Poetja Luljeta Lleshanaku finaliste për çmimin “Griffin Poetry” në Kanada

Përmbledhja me poezi e titulluar “Negative Space” nga shkrimtarja Luljeta Lleshanaku dhe e përkthyer nga Ani Gjika, botuar në Angli dhe në SHBA gjatë vitit të kaluar është përzgjedhur si një nga katër librat finalistë për çmimin Ndërkombëtar “Griffin Poetry” në Kanada.

Më herët kjo përmbledhje poezish është vlerësuar me çmimin “PEN” dhe gjithashtu është përzgjedhur si një ndër finalistët për çmimin “PEN America 2019”.

Çmimi prestigjioz “Griffin” në Kanada është themeluar në vitin 2000 nga biznesmeni dhe filantropi, Scott Griffin.

Ky çmim jepet çdo vit në dy kategori për poezinë ndërkombëtare të shkruar apo të përkthyer në anglisht dhe për poezinë kanadeze. Emra të njohur të cilët e kanë fituar më herët këtë çmim janë: Anne Carson, John Ashberry, Charles Simic, Charles Wright, Paul Muldon, Heather McHugh, Paul Celan, etj.

Juria e çmimit Griffin është shprehur kështu për përmbledhjen me poezi “Negative Space”: “Sa më pak e njohur gjuha origjinale, aq më e vyer bëhet dhurata e përkthimit! Libri ‘Negative Space’ i Luljeta Lleshanakut sjell një vështrim të rrallë tek poezia shqiptare bashkëkohore. Rrjedhshëm e me saktësi te mprehtë, Ani Gjika e cila është edhe vetë poete, ka mundur të shprehë në anglisht jo vetëm poezitë e ‘Negative Space’ por dhe atmosferën e ngrysur e cila zotëron gjatë gjithë librit, një ndjesi e thellë përkohshmërie që është pasojë e së jetuarit nën presionin e ashpër politik. Negative Space është gjithkund pjellore. Duke hapur portën e traumës, ne ballafaqohemi me një zë të butë dhe inteligjent, me ngjarje që nxjerrin në dritë realitetin e një njerëzimi të përbashkët, duke i rikthyer dinjitetin këtij njerëzimi. Në një botë të përçarë nga terrori e dhuna, poezia e Lleshanakut është përherë trazuese, por dhe qetësuese për ne, banorët e saj”.

Shkrimtari dhe kritiku Micheal Hoffman ka realizuar një recension me titull “Mbi Luljeta Lleshanakun”, të botuar në “London Review of Books” në fillim të muajit prill ku shkruan: “Këto janë poezi të esencës dhe imagjinatës, në dukje të pavetëdijshme për lexuesin dhe kritikun dhe sigurisht që nuk luajnë me ta, të qarta dhe në pjesën më të madhe të natyrshme; ato e vendosin Lleshanakun afër poetëve të mëdhenj të Evropës Qendrore dhe Lindore të shekullit të 20-të: Akhmatova, Herbert, Holub, Szymborska, Zagajewski”.

Çmimi Griffin është një nga më të rëndësishmit në letërsi dhe arrin shumën prej 65 mijë dollarë kanadezë që ndahet midis përkthyesit dhe autorit, ndërkohë që secili nga finalistët shpërblehet me 10 mijë dollarë kanadezë, transmeton Opinion.al.

Përmbledhja “Negative Space” përfshin dy libra me poezi “Pothuajse dje” dhe “Homo Antarcticus”. Ndërkohë përkthyesja e këtij libri Ani Gjika, është vlerësuar edhe me grante nga “National Endowment for Arts” në SHBA për këtë përkthim. / KultPlus.com

Vdes Dejan Anastasijeviq, gazetari i cili ka ekspozuar krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës

Gazetari dhe redaktori i njohur serb, Dejan Anastasijeviq, ka vdekur të mërkurën, pas një sëmundjeje të rëndë, kanë raportuar mediat në Serbi.

Anastasijeviqi, i cili së fundi ka punuar për BBC-në në gjuhën serbe, është i njohur për raportimet e tij nga koha e luftës, përfshirë ato nga Kosova, për shkak të të cilave ka qenë vazhdimisht cak i pushtetit në Beograd.

Karrierën e tij gazetareske e ka nisur në Radion B92, ndërsa luftërat në territorin e ish-Jugosllavisë i ka përcjellë si gazetar i revistës amerikane me renome “Time” dhe javores politike serbe “Vreme”.

