Letra e Charlie Chaplin për të bijën: Mos e shit zemrën tënde për flori

Letra e Charlie Chaplin dedikuar bijës së tij, Geraldina.

“Unë flas me ty për paratë edhe pse e di forcën e tyre djallëzore. Unë kalova shumë kohë në cirk dhe gjithnjë u shqetësova shumë për pehlivanët në tel. Por më duhet të të them, se në tokën e fortë, njerëzit rrëzohen më shpesh, se pehlivanët në telin e lëkundshëm. Mund të ndodhë, që në një nga mbrëmjet e bujshme, ti të verbohesh nga shkëlqimi i brilanteve.

Është, pikërisht, ky moment, që të vendos ty mbi telin e rrezikshëm, nga ku rrëzimi bëhet i paevitueshëm. Në një ditë të bukur mund të të shfaqet fytyra e bukur e një princi. Tamam atë ditë, ti bëhesh një pehlivane pa eksperiencë, dhe…. ata pa eksperiencë bien ngaherë. Mos e shit zemrën tënde për flori dhe gjëra të shtrenjta. Ta dish, brilanti më i madh është dielli. Lumturisht, ai shkëlqen për të gjithë. Dhe, kur të vijë koha që ti do të dashurosh, duhet ta duash atë njeri me gjithë zemër. Unë i thashë nënës tënde, që ajo të të shkruante lidhur me këtë.

Ajo e kupton dashurinë më mirë nga unë, ndaj është më mirë që ajo të flasë me ty për këtë. Puna jote është e vështirë, unë këtë e di. Trupi yt mbulohet vetëm me pak mëndafsh. Kënaqësia e artit mund të kërkojë që të shfaqesh në skenë edhe lakuriq, por duhet të kthehesh prej andej jo vetëm e veshur, por edhe më e pastër. Unë jam plak dhe fjalët e mia mund të tingëllojnë të çuditshme. Por, sipas meje, trupi yt i zbuluar, duhet t’u përkasë atyre që dashurojnë lakuriqësinë e shpirtit tënd. Mos u frikëso, po qe se kuptimi im për këtë çështje të duket shumë i vjetër dhe u përket kohëve të shkuara. Mos u tremb, këto dhjetë vjeçarë nuk të plakin. Por, unë dëshiroj që ti të jesh e fundit, prej atyre që do të bëhen qytetarë të ishullit të karkaculëve. Unë e di, që midis etërve dhe fëmijëve, gjithnjë, zhvillohet një duel.

Unë luftoj me veten, me mendimet e mia, vajza ime! Nuk i dua fëmijët e nënshtruar. Ndërkaq, përpara se nga sytë e mi të pikojnë lot mbi këtë letër, unë dëshiroj të besoj, që kjo është nata Krishtlindjeve, nata e mrekullisë. Dua që të ketë ndodhur mrekullia dhe ti, vërtet, t’i kesh kuptuar të gjitha ato që dëshiroja të të thosha. Çarli tani u plak, Geraldina. Shpejt ose vonë, në vend të fustanit të bardhë të skenës, do të të duhet të veshësh teshat e zisë, për të ardhur tek varri im. Tani, nuk dua të të shqetësoj më shumë. Vetëm sa herë do të shihesh në pasqyrë, atje do të shikosh tiparet e mia. Në dejet e tua rrjedh gjaku im. Madje, edhe kur rrjedha e gjakut në arteriet e mia do të ketë ndaluar, unë dua që ti të mos e harrosh babain tënd, Çarlin. Unë nuk kam qenë engjëll, por gjithnjë u përpoqa të jem njeri. Përpiqu edhe ti.

Të puth, Geraldina. Çarli yt”./ KultPlus.com

Kofi Annan: Është e vështirë, në praninë e tmerreve të tilla, të mos e humbësh tërësisht besimin në njerëzimin

Fituesi i Nobelit për Paqe i vitit 2001, dy vjet para se të nderohej me këtë çmim, në shënimin e njëqindvjeçarit të Konferencës Ndërkombëtare të Paqes në Hagë, kishte adresuar çështjen e Kosovës.

Më poshtë keni deklaratën e plotë të Annan:

Hagë,

18 Maj, 1999

Jam i privilegjuar që ju bashkohem sot në këtë komemoracion historik. Po takohemi në një kohë lufte për të përsiatur çmimin e paqes. Po takohemi që t’i nderojmë burrat dhe gratë vizionarë që kërkuan ta bëjnë shekullin e njëzetë më paqësor se atë të mëparshmin. Po takohemi që ta nderojmë fuqinë e shpresës para eksperiencave njerëzore. Sidoqoftë, është jo vetëm shpresa, por njashtu edhe frika, që na kanë bërë bashkë sot – frika e përsëritjes së tmerreve të luftës dhe gjenocidit, tmerreve që nuk do të mund t’i imagjinonte asnjë anëtar i Konferencës së Hagës më 1899.

E dimë që kauza e tyre – sot, njëqind vjet më vonë – është pos më e rëndësishme, më e nevojshme, më urgjente. E dimë këtë sepse po takohemi në hijen e një lufte që risjell më të keqen e shekullit tonë – krimet kundër njerëzimit, vrasjet masive, dhe dëbimin në masë të një populli të tërë thjesht shkaku i asaj që janë. Është e vështirë – në praninë e tmerreve të tilla – të mos e humbësh tërësisht besimin në njerëzimin. Pas tërë asaj që ky shekull e ka duruar, nëse Evropa nga ana e vet mund t’i shohë prapë krimet në Kosovë, a mundemi fare të arsyetohemi kur flasim për progresin njerëzor? Si mund të themi që konferencat si ajo e Hagës na kanë tërhequr nga tehu i shkatërrimit, kur humnera na shfaqet përpara në ekranet e televizorëve tanë secilën orë të secilës ditë?

Sot, dëshiroj ta ofroj një përgjigje që disave mund t’ua japë ca shpresë për të ardhmen, por po ashtu që të zbuloj se sa larg jemi nga realizimi i vizionit të atyre që i nderojmë sot. Kur ata u mblodhën në këtë qytet 100 vjet më parë, qëllimi i tyre ishte jo që t’i jepnin fund luftës, por ta parandalonin një të tillë në të ardhmen. Ata ishin pionierë të parandalimit të konfliktit. Kërkonin zhvillimin e instrumenteve për zgjidhjen paqësore të krizave, parandalimin e luftërave dhe kodifikimin e rregullave të luftës, synonin të sillnin parime bazë të humanitetit brenda aspektit më johuman të ekzistencës. Të gjitha përpjekjet e tyre ishin inspiruar, me fjalë të Preambulës, nga “dëshira për t’i zvogëluar ligësitë e luftës, aq shumë sa lejojnë kërkesat ushtarake”. Këto fjalë munden t’i shfaqin fort mirë limitet dhe arritjen e Konferencave së Hagës.

Me gjithë dështimin kryesisht në fushën e kufizimit të armatimit, ata ishin të suksesshëm në marrëveshjet paqësore të konflikteve ndërkombëtare. Ata rezultuan në shumë raste të arbitrazheve të suksesshme ndërkombëtare, sa i përket definimit të natyrës së arbitrazhit dhe kodifikimit të rregullave të procedurave të tij. Lindën Idenë e një gjykate të përhershme ndërkombëtare që çoi në themelimin e Gjykatës së Përhershme të Drejtësisë Ndërkombëtare më 1922, pararendëse e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në një kuptim më të gjerë, fryma dhe ideja pas Konferencës së Hagës, hapi rrugën për krijimin e vetë Kombeve të Bashkuara. Një regjim ligjor i paqes ndërkombëtare dhe sigurisë ishte institucionalizuar përmes Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke i obliguar shtetet nënshkruese me një rang të gjerë kufizimesh në përdorimin e forcës.

