Para pak minutash, në Tribunalin e Hagës është dënuar me burgim të përjetshëm krimineli Radovan Karaxhiq.
Edhepse vite më parë ai u dënua me 40 vite burg, gjykatësit
e apelit ia kanë konfirmuar dënimin Karaxhiqit për gjenocid në masakrën e
Srebrenicës më 1995 gjatë Luftës së Bosnjës dhe thanë se dënimi me 40 vjet
burgim i dhënë nga gjykatësit e procedurës paraprake ishte shumë i lehtë duke e
pasur parasysh rëndesën e krimeve të tij dhe peshën e përgjegjësisë së tij.
Po e sjellim një paralele mes Karaxhiq dhe jetës së dhimbshme të autorit Izet Sarajliq, dy motrat e të cilit u vranë nga serbët e urdhëruar prej po Karaxhiqit, në Sarajevë.
Sarajliq ka shkruar në librin e tij “Sarajeva”, duke dëshmuar me poezitë e vargjet e tij dhimbjen e qytetarëvve të Sarajevës në luftën që ndodhi atje për 1336 ditë.
Madje, në përmbledhje tregohet se në fakt Karaxhiq dhe Sarajliq njiheshin paraprakisht dhe kishin një miqësi të rëndomtë, por i pari e tradhëtoi, dhe siç e përshkruan vetë shkrimtari, “gjuajti mbi qiellin dhe njerëzit e Sarajevës”.
Karaxhiq e kishte pasur profesor shkrimtarin, në lëndën e
psikologjisë.
Libri i tij “Sarajeva” u botua në vitin 1993 në Slloveni. / KultPlus.com
Shkrimtarja Flutura Açka ka reaguar sot në lidhje me shtëpinë e At Gjergj Fishtës e cila ndodhet në gjendje të rëndë dhe po shkon drejt rrënimit. Sipas Açkës kjo shtëpi është turpi ynë, përcjellë KultPlus.
Më poshtë po ju
sjellim reagimin e plotë të Açkës:
Kjo është shtëpia e Fishtës sot. Nuk di në ka ndonjë monument kulture më të rëndësishëm se ky. Nga vrapi për të përjetësuar socrealizmin, u shkujdesëm për lëndën që na përbën, mes kësaj edhe Fishta. Kjo shtëpi e rrënuar është turpi ynë, edhe turpi im që nuk protestoj për të përditë. Dy letra i shkroi Musolinit për ta ndihmuar për t’iu botuar vepra, dhe me dekada u fshi nga kujtesa. Edhe për klosetët e banjove kujdesej partia për socrealistët, dhe janë në të gjitha leximet shkollore e jashtëshkollore, për të thënë më të paktën. Nuk po them t’i fshijmë edhe ata, por t’u vemë rend gjërave. Edhe një bust që është vënë në oborr, emri i mecenatit është po aq i madh sa i Fishtës. Megjithë respektin që kam për donatorin si një patriot, bujar dhe njeri mjaft i respektueshëm, me pllakën e emrit të tij duhej të ishte treguar më i kursyer, dhe më modest në emrin e tij pranë Fishtës. Thonë, me të dëgjuar e kam, se në fillim të të 90-tave u miratua një fond bujar shtetëror për Fishtën, por një Zot e di ku shkoi. Me të ishte ndrequr me kohë dhe kjo shtëpi. Mbase gazetarë investigativë, do të dinë t’i japin përgjigjen e duhur kësaj enigme. Deri atëherë, pra deri kur Fishta të trajtohet dinjitetshëm, ne do ta hamë me bukë turpin për dhunimin që po i bëjmë historisë. /KultPlus.com
Matematikanja Fioralba Canolli është ndër gratë e rralla shqiptare që ka arritur të krijojë karrierë tejet të suksesshme në një profesion historikisht të dominuar nga burrat.
Ajo u diplomua në Universitetin e Tiranës në vitin 1987 dhe pas një bashkëpunimi me Universitetin e Patras, në vitin 1996 mori titullin Profesor Doktor.
Falë një kontributi pranë Katedrës së Matematikës së Universitetit të Tiranës, Fioralba u përzgjodh nga Humboldt Research dhe për shkak të kërkimeve shkencore u zhvendos në SHBA.
Shqiptarja fitoi disa tituj shkencorë për disa publikime, e kësisoj u zgjodh anëtare bordi e disa prej botimeve kërkimore të rëndësishme në Hong-Kong, Paris, Londër, Kanada, Gjermani dhe SHBA
Fioralba në janar të këtij viti u nderua me Çmimin e Nderit të Shoqatës së Matematikanëve të Amerikës (AMS), një organizatë e krijuar në vitin 1888.
Aktualisht ajo është duke punuar si matematikane dhe eksperte e Teorisë së Shpërndarjes së Anasjelltë, si dhe është pedagoge në Universitetin Rutgers, në New Jersey të SHBA-ve, ku edhe bën përpjekje që vazhdimisht të promovojë Shqipërinë nëpër botë.
Art Lokaj dhe bendi i tij do të jenë këtë të enjte në Tiranë për të dhënë një koncert live, shkruan KultPlus.
Në këtë koncert Lokaj
do të promovojë këngët e albumit të tij të parë i cili titullohet “Use you’. Ky
album e sjellë Artin në cilësinë e kantautorit dhe producentit.
Këtë koncert i cili do
të karakterizohet nga 8 këngë të padëgjuara më parë nga publiku i Tiranës, të
Art Lokajt të zhanrit funk, r’n’b, soul, do ta mirëpres ‘Tulla’ më datë 21
mars. Koncerti fillon në ora 21:00.
