Sot është përvjetori i vdekjes së Roosevelt, presidenti i ShBA-së që u zgjodh për katër mandate

Në vitin 1944 zgjidhet president i SHBA për mandatin e katërt, por vdes më 12 prill 1945, i goditur nga një hemoragji cerebrale. Është i vetmi president i SHBA i zgjedhur për katër mandate rresht, kjo për shkak të gjendjes së luftës, gjë që parashikohet në kushtetutën Amerikane, por ndërkohë është presidenti që e nxori Amerikën fitimtare si nga kriza ekonomikee viteve ‘30, ashtu edhe nga lufta. Lexuesit po i sjellim dokumentin historik të Kartës të Atlantikut të firmosur nga Ruzvelt dhe Çërçill.

Franklin Delano Ruzvelt (Franklin Delano Roosevelt) ka lindur më 30 janar 1882 në Haid Park (Hide Park), në një familje protestante me prejardhje të hershme hollandeze, emigruar në Amerikën e Veriut në Shekullin XVII. Babai, Xhejms (James), ishte një zotëri klasik i borgjezisë së mirë evropiane. Në këtë klimë të mirëqenies solide, Franklin i kalon vitet e para të jetës së tij duke bërë udhëtim në Evropë e duke marrë një edukatë aristokratike tejet
të përpikët nga e ëma dhe nga mësues privatë të Haid Parkut. Kur ishte adoleshent,
prindërit e regjistruan në shkollën më prestigjioze të Amerikës, atë të Grotonit, në Masaçusets (Massachussets); bëhet fjalë për një institut që administrohej në mënyrë të rreptë dhe që kishte mësues të ashpër dhe të disiplinuar.
Përvoja e Grotonit, me disiplinën e saj të hekurt, përbën për Franklinin edhe një shkollë të karakterit, çka e bën atë të rritet para kohe dhe të ketë një natyrë të vendosur. Më 1900, në vijim të kësaj përvoje, ai  regjistrohet në Harvard ku diplomohet pas tre vjetësh.
As studimet, as profesioni i avokatit, megjithatë, nuk arritën ta kënaqin plotësisht, sepse gjithnjë e më shumë atë e joshte jeta politike. Pasioni për arenën politike e bën që ai të kandidojë për në senat si përfaqësues i Partisë Demokratike të SHBA. Si Kryetar i Komitetit të Senatit për pyjet, gjahun dhe peshkimin, lufton me një energji të madh për shpëtimin dhe ruajtjen e burimeve natyrore të vendit. Vitin e mëvonshëm ai emërohet zëvendësSekretar.


për marinën, detyrë të cilën e kryen për disa vjet. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Ruzvelt mbyll periudhën e parë të jetës së tij politike duke u tërhequr në jetën private (pavarësisht se atij i është dhënë kënaqësia ta shikonte veten të propozuar si kandidat për nënpresident të Shteteve të Bashkuara të Amerikës).


Më 1921 sëmuret rëndë nga poliomeliti, duke humbur plotësisht funksionimin e këmbëve; prej atëherë e më vonë ai ishte i detyruar të ecë me paterica. Të gjithë mendojnë se pamundësia për të lëvizur përfaqëson një pengesë të pakalueshme në të gjitha veprimtaritë e jetës së tij, sidomos asaj politike,  por me forcën e madhe të shpirtit ai kundërvepron dhe gjen forcë për t’i rikthyer në politikë. Më 1928 Kuvendi i Deokratëve e emëron kandidat për në detyrën e guvernatorit të Shtetit të Nju Jorkut, detyrë së cilës ai ia del me sukses të plotë. Pas kësaj ai hidhet në fushatën elektorale për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, fushatë që i kërkon një impenjim të jashtëzakonshëm mendor, por sidomos edhe një raskapitje të konsiderueshme fizike. Në përfundim të zgjedhjeve më 1932, ai është fitimtar, edhe pse me një rezultat të ngushtë.


Në njëqind ditët e para të mendatit, Ruzvelt propozon një program radikal për të rigjallëruar bujqësinë, për të mbështetur të papunët, të pastrehët dhe të falimentuarit; plani përfshin edhe reformat që gjejnë zbatimin e parë në kushtetutën e Autoritetit të Luginës së Tenesisë (The Tennessee Valley Authority). Më 1935 vendi ka filluar ta rimarrë veten, por klasa e industrialistëve dhe bankierëve nuk e mbështetin programin e Ruzveltit, të quajtur New Deal (Marrëveshja e Re). Iu druhen efekteve të “eksperimenteve” të tij (taksa më të mëdha mbi pasurinë, kontroll të ri mbi bankat dhe funksionet e tyre publike dhe një program të gjerë pune për të papunët etj.).


Ishte një periudhë e karakterizuar nga një numër i madh kontradiktash (të tilla sa shkaktojnë mospajtime edhe midis historianëve të sotëm), por New Deal shënoi padyshim fillimin e një periudhe të reformave ekonomike e sociale që sollën një nivel të parritur ndonjëherë më parë nga forcat progresiste e demokratike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë
në dyer ia behin ngjarjet dramatike të Luftës së Dytë Botërore. Më 7 dhjetor 1941, në vijim të betejës për Përl Harburin (Pearl Harbor), që ishte për Amerikën një shok të vërtetë, ai deklaron luftën kundër Japonisë, ndërsa më 11 Dhjetor 1941 i shpall luftë Gjermanisë. SHBA hyjnë kështu konfliktin botëror dhe duke përcaktuar fatin e fitores për Aleatët dhe humbjen për Hitlerin. Në vitin 1944 zgjidhet president i SHBA për mandatin e katërt, por vdes më


12 prill 1995, i goditur nga një hemoragji cerebrale. Është i vetmi president i SHBA i zgjedhur për katër mandate rresht, kjo për shkak të gjendjes së luftës, gjë që parashikohet në kushtetutën Amerikane, por ndërkohë është presidenti që e nxori Amerikën fitimtare si nga kriza ekonomikee viteve ‘30, ashtu edhe nga lufta. Lexuesit po i sjellim dokumentin historik të Kartës të Atlantikut të firmosur nga Ruzvelt dhe Çërçill .
KARTA E ATLLANTIKUT

E nënshkruar Franklin D. Roosevelt & Winston S. Churchill

14 Gusht, 1941 – F.D. Ruzvelt, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kryeministri , z. Çërçill, duke përfaqësuar qeverinë e Madhërisë së Saj në Mbretërinë e Bashkuar, në takimin midis tyre, e gjykuan të drejtë t’i bëjnë të njohura disa parime të përbashkëta të politikave kombëtare të të dy vendeve mbi të cilat ata i mbështetin shpresat e tyre për një të ardhme më të mirë në botë.


