Problemi i muzeve

Paul Valéry

Muzetë nuk i pëlqej shumë. Shumë prej tyre janë të admirueshëm, por i këndshëm nuk është asnjë. Idetë e klasifikimit, të ruajtjes dhe të dobisë publike, që janë të drejta e të qarta, nuk kanë shumë lidhje me kënaqësitë.
Në hapin e parë që bëj drejt gjërave të bukura, një dorë më heq bastunin, një tabelë më ndalon të tymos.
I ngurosur tashmë nga gjesti autoritar dhe ndjenja e detyrimit, depërtoj në një sallë skulpturash ku mbretëron një konfuzion i ftohtë. Një bust i shkëlqyeshëm shfaqet midis këmbëve të një atleti të bronztë. Qetësia dhe furitë, buzëqeshjet, ngërdheshjet, ekuilibrat më kritikë më krijojnë një përshtypje të padurueshme. Ndodhem në një rrëmujë krijesash të ngurtësuara, ku secila kërkon, pa arritur ta fitojë, mosekzistencën e gjithë të tjerave. Dhe nuk po flas, pastaj, për kaosin e gjithë atyre madhështive të përmasave të ndryshme, për përzierjen e pashpjegueshme të xhuxhëve me gjigandët, dhe as për atë përmbledhje të evolucionit që na ofron një tubim i tillë qeniesh të përsosura e të papërfunduara, të gjymtuara e të restauruara, përbindshash dhe zotërinjsh…
Me shpirtin e gatshëm ndaj çdo mundimi, përparoj drejt pikturave. Para meje shtjellohet në heshtje një çrregullsi e çuditshme dhe e organizuar. Më kap një tmerr i shenjtëruar. Hapi më bëhet i devotshëm. Zëri më ndryshon dhe bëhet pak më i lartë se në kishë, por më pak i fortë nga ç’tingëllon në jetën e përditshme. Pas pak, nuk di më ç’m’u desh që erdha në këto vetmi të shkëlqyeshme, që kanë të bëjnë me tempullin dhe sallonet, me varrezat dhe shkollën… Mos erdha vallë të nxë, të kërkoj të ngazëllehem, apo të përmbush një detyrë sa për sy e faqe? Apo mos është ndonjë ushtrim i një lloji të veçantë kjo shëtitje e penguar habitshëm nga bukuritë dhe e shmangur çdo çast nga ato kryevepra në të majtë e në të djathtë, midis të cilave duhet të sillesh si i dehuri mes tryezave?
Trishtimi, mërzia, admirimi, koha e bukur që bën jashtë, qortimet e ndërgjegjes, ndjesia e tmerrshme e numrit të madh të artistëve të mëdhenj ecin së bashku me mua.
E ndiej se bëhem tmerrësisht i sinqertë. Ç’lodhje, i them vetes, ç’barbari! E gjitha kjo është jonjerëzore. E gjitha kjo nuk është aspak e dëlirë. Është një paradoks ky afrim mrekullish të pavarura por të kundërta, e madje që sa më tepër ngjasojnë, aq më armike janë me njëra-tjetrën.
Vetëm një qytetërim as epshndjellës, as i arsyeshëm mund të ketë ndërtuar këtë shtëpi të inkoherencës. Nuk di çfarë gjëje e pakuptimtë del nga kjo fqinjësi pamjesh të vdekura. Ato xhelozohen dhe grinden me sho-shoqen për vështrimin që u sjell ekzistencën. Ato thërrasin nga çdo anë vëmendjen time të pandashme; tronditin pikën nevralgjike që tërheq gjithë mekanizmin e trupit drejt asaj që e josh…
Veshi nuk do të duronte dot të dëgjonte dhjetë orkestra në të njëjtën kohë. Mendja nuk mundet as të ndjekë, as të drejtojë disa operacione të ndryshme dhe nuk mund të bëjë disa arsyetime të njëkohshme. Por syri, në çastin e hapjes dhe të perceptimit, detyrohet të pranojë një portret dhe një tablo detare, një kuzhinë dhe një triumf, personazhe në gjendje dhe përmasa nga më të ndryshmet; e, për më tëpër, duhet të thithë, me një vështrim, harmoni dhe mënyra të pikturuari të pakrahasueshme mes tyre.
Sikundër shqisa e të parit dhunohet nga ky abuzim i hapësirës që përbën një koleksion, edhe inteligjenca sulmohet po aq nga një grumbullim i ngjeshur veprash të rëndësishme. Sa më të bukura të jenë këto vepra, sa më i jashëzakonshëm të jetë efekti i ambicjes njerëzore, aq më tepër duhet të jenë të veçuara. Ato janë objekte të rralla, autorët e të cilave do të donin që të ishin të vetme. Kjo tablo, thonë nganjëherë, i VRET të gjitha të tjerat përreth…
Besoj se as Egjipti, as Kina, as Greqia, që qenë të ditur e të rafinuar, nuk e kanë njohur këtë sistem të ndërvendosjes së produkteve që përpijnë njëri-tjetrin. Ato nuk rreshtonin, me numra amzash dhe sipas parimesh abstraktë, njësi kënaqësish të kundërta.
Por trashëgimia jonë është shtypëse. Njeriu modern, duke qenë se është rraskapitur nga pafundësia e mjeteve të tij teknike, është varfëruar nga vetë tepria e pasurive të tij. Mekanizmi i dhuratave dhe trashëgimive, vazhdimësia e prodhimit dhe e blerjeve, – si dhe shkaku i rritjes që lidhet me ndryshimet e modës dhe të shijes, me rikthimin drejt veprave që ishin shpërfillur, ndihmojnë pa u ndalur në grumbullimin e një kapitali të pamasë e, për rrjedhojë, të papërdorshëm.
Muzeu ushtron një joshje të vazhdueshme mbi gjithçka që bëjnë njerëzit. Njeriu që krijon, njeriu që vdes, e ushqejnë muzeun. Gjithçka përfundon mbi mur ose në vitrinë… Në mënyrë të pashmangshme më shkon mendja te një bankë lojrash që del e fituar në çdo hedhje zaresh.
Por mundësia për të përdorur këto burime gjithmonë e më të mëdha është fort larg së rrituri së bashku me to. Thesarët tanë na dërrmojnë dhe na shastisin. Nevoja për t’i përqendruar në një vend ua shumëfishon efektin shtangës e të trishtë. Sado i madh të jetë pallati, sado i përshtatshëm, sado i mirorganizuar të jetë, ne gjendemi gjithmonë pak të humbur e të dëshpëruar nëpër galeritë e tij, të vetëm përballë kaq shumë arti. Prodhimi i atyre mijëra orësh që kaq e kaq mjeshtra kanë harxhuar për të vizatuar dhe pikturuar vepron mbi shqisat dhe mendjen tonë vetëm për disa çaste; dhe këto orë ishin orë të ngarkuara me vite kërkimesh, eksperimentesh, përqëndrimi, gjenie!… Na duhet pashmangshëm të mposhtemi. Ç’të bëjmë? Bëhemi sipërfaqësorë.
Ose bëhemi eruditë. Në fushën e artit, erudicioni është një lloj disfate: ai ndriçon atë që nuk është më delikatja, thellon atë që nuk është thelbësorja. Erudicioni, me hipotezat e tij zëvendëson ndijimet, me kujtesën e vet të mrekullueshme zëvendëson praninë e mrekullisë; dhe i bashkëngjit muzeut të madh një bibliotekë të pafundme. Afërdita e shndërruar në dokument.
Me mendje të prishur, duke m’u marrë këmbët, dal nga ky tempull i këndelljeve më fisnike. Lodhja e skajshme, nganjëherë, shoqërohet nga një aktivitet pothuajse therës i mendjes. Kaosi i mahnitshëm i muzeut më ndjek dhe ndërthuret me lëvizjen gjithë gjallëri të rrugës. Turbullimi im kërkon shkakun e tij. Ai vëren apo krijon nuk di çfarë marrëdhënieje midis asaj mjegullnaje që s’i shqitet dhe gjendjes së trazuar të arteve të kohës sonë.
Jemi dhe lëvizim në të njëjtin marramenth të përzierjes, torturën e së cilës ia veshim artit të së shkuarës.
Befas më shfaqet një dritë e vagëlluar. Një përgjigje përpiqet brenda meje, shkëputet pak nga pak prej përshtypjeve të mia dhe kërkon të shprehet. Piktura dhe Skulptura, më thotë demoni i Shpjegimit, janë fëmijë të braktisur. Nëna e tyre Arkitekturë ka vdekur. Për aq sa kjo jetonte, u caktonte atyre vendin, përdorimin dhe detyrimet. Liria e bredhëritjes u ishte refuzuar. Ato kishin hapësirën, dritën e përcaktuar mirë, subjektet, aleancat e tyre… Kur jetonte Arkitektura, Piktura dhe Skulptura e dinin se ç’donin…
– Lamtumirë, më thotë ky mendim, më mirë të ndalemi këtu.

Përkthyer nga Alket Çani./ KultPlus.com

HAVEIT, nesër për kafe e bisedë në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Nesër, me datë 6 Shkurt, ditë e mërkurë, kolektivi “Haveit” do të jenë të pranishme për ju në takimin e radhës “Kafe me artisten”, në kuadër të ekspozitës Perceptime\Burrneshat.

Artistet ju ftojnë të pini kafenë bashkë me to dhe të dëgjoni rrëfimin e tyre për rrugëtimin në botën e artit, sukseset dhe sfidat gjatë karierës së tyre artistike.

Takimi mbahet në orën 10:30 -11:30 në Galerinë Kombëtare të Kosovës 

HAVEIT (Alketë Sylaj, Hana Qena, Vesa Qena, Arbërore Sylaj) është një grup që përbëhet prej katër grave të cilat kanë tendencë të shkojnë përtej kënaqësive ditore, rregullave të moralit si dhe refuzojnë të pajtohen me çështjet që iu shërbehen të gatshme. E themeluar në vitin 2011, ato nuk bëjnë asgjë tjetër përveç se tregojnë historinë e tyre dhe tuajën!

