Dua Lipa në disa gjuhë të botës thotë “të dua”, nisë me gjuhën shqipe (VIDEO)

Me rastin e Shën Valentinit, ditës së të dashuruarve, dje këngëtarja me prejardhje shqiptare Dua Lipa ka uruar fansat e saj përmes një postimi në Instagram.

Ajo ka thënë fjalën “të dua” në disa gjuhë të ndryshme.

Dua Lipa e nis me gjuhën shqipe, për të vazhduar me gjuhët e tjera./ KultPlus.com

V day with @lofficielusa 💕💕

A post shared by DUA LIPA (@dualipa) on

Sot shënohet 48-vjetori i themelimit të Universitetit të Prishtinës

Sot mbahet ceremonia e shënimit të 48-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ceremonia mbahet në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare.

Në këtë ceremoni do të shfaqet dokumentari i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kurse të pranishëm do të jenë rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, zv-ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arber Geci.

Franz Kafka dhe fatkeqësia e të qenit beqar

Duket të jetë e tmerrshme të jesh beqar, dhe plak që mezi ruan dinjitetin e tij, të kërkosh strehë tek të tjerët, kur dëshiron të kalosh një mbrëmje në shoqëri; të jesh i sëmurë dhe, nga qoshja e shtratit, të kqyrësh dhomën bosh me javë të tëra; të ulesh të pushosh në pragjet e shtëpive, të mos ngjitësh kurrë shkallët përbri të shoqes; të mos kesh në dhomë tënde veçse dyer komunikimi që hapen mbi hyrjet e të tjerëve; të kthehesh në shtëpi duke mbajtur darkën tënde në dorë; të jesh i detyruar të admirosh fëmijët e të tjerëve, pa patur të drejtë për të përsëritur papushim: unë nuk kam; të sajosh një dukje dhe një mbajtje të kopjuar nga një apo dy beqarë, të behur nga kujtimet tona të rinisë.

Ja si do të jetë kjo, me përjashtimin që në realitet sot jemi këtu dhe që këtu do të jemi edhe më vonë, me një trup real dhe me një kokë reale, e për rrjedhojë, edhe me një ballë për ta goditur me pëllëmbë./ KultPlus.com

“Kalimera Poetike” merr emrin e Basri Çapriqit

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” ka vendosur që manifestimi letrar “Kalimera Poetike”, të cilin e organizon kjo shoqatë, në të ardhmen të mbajë emrin e poetit, studiuesit dhe pedagogut universitar prof. dr. Basri Çapriqi.

Vendimi është marrë në Kuvendin vjetor të Shoqatës për të nderuar këtë personalitet të letërsisë shqipe dhe studimeve albanologjike, i cili u nda nga jeta më 14 janar të këtij viti, bëhet me dije në njoftimin për media të shoqatës.

Basri Çapriqi ishte i lidhur shpirtërisht me vendlindjen e tij – Ulqinin. Ai do të bëhej urë bashkëpunimi ndërmjet krijuesve të Ulqinit dhe krijuesve shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare, duke frymëzuar breza të tërë, sidomos të rinjtë, por edhe miqtë e tij në rrugën e dijes dhe kulturës, me fjalë dhe me vepra.

Çapriqi është njëri ndër themeluesit dhe ideatorët e manifestimit letrar “Kalimera Poetike”. Prandaj me këtë akt vlerësojmë kontributin shumëdimensional të Çapriqit për këtë manifestim dhe për SHAI “Art Club” në përgjithësi. Jemi të bindur se emërtimi i “Kalimerës Poetike” me emrin e Basri Çapriqit (Kalimera Poetike “Basri Çapriqi”) nderon këtë manifestim dhe do të ndikojë në rritjen e mëtejshme të tij.

Ky është vetëm hapi i parë i Shoqatës sonë, por në të ardhmen do të vazhdojmë që me nisma dhe aktivitete të ndryshme të nderojmë këtë figurë të shquar të letërsisë, arsimit dhe kulturës mbarëshqiptare.

“Kalimera Poetike” është manifestimi më i rëndësishëm letrar që mbahet ndër shqiptarët në Mal të Zi dhe njëra ndër veprimtaritë letrare më prestigjioze në hapësirën shqiptare dhe në rajon. Mysafirë të saj kanë qenë penat më të shquara të letërsisë shqipe dhe të letërsisë së vendeve të rajonit.

Basri Çapriqi u lind në Krythë të Anës së Malit (Ulqin) në vitin 1960, kurse vdiq në Prishtinë, në moshën 58-vjeçare./ KultPlus.com

Inva Mula dhe Vikena Kamenica, në debatin mbi teatrin shqiptar

Artistet e njohura Inva Mula dhe Vikena Kamenica kanë deklaruar se sot në 2018 është e papranueshme dhe turp që artistët të punojnë në këto kushte, që të mos ketë teatër.

Mula shprehet se kjo situatë duhet të ngrihet si problematike dhe të ndryshojë me doemos dhe kjo bëhet me bashkimin e forcave të artistëve.

