Shkëlzen Maliqit i ndalohet hyrja në Serbi

Sot, filofozit dhe kritikut të artit Shkëlzen Maliqit iu është ndaluar hyrja në Serbi, në kufirin e Merdarës me Kosovë. Policia kufitare e Serbisë nuk i ofroi informacion apo arsye për veprimin e tyre.

Maliqi po udhëtonte me dramaturgun dhe drejtorin e Qendrës Multimedia Jeton Neziraj dhe kryeredaktoren dhe fotografen e Kosovo 2.0, Besa Luci dhe Majlinda Hoxha. Ata planifikonin të merrnin pjesë në një diskutim me rastin e lancimit të publikimit “20 Vjet Përtej/Preko/Beyond”, që përmbledh një kronologji të 20 viteve të bashkëpunimit kulturor ndërmjet akterëve kulturor nga të dyja shtetet. Publikimi dhe diskutimi implementohen nga Center for Cultural Decontamination bazuar në Beograd dhe Kosovo 2.0, bazuar në Prishtinë.

Pas ndalimit të Maliqit, anëtarët e tjerë të grupit po ashtu vendosën të kthehen në Prishtinë. Ky vendim ishte bazuar në atë se, udhëtimi për në Beograd dhe pjesëmarrja në ngjarje vetëm sa do të kontribuonin në normalizimin e një praktike diskriminuese dhe trajtimi johuman të qytetarëve kosovar. Për më tepër, rasti shkon kundër frymës së procesit të normalizimit ndërmjet dy shteteve dhe dështimit për të mbështetur një nga parimet fundamentale të saj – lirinë e lëvizjes./ Kosovo 2.0

Romani “Të vdekurit e gjallë” u përurua në Ennepertal të Gjermanisë

Shkruan Makfire Hajdari Kurteshi

Kohë më parë në Ennepetal të Gjermanisë, Lidhje e Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë në Gjermani mbajti aktivitetin letrar për të shënuar 80-vjetorin e lindjes të Azem Shkreli.

Manifestimi, para një numri të madh pjesëmarrësish, kishte në program edhe ndarjen e çmimeve për arritje në letërsi. Në këtë manifestim mysafir special ishte shkrimtari i mirënjohur, romansieri Ibrahim Kadriu, me ç’rast u përurua romani më i ri i tij “Të vdekurit e gjallë” për të cilin foli shkrimtari Pal Sokoli.

Këtij romani iu bë një vlerësim nga shkrimtari Pal Sokoli, një vlerësim i thukët, duke i potencuar dimensionet përmbajtjesore dhe artistike, gjegjësisht duke ia vënë në spikamë nivelin artistik që e deshifrojnë si një realizim i rrallë romanor. Shqyrtimi nxori në pah strukturën artistike e cila pasohet si rezultat i përvojës së shkrimtarit.

Romani pasqyrohet si një trinom ku dominojnë tri figura, portrete personazhesh, që përjetojnë humbjen fizike, por që me kohë identifikohen si vlera të realitetit tonë. Autori, sipas vlerësuesit, ka arritur t’i tipizojë karakteret në bazë të të cilave realiteti ynë edhe politik rrumbullakon esencën shpesh tragjike të tërësisë tonë aktuale. Vepra ,,Të vdekurit e gjallë” merr nismën me mendimin e Viktor Hygos, si moto: ,,Luftën e fitojnë heronjtë, qeverisin maskarenjtë dhe përfitojnë horrat”, që mund të kuptohet si dëshmi programore përmes së cilës romani merr frymë.

Me këtë rast para të pranishmëve u zhvillua edhe intervista me shkrimtarin Ibrahim Kadriu, i cili iu përgjigj shumë pyetjeve të paraqitësit të vështrimit mbi romanin, por edhe të të pranishmëve./ KultPlus.com

Komuna e Prishtinës së shpejti hapë Muzeun Ibrahim Kodra

Komuna e Prishtinës ka nënshkruar Memorandum të Mirëkuptimit me Fonacionin “Ibrahim Kodra”, me qëllim të themelimit, zhvillimit dhe promovimit të muzeut të artistit Ibrahim Kodra.

“Komuna do të angazhohet për ta kthyer objektin e ish-Bibliotekës Hivzi Sulejmani në hapësirë kulturore për shfrytëzim si ekspozitë afatgjatë e koleksionit të artistit në fjalë. Do të bëhet projektimi dhe do të kryhen punimet e nevojshme ashtu që objekti të jetë i përshtatshëm për nevoja të muzeut. Gjithashtu, Komuna do të caktojë kryesuesin e bordit nismëtar për themelimin e muzeut (bord që do të ketë edhe nga 2 anëtarë nga të dyja palët), si dhe do të ndihmojnë organizimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike”, thuhet në njoftim.

Fondacioni “Ibrahim Kodra” do t’i ofrojë për shfrytëzim pikturat origjinale të autorit për 30 vite, me mundësi vazhdimi, si dhe do të krijojë program edukativ për artin figurativ për fëmijët dhe të rinjtë të cilin do ta ketë në dispozicion muzeu.

Palët në këtë memorandum janë pajtuar që muzeu “Ibrahim Kodra” të menaxhohet nga Muzeu i Prishtinës./ KultPlus.com

Vritet reperi amerikan, XXXTentacion

Reperi XXXTentacion është qëlluar për vdekje në Florida të SHBA-së.

Artisti 20-vjeçar, emri i të cilit në realitet është Jahseh Dwayne Onfroy, ishte duke blerë një motoçikletë kur një person i armatosur thuhet se vrapoi drejt tij dhe e qëlloi e qëlloi me armë zjarrë, sipas TMZ.

Në komunikatën për mediat të policisë amerikane shkruan se këngëtari u vra nga dy të dyshuar të armatosur pak para orës 23:00, sipas kohës tonë lokale.

“Të paktën një nga të dyshuarit gjuajti një armë që goditi Onfroy. Dy persona ikën me veturën e tipit SUV, një ngjyrë të errët. Dyshohet se kjo ka ndodhur për grabitje, por hetimet do të vazhdojnë”, thuhet në njoftim, shkruan Telegrafi.