Ato kanë mbajtur performansa të shumta rrugore si “Ekzaminimi”, “Je Suis Glamour”, “Pa ujë e me fontanë”, “Dita e Shën Valentinit”, “Përdorni gojën tuaj”, “Shoeining”, “Pushimi i gjatë”, “Rruajtja e Patriarkalitetit “, “Edhe sa thirrje të humbura “, e të tjera.
Të njohura për video instalimet siç janë: “Kur babai qau, nëna mi lau sytë”, “Tager”, “Baby Blues”, “Pushimi i gjatë”, dhe shumë tjera.

HAVEIT gjithashtu kanë mbajtur ekspozita personale në “Stacion” – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë, në Galerinë “Motrat”- Prishtinë, si dhe Galerinë “Bazement” në Tiranë.

Puna e fundit e HAVEIT ishte “Edhe sa thirrje të humbura?” Instalacion në billboard me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

HAVEIT janë fituese të çmimit për Demokraci të KCSF për vitin 2018.

“Nuk besoj te frymëzimi, por te përqendrimi”

John Banville

Nuk besoj te frymëzimi, por te përqendrimi. Dhe, kur përqendrohem kënaqshëm, kam ndonjëherë përshtypjen, me siguri që të gabuar, se arrij të kuptoj misteret e jetës. Gjithë personazhet e mi përbëjnë anë të ndryshme të vetes sime. Unë jam vrasësi, unë jam edhe viktima. Subjekti asnjëherë nuk më ka interesuar kush e di se çfarë. Ajo ç’më intereson është mënyra e të shkruarit, ndërtimi, stili. / KultPlus.com

Letër Besiana Kadaresë!

Arbana Xharra
Letër Besiana Kadaresë!

Në një ngjarje shumë të rëndësishme në New York, në Konferencën për “Shpëtimin e Hebrenjve”, gjatë luftës së dytë botërore, Ju si udhëheqese e Konferences ia paskeni suspenduar të drejtën në fjalë Ambasadores së Republikës së Kosovës. Keni vepruar konform stilit të Beogradit. Me siguri do ju elozhojnë për këtë akt. Pra, po të kishte qenë ambasadori i Beogradit, aspak nuk do të habiteshim me këtë refuzim të ulët. Por si ta komentojmë këtë sjellje aversive pasiqë e keni bërë ju. Dhe nuk është i pari; kur kemi parasysh votimet që i bëni në asamblenë e OKB-së e që shpesh na tërbojnë edhe flokët. Po provojmë ta gjejm motivin se pse nuk e lejuat Ambasadorën e Kosovës të flas në këtë ngjarje përmasash kombëtare e ndërnacionale. Ngjarje që ka shumë rëndësi për gjithë shqiptarët, kudo që janë. Ishim ndër të vetmit që shpëtuam Hebrenjtë gjatë Luftës së II-të Boterore. Që drama të bëhet edhe më e padurueshme dhe reagimi ynë i kufizuar: keni qëlluar edhe bija e njërit prej figurave kolosale, më të rëndësishme të kësaj epoke shqiptare, pra jeni bija e Ismail Kadaresë. Këtij gjeniu, i cili me penë, frymë e çdo fuqi provon ta bindë botën se kush janë shqiptarët. E ju? Ç’bëni ju? Mos keni ndonjë problem me identitetin që veproni të kundërtën? A do ishe aty mos ishe e bija e kujt je? Jo, besoj, me këtë frymë që shpreh. Qeveria Shqiptare duhet ta kuptoj se kjo zonjë nuk e ka vendin aty, ky nuk është rasti i parë dhe i vetëm, por është kulmi.

‘Dashuria ndaj Zotit s’matet me ‘lejla’, as me sure, as me dua, as me psalme’

Roland Sylejmani

Në Kosovë paska qytetar që po u mohojka e drejta me u preh me dinjitet në aktin final t’jetës së tyre.

Trishtim i ránd është mos me mujtë me e përcjellë me dinjitet nanen e cila t’ka rritë, la e shpërla, t’ka dhanë me hanger e me pi, e për shkak të një rituali, një refreni në gjuhen arabe rrezion me t’mbetë prindi pa u varrosë.

Nëse nana e këtij zotniut është si shumica e nanave t’vujtuna t’Kosovës, ajo e ka garantua xhenetin qysh kur është lindë vajzë. Pa dua, sure e lutje,mjafton pesha e ‘fajit’ pse u lindë gru, me hanger idhnimin e krejt farefisit veç pse n’vend penisit ka vaginë; ky është destinimi se ajo i ka la krejt gjynahet e kësaj bote, sepse Zoti i do njerëzit të barabartë!

Me dashtë e adhuru Zotin s’ke nevojë për ndërmjetësimin e kërkujt, fundja as hoxha as prifti e as shehu s’kanë kanar që e matë devotshmërinë e besimit n’Zot te një individ.

Dashuria ndaj Zotit s’matet me ‘lejla’, as me sure, as me dua, as me psalme; thjesht është e pamatshme!

P.S

Pa pare, as hoxha s’hyp n’minare 😉

‘Të dashurës’, poezi arbëreshe e Francesco Crispi

Nga Francesco Crispi

Nik KRIE-SHPISË

Bukuria tij të nxijti 
sitë e rrùdhurin këshèt; 
mosnjeri nkak, na të glet, 
me sorós të tha: pò za.

Te di anët të volisë 
pa-rrëfìeme trandafile 
tij, e hjèshmeza kopile, 
ftiriosura të là.

Kur u leve ajò të puthi, 
e mbi buzën t’ënde ngjisi 
kuqin bukur, çë potisi 
më gjith t’ëmblit çë më ká.

Hire shumë të dhuroi, 
të dhuroi ngá lipisi; 
sá shërbise, çë ti s’di 
bukurìeja të dha!

Kur u rrite, e hjèshmja jime, 
stisi tij atò di molla, 
të përsisme edhe të holla, 
çë të mblojën atë gji.

Muo si nj’ëngjëll ti më duke, 
zërthin ké i rrgjëndë, i lartë, 
e nga trim të bunet jart, 
sa të sheh; e mirë e di.

Botu së pari herë në gazetën «Arbri i Ri» (La Giovane Albania). Vjeti I. N. II. 1 Maj 1887.

Gima dhe Nardi nesër në HAMAM

Albumi i ri i Gimës “Zbardhi dita” vjen nesër mbrëmë në Hamamin e ngrohtë së bashku me Leonard Canhasin, shkruan KultPlus.

Albumi “Zbardhi dita” përmban disa këngë duke përfshirë edhe një këngë me të njëjtin titull e që është një këngë që ka fillu në mesin e viteve të 90ta. Dashnia ndaj vendlindjes, nënës … dëshira që një ditë të zgjohet në gjirin familjarë. Pastaj kalimi i kohës, ngjarjet e luftës, paslufta, humbja e më te dashurës (nënës), koha e pavarësisë, ëndërrat më të mira që thurrnim për vendin tonë dhe zhgënjimi që dhemb e dhemb e nuk ndalet përderisa i shef njerëzit përreth që janë zhytë në agoni prej të cilës nuk dalin dot.

Kjo mbrëmje e ngrohtë muzikore fillon në ora 21:00 në Hamam Bar Prishtina./ KultPlus.com

Alban Skenderaj sjellë këngën “Jetë”

Këngëtari Alban Skenderaj ka sjellë këngën e re të titulluar “Jetë” . Tekstin dhe muzikën e kësaj kënge e ka bërë vet këngëtari.

Stepen buzët, dridhet zëri

Fjalët po me lidhen nyje në fyt

Nuk e besoja unë i mjeri

që për çdo fillim gjithmonë ka një fund

Dhe prita, dhe mbolla

një farëz që nuk do mbinte kurrë

I mposhtur dëshmova lirinë e saj

Nuk ka sekondë që frymarrjen s’ma ndal

Nuk ka minutë që nuk dua të vdes

Jo nuk ka orë që nuk tretem në mall

Jo nuk ka ditë që dorëzohem ta pres

Dhe nuk ka natë që në ëndërr s’më merr

Nuk ka javë që ndërgjegjja s’më vret

Nuk ka muaj, nuk ka stinë

Nuk ka vit jo, shekull, jetë./ KultPlus.com

Grupi Marigona së shpejti sjellë këngën “Ku je”

Grupi i njohur Marigona do të sjellë së shpejti këngën e tyre të re “Ku je”. Marigona këtë lajm e ka bërë të ditur duke ndarë me ndjekësit e tyre në Facebook një pjesë të kësaj këngë.

https://web.facebook.com/vullnet.sefaja/videos/2183259585046558/UzpfSTEwMDAwMDg3NjE0NTIwMDozMDYwNjExMjk0OTk0MTQ6MTA6MDoxNTUxNDI3MTk5Oi00Njg3NDcyMDM2NjAzMTA3NTQy/

Grupi Marigona i themeluar në vitin 1991 nga Faton Kurteshi në qytetin e Mitrovicës kanë dhuruar ndër vite këngë që u bënë hite. Prandaj pritet për të parë suksesin që do të arrijë këngë e tyre e re “Ku je”./ KultPlus.com

Rudina Xhaferi: Unë krijoj prej kaosit që më jep Prishtina

Gili Hoxhaj

Tash e një javë, ekspozita “Perceptimet: Burrneshat” e ka bërë Galerinë Kombëtare të Kosovës një vendtakim për artistet e njohura kosovare, të cilat po ftohen të ndajnë kohën e tyre në kafe e bisedë me qytetarët, duke rrëfyer kësisoj tregimet e tyre artistike dhe rrugën e tyre, që nuk duket të jetë gjithmonë e lehtë.

Mbi të gjitha, ato po shërbejnë si një burim inspirimi.

