Kosova tenton prapë të marrë pjesë në Eurovision

Radio Televizioni i Kosovës ka prezantuar edhe njëherë argumentet se pse duhet të jetë pjesë e EBU – Unionit të Transmetuesve Evropianë.

Përfaqësuesit nga ky televizion janë takuar me përfaqësuesit e EBU ku kanë shprehur dëshirën për një anëtarësim në këtë institucion.

Ata kanë marrë premtimin se janë në agjendë në takimin e radhës kur mund të vendoset për fatin e televizionit publik në EBU.

Në anën tjetër, një anëtarësim në EBU do të nënkuptonte edhe pjesëmarrjen e Kosovës në Eurovizionin e vitit tjetër, në Izrael. / KultPlus.com

Shpaloset programi garues i dokumentarëve PriDocs në PriFest

Sikur në edicionet e kaluara edhe edicioni i sivjetëm i PriFest sjell të gjitha ngjyrat e filmit dokumentar, përmes një programi filmash që kalon nga Anglia, Gjermania, Spanja, Turqia, Belgjika, Tunizia e deri tek Ekuadori dhe SHBA. 1 Premiere Ndërkombëtare,1 Europiane dhe 3 Regjionale,ndër tjerash, përbën programin e PriDocs edicionin e 10-të të PriFest-it, që mbahet nga 17-22 Korrik në Prishtinë.

Filmat dokumentarë në këtë program premtojnë të zgjerojnë horizontet e audiencës së festivalit me tematika sociale që nisin nga lufta, politika dhe armët e deri tek mbrojtja e ambientit e dashuria, si nocione që thyejnë kufijtë dhe barrierat e shteteve. Me këtë shumëllojshmëri temash, ky program pritet të sjell me të vërtetë shumë filma të veçantë, në mesin e tyre edhe dokumentarin “Mr.Gay Syria” nga Turqia, i cili shënoi suksese si fitues i çmimit kryesor për film dokumetar në Chicago International Film Festival si dhe në Sarajevo Film
Festival.

Një dokumentar i jashtëzakonshëm i regjisores Ayşe Toprak, “Mr.Gay Syria”,trajton një kritikë delikate ndaj autoriteteve dhe burokracive të mëdha që kontribojnë në margjinalizimin e mëtejshëm të qytetarëve të saj. Për më shumtë, filmi transmeton gëzimet dhe betejat e një komuniteti shumë të keqinterpretuar dhe e bën këtë me humor, zemër dhe dhembshuri.

Po aq i rëndësishëm sa dokumentari i lartpërmendur është edhe filmi “Man Made” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që në këtë edicion të PriFest do të ketë premierën e tij ndërkombëtare.

Lista e plotë e dokumentarëve që do të shfaqen në këtë program:
1. Arcadia (Britani e Madhe), Premierë Kosovare,
2. The last tape (Gjermani), Premierë Kosovare,
3. The unity of Birds (Spanjë, Argjentinë), Premierë Regjionale,
4. Mr. Gay Syria (Turqi), Premierë Kosovare,
5. Upon the Shadow (Tunizi), Premierë Kosovare,
6. Burkinabè Rising: The Art of Resistance in Burkina Faso (SHBA, Bullgari,
Burkina Faso), Premierë Regjionale,
7. Nothing is Forgiven (Belgjikë), Premierë Regjionale,
8. The Kitman (Ekuador), Premierë Evropiane,
9. Man Made (SHBA), Premierë Ndërkombëtare.

Audienca e PriFestkëtë vit nga data 17-22 Korrik, do të mund të përcjellë filma në hapësirat e Teatrit Kombëtar (dy salla), Kinemanë nën qiellin e hapur te Sheshi “Zahir Pajaziti” si dhe në hapësirën tonë më të re, “Kino Armata”.

Më shumë të dhëna sa i përket shitjes së biletave do të bëhen të ditura më vonë. Gjithashtu, sikur në edicionet e kaluara, edhe sivjet PriFest ofron mundësinë e blerjes së kartelave “All in One”, të cilat kushtojnë 10 euro dhe mundësojnë përcjelljen e të gjitha filmave të festivalit. Për të marrë këtë kartelë mund të na shkruani në [email protected] apo të thirrni në zyrën e festivalit ( +38343714944)

Në javët në vazhdim, festivali më i madh në vend do t’i bëjë të ditura edhe befasitë tjera, andaj ju ftojmë që të rezervoni datat dhe të përgatiteni për një javë plot filma, debate dhe aktivitete tjera që do t’i japin kryeqytetit, Prishtinës, një freski tërësisht unike në mes të verës.

Gucci risjellë në modë sandalet tuaja të fëmijërisë me një çmim marramendës

Shtëpitë e mëdha të modës rikthejnë herë pas here modën e viteve të kaluara. Të njëjtën gjë ka bërë Gucci dhe firmat e tjera me sandalet e dikurshme, të cilat po i shikojmë gjithmonë e më shumë të veshura nga blogeret.

A ju kujtohen sandalet plastike të fëmijërisë, që shumë prej nesh i kanë pasur të pandara në përditshmëri? Dikur i blenim me nje çmim modest, por tani jo më.

Gucci i ka risjellë në modë këto sandale, të cilat mund t`i bëni tuajat për një vlerë prej 500 dollarësh. E pabesueshme, apo jo? Epo janë Gucci!

Këngëtarja e vrarë në Turqi, me prejardhje nga Ballkani

Këngëtarja e njohur, Hacer Tulu, 40- vjeçare që u qëllua për vdekje në një klub nate në Turqi kishte prejardhje nga Bosnja. Hacer ishte modele, aktore, si dhe këngëtare.

Ajo kishte lindur më 10 prill 1978 në Izmir të Turqisë. Prindërit e saj kishin prejardhje nga Bosnja, imigrantë në Turqi.

Këngëtarja kishte edhe një vëlla dhe besohet se ka edhe një vajzë pesëmbëdhjetë vjeçare.

Ajo kishte studiuar në drejtimin -Marrëdhënie me Publikun, ndërsa ishte artiste e njohur në Turqi me më shumë se 50,000 ndjekës në Instagram.

Në kanalin YouTube ka më shumë se 4 milionë shikime. / KultPlus.com

Shkolla ‘Ismail Qemali’ kaplohet nga uji

Prishtina është vërshuar sot nga reshjet e shiut. Kjo gjendje ka krijuar edhe kaos në Shkollën Fillore ‘Ismail Qemali’ në Prishtinë e cila gjendet në lagjen Bregu i Diellit.

Ky objekt për shkak të problemeve me kanalizim edhe është mbushur me ujë pas reshjeve të shiut.

Gazeta Express ka siguruar pamjet se si është bërë korridori i shkollës në të cilin ka depërtuar edhe uji brenda.

Kjo nuk është hera e parë që shkolla ‘Ismail Qemali’ bëhet në këtë gjendje. / KultPlus.com

Atdheu

FATOS ARAPI

Atdheu është dhembje, është dhembje,
Një prill i pikëlluar në shpirt.
Atdheu është kryqi, është kryqi.
E mban – edhe të mban ty – në shpirt.

Atdheu është toka e premtuar.
Ti shkel si një zot dhe s’e ke ndën këmbë.
Atdheu s’ka fjalë, ka sy të trishtuar.
Vdes dashuria në dashuri që të çmend.

Atdheu është buka e uritur:
Të ikën nga duart e dot nuk e ngop.
Ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur.
Me sytë n’errësirë vetveten kërkon.

Atdheu është varr i hapur, është varr.
Një jetë drejt tij shkon me besë që bind.
Në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë.
Në një pikë loti lirinë e lind.

Atdheu yt i vogli, i vogli,
ai hyjnori, i pavdekshmi – loti.

Kujtesa për Skënderbeun dhe ruajtja e identitetit Arbëresh

Edicioni i nëntë i “Javës së Albanologjisë” po vazhdon ditën e dytë me kumtesa shkencore lidhur me jetën dhe veprën heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, shkruan KultPlus.

Leontina Gega-Musa dhe Lumnije Kadriu sot në Institutin Albanologjik prezantuan kumtesën e tyre me titull “Kujtesa për Skënderbeun dhe ruajtja e identitetit Arbëresh”.