Krahas Artit, në këtë koncert do të performojnë edhe një numër i madh i muzikantëve të skenës vendore të cilët gjithashtu janë edhe bashkëpunëtor në incizimin e albumit. Në mesin e tyre janë Nesim Maxhuni, Fatjon Miftari, dhe artistë e muzicientë të tjerë që mbeten surprizë.
Albumi u incizua në shkurt 2019 në hapësirën e bashkëpunimit të muzikantëve Prishtinas, LICEU, iniciativë kjo gjithashtu e udhëhequr nga Art Lokaj. / KultPlus.com
Regjisorja arbëreshe Francesca Olivieri do të sjellë në kinematë e jugut të Italisë një film me titullin “Arbëria”.
Në këtë film flitet për origjinën e saj dhe regjisorja
tregon për lidhjet e hershme që ajo ka me Shqipërinë, e sesi stërgjyshërit e
paraardhësit i kanë ardhur nga ajo që dikur quhej Arbëri, e sot Shqipëri.
Filmi është një dedikim për komunitetin
arbëresh, i cili jeton në disa fshatra të bukur dhe të vegjël të Kalabrisë dhe
Basilikatës. Ky film do të paraqitet në disa kinema në qytetet italiane, duke
pasur mbështetje nga produksioni filmik “Lucana Film e Calabria”, ndërsa si
aktore kryesore do të jetë po një kalabreze, e mirënjohura Katerina Misasi.
Regjizorja, nëpërmjet personazhit kryesor në
film, Aidas, familja e të cilës ka origjinën në qytetin e vogël të Santa
Caterina Albanese, tregon temën e zbulimit të origjinës së saj dhe lidhjeve të
ngushta me ‘tokën amë”, Arbërinë ose Shqipërinë e sotme. Gjithçka i dedikohet
arbëreshëve, një komunitet në Italinë e Jugut./ KultPlus.com
“Sot është përuruar libri më i ri nga Isak Shema që gjurmon në veprimtarinë e figurës së njohur të Faik Konica. “Veprimtaria e Faik Konicës Bruxelles 8960-1902”, titullohet libri që u përurua sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Përmes
evidentimeve, analizave, teksteve të ribotuara, përshkrimeve e gjurmimeve nëpër
arkivat e Brukselit, libri sjell shumë aspekte të jetës politike e letrare të
Konicës.
Studiuesi
Hysen Matoshi sot në promovimin e këtij libri, tha se interesimet e vijueshme të
Isak Shemës për personalitetin e Konicës janë të kahershme dhe gjithçka është
kurorëzuar në këtë libër duke përfshirë edhe hulumtime në qytetin e Brukselit
ku jetoi për disa vite Konica.
“Ndonëse libri është rezultat i interesimeve dhe studimeve të kahershme, ai merr shkas dhe përplotësohet edhe nga fakti se vitin e kaluar profesori Shema ka bërë një hulumtim të përgjithshëm në arkivin mbretëror në Bruksel lidhur me aspekte të jetës së Faik Konicës për kohën sa qëndroi në këtë qytet dhe veprimtarinë e tij shkrimore në ditët e përmendura. Materialet e marra në këtë arkiv qartësojnë më mirë qëndrimin e autoriteteve të kohës, intrigat që thureshin rreth Faik Konicës dhe në masë të madhe edhe shkakun e lëvizjes së tij drejt Londrës. Marrë parasysh faktin se rreth tij, në të kaluarën, është qëmtuar me kujdes dhe me interesim të shtuar është mbledhur dhe publikuar lënda dokumentare, konsiderojmë se, qoftë edhe ndonjë e dhënë e re, e arsyeton punën dhe mundin e investuar në këtë drejtim ”, tha Matoshi. Ai tutje shtoi se libri përbëhet nga tri tersi të posaçme që kanë të përbashkët objektin studimor. Ai tutje tha se punimet studimore të Isak Shemes janë ndihmesë e çmueshme për njohjen e jetës dhe veprës së Konicës.
“Natyrisht
ka edhe të dhëna dokumentare për jetën familjare të Konicës, sikurse është
certifikata e lindjes e të birit Henrikun të cilin e kishte sjellë në jetë me
bashkëjetuesen e tij Sophie Annette Hygo. Pastaj vend me rëndësi zë edhe një
akuzë që pranë autoriteteve të sigurisë i bëhej nga një zonjë angleze, e cila
pretendonte se e bija e saj, Marie Forbes – Rodhna, po mashtrohej për qëllime
përfitimi material nga ky anarkist revolucionar, por që diçka e tillë nuk ishte
vërtetuar nga organet kompetente”, tha Matoshi.
Profesori
Sali Bashota tha se profesori Shema në librin e tij më të ri me titull “Veprimtaria
e Faik Konicës Bruxelles 8960-1902”, ofron dokumente të njohura dhe të
panjohura për jetën edhe veprimtarinë e Konicës. Ai tha se pjesë e rëndësishme
e librit është përfshirja e disa dokumenteve arkivore nga Brukseli, ku
përfshihen shkresa, dokumente dhe telegrame, intervista, komente e artikuj të
ndryshëm.
“Dokumentet
janë pjesa më e madhe në gjuhën shqipe dhe disa janë në gjuhën frënge dhe janë
edhe disa shkrime në gjuhën angleze dhe disa në gjuhën frënge. Qëllimi kryesor
i profesorit Shema është që ta vendos në pah veprimtarinë edhe politike edhe
publicistike edhe letrare por edhe diplomatike të Konicës. Prandaj veprimtaria
kulturore, letrare gjuhësore e publicistike e Konicës është e gjerë dhe e shumanshme
kështu që profesor Shema e ka sistemuar pjesën më të rëndësishme sidomos në
pjesën e tretë të veprës”, tha Bashota në fjalën e tij.
