Dizajnerja shqiptare dizajnon syze për Oprah Winfrey

Dizajnerja shqiptare Laura Imami ka realizuar një dizajn të veçantë të syzave për të famshmen Oprah Winfrey, shkruan KultPlus.

Dizajnerja Laura Imami këtë lajm e ka bërë të ditur përmes Facebook-ut ku ka shkruar se kjo njëkohësisht është edhe arritja më e madhe.

“Oprah dikur tha: Duhet ta ndjekësh pasionin tënd. Duhet të kuptosh se çfarë dëshironi, kush jeni me të vërtetë. Pastaj duhet të keni kurajon ta bëni atë. Besoj se guximi që ju duhet të gjithëve është guximi për të ndjekur ëndrrat tuaja”, janë fjalët me të cilat Imami e ka bërë të ditur këtë lajm.

Dizajnerja Imami këtë e ka konsideruara edhe si një shpërblim për punën e bërë ndër vite./ KultPlus.com

T’lutna, mbyte at’ andërr sot

Liridon Mulaj 

T’lutna, mbyte at’ andërr sot 
Mos guxo me thanë t’vërtetën
Mbyte me dhimbje ose lot 
Ne guackë te vetmisë ti zhyte veten!

E mos ban provë e çilter të tregohesh 
S’ka me të mbështet kush, as me të ndi! 
E çka ke fol, ti kur të kujtohesh, 
vneri i lakmisë tyne ka me t’ra përmbi.

Vriti shpresat, ma mos i ujit! 
E në paç deshira, kujt mos ja trego. 
Prej njeriut , asgja mos prit, 
Flej me andrra, nga gjumi mos u zgjo.

N’këtë kohë nuk ban me ënderru 
Ne këtë vend jetim, tokë pa zot…
Prandaj, në ma ndigjosh fjalen mu
T’lutna, vriti ato andrra sot…/ KultPlus.com

Steve Overland dhe rok grupi FM

Bujar Meholli

FM është grup roku anglez që ka prodhuar dhjetë albume deri më tani, në një periudhë kohore prej tridhjetë vjetësh. I formuar në vitin 1984 në Londër, grupi u bë i famshëm në muzikën AOR, duke marrë pjesë nëpër shumë festivale dhe duke fituar çmime.

Steve Overland, vokalisti kryesor i grupit, lindi në King’s Lynn, rreth 158 kilometra në veri të Londrës. Pasionin për muzikën e vërejti që në moshë të re, kur edhe filloi të eksperimentojë me kitarëdhe të këndojë këngë të njohura, derisa bashkë me vëllain e tij Chris, dhe me disa shokë, formuan grupin Wildlife në vitin 1980.

Kështu nisi karriera e Overlandit, i cili impresionoi publikun me zërin e tij të veçantë; në fillim ai bashkëpunoi me grupe si Wildlife, Shadowman, dhe pastaj me FM, grup me tëcilin arriti majat në skenën muzikore, fitoi çmime dhe u bë i njohur ndërkombëtarisht.

Grupi FM, në fillim përbëhej nga Steve Overland, solist, dhe ish-anëtarët e Wildlife, Chris Overland e Pete Jupp, pastaj Merv Goldsworthy dhe tastieristi Didge Digital. Paraqitjen e parëe bën në klubin legjendar Marquee të Londrës. Në vitin 1986, ata ia dalin të nxjerrin albumin e parë në bashkëpunim me Portret Records, të titulluar Indiscreet. Ky album përmban disa nga këngët më të arrira të FM, si: That girl, American girls, I belong to the night, e Frozen heart, që u bë njëra ndër këngët më të suksesshme të grupit, duke qëndruar në majë të toplistave, për shumë kohë.

FM – Frozen Heart

Tought it out është albumi tjetër që ata nxorrën në vitin 1989, me mbështetjen e Epic Records. Veçantia e këtij albumi, është se grupi bashkëpunoi me kompozitorin Desmond Child, i njohur për punën e tij me Bon Jovin.

Periudha kohore që kap vitet 1986-1989, ështëshumë e suksesshme për FM; ata arrijnë majat e muzikës AOR, dhe dëgjohen ngado, qoftë në Mbretërinë e Bashkuar, Evropë apo Amerikë.

