Promovohet “Fëllanzat”, libri që trishton me rrëfimet e grave të dhunuara

Gazmend Bërlajolli, sot mblodhi shumë dashamirës të artit dhe letërsisë, në promovimin e librit “Fëllanzat”,që u mbajt sot në Qendrën Informative dhe Kulturore të BË-së në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

“Fërfëlloi fëllanza n’ujë, fërfëlloi fëllanza n’ujë, fëllanza moj” me këtë pjesë që të rrëmben në një melodi të lehtë, fillon edhe përcillet çdo rrëfim i librit “Fëllanzat”. Ky libër në të cilën autori sjellë edhe një lojë me strukturën, të rrëmben me rrëfimet e grave të mbijetuara prej torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë. Rrëfimet e tyre vijnë në dy gjuhë, në pjesën e parë, libri është i shkruar në gjuhën shqipe, ndërsa në pjesën e dytë në gjuhën angleze. Pothuajse i tërë libri është tregim i bazuar në dëshmi faktike nga libri “Unë dua të dëgjohem”.

Sot në ceremoninë promovuese të këtij libri, Korab Krasniqi tregoi se ky libër është induar dhe mbështetur nga organizata lokale në Prishtinë “Integra” dhe forumZFD, që së bashku kanë udhëhequr projektin “Unë dua të dëgjohem”. Ai tregoi se ideja e këtij libri e ka zanafillën në vitin 2015.
“Në këtë vit, ne si organizatorë kemi pasur mjaft dilema dhe sfida nëse në të vërtetë mundemi të punojmë në një temë mjaft komplekse dhe mjaft delikate që ka të bëjë me grumbullimin e kujtimeve individuale të grave të mbijetuara të dhunës seksuale në luftë”, tregoi Krasniqi sot gjatë përurimit të librit.

Kurse publicisti Shkëlzen Gashi foli më shumë mbi fenomenin e dhunimit gjatë luftës, në vitin ’98-të dhe ’99-të, lidhur me këtë ai shpalosi një detaj nga ligjërata me profesorin Žarko Puhovski, ku ai kishte ngritur një hipotezë për numrin e madh të grave të dhunuara në Bosnjë dhe në Kosovë.
“Ai tha se unë e kam një hipotezë, hipoteza ime është religjioni. Forcat serbe kur e kanë kryer dhunimin e grave si në Bosnjë, si ë Kosovë e kanë ditur që gratë myslimane lëndohen shumë më shumë”, tregoi Gashi.

Ai po ashtu për të pranishmit shkëputi një detaj nga raporti “Plagë që të djegin shpirtin”, i publikuar nga organizata ndërkombëtare Amnesty International, ai tregoi se si një grua e dhunuar ia hap temën e dhunimit burrit të saj, i cili i kundërpërgjigjet se “dhunimi ju ndodh vetëm grave të pamoralshme”. Po ashtu Gashi tregoi edhe një rast tjetër të kundërt se kur një gruaje gjakovare, i tregon burrit të saj që është dhunuar, burri i saj e kishte pranuar duke i hedhur fajin vetës që nuk ka pasur mundësi ta mbronte.

Libri “Fëllanzat”, që u promovua sot që nga titulli tregon për lidhjen e autorit me fuqinë për t’u shprehur në gegnisht, dhe duke vazhduar me këtë gjuhë në gjithë librin, ai sikur nxjerrë zërin e çdo personazhi që ka zënë vend në librin e tij. Emocionet që e kishin pushtuar atë gjatë krijimit të këtij libri, ai duket se nuk i ka tejkaluar as sot kur libri shkon në duart e lexuesve.

Gazmend Bërlajolli, sot gjatë këtij promovimi tregoi se ky libër i kishte marr më shumë kohë se që kishte parashikuar. Ai i ndodhur pranë këtyre dëshmive tregon edhe për traumën që kishte përjetuar kur shpesh i ishte dashur që të shkëputej për tri ditë për ta harruar atë që kishte lexuar.
“Një javë kam qarë duke e shkruar”, thotë mes emocionesh autori Bërlajolli.

Ai më pas vazhdon “Gëzimin kur e ndan shumëfishohet, e hidhërimin kur e ndan përgjysmohet”, duke e theksuar këtë thënie ai u drejtua të pranishmeve me të cilin edhe ndau këtë libër sot.
Ai thotë se në librin e tij ka mbledhur momentet që i kishin bërë më së shumti përshtypje dhe arsyeja përse ka ftuar njerëz të komunitetit të artistëve është se edhe ata mund të përdorin detaje nga libri, për t’i shkrirë në forma të ndryshme të artit.

“Kam dashur të ftoj njerëz të komunitetit të regjisorëve, dramaturgëve sepse ka këtu ka material, që kur e trajtoni këtë temë, artin e juaj mund ta begatoni me elemente më realiste”, u shpreh autori sot në ceremoninë përuruese të librit të tij. Krejt ky organizim është mbështetur nga Integra, forumZFD, MOTT, RBF, BMZ. /KultPlus.com

Nexhat Daci zgjidhet kryetar i Akademisë së Shkencave

Kuvendi i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, sot ka mbajtur zgjedhjet e rregullta të udhëheqjes së Akademisë dhe zgjodhi Kryesinë e re të Akademisë:

Kryetar i ASHAK është zgjedhur akademik Nexhat Daci, nënkryetar Jusuf Bajraktari ndërsa sekretare shkencor anëtarja korrespodente Myzafere Limani, raporton KP.

Kuvendi i Akademisë gjithashtu miratoi zgjedhjen e sekretarëve të seksioneve: Akademik Eqrem Basha, sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë; anëtare korrespondente Justina Pula, sekretare e Seksionit të Shkencave Shoqërore , anëtar korrespondent Fetah Podvorica, sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës dhe anëtar korrespondent Luan Mulliqi, sekretar i Seksionit të Arteve. / KultPlus.com

“E diela e Laurës” dërgon Ndue Ukaj në “Poetrybay”

Poema “E diela e Laurës”, e shkrimtarit nga Kosova Ndue Ukaj, është përkthyer në gjuhën angleze dhe është botuar në platformën online të letërsisë, “Poetrybay”. Në anglisht poema ka marrë titullin “Laura’s Sunday”.

“Poetrybay” është prezantuar në vitin 2000 dhe përmban disa nga veprat më të bukura që po prodhohen në poezinë bashkëkohore nga autorë të krijuar dhe në zhvillim. Duke përfshirë poezitë, rishikimet, esetë dhe intervistat, ky publikim vjetor vetëm në internet është përzgjedhur për arkivimin dhe shpërndarjen nga sistemi LOCKSS i Universitetit Stanford.

Poezia e Ukajt është përkthyer në anglisht, rumanisht, spanjisht, italisht. Ukaj shkruan poezi, prozë, eseistikë, teori, kritikë dhe studime letrare. Ai është laureat i çmimit “Azem Shkreli” 2010, për librin më të mirë në poezi “Godo nuk vjen”, çmim ky të cilin e ndanë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës.