Ajo që është e qartë jo vetëm nga forma e ligjit ndërkombëtar – por gjithashtu edhe nga realiteti i konfliktit sot – është një përpjekje dinamike që kërkon vendosmëri të vazhdueshme nga të gjithë ata që kërkojnë bashkë-ekzistencë paqësore mes kombeve. Që nga 1996, kemi parë adaptimin e Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, hyrjen në fuqi të Konventës për Armë Kimike, hyrjen në fuqi të Konventës së Minave Tokësore, dhe mbi të gjitha, adaptimin e Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Gjykata Penale Ndërkombëtare, sipas meje, përfaqëson aktin më të madh të vetëm të progresit të drejtësisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Adaptimi i Statutit ishte një hap i madh drejt universalizimit të luftës kundër mosndëshkimit duke përfshirë secilin shtet, secilin lider, dhe secilën ushtri fajtore për krimet kundër njerëzimit tonë të përbashkët. Sidoqoftë, sundimi i ligjit në raport mes Shteteve nuk mund të kufizohet vetëm në ligjvënie Respekti ndaj obligimeve ligjore ndërkombëtare është një bërthamë e domosdoshme e sistemit të cilin e kërkojmë. Prandaj përtëritja efikasitetit dhe rëndësisë së Këshillit të Sigurimit duhet të bëhet gur-themel i përpjekjeve tona për të promovuar paqen ndërkombëtare dhe sigurinë në shekullin e ardhshëm.

Që prej fundit të Luftës së Ftohtë, bota ka parë raste të rëndësishme në të cilat Këshilli ka reaguar me përgjegjësi dhe ka legjitimuar operimet paqeruajtëse dhe përdorimin e forcës kur ato ishin të drejta dhe të nevojshme. Amerika Qendrore dhe ndryshimi i agresionit të Irakut kundër Kuvajtit janë shembuj kryesorë që Këshilli i Sigurimit e ka luajtur rolin që i ishte paraparë nga themeluesit e tij.

Sidoqoftë, së fundi ka qenë një tendencë për të ardhur keq që Këshilli i Sigurimit të mos përfshihet në përpjekjet e ruajtjes së paqes ndërkombëtare dhe sigurisë. Rasti i Kosovës e ka bërë të qartë faktin që Shtetet Anëtare dhe organizatat rajonale nganjëherë ndërmarrin veprime pa autorizimin e Këshillit të Sigurimit.

Një trend paralel ka qenë shpërfillja e sanksioneve ndërkombëtare të vendosura nga Këshilli i Sigurimit nga Shtetet individuale Anëtare, madje edhe nga organizatat rajonale. Përpos kësaj, Shtetet kanë dështuar që të bashkëpunojnë me Këshillin e Sigurimit në një sërë fushash, që prej çarmatimit dhe Mospërhapjes e deri te bashkëpunimi me Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi dhe me misionet hetuese të Kombeve e Bashkuara për të drejtat e njeriut.

Sigurisht, interesi kombëtar luan një rol shumë të madh dhe të përhershëm në vendimin në disa raste të Shteteve për të zgjedhur alternativa ndaj sigurisë kolektive. Për më tepër, mospërhapja e marrëveshjeve rajonale dhe nën-rajonale, preferenca për të ashtuquajturat “koalicione të të gatshmëve “, pikëpamjet divergjente në rritje përbrenda Këshillit, dhe dalja e një Superfuqie të vetme dhe Fuqive të reja rajonale, të gjitha këto kanë kontribuuar në situatën aktuale.

Sipas meje, ajo që ka qenë më shqetësuese ka qenë paaftësia e Shteteve që t’i pajtojnë interesat kombëtarë kur diplomacia vizionare dhe e shkathët e bënte të mundur unitetin. Interesi kombëtar është tipar i përhershëm i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i jetës dhe punës së Këshillit të Sigurimit. Por teksa bota pandryshuar thellësisht që prej fundit të Luftës së Ftohtë, besoj që konceptimet tona të interesit kombëtar kanë dështuar që të ndiqen , dhe kjo duhet të ndryshojë.

Një definicion më i ri – me përkufizim më të gjerë dhe me konceptim më të shtrirë – i interesit kombëtar në një shekull të ri, jam i bindur, që do t’i stimulonte Shtetet që të gjejnë unitet shumë më të madh në ndjekjen e një Karte kaq themelore vlerash si demokracia, pluralizmi, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit.

E them këtë pasi që besoj se na është prezantuar pikërisht një rast i tillë në Kosovë.

Siç mund ta kujtoni, reagimi im për vendimin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) për të ndërmarrë veprime pa kërkuar autorizim eksplicit të Këshillit të Sigurimit ishte i dyfishtë: Unë e identifikova Këshillin e Sigurimit si përgjegjës kryesor për ruajtjen e paqes ndërkombëtare dhe sigurisë. Me theks të njëjtë, po ashtu kam deklaruar që ishte refuzimi i një marrëveshjeje politike nga autoritetet jugosllave që e bëri këtë aksion të nevojshëm, dhe që, vërtetë, ka “raste kur përdorimi i forcës mund të jetë legjitim në kërkimin e paqes”.

Pendesa ime atëherë – dhe tash – është që Këshilli nuk mundi t’i unifikonte këto dy interesa të obligative – dhe dy prioritete obligative – të komunitetit ndërkombëtar. Kjo është fort e qartë: nëse Këshilli i Sigurimit rikthehet në pozitën e vet kryesore si burim i vetëm i ligjshmërisë në përdorimin e forcës, atëherë jemi rrugës së rrezikshme drejt anarkisë. Po aq e rëndësishëm, përpos nëse Këshilli i Sigurimit mund të bashkohet rreth synimit për konfrontim me shkeljet madhore të të drejtave të njeriut dhe krimeve kundër njerëzimit në shkallë si ato në Kosovë, atëherë ne do t’i tradhtojmë po ato ideale që inspiruan themelimin e Kombeve të Bashkuara.

Kjo është sfida thelbësore e Këshillit të Sigurimit dhe Kombeve të Bashkuara si tërësi në shekullin tjetër: të bashkohemi pas parimit që shkeljet madhore dhe sistematike të të drejtave të njeriut të kryera ndaj një populli të tërë nuk mund të lejohen që të qëndrojnë. Sepse në një botë ku globalizmi ka kufizuar aftësinë e Shteteve që t’i kontrollojnë ekonomitë e tyre, t’i rregullojnë politikat financiare , dhe ta izolojnë veten nga dëmtimi i ambientit dhe migrimi njerëzor, e drejta e fundit e Shteteve nuk mund të jetë e drejta për të skllavëruar, persekutuar apo torturuar qytetarët e vet.

Me fjalë të tjera, zgjedhja nuk duhet të jetë mes unitetit dhe mosveprimit të Këshillit përballë një gjenocidi – si në rastin e Ruandës, në një anë; apo ndarja e Këshillit, veprimi rajonal, sikurse në rastin e Kosovës, në anën tjetër. Në të dyja rastet, Shtetet Anëtare të Kombeve të Bashkuara është dashur të jenë në gjendje ta gjejnë një pajtim në mbështetjen e parimeve të Kartës, dhe të gjejnë unitet në të mirë të mbrojtjes së humanitetit tonë të përbashkët.