Së pari, vendet e tyre nuk kërkojnë asnjë zmadhim territorial apo tjetërfare; Së dyti, ata dëshirojnë të mos ketë ndryshime territoriale që nuk pajtohen me dëshirat e shprehura në liri të plotë nga popujt që lidhen me këto territore;


Së treti, ata respektojnë të drejtën e të gjithë popujve për të zgjedhur formën e qeverisjes nën të cilën do të jetojnë; dhe ata dëshirojnë të shikojnë t’iu jenë rikthyer të drejtat sovrane dhe vetëqeverisja atyre atyre popujve që ato të drejta iu janë hequr forcërisht;
Së katërti, ata do të përpiqen, të respektojnë detyrimet e tyre, dhe të përkrahin vullnetin e të gjitha Shteteve, të mëdha apo të vogla, fitimtare apo të mundura, të hyjnë me të drejta të barabarta në tregun botëror, për sigurimin e lëndëve të para të nevojshme për prosperitetin e tyre;
Së pesti, ata duan të sigurojnë bashkëpunim të plotë midis të gjitha kombeve në fushën ekonomike me qëllim që të arrihen për të gjithë standarte të përmirësuara të punës, përparimit ekonomik dhe sigurisë sociale;


Së gjashti, pas shkatërrimit përfundimtar të tiranisë Naziste, ata shpresojnë të shikojnë të themeluar një paqe e cila do t’ua bëj të mundur të gjitha kombeve që të jetojnë në siguri brenda kufijve të tyre, dhe e cila do t’ua bëjë të mundur që të gjithë njerëzit  të jetojnë jetët e tyre të çliruar nga frika dhe nga skamja;
Së shtati, një paqe e tillë duhet t’ua bëjë të mundur të gjithë njerëzve që të përshkojnë detet dhe oqeanet e hapura pa pengesë;
Së teti, ata besojnë se të gjitha kombet e botës, për arsye realiste sikurse edhe për arsye shpirtërore duhet të vijnë tek braktisja e përdorimit të forcës.
Gjersa një paqe e ardhshme nuk mund të sigurohet nëse armatimet tokësore, detare apo ajrore do të vazhdonin të përdoreshin nga kombet të cilat kërcënojnë apo mund të kërcënojnë me agresion jashtë kufijve të tyre, ata besojnë themelimin e një sistemi të përhershëm të sigurisë së përgjithshme, ku çarmatimi i kombeve të tilla do të ishte thelbësore. Ata do të ndihmojnë dhe mbështesin gjithashtu të gjitha masat e tjera praktike të cilat do të lehtësojnë popujt paqedashës nga barra e rëndë e armatimeve. /Elida BUÇPAPAJ

Atyre që ma bajnë gajlen

Poezi nga Charles Bukowski

Nëse martohesh kujtojnë se e pat
puna jote
e nëse je pa grua kujtojnë se 
je i mangët.

Një pjesë e madhe e lexuesve të mi kërkojnë nga unë
të vazhdoj së shkruari mbi shkërdhyerjen me gra të krisura e 
me prostituta –
po ashtu, mbi të qenit në burgje dhe spitale, ose
duke vdekur urie apo
duke i nxjerrë zorrët 
jashtë.

Pajtohem se vetëkënaqësia zor që sjell
letërsi të pavdekshme
por këtë s’e bën as
përsëritja.

Për ata lexues tash
me zemër të sëmurë
që besojnë se jam njeri i 
vetëkënaqur –
ju lutem gëzohuni 
pakëz: agonia ngandonjëherë ndryshon
formën
por 
ajo kurrë s’ndërpritet për
askënd.

(Këtë dhe disa poezi të tjera të Bukowskit i gjeni në numrin më të ri të revistës ‘Akademia’. Përktheu nga anglishtja: Fadil Bajraj)

Tri këngë nga Billie Eilish, senzacioni muzikor i momentit

Senzacioni i fundit muzikor në botë është Billie Eilish.

Eilish, këngëtare amerikane, është vetëm 17 vjeçare, por momentalisht një prej këngëtareve më të dëgjuara në rruzull.

Qysh prej debutimit të saj me “Ocean Eyes” ajo ka arritur të marrë famë dhe me ndihmën e vëllaut të saj realizon këngë, shumicën prej të cilave i shkruan vetë.

Albumi i saj i parë u realizua me 29 mars të këtij viti.

Momentalisht, kënga e saj BAD GUY është në pozitën e shtatë në Billboard 100 këngët më të mira. Njëjtë, këngët e saj zënë edhe vendin e 25 (Bury a friend), 29, 31, 35, 41, 43, 46, 53, 62, 63, 79, 85 dhe 94, duke u bërë kësisoj artistja që ka më së shumti këngë në 100 këngët më të mira në Amerikë.

Me anë të këtyre tri këngëve që po ju sjellim sot do të mund ta njoftoni më shumë këngëtaren dhe botën e saj. / KultPlus.com

Këngë të trashëgimisë muzikore qindra vjeçare do të vijnë në Prishtinë në promovimin e albumit “Mindili”

Rona Nishliu Quartet do të bëjë promovimin e albumit të ri të titulluar “Mindili” në Prishtinë më 24 prill të Kino ARMATA, shkruan KultPlus.