Në pranverë të vitit 1999, në kohën e bombardimeve të NATO-s, është detyruar të largohej nga Beogradi për në Vjenë, për shkak se ishte i shënjestruar nga regjimi i Slobodan Milosheviqit.

Në Beograd është kthyer pas rënies së Milosheviqit, ndërsa ka qenë edhe dëshmitar kundër tij në procesin për krimet e luftës të kryera në Kosovë, para Tribunalit të Hagës.

Në prill të vitit 2007 ka qenë cak i dy atentateve me bomba në Beograd, të cilat vetë ai ka dyshuar se ishin për shkak të shkrimeve dhe dëshmive të tij për krimet e luftës që kanë kryer serbët, para së gjithash ato, të cilat janë ndërlidhur me Vojislav Sheshelin dhe Jovica Stanishiqin.

Për shkrimet e tij nga viti 1998, në të cilat ka ekspozuar krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, është paditur nga regjimi i Milosheviqit nën akuzën se “po përhap dezinformata dhe po i ndihmon terroristët”.

Anastasijeviq ka qenë i angazhuar në bashkëpunimin rajonal mes gazetarëve dhe në zbatimin e standardeve profesionale, ndërsa gjatë viteve në disa raste ka kontribuuar me shkrime edhe për “Kohën Ditore”. / KultPlus.com

Gashi publikon klipin e këngës “My Year”, ky detaj bëri krenarë të gjithë shqiptarët

Gashi ka publikuar videoklipin për këngën “My Year” në bashkëpunim me G-Eazy.

Reperi lëshoi videon në youtube por vendi ynë nuk ka mundësi ta shohë megjithatë pak skena mund t’i shihni në videon e shkurtër të publikuar nga Gashi në llogarinë e tij në Instagram.

Ajo që ra në sy, është shqiponja që Gashi ka vendosur në mes të klipit, gjatë performances së tij.

Reperi me prejardhje shqiptare po shijon suksese të njëpasnjëshme dhe shpesh herë ka thënë përmes rrjeteve sociale, se ky vit do të jetë i tij.

epo…

Poezi nga Vlora Ademi

lumtunohu
mburru
që e preke
ma t’paarritshmen pikë
aty ku kush s’ka mujtë me mbrri
mbaje
si ma t’vlefshmin trofe
ngrite nji flamur
njkoftë edhe t’zi
veq aman
mos i trego kujt
ku ishe e çka pe’
se Ty
edhe ashtu kanë me t’thurrë lavd burrnie
po Asaj
kanë me i thonë padyshim lavire’

po more, po

se atje jashtë
nuk dijnë
e ndoshta nuk kanë ndi
për ura
po veç për kufinj
që dikush pa namus
i zbrapsë
e i shpërfill
veç me ia dhonë
shpirtit lirinë
pa marifet
e ojna
përmbys dhe betim
sall me u pa me djallin sy n’sy
për me njoftë
e me pasë guxim
me kqyrë
pa frikë
çdo ditë
veten lakuriq n’pasqyrë

e atje jashtë
njerzia
hala besojnë n’t’virgjërën Mari

Vlora Ademi
prill 2019
foto: Blerdi Malushi

Nesër në COD hapet ekspozita që shpalosë gjëra të panjohura të jetës së Aleksandër Moisiut

Ekspozita “Aleksandër Moisiu, njeriu dhe artisti” do të hapet nesër në COD, Kryeministria, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë do të pasqyrojë foto dhe dokumente të  panjohura më parë mbledhur nga arkivat austriake nga studiuesi Pjetër Logoreci gjatë një periudhë kërkimore 7 vjeçare.

Disa nga objektet personale që do të ekspozohen aty janë: stampa e dorës, flokët origjinalë, maska e vdekjes, spaletat e ushtarakut, kurora e aktorit më të mirë të Evropës, si dhe disa foto nga ceremonia mortore  e Aleksandër Moisiut në Vjenë.

Stefan Cvajg kishte shkruar për Moisiun.  “Një gjeneratë e tërë e ka dashur atë,  “dashnorin e pakrahasueshëm”,  i cili nëpërmes  zërit të tij hyri thellë në zemrat e të gjithë kombit gjerman”.

Kurse filozofi Franz Kafka kishte thënë:  “Moisiu është një artist të cilit “suksesi” i del nga koka, nga goja zëri i mrekullueshëm, nga sytë vështrimi që flet aq shumë. Të duket sikur në thellësinë  e syve të tij vështron arkiva fotosh bardh’ e zi, me lëvizje të ngadaltë fantazmash. Ai i rrëmben njerëzit me sytë e tij, me zërin e tij”.