Në vigjilje të një mileniumi të ri, i kërkojmë këto Kombe të Bashkuara – të përgjegjshme ndaj një bote dinamike dhe të ndryshueshme, me respekt ndaj sovranitetit të Shteteve dhe të rikuperueshme në vendosmërinë e tyre që t’i avancojë të drejtat dhe liritë e njerëzve të botës. /Përkthimi i realizuar nga Klan Kosova. /KulPlus.com

Kofi Annan dhe Ibrahim Rugova së bashku në një fotografi

Më 1 Qershor 1998 Kofi Annan, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së pati vizituar Kosovën, në këtë fotografi ai shihet së bashku me Presidentin Ibrahim Rugova duke shtrënguar dorën njëri-tjetrit.

Kofi Annan, ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, i cili ndërroi jetë sot nga një sëmundje e rëndë, ka qenë padyshim një person kyç gjatë viteve 1999 ku në Kosovë kishte plasur genocidi serb.

Kofi Anan ka vizituar Kosovën por edhe kampet e refugjatëve gjatë luftë së fundit, në ato vite ai u takua me autoritetet lokale dhe pa nga afër lagjet e shkatërruara nga forcat serbe.

Gjatë kohës kur ai ishte pjesë e OKB-së, ndoqi me kujdes dhe përkushtim situatën e krijuar mes dy vendeve, ku akuzonte Serbinë për shkatërrimin e Kosovës dhe dënonte krimet e saj ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës. Ai insistoi dhe realizoi me sukses dy qëllimet që e favorizuan Kosovën, kthimi i refugjatëve të Kosovës dhe që Kosova të vihet nën administrimin e OKB-së, përpara se të nënshkruhej më vonë dhe paqja mes dy vendeve./KultPlus.com

Publikohet projekti për restaurimin e Kalasë së “Rozafës” në Shkodër

Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin për: “Ndërhyrje restauruese në Kalanë e Shkodrës”. Projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në muret e kalasë.

Kalaja e Rozafës në Shkodër është një vend atraktiv ku historia, arkitektura, peizazhi fantastik ndërthuren në mënyrë të përkryer, po mahnit gjithnjë e më shumë turistët e huaj dhe ata vendas dhe këto ndërhyrje janë të nevojshme, pasi i kthejnë këto vende në atraksione të denja për turistët.

Kjo Kala ngrihet mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit, e rrethuar nga ujërat e tre lumenjve: Drinit, Bunës dhe Kirit. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese të cilat zënë një sipërfaqe rreth 9 hektarë tokë. Kalaja hyrjen kryesore e ka nga verilindja.

Java News raporton se projekti përfshin të gjithë hapësirën e Kalasë, ku do të restaurohen dhe vihen në dukje rrëzë saj në anën jugore gjurmët arkeologjike që fillojnë nga Bronxi i hershëm. Në mes shek.V-IV p.e.r filloj ndërtimi i Kalasë me gurë ciklopike të puthitur pa llaç, gjurmë të të cilave ruhen edhe sot. Në antikitet zona përreth banohej nga fisi Ilir i Labeatëve dhe jo rastësisht historiani Tit Livi e quan “vendi më i fortë i labeatëve”.

Në këtë kohë qyteti merr hov të madh zhvillimi dhe si fakt për këtë përparim është monedha e përdorur qysh në vitin 230 p.e.s. Nga monedha mësojmë se Qyteti në këtë kohë është quajtur Scodrinon. Në vitin 181 p.e.s qyteti ishte kryeqendër e Mbretërisë Ilire me mbretin Genti në krye. Në këtë periudhë qyteti shtrihej në pjesën jugore të kodrës, i rrethuar me mure dhe porte hyrëse ndërsa mbi kodrën ku sot ngrihet Kalaja ishte ndërtuar Akropoli ilir.
Gjurmët më të dukshme të periudhës ilire në Kala i gjejmë në oborrin e vogël mes Barbakanës dhe portës së dytë si dhe në të majtë të kthesës hyrëse tek porta e dytë. Pikërisht në Kala dhe përreth saj gjatë shek.II p.e.s u zhvilluan luftërat me perandorin romake dhe në vitin 168 p.e.s, pushtohet nga ushtrija perandorake. Në periudhën e Dioklecianit qyteti (nga reformat e tij) bëhet qendër administrative e provincës së Prevalit.

Me dyndjet sllave qyteti pushtohet dhe gjatë shek.XI bëhet kryeqendër e shtetit të Zetës (në vitin 1040). Më vonë qyteti pushtohet një kohë të shkurtër nga bullgarët, por deri me sot nuk janë zbuluar gjurmë ndërtimesh të kësaj periudhe në Kala. Në shek.XIV qyteti bëhet qendër e rëndësishme autonome, madje më 1360 bëhet kryeqendër e Principatës së Balshajve. Më 1396 kalon nën sundimin e Venedikut dhe në këtë kohë qyteti quhet me emërtimin Scutari.

Në këtë periudhë, mes sundimit të Balshajve dhe pushtimit Venedikas Kalaja merr formën që ka dhe sot. Kullat mbrojtëse në oborrin e parë i përkasin kësaj kohe. Pas Balshajve ishin Venedikasit që vunë dorë në Kala, kryesisht në fortifikime dhe ndërtime me karakter ushtarako-administrativ. Me 1407-1414 ndërtohet Barbakania me qëllim mbrojtjen e hyrjes në kështjellë. I gjithë kompleksi i hyrjes përfundoi më 1468 kur pasi përballoi kryengritjet e popullsisë vendase në vitet 1405-1410 kundër sundimit Venedikas, kështjella po bëhej gati të përballonte pushtimin osman. Venedikasve i përket dhe një ndërtesë monumentale në oborrin e tretë me tre kate dhe e pajisur me frengji topash e njohur si Kapiteneria./ KultPlus.com

Çdo gjë kalon në jetë, atëherë dhe dielli kur të lind… (VIDEO)

Muharrem Qena, një shpirt i veçantë që krijoi art në fusha të ndryshme, me zërin e tij na la disa këngë të cilat dëgjohen edhe sot.

Përtej këngëve, tekstet e tyre të cilat shpesh i shkroi ai vet kanë vlerën e tyre dhe tej emocionit janë edhe të thella dhe poetike.

A thu asht ma lehtë pa dhimbje
A thu ma bukur pa lot
A thu ti ke me u kthye
Dhe prapë me qenë na të dy
A thu me është fati i tillë
A thu gjithmonë me vuajtje
A thue ti dot më kthehesh
Dhe prapë me qen na të dy

Çdo gjë kalon në jetë
Atëherë dhe dielli kur të lind
Mbas diellit prapë shi do t’ ketë
Kështu asht me të vërtetë

Ndoshta të tillë e kam fatin
Ndoshta gjithmonë me vuajtje
Ndoshta ti kurrë s’do t’më kthehesh
Edhe kjo ngjan në këtë jetë. /KultPlus.com

Orkestra gjermane sjell operën e harruar të Franz Lisztit

“Është 170 vjet e vjetër, por tingëllon shumë moderne”, është përshkrimi që David Trippett, profesor i asociuar në Fakultetin e Muzikës në Universitetin Cambridge i bën operës së papërfunduar të Franz Liszt, “Sardanapalo”.