Albumi muzikor “Mindil” përfshin këngë të trashëgimisë muzikore qindra vjeçare, tinguj që shquajnë krijimtarinë e këtij territori, për nuancat e veçanta melodike, lirike dhe shpirtërore. Përmbajtja muzikore e përzgjedhur me kujdes, duke bërë bashkë lulet më të bukura të bahçes së muzikës shqiptare si: “Baresha” nga Rexho Mulliqi, “Me lule t’bukra” nga Tish Daija, “Rruga që shkela dikur” e figurës së shquar Jusuf Gërvalla, “Moj e mira te pojata” në versionin e grupit MAK nga Mitrovica – dy prej të cilëve ishin të zhdukur dhe më vonë të gjetur në mesin e të pushkatuarve gjatë luftës së fundit në Kosovë, “Mallëngjiimi” nga Rashid Krasniqi e interpretim të Muharrem Qenës, etj.

Veçanti e këtij albumi është dhe përfshirja e një kënge Rome, “Kasmangjesa” interpretuar në versional instrumental në filmin shqiptar “Tinguj Lufte”. Mjaft bashkëkohorë si tingull, ky album reflekton ndjesitë që përjetojmë çdo ditë, si dashurinë, rritjen, mallëngjimin, mallin, humbjen, humorin, ngacmimin, skamjen etj.

https://www.youtube.com/watch?v=QKFF2l_jWjo

Rona Nishliu Quartet është themeluar në fund të vitit 2014, grupi muzikor është prezantuar në shumë koncerte e festivale bashkëkohore dhe të traditës, brenda dhe jashtë kufijve. Ky kuarte i përbërë nga Rona Nishliu- vokal, Edon Ramadani- piano, Kiril Tufekcievski – kontrabas dhe
Nesim Maxhuni – bateri, solli albumin e tyre të parë në vitin 2015 të titulluar “Me motive tonat”./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/events/363193230969145/

Para 20 viteve e dhunoi policia serbe, Vasfije Krasniqi Godman do të rikthehet në vendin e krimit

Këtë pranverë po shënohet 20 vjetori i krimeve të luftës në Kosovë. Gjatë këtyre ditëve janë shënuar përvjetorë të shumë masakrave, vrasjeve, plagosjeve, torturave e keqtrajtimeve dhe krimeve tjera të luftës, njofton QKRMT, shkruan KultPlus.

“20 vjetorin e këtyre krimeve e kujtojnë edhe shumë të mbijetuar/a të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, por të cilët asnjëherë nuk u deklaruan publikisht për tmerret e përjetuara.

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë Znj.Vasfije Krasniqi Goodman, me ndihmën dhe mbështetjen e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), më 16 tetor 2018 foli për herë të parë publikisht për përjetimin e saj gjatë luftës”, thuhet në këtë njoftim.

Më poshtë po e sjellim në vazhdim njoftimin e QKRMT për vizitën e Vasfije Krasniqi Godman në fshatin Babimost.  

Më 14 prill 1999, znj.Vasfije Krasniqi Goodman (në atë kohë 16 vjeçare) u rrëmbye nga një polic serb dhe u dërgua në fshatin Babimost (komuna e Obiliqit), ku u dhunua seksualisht nga një oficer policor dhe një civil.

Në 20 vjetorin e këtij tmerri, Krasniqi Goodman ka vendosur që ta vizitojë vendin e krimit, ku përkundër përpjekjeve për të kërkuar drejtësi, dhunuesit kanë mbetur të pandëshkuar.

Këtë të diele më 14.04.2019, ora 13:00, përfaqësuesit e QKRMT-së dhe aktivistë tjerë të të drejtave të njeriut, së bashku më znj.Vasfije Krasniqi Goodman do të bëjnë një vizitë në vendin ku ka ndodhur krimi, në fshatin Babimost, përballë Hotel AMAZONA. Znj.Krasniqi Goodman do të ketë një fjalim rasti para të pranishmëve.

Kosova me delegacion prezentohet në Festivalin e Stambollit

“Meetings on the Bridge” është program i dedikuar për industrinë e filmit të këtij festivali, ku Kosova po merr pjesë me një grup producentësh.

Gjithashtu drejtori i QKK-së Arben Zharku sot në kuadër të prezentimeve të Qendrave të Filmit bëri prezentimin e mundësive që Kosova ofron për bashkëprodhime ndërkombëtare.

Pjesë e delegacionit të Kosovës është edhe zv Ministrja e Kulturës znj. Leonora Morina Bunjaku e cila bashkë me sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Kukturës z. Veton Firzi morën pjesë në koktelin e shtruar të Kosovës për artistët pjesëmarrës në këtë festival.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Stambollit këtë vit shënon edicionin e 38’të dhe është një ndër festivalet më të mëdha në Ballkan.

Kosova dhe Turqia së shpejti pritet të nënshkruajnë marrëveshjen shtetërore të bashkëprodhimit në fushën e filmit, e cila pritet të hapë mundësi të mëdha bashkëpunimi në këtë fushë./ KultPlus.com

Rrënohet edhe një shtëpi me vlerë historike në Prizren, pronari nuk respektoi vendimin e inspektorëve

Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” ka reaguar në lidhje me rrënimi i një shtëpie me vlerë historike në rrugën “Aleksandër Fleming” në Prizren. Ata këtë veprim e kanë konisderuar një tjetër humbje të vlerave të trashëgimisë, shkruan KultPlus.

Duke e parë nga afër shkatërrimin e shumë objekteve me vlera historike, EC përmes këtij reagimi ka bërë thirrje për ruajtjen e objekteve me vlerë si dhe ka kërkuar nga institucionet përkatëse që shkatërruesit e këtyre vlerave t’i paraqesë tek organet e rendit.

“Së fundi në rrugën “Aleksandër Fleming” është bërë rrënimi i objektit me vlerë historike për të cilin janë kontaktuar zyrtarët e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren për t’u informuar nëse kanë pranuar ndonjë kërkesë në lidhje me kryerjen e këtyre punimeve, e përgjigja e ofruar nga ky institucion na lë në dijeni se këta të fundit kanë pranuar një kërkesë të tillë dhe kanë refuzuar dhënien e pëlqimit për zhvillimin e punimeve. Po ashtu edhe Këshilli për Trashëgimi Kulturore në përgjigjen e tyre zyrtare na njoftojnë se as këta të fundit nuk kanë lëshuar një pëlqim të tillë. Në anën tjetër Drejtoria Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në përgjigjen e saj zyrtare njofton se pronari nuk posedon leje për rrënim të këtij objekti”, thuhet në njoftimin e organizatës.