Këngët si: Frozen heart, Let love be the leader, Bad luck, etj, vërshojnëtë gjitha radiot, dhe toplistat. Steve Overland, bëhet njëri ndër zërat më të njohur të muzikës AOR.

Madje ai dhe grupi, marrin pjesë nëpër qindra festivale kudo nëpër botë – duke bashkëpunuar me artistë të famshëm si Tina Turner, Bon Jovi, apo Meat Loaf.

Në vitin 1991, grupi nxjerr albumin e radhës me titull Takin’it to the streetsqë përmban njëmbëdhjetëkëngë hard-rok, mes tëcilave edhe këngën e famshme të Marvin Gaye I heard it through the grapevine.

Në vazhdim, nxjerrin edhe albume të tjerë mjaft të suksesshëm si Aphrodisiac(1992), e Dead man’s shoes (1995).

Steve Overland dhe Pete Jupp vendosin ta shpërbëjnë grupin FM në vitin 1996, për ta formuar atë nën emrin So!, bashkëme Wishbone Ash, e Bob Skeat. Ata edhe lansojnë albumin Brass Monkey(2000), por që nuk arrin kushedi sa sukses.Steve Overland u bashkua me Pete Jupp, e Bob Skeat për ta formuar grupin The Ladder, me të cilin nxorrën dy albume, Future Miracles (2004) dhe Sacred (2007)

Qyteti i Nottinghamit në vitin 2007 e ribashkon grupin FM pas dymbëdhjetë vitesh, kur këta shkojnëpër të performuar në Rock City Nottingham. Dhe djelmoshat, pas një performance fantastike bashkohen përsëri duke marrë pjesë nëpër disa festivale tjera bashkë me grupet e famshme Journey, Europe, Foreigner, e Thin Lizzy, në Britani të Madhe dhe në mbarë Evropën.

Metropolis (2010), Rockville, Rockville II(2013), Heroes and villains(2015) janë katër albumet e FM, që nxjerr në treg pas ribashkimit, derisa në përpunim e sipër është edhe Atomic generationi nisur në vitin 2018.

Overland ka një karrierëtë jashtëzakonshme edhe si solo artist. Ai përveç këndimit, luan edhe në kitarë si dhe shkruan tekste. Pasi u shpërbë grupi FM, Overland, i hyri punës solo duke kompozuar këngë, tëcilat i përmblodhi në katër albume: Break Away (2008), Diamond Dealer (2009), Epic(2014) dhe Contagious(2016).

Ai mori pjesëedhe në shfaqjen Broadway të Dreamtime, e cila korri sukses të jashtëzakonshëm në Teatrin e famshëm Ed Sullivan./ KultPlus.com

Razije Musa: Nëna duhet të jetë autoriteti i vetëm për fëmijën

Razije Musa 

Të dashura nana, kohë pas kohe unë ju shkruaj duke hequr nga supet petkun e profesionistes, ju drejtohem si nanë, gjyshe e vjehër.

Duke qenë se jam në biseda të përditshme me nana nga Kosova atëherë marr shkas të bëjë apel te masa për probleme të ndryshme.

Janë disa nana që më pyesin se si të i’a bëjnë me edukimin e fëmijëve, si të i’a bëjnë kur ato janë personi i fundit të cilin fëmija duhet ta pyes për diçka .

Unë gjithmonë ju them se profesionalisht nuk kam asnjë komptencë për të folur për gjëra të tilla, është çështje që nuk ka të bëjë me profesionin tim, prandaj sot po ju them këtu atë që unë e mendoj dhe e ndiej.

Nuk ekziston një njeri që ka dhe duhet të ketë më shumë autoritet mbi fëmijën se nana. Është jo normale që një fëmijë të edukohet nga ata që nuk e kanë sjellë në jetë përderisa nana është gjallë e shëndetshme dhe e aftë për ta edukuar.

Unë them se as brenda çiftit nuk duhet të ketë qëndrime të ndryshme që e bëjnë fëmijën të krijoj simpati për një prind më shumë se tjetrin.

Është shumë normale që fëmija ta dojë atë që e lejon të bëjë çka t’i dojë qejfi, prandaj është me rëndësi që të edukohen të gjitha gjeneratat në ketë drejtim dhe të kuptohet qartë se roli jonë si gjyshër është t’i duam e ndonjëherë të kujdesemi për nipat e mbesat tona por asnjëherë të marim rolin e edukuesit duke përjashtuar prindërit e veçanërisht nanën.