Pas Bashotës,
fjalën e mori Shefkije Islamaj e cila tha se libri i Isak Shemës dëshmon se
Faik Konica me punën e tij të zellshme dhe këmbëngulëse në të gjitha fushat
shoqërore, kulturore e letrare zë vend nderi në historinë kulturore shqiptare,
ndërsa tutje Islamaj shtoi se aty zë vend edhe dashuria e tij për historinë,
kulturën dhe gjuhën shqipe.
“Libri që po
promovohet sot i kushtohet një prej personaliteteve më të shquara në kulturën shqiptare,
Faik Konicës përkatësisht veprimtarisë së tij letrare, kulturore e gjuhësore
gjatë kohës sa ishte në Bruksel, kohë vetëm gjashtë vjeçare por e pasur dhe e
ngjeshur me veprimtari patriotike, kulturore letrare”, u shpreh Islamaj.
Autori Isak
Shema i falënderoi të gjithë të pranishmit e veçmas nxënësit e shkollës “Faik
Konica”, ndërsa pati një porosi për lexuesit e librit.
“Qëllimi ynë
ka qenë që të vazhdohet procesi i studimeve dhe të plotësohen ato tema dhe ato
aspekte të jetës dhe krijimtarisë së Konicës, unë besoj që vepra ka lenë një
përshtypje te lexuesit dhe lexuesit ta kenë librin dhe jo vetëm brezi më i
hershëm por edhe brezi më i ri”, tha Shema në fjalën e tij.
Në këtë përurim libri u lexuan edhe poezi nga Konica, dhe u përcjell me dy pika muzikore përcjell me piano. / KultPlus.com
Nga: William Faulkner (fjalimi i tij më 1950, pasi pranon Çmimin Nobel për Letërsi) Përktheu: Granit Zela
E ndiej se ky çmim nuk m’u dha mua si njeri, por veprës sime, veprës së një jete blatuar shpirtit njerëzor që vuan në agoni, jo për lavdi, aq më pak për pasuri, por për të krijuar prej thelbit të shpirtit njerëzor diçka që s’ka qenë kurrë më parë. Pra, më përket mua, vetëm në kuptimin e besimit. S’ka për të qenë e vështirë që paratë të shkojnë aty ku duhet, siç dhe e meriton përmbushja e qëllimit dhe domethënia e tyre qysh në krye të herës. Të njëjtën gjë dua të bëj edhe me këtë çast bujëplotë, ta shfrytëzoj me përgjegjësi, si një faltore, nga ku zëri im dëgjohet prej vajzave dhe djemve që i blatohen të njëjtit ankth dhe robëtimi, mes tyre padyshim është edhe ai që një ditë do të jetë këtu ku jam unë.
Tragjedia jonë sot është frika fizike e të gjithëve, në të gjithë botën, dhe na ka pushtuar prej kaq shumë kohësh sa jemi mësuar me të. Nuk bën më kush pyetjen se çfarë e trazon shpirtin. Por vetëm një dhe vetëm një: Kur do të hidhem në erë? Është kjo arsyeja pse djemtë dhe vajzat që shkruajnë sot, kanë harruar çfarë e trazon zemrën njerëzore që lufton me veten, çka dhe lind letërsi të madhe, sepse veç për ato ia vlen të shkruash, veç për këtë ia vlen vuajtja në agoni.
Duhet t’i mësoj edhe një herë të gjitha këto. Ta mësoj vetë se në themel të gjithçkaje është të pasurit frikë, dhe me ta mësuar vetë këtë, ka për ta harruar përgjithmonë, dhe s’do ketë vend në punishten e tij të shkrimit për asgjë tjetër përveç besimeve dhe të vërtetave të lashta të zemrës, për ato të vërteta të lashta dhe të përbotshme pa të cilat çdo rrëfim është i përkohshëm dhe jetëshkurtër: për dashurinë dhe nderin, mëshirën dhe krenarinë, dhembshurinë dhe sakrificën. Po nuk e bëri këtë, është i mallkuar. Nuk shkruan për dashurinë po për epshin, për disfatat ku humbësi s’humbet asgjë me vlerë, për fitoret pa shpresë, dhe më e keqja e të gjithave, pa mëshirë, pa dhembshuri. Brengat e tij, nuk e prekin mbarënjerëzoren, prandaj s’të brengosin. Të shkruarit nuk buron nga zemra, por nga thembra.
Derisa t’i mësoj edhe një herë këto, do të shkruaj si ai që gjallon mes njerëzve por rri dhe vështron fundin e njeriut. Unë nuk e pranoj fundin e njeriut. Është e lehtë të thuash se njeriu është i pavdekshëm thjesht sepse do të durojë, se kur të jetë dëgjuar boria e fundit e botëmbarimit dhe të jetë shuar shkundullima e shkëmbit të fundit në rrokullimë në atë mbrëmje të mbrame të përflakur që fiket, edhe atëherë, do të dëgjohet ende një kumbim: ai i zërit të tij të mezindjeshëm, të pashtershëm, që ende flet. Nuk e pranoj këtë. Besoj se njeriu jo vetëm do të durojë, por do të ngadhënjejë.