Poezia e Ukajt është vlerësuar si shenjë identifikuese e poezisë moderne shqipe, ku ndjehet fuqishëm fryma universale e poezisë dhe kërkesat e saj për të qene pjesë e poezisë së përbotshme, duke përcjellë frymën e veçantë dhe tiparet moderne të poezisë shqiptare./KultPlus.com

Ribotohet përmbledhja e Rexhep Hoxhës “Me sy kah Parnasi”

Këto ditë nga Shtëpia Botuese “Lugjet e Verdha” doli nga shtypi përmbledhja me vjersha për të rritur e autorit Rexhep Hoxha “Me sy kah Parnasi”, shkruan KultPlus.

“Me sy kah Parnasi” për herë të parë e pa dritën e botimit në vitin 1965. Përmbante gjithsejtë tridhjetë e tetë poezi. Atëherë u botua nga Revista Letrare “Jeta e Re”, Prishtinë.

Ballinën për botimin e ri e ka bërë Gurakuq Dobruna, radhitjen kompjuterike Ilir Berisha ndërsa u shtyp në Shtypshkronjën Prograf, Prishtinë./KultPlus.com

Hapet në kryeqytet ekspozita ‘Kujtesa në lëvizje’ (FOTO)

Në ekspozitën e hapur të mërkurën mbrëma, në Klubin e Boksit u prezantua trashëgimia kulturore e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, e cila u shpalos nëpërmjet kujtesës kolektive e cila përçohej përmes materialeve e mediumeve të ndryshme.

Artefakte të ndryshme si ora të vjetra, vegla pune, veshje nusërie e dekorime shtëpish, të huazuara nga komuniteti ishin vendosur aty për të treguar momente të veçanta të së kaluarës dhe për të shfaqur një mënyrë jetese të përbashkët. Përditshmëria dhe estetika rome vihej në pah më së miri nga pikturat shumëngjyrëshe të Farije dhe Mehmet Bajramit. Përditshmëria e bazuar në situata reale në pikturat e Bajramit ndërlidhej me gratë imagjinare të Farijes në të cilat shpaloset bukur veshja apo çarama shumëngjyrëshe e grave rome.

Në murin e një dhome tjetër ishin vendosur fotografi personale qe flisnin për momente të veçanta, ceremoni të ndryshme dhe ngjarje të rëndësishme për familjen dhe komunitetin.

Përgjatë një muri shtrihej poezia “Si bëhet kënga rome” nga Kujtim Pacaku i cili ishte i pranishëm dhe mbajti fjalim hyrës para publikut ku u shpreh falënderues për kontributin e dhënë ndaj komuniteteve përmes kësaj ekspozite dhe se kjo duhet të vazhdojë tutje sepse siç tha ai “me një lule nuk qel pranvera”. Ekspozita përfundoi me një performancë live nga grupi Gipsy Groove të cilët kënduan këngë të vjetra rome të ndërthurura me forma të reja muzikore.

Kjo ekspozitë erdhi si një epilog i një pune një-vjeçare në mes CHwB Kosova dhe Balkan SunFlowers e cila ndër tjera, gjatë këtij viti arriti të fus trashëgiminë kulturore në kurrikulën ekzistuese të qendrës për mësim-nxënje në Fushë Kosovë, e cila menaxhohet nga BSFK.

E gjithë kjo e mbështetur nga Qeveria Suedeze. “Shoqëritë duhet të punojnë që zhvillimin e përgjithshëm ta vendosin në simbiozë me kulturën, qe kjo e fundit t’i çliroj ata nga tendenca e izolimit, ndarjes, diskriminimit dhe jotolerancës. Gjithëpërfshirja dhe mundësitë barabarta janë rruga e vetme për ta arritur këtë qëllim. Organizata jonë e vendos të drejtën në kulturë si e drejtë fundamentale e njeriut. Kjo e drejtë është pjesë e punës se përditshme, e secilit projekt, e secili anëtar.” u shpreh drejtori ekzekutiv i CHwB Kosova, Sali Shoshi. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datën 22 dhjetor, nga ora 4 deri në ora 7. / KultPlus.com

Atifete Jahjaga mahnitet me ruajtjen e trashëgimisë kulturore të familjes Kolgjeraj (FOTO)

Familja e Lajde Kolgjerajt në Zym të Hasit dallohet për rolin e saj në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, shkruan KultPlus.

Kjo familje për vite të tera ka mbledhur dhe ruajtur veshje tradicionale shqiptare të grave të Hasit.
Dhe pikërisht kjo veçanti ka bërë që ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga të vizitojë këtë familje e shoqëruar edhe nga Nita Xhiha dhe Erzen Shkololli nga Fondacioni “Unë e du Kosovën”.

“Isha në familjen e Lajde Kolgjerajt në Zym të Hasit me miqtë e mi Nita Xhiha dhe Erzen Shkololli nga Fondacioni “Unë e du Kosovën”. U mahnita me punën e Lajdes dhe të grave të tjera të fshatit në ruajtjen e një pjese të rëndësishme të trashëgimisë dhe kulturës sonë. Lajdia, për shumë vite tani, ka mbledhur dhe ruajtur veshjet tradicionale shqiptare të grave të Hasit. Për të mbajtur gjallë traditën tonë është e domosdoshme që, në mënyrë institucionale, të mbështesim iniciativa të tilla”, ka shkruar Jahjaga./KultPlus.com

Rita Ora dhe Liam Payne paralajmërojnë bashkëpunimin për “Fifty Shades Freed”

Pas duetit të Zayn Malik dhe Taylor Swift për kolonën zanore të filmit “Fifty Shades Darker”, do të jetë një tjetër anëtar i One Direction që do të këndojë për filmin e ardhshëm të sagës, “Fifty Shades Freed”.

Paralajmërimin e ka bërë edhe vetë Ora përmes postimit në rrjetin e saj social Twitter.

Liam Payne, do të jetë ylli i ri që do ta shihni vitin e ardhshëm në këtë film romantik, shkruan DailyMail.

Të dy yjet, Ora dhe Payne, do të jenë së bashku si dy akterët kryesorë.

Shfaqja “Portreti i pakryer” nxjerrë në pah tragjiken e individit karshi shoqërisë

Gili Hoxhaj

Monodrama “Portreti i Pakryer”, me autor Besim Rexhajn dhe me regji të regjisores Elmaze Nura, erdhi mbrëmë premierë për publikun e Teatrit “Dodona”.

Aurita Agushi vjen në skenë dhe brenda skenës e mban gjallë personazhin e Norës për gjithsej pesëdhjetë minuta.