Dorëshkrimi i aktit të parë të operës që do të duhej të ishte triaktëshe ka qëndruar në Arkivin e Goethes dhe të Schillerit në Weimar për më shumë se 100 vjet para se Trippett ta rizbulonte duke planifikuar diçka debutuese për të cilën “askush nuk kishte dëgjuar më parë”. Nga viti 1843 deri më 1861, Liszt (1811-1886) ishte udhëheqës i orkestrës që tash njihet si “Staatskapelle” në Gjermaninë Qendrore, në qytetin Weimar. Do të jepet premierë të shtunën Teatrin Kombëtar të Gjermanisë në këtë qytet, shkruan Koha.net

Para më shumë se 10 vjetësh, Trippett që asokohe ishte student në Akademinë e Muzikës në Leipzig, kishte udhëtuar me tren për në Weimar për të parë 111 faqet e operës në arkiv.

Opera e papërfunduar ka sfiduar aftësitë dhe dijen e Trippettit, ka thënë ai. Liszt e kishte shkruar operën në vitet ‘50 të shekullit XIX dhe ishte vështirë e lexueshme dhe e papërfunduar. Kishte punuar goxha shumë dhe e kishte përmirësuar atë, duke e vështirësuar edhe më leximin.

Opera për një kohë të gjatë ishte cilësuar si e pamundur për t’u interpretuar, por profesori i Cambridge thotë: “Muzika duhet të ruhet”.

Trippett ka shpenzuar më shumë se një dekadë duke bërë bashkë pjesët si një puzzle, tri prej të cilave i kanë shkuar vetëm për orkestrim, duke pasur parasysh instruksionet e kompozitorit.

“Orkestrimi është bërë nga unë, por ai është i Lisztit”, ka thënë Trippett. “Muzika është fantastike. Liszt ka provuar të kompozojë një operë moderne italiane”.

Libreto është bazuar në tragjedinë “Sardanapalus” të Lord Byronit për mbretin e fundit të Asirisë antike, një rajon ky që tash është midis Sirisë dhe Irakut.

Sipas Kirill Karabits, dirigjentit kryesor të “Staatskapelle” në Weimar, opera e Liszt hap një kapitull të ri sa i përket historisë së muzikës së shekullit XIX. “Nuk do ta gjeni këtë operë në katalogët a veprat tjera të kompozitorit”, ka thënë. Pas një pune tejet të lodhshme të Trippett, tashmë akti i parë është kompletuar. “Do të dirigjoj diçka që askush nuk e ka bërë më përpara”, ka thënë dirigjenti. “Bëhet fjalë për diçka joshëse, por që duhet të kesh shumë përgjegjësi”. KultPlus.com

Shkulen bimë nga “TE Pema” në shesh

Projekti “TE Pema” është projekt shumë i rëndësishëm për Prishtinën dhe qytetarët e vet, si inovacion për pastrimin e ajrit, i cili para dy javësh është dëmtuar qëllimisht sistemi i ujitjes, shkruan KultPlus.

Kështu ka shkruar zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, sipas të cilit, si komunë kanë qenë të gatshëm ta mbulojmë koston e dëmit, por studentët e kanë rregulluar vullnetarisht duke vazhduar kështu t’i shërbejnë të mirës së përbashkët.

“Duhet përmendur gjithashtu që një nga lulishtet në kryeqytet, ka kontribuuar në rivendosjen e bimëve që janë shkulur. Sot, do të vendosen edhe pjesët tjera që janë dëmtuar e janë vjedhur nga ‘TE Pema’. Bashkë me studentët do të angazhohemi që ‘TE Pema’ të vendoset edhe në 10 lokacione të tjera nëpër Prishtinë”, ka shkruar ai.

Tutje ai ka njoftuar se për mirëmbajtjen e tyre do të kujdeset Komuna si dhe u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që ta ruajnë pasurinë e përbashkët dhe hapësirën e gjelbër, ashtu që të krijohen kushte për mjedis sa më të pastër e të shëndetshëm. /KultPlus.com

Një dhuratë e kosovarëve për ditëlindjen e Bill Clinton

Ish- presidenti i SHBA-së, Bill Clinton nesër (19 gusht), feston ditëlindjen e 72-të.

Me këtë rastë shoqata “Miqtë e Amerikës”, do të organizojë një ceremoni të festimit, duke filluar nga ora 11:00

“E veçanta e këtij manifestimi, përpos telegramit të urimit që do ti dërgohet Presidetit Clinton është se për nder të kësaj date, në emër të shoqatës e besojmë edhe gjithë popullit shqiptar z.Clinton por edhe zonjës Hillary, dhuratë nga një parë veshje tona nacionale me një mesazh besojmë shumë domethënës.”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Do të ketë edhe tortë e dolli festive për nder të kësaj date.

Aktiviteti zhvillohet në selin e shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Rr. “Lah Nimani”, No-16. Prishtinë. Rrugica lidhet me rrugën e UÇK që shkon nga Komuna e Prishtinës tek “Qafa”. / KultPlus.com

Bebe Rexha do të mbajë koncert në Prishtinë

Përderisa Rita Ora e Dua Lipa mbajtën koncerte në vendlindje, duke performuar para mijëra shqiptarëve, tani është radha e saj.

Këngëtarja Bebe Rexha, që gjithmonë thekson origjinën e saj shqiptare, deri më tani nuk ka qenë asnjëherë në Kosovë për të performuar para mijëra fansave që ka edhe këtu.

Por koha ka ardhur!

Prive ka marrë vesh se Bebe Rexha pritet që të vijë në Prishtinë gjatë muajit tetor dhe ardhjen e saj këtu, e mundëson një bankë komerciale që operon në Kosovë.

Megjithatë, duhet theksuar se ky informacion mbetet ende i pakonfirmuar nga dora e parë, por në ditët në vazhdim do përpiqemi të sjellin detaje të konfirmuara.

Këngëtarja Bebe Rexha nuk ka qenë asnjëherë në Kosovë, ndërsa ka mbajtur një koncert në Tiranë në tetor të vitit. 2016.

Kur Zoti krijoi nënën…

Një herë e një kohë, Zoti i mirë kishte vendosur të krijonte… nënën. Kishte gjashtë ditë që punonte pa reshtur, kur ja aty, u shfaq një engjëll që i tha Krijuesit: “Kjo punë po të bën të humbasësh shumë kohë, e?”

E Ai: “Po, por a e ke lexuar se si do të jetë kjo krijesë? Duhet që me një të puthur të arrijë të shërojë çdo plagë. Me një buzëqeshje të arrijë të shërojë çdo përjetim negativ.

Por gjithashtu, ajo duhet të ketë një dashuri shumë të madhe dhe të ketë gjashtë palë duar.

“Gjashtë palë?!” pyeti engjëlli i habitur. “Gjashtë palë duar nuk janë asgjë në krahasim me sytë. Ajo duhet të ketë tri palë sy.” – i tha Zoti. “Kaq shumë?” e pyeti engjëlli.

“Sigurisht. Një palë sy për të parë dyerve të mbyllura kur fëmijët e saj janë aty brenda, ndonëse e di fare mirë se çfarë po bëjnë. Një palë tjetër pas kokës, për të parë çfarë nuk duhet të shohë, por që duhet të dijë.

Dhe një palë tjetër për t’i thënë me shikim dhe në heshtje të birit që është në ndonjë qorrsokak ngatërresash se e kupton dhe se i do të mirën.

“Zot, shko të pushosh. Nesër është ditë e re…” – i tha engjëlli Zotit duke i fërkuar lehtë shpatullat, por Ai nuk e la të mbarojë. “Nuk mundem. Pothuajse kam mbaruar” – i tha Ai.