Në këtë rrjedhë depërtoi sot rrëfimi i Rudina Xhaferit. Ajo e mbajti publikun krejt sy e vesh në rrugëtimin e saj që në secilën pikë dëshmonte për besnikërinë e saj ndaj individualitetit e origjinalitetit të saj krijues. S’kishte qenë e lehtë ta mbante gjallë, e të mos lejonte shtypjen e tij. Këtë besnikëri e ka ruajtur për më shumë se dy dekada, që kur ka nisur të hedhë hapat e saj të parë në fushën e artit. Gjithçka kishte nisur me thonjtë, mediumi prej nga Rudina e kishte mbeshtetur një pjesë të madhe të rrugëtimit të saj.  Faktin që nuk ishte dorëzuar në ketë medium, ia dedikon edhe prindërve që kishin investuar fort në individualizmin e saj. Ndryshe nga familja, që është foleja e saj e harmonisë e cila ka ushqyer veçantinë e saj, në shkollë ajo kishte hetuar tendencën për mos ta zhveshur individualitetin e saj, madje nëse kjo ndodhte, Rudina frikësohej se edhe mund të shërbente për ta shtypur atë nga mësimdhënësit e asaj kohe.  

Rudina gjatë bisedës së sotme theksoi se nuk ka lejuar që të bëjë kompromise me artin e saj në këmbim të anës materiale. Krijimin më së shumti e sheh si ushqim shpirtëror për vete. Bindshëm thotë se arti ditor e përmbush atë shpirtërisht dhe ka ndikuar në ruajtjen e origjinalitetin e saj. Kështu thotë se ka ruajtur rehatinë brenda vetes, duke i ikur shpesh ndikimeve të shoqërisë. Xhaferi, përkundër trendeve veten e mban larg teknologjisë, shpesh përdor lapsin, kompasin, vizoren për t’i dhënë formë inspirimit të saj. Thotë se qëndron e distancuar nga pjesa teknike e veprës dhe tërë përqëndrimin e ka fokusuar tek pjesa kreative.

Tregimin ajo e lidhi me një pikë tejet të rëndësishme të formimit të saj artistik. Fëmijëria e saj është zhvilluar në një mjedis ku ka pasur shumë harmoni dhe atmosferë brenda familjes, ku çdo veprim ka rrjedhur në përkushtim në detaje, ndryshe nga ky ambient, shkolla i kishte ngjarë në një vend ku mësimdhënësit kanë qenë të prirur t’ua diktojnë rrugën nxënësve, pa tentuar ta nxjerrin në pah individualizmin nga secili. Ajo thotë se pavarësisht që e ka kundërshtuar qasjen e mësimdhënësve dhe profesorëve, kjo i ka shërbyer për artin e saj. Mrrolat e profesorëve të saj kishin zënë faqet e fundit të fletores së saj. Në vete, këtë skicim e kishte cilësuar më të suksesshëm se sa ta dëgjojë një profesor i cili nuk ka ardhur me dashuri në shkollë.

“Në shkollë mësuesit, profesorët, disi kanë kërkuar që ne të jemi të gjithë njëjtë, të gjithë me shkëlqy në secilën lëndë, thjeshtë kanë dashur të na fusin në një shabllon, me apo pa vetëdije. Prindërit e mi kanë punu me secilin prej neve dhe i kanë vërejtur ato shkëndizat çka neve na pëlqen dhe çka neve na intereson dhe secilin janë munduar ta orientojnë në gjërat që na pëlqejnë. Brenda vetes gjithnjë e kam ndjerë një dozë të veçantisë”, u shpreh Xhaferi.

Ekspozita e parë si brucoshe në Galerinë “Dodona” dhe thonjtë si mediumi më i rëndësishëm në krijimtarinë e saj

Rudina shtoi se asnjëherë nuk i ishte kundërvyer sistemit arsimor. Dozën e veçantisë e kishte ruajtur duke qëndruar më e tërhequr, duke u munduar të qëndrojë e pavërejtur nga ata por në të njëjtën kohë duke pasur kujdes nga mundësia e shkatërrimit të individualitetit të saj.  Thonjtë kishin qenë mediumi i parë ku ajo fillon ta përplasë artin e saj, goxha të zhgënjyer e kishte lënë njërin nga profesorët që kishte dashur t’ia humbasë një vit shkollor veç për shkak të dukjes së thonjve të saj. Megjithatë Rudina i kishte rezistuar këtij presioni. Sot thotë se thoni mbetet mediumi më i rëndësishëm i punës së saj, dhe gjithë metodën e punës që e ka punuar në thonj e ka bartur edhe në mediume tjera. Xhaferi thotë se kjo krijimtari do të shuhej po qe se do t’i bindej profesorit që i kishte kërkuar prerjen e thonjve, andaj përkrahja e prindërve dhe besimi i tyre tek fëmijët është shumë i rëndësishëm.

“Në shkollën e mesme, ajo shkëndijë ka filluar të dalë sadopak në sipërfaqe, fillimisht në shkollën e mesme në vitin e dytë-tretë, fillova me eksperimentu me veshje dhe doja t’i shihja reagimet e njerëzve se si atyre iu duket një veshje e jashtëzakonshme brenda qytetit tonë por që njëkohësisht, me çdo potezë që e kam bërë, jam ndier shumë mirë brenda vetes. Ajo që më ka bërë të ndihem shumë mirë janë edhe shkallavitjet e para që fillova t’i bëj në thonjtë e mi, që ka qenë një art ditor i i mi dhe që mua më ndihmuar të shprehem artistikisht, në atë kohë pa vetëdije por më vonë e kam parë që ka qenë një domosdoshmëri”, tregoi tutje artistja vizuale Rudina Xhaferi.

Pas përfundimit të shkollës së mesme, Xhaferi vendos të regjistrohet në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Arteve/Dega Dizajn Grafik. Gjatë vitit të parë të studimeve, një shok i motrës, Skënder Boshtrakaj (ish-drejtor i Muzeut të Kosovës) me një grup studentësh e shohin veçantinë e saj artistike në thonj. Boshtrakaj pas një bisede me Rudinën, i jep një ide që asaj do t’i shërbente më pas për ta përmbledhur në ekspozitë, që do të zgjonte goxha interesim nga komuniteti dhe mediat.

“Skënderi e shihte se si unë i pikturoja thonjtë, dhe pas dy orësh në ta pikturoja ndonjë imazh tjetër. Më pyeti se çfarë ndodhë me këto ide. I thashë se kam aq shumë ide, sa qeë sa herë i kam llaqet përpara unë krijoj në mënyrë të vazhdueshme. Ai ma dha një ide shumë të mirë në mënyrë që punimet e mia të zgjasnin më shumë, që të pikturoja në thonj artificial”, tregoi Xhaferi e cila pas kësaj bisede kishte vazhduar punën e vazhdueshme për gjashtë muaj dhe në fund kishte pikturuar 60 vepra të thonjve me dashninë më të madhe dhe me shumë netë të gjata pa gjumë. Ky vrull i saj është shfaqur në vitet e 90-a dhe ajo e kishte ndjerë dëshirën që t’i ekspozonte diku. Qëllimi i saj ishte që punimet t’i prezantojë në Galerinë “Dodona”, si galeria e vetme profesionale që funksiononte në atë kohë. Këtu i kishte shërbyer fort këmbëngulja e saj, edhe pse disa nga profesorët e saj e kishin kundërshtuar këtë ide. Ajo si brucoshe arriti t’i ekspozonte punimet e saj në këtë galeri për një javë, ndërsa thekson se për të vetëm hapja e ekspozitës kishte rëndësinë e veçantë.

“E pamundura ishte se në atë kohë ekspozonin vetëm profesorët tanë. Unë isha brucoshe kështuqë të tjerët thonin se ishte e pamundur, por insistimi im ishte që nëse unë e hapi ekspozitën në Galerinë “Dodona”, e gjithë karriera ka me m’ecë  mirë. Përmes prindërve arrita ta ftoj në shtëpi drejtoreshën Alisa Maliqi së bashku me axhën Shkëlzen Maliqi të cilët u mrekulluan me punimet e mia dhe vendosën me ma mundësu hapjen e ekspozitës, jo për një muaj por për një javë”, tha ajo.

Rudina gjatë kohës së luftës ishte shpërngulur në Tetovë kurse me vete kishte marrë veç albumin e fotografive dhe një qese me llaqe dhe thonj artificial.

“Në cfarëdo gjendje shpirtërore që isha, ishte i  vetmi thoni që më ndihmonte më e shpreh veten”, tregon ajo.

Prishtina si burim inspirimi

Rudina Xhaferi thotë se inspirimin më të madh e gjen në Prishtinë. Këtë më së miri e kishte kuptuar gjatë kohës sa kishte qenë pjesë e Kultur Kontakt në Vjenë të Austrisë. Aty kishte pasur komoditetin që vetëm të krijojë, përgjatë tre muajve të rezidencës.

“Gjithë këtë inspirim ma jep qyteti ma kaotik që najherë më ka ra me vizitu, e që është kryeqyteti, Prishtina. Pse e përmenda këtë është sepse më ka ra me udhëtu në vende të ndryshme dhe në vitin 2008 isha pjesë e Artistët në Rezidencë 2008, Kultur Kontakt, Vjenë, Austri. Kaloi muaji i tretë dhe besomni që kam arritur vetëm tri javë para ekspozitës që të krijoj diçka të re e që për mua ka qenë shumë sfiduese dhe e lodhshme. Aty e kam kuptuar se metropolet nuk më bëjnë mirë që të krijoj. Unë krijoj vetëm përmes kaosit që ma jep Prishtina si vend”, tregoi Xhaferi.

“Përpos familjes, pjesa më e bukur që po më ndodhë në Prishtinë jane studentët e mi’’

Rudina Xhaferi e cila është paraqitur në shtatë ekspozita personale e 20 kolektive, ka punuar edhe si ligjëruese në Shkollën e Modës Design Factory, po ashtu dhe si ligjëruese, bashkëpuntore e jashtme në Fakultetin e Arteve, pranë Universitetit të Prishtinës. Ajo me publikun i ndau edhe disa fjalë për këtë pjesë të jetës së saj.

Xhaferi tha se përveçse ligjëron me shumë dashuri, mundohet të krijojë shumë afërsi me studentët. Përpos familjes, ajo thotë se studentët përbëjnë pjesën më të bukur që asaj po i ndodhë vitet e fundit në Prishtinë.