Ajo e vetme, varion nga një pjesë në pjesën tjetër dhe ngërthen brenda lojës së saj edhe personazhe me të cilat
fati i saj ka qenë gjithnjë i lidhur. Në këtë pikë, ajo shfaqet e lodhur nga rrethanat në të cilat ndodhet nga imponimet nga jashtë, e që vijnë e shkelin brenda ndjenjave të saj. Megjithatë personazhi i kësaj shfaqje ecën me forcën e saj shpesh duke ngjallur vetës shpresën. Nora në krejt këtë situatë luftën më të fortë e zhvillon brenda zërave të vetes që e pushtojnë. Ajo për dhjetë vite përpiqet ta ruajë dashurinë për njeriun e jetës së saj i cili kishte qenë një disident dhe i burgosur politik. Është letra e lamtumirës ajo që e sjellë Norën në situata kritike, të skajshme psikologjike e jetësore, e që në fund ky personazh tretet brenda errësirës së skenës, derisa në sfond alarmi nxjerrë edhe tragjiken e kësaj shfaqje.

Publiku që ka shijuar dramën “Lojë e pafundme” veçse e di vazhdimin e fatit të këtij personazhi. Qëllimi i parë autorit Rexhaj ka qenë që ta artikulojë tragjiken e jetës në rrethana të caktuara shoqërore, politike, socio-ekonomike. Ai thotë se këtë tragjikë e ka futur në fatin e një gruaje, duke e lidhur me fatin e një familjeje.

Synimi ka qenë të identifikojë dhe pastaj të artikulojë paradokset, kundërshtitë e mentalitetit e të rrethanave shoqërore, të historive të formimit të individit, e të familjeve, të cilat me paradokset e veta dëmtojnë veten dhe anëtarët e vet të familjes. Autori Besim Rexhaj tregoi në detaje konceptet e kësaj trilogjie, veçmas të kësaj shfaqje.

“Tek dy monodramat fokusi është në Norën, në individin, tek një femër e cila është viktimë e viteve 90’ta, e kurtheve të jetës dhe e kurtheve të familjes së saj, pra të babait të saj, i cili në vitet e 90’ta bënte punën e djallit, në sistemin politik. Nora ia del të mbijetojë, përkundër që në vitet e 90’ta pëson ndarjen nga Bardhyli, ata që e kanë parë “Lojë e pafundme”, e kuptojnë se ajo edhe pse kalon në ferrin e luftës, aksidentalisht arrin të shpëtojë”, tregoi autori Rexhaj, i cili shpjegoi se edhe pse monodrama përfundon tragjikisht nëse shikohet tërësia e trilogjisë del se ajo ka mbijetuar në dramën “Lojë e pafundme”.

Regjisorja Elmaze Nura tregoi se me konceptin e saj regjisorial është përpjekur që ta sjellë dramën në një version modern, pavarësisht që ajo shtjellohet brenda një periudhe të fundit të shekullit të kaluar. Ajo tregon se edhe pse ky tekst nuk është i lehtë të përpunohet, kjo nuk ka qenë e vështirë të kapet nga ana e saj për shkak se vet shfaqja prek pothuajse çdo individ, i cili mund ta përkthejë këtë shfaqje në zbrazëtinë e vet shpirtërore.
“Kjo shfaqje mund të perceptohet jo vetëm në aspektin femëror, pasi që unë dhe aktorja kemi qenë femra, por unë mendoj që çdo qenie njerëzore që ka humbur dikë në jetë, e që nuk është realizuar në një pjesë të jetës mund ta gjejë vetën brenda kësaj shfaqje. Ky tekst nuk ka qenë i lehtë të përpunohet për shkak se ka brenda vetes shtresa dhe nënshtresa dhe duhet të lexohet me shumë kujdes sepse ka edhe psikologji, filozofi dhe politikë brenda vetës”, tregoi regjisorja Nura për KultPlus.

Muzika e kësaj shfaqje erdhi e realizuar nga kompozitori Memli Kelmendi, ndërsa koreografia nga Agnes Nokshiqi, me skenografi të Majlinda Kelmendit e kostume të Samka Ferrit, kurse ndriçimi nga Skënder Latifi. Kjo shfaqje është kooproduksion me Teatrin “Dodona ndërsa është pjesë trilogjisë që fillimisht është prezantuar në shfaqjen “Vorbulla”, por faktikisht shfaqja “Portreti i pakryer” edhe pse e fundit autori e ka vendosur fillimin e ngjarjes pikërisht tek kjo shfaqje. / KultPlus.com

Revista suedeze “Vagabond”: Shqipëria, destinacioni kryesor për vitin tjetër

Vagabond është revista më e madhe e Suedisë për udhëtime dhe ka listuar 35 destinacione në gjashtë kategori: vendet më të mira, qytetet më të mira, aventurën më të mirë, më të mirët e diellit dhe banjot, udhëtimet më të mira ushqimore dhe udhëtimin më të mirë buxhetor, ku Shqipëria renditet e para.

Lajmi është postuar në faqen e ministrise për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku thuhet: “Shqipëria po promovohet nga mediat ndërkombëtare si një nga destinacionet më të mira turistike për vitin e ardhshëm 2018. Vendi është në krye të 35 destinacioneve për t’u vizituar në 2018, sipas Vagabond Beresta Editorial”.

Në artikullin kushtuar Shqipërisë thuhet se “Fituesi në kategorinë më të mirë është Shqipëria – një vend që së fundi ka qenë një ushqim i mirë në botën e udhëtimit, pasi ajo ka gjithçka, nga majat e thyera malore deri te plazhet e artëa mesdhetare”.

“Shqipëria lë prapa dy vende: Botsvana dhe Zvicra. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave (INSTAT) konfirmuan se numri i turistëve nga tregu europian në 2016 vizitorët nga Suedia u rritën me 63 për qind”, citon Vagabond. / KultPlus.com

Një lutje e mahnitshme e Shën Terezës shqiptare

Shën Tereza, krenaria e të gjithë shqiptarëve, sot njihet në mbarë planetin për të bëmat e saj por edhe për kujdesin ndaj të varfërve dhe predikimet e saj të fuqishme.

Nënë Tereza e Kalkutës, siç e njohin të gjithë, është ende shpirtërisht e gjallë ndër njerëzit tek të cilët ajo predikoi lutjet e saj, dëshirën e saj për shëndet e mundësi të mirë jetese, shkruan KultPlus.

Po e sjellim në këtë mëngjes një pjesë të një prej lutjeve dhe predikimeve më të pastërta dhe njerëzore të Shën Terezës shqiptare.

“Në jetë mos fajëso askënd. Njerëzit e mirë të japin lumturi, të tjerët të japin eksperiencë, të gabuarit të japin mësim, të dashurit të japin kujtime të paharrueshme…”

Sa e mundur është ti japësh vetes bekimin e kësaj paqeje shpirtërore që na e predikon e shenjta Nënë Terezë? Sa e magjishme dhe sa e hyjshme është ta rrokim me këtë urtësi momentin kur trazimi na i errëson sytë na e ndërkryen turrin, kur zemërata na cingërin nervat dhe gjuhën na helmon.
Nënë Tereza: Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyre, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!