Pastaj vazhdoi “Gati harrova. Nëna duhet të ketë edhe diçka tjetër. Duhet të shërohet vetë në qoftë se sëmuret, të mund të punojë 18 orë rresht, të arrijë të përgatisë darkën për gjashtë vetë me vetëm 300 gram mish të grirë dhe të arrijë t’i bëjë dush një fëmije një vjeç.”

Engjëlli iu soll rrotull modelit të nënës dhe duke e vëzhguar me kureshtje bëlbëzoi: “Është tepër e brishtë.”

Zoti e dëgjoi, u kthye nga ai dhe i tha: “Po, por reziston. Ti nuk e di se sa mund të durojë një nënë!” Engjëlli, sërish me atë fytyrën kureshtare pyeti Zotin: “A di të mendojë?” Zoti e pa, buzëqeshi lehtë dhe i tha: “ Jo vetëm di të mendojë, por di të përdorë në mënyrë të shkëlqyer arsyen dhe arrin të bëjë edhe marrëveshje.”

Në këtë pikë engjëlli u përkul mbi modelin e nënës dhe i kaloi gishtin mbi njërën faqe. I shqetësuar i tha Zotit: “Këtu ka rrjedhje”.

Zoti e pa, buzëqeshi njësoj si bën një mësues me nxënësit e shkollës fillore dhe i tha: “Nuk është një rrjedhje, por është një pikë loti.” “E për çfarë shërben?” e pyeti engjëlli.

“Për të shprehur trishtim, hidhërim, dhimbje, vetmi, gëzim dhe lumturi” i tha Zoti. “Ti o Zot je një gjeni” i tha engjëlli me zë të lartë dhe plot gëzim. Me përmallim, Zoti shtoi: “ Engjëll…të të them të drejtën, nuk isha unë që ia vura lotin aty.”

Marrë nga libri “40 Histori në shkretëtirë”- Bruno Ferrero

‘Kur të kam pranë, dhe kur s`të kam pranë’ (VIDEO)

Grupin ‘Votra’ nuk e harrojmë lehtë.

Sidomos kënga “Kur të kam pranë” ishte e veçantë dhe një hit në kohën kur u lansua. ‘Votra’ me anëtarët Armend Fejzullahu, Lulzim Mulolli, Amir Mehmeti dhe Neil Thom.

“Kur të kam pranë” në vitin 2005 ishte edhe pjesëmarrëse në Top Fest në Shqipëri.
Grupi nu ka shumë këngë por ato të realizuarat i kanë mishëruar dhe sjellë para publikut në një formë unike dhe me një karizëm që djemtë e grupit e kanë përçuar gjithmonë, shkruan KultPlus.

Sot, derisa po e kujtojmë këngën e njohur, vokalisti Armend Fejzullahu duket se do të nisë një projekt të ri muzikor.

Ka vite që nuk ka sjellë diçka të re por Armendi po punon me kompozitorin Florent Boshnjaku për një nismë të re muzikore. Vetë kompozitori ka postuar një fotografi me këngëtarin duke paralajmëruar diçka të re. / KultPlus.com

NouveauBeats, këtë vit në ‘Hardh Fest 2018’

Organizatorët e Hardh Fest-it thonë se festivali po vjen unik dhe promovues si gjithmonë.

Një nga emrat e shumtë ndërkombëtarë dhe vendor që këtë vit do të performojnë “Me pamje kah vneshta” në Hardh Fest është superylli i muzikës Progressive House nga Amsterdami, Nouveabeats.

“I njohur ndërkombëtarisht, Nouveabeats, ka performuar në skena të mëdha të muzikës si në Belgjikë, Francë, Spanjë, Angli, Greqi, Suedi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me yje të njohur si Afrojack, Arty, Bassjackers, Bingo Players, Carnage, Chuckie, Don Diablo, Dubvision, DVBBS, Firebeatz, Hardwell, Helena, Laidback Luke, Nicky Romero,James & Ryan Marciano etj”, thuhet në njoftimin për media të këtij festivali.

Në skenën e madhe n’Konak të “Hardh Fest 2018” do të jetë një nga emrat kryesor të edicionit të XVII të këtij brendi që tashmë është një nga festat më të mëdha dhe më origjinale në vend.

Në ditët në vazhdim “Hardh Fest” thotë se do të publikojë edhe emrat e artistëve të tjerë ndërkombëtarë dhe vendorë dhe lista është e gjatë e me emra të cilët kanë lënë gjurmë në industrinë e muzikës dhe krejt këtë magji do të mund ta përjetoni të gjithë, pasi që të gjitha koncertet janë gratis, pa pagesë për hyrje.

Këtë vit, datat 7, 8 dhe 9 shtator janë të rezervuara për Hardh Fest 2018.

Hardh Fest 2018, organizohet nën patronatin e kryetarit të komunës, Smajl Latifi si dhe partneri i festivalit, Stone Castle. / KultPlus.com

‘Çdo Shqiptar krijon nji Shqipní mbas qejfit të vet’

Disa mendime nga Ernest Koliqi për shqiptarët që merren përditë me politikë! Mendime aktuale…

Fjalë e foli…

Shqiptarve, përgjithësisht, u pelqen politika. Jo aqë ajo qi me ânë të nji përpjekjeje vepruese ka qellim ndertues, por ajo qi shfren në bisedime tue ndejë në kafehâne ase rreth nji tryeze shtrue me pije e meze. Mbush e derdh… Vizató e shlyej situata… Naltësó e zbrit persona, grupe, shtete, kontinente… Fundi? Sejcili shkon në shtëpí të vet pa ndërrue mendim, i bindun se ai vetëm ká në xhep të vertetën. Deri sa këto bisedime, rëndom të thata e të shtërpëta, janë nji mjet me kalue kohën dhe me hjekë mërzí, hajdedeh!; porsé mjerisht ndodhë shpesh qi aty me pohime të kota e shum lehtësisht cenohen vlera të çmueshme dhe mbillet fara e dyshimit qi pengon nisma të dobishme. Fjalë e foli… Dikush hjedh në pije a n’inad e sipër nji mendim të përcipët, nji gjikim të shtrêmbët, nji trillim pá themel: fjala ecë, shtohet e lacarohet dhe hyn në grumbullin e legjendave, qi ndër né zêvendesojnë historín, d.m.th. vargun e ngjarjeve të dokumentueme. Kur nji legjendë krijohet, s’ká dokument qi e përgënjeshtron. Fjalë e foli…

Dhe kështu ecim, politikisht, në nji tymnajë thânethashash pa krye dhe pa bisht, ku çdo Shqiptar krijon nji Shqipní mbas qejfit të vet, qi s’ka kurrnji lidhje me botën reale. E kënaqet sepse në kët Shqipní, sendërgjue prej fantazís s’ethun, ai e njehë veten të parë, âsht vetë Alí e vetë Kadí, mposhtë me mend ata qi i bâjnë hije dhe zgjâhet tue andrrue (në kllapí madhështore) nderime e shpërblime qi nuk barasohen kurrsesí me vleftën e tij morale e intelektuale.

(Ernest Koliqi, Shêjzat, 1972, nr. 5-8, f. 147).

Mall për diçka të vdekun

Lazër Jozef Radi

Nji puthje t’braktisun e bana kopësht
e shëtita n’qiellin e dy syve t’humbun.
Asnji fytyrë s’m’u shfaq nga çilja e gonxhes,
asnji emën s’përmendën zogjtë n’fluturim.

Bari i butë kërkonte nji kambë ta shkelte,
kantilena e mbramjes si shi i ambël u derdhte.
Krejt lodrat e hanës n’qiell i qendisa
me penelin e lodhun të trishtimeve të mia.