“Për mua ligjërimi është dhunti, e ke ose nuk e ke, e para. E dyta, ti mund të jesh profesionist por nëse qasja jote ndaj studentëve nuk është e afërt, për mua është baraz me zero. Unë komunikoj lirshëm me studentët e mi sepse nesër ata do të jenë kolegët e mi dhe unë i adhuroj studentët e mi”, theksoi Xhaferi.

Në vitin 2001, Xhaferi prezantoi ekspozitën e parë me performancë. Performanca nënkuptonte qëndrim pa lëvizur në performancë për 15 minuta. Sikleti që ia kishte dhënë realizimi i performancës, kishte bërë që Rudina të dorëzohej shumë shpejtë. Këtë ia kishte kumtuar mamasë së saj, e cila kishte larguar pak syzet nga sytë dhe i ishte drejtuar se askush nuk mund ta përfaqësojë idenë e saj më mirë se vetë ajo që e kishte kristalizuar këtë performancë.

“Fokusin nuk e kam pasur tek vetja por si po më sheh publiku dhe trupi fillojke të më dridhej. Mamaja më tha, “Shko në shtëpi dhe fokusohu tek vetja dhe shkëlqe siç din ti”. Ashtu siç tha nana, me u fokusu tek vetja është gjëja më e mirë që mund t’ia bësh vetes”, tregoi Rudina.

Rudina Xhaferi punon në  Radio Televizionin e Kosovës – RTK, prej vitit 2003, mbikëqyrëse e sektorit të skenografisë. Ajo punon në mediume të ndryshme: Pikturim në Thonj, Fotografi, Video, Performancë, Skenografi (TV e Teatër), Kostumografi (Teatër) dhe së fundmi është orientuar në Fashion Design.  Ajo ishte bashkëkuratore në Ekspozitën “Artistët e rinj 2017”. Nëntor 2004: Çmimi i parë, Ekspozita “Salloni i Nëntorit”, Galeria e Arteve të Kosovës, Prishtinë Kosovë, Korrik-Shtator 2018: Pjesëmarrëse në FashionFilm FestivalChicago2018.

Ekspozita “Perceptime: Burrneshat” si dhe diskutimet që po zhvillohen janë rezultat i bashkëpunimit në mes të British Council dhe Galerisë./ KultPlus.com

Jonida kërkon ndihmën e institucioneve dhe bizneseve për përfaqësimin në Eurovizion

Kanë mbetur edhe disa muaj deri tek Festivali Evropian i Këngës – Eurovision.

Këngëtarja Jonida Maliqi, e cila këtë vit përfaqëson Shqipërinë në Eurovision me këngë “Ktheju Tokës”, ka nisur përgatitjet për një prezantim sa më dinjitoz.

Përveç këngës e cila pritet shumë shpejt të publikohet në versionin final bashkë me videoklip, rëndësi më të madhe ka paraqitja në skenën e madhe të festivalit i cili ndiqet nga 200 milionë shikues.

Jonida dhe grupi i saj që pritet të udhëtojnë drejt Tel Avivit në muajin maj, dhe kanë nisur të kërkojnë financim nga institucionet dhe bizneset, pasi RTSH ka një buxhet të kufizuar për prezentim në Eurovision, transmeton Magazina.al.

Këtë e ka konfirmuar edhe kompozitorja e këngës Eriona Rushiti, e cila ka thënë se po e bëjnë këtë që të mos kenë probleme me realizimin skenik dhe që Shqipëria të ketë një paraqitje sa më dinjitoze në skenën evropiane.

https://www.youtube.com/watch?v=463I8UT_3n4

“Po kërkojmë mbështetje edhe nga pushteti edhe nga bizneset, që të dyja na duhen. Jonida nuk përfaqëson veten në Eurovision, por gjithë shqiptarët, ndaj një mbështetje nga të gjithë i bën mirë Shqipërisë. Kjo do të thotë që të mos kemi problem me pamundësinë e realizimit skenik për shkaqe financiare”, ka thënë kompozitorja e këngës “Ktheju Tokës”.

Eurovizioni këtë vit mbahet në Tel Aviv, më datat 14,16 dhe 18 maj, kurse Shqipëria do të prezentohet në natën e dytë. / KultPlus.com

Ipeshkvinjtë Arbëreshë të Ungrës (Lungros)

Don Lush Gjergji

Papa Benedikti XV më 13 shkurt 1919 me bullën e veçantë “Catholici fideles” e ka themeluar ipeshkvinë – eparkinë lindore të ritit grek – bizantin , duke i ndarë klerin dhe besimtarët nga ipeshkvijtë perëndimore italiane.

Arsyeja e këtij vendimi dhe themelimi është kjo: “Besimtarët katolikë të ritit grek, banorë të Epirit dhe të Shqipërisë, duke u larguar në një numër të madh nga sundimi turk, kanë emigruar në Italinë e afërt, ku janë pranuar me dashuri dhe janë vendosur në krahinën e Kalabrisë dhe të Sicilisë, duke ruajtur, siç është e drejtë, traditat dhe institucionet, ritin e Kishës së tyre, si dhe të gjitha ligjet tjera zakonore që i kanë pranuar nga paraardhësit e tyre, dhe që gjatë shumë shekujve i kanë ruajtur me kujdes dhe dashuri…”

Bulla vazhdon kështu: “Shi për këtë Ne, me fuqi të plotë apostolike, vendosim që menjëherë të themelohet kanonikisht një ipeshkvi e ritit grek në Kalabri, me emërtim e selisë në Unga – Lungro, me katedralen e Shën Kollit nga Mira, ipeshkvin ordinar…”.

Ipeshkvinjtë Arbëreshë deri me sot

* Imzot Giovanni MELE (1919 – 1979)

Giovanni Mele lindi në fshatin arbëresh Acquaformoza (Firmoza) më 19 tetor 1885. Ka studiuar në Cassano, më vonë në Kolegjin Grek në Romë. Gjatë viteve të rinisë dhe formimit meshtarak ishte mjaft i zellshëm, shumë i vëmendshëm dhe i vendosur për jetën e kushtuar Zotit, Kishës, njeriut.

Shugurohet meshtar më 7 qershor 1908. Gjatë viteve 1908 – 1913 ishte famullitar në Civita (Çifti), pastaj në Ungra (Lungro) në vitet 1913 – 1919.

Emrohet ipeshkëv – epark më 10 mars 1919. Gjatë shërbimit të tij të gjatë dhe besnik baritor, dallohej në zell, përkushtim dhe kujdes atëror.

Në qarkoren e tij të parë baritore ai kishte kërkuar prej klerit ndihmë dhe bashkëpunim për udhëheqjen sa më të mirë të eparkisë.

Në vitin 1922, pasi kishte vizituar të gjitha famullitë, shkroi “Letrën baritore”, ku kishte theksuar sidomos dy gjëra: ruajtjen dhe kultivimin e traditës dhe të ritit grek-bizantin (lindor) dhe gjuhën arbërishte – shqipe.

Në vitin 1925 ka filluar botimin e Fletushkës ipeshkvore të Ungrit. Më vonë, në vitin 1940, organizohet në Grottaferrata Sinodi ndërdioqezan, ipeshkvia e Ungrës, Horës së Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) në Sicili dhe Abacia e Grottaferratës.

Imzon Giovanni Mele ishte pjesëmarrës aktiv në Koncilin e Dytë të Vatikanit. Atë Vinçenc Matrangola e kishte definuar si “Njeri të qëlluar të Provanisë së Zotit, i fesë së gjallë dhe të dashurisë së krishterë”.

Ai ishte edhe shkrimtar, poet, njeri i kulturës dhe krijimtarisë. Poezitë e tija janë të shkruara në gjuhën shqipe dhe italishte, si uratë, kërkim i Zotit, shërbim ndaj Kishës dhe njeriut, me plot fe dhe përkushtim.

Mbi të gjitha Imzot Giovanni Mele ishte njeri i thjesht dhe shumë i përvujtë. Në 80 vjetorin e lindjes së tij, ai ndër të tjera kishte thënë kështu: “Bëra atë që ma ka mundësuar dobësia ime dhe hiri i Zotit”.

Kaloi në amshim më 25 qershor 1979. Pasardhësi i tij, imzot Giovanni Stamati, në varrimin e Mons. Giovanni Mele tha: “Imzot Giovanni Mele ishte Njeri i Zotit, Kishës, popullit Arbëresh…, duke ndihmuar që me një zë dhe zemër të lavdërohet Hyji”.

* Imzot Giovanni STAMATI (1979 – 1981)

Mons. Giovanni Stamati lindi në Plataci ( Pllatëni) më 9 qershor 1912. Përgatitjen për meshtari dhe studimet i kreu në Grottaferrata dhe në Romë. Shugurohet meshtar më 2 maj 1935.

Së pari ishte famullitar i Firmos, duke dëshmuar aftësitë e tija njerëzore dhe të krishtera. Pastaj qe udhëheqës i rinisë katolike në eparkinë e Ungrës gjatë viteve 1936 – 1965. Në vitin 1949 emërohet edhe udhëheqësi apo kryeprift për katedralen e Ungrës, kurse në vitin 1965 edhe Vikar Gjeneral.

Më 25 mars 1967 Papa Pali VI e emëroi arqipeshkëv titullar dhe administrator apostolik “sede piena” të Ungrës. Shugurohet ipeshkëv më 29 qershor 1967.

Pas vdekjes së Imzot Giovanni Mele, emërohet ipeshkëv i Ungrës (Lungros).

Gjatë tërë jetës dhe shërbimit të tij kishtar kishte disa synime bazë: vlerësimin dhe ruajtjen e trashëgimisë liturgjike bizantine (lindore), si dhe të vlerave gjuhësore dhe kulturore arbëreshe.

Në vitin 1968 e ka vendosur gjuhën shqipe, arbërishte, në liturgji, kuptohet, pas përgatitjeve dhe përkthimeve ndërdioqezane mes Horës Arbëreshe, Ungrit dhe Abacisë së Grottaferratës, me aprovim të Selisë Shenjte.

