Një vajzë u përdhunua
në Drenas.
Ajo është vetëm 15
vjeçe, ajo është e bukur, ajo është ënde në shkollë dhe e ka tërë jetën e saj
para. Ajo vendos uniformën e shkollës dhe shkon në shkollë, por pothuajse
gjithçka është e mirë, e vetmja gjë për të cilën shqetësohet është shkolla.
Por vjen dita X, në të cilën çdo gjë ndryshon për të.
E para herë kur e
mitura nga Drenasi përdhunohet nga shteti, është ndërmjet profesorit të saj.
Pra, profesori e përfaqëson shtetin, e përfaqëson ministrin e Arsimit dhe ai
profesor a dëshiruan kolegët e tij apo jo i reprezanton kolegët e tij në
detyrën që e kryen.
Dhe me gjithë dhembjen
e përjetuar nga ai akt makabar të profesorit, ajo e gjen forcën dhe shkon në
polici për ta denoncuar rastin. Po pikërisht këtu, ajo do të përdhunohet për të
dytën herë, rreth një vite nga shteti. Shteti këtu reprezantohet nga një njeri,
qe kur e ka veshur uniformen ka dhëne betimin që do ta ruaj rëndin dhe ligjin.
Çfarë njeri mundesh me qenë, kur e shfrytëzon një vajzë, ndërmjet situatës së saj? Një njeri i tillë, duhet me qenë në nivelin ma të ulët, një psikopat, me sëmundje mendore, që fantazitë e tij seksuale i ushtron në viktimën e tij, që pikërisht ajo i ka besuar dhe i ka kërkuar ndihmë. Të tretën herë kur e mitura nga Drenasi do të përdhunohet nga shteti është, kur torturuesit e saj, me ndonjë lidhje të fort, ata do t’i ikin drejtësisë, ose nuk do ta marrin dënimin e merituar për këtë akt të tmerrshëm. Në këto raste shumë herë vëmendja është tek dhunuesit, dhe viktima është në sfond. Dhe pas një kohe kur fokusi nuk do të jetë ma tek kjo ngjarje, ajo vajzë është vetë.
Disa ditë më parë, mësuesit hynë në grevë, të gjithë mësuesit ishin të bashkuar dhe kanë vënë një shenjë se ata të marrin më shumë rrogë dhe skeptikët thonë gjithë kjo ishte e motivuar politikisht, tani ata kanë mundësi për të vendosur një shenjë jo politike dhe të dalin kundër sulmeve seksuale të kolegeve të tyre, kësaj Proteste patjetër se duhet t’i bashkëngjitet Policia e Kosovës.
Nuk është rasti i pari po as nuk do te jetë rasti i fundit, po ne si shoqëri sidomos ne meshkujt, duhet të flasim me një zë, se distancohemi dhe e dënojmë ashpër këtë rast, po edhe shumë raste të tjera. Ne si meshkuj duhet ta kem parasysh, se ndoshta nesër i ndodhë motrës apo vajzës tonë një gjë e tille. /KultPlus.com
Skena e Teatrit Kombëtar të Kosovës, skenë e cila përdoret edhe nga Baleti Kombëtar i Kosovës jo gjithmonë plotëson nevojat për prezantimin e performancave të balerinëve, pasi që të njëjtit, punën e tyre artistike e paraqesin edhe me kujdesin për balerinët e tjerë, që mos të pengojnë njëri tjetrin përgjatë shfaqjeve, si pasojë e hapësirës së ngushtë që ka skena e TKK-së.
Po
shumë më keq është vendi në të cilën i bëjnë provat, vendi ku djersijnë deri te
finalizimi i shfaqjes, të cilët, për më shumë se një muaj detyrohen të zbresin
në bodrum, ku aty bëjnë provat drejt një glamuri, të cilët përballen me hapësirë,
ndriçim dhe ajër të pamjaftueshëm. Krejt kjo sfidë është shumë e panjohur për audiencën,
e cila dhuron duartrokitjet dhe lulet për mundin dhe shkëlqimin e balerinëve.
Pikërisht këtë prapaskenë, koreografi Kreshnik Musolli do ta zhvendosë në skenë. “Karantinë” është njëra nga pikët e shfaqjes “Andërr” dhe flet për mundësitë minimale për të arritur synimet e mëdha. Koha është një element tjetër që Musolli e mishëron në tërë shfaqjen dhe mundohet të prek elemente psikologjike në jetën çdokujt.
Kreshnik Musolli tash e sa vite është pjesë e Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës, kurse këtë vit për herë të parë sfidohet edhe me rolin e koreografit. “Andërr” mban titullin shfaqja e tij e parë që javën tjetër vjen premierë për publikun e Prishtinës.
Kur kthehet dhe shikon në fëmijërinë e tij, Musolli kujton se ka qenë më pasiv në familje dhe nuk është që kishte hetuar as ai e as familja kishin ndonjë dëshirë të madhe për muzikë e balet. Ndryshe kishte ndodhur me motrën e tij, Jeta Musolli e cila ishte vazhdimisht pjesë e shfaqjeve të trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës. Kështu ai kishte vendosur t’i ndiqte provat dhe shfaqjet e tyre, duke i përcjellë vazhdimisht edhe me fotografi. Nëna e saj duke e parë interesimin e tij, pas përfundimit të shkollës fillore e shtyn që të regjistrohet në shkollën e baletit. Më pas shumë shpejtë i ishte shtuar dëshira për këtë profesion dhe për një kohë të shkurtër kishte arritur të jetë edhe pjesë e shfaqjeve të trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës.
“Duke u thelluar më shumë në balet ka filluar të më pëlqejë edhe më shumë, dhe shumë herët jam angazhuar në shfaqje, dhe kam qenë në vitin e katërt ku kam hyrë tamam në punë. Çdo herë kam shkuar duke e kuptuar rëndësinë e këtij profesioni dhe duke e kuptuar se çfarë kënaqësie është kur ia jep atë energji publikut dhe ta kthen prapa. Baleti është një profesion shumë i veçantë që pak e kuptojnë në thelb”, shprehet Musolli për KultPlus.