Sipas njoftimit të kësaj organizatë inspektorët e Komunës së Prizrenit kishin bërë vendosjen e shiritave për ndalimin e punimeve mirëpo pronari nuk e ka respektuar vendimin e tyre duke bërë mënjanimin e shiritave dhe duke kryer punimet pa leje institucionale./ KultPlus.com

Nexhmedin Spahiu: Universiteti i Mitrovicës s’meriton ta bartë emrin e Isa Boletinit, një patrioti analfabet

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, ka thënë se Universiteti i Mitrovicës nuk e meriton që ta bartë emrin e patriotit, Isa Boletini.

“Nuk e di se kush e ka dhënë atë ide që t’i ngjitet emri i një analfabeti universitetit”, ka thënë Spahiu, njofton Klan Kosova.

“Ka mundur që t’i ngjitet emri i ministrit të parë të Arsimit në Shqipëri, por është zgjedhur emri i një analfabeti patriot. Unë nuk e mohoj patriotizmin e Isa Boletinit” ka thënë Spahiu .

Ekspozita “Artivists for Change” sjell përmes zërit problemet dhe sfidat me të cilat ballafaqohen të rinjtë

Në kuadër të projektit Youth Artivists for Change të martën do të bëhet hapja e audio ekspozitës “Artivists for Change”. Kjo ekspozitë e cila do të mbahet në hapësirën e fondacionit “Shtatëmbëdhjetë” do të jetë një ftesë për të dëgjuar histori të padëgjuara në një hapësirë të sigurt e pranuese nga të gjithë, shkruan KultPlus.

Përmes kësaj ekspozitë do të diskutohet për problemet që i thërrasin vetëdijes sonë personale e kolektive, të cilat janë sa të njëjta po aq të ndryshme nga njëra-tjetra.  Sfidat e përpjekjet për një jetë normale e pa stigma, eksperiencat dhe eksplorimet personale, vijnë fuqishëm, zëshëm e me krenari në ekspozitën me za.

Ekspozita është e realizuar me storie që janë zhvilluar nga të rinjtë që kanë marrë pjesë në trajnimin për Radio dhe Podcast./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/events/376673892928213/

Elbenita Kajtazi do të jetë vajza e luleve në operën “Parsifal”

Opera Shtetërore e Hamburgut do të sjellë operën “Parsifal” të kompozitorit gjerman Richard Wagner. Pjesë e kësaj operë do të jetë edhe solistja kosovare Elbenita Kajtazi e cila do të sjellë rolin e vajzës së luleve, shkruan KultPlus.

Kjo do të jetë hera e tretë që Kajtazi do të përgatit një rol për të prezantuar punën e kompozitorit Wagner. Në ndërkohë Kajtazi është duke u përgatitur për të sjellë edhe rolin Sophie për debutimin e saj në Satiago.

Kompozitori Richard Wagner ka filluar kompozimin e kësaj vepre në prill të vitit 1857 mirëpo e përfundoi 25 vite më vonë. Kjo ishte njëkohësisht edhe opera e tij e fundit të cilën ai e ka kompozuar. Kjo operë është e bazuar në poemën e shekullit të XIII nga Wolfram von Eschenbach të titulluar “Parzival”./ KultPlus.com

Para se me ik prej këtij vendi…

Besiana Kajtazaj

Para se me ik, uluni në nji qoshe e vajtojeni çdo pikë djerse që e keni derdh në këtë vend.
Vajtojeni çdo pikë gjaku të atyre që dhanë jetë, e u bënë “kurban” i kësaj toke.
Ç’malluni me çdo gjë që ju rrethon.
Shijojeni bukën, ujin edhe ajrin e ndotur që na ka mbyt çdo ditë ngapak.
Vajtojeni shtëpin, rrugët, rinin!

Para se me ik, sigurohuni me u’a mallku çdo taksë, votë, e çdo fije besimi qe u’a keni jap atyre qe sot po u perzënë prej pragut t’juj. 
Mallkoni ata që u’a kanë shkel andrrat e u’a kanë “rjep” shpresat! 
Besa mallkoni edhe trupin tuaj që e ka duru çdo maltretim psiqik e fizik prej pushtetit!

E dini edhe ju, s’po shkoni në parajsë. Por të paktën pasardhësve tuaj u sigurohet arsimi, shëndetësia dhe çdo e drejtë njerëzore. 
Këtu gjithçka jemi, njerëz jo! 
Këtu as unë as ti s’kemi vlerë, t’paktën jo për ata qe u’a kemi besu gjënë më t’shtrenjtë, atdheun.

Para se me ik, lirojeni vetën nga çdo helm që u’a kanë injektuar në trup 20 vitet e fundit.

Ps; Ik, por mos harro me u kthy se “ askujt nuk i shkon kungulli mbi ujë gjithmonë “ e as këtyre./ KultPlus.com

Shqiptari Marko Caka do të jetë pjesë e serialit “The many Saints of Newark”

Marko Caka është një ndër shqiptarët që është paraqitur në disa filma hollivudian.

Aktori këto ditë ka marrë konfirmimin se do të jetë pjesë e një filmi të produksionit Warner Brothers Pictures.

Filmi “The many Saints of Newark” flet për jetën e Toni Sopranos të ri, i cili është vazhdimin i serialit të famshëm të viteve 2000 “The Sopranos”, ku luante i ndjeri, James Gandolfini.

https://www.instagram.com/p/BrSyeTwnuPR/?utm_source=ig_web_copy_link

Shkodrani ka pohuar për Telegrafin se ndihet i privilegjuar që do të paraqitet në këtë film të regjisorit Alan Taylor.