Është i pavdekshëm, jo sepse ndër të gjitha krijesat, vetëm zëri i tij është i pashtershëm, por sepse ka frymë, shpirt të aftë për dhembshuri, sakrificë dhe durim. Detyra e poetit, e shkrimtarit, është të shkruajë për to. Është e drejta e tij e veçantë ta ndihmojë njeriun të durojë duke ia çuar zemrën peshë, duke i kujtuar guximin, nderin, shpresën, krenarinë, dhembshurinë, mëshirën dhe sakrificën, të cilat kanë qenë lavdia e së shkuarës së tij. Zëri i poetit nuk duhet të jetë thjesht dëshmi e njeriut, sepse mundet me qenë gur themeli, kolonë kua ai mbështetet që të durojë dhe të ngadhënjejë. / KultPlus.com
Lumbardhi po prezanton sezonin pranveror të muzikës Lumbardhi n’Behar, i cili fillon më 7 prill 2019. Programi evolon nga sythi në lule, duke lulëzuar në programin e fundit të pranverës në mbrëmjen e 21 qershorit. Para rijetësimit të Kino Bahçes, Lumbardhi n’Behar do të kremton pranverën në Prizren, dhe paralajmëron një institucion gjithnjë-në-zhvillim dhe programet e tij në ardhje.
Programi do të nisë me rock-bendin kanadez nga Montreali, “Suuns”, që për herë të parë paraqitet në Kosovë, i përcjellë nga tingujt apokaliptikë të romantizmit, që në të njëjtin koncert të 7 prillit i sjell grupi eksperimental “Scattered Clouds”.
Në
po të njëjtën skenë, 12 ditë më vonë skena do t’i takojë këngëtares,
tekstshkrueses dhe modelistes nga Teksasi, Chrysta Bell, e njohur gjerësisht
për punën e saj bashkëpunuese me regjisorin David Lynch. Bell do të
interpretojë këngë nga albumi i saj i fundit “Feels Like Love” në vizitën e saj
të parë në Kosovë.
Tinguj ndryshe do të sjellë bendi turk “Jakuzi” në koncertin e 3 majit. Bendi i themeluar më 2015, ”Lumbardhi N’Behar” do të performojnë pjesë nga albumi i tyre “Hata Payı”. Përveç tyre DJ lokal Karamucho e Ygretmen do të paraqiten me tingujt post-punk, punk blues.
Më
21 qershor në Prizren do të vijë grupi i njohur francez “Nouvelle Vague” me
përshtatjen e melodive punk e post-punk dhe me stilin e viteve ‘50 dhe ‘60.
Këngëtarja prizrenase me emrin skenik Agona, po atë natë do të ofrojë rimishërim të jazz dhe blues. /KultPlus.com
Në Queens të New Yorkut themelohet Akademia e studentëve shqiptaro-amerikanë.
Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Shtetit për Diasporën e Shqipërisë, e cila thekson se të shtunën, më 16 mars 21 studentët e parë firmosën aktin e themelimit të saj.
Dega e “Vatrës” në Queens deklaroi publikisht se nisi nga funksionimi Akademia e studentëve shqiptaro-amerikanë. Akti i themelimit është firmosur nga 21 studentët e parë.
Në të njëjtën mbrëmje, dega e “Vatrës” në Queens me kryetar dr. Skënder Murtezani organizoi një veprimtari përkujtimore kushtuar 54-vjetorit të ndarjes nga jeta të themeluesit të “Vatrës”, editorit të parë të “Diellit” dhe Atit të Kishës Autoqefale Orthodhokse shqiptare, Fan S. Noli, si dhe përkujtimit të demonstratave të marsit të vitit 1981 në Prishtinë. / KultPlus.com
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, në prag të shënimit të 20-vjetorit të eksodit masiv të shqiptarëve nga Kosova drejt Maqedonisë, themeloi Qendrën Përkujtimore të Eksodit „Bllacë 1999” – Shkup. Ky subjekt i ri, i cili do të funksionojë në kuadër të Departamentit të Muzeologjisë, u themelua nga Këshilli i Institutit, me propozim të drejtorit Skender Asani.
Vitin e kaluar, Instituti kishte përgatitur një elaborat të cilin ua dorëzoi dy qeverive, asaj të Maqedonisë dhe të Kosovës, që përvjetori në fjalë të shënohet me inaugurimin e një qendre përkujtimore dinjitoze në pikën ku ndodhi katastrofa humanitare në Bllacë.
“Bllaca, atëbotë, u bë kufi jo ndërmjet shteteve, por ndërmjet jetës dhe vdekjes! Duke qenë kjo katastrofë humanitare pikërisht në fund të shekullit XX, Bllaca mund të jetë metaforë edhe e të gjitha vuajtjeve të shqiptarëve nga viti 1913 e këndej. Në Bllacë vuloset vuajtja e vaji dhe aty personifikohen shpërnguljet e shqiptarëve që kanë ndodhur gjatë gjithë shekullit. Aty është ‘Muri i vajtimit’ të shqiptarëve për eksodin që e përjetuan”, u shpreh drejtori Asani.
Sipas tij, vendosja e kësaj qendre përkujtimore në Bllacë, do të duhet të shërbejë edhe si gurthemel i marrëdhënieve të mira të Maqedonisë dhe Kosovës, si peng kujtimi për atë ngjarje. Ajo pikë është jo vetëm guri i kufirit, por është edhe kujtesë se atëbotë Maqedonia – e gjetur ngushtë nga vala e madhe e refugjatëve, pas ndihmës ndërkombëtare – i hapi dyert dhe pranoi gati gjysmë milion njerëz. / KultPlus.com
Si sot, 465 vjet më parë nisi rrugën e vet fjala e shkruar shqip.
“U doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herrë se gluha jonë nukë kish gj~ të ëndigluom ën së shkruomit shenjëtë, ën së dashunit së botësë s’anë, desha me u fëdigunë, për smujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e atyne qi të ëndiglonjinë… “Ëndë vietët M.D.L.IV. njëzet dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor, shkruan Gjon Buzuku në Meshar, veprën letrare më të vjetër shqipe të botuar dhe të ruajtur deri sot.
Libri përbëhej nga 110 fletë mirëpo kopja e librit që ka arritur është e cunguar dhe i mungojnë 16 faqet e para dhe ndër to edhe kopertina me faqen kryesore.