Kreshnik
Musolli i cili ka përfunduar studimet në regji teatri në Fakultetin e Arteve në
Prishtinë, thotë se puna e koreografit veçse po ia thellon këtë lidhje, duke
qenë se ai gjatë studimeve veçse e kishte provuar rolin e regjisorit. Musolli
pohon se këtë ndërlidhje e ka bërë për arsye se nuk ka shumë jetëgjatësi në
balet, por kjo është një mënyrë për të mbetur i lidhur me skenën. Këtë moshë,
ai thotë se do t’ia dedikojë veç baletit.
“Ju
kam thënë edhe balerinëve edhe nëse ne e lajmë baletin, nuk kemi me e lëshu
shfaqjen, sepse do t’i bëjmë shfaqjet e mija”, thotë Musolli.
Drejtori
i Baletit Kombëtar të Kosovës Ahmet Brahimaj është ai që e kishte nxitur drejt
koreografisë, duke e pyetur për guximin për t’i hyrë kësaj rruge. Musolli i
cili vazhdimisht mbledhë shënime për gjithçka që e rrethon, thotë se ky muhabet
veçse e kishte gjetur me mjaft brumë për tu futur në shfaqje
“Në atë pikë kur veç më ka pyetur drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës se nëse jam i gatshëm ti hyjë punës së koreografit, unë veç kisha shumë gjëra të shkruara”, ka thënë Musolli për KultPlus, i cili poashtu ka thënë se për ti hyrë punës së koreografit ka qenë i përgatitur edhe për kohën e saktë se kur mund të nisë me shfaqjen. “Pas kthimit nga Festivali në Bullgari e kam mbledhur atë material që e kam pasur dhe kam filluar t’i japë formë”, tregon Musolli, i cili tash e një muaj po punon në këtë shfaqje dhe dëshmon se e gjithë puna ka rrjedhur shumë natyrshëm, bashkë me gjithë balerinët. \
Ai
thotë se në shfaqje ka një ngjarje e cila shtjellon brenda vetës edhe shumë
tema që lidhen me përditshmërinë dhe që tejkalon edhe kufijtë e Kosovës. Ai
thotë se kjo shfaqje mund ta prek një njeri në gjitha anët e botës. Tutje
Musolli për KultPlus zbërtheu edhe kuptimin e shfaqjes që flet për lakmitë e një
grupi të rinjve që shfaqen brenda ambientit ku jetojnë, një grup i madh i tyre
e të cilëve nuk iu mungon harmonia, në mes të shfaqjes ata përballen me një
kategori tjetër dhe aty gjithçka ndryshon. Për gjithë këtë, Musolli thotë se interaktivitetin më të madh
tek publiku, mundohet ta arrijë përmes kohës, si dëshmi që ajo nuk e kursen
askënd dhe asgjë që parakalon para dyerve të jetës tënde. Sipas tij, shfaqja tregon se si nga momenti në moment
mund të fitosh apo të humbasësh gjithçka dhe çdokënd.
“Njerëzit
shpesh kanë lami të mëdha për gjëra që nuk iu nevojiten hiç, andërr që e sheh
një njeri që i ka të gjitha gjërat materiale, dhe ti synon të bëhesh si ai. Në
shfaqje paraqitet një njeri që shihet si një njeri ideal dhe rreth vetes i
ka edhe dy njerëz si ta ngjashëm që më shumë rrinë si hije”, shpjegon tutje
Musolli, që thotë se ka futur shumë aspekte psikologjike që në mes shfaqjes
paraqiten figurativisht.
Njëri
nga personazhet synon të dalë përtej botës ku jeton e t’i përmbushë lakmitë
e tij. Gjatë këtyre përpjekjeve, ai duket se humbet gjatë rrugës.
“Ndonjëherë
duke synuar më shumë e sheh që e ke lumturinë shumë afër por nuk je duke e
vërejtur. Pra personazhi kryesor derisa
jeton në mahallën e tij e ka këtë lumturi dhe kur është me të dashurën shpesh
duket sikur koha ndalet”, thekson ai.
Kreshnik
Musolli për të prekur jetën e tyre thotë se balerinët do të shfaqen me veshje
ndryshe nga herët e tjera e më muzikë krejt tjetër, për ta paraqitur gjithçka sa
më reale. Balerinët do të sjellin interaktivitet me një muzikë tjetër, që është
ajo “hip-hop”.
Premiera e shfaqjes “Andërr” vjen javën tjetër më 14 shkurt (e enjte) dhe është premiera e parë e baletit për këtë vit. Shfaqja fillon në ora 20:00./ KultPlus.com
Para Stacionit Policor në Prishtinë, sot u mbajt protestë kundër dhunës së legjitimuar brenda Policisë së Kosovës ndaj grave e vajzave. Kjo protestë u thirr pas rastit të fundit ku dyshohet se një hetues policor ka dhunuar, përndjekur, kërcënuar e abuzuar një të mitur 16 vjeçare nga Drenasi.
????????????????????????????????????
Ky rast i cili shokoi të gjithë, bëri që qytetarët të reagojnë dhe të dalin sot në protestë me thirrje nga më të ndryshmet e më dënueset për përdhunuesit. Protestuesit bënë thirrje që Policia e Kosovës ka për detyrë të mbrojë, e jo të qëndrojë pas krimeve të tilla. Me thirrjet si: Viktimat duhen të mbrohen, përdhunuesit të dënohen!, Përdhunuesit në Burg, Durt nalt mos përdhuno, Shtet përdhunues, Bac na e nxitën fytyrën, Axha polic na ka nimu na ke Q’ Nonen, Kush me na mbrojt prej policisë, Duhesh me mjeku e jo me malltretu, ishin vetëm disa nga thirrjet e shumta që protestuesit i adresuan para Stacionit Policor.
Gjatë protestës u kërkua që edhe policët të dilnin nga zyrat e tyre e ti bashkohen protestës në mënyrë që të ngritën kundër krimit të kolegut të tyre. Por, kjo thirrje hasi në vesh të shurdhët, sepse asnjë nga policët nuk e mori mundin t’i bashkohet protestës.
Foto: Gili Hoxhaj/ KultPlus.com
Krejt në fund të protestës fjalën e mori edhe vëllai i Vasfijes Krasniqit, gruas e cila u dhunua nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ai lexoi disa fjalë nga fjalimi i saj.