“Ky vend duhet ta fillojë nga kultura se është e vetmja pasqyrë e bukur dhe e pastër. Është i vetmi eksport i pastër shqiptar kudo në botë vetëm nga artistët. Është e dukshme, e prekshme që ti konfrontohesh me këto artistë të mëdhenj. Kemi artistët tanë të shkëlqyer që perfomojnë kudo në botë. Të mos ketë Shqipëria Teatër? Unë nuk e njoh këtë projektligjin dhe as nuk ma ka varur njeri (më fal që po flas kështu), por gjërat duhet të dalin të vërteta, të mos kamoflohen. Të dalin ashtu siç janë” – ka theksuar sopranoja Mula.

Sopranoja ka theksuar se nuk e njeh projektligjin për artin dhe kulturën, por kërkon që gjërat të mos kamuflohen.

“Është e turpshme në Shqipëri në vitin 2018 të jetohet me këto kushte për një artist, por edhe për një spektator që të shijojë një spektakël. Pse duhet ta bëjmë ne koncertin në pallat kongreseve. Ai është për mbledhje. Pallatin e Kongreseve duhet ta sistemojmë, shtojmë, kamuflojmë, të krijojmë ambientin për të bëtë spektaklin. Bëhet opera “Carmen” në Pallat të Kongreseve, një vepër e shkëlqyer. Pyeteni Vikenën se çfarë ka hequr për të bërë një shfaqje? (jam ftohur-kthen përgjigje Vikena). Ka dalë me bronkopneumoni. E kuptoni, artistët shqiptar të punojnë në kushte që nuk e meritojnë”, shtoi Inva Mula.

Nga ana tjetër Kamenica thekson se shqiptarët e kanë kokën lart prej artistëve që kanë shkëlqyer mbarë botës dhe jo prej ekonomisë apo politikës, shkruan 27.al

Madje ajo shton se në operën “Carmen” ku ajo luante ishte ftohur, për shkak të kushteve të vështira të punës. “Shqipëria është krenuar me artin, jo me politikanët dhe ekonominë”, tha Vikena Kamenica. / KultPlus.com

Urime Shën Valentinin

Arbër Selmani

E dashtun, urime
Urime që sot e kemi vnu maskën e shëmtueme
Edhe disponimin e një çifti perfekt.

Urime që sonte darkën e kemi t`shtrenjtë
Urime për ullinjtë që ma vonë kemi me i vjellë
Urime buzëqeshja e plastë.

Shih përreth,
Krejt këto çifte sot do të luajnë boks më vonë
Por urime, jemi një kllapë e lumtun.

E dashtun, urime dashnia
Urime kjo dashni që nesër në mëngjes më pret e nemun.

Urime Shën Valentini,
Këta asnjëri se dinë se mukozën në fyt
E kam prej përlamjeve tona si çift i dobët që jemi.

Por sonte, urime
Lehtë puthemi para tyre, ata puthen butë para neve
Më vonë bëjmë seks, nesër divorc.

Urime që veç sonte ne duhemi ma shumë se çdo ditë.
E natën mallkojmë njerëzimin histerik.
Urime për secilën dyshe snobe, urime për shumë si ne dy.

shkurt 2015

Zyliha Miloti përlotet kur reciton një poezi për nanën (VIDEO)

Mbretëresha e humorit shkodran, Zyliha Miloti, së fundmi në një paraqitje televizive është përlotur derisa po interpretonte.

Ajo solli në emision poezinë kushtuar nënës, shkruar nga dramaturgu Fadil Kraja.

Miloti këtë vit festoi 72 vjetorin e lindjes, shkruan KultPlus.

Në këtë interpretim ajo shihet tejet e emocionuar, duke recituar poezi për më të shtrenjtën e botës – nënën.
Ajo lindi në Shkodër, më 11 janar 1946 . Mbaroi liceun artistik ”Jordan Misja”, me 1965 për aktore dhe nga viti 1967 e në vijim paraqitet si një nga aktoret ma të suksesshme të Estradës Profesioniste të Shkodrës për rreth 40 vjet.

Ka luajtur edhe në disa filma, ku veçohet filmi ”Shoku ynë Tili” me rolin e nënës dhe te ”Dy herë mat” me atë të gruas së drejtorit. / KultPlus.com

E dashur

Poezi nga Teodor Keko.

E dashur , erdha
E dashur erdha! Pse vrenjtesh kot?
Ti po më prisje përsëri,
mos u çudit, unë jam një zog.

Kur dashuroj bëhem si ajri,
e ngre folenë aty ku dua!
Do, s’do, të futem në kraharor,
të pushtoj si i marri.
Po e mbylle derën,
unë me forcë do ta hap,
do ta coptoj!

Do bësh sikur më ke inat.
Ndodhi e vjetër, unë e di!
S’jam buzëqumësht, por esnaf,
për dashurinë di plot dredhi!
Unë do të puth, do të pushtoj në gji,
dhe po ma mbylle derën ti.

E dashur, erdha, në prag ke dalë,
ke hapur portën dhe qesh nën hundë.
Sa përbetohesh me qindra fjalë,
më mirë, eja, më puth!

