Sot më 20 qershor, në Lezhë kanë nis punët për restaurimin e përmendores së vendvarrimit të Gjergj Kastriotit Skënderbeu, shkruan KultPlus.
Lajmi është bërë i ditur përmes Paulin Zefit, përgjegjës për Trashëgiminë Kulturore, Muzeut Historik dhe Memorialit në Bashkinë e Lezhës./ KultPlus.com
Muaj: Qershor 2018
Kënga e Botërorit kryeson top listat në Poloni
Kënga “Live it up” nga Will Smith, Nikcy Jam dhe Era Istrefi është kënga përcjellëse e Kampionatit Botëror këtë vit, që po mbahet në Rusi.
Kjo këngë është pritur mirë nga fansat e futbollit, teksa nuk kanë munguar edhe kritikat.
Sido që të jetë, për momentin “Live it up” radhitet ndër këngët më të dëgjuara dhe të shitura në disa prej shteteve të Evropës.
Ndërsa në Poloni, kjo këngë radhitet e para në këngët më të kërkuara në aplikacionin iTunes.
Berlinale zgjedh drejtorin e ri
Mediat gjermane kanë bërë të ditur se është zgjedhur drejtori i ri i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin. Sipas raportimeve drejtorin e tanishëm Dieter Kosslick do e zëvendësoj Carlo Chatrian, përcjell KultPlus.
Carlo Chatrian do të jetë drejtori i ri i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin. Ai shërbeu si drejtor artistik i Festivalit të Filmit në Locarno që nga viti 2013, dhe do të zëvendësojë drejtorin në largim të Berlinit Dieter Kosslick, shkruan IndieWire.
Mirëpo edhe përkundër lajmeve që po qarkullojnë përfaqësuesit e festivalit nuk iu janë përgjigjën kërkesave të mediave për komente. Gjithë kjo pasi që këtë lajm ata do të bëjnë të ditur vet, të premten, raportojnë mediat.
Drejtori i deritanishëm, Dieter Kosslick, shërbeu në këtë post që nga viti 2001 mirëpo u përball me kritika në vitet e fundit për kalibrin e filmave në formacion. Në anën tjetër Carlo Chatrian filloi karrierën e tij si kritik dhe kurator filmash, duke punuar në Locarno./ KultPlus.com
Kosova vlerësohet nga gjermanët si një vend turistik
Shoqata gjermane “Lions Club”, dëshiron t`i ruajë edhe më tutje kontaktet me njerëzit në Kosovë.
Shoqata gjermane “Lions Club” nga Hockenheimi i Gjermanisë, këtyre ditëve ka realizuar një ekskursion në Kosovë dhe Shqipëri. Ato janë edhe më tej ndër destinacionet më ekzotike për vetëm dy orë distancë me fluturim me avion nga Gjermania. Por, kjo nuk do të ngelë gjithnjë kështu, mendoi anëtari i “Lions Club”, Werner Krauss, i cili deri më tani ka organizuar shumë udhëtime për këtë klub. Me çiftin shqiptar Halit Berisha dhe Shqipe Gara-Berisha, ai nuk ka mundur të gjejë ekspertë më të mirë për ta shoqëruar gjatë udhëtimit. Që të dy jetojnë që 25 vite në Gjermani, mirëpo ende kanë kontakte shumë të mira me vendlindjen.
Në kryeqytetin e Kosovës në program ishin vizitat në Ministrinë e Diasporës dhe një vizitë në Kuvendin e Kosovës, që u themelua në vitin 2008, shkruan “Schwetzinger Zeitung”, përcjell Albinfo.ch.
Kosova ka dy milionë banorë, ndërsa tre milionë të tjerë me prejardhje nga Kosova jetojnë të shpërndarë. Misioni i Ministrisë së Diasporës është që të kultivojë kontaktet me kosovarët jashtë vendit, të cilët, duke iu falënderuar transferimeve të tyre të të hollave në vendlindje, po luajnë një rol të rëndësishëm në ngritjen e ekonomisë kosovare.
Gjatë pritjes nga deputetja e Kosovës, Ganimete Musliu, kontaktet u bënë edhe më të afërta. Gjatë luftës së Kosovës nga fundi i vitit 1990, ajo kishte gjetur strehim si refugjate në Gjermani. Në ndërkohë, ajo është tashmë një kohë të gjatë deputete në Kuvendin e Kosovës: “Kemi ende shumë për të bërë, por po punojmë që sa më shpejt të anëtarësohemi në BE”, e ka përshkruar ajo motivimin dhe optimizmin e saj, edhe përkundër të gjithë problemeve aktuale.” Dhe natyrisht se marrëdhëniet tona reciproke personale e ekonomike me Gjermaninë duam edhe më tej t’i intensifikojmë.
Në Komunën e Fushë Kosovës, zëvendës kryebashkiaku i ka pranuar mysafirët, ndërsa kryetari i “Lions Club”, Harald Süss dhe pasuesi i tij Ralph Schlusche e kanë falënderuar pa masë. Një kënaqësi e vërtetë muzikore ka qenë performanca e nxënësve dhe trupit shkollor të Gjimnazit “Prenk Jakova” të cilët krijuan një atmosferë të hareshme me zhanre të ndryshme të muzikës, përcjell tutje albinfo.ch.
Delegacioni e vizitoi edhe Katedralen e Nënë Terezës, që iu la mbresa të veçanta me dritaret e saj me ngjyra të gjalla. Edhe pse llogaritet se 90 për qind e popullsisë kosovare i takon besimit islam, nëna e shenjtë me prejardhje shqiptare që veproi në Indi, nderohet për së tepërmi.
Vargu i mbresave pozitive vazhdoi edhe më tej: Hotelet mesatarisht ishin të nivele me katër apo pesë yje dhe ushqimi kosovar ishte i shkëlqyeshëm.
Kulminacioni turistik ishte vizita e Prizrenit historik, qyteti i dytë më i madh në Kosovë. Mëkat i madh që kaq pak njihet ky potencial turistik, i vendosur rrëzë Malit Sharr. Në një hapësirë të ngushtë janë të ndërtuara xhami të vjetra, kisha ortodokse e katolike.
Në Prizren gjithashtu ndodhi ritakimi me konsullin kosovar nga Shtutgarti, Besnik Miftaraj, i cili në nëntor të vitit të kaluar ishte mysafir në Neulussheim. Një ftesë e përzemërt erdhi edhe nga Imer Meta, i cili gjatë luftës së Kosovës kishte kërkuar strehim në Gjermani. Këtu punoi si murator në sipërmarrjen e Werner Krauss, transmeton albinfo.ch.