Sa i përket natyrës, ishte i butë dhe gjithmonë në mesin e popullit dhe me popullin, me klerin vëlla dhe babë, prijës dhe shërbyes besnik i Krishtit dhe Ungjillit, Kishës vendore.

Vdiq pas shërbimit 52 vjeçar të meshtarisë, 19 vjeçar ipeshkvor, duke lënë gjurma të pashlyeshme në jetën e Kishës ndër Arbëreshë.

* Imzot Ercole Lupinacci (1987 – 2010)

Mons. Ercole Lupinacci lindi në San Giorgio Albanese (Mbuzati) m 23 nëntor 1933.

Ai kishte studiuar në seminarin Benedikti XV në Grottaferrata dhe në Romë. Shugurohet meshtar më 22 nëntor 1959.

Gjatë viteve 1960 – 1963 ishte ndihmës në San Dimetrio Magalomartire (Shën Mitri). Në vitin 1963 emërohet famullitar në San Cosmo Albanese (Strihari), deri te emërimi ipeshkvor.

Papa Gjon Pali II e ka emëruar ipeshkëv të Horës së Arbëresheve (Piana degli Albanesi) në Sicili, më 25 mars 1981; shugurohet ipeshkëv më 6 gusht 1981. E ka udhëhequr këtë ipeshkvi (eparki) gjatë viteve 1981 – 1987.

Papa Gjon Pali II e transferoi në selinë ipeshkvore të Ungrës (Lungro) në Kalabri më 30 nëntor 1987. Më 17 janar 1988 e mori zyrtarisht udhëheqjen e kësaj selie ipeshkvore. Për arsye të moshës ka dhënë dorëheqje më 10 gusht 2010. Vdiq në San Cosmo Albanese (Strihari) më 6 gusht 2016, në 35 vjetorin e shugurimit ipeshkvor.

Imzot Ercole Lupinacci ishte shumë aktiv në dialogun ekumenik mes Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse. Duhet theksuar që Arbëreshët janë të vetmit në botë

gjithnjë katolikë, pra me Papën dhe Kishën e Romës, por gjithnjë edhe lindorë apo bizantinë.

Mons. Ercole Lupinacci fliste rrjedhshëm gjuhën shqipe, italisht, greqishten e vjetër dhe të re, si dhe gjuhën frëngjishte.

Në kumtesën e Eparkisë së Ungrës për vdekjen e tij ndër të tjera shkruante: “Ka promovuar në mënyrë të thellë kulturën arbëreshe, liturgjinë dhe përshpirtërinë bizantine, dialogun ekumenik, dashurinë e ndritshme…”.

Synimi dhe qëllimi bazë i tij ishte ky: të jetë e pranishme dhe e gjallë pasuria kishtare lindore edhe në perëndim, por edhe të ruhet lashtësia dhe tradita kulturore dhe gjuhësore arbëreshe.

Ishte ipeshkëv i Horës Arbëreshe në Sicili gjatë viteve 1981 -1988, ndërsa i Ungrës (Lungros) gjatë viteve 1988 -2016.

Ai disa herë e ka vizituar Kosovën, së pari gjatë gushtit 1973, ku mori pjesë edhe në shugurimin dhe Meshën e Parë të Don Ndue Gjergjit, Don Aleksandër Kolës dhe Don Lush Gjergjit (11 dhe 12 gusht 1973).

Gjatë vizitave dhe takimeve me Imzot Nikë Prelën, me klerin tonë, me shumë famulli dhe besimtarë, ishte gjithnjë i hareshëm dhe frymëzues, sidomos përkrahës i flakët i revistës fetare kulturore “DRITA” dhe botimeve tona.

Ai ishte dhe mbetet urëlidhës e Kishës Arbëreshe me Kishat në trojet tona. Ishte i deleguari i parë i Selisë së Shenjtë në Shqipëri, pas rrënimit të diktaturës komuniste ateiste shumëvjeçare, detyrë kjo që e kishte krye me shumë përkushtim dhe dashuri.

Para se të emërohej Donato Oliverio ipeshkëv i Ungrës (Lungros), gjatë viteve 2010 – 2012 administrator apostolik ishte Imzot Salvatore Nunnari.

* Imzot Donato OLIVERIO (2012 – )

Imzot Donato Oliverio lindi në Cosenza më 5 mars 1956. Përgatitjen për jetën dhe shërbimin meshtarak e pati në Cosenza, më vonë në Grottaferrata dhe në Romë. Shugurohet meshtar në Ungrës (Lungro) më 17 tetor 1982.

Shërbeu në San Benedetto Ulano (Shën Benedhiti). Më vonë ishte përgjegjës për Zyrën katekistike deri në vitin 2003. Gjatë viteve 2003 – 2012 ishte koordinatori i Kurisë ipeshkvore.

Papa Benedikti XVI e ka emëruar ipeshkëv të Ungrës (Lungros), më 12 maj 2012.

Mons. Donato Oliverio ka vazhduar bashkëpunimin me Kishën Katolike në Shqipëri dhe në Kosovë. Ka organizuar festime për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe ka vizituar Shqipërinë dhe Kishën katolike në këto hapësira. Ai ka marrë pjesë po ashtu edhe në 100 vjetorin e lindjes së Shën Nënës Tereze në Prishtinë.

Është njeri i hapur dhe dinamik, me plotë gjallëri dhe vullnet për punë, shërbim dhe dëshmi për jetën e krishterë, promovues për bashkëpunim vëllazëror ndërmjet Kishave dhe Shteteve tona./ KultPlus.com

Ermal Meta, muajin tjetër me një koncert në Tiranë

Me datë 4 mars, në Tiranë do të rikthehet Ermal Meta.

Artisti i njohur shqiptar i cili po bën famë në Itali dhe gjithandej Evropës, do ta vizitojë Tiranën për të performuar me katër artistë të talentuar nga Italia, shkruan KultPlus.

Një superkoncert po vjen me Ermalin dhe me pjesëtarët e GnuQuartet, si pjesë e një turneu nëpër qytete të ndryshme në Itali. Këtu nuk mungon Tirana shqiptare.

Koncerti do të mbahet në ora 20:15 në Palllatin e Kongreseve në Tiranë

Ermali vizitoi së fundmi Shqipërinë ndërsa vitin e kaluar fitoi në Sanremo dhe u radhit në pozitën e pestë në Eurovizion, duke përfaqësuar Italinë. / KultPlus.com

Kisha e Shën Kollit destinacioni i ri i turizmit religjioz

Kisha e Shën Kollit, Roskovec e ndërtuar në shekullin XIII në stilin bizantin, tashmë është destinacioni më i ri në turizmin religjioz dhe në itinerarin “Rrugët e besimit”.

Projekti i hartuar nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe financuar nga bashkia Roskovec konsistoi në restaurimin e plotë të Kishës së Shën Kollit, monument kulture i kategorisë I.

Pikturat murale në brendësi të saj janë vepra të ikonografit Nikolla. Ajo përbën një pasuri të vyer jo vetëm për zonën e Kurjanit, por edhe për të gjithë zonën e Myzeqesë./A.T.SH/ KultPlus.com

https://web.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/2583163768384126/

Letërkëmbim me Nolin për origjinën e Skënderbeut dhe korrigjimi i gabimit në Enciklopedinë Britanike

 

Pertefe Leka

Në Muzeun Historik kushtuar Skënderbeut, duhet të vendoset domosdoshmërish edhe letra origjinale e Nolit, të cilën ia dërgoi Dr. Agim Lekës, sipas kërkesës së tij. Ajo letër i shërbeu Dr. Lekës për të argumentuar dhe dokumentuar protestën drejtuar redaktorit të Enciklopedisë së madhe Britanike, për të korrigjuar origjinën e Skënderbeut – nga serbe në autentike shqiptare. I ndarë prej më shumë se 74 vitesh nga vendlindja, nuk mungoi të ngrinte zërin dhe të shkruante në organet më të njohura të shtypit botëror – letra, artikuj, peticione, në emër të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre. Po afron dita përkujtimore e Skënderbeut dhe nuk duhet harruar kontributi i Dr. Lekës, me rëndësi kombëtare: Protesta që i bëri asaj Enciklopedie për të bërë ndryshimin nga një gabim i shkruar, në fakt, historik.

Në letrën dërguar kryetarit të Akademisë së Shkencave në Tiranë, Prof. Aleks Buda (1988) së bashku me tërë dokumentacionin përkatës, i thekson ndër të tjera, rëndësinë e ruajtjes së letërkëmbimit të tij me Fan Nolin, në kohën kur ai ishte në komunikim të drejtpërdrejtë me te. Ndër të tjera i shkruan Budës: “Këtu brenda do të gjeni letrën origjinale të Peshkop Nolit, të cilit i isha drejtuar në kapacitetin e tij si historian i Gjergj Kastriotit, Skënderbej, dhe të cilën letër dhe dokumentim e përdora për protestën time Enciklopedisë në fjalë”.

Letra drejtuar editorit të Enciklopedisë Britanike është njoftim nga ana Dr. Lekës e një gabimi të shkruar në të, lidhur me prejardhjen e Skënderbeut, në të cilën theksohet se si një legjendë është dhënë si fakt historik. Kështu fillon një maratonë letrash me Fan Nolin dhe Enciklopedinë Britanike që zgjati nga viti 1961-1967, kohë në të cilën përfshihet edhe vdekja e Nolit që mund të shkaktonte ndonjë paqartësi. Por, Dr. Leka e kishte në dorë letrën e F. Nolit ku thuhej në anglisht: “I dashur Dr. Leka: Faleminderit për letrën 11 gushtit. Origjina e Skënderbeut dhe legjenda për origjinën serbe janë diskutuar në librin ‘Histori e Skënderbeut’, fq.19-20. Po ju bashkëngjis një kopje të këtyre dy faqeve. Siç mund ta dini, ‘Histori e Skënderbeut’ ka qenë disertacioni im, për Ph. D. Degree në Universitetin e Bostonit. Ajo është botuar në vitin 1947 nga ‘Vatra’, 30 Huntington Ave, Boston 16 Massachusetts. Autori i librit ku çështja diskutohet është Fr. Athanase Gegaj, ‘L’Albanie et l’Invasion Turque au XV-e Siècle’. Ishte tezë doktorale, publikuar nga Universiteti i Louvainit, Belgjikë, më 1937. Gjithë çfarë duhet të bëni është të tërhiqni vëmendjen e editorëve të Enciklopedisë Britanike për këtë”.