Ai kishte probleme ligjore që nga mosha 16 vjeçare gjersa ishte dërguar në një qendër të paraburgimit për të rinjtë shkaku i posedimit të një arme. Në vitin 2016, ai u arrestua dhe u akuzua për grabitje dhe sulm me një armë vdekjeprurëse.

Pasi u arrestua sërish për rrahjen e të dashurës shtatzënë, ai i dhuroi 100 mijë dollarë për programet e parandalimit të dhunës në familje.

https://www.youtube.com/watch?v=aYiM4UCOf2w

Si pritej Eqrem Çabej në Prishtinë (VIDEO)

Pas protokolleve të bashkëpunimit mes Jugosllavisë dhe Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, mes viteve 1971 – 1974, gjuhëtari i madh shqiptar Eqrem Çabej kishte ardhur për të ligjëruar në Universitetin e Prishtinës.

E bija e tij, Brikena Çabej, ka kujtuar në emisionin CODEX të KTV-së, se si pritej babai i saj në Prishtinë dhe si e përjetonte ai nderin që i bëhej në Kosovë./ KultPlus.com

Bebe Rexha për shqiptarët: Jemi si kuaj, mund të durojmë gjithçka!

Këngëtarja e famshme me prejardhje shqiptare Bebe Rexha, ka dhënë një intervistë për BBC ku ka folur edhe për shqiptarët.

Njëra prej mediave më të mëdha në botë, shkruan se Rexha ka arritur të bëjë standard të mirë jete duke shkruar këngë hite për të tjerët, dhe nganjëherë duke kënduar edhe vet.

Rexha që u shpërngul nga Dibra në New York, ka marrë famë të madhe pasi kishte punuar në këngën e famshme të Eminem e Rihannas, the Monster, e po ashtu edhe me këngën Me Mylself and I për G-Easy.

Për momentin, ajo radhitet në Top 10-ëshen e këngëve më të dëgjuara në Britani të Madhe me këngën ‘Girls’ të cilën e ka publikuar në bashkëpunim me Rita Orën.

Edhe e tëra kjo, është një rezultat i një pune të zorshme 10-të vjeçare për t’ia dalë në industrinë e muzikës.

“Kam trokitur në disa dyer derisa duart e mia ishin të kaltra e të zeza, e edhe derisa mu gjakosën”, ka thënë 28 vjeçarja Rexha për BBC.

Sikurse Dua Lipa e Rita Ora, edhe Bebe ka prejardhje shqiptare, shkruan BBC.

“Ka diçka në ujin e shqiptarëve”, ka thënë me të qeshura ajo. “Ne jemi shumë të fortë. Jem si kuaj dhe mund të durojmë gjithçka”, ka deklaruar Bebe Rexha, në intervistën e saj të fundit.

Wall Street Journal: Ismail Kadare, ndërgjegjja e popullit të tij

Në tre libra të përkthyer rishtas, autori më i njohur i Shqipërisë tregon atë që ai e quan “funksioni themelor i letërsisë: mbajtja e moralit ndriçues”. – Është gazeta Wall Street Journal që i bën jehonë tri eseve të shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, të botuar në një libër, që mbajnë emrat e përkthyesve Ana Kokobobo dhe John Hogdson

Artikulli i kritikut Sam Sack nis me këtë paragraf: “Në një ese të vitit 1985 mbi Eskilin, shkrimtari shqiptar Ismail Kadare argumenton se gjëja më e vlefshme e grekëve të lashtë – madje më e rëndësishme se shpikja e filozofisë dhe e demokracisë – ishte ndjenja e tyre e “keqardhjes kolektive”. Një thënie e guximshme, por kini parasysh që shekuj më parë grekët kishin zhvilluar një luftë të egër dhe të padenjë moralisht kundër Trojës. Një qytetërim më pak i zhvilluar do ta kishte fshirë atë periudhë të turpshme nga kujtesa e vet. Në vend të kësaj, grekët e bënë atë gurthemelin e letërsisë së tyre. “Krimi u ekspozua nga të gjitha këndet prej vetë grekëve, pa ndonjë presion të ushtruar nga kombet e tjera”, shkruan Kadare. “Kjo ishte një ekzorcizëm i pashembullt, një akt tronditës, në të njëjtën kohë duke çliruar dhe emancipuar. Për herë të parë në historinë e njerëzimit, ndërgjegjja e një populli po kalonte me dëshirë një shqetësim të tillë”.

Që prej vitit 1960, zoti Kadare, tani 82 vjeç, ka ndjekur shembullin e grekëve në të gjitha rrethanat e pamundura. Ai ishte autori më i njohur i Shqipërisë në sundimin stalinist të Enver Hoxhës, që e udhëhiqte regjimin e kolektivizimit të detyruar dhe shtypjes së pamëshirshme nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, deri në vitin 1985. Ai është akoma autori më i njohur i vendit të tij. Për nga natyra e vet, totalitarizmi synon ta mbajë ndërgjegjen në një gjendje gjumi. Ajo kërkon një ngadalësim shpirtëror që lehtëson bindjen. Z. Kadare e kishte të vështirë lirinë nga ndërhyrja e shtetit, për shkak të karrierës së tij, ai lëvizi mes lëshimeve dhe kodifikimeve të kritikave të qeverisë së Hoxhës; ai u botua dhe u censurua, me radhë. Megjithatë, siç tregojnë tre libra të përkthyer rishtas, ai i mbeti besnik asaj që ai, e ka quajtur “funksioni themelor i letërsisë: mbajtja e moralit ndriçues”. Eseja e Kadaresë për Eskilin vijnë së bashku me konsideratat debatuese të Dantes dhe Shekspirit në “Ese mbi Letërsinë Botërore”, të përkthyer nga Ana Kokobobo”. Me tej “WSJ” vazhdon: “Koleksioni shërben si një lloj guri i Rosetës për të deshifruar ndikimet dhe motivet e tij. Këta klasikë, pohon ai, flasin aq shumë sa i përket gjendjes së vështirë të shqiptarëve se sa të tjerëve. Ai e sheh Prometeun e Eskilit, heroin e ndëshkuar ashpër se i dha zjarrin njerëzimit, si një nga figurat e para në letërsi që kundërshtoi tiraninë. Ai e quan “Komedinë Hyjnore” të “vetmen vepër që për të, pasqyroi si errësirën dhe dritën e Shqipërisë komuniste”. Dhe ai thekson se, ashtu si shkrimtari i Europës Lindore të shekullit të 20-të, Shekspiri ndoshta ishte nën vëzhgim të vazhdueshëm.