“Skënderbeu është figurë kryesore në kujtesën kolektive të Arbëreshëve në veçanti dhe e shqiptarëve në përgjithësi. Si e tillë, ajo gjithashtu është figurë kryesore në historinë e shqiptarëve, e cila frymëzoi shumë punime artistike e shkencore në disiplina të ndryshme përfshirë traditën gojore, historinë, letërsinë, etnologjinë…”, thuhet në fillim të kumtesës.

Autoret në këtë punim, duke marrë si objekt dy këngë popullore të lidhura me dy ngjarje kryesore në jetën e Skënderbeut, martesën dhe vdekjen, arritën të elaborojnë mënyrat se si është konstruktuar, bartur dhe interpretuar kujtesa kolektive. Përmes saj elaboruan rolin e Jeronim de Radës në mbledhjen e këngëve popullore arbëreshe, përfshirë këto të dyja, si dhe në ngritjen e vetëdijes kulturore dhe të identitetit ndër Arbëreshë. Këto dy këngë vihen përballë fakteve historike, siç janë përshkruar në librin historik për Skënderbeun të autorit Harry Hodgkinson, duke bërë përpjekje për të dalluar dhe krahasuar kreativitetin në krijimet gojore dhe mënyrat e ndryshme të interpretimit të fakteve të njëjta historike.

Krejt në fund ky punim arriti në teorizimin e asaj se si faktet historike të transformuara, si në traditën gojore ashtu edhe në interpretimet shkencore, përdoren për të formësuar kujtesën kolektive, e cila kultivon identitetet e grupeve në nivele të ndryshme kohore e hapësinore, si p.sh. lokale, regjionale, etnike e kombëtare. Duke marrë parasysh faktin se ato akoma vazhdojnë të interpretohen, këto këngë gjithashtu paraqesin mënyrat e shprehjes së mallit dhe përkatësisë së tyre të një “epoke të artë” të përbashkët. Gjithashtu përgjatë punimit u diskutua se sa e imagjinuar dhe/ose reale është kjo “epokë” dhe deri në ç’masë e bën të tillë figura e Skënderbeut./ KultPlus.com

Fisnik Ademi zgjedhet kryetar i Këshillit Drejtues në TKK

Aktori Fisnik Ademi është zgjedhur kryesues i Këshillit të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Ai është votuar në këtë pozitë nga anëtarët e Këshillit. Zgjedhja e tij në krye të Këshillit vjen pas dorëheqjes së kryesueses Burbuqe Berisha.

Fisnik Ademi është aktor, i njohur me rolet e tij te shfaqjet „Martesa“, „Cirku fluturues“ dhe seriali „O sa mirë“./ KultPlus.com

Vanity Fair rendit pianisten shqiptare mes 30 yjeve të Francës

Një gjeni në piano, ajo po shkëlqen në skenat e të gjithë botës, nga Gjeneva në Tokio”, kështu shprehet revista prestigjioze “Vanity Fair” për artisten e talentuar shqiptaro-franceze Marie-Ange Nguci. Ajo e klasifikon pianisten 20-vjeçare mes 30 yjeve në ngritje të Francës.

Marie-Anxhe Nguci është vetëm 20 vjeç, por ka detyruar edhe mediat më prestigjioze franceze që të kthejnë kokën drejt saj. Vajza shqiptare konsiderohet si një nga talentet më premtuese të brezit të saj dhe artdashësit dhe kritikët në Francë e shohin me adhurim.

Disa muaj më parë ajo ka publikuar albumin e parë me muzikë klasike dhe sipas “Le Figaro”, plotësia është ndjesia e parë që përcjell albumi i saj. Mediat franceze vlerësojnë se pianistja shqiptare me një mjeshtëri të rrallë kombinon përvojat muzikore dhe është në kërkim të territoreve të reja të shprehjes përmes muzikës. / ata

Momenti i ngritjes së flamurit të Kosovës në Spanjë (VIDEO)

Ekipi Olimpik i Kosovës do të marrë pjesë në lojërat mesdhetare “Tarragona 2018” me 40 sportistë në 12 sporte të ndryshime, që do të përfaqësojnë vendin tonë.

Gjatë ditës së djeshme, para se ekipi i Kosovës të niset për në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”, kampionia olimpike në xhudo, Majlinda Kelmendi, e ka pranuar Flamurin shtetëror nga Presidenti Hashim Thaçi.

Kurse, gjatë ditës së sotme, me të mbërritur delegacioni i Kosovës në Fshatin Mesdhetar të Lojërave Mesdhetare që do të mbahen në Tarragona të Spanjës, është ngritur flamuri i Kosovës në ceremoni, me ç’rast u intonua edhe himni i shtetit tonë. /Insporti.com

Chopin Piano FEST Prishtina

Chopin Piano FEST “Prishtina” është themeluar me rastin e përvjetorit të 200të të Chopin në 2010, nga Asociacioni Kosovar Chopin si anëtari më i ri i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Chopin , pjesë e UNESCO-s.

Suksesi i këtij festivali dhe vlerësimi që iu bë nga publiku i Kosovës, shtynë organizatoret ta bëjnë këtë festival tradicional që mbahet në Prill të çdo viti.

ChopinPianoFEST “Prishtina” është festival qe i përkushtohet mjeshtërisë së interpretimit pianistik dhe repertoarit më të shquar pianistik botëror dhe shqiptar. Duke mirëpritur pianist të skenave botërore ofron mundësi bashkëpunimi dhe rrjetëzimi për artistët Kosovarë por edhe shërben si një platfomë bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar. Meqë muzika është gjuhë universal e komunikimit, dhe e bashkëpunimit në festival performojnë edhe artistë nga vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën duke bere që ky festival të shquhet si një aktivitet i diplomacisë kulturore të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

Nën përkujdesjen e Drejtoreshës Artistike të Festivalit, pianistes së shquar Kosovare, Lejla-Haxhiu-Pula, programi synon të jetë përherë i pasur dhe i larmishëm e sfidues për shijen tashmë të dëshmuar të publikut Kosovar. Chopin Piano FEST Prishtina 2016 prej 11.04.2016 deri 24.04.2016 kur realizohet koncerti përfundimtar si zakonisht në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës.

Adresa: Fakulteti i Arteve-Universiteti i Prishtines

webpage: www.chopinkosova.com
facebook https://www.facebook.com/Chopin-Piano-Fest-Prishtina-739628919487119/
contact: [email protected] dhe [email protected]
Presidente dhe Drejtor Artistik i Festivalit Lejla Pula 049800577
Menaxhere e Festivalit Besa Luzha 045 800 999

Shenjtorja jonë Nënë Tereza, lutu për shqiptarët

Shkruan Gjekë Gjonlekaj.

Murgeshat shqiptare ishin shumë të respektuara në shoqërinë shqiptare. Ato ishin rëndi më i nderuar i gjinisë femërore. Ishin të dalluara për kodin e tyre moral dhe për uniformën shumë serioze. Murgeshat ishin të qeta dhe punonin si bleta natë e ditë. Familjet që dërgonin bijat e veta në këto misione ishin shumë të nderuara. Ato që bënin shërbime në qytete shumë herë punonin nëpër spitale.

Për murgeshën tonë të famshme Nënën Tereze kisha dëgjuar nga murgeshat shqiptare të Malësisë dhe Kosovës, shkruan Gjekë Gjonlekaj, ish gazetar i |Zërit të Amerikës”, aktualisht botues në New York. Ato flisnin me shumë dashuri e respekt për Nënën tonë të Madhe, siç këndoi më vonë Shkurte Fejza. Murgeshat shqiptare kishin dëgjuar shumë për Nënën tonë të famshme nga meshtarët dhe murgeshat kroate. Pavarësisht se Nëna Tereze ishte bërë e njohur botërisht në vitet 60’ informacionet komuniste e kombeve të ndryshme të Jugosllavisë nuk i kishin dhënë ndonjë rëndësi misionit të saj bamirës. Natyrisht se përkatësia e saj kombëtare mund të kishte qenë një pengesë që ajo të mos bëhej e njohur në Kosovë dhe në trevat tjera shqiptare në ish-Jugosllavi.