Kur nana i thotë JO fëmijët për çkado qoftë ajo duhet të mbetet JO, është shumë me rëndësi që fëmija të rritet duke e ndierë dashurinë por edhe autoritetin e prindërve të vet.

Ajo që nuk kuptoj është që kur nana dëshiron të krijoj autoritet ajo është e keqe, kur fëmija bëhet i paedukuar atëherë nëna është fajtore, prandaj ju lutem të gjithëve edhe bashkëmoshatarëve të mi shijoni ditët e bukura me nipa e mbesa e kuptoni rolin tuaj. Ju jeni aty për të dhënë dashuri e jo për të marrë vendime./ KultPlus.com

Erion Veliaj takon Adelina Ismailin, një koncert ende në mister

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka mirëpritur sot (e premte) në zyrën e tij këngëtaren Adelina Ismiali.

Dyshja në fjalë publikuan fotografi në rrjetet sociale nga takimi i tyre, ku dukeshin të buzëqeshur teksa pozonin para kamerës.

“Një takim i mrekullueshëm, me një njeri të mrekullueshëm në një qytet të mrekullueshëm”, ka shkruar Adelina në Instagram.

Ndërkohë, kryebashkiaku Veliaj ishte pak më misterioz në mbishkrimin e fotografisë, duke lënë në dyshime ardhjen e këngëtares nga Prishtina në Tiranë.

https://www.instagram.com/p/BtWIqMGhsGc/?utm_source=ig_web_copy_link

Kjo ka lënë të aludohet se vizita e saj atje mund të ketë të bëjë me realizimin e mundshëm të një koncerti në Tiranë, gjë për të cilën Ismaili nuk ka dhënë detaje deri më tani.

Erion Veliaj ka nderuar me mirënjohje këngëtaren nga Kosova, e cila i ka dhuruar shumë artit shqiptar, gjersa edhe një pjesë të karrierës e ka ndërtuar duke u prezantuar në festivalet e Shqipërisë. /

E çka që jam çikë?

Djellza Krasniqi

Çka m’ka vetëdijësu ma s’shumti kur m’kanë thanë ti je çikë! Në nji shoqëri si kjo e jona dhe me mentalitetin: “Ah, çikë a?” Kurrë s’kemi me mujt me u zhvillu, as si shoqëri, e as si individë. Kur në familje tonë mëngjesi t’qelë shumë herët “çika” në ora 7 të mëngjesit duhet me qenë zgjut, me jua përgatit bukën babit që ka me shku herët në punë, edhe vllaznive që kanë me shku në shkollë. E tani s’duhet me i harru edhe punët e shpisë, se je çikë e këto veç ty t’takojnë me i bo, s’janë punë për djem.

Tasht koha për me u nisë për shkollë, ama ti hala s’je përgatit se u dasht me e bo edhe dreken gati që kur t’vijnë prej shkolle buken me e pasë gati vllaznit? T’shkon jeta e venitun edhe në shkoll t’ardhmen tande tu e menu, qysh me arrit sukses në jetë se familja nuk t’mban, je çikë duhet me punu.

E tash fundi i vitit, pak siklet apo?
Ah, nashti ki me e përmbajt veten prej njëmijë fjalëve nëse s’ki arrit sukses qysh baba e nana kanë dasht.

Babë, duhesh me kon në mledhje për sukses n’fundvit!
Përgjigjja e tij: “O baba ka punë tjera as që mos e prit!”

Fillova me do aktivitete me u marr, po e ni atë fjalimin që e kom menu që ma bojnë,
“Mos u merr me kto sene se ti nuk je djalë e natën vonë nuk ban me dal.”

E nëse nëpër rrjete sociale ja nis fol për do tema tabu që kurrë s’i kem ni, aty n’koment mundet me tu shfaq “Ani ju jeni të ri e jeni fmi e këto sene në vesh jeni ka doni me na i shti”.