Buzuku ishte prift katolik, famullitar i një kishe në Shqipërinë Veriore jo aq larg nga vendi i botimit dhe një nga lëvruesit më të rëndësishëm të gjuhës shqipe. Me veprën e vet ai konsolidoi një traditë të rëndësishme të të shkruarit të gjuhës shqip me alfabet latin. / KultPlus.com
Kanye West njoftohet se po shqyrton mundësinë e një bashkëpunimi me Dua Lipën për albumin e ri, “Yandhi”.
Reperi i famshëm raportohet se po planifikon të bëjë një bashkëpunim me këngëtaren shqiptare pas sukseseve të njëpasnjëshme të artistes sonë.
Çifti u takua në një nga restorantet e Los Angelosit gjatë ditës së diele dhe besohet se marrëveshja tashmë është arritur.
Një burim i afërt me dyshen ka konfirmuar për The Sun se “Kanye është shumë i impresionuar me zërin e Duas dhe e di që për momentin është këngëtarja më e kërkuar në botën e industrisë muzikore”.
“Ai ka disa këngë që mendon se Dua do të ishte e përkryer për të dhe është me të vërtetë e zellshme sa që dëshiron ta ketë në albumin Yandhi”, tha burimi.
Këngëtarja ‘New Rules’ ka qenë prej kohësh një fanse e muzikës së Kanyet dhe këtë e ka treguar në disa raste të ndryshme.
‘Yandhi’ akoma nuk ka ndonjë datë se kur do të dalë në shitje, megjithatë, pritet që në të të shfaqen edhe Ty Dolla Sign, 6ix9ine, Rihanna, Kid Cudi, Young Thug, Teyana Taylor, Lauryn Hill, Nicki Minaj./telegrafi/KultPlus.com
Një histori shumë e bukur vjen nga Shtetet e Bashkuara ku një vogëlush u bë viral prej mënyrës se si luan në piano.
Ai është vetëm 6 vjeç, ka lindur i verbër, por kjo nuk e pengoi që të vijonte pasionin e tij: pianon. I njohur si “Mozarti i vogël”, videoja e tij duke luajtur në piano është shpërndarë kudo në rrjete sociale.
Sipas nënës së tij, Avett Ray filloi të luante në piano këngë si “Twinkle Twinkle Little Star” që kur ishte 11 muajsh. Me kalimin e kohës mësoi këngë të reja dhe tani mund të konsiderohet si artisti më i ri në treg./oranews
Rita Ora po vazhdon me koncerte në shtetet aziatike në kuadër të promovimit të albumit “Phoenix”.
Këngëtarja shqiptare tashmë ka lënë pas performancat në Singapor ndersa gjatë ditës së djeshme ka arritur në Indonezi.Në mesin e artistëve botërorë ka filluar një sfidë e re e nominimeve, ku për synim kanë mbjelljen e një peme në ndihmë të ekosistemit. Këngëtarja ishte nominuar për këtë detyrë nga aktorja amerikane, 44-vjeçarja Chelsea Handler.
“Më kanë nominuar si pjesë e kampanjës për mbrojtjen e ‘Leuser Ecosystem’ në Sumatra të Indonezisë! pemën po ju dedikoj gjyshërve”, ka shkruar ndër të tjerash Ora.
Theksojmë se Rita gjithmonë e tregon nëpër intervista të ndryshme se është shqiptare dhe se për këtë ndihet krenare.
Në Rusinë e lashtë, Princi Igor dhe Princesha Oga, ishin një shembull i një çifti të fuqishëm – Igori i quajtur “I mençuri” ishte djali i Ryuk, themeluesi i Rusisë, dhe Olga ishte e njohur në të gjithë mbretërinë si “E bukura Olga”. Ai nënshtroi fiset e Uglich, Drevlian dhe Pechen. Udhëhoqi dy fushata kundër Bizantit në 941 dhe 944, dhe rrethoi Kostandinopojën.
Lufta e pasuksesshme me Bizantin përfundoi me një marrëveshje tregtare të vitit 944. Procesi i feudalizmit u përshpejtua në kohën e tij në Kijevin e Rusisë, por pati edhe revolta të vazhdueshme për shkak të taksave të larta Rebelimi u udhëhoq nga fisi Drevlian. Në ballafaqim me ta, Igori u kap dhe u vra në vitin 945. Olga u shkatërrua. Trishtimi i saj ishte aq i madh saqë sa herë që dikush i propozonte të martohej përsëri, përfundonte i vdekur, transmeton Reporteri.net
Ajo nuk ishte e vetme, me Igorin kishte një djalë trevjeçar, Svjatoslav.
Ndërsa gjaku i Igorit ishte ende i freskët në duart e tyre, Drevlianët i dërguan një mesazh Olgës në të cilin shkruanin se Igori ishte si një ujk që shkatërronte gjithçka para tij, por se ajo konsiderohej e mirë dhe se më së miri do të ishte të martohej me princin e tyre Mala. Kështu ata u përpoqën të luanin rolin e Cupidit me qëllim të fitimit të kontrollit mbi të gjithë mbretërinë. Olga, megjithatë, kishte plane të tjera me njerëzit që i sugjeronin martesë.
Ajo u tha atyre se oferta martesore ishte pikërisht ajo që dëshironte dhe për të treguar respekt për popullin e Kievit ajo u tha atyre të hipnin të gjithë në një anije për t’i parë dhe për t’i përshëndetur. Kur erdhi deri te kjo, njerëzit e saj e fundosën anijen në një hendek dhe i varrosën të gjallë.
