Gili Hoxhaj
Filmi “Martesa” me regji të Blerta Zeqirit, sot u shfaq për herë të parë në Kosovë, në një premierë për media. Ky film tashmë ka nisur rrugëtimin e suksesshëm ndërkombëtar me dy çmime nga Tallin Black Nighs Film Festival, ku edhe pati premierën botërore në Estoni.
Kjo është eksperienca e parë e regjisores Blerta Zeqiri, me një film të metrazhit të gjatë. Ngjarja e këtij filmi shtjellon dashurinë nëpërmjet një trekëndëshi, i cili përbëhet nga tri personazhe që vijnë në lojën e aktorëve Adriana Matoshi, Alban Ukaj e Genc Salihu, shkruan KultPlus.
Ngjarja prekë kohën e luftës në Kosovë, atëherë kur dy të rinj, Bekimi dhe Noli jetojnë brenda një ndërtese, ku edhe fillojnë të ndjejnë shenjat e para të dashurisë për njëri-tjetrin. Shumë vite më pas, luftën më të madhe do ta kenë me barrierat e kësaj dashurie. Unaza që Bekimi ka në gisht, nuk është shenja më e fortë e dashurisë së jetës së tij, ani pse e ndajnë vetëm dy javë nga dita e martesën me Anitën. Anita, është vajzë e një familjeje të të zhdukurve gjatë luftës. Martesën e çiftit, me mjaft emocion e pret familja e Bekimit, por jo dhe ai vet. Madje rrjedha e ndjenjave të tij, vjen e komplikohet me kthimin e Nolit, i cili është muzikant. Ai në Prishtinë vjen pas disa vitesh jetë në Francë.
Dashuria e tij me Bekimin ecën me hapat e njëjtë, pikërisht aty ku ishte ndalur që nga ndarja e parë e tyre, e nga koha kur mes tyre nuk kishte një të tretë.
Ngjarja e filmit shtjellohet në krejt këtë situatë, deri në ditën e martesës së Bekimit me Anitën, të cilët edhe po e presin fëmijën e parë. Filmi përmes ndërtimit të këtyre personazheve paraqet tendencën e shoqërisë për të mos e pranuar dashurinë mes anëtarëve të komunitetit LGBT, ndërsa ky është filmi i parë në Kosovë që trajton dashurinë mes personave të së njëjtës gjini.
Regjisorja Zeqiri, tashmë vetëm ka nisur të kurorëzojë suksesin e këtij filmi në të cilin ka shpenzuar pesë vite punë. Këtë film, ajo e ka cilësuar si projektin më së miri të realizuar. Zeqiri sot pas premierës për media, tha se gjatë këtij projekti përmes elementeve të ndryshme është përpjekur që të prekë sa më shumë jetën reale.
“Shumë herë filmi është tentuar të paraqitet si rrëfim për LGBT, por filmi është një rrëfim dashurie në Kosovën tonë duke u munduar ta bëjmë një pasqyrë sa më reale të jetës këtu”, tha sot regjisorja Zeqiri, ndërsa shtoi se filmi tenton të prekë rrëfimet e të tre personazheve kryesore, pa e penguar rrëfimin që tenton të bartë secili nga ky rol i caktuar në film.
Genc Salihu, përvojën e parë me aktrimin në një film, e shijon pikërisht përmes rolit të Nolit. Aktrimin në njërin nga rolet më kryesore të këtij filmi, ai e cilëson si një nga përvojat profesionale më përmbushëse dhe si përvojën më të mirë në jetën e tij, dhe gjithë kjo falë bashkëpunimit me regjisoren e aktorët e këtij filmi.
“Kam mësuar vërtetë shumë për artin e performancës në përgjithësi, më ka ndihmuar shumë që të hapem dhe që t’i kuptoj gjërat në detaj më të hollësishëm. Ka qenë një bashkëpunim mjaft organik dhe unë jam ndjerë shumë i sigurt gjatë tërë procesit dhe jam shumë i sigurt që kjo është meritë e Blertës për shkak se ka ditur shumë mirë që të më akomodojë brenda filmit”, është shprehur Genci sot në konferencën për media.
Derisa Genci është debutant në këtë film, Adriana Matoshi ka kaluar nëpërmjet shumë roleve ndërsa ky është edhe bashkëpunimi i saj i tretë me regjisoren Blerta Zeqiri, me të cilën ajo thotë se ndihet shumë komode.
“Përvoja në këtë film është një proces më i gjatë, por unë ndihem shumë rehat me bashkëpunimin me Blertën për shkak se e ka një natyrë të punës që din ta nxjerrë më të mirën nga aktori dhe di të jap indikacione që ta lehtësojnë jashtëzakonisht shumë punën”, është shprehur Adriana lidhur me rolin e saj në këtë film.
Aktori Alban Ukaj, si në këtë film ashtu dhe në shumë role të tjera tashmë është i dëshmuar për punën e tij. Ky është bashkëpunimi i tij i parë me regjisoren Zeqiri, mirëpo thotë se me natyrën e punës së saj njihet shumë para marrjes së këtij roli. Ai thotë se realizimi final i rolit të tij në këtë film ka kaluar në shumë improvizime e hulumtime.
“Blerta është njëra prej regjisoreve me të cilën është lehtë ta ndërtosh karakterin, pasi që nuk ka diçka në letër së cilës duhet t’i përmbahesh, pra Blerta mundohet që karakteri të ndërtohet bashkë por edhe që ta ketë një pjesë private të karakterit tënd në mënyrë që ta shfaqë në pjesën e rolit”, ka thënë sot aktori Ukaj.
Të gjithë ata që duan ta shohin këtë film, ai nga nesër do të jetë pjesë e repertorit të Cineplexx në Prishtinë, ndërsa publiku mund ta shijojë premierën e këtij filmi nesër në Cineplexx në Prishtinë dhe në Dokukino në Prizren kurse premiera për publikun tiranas vjen më 2 shkurt. / KultPlus.com