Pas kthimit në Kosovë, ai e kishte themeluar një sipërmarrje ndërtimi, duke i punësuar rreth 20 bashkëpunëtorë: “Po bëj të njëjtën gjë, ashtu siç e bënte shefi im i atëhershëm Werner”, ka rrëfyer Imeri për suksesin e tij. Të gjithë mysafirët ai i ftoi në një ushqim tradicional në një restorant shumë të frekuentuar për vendasit.
Luftën e Kosovës e përkujton lapidari i familjes së Adem Jasharit në Prekaz, rreth 30 kilometra në perëndim të kryeqytetit. Në këtë vend jetoi luftëtari i paepur i lirisë, Adem Jashari, i cili në vitet e nëntëdhjeta, edhe me mjete luftarake luftoi kundër okupatorit serb të udhëhequr nga Sllobodan Millosheviqi. Rrethimi i shtëpisë së tij nga regjimi i Millosheviqit në mars të vitit 1998, përfundoi me vrasjen e tij dhe të 58 anëtarëve të tjerë të familjes, në mesin e të cilëve shumë fëmijë e pleq. Kjo masakër kulmoi me shkaktimin e luftës së Kosovës, e cila dhjetë vite më vonë përfundimisht solli Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Shqipëria ka peizazhe të shkëlqyeshme dhe është shumë e bukur, mirëpo në aspektin ekonomik nuk është e zhvilluar sikurse Kosova. Aspiratat për progres ekonomik janë të mëdha, që dëshmohet në kryeqytetin e Tiranës. Kryebashkiaku i Tiranës kishte paralajmëruar se qytetin do ta bëjë më të pastërtinë në Ballkan. Çifti bashkëshortor Berisha kishte organizuar një vizitë në shkollën private “Elina”, shkruan më tej Albinfo.ch.
Me këtë rast, nxënësit kishin përgatitur një pasqyrë të vendlindjes së tyre përmes performancave folklorike dhe ushqime vendore.
Me këtë rast, Ralph Schlusche u falënderua me një dhuratë modeste. Në përfundim të udhëtimit, u vizitua edhe një bio fermë shumë e njohur në Shkodër, në kufirin me Malin e Zi, “Mrizi i Zanave”. Shoqata gjermane “Lions Club”, dëshiron t`i ruajë edhe më tutje kontaktet me njerëzit në Kosovë.
Sopranoja shqiptare Blerta Zhegu do të performojë në arenën e Choregie d’ORANGE
Sopranoja shqiptare Blerta Zhegu do të interpretojë krahas yjeve të muzikës lirike në takimin vjetor më të rëndësishëm të muzikës lirike në Francë, në Teatrin Orange.
Krahas Blerta Zhegut, me 20 qershor do të jenë edhe artistët e njohur si: Kévin Amiel, Fabien Barcelo, Sara Blanch Freixes, Jean-François Borras, Ambroisine Bré, Hélène Carpentier, Nicolas Cavallier, Chloé Chaume, Fabienne Conrad, Karine Deshayes, Aude Extremo, Christian Helmer, Irakli Kakhidze, Armelle Khourdoïan, Florian Laconi, Moises Order, Amélie Robins, Erwin Schrott, Florian Sempey, Philippe Talbot, Jean Teitgen, Valentin Thill, Beatrice Uria Monzon e të tjerë.
https://www.youtube.com/watch?v=f3sacuRT0o8
Këta artistë dhe shumë të tjerë do të jenë të pranishëm dhe do të mahnisin të pranishmit me zërin e tyre duke iu ofruar edhe një natë të paharruar nën qiellin e hapur. Kënga franceze do të ketë vendin e saj në këtë natë të jashtëzakonshme me këngë të Salvatore Adamo si dhe duke kujtuar këngëtaren Maurane, e cila vdiq vitin e kaluar.
Të gjithë të interesuarit këtë koncert mund ta ndiqni edhe live në linkun më poshtë ditën kur do të mbahet koncerti duke filluar nga ora 20:40. / KultPlus.com
Dua Lipa dhe Action Bronson ‘i kanë 1000 kushërinj që do të vijnë në festival’
Dua Lipa dhe Action Bronson, dy shqiptarë të njohur në botë, do të jenë disa prej performuesve në Sunnyhill Festival, këtë gusht në Prishtinë.
Dua ka postuar një fotografi me Bronson në Instagram dhe ka treguar se të dytë do të vijnë në Prishtinë për koncertin e radhës.
“Siç thotë Bronson – I kam 1000 kushërinj që do të vijnë në festival, dhe sjelli edhe ti kushërinjtë tu” ka shkruar Dua në fotografi.
Të dytë janë në mesin e të tjerëve që do të performojnë në Sunnyhill Festival në muajin gusht në Prishtinë. / KultPlus.com
Bebe flet për problemet që ka me ankthin
Këngëtarja me prejardhje shqiptare, Bebe Rexha ka pozuar për revistën “Teen Vogue”.Përveç fotografive, 28-vjeçarja ka folur për problemin e kamotshëm me ankthin.
Në këtë intervistë, ajo ka thënë se që nga fëmijëria është e shqetësuar, derisa ka shtuar se me ankthin përballet çdo ditë të jetës së saj.
“Qaj shumë. Është e vështirë. Kam mjekun tim dhe kam njerëz me të cilët bisedoj. Është betejë e përditshme, e ndjej”, ka thënë Bebe Rexha. “Nuk dua të ushqehem me të, por stili im i jetës është i çmendur”.
Si shtesë në terapinë ndaj ankthit, Bebe angazhohet në punë dhe nuk përdor shumë rrjetet sociale, si pjesë të betejës ndaj anktheve, por kujton se ankthet i përballonte me vështirësi kur ishte adoleshente.
“Kur fillova vitin e parë të kolegjit, isha nervoze. Nuk dija si të përballesha me problemet dhe si të jem rreth njerëzve. Isha nervoze gjatë tërë kohës”, ka thënë Bebe Rexha.
Këngëtarja me prejardhje shqiptare, përkundër suksesit të këngëve “Girls”, “Monster”, ka ndjenja të përziera për albumin e saj të parë “Expectations” që do të publikohet më 22 qershor. / KultPlus.com
Sandalet
Poezi nga Alda Merini, përktheu nga italishtja Ben Meçe.
Ke harruar sandalet e dashur,
sandalet e tua të preferuara,
i gjeti poshtë krevatit tim
pastruesi
duke fshirë në mbrëmje
gjeti sandalet e tua;
hajde merri sandalet e tua e dashur
sandalet prej druri
sandalet prej druri biblik
hidhja në fytyrë Atit
që na ndau nga zemrat.
Festa e Muzikës do të shënohet edhe në Prishtinë
Ambasada e Francës në Kosovë dhe Aleanca Franceze në Prishtinë në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, të enjten me 21 qershor do të organizojnë koncerte të ndryshme për të shënuar Festën e Muzikës, shkruan KultPlus.
Të gjitha koncertet do të mbahen në Amfiteatrin e Sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë dhe do të jenë gratis.