“Eja eja lule borë”, një krenari shkodrane për të gjithë shqiptarët (VIDEO)

E shkruar në vitin 1946 nga poeti shkodran Zef Pali dhe e kompozuar nga Simon Gjoni, kënga “Eja, eja lule borë” mbetet ndër këngët më të bukura shqiptare.

Një këngë që i ka rezistuar kohës, shtatë dekadave jetë, edhe sot këndohet e dëgjohet me ëndje.

Po e sjellim sonte një performancë të këngës e cila nuk është vetëm shkodrane, por një krenari e të gjithë shqiptarëve, shkruan KultPlus.

Po e bashkëngjisim edhe tekstin origjinal të këngës.

Në ish-Bashkimin Sovjetik, Lule borë, ishte kaq e përhapur sa që shqiptarëve iu drejtoheshin: “A…, ju jeni nga vendi i Lule borë”, kujton këngëtari Avni Mula, një nga interpretuesit më pikantë të kësaj kënge në atë kohë, por që nuk e ka harruar pa një interpretim lirik të mirëfilltë në disa koncerte edhe vajza e tij, sopranoja Inva Mula. / KultPlus.com

Eja, eja lule borë

Tue kerkue n‘mal e n‘koder
tue prek‘ lule e gjeth‘ me dore
veç nji kopsht ma t‘bukur Shkodër
ty te gjeta Lule Borë

Ref
Je e vogel por je plot
Ty t‘ kerkoj une tash sa mot
Tash sa mot une ty t’ kerkoj
N‘gzim me ty jeten ta çoj

Eja eja lule bore
se me ty do t‘thur kunor
eja eja lule bore
se me ty do t‘thur kunor

Pash ma t’ buk’ren stinë pranvere
pash mbretneshen trandofil
mos t‘i falish kujt Ti eren
se per mue vetem ke çil

Fjalet e mija deh ndigjoi
ma ke ftyren porsi zane
une prej gjumit do’t zgjoj
veç me t pa ne drit t’ksaj Hane

Priyanka Chopra merr çmimin ‘Nënë Tereza’ për bamirësi

Priyanka Chopra është një prej personaliteteve që ka marrë këtë dhjetor çmimin “Nënë Tereza” për drejtësi shoqërore.

Chopra e ka pranuar çmimin për shkak të ndihmës së saj në Siri, vizitës së saj atje ku edhe takoi refugjatët dhe dëgjoi për nga afër vuajtjet e tyre.

Chopra njihet për aktivitetet e filantropisë dhe është Ambasadore e vullnetit të mirë në UNICEF.

Chopra është 35 vjeçare, ndërsa çmimin e ka marrë nëna e saj e cila ka treguar se është krenare për vajzën e saj dhe për humanizmin që ajo ka treguar, shkruan KultPlus.

“Qysh si fëmijë, Priyanka ka qenë shumë e dhënë pas Nënës Terezë. Ajo gjithmonë e ka ditur se sa më shumë të japësh, aq më shumë do të marrësh” ka thënë Madhu Chopra, nëna e Priyanka Chopra.

Chopra është zgjedhur më e bukura e botës në vitin 2000. / KultPlus.com

Huffpost: Dhjetë arsyet për ta vizituar Shqipërinë e bukur (FOTO)

Koloradoja rurale, ku unë jam rritur, nuk kishte asgjë tërheqëse çka rriti dëshirën time për të parë botën. Udhëtoja tërthorazi nëpërmjet faqeve të ”National Geographic” që më kishte blerë gjyshja. Mbushja fletoret me listat e vendeve që duhet të shihja, shkruan Monique Alvarez për HuffPost, e cila ka mbi 10 vjet eksperiencë në sipërmarrje dhe lidership për të ndihmuar gratë në të gjithë botën që të bëhen sipërmarrëse të suksesshme. Ajo është e ashtuquajtur ”nomade digjitale”, jeton në Tiranë me bashkëshortin dhe dy fëmijë.

”Ndërsa Shqipëria, që nuk e arriti asnjëherë këtë listë, do të bëhej vendi që gjeti rrugën thellë në zemrën time. Pas një udhëtimi veror në Meinmar, vendosa të ndiqja një trajnim në Floridan Qendrore, ku mësova të jetoja pa gjërat që shumë prej nesh i marrin të mirëqëna, si uji i pijshëm dhe energjia elektrike. Një natë, ndërsa po darkonim nën dritën e qirinjve, diskutimi na çoi në krizën e Kosovës dhe sesi një jetimore në Shqipëri po kërkonte vullnetarë.
Shqipëria nuk më hiqej nga mendja”, thekson ajo.

”Pak para ditëlindjes sime të 22-të nuk kisha asnjë ide se ku po bëhesha gati të shkoja dhe tani jam e lumtur. Nuk më nevojitej të dija sa do të rritesha apo mësimet që do të nxija, por duhej vetëm të ndiqja zemrën time sepse kisha një takim me fatin. Shumë persona më pyesin, pse Shqipërinë? Në këtë vend të vogël unë gjeta veten dhe jetën që dëshiroja të bëja. Tirana, Shqipëria ku unë erdha 18 vite më parë ka ndryshuar tmerrësisht shumë. Ky nuk është një vend i ngecur në të shkuarën. Ky është një vend plot me premtime dhe optimizëm dhe sigurisht një nga perlat më pak të çmura në botë”, shkruan Alvarez duke renditur më poshtë edhe 10 arsye që do t’ju bënin të rezervonit biletën tuaj në Shqipëri këtë vit:

1. Për shumë vende nuk është e nevojshme të aplikohet për vizë para mbërritjes. Në fakt, amerikanët të cilët janë të interesuar të qëndrojmë më gjatë mund të përfitojnë viza njëvjeçare. Në përfundim të vizës mund të aplikoni për leje qëndrimi tremujore. Nëse jeni të interesuar të jeni familje udhëtuese apo edhe të dilni në pension këtu harrojini afatet e vizave dhe shijojeni vendin çdo 12 muaj të plotë.

2. Shqipëria është një nga vendet më tolerante në botë. Këtu ka të krishterë, ortodoksë dhe myslimanë, të gjithë jetojnë paqësisht. Feja e vërtetë këtu është tradita e tyre e lashtë e mikpritjes.

3. Bukuritë natyrore të Shqipërisë janë befasuese. Ajo ka male të mrekullueshme, plazhe mbresëlënëse, liqene dhe lumenj. Ne shijuam verën në Ksamil dhe tani jemi në kryeqytetin, Tiranë. Kam qenë pothuajse kudo dhe mund t’ju them se çdo vend ka një bukuri të veçantë.