Kur dashuroj bëhem si ajri,
e ngre folenë aty ku dua!
Do, s’do të futem në kraharor,
të pushtoj si i marri.
Po e mbylle ti derën,
unë me forcë do ta hap,
do ta coptoj!

E dashur, erdha, pse vrenjtesh kot,
ti po më prisje përsëri.
Mos u çudit! Unë jam një zog.
Po e mbylle ti derën,
unë me forcë do ta hap,
do ta coptoj!

Kënga për të cilën shqiptarët e Kosovës dënoheshin me burg nga Serbia (VIDEO)

Janë të shumtë shqiptarët e Kosovës të cilët gjatë viteve të 80-ta janë dënuar me burg vetëm nëse në veturë apo shtëpi u është gjetur ndonjë kasetë me këngën e Gëzim Nikës – “N’Dardani bjen nji tupan”.

Veç burgut, të njëjtit për këtë këngë edhe janë rrahur e maltretuar fizikisht e psiqikisht, pasi kënga ishte futur nga regjimi serb në listën e këngëve “nacionaliste” e cila sipas pushtetit okupator nxiste irredentizmin tek shqiptarët e Kosovës.

https://www.youtube.com/watch?time_continue=26&v=J1NPowJu_Yc

Gëzim Nika është një ndër këngëtarët më të mirë shqiptar, i lindur në Tropojë. Vitin e kaluar u festua 35 vjetori i karrierës muzikore të Nikës.

Autor i këngës është Hamit Aliaj./ KultPlus.com

Ky është çmimi i bluzave nga Rita Ora të cilat do të shiten në Kosovë

Ajo sonte e paralajmëroi koncertin e saj në Prishtinë.

Rita Ora, këngëtare të cilën e njeh bota, do të jetë në Prishtinë për një koncert që feston përvjetorin e pavarësisë së shtetit.

Rita Ora ka dizajnuar vetë edhe disa bluza për këtë rast.

Bluzat në fakt do të shiten, me çmimin prej 50 funtash. Në bluza shkruan Kosova, dhe ato janë me ngjyrë të bardhë dhe të zezë, shkruan KultPlus.

Ato janë të të gjitha madhësive ndërsa për ata që do ti blejnë, ato do të nisin të vijnë në Kosovë nga data 26 shkurt. Porositë bëhen deri me 21 shkurt.

Ajo çka i bën të veçanta është origjinaliteti i Ritës dhe kreativiteti i saj në krijimin e tyre.
“Ky është një kujtim i kësaj nate të cilën do ta kalojmë bashkë” ka shkruar Rita ku ka bashkangjitur edhe ofertën për blerje të bluzave. / KultPlus.com

Meshkujt presin në radhë për dhuratat e Shën Valentinit

Dita e mërkurë ka mbushur kryeqytetin me ngjyrën e kuqe, ngjyrë kjo që për të gjithë simbolizon dashuri.

Kjo atmosferë festive që nxori nga shtëpia burra dhe gra është dita e 14 shkurtit, e cila konsiderohet të jetë dita ku personat e dashuruar shkëmbejnë më shumë dashuri se ditëve tjera.

E në kryeqytet dyqanet e luleve janë mbushur me njerëz në këtë ditë dhe si duket dhurata që ata kanë zgjedhur janë lulet, më saktë trëndafilat.

Kjo ditë njihet si Shën Valentini dhe festohet në të gjithë botën. Ndërsa dhurata që shitet më së shumti në botë është Trëndafili, që është edhe simbol i kësaj feste. / KultPlus.com

Rita Ora e konfirmon: Jam e lumtur që po vij në Kosovë

Rita Ora me anë të rrjetit social Facebook ka komentuar vetë se do të jetë në Prishtinë për festimet e Pavarësisë së Kosovës.

Para pak minutash, Rita vetë ka shkruar se po vjen.

“Pershendetje te gjitheve! Jam shume e lumtur qe do te jem me ju ne 10 vjetorin e Pavaresise se Kosoves ne Prishtine. Kjo eshte nje bluze te cilen e kam dizejnuar per kete rast dhe shpresoj te mbetet nje kujtim i mire per te gjith ne. Ju dua, Rita” ka shkruar vetë këngëtarja në rrjetin social Facebook.

Në Francë, një muze me piktura të panjohura nga Pablo Picasso

Ende ka piktura nga Picasso të cilat nuk janë parë e publikuar asnjëherë.

Një muze që planifikohet të hapet në vitin 2021 do të nxjerrë në pah punët e tilla nga Picasso.


Las Meninas – PICASSO

The Musée Jacqueline et Pablo Picas është muzeu që pritet të hapet në Francë dhe ku do të ekspozohen punët që i ka trashëguar një familjare e piktorit, vajza e gruas së dytë të piktorit – Jacqueline Roque.
Koleksioni përfshin rreth 1000 piktura dhe 1000 punë të tjera të mediumeve të ndryshme artistike.

Muzeu do të përmbajë një sallë dhe rreth 10 mijë metra katrorë për ekspozitën e përhershme.