Festa e Muzikës është mbajtur për herë të parë në vitin 1982 duke pasur si synim promovimin e muzikës dhe krijimin e një hapësire për instrumentistë të ndryshëm. Vitin e kaluar kjo festë u shënua me koncert dhe muzikë falas në më shumë se 120 shtete.
Më poshtë mund të shihni programin për këtë ditë:
17:00 Koncerte të organizuara nga Qendra Kulturore e Fëmijëve Prishtinë
18:30 Get up Dance (performanc hip hop)
20:00 Koncert – Elsa Hyseni
21:00 Koncert – Dren Abazi & Zig Zag Orchestra./KultPlus.com
PriFest prezanton programin garues të filmave të metrazhit të mesëm
Festivali më i madh Ndërkombëtar i Filmit në vend, PriFest, i cili do të ketë edicionin e 10-të në Korrik, ka publikuar programin Garues të filmave të Metrazhit të Mesëm, i cili përfshin gjithsejt 10 filma.
Programi Garues i filmave të Metrazhit të Mesëm do të ketë 10 filma që vijnë nga pjesë të ndryshme të botës, ku 3 prej tyre janë Premiera Botërore ndërsa 2 Premiera Regjionale.
Në këtë kategori të hapur ndërkombëtare në kinemanë botërore, audienca jonë do të ketë mundësi të shikojë filma nga Kroacia, Franca, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Republika e Maqedonisë. Në theks i vecantë në këtë kategori është premiera botërore e filmit kosovar “Klithma” me regji të Korab Lecaj, dhe producent e ne rolin kryesor Hazir Haziri.
Një dramë familjare shumë e fuqishme e cila pasqyrohet në traumën e përdhunimit seksual që u zhvillua gjatë luftës së fundit në Kosovë. “Florian’s Last Climb” dhe “Legend of the rice grain” – të dy produksione Gjermane – gjithashtu do të kenë premierën e tyre botërore në programin Garues të filmave të Metrazhit të Mesëm të PriFest-it.
Filmat në këtë program garojnë për cmimin “Hyjnesha e Argjendtë”.
Më poshtë gjeni përmbledhjen e plotë të programit Garues të Metrazhit të Mesëm për edicionin e 10-të të PriFest:
1. “KLITHMA” – Kosovë, Premierë Botërore
2. “MARY” – Kroaci, Premierë
3. “THE APP” – Francë, Premierë Regjionale
4. “THE SERVANTS” – Francë, Premierë
5. “CHOCOLATE WIND” – Rusi, Premierë Regjionale
6. “FALLOU” – Britani-Senegal, Premierë Regjionale
7. “LEGEND OF THE RICE GRAIN” – Gjermani, Premierë Botërore
8. “A DISCRETION” – Francë, Kosovo Premiere
9. “FLORIAN’S LAST CLIMB” – Germani, Premierë Botërore
10. “ECLAIR” – Maqedoni, Premierë
Këtë vit, nga 17-22 korrik, audienca PriFest do të ketë mundësi të shikojë filma në Teatrin Kombëtar (dy salla), Open Air Cinema në Sheshin Zahir Pajaziti dhe gjithashtu në hapësirën tonë më të re, Kino Armata. Së shpejti do të njoftojmë për cmimet e biletave dhe pakot për të gjithë javën e festivalit.
Në ditët në vijim PriFest do të publikojë emrat e filmave që do të përbëjnë kategoritë e tjera të edicionit të këtij viti, andaj ju ftojmë që të rezervoni datat, dhe të përgatiteni për një javë me shumë filma, debate dhe aktivitete tjera që do t’i japin kryeqytetit tonë, Prishtinës, një freski tërësisht unike në mes të verës.
Flet dizajnuesi i logos: I kam ikur patriotizmit
Dizajnuesi i logos së Federatës së futbollit të Kosovës, Sali Musliu, ka folur për KALLXO.com duke shpjeguar domethënien e logos, për të cilën u diskutua dhe po vazhdon të diskutohet në publik.
Ai thotë se ka lexuar shumë interpretime për logon e tij, mirëpo asnjëra nuk qëndron.
“Me ju thonë të drejtën, nëpër media e gazeta të ndryshme kam dëgjuar variacione e interpretacione nga më të ndryshme dhe shumë nga to s’kanë lidhje hiç me logon të cilën e kam punuar për Federatën e Futbollit të Kosovës”, ka thënë Musliu për KALLXO.com
Musliu thotë se qëllimi i tij ka qenë që “me pak të tregoj shumë”, e që në gjuhën e artistëve të kësaj fushe njihet si parim i lëvizjes “Bauhaus”.
“Për me formësue qëllimin… vendosa që t’i ndjek parimet e lëvizjes ”BAUHAUS ” – funksionalitet, racionalitet, përmbajte… pra, të gjitha këto është dashtë me i ndrydhë me një shprehje minimaliste, e që shqip i bie – ‘sa më pak aq ma shumë!’”, thotë tutje Musliu për KALLXO.com.
Tutje, ai thotë se kjo ka qenë finesa e parë e zhvillimit të idesë së krijimit të logos, që sipas tij s’ka të bëjë asgjë me patriotizëm e folklorizëm.
“Këto kanë qenë pra finesat e para se në ç’drejtim duhet me u zhvillue ideja, çka po du me thonë është se bash fillova me udhëtue n’drejtim t‘kundërt prej folklorizmit, patriotizmit, federativni e do qesi sene”, tha ai tutje në intervistën për KALLXO.com.
Ai e vlerëson logon si të pastër, pedante e pa ngarkesa, ndërsa estetikisht thotë se posedon refleksion të bukur.
“Estetikisht posedon refleksion t’kojshëm dhe është kompakte për nga vizualiteti estetik”, tha tutje ai.
Duke folur për topin që shihet në logo, Musliu jep këtë sqarim.
“Topi është i punuar me dorë të lirë me qëllimin që të shfaqet dinamika ekspresive në logo”, tha tutje Musliu.
Ai thotë se logoja është unike për shkak se vizatimi i lirë është i ndërthurur me programet aplikative.
Ai ka komentuar edhe disa prej logove tjera që thotë se i ka parë në media. Musliu thotë se i vjen mirë që ka qenë pjesë e kësaj gare, ndërsa për dizajnet tjera shprehet kështu:
“Unë mendoj se duhet kompjuteri me mendu me kokën tonë dhe jo koka jonë me mendu si kompjuteri”.
Musliu e ka pranuar se ka lidhje familjare me drejtoreshën e marketingut në FFK, mirëpo thotë se me aq sa ka njohuri, ajo s’ka ndikuar sepse s’ka qenë në komision.