“Ndjehem i privilegjuar që jam përzgjedhur nga i njëjti regjisor i serialeve legjendare, “The Sopranos”, “Boardwalk Empire” dhe “Games Of Thrones”, Alan Taylor në rolin anëtarit te gangsterëve italianë të New Jersey”, ka pohuar ai.

Shkodrani më tutje ka treguar se xhirimet e skenave filmike ku do të paraqitet ai do të fillojnë në muajin maj.

Ndryshe, roli i Toni Sopranos junior do te luhet nga i biri tij, Michael Gandolfini. /Telegrafi/ KultPlus.com

10 libra që mund ti lexoni për vikend

“Burimi i Jetës”Ayn Rand

Këtë javë Facebook më kujtoi se pesë vite më parë, në stinën e verës, kam lexuar pikërisht këtë libër, që pastaj më çoi tek “Revolta e Atlasit”. Eshtë një nga klasikët e të gjitha kohërave, që edhe pse i shkruar në vitin 1943 ende është i freskët. I përkthyer në mënyrë mjeshtërore nga Amik Kasoruho, romani rrëfen historinë e një arkitekti të ri rebel, betejën e tij kundër standardeve konvencionale dhe një histori aspak skematike dashurie, një hero atipik dhe ngre në kult individualizmin përballë filozofisë së turmave.

“Kujtime 1885 – 1925” – Eqerem Bej Vlora

Për të mbetur tek leximet “e rënda”, një libër voluminoz historie mund të lexohet më mirë se kurrë në ditët e pushimeve. Kujtimet e Eqerem Bej Vlorës është një ndër botimet më të mira në këtë fushë, një nga dëshmitë më interesante për këdo që dëshiron të njohë të shkuarën tonë në një nga periudhat më pak të njohura e njëkohësisht më të trazuara të historisë sonë. Kujtimet e shkruara në gjermanisht, janë përkthyer në shqip nga Afrim Koçi.

“Mikesha gjeniale”- Elena Ferrante

Për të qëndruar tek librat voluminozë, por për t’u kthyer tek letërsia, katër volumet e Elena Ferrantes janë një zgjedhje mjaft e mirë për pushimet. Tamam tamam, dalin e teprojnë për gjithë verës, sepse pasi lexon vëllimin e parë “Mikesha gjeniale” nuk mund të rrish kurrsesi pa lexuar tre të tjerët. Ata që kanë pritur deri tani, kanë fatin t’i lexojnë njëherësh, ndryshe nga ne të tjerët që këtë sagë napoletane e kemi ndarë në dy vera dhe dimra, nga një botim në tjetrin. Eshtë një nga historitë më të bukura që është shkruar ndonjëherë jo thjesht për miqësinë, por për një botë të tërë femërore. 

“Tre shokë” – Erih Maria Remark

Kur vjen puna tek miqësitë, është titulli i parë, që të vjen në mend. Më i miri, për t’u rilexuar në verë. Ndonëse nuk është best-seller i nivelit ndërkombëtar, për arsye nga më të ndryshmet, është ndër librat më të dashur të shqiptarëve. Ndoshta për shkak të përkthimit mjeshtëror të Robert Shvarcit, ndoshta për shkak të melankolisë dhe fatalizmit të Remarkut, ndër më të spikaturit e “autorëve të brezit të humbur”. Në sfondin e një Gjermanie mes dy luftërave botërore, miqësia e shokëve të bërë bashkë nën armë dhe historia e dashurisë mes Robertit dhe Patit vijojnë të magjepsin edhe në ditët e sotme. Do të përloteni po njëlloj në fund, edhe në rileximin e dhjetë… “Pastaj erdhi mëngjesi – dhe ajo nuk ishte më”.

 Gabriel Garcia Marquez“Dymbëdhjetë tregime pelegrine”

Nga seria e rileximeve ose për ata që për arsye të ndryshme e kanë humbur botimin e viteve “90, libri me tregime të Marquez-it, përkthyer në shqip nga Mira Meksi përmban disa nga më të njohurat e tij: “Udhë të mbarë, zoti president”, “E shenjta”, “Avioni i bukuroshes së fjetur”, “Pajtohem me qira për të parë ëndrra”,”Fantazma gushti”, “Maria Dos Prazeres”, “Vera e lumtur e zonjës Forbes”, “Drita është si uji”, “Gjurmët e gjakut tënd mbi dëborë”. Në Barcelonë, një prostitutë e vjetër që trajnon qenin të qajë në varrin që ka zgjedhur për veten; në Vjenë, një grua që fiton jetesën duke parë ëndrra që parashikojnë të ardhmen; në Paris një grua që vdes pasi ka përshkruar qiejtë e gjysmës së botës me gishtin që pikon gjak; në Madrid dy vëllezër që mbyten teksa notojnë në dritë. Dymbëdhjetë histori mjeshtërore rreth jetëve të latino – amerikanëve me një kombinim të pazakontë të melankolisë, ngulmit, hidhërimit, dashurisë dhe të mbinatyrshmes, si gjithë letërsia magjike e Amerikës latine.

Isabel Allende- “Ishulli nën det”

Realizmi magjik është i preferuari im kur vjen puna për leximet e pushimeve. “Ishulli nën det” veç shezlongut më la dhe një natë pa gjumë, e kam lexuar me të njëjtën drithërimë si dikur “Shtëpinë e Shpirtrave”. Një roman i vendosur në Santo Domingo, Haitin e sotëm në vitin 1770, në mes të fushave të kallamit të sheqerit, në një botë skllevërish e sundimtarësh të bardhë, me zgjime dashurie e pasioni, plot me personazhe: ushtarë, skllevër luftëtarë, priftërinj vudu dhe murgj katolikë, zonja të rënda dhe kurtizane, piratë dhe fisnikë të rënë nga vakti, mjekë dhe bukuroshë dembelë… Me gjithë përbërësit e një romani që nuk shqitet nga dora.