Dialogu i z. Kadare me kanonet perëndimore vazhdon në romanin “A girl in exil” (E penguara), botuar fillimisht në vitin 2009, me një histori që vendoset në fillim të viteve 1980. Historia përqendrohet mbi një dramaturg shqiptar të njohur me emrin Rudian Stefa, në të cilën vepra aktuale e tij, në zhvillim, është një dramë që evokon “Hamletin” dhe “Macbeth”, që përmban fantazmën e një partizani komunist të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pra, kur ai thirret për pyetje nga Komiteti i Partisë, ai supozon se do të qortohet për shkelje të parimeve të realizmit socialist. Z. Kadare gradualisht zbulon një shëmbëlltyrë të tundimeve të pushtetit. Sack ka marrë në shqyrtim veprat “E penguara” e “Kamarja e turpit”, por nuk lë pa përmendur edhe “Pallatin e ëndrrave” apo “Ura me tri harqe”. Mbi “Kamaren e turpit”, “WSJ” shkruan se kjo vepër ilustron fiksionin disashtresor që ai krijoi gjatë sundimit të Hoxhës. Ky roman u botua në vitin 1978 dhe është pjesë e dy librave të tij më të mëdhenj, “Ura me tri harqe” (1979) dhe “Pallati i ëndrrave” (1981), romane që ripërpunuan historinë dhe folklorin shqiptar me qëllime delikate alegorike. ‘WSJ’ tërheq vëmendjen se ngjarja prej ku nis romani është rebelimi i Ali Pashës, guvernatorit shqiptar që u përpoq të largohej nga Perandoria Osmane dhe u vra nga forcat e Sulltanit më 1822. Fokusi nuk është në kryengritje aq sa te “dhurata”: koka e prerë e Ali Pashës, që e ruajtur në akull, transportohet deri në një nga sheshet e Kostandinopojës dhe shfaqet si një paralajmërim për kryengritësit e mundshëm. Z. Kadare rrotullohet mes karaktereve të ndryshme të lidhura me atë stemë të dhunës autoritare.

Ndërsa për romanin “E penguara”, përkthimi është nga John Hodgson, “WSJ” shkruan se qëllimet politike të librave të Kadaresë janë qarta dhe të pagabueshme.

“Duke përshkruar korrupsionin dhe mizorinë e çuditshme të Perandorisë Osmane, z. Kadare sjell një pamje dhe vlerësim të vrazhdë të komunizmit shqiptar. Por do të ishte gabim ta mendonim këtë roman si një alegori politike oruelliane. Evokimi i së kaluarës ndihet si bashkëkohor (turistët dynden në Stamboll për të goditur kokën e prerë dhe pothuajse mund t’i imagjinoni ata ta fotografojnë me celular) dhe jashtë kohës. Z. Kadare ka më shumë të përbashkëta me William Faulkner, një shkrimtar që nxjerr mitologjinë nga legjendat rajonale.

Ky, gjithashtu, është sa një projekt moral, aq edhe artistik. Te “Kamarja e turpit”, Kadare përshkruan përpjekjet e Perandorisë Osmane, që me vullnet rreket të shfarosë gjuhën dhe zakonet e Shqipërisë. Ky roman i paharrueshëm i shton veprës së tij të përjetshme rikuperimin kulturor. E kaluara është padyshim e pranishme në librat e tij – një fantazmë që ecën mes të gjallëve, ose një kokë e prerë që duket se ju bllokon në vështrimin e saj” – mbyll shqyrtimin kritik Sam Sack në Wall Street Journal./mapo

TO GO WITH STORY BY LAURENT LOZANO
Albanian novelist Ismail Kadare gestures during an interview with AFP on February 8, 2015 in Jerusalem. Born in 1936 in the Albanian mountain town of Girokaster, Kadare has won a number of prestigious prizes including the first international Man Booker Prize in 2005. AFP PHOTO/ GALI TIBBON

Rita Ora shfaqet si Marilyn Monroe, ka realizuar fotografinë më të përfolur (FOTO)

Këngëtarja shqiptare Rita Ora ka realizuar një set të fotografive, njësoj si aktorja ikonë Marilyn Monroe, shkruan KultPlus.

Ajo me një paraqitje ka realizuar fotografinë më të përfolur të aktores amerikane, e cila me një fund të zi, ka pozuar njësoj si aktorja./KultPlus.com

Realiteti i grave në Kosovë erdhi si dialog mes punimeve të Mjellma Gorancit e Shqipe Kamberit (FOTO)

Për dy javë adhuruesit e artit pamor, veçmas të punimeve të piktoreve të njohura Shqipe Kamberi e Mjellma Goranci, do të kenë mundësi ta shohin punën e tyre të ekspozuar në Galerinë “Monet”, dhe ato punime edhe mund t’i marrin me vete me çmimet e vendosura poshtë tyre, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Punimet e tyre janë ekspozuar në vende të ndryshme, por sonte ato janë bashkuar në një galeri të vetme, ku tërhoqën mjaft vizitorë. Ata që kanë parë qoftë edhe vetëm një punim të artisteve Kamberi e Goranci e identifikojnë lehtë autoren, e pikërisht përmes vijës identifikuese sonte patën mundësi ta gjejnë një urë komunikimi mes asaj se çfarë ato trajtojnë. Subjekt i të dyja punimeve është gruaja, veçse përmes stilit të tyre ajo lëviz në trajta të ndryshme duke prekur një pjesë të realitetit e historisë së tyre në shoqërinë kosovare.

Mënyra se si ato i kanë portretizuar e ngjyrat i bëjnë fort të dallueshme. Punimet e Gorancit vijnë përplot kolorit, ndërsa kufizohen me korniza ngjyrë ari, detajet e gruas aty vijnë e theksohen qoftë përmes flokëve, vatheve, e qafës së zgjatur, ato janë përherë në lëvizje brenda kornizës përmes se cilës Goranci i ka vendosur ato në ambiente të ndryshme, duke reflektuar edhe aktivitetin e tyre shumëdimensional brenda shoqërisë. Sytë e tyre janë përherë në kërkim. Bie fort në sy një pikturë që e paraqet gruan që për trupi shtrëngon fëmiun gjatë procesit të gjidhënies.