“Në bazë të njohurive të mija që kam zonjusha në fjalë nuk ka pasur ndikim sepse mesa di unë ajo nuk ka qenë pjesë e komisionit. Ndërsa sa i përket afërsisë familjare, po, zonjusha në fjalë është familjare me bashkëshorten”, tha për KALLXO.com Musliu.
Ai thotë se për anëtarët e komisionit përzgjedhës të logos ka kuptuar vetëm pas publikimit në media derisa thotë se kanë bërë një punë shumë të mirë.
“Mendoj se ka qenë një përzgjedhje shumë e mirë dhe me kredibilitet profesional për të bërë përzgjedhjen e logos së Federatës”, tha tutje Musliu.
Për fund, Musliu ka thënë se logoja e re është ma e bukur se ajo e Serbisë, ndërsa ka propozuar që ta çojnë nga një gotë dhe të shikojnë futboll.
“Po e shfrytëzoj kompetencën time prej artisti duke iu drejtuar të gjithë shqiptarëve dhe pakicave në Kosovë se, nga data 16.06.2018, kosovarët e kanë një logo shumë ma të bukur se të Serbisë… çojeni nga nji gotë dosta dhe kshyrni Futboll”, tha për fund dizajneri Musliu që jeton dhe vepron në Gjermani.
Sot gjatë ditës një grup shumë i vogël i qytetarëve kanë protestuar para zyrës së FFK-së për logon e përzgjedhur. / KultPlus.com
Tito në letërsinë shqipe në Jugosllavi
Nga Ibrahim Rugova
Prishtinë, Dhjetor 1977
Duke punuar në këtë temë, vetvetiu m‘u imponua problemi i një vështrimi teorik të çështjes, apo ndoshta, po ashtu, vetvetiu m‘u imponua edhe nga interesimi im teorik, që po e formuloj në formë pyetëse – tezë: përse shkrimtarët dhe artistët, për objekt të veprave të veta i marrin shëmbëlltyrat e kohës së vet, dhe madje përse në mënyrë të vazhdueshme! Në vijim do të përgjigjem me shembullin e Titos dhe me praktikën krijuese të letërsisë sonë.
Që në fillim mund të thuhet se shëmbëlltyra e Titos është mjaft e pranishme në letërsinë shqipe në Jugosllavi, do të thotë në të gjitha format e krijimit letërar. Me këtë rast çështjen e pranisë duhet ta vështrojmë dhe ta pranojmë në kuadër të procesit të difirencimit që ekziston midis formave letrare, e cila gjë i tregon dhe i vërteton mundësitë dhe validitetin e formave të veçanta ndaj objektit. Ky shpjegim teknik letrar na sjell në përfundimin se prania e objektit realizohet përmes shkallëve të ndryshme, po me funksion e me qëllim të njëjtë e të përbashkët. Po i theksojmë këto ndryshime të formave në prosede, në metodat e krijimit. Në prozë, vërtetë në roman dhe në tregim, fytyra e Titos dhe prania e tij identifikohen plotësisht dhe nënkuptohet me të drejtë me ngjarjen e madhe të revolucionit të armatosur, të cilën ai e vuri në lëvizje dhe çka është e arsyeshme artistikisht dhe jetësorisht. Nuk del fare si personazh i drejtpërdrejtë në mënyrë deklarative, po përmes frymës së veprës – aksionit – veprimit të tij, të njerëzve që bëhen realizues të ideve dhe të ndërmarrjeve të veprës së tij. Kjo ka të bëjë me faktin se shkrimtarët duan që fytyrën e tij ta realizojnë artistikisht, natyrshëm, ashtu çfarë është e madhe në realitetin historik dhe në realitetin bashkëkohës.
Pra, vetëm ajo që jepet artistikisht mirë e me vlerë, është ekuivalente e reales, vërtet vetë realja, e që merret si një nga çështjet – çelës, në të cilat sprovohet arti, e edhe letërsia, në rastin kur ka të bëjë me fytyra të njohura historikisht dhe bashkëkohësisht, siç është Tito me këtë rast.
Ndërsa po e shqyrtojmë këtë çështje duhet të përmendim një të vërtetë tashmë të njohur e të pranuar në historinë dhe filozofinë e artit se, shkrimtarët dhe artistët, si idhtarë të përhershëm të njeriut, të lirisë së tij, te fytyrat historike të jetës sociale – revolucionare, ndalen vetëm atëherë, kur në to, brenda tyre, pos tjerash gjejmë figurën- njeri të plotë, i cili punon dhe vepra e tij i kushtohet plotësisht njeriut, mirëqenies së ekzistencës së tij. Ky shpjegim teorik letrar, e njëkohësisht filozofik bashkëkohës e vërteton dhe e qartëson fortë mirë interesimin e shkrimtarëve tanë për Titon, sepse tek ai gjetën, zbuluan njeriun e vërtetë me të gjitha cilësitë që e karakterizojnë veprimin e madh njerëzor, veprimin e përjetshëm. Më shkurt, artistët ndalen tek ata që i zgjerojnë hapësirat e realizimit të njeriut në jetë dhe në vepër, ashtu siç bëri Tito. Pra, njerëzit e tillë, që shkenca i shpejgon si gjenialë, krijojnë vazhdimisht hapësira të reja për njeriun, pra janë krijues e jo dogmatë e statistë në skenën historike e shoqërore, sepse ata, me aftësi të rrallë i shtrojnë dhe i zgjidhin kërkesat dhe nevojat e kohës në të cilën jetojnë e veprojnë, do të thotë prekin në pikat neuralgjike vendimtare të shoqërisë njerëzor duke i vënë njerëzit në lëvizje të orientuar, të drejtë, në aksion.
Përveç kësaj, shkrimtarët tanë e përjetësojnë fytyrën e Titos, sepse në të që me kohë kanë gjetur me të vërtetë realizimin e vet nacional, social e intelektual, do të thotë tri elementet qenësore për ekzistencën individuale e kolektive. Nëse pranohet e vërteta e thënë metaforikisht se artistët-poetët janë antena të shoqërisë, atëherë mund të nxjerrim një konstatim se, shkrimtarët tanë, në vizionin dhe në praktikën revolucionale të Titos, gjetën një nga idealet e veta më të qëlluara dhe sinjalizuan në mënyrë arstitike vlerën e vërtetë të pamohueshme të tij.
Përderisa në prozë është i pranishëm, në radhë të parë, në kuadër të mundësive dhe të efekteve artistike të realizimit të zhanrit, pra në mënyrë të plotë që na e sinjalifikojnë “Ditari…” i F. Hoxhës një pjesë e prozës së H.Sylejmanit dhe të Sinan Hasanit, në poezi, e cila konsiderohet si zhanër dhe formë solemne më komunikative, fytyra e Titos ngritet vazhdimisht, duke u bërë objekt qëndror-poetik, në dritën e plotë të veprës së tij të madhe. Kështu, poezia e kuptuar si formë më komunikative, ka një aftësi dhe fuqi të jashtëzakonshme për identifikim apo për simbolizimin e veprave të mëdha në histori dhe në bashkëkohësi, të vizioneve të tyre të pandërprera e thelluese.