4. Kostoja e të jetuarit është E ULËT. Nëse po planifikoni dy javë pushime ose po mendoni të zhvendoseni, do të gjeni çmime shumë të leverdisshme në Shqipëri. Taksitë zakonisht kushtojnë rreth 2-4 dollarë, një vakt i bollshëm mund të shkojë në 15 dollarë, një apartament me dy dhoma në një zonë të mirë të qytetit mund t’ju kushtojë nga 400-500 dollarë.

5. Ushqimi është, oh sa i mirë! Janë të gjitha mundësitë, që nga adhuruesit e mishit dhe peshkut dhe deri te vegjetarianët. Kudo ka restorante dhe madje mund ta merrni vaktin tuaj edhe te dera e shtëpisë nga mbi 80 restorante në Tiranë kur shkarkoni aplikimin ”Baboon” në smartfonin tuaj. Tregjet e fruta-perimeve të freskëta janë në çdo cep rruge dhe ushqimet ”bio” janë një normë këtu. Nëse doni të takoni turistë apo bashkatdhetarë shkoni te qendra ”Stefan”.

6. Është vend i sigurt. Krimi pothuajse nuk ekziston. Gratë mund të ecin vetëm, madje edhe natën, dhe të mos jenë të shqetësuara. Unë rregullisht dal vetëm me fëmijët e mi dhe përdor shërbimin lokal të taksive pa asnjë problem. Unë gjithmonë befasohem sesa shpesh bëhet kjo pyetje, pasi ndihem më e sigurt këtu sesa në Amerikë.

7. Shqiptarët nuk janë mësuar ende me turistët, megjithatë ata i duan të huajt. Ata emocionohen kur ne vizitojmë apo lëvizim në vendin e tyre dhe kanë mënyrën e tyre për të të ndihmuar me gjithçka që të nevojitet. Transporti është shpesh gjëja më e vështirë për të udhëtuar, por furgonët janë mënyra më e mirë për këtë gjë.

8. Shumë banorë lokalë flasin anglisht. Në fakt, pjesa më e madhe e shqiptarëve flasin katër apo pesë gjuhë të huaja përfshirë greqisht, italisht, spanjisht apo gjermanisht. Siç edhe mund ta imagjinoni, ata ngazëllehen kur ju përpiqeni të mësoni disa fjalë në shqip. Nuk është ende shumë e qartë nga vjen gjuha shqipe. Ajo nuk ka të afërm të mbijetuar, madje edhe paraardhëset e saj janë të mjegullta. Shpesh mendohet se ajo rrjedh nga ilirishtja, por nuk ka fakte të mjaftueshme për të arritur në konfirmimin e kësaj.

9. Interneti është i shpejtë dhe i përhapur gjerësisht. Nëse punoni online ashtu siç bëjmë ne, kjo është pabesueshmërisht e rëndësishme. Edhe nëse jeni në zona rurale, pjesa më e madhe e restoranteve dhe bareve ofrojnë wi-fi pa pagesë. Nëse doni të qëndroni më shumë, interneti mund të instalohet brenda një apo dy ditëve me shpejtësi 100mb për rreth 30 dollarë në muaj.

10. Shqipëria është në një pozicion perfekt gjeografik për të shijuar Evropën Perëndimore, Evropën Lindore dhe Ballkanin. Nëse udhëtoni nga Greqia ka linjë ajrore, anije dhe autobusë. Një nga mënyrat më të lehta për të shkuar në jug të Shqipërisë është fluturimi deri në Korfuz dhe prej andej merr anijet. Fluturimet nga Roma, Londra, Frankfurti dhe Stambolli nga Tirana dhe drejt saj janë të zakonshme.

Nëse doni të vizitoni një vend tjetër të mrekullueshëm përpara se të rriten çmimet dhe përpara se të tejmbushet me turistë, shkoni në Shqipëri.

“Kur ne verbërisht e pranojmë një religjion, ne ndalojmë së rrituri”

“Ne nuk i shohim gjërat ashtu siç ato janë, ne i shohim ashtu siç ne jemi.”

“Ne udhëtojmë, disa nga ne përgjithmonë, për kërkuar një shtet tjetër, një jetë tjetër, një shpirt tjetër.”

“Kur ne verbërisht e pranojmë një religjion, një sistem politik, një dogmë, ne bëhemi automatë. Ne ndalojmë së rrituri.”
“Mos e kërko ‘sepse-në’ – në dashuri nuk ka ‘sepse’, nuk ka arsye, nuk ka zgjidhje.”

“Jeta njihet vërtetë vetëm nga ata që vuajnë, që humbasin, ata që i durojnë vështirësitë, ata që pengohen nga disfata në disfatë.”

“Ëndrrat janë të domosdoshme për jetën.”
– Anais Nin

Kapali Çarshia e Prishtinës, vendi i zanatlinjve e zejtarëve (FOTO)

– Çarshia e Mbulueme ose e mbyllur, e njohur si Kapali Çarshi, ka qenë pjesa më atraktive e qytetit, diçka fantastike! – kujton z.Islam Mumxhiu.

– Unë, madje, mund ta vizatoj si është dukur ajo çarshi, si ka qenë, aq kthjellët më kujtohet! Kanë qenë dyqanet me qepena, kalldrëmi turk, ndenjëset para duajve, zanatlinjtë… Ai kompleks dyqanesh, nja 400 sosh, ka qenë me arkitekturë tipike orientale. Qëllimi i prishjes, i rrënimit të Çarshisë më 1946 e këtij ka qenë humbja e gjurmëve të Prishtinës, ndërsa qendra e qytetit ka qenë pikërisht aty, me të gjitha begatitë. Ka pasur shumë rrugica, bile një objekt, pjesë e Çarshisë, ndodhet në hyrje të ish-shtëpisë së Eminxhikëve (Muzeu Etnologjik sot). Asgjë tjetër nuk ka mbetur nga ato gjurmë.

Aty, pra kanë qenë zanatlinjtë, zejtarët e shumtë prishtinas. Në Çarshi ka pasur edhe shumë dyqane të jahudinjve, aty ka qenë dhe SINAGOGA e madhe, faltore e besimtarëve hebraikë. Edhe atë e kanë rrënuar pa mëshirë. Në Prishtinë ka pasur shumë familje hebraike. Te Kinema “Rinia” ku është edhe sot, e ndërtuar pas luftë, ka pasur shumë dyqane të tyre. Me jahudinjtë kemi kaluar shumë mirë. Bile, varrezat e tyre ndodheshin në kodrën mbi Tauk Bahçe, u kujtohet mirë vendësve, porse viteve të fundit në atë pjesë janë ndërtuar shumë shtëpi. Mirëpo, kur hyri gjermani, një pjesë e tyre ikën, një pjesë shkuan në Shqipëri, ndërsa të tjerët i morën!