Mjellma Goranci thotë se portreti i modelit të gruas paraqet një cikël në vazhdimësi në këtë ekspozitë, gruaja në pikturën e saj flet për gruan sot, për krenarinë e sakrificën që ajo mbart. Mbi të gjitha, pikturat e saj nuk janë ikja nga vetvetja, por janë pasqyrim i përditshmërisë e brendësisë së saj.
Përveç portreteve të veçanta, në mesin e punimeve të saj edhe punime të cilat sjellin një gjallëri ngjyrash përmes luleve e ngjyrave të ndezura.

“Përveç bukurisë e krenarisë, portretet e punimeve të mija prapa kanë edhe problemet që gratë i hasin çdo ditë. Veprat e mija flasin më shumë për atë që nuk shihet se sa për atë që shihet. Unë e paraqes gruan kosovare që duket mirë, është krenare, sakrifikon për mirëqenien e familjes. Portretet e mija flasin për gruan që konkurron për karrierën e vet, është shumë e angazhuar, ka shumë përgjegjësi të cilat shpesh ia kushtëzon edhe shoqëria, për t’u martuar, të krijojë familje, të jetë e zonja e shtëpisë, të kujdeset për fëmijë e konkurron me një mashkull që ka shumë më pak ngarkesa”, tha Goranci.
Në mesin e shumë miqve e kolegëve, në këtë ekspozitë ishte dhe piktorja Zake Prelvukaj. Ajo për KultPlus u shpreh se e çmon fort sinqeritetin me të cilin Goranci e paraqet veten e problemet e përditshme të grave, ndërsa arrin që materialet dekorative t’i përdor me mjeshtëri.

“Mjellma e ka një lloj kolazhi e dekoracioni që din ta përpunojë, pasi nganjëherë materialet dekorative e shkatërrojnë pikturën. Por kjo ka aq forcë që e bën shumë mirë dhe me pëlqen shumë piktura e saj, pasi e trajton edhe vetveten. Artisti shpesh ik nga vetja por kur i sheh pikturat e saj e sheh që i trajton problemet e gruas. Këtë e bën në mënyrë shumë të sinqertë”, u shpreh Prelvukaj për KultPlus.

Ata që e kanë shijuar ekspozitën “Vetëdija, dikur dhe sot” të Shqipe Kamberit veçse e dinë stilin e saj, përmes të cilit kanë takuar historinë e grave shqiptare. Përmes këtij stili unik,vizitorët sonte patën mundësi ta prekin realitetin e gruas në një kohë tjetër. Përmes së bardhës, ajo ka bërë ndërlidhjen me gratë që tashmë kanë dëshmuar veten.Shikimi i tyre i mpirë ka hije të së kaluarës e tradicionales, ndërsa me një stoitet qëndrojnë në të tashmen përmes ngjyrave të ndritshme. Lulet në kokën e tyre e thyejnë bardhësinë, e sikur kanë qëndisur një hijeshi në vepra, motiv i cili ka një lidhshmëri me fëmijërinë e autores.

“Punimet janë të stilit të njëjtë të ekspozitës paraprake. Por atëherë i kam pasur gratë e diskriminuara por këtu janë të emancipuarat. Do të thotë çikat që po ja zbardhin fytyrën Kosovës. Këto me lule janë të mbulesave të jastëkut ku kam fjetur si fëmijë. Unë gjithmonë kam bërë ato që kam dashur dhe kam dashur të tregoj se ku jam sot. Kjo është një mënyrë e imja që reflektoj përballë një realiteti. Këtë radhë nuk kam përdorur ngjyra tjera. E kam lënë të bardhen që të jetë më e ndritshme dhe të paraqiten më pozitive. Këto janë gra shqiptare”, tregoi Kamberi për KultPlus.

Ndërsa më tutje Zake Prelvukaj theksoi se e njeh shumë mirë punën e të dyja artisteve, dhe tha se e vlerëson shumë ambicien e tyre për ta paraqitur gruan në shoqëri. Ajo tha se Shqipja edhe arrin ta trajtoj realitetin e grave duke përdorur edhe materiale tradicionale.
“Shqipja ka një relief ku përdor materiale tradicionale. Askush nuk ka etnos më të pasur se ne pasi dallon nga fshati në fshat. Më pëlqen që ka zgjedhur diçka tradicionale dhe ua ka dhënë një emblemë të gjithave nëpërmjet fytyrës”, u shpreh Prelvukaj.

Komunikimi i shpeshtë për tema nga më të ndryshme ndërmjet Gorancit e Kamberit që numërojnë disa vite shoqëri, dëshmohet edhe përmes motivit të veprave të tyre. Preokupimet e tyre janë të përbashkëta.Si të tilla punimet e tyre veçse e plotësojnë mozaikun e realitetit të gruas.

“Unë dhe Mjellma jemi shoqe shumë të mira. Bashkë debatojmë dhe trajtojmë çështjen e grave. Kjo ekspozitë është një debat mes punimeve tona”, u shpreh Kamberi lidhur me ekspozitën e tyre të përbashkët. Ndërsa Goranci e theksoi se edhe kjo ekspozitë reflekton dialogun e tyre të përbashkët, e temat me të cilat ato preokupohen.

“Në këtë ekspozitë jemi bashkuar për një arsye, pasi që e kemi parë një dialog të përbashkët, me Shqipen jemi shoqe shumë të mira dhe na preokupojnë të njëjtat probleme, të njëjtat motive na inspirojnë. Duket sikur edhe Galeria e ka vërejtur këtë dialog mes punimeve tona andaj dhe ne e kemi mirëpritur”, tha tutje Goranci. Ekspozita me punimet e Shqipe Kamberit e Mjellma Gorancit, do të qëndroi e hapur edhe për dy javë në Galerinë “Monet”./KultPlus.com

Britanikja: 7 arsye për të shkuar në Shqipëri

Britanikja “Metro” i ka dedikuar Shqipërisë një artikull nën titullin “7 reasons to go to Albania”/ “7 arsye për të shkuar në Shqipëri”.

Në të gjithë artikullin shtjellohen shtatë arsyet që “Metro” e nis me festivalin “Kala” në Dërmi, ku mund të kërceni gjithë natën.