Janie Cohen, ekspert i punëve të Picasso dhe drejtor i Fleming Museum of Art në Universitetin e Vermontit, thotë se kjo hapësirë do të ndihmojë shumë në figurën e Picasso, shkruan KultPlus.
“Një pjesë e punëve nuk janë parë kurrë. Këto janë punime artistike që kanë mbetur besnike në jetën e piktorit” thotë Cohen.


PICASSO, Les demoiselles d’Avignon

Muzeu do të hapet në College des Precheursin në Aix-en-Provence në Francë. Muze që i kushtohen punës së Picasso janë edhe në Paris, Barcelonë e Malaga.

Picasso ishte piktor spanjoll, një legjendë e pikturës. Ai gjatë jetës ka pikturuar mbi 15 mijë piktura. Pikturat e tij më të njohura janë Guernica e vitit 1937 si dhe Les Demoiselles d’Avignon e vitit 1907. / KultPlus.com

Do flas

Nga Besnik Palnikaj

Po po do flas aq sa toka të dridhet
Edhe sikur qafa në kaush t’më lidhet.
Do flas e do qaj hallet e vëndit tim
Që në mes të Evropes ka mbetur jetim.
Do flas të shpërthej se nuk duroj dot
Qytetar të braktisur pa shtet dhe pa zot.

Shqiptaret e mi vëllezer pa shpresë
Qindra vite vuajtje dhe 20 vjet harresë.
Sa keq më vjen që shtypjen e pranoni
Edhe vendin tuaj aspak nuk e mbroni.
Flini në gjumë flini kur u ështe ngulur thikë
Se nga gjumi juaj askush nuk ka frikë.

Pse ndotet ajri bëhet helm i zi?
Pse ikin Shqiptarët në jug dhe n’veri?
Pse përmbyten shpitë dhe gjëja e gjallë?
Pse në verë zjarrit nuk i bëjmë dot ballë?
Pse droga lulezon nën hunden e shtetit?
Pse shkollohen jashtë fëmijët e deputetit?
Pse pyjet po zhduken nga dita në ditë?
Pse po fshihet populli nga kush te ketë frikë?
Pse krimineli shihet tek bredh në liri?
Pse i falet deti Grekut o vëllezrit e mi?

Boll u coptuam u rrjepem së gjalli
Politikë e ndyrë e ardhur nga djalli.
I drejtoni gishtin kujt ju del përballë
Me kollare lidhur nën jaken e bardhë.
Eh, të vraftë vuajtja që i bërë ktij vendi
Do më duhej një shekull gjitha ti përmendi,
I shtove vetëvrasjet kur mjaft vetë po vret
Mua ma ma vën këmbën hajdutin e bën mbret.

Diku grabitet ari diku grabitet banka
Diku kapet shteti i lidhur me banda.
Diku kapet horri me brekë nëpër këmbë
Krevatin në zyrë dhe jargë nëpër dhëmbë.
Diku kërkojnë lek për një firmë a vulë
Zyre pa dritare që vjen era shurrë.
Si mund të bëhet shteti c’do kush duke vjedhë,
Ku s’pushon hajduti as ditën me djellë.

Të vjedh spitali të vjedh ´drejtësia´
Të vjedh avokati të vjedh farmacia.
Të vjedh tregtari me kandar të vjetër
Të vjedh energjia të shton ca më tepër
Të vjedh AMC-ja të vjedh VODAFONI
Të vjedh kompania që shtron rrugë betoni.
Të vjell policia me gjoba kuturu
Të vjedh dhe bashkia me to gjithashtu.
Të vjedh karburanti që e ndot qytetin
Të vjedh halabaku që e ka mirë me shtetin.

Vëllezer dhe motra pra Shqiptarët e mi
Pash besën e Zotit dhe dritën në sy
Mos u kapni mes veti për fe as parti
Por të bana bashkë për Nanen Shqipni,
Të ngrihemi nëse e gjykojmë me vend
Nga horrat në politikë të mos marrim mend.
Ta bëjmë shtetin SHTET në c’do fushë gjithkun.
Kjo politikë e zezë krejt të marrin fund.
Ta kthejmë Shqiperinë të paster me hijeshi
Tu trashgojmë fëmijëve një shtet me liri.
Të thonë më vonë brezat që t’pakten u përpoqem,
Dhe jo që e rrënuam vendin dhe në flakë e dogjëm.

– Bòros, Suedi 2018

Shahindere Hoxha, arsimtarja që u vra mizorisht në luftë

“Nëse vjen policia, ti largohu ndërsa unë e fëmijët do të shpëtojmë” i tha Shahindere Hoxha burrit të saj Hani Hoxhës në marsin e vitit 1999. E pati gabim.

Shajndere Hoxhës do ti mbetej jeta në gjysmë, në luftën e fundit në Kosovë.

Një mësuese e shkëlqyer, Hoxha u vra nga forcat serbe, bashkë me disa familjarë të saj.

Historia tregohet në librin “Cka ndodhi në Kosovë” nga Josef Martinsen.

Tregimi i marrë nga ky libër, për Shahinderen.