Akrepat e ndryshkun t’nji ore të ndalun
i mësova me hecë mbrapsht si gaforre,
veç me m’kthye te ajo mbramj’e humbun,
te ajo mbramja, ku gjethet rrzoheshin të dehuna
nën tinguj të largtë kambanash t’plagueme…

Nji puthje t’braktisun e bana pyll
dhe humba shtigjesh me gjetë emnin tand…

Unë çikës teme s’ia pres krahët!

Autore: Shqipe Palloshi-Zumberi

Unë çikën teme nuk e msoj me nënshtrim! Ajo ka me lind si qenie e lirë, e plotëpushtetshme për mendimet, vendimet e veta, për trupin e për shpirtin e vet. Ka me e ditë që Zoti e ka kriju si qenie të lirë, edhe nuk guxon me pranu kurgjë ma pak se kjo, nuk guxon me ba kompromis me lirinë e saj.

Çika jeme ka me e ditë që lumturinë e saj mundet me e kriju veç ajo vet. Nuk ka me prit ndonji princ me kalë të bardhë me ardh me e shpëtu nga mjerimi finansiar, dëshpërimi emocional a shoqëror. Kur të jetë e gatshme me u martu, ka me e bë këtë me plot vetëdije e vetëdëshirë, veç atëherë kur beson se është e gatshme t’bahet bashkëshorte e nanë e mirë, e përkushtuar. Veç atëherë kur t’mendon se ka mbjellë mjaftueshëm fara në vete për me lulëzu pastaj për t’zgjedhurin e saj, e fëmijët e tyre.

Por unë çikën teme nuk e msoj me nënshtrim! Ajo ka me ditë me qëndru e fortë për besimet e idealet e veta. Nuk ka me u kompleksu pse është ndryshe prej turmës, edhe atëherë kur turma ka me e mbajtë në gojë për moskonformizmin e saj. Edhe atëherë kur mundet me pas frikë për t’ardhmen e saj, ajo ka me qëndru e fortë për atë çka beson.

Ajo ka me msu se Zoti është i bukur dhe e do të bukurën, dhe ka me e ditë që prej gjërave që e lartësojnë njeriun si qenie është shija për të bukurën. Për rrjedhojë, ajo ka me u kujdes për bukurinë e trupit, pa ra pre e standardeve e shthurrëse që i serviren gjithkund. Mbi të gjitha, ajo ka me e ditë se bukuria e vërtetë është bukuria e shpirtit e mendjes, dhe ka me u përpjek me e zbukuru mendjen me dije e shpirtin me mirësi, për me e prek esencën e t’qenit njeri.

Çikës teme nuk kam me ia pre flatrat qysh ua kanë pre nanat ndër gjenerata çikave t’veta. Se çika jeme nuk ka me qenë prona jeme, e nuk guxon me u bë as prona e dikujt tjetër. Përveç krijesë e Zotit dhe zonjë e vetes! Nuk guxon me e pa veten si diçka ma pak se kjo. Çika jeme ka me msu se duhet me u kujdes për zemrat e njerëzve, me i gëzu njerëzit, me falë prej zemrës, kohës e jetës së vet për me i lumturu ata. Ka me msu se s’ka punë ma t’fisme se me e gzu nji zemër, se me e lumturu nji shpirt. Ama, ajo kurrë nuk ka me iu nënshtru tekave boshe, tendencioze e injorante të dikujt për ta nënshtru qenien e saj veç pse është çikë, grue a nuse. Ajo ka me ditë ma mirë se kaq!

Çikës teme unë s’kam me i thanë mos me lujt me vetura se ato janë për djem. Ajo ka me lujt me anije kozmike, me stetoskop, me letra e lapsa, me aeroplana. Se ajo ka me msu me besu në fuqinë e mendjes së saj, dhe ka me u ushqy me dashuri e dëshirë për me e eksploru universin e me i zbulu t’fshehtat e tij. Ajo s’ka me ra pre e tendencës së shoqërisë për me e bë me besu se aftësitë e saj intelektuale janë inferiore ndaj atyre të një burri.
Ajo ka me qenë e etur për dije, ka me qenë ambicioze për me e ndërtu veten me mundin e shkathtësitë e veta, për me u bë e zonja e vetes e për me i shtu mirësi njerëzimit me arritjet e veta. Ajo ka me e kuptu që Zoti e ka kriju si mrekulli. E ka bë ndihmëse në procesin e krijimit të jetës së re. Edhe në momentin që vendos të bahet nanë, ajo ka me dhënë çdo gjë prej vetes për me u kujdes për mirëqenien fizike, shpirtërore, mendore të krijesave që ka sjellë në jetë. Kur t’bahet nanë, ajo ka me e ditë se fëmija rritet pa gjithçka, por jo edhe pa dashuri e vëmendje. Kur të bahet bashkëshorte, ka me e ditë se elementi thelbësor për me e lumturu t’zgjedhurin e saj, është vëmendja e pandame e saj ndaj çdo aspekti të qenies së tij. Ka me ditë me fliju prej vetes për lumturinë e të dashurit, por asnjëherë prej dinjitetit e vetrespektit të saj. Ajo ka me e ditë se familja është mënyra si ruhet shenjtëria e njerëzimit dhe me urtësi e dashuri ka me kriju nji fole t’ngrohtë ku kanë me gjetë prehje t’dashurit e zemrës së saj.

Ajo ka me e ditë se vlerë i ka dhënë Zoti, dhe se vlera e saj nuk ulet as rritet në raport me njerëzit. Ka me fol n’emër të së drejtës e nuk ka me hesht për padrejtësitë. Çika jeme ka me e ditë sa e fortë është, sepse është çikë. Ajo ka me besu se mundet me e ndryshu botën, edhe ka me ia mësy kësaj.

Çika jeme është prototip i çikave të s’ardhmes. Çikat tona janë mrekulli, e mrekullitë s’mundesh me i shtrëngu në grusht, as me ua shujt dritën.

Këngët shqiptare më të klikuara në YouTube

Youtube vazhdon të mbetet një prej platformave matëse të suksesit të projekteve muzikore. Të blera apo të merituara, kjo vazhdon të jetë diskutim i gjatë e pa përgjigje, por që janë referencë, këtë s’mund ta mohojë askush.

E me këto shifra marramendëse, projektet e artistëve shqiptarë po i konkurrojnë ata të artistëve ndërkombëtarë. Edhe ky një debat i gjatë dhe zor i përputhshëm me realitetin, transmeton emisioni Express në KTV.

“Bon Bon”, “Të ka lali shpirt”, “Bow Down”, “E kam pas”, “Show Biz” janë pesë këngët të cilat audienca shqiptare i ka dëgjuar më së shumti nga të gjitha projektet që janë publikuar deri më tani në YouTube. Është për t’u çuditur me disa prej emrave që janë pjesë e kësaj liste, por që kjo është renditja.

Këtyre projekteve u prin sensacioni i vitit 2016, “Bonbon” i këngëtares kosovare tashmë me famë ndërkombëtare, Era Istrefi, këngë kjo e lansuar dy vjet më parë e që më vonë ia hapi asaj rrugët për tregun e huaj të muzikës.

Gjithsej 600 milionë klikime ka ky projekt në Youtube. “Bonbon”, për muaj të tërë u dëgjua jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë. Madje, kjo këngë ishte e para shqip që u bë pjesë e top-listës së MTV-së.

Përveç tjerash, kjo këngë Era Istrefit ia solli kontratën më një prej kompanive më të mëdha muzikore, Ultra Music.