‘Unë e kam ndarë rrëfimin tim të hidhur por edhe juve vajza dhe gra të Kosovës ju inkurajoj të ngritni zërin dhe të kërkoni drejtësi. Dhunuesi ngelet dhunues dhe ai duhet marr dënimin e merituar!’. Pas gjithë thirrjeve për vetëdijesim dhe mbrojtje për vajzën e re e cila ra viktimë e njerëzve prej të cilën do duhej të gjente mësim e mbrojtje, protesta u shpërnda e qetë. KultPlus po ju sjellë një album me fotografi nga kjo protestë. / KultPlus.com
Pianisti Ivo Kahanek dhe flautist Mario Mesany kanë sjellë një bashkëpunim të veçantë mbrëmë në Prishtinë për ndjekësit e festivalit “Tingujt e Flautit”, shkruan KultPlus.
Ivo Kahanek dhe Mario Mesany janë të njohur në vendin e tyre
në Republikën Çeken, që të dy zotërojnë shumë mirë instrumentet të cilave iu
bien dhe janë fitues të disa çmimeve ndërkombëtare. Së bashku Kahanek dhe
Mesany ligjërojnë edhe në Akademinë e Arteve Performuese në Pragë mirëpo Prishtina
është ajo e cila i bëri që të interpretojnë për herë të parë së bashku. Kjo
mundësi e ofruar është mirëpritur shumë mirë nga flautisti Mario Mesany i cili
për KultPlus ka treguar se pret me padurim ditët në vazhdim dhe masterklasat me
nxënësit të organizuara në kuadër të festivalit.
“Ishte një surprizë shumë e mirë. Njerëzit në Kosovë janë shumë mikpritës dhe reagimet e tyre gjatë koncertit ishin shumë mbresëlënëse”, theksoi flautisti Mesany.
Për këtë koncert flautist dhe pianistin kishin zgjedhur një
program i cili vinte në pah aftësitë e tyre si një duo por edhe si solistë. Së
bashku sollën “Flaute Concerto in E minor” të kompozitorit Franz Benda si dhe
“Sonatina for flaute and piano” nga Eldin Burton. Mesany po ashtu solli edhe
“Syrix për flaut” nga Claude Debussy. Në anën tjetër pianisti Ivo Kahanek pati
pika më të gjata, si solist ai solli për të pranishmit “Sherzo in E major” të
Fryderyk Chopin si dhe “Sonata 1.X. 1905 From the Street” nga Leos Janacek.
Një përzgjedhje e tillë sipas pianistit Kahanek është bërë për
të sjellë para publikut një program i cili do të përfaqësonte dy instrumentet të
cilat ata i luajnë por edhe që do të prezantonte para publikut muzikën çeken. Sa
i përket bashkëpunimit me pianistin Mesany ai u shpreh se kjo është hera e parë
mirëpo shpreson që të mos jetë e fundit.
“Besoj që çdo bashkëpunim është një ide e mire, flas këtu për bashkëpunimin me Mesany por edhe me festivalin. Ne dëshirojmë që të jemi sa më shumë të hapur ndaj mundësive të tilla. Po presim me padurim masteklasat pasi që besojmë që do ketë studentë mjaft të zot dhe dëshirojmë që të shohim se çfarë kanë për të treguar”, u shpreh pianisti Kahanek për KultPlus.
Festivali ka filluar që nga janari dhe do të vazhdojë deri
në muajin maj duke sjellë për publikun koncerte, masterklasa por edhe diskutime
me instrumentist, kompozitorë dhe figura të tjera të rëndësishme të muzikës.
Drejtoresha e festivalit Erëmira Çitaku tregoi se deri tani çdo gjë është duke
shkuar mirë edhe pse janë detyruar që të ndryshojnë lokacionin e disa
ngjarjeve.
“Të dy muzikantët që i patëm sonte ishin të shkëlqyer, edhe veprat
që ata sonte sollën ishin të vendeve të ndryshme si çeke, franceze dhe
amerikane. Vepra e fundit amerikane ishte një premierë për publikun kosovar
duke përfshirë edhe disa pjesë të tjera. Besoj që kjo ka qenë edhe një kënaqësi
për ne si organizatorë por edhe për publikun i cili ishte sonte”, u shpreh
Çitaku për KultPlus.
Në kuadër të festivalit “Tingujt e Flautit” do të mbahen edhe aktivitete të tjera, i ardhshmi do të jetë një prezantim dhe debat me Momchill Georgiev më 19 shkurt duke filluar nga ora 13:00, në Kino Armata./ KultPlus.com
Historia rrëqethëse e Qerime Bomes, e burgosur nga regjimi komunist ditën që lindi vajzën. Me gjak e gjinjtë që i kullonin qumësht, e mbajtën në qeli për ta dënuar me 15 vjet heqje lirie, vetëm se ishte e bija e Ramo Bomes, aktivist i Ballit Kombëtar, i arratisur në SHBA me Mid’hat Frashërin.
Të gjithë kemi historitë tona të vogla që nënat na i
kanë treguar për ditën e lindjes, por Çiljeta Bome, mund ta quajë pa frikë
ditën e saj të lindjes, si ditën më ogurzezë për nënën e saj, Qerime Bome.
Ishte viti 1972 në Shqipërinë komuniste. Pikërisht atë ditë kur duhej të
gëzohej, për sjelljen në jetë të vajzës së saj, Qerimja u mor përdhunshëm nga
shtrati i spitalit nga sigurimi i shtetit dhe u dërgua në qeli, duke mos i dhënë
mundësinë të ushqente me gji foshnjën e saj. Edhe pse lehonë, regjimi komunist
nuk e kurseu, por e torturoi në mënyrën më çnjerëzore dhe e dënoi pa bërë
asnjë krim.
Çiljeta nuk e ndjeu dashurinë e nënës në vitet e para
të jetës së saj, por e ka ndjerë dhimbjen e saj deri në palcë. Ajo do që ta
ndajë këtë histori me të tjerët, si një kujtesë për vuajtjet e nënës së saj e
nënave e vajzave të tjera, në atë regjim të egër.
Dëshminë e saj, duke iu referuar tregimeve të nënës,
ajo e publikoi për kujto.al, arkivën online të krimeve të komunizmit, dhe vjen
i plotë më poshtë:
“Historia e nënës time është nga më tragjiket e kohës së regjimit diktatorial. Të gjithë të persekutuarit meritojnë respekt për vuajtjet e tyre, por kjo e nënës time është më tepër se e dhimbshme.