Ekspozita hapet nesër në COD duke filluar nga ora 18:30/  KultPlus.com

Për nanën e padukshme: Është koha mos me të injoru ma

Kjo fotografi është e turbullt me qëllim.Nuk dua ta akuzoj një familje të caktuar, por po mundohem të hedh dritë mbi këto momente të vogla të mëmësisë të cilat mund të përfundojnë duke u ndjerë e izoluar dhe me keqardhje. Kjo fotografi e përshkruan këtë gjendje shumë mirë.

Dje përderisa hanja drekë, e shikoja këtë nënë duke e zbavitur beben e saj me një tullumbace, duke e shëtitur përreth, duke ia treguar pikturat në mur, etj. (të gjitha kemi qenë në këtë gjendje), përderisa familja e saj kënaqeshin në festën e ditëlindjes me ushqim, pije dhe një bisedë të zhurmshme. Asnjë prej tyre nuk u kujtua t’i ndihmonte nënës që edhe ajo të ishte pjesë e festës. Kjo fotografi, me nënën që rri anash me fëmijën e saj është një pamje e saktë e nënës që vazhdimisht përkujdeset për fëmijën pa u vërejtur, dhe që mbetet jashtë grupit. Ose askush nuk e ka vërejtur punën që ajo po bënte, ose askush nuk deshti të heqë dorë nga argëtimi i tyre dhe t’ia mundësojë edhe asaj ta shijojë festën. Mua më shkoi ndër mend t’i ofroja nënës ta mbaja për disa çaste fëmijën që ajo të mund t’i bashkohej familjes, por e dija që do të ishte e çuditshme.

E pastaj njerëzit çuditen pse depresioni pas lindjes, zemërimi dhe keqardhja janë pjesë e mëmësisë moderne. Nuk kemi nevojë veç për një diagnozë dhe mjekë për t’i ndihmuar nënat e reja – kemi që nevojë familjet e miqtë tanë të na vërejnë, dhe të na marrin edhe neve në tavolinë.

Më kujtohet shumë qartë kjo periudhë e jetës sime dhe më kujtohet që shkruaja në ditarin tim se asnjëherë nuk doja të harroja se sa e izoluar ndihesha gjatë darkave e festave kur mua më duhej ta shëtitja beben përderisa të tjerët pinin dhe ngacmonin beben kur kaloja pranë tyre, në vend që të ofronin të më ndihmonin të haja pa një njeri në mua. Nuk doja ta harroja këtë asnjëherë sepse e dija se “gjyshësia” me gjasë do t’ma fshinte këtë nga memoria. E kam shkruajtur që të mbaj mend t’i ndihmojë fëmijët e mi dhe bashkëshortët e tyre me fëmijët – e veçanërisht nënat!

Burimi: supergrate

Shkodër, je ba kaq e bukur e unë jam tu vujt se nuk kam ma shumë dashuni me t’falë

Nga Albert Vataj

Me kamt e laguna në Kir, sytë e lamun në Bunë, e kundrimin e njomun në Liqen, çapit në të sotmën tande si atëherë edhe tash. Me më shumë thinja, rrudha e peshë vitesh hapin lshoj ngadalë mbi ty Shkodër loce, si mbi pasqyrën e reflektimit tem, tuj u drashtë se mos thuhet e mes pa u pa me ty e me vedin e asokohershëm.

Mes zanave e hapave që vërshojnë përpiqem me ndigju ndonjë turra a vrap, ndonjë thirrmë a dihamë. Dhe eci. Kqyr rreth e rreth, për me mujt me gjet ndonji copë të mbetun të mozaikut tand, pamjen e thërmume të ikjes teme. Për me mujt me e njit me lotin e mallit e me ba një kujtim. Zemra jote dashnishumë e njerëzit e tu tamël t’amël më presin me zjarmin ma t’zjarmt të pasionit të mirëseardhjes, zjarmin që vetëm ata munen me e nez.

Po të shoh e mes lotëve të mallit po përpiqem me të pa ma të kthjellët, Shkodër. Mbi ty ec e si mbi re më bahet se po shkoj rrugëve dhe kujtimeve të mija. Shkodrën tash e kam kundru ma ambël e kanda ma kishte edhe tjetërherë me pas mujt me e

pa kështu, si një zonjë hirëplotë e ballnalt. Por ani, ajo gjithherë ka ken njaja që zemra jeme ka mbrujt në maxhën e vet të dashnisë dhe kujtimeve. Këtë qytet e kam jetu e ka jetu në mu me tançka aja ka patun për vedi, e unë për të. Jena pa nadjeve të murrme, dritëpakë e reshumë. Me Taraboshin kqyreshim sa herë që gajlen e shiut merrnim me vedi për me nis shfletimin e përditshmërisë rutinore.

