Komuna e Prishtinës ndan 300 mijë euro për ndërtimin e strehimores për komunitetin LGBTI

Mbetet akoma për t’u bërë për avancimin e të drejtave të komunitetit lezbike, gej, biseksual, transgjinor dhe interseks (LGBTI) në Kosovë. Të drejtat LGBTI, si temë diskutimi, kanë pasur një prezencë të shtuar në debatet publike, megjithëse vazhdojnë të diskriminohen nga shoqëria. Komuna e Prishtinës e ka bërë një hap për avancimin e të drejtave të këtij komuniteti.

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar dje buxhetin e komunës për vitin 2021 dhe kornizës afatmesme buxhetore për periudhën 2021-2023.

Kjo pikë u miratua me 26 vota për 5 abstenime nga të gjitha grupet e partive politike, përveç Lëvizjes Vetëvendosje që abstenuan.

Buxheti kap vlerën prej 86 milionë eurove.

Derisa, shumica e komunitetit LGBTI detyrohet të jetojë një jetë të fshehtë ose të dyfishtë me frikë të vazhdueshme nga diskriminimi, Komuna e Prishtinës po synon të bëjë më publik aktivitetin e këtij komuniteti.

Drejtoria e Mirëqenies e Komunës së Prishtinës në programin e saj për vitin 2021 ka paraparë ndërtimin e një strehimoreje për personat, që i përkasin komunitetit LGBTI.

Ky projekt figuron në buxhetin i cili u miratuar dje në Kuvend. Për ndërtimin e strehimores janë paraparë 300 mijë euro. Ndërkohë, lokaliteti për ndërtimin e strehimores akoma nuk është caktuar përfundimisht./lajmi.net/ KultPlus.com

Qeveria ia zvogëlon për 2.8 milionë buxhetin RTK-së, reagon Sindikata

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së ka reaguar pas lajmit se Qeveria e Kosovës i ka zbritur buxhetin RTK-së, diku rreth 2.8 milionë më pak se vitin e kaluar, ulje të cilën e kanë paraparë në projektbuxhetin për vitin 2020, i cili pritet të miratohet këto ditë në Kuvendin e Kosovës.

SPERTK-ja përmes një komunikate i bëjnë thirrje Kuvendit të Kosovës si themelues i RTK-së që të mos lejojë një gjë të tillë dhe të përmirësojë këtë gabim, duke e rikthyer buxhetin në lartësinë që kishte në vitin 2019 deri në miratimin e ligjit të ri të RTK-së.

“Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës, mediumi publik nuk rregullohet duke ia shkurtuar buxhetin dhe duke ia pamundësuar funksionimin. Nëse nuk kthehet buxheti i RTK-së në lartësinë sikurse vitin paraprak, RTK-ja do të shkatërrohet përfundimisht, ndoshta dikush edhe dëshiron këtë gjë por të gjithë kolegët tanë së bashku nuk do ta lejojnë një gjë të tillë dhe do ta kundërshtojmë me të gjitha mjetet ligjore”, thuhet në reagimin e SPERTK-së.

Sipas SPERTK-së, me uljen e buxhetit të RTK-së nuk rrezikohen vetëm punëtorët e këtij mediumi, por edhe zhvillimi dhe ekzistenca e RTK-së.

“Andaj ju bëjmë thirrje të gjithëve që ta korrigjoni këtë gabim, ndryshe ne do të bëjmë thirrje dhe do të organizojmë protesta. Po ashtu, do të përdorim të gjitha format ligjore për ta kundërshtuar ashpër uljen e buxhetit të RTK-së. Sindikata edhe një herë kërkon nga deputetët që ta marrin parasysh kërkesën tonë dhe ju bën me dije se nuk do ta lejojë një gjë të tillë me asnjë kusht. Ne, deri në leximin e parë, do të ndjekim me vëmendje se çfarë do të ndodhë me kërkesën tonë”, thuhet tutje në reagimin e SPERTK-së. / KultPlus.com

Edhe nëntë projekte filmike mbështeten nga QKK

Sarandë Selimi

Para disa javëve Qendra Kinematografike e Kosovës, publikoi listën e projekteve të subvencionuar për vitin 2018-të, shkruan KultPlus.

Kësisoj pas këtij vendimi erdhi edhe vizita e ministrit të Ministrisë së Kulturës së Republikës së Kosovës, ku konfirmoi rritjen e buxhetit për këtë institucion kinematografik. Pas konfirmimit të rritjes së buxhetit, QKK, mblodhi edhe njëherë juritë vlerësuese e krejt kjo për të subvencionuar edhe plotë nëntë projekte të tjera.