Por ky nuk ishte fundi. Hakmarrja e Olgës sapo kishte filluar. Pas kësaj, ajo e dërgoi mesazh te Drevlianët duke shkruar: “Nëse dëshironi me të vërtetë praninë time, më dërgoni njerëzit tuaj më të fuqishëm në përcjellje në mënyrë që tek princi juaj të vijë në mënyrë të përshtatshme”. Pasi morën mesazhin e saj, Drevlianët bënë atë që ajo kërkoi.
Kur burrat arritën në Kiev, Olga i përshëndeti me një buzëqeshje në fytyrën e tyre dhe u një relaksim në banjat termale (siç ishte zakon në atë kohë). Ata pranuan ofertën e saj dhe kur hynë, ajo urdhëroi që dera të mbyllet dhe i gjithë objekti të digjej. Ajo u shkroi sërish Drevlianëve, duke kërkuar prej tyre një sasi të madhe të mjaltit, por gjithashtu edhe të përgatitnin për burrin e saj një varrim të madh për të kërkuar falje për vdekjen e tij. Natyrisht Drevlianët e dëgjuan përsëri, dhe Olga u soll normalisht dhe ngrohtësisht në funeral.
Në festën pas varrimit, ajo priti që të gjithë të dehen dhe pastaj shfrytëzoi pakujdesinë e tyre dhe në një moment urdhëroi të gjithë ushtarët e saj t’i vrisnin të papërgatitur. Në aktin e saj të fundit të revoltës kundër Drevlianëve, ajo u tha atyre se ata janë të detyruar të paguajnë një taksë në formë të zogjve. Ata e dëgjuan dhe mblodhën të gjithë zogjtë dhe ia dërguan ata Olgës.
Ajo mori dhuratën dhe më pas lidhi një copë leckë të zhytur në squfur në këmbën e çdo zogu. Posa nata ra, banorët ndezën pishtarët e tyre për të bërë dritë. Olga e dinte se zogjtë do të fluturonin përsëri te pronarët e tyre sapo t’i linin të shkonin. Leckat në këmbët e zogjve të zhytura në sulfur dhe pishtarët e ndezur nxitën një zjarr të madh në të cilin tërë qyteti u dogj./gazeta express
Kombëtarja e Kosovës është në prag të dy sfidave të cilat do t’i zhvillojë në stadiumin mitik, Fadil Vokrri, fillimisht kundër Danimarkës dhe më pas kundër Bullgarisë
Tifozët e Kombëares së Kosovës ‘Dardanët’ kanë publikuar një këngë në faqen zyrtare në Facebook. Ky tekst, është teksti i himnit të Kosovës, mirëpo teksti zyrarisht nuk është i pranuar si pjese e himnit, andaj në ceremonitë shtetërore nuk bën pjesë.
“O mëmëdhe i dashur, vend i trimërisë, çerdhe e dashurisë,” është vetëm një frazë e himnit të publikuar nga Dardanët.
Kujtojmë që Kosova më 21 mars luan me Danimarkën një ndeshje miqësore dhe më pas më 25 mars takohet me Bullgarinë në kuadër të kualifikimeve të EURO 2020.
Më poshtë mund ta dëgjoni këngën fantastike të publikuar në faqen e ‘Dardanëve’.
Projektet e Qeverisë shqiptare kanë sjellë një zhvillim të dukshëm në qytetin e Gjirokastrës, duke rijetëzuar godinat e Qafës së Pazarit, zemrën aktive të Gjirokastrës historike, duke tërhequr një numër shumë të madh turistësh, vendas dhe të huaj.
Mirela Kumbaro, deputete e PS-së dhe ish-ministre e Kulturës, gjatë një interviste televizive foli për trajtimin e qendrave historike të qyteteve tona, më konkretisht atë të Gjirokastrës, duke theksuar se në këtë qytet po punohet me projekte të mëdha.
“Në Gjirokastër po punohet me projekte të mëdha, që marrin parasysh kompleksitetin e qytetit të mbrojtur nga UNESCO”, u shpreh ajo.
Sipas ish-ministres Kumbaro, projektet nuk janë thjeshtë “fasadë”, por kanë sjellë një zhvillim të dukshëm, me fazën e parë të punimeve që ka rijetëzuar godinat e Qafës së Pazarit, zemrës aktive të Gjirokastrës historike, godina që duke qenë “pronë private kanë marrë edhe një vlerë të humbur ndër vite”.
Ministria është e qartë dhe e vendosur thekson Kumbaro, kur thotë se faza e dytë, që përfshin heqjen e kalldrëmeve “është e nevojshme, trazon biznesin në përditshmërinë, por ama do të bëhet njëherë e mirë”, duke nënvizuar edhe faktin që pjesë e mirë e tyre daton jo më larg se vitet ’70.
Për Kumbaron, trauma e vërtetë për zonën muzeale të qytetit është qarkullimi i automjeteve, dhe shprehet se Pazari “nuk është bërë për makina, dhe duhet patjetër pedonalizuar”, si në çdo qytet të tillë në Europë, dhe siç parashikon edhe plani që do të sjellë ndërtimin e një bajpasi.
Por falë këtyre punimeve, ajo vëren se qendra dikur e heshtur gjatë natës, po fillon të popullohet “deri në orën 10-11 të natës”, dhe se rikthimi i identitetit muzeal do të lehtësojë edhe zvogëlimin e një problemi madhor “Shpopullimin e qytetit të gurtë”.