Mund të kërceni gjithë natën
Roy Ayers, Todd Terje dhe Black Madonna do jenë prezent në festivalin një javor të muzikës “Kala”, i cili zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, në Dhërmi prej të mërkurës. Krahas muzikës, disko, jazz dhe techno në fokus janë edhe masazhet, yoga në perëndim të diellit dhe rafting në Kanionet e Osumit.

Ose shijoni plazhin
Ju mund të kaloni një jetë të tërë duke eksploruar 265 kilometra bregdetare të Shqipërisë, por në vend të një jete, drejtohuni në rivierë. Duke u shtrirë nga Saranda në jug të Vlorës në veri, pjesa më e madhe e këtij rajoni ishte një zonë ushtarake gjatë kohës komuniste dhe është kryesisht e pazhvilluar. Aty ku mungojnë vendpushimet luksoze, plazhet janë më të izoluara dhe ofrojnë më shumë privatësi, por edhe vendet janë më të lira dhe do kurseheni goxha.

Zbuloni një botë të lashtë
Një nga arkeologjitë më të rëndësishme në Shqipëri është Butrinti, i cili është pjesë e Trashëgimisë së UNESCO-s dhe rrënojat e tij datojnë që nga shekulli i tetë p.e.s. Qyteti qendror i Beratit, i shënuar edhe në Unesco dhe rreth pesë orë larg, është i mbushur me kisha bizantine dhe xhami otomane të lidhura me rrugë të lashta me kalldrëm. Mos harroni Voskopojën, i njohur si fshati i artistëve për shkak të piktorëve të shumtë që ka nxjerrë.

Shihni nga afër problemet e pasluftës
Peizazhi i rrokullisur është i mbushur me bunkerë nga epoka e pasluftës. Më i madhi – bunkeri atomik që i përket ish-diktatorit Enver Hoxha – u hap në 2014 si Bunk’Art 1, një muze mbi historinë dhe sekretet e regjimit të tij.

Kjo u pasua nga Bunk’Art 2 në vitin 2016. Ju gjithashtu mund të vizitoni Shtëpinë e errët të gjetheve, një vilë të veshur me hardhje në kryeqytetin Tiranë që dikur ishte selia e shërbimit sekret shqiptar dhe tani është i hapur si Muzeu i Mbikëqyrjes. Gjithashtu mos harroni dhe ishullin e Sazanit, një bazë ushtarake e braktisur jashtë brigjeve të Vlorës.

Provoni koktejet në lokalet e shumta të Tiranës dhe për këtë drejtohuni në Bllok, lagje në kryeqytet.
Pjatat e shijshme nga ushqimi mesdhetar do e kthejë vaktin tuja në një festë.
Ose mund të vizitoni malet e larta dhe liqenet e thella
Në veri, Alpet shqiptare posedojnë një bukuri të egër që nuk e gjen askund. Historia e rajonit është e mbyllur në gjakmarrjet e lashta dhe folklorin, dhe jeta bujqësore mbetet e pandryshuar prej shekujsh – mos u habitni kur të shihni fermerët që tokën e lërojnë akoma me kaun dhe zgjedhën. Në lindje të vendit, ujërat kristalizuese të Liqenit të Ohrit janë si diçka nga parajsa. Poshtë në jug, shumica e turistëve shkojnë në anën maqedonase për arkitekturën osmane dhe kishat bizantine, por nuk e humbasin qytetin e Pogradecit për një ‘shije’ ndryshe.

Rasti i një çifti të ri shqiptar formon shoqatën franceze humanitare

Rrethina e Plaisance du Gers në Francë, është duke u organizuar për të mirëpritur emigrantët. Rreth pesëdhjetë vetë u mblodhën të enjten, për të diskutuar në lidhje me krijimin e një shoqate për ndihmë ndaj emigrantëve. Rasti që e ka inicuar këtë veprim është i një çifti të rinjsh shqiptarë, i cili ka arritur në Francë me fëmijën e tyre, pasi është kërcënuar me vdekje në Shqipëri. Në Francë, ata duan vetëm të jetojnë në paqe, të krijojnë familjen dhe ta dëshmojnë forcën e tyre të punës. Tani ata e mbizotërojnë një gjuhë të huaj, e cila para ardhjes së tyre ishte e pakuptueshme.

Debati ka filluar. U parashtrua çështja nëse duhet ndihmuar të sapoardhurit apo vetëm bashkëqytetarët e varfër, të cilët gjithashtu vuajnë. Në sallë u zhvillua një diskutim i gjallë dhe legjitim. Por shumica vendosi: Detyra e tyre është që të ndihmohen të gjithë ata që vuajnë. Gjatë kësaj, është themeluar Shoqata humanitare franceze “Një çati për tjetrin”, statuti i së cilës është miratuar unanimisht, shkruan “Sud Ouest”, përcjell Albinfo.ch. Qëllimi i saj është që të përkrahen në kuadrin ligjor, azilkërkuesit që vijnë në Riviere-Basse, për t’u siguruar atyre ndihmën morale, ligjore dhe materiale për të cilën ata kanë nevojë për të mbrojtur kërkesën e tyre.

Një bord drejtues prej 15 anëtarësh do të mbikëqyrë strukturën e re, ndërsa një kolegj prej gjashtë personash do të ndajë menaxhimin e përditshëm. Shoqata është fokusuar në rastin e çiftit shqiptar. Bëhet fjalë për grumbullimin e provave konkrete, prova për të verifikuar realitetin e kërcënimit të çiftit, vërtetësinë e deklaratave të tyre. Atyre do tu jepet ndihma e nevojshme juridike, për të rikonstruktuar këtë rast që është mjaft argumentues. Në të njëjtën kohë, po bëhen përpjekje që çifti të strehohet përkohësisht nën një çati, nëse është e mundur në Plaisance, t’u ofrohen mobile dhe pajisje minimale për amvisëri, të vazhdojnë mësimin e gjuhës dhe kulturës frënge.

Një organizim që kërkon fonde, mjete materiale për të cilat apelohet për bujarinë e të gjithëve. Është krijuar një rrjet i donatorëve të rregullt. Shoqata është laike dhe apolitike. Vullneti i mirë dhe aftësitë janë të mirëseardhura.