Shoqëri e dashun, gruaja s’asht rob i kërkujt ani pse hala ekziston ai termi për msitni,
“Kem me ta gjet nji rob qysh je vet”. Kjo ka me vazhdu me kon përderisa edhe vet femra nuk e ofendon gjinin e vet nëpër klipe, nëpër shoqni tonë. Nëpër rrugë t’tilla që kalohen me përplot sfida, ofendime, depresion s’ka me vazhdu me kaq. Ne s’qajmë mbas derës natën e ditën me kallxu që keshmi, na jem burrnesha, po ekziston thënja “Çka kesha vesha”. M’kan ngrit në këmbë ata që n’pikë të dobët m’kan prek tu thon, çikë je po, dili zot vetit.

Edhe po t’njejtin sen kom me vazhdu jo veq për veten tem po për gjitha ato vajza që në mesin e këtij shkrimi e gjetën vetën e tyre.

Me dasht, me dasht, me dasht jetën ma shum se veten!/ supergrate/ KultPlus.com

Ambasadorja Breca takoi drejtoreshën e Shkollës Shqiptare të Vallëzimit “Shota” në Zvicër

Në agjendën e saj për pritje në fillimviti të mërgimtarërve të suksesshëm, ambasadorja Breca, e shoqëruar nga Mustafë Xhemaili, Ministër-Këshilltar, më 30 janar, ka pritur drejtoreshën e Shkollës Shqiptare të Vallëzimit “Shota” në Zvicër, znj. Lirije Bajrami.

Ambasadorja Breca, ka përgëzuar drejtoreshën për arritjet e jashtëzakonshme të SHSHV “Shota”, në procesin e shkollimit të fëmijëve të mërgimtarëve tanë në programet e kësaj shkolle arti, tashmë shumë të njohur jo vetëm në Zvicër. Njëkohësisht, Lirije Bajramit, ambasadorja ia ka shprehur edhe njëhere përkrahjen që ambasada në Zvicër do t’i japë në vazhdimësi kësaj shkolle. Ajo i tha se kjo shkollë duhet të vazhdoj punën e saj në edukimin dhe frymën e artit kombëtar të qindra e qindra fëmijëve, edhe më me këmbëngulje se sa deri më tash. Kështu të bëhet e mundshme që të mos ndihet shumë mungesa e humbjes së themeluesit të kësaj shkolle, artistit, koreografit, Agron Bajrami, (bashkëshorti i Lirijes), i cili nga një sëmundje e rëndë vdiq më 12 mars të viti të kaluar.

Drejtoresha Bajrami, e njoftoi ambasadoren për punën që po bënë kjo shkollë arti, për përfshirjen sa më të madhe të fëmijë dhe për t’ua mësuar vallet, këngët tona të bukura dhe veshjet kombëtare me moton ”Të mësohemi të ecim shqip”. Ajo i tha ambasadores se SHSHV “Shota”, do të ecën rrugës së trasuar të themeluesit të saj Agron Bajramit, dhe kjo shkollë këtë e ka dëshmuar mjaft mirë edhe me Programin festiv jubilar të 25-vjetorit të themelimit të saj (1993-2019), program që u shfaqë me sukes të madh më 10 nëntor të vitit të kaluar./ KultPlus.com

Fotografja Xheni Çuni me ekspozitë në Gjermani

Besim Xhelili

Në diasporë jetojnë dhe veprojnë një numër i madh shqiptarësh, që merren me art, kulturë dhe të tjera veprimtari të ngjashme, duke përfaqësuar së pari vetveten, talentin dhe aftësitë intelektuale, artistike e krijuese, por gjithashtu duke na bërë krenarë edhe si komb në tërësi. Një nga këta është edhe Xheni Çuni, një fotografe dhe artiste e mirëfilltë nga Dyseldorfi i Gjermanisë, e cila përkundër moshës së re, ka një bagazh të pasur me vepra pas shpine, por edhe premton krijimtari të përkryer për të ardhmen.