Era më pas solli edhe disa këngë të tjera, por që suksesin e kësaj me klikime, është larg për ta prekur.

2. Pas “Bon bon-it”, nëse bazohemi te klikimet në YouTube, kënga “Të ka lali shpirt” e Silva Gunbardhit në bashkëpunim me Mandin e Dafin, vazhdon të mbetet një nga projektet më të kilikuara shqip.

Kjo këngë numëron hiç më pak se 400 milionë klikime.

“Të ka lali shpirt” u publikua në janar të 2013-s dhe qysh pas publikimit, ajo u dëgjua kudo, madje për një kohë të gjatë.

3. Një bashkëpunim i cili erdhi befasi për publikun atë kohë, ishte ai mes reperit Noizy dhe Encës. Qysh në kohën kur u paralajmërua, ky projekt i gëzoi dëgjuesit e të dy këngëtarëve.

“Bow Down” që bashkoi këtë dyshe rezultoi mjaft i suksesshëm, duke mbetur kështu një nga projektet më të dëgjuara shqiptare dhe i cili deri më tani numëron mbi 108 milionë klikime.

Por, pavarësisht suksesit, ky mbetet projekti i fundit që Noizy me Encën e sollën, kjo pasi dihet se Enca nuk i përket më labelit OTR.

4. Një bashkëpunim i cili është i katërti në këtë listë është edhe ai mes Sabina Danës dhe Dafi Dertit. Kjo këngë u pat publikuar në nëntor të 2012-s, derisa dëgjueshmëri pati edhe verën e 2013-s dhe më tej.

Ky bashkëpunim, në YouTube numëron hiç më pak se 103 milionë, dhe kështu e bën atë në mesin e emrave më të klikuar te projektet shqiptare në YouTube.

Sabiani, Marseli dhe Shkendije Mujaj lansuan tre vjet më parë këngën me titull “Show Biz”. Me gjithë tekstin e dobët dhe kualitetin e ulët të muzikës, ky projekt është shikuar hiç më pak se 78 milionë herë në youtube.

E ky numër kaq i madh i klikimeve dëshmon edhe një herë tjetër shijen e përgjithshme të publikut në muzikë. / KultPlus.com

Bekim Fehmiu për gazetën Vreme: Për shkak të besës, shqiptarët kanë paguar me kokë

Bekim Fehmiu, një ndër aktorët më të mëdhenj shqiptarë që pati famë kudo nëpër botë, në vitin 2001 ka dhënë një intervistë për gazetën serbe “Vreme”. Aty ai ka biseduar edhe për besën, virtyt ky që dallon te shqiptarët.

“Jo vetëm për mua, por edhe për të gjithë shqiptarët, besa është vlera më e lartë etike njerëzore. Besa ishte më e fortë se cilado qoftë marrëveshje. Për shkak të besës, shqiptarët nëpër histori kanë paguar me kokë edhe për shkak të lajthitjeve të veta. Besa ishte tipari që cilësoi shqiptarët dhe i bëri ata të çmueshëm në raport me botën që rrethonte ata…”, ka thënë ai.

Gjurmët e Bekim Fehmiut në kinematografinë e huaj dhe atë shqiptare janë të mëdha. Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë.

Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, që ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ndër rolet më të njohura të Bekim Fehmiut janë “Prova speciale”, “Odiseu”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, të cilat përmenden si kryevepra. Fehmiu ka bashkëpunuar me emra të njohur të kinematografisë botërore si John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Shou, Dirk Bogart, Irene Papas e të tjerë. Në rolet e tij, Fehmiu ka interpretuar në disa gjuhë.

Në anën tjetër revista njëjavorshe “Vreme” u publikua për herë të parë më 29 tetor në vitin 1990. Shumica e stafit në gazetën me qendër në Beograd, ishin gazetarë nga Politika dhe NIN. Ajo karakterizohet si “një revistë pa gënjeshtra, urrejtje ose paragjykim” dhe ka kundërshtuar mobilizimin nacionalist për luftërat jugosllave. / KultPlus.com

Ekspozitë me fotografi të realizuar nga Austin Tice, rrëmbyer gjashtë vite më parë në Siri

Klubi i Shtypit i Washingtonit organizoi një ekspozitë me fotografi të fotoreporterit amerikan, i cili u zhduk më 14 gusht 2012 në rajonin e Damaskut. Autoritetet amerikane po ofrojnë një shpërblim prej një milion dollarësh në këmbim të informacionit për ta gjetur atë, përcjellë KultPlus.

Një ekspozitë e fotografive të bëra nga fotoreporteri amerikane, Austin Tice, është hapur që nga e marta në Washington. Kanë kaluar gjashtë vite që nga rrëmbimit i Austinit në Siri në rrethana ende të paqarta.

“Është me të vërtetë e rëndësishme që njerëzit të shohin punën e gazetarëve që rrezikojnë jetën e tyre në zonat e konflikti”, tha Margaux Eëen, drejtor i Reporterëve pa Kufij për Amerikën e Veriut, shkruan Le Figaro. Kjo është një ekspozitë udhëtuese për të tërhequr vëmendjen në arrestimin e Austin Tice, 37 vjeç.

Pak informata ka që nga rrëmbimi i tij më 14 gusht 2012 pranë Damaskut. Gazetari i pavarur, i cili ka punuar për McClatchy News, Washington Post, CBS, Agence France-Presse, u shfaq në një video në shtator të vitit 2012. Por identiteti i rrëmbyesve të tij dhe vendndodhja e tij mbeten akoma të panjohura./ KultPlus.com

Pisha Flamur e Qafës së Pejës

Ndodhet në Qafën e Pejës, 1700m mbi nivelin e detit. Përbën një dru me trung dhe kurorë të veçantë (flamurit) me lartësi 20 m dhe diametër të trungut 1,6 m dhe moshë mbi 220 vjeçare.

Ka vlera shkencore (biologjike dhe ekologjike), kulturore, didaktike dhe turistike. Mund tw vizitohet sipas intinerarit: rruga automobilistike Shkodër – Koplik – Theth dhe më pas merret rruga e vështirë këmbësore deri tek monumenti./ KultPlus.com

Nesër fillon “Eurovision Young Musicians”, Shqipëria përfaqësohet nga Klaudio Zoto

Nesër fillon edicioni i 19-të i garës “Eurovision Young Musicians”, nikoqir i të cilit këtë vit është Mbretëria e Bashkuar, shkruan KultPlus.

Ky edicion është i veçantë edhe për muzikantët e ri shqiptar e sidomos për violonçelistin Klaudi Zoto, i cili do të përfaqësoj Shqipërinë në këtë garë. Kjo është edhe hera e parë që Shqipëria është pjesëmarrëse. Klaudio bëhet në këtë mënyrë edhe pari instrumentist shqiptar që merr pjesë në këtë garë evropiane në të cilën këtë vit do të marrin pjesë 18 shtete.

“Eurovision Young Musicians” ka nisur prej vitit 1982. Edicioni i 19-të i konkursit “Eurovision Young Musicians” do të zhvillohet në Edinburg nga data 18 deri më 23 gusht 2018. Ky Aktivitet bëhet 1 herë në dy vjet.

Konkursi për vitin 2018 fillon me një raund eliminimi gjysmëfinale, i cili do të marrë formën e recitaleve të dhomës të cilat do të mbahen me 17 dhe 18 gusht. Klaudio Zoto do të paraqitet natën e dytë të gjysmëfinales, më 18 gusht. Ai do të interpretoj sonatën për çelo nga Grieg dhe rapsodi hungareze nga Popper.