Këto projekte, janë përzgjedhur në bazë të radhitjes së poenëve të fituara më parë.

KultPlus, sjellë listën e projekteve që kanë fituar në QKK, nga rritja e buxhetit:

Në kategorinë e projekteve për filmit të metrazhit të gjatë:

Titulli i Projektit: “Debora”; Shtëpia Filmike: Raven City Production; Producenti: Luigj Bejta; Skenaristi: Arlinda Morina; Regjisori: Arlinda Morina.

Titulli i Projektit: “Lëkura e krokodilit”; Shtëpia Filmike: N.SH. Filmatory 2656; Producenti: Teuta Krasniqi; Skenaristi: Ilirjan Himaj; Regjisori: Ilirjan Himaj.

Titulli i Projektit: “Heshtja e sirenave”; Shtëpia Filmike: N.SH. Frame; Producenti: Arben Shala; Skenaristi: Gazmend Nela; Regjisori: Gazmend Nela.

Në kategorinë e projekteve për filmit të metrazhit të gjatë-dokumentar:

Titulli i Projektit: “Lufta për shkollën“; Shtëpia Filmike: N.I. Idea; Producenti: Nuhi Bytyçi; Skenaristi: Nuhi Bytyçi; Regjisori: Ilir Kabashi.

Titulli i Projektit: “Fisi i humbur“; Shtëpia Filmike: Sorra SH.P.K.; Producenti: Fitim Shala; Skenaristi: Garentina Kraja; Regjisori: Arzana Kraja.

Titulli i Projektit: “Rrugëtimi im nga Shkupi përmbi Zagreb, deri…“; Shtëpia Filmike: Ndërmarrja për marketing; Producenti: Kujtim Shabani; Skenaristi: Mirjana Novak Perjanec; Regjisori: Mirjana Novak Perjanec.

Titulli i Projektit: “Kosova dhe Hebrenjtë“; Shtëpia Filmike: AS-Film; Producenti: Lorena Sopi; Skenaristi: Jakov Sedlar, Rabbi Robert Selzer; Regjisori: Jakov Sedlar.

Në kategorinë e projekteve për Zhvillim Skenari:

Titulli i Projektit: Tifozi i Jugosllavisë, Shtëpia Filmike: N.SH. Industriel, Producent: Arian Krasniqi, skenarist: Arian Krasniqi.

Titulli i projektit: “Ikja”, Shtëpia Filmike: Fokus film, Producenti: Artur Tahiraj, Skenaristi: Artur Tahiraj./ KultPlus.com

Gashi: Kemi rritur buxhetin për trashëgiminë 30% në raport me vitin e kaluar

Ministri i Kulturës, Rinis dhe Sportit (MKRS) Kujtim Gashi, ka raportuar sot në Komisionin Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi për zbatimin e programit dhe politikave të trashëgimisë kulturore dhe punën e Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore.

Ministri informoi deputetët se që nga muaji shkurt kur ky Inspektorati ka filluar punën, ka bërë 21 inspektime, ndër to ka bërë tri kallëzime penale për dëmtim të trashëgimisë në vend. Ministri po ashtu u shpreh se MKRS ka përgatitur koncept-dokumentin për ligjin për trashëgiminë kulturore i cili do të procedohet në Kuvend.

Ministri theksoi se ka filluar zbatimi i programit për trashëgiminë sidomos në plotësimin e legjislacionit dhe se MKRS ka rritur buxhetin për trashëgimi.

“Sa i përket zbatimit të programit për vitin 2018 mund të them se kam pas një përkushtim të veçantë në kuadër të zbatimit të legjislacionit, rritjes se buxhetit për institucionet vartëse dhe një numër të konsiderueshëm të projekteve kapitale”, është shprehur ministri Gashi duke shtuar se “Rritja e buxhetit për vitin 2018 në programin e trashëgimisë kulturore është afërisht 1 milion krahasuar me vitin 2017 (që zbërthyer në përqindje i bie afërsisht 30%)”.

“Buxheti i vitit 2017, në projeksion kapital ka qenë 3.125.684€ kurse në subvencione 842.286 euro derisa ne vitin 2018 në projeksionin kapital 4.020.000 euro kurse ne subvencione është i njëjtë. Prioritet ka qenë themelimi i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, një detyrim ligjor ky i pa përmbushur për më shumë se një dekadë”, ka shpjeguar ministri.