Në vitet e ’60-ta dhe ’70-ta për Nënën Tereze kishin shkruar gazetat dhe revistat më të mëdha amerikane dhe botërore. Pastaj ishin transmetuar dokumentare në kanale të mëdha televizive evropiane dhe amerikane. Ishte pritur e nderuar nga papët e Romës dhe shumë personalitete botërore. Megjithatë propaganda jugosllave qëndronte në heshtje për misionin dhe sukseset e saj. Ata filluan të merren më seriozisht me Nënën Tereze vetëm në fund të vitit 1979 kur fitoi Çmimin Nobel për Paqe. Meshtari i njohur shqiptar Dom. Lush Gjergji kishte bërë më shumë se kushdo tjetër për njohjen e saj në Kosovë dhe viset tjera shqiptare në ish Jugosllavi. Në rininë time të hershme unë kisha fare pak njohuri për veprimtarinë e saj. Në vitet e ’70-ta këtu në Shtetet e Bashkuara shqiptarët nuk kishim pothuajse asnjë personalitet të përmasave ndërkombëtare përveç Nënës Tereze dhe aktorit John Belushi. Për fatkeqësinë tonë ky i fundit, yll i shkëlqyer i artit amerikan, u shua papritmas në mars të vitit 1982. Mbetëm vetëm me Nënën Tereze. Tërë jetën prej ditës së parë që kisha dëgjuar e lexuar për murgeshën tonë shqiptare nuk e dijë pse por me ishte ngulur në zemër deshira për ta takuar. Shumë herë të huajt shkruanin se Nëna Tereze ishte jugosllave. Këtë gabim e kishin bërë edhe disa politikanë të njohur të Evropës dhe Amerikës. Bile Presidenti Ronald Reagan me 20 qershor 1985, që i kishte dhënë Medaljen e Lirisë në Shtëpi të Bardhë e kishte quajtur “Bijë jugosllave” (Yugoslavian daughter). Kjo kishte qenë fyerje për kombin tonë në përgjithësi dhe për shqiptarët e Amerikës në veçanti. Unë isha kurioz për takimin me Nënën Tereze dhe për mundesinë e bisedës me të në gjuhën shqipe. Ky kuriozitet më kishte lindur nga një thënje e Martin Camaj: “Pse Shën Jeronimi nuk kishte lënë të shkruara tri katër fjali ilirisht. Merre me mend thoshte Martini sa kishin ndihmuar ato fjali për tezën e burimit të gjuhës shqipe nga ilirishtja. Ato fjali ilirisht mbase mund të kishin qenë çelësi i gjuhëtarëve shqiptarë dhe të huaj për lidhjen e këtyre dy gjuhëve”.Edhe fjalët e Eqrem Çabeut: “Aty ku i thonë bukës bukë, e ujit ujë” kishin qenë për mua si një formulë pagëzimi. Kisha vendosur që në takimin e parë do t’i lutesha me shumë sinqeritet dhe butësi për mundësinë e bisedës ose intervistës në gjuhën shqipe. Kisha dyshime se në rrëmujën e shekujve të ardhshëm do të sajohen trillime për origjinën e saj kombëtare, kështu që fjalët e saj në gjuhën shqipe do të ishin dëshmi e gjallë që kjo ishte bijë e kombit tonë. Më shkonte ndër mend sikur të kishim sot zërin origjinal të Skënderbeut. Ky kishte qenë motivimi im për fjalët e Nënës Tereze në gjuhën shqipe.

Në mesin e qershorit 1988 isha korrepondent i Zërit të Amerikës në New York. Zyra e ‘Zërit të Amerikës’ është sot e kësaj dite në Federal Plaza. Korrespondenti amerikan i Zërit të Amerikës në Kombet e Bashkuara Michael Dune më bëri telefon atë ditë më 13 qershor 1988 që ishte edhe Dita e Shna Nout dhe më njoftoi se atë ditë Nënë Tereza ishte në Kombet e Bashkuara dhe pas takimit me Seretarin e kësaj Organizate Javier Perez De Cuellar do të mbante një konferencë për gazetarët. Une e kisha porositur disa herë në të kaluarën që të më njoftonte për vizitën e saj në OKB. Vajtja ime atë ditë ishte shumë e vështirë për shkak të disa normave burokratike. Në dhomën e Konferencës për gazetarët në OKB ishin ulur shumica e korrespondenteve. Pas pak hyri Nëna Tereze me një përfaqësues të lartë diplomatik amerikan. Unë iu luta diplomatit amerikan të më jepte mundësinë për të bërë një pyetje dhe shtova se isha korrespondent i Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe. Ai e priti mirë kërkesën time, vazhdo tha ai (go ahead). Vura re se Nëna Tereze u gëzua kur mori vesh se isha shqiptar. Nuk bëri asnjë koment por u duk qartas në fytyrën e saj një buzëqeshje. Pyetja ime ishte: “Nënë Tereze, ju keni vizituar shumë vende komuniste në Lindje, siç ishte Bashkimi Sovjetik, Vietnami dhe Kina, pastaj Kuba. Çka mendoni për mundësinë e një vizite në Shqipëri në atdheun e të parëve tuaj? Gazetarët qeshën pothuajse të gjithë njëzëri lidhur me pyetjen time hipotetike siç e cilësoi njëri nga ata. Ajo nuk bëri asnjë koment për komentet e tyre. Nëna Tereza tha:” Disa herë kam bërë përpjekje për të shkuar Shqipëri, por nuk më kanë lejuar. Lus Zotin që një ditë do të ma plotësojnë këtë deshirë: “Unë dua ta vizitoj Shqipërinë”(I love to visit Albania). Pasi mbaroi konferenca më bëri me dorë për t’u ulur pranë saj dhe biseduam vëllazërisht për punë personale dhe për shqiptarët e New Yorkut. Në fund të bisedës iu luta për mundësinë e takimit me shqiptarët e këtij qyteti. Ajo tha: “Jo nesër, jo pasnesër, por një ditë tjetër. Më dha telefonin e zyrës dhe mu lut që t’i bëja telefon mundësisht pas mesnatës, duke ma shpjeguar se kishte disa takime me autoritetet e qytetit dhe më vonë do të shkonte për vizita në dy spitale. Pak pas mesnate e thirra në telefon dhe pyeta a mund të flas me Nënën Tereze? ” Ajo tha: “Unë jam Nëna Tereze”. Kërkova falje që thirra tepër vonë, por kjo thirrje kishte qënë porosia e saj. Jo jo tha: “Mos u shqetëso se Unë nuk fle vetëm dy ose tri orë në natë”. E pyeta për mundësinë e takimit me shqiptarët? Ajo tha pasnesër në ora 7 të mëngjezit si zakonisht do të shkojmë në kishën Shën Ritas në East 145 street dhe pas meshës mund të bisedojmë me shqiptarët e këtij Komuniteti. Të nesërmen gjithë ditën bëra thirrje shqiptarëve nga zyra ime e Zërit të Amerikës për takimin me Nënën Tereze. U bëra telefon edhe dy klerikëve shqiptarë: Dom Rrok Mirëditës dhe Dom.Pjetër Popaj. Ata bashkëmeshuan atë ditë me meshtarët amerikanë. Pas meshës në oborrin e asaj kishe shqiptarët biseduan dhe u fotografuan me Nënën Tereze. Ndërkohë të gjithë së bashu mblodhëm nja 10.000 (dhjet mijë dollarë) për të varfërit e saj, dhe ia dorëzova Motrës Nirmala. Nëna Tereze u gëzua shumë për dhuratën tonë dhe shtoi: ‘E dijë që shqiptarët janë bujarë, por nuk e kisha menduar kurrë se janë kaq bujarë”. Motra Nirmala tha shpresoj që nuk ke bërë fushatë për këtë kontribut sepse ne e kemi të ndaluar fushatën për kontribute financiare. Nuk bëra asnjë koment për këtë çështje. Nëna Tereze u gëzua për këtë kontribut, ngase ishte nga vëllazërit e saj shqiptarë. Në atë moment iu luta për një bisedë ose intervistë në gjuhën shqipe?Ajo tha nuk kishte folur shqip për pothuajse 60’ vjet dhe e kishte shumë të vështirë. Por tha, prit pak. U mendua nja 30 sekonda dhe filloi: “Unë lutem për Ju, Zoti kjoft me Ju”. Pas pak filloi uratën e mirënjohur shqiptare “Puna e Pendimit”.

Puna e pendimit

O Zoti em

Po më vjen keq

Me gjithë zemër

Për gjithë mëkate

Që kam ba

kam bjerrë parisin

kam meritua ferrin

por ma fort se të kam fye ty

O e mira e pamarueme

Që kaq fort më ke dasht

Mëshirë o Zot

Më fal o Zot

Po të jap fjalën

Me nimë tande

S’kam me të fye ma kurrë.