Thënë historikisht, fytyra e Tito në poezi bëhet objekt i rëndësishëm që në krijimet e para gjatë Revolucionit të armatosur dhe vazhdon deri në ditët më të vonshme. Ajo nuk qe vetëm inspirim, po edhe realizim i poezisë dhe i artit në përgjithësi.
Në një pjesë të mirë të poezisë ku poezitë kushtuar Titos nga Esad Mekuli, Mehmet Hoxha, Tahir Jaha, Latif Berisha, Enver Gjergjeku e të tjerë, shfaqet një komunikim i drejtpërdrejtë me të dhe merret me të drejtë në kuptim të gjerë të krijuesit të madh. Për shembull të gjithë këtë e shëmbëllen më së miri poezia e E.M, “Ty që je liria jonë”, ku Tito shfaqet si simbol i lirisë dhe i realizimit kombëtar e social të shqiptarëve, krahas me atë të kombeve dhe të kombësive të tjera.
Në disa poezi të tjera siç janë “Flamur shekujsh” (Ali Podrimja), “Dy ditëlindje” (Rrahman Dedaj) dhe “Flet Tito” (Mirko Gashi), kemi të bëjmë me një përpjekje tjetër të poetëve tanë, me atë që përmes prosedeut poetik të simbolizimit fytyra e Titos të marrë kuptim universal të gjithëkohshëm, si simbol i një kreatori për të mirën e përgjithshme, se vepra e tij është model real, që hyn në fondin e përgjithshëm të njerëzimit.
Përveç identifikimit, si kusht i domosdoshëm i fuqisë poetike dhe i bindshmërisë së saj, në poezinë e përmendur të Ali Podrimjes, kemi simbolin flamur, i cili simbolizonte, emblemën e ekzistencës kombëtare dhe atë shoqërore, të vendosur në përjetësimin e flamurit që qëndron në hapësirat kohore të shekujve të historisë. Ndërsa me simbolet e tjera si Diell, Bukë, Qiell, poeti simbolizon tri kushte të rëndësishme e të domosdoshme të ekzistencës, të cilat me këtë rast, nuk po i përkthej në gjuhën teorike.
Në vjershëm e Mirko Gashi, “Flet Tito”, e cila përmes theksimit të aktivitetit të ligjërimit të Titos, që gjithmonë i ka në pajtim fjalën dhe aksionet, poeti simbolizon qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e tij në të gjitha momentet e kohës. Kështu simboli i tij qëndror, Kepi i Shpresës së Mirë (Tito) del si një Parim i Shpresës dhe i realizimit real, siç do të mund ta shpejgonim me filozofinë e paraqitur në parimin e Shpresës të E.Blochut.
E këtillë, fytyra e Titos shfaqet edhe në letërsinë për fëmijë, e që do të mund të ishte objekt i një studimi të veçantë. Tito si simbol i së Mirës, i heroit, i mësuesit dhe i edukuesit trajtohet me sukses në veprat e Maksut Shehut, Rifat Kukajt, Agim Devës e të tjerëve.
Në fund, me qëllim që të përforcojë edhe me përgjigjen lidhur me pyetjen që shtrova në fillim të kësaj paraqitjeje po shtoj edhe këtë se, mesazhi simbolik i artistit, i poetëve dhe shkrimtarëve tanë në përgjithësi, është plotësisht adekuat me mesazhin e veprës së Titos, i cili sot gëzon një unanimitet të jashtëzakonshëm e të përgjithshëm, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit, çfarë e gëzonte vetëm Lenini. Adekuatësia e këtij mesazhi, pos momenteve të tjera që i përmenda më sipër, ka të bëjë edhe me të njohurën teorike e historike se, poetët dhe revolucionarët e mëdhenj i lidhin vizionet dhe idealet më të thella për njeriun, pra bëhet bashkudhëtarë në rrugën e infinitumit për të mirën njerëzore. Këtë lidhje midis artistëve dhe revolucionarëve, në mënyrë më të natyrshme dhe të paimponuar, pra të dalë nga situata reale historike, e gjejmë në historinë më të re kur është fjalë për fytyrën e Leninit. Le t’i kujtojmë me këtë rast Majakovskin, Bllokun, Jeseninin e të tjerë. Të njëjtën lidhje, po ashtu të natyrshme dhe të fuqishme, e gjejmë kur e vështrojmë fytyrën e Titos në veprat artistike, e sidomos në ato poetike.
Në përfundim e sipër të theksojmë edhe një fakt tjetër mjaft të rëndësishëm se Tito, duke qenë vazhdimisht në krye të shoqërisë sonë, krijoi një liri të vërtetë arti e krijimi në kuptim të realizimit të plotë të lirisë, çfarë nuk gjendet në ndonjë vend tjetër socialist, e cila ishte e pranishme vetëm në kohën e Leninit, kurse te ne kjo u bë parim shoqëror e kulturor.
Përveç kësaj, shkrimtarët tanë e përjetësojnë fytyrën e Titos, sepse në të që me kohë kanë gjetur me të vërtetë realizimin e vet nacional, social e intelektual, do të thotë tri elementet qenësore për ekzistencën individuale e kolektive. Nëse pranohet e vërteta e thënë metaforikisht se artistët – poetët janë antena të shoqërisë, atëherë mund të nxjerrim një konstatim se, shkrimtarët tanë, në vizionin dhe në praktikën revolucionare të Titos, gjetën një nga idealet e veta më të qëlluara dhe sinjalizuan në mënyrë artistike vlerën e vërtetë të pamohueshme të tij.
Kah po e shoh këtë lule
Mirko Gashi
O Zot, im Zot
kah po e shoh këtë lule
në të cilën vdekja dhe jeta
shëtisin dorë për dore
duke i kënduar oda ujit
më është e qartë
se duhet jetuar
dhe duhet parë këtë mrekulli.
280 mijë euro për kapelën e Napoleonit
Kapela e Napoleonit, që thuhet se është shpëtuar nga fusha e betejës pas disfatës së tij në Waterloo, është shitur në ankand për 280 mijë euro. Ish perandori francez ishte i njohur për kapelat e tij dycepëshe dhe kapela e kuqe që ai mbante në Waterlo i përket mbretëreshës dhe ka qenë pjesë e koleksionit mbretëror që nga 1837.
Kapela ishte veshur nga Napoleoni një natë para disfatës dhe ishte grabitur pas fitores nga trupat aleate. Shtëpia e ankandeve “de baecque”, konfirmoi të hënën shitjen në Lion, 203 vjet pas betejës. Shifra totale për kapelën, përfshirë edhe taksat, është pak nën 350 mijë euro. Një koleksionist francez i sendeve historike e ka blerë atë.