Xheni është në përfundim të studimeve për art dhe film pranë Akademisë së Arteve në Dyseldorf të Gjermanisë, nga ku kanë dalë një numër i madh artistësh me famë botërore. Me këtë rast, në datat 6-10 shkurt 2019, ajo prezanton projektin e saj të radhës “Përtej syve” (titulli nw origjinal: Beyond eyes), një ekspozitë pak më ndryshe. Tema dhe fotografitë e saj këtu shfaqin njerëzit që kanë humbur shikimin, pra të verbërit që bëjnë art, megjithëse nuk e shohin artin e tyre me sytë e tyre. Pikërisht kjo është edhe ideja dhe mrekullia e artit, dmth. ai përjetohet në shpirt, buron nga brendia e shikohet me sytë e zemrës. Ky projekt paraqet artistët e verbër përmes fotografive dhe pamjeve filmike. Më tutje, sqarojnë artistët se si ata krijojnë dhe ushtrojnë artin e tyre. Mungesa e shikimit aspak nuk është ndonjë pengesë për të bërë art dhe për t’i dhënë lirinë imagjinatës, abstraksionit dhe shpalosjes së ndjenjave përmes pikturës, ngjyrave dhe brushës. Këta njerëz shfrytëzojnë burime të tjera gjatë realizimit të artit të tyre si: dëgjimin, tingëllimën, nuhatjen, shijen, aromën etj, duke i kombinuar me intuitën, ndjenjën dhe kujtimet.

Xheni Çuni është një fotografe, puna e të cilës fokusohet në tema që lidhen me artin vizual, njerëzit dhe bukurinë natyrore. Ajo ka ekspozuar punën e saj në Akademinë e Arteve të qytetit të Dyseldorfit, Gjermani, dhe gjithashtu në qytete të ndryshme të Gjermanisë dhe në mbarë botën. Përveç kësaj, në vitin 2011 ajo mori një çmim në Awards Worldwide Photography Gala. Xheni e konsideron fotografinë një perceptim vizual të njerëzve dhe historisë së tyre. Për shkak të procesit të globalizimit në vazhdim, multikulturalizmi është një gjë e zakonshme në prodhimin e artit. Ajo percepton individët si përmes objektivit të kamerës së saj, ashtu edhe prej përvojës së saj multikulturore. Fotot e saj tregojnë historinë e njerëzve, bukurinë e tyre të brendshme dhe i ndihmojnë ata të zbulojnë veten në një mënyrë të re.

Xheni është prezantuar në disa ekspozita në Shqipëri, Kosovë, Turqi, Gjermani, Australi etj, dhe ka marrë disa çmime për punën dhe artin e saj.

Ekspozita do të jetë e hapur nga 6-10 shkurt 2019, nga ora 10-20, në KUNSTAKADEMIE DÜSSELDORF, adresa: Eiskellerstraße 1, 40213 Düsseldorf, RAUM 112.

Për më shumë informata mund të vizitohet webfaqja e artistes në adresën: www.xheni.com./ KultPlus.com

Elina Duni publikon albumin e ri

Këngëtarja e mirënjohur shqiptare Elina Duni ka publikuar albumin e saj më të ri “Aksham”.

“Aksham” quhet albumi i saj i ri, derisa pjesë e tij janë edhe Marc Perrenoud, David Enhco, Florent Nisse, dhe Fred Pasqua, transmeton Koha.net.

“Aksham, albumi ynë i ri është lansuar sot. Një manifest i lirisë kolektive ku poezia asnjëherë s’është shumë larg”, ka shkruar ajo në një postim në Facebook.

Ky album është publikuar në disa platforma muzikore, përfshirë këtu edhe Spotify e Google Play.

Ajo gjithashtu ka konfirmuar datat e pesë koncerteve të saj të radhës, për të cilat mund të mësoni në poshtë./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/36976064709/posts/10156989631714710?sfns=cl

Publikohet dokumentari “Prizreni, Qyteti i Burimeve dhe Bukurisë” i vitit 1972

Fondacioni Lumbardhi sot lansoi dokumentarin “ Prizreni, Qyteti i Burimeve dhe Bukurisë” të prodhuar në vitin 1972.

Dokumentari “Prizreni – Qyteti i Burimeve dhe Bukurisë” i prodhuar nga Zastava Film në vitin 1972 me regji nga Zvonimir Saksida, paraqet historinë, traditat dhe bukuritë e Prizrenit me qëllim të promovimit të potencialit turistik të qytetit. I gjetur në arkivin e Kino Lumbardhit për herë të parë u shfaq në ekspozitën “Përnjëherë e mjegullt dhe e pashmangshme: Modernitetet 1945-1989” të realizuar në kuadër të projektit bashkëpunues “Prizren Urban Memoryscapes” mes Fondacionit Lumbardhi dhe Iniciativës për Histori Gojore të mbështetur nga Fondi Kulturor Franko-Gjerman, Ambasada Franceze, Ambasada Gjermane, Komuna e Prizrenit dhe Sharrcem.