“Bastardja e Stambollit”- Elif Shafak

Nëse Isabel Allende do të ishte turke dhe do të kishte jetuar në Stamboll, me siguri në vend të “Shtëpisë së Shpirtrave”, do kishte shkruar “Bastarden e Stambollit”. Një lloj realizmi tjetër magjik, ky i Elif Shafak, në një tjetër shtëpi të banuar vetëm me gra në Stamboll, ku në vend të fantazmave të Klarës së Allendes këtu enden xhindet e mira e të këqija, ku botët femërore dhe jetët e pazakonta ndërthuren me një histori të madhe dhune historike, si ajo e genocidit turko – armen dhe ku humori i zi bëhet bashkë me shijet e ushqimeve.

“Flokëkuqja”- Orhan Pamuk

Nuk do kisha mbërritur kurrë të rrëmoja shkrimtarët turq, po të mos ishte për Orhan Pamukun. “Flokëkuqja” është më i fundit roman i tij, që luan me mitet e Lindjes dhe të Perëndimit, atë të Edipit të Sofokliut (atëvrasjes) dhe Rustemit e Syhrabit (djalëvrasjes). Duke vendosur në qendër një grua flokëkuqe që vërtit botën e vogël të rrëfimit, Orhan Pamuku ngre një histori të mrekullueshme të dashurisë së përbotshme babë e bir, duke përfshirë në të shndërrimin e Stambollit dhe të vetë kësaj bote të madhe.

“Origjina”- Dan Brown

Për një enciklopedi të plotë, por edhe për të mbajtur frymën pezull nga kapitulli në kapitull Dan Brown është më i miri. Ndaj dhe zakonisht është i pari që zgjedh për të lexuar në verë (ndodh që ta ruaj librin nëse del në dimër, thjesht sepse e di që do të m’i bëjë pushimet më të bukura). Sërish në këtë roman, profesori Robert Langdon rikthehet në një tjetër aventurë me simbole të fshehura, vrasës, gra të bukura dhe çështje nga më thelbësoret në botë. Kësaj radhe pyetja është ajo e para, zanafilla: nga jemi krijuar? Një tjetër përplasje e shkencës me fenë, në një tjetër udhëtim, kësaj radhe nëpër Spanjë, nga Bilbao në Madrid dhe Barcelonë.

“Hija e erës”- Carlos Ruis Zafon

Për ta mbyllur po në Barcelonë. Me një histori që flet për një libër të mallkuar, për njeriun që e ka shkruar, për dikë që ka rrëshqitur nga faqet e një romani për ta djegur atë, për tradhti dhe miqësi të humbur. Është historia e dashurisë, e urrejtjes dhe e ëndrrave që gjejnë strehë nën hijen e erës, një histori që fillon dhe mbaron në një varrezë që quhet “varreza e librave të harruar”. Ky libër bëri që pena e Zafonit të kthehej në strehëzën më të dashur të atyre që e duan ende leximin. “Librat janë si pasqyrat, ku gjejmë vetëm atë që kemi brenda nesh dhe leximi përfshin mendjen dhe zemrën, që po bëhen gjithmonë e më të rralla”, thotë autori në fund të romanit: një thënie që të nxit të mos e vendosësh më në raft, por ta mbash përpara syve, si për të të kujtuar që jeta nuk mjafton për të lexuar të gjithë librat që do të doje./ KultPlus.com

Dashuri pas dashurie

Derek Walcott. Përkthyer nga Kujtim Morina.

Do të vijë koha
kur me një gëzim të papërshkruar
do të përshëndesësh veten teksa mbërrin
tek dera jote, në pasqyrën tënde
dhe secili do të buzéqeshë për ardhjen e tjetrit

dhe të thuash, ulu këtu. Ha, pi.
Dhe ta duash përsëri té panjohurin
që ishte vetja jote.
T’i japësh verë, bukë. T’i japësh zemrën tënde
kësaj vetje, të panjohurit që të ka dashur.

të gjithë jetën, të cilin e ke shpërfillur
për një tjetër, ai që të njeh përmendësh
Merri letrat e dashurisë nga rafti,

fotografitë, shënimet e dëshpërimit,
qëroje imazhin tënd nga pasqyra.
Ulu. Gëzoju jetës tënde!/ KultPlus.com

Netflix, në negociata për ta blerë kinemanë “Egyptian Theatre”

‘Netflix’ njofton se është në bisedime për ta blerë kinemanë “Egyptian Theatre”, një prej shtëpive historike të filmave, e cila gjendet në zemër të Hollywoodit.

Platforma më e madhe digjitale në botë, e cila po e dominon tregun me shërbimet e veta, planifikon që këtë hapësirë ta shfrytëzojë për organizimin e premierave të filmave që i prodhon.

Në vend të kësaj, Netflix kishte vendosur t’i shfaqë filmat online në të njëjtën ditë ose vetëm disa ditë pasi që filmat shfaqeshin në ekran të madh.

Kinemaja “Egyptian Theatre” u hap në vitin 1922 me premierën e parë të filmit në histori, që ishte filmi “Robin Hood” me aktor Douglas Fairbanks-in./albinfo/ KultPlus.com

Winfrey realizon dokumentar rreth shëndetit mendor

Udhëheqësja e njohur televizive, Oprah Winfrey, ka bashkëpunuar me princin Harry të Britanisë, për ta realizuar një dokumentar për shëndetin mendor.

Në dokumentarin që do të realizohet për gjigantin teknologjik Apple, Harry ka thënë se kur kishte 12 vjet, ishte shumë afër një krize mendore pas vdekjes së nënës së tij, Princeshës Diana.

Ai dhe Winfrey, një prej njerëzve më me ndikim në media, kanë filluar të punojnë në dokumentar tash e disa muaj.

“Besoj se shëndeti i mirë mendor është çelësi i një lidershipi dhe komuniteti të suksesshëm”, ka thënë Harry.

Winfrey mori pjesë në një ceremoni të Apple-s në muajin mars, kur gjiganti teknologjik lansoi shërbimet televizive dhe dy dokumentarë./albinfo/ KultPlus.com

Këngëtarja e njohur do të luajë rolin e Hirushes

Së shpejti do të publikohet versioni i ri i filmit “Hirushja”.