Nadja e mirë, porsi një apoteozë prekte shojishojn në ecejaket e fillimit të ditëve që ndryshonin njana me tjetrën vetëm kur tufat e kalimtarëve i njellte morti si tufa sorrash në vendlajmërimet e vdekjeve. Paheshin e ndaheshin, pëshpërisnim e shportitnim, e me një nur hidhërimi e grimca mendimesh pikëlluese shpërndaheshin sekush në punën e tyne. Me Shkodrën gjithherë pa jena dhe shihna

e nigjohna me plot gajle. Na kanë ndjek nga mbas kambanët e kishave e zani i xhamive, tubimet politike, e gostitë modeste të artistëve në kafenetë e strukuna. Vdekjen dhe lindjen kena prit e përcjellë. Pushkën në mes të pazarit e kangën në maje të gjuhës kena pas, jetu e nigju. Me kohët dhe historinë, me të kalumen e të tashmen, me andrrat e pasionet, me tançka që ka ken vetëm e vedja, jena pa e jana dasht sot e mot.

Shihna e nigjohna, me krejtçka Shkodra ka pas me na dhanë e na kena pas me tan zemër me ia dhanë. Emnin dhe krenarinë e saj pasaportë na asht ba në aeroporte përballjesh dhe sfidash. Me të madhe e kena pohu botnisht atë si vendlindjen tonë, e aja si një nanë zemërmadhe e gazplotë, e përkushtume e ngadhnjyese, nuk asht kursy me na mush. Të shpërndamund në të katër anët, e të çapërlumun në shumë copa prej nevojës për me mbijetu, jena përpjek për me metun shkodran, për me e kungu bukën e shpirtit, gojëve të unshme, e tamlin e limfës, buzëve të thame për qiej dhe liri.

Kena gjet përditë një fije përkushtim, ndërmëndje e përmallim, e jena nis për me ardh te ti, e me ikun prej teje ashtu siç e ke patun zakon, të mirë, zemërbardhë, besimtarë, diellplotë, hanëndritun, e tançka tjetër na vetvedi kena patun si ngulm me e kumtu.

Sot ndërsa e djeshmja e tymit dhe absurdit kanë metun njolla të errata në ndërmendje dhe dhimbje prore, përmendemi prej këtij nuri qi i ka ra si dritë prej Zojës së Shkodrës, si breror prej krenarisë. Ndërsa hapat hedhim në rrugët që strukin kujtimet, syni na mushet përplot me velin që ka hedhun, me shkëlqimin që përshkëndit.

Ka ndryshu kaq shumë Shkodra, asht ba kaq e mirë, e unë po vuaj, mbasi

nuk kam ma shumë dashuni me i falë, e zemër vetëm një më ka dhanë nana dhe kjo tokë, njatë zemër që më rrah përditë për të. Shkëlqen përditë e ma shumë, e unë shoh përditë e ma thellë në qiellin tand, në dallëndyshet e pranverave që vijnë për me m’su në kthjelltsinë tande flutirimin e pafundsisë. Gëzo Shkodër ma t’bukurën

nur që të ka ra. Shfleto në kangët tuja, harenë e akshihaneve e namin e pëtbotshëm të bijve të tu, ma t’bukurën prej tyne këndoje me za, pa u drujt e pa gajle. Tankush kje me ty, asht me shpirt e

zemër aty, vjen në prehnin tand e ikën, si prej prehnit të nanës, përplot me gazmend e dëshira. E ti metesh tamli ma jetdhanës, Rozafa legjerndare.

Në rrethin ironik të Zija Çeles në romanin “Djalli komik”

Recension nga Marigona Fazliu

Populli i Horketës e di se, kur jep besën, besa të lidh, – thirri Lumbardi.[1], kështu Zija Çela, prek thellë në rrënjët e shpirtit shqiptar. Besa, kanoni i palëvizshëm i shqiptarëve, përmbushjën e së cilës e ka ndalur vetëm vdekja, vazhdon të mbahet edhe sot. Po kjo tanimë nuk është individuale. Ajo duhet të mbahet nga populli i gjerë, për zgjidhjen e tyre të njëzëshme, tanimë të padurueshme, mbretin Lumbard!