Këmbëngulja e Dr. Lekës ishte e pandërprerë derisa pritjes së gjatë i erdhi përgjigjja nga Helen, L. Carlock editorial Assistant e Enciklopedisë Britanike, e cila i shkruan se në janar të vitit 1967 do të rishkruhet artikulli i Skënderbeut, sipas autorit Tajar Zavalani dhe ku citohet edhe libri i Nolit në bibliografi. /KultPlus.com

“Rrota e Ujit” pasqyron ngjarje të mëdha që u kanë ndodhur shqiptarëve dhe gjysmës së njerëzimit të botës

Një vlerësim i shkurtër rreth veprës artistike, romanit “Rrota e Ujit” e Resmije Kryeziut

Shkruan: Naile Demiri

Autorja, që në faqen e parë të romanit ka cituar :“Ne jemi rritur në këtë qoshe të zisë duke rrotulluar rrotën e ujit me një rrëke lotësh “ të Jalal al din Rumi, që sipas simbolikës bashkëkohore dhe subjektit të veprës në fjalë do thotë se autorja është pjesë e jetës dhe përjetimeve e karaktereve që janë personazhe në këtë vepër artistike. Që në fillim duket se subjekti i romanit është një përjetim të cilin e ka përjetuar autorja dhe nga aty kanë mbetur përjetime të pashlyera në jetën e autores. Pra, romani është një tregim ngjarjesh nëpër të cilat ka kaluar vetë autorja dhe si e tillë, më së miri e ka pasqyruar jetën e njerëzve, e karakteristikë është se, autorja ka pasqyruar vetëm atëherë kur ngjarjet janë zhveshur nga të gjitha ndikimet subjektive dhe kanë mbetur të pastra, pikërisht ashtu siç ka ndodhur. Këtu narratori i gjithëdijshëm, në vetën e parë e herë në të tretën, rrëfimin burimor e të parë të ndodhisë, të ngjarjes, e bën me dialog ose edhe me monolog. Personazhet që flasin me veten, me gjësendet, me kafshët etj, janë jo vetëm imagjinatë, por edhe një aksident shpirtëror që ka përjetuar personazhi duke vëzhguar veten me shpirt e trup të nakatosur. Me një gjurmim shkencor empirik, autorja  ngadalë i është afruar ngjarjes e personazheve, duke pasqyruar atë që vërtetë është art i shkruar për një realitet të vërtetë.

Romani “Rrota e Ujit” (me 498 faqe), plotëson të gjitha variantet e përkufizimit të një romani dhe përmbush atë që ka munguar në letërsinë shqipe deri më sot.  “Çdo gjë që ka të bëjë me një kohë e cila Detës (personazhi kryesor i romanit), i kujtohej si vegim, herë i dashur, herë i pikëlluar, lidhet më Gjakovën, njerëzit e saj, rrugët drejt Çabratit, Mëhallën e Hadumit , Çarshinë e Madhe, teqetë, tyrbet dhe urat, në tri anët e qytetit, rreth të cilave, si erërat nga jugu, veriu, lindja e perëndimi mbështjellen nga legjendat. Secila e ndërtuar në kohë të ndryshme, secila e ndërtuar në legjendën e vet, por të gjitha të mbarsura me dhembje, rrallë herë me gëzim, jetojnë ndër shekuj nën hijen e Majës së Shenjtë të Pashtrikut. Të gjitha bashkë, e secila veç e veç, lanë gjurmë të thella në jetën e Detës”, ka cituar autorja në romani “Rrota e Ujit”.

Kjo vepër është njëra nga veprat e mëdha në Letërsinë Shqipe, jo vetëm për nga vëllimi, por është e madhe për nga pasqyrimi i ngjarjeve më të mëdha që u kanë ndodhur shqiptarëve, e jo vetëm shqiptarëve, por gjysmës së njerëzimit të botës. Në tërë shtjellimin e veprës marrin pjesë dhe ngërthehen diku më tepër se shtatëdhjetë personazhe e karaktere të ndryshme që përmbajnë koloritin e pasqyrimit e jetës shoqërore tipike gjakovare në periudhën kohore të Luftës së Dytë Botërore edhe atë prej bombardimit të Pejës, në momentin kur gjermanët po tërhiqeshin, e deri te aneksimi i plotë i Dardanisë, i ashtuquajturi “Procesi Prizrenit”, ku edhe përfaqësuesi i Shqipërisë amë, deklarohet se ”është fat i mirë që Dardania po i bashkëngjitet Serbisë Federale” dhe së paku më nuk do kemi barrë as mendore e as praktike për mjerimin dhe varfërinë e këtyre vëllezërve tanë që na kanë këputur shpirtin që nga viti 1912, kur kjo pjesë e atdheut mbeti e pushtuar. “Me paternalizëm në tradhti akoma më thellë”, kursivi im.

Personazhet janë të drejtpërdrejtë, karaktere konkrete, me tipare të përgjithshme të heroikes që përfundojnë në tragjedi, por, ka edhe të tillë, që lozin rolin e xhelatit, personazhe negative, që zakonisht autorja i përmend me përemra si: ata të Shtëpisë së Madhe, këta të tepës, të rrumbullakëtit etj., madje edhe si personazhe kolektive. Personazhet individualë, ata pozitivë, janë njerëz konkret me tipare krejt njerëzore që i përkushtohen të jetuarit e jetës, njerëz të pastër fisnikë e bujarë, njerëz që nuk e shesin atdheun. Përkundër shëmtimeve të trupit që i bëhet nga armiku. “Bukurinë e shpirtit nuk e përlyen trupi i shëmtuar, por përkundrazi, bukuria e shpirtit, atë trup e zbukuron…” po aty.f. 444. Pastaj, janë njerëzit që punojnë, e dëshirojnë çlirimin e punës, nga blegtoria, bujqësia, zejtaria, tregtia e deri te shkollimi i lartë, por gjithnjë fisnikë e bujarë. Dallohen prindërit e Detës dhe farefisi i saj në tërësi, me karakteristika, cilësi e tipare të personalitetit më të njerëzishme, pastaj, Baca Xajë, Ahmet Delija, Fetah Hushi , Meleci, Hata, Meti, Ija, nëna e Metit, Isuf berberi, Bilall telalli, e shumë e shumë personazhe episodike, të cilat autorja i skalit dhe u jep mundësinë e shprehjes së tyre. 

Ambienti ku ndodhë dhe zhvillohet ngjarja është jashtëzakonisht kompleks. Aty shfaqen një mori procesesh shoqërore shumë kundërthënëse, procese me antagonizma të papajtuara, që bartin krizën më të madhe të shoqërisë që nga historia e saj. Në një ambient shoqëror ku bëhet kacafytja e njerëzores me injorancën, kalimi i shoqërisë nga një sistem shoqëror njerëzor e demokratik, në një sistem diktatorial e antinjerëzor.

Subjekti i veprës është konflikti shoqëror që nga ardhja e komunistëve në pushtet, nga viti 1945. Shqipëria pushtohet nga komunistët jugosllavë gjatë Luftës së Dytë Botërore, e bashkë më të pushtohet edhe Dardania. Në Gjakovë, me të vendosur i ashtuquajturi Pushteti Popullor, qytetarëve, veçmas atyre të shkolluarave, u zbatohet represioni, dhuna, tortura deri në çmendurinë e tyre. Në pushtet tani janë komunistë, të cilët ushtrimin e dhunës ndaj qytetarëve e bëjnë përmes shqiptarëve të shitur, shqiptarëve kolaboracionist. Gjakova, dikur qendër tregtare me renome, tani shndërrohet në një kasaba, që me vështirësi sigurohet kafshata e bukës. Gjakova, dikur qendër intelektuale, tani udhëhiqet nga njerëz mediokër, njerëz të paditur. Shega, një nga vajzat më patriote e Institutit Femëror “Nëna Mbretëreshë”, e përgatitur për mësuese, shndërrohet në “Hatanë e Urës” të cilën një ditë vërshimi i ujit e bartë dhe e humb pa shenja, ose Muhamet Qazim Luta, një mësues, shndërrohet në një “mulla Maliq, në një sheh që tërë fëmijët e qytetit talleshin me të. Edhe më keq, Meti vdekjen e gjen në zjarr, te furra e Feta Nushit heret në një mëngjes dhe nuk do të ketë varr për të, ngase i janë djegur edhe eshtrat, ka mbetur vetëm pak hi. Prof. Resmije Kryeziu në faqen 414 shkruan: “Përdhosja që i bëhej një familjeje të ndershme ishte gjëja e parë që atë ditë të kryqëzimit e lëndoi thellë. Ishte e vërteta se i ashtuquajturi Pushteti Popullor, fatin e popullit shqiptar ua kishte lënë në duar UDB-së, ku, posaçërisht, ishin në shënjestër të gjithë ata që nuk e pranonin ripushtimin komunist serb. Pushteti ushtarak e kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme që nga viti ’45 dhe kurrë nuk ishte ditur se kur do përfundonte. UDB-ja përmes torturave donte t’i detyronte shqiptarët që t’i shesin për “një copë bukë” pasuritë e veta dhe të largoheshin nga vendlindja e tyre. Për UDB-në më të rrezikshëm ishin shqiptarët e shkolluar nga mësuesit që i kishte dërguar në Kosovë, Ernest Koliqi, në kohën kur Kosova ishte pa kufi me Shqipërinë”.