“Bazuar në programin e punës në MKRS, trashëgimia kulturore ka pasur një vëmendje të kushtuar dhe përbën një nga sfidat kryesore të kësaj ministrie. Janë realizuar 12 projekte në ndërtesat me status të mbrojtjes kurse tek kërkimet në kuadër të trashëgimisë arkeologjike janë realizuar 19 projekte”, tha ministri.

Ministri ka njoftuar anëtarët e Komisionit edhe për përgatitjen e materialeve e dokumenteve të trashëgimisë kulturore. “Tek botimet janë realizuar 10 sosh. Një vëmendje e shtuar në kuadër të politikave programore i është kushtuar 14 projekteve në trashëgimin shpirtërore”, tha ai.

Kryetari i komisionit Ismail Kurteshi tha se përmes këtij takimi po tentohet të rritet bashkëpunimi në mes të Ministrisë së Kulturës dhe Këshillit të Trashëgimisë Kulturore, agjenci kjo që i përgjigjet Kuvendit të Kosovës.

Në këtë takim u diskutua edhe për Këshillin e Trashëgimisë, të cilës pritet t’i kalojë mandati dhe duhet të përzgjidhen kandidatët e rinj për këtë Këshill./ KultPlus.com

Ndahet buxheti për institucionet e kulturës, QKK prinë në këtë listë

Sarandë Selimi

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, sivjet ka një buxhet prej 36,523,903.86€.

Ky buxhet sipas zyrtarëve të kësaj ministrie për vitin 2018-të, konsiderohet të ketë një rritje të konsiderueshme të tij në raport me buxhetin e vitit të kaluar. Kësisoj, tashmë është bërë edhe planifikimi i ndarjes së këtyre mjeteve për institucionet vartëse të MKRS-së.

Për KultPlus, shefi i kabinetit të Ministrisë së Kulturës Samir Hoxha, shpalosi buxhetin e këtyre institucioneve, për të cilat tha se, pasi që buxheti i aprovuar për vitin 2018-të ka shënuar rritje të dukshme, sipas tij, sigurisht që mund të ketë edhe rritje për institucionet e kulturës.

“Meqenëse buxheti i aprovuar për vitin 2018 ka shënuar një rritje të dukshme, sigurisht që mund të ketë edhe rritje për institucionet e kulturës, por rritje mund të bëhet vetëm me rishikim të buxhetit në përputhje me nevoja dhe kërkesa për buxhet shtesë nga institucionet vartëse të MKRS-së”, ka thënë Hoxha për KultPlus.

Në përputhje me politikat programore të institucioneve të kulturës të vitit 2018, në vijim sjellim të dhënat në lidhje me buxhetin e institucioneve vartëse të MKRS-së:

Teatri Kombëtar i Kosovës i janë ndarë gjithsej 370,000.00€, Qendra Kinematografike e Kosovës sivjet në buxhetin e saj ka 765,995.00€, Ansambli Shota këtë vit merr 162,500.00€, Filharmonia e Kosovës në buxhet do të ketë 345,000.00€, Galeria Kombëtare e Kosovës do të ketë 163,500.00€, Baleti Kombëtar i Kosovës merr 240,000.00€, Galeria Qafa – 29,000.00€ dhe Kosova Filmi – 10,000.00 €.

Sipas raporteve te zyrës për buxhet dhe financa në MKRS, buxheti është nën-alokuar për periudhën Janar-Mars 2018 nëpër institucionet e kulturës menjëherë pasi që është bërë alokimi i buxhetit në nivel të MKRS-së. Siç dihet alokimi i buxhetit bëhet në baza tremujore, nënalokimi nëpër institucionet e kulturës është bërë duke u bazuar në Politikat Programore të institucioneve të kulturës./ KultPlus.com

Shpellës së Gadimes i duhet buxhet për hapje të nivelit të ri

Shpella e Gadimes në Lipjan, është njëra ndër bukuritë që ka Kosova. Është e gjatë 1500 metra dhe ndahet në 3 nivele: niveli nënujor, niveli i mesëm që është për vizitorë, dhe niveli i sipërm që është zbuluar, por që është i pakalueshëm për vizitorë.

Pritet që për vizitorët të bëhen hapje të reja të hapësirave në Shpellën e Gadimes, por drejtoresha e Shpellës së Gadimes, Ardiana Pllana, i tha Radio Kosovës se nuk kanë buxhet të mjaftueshëm për këto ndërhyrje.