Kapali Çarshia ndodhej në hapësirën ku është Enti Social sot, ku është ndërtesa e Qeverisë, deri këtej Kuvendit të Komunës. Një pjesë e kësaj çarshie ka qenë e mbulueme, e muruese me tulla, ndërsa të tjerat pjesë kanë qenë të hapura. Shumë thellë në Kapali Çarshi, në qendër të saj, ka qenë një shatërvan, rreth e rreth me dyqane, sokak pas sokaku. Aty ka qenë edhe dyqani i Osman Navakazit, prishtinas. Kënaqësi e madhe ka qenë përpara, ka qenë pastërti e madhe, kalldrëm të larë, mure të pastra, lyer me gëlqere…eh, atëherë ka qenë e detyrueshme ta mbanim pastërtinë!

Burimi: Sanije Gashi – Prishtina e fëmijërisë sime

Ti do të më dashurosh patjetër

Poezi e shkruar nga Fatos Arapi.

Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër.
shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër.
Në mallin tënd ky karafil i egër,-
Ti do të më dashurosh patjetër!

Në sytë e tu diej të vegjël
e ndezën natën dhe ditën e ndezën.
Mirë sot, po si durohet pa ty nesër?-
Ti do t’më dashurosh patjetër.

Kapërcej ty e kapërceva veten,
dhe përtej vetes kapërceva jetën,
dhe përtej jetës kapërceva vdekjen,-
I hapa krahët të pushtoj ty vetëm:

Ti do t’më dashurosh patjetër!

“Çka do t`ju themi nënave…”

Para pak ditësh e sollëm një këngë të Hana Cakulit dhe Kushtrim Hoxhës, një bashkëpunim fenomenal i cili edhe sot dëgjohet e shijohet.

Sot po e vazhdojmë me Hanën. Hana, tanimë një nënë e përkushtuar dhe pak më larg muzikës, ka disa këngë të mahnitshme në repertorin e saj.

“Çka do t`ju themi nënave” është këngë e shkruar nga Aida Baraku, e kënduar nga Hana, shkruan KultPlus.

Kënga ka qenë pjesëmarrëse në Top Fest 2008, pra ka rreth dhjetë vite jetë dhe mbetet një baladë e fuqishme për dashurinë e humbur.

Po e sjellim këtu edhe tekstin e këngës në fjalë, në këtë periudhë kur çdo ditë po i rikthehemi këngëve më të vjetra të cilat i përkisnin një tregu tjetër muzikor.

Vdes per dy gota nes
si nje ndertese e rende me ra krese
kete mengjes,per vdekje qelloi
fjala e fundit si e plumbit,nga buzet shpetoi.
e vend i vogel eshte ky,
cdo kalimtare do te na ndal..ndaaaaal te pyes per ne te dy.

cka do t’iu themi nena…ve
cka do t’iu themi shok…eve
cka do t’iu themi,shembull do te jemi per taaa…
si shemben dashurite e medha.

mal i pyetjeve
si biciklete e vjeter,rrezohet para kembeve
u nise ngadale duket se gjeja me e veshtire
eshte te thuash me fal,

pasqyre e madhe prane nesh
sa i shemtuar me dukesh , ti…
per nje moment,DASHURI…….

cka do t’iu themi nena…ve,
cka do t’iu themi shok…eve
si do t’iu themi qe shpoi kah qielli
dhe raaa… (nje pallat nga rëra)

cka do t’iu themi nena…ve
cka do t’iu themi shok…eve
cka do t’iu themi,force a do te kemi ne
cka do t’iu themi,zemer a kemi per ta
fjale magjike s’kaaaa…
sot shemben dashurite e medhaaaa….
sot shemben dashurite e medhaaaa….
sot shemben dashurite e meeedhaaaa…. / KultPlus.com

Reshat Arbana rikthehet në teatër me rolin te ‘Babai’

“Babai”, vepra e Florian Zeller rikthen në skenën e Teatrit Kombëtar aktorin e njohur Reshat Arbana. Përkrah tij interpretojnë aktorët Elia Zaharia, Flaura Kureta, Hysen Mullajonuzi dhe Mario Elezi. Në qëndër të veprës është historia e një burri të moshuar me demencë. Por Zelleri thotë se ai nuk u nis nga një ide për ta shkruar dramën.

“Unë nuk përpiqem të them diҫka kur filloj të shkruaj. Unë e zbuloj në fund se ҫfarë dua të them. Kur shkrova ‘Babain’ nuk u mundova kurrë të bindja veten ose që të bëja ҫmos të shkruaja një dramë për demencën. Me mua ndodhi ndryshe. Unë fillova të shkruaja dhe personazhi erdhi natyrshëm…Në fund të dramës, unë u habita kur zbulova se drama ishte për demencën”, shprehet autori i veprës.

“Të shkruash romane është punë vetmitare”, -shprehet Zeller, “kurse kur shkruan për teatrin dramaturgu nuk është asnjëherë vetëm. Kjo ndodh pasi dramaturgu gjithnjë ka parasysh fytyrat e aktorëve, që në fillim, ai nuk është vetëm. Kjo është një mënyrë për të parë diҫka më të madhe se vetvetja.”

Zelleri nuk e krahason shkrimin e dramave me asnjë përvojë tjetër: as me leximin, shkuarjen në kinema ose degjimin e muzikës që interpretohet ‘live’. Kjo sipas tij ndodh sepse “spektatori ka shpirt, një shpirt të veҫantë, për një natë dhe unë nuk e kuptoj përse kjo gjë më emocionon së tepërmi. Ajo që ai sheh në një shfaqje nuk do të përsëritet më kurrë, është diҫka që do të zhduket.

Vepra do të jetë në skenën e Teatrit Kombëtar në datat 21-22-23-24 Dhjetor në Teatrin Kombëtar.

Florian Zeller u lind më 28 Qershor 1978 në France. Është romancier dhe dramaturg . Vepra e tij është botuar dhe vënë në skene në të gjithë botën. Ai ka fituar disa ҫmime Molier në France. Ҫmimi Molier ështe ҫmimi më i lartë në France në fushën e dramaturgjise. Florian Zeller, sipas gazetës prestigjoze The Guardian, është “dramaturgu më i mirë i epokës sonë”.

Posterë e mbishkrime kundër Meryl Streep shfaqen në Los Angeles

Meryl Streep është akuzuar nga artistë të cilët thonë se ajo ka ditur dhe ka mundësuar sjelljet e pahijshme të Harvey Weinstein, përcjellë KultPlus.

Posterët e bazuar në veprën e artistes Barbara Kruger, paraqesin një fotografi ku aktorja Streep duket e qeshur dhe pranë saj është Weinstein, kurse sytë e Streep-it janë mbuluar me një bllok të kuq duke lexuar “Ajo e dinte”.