Une nuk jam shqiptar, me sakte nuk dua te jem shqiptar! Madje as vete Ismail Qemali nuk do te donte te ishte shqiptar, se si jemi katandisur ne sot! Nje zhgenjim i madh, vuajtje, stermundime, llum, varferi, mediokritet, injorance, prapambetje, kafene, llafe, pertaci, dallavere, te shitur, te blere, te korruptueshem, morale te pamoralshem, njerez pa identitet vetjak dhe kombetar. Shqiptar do te thote prapambetje, prapa +mbetje, mbetje te lena pas. Keshtu kemi perfunduar. E perse duhet me qene shqiptar?! Sot te gjithe duan t’ia mbathin, per nje jete me te mire, te vjeter e te rinj, te pasur dhe varfer, “patriote” dhe pseudopatriote. Une nuk jam shqiptar, nuk dua te jem shqiptar! As sot, as neser, as mot! Ne vendin tuaj, ne vendin tone, ne vendin tim nuk ka kush te me garantoje se e ardhmja do jete ndryshe, dhe krimi me i madh eshte qe shpresa ka vdekur! Te gjithe duan te ikin! Te gjithe! Boll bete shqiponjen me duar, boll , e di sa patriote qe jemi , aq sa te zhdukemi te gjithe nga ky vend. Boll genjyet, u shtiret, u hoqet! Boll edhe ju qe jeni jashte qe e quani veten atdhedashes vetem sot me 28 nentor! Boll se eshte groteske, e dhimbshme dhe qesharake! Ç’keni bere ju per vendin tuaj?! Nje m…! Une nuk dua te jem shqiptar! Dua te jem gjerman, amerikan,anglez. Dua te kem dinjitet, mireqenie, ekonomi! Dua te jetoj dhe mbi te gjitha te shpresoj per nje te ardhme! Ju m’i keni vrare shpresat! Une nuk dua te jem shqiptar! Une nuk jam shqiptar! Une nuk dua te trajtohem si nje mbetje! Dua te jem qytetar, krenar per vendin qe i ofron nje jete me te mire, te qete! Sot, neser dhe ne ditet ne vijim une nuk jam shqiptar! Pres diten qe t’ia mbath! E urrej veten time, si thura shpresa ne kete vend! Si! Ne djall vafshin te gjithe! Une nuk jam shqiptar! Nuk jam, dhe pike! / KultPlus.com
Çmimi “Abel” në matematikë rrëmbehet për herë të parë nga një grua. Ajo është amerikania 76 vjeçare, Karen Uhlenbeck specialiste e ekuacioneve diferenciale me derivate të pjesshme. Lajmi u bë i ditur nga Akademia Norvegjeze e Shkencave dhe Letërsisë.
“Karen Uhlenbeck u shpërblye me këtë çmim për punën e saj kërkimore në analizën gjeometrike dhe teorinë e matëseve që ndryshoi rrënjësisht peizazhin e matematikës”, tha presidenti i komitetit Abel, Hans Munthe-Kaas.
“Teoritë e saj çuan përpara botëkuptimin tonë për sipërfaqe të tilla si ato të formuara nga flluskat e sapunit”, shtoi ai,
Karen Uhlenbeck është drejtuese e kërkimit universitar e ftuar në Universitetin “Princeton” si dhe pedagoge e asociuar në Institutin për “Advanced Study”(IAS) në SHBA./ BalkanWeb/ KultPlus.com
35 vite më parë, më 15 mars 1984 Sadije Agolli atëherë vetëm 40 vjeç, shkruan nga Vlora, në një faqe ditari letrën e mëposhtme…Ndërsa në një tjetër letër më 1982-shin, kur Sadija ndodhej në spital për një ndërhyrje kirugjikale, Dritëro Agolli i shkruan asaj një letër plot humor.
Të dyja letrën shqiponline po i sjell më poshtë për lexuesin:
“Vlorë 15 mars 1984 Erdhëm me Dritëroin. Ai do të punojë për raportin e Kongresit të tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. 11 vjet punë në Lidhje kanë lënë gjurmët e veta në jetën dhe shëndetin e Dritëroit.
Është i lodhur fizikisht dhe mendërisht. Në ditët dhe netët që shkruante poezi, sytë i shkëlqenin, ndërsa tani sytë i janë hapur, supet i ka si të ngrira. Shpesh herë , duke punuar, shtrëngon tëmthat. Ai nuk do të pranojë se është i lodhur, por unë e kuptoj nga çdo lëvizje që bën, nga çdo fije floku që i dridhet, nga fleta e letrës që mban në dorë . Të shtrirë në krevat i thashë: -Dritëro, sa të mbarosh Kongresin, do të pushosh një dyjavësh? Vetëm të lexosh, çfarë të lexohet.
Të shëtitësh. Të shkruash poezi, në qoftëse të shkruhet. Të pushosh plotësisht. -Po , do të pushoj. -Edhe fjalët i thua me kursim. Kaq i ri, të jesh kaq i lodhur. Ke bërë një jetë shumë intensive. Qëndruam gjithë ditën në dhomë. Ai redaktonte raportin , ndërsa unë lexova katër kumtesa të aktorëve të trupës së teatrit të Vlorës. Nga këto katër, vetëm një është për botim. Mua më dhembin kockat.
Sikur ka hyrë një krimb dhe m’i gërryen ca nga ca. Kjo gjendje më bën shpesh pesimiste. Është gjynah që edhe mjekët tanë më të mirë nuk kanë logjikën e mprehtë të një gazetari të mirë. “Është gjendja klimaterike, prandaj duhet të durosh Sadije. Pi valium, kalçium, vitaminë C!” Duron gruaja shqiptare, duron shumë.” E dashura ime, Tani në orën 8:00 jam në mbledhje , në Komitetin e Partisë të Rajonit Nr. 1, pasi del në analizë organizata bazë e Partisë.