Po kush na qenka ky Lumbardi? Njëri prej personazheve kryesor të romanit, pikëreferimi i Çelës për ironi të thellë, duke paraqitur kështu një medalje të parë në të dy anët, në njërën anë fytyrën e tij midis shoqërisë dhe në anën tjetër, fytyrën brenda familjare.

     Çela përmbys linjën e rrëfimit, duke bërë kështu që fillimi i romanit të jetë fundi i tij, ndërkaq tërë narracioni  paraqet rrjedhën e ngjarjes se si ka ardhur te ky fund dhe krejt në fund e përmbys edhe fillimin. Këtë e arrin nëpërmjet narratorit të gjithdijshëm, i cili e mban lexuesin të lidhur pas tekstit duke kapur çdo detaj, e shpesh duke i përdorur personazhet e tjera në formë të dëshmitarëve, duke bërë të mundshme kështu që nëpërmjet tyre ta bëjë të besueshme sëmundjen e ngrirjes, e cila në roman na del krejt papritur. Kjo mënyrë e ndërtimit të narracionit e bënë romanin të jetë alegorik.

     Forma e romanit duket të jetë ngjashëm me ditarin. Po këtu nuk kemi ditarin e një personazhi, por kemi ditarin e shumë personazheve. Të gjithë duke folur për një temë të vetme,paralizën që e kishte kapluar gjithë vendin, e të gjithë popullatën e atij vendi, edhe kur ata ishin zgjuar apo në gjumë, kur ishin duke punuar apo duke pushuar, kur ishin duke ngrënë apo duke vrapuar.

     Paraqitja e një ambienti konkret, i temave të kohës konkrete, siç është burgosja brenda vendit dhe moslejimi i daljes në shtetet e tjera, vetëm nëse ia arrijnë si azil kërkues, është temë e prekshme dhe vazhdon të jetë aktuale. E njejtë del të jetë dhe periudha e protestave. Pastaj, rrokja në kohë historike, në coptimin e tokave horketase, në ndarjen e tyre sidomos prej fqinjëve Likava, Vitistani e Hamivurgu. Tërë këtë e bënë të veçantë, hyrja në brendi të takimeve, të konferencave; duke arritur kështu që të ndaj idetë sa shpotitëse aq edhe realiste.

     Në romanin Djalli Komik, na del mjeshtëria e Çelës për ndërthurjen e shumë elementeve njëkohësisht. Në këtë prozë, qëllimi i së cilës është të ironizojë me pushtetin e kohës, përdoren edhe frazat popullore, të cilat i japin një ngjyrim të veçantë, ngase autori hyn në psiken shqiptare. Përveç kësaj, përdorimi i këtyre frazave shfaq dhe kohën, e cila lëviz shpesh në romanin e Çelës.

Në traditën zakonore të qytetit, dhunimi i varreve ishte më i pafalshëm se krimi i vrasjes.[2]

     Këtu, Çela arrin në ironinë kulmore, se përdorimi i heronjëve, eshtrat e të cilëve pushojnë në varre, për qëllime pushtetore, duket se shfaq sa dhimbjen aq edhe realitetin. Lidhur me këtë autori vazhdon ritmin duke ndërtar ironinë fundamentale:

Horketasit kanë një zakon të ngulitur. Kur duan me qa, kërkojnë që të tjerët duhet me i pa.[3]

     Por, Çela hyn edhe në kulturë, saktësisht në zemër të muzeut, duke bërë kështu përshkrimin më parodizues të mundshëm:

…Shtatoret ishin të Presidentit të Republikës, kryetarit të Parlamentit, Kryeministrit dhe liderit të Opozitës. Ndërsa dy bustet, të ekspozuara krah më krah më tutje, i përkisnin kryebashkiakut dhe prefektit të qytetit.

Rregullorja për personalitetet që dylloseshin, ishte sanksionuar që në fillim dhe çdo ndryshim ishte po aq i vështirë, sa ndryshimi i Kushtetutës së Republikës. Sipas kodifikimit të saj, asnjë nga personalitetet nuk mund të ishte i përjetshëm në muze, përveçse gjatë periudhës kur ishte në detyrë. Me të ardhur në pushtet pasardhësi, dylli i mëparshëm shkrihej dhe përdorej për shtatoren apo bustin e të riut. Në gjuhën e intelektualëve ky proces quhej rimishërim.[4]

     Çela për ta shtuar dozën e ironisë, përdor edhe skenat e teatrale që kërkohet të luhen, siç është ajo e Hamletit apo e Jul Çezarit. Por nuk mungojnë as figurat biblike, siç janë: Juda, Pjetri, Marathonomaku e Kalija.