Këngëtarja e njohur me famë botërore, Camila Cabello do të bëjë debutimin e saj në fushën e aktrimit. Cabello do të luajë rolin kryesor në filmin “Hirushja” që është projekt i “Sony Pictures”. Përveç që do të aktrojë, artistja do të përfshihet edhe në projektin muzikor të filmit, përcjellë rtv21.tv.

Versioni i ri i “Hirushes” do të jetë film i mbushur më shumë me muzikë, duke u kombinuar me versionin tradicional që paraqet një vajzë të ndrojtur që është nën kujdesin e një njerke të ligë. “Sony Pictures” është në përgatitje të filmit dhe ende nuk dihet se kur do të jetë i gatshëm për treg./KultPlus.com

‘Rock & Roll’, me ekspozitë në New York


Arti i Rock and Roll-it, po shpaloset në një ekspozitë në muzeun Met, të Nju Jorkut, që i ka dekoruar hollet e tij me më shumë se 130 instrumente ikonike nga të mëdhenjtë e zhanrit.

“E gjithë kjo i kthen shumë kujtime njerëzve. Dhe unë mendoj se pjesa më emocionuese është se njerëzit mund ti afrohen shumë afër këtyre instrumenteve që i kanë parë vetëm në skenë, ose ndoshta në foto”, u shpreh Jayson Kerr Dobney, kurator.

Në ekspozitë gjendet p.sh edhe kitara e Van Halen, ku shihen edhe disa shenja, që sipas kuratorit janë djegie me cigare. Van Halen, vendoste atje cigaret e tij, kur luante muzikë. Dhe kjo mund të shihet edhe në videot e tij. 

“Është një koleksion shumë impresionues. Lë pas çdo lloj rock kafeje që mund të kesh parë në jetë”, tha Chris Cain, vizitor.

Në ekspozitë mund të shihet edhe një sintetizator i hershëm. Është një lloj instrumenti masiv, me drita dhe tela, dhe vizitorët janë tërhequr shumë prej tij. Ngjason, sipas tyre, me diçka që mund të jetë përdorur nga një shkencëtar i çmendur./ Top Channel/ KultPlus.com

Studiuesi e instrumentisti amerikan që dëgjon këngët e Dervish Shaqës

Jeff Charest është amerikani që ka doktoruar për instrumentin e çiftelisë  në Universitetin Cardiff në Mbretërinë e Bashkuar, shkruan KultPlus.

Amerikani Jeff Charest e ka pasur një çifteli qysh prej vitit 1992 dhe duke qenë se studimet e tij kanë qenë të lidhura me këtë instrument, ai vazhdimisht dëgjon rapsodët shqiptarë.

Ai ka një listë të këngëtarëve e instrumentistëve që i dëgjon vazhdimisht. Ai në një intervistë për KultPlus pat treguar se në mesin e instrumentistëve shqiptarë që i dëgjon vazhdimisht është edhe Dervish Shaqa.

Instrumentistët e këngëtarët  e të tjerët që i pëlqejnë më së shumti janë:  Dervish Shaqa, Ndue Shyti, Fatmir Makolli, Rexhep Hajrizi, Esat Gashi, Sali Mani dhe Esat Ruka.

Sot bëhen 35 vite prej që është ndarë nga jeta rapsodi më i njohur shqiptar, Dervish Shaqa, shkruan KultPlus.

Dervish Shaqa lindi në Llukë të Epërme të Deçanit më 1912, ndërsa vdiq më 11 prill 1985. Ai mbetet rapsodi më i shquar popullor në të gjitha trevat shqiptare./ KultPlus.com

Me t’pas pâ luft’tar

Poezi nga Naime Beqiraj

Luft’tar kam dasht me t’pâ

Jo tuj ardh prej historisë

Po prej l’kur’s tânde

Atomet tuj t’shpërthy

E plaga dhimbt edhe mbas 17 vjet’ve

Tuj t’kriju ciklin e shqet’simit t’bukur

Sa kisha dasht me t’pas pâ luft’tar

Ty që herët ishe nis

Me e kërkue lirinë

Thojnë, kush e kthen kryet mbas

Nuk m’rrin me kohë n’vend

Për do gjana nuk t’kisha vet n’holl’si

Me t’pas pâ luft’tar

Nashta t’kisha ndi ma burr’, ma djal’

Koftë edhe n’fotografi

T’parruem, me flok’ bore prej pluhuni

T’vram’ dielli deri n’skej t’qaf’s

E pllâmb t’dorës

Nuk isha mundu me t’ngushëllu

Me t’pas pâ luft’tar

Trimi nuk ka nevojë për fjalë t’buta

As me varrë n’trup, as me luftë t’humbun

Me marr frymë prej lirisë tâne

Kisha dasht me t’pâ luft’tar

Jo në xhirime amatore

Me bâ kreni t’tjer’t ngat teje

Për merita t’mrizume n’ekrane

Kisha dasht me t’pâ tuj pi uj’

Kah e kalon pragun për liri

Me gjyksin drejtue robnisë

Kisha besu se nuk ki me e hup asnjanën betej’

Nashta s’kisha mujt pa ta njom krahin

Me naj pikë lot’

Mas plag’s n’asht

Tash nuk e di a âsht mâ e rândë plaga

A pengu

Që s’u bane luft’tar

prill, 2016

Elena Ferrante: Një ‘shoqe’ është më e rrallë se dashuria e vërtetë

Elena Ferrante për The Guardian

Ndoshta ka ardhur koha të pranojmë se një shok i keq, një shok tek i cili nuk mund të mbështetesh, s’duhet quajtur fare shok.

Herë pas here më është thënë, nga gra që njoh, se unë qënkam një shoqe e mirë. Kënaqem, por  nuk e kam guximin ta them vetë këtë. Në përgjithësi, kam tendencën të mos i shtoj mbiemra fjalës ‘shok’, ose përcaktorë që i referohen hierarkisë së ndjenjave dhe besueshmërisë. Më duken të pakuptimta.