Restaurimi dhe digjitalizimi i “Prizreni, Qyteti i Burimeve dhe Bukurisë” u realizua nga partneri i projektit Instituti Nacional Audio-Vizuel i Francës – INA dhe Ambasada Franceze. / KultPlus.com

Filmat “Ajo” e More Raçës dhe “Në mes” nga Samir Karahoda, pjesë e festivalit Tampere Film Festival

Konsiderohet të jetë një ndër festivalet më të rëndësishme në Evropë, dhe pikërisht në këtë festival janë selektuar dy filma të metrazhit të shkurtë nga Kosova, shkruan KultPlus.

Filmat “Ajo” e More Raçës dhe “Në mes” nga Samir Karahoda janë pjesë e festivalit Tampere Film Festival, që është festival i kategorisë A.

Edhe drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku e ka konsideruar sukses të madh këtë pjesëmarrje të filmave të Kosovës në këtë garë të madhe, që mbahet përgjatë muajit mars./KultPlus.com

Ministri Gashi: MKRS është model për punën vullnetare në krahasim me përvojat e shteteve tjera të rajonit dhe më gjerë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka marrë pjesë sot në panelin e diskutimit “Rëndësia e punës vullnetare si një vlerë shoqërore” të organizuar nga Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Me këtë rast ministri Gashi fillimisht foli rreth Platformës dhe Databazës për Punë Vullnetare –PDV duke thënë se “Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit tashmë është lidere në Kosovë, rajon pse jo edhe model për shumë vende të ndryshme për njohjen institucionale dhe regjistrimin e punës vullnetare përmes Platformës dhe Databazës për Punë Vullnetare. Kjo është platformë elektronike shumë e avancuar e pa kopjuar dhe e krijuar nga ne dhe që administrohet nga Departamenti i Rinisë ku mbështetje teknike dhe financiare kanë dhënë UNICEF-i dhe OSBE-ja, mbështetje për të cilën gjithsesi jemi mirënjohës”.

Ministri po ashtu tha se kjo platformë jetëson lehtësisht Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2016 për punë Vullnetare për të Rinjtë në Kosovë. “Udhëzimi administrativ që ka krijuar MKRS-ja është një akt nënligjor i Ligjit për Fuqizimin dhe Pjesëmarrjen e Rinisë dhe është në funksion të të rinjve dhe me shumë përgjegjësi themi se  është akt nënligjor që është zbatuar 100%, së fundi edhe me shpalljen e vullnetarit të vitit me 5 dhjetor 2018”, theksoi ministri Gashi.

Përveç tjerash, ministri Gashi e përmendi si shumë të rëndësishëm faktin specifikimin e natyrës së punës së të rinjve si mënyrë e parandalimit të abuzimit në emër të vullnetarizmit. Gjithashtu ai foli edhe rreth bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë  si UNICEF dhe OSCE për të themeluar për herë të parë Komitetin Kosovar për punë vullnetare për të rinj. “Ky komitet do të ketë rol të madh në promovimin dhe fuqizimin e vullnetarizmit rinor në Kosovë. Në këtë tematikë edhe më shumë gëzon fakti se ne tashmë jo vetëm që kemi trajnuar dhe certifikuar mbi 40 mentor vullnetar rinor”, tha ministri Gashi.

Në fund, ministri Gashi, për të pranishmit ndau të dhëna të nxjerra zyrtarisht nga Platforma dhe Databaza për Punë Vullnetare që administrohet nga MKRS-ja: “Gjithsej i kemi 3455 vullnetarë aktiv që janë të interesuar në platformë dhe që janë regjistruar nga organizata të ndryshme, 188 organizata të regjistruara në Platformë, 135 mundësi të krijuara për punë vullnetare”. / KultPlus.com

‘Unë do t’i laj këmishat tua, nga komplimentet e saj’ (VIDEO)

Dita e fundit e një jave pune është e premtja.