Autorja në këtë vepër brilante letrare ka vënë në pah edhe zakonet prapanike të shqiptarëve si kolektivitetin, zakonet prapanike të “fuqizuara” si kode të mirësjelljes që kanë kushtuar… “ Kur Meti në besim i kishte kërkuar disa këshilla nga Baba Shejh dhe i ishte “rrëfyer”për ato që i kishte përjetuar nga UDB-ja, Baba Shejh i kishte thënë : “Ashtë në të mirën tënde, e të zotit që të jesh bashkëpunues. Meti, këtë përgjigje nuk e kishte pritur” po aty.f. 447. Meti po ashtu edhe sjelljet e babait ndaj nënës së tij – Ijës i kishte gjykuar, etj.

Romani “Rrota e Ujit” e prof. Resmije Kryeziut,  mund të krahasohet sot me romanet më të mira që ka Letërsia Shqipe. Këtë tematikë në prozë e kanë shkruar edhe shkrimtarë të tjerë. Ismail Kadare në romanin ”Darka e Gabuar”, i cili ka vënë në pah se si komunistët kanë vendosur pushtetin e tyre dhe kanë torturuar njerëzit e ndershëm dhe njerëzit e shkolluar. Me një fjalë, tema të ngjashme kanë pasqyruar edhe shkrimtarët tjerë.

Po ashtu, shpirti aksidentalisht i nakatosur në këtë roman i jep mundësi e kurajë moralit të luhatur, të shpirtit të pastër njerëzor të këndellet dhe të kërkojë lirinë e tij. Kjo vepër letrare, mund të themi se është bërë edhe dramë. Shumë shpejt mund të pushtojë edhe artin filmik. Qëllimi i recensionit është të vihen në dijeni lexuesit tanë se Letërsia Shqipe është pasuruar me një vepër letrare origjinale e të ekuilibruar dhe ia vlen të vendoset në vitrinat e bibliotekës së secilit prej nesh.

Romani “Rrota e Ujit” e shkrimtares Resmije Kryeziut, gjatë muajit mars 2019, do të promovohet edhe ne Kolegjin AAB, ne Prishtine. /KultPlus.com

Mbretëresha Geraldinë më 1938: Unë dëshiroj të kujdesem mbi të gjitha për gratë dhe fëmijët e vendit tim të ri

=

Nga Aurenc Bebja

“Paris-Midi” ka botuar, të martën e 26 prillit 1938, në ballinë, intervistën ekskluzive të korrespondetit të saj me mbretëreshën e ardhshme të Shqipërisë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

“Unë dëshiroj të kujdesem mbi të gjitha për gratë dhe fëmijët e vendit tim të ri”… na rrëfen kontesha Apponyi, Mbretëresha e ardhshme e Shqipërisë.

 (Nga korrespondenti ynë i veçantë.)

 Tiranë, 26 Prill.

 Në shoqërinë e gazetarëve hungarezë, të vetmit që ishin lejuar ta vizitonin atë, unë u prita nga kontesha Apponyi, e cila, nesër, do të jetë mbretëresha e shqiptarëve. Z. Libohova, Ministër i Punëve të Jashtme, mori pjesë në këtë takim.

Jashtë, para një turme fëmijësh piktoreskë, qindra ushtarë po bënin ushtrime, duke përgatitur kështu paradën e madhe ushtarake që do t’i paraprijë ceremonisë së martesës.

Ja një riprodhim i kartolinës botuar në Shqipëri me rastin e dasmës mbretërore – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Përpara vilës simpatike ku banon kontesha, ushtarë të tjerë qëndronin roje. Mbretëresha e ardhshme na priti në një sallon të ndriçuar nga rrezet e diellit, me muret ngjyrë bezhë, ku kolltuqet e mbuluara nga një pëlhurë e errët blu, ishin të stilit puro anglez.

 Me një qasje të lehtë, flokët platin, e qeshur dhe e freskët, pavarësisht lodhjes dhe tensionit të ditëve të fundit – përgatitjet për ceremoninë e dasmës, provat, vizitat, leximi i një sasie të madhe korrieri – kontesha shfaqet :

 “— Unë jam e lumtur për simpatinë që më kanë manifestuar; populli shqiptar, me të vërtetë, më bën të ndihem mirë; por ajo që më pëlqen më së shumti është të shoh se sa i ngjan popullit hungarez. E njoh historinë e tij shumë mirë…

Puna ime e re si mbretëreshë ? Nuk më frikëson aspak, madje as të gjitha detyrimet që ajo përfshin dhe për të cilat tani jam e përgatitur mirë : dua të punoj për lumturinë e popullit që më mirëpriti me kaq dashuri. Por veprimtaria e një mbretëreshë duhet të jetë veçanërisht femërore : më së shumti dua të kujdesem për gratë dhe fëmijët e vendit tim të ri ; Me pak fjalë, dua të jem për popullin shqiptar, ashtu siç ishte mbretëresha Elizabet për popullin hungarez.” — Aigner ./KultPlus.com

Ndahet nga jeta aktorja amerikane


Aktorja amerikane, Julie Adams, ka ndërruar jetë në moshë 92 vjeçare – bën të ditur BBC.

Ajo ka vdekur mëngjesin e të dielës në Los Angeles. Kështu ka thënë për Hollywood Reporter djali i saj, Mitch Danton. Adams është më së shumti e njohur për filmin klasik nga viti 1954, “Creature from the Black Lagoon”. /KultPlus.com

Editorial use only. No book cover usage. Mandatory Credit: Photo by Kobal/REX/Shutterstock (5871463a) Julie Adams Anniversary – 1952 Portrait Julie Adams

Arjola Demiri shkrihet në rolin e Madalenës, sjell tri etapat e një gruaje

Gili Hoxhaj

Skena e teatrit “Dodona” mbrëmë u shndërrua në një dhomë, tualet, në një hapësire party, një vend ku interpretohet me violinë, në podium prej nga i drejtohesh publikut e shumëçka tjetër që mund t’i shërbejë një gruaje përgjatë jetës së saj.  Një grua që dëshmon se është lodhur nga normat shoqërore, që krejt jetën e saj i’a kanë atribuuar virgjërisë së saj dhe statusit të saj martesor. “Zoti na e faltë!”i i thotë regjisori në paralajmërimin e shfaqjes, pasi që zbërthimi i monodramë në skenë e kishte bërë të mendoj se sa shpesh është ofenduar femra, e vendosur moralin e saj, vlerën e saj, në një cipë të hollë, në një asgjë, “dy gishta larg anusit “.

“Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” me regji të Ben Apollonit e tekst të Ridvan Dibrës prekin psikologjinë e një gruaje në tri etapa të jetës së saj. Etapat e ironizojnë njëra tjetrën, por nuk e ka fort të lehtë t’i qëndrojë besnike dëshirave të saj. Veshja me të cilën prezantohet e toni që vjen e ashpërsohet flasin për sigurinë e saj që e fiton përgjatë viteve. Madalena që erdhi në rolin e Arjola Demirit fillimisht e paraqet atë në moshën 15 vjeçare, rrallë identifikohej me emrin e saj nga rrethi i saj shoqëror. “Virgjëreshë” dhe si “Delja e zezë e grupit”, ishin zërat që e përcillnin vazhdimisht, nga ato që e konsideronin të përjashtuar nga grupi, pikërisht se ende ruante virgjërinë e saj. Për të mos qenë më pre e shakave të tilla, ajo  kontaktin e parë seksual e kryen në tualetin e shkollës së mesme. Zhvirgjërimin kurrë se kishte përfytyruar si një akt kaq mekanik e të ftohtë, për të ndjerë neveri për partnerin me të cilin nuk do të kishte më asnjë kontakt të ngjashëm gjatë jetës së saj.

Për shumë kohë pas kësaj, kontakte të tilla nuk do të  kishte as me burra të tjerë që parakalonin në jetën e saj. Neveria i ishte kthyer në sinonim për gjininë e kundërt.

Poret e jetës së saj ishin të karakterizuara në një skenografi mes të bardhës dhe të zezës. Portretet e shoqeve të Madalenës rrinin të varura prapa shpinës së saj, si zëra që tentojnë të diktojnë lëvizjet e jetës së saj, që duan të masin çdo veprim të jetës së saj. Dhjetë vite pas, Madalena ngulmon në atë se publik, ku ka ardhur për të dëgjuar historinë e saj të dashurisë por ajo akoma nuk ka gjë për të rrëfyer në këtë aspekt. Madje,  goxha me krenari thotë se e ka mbajtur veten larg nga burrat që akoma e neveritin. I ishte përkushtuar tërësisht librave e violinës dhe kishte përfunduar studimet në Akademinë e Arteve. Megjithëse më e sigurte në vetvete, ajo në një moment vjen në përfundimin se ka gjetur “shpirtin binjak”, e që krejt kjo përfundon në pyetjen e tij për virgjërinë e saj. Me pyetje i përgjigjet edhe ajo se kaq e rëndësishme qenka virgjëria e saj, e pasohet nga përgjigja e tij se për të është gjithçka që ka rëndësi. Madalena ikën nga publiku me një mesazh që s’mund të ketë në botë dy shpirtra binjakë, të tillë mund të jenë veç në dukje. Për të shpirtrat mbeten unik dhe të papërsëritshëm.

15 vite pas, publiku e takon Madalenën në moshën 40 vjeçare. Akoma pa një tregim dashurie por numëron dhjetë pika të karrierës së saj plot suksese. Gati se kurrë nuk vlerësohet për këtë. Kjo moshë atë e gjen në gjendje tejet të mirë materiale, tashmë duke ligjëruar në Akademinë ku vetë ishte studente dhe udhëheqëse në evente të rëndësishme të violinës. Një ditë e bind veten se duhet ta gjej dikë, kur e takon një burrë që duket se ia përmbushë kërkesa e saj, ajo niset drejt shtëpisë së tij niset me idenë se po shkon në shtëpinë e burrit të saj të ardhshëm. Pikat e gjakut në çarçaf e ndryshojnë rrjedhën e imagjinatës së saj, e ai i befasuar e pyet se a e ka ruajtur deri tani virgjërinë. Nuk tenton t’ia dorëzojë dy tregimet e vetme në të kaluarën dhe  shpejt përfundon në pyetjen se a aq e rëndësishme qenka të mos jesh e virgjër, e përgjigja e tij ishte se kjo është e gjitha çfarë ka rëndësi. Madalena nga skena ikën pa dashuri, e publiku mbanë sytë në një perde të bardhë që nis e ndryshon ngjyrën derisa dëgjohen krismat nga atje.