     Ndërsa titulli i romanit, ndërtohet nëpërmjet metonimisë duke paraqitur kështu pushtetasit të kohës, të cilët aq sa janë djallëzor, janë edhe komik në veprimet që bëjnë, në kërkesat që kanë dhe në vetë jetën që jetojnë. Një autoritar si Aranit Lumbardi, i cili shpeshherë na duket sa budalla aq edhe i menqur. Ai pranon fajet që bënë, por që si pranon si të tijat! Ai e di që gruaja e tradhëton, por do ta dëgjojë t’i thotë se e dashuron. Ai është personazhi më fatal i mundshëm, duke rënë vazhdimisht në kundërshti me vetveten, prandaj edhe çdo situatë ndërtohet në mënyrë alegorike, dhe bënë të duket komike.

     Vulën fundamentale të tërë prozës së Çelës, e cila është e menduar, e saktë dhe meditative ia jep koha e shkrimit të romanit, ku autori qëllimshëm vë mbishkrimin në fund të saj: Tiranë, maj-nëntor 2017. Por, interesante është edhe një element tjetër anësor- kopertina e librit, e cila paraqet dy pemë që këputën nga dega dhe u vë maska. Duket sikur thotë se kështu “këputen” edhe pushtetarët nga pushteti!


[1] Zija Çela, Djalli Komik, Botimet Toena, Prishtinë, 2018, f.61.

[2]Zija Çela, Djalli Komik, Botimet Toena, Prishtinë, 2018, f.18.

[3] Po aty, f.209.

[4] Po aty, f.50.

TKK organizon akademi përkujtimore për aktoren Katarina Josipi

Më 29 prill do të mbahet akademi përkujtimore për nder të 50-vjetorit të aktores së parë të Teatrit Kombëtar të Kosovës,  Katarina Josipi-Kati, shkruan KultPlus.

Programi që do të mbahet me 29 prill do të përfshijë :

Në kujtim të Katit

Evokime kujtimesh

Kori “Nexhmije Pagarusha”

Përurimi i monografisë së Frrok Kristaj “KATI- ikona e teatrit shqiptar”

Kurse programi që do të mbahet në Zym të Hasit më 30 prill do të përfshij:

Përurimi i Shtëpisë Muze të Katarina Josipit

Hapja e ekspozitës me fotografi të K.Josipit

Vënie lulesh mbi varrin e K.Josipit.

Kjo ngjarje kulturore organizohet nga Unioni i Letrarëve të Kryeqytetit të Kosovës në bashkëpunim me Ministrin e Kulturës, Rinisë e Sportit.

Manifestimi do të mbahet duke filluar nga ora 12:00 në TKK./ KultPlus.com

Kryebashkiaku Veliaj priti në takim violinistin Olen Çezari

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj priti sot në takim violinistin Olen Çezari dhe grupin e tij.

Veliaj theksoi se Çezari është “krenari për të gjithë shqiptarët; Tirana një qytet kozmopolitan” Violinisti shqiptar me famë botërore Olen Çezari dhe grupi i tij “International Clandestine Orchestra” sollën dje në mbrëmje për publikun kryeqytetas magjinë e tingujve të instrumenteve nga e gjithë bota, e cila do të ripërsëritet sot në një tjetër natë fantastike. Një pjesë e “ushtrisë” së muzikantëve dhe teknikëve që bënë të mundur këtë spektakël, u pritën sot në një takim nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i falenderoi ata që zgjodhën edhe Tiranën si stacion të turit të tyre muzikor.