Kapela, që ishte blerë nga një individ privat në 1986, pritej të shitej për jo më shumë se 40 mijë euro. Ajo është një nga 19 kapelat e Napoleonit që mendohet se ekzistojnë ende. Vetë perandori, thuhet se kishte vënë në kokë rreth 120 kapela të ngjashme gjatë karrierës së tij.
Ai normalisht kishte 12 kapela në dispozicion, secila me një jetëgjatësi tre vjeçare. Ato rinovoheshin në një shkallë prej katër kapelash në vit dhe më parë përdoreshin nga shërbyesit në mënyrë që të zbuteshin për perandorin.
Një kapelë e ngjashme, pjesë e një koleksioni në pronësinë e familjes mbretërore të Monakos, u ble në ankand për 1.9 milionë euro nga një kompani koreano-jugore katër vite më parë. Nëntorin e shkuar, një gjethe e artë nga kurora e bërë për kurorëzimin e Napoleonit, u shit për 625 mijë euro.
Napoleoni e shpalli veten perandor në 1804 dhe i shpalli luftë fuqive të tjera evropiane, duke pushtuar pjesën më të madhe të kontinentit, para disfatës së tij përfundimtare në 1815./ KultPlus.com
Dizenjatorja Vjollca Llapashtica sjellë koleksionin e ri (FOTO)
Dizenjatorja Vjollca Llapashtica sapo ka publikuar koleksionin e saj më të ri që vjen me një llojllojshmëri ngjyrash, shkruan KultPlus.
Në këtë koleksion ku dominon ngjyra e bardhë, prezentë janë edhe vellot e bukura të punuara me material prej rrjeti me perla prej mëndafshi.
Llapashtica tregoi se një femër e cila mendon të veshë një fustan të veçantë mund ta gjej vetën tek ajo. Në këtë fotosesion, mund t’i shihni vetëm disa kreacione ndërsa të gjitha mund t’i gjeni në atelienë e saj në Lagjen “Arbëria” në Prishtinë./ KultPlus.com
Walsh i cilësonte shqiptarët racë e bukur, e guximshme, krenare dhe aventuriere
Në dokumentin me titull “Voyage de Constantinople en Angleterre, par les Balkans, le Danube, la Hongrie et l’Allemagne – Narrative Of A Journey From Constantinople To England (1828)”, të klerikut, historianit, shkrimtarit dhe mjekut irlandez, Robert Walsh (1772-1852), gjejmë një përshkrim të veçantë për shqiptarët, më saktësisht në faqen n°4, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
“Shqiptarët janë ndoshta raca më e bukur e Turqisë; ata u ngjajnë më shumë grekëve sesa sllavëve.
Nëse shqiptari ka cilësitë e zviceranëve dhe tirolezëve (banorë të Tirolit); nëse ai është si ata një këmbësor i patrembur, i cili ngjit, me pushkën mbi supe, malet si dhitë, ai ka më shumë se ata gjallërinë dhe harenë jugore të kombinuar me një mprehtësi të jashtëzakonshme e të menjëhershme.
Ashtu si grekët, shqiptarët, në mënyrë perfekte, janë popull i lumtur. Krenaria kombëtare shfaqet në fjalët më të vogla të ‘Schkipetareve’, në gjestet e tyre, në qasjen e tyre të lehtë apo edhe teatrale.
Guximi është për ta diçka e natyrshme ; dhe të civilizuar, në vend se të jenë zviceranët e Lindjes, ata ngjajnë me francezët, domethënë, me ata popuj të cilëve pushtimet u buzëqeshin më së shumti.
Jeta aventuriere është një nga elementet e tyre.”
“Arkeologët e vegjël” afron brezin e ri me historinë dhe kulturën
Projekti “Arkeologët e vegjël” afron më shumë brezin e ri me historinë dhe kulturën. Ky projekt organizohet nga Muzeu Historik Kombëtar me fëmijët të moshave 7-11 vjeç.
Sot, në ambientet e muzeut ishin fëmijët e kampit veror të Teatrit Metropol ata që provuan të ishin arkeologë për një ditë në sektorin “Kujtime nga Iliria e Lashtë” .
Fëmijët pasi bënë një vizitë në pavijonin e arkeologjisë dhe u prezantuan me objektet më të veçanta dhe origjinale që ndodhen në muze vijuan me “gërmimet” e tyre për të gjetur objektet e fshehura.
Pasi i zbuluan disa prej fëmijëve pikturuan objektet që kishin gjetur ndërsa të tjerë shprehën përjetimet e tyre rreth këtij aktiviteti.
Aktiviteti u krye nën kujdesin e Sektorit të Programeve Edukative./ata
Mos e kritikoni logon e Federatës së Futbollit
Ilir Muharremi
Në art nuk mund të ketë saktësi dhe gjithherë rezultati nuk mund të pritet i saktë. Arti është vlerësim subjektiv e më pak objektiv. Që disa ditë po ngrihet pluhur rreth logos së përzgjedhur të Federatës së Futbollit të Kosovës. Është kjo logoja e piktorit Sali Musliu e dizajnuar nga vet ai dhe ka ngjallur mjaftë kritika dhe reagime. Kush e kritikon, dizajnerët, artistët? Normal që dizajnerët qohen kundër sepse vet ata janë pjesë e konkursit dhe logot e tyre nuk janë vlerësuar si logoja fituese. Sa marrin vesh ata nga dizajni? Secili në mënyrë të vet gjykon e sa ja qëllon këtë koha e dëshmon. Të gjithë kanë të drejtë ta gjykojnë, por jo në forma tendencioze të ngulin këmbë si gomari në baltë. Këta “artist” kundërshtarë kërkojnë rezultate matematikore në logon fituese. Mos harroni arti është art dhe mund të prezantohet edhe më ndryshe. Cilat parime janë ndjekur te kjo logo? Vet autori e pohon se janë ndjekur parimet e Bauhaus-it. Nuk është logo e ngarkuar, është e minimaliste, në të ka pak, thjeshtësi, natyralitet, por domethënie.
Gjashtë yje moderne, të cilat i gjejmë edhe në flamurin tonë. Një top i konstruktuar me kimik më shumë ngjanë me vizatim. Është një katrorë i mesëm i cili simbolizon hartën e Kosovës. Kurse katrorët anash kanë domethënien për të kaluarën tonë. Cila e kaluar? Futbolli zhvillohej nëpër fusha e livadhe dhe kalon deri te yjet e sotme. Ato fusha tamam përshtaten me vizatimin Musliut të pa sakta, me vija jashtë kontureve. Përfundi me font të thjeshtë shkruan Federata e Futbollit e Kosovës. Është pedante, modeste, me shumë kuptime, e thellë.