Këto gjërat që kërkoje e të tjera po t’i dërgojmë me Spiron. Unë do të vij pas mbledhjes. Mos u mërzit dhe mos u tremb se të gjitha do të kalojnë mirë. Bile për të kaluar mirë e më mirë disa po luten dhe kanë filluar t’i besojnë Perëndisë, duke u përpjekur të mos e fyejnë me fjalë ateiste , edhe ndonjë lypsari i japin lëmoshë! Unë mbrëmë kam ndenjur vonë natën.
E kështu , mos u mërzit dhe veçanërisht mos u tremb, por shko para litarit si një nga të trembëdhjetë Bilbilenjtë. Merr shembull nga Çoti që para operacionit këndoi: Trembëdhjetë Bilbilenjtë Vanë në litarë vetë! Dhe pastaj tha në këngë: Dale bej , të dredh mustaqet, Dale, bej, se kam një fjalë , Se nuk jam çanak me dhallë, Po jam Bilbili me pallë. Ti thuaj: Dal, Glozhen , se kam një fjalë Dal,Glozhen , të krihem pakë, Se nuk jam çanak me dhallë Po jam Sadija me pallë! Kështu duhet të këndosh para operacionit që të çuditen doktorët me gjithë namin e tyre të madh . Të përqafoj e të puth Dritëroi 30.9. 1982
Me kohë mësohet edhe ai ndryshim i brishtë
midis marrjes përdore dhe prangimit shpirtnor,
mësohet se dashni s’do me thanë me shkue n’shtrat, e shoqni s’do me thanë se je i sigurt,
dhe kështu çdonjeni prej nesh nisë me mësue…
Se puthjet s’janë kurrsesi kontrata, as dhuratat s’janë aspak premtime, e kushdo nis me i pranue humbjet e veta kryenaltë e me sy t’hapun mirë, e kushdo mëson me i zbulue ma mirë shtigjet e veta të s’përditshmes, pse toka nesër ka me qenë ma e pasigurt tuj thurë andrra…
e të ardhmet kanë me e pasë formën e nji rr’zimi përgjysë.
Me kohë kushdo mëson n’se asht e tepërt dhe ngroftësia e diellit që djeg.
Prandej, dikush e mbjell kopshtin e vet me e shndritë shpirtin, në vend që t’presi prej ndokujt mos po i bjen lule;
dikush mëson n’se mundet me u mbajtë mbas dikujt që vërtet asht i fortë, e n’se tjetri vlen me gjith’ mend dhe se prej tij mund edhe të mësohet.
Dhe mësohet… përditë mësohet.
Me kohë mësohet se me ndejtë me dikë
pse t’ka ofrue nji t’ardhme ma t’mirë, domethanë herët a vonë dishron me u kthye në të shkueme.
Me kohë kuptohet se veç kush asht i zoti me dashtë njashtu edhe me dobësitë e veta, pa u ndryshue, mundet me ju ofrue lumtuninë që ju dishroni.
Me kohë keni me u kujtue, se tuj i ndejtë sa ma afër nji njeriu veç me i ba shoqni vetmisë suej, n’mënyrë të pashmangshme, keni dashtë mos me e pa kurrë ate.
Me kohë keni me e ndje se miqtë e vërtetë janë gjà e rrallë e kush s’lufton për ta, herët a vonë ka me mbetë i rrethuem prej miqsish të rrejshme.
Me kohë mësohet se fjalët e thana n’nji çast zemërimi, munden me ta vazhdue dhimbjen e me t’plague për tanë jetën.
Me kohë mësohet se m’e shfajsue dikënd
njiherit edhe e ke falë, po kjo asht vepër shpirtmdhenjsh.
Me kohë kuptohet që edhe në qofshi të lumtun me miqtë, nji ditë keni me u përlotë për njata që ju vetë i keni lanë me shkue.
Me kohë ka me u ba gjithnji e ma e qartë se krejt ajo përvojë e jetueme me cilindo, asht e papërsritshme.
Me kohë ka me ju ra ndërmend se njaj që e poshtnon o e përçmon nji krijesë njerzore,
herët a vonë ka m’i pësue të njajtat poshtnime
o përbuzje, po tashma n’katror e ka.
Me kohë mësohet krejt harta e labirintheve t’sotme, pse toka nesër ka me qenë ma e pasigurt për andrrat.
Me kohë ka m’u kuptue se ushtrimi i trusnisë
mbi gjithçka, veç me i detyrue gjanat me ndodhë, ka me sjellë në fund të fundit ç’ka ju s’e kishit shpresue.
Me kohë ka me u marrë vesh me t’vërtetë
se ma e mira s’ishte e ardhmja, por njaj çasti
që ju jeni tuj i përjetue vetë ndër n’kto vargje.
Me kohë, edhe pse vedin ke m’e pa të lumtun
me krejt ata që t’rrethojnë, ke m’e kuptue se janë tue t’mungue tmerrësisht njata që dje ishin me ty, po tash kanë shkue me të shumtit.
Me kohë keni me mësue me kërkue falje e me ju kërkue falje, e me thanë të due e të adhuroj
pse e keni t’nevojshme me thanë se: dishroj t’kem mik, po kjo para nji vorri, s’ka ma asnji kuptim.
Sepse, për fat të keq, veç me kohë
për fat të mirë apo të keq, veç me kohë…
Po edhe sa kohë na ka mbetë n’kët ndërdyshje? Sa kohë na duhet me pritë, që t’jetë e vërtetë kjo gja? A mos vallë dishrojmë të jetë gjithnji kështu?/ KultPlus.com
Kanë mbetur më pak se dy muaj deri në fillimin e garës së muzikës Eurovizion 2019. Ne Tel Aviv ka filluar realizmin i skenës ku do të performojnë artistët, shkruan KultPlus.
KultPlus ju sjellë një galeri ku mund të shihni skenën e dizajnuar nga Florian Wieder./ KultPlus.com