Për më shumë informata, duhet kontaktuar selia e shoqatës, në “Boutique des solidarités”, 79, rruga Adour në Plaisance.

Dashuria e Hemingway për shoqen e klasës

Betsy Fermano së fundmi e kishte vërejtur emrin e gjyshes së tij, përderisa ishte duke ecur përgjatë një ekspozite të Ernest Hemigway, në Bibliotekën John F. Kennedy. Frances Elizabeth Coates ishte shoqja e klasës së Hemigway, e dashura e tij jetë – shkurtë, dhe gjyshja e Fermanos. Fermano ishte i vetmi në familje që deri tani dinte për këtë romancë, nga letrat e vjetra të gjyshes së tij.

Edhe pse marrdhënia e tyre kishe përfunduar me përfundimin e shkollës, letrat e ruajtura nga Coates janë dëshmia e një mardhënie të vazhdueshme. Sandra Spanier, redaktore e projektit “Letrat e Hemingway”, pretendon se letrat e publikuara nga Fermano e tregojnë një anë plotësisht të ndryshme prej asaj që ne e dim deri tani nga veprat e Hemigway.

Kur 19 vjeçari Hemingway ishte plagosur gjatë Luftës së Parë Botërore, ai i kishte shkruar motrës së tij duke e lutur atë të ti kërkonte Coates ti shkruante.

Pavarësisht se kjo dashuri vinte kryesisht vetëm nga ana e Hemigway, Coates i ruajti letrat e tij për pothuasje 100 vite, pranë artikujve të tjerë të prerë nga gazetat, të cilat shkruanin për jetën e Ernestit: rritja e tij si shkrimtar, martesat e tij, dhe vetëvrasja e tij eventuale. Ajo madje e shkroi edhe një tregim të shkurtër për një mik të quajtur “Ernie”, e cila kishte mbetur e papublikuar, e ngjitur me një foto të Ernest Hemigwayit nga shkolla e mesme.

Coates ishte shumë e fshehur rreth mardhënies së saj me shkrimtarin e ri, por ajo me kujdes e përshkruante atë si “si një djalë i vështirë, një person ngatërrestar me flokë shumë të errët dhe me buzë të kuqe. E gjithë fytyra e tij shpërbëhej kur ai qeshte”.

Letra e fundit e shkëmbyer nga këto të dy ishte në vitin 1927, pas lindjes së djalit të parë të Hemingway-it. Coates i shkroi Heminway-it duke i thënë se ajo e ka pëlqyer shumë shkrimin “The Sun Also Raises” dhe do të dëshironte shumë ta shihte atë. Për fatin e keq te Hemigway, edhe burri i saj dhe shoku i klasës së Hemingwayit dëshironte gjithashtu ta takonte atë.

Askush nuk e di nëse shkrimtari i madh u është përgjigjur ose nëse këta janë takuar, shkruan Filozofia. Al.

Tre shkrimtarë të njohur shqiptarë në një fotografi të rrallë (FOTO)

Dritëro Agolli, Rexhep Qosja dhe Alfred Uçi janë tre emra të njohur që kanë kontribuar në letërsinë dhe gjuhën shqipe, shkruan KultPlus.

KultPlus sot ju përcjellë një fotografi ku shihen së bashku Dritëro Agolli, Rexhep Qosja dhe Alfred Uçi. Fotografia është shkrepur në vitin 1972 në Tiranë, ndërsa është publikuar ditë më parë nga Micky Haxhiislami./ KultPlus.com

Gazel i dashurisë së beftë

Poezi e shkruar nga Federiko Garcia Lorka.
Përktheu: A. Plasari

Askush nuk e kuptonte parfumin
E manjolës së errët të barkut tënd.
Askush nuk e dinte që torturoje
Një kolbër dashurie ndër dhëmbë.

Njëmijë kalushë persianë flinin
Në sheshin me hënë të ballit tënd,
Ndërsa unë – katër net që rrokja
Belin tënd, ku borë kurrë s’pat rënë.

Mes allçie e jaseminësh, degëz të zbehtë
Prej farëzash shihja vështrimin tënd.
Shkronjat e fildishta që thonin “Gjithmonë”
Kërkoja nga gjiri për të t’i dhënë.

Gjithmonë, gjithmonë… kopsht i agonisë,
Të ikshëm e përfytyroj kurmin tënd,
Gjakun e damarëve të tu në gojën time,
Gojën tënde pa dritë që më vdes në vend.

Në ankand një dorëshkrim i jashtëzakonshëm i «Dasmës së Figaros»

Versioni i parë i një arieje të njohur të «Dasmës së Figaros» të Mozartit, i vlerësuar deri në 500 000 euro, dhe një serenatë e rinisë së kompozitorit, do të dalin në ankand më 20 qershor në Paris, sipas kompanive të ankandeve.

Këto dorëshkrime muzikore janë pjesë përbërëse e një koleksioni të madh, të mbledhur nga «Aristophil», kompania franceze në qendër të një mashtrimi në shkallë të gjerë në dëm të aksionerëve të vegjël.

E vlerësuar 500 000 euro, një dorëshkrim i cilësuar i jashtëzakonshëm, tregon versionin e parë të një skene të aktit të fundit te «Dasma e Figaros» (1786).

Dorëshkrimi pritet të dalë në ankand nga kompania «Ader Nordmann», të mërkurën e ardhshme.

E titulluar «Scena con Rondo” (Skena me Rondon) këto katër faqe janë veçanërisht të rëndësishme, pasi ato zbulojnë Mozartin në punë, në valën e meditimit.

Dorëshkrimi i dytë është një fragment i një serenate të moshës së rinisë së Mozartit, e kompozuar në Vjenë në korrik-gusht të vitit 1773, me shumë gjasa me kërkesë të kancelarit të landit të Salzburgut, një mik i familjes Mozart, për të festuar përfundimin e studimeve të djalit të tij.

E vlerësuar deri në 150 000 euro, partitura e një ”teksti orkestral skicë” sipas kompanisë së ankandeve ”Aguttes”, u kompozua nga Mozart kur ishte vetëm 17 vjeç.

E krijuar në vitin 2003, kompania « Aristophil » u propozoi rreth 18 000 aksionerëve për të investuar kursimet e tyre në dorëshkrimine prestigjioze, që do të kishin një çmim shumë më të lartë në raport me çmimin e tregut.