Koncerti final do të zhvillohet në vendin më të njohur të qytetit, Hall Usher, më 23 gusht 2018, me muzikantët e shoqëruar nga Orkestra Simfonike Skoceze e BBC, nën drejtimin kryesor te dirigjentit Thomas Dausgaard. Në Shqipëri të drejtën e organizimit të kësaj gare e ka Radio Televizioni Shqiptar i cili para se të organizonte finalen, organizoi edhe fazat përzgjedhëse./ KultPlus.com

Elina Duni, zëri që mori me vete publikun e Anibarit (FOTO)

Gili Hoxhaj
Fotografe: Elmedina Arapi

Që nga dita kur Anibari filloi rrugëtimin e tij në qytetin perëndimor të Kosovës, rrugët drejt kinemave janë më të shkelura se rëndom, ndërsa presin mysafirë të tjerë, përveç atyre të Pejës.

Një urë me çadra shumëngjyrëshe qëndron mbi Lumin “Bistrica” e i jep një ndjesi ndryshe rrugëve drejt pikave ku po zhvillohet edicioni i nëntë i festivalit të animacionit – Anibar. Brenda hapësirave të mbyllura dhe të hapura, ekranet e tyre ndizen për mbi 200 filma sa janë përzgjedhur të shfaqen në këtë festival, i cili këtë vit trajton temën e pabarazisë gjinore. Një gjallëri më ndryshe i kanë sjellë Pejës edhe mbrëmjet muzikore që janë zhvendosur në Parkun “Karagaq”. Rruga pak më e pjerrët deri atje, e freskia e Bjeshkëve pranë, ecjen e bën më të ngadaltë, derisa rrugës sheh grumbuj të rinjsh dhe jo vetëm. Ishte emri i Elina Dunit, ai që bënte të lexoje emocionin e publikut, derisa ajo ende nuk kishte prekur skenën.

Shumë pak pranë mesnatës, publiku vjen e zë gjithë hapësirën në fushën e gjelbër, pranë parkut “Karagaq” . Ngjyrat e ndezura që vijnë nga skena e bëjnë të dukshme praninë e publikut, i cili me duartrokitje të fuqishme e pret Elina Dunin, e cila para tyre dëshmoi fuqinë e saj artistike e vokale, që nga kënga e parë e deri në të fundit. Elina Duni mbrëmë eci fuqishëm nën tingujt e kitaristit Rob Luft, që vlerësohet si një prej yjeve në ngritje të skenës bashkëkohore të Jazzit Londinez, vendlindjen e të cilit Elina Duni e bëri shumë të pranishme në komunikimin e publikut, në anën tjetër edhe Italinë që përfaqesonte vendlindjen e bateristit italian Enzo Zirilli, që qëndronte më prapa Dunit e Luft.

Duni që dëgjohet jo dhe pak brenda dhe jashtë Kosovës, është bërë shumë e pranishme për stilin unik e gërshetimin e tradicionales e jazzit. Në programin e saj të mbrëmshëm dominuan këngët folklorike shqiptare të kombinuara me jazz, duke e kthyer nostalgjinë e shumëkujt në këto këngë që pak kush di t’u japë shpirt si Elina Duni.Me këngë të mërgimit e të dashurisë, ajo ngjalli emocionin e publikut në cdo zgjatje të zërit në fund të këngës, që përveçse depërtonte rrjedhshëm tek publiku, mes frymës vërehej emocioni që ngjallnin tekstet që kalojnë mbi realitetin shqiptarë.

Ritmi i këngëve që vjen si një përzierje e mahnitshme, me zërin e Dunit që e përcjellë interpretimin me saktësi, e plotëson me vallëzimin e saj plot stil brenda një hapësire të kufizuar të skenës. Në një skenë të dominuar nga instrumentet, Elina Dunit i mjaftonte zëri e prania për ta ndjerë shumë pranë publikun, të cilit i kërkoi që ta përcillte cdo kund.

“Jeni këngëtarë shumë të mirë, do të ju marrë me vete”, ishte reagimi i Elina Dunit teksa dëgjonte zërat e publikut të Anibarit, derisa i bashkoheshin zërit të saj.

Krahas këngëve të reportuarit të këngëtares Duni, ajo gjithashtu solli edhe këngë të reja që i përkasin repertorit te ri me kitaristin Rob Luft dhe që nuk janë vetem në shqip, këto këngë zunë vend në minutat e parë të saj në skenë ku filloi me “Vaj si kenka”, për të vazhduar me “Mallëngjimi”, “Gentle Rain”, “Couleur Café”, “N’atë Zaman”.

Elina mbrëmë i dëshmoi publikut të Anibarit, që nuk është vetëm një interpretuese e mahnitshme por dhe një krijuese e rrallë, që di të krijojë prej momentit, që e njeh publikun, që di të lexoj reagimin e tij, e ta dërgojë në një dimension tjetër praninë e tij. Për Elina Dunin kjo është hera e dytë që paraqitet para publikut të Pejës, ndërsa tha se të tre u ndjenë jashtëzakonisht mirë që interpretuan para një publiku kaq të ri dhe entuziastë.

“Përgëzoj organizatoret e Anibar të cilet sjellin një frymë artistike, humane nëpërmjet filmave dhe koncerteve. Sonte ndjesia ishte shumë e mirë. elektrike, rock.Të tre u ndjemë shumë të lumtur të luanim përpara një publiku kaq të ri, entuziast, dhe kaq të ngrohtë”, tregoi Elina Duni për KultPlus.

Këngë nga albumi i saj “Muza e zezë” e “Vishnje” erdhën si gërshetim muzikor mes dashurisë njerëzore e asaj ndaj vendit, “Delja rude”, “Bukuroshja e lalës”, “O ti n’at koder e unë këtë kodër”, me një interpretim që veçse bëhej edhe më i fuqishëm, bën që publiku të hidhej në kërkim të edhe një interpretimi tjetër, ndërsa Duni mes zërave të bashkuar e kërkues, u dakordua se do të qëndrojnë në skenë edhe për dy këngë të tjera. Pas lëvizjeve të gjalla, e interpretimit plot shpirt, ajo iku e përkulur duke iu falënderuar publikut të Anibarit që e përcolli me duartrokitje të forta deri në hapin e fundit të largimit nga skena.

Anibar do të vazhdoj rrugëtimin e tij deri në datën e 19 gushtit. / KultPlus.com

I adhuroj ato femra që nuk i tremben armikut, por armikun e tremb suksesi i tyre

I adhuroj ato femra që ia dalin në cdo gjë, ato që ecin në rrugën e tyre kokëlartë dhe krenare. Ato femra që nuk i tremben armikut por armikun e tremb suksesi i tyre.

I dua femrat që kanë ego dhe dëshira të forta. I dashuroj femrat që dashurojnë me ciltërsi dhe pastërti. Ato femra që edhe rruga “hesht” kur takat e tyre trokasin mbi të.

Kjo është një ndër mendimet e shkrimtarit të njohur botëror Charles Bukowski, i cili njihet për citate të shumta, që përdoren nga shumë medie.

Henry Charles Bukowski ka qenë një poet dhe shkrimtar i njohur. Ai ka lënë pas 6 romane, disa tregime, dhjetëra poezi dhe aforizma që citohen kudo në rrjetet sociale, apo në portale të ndryshme./KultPlus.com

Portraits Of Charles Bukowski (Photo by JARNOUX Patrick/Paris Match via Getty Images)