Ai theksoi se grupi dhe muzika që u interpretua në skenën e Pallatit të Koncerteve përfaqëson më së miri atë që është sot Tirana, një qytet ku jetojnë shumë kombësi të ndryshme. “Miku, vëllai ynë, Oleni solli një “minikombe të bashkuara” në Tiranë, çka në fakt përputhet me atë që është sot Tirana. Jam i lumtur jo vetëm për koncertin mbrëmë, por se aty pashë “tironsa” me origjinë nga Kina, nga Argjentina, nga Italia apo edhe nga shumë vende të tjera, kubanezë, të cilët u ndjenë jo vetëm pjesë e një qyteti kozmopolitan, por edhe ajo që pamë në skenë, falë talentit të Olenit, ishte një mozaik i “kombeve të bashkuara” të Tiranës”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai vlerësoi talentin e Olen Çezarit, duke theksuar se është një nga emrat më përfaqësues dhe që bën të ndihet mirë çdo shqiptar në botë. “Unë jam shumë krenar për ty dhe them se flas në emër të të gjithë qytetarëve të Tiranës, që tek ty shohin realisht më të mirën tonë. Ne kemi nevojë për më shumë dashuri, për më shumë mirësi, kemi nevojë të jemi disi më të përulur me njëri-tjetrin, por kur e shohim të materializuar tek ty dhe skuadra jote, e shohim si një mision të mundur. Ne mund të jemi më të mirë dhe të falënderoj për të gjithë mirësinë dhe dashurinë që na solle në Tiranë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës ftoi qytetarët që të shfrytëzojnë mundësinë që u ofrohet ta ndjekin nga afër natën e dytë të koncertit të Olen Çezarit dhe grupit që e shoqëron atë. “Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët, ata që kanë mundësi, që në minutë të fundit t’i bashkohen sot koncertit në Pallatin e Kongreseve; do të ndiejnë një krenari, jo vetëm të të qënit shqiptar, por të të qënit shqiptar kozmopolitan dhe kjo falë talentit të Olenit. Jam shumë i lumtur që edhe bashkia e Tiranës ishte pjesë e asaj pakete dashamirësish që e duan të mirën tënde; por, kur duan të mirën tënde duan dhe të mirën e një produkti “made in Albania”, që është sot një nga produktet më të mira në botë”, nënvizoi Veliaj. /atsh

Prizreni gati për “Cineplexxin”

Qyteti i Prizrenit bëhet qendra e dytë në Kosovë, në të cilën do të vendoset kinemaja e rrjetit të njohur “Cineplexx”.

Pasionantët e filmave do të mund të shohin projektet e reja filmike në pesë sallat e kësaj kinemaje të operatorit austriak.

Gjatë prezantimit të fazës së dytë të projektit për shtrirjen e “Cineplexx”- it në qytetin e Prizrenit, është bërë e ditur se në hapësira prej 1500 metrash katrorë do t’i ketë 800 ulëse.

Milazim Salihu, drejtor gjeneral i “Cineplexxit” për Kosovë, theksoi se dinamika e repertorit të kësaj kinemaje brenda një viti, parashihet t’i sjell afro 500 mijë shikues në Prizren.

Yjet e kinematografisë botërorë do të defilojnë përmes ekraneve të “Cineplexxit” që do të vendosen në hapësirën e Qendrës tregtare “Galeria”.

“Cineplexx” në Prizren do të hapet për shikuesit në muajin shtator

Brook fiton çmimin “Princesha e Asturias”

Britaniku Peter Brook, i cilësuar si regjisori më i mirë i teatrit i shekullit XX, u shpall sot fitues në Spanjë i çmimit ”Princesha e Asturias” në kategorinë e arteve.

”Peter Brook, 94 vjeç, ende aktiv, ka hapur horizonte të reja për dramaturgjinë bashkëkohore duke kontribuar ndjeshëm në shkëmbimin e njohurive midis kulturave kaq të ndryshme si ato të Europës, Afrikës dhe Azisë”, shkruan juria në një komunikatë.

I vlerësuar edhe më parë me çmime prestigjioze si një ”Molier” në fushën e regjisë në vitin 1991 për ”Stuhia” të Shekspirit, Peter Brook u shndërrua përgjatë karrierës së tij, kryesisht në Britani të Madhe dhe në Francë, në një legjendë të teatrit.

”I cilësuar si regjisori më i mirë i teatrit të shekullit XX, Brook është një nga reformatorët më të mëdhenj të arteve skenike’’, shtoi juria duke cituar veprat “Marat-Sade” (1966) apo “Le Mahabharata” (1985), një poemë epike në nëntë orë të mitologjisë hindu që ai e përshtati në film në 1989./ ata

Çfarë nuk dini për Shekspirin?

Muaji prill zakonisht përkujtohet si muaji i Shekspirit, meqë botërisht dita e lindjes së tij njihet 26 prilli i vitit 1564, ndërsa ka ndërruar jetë më 23 prill 1616.


Për këtë arsye,në këtë shkrim ju njohim me disa gjëra që shumica e njerëzve nuk i dinë për dramaturgun e madh.