Regjisori Apolloni  përmes lojës së Madalenës nuk e kursen as publikun, Madalena sy më sy lexon përgjigjet që mundohet t’i zbërthejë nga ta. Figura kryesore e shfaqjes është ironia, ndërsa regjisori përmes personazhit të monodramës, tenton ta prekë publikun aty ku publiku rrallë guxon ta prekë edhe veten.  Apolloni   ua sugjeron të gjithëve librin e Ridvan Dibrës,  ndërsa tha për KultPlus se autorin e tekstit, Ridvan Dibrën e cilëson si një mjeshtër të madh të fjalës, që nuk krijon veç fabula, por është edhe filozof, dhe këtë temë e trajton shumë thellë. Ai tregoi për KultPlus për arsyen se përse e ka intriguar pikërisht kjo temë. 

“Kësaj here më ka lënë shumë përshtypje edhe tema që ka zgjedhur që është virgjëria, e që edhe në shekullin 21, ne ende bisedojmë për këtë temë dhe shpesh është përcaktuese për fatin e femrave,  e që e konsideroj si shumë të padrejtë, jo vetëm si regjisor por edhe si Ben”. Apolloni tha se kjo prekë raportin mashkull dhe femër, ndërsa depërton edhe në shtresa të tjera që lidhen me rrethin.

“Ti mund ta arrish namin në karrierë, por njerëzit të pyesin “a je martuar dhe sa fëmijë i ke” dhe kjo është njëra nga ato temat më diskrete që prek shfaqja”, u shpreh Apolloni për KultPlus.

Për Arjola Demirin kjo është hera e parë që sfidohet me një nga zhanret më impenjative për aktorin, që është monodrama.  Ajo thotë mënyra e punës së regjisorit dhe qetësia e  Apollonit ka bërë që ajo të  mundohet të nxjerrë më të mirën nga kjo shfaqje. Për KultPlus tha se monodramën e cilëson si një shkollë në vete, ku pesha e shfaqjes është e përqendruar veç mbi supet e saj

“Monodrama ka qenë ngarkesë më e madhe, jo që unë e kam frikë publikun dhe daljen vetë në skenë, por teksti është shumë voluminoz”, tregon aktorja Demiri.

Regjisori Apolloni tha se për të ka qenë shumë e rëndësishme ta gjejë një aktore që mund ta mbajë mbi supe një rol të tillë, por bashkëpunimet e mëhershme me Arjola Demirin e kishin bindur se ajo mund ta përfaqësojë denjësisht këtë rol.

“Nuk është se dua t’i nënçmojë aktorët e tjerë, por mendoj se këtë vepër më së miri ka mundur ta sjellë në skenë Arjola”, tha në fund Apolloni.

Muzika mbrëmë erdhi nga Memli Kelmendi, kostumografia nga Valdete Mustafa, skenografia nga Ben Apolloni, dizajner i dritave nga Skender Latifi, kurse grimere Nora Rrahmani dhe fotografia nga  Arbër Elezi.

Repriza e kësaj shfaqje vjen sonte më 5 shkurt në Teatrin “Dodona”, duke filluar nga ora 19:30./ KultPlus.com

Rita Ora kërkon ndihmën tuaj për në ‘Brit Awards’

Pos Dua Lipës, edhe këngëtarja tjetër shqiptare Rita Ora është e nominuar me dy videoklipe për Videon e Vitit në “Brit Awards”.

Ajo është e nominuar për projektet “Let Me Love You” dhe “For You” të cilën e ka sjellë në bashkëpunim me Liam Paynen.

“Shumë e lumtur që jam nominuar për videon e vitit në Brits për ‘LYLM’ dhe ‘For You’ me Liam Payne! Nuk mund të fitojmë pa ju megjithatë! Postoni në Twitter me #BRITVIDRITAORA dhe #BRITVIDLIAMRITA çdo ditë për të votuar”, ka shkruar ajo në rrjete sociale. /KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BteVBDLnGii/

“Njerëzit ulen mbi varre të tjera, gjuhet dheu si me mbulu një epidemi, e familjarët mbulohen me lloç deri në kry”

Gazetari dhe moderatori i njohur Berat Miftari i është bashkuar revoltës së tij me rastin e familjes në Vushtrri, e cila është dashur të shesë një kafshë shtëpiake, për ti kryer obligimet për ritet fetare, për ta varrosur nënën e tij, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjellë reagimin origjinal të Berat Miftarit, në lidhje me peripecitë e popullit të Kosovës, kur humbin më të dashurit e tyre:

1. veç edhe boll zor me pa Hoxhën me zërim t’vet në ceremoni mortore 1 – 2, 1 – 2

2. familjarët që mbushemi me lloç prej kundrave deri në kry, në një akt që duhet me qenë madhështorë, momente kur personi që ka ndrruar jetë kalon në botën tjetër

3. me pa që po teprojnë herë 1, herë 2 dërrasa (se kush se matë paraprakisht sa duhet me qenë vendi, thua se sefte po hapim varr)

4. njerëzit t’u i pa derisa ulën mbi varre të familjeve tjera (s’ka asnjë vend ku me qëndrua as për ata njerëz në moshë, që kanë dashur ta respektojnë ceremoninë mortore)

5. Me gju dheun në varrë sikur me i mbulu gropat e ndonjë vendi ku po mbulohet një epidemi (edhe shpejt si në rrethana lufte)

6. Me të prit kerri i arkivolit afër vendvarrimit për me t’i marrë paret e transportit (pa asnjë dhembje, në shumicën e rasteve t’u e aranzhua transportin e radhës)

7. Me vendos lule të plastikës, një taz e një epitaf me shkronjat ma të paqëndrueshme ndonjëherë (që të hiqen në momentin që e rreh epitafin)

8. Me u lut për shpirtin e tij/saj sikur me recitua vjershën e parë para klasës me të cilën je bashku për 1 orë se s’ka ardh mësuesja

9. Xhemati mi parku ato kerre sikur në lunapark kur të harxhohet zhetoni

10. Dje nuk ka vdek një nanë (dritë pastë shpirti i saj), e djali i vet me dalë me fol për vështirësi; Dje, e prej që e mbajmë n’mend, ka vdek respekti për ata që ndërrojnë jetë, ngushëllime 11. Ku bahet pagesa … /KultPlus.com

Kësaj radhe pa nikoqir kryesor, ceremoninë e Oscarit do ta udhëheqin 13 personalitete të ndryshme

 

Pas 25 vjetëve do të ketë ndryshime në ngjarjen kryesore të filmit në botë.

Akademia Amerikane e Arteve dhe Shkencave të Filmit ka zbuluar një listë prej 13 aktorëve dhe të famshmëve që do të jenë udhëheqësit e Ceremonisë së 91-të të ndarjes së Oscarëve

Ngjarja e këtij viti do të mbahet për herë të parë pa një mikpritës që nga viti i largët 1989.

Kësaj radhe do të jenë shumë udhëheqë të ceremonisë, ku midis veçohen emra të tillë, si Tina Fey, Whoopi Goldberg, Brie Larson, Daniel Craig, Jennifer Lopez, Chris Evans, Amy Poehler, Maya Rudolph, Charlize Theron, Awkwafina, Amandla Stenberg, Tessa Thompson dhe Constance .

Theksojmë se humoristi amerikan, Kevin Hart hoqi dorë nga roli i tij si përgjigje ndaj mesazheve të vjetra homofobike në Twitter. Dy vitet e fundit u drejtua nga moderaroti dhe shoumeni, Jimmy Kimel.

Ndërkohë, si favoritë për të fituar çmimet kryesore në këtë ngjarje madhore filmike është filmi i regjisorit, Alfons Quarone, Roma dhe “Favorite” i Jorgos Lantimos, i cili fitoi dhjetë nominime për Oscar.

Ndryshe, ceremonia zyrtare e çmimeve amerikane të filmit do të mbahet më 24 shkurt në Teatrin Dolby në Los Angelos. / KultPlus.com

At Zef Pllumi: Turpet i quejmë ‘virtyte të larta të kombit’

“Hapni sytë e shikoni realitetin me sy, shihni se jemi vendi ma i mbrapambetun i Europës e konkurojmë edhe për botën. Pse?… Mjerisht duket se tash shumë kohë ne nuk na punon logjika si tjerëve: i thurim lavde vedit për mbrapambetjen tonë, turpet i quejmë ‘virtyte të larta të kombit’. Jemi verbue shpirtnisht pse na mungon mendja e kthjelltë e inteligjenca për me pa se ku jemi; na mungojnë vullneti e trimnia për me thanë të vërtetën . . .

Shka na mungon ne që mos të jemi si europjanët tjerë? Toka, jo; dielli e deti, jo. Na mungon mendja e mentaliteti e, mbi të gjitha dashunia. Nuk na sjell lavdi lashtësia, në qoftë se nuk jemi të qytetnuem. Nuk na sjell lavdi origjina, në qoftë se jemi të përçamë dhe mendojmë si t’i bajmë vorrin vëllaut.”

“Zoti asht i madh. I kjoshim falë atij të lumit që ka krijue vdekjen, se përndryshe njerëzit do t’kishin me kenë gjithmonë skllav të tiranve. Edhe kta do t’desin nji ditë e ti duhet të jetojsh vetëm sa me tregue. Kurrgja në mos kjosh i zoti me ba, rrno vetëm për me tregue. A e kupton ç’ka due me t’thanë? Mbaruen të tjerët, mbarojmë na,… mbaron dhe ti: të gjithë shkojnë si qeni në rrush po nuk kje dikush me kallzue se si kje puna. Kush të teprojë le të kallzojë!”