Të klikosh në internet për logot e futbollit të gjitha janë të thjeshta dhe janë munduar t’i ikin shumë efekteve kompjuterike. Logoja fituese është shumë unike dhe nuk ngjanë me asnjë logo në internet. Tashmë në botë kërkohet thjeshtësia dhe kuptimi. Pra, arti i konceptit e jo arti i estetikës. Pa të keq, por i shikova një numër të logove konkurruese ishin më shumë të fokusuara në estetikë, detaje, dhe krejt kompjuter. Arti i stom është ngopë nga ekzagjerimi dhe patetika, ka nevojë për thjeshtësi “naive”. Ndoshta një këshillë mund të jetë në këtë logo: do të ishte mirë t’i kishte edhe dy gjuhë të tjera: Angleze dhe Serbokroate sepse jemi shtet multietnik./KultPlus.com
Nëse do të më duash…
Poezi e shkruar nga Elisabet Brauning.
Dhe nëse do të më duash, për asgjë tjetër
veç për dashuri.
Mos thuaj “të dua për buzëqeshjen,
për vështrimin, për sjelljen delikate,
për mendimet që përputhen e që një ditë
me kthjelluan.
Këto gjera mund te duhen, por ndryshojnë,
ndryshojnë në ty, ndryshojnë tek unë.
Mos më duaj për mëshirën
qe than faqet e mia.
Harro lotët që të dhanë kënaqësi
dhe humb kështu dashurinë.
Duamë vetëm për hir të dashurisë
së dashurisë,
qe rritet tek ty me një dashuri të pafund.
Agon Nimani me fotografinë e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në ekspozitën “Toward a Concrete Utopia: Architecture in Yugoslavia, 1948–1980”
Në MoMA – Muzeun e Artit Modern të New Yorkut, prej 15 korrik 2018 deri më 13 Janar 2019 do të shfaqet ekspozita: Toward a Concrete Utopia: Architecture in Yugoslavia, 1948–1980 (Drejt një Utopie Betoni: Arkitektura në Jugosllavi, 1948 – 1980).
E vendosur midis Perëndimit kapitalist dhe Lindjes socialiste, arkitektët e Jugosllavisë i janë përgjigjur kërkesave dhe ndikimeve kontradiktore, duke zhvilluar një arkitekturë të pasluftës, si në përputhje edhe të dallueshme nga qasjet e projektimit tjetërkund në Evropë dhe më gjerë. Arkitektura që u shfaq – nga rrokaqiejt e stileve ndërkombëtare në “kondenzatorët social” të stilit Brutalist – është një manifestim i diversitetit rrënjësor, hibriditetit dhe idealizmit që karakterizoi vetë shtetin jugosllav.
Drejt një Utopie Betoni: Arkitektura në Jugosllavi, 1948-1980 prezanton për herë të parë punën e jashtëzakonshme të arkitektëve kryesorë të Jugosllavisë socialiste në një audiencë ndërkombëtare, duke theksuar një trup të rëndësishëm arkitektural modernist, kontributet e të menduarit progresiv që rezonojnë edhe sot. Ekspozita eksploron temat e urbanizimit në shkallë të gjerë, teknologjisë në jetën e përditshme, konsumizmit, monumenteve dhe memorializimit, si dhe arritjen globale të arkitekturës jugosllave. Ekspozita përfshin më shumë se 400 vizatime, modele, fotografi dhe video nga një koleksion arkivash komunalë, koleksionesh familjare dhe muzeve në të gjithë rajonin, si dhe përmban punën e arkitektëve të rëndësishëm, duke përfshirë Bogdan Bogdanoviq, Juraj Neidhardt, Svetlana Kana Radević, Edvard Ravnikar, Vjenceslav Richter dhe Milica Šterić. Nga brendësia skulpturore e Xhamisë së Bardhë në Bosnjën rurale, deri tek rindërtimi i qytetit të Shkupit në bazë të dizajnit Metabolist të Kenzo Tange, si dhe stili unik i ndërtesës së Bibliotekës Kombëtare të Kosovës të dizajnuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjaković, ekspozita shqyrton vargun unik të formave dhe mënyrave të prodhimit në arkitekturën Jugosllave dhe karakterin e saj të veçantë, por shumëdimensional.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës do të prezentohet me fotografinë e Agon Nimani-it.
Ekspozita është organizuar nga Martino Stierli – Krye-kuratori i Arkitekturës dhe Dizajnit, Philip Johnson, në Muzeun e Artit Modern dhe Vladimir Kulić, kurator i ftuar, Anna Kats, asistente kuratore, Departamenti i Arkitekturës dhe Dizajnit, Muzeu i Artit Modern.
Ekspozita do të shoqërohet me një katalog reprezentativ në kolor që do të mbahet në Muzeun MoMA në New York, nga 10 korriku 2018 deri më 13 janar 2019. Katalogu do të shtypet në 3,500 kopje dhe do të shpërndahet në mbarë botën në gjuhën angleze.
Muzeu i Artit Modern (MoMA) është një muze arti i vendosur në qendër të Manhattan në Nju Jork. MoMA ka luajtur rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në zhvillimin dhe mbledhjen e artit modernist dhe shpesh është identifikuar si një nga muzetë më të mëdha dhe më me influencë të artit modern në botë. Koleksioni i MoMA-s ofron një pasqyrë të artit modern dhe bashkëkohor, duke përfshirë veprat e arkitekturës dhe dizajnit, vizatimit, pikturës, skulpturës, fotografisë, grafikave, librave të ilustruar dhe librave të artistëve, filmit dhe mediave elektronike.
Biblioteka e MoMA-s përfshin përafërsisht 300,000 libra dhe katalogë të ekspozitave, mbi 1,000 tituj periodikë dhe mbi 40,000 fotografi të artistëve dhe grupeve individuale. Arkivat mbajnë material burimor kryesor në lidhje me historinë e artit modern dhe bashkëkohor.
Ideja për Muzeun e Artit Modern u zhvillua më 1929 fillimisht nga Abby Aldrich Rockefeller (gruaja e John D. Rockefeller, Jr.) dhe nga dy mikeshat e saj, Lillie P. Bliss dhe Mary Quinn Sullivan. Ato u bënë të njohura si ‘zonja të guximshme’. Në fillim ato morën me qira lagjet modeste për muzeun e ri në ndërtesën Heckscher në Aveninë 730 në Manhattan dhe e hapën për publikun më 7 nëntor të vitit 1929. Në atë kohë, ky ishte muzeu kryesor i Amerikës i dedikuar ekskluzivisht artit modern dhe i pari i këtij lloji në Manhatan për të shfaqur modernizmin evropian.