Nëna ime, Qerime Bome rrjedh
nga një familje e ndershme, atdhetare kolonjare! Babai i Qerimes (Ramadan Bome)
ishte një tregtar kolonjar, atdhetar, nacionalist, por regjimi komunist pas
1944, i bën gjyqin në mungesë dhe e dënon me vdekje si armik, tradhtarë. Gjyshi
shkon në Amerikë dhe aty ka qenë gjithmonë i aktivizuar tek Vatra, sepse ishte
mik dhe shok besnik i Mid’hat Frashërit.
Këto m’i ka treguar gjyshja ime Selvi Bome,
që më ka rritur. Aty fillon kalvari i vuajtjeve të familjes Bome. Gjyshja me
shtatë vajzat që mbetën pas, u internuan dhe iu konfiskua e gjithë pasuria.
Familja kryen dënimin në internim me tela në 1945-1950 dhe kur mbaron
internimin, me ndihmën e disa kolonjarëve të njohur, familja vendoset në një
lagje në Tiranë, me qera. Vajzat martohen dhe mami im, si më e vogla, qëndron
me gjyshen. Mami im njihet me babin tim, i cili kishte ardhur nga Gostivari,
ishte student muzike. Mami ka mbaruar degën për pikturë dhe arti i ka bashkuar
të dy. Këtu fillon lufta akoma më e ashpër. Mami martohet me babain, Daut
Mustafai, por pa celebrim, sepse babai ishte nënshtetas i huaj.
Pas martese i japin një hyrje në Lushnje, sepse u hap
një artistike atje dhe mamin tim e vendosën të bëhej shefe e prodhimit, të
mësonte punëtoret. Në 1972, erdhi koha që do lindja unë, mamaja ishte në muajin
e nëntë të shtatzënisë dhe kishte ardhur tek gjyshja në Tiranë, që të lindte.
Kur po priste që të vinte babai ta merrte e ta çonte në maternitet, mëson se
atë e kishte arrestuar sigurimi disa ditë më parë në tren, duke ardhur për
Tiranë. Kishin arrestuar Dautin si dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, nipin Robert
Burimi, tezen Afërdita Hajrullai (Bome), ca kushërinj e farefis që nuk dua
t’i lëndoj duke i përmendur.
Në fund, kur Qerimeja (mamaja) paraqitet në maternitet
të lindë, vjen sigurimi i shtetit dhe i thotë: Kemi një pyetje për ty, dhe e
marrin mamin në hetuesi. Aty asaj i fillojnë krizat e lindjes, pak presion,
frika, dhe pas shumë ore krize, vendosin ta çojnë në maternitet për të lindur.
Por sigurimi e priste jashtë dyerve të spitalit. Pas një lindjeje të vështirë,
mamin e marrin ashtu me gjak nëpër këmbë dhe me gjinj të fryrë nga qumështi dhe
e fusin përsëri në qeli, në hetuesi. Siç më tregonte ajo, vetëm në një qeli 1
metër katrorë të errët, ku kishte vetëm një dritare të vogël shumë lart.
Aty në qeli, vinte doktori dhe i lidhte gjoksin mamit
për t’i hequr qumështin nga gjiri. Mamaja më ka thënë që muret e qelisë ishin
lyer me qumështin e saj… një tmerr i paimagjinuar për një grua lehonë. Aty
vinte hetuesja Dolorez Velaj dhe hetuesi Helam Gjika dhe e akuzonin; Ti je
armike, ke dashur të përmbysësh pushtetin popullor, kemi fakte për këto. Kjo
Dolorezi ia ka tërhequr flokët nënës nëpër qeli, duke i thënë fjalë fyese.
Helami, hetuesi e provokonte duke i thënë: kemi burrin tuaj këtu, nipin, motrën
dhe ata pohojnë se ti je shkaktare e burgut të tyre. Çfarë nuk i kanë ngarkuar
përsipër në hetuesi. Në ballafaqim me Dautin (babin), i cili qe mbuluar në
gjak, ai i pëshpërit mamit në vesh: “Më fal Qerime në kam thënë diçka, shpirti
ma di, siç më shikon, çfarë kam hequr”. I nxjerri, nipin, Robertin, asokohe fëmijë
rreth 18 vjeç, që mezi rrinte në këmbë, pastaj i nxjerrin dhe motrën Afërditën.
Mami u shkatërrua psikologjikisht kur i pa njerëzit e vet e bërtiti; “Lironi Afërditën se është me diabet, ma kaloni mua dënimin e saj”. Aty Qerimeja mori veten dhe tha: “Ju jeni kriminela, nuk kam bërë politikë deri tani, po tani po më mbushet mendja që ju jeni kafshë, vrasës, kriminelë. Poshtë ju të gjithë dhe do e firmos aktakuzën, se ju urrej deri në vdekje.” I japin një laps e letër të firmosë dhe ajo thyen majën e lapsit me forcë (ata e kuptuan mesazhin e thyerjes se lapsit). E pyetën se si do e quante foshnjes e saj të sapolindur dhe ajo tha: Ju më mbyllët jetën në moshë të re, ndaj unë do e quaj fëminë tim Çil Jetë – Çiljeta.
Qerimeja u dënua me 15 vjet si kryetare e grupit
armiqësor me gjyq ushtarak. Tezja, nipi, e babi kryen nga 5 vjet burg secili.
Unë qëndrova në maternitet nja dy muaj dhe erdhi gjyshja, firmosi dhe më mori.
Një doktor aty, e lajmëroi gjyshen; hajdeni merrni foshnjën se është bërë
një plan për ta zhdukur dhe s’keni për ta gjetur më. Qerimeja u dërgua në
burgun e Qytetit Stalin si fillim, pastaj në Kosovë Elbasan në repartin 318.
Aty ishte dhe tezja, Afërdita. Babi im, Dauti ka qenë në burgun e
Burrelit, nipi po ashtu.
Mami im doli në vitin 1983 me dekret të veçantë, se
amnistia nuk e zuri, pasi unë dhe gjyshja nuk lamë letra pa bërë. Unë dhe
gjyshja që më rriti, mbetëm dyerve të burgjeve, sa në Kosovë, Elbasan dhe në
Burrel. Qerimeja ka pasur një sjellje të shkëlqyer në burg, shoqërohej me gratë
ruse të dënuara, pasi ajo më ka thënë “kishe ç’mësoje prej tyre”. Mami ka qenë
shumë shoqe (motër) me Nadjeshda Sidorovën në burg.