E tha këtë uratë pa asnjë vështirësi. Të gjitha këto i regjistrova dhe një ditë më vonë u transmetuan në Zërin e Amerikës.

Pas dy-tri ditësh mora një letër falënderimi që e ruaj me shumë dashuri tash 30 vjet.

E dashur Ndërmarrja Gjonlekaj

Lavdi Jezusit Shpëtimtarit tonë të Kryqëzuar dhe të Ringjallur. Faleminderit për dhuratën tuaj për Jezusin, i cili jeton me të varfërit e të varfërve. Lutja ime për ju është që ju të ruani në zemrat tuaja gëzimin e dashurisë për Krishtin.Ndani këtë gëzim me gjithë ata që i takoni. Ju lutem, që të mbani ne lutje mua dhe motrat e mia, dhe gjithë të varfërit që ne u shërbejmë.

Zoti u bekoftë.

Nëna Tereze shkruante dhe poezi, ne këtë rast nën fotografinë e saj shkruajti këto vargje:

Çdo punë dashurie, e bëre me zëmër te plotë, gjithmonë sjell njerëzit më afër të Madhit Zot

Fotografia e madhe e shqiptarëve me Nënë Terezen pas meshës është sot në Muzeun e saj Tiranë. Në atë fotografi shihen shumica e shqiptaro-amerikanëve që morën pjesë në meshë dhe takim. Kjo është fotografi historike. Nëna Tereze ishte pritur me nderime në mesin e viteve 70′ në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”. Meshën dhe pritjen për Nënën Tereze i kishin organizuar Dom Zef Oroshi dhe Dom Rrok Mirdita. Kishin marrë pjesë disa autoritete fetare midis tyre edhe At. Arthur Liolini nga Bostoni. Nënë Tereza kishte vizituar edhe Komunitetin e Detroitit dhe ishte pritur mirë në atë qytetet. Por nderën më të madhe ia kishte bërë Rrustem Kupi, djali i Abaz Kupit, sepse i kishte siguruar udhëtimin pa pagesë (gratis) në ndërmarrjen e fluturimeve ajrore PAN-AM më vonë UNITED kudo në botë, bile në klasin e parë. Rrustem Kupi kishte qenë njëri prej drejtorëve ekzekutiv i kësaj ndërmarrje ajrore amerikane. Thëni e saj në Oslo atë ditë që kishte marrë Çmimin Nobel për Paqe: se ” me gjak jam shqiptare” ( by blood I’m Albanian) e bëri të dashur për popullin shqiptar përgjithmonë.

Ç’prej 15 qershorit të vitit 1988 e deri atë ditë që u largua nga kjo jetë më 5 shtator 1997, kisha mbajtur lidhje telefonike, takime dhe korrespondenca, por jo aq shumë sepse Nëna Tereze ishte tepër e zënë. Ajo ishte super korrekte mbase njeriu më korrekt që kisha parë ose dëgjuar në jetë kur është fjala për saktësi dhe përgjegjësi. Ajo të falënderonte me shkrim edhe për dhuratën më të vogël. Në një rast më kishte falënderuar nga India për një fotografi të saj që ishte botuar në gazetën shqiptaro-amerkane “Ilyria”. Për korrespondencën e saj prej dhjetëra mijëra letrash nuk kishte sekretare. Ajo vet i shkruante të gjitha. E bënte këtë për të treguar respektin dhe përzemërsinë e saj. Letrat e saj ishin si letrat e Shën Palit. Ishin ungjillore me një frymë gëzimi, bekimi e optimizmi. Në një rast më shkruante se lutet për mua dhe për qëllimet e mia (I pray for you and your intentions). Shume herë në vështirësitë e jetës dhe rrëmujat e ndryshme i lutesha në vetmi “O Nënë Tereze lutu për ne”. Pavarësisht se emri Tereze tani në këtë kohë nuk është modern, për dashurinë e saj u kisha dhënë emrin e Nënës Tereze tri vajzave të lindura në familjen time. Bile edhe vajzës sime i kisha dhënë emërin Tereze. Për mrekulli të tri këto vajza kanë pas fatin e mirë. Në vitin 2010 i kisha dërguar meshtarit përgjegjës për shenjtërimin e saj. Dom. Brian Kolodiejchuk një ese prej 10 faqesh në mbështetje të shenjtërimit të saj. E bëra këtë pasi që njerëzit kishin dërguar dhjetëra mijëra faqe në përkrahje të shenjtërimit. Desha që të jem dëshmitar i kësaj kauze të shejtë. Në atë shkrim e kisha lidhur me emrin e saj me shpëtimin e popullit shqiptarë të Kosovës në fund të viteve 90′. Bile i kisha dërguar edhe lutjet e uratën e saj në gjuhën shqipe “Puna e Pendimit”. Ai e kishte dëgjuar dhe më kishte dërguar një letër falënderimi ku mes tjerash thoshte se kjo do të ruhet në arkivat e Vatikanit atje ku ruhet i gjithë dokumentacioni për shejtërimin e saj.

Më 13 të këtij muaji pikërisht Ditën e Shna Nout u bënë 30 vjet qysh se e kisha takuar për herë të parë në Organizatën më të madhe diplomatike të botës, shkruan Gjonlekaj. Sekretari i kësaj Organizate e kishte krahasuar Nënën Tereze me Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Atë ditë isha ndjerë si njeriu më i lumtur dhe i nderuar në botë. Me 13 të këtij muaji u mbushën 10.850 ditë (dhjetë mijë e tetëqind e pesëdhjetë ditë) qysh se isha takuar për herë të parë me këtë titane të mirësisë njerëzore dhe asnjë ditë nuk e kisha kaluar pa menduar për mirësitë dhe mrekullitë e saj. Mijëvjecari i tretë dhe shekulli 21 filluan me emrin e kësaj hyjneshe shqiptare. Lajmin për largimin e saj nga kjo jetë e kisha pritur me lot,ashtu siç e kisha pritur edhe për nënën time. Për dashurinë dhe respektin që kisha gëzuar për këtë shenjtëreshë shqiptare, vendosa të marr pjesë në varrimin e saj në Kalkutë me 13 Shtator 1997. Nëna Tereze ishte krijesa më e përsosur ne historinë njerëzore. Ajo për mua ishte dhe është dritë e diell, është besë e shpresë dhe nuk kalon asnjë ditë pa thënë: NËNË TEREZE LUTU PËR NE!

Shfaqet filmi i parë artistik i prodhuar në Shqipëri në realitet virtual 360º

Teknologjia dhe arti u takuan në shfaqjen premierë të filmit të shkurtër ‘Një Histori nga Cirku’ në sallën e kinema Cineplexx në Tiranë.

Për herë të parë shikuesit mund të ndiqnin një film përmes pajisjeve të realitetit virtual në vend të një ekrani të madh nga regjisori i ri Jonid Jorgji i cili prodhoi filmin e parë VR në Shqipëri.

“Jam e kënaqur që ishim në gjendje të mbështetnim një projekt kaq inovativ me një qasje ndryshe në prodhimin e filmit”, tha Debora Kern, përfaqësuese e Ambasadës së Zvicrës.

“Jo vetëm që ky film është një mënyrë e re e tregimit të historive por ai gjithashtu prek çështje sociale siç është integrimi i personave me aftësi të kufizuara”, shtoi ajo.

“Megjithëse modeste, mbështetja jonë i shkoi një ekipi të rinjsh të cilët ende përpiqen të jetojnë përmes artit të tyre. Shpresojmë që me realizimin e këtij filmi, prodhuesit e rinj të inkurajohen për të mësuar dhe për të gjetur më shumë kanale për financimin e ideve të tyre”, tha Dritan Mezini, drejtor ekzekutiv i Fondit Kulturor Zviceran.

Të pranishëm në aktivitet ishin edhe përfaqësues nga sektori i filmit në Shqipëri përfshirë edhe drejtorin e Qendrës Kombëtare të Filmit, Ilir Butka.

Gjatë 15 minutave të filmit shikuesit përjetuan një udhëtim virtual nëpër ngjarjet e ndryshme që ndodhin brenda një çadre cirku.

Teknologjia VR lejon shikuesit që të rrotullojnë këndin e vështrimit dhe të shohin çfarë po ndodh në 360 gradë. Kjo do të thotë se tregimi i historisë ndryshon nga filmat tradicionalë, kamerat kapin gjithçka ndodh përreth.