Departamenti i Pikturës dhe i Skulpturës ka në pronësi veprat e artistëve më të shquar ndërkombëtar, siç janë: Paul Cézanne, Edgar Degas, Édouard Manet, Vincent van Gogh, Paul Gauguin, Odilon Redon, Georges Braque, Gustav Klimt, Pablo Picasso, Wassily Kandinsky, Oskar Kokoschka, Henri Rousseau, Marc Chagall, Amedeo Modigliani, RobertRauschenberg, Alexander Calder, Frank Stella, Andy Warhol…/ KultPlus.com
Krerët fetarë, letër Merkel e Macron: Ne shqiptarët, jemi pjesë e Europës
Për të ndihmuar vendin në hapjen e negociatave me BE, kanë hyrë në “fushë” edhe krerët e komuniteteve fetare në Shqipëri.
Klerikët i kanë dërguar një letër kancelares gjermane Angela Merkel dhe Presidentit francez Emmanuel Macron, ku i kërkojnë dhënien e dritës jeshile për Shqipërinë.
“Në këtë moment të një rëndësie të madhe, dëshirojmë të theksojmë edhe një herë atë që kemi shprehur kohët e fundit në deklaratën tonë të përbashkët të datës 21 prill 2018: ne shqiptarët jemi pjesë e Evropës.
Ne jemi pjesë e një historie që shtrihet në origjinën e Evropës. Është një histori që ka rrënjë mijëravjeçare.
Rrënjë të përbashkëta kulturore dhe sociale na lidhin. Jemi të bindur se rruga drejt Bashkimit Evropian përfaqëson dëshirën e kahershme të njerëzve tanë, si edhe vlerat e një shoqërie të lirë ku çdokush mund të ushtrojë të drejtat e tij e ndër to, e drejta e lirisë dhe besimit fetar është thelbësore.
Ne i jemi mirënjohës Zotit për faktin se historia e popullit shqiptar ka treguar një jetëgjatësi të qëndrueshme të vlerës së respektit për dallimin fetar, duke jetuar së bashku në harmoni si një familje”, thuhet në letër.
“Ju bëjmë thirrje të pranoni dëshirën e sinqertë të të gjithë shqiptarëve, dhe të na mbështesni në angazhimin tonë të pakthyeshëm për një Shqipëri si pjesë e Evropës”, theksohet në letër.
“Rruga drejt Bashkimit Evropian është veçanërisht kritike për rininë tonë. Të rinjtë shqiptarë renditen mes euro-entuziastëve më të fuqishëm, e megjithatë ata ndjehen më të frustruar, sepse edhe pse jetojnë pranë shokëve të tyre evropianë, janë të përjashtuar nga të njëjtat mundësi. Mbështetja juaj për Shqipërinë në procesin e pranimit, më këtë moment kritik, kur vlerat e tolerancës, solidaritetit dhe të drejtave të njeriut kërcënohen nga radikalizmi, fanatizmi dhe ideologji të tjera si këto.
Ju bëjmë thirrje të pranoni dëshirën e sinqertë të të gjithë shqiptarëve, dhe të na mbështesni në angazhimin tonë të pakthyeshëm për një Shqipëri si pjesë e Evropës. Me lutje të zjarrtë, ne riafirmojmë angazhimin tonë për të mbetur mbështetës të palëkundur të vlerave evropiane të një shoqërie me liri, drejtësi dhe prosperitet për të gjithë”, përfundon letra.
Letra është firmosur nga krerët e bashkësive fetare në Shqipëri, Kryetari i Komunitetit Mysliman Skënder Brucaj, Kryepeshkopi i Tiranës dhe i Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë i Kishës Ortodokse Autoqefale, Prof. Dr Anastasios, Sekretari i Përgjithshëm i Konferencës Episkopale Shqiptare dhe Arqipeshkvi i Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta, Kryegjyshi Botërior i Kryegjyshatës së Bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe Presidenti i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë Pastor Ylli Doci.
Nuk ka ndërtime gjatë sezonit turistik në Ulqin
Komuna e Ulqinit njofton qytetarët se ka hyrë në fuqi vendimi, i cili parasheh ndërprerjen e punimeve në ndërtim gjatë sezonit turistik.
Ky vendim parasheh ndërprerjen e punëve ndërtimore në objekte në tërë teritorin e Komunës së Ulqinit. Shërbimi i inspeksionit në ditët në vijim do të dalë në terren dhe do bëjë mbikëqyrje për të parë se sa respektohet ky vendim.
Ndaj secilit subjekt, i cili nuk i përmbahet vendimit do të merren masa ndëshkuese respektivisht dënim në të holla.
“Silentium Est Pax” e Memli Kelmendit botohet në CD-në e Sottovoce Ensemble në Francë
Vepra “Silentium Est Pax” e Memli Kelmendit sapo është botuar dhe tani është zyrtarisht pjesë e CD-së “Horizons” të Sottovoce Ensemble në Francë, shkruan KultPlus.
Kjo vepër është kompozuar vitin e kaluar enkas për këtë ansambël dhe është interpretuar Premierë disa herë në Paris dhe Redon pastaj është interpretuar edhe nga kori “l’Étrange Boutique” që udhëhiqet nga operisti i njohur Till Fechner nga Franca.
Së fundmi është interpretuar nga Kori I Filharmonisë së Kosovës nën udhëheqjen e kompozitorit e dirigjentit Rafet Rudi në kuadër të festivalit ndërkombëtar të muzikës ReMusica.
Kjo nuk është hera e parë që veprat e Memli Kelmendit botohen jashtë shtetit. Më parë është botuar edhe vepra tjetër “Ater Umbra” nga kori EVOC – Ensemble Vocal Creation, në Francë./ KultPlus.com
SOS Fshatrat e Fëmijëve sjellin sot ekspozitën “Përmes fotografisë”
SOS Fshatrat e Fëmijëve sot do të hapin ekspozitën me fotografi të titulluar “Përmes fotografisë”, ndërsa synon mbështetjen e fëmijëve pa përkujdesje prindërorë, shkruan KultPlus.
“Përmes pjesëmarrjes tuaj në ekspozitë, ju mbështetni misionin tonë dhe jeni pjesë e ndryshimit të jetës së fëmijëve pa përkujdesje prindërore duke blerë fotografitë e ekspozuara”, shkruhet në njoftimin e kësaj ekspozite.
Kjo ekspozitë organizohet me përkrahje nga Ivo Silhavy, Ambasador i Ambasadës Çeke në Kosovë, autor i fotografive, Arben Llapashtica, autor i fotografive. Katerina Ilievska nga SOS Children’s Villages International, autore e fotografive, Arta Dobroshi, dhuruese e fotografisë, Ilmi Gashi – autor i fotografisë, Nita Dobroshi – autore e fotografisë; Alban Uskana – autor i fotografisë, Grupi “Zanat”, CheBar, dhe Stone Castle.
Ekspozita do të fillojë në ora 18:00 në SOS Fshatrat e Fëmijëve në Velani./ KultPlus.com