Mami im ka vdekur në 1992, nga një sëmundje e rëndë,
ishin pasojat e burgut. Babi po ashtu, ka vdekur pak vite më vonë, në 1997. Të
dy shumë të rinj. Unë u rrita si u rrita, ku me bukë e ku pa bukë, se gjyshja
s’kishte pension.
Ishim të terrorizuar, gjithmonë kontrolloheshim nga ata të frontit dhe të degës. Mua gjithmonë më thërrisnin reaksionare, kjo fjalë më është ngulitur në kokë. Ne fëmijët e të persekutuarve kërkojme drejtësi morale, që shpirti i atyre që ikën nga kjo jetë me kaq dhimbje, të qetësohet, të prehet në paqe. E kemi për detyrë t’i tregojmë më të rinjve se çfarë i bëri terrori diktatorial, çfarë i bëri intelegjencës shqiptare diktatura terroriste bolshevike”. /KultPlus.com
Në fund të tetorit të vitit 1943, kur vendi ndodhej nën pushtimin e trupave ushtarake gjermane, qeveria shqiptare ndërmerr një iniciativë që mund të konsiderohet si e pazakontë për stadin zhvillimor dhe situatën komplekse në të cilën ndodhej vendi në atë periudhë.
Me qëllim krijimin e një fondi të veçantë për shtypjen
e librave në gjuhën shqipe, ndërmerret një lëvizje fiskale që në thelb
parashikon vendosjen e një taksë e posaçme për disa mallra luksi; specifikisht
për parfumet, pudrat, kolonjat e produktet e tjera kozmetike që prodhoheshin
apo futeshin në vend.
Revista “Leka” e marsit të vitit 1944, në rubrikën “Lajme Kombëtare”, raporton për vendimin e marrë me 30 tetor të 1943, kur s’kishte pak javë që kishte kapitulluar Italia e vendin e saj në Shqipëri e kishte zënë ushtria gjermane. Vendimi parashikonte krijimin e “Fondit për Zhvillimin e Kulturës Kombëtare”.
Taksa 10 % për parfumet, kremrat e
produktet e tjera kozmetike
Ky fond u krijua pranë ministrisë së Kulturës
Popullore dhe do të sigurohej përmes një takse 10 % mbi çmimin e shitjes së
parfumeve, pudrave, kremrave e locjoneve të ndryshme. Me të njëjtën masë
taksoheshin edhe librat e huaj që shiteshin në Shqipëri.
“Fondi i Zhvillimit të Kulturës Kombëtare do të
jetë i derdhur pranë Bankës Kombëtare të Shqypnis. Evidenca e tij do të mbahet
prej Kontabilitetit të Shtetit” përcaktohej në vendim. Kjo taksë parashikohej
të arkëtohej përmes një pulle të veçantë që ngjitej mbi shishet me parfum e në
librat e huaj, duke iu mbivendosur vulës që mbante emrin e tregtarit të
produktit.
Të ardhurat që siguroheshin përmes kësaj skeme e që
derdheshin në “Fondin për Zhvillimin e Kulturës Kombëtare” do të caktoheshin
për shtypjen ose rishtypjen e librave në gjuhën shqipe, ashtu sikurse edhe për
çeljen e bibliotekave në trojet shqiptare ku ishte e nevojshme.
Vendimi përcaktonte që ky fond t’i kushtonte një
vëmendje të veçantë “Tokave të Lirueme” në të cilat bënin pjesë trojet
shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi.
Fondi administrohej prej një Komitetit të përbërë prej
Ministrisë së Kulturës Popullore, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së
Financave si dhe prej një shkrimtari të njohur të zgjedhur prej Ministrisë së
Kulturës Popullore dhe të një profesori të Gjimnazit të emëruar prej ministrisë
së Arsimit.
Ministria e Financave ngarkohej për vënien në zbatim dhe me ndjekjen dhe penalizimin e kundravajtjeve në rastet kur tentohej të shmangej taksa 10 % e çmimit të shitjes së këtyre produkteve. /KultPlus.com
“Përrallë Mesdheu” titullohet produksioni më i ri i
teatrit Metropol në bashkëpunim me Balkan World Music Management “MetroSounds”.
Bëhet fjalë për një festival muzikor i cili do të shtrijë programin e tij nga
data 8 shkurt deri në datën 9 mars në sallën Shekspir të Metropolit.
Programi i MetroSounds përbëhet nga një përzgjedhje
artistike e cila është e ndërtuar për të na vënë në kontakt me identitetin dhe
përkatësinë tonë Mesdhetare. Për këtë arsye përpos emrit kryesor, festivali do
të ketë dhe nënshkrimin “A Mediterranean Tale/ Përrallë Mesdheu”. Si i tillë ky
program sjell copëza kulture nga fqinjët tanë më të afërt si një formë për të
vlerësuar dhe dialoguar me kulturat që na rrethojnë nëpërmjet muzikës.
Gjatë këtij festivali muzikor do të na shoqërojnë mes tingujsh dhe projeksionesh edhe mbrëmjet poetike nga Scriptum N’ Sonus, të cilat do të na sjellin përzgjedhjen e disa prej poetëve dhe autorëve më të mirë të Mesdheut. /j.p/ KultPlus.com
Për neve që jetojmë brigjeve që luhatemi n’teh të vendimeve të vendosun e të vetmuem për neve që s’mundemi me u qefleis mas andrrave kalimtare të lirisë që dashunojmë korridoreve ku vijnë dhe shkojnë në orët ndërmjet agimeve tue shiku brenda dhe jashtë përnjiherë përpara e përmbas tue kërku nji të tashme që mbarështon nji të ardhme si buka në gojën e fëmijëve njajt andrrat e tyne nuk do t’reflektojnë vdekjen tonë;
Për neve që na asht shtypë frika brenda si nji vijë e zbehtë në tepe të ballit tue u mësu me pas frikë edhe prej gjinit t’nanës sepse me këtë armë këtë iluzion të njifarë sigurije të gjetun t’fortit kanë shpresu me na e mshel gojën Për të gjithë neve këtë dakik e këtë triumf Nuk o kanë e shkrume me mbijetu.