Në shtëpinë e Murteza Dinajt, serbët i rreshtuan gjashtë burra dhe i mbështetën për muri dhe në fund i vranë. Midis tyre ishte edhe një djalë 8-vjeçar. Pasi i vranë, ua dogjën edhe shtëpinë. Në orën 1:00 pas mesnate, në stacionin veterinar, në rrugën “Sadik Stavileci”, civilët serb me uniformë të policisë vranë nëntë qytetarë. Njëri nga ata, i cili ishte plagosur në dorë, arriti të ikte nga masakra, por më vonë vdiq rrugës për në kufirin shqiptar. Në orën 2:00 pas mesnate serbët vranë edhe tre njerëz të tjerë. Midis tyre ishin një djalë 15-vjeçar dhe një burrë nga Mitrovica. Të premten, në orën 1:15 pas mesnate, serbët u futën në shtëpinë e Fehmi (Hamid) Lleshit, ku masakruan dhe vranë Fehmiun, (47-vjeçar ) dhe gruan e tij – Kimeten (43-vjeçare). Pas vrasjeve, ata ua dogjën shtëpinë me trupat e tyre brenda..
Dhuna e policisë ndaj familjes Caka, në shtëpinë e Lulëzim (Mehdi) Vejsës, arriti nivelet e mizorive të pa para. Ata që u vranë aty ishin:
-Valbona (34-vjeçare), me tri bijat e saj, Dalina (14-vjeçare), Delvina (7-vjeçare) dhe Diona (2- vjeçare).
-Fetije Vejsa (60 -vjeçare) dhe Tringa Vejsa (30-vjeçare) me pesë fëmijët e saj: Dorina (11- vjeçare), Arlindi (5 -vjeçar), Marigona (9-vjeçare), Sihana (7- vjeçare) dhe Rita (2- vjeçare).
-Valbona Haxhiavdiu, (38-vjeçare) me tre fëmijët e saj: Doruntina (3-vjeçare), Egzoni (5-vjeçar) dhe Rina (7-vjeçare
-Shajndere Hoxha (55-vjeçare) me bijën e saj, Flaka, (15-vjeçare).
-Shehrine Nuçi (73-vjeçare), Mandushe Nuçi (57- vjeçare) dhe Hysen Gashi (53-vjeçar).

Shahindere Hoxhën e vranë me 2 prill 1999 në Gjakovë.

Për këtë histori është folur edhe në Tribunalin e Hagës.

“Flaka Hoxha po bënte një çaj kur në dhomë hyri një ushtar. Atë e vranë, ndërsa nëna e saj duke bërtitur doli jashtë shtëpisë. Edhe ajo ishte e vrarë më pas” thuhet në tekstin e Gjykatës gjatë gjykimit të Vlastimir Đorđević, kryetar i forcave serbe MUP asokohe, shkruan KultPlus.

Tringa Vejsa, Dorina Vejsa, Marigona Vejsa, Shihana Vejsa, Rita Vejsa, Arlind Vejsa, Fetije Vejsa, Hysen Gashi, Shahindere Hoxha, Flaka Hoxha, Valbona Caka, Dalina Caka, Delvina Caka, Diona Caka, Valbona Haxhiavdia, Doruntina Haxhiavdia, Egzon Haxhiavdia, Rina Haxhiavdia, Shirine Nuci dhe Manushe Nuci, të gjithë u vranë. / KultPlus.com

Fotografia: Kori i Shkollës Fillore ish- “Vojo Llakčevič”, udhëhequr nga arsimtarja Shajndere Hoxha – 1965 / Afijete Dibra-Xerxa

Të premten, ora e parë e mësimit i kushtohet pavarësisë së Kosovës

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë vendim që të premten, 16 shkurt 2018, në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës, ora e parë e mësimit t’i kushtohet historikut të pavarësisë së Republikës së Kosovës, sakrificës së popullit shqiptar dhe kontributit të bashkësisë ndërkombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Këtë vendim, ministri Bytyqi e ka marrë në prag të 10 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, me qëllim të zgjerimit të njohurive të nxënësve për këtë ngjarje të rëndësishme. / KultPlus.com

Ndahet buxheti për institucionet e kulturës, QKK prinë në këtë listë

Sarandë Selimi

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, sivjet ka një buxhet prej 36,523,903.86€.

Ky buxhet sipas zyrtarëve të kësaj ministrie për vitin 2018-të, konsiderohet të ketë një rritje të konsiderueshme të tij në raport me buxhetin e vitit të kaluar. Kësisoj, tashmë është bërë edhe planifikimi i ndarjes së këtyre mjeteve për institucionet vartëse të MKRS-së.

Për KultPlus, shefi i kabinetit të Ministrisë së Kulturës Samir Hoxha, shpalosi buxhetin e këtyre institucioneve, për të cilat tha se, pasi që buxheti i aprovuar për vitin 2018-të ka shënuar rritje të dukshme, sipas tij, sigurisht që mund të ketë edhe rritje për institucionet e kulturës.