Kjo përvojë e të parit mundësohet përmes kombinimit të kamerave speciale që përdoren në krijimin e filmit si dhe pajisjeve individuale VR (realitet virtual) të cilat shikuesit i veshin gjatë shfaqjes.

Fondi Kulturor Zviceran është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) i cili synon të mbështesë artistë të rinj përmes programeve të bashkëpunimit rajonal dhe forcimit të kapaciteteve.

Projekti zbatohet nga Centre for Business Technology and Leadership (CBTL)./ ata

Agim Vinca: Nuk ka poet të vjetër apo të ri që nuk ka provuar të shkruaj një poezi për Skënderbeun

Gili Hoxhaj

Po vazhdon të mbahet edicioni i nëntë i “Javës së Albanologjisë” në Institutin Albanologjik në Prishtinë. Kjo Konferencë Shkencore, sivjet i kushtohet 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, shkruan KultPlus.

Sot në seancën e parë të sesionit të dytë, profesori Agim Vinca lexoi kumtesën e tij me titull “Skënderbeu në poezinë e sotme shqipe”. Lidhur me këtë ai tha se nuk ka poet të vjetër apo të ri, klasik apo bashkëkohor, të njohur apo më pak të njohur që nuk ka provuar të shkruaj një poezi për Skënderbeun, që të flas në vargje për jetën e tij për jetën dhe veprën e tij dhe për kohën që përfaqëson ai, të cilën poetët e romantizmit sidomos arbëreshet e quanin “Moti i madh” kurse historiografia e quante më të drejtë “Epoka e Skënderbeut”. Vinca tha se figura historike në letërsinë shqipe kalon përmes dy modelesh.

“Për Skënderbeun janë shkruar vjersha, poema, balada, sonete, skica, tregime, novela, romane, drama, monodrama, tragjedi, skenar filmash dhe vepra të tjera artistike, pa harruar edhe ato në fushën e muzikës dhe të arteve figurative, madje jo vetëm në letërsinë shqipe por edhe atë botërore por objekti i studimit tonë është trajtimi i heroit kombëtar në letërsinë tonë. Në letërsinë e figurës historike dhe temës historike në përgjithësi në poezinë shqipe të pas Luftës së Dytë Botërore hasim në dy modele kryesore, modeli i parë është i glorifikimit dhe himnizimit të historisë ku mbizotëron shprehja patetiko-historike kurse modelit të dytë i përkasin veprat historike nga pozitat kritike”, u shpreh Vinca gjatë leximit të kumtesës së tij.

Ai tregoi se duke qenë që para e kishte trajtuar më gjerësisht këtë temën lidhur me trajtimin e Skënderbeut në poezinë shqipe, sot tha se pa dashur ta përseris veten do të ndalet vetëm tek poeti Dritëro Agolli që edhe pse nuk është shumë karakteristik për temën historikë në përgjithësi dhe atë të Skënderbeut në veçanti ngase është marrë më pak se koleget e tij me këtë temë, ai meriton vëmendjen e studiuesve.

“Fjala është për poetin e shquar bashkëkohor, Dritëro Agolli. Duke qenë në thelb poet ndryshe nga Kadareja, poet i përditshmërisë dhe jo i historisë, Agolli nuk ka shkruar shumë poezi për Skënderbeun por si poet që e ka mbajtur gjallë gjithmonë zjarrin e dashurisë, as nuk e ka anashkaluar atë. Në vitin 1956, kur bënte hapat e parë si krijues, shkroi poezinë “Zjarret”, në të cilën stigmatizohet fenomeni i tradhtisë. Ky stigmatizim karakterizohet artistikisht përmes figurës së nipit të Skënderbeut, Hamza Kastrioti i cili u bë me turqit. Konform llojit të saj të përcaktuar qysh në titull si baladë, kjo poezi është e shkruar në distriktin elegjiak, njëmbëdhjetë rrokesh që i përgjigjet frymës dhe përmbajtjes së saj, tabloja është e gjatë dhe epike por nuk mungojnë në të as elementet baladike”, u shpreh Vinca.

Vinca tregoi se poeti i njohur Agolli, kësaj poezie të hershme iu kthye edhe në vitet e 70-a, atëherë kur përvoja e tij letrare ishte pasuruar dukshëm dhe bëri disa ndryshim por pa e prekur thelbin e poezisë.

“Ndryshe nga varianti i parë i viteve 50-a, ky variant ka dy vargje më shumë se i pari dhe është i ndarë në katër pjesë , në tri sa kishte varianti i parë, janë hequr disa vargje dhe janë shkruar disa të tjera, është bërë edhe një zhvendosje e vargjeve brenda vjershës por struktura e saj ka mbetur e njëjtë. Është hequr për shkaqe ideologjike fjala “mbret”, e cila përmendej tri herë brenda tekstit, ndoshta dhe historike pasi që formalisht sa e di unë Skënderbeu nuk është shpallur kurrë mbret. Në dy vargjet e fundit ku shpërthen zemërimi kundër tradhtisë ka pësuar një ndryshim të vogël, nga veta e tretë e ka kthyer në vetën e dytë”, tregoi Vinca sot në ditën e dytë të “Javës së Albanologjisë”.

Tutje Vinca theksoi se Figurës së Skënderbeut, Agolli do t’i referohet edhe në një vepër tjetër, në poemën “Nënë Shqipëri”, të shkruar 20 vite më vonë. Vinca shtoi se Gjergj Kastrioti- Skënderbeu shfaqet edhe në krijime të tjera të Dritëro Agollit, në kontekste të tjera ideo-artistike dhe me mjete të tjera gjuhësore e stilistike.

“Në këngën e dytë të kësaj vepre, të cilësuar si një sintezë të fuqishme e rrugës historike të popullit shqiptar ndër shekuj, poeti i kushton disa vargje figurës së heroit kombëtar duke u përqendruar në një moment kyç të jetës së tij që është kthimi në Krujë”, u shpreh Vinca.

Po ashtu sot do të mbahet edhe dy sesione të tjera dhe mbyllja e punimeve të konferencës shkencore “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu dhe epoka e tij”, kushtuar 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar. / KultPlus.com

Mevi Rafuna: 600 mijë refugjatë apo pushtues po vijnë në Shqipëri?

Shkruan: Mevi Rafuna

Shqipëria ende nuk po arrin të ushqejë popullin e saj dhe protagonistët e “Poemës së Mjerimit” i kemi të gjallë sikur na e shfaqin mallkimin tonë. Jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë hapësirën shqiptare, keqmenaxhimi qeverisës, korrupsioni, mosfunksionimi i ligjit, dështimi i tri bazamenteve shtetndërtuese: arsimit, shëndetsisë dhe ekonomisë, bënë që në këto vite tranzicioni, mijëra shqiptarë të emigrojnë drejtë vendeve të tjera, për ta siguruar ekzistencën. Në vend që shteti të ju sigurojë qëndrueshmëri dhe vetëzhvillim në atdhe, pushtetet e një pas njëshme pamundësuan atë, majde nxitën emigrimin.

Sipas statistikave “dëshira” e zorshme për tu larguar nga atdheu ka mbetur shpresë për shumë të rinjë shqiptarë, të cilët sillen rrugëve si të ishin njerëz të dorës së dytë. Ndërsa liberalizimi i vizave dhe integrimi në BE, në fjalorin e disave nga politikanët tanë tingëllojnë sikur “Shkopi Magjik”. Përderisa blejnë kohë, në të “mirat” që do na ndodhin kur të integrohemi në BE, neve koha na shkon, njejtë sikur këto dy dekada tranzicioni që ikën, do ikin dhe dy tjera ndoshta edhe tri dhe mund të ndodhë që deri atëherë nuk do ketë fare BE. Sepse është e pamundur me despotë të ngjizim vlera evropiane, sepse është e pamundur të thirremi në demokraci kur haptas nëpërkëmbet liria. E nga gjithë kjo qenka e mundur që Shqipëria të pres 600 mijë refugjatë siriano-arabë (mes tyre terroristë me mision) për t’iu gjetur strehë dhe rehabilitim. Në këtë rast konkret të thirresh në “humanizëm” duhet të jesh tejet naiv apo dorë e zgjatur e dikujt tjetër.