Edhe dielli kur lindë tutemi Se nuk ka me mbet aty kur dielli perëndon tutemi se s’ka me lindë në mëngjes kur barkun e kemi plotë tutemi që s’ka me u tretë kur barkun e kemi thatë tutemi që kurrë ma s’kemi me hangër kur t’na dashunojnë tutemi që dashnija ka me u shu kur jemi vet tutemi që dashnija s’ka me u kthy ma kurrë edhe kur flasim tutemi që fjalët tona s’kanë me u ndigju as me u mirëpritë edhe kur jemi të heshtun ne vazhdojmë më u tutë
Pra, asht ma mirë me fol tue kujtu që nuk o kanë e shkrume me mbijetu.
Parashqevi Simaku është padyshim ikonat e muzikës shqiptare të viteve ’80. Parashqevia fitoi dashurinë e publikut me zërin melodioz, bukurinë, sharmin dhe elegancën. Këngëtarja filloi të merrej me muzikë në moshën 14-vjeçare. Ajo ka marrë pjesë në shumë festivale ku publiku mezi priste ta shihte në skenë dhe ka fituar shumë çmime të para.
Parashqevia asokohe komentohej shumë edhe për veshjet e saj të cilat nuk ishin parë më përpara në skenat shqiptare. Këngëtarja u largua nga Shqipëria kur ishte 25 vjeç dhe jetoi në Amerikë ku u martua dhe lindi një djalë. Kanë qarkulluar thashethemet për Parashqevin por se çfarë bëhet sot me të nuk dihet duke qenë se këngëtarja ka preferuar të qëndrojë prej vitesh larg ekranit.
2.“Bilbili i Kosovës”, “Mbretëresha e muzikës shqiptare”, “Këngëtarja e shekullit”, janë disa nga epitetet mëse të merituara të Nexhmije Pagarushës.
Shqipëria e Kosova është krenuar me Nexhmijen e cila ka qenë një nga femrat më të bukura të asaj kohe. Por edhe sot këngëtarja ruan një ëmbëlsi dhe hijeshi si dikur.
Nexhmija vazhdon të jetë e pranishme në ekran duke mos u ndarë kurrë nga publiku i cili e ka dashur dhe e do shumë.
3.Lindita Theodhori mbetet një nga këngëtaret më të bukura shqiptare edhe sot e kësaj dite. Koha për të duket sikur ka ndaluar edhe pse kanë kaluar shumë vite që kur merrte pjesë në festivale të asaj kohë.
Lindita vazhdon të jetë aktive me këngë të reja dhe pjesëmarrje në emisione. Pak muaj më parë ajo publikoi “Cobankat” dhe “Lamtumirë”, dy këngë që u pëlqyen shumë nga publiku, transmeton Xing.al.
4.Liljana Kondakçi mbetet një nga ikonat e muzikës së lehtë shqiptare dhe ndër këngëtaret më të bukura të viteve ’80. Liljana njihej edhe si ndër të paktat vajza që visheshin shumë bukur, sikur kishte shfletuar revistat europiane.
Ajo vazhdon të shfaqet në ekran e ftuar në emsione ku flet për kohën kur këndonte në festival dhe turet muzikore. Liljana sot është gjyshe e 3 nipërve të cilat i ka pikë të dobët.
5. Me vokalin e saj potent dhe fytyrën e ëmbël, Nertila Koka fitoi dashurinë e të gjithë shqiptarëve që në moshën 17-vjeçare kur bëri debutimin e saj të parë në Koncertin e Pranverës.
Nertila jeton prej vitesh larg Shqipërisë dhe në fotot e saj të fundit shihet qartë që ruan të njëjtën hijeshi dhe elegancë.
6.Ema Qazimi njihet si kaçurelja më e bukur e festivaleve të asaj kohe. Por edhe ndër të paktat këngëtare që solli një stil të ri me veshjet e saj. Edhe sot Ema ruan të njëjtën freski sa që duket sikur koha për të ka mbetur në vend.
Ajo ka vite që e ka lënë skenën por këngët e saj dëgjohen edhe sot e kësaj dite nga brezat.
7.E ëma e kantautorit të njohur Pirro Çakos, Luiza Papa ka qenë një nga femrat më të bukura shqiptare të viteve ’60. Luizën e përshkruajnë si vajzën që të gjithë kthenin kokën kur ajo kalonte. Ishte e bukur por dhe me shumë stil në të veshur aq sa femrat e Tiranës e kopjonin.
8.Edhe Alida Hisku mbetet një nga këngëtaret më të bukura shqiptare të viteve ’70. Ditët e sotme Alida ruan të njëjtën hijeshi si dikur, por prej shumë vitesh nuk jeton më në Shqipëri. Këngëtarja që i dhuroi publikoi knëgë shumë të bukura u përjashtua nga skena në kulmin e karrierës, një moment i vështirë për Alidën.
Këngëtarja vazhdon të shfaqet në emisione ku ka shprehur mirënjohjen për publikun i cili vazhdon t’i dëgjojë këngët e saj pavarësisht se ajo është shkëputur nga skena. /KultPlus.com
Në një ishull të Paqësorit, ku jetojnë vetëm 500 banorë, fliten 9 gjuhë të ndryshme. Por si kuptohen mes njëri-tjetrit, apo janë të gjithë poliglotë? Kjo veçanti ka ngjallur kërshërinë e studiuesve, të cilët kanë kuptuar që për të arritur komunikimin shfrytëzojnë një mekanizëm që rezulton të jetë vërtetë efikas.
Komuniteti ‘Warruwi’, ishullit të vogël Australian South Goulburn, e praktikon të ashtuquajturin multilinguizëm perceptive. Pavarësisht se aty fliten anglishtja dhe 8 gjuhë të tjera indigjene, të gjithë kuptohen me njëri-tjetrin, duke folur secili idiomën e vet. Pra çdokush kupton pak ose shumë nga gjuhët e tjera, dhe përgjigjet me fanatizëm vetëm në gjuhën e vet, transmeton KJ.
Sipas linguistes australiane Ruth Singer, gjuha në këtë ishull konsiderohet si një pasuri klanore, dhe të flasësh një gjuhë tjetër perceptohet sikur nuk është një e drejtë që të përket.
Ky rregull i pashkruar respektohet rigorozikisht, ndërkohë që nuk ka asnjë rregull për t’i kuptuar të gjitha gjuhët që bashkëjetojnë brenda këtij komuniteti, pra secili ka të drejtë t’i kuptojë, por pa i përdorur.