“Meqenëse buxheti i aprovuar për vitin 2018 ka shënuar një rritje të dukshme, sigurisht që mund të ketë edhe rritje për institucionet e kulturës, por rritje mund të bëhet vetëm me rishikim të buxhetit në përputhje me nevoja dhe kërkesa për buxhet shtesë nga institucionet vartëse të MKRS-së”, ka thënë Hoxha për KultPlus.

Në përputhje me politikat programore të institucioneve të kulturës të vitit 2018, në vijim sjellim të dhënat në lidhje me buxhetin e institucioneve vartëse të MKRS-së:

Teatri Kombëtar i Kosovës i janë ndarë gjithsej 370,000.00€, Qendra Kinematografike e Kosovës sivjet në buxhetin e saj ka 765,995.00€, Ansambli Shota këtë vit merr 162,500.00€, Filharmonia e Kosovës në buxhet do të ketë 345,000.00€, Galeria Kombëtare e Kosovës do të ketë 163,500.00€, Baleti Kombëtar i Kosovës merr 240,000.00€, Galeria Qafa – 29,000.00€ dhe Kosova Filmi – 10,000.00 €.

Sipas raporteve te zyrës për buxhet dhe financa në MKRS, buxheti është nën-alokuar për periudhën Janar-Mars 2018 nëpër institucionet e kulturës menjëherë pasi që është bërë alokimi i buxhetit në nivel të MKRS-së. Siç dihet alokimi i buxhetit bëhet në baza tremujore, nënalokimi nëpër institucionet e kulturës është bërë duke u bazuar në Politikat Programore të institucioneve të kulturës./ KultPlus.com

Letra më e bukur e dashurisë në botë (FOTO)

Në javën e Shën Valentinit, mediet angleze kanë ribotuar atë që është vlerësuar si letra e dashurisë më e bukur e të gjitha kohërave, shkruan KultPlus.

Ata që pëlqejnë muzikën e Johnny Cash, e njohin pasionin e tij të çmendur për të shoqen, June. Në prag të Shën Valentinit, një letër që ai i dërgonte të shoqes me rastin e 65- vjetorit të lindjes është votuar si letra e dashurisë më e bukur në botë.

Letra është shkruar në vitin 1994. Në këtë letër ai i uron ditëlindjen gruas së tij.
KultPlus ju sjellë këtë letër, ku shkruhet:

“Po plakemi dhe po mësohemi me njëri- tjetrin. Mendojmë njësoj. I lexojmë mendjen njëri- tjetrit. E dimë se çfarë duam pa pyetur. Ndonjëherë e irritojmë njëri- tjetrin nga pak. Ndoshta ndonjëherë e marrim njëri- tjetrin si të dhënë. Por ndonjëherë, si sot, meditoj për këtë dhe e kuptoj sa me fat jam që kam ndarë jetën me gruan më të mrekullueshme që kam takuar ndonjëherë. Ti më magjeps sërish dhe më frymëzon. Ti ndikon për mirë tek unë. Je objekti i dëshirës sime, arsyeja numër një në botë për ekzistencën time. Të dua shumë”./KultPlus.com

One Billion Rising erdhi në Prishtinë

Fushata Një Miliard në Këmbë, sërish edhe këtë 14 shkurt u organizua në sheshin e kryeqytetit. Sheshi Nëna Terezë dukej me plot ngjyra, atmosferë feste, muzikë, vallëzim e mbi të gjitha me shumë mesazhe vetëdijësuese, shkruan KultPlus.

Çdo 14 shkurt në gjithë botën organizohet fushata “One Bilion Rising” ndërsa synimi është që tu tregohet komuniteteve lokale dhe botës se si duken një miliard vajza dhe gra, si dhe për të hedhur dritë mbi mosndëshkimet dhe padrejtësitë me të cilat të mbijetuarat e dhunës përballen çdo ditë.

Nikoqire në këtë organizim ishte Qendra për Art dhe Komunitet- Artpolis në bashkëpunim me: Rrjetin e Grave të Kosovës, Programi për Studime Gjinore nga Universiteti Publik, Cel Kosovo, Kosovar Youth Council – KYC, PEN – Peer Educators Network, Qendra Kosovare për Studime Gjinore, ECMI dhe ORCA dhe aktivist/e, të cilët së bashku arritën ta shfaqin revoltën e tyre duke e dënuar dhunën ndaj grave./KultPlus.com

Popullit tim

Poezi e shkruar nga Esad Mekuli.