Kjo erdhi pasi që McGowan kishte akuzuar aktoren Streep se ajo ka qëndruar në heshtje për vite të tëra duke punuar në projekte të prodhuara nga Weinstein.

Streep më vonë lëshoi një deklaratë që mohonte çdo gjë lidhur me atë se ajo ka qenë e vetëdijshme për sjelljet seksuale të Weinstein, duke shkruar “Unë nuk e dija, nuk e miratoj heshtje për përdhunim”.

Individët përgjegjës për posterat janë aktualisht të panjohur, por Streep ka qenë kohët e fundit në shënjestër të anëtarëve të profilit të lartë të “Alt-right”. Disa komentues të profilit të lartë, duke përfshirë teoricienin e komplotit Mike Cernovich, kanë postuar posterët në mediat sociale./ KultPlus.com

Riccardo Cocciante mbërrin në Tiranë për festivalin e RTSH-së

Para pak minutash ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit, kantautori i njohur Italian, Riccardo Cocciante, shoqëruar nga bashkëshortja, Catherine Cocciante me ftesë të drejtuesve të Radio Televizionit Shqiptar, për natën e çeljes së edicionit të 56-të të Festivalit të Këngës.

Në aeroport, artisti i njohur është pritur nga Drejtori i Festivalit të 56-të, z. Martin Leka.

Ai ka falënderuar Radio Televizionin Shqiptar për ftesën dhe e ka konsideruar këtë vizitë, përveçse vendosjen e një raporti të ri me publikun shqiptar,edhe një mënyrë, për ta shpërblyer këtë publik për dashurinë që i ka dhuruar atij si artist. Midis të tjerash, ai është shprehur edhe se e konsideron këtë edhe një rast për ta njohur më mirë vendin tone, sidomos pas lidhjes konkrete që u vendos me Elhaida Danin kur ajo fitoi ‘The voice of Italy”. “Ajo e meritoi dhe publiku italian e deshi. Talenti i saj u evidentua në turin me Notre Dame de Paris në versionin francez. Do ishte mrekulli që në ardhjen time të tretë të sjell muzikalin Notre Dame në Shqipëri”, ka përfunduar ai, sapo ka shkelur në tokën shqiptare.

Artisti është ndalur për të drekuar, për të vijuar ndalesën e tij në Tiranë, pasdite me provat në Pallatin e Kongreseve për performancën e tij të mbrëmjes së 21 dhjetorit.

Cocciante do të interpretojë një nga hitet e tij më të njohura, si edhe një duet me këngëtaren shqiptare Elhaida Dani, me të cilën shkoi deri në fund të udhës në “Voice of Italy”./ KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës nesër sjellë “New Born”, premierën e fundit për vitin 2017-të

Trupa e Baletit të Kosovës nesër do të sjellë për publikun premierën e fundit për këtë vit të titulluar “New Born”, me koreografi të Jochen Roller dhe Friderike Lampert, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Kjo shfaqje do të ngjitet në skenë përmes një loje të pasur kolektive nga balerinët: Muhamet Bikliqi, Donmir Bilalli, Abetare Hyseni, Aulonë Nuhiu, Sinan Kajtazi, Teuta Krasniqi, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Leonora Rexhepi, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Sead Vuniqi, Behie Murtezi, Drilon Podrimçaku, Ilir Krasniqi, Liridon Mziu, Luljeta Ademi, Marigonë Hoxha, Mimoza Bytyqi, Mërgim Morina, Nora Gashi, Vjollca Llugiqi dhe Vlora Prizreni.

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj e cilësoi këtë vit si një nga vitet më të suksesshëm për shkak se brenda këtij viti janë shfaqur gjithsej gjashtë premiera.

“Në historinë e Baletit Kombëtar të Kosovës, asnjëherë nuk i kemi pasur gjashtë premiera brenda një viti, ku dy nga premierat kanë qenë të paplanifikuara dhe në bashkëpunim me ndërkombëtarët”, tregoi drejtori Brahimaj.

Ai sot gjatë një konference për media po ashtu tregoi se kjo premierë ka qenë e planifikuar qysh nga viti i kaluar dhe kjo për dy arsye, që ta sjellin një shfaqje të mirë për publikun e Kosovës dhe që puna e Trupës së Baletit të shfaqet edhe në Gjermani, ku Trupa e Baletit të Kosovës do ketë katër prezantime në Berlin dhe tri në qytetin e Hamburgut.

Jochen Roller, tregoi kur kishte ardhur në Prishtinë, fillimisht e kishte vizituar monumentin “New Born”, dhe ishte intriguar nga ideja që ky monument reprezentativ është krijuar në dialog mes artistëve.

“Duke u munduar të gjejmë një ide për bashkëpunimin me Baletin e Kosovës, ne vendosëm baletin si një gjuhë universale ku së bashku me dymbëdhjetë balerinë të krijojmë një monument që përdor të njëjtën logjikë, ku përdor gjuhën e të kaluarës, hapat tradicional të Baletit pra diçka që është e re dhe një prezantim të bashkëpunimit tonë”, ka thënë koreografi Jochen Roller.

Kjo shfaqje e cila do të zgjasë rreth një orë, bazën e ka në baletin klasik mirëpo që vjen më e modernizuar për publikun, për shkak se do të përcillet me muzikë moderne në sfond. Lidhur me muzikën koreografi Roller tha se e cilëson një gjuhë universale në të gjithë botën ndërsa shtoi se po pret me padurim reagimin e publikut kosovar.

Të dy koreografët thanë se janë ndjerë shumë të mirëpritur nga Trupa e Baletit të Kosovës dhe të kënaqur me bashkëpunimin e tyre.
Koreografja gjermane Friderike Lampert, poashtu tregoi se kjo shfaqje ka ardhur në dialog me Baletin Kombëtar të Kosovës, ku ata kanë vendosur që me hapat e balerinëve në mënyra të ndryshme brenda hapësirës të ndërtojnë një shfaqje mjaft bashkëkohore.

“Është shumë kënaqësi për neve që të punojmë me Baletin e Kosovës, ata kanë një energji pozitive dhe me punën e tyre në këtë performancë të vështirë kështu që ne e vlerësojmë shumë angazhimin e tyre”, tregoi sot koreografja Lampert.

Balerini nga Kosova, Sinan Kajtazi, tha sot se bashkëpunimet me koreografë të ndryshëm kanë ndikuar në zgjerimin e diapazonit të tyre si balerinë.

“Jochen dhe Frederika e kanë një stil shumë unik në aspektin e ndërtimit të shfaqjes ne vetëm jemi mësuar t’i plotësojmë kërkesat e koreografëve kurse ndërtimi i shfaqjeve ka qenë një sfidë mjaft e madhe pasi që jemi dymbëdhjetë balerinë”, tregoi koreografi Kajtazi.