Dhe si çdo të premte, ia vlen edhe sot të dëgjojmë muzikë të mirë. Megjithatë, muzikë e mirë është ajo që i mbijeton kohës.

Jehona Sopi, këngëtare e njohur e muzikës argëtuese, në një baladë të sajën e thotë ‘Unë do ti laj këmishat tua’.

Balada është ndër më të fuqishmet e Jehonës ndër vite. Po e sjellim sot, me premtimin për këngë të tjera të mira në të ardhmen. / KultPlus.com

Restaurohet varri i Tutankhamonit

I është nënshtruar një restaurimi varri i Tutankhamon, faraoni i ri ikonë e egjiptologjisë, që të reduktohen në maksimumin e mundshëm dëmtimet e shkaktuara nga fluksi i turistëve.

Rezultatet e punimeve egjipto-amerikane, të zhvilluara nga “Getty Conservation Institute”, u prezantuan zyrtarisht sot duke theksuar se është synuar që të reduktohet impakti i gërvishtjeve, pluhurit dhe myshqet që favorizohen nga lagështira e krijuar nga fluksi i turistëve, transmeton ATSH.

Tutankhamon (shekulli XIV para e.s.), është bërë faraon kur ishte ende një fëmijë dhe vdiq në moshën 18 vjeçare.

Varri i tij u gjet i paprekur në vitin 1922 nga arkeologu anglez Howard Carter në Luksor, në krahun e majtë të Nilit, dhe mumia e tij mbante në krye objektin më të famshëm të ikonografisë egjiptase, maskën e derdhur në ar.

Varri i Tutankhamon ndodhej në Luginën e Mbretërve, varreza e faraonëve, dhe përveç maskës kishte edhe më shumë se 5 000 objekte të tjera të çmuara, ku dallojnë edhe tre sarkofagë./ KultPlus.com

Dua Lipa mahnit me paraqitjen në premierën e “Alita: Battle Angel”

Këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa, i ka lënë gojëhapur kritikët e modës, gazetarët e fotografët, si dhe adhuruesit e mbledhur përreth qilimit të kuq në Londër, të shtruar me rastin e premierës së filmit “Alita: Battle Angel”.

Dua, poashtu është përgjegjëse e kolonës zanore të këtij filmi me buxhet të lartë, “Swan Song”, këngë kjo e cila u publikua me videoklip, pak ditë më parë, raporton Express i KTV-së.

Në këtë premierë, Lipa u paraqit me të dashurin e saj Isaac Carew./ KultPlus.com

Veseli jep lajmin e shumëpritur: Mësimi fillon të hënën

Pas tri jave grevë, të hënën fillon mësimi.

Kështu ka njoftuar, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli i cili ka uruar mësimdhënësit dhe nxënësit, transmeton Indeksonline.

“Urime mësimdhënës dhe nxënës të dashur! Mësimi fillon të hënën”, ka shkruar Veseli.

Në këtë foto, shihet se edhe kryeministri Ramush Haradinaj ka qenë pjesë e takimit me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jashari./Indeksonline/ KultPlus.com

‘Për ty, me Zotin flas’

Nga Ali Asllani

Ti përhera në shtëpi
dhe përhera puth e pi

Pi e puth
si një zog i zën’ në kurth
përpëlite nëpër odë,
mbush një godë e zbraz një godë
dhe me fletë për poezi

Përgëzohem or’e ças,
nga një bot’ në tjetrën shkas
rreth për ty me zotin flas!

Syri puthet, gota pihet,
numri tyre s’mund të dihet,
kurse zemrat dashurohen,
gotat puthjet s’numërohen!

Un’ kam vjershën edhe pijen
po je ti që u jep shijen
pija ime, shija jote
un’i gjithë hija jote!

Në vend të dënimit, kjo shkollë i detyron fëmijët të meditojnë

Robert Coleman – Shkolla fillore në Baltimore në Maryland ka vendosur që në vend të dënimit për fëmijët që bëjnë sherre dhe probleme të ketë meditim.

Sipas arsimtarëve dhe personelit të shkollës, është e rëndësishme që studentët të kalojnë nëpër meditim pasi kjo do t’i bëjë ata të ndihen mirë edhe pas një problemi që e kanë shkaktuar.