Deshta, shum’ kam dasht-dishrue
që me këngë të trimnoj, me fjalen tënde të ndrydhun
të ngrej fuqitë prej gjumit…
Këndova (dhe kur m’ishte ndalue)
se liria do të vinte edhe për ty, të përbuzun.
Këndova mbi ditët fatlume që do të lindshin, pa dhunë,
n’agimin e lirisë për ty me popujt këtu e ngjeti,
mbi forcë të bashkimit mbarë:
mbi vrullin tand të mëshehun
-unë, biri yt dhe-poeti.
Po! N’errsinën e shtypjes së randë sa shkambi,
ndëgjova thirrjet që të bana me dal n’dritë-
pse për liri-me tjerë
ke dhanë dhe ti
djers e gjak si etnit.
Kam dhanë, i dashtun…Dhe sot, në liri-
kur thembra e gjaksorit s’na shkel dhe dora pa
pranga mbeti,
me ty këndoj mbi fuqinë e ngjadhun nën yllin që na pri’
-unë, biri yt besnik dhe-poeti./KultPlus.com

Spektakël defilesh në Ditën e Pavarësisë, do të prezantohet FSK, Policia dhe Ansambli Shota

Të shtunën më 17 shkurt në nderë të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, FSK-ja, Policia e Kosovës dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota”, sjellin defile në sheshet e Prishtinës, shkruan KultPlus.

Fillimisht Ansambli do të zhvillojë një defile të trupës artistike të Ansamblit, në sheshet e qytetit të Prishtinës (rreth orës 13:00), pas defileut të FSK-së dhe Policisë së Kosovës.

Ndërkaq koncerti, me këngë dhe valle të zgjedhura nga repertori i Ansamblit, mbahet në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, me datë 17 shkurt, duke filluar nga ora 15:00./ KultPlus.com

Do të digjitalizohen 2 milionë kopje në BKK “Pjetër Bogdani” nëpërmjet kampanjës së NESCAFE

Alberina Haxhijaj

Sot ka filluar fushata “Start Smart” për të mbledhur fonde për pajisjen e Qendrës multimediale në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Shumica e studentëve, përmes studimeve të cilat janë bërë, besojnë se digjitalizimi i materialeve është një mundësi për qasje më të lehtë në materiale studimore. Ata mendojnë se pikërisht zhvillimi i teknologjisë ndikon në studime. Kështu të rinjtë në Kosovë ka kohë që e kanë mirëpritur procesin e digjitalizimit në Bibliotekën Kombëtare, i cili tashmë do të ndihmohet edhe nga kompania Nestle.
Kompania tashmë ka vendosur që edukimin ta ketë në mesin e objektivave të saj. Nestle me brendin e saj NESCAFE 3në1 ka filluar kampanjën “Start Smart” nga e cila do të ndajë një pjesë të mjeteve nga shitja e produkteve NESCAFE 3në1 dhe NESCAFE 2në1 për hapjen e qendrës multimediale në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Zyrtarja e Lartë në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, Rudina Tahiraj, tha se digjitalizimi nënkupton përfshirjen e bibliotekës në rrjete më të mëdha të informacioneve. Prandaj edhe i janë mirënjohës kompanisë Nesltle që ka zgjedhur bibliotekën për një projekt të tillë.

“Bibliotekat në botë njihen si qendra të cilat përveç mbledhjes dhe ruajtjes së informacionit ofrojnë qasje më të lehtë në informacion. Të kesh qasje në informacion do të thotë të jesh një hap më botën. Mund te themi se ky proces ka filluar dhe tashmë është bërë edhe blerja e skanerit për digjitalizimin e rreth 2 milionë materiale të cilat kjo bibliotekë i posedon”, u shpreh ajo.

Ky vendim u mirëprit edhe nga aktorja Vlora Merovci, e cila në hapje të kësaj fushatë ndau më të pranishmit eksperiencat e saj si studente dhe rëndësinë që ka kjo iniciativë.

“Leximi është një nga shprehitë më të mira që mund ti kemi. Gjithçka që kam arritur e kam për shkak të leximit. Çdo profesion ka nevojë për libra. Në zhvillimin tim si aktore leximi më ka ndihmuar shumë, në zhvillim të imagjinatës, në aftësinë analitike, në fjalor tim më të mirë dhe sidomos në komunikim ” tha aktorja e cila ndau me të pranishmit vështirësitë që ka hasur në periudhën kur ka qenë duke studiuar në universitet, në vitin 1997.

“Studimet i kam filluar në 97-ën, kurse studimet master në vitin 2015, dhe ka qenë një krahasim shumë i madh. Pasi që më parë nëse më është nevojitur një libër i caktuar më është dashur që atë libër ta porosisja në Shqipëri, dhe përmes autobusëve ta marrë në Prishtinë. Kurse tani për të marrë të njëjtin libër, mjaftoi vetëm ta kërkoja, dhe për pak sekonda mora komplet librin me 150 faqe”, përfundoi Merovci duke theksuar se kjo mundësi është shumë e rëndësishme për gjeneratat e reja të cilat sot edhe mund të mos e kuptojnë këtë, pasi që nuk kanë një pikë krahasuese.

Biblioteka Kombëtare e cila ka filluar digjitalizimin e librave dhe të arkivave të saj ka nevojë edhe për pajisje dhe teknologji të re në mënyrë që lexuesit të kenë qasje në to. Pikërisht kjo ka më së shumti rëndësi për studenten Edona Rexhepi.