Në Shpellën e Gadimës në Lipjan, ka kohë që është zbuluar niveli tretë i saj, por që është i pakalueshëm për vizitorë. Drejtoresha e Shpellës së Gadimes, Ardiana Pllana, tha se në shpellë ka hapësirë të mjaftueshme për të eksploruar dhe për të rregulluar korridore të reja për zgjerimin e saj, mirëpo, ajo thekson se nuk kanë buxhet të mjaftueshëm për t’i bërë këto ndërhyrje:

“Ka ende korridore që nuk janë eksploruar, duhet të ketë me shumë buxhet, sepse ky që kemi, na pamundëson për intervenime më të thella të shpellës.”

Pllana pret nga ministrja e re që t’i përkrahë përpjekjet për tejkalimin e problemeve që kanë punëtorët administrativë, si dhe t’u ofrojë përkrahje në kërkesat e tyre për projektet në zgjerimin dhe mirëmbajtjen e shpellës.

Ndërsa, ministrja e Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, tha se do të angazhohet për ruajtjen e saj dhe do të përmirësojë kushtet për zgjerimin dhe mirëmbajtjen e shpellës.

“Prioriteti im është hulumtimi i korridoreve dhe galerive të reja të shpellës. Zgjerimi i liqenit dhe krijimi i qendrës turistike, duke investuar në rregullimin e infrastrukturës për rreth saj, e zgjeron dhe modernizon shpellën dhe u jep mundësi qytetarëve të kësaj ane të punësohen, duke zhvilluar aktivitete komerciale, duke u ofruar turistëve produkte. Gjithashtu do të krijojmë kushte të favorshme që të rritet numri i vizitorëve” tha ajo.

Ciceroni në Shpellën e Gadimes, Oso Gjinovci, tha se kanë probleme me ndriçimin e hapësirave brenda shpellës, për shkak të lagështisë së madhe që ka brenda

“Nevojitet ndihmë për ndriçimin e Shpellës së Gadimes, kemi probleme sepse shpella pikon vazhdimisht dhe dëmtohen dritat”, tha ai.

Shpella e Gadimes ka gjithsejtë shtatë punëtorë, dhe brenda vitit shpellën e vizitojnë rreth 30 mijë vetë./ KultPlus.com

Isa Qosja shtyn xhirimet e filmit

Kurse ky projekt është njëri nga filmat që ka mbledhë një kastë të aktorëve të shkëlqyer, duke përfshirë: Arta Dobroshi, Mirush Kabashi, Arben Bajraktaraj, Shkumbin Istrefi, Flonja Kodheli, shkruan KultPlus.

Ky projekt edhe pse është mbështetur në vitin 2016-të nga Qendra Kinematografike e Kosovës, ende nuk ka nis xhirimet e krejt kjo për shkak të buxhetit të ulët. Për këtë gjë, për KultPlus njoftoi vetë regjisori Qosja, i cili tha se është në pritje të fondeve nga shtete e tjera, pasi që shuma prej 120 mijë eurosh është shumë e ulët për ta jetësuar këtë projekt.

“Ne kemi pas plan që xhirimet t’i nisim në shtator të këtij viti por për shkak të buxhetit të vogël jemi detyruar që xhirimet t’i zhvendosim për maj të vitit të ardhshëm. Kemi aplikuar në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë në Shqipëri, në Fondin e Filmit në Maqedoni dhe në Francë. Tashmë jam në pritje të përgjigjeve që do i marrë nga këto institucione”, tha për KultPlus, regjisori Isa Qosja.

Në një intervistë të mëhershme Isa Qosja, pati treguar ekskluzivisht për KultPlus se Arta Dobroshi do të jetë në kastën e aktorëve të filmit ‘Skype’. Poashtu në kastën e këtij filmi do të jenë edhe aktorë të tjerë të si: Shkumbin Istrefi, Flonja Kodheli, Arben Bajraktaraj, Mirush Kabashi.

“Skype”, do të sjellë disa përralla për një vend dhe për njerëzit që jetojnë atje. Për Plavën dhe Gucinë…Por edhe për të gjithë ne. Në fakt regjisori ka folur me gjuhën dhe ndjenjat e njerëzve nga realiteti jetësor aty. Për hallet e tyre karshi shpërnguljes së pandalur në Amerikë. Në “Skype”, regjisori do të sjellë edhe shitblerjen e grave në të dy anët e kufirit dhe për tri gjenerata të humbura të femrës shqiptare, pikërisht si pasojë e emigrimit./ KultPlus.com