Fëmijët shkojnë në ‘Mindful Moment Room’, një dhomë e veçantë për reflektim dhe për qetësim të shpirtit dhe ndjenjave.

“Nuk ta merr mendja se fëmijët meditojnë në qetësi, por ata këtë e bëjnë në mënyrë të mrekullueshme. Kjo strategji ka qenë sukses i madh” tregon Kirk Phillips, koordinator i këtij projekti brenda shkollës.

“Secili po i buzëqeshë njëri-tjetrit pas këtij adresimi të problemit, me anë të meditimit dhe me anë të qetësisë. Madje edhe shkollat tjera në Amerikë po e nisin këtë projekt, pasi meditimi i bën mirë njeriut” tregon Phillips. / KultPlus.com

Me grafite kundër udhëheqësve të Kosovës

Në objektin e Ministrisë së Kulturës, në mëngjesin e sotëm është parë një grafit i ri kundër udhëheqësve të Kosovës, raporton Koha.net.

Në këtë grafit shkruhet “Hashimi o legen”, “Ramushi o terpijan”, “Kadria o fullirant”, “Rrnoftë Vetëvendosja!”.

Edhe pse nuk dihet kush i ka shkruar këto, fjalia e fundit lë të kuptojë që mund të ketë qenë ndonjë simpatizant i Lëvizjes Vetëvendosje.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që në muret e objektit të MKRS-së, që gjendet në qendër të kryeqytetit, ka grafite të ngjashme kundër liderëve kosovarë.

‘Unë shpresoj që pasi të vdes do ta vlerësojnë saktësisht se kush kam qenë’

Enver Petrovci: Kur dikush vdes atëherë vlerësohet vërtetë kush ka qenë ai njeri…

“… Unë e kam fshehur gjithmonë mendimin tim, sepse kam menduar që vetë jeta dhe mënyra se si jetoj do të vijë një ditë në shprehje, atë se çfarë unë mendoj që nuk ka ardhur kurrë në shprehje që të dinë njerëzit. Kam kuptuar që tek populli shqiptar, kur dikush vdes atëherë vlerësohet vërtetë kush ka qenë ai njeri. Unë shpresoj që pasi të vdes do t’a vlerësojnë saktësisht se kush kam qenë unë…”, u shpreh aktori Enver Petrovci, në emisionin “Voilà” te “Top Channel” në kanalin e Youtube …

‘Ti duhet me m’dâshtë, me m’thânë, me m’lâ si shejt…’

Nga Erenestina Gjergji Halili

Epma, thuejma, m’laj…
Ti duhet me m’dhânë , me m’thânë, me m’lâ,
bulbën e djallit, në shteg t’shpirtit, andej káh e prámja
me hi n’kishë teme, i lâmun n’mëshir’ hyjnore,
m’u bekue, n’dritë pa ardhë buzëmbrámja…
Ti duhet me m’dhânë, me m’thânë, me m’lâ,
nji grusht t’gogluem ndjesishë t’paprekuna,
me ditë si f’mija primend biblën teme femën,
n’shejtni t’njérit, m’u lâ kah m’don tuj m’pùthë.
Ti duhet me m’dâshtë, me m’thânë, me m’lâ,
si shejt…

Përfundimi hyjnor i Ermonela Jahos në mbylljen e ‘La Traviata’

Një mbyllje hyjnore e La Traviatës nga Ermonela Jaho.

Prova se opera është forma më sublime e artit. Mbyllja e perdes në performancën e shqiptares Ermonela Jaho në ‘La Traviata’ është veç vërtetim i kësaj thënieje.

Royal Opera House ka publikuar një video ku Ermonela shihet e dërrmuar, por si një artiste e madhe e cila falenderon publikun e saj, dhe jep 100 % nga energji e saj.

Ermonela vjen në rolin kryesor në operën e famshme, e cila është shfaqur rreth 1 mijë herë në kinema, në rreth 23 shtete.

Ermonela Jaho mbetet ndër sopranot më të njohura shqiptare në botë.

https://twitter.com/HeleneHPDV/status/1090744534189920259

“Kam dashur ta këndoj La Traviatën vetëm një herë në jetë, kam menduar se do të vdes pa e performuar” pati thënë Ermonela në një intervistë të sajën. / KultPlus.com