“Digjitalizimi i librave në profesione si i imi ku duhet konsultim i literaturës është shumë i rëndësishëm. Sidomos për faktin se në disa lëndë qasja në libra të caktuar është e vështirë pasi që librat janë të vjetër dhe konsiderohen një koleksion i rrallë. Prandaj digjitalizimi na mundëson që të qasemi në këta libra, dhe atë për një kohë shumë të shkurtë”, u shpreh Edona Rexhepi e cila studion historinë dhe është një vizitore e rregullt e Bibliotekës Kombëtare.

Sonja Slivjic menaxhere e brendit NESCAFE tha se bazë për përmirësimin e cilësisë së jetës është arsimi. Për këtë arsyeje kompania edhe ka vendosur organizmin e fushatës “Start Smart”.
“Po përpiqemi të rritim standardin e jetës dhe të ndihmojmë për të krijuar një të ardhme më të mirë për të rinjtë të cilët janë të rëndësishëm për çdo komb. Prandaj edhe kemi filluar projektin “Start Smart” në mënyrë që të ardhurat nga produktet tona ti dhurojmë për Bibliotekën Kombëtare. Me fushatën “Start Smart” do të sigurohet një hapësirë moderne për të mësuar të rinjtë, për tu shoqëruar dhe për zhvillimin e tyre profesional që do t’i ndihmojë ata për të gjetur mundësi më të mira për punë. Ne besojmë që digjitalizimi është shumë i rëndësishëm sot dhe do të jetë edhe më i rëndësishëm në të ardhmen”, përfundoi ajo.

Përveç leximit të materialeve digjitale, qendra e re multimediale “Start Smart” do të përdoret edhe për organizimin e punëtorive dhe trajnimeve për të rinjtë, si dhe për edukimin përmes projeksioneve filmike dhe paneleve për diskutim./KultPlus.com

Marrëveshje mes MKRS-së e DokuFest-it për Evropën Kreative

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me DokuFest-in, i cili ka për synim krijimin e rrjetit evropian dhe regjional të partneritetit kulturor dhe kreativ në Kosovë.

Memorandumi i nënshkruar sot nga ministri Kujtim Gashi dhe Eroll Bilibani, drejtor ekzekutiv i DokuFest-it, përkrahur edhe nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), ka për qëllim mbështetjen dhe fuqizimin e sektorit kulturor dhe kreativ në Kosovë përmes projektit “Kosova Kreative”.

Projekti në fjalë do të ndihmojë në përgatitjen e pranimit të aplikacioneve në programin kornizë të Komisionit Europian për mbështetje të sektorit kulturor dhe audiovizual “Evropa Kreative” duke hartuar një doracak të praktikave dhe mësimeve më të mira nga organizatat që kanë përvojë në zbatimin e programit në fjalë dhe krijimin e një databaze ndërsektoriale kulturore dhe audiovizuale të organizatave kulturore, artistëve individual, industrisë së filmit, e tjerë nga Evropa, që janë të interesuara në bashkëpunim me organizatat simotra në Kosovë; dhe organizatave kulturore, artistëve individual, industrisë së filmit, e tjerë nga Kosova.

Gjithashtu, memorandumi parasheh adresimin e prioriteteve dhe aktiviteteve që derivojnë nga programi Evropa Kreative. Aktivitetet e parapara në bazë të memorandumit do të realizohen e implementohen nga DokuFest-i.

“Dokumenti që kemi nënshkruar sot, dhe për rrjedhojë doracaku dhe databaza që do dizajnohen, do të mundësojnë krijimin e partneriteteve të reja mes sektorit kulturor nga Kosova dhe Evropa. Përmes kësaj nisme, do të nxiten politika e ide të reja kulturore, dhe do të rritet kreativiteti dhe do të ketë interesim më të madh të audiencës”, tha ministri Gashi.

Ministria obligohet në shfrytëzimin e Doracakut dhe Databazës, si dhe rifreskimin e informatave dhe mirëmbajtjen e mëtutjeshme të Databazës nga ana e Deskut përkatës pranë MKRS-së. Gjithashtu, sipas memorandumit MKRS-ja obligohet të delegojë zyrtarin që do të shërbejë si person kontaktues dhe pjesëmarrës i sesioneve informuese dhe trajnimeve gjatë implementimit të projektit.

Ndërkaq, DokuFest obligohet në përmbushjen e plotë të qëllimeve të projektit deri më 31 mars 2019 deri kur parashihet që të zgjasë edhe ky memorandumi i mirëkuptimit. DokuFest obligohet që Doracakun dhe Databazën ta dorëzojë dhe japë në shfrytëzim për Deskun Evropa Kreative – Kosovë në MKRS./ KultPlus.com

Në një kafene në Kosovë, djegin flamurin e Republikës së Kosovës (VIDEO)

Nga disa persona në një kafene, është djegur flamuri i Republikës së Kosovës.

Flamuri i Kosovës, për të cilin është bërë mjaft zhurmë në prag të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, për vendosjen e tij tek Rrethi i Madh në Prishtinë, është futur në një stufë të ndezur dhe është komentuar me fjalët “digje atë flamur të …”, shkruan KultPlus.

Në vijim po sjellim videon nga Gjirafa Video, ku shihet djegia e Flamurit të Kosovës./KultPlus.com