Kronikë mbi trupin e sajë u shkrua, Nga gjeneralët e një ushtrie të vdekur tashme, Prilli i thyer, erdhi mu në shkurt këtë vit. Pallati i endrrave u shemb, në dyert e drejtësisë që dhunon. Në këtë qytet/shtet më nuk vjen nëntori. Urat me harqe po rrenohen nga klithjet e një foshnje t’palindur dje. Kjo ishte nje Ftesë në studio, për të filluar nje krim të ri. Se ra ky mort e u pamë tha ai. Dhe vazhdoi të vras atë cdo dite pak e nga pak… Kto jane Çeshtje të marrëzisë. Se dimer i vetmisë së madhe ka mbuluar gjininë tonë… Princeshat Argjiro do zgjohen një ditë… Të çthurrin të gjitha përrallat e thurrura për një grua.
Gjumin ma bâni t’qetë, Se DORUNTINEN DO E SJELLIM NE, si ferr mbi shpirtat tuaj./ KultPlus.com
E dhunuara gjatë luftës, Vasfije Krasniqi, ka komentuar dhunimin e 16 vjeçares nga Drenasi.
Krasniqi ka thënë se ky rast është një tmerr, duke shtuar se nuk po mund të gjejë fjalë për ta përshkruar ngjarjen.
‘Unë e kam ndarë rrëfimin tim të hidhur por edhe juve vajza dhe gra të Kosoves ju inkurajoj të ngritni zërin dhe të kërkoni drejtësi, Dhunuesi ngelet dhunues dhe ai duhet marr dënimim e merituar!’ – Vasfije Krasniqi.
Nesër është paralajmëruar protestë para stacionit policor, në rrugën “Luan Haradinaj”, në Prishtinë. Protesta do të mbahet nga ora 12:00.
Nga Frederik Ndoci / Çelsi nalt n’parajse apo ne ferrin ton’
Ah Ibrahim Rugova Hallallin s’ta jap Ike na le shùk, e çelsin me vedi e more, N’Parajs, Zotit n’dor ia çove Çelsin aq sekret T’Kosovës K’saj nuse t’hijshme, Qe kaq koh’ nën duvak, e ke lán
Nuk po mujn burrat e vet, Qysh prej hikjes tânde Me ja ngrejt pak duvakun Me ja zblue ftyren e Saj t’pa plakun, E me ia tregue botes at fytyren engjellore E shpirtin e vertet Nga rrjedh e fshehun Legjenda e krijimit t’rràjve t’Europës
Çilësi i t’vërtetës Gropos’ me dhunë e me qëllim M’duket n’prehèn t’Zotit rrín Kodin e kopjes djajt tan’ Fshehun mbi tok’ e mbàjn’ Greqia, Vatikani e Turqia T’përbetumit anmiq shekullor Që kurr’ me dishir’ s’kan me na e dhán Që jo mâ shum’ se tash 2700 vjet
Jam shpia e grave të egra jam britma e tyne hakmarrëse asgja të mëndafshtë s’kam përveç përtypjes.
Jam pyll që pret me lind kafsha e parë e dimnit Për orën në zemër, jam një kafshatë jetë e vdekje bashkë
vritem nga ata që s’më vrasin vras ata që s’vriten Deri n’gju më mbërrin qielli zogjtë e tij në sqep më sjellin uri të largët, uri që më josh, uri që më banon.
sytë më rrinë në vend por jo shikimi teshat më veshin prapë prapë si një kukull të mitun m’mësojnë me kja.
Por inç për inç dhimbje për dhimbje lëndinë për lëndinë trupi jem hup copa të vjetra kile të shterrshme andrrash.
ky trup që s’ma xen ma shpirtin as kjo dhomë as ky qytet që natën e tij nuk përzin me temen.
Jam goja e grave të egra jam korja e bukës në ujë nuk mbytem nuk zbutem nuk hahem shpërbahem. Më duhet me e zgjanu mishin me i tjerr eshtnat me e zbraz gjakun në një enë të bardhë me u liru dursh kambsh me u lanë me m’tretë mandej me u shtri mbi lumin që qesh nga malli për të palëvizshmen e gjallë.
Jam shpia e grave të marra jam dielli i prishun në pjatë jam cehre e frikshme jam mur pa micën mbi bark pa këmishën e forcës pa vetminë që zien mbi zjerm, pa flokët e mi të përjetshëm
Kush ka thënë se mundësitë për të rinj janë të limituara? Madje, edhe për të rinjtë nga Kosova ka plot mundësi.
Një e tillë lidhet me UNESCO.
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Kulturë, Shkencë dhe Trashëgimi fton të rinjtë nga e mbarë bota, kësisoj edhe nga Kosova si shtet në listë, për të aplikuar për pjesëmarrje në Forum e Tretë Ndërkombëtar të të Rinjve për Kreativitet dhe Trashëgimi.
Forumi do të mbahet nga 31 mars deri me 6 prill në Changsha dhe Nanjing.
Deri me datë 15 shkurt, do të mund të aplikoni për këtë udhëtim i cili synon të sjellë të rinjtë që kanë njohuri në trashëgiminë kulturore dhe ruajtjen e saj, dhe mënyrën se si të rinjtë duhet të përfshihen në industritë kulturore dhe kreative që promovojnë trashëgiminë kulturore në çdo shtet të botës.
Jam e shokuar dhe thellësisht e irrituar me lajmet mbi abuzimin e dyfishtë seksual të vajzës nga Drenasi. Pas abuzimit të saj në shkollë, e cila do të duhej të ishte shtëpi e dytë për fëmijët tanë, ajo iu drejtua për ndihmë një polici i cili do të duhej ta mbronte atë. Por, shkolla u shndërrua në ferr, ndërsa polici u bë abuzues. E gjithë kjo ndodhi sepse dy individë shpërfaqen të keqen e tyre duke ushtruar-madje vazhdimisht- dhunë të egër, mizore e barbare mbi një të mitur.
Individët e përfshirë në këtë rast nuk e kanë vendin as në shkollë e as në polici. Shkollat tona nuk janë vende krimi e policët tanë nuk janë kriminelë! Individët që dhunojnë fizikisht e psiçikisht vajzat e djemtë tanë duke kryer vepra të tilla çnjerëzore e kanë vendin prapa grilave. U bëjë thirrje institucioneve të drejtësisë që, sa më parë, ta ndriçojnë këtë rast në mënyrë që kryesit e këtyre krimeve të marrin dënimin e merituar! / KultPlus.com
Po, përtej njerëzve të kërkoj. Nuk të kërkoj në emrin tënd, po ta thërrasin, as në imazhin tënd, po ta pikturojnë. Më larg, më tutje, përtej të kërkoj.