Mashtrimi arrin në përvetësimin e 850 millionë euro kursime të këtyre aksionerëve, ku disa humbën të gjitha kursimet e tyre dhe prej dy vitesh po presin daljen në shitje të koleksioneve./

Perandoria Osmane hapi qindra shkolla serbe në Kosovë

Shekulli i nëntëmbëdhjetë u përmbyll me përpjekjet e pafrytshme të rilindësve për të siguruar shkolla shqipe në katër vilajetet me shumicë shqiptare në Perandorinë Osmane.

Derisa mësimi shqip konsiderohej ilegal dhe ndaj arsimdashësve bëheshin persekutime nga më të ndryshmet, e njëjta nuk mund të thuhet edhe për shkollat serbe në Vilajetin e Kosovës, shkruan Konica.al.

Krijimi i shtetit autonom serb më 1830 nën suzernitetin e Sulltanit dhe njohja e ndërsjellë nga Porta e Lartë do t’i jepte dritën jeshile hapjes së shkollave laike serbe edhe jashtë territorit të Serbisë autonome.

Së këndejmi, serbët siguruan leje për hapjen e shkollave të para në Prizren qysh me 1836. Vite më vonë, me 1848 hapen shkolla të ngjashme serbe edhe në Graçanicë, Vushtrri dhe Pejë.

Kulmi i të drejtave kulturore dhe arsimore të serbëve në Vilajetin e Kosovës do të arrinte me hapjen e seminarit ortodoks në Prizren më 1871, i njohur si «Bogoslovija», që sipas fjalëve të studiuesit Robert Elsie, përbënte edhe bërthamën e parë universitare në Kosovë.

Përkrahja e vazhdueshme nga ana e Qeverisë së Beogradit por edhe lehtësirave që krijonte qeveria osmane solli shtimin konstant të numrit të shkollave serbe gjithandej Vilajetit të Kosovës.

Një studim i bërë së fundmi thotë që në vitin shkollor 1893/94 vetëm në sanxhakun e Prishtinës funksiononin 27 shkolla serbe për meshkuj dhe 4 të tjera për femra, me gjithsejtë 1149 meshkuj dhe 207 femra.

Në kapërcyell të shekullit nëntëmbëdhjetë vlerësohej se 1/3 e nxënësve në shkollat serbe ishin femra. Rrjeti i shkollave laike dhe kishtare serbe në Vilajetin e Kosovës do të fitonte edhe të tjera lehtësira nga autoritetet e Vilajetit.

Brenda rrugëve legale, në Graçanicë funksiononte edhe shtypshkronja kishtare, në të cilën më 1884 u shtyp libri i parë i leximit për shkollat serbe në vilajet, e një vit më vonë do të shtypej edhe abetarja e parë në serbisht.

Në gazetën «Prizren», organ zyrtar i Vilajetit të Kosovës që botohej në osmanisht dhe serbisht, në një nga numrat e parë jepej me pompozitet lajmi për hapjen e shkollave serbe se «Me simpati lajmërohet urdhri i vilajetit, që në çdo fshat, që ka më se 100 shtëpi, të ndërtohet një shkollë e bukur».

«Mearif Nezareti», ose Ministria e Arsimit në Qeverinë osmane që ishte themeluar qysh në vitin 1857, nuk dha leje për shkolla shqipe as edhe atëherë kur rilindësit shqiptarë në Stamboll po e problematizonin këtë çështje gjithnjë e më zëshëm, madje edhe në instancat më të larta të shtetit osman.

E vetmja shkollë shqipe në Vilajetin e Kosovës ishte ajo e hapur nga shkodrani, Mati Logoreci. Ajo u hap në vitin 1889 në Prizren në shtrëngesën e aktivitetit ilegal, bashkë më mësuesin Lazër Lumezi. /konica.al/

Fotografia që dëshmon kohën kur shqiptarët kanë nisur të emigrojnë në SHBA (FOTO)

Shqiptarët kanë nisur të emigrojnë që në shekullin e 19-të drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përcjellë KultPlus.

Në fillim të shekullit të 20-të u organizuan rreth 150 shoqëri të cilat do të dhanë kontribut në organizimin e jetesës së emigrantëve shqiptarë, duke ndjekur shembullin e komuniteteve të tjera. Në vitin 1912 u formua federata “Vatra” që bashkoi në një organizëm të vetëm këto organizata.

“Virtuozi” Klaudio Zoto në Eurovizionin e Muzikantëve të Rinj

Tre muaj më parë, Klaudio Zoto ishte një nga shtatë finalistët e “Virtuozët”, i pari spektakël që solli në ekran konkurrimin mes të rinjve që zgjedhja e tyre artistike është muzika klasike.

Në Gusht, i riu do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision Young Musicians”, në garën evropiane të muzikantëve të rinj, që këtë vit zhvillohet në Edinburgh të Skocisë.

14-vjeçari violonçelist fitoi mes 41 konkurrentëve në edicionin e parë të “Albanian Young Musicians”, “Konkursi Shqiptar i Muzikantëve të Rinj”, ku garonte edhe Laura Llozi fituesja e madhe e “Virtuozët”, apo Tedi Tola një tjetër talent i spektaklit në Televizionin Klan.

Klaudio Zoto është i pari shqiptar që shkon në këtë konkurrim mes muzikantëve më të mirë nga Evropa për 2018-ën. Ai zhvillohet prej 19 edicionesh. Koncerti final prihet nga kualifikimet në dy gjysmëfinale.

Më të mirët do të luajnë në instrumentet përkatës të shoqëruar nga Orkestra Simfonike Skoceze e BBC, nën dirigjimin e Thomas Dausgaard në mbrëmjen e 23 Gushtit në sallën e koncerteve “Usher Hall”./ Tv Klan

Nesër lansohet kampanja “Bëhu zëri im”

Në shënimin e 19 Qershorit – Dita Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikte – Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në bashkëpunim me Medica Gjakova (MGJ), do të lansojë kampanjën ‘Bëhu zëri im.’

‘Bëhu zëri im’, ka për qëllim që përmes ndërgjegjësimit të shoqërisë mbi pasojat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, të promovojë qasjen gjithëpërfshirëse dhe trajtimin e dinjitetshëm për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Kampanja synon luftimin e stigmës dhe paragjykimeve shoqërore karshi viktimave – të mbijetuar të dhunës seksuale.

