baleti Kombëtar i Kosovës do të prezantohet me dy shfaqje brenda një nate në edicionin e 13-të të “Mozart Festival” që mbahet në Pravets, Bullgari,shkruan KultPlus.

Shfaqja “Xhuljeta pa Romeon” me koreografi nga Darrel Toulon dhe shfaqja “Dasma” me koreografi nga Mehmet Balkan, do të shkrihen në skenën e këtij festivali në Bullgari më datë 15 korrik duke filluar në ora 20:30.

Në rolet kryesore të shfaqjes “Xhuljeta pa Romeon” luajnë balerinët: Teuta Krasniqi, Fatmir Smani, Muhamet Bikliqi, Sead Vuniqi, Leonora Rexhepi, Vjollca Llugiqi por jo më pak të rëndësishëm janë edhe balerinët e tjerë.

Shfaqja “Dasma” është një bashkëpunim shqiptaro-turk. Koreografi i saj është Mehmet Balkan, një nga koreografët më të njohur në Europë. “Dasma” është bashkëpunimi i tij i dytë me trupën e baletit të Kosovës. / KultPlus.com

Calovski dhe Stepken erdhën me një ligjëratë interesante në ‘Shkolla Verore si Shkollë’

Në kuadër të programit të Shkolla Verore si Shkollë, mbrëmë janë prezantuar Yane Calovski dhe Angelika Stepken, ngjarje kjo e cila ndodhi në lokalet e Klubit të Boksit në Prishtinë.

Artisti nga Shkupi, Yane Calovski u shpreh i kënaqur për pjesëmarrjen e tij në Shkolla Verore si Shkollë, e cila organizohet nga Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë “Stacion”. Ai në prezantimin e tij u fokusua në instalacionin hulumtues me të rinjtë arkivit të humbur të Planit Urbanistik të Shkupit, të dizajnuar nga Kenzo Tange në bashkëpunim me një numër të arkitektëve dhe urbanistëve vendorë dhe Jugosllavë.

Të pranishmëve në këtë ligjëratë ai u foli për pasojat e zjarrit të prillit në vitit 2017, i cili shkatërroi ish-Institutin Shtetëror për Planifikim Urban dhe Arkitekturë në Shkup, si dhe për aksionet qytetare, të iniciuar nga artistët dhe mbështetur nga shumë individë, e organizata shtetërore dhe të pavarura të artit, arkitekturës e kulturës, për të rimarrë, përzgjedhë, organizuar dhe emëruar dokumentacionin e shpëtuar nga ‘bunker dhoma’ e Institutit ku të gjitha dosjet e projektit ishin të dokumentuara me kujdes ndër vite.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu sot dhe që jam pjesë e Shkollës Verore si Shkollë. Për mua është kënaqësi të ndajë me ju përvojën time në procesin e ripërtrirjes së materialeve nga “bunker dhoma” si dhe për krijimin e një koleksioni pas zjarrit, të qasshëm për publikun”, tha Yane Calovski gjatë ligjëratës, duke treguar edhe fotografi dhe video të gjendjes pas zjarrit të ish-Institutit Shtetëror për Planifikim Urban dhe Arkitekturë në Shkup.

Pas tij fjalën e mori Angelika Stepken, drejtoreshë e “Villa Romana”, një rezidencë artistësh gjermanë në Firencë. Ajo gjatë ligjëratës së saj u fokusua në prezantimin e institucionit të cilin e udhëheqë “Villa Romana”. Sipas saj “Villla Romana” është një institucion i cili e vlerëson hulumtimin individual dhe shkëmbimin në perspektivat sociale dhe politike.

“Është kënaqësi shumë e madhe për mua të jem në mesin e gjithë këtyre artistëve nga vende të ndryshme. Për mua ka qenë përvojë shumë e mirë që në “Villa Romana” të punojë me artistë nga Kosova”, tha Angelika Stepken gjatë prezantimit të saj.

Shkolla Verore si Shkollë organizohet nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë. Shkolla Verore si Shkollë ka filluar më 10 korrik dhe do të zgjasë deri më 24 korrik. / KultPlus.com

‘Vera e Ohrit’, një edicion pa shqiptarë

Në edicionin e sivjetshëm të Festivalit “Vera e Ohrit”, pjesëmarrja e artistëve dhe performancave shqiptare është e reduktuar në maksimum. Pas anulimit të pjesëmarrjes së një sërë emrash të njohur që parashikoheshin të ishin pjesë e programit, mes tyre Shkëlzen Doli e Inva Mula, këtë vit nuk merr pjesë me shfaqje as Teatri Shqiptar i Shkupit.

Dilemat për pjesëmarrjen e ndonjë grupi apo artisti shqiptar nga jashtë Maqedonisë janë eliminuar pas publikimit të versionit të plotë të programit në të cilin nuk ka asnjë shqiptar. Violinisti Blerim Grubi është emri i vetëm që do të interpretojë në natën e parafundit së bashku me Marija Vërshkovën në një koncert në piano e violinë në kishën Shën Sofia. Edicioni i 57-të i festivalit “Vera e Ohrit” nis të mërkurën në mbrëmje me shfaqjen e grupit muzikor nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës “Fourplay”, në skenën e Teatrit Antik, ndërsa mbyllet më 20 gusht me shfaqjen teatrore “Toka e askujt” të Teatrit Nacional. Këtë vit “Vera e Ohrit” është cilësuar si një edicion me risi, sa i takon stafit, logos, e të tjera, pas ndryshimit pas dhjetë vitesh të dy selektorëve, Gjorgji Cuckovski i pjesës së muzikës dhe Zoran Llutkov si elektor artistik i pjesës së dramës, ndërsa motoja është “Rruga drejt magjisë”.

Anulimi i pjesëmarrjes së artistëve shqiptarë si Doli, apo Mula, nuk sqarohet nga drejtori i Festivalit Oliver Arsovski, nëse bëhet fjalë për angazhime të tjera apo për mosmarrëveshje rreth pagesës, ndërsa sa për Teatrin Shqiptar ky i fundit nuk arriti që të realizonte në kohë shfaqjen me të cilën supozohej se do të merrnin pjesë. Interesimi i publikut për të marrë pjesë është i madh, thonë nga drejtoria e festivalit, pavarësisht panikut që shkaktuan tërmetet njëpasnjëshme në këtë zonë.

“Nuk kemi asnjë anulim, çdo gjë rrjedh normalisht dhe ne po bëhemi gati për hapjen e festivalit. Teatri Antik do të jetë plot natën e parë dhe interesimi për bileta është i madh, jo vetëm nga brenda vendit, por edhe nga jashtë, madje më i madh se vitet e kaluara”, thotë zëdhënësja Suzana Vrencovska.

Performancat muzikore janë ato që do të dominojnë skenën e sivjetshme, gjithsej 38, nën interpretimin e mbi 270 artistëve, nga Kina, Rusia, Europa, rajoni. Festivali hapet me një spektakël xhazi, për të vazhduar me mbrëmje xhazi, simfoni rok, orkestra kamertale, e të tjera. Sa i takon pjesës dramatike në skenë do të ngjiten katër teatro vendase, si edhe teatro të huaja, nga Bosnja, Teatri i Ushtrisë nga Bullgaria dhe Teatri Kombëtar i Rumanisë. Skenat muzikore dhe ato teatrore do të jenë ashtu si edhe vitet e tjera në Teatrin antik, Sarajet e Poshtme dhe në oborrin e Shën Sofisë. / KultPlus.com