Unë nuk do të thoja kurrë, për shembull, “ajo është shoqa ime e ngushtë”, sepse nga kjo do të nxirrja përfundimin se kam edhe shokë që i pëlqej më pak, të tjerë që nuk i besoj aq shumë, të tjerë që i  ndjej më pak të afërt. Dhe në qoftë se do ta bëja këtë, vetvetiu do më lindte pyetja: pse e konsideroj veten shoqe me këtë grua? Pse i konsideroj ata shokët e mi?

Fjala “mik”, në prani të hierarkive të këtij lloji, nuk është e përshtatshme. Ndoshta duhet të pranojmë se një mik i keq, një mik i pasigurt, nuk është mik. Ndoshta, për të qenë i qartë, edhe nëse është e dhimbshme, duhet të mësojmë të mos themi “një mike”, por “një grua me të cilën kaloj kohë ose kam kaluar kohë”. Problemi është se ne na ngushëllon  ideja që kemi shumë miq.

Kjo na bën të ndihemi më popullor, të dashur, më pak të vetmuar. Për këtë arsye ne preferojmë të përshkruajmë si “miq” gra me të cilat kemi pak ose aspak të përbashkëta, por me të cilat, nëse është e nevojshme, plotësojmë një zbrazëti: kalojmë një pasdite në një kafene, pimë një gotë verë, asgjë në veçanti. Asnjëherë mos u shqetësoni nëse më vonë, në rastin e parë që ju jepet, i quani ato thashethemexhie, gjarpërinj, të tharta, tepër të ndjeshme.

Fakti është se një mike është aq e rrallë sa një dashuri e vërtetë. Fjala italiane për “miqësinë”, amicizia, ka të njëjtën rrënjë si folja “të dua”, amare, dhe një marrëdhënie midis miqve ka pasurinë, kompleksitetin, kontradiktat, mospërputhjet e dashurisë. Mund të them, pa frikën e  ekzagjerimit, se dashuria për një shoqe, gjithmonë ka qenë një marrëdhënie shumë e ngjashme me dashurinë për njeriun më të rëndësishëm në jetën time.

Ku është dallimi? Marrëdheniet seksuale. Dhe nuk është një ndryshim i vogël. Miqësia nuk vihet vazhdimisht në rrezik nga praktikat seksuale, nga sa rrezik ka në përzierjen e ndjenjave kryelarta dhe presioni i trupave për të dhënë dhe për t’u marrë kënaqësi.

Është e vërtetë se sot, nga ajo që unë mund të shoh, miqësia seksuale është gjithnjë e më e përhapur (në italisht, ndonjëherë kam dëgjuar termin trombamiko  me zemër të zjarrtë, ose “mik me përfitime”). Por është një lojë që kërkon të mbajë në gjirin e saj njëkohësisht: edhe fuqinë e përhapur të dashurisë, edhe ritin e seksit të pastër. Ne e kemi njohur njëri-tjetrin për njëfarë kohe, ne i besojmë njëri-tjetrit më tepër se të huajve, shkojmë në një bar, një restorant, të shohim një film, kemi marrëdhënie seksuale.

Por unë ende nuk do të thoja se  seksi është normal midis miqve. Ashtu si dashuritë e mëdha janë të rralla, nga ana tjetër,  miq të shumtë  dhe të mirë janë të rrallë. Ndërkohë, të njohurit me të cilët ne mund, herë pas here, të përfundojmë në shtrat janë të shumtë gjithashtu./The Guardian-Bota.al

“Fjalët e fundit” të Lekës së Madh

Legjendat thonë se kur ndodhej në shtratin e vdekjes, Leka i Madh thirri gjeneralët e tij dhe u tha tre porositë e mëposhtme:

1. Mjekët më të mirë duhet t’i mbanin arkivolin;

2. Pasuria që kishte grumbulluar (para, ar, gurë të çmuar) duhet të shpërndahej përgjatë rrugës për në varreza;

3. Duart e tij duhet të liheshin varur jashtë arkivolit që t’i shihnin të gjithë.

Një nga gjeneralët, i befasuar nga këto kërkesa të pazakonta i kërkoi Aleksandrit që t‘ia shpjegonte. Përgjigja që merr, sipas legjendës, ishte:

1. Dua mjekët më të mirë për të mbajtur arkivolin tim, që të tregoj se, në fytyrën e vdekjes, madje edhe mjekët më të mirë në botë nuk kanë fuqi për të shëruar.

2. Dua rrugën të jetë e mbuluar me thesarin tim, që të gjithë ta shohin se ajo pasuri materiale e fituar në tokë, qëndron në tokë.

3. Dua duart e mia të lëkunden nga era, në mënyrë që njerëzit të kuptojnë se kemi ardhur në këtë botë me duar bosh dhe e kemi lënë këtë botë duarbosh, pasi thesarin më i çmuar nga të gjithë është konsumuar. Ai është koha…/telegrafi/ KultPlus.com

“Ulurima e ujkut” e Ag Apollonit botohet në Pragë

Romani “Ulurima e ujkut” e shkrimtarit Ag Apolloni është përkthyer dhe është botuar në Pragë, shkruan KultPlus.

Kjo libër është në mesin e 30 veprave të përkthyera ku hyjnë edhe ato të shkrimtarëve të njohur si Jose Saramago, Julian Barnes, Gaito Gazdanov, Romain Gary e të tjerë.

Ag Apolloni me romanin “Ulurima e ujkut” është shpallur fitues i Çmimit “Rexhai Surroi”. Romani “Ulurima e ujkut” trajton temën e të pagjeturve, mjerimin social e politik, edukimin arsimor, defektet religjioze, mitizimet historike, pseudodisidencën, si dhe dashuritë dhe marrëzitë e ndryshme. Po ashtu edhe ndarjet e dhimbshme me të gjallët dhe të vdekurit. Romani autobiografik përshkohet gjithandej nga një dëshpërim dhe tërbim, i shoqëruar edhe nga një dozë humori, me shumë referenca nga muzika, piktura, filmi dhe teatri. Ngjarjet vendosen në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi, Itali dhe Vjenë, ku edhe është përfunduar romani. Libri ka 246 faqe dhe e ka botuar SHB “OM”, Prishtinë, 2013 (ribotime: 2014 dhe 2015)./ KultPlus.com