Gjatë qeverisjes së Edi Ramës, me qinda shqiptarë janë larguar nga Shqipëria, kjo qeverisje që sot paska mundësi të pret 600 mijë refugjatë, pse nuk ndaloi s’paku 1 shqiptar të mos largohet nga atdheu. Nuk mund të jesh human me të huajin, kur gjakun tënd e gjuan dhe e përbuz.

Nuk mund t’i sigurosh të huajit rehati nëse i yti s’ka bukë në sofër. Nuk mund t’i hapësh derën të huajit kur tëndit ja mbyllë çdo derë. Nuk mund ta shpëtosh të huajin kur tëndin e vretë për së gjalli, duke e zhveshur nga dinjiteti. Kjo shifër e përfolur refugjatësh për një vend të vogël si Shqipëria, është tejet e madhe dhe jashtë çdo mundësie për ta menaxhuar.

Kemi parë Gjermaninë, Suedinë dhe shtete të tjera që kanë dështuar në këtë drejtim, si mundet Shqipëria që të ngarkohet me një detyrë të tillë? Aq më pak kur ligji thuajse nuk zbatohet dhe niveli i sigurisë mbetet diskutabil si mundet të presim terroristë trushpërlarë me misionin për ta pushtuar Evropën, së pari përmes Ballkanit.

Kemi parë qindra raste dhunimi femrash evropiane nga refugjatët dhe krime tjera të ndryshme, mos vallë të tillët po të futen në territoret shqiptare do na kursejnë? 600 mijë refugjatë është një kryeqytet, e që në kushte ekzistuese është e pamundur të mbikqyren. Me kalimin e kohës do shndërrohen në komunitet sepse shumë moti janë bërë planet për ndryshimin demografik, jo më kot mbijnë për çdo ditë xhamia të sponzoruara nga armiqët e kombit.

Kur përmbledhim të gjitha rrethanat ekzistuese pranimi i këtij numri të madh refugjatësh tingëllon komplot ndaj kombit shqiptar, e nga gjithë kjo ,nuk na duhet asnjë benefit nga Këshilli i Evropës nëse rrezikohet qenësia jonë si shqiptarë.

Këngët historike shqiptare dhe Skënderbeu

Alberina Haxhijaj

Periudha e kohës së Skënderbeut nuk kishte sesi të mbetej jashtë vëmendjes dhe pasqyrimit jo vetëm të historisë por edhe të krijimtarisë artistike shpirtërore dhe jo vetëm në folklorin shqiptar. Pikërisht kjo gjë e ka intriguar studiuesin Agron Xhagolli për të prezantuar hulumtimin e tij “Këngë historike shqiptare dhe Skënderbeu” në kuadër të ditës së parë të “Javës albanologjike”, shkruan KultPlus.

Krijimtari artistike e shpirtërore e periudhës së Skënderbeut sipas prof. dr. Agron Xhagollit e glorifikojë udhëheqësin dhe epokën e tij në një rrezatim ndër shekullor.

“Deri më sot kërkimet folklorike për Skënderbeun dhe periudhën e tij historike kanë sjellë një numër jo të paktë pasi që janë regjistruar një numër legjendash dhe gojëdhënash si dhe një numër më i kufizuar tekste poetike kryesisht nga arbëreshët por edhe në trojet e tjera shqiptare”, tha ai.

Sipas tij të legjendat nuk ka pasur mëdyshje nga ana e studiuesve sa i përket natyrës së tyre autentike dhe ato janë konsideruar si krijime të mirëfillta historike. Tutje ai theksoi se tekste e krijuar janë krijime të mirëfillta folklorike nisur nga fakti se ato janë përfshirë në qarkun e krijimeve folklorike. Mirëpo sipas tij dyshimi i cili shtrohet është ai në autenticitetin e tyre si krijime të vet periudhës së Skënderbeut.

“Një nga veprat e para dhe më të plota me krijime folklorike të arbëreshëve të Italisë është te i madhi De Rada. Kjo punë e paraqitur nga De Rada në të folmen arbëreshe shoqëruar edhe më përkthimin në italisht është konsideruar si përmbledhja më e gjerë, më e bukur dhe më e rëndësishme e folklorit shqiptar italisht. Tashmë ky botim ka një vend të respektuar në historinë e folkloristikës shqiptare”, theksoi ai duke paraqitur mendimet e studiuesve.

Disa janë shprehur se botimet e De Radës i takojnë periudhës së Skënderbeut ndërsa të tjerët thonë se ato janë mbledhur nga krijues të ndryshme gjatë periudhave të ndryshme duke përfshirë këtu edhe krijime e vet De Radës.

“Mendoj se tekste e këngëve të realizuara nga Jeronim De Rada e ruajnë ngjyrën e krijimeve autentike nisur nga respektimi i parimit fonetik. Në të shumtën e rasteve ai është konsekuent në pasqyrimin fonetik të teksteve ndonjëherë vërehet ndonjë luhatje por kjo lind në tekstet e marra nga të tjerët. Gjatë ekspeditave që kam kryer të arbëreshet e Italisë unë kam vënë re duke marrë për bazë krijimet e regjistruara nga De Rada se janë të njëjta pothuajse edhe në ditët e sotme”, theksoi ai duke shtuar se ndonjë ndryshim i vargjeve apo fjalëve ka ndodhur si rezultat i kalimit të kohës dhe shkollave që ishin atëherë apo thjesht variante të ndryshme duke mos prekur origjinalin e përbashkët.

Tutje ai solli edhe dëshmi të tjera në mesin e të cilave ishte edhe ajo e viti 1830 “Kujtime nga Kalabria” e Charles Didier i cili ndër të tjera shkruan se gjatë udhëtimeve nëpër burimet shqiptare të Kalabrisë, të arbëreshët ishin të fuqishëm kujtimet për Skënderbeun për të cilin këndonin balada të shumta.

“Duke trajtuar dhe shqyrtuar këto dëshmi të pakta vëren se pas kohës së Skënderbeut apo jo shumë larg saj është pohuar në forma të ndryshëm ekzistimi i krijimeve popullore të Skënderbeut në periudhën e tij”, tha ai

Ai theksoi se krijimet popullor, folklorike gjatë periudhës së Skënderbeut dhe kalimi gojë më gojë i krijimeve folklorike pra edhe i këngëve për Skënderbeun, pasi që vërtetohet më shumë dëshmi se ka pasur të tilla, ka bërë që ato të mos vijnë të njëtrajtshëm. Kjo sipas tij pasi që dihet që çdo periudhe sjellë gjykimin, vlerësimi dhe qëndrimi e saj.

Dita e dytë e “Javës së Albanologjisë” do të vazhdojë edhe sot gjatë tërë ditës duke sjellë kumtesa të ndryshme të cilat kanë lidhshmëri më Skënderbeun pasi që edicioni i sivjetshëm i kushtohet 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu./KultPlus.com

Sivjet n’Hardh Fest, “Me pamje kah Vneshtat”

Inspiruar nga tog-fjalëshi ‘Me pamje nga deti’, Hardh Fest 2018 këtë vit organizohet nën sloganin “Me pamje kah vneshtat”, më datë 7,8, dhe 9 shtator në Konak të Rahovecit.

Turistët do të kenë mundësi të kënaqen me pamjet që ofron qyteti i Rahovecit bashkë me plantacionet e vreshtave, që ndryshe ky vend cilësohet nga turistët ndërkombëtar edhe si Toskana e Kosovës. Jeta në Hardh Camp, panairi i verës, garat në shtrydhjen e rrushit, netët me muzikë, plot shoqëri dhe një gotë verë rreth kazanit të rakisë dhe zjarrit, e më pas momentet e këndshme të mëngjesit, janë eksperienca e plotë e shpirtit dhe jetës se Hardh Festit.

Me sloganin “Me pamje kah vneshtat” festivali “Hardh Fest” këtë vit do të sjellë shumë risi dhe atraksione vreshtare, verëtare, turistike dhe kulturore.

Festivali organizohet nën patronatin e kryetarit të komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi si dhe në përkrahje të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe sponsorëve të festivalit

Festa e Vjeljes së Rrushit, “Hardh Fest”, edicionin e kaluar shënoi një sukses të madh, ku numri i pjesëmarrësve arriti mbi 50 mijë vizitorë nga mbarë bota. Një gotë verë, shijon më shumë …Me Pamje Kah Vneshta !/ KultPlus.com

‘Cirku fluturues’ i Fatos Berishës në Karlovy Vary Film Festival

Projekti filmik “Cirku Fluturues” me regji të Fatos Berishës dhe me producente Vjosa Berisha është përzgjedhur në programin Works in Progress në festivalin prestigjioz të filmit në Karlovy Vary. Projekti ‘Cirku fluturues’ është përzgjedhur në mes 11 projekteve filmike nga tërë bota që do të garojnë për cmimet në këtë kategori.