Përtej vetes tënde të kërkoj. Nuk të kërkoj në pasqyrën tënde, as në shkrimin tënd dhe madje as në shpirtin tënd. Më tutje, më larg, përtej të kërkoj.
Më tutje, më larg përtej vetes time të kërkoj. Ti nuk je veçse ajo çka ndiej. Nuk je veçse ajo çka rreh bashkë me gjakun në venat e mia. Nuk je brenda meje.
Dhe për të të gjetur duhet të mos jetoj më brenda teje, brenda vetes time dhe brenda njerëzve. Duhet të jetoj përtej gjithçkaje, në bregun tjetër të gjithçkasë, për të të gjetur ty njëlloj sikur të vdisja./ KultPlus.com
Njerëzit e moshuar, sidomos kur jetojnë vetëm, mund të ndihen të lënë pas dore, sepse të gjithë janë shumë të zënë me jetën e tyre dhe mund të përfundojnë duke neglizhuar marrëdhënien e tyre me ta. Ata nuk flasin për vetminë e tyre, sepse nuk duan të “ngarkojnë” fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre, por thellë në zemrat e tyre ata duan më shumë shoqëri, dikë me të cilin mund të bisedojnë, të tregojnë historitë e tyre, të flasin për jetën. Të qenit i vetëm është mirë, por nëse vetmia është konstante, ajo mund të çojë në probleme emocionale.
Vetmia në moshën e vjetër ka ekzistuar gjithmonë, por sot është akoma më shumë e theksuar, për shkak të mënyrës së jetës që ne udhëheqim, gjë që na afron me teknologjinë dhe na distancon nga njerëzit. Është e nevojshme t’i bëjmë njerëzit të vetëdijshëm për këtë problem, të tregojnë se edhe të moshuarit ndihen të vetmuar, të braktisur dhe, edhe nëse nuk flasin, kanë nevojë për shoqëri, dashuri, kujdes dhe interes. Këta njerëz që kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës së tyre, duke bërë gjithçka për ne, meritojnë gjithashtu të marrin më të mirën prej nesh.
Më poshtë jepet një film i shkurtër nga profesionistja e filmave të animuar Laura Stewart, e cila tregoi me shumë hollësi se si ndihen njerëzit e moshuar./ revistapsikologji/ KultPlus.com
Gratë kosovare janë si ‘mish për top’, si shtëpi e vjedhur dhe e okupume prej disa fytyrave të dyshimta që vazhdmisht ndrrohen njona me tjetrën. Si rolet e viktimave në do krimi-filma amerikan, ku naj psikopat e mban viktimën për 20 vjet rreshtë në naj podrum e e përdhunon mentalisht e fizikisht.
Gratë kosovare janë të dhunume. Në çdo kohë e prej çdo kujt. Te dhunume prej familjes qysh të vogla Që me i përmbush standardet e ni shoqërie shizofrene E mos me ja marr ftyrën familjes. Se familja ftyrën e ka në himen të vaginës.
I dhunoi okupatori në luftë, e nuk i la as me qajtë. Shoqëria i margjinalizoj E fajin ua la tyne, sikur ato të ishin fajtore që okupatori trupin e tyre e përdori si postë për me i dërgu mesazhe të barbarizmit gjithë botës.
Sot në liri i dhunon mësuesi. I dhunon polici nëse e raportojnë dhunimin. I dhunon mjeku. I dhunon kujt ti bjere n’mend me i dhunu Veç pse organi mes komve ju osht qu, e aj osht i paaftë me e kontrollu. Po mas shumti i dhunon shteti.
Grave kosovare në vesh ju fol ni zo e ju thotë: ‘ikni prej ktu, nuk e di as une se ku, po kudo osht vend ma i sigurtë se ky’.
Sopranoja Flaka Goranci dhe pianistit Zamir Kabo do të koncertojnë së bashku të mërkurën në Linz të Austrisë . Dy artistët shqiptarë të shoqëruar nga çelisti austriak Bertin Christelbauer do të sjellin një program të larmishëm me vepra nga Verdi, Rosini, Moxarti dhe Shopeni, shkruan KultPlus.
Koncerti do të mbahet më 20 shkurt duke
filluar nga ora 19:30 në Linz në sallën Elisabethinen.
Flaka Goranci e nisi
karrierën e saj muzikore në piano, për të kaluar më pas në këndim. Studimet e
saj bachelor i përfundoi në Akademinë e Muzikës në Tiranë. Në moshën 22 vjeçare ajo debutoi me rolin e Rosina në ‘Il Barbiere di
Siviglia’ në Operën Shtetërore në Tiranë. Në Izrael, në Shqipëri e Austri ajo
është paraqitur në role të ndryshme, përfshirë ‘Le nozze di Figaro’ të
Mozartit, rolin e Dorabella në ‘Cosi fan tutte’, Ida në ‘Gemma di Vergy’, Dido
në ‘Dido and Aeneas’ dhe Die Mutter në ‘Der Jasager’. Ajo është fituese e
Bursës Hilde Zadek Scholarship Foundation ndërsa ka performuar në skena të
mëdha botërore.
I panjohur për botën e muzikës
klasike nuk është as pianisti Zamir
Kabo i cili ka performuar disa herë edhe në Shqipëri. Ai ka lindur më 1988- n
në Tiranë në një familje muzikantësh. Mësimet e para në piano i mori në
shkollën artistike “Servete Maçi”, për të vijuar Liceun Artistik “Jordan
Misja”. Studimet e larta i fillon në vitin 2006 në Fakultetin e Muzikës në
Shkup, nën drejtimin e profesorit Boris Romanov, ku edhe përfundon në 2010- n
me vlerësimin 10 Suma cum Laude. Në 2011-n vazhdon studimet master po me të
njëjtin profesor dhe përfundon përsëri me notën 10 Suma cum Laude për të
vazhduar me paraqitje nëpër salla të njohura koncertale.
Ndërsa çelisti austriak është pjesëtar i orkestrës Bruckner Orchestra te Linzit dhe ka edhe dy albume të regjistruara, të fundit në vitin 2015./ KultPlus.com