Po ashtu, ‘Bëhu zëri im’ bën thirrje për mbështetje më të fuqishme, brenda familjes, komunitetit dhe shoqërisë në inkurajimin e viktimave për aplikim për njohjen e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale.

“Për gati dy dekada, viktimat e dhunës seksuale qëndruan të heshtura, të nëpërkëmbura dhe të margjinalizuara. Një pjesë e mirë e fajit dhe përgjegjësisë për këtë stigmatizim dhe harresë, vjen nga heshtja kolektive shoqërore që mbretëron qysh nga përfundimi i luftës.

Padyshim, që kjo situatë në të cilën ndodhen ato, është e papranueshme për një shoqëri që mëton standarde demokratike. Një kohë të gjatë, ato mbetën pa mbështetje, të braktisura dhe të përbuzura. Kështu që, përveçse viktima të krimit e të dhunimit, ne lejuam që ato të shndërroheshin edhe në viktima të përjashtimit, padrejtësisë dhe braktisjes shoqërore.

Andaj, sot ka ardhur koha, që përtej njohjes dhe mbështetjes institucionale, ne të bëhemi zëri i tyre, aty ku jemi, në punë, në shkollë, në institucione, në familje….dhe kudo tjetër. Pra t’i japim zë të pazëshmëve!
Eja edhe ti, bëhu zëri i tyre!”, thuhet ne njoftimin për medie./ KultPlus.com

Dashuria

Poezi nga Fahredin Shehu.

Thyej vegimin me rrezen e artë
Si shkëmb shkretëtire rërëzohet
Ditë e rëndë dhe e zjarrtë
Ndërton veten kur degëzohet

Në mrekullinë e huaj lëviznim
Në imagjinatën time amshim
Qielli ky i dashuri im
E ka diellin që shkreptinë

Hap kupën ta zë lëngun
Ta deh shpirtin e t’u shmangem
Kolonisë krijesash për kurban
Sepse jam ai që do të shoh mëtanë

Ku lind fëmija si engjëll
Dhe njeriu si pjell e tij
Ku lind dëshira si dashuri
Dhe DASHURIA si mrekulli.

Ka vdekur Martin Bregman

Martin Bregman, producenti i famshëm i Hollyvood-it, krijuesi i filmit-kult Scarface dhe regjisori që zbuloi Al Pacinon, ka ndërruar jetë në moshën 92-vjeçare, kanë raportuan mediat amerikane duke iu referuar dhe lajmit të dhënë nga gruaja e tij.

Bregman ishte gjithashtu zbulues dhe përgatitës i shumë yjeve të tjerë të Hollyvood-it, si Barbra Streisand, Woody Allen, Faye Dunaway, Candice Bergen dhe Bette Midler, shkruan TeSheshi.

Siç raportohet nga WNBC, funerali i Martin Bregman do të jetë privat./ KultPlus.com

Magjia e kalasë së Porto Palermos tërheq rreth 4 mijë turistë

Peizazhet piktorekse, monumentet e kulturës dhe ujërat e kristalta, po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë vendas e të huaj drejt Shqipërisë gjatë këtj viti.

Një ndër monumentet më interesante sa i përket historisë së saj dhe pozicionit ku ndodhet, është edhe kalaja e Porto Palermos, në gjirin me të njëjtin emër në bregun e detit Jon.

Sapo kalon Himarën, përballesh me një panoramë të mrekullueshme të detit dhe në mes si një ishull i vogël duket vendi ku është ndërtuar kalaja e Porto Palermos.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Vlorë bën të ditur për ATSH-në se “që prej muajit janar deri në mesin e qershorit kjo kala është vizituar nga 3 753 turistë, shumica e të cilëve janë të huaj”.

Sipas DRKK, Vlorë, 2908 nga këta vizitorë janë të huaj dhe 760 vendas, ndërsa gjatë stinës së verës pritet që numri i turistëve të rritet edhe më shumë.

Bukuria e kësaj kalaje, e ndërtuar rreth dy shekuj më parë, e tëra me konstruksion guri, është një prej më interesanteve për turistët dhe turizmin shqiptar.

Kalaja e Porto Palermos ndodhet mbi një ishull rreth 30 m larg bregut ku rripi i ngushtë ujor midis bregut dhe ishullit është mbushur me dhe e gurë për të realizuar një lidhje tokësore me të. Ajo është një nga sarajet e shumta të strategut Ali Pashë Tepelena, të cilat ai jo pa qëllim i ndërtonte në pika strategjike. Por kjo kala, qëndron në mes të detit dhe legjendës. U ndërtua nga Ali Pasha si një dhuratë për një nga gratë e tij, Vasiliqinë, të cilën, sipas kronikanëve të kohës, Pashai i Janinës e kishte shumë për zemër.

Bukuria dhe madhështia e kësaj kalaje ka zënë vend në shumë libra kushtuar Ali Pashës. Për të, ashtu si dhe shumë të tjerë, ka shkruar dhe Aleksandër Dyma, autori i “Konti Monte Kristos”.

Ajo ka fituar statusin “Monument Kulture “dhe është nën kujdesin e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Kështjella u ndërtua nën kujdesin e arkitektit Petro Përmetari dhe të një arkitekti italian./

Kështjella më e bukur e braktisur në botë

Jahz, është një fotograf francez i cili realizon fotografi të vendeve të braktisura.

Gjatë tërë karrierës, ai ka vizituar vende të ndryshme të botës. Nga të gjitha vendet e braktisura, ai ka vizituar edhe Kështjellën Miranda. Duke i realizuar fotografitë dhe duke mbledhur informacione, ka deklaruar se është kështjella më e bukur e braktisur në botë, transmeton Koha.net.

Kështjella Miranda është ndërtuar në shekullin e 19-të, në një provincë në Namur të Belgjikës.

Por që nga tetori i 2017-ës, Kështjella është shkatërruar plotësisht dhe pak herë vizitohet.

Kështjella u ndërtua nga arkitekti Edward Milner.

Kështjella është bosh që nga viti 1991, pasi shpenzime për ta ringjallur janë tejet të mëdha dhe kërkesa për investitorë ka dështuar disa herë./ KultPlus.com