Projektet e përzgjedhura në këtë garë të Pitching do të prezentohen para jurisë profesionale dhe një publiku të gjerë profesionistësh nga mbarë bota duke u futur njëherit në garë për çmimin kryesor prej 100,000 euro në shërbime të postproduksionit.

‘Cirku Fluturues’ është një komedi e zezë që në vete ngërthen një rrugëtim të një grupi aktorësh, luajtur nga Armend Smajli, Tristan Halilaj, Shpëtim Selmani dhe Afrim Muçaj, të cilët nisen për të marrë pjesë në Festivalin e Teatrit në Tiranë me shfaqjen e tyre, duke marrë përsipër rrezikun e kalimit të kufirit në mënyrë ilegale në një kohë të rrezikshme pak para luftes së Kosovës.

Projekti filmik ‘Cirku Fluturues’ është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërise dhe Bashkia Tiranë, ndërsa ko-producent i projektit është edhe shtëpia filmike Ikonë Studio nga Kosova.

Edicioni i 53-të i Festivalit ndërkombëtar të filmit në Karlovy Vary do të mbahet në datat 29 qershor deri me 7 korrik, kurse gara Works in Progress ku do të prezentohet projekti filmik ‘Cirku Fluturues’, mbahet në datat 1-4 korrik./ KultPlus.com

Ekspozita Arttenn Club solli një pasqyrë të jetës së adoleshentëve

Alberina Haxhijaj

Gerta Sahiti, Diona Krasniqi, Erza Qorroli, Odise Lokaj, Anton Junçaj, Nita Shala, Erika Arllati, Bora Shala, Eurta Salihu, Ideal Ndrecaj, Lum Gashi, Hana Puka, Blega Halimi dhe Zana Begolli për tre muaj kanë punuar së bashku në projektin Artteen Club. E pas kësaj kohë mundi i tyre është kurorëzuar me hapjen e ekspozitës së tyre të përbashkët në Galerinë Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Të 14-të pjesëmarrësit në ekspozitën Artteen Club-Laboratori i kreativitetit që nga muaji mars kanë punuar së bashku në projektin i cili u implementua në kuadër të programit të edukimit i cili vazhdon ende të zhvillohet në GKK. Punën e bërë gjatë këtyre muajve, nxënësit, të cilët vinin nga shkolla dhe qytet të ndryshme të Kosovës, e prezantuan para të pranishmëve mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Nxënësit pjesëmarrës në ekspozitë përmes punimeve shpalosnin dëshirat e tyre, shfaqnin detaje nga ambienti në të cilin janë rritur, ëndrrat, preokupimet, por edhe dashurinë dhe anën fëmijërore të tyre. Pikërisht këto elemente e bënin më të veçantë këtë ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare, Arta Agani, u shpreh e lumtur që ky institucion po mirëpret punën e këtyre artistëve të ri përmes të cilëve ajo uroi që edhe bota të dëgjojë në të ardhmen për artin në Kosovë.

“Programi i edukimit për ne është program shumë i rëndësishëm pasi që ne dëshirojmë që të promovojmë rritjen e publikut, duke pasur si vizitorë pikërisht fëmijët nga shkolla të ndryshme dhe sigurisht stimulimin e artistëve të ri”, tha ajo.

Koordinatorja e programit të edukimit, Vlora Hajdini-Hajrullahu, ka treguar se gjatë periudhës sa nxënësit ishin pjesë e këtij programi ata kanë marrë pjesë në kurse inovative përmes të cilave kanë zbuluar forma të ndryshme të shprehjes përmes artit.

“Gjatë këtyre muajve kemi kaluar një kohë mjaftë produktive së bashku dhe fëmijët të cilët kanë qenë mjaft aktiv dhe të interesuar për të njohur më shumë boten e artit dhe për të punuar në atë drejtim”, tha ajo.

E udhëtimi nga Ferizaj për të qenë pjesë e këtij programi nuk ka qenë një pengesë për Gerta Sahiti e cila ishte pjesëmarrëse.

“Kemi pasur ligjërata dhe punëtori. Në kuadër të punëtorive kemi pasur instalacione, zinë art dhe fotografi. E mirë e projektit është që kemi pasur punë individuale si pjesa zinë art dhe fotografitë por kemi punuar edhe së bashku si instalacionet të cilat janë më shumë punë kolektive”, tregoi ajo për KultPlus.

Krejt në fund, Gerta Sahiti e cila ka dy vite që ndjek kurse për pikturë dhe vizatim theksoi se më e rëndësishmja e këtij programi ka qenë të mësuarit se arti nuk është vetëm pikturë dhe vizatim por ka edhe forma dhe mundësi të tjera shprehëse. /KultPlus.com

Dorëshkrimi i parë serb për Skënderbeun

Alberina Haxhijaj

“Java e Albanologjisë”, sivjet po i kushtohet 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në mesin e shumë punimeve që u shpalosën prof.dr. Hakif Bajrami zbuloi më shumë për dorëshkrimin e parë serb për Skënderbeun, shkruan KultPlus.

Që në fillim të prezantimit të dorëshkrimit të parë serb për Skënderbeun, Hakif Bajrami, u shpreh se puna e tij është e komplikuar pasi që ka të bëjë me një dorëshkrim i cili nuk është botuar kurrë. Sipas tij një dorëshkrim i tillë mund të mos botohet si pasojë e dy faktorëve: mungesa e mjeteve apo mungesa e shtypshkronjës. Mirëpo, ai theksoi se në rastin e tij, ky dorëshkrim ka mbetur i pabotuar sepse politika serbe e sidomos kisha nuk shfaqi interesim për ta botuar pasi që i prishte marrëdhëniet me Portën.

Dorëshkrimi serb për Skënderbeun për të cilin diskutoi Hakif Bajrami daton nga 5 janari 1778, ai është në formatin oktavë dhe ka 206 fleta me germa kaligrafi. Në faqen e parë të tij përshkruhet jeta e të parëve të Skënderbeun. Ky dokument deri më 1890 i ka takuar Mihajllo Vukotiqit, ndërsa pas kësaj kohë pronësia e tij i ka kaluar Bibliotekës Popullore në Serbi. Sipas Bajramit në këtë dorëshkrim jepet një anatomi e Skënderbeut.

“Burimi i parë i bibliografisë së Skënderbeut thuhet se është përpiluat nga Pal Engjëlli dhe është shkruar në gjuhën shqipe mes viteve 1469-1475. Dorëshkrimi tregon se Pal Engjëlli ishte pushtetar i Drivastit e pastaj arqipeshkv i Tivarit, që njëherësh të dhënat arkivore sekrete e njohin si tutor të djalit të Skënderbeut. Vepër kjo të cilës i ka humbur çdo gjurmë”, tha ai duke treguar se gjurmët e kësaj vepra kanë humbur pasi që atëkohë sipas papës çdo shkrim i cili nuk ishte në latinisht ishte i ndaluar për botim por edhe për shkrim.
Ai tutje tregoi se burim i dytë për Skënderbeun sipas këtij dorëshkrimi i takon Dhimitër Frangut i cili e kishte shkruar “Scanderbegi Historia”, Venedik, prill 1480, 12 vite pas vdekjes së Skënderbeut, ndërsa botimi i tretë është ai i Marin Barletit.

“Si korrespondon qëndrimi serbian ndaj këtyre veprave gjatë shekullit XIX si fqinjë të shqiptarëve është pyetja që do të duhej ta kishte kjo historiografi edhe në vijim, por ajo shkalmuar nga shovinizmi dhe lufta hiensite për përvetësime do të turpërohet nga çdo aspekt. Mjerisht edhe një pjesë e shkrologjive shqiptare edhe sot për interesa fetare dhe ideologjike është kah manipulon me veprën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, disi po i del krah asaj lagje që gënjen që dy shekuj. Se kjo lagje manipulantësh është në rrugë pa kokë, ma së miri po i referohemi së kaluarës evropiane që është marrë me Kastriotin, që kurrë në esencë nuk ka arritur për t’ia mohuar as origjinën e as veprën, e as “konvertimet” fetare, që janë irelevante për shkencën dhe kombin tonë, si ma i lashti në Evropë”, u shpreh ai.