Premiera e kësaj shfaqje vjen nesër më 21 dhjetor duke filluar nga ora 20:00. Shfaqja “New Born” shënon premierën e gjashtë për këtë vit nga trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com

Kosova dhe Turqia nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës

Republika e Kosovës dhe Republika e Turqisë kanë nënshkruar Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës. Marrëveshja është nënshkruar sot në Ankara mes Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Kujtim Gashi dhe Ministrit të Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë, Numan Kurtulmuş.

Të dy vendet, nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar pajtohen që në të ardhmen të bashkëpunojnë në nisma të ndryshme kulturore, në mbështetjen e promovimit të artistëve dhe të performueseve nga të dy vendet, aktivitete të përbashkëta kulturore qoftë në Kosovë apo në Turqi, në forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe promovimin e njohurive të ndërsjella të të arritura në fushën e kulturës.

Të dy ministrat e kanë vlerësuar këtë si një hap të rëndësishëm në thëllimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve, për ta çuar në një nivel tjetër bashkëpunimin kulturor, ndonëse kulturat e dy vendeve kanë shumë të përbashkëta për shkak rrethanave historike.

“Bashkëpunimi në shumë aktivitete kulturore mes dy vendeve ka ekzistuar edhe në të kaluarën, por sot është një ditë e veçantë ngase po e zyrtarizojmë bashkëpunimin kulturor. Ky nënshkrim hap rrugën dhe fuqizon atë. Pa dyshim që kjo marrëveshje përfshin bashkëpunimin në të gjitha fushat e kulturës, teatrin, galerinë, pastaj ansamblet që kanë Republika e Kosovës dhe e Turqisë të cilat shpeshherë kanë shkëmbyer aktivitetet e tyre tashmë. Kjo marrëveshje është edhe një bazë e mirë që do të mundësojë jetësimin e shumë marrëveshjeve të veçanta mes institucioneve të kulturës së dy vendeve”, tha ministri Gashi duke e falënderuar homologun turk për pritjen dhe gatishmërinë për të zyrtarizuar këtë marrëveshje.

Ministri Gashi, ndër të tjera, theksoi se marrëdhëniet mes Kosovës e Turqisë janë të mira dhe e falënderoi qeverinë e popullin turk për përkrahjen që kanë dhënë për Kosovën.

Ndërkaq, nga ana e tij Ministri Kurtulmuş u shpreh se ndjehet i lumtur që Kosova e Turqia nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës. “Kjo marrëveshje do t’i forcojë lidhjet mes dy shteteve. Kosova, populli i saj, kultura dhe historia e saj janë shumë të afërta me shtetin tonë. Përmes kësaj marrëveshjeje do të rrisim punën e përbashkët edhe mes institucioneve”, tha ministri turk i kulturës.

Në takimin mes dy delegacioneve, u diskutuan edhe një varg çështjet tjera të interesit të përbashkët në fushën e kulturës, për shtimin e aktiviteteve konkrete, siç janë edhe javët e kulturës.

Gjithashtu, Ministri Gashi kërkoi nga homologu turk që të angazhohet për të ndihmuar në anëtarësimin e Kosovës në UNESCO ku mori përkrahjen e plotë të për të koordinuar veprimet dhe për të lobuar për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë si dhe në organizatat tjera ndërkombëtare.

Marrëveshja që u nënshkrua sot parasheh që palët bien dakord që të mbështesin dhe nxisin bashkëpunimin e drejtpërdrejtë në mes institucioneve kulturore përkatëse që kanë në përgjegjësi fusha si: arkivat kombëtare, bibliotekat, galeritë, muzetë, letërsinë, artet pamore dhe performuese, aktivitete botuese, kinematografinë dhe mediat tjera audio-vizuale.

Këto shkëmbime kulturore, në bazë të marrëveshjes, parashihet që të arrihen përmes ekspozitave të ndryshme, aktiviteteve të ndryshme muzikore, vallëzimit, baletit, shfaqjeve teatrale.

Në fushën e trashëgimisë, palët janë dakorduar për të inkurajuar, ruajtur, mbrojtur e promovuar trashëgiminë kulturore përkatëse në bazë të reciprocitetit, bashkëpunimin të drejtpërdrejtë të agjencive të specializuara për ruajtjen dhe rindërtimin e objekteve të prekshme dhe të paprekshme të trashëgimisë, promovimin dhe respektimin e identitetit kulturor dhe diversitetin, inkurajimin e shkëmbimit të ekspertëve, bashkëpunimin në fushën e trashëgimisë edhe në organizatat ndërkombëtare të specializuara, në të cilat Kosova e Turqia janë anëtare si dhe ndërmarrjen e të gjitha masave parandaluese dhe korrigjuese për importin, eksportin, tranzitin dhe transferimin e paligjshëm të pronësisë së pronës kulturore.

Ndër pikat e marrëveshjes janë edhe dakrodimi për mbrojtjen e të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta të shtetasve të palës tjetër. Po kështu, bashkëpunimi është rënë dakord që të realizohet edhe në letërsi dhe botime, ku ndër tjera parashihet bashkëpunimi mes shkrimtarëve dhe përkthyesve të veprave letrare dhe shoqatave e organizatave të shkrimtarëve, pjesëmarrja e shkrimtarëve në ngjarjet letrare me karakter ndërkombëtar që ndodhin në vendet respektive, bashkëpunimin e botuesve, bashkëpunimin mes bibliotekave kombëtare të të dy vendeve për shkëmbimin e specialistëve, materialeve informuese, librave dhe botimeve tjera nga fondet e tyre.

Ndërkaq, në fushën e kinematografisë, palët janë pajtuar që të inkurajojnë bashkëpunimin ndërmjet krijuesve të filmit, duke përfshirë edhe bashkëprodhimet filmike si dhe pjesëmarrjen në festivale të ndryshme të filmit.

Në kuadër të angazhimeve të sotshme, ministri Gashi ka vizituar edhe Mauzoleun e Kemaj Pasha Ataturkut, themeluesit të Turqisë moderne, me ç’rast dorëzoi një kurorë dhe u nënshkrua në librin e përkujtimeve. Po ashtu, ministri vizitoi edhe muzeun personal që është themeluar për nder të Ataturkut./ KultPlus.com

Naime Beqiraj dhe Qibrije Demiri Frangu në antologjinë kroate “U mrezi stih”

Është publikuar antologjia “U mrezi stih”, antologji kjo në gjuhën kroate ku janë përfshirë poete nga rajoni, shkruan KultPlus.

Kjo antologji është punuar nga autoret: Dragana Tripkovic, Lena Ruth Stefanovic, Bosiljka Pusic i Jovanka Uljarevic.

Në këtë antologji janë përfshirë edhe dy poete nga Kosova: Naime Beqiraj dhe Qibrije Demiri Frangu, të cilat në këtë libër janë përfshirë me poete nga Bosnja e Hercegovina, Serbia, Kroacia , Sllovenia dhe Maqedonia./KultPlus.com