Sipas tij të gjithë dhe sidomos qeveritë e vendeve ku jetojnë shqiptarët duhet që ti kushtojnë rëndësi botimeve dhe shkrimeve të Pal Engjëlli, Dhimitër Frangut dhe Marin Barletit, botime këto të cilat përmenden në dorëshkrimin e pabotuar më parë për të cilin Hakif Bajrami diskutoi.

Edicioni i nëntë i “Javës së albanologjisë” ka filluar më 20 qershor dhe do të vazhdojë deri më 21 qershor./ KultPlus.com

Media zvicerane: Nesër të gjithë kosovarët janë zviceranë

Tabloidi zviceran 20min ka shkruar për përballjen e nesërme mes Zvicrës dhe Serbisë në kuadër të Botërorit që po mbahet në Rusi.

Ky tabloid shkruan se ndeshja ka shkaktuar reagime dhe pritje të mëdha – gjithashtu edhe në komunitetin shqiptar që jeton në Zvicër.

“Me Xhemajlin, Xhakën, Shaqirin e Behramin, katër lojtarë të Zvicrës me prejardhje shqiptare, ndeshja për shumëkënd interpretohet si duel midis Serbisë dhe Shqipërisë”, shkruan 20min.

20min ka përcjell reagimet e faqeve të ndryshme nëpër rrjetet sociale dhe ka hasur në një postim të “Albanian_Soccer” në Twitter që ka shkruar se 22 qershori, data kur do të ndeshet Zvicra me Serbinë, është ndeshje e përfaqësueses B të shqiptarëve.

“Ndeshja do të jetë e tensionuar. Do t’i mësojmë serbët se humbja është e shkruar në ADN-në e tyre”, citon 20min të ketë shkruar kjo faqe shqiptare.

Islam Spahiu, diplomat i Kosovës në Zvicër, ka thënë për 20min se ndeshja mes Zvicrës dhe Serbisë është shumë e diskutuar në mesin e shqiptarëve, transmeton Koha.net.

“Asnjë ndeshje nuk është diskutuar aq shumë, ndoshta përveç asaj kur Zvicra luajti kundër Shqipërisë në Kampionatin Evropian”, ka thënë Spahiu.

“Nëse Zvicra fiton kundër Serbisë, do të jetë disi fitore e shqiptarëve ndaj serbëve. Edhe nëse mposhtet, them se edhe serbët do të ndihen njëjtë”, ka shtuar ai.

20min shkruan se të premten kosovarët do të jenë bashkë me zviceranët pasi ata janë integruar mirë në shoqërinë zvicerane.

“Ata [lojtarët shqiptarë] kanë arritur të bëjnë bashkë shqiptarët dhe zviceranët. Kanë krijuar ndjenjën se shqiptarët janë përkrahës të Zvicrës. Ndoshta asnjë gjeneratë nuk ka qenë e integruar aq mirë sa kjo e Xhakës e Shaqirit”, ka thënë ai. “Ata kanë ndërtuar një shtëpi të re”.

20min ka folur edhe me komunitetin serb në Zvicër që ka bërë përmendur se kjo është një ndeshje sportive në të cilën nuk duhet të përfshihet politika.

“Ka të bëjë me futbollin. Për ne llogaritet se Serbia duhet të shkojë sa më lart që të jetë e mundur – nuk ka rëndësi ndaj kujt fitoni”, ka thënë Tanja Radojeviq, presidente e Asociacionit kulturor serb në Zvicër.

Edhe Ljubisha Miriq, president i Asociacionit kulturor në Altstaaten pajtohet me qëndrimin e Radojeviqit.

“Lojtarët shqiptarë luajnë në flamurin zviceran. Nëse serbët humbin apo fitojnë – ata do ta bëjnë këtë vetëm kundër Zvicrës – jo kundër Shqipërisë.

“Ose krejt ose asgjë”, ka thënë Miriq që mezi po e pret ndeshjen./ KultPlus.com

Mbi 7 mijë maturantë s’e kaluan testin e maturës

Provimin e maturës shtetërore këtë vit e kanë kaluar 73.3 për qind e maturantëve që i janë nënshtruar testit, raporton Koha Ditore.

Burime të gazetës brenda Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) kanë thënë për “Kohën Ditore”se testin e maturës nuk e kane kaluar mbi 7 mijë maturant.

Vitin e kaluar kalueshmëria në këtë provim shtetëror ka qenë 83.5 për qind.

Provimi i maturës shtetërore këtë vit është përcjellë me parregullësi që nga dita e parë e testit i cili sikurse në vitet e kaluara është shpërndarë në rrjete sociale.

Rezultatet zyrtare MASHT-i pritet t’i shpallë sot në një konferencë për media./ KultPlus.com

Fillon rindërtimi i shtëpisë së poetit Havzi Nela

Bashkia Kukës nisi dje rindërtimin e shtëpisë së poetit disident Havzi Nela.

Ceremonia e fillimit të punimeve u zhvillua në Kollovoz, në rrënojat e shtëpisë ku lindi dhe u rrit martiri Havzi Nela.
I pranishëm në këtë ceremoni, kryetari i bashkisë Bashkim Shehu, duke vlerësuar kontributin e Havzi Nelës në shërbim të vlerave më të larta të demokracisë tha se: “Rindërtimi i shtëpisë së Havzi Nelës është një vlerë e shtuar për Kukësin.

Shtëpia muze do të jetë e hapur për të gjithë banorët e Kukësit dhe jo vetëm, edhe për vizitorët e huaj dhe të gjithë ata që kanë dëshirë të njihen me jetën dhe veprën e Havzi Nelës. Kjo është një ditë e mirë për Kukësin”.

Rindërtimi i shtëpisë, të cilën bashkia Kukës do e kthejë në shtëpi muze, do të përfundojë në datën 10 gusht, datë e cila përkon me 30-vjetorin e ekzekutimit me varje të Havzi Nelës.

Bashkia Kukës në kuadër të 30-vjetorit, pak ditë më parë inauguroi bustin e poetit në bulevardin “Dituria”, pranë gjimnazit të Kukësit, i cili mban emrin e poetit. Në praninë e shumë intelektualëve të njohur të penës dhe artit u organizua dhe një ceremoni solemne dhe simpozium shkencor për Havzi Nelën, ndërsa në datën 10 gusht, është parashikuar peligrinazhi i shkrimtarëve dhe artistëve, jo vetem nga Shqipëria por edhe më gjerë, pranë varrit dhe shtëpisë muze të Havzi Nelës./ KultPlus.com

Sot nisë stina e verës

Stina e verës fillon sot në hemisferën veriore të Tokës . Ajo nis në orën 12 e 7 minuta. Në të njëjtën kohë në hemisferën jugore të Tokës nis stina e dimrit.

Dita e fillimit të verës është më e gjata në vit, kurse nata është më e shkurta e vitit.

Vera do të zgjasë deri më 22 shtator, kur fillon stina e vjeshtës.
Nesër dielli në Prishtinë lind në orën 4 e 58 minuta, ndërsa perëndon në orën 20 e 17 minuta, kështu që dita do të jetë e gjatë 15 orë e 25 minuta, ndërsa nata 8 orë e 35 minuta.

Me gjithë bindjet e njerëzve se në këtë ditë Toka është më së afërmi me Diellin, në këtë moment ajo është më së largu.

Për banorët e hemisferës veriore të Tokës vera fillon në atë moment kur drejtimi i boshtit të pjesës veriore të Tokës është më së afërmi me Diellin. Atë ditë lartësia e Diellit në mesditë është më e madhja gjatë vitit.

Në atë moment për banorët në pjesën hemisferën jugore të Tokës fillon stina e dimrit.
Por as atje nuk është kryesisht ftohtë për shkak të largësisë së madhe nga Dielli, por për shkak se në atë moment poli jugor qiellor është më së largu nga Dielli.

Për këtë arsye Dielli në mesditën e asaj dite arrin lartësinë e mundshme më të vogël gjatë vitit. Është e kuptueshme se për të qenë ftohët kontribuon dita më e shkurtër, ndërsa në vendin e tretë për nga ndikimi dhe distanca e përmendur më e madhe e Tokës nga Dielli, sqarojnë astronomët./ KultPlus.com