1. Uilliam nuk ishte Shekspiri i vetëm në teatër

Vëllai i tij më i vogël, Edmund, u bë gjithashtu aktor në Londër, edhe pse nuk pati suksesin e të vëllait. Edmund vdiq i ri, në moshën 27-vjeçare, dhe funerali i tij relativisht i shtrenjtë na çon në një tjetër fakt…

2. Shekspiri ishte relativisht i pasur

Nga karriera e tij në teatër, që përfshinte shkrimin e pjesëve dhe aktrimin, Shekspiri bëri goxha të ardhura. Në moshën 33-vjeçare, Uilliam arriti të blinte një shtëpi të madhe në periferi dhe pak më vonë bleu edhe një pronë në Londër dhe në testament i la të bijës një shumë të mirë parash.

3. Shekspiri kishte bashkëpunëtorë
Në kohën kur jetoi ishte e zakonshme që shkrimtarët të bashkëpunonin kur shkruanin një vepër. Ndonjëherë një vepër shkruhej edhe nga tre apo katër autorë. Ndërsa mendohet se Shekspiri parapëlqente të shkruante vetëm, në shumë vepra të tij ka pjesë të shkruara nga dikush tjetër. Shekspiri bashkëpunoi me Thomas Middleton në “Timoni I Athinës” dhe me John Fletcher në “Henri VIII”. Mendohet se edhe një nga pjesët më të famshme të “Makbethit”, pjesa me magjistaret, është shkruar nga Middleton.

4. Vajza e Shekspiri ishte analfabete

Uilliam dhe Ana Shekspir kishin dy vajza, Susanah and Xhudith. Ndërsa Susanah ishte në gjendje të paktën të shkruante emrin e saj, vajza tjetër ishte tërësisht analfabete. Kjo ishte e kuptueshme, pasi në atë kohë shkrimi dhe leximi konsideroheshin aftësi mashkullore. Shekspiri ishte një burrë i kohës së tij, që nuk e vlerësonte shkollimin e grave.

5. Shekspirit nuk i interesonte trashëgimia e tij letrare
Gjatë kohës që jetoi, Shekspirit nuk i interesonte nëse pjesët e tij do t’i mbijetonin kohës apo ajo. Kjo mund të shpjegohet edhe me faktin se në atë periudhë, pjesët teatrale nuk kishin respektin e duhur si vepra letrare.

6. Shekspiri nuk ka pasardhës
Djali i tij i vetëm, Hamnet, vdiq në moshën 11-vjeçare. Vajza e tij, Susanah, nuk kishte fëmijë, ndërsa të gjithë fëmijët e vajzës tjetër vdiqën shumë të rinj. Asnjë nga tre vëllezërit e Shekspirit nuk u martua.

7. Shekspiri ose më mirë puna e tij nuk është pëlqyer nga të gjithë

Jo të gjithë e vlerësojnë madhështinë e Shekspirit si shkrimtar. Volteri mendonte se “Hamleti” ishte puna e një të dehuri. Më i ashpër akoma ka qenë Bernard Shou.

8. Anglishtja e sotme është gjuha e Shekspirit
Shekspiri jo vetëm është autori që i pari ka përdorur më shumë fjalë se çdo autor tjetër, por në të njëjtën kohë ai ishte fjalëformues, duke pasur kështu një rol thelbësor në gjuhën e sotme angleze.

Elona Qose

Kujdes me fjalën

Poezi nga Dritëro Agolli

Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri
Pushteti i fjalës është i veçantë
Gatuan male dhe kakërdhi.

Me fjalën rrjedhin përrenj me mjaltë,
Pikojnë çezma me helm të zi
Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!

Nga fjala humbën Judë e Pilatë,
Strategë e mbretër me mbretëri
Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!

Kur fjala nxiret nga buzët jashtë
Si dallëndyshja s’vjen në shtëpi
Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!

Unë fjalën vetë e shtroj në kartë
Dhe brenda syve se ç’është e di…
Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!

Ja pse duhet të lexoni çdo ditë disa rreshta

Kur ka qenë hera e fundit që keni lexuar një libër, ose një artikull në revistë? Nëse jeni një lexues i rregullt shumë mirë bëni, sepse nga leximi përfitoni shumë. Ndërsa për ju që nuk lexoni edhe aq shumë, dritare.net ju sjell numrin e përfitimeve që do merrni nëse lexoni.

Stimulimi mendor

Stimulimi mendor është i nevojshme, dhe leximi i librave e përmirëson goxha shumë. Ju duke lexuar mbani larg sëmundjen e Alzheimerit dhe Demencën. Pra, leximi është si një stërvitje e trurit.

Redukton stresin

Pa marrë parasysh sesi i keni punët me stresin, një roman i shkruar mirë, do t’ju a largojë mendjen nga gjithë gjëra që ju stresojnë. Kështu tensionet do largohen dhe ju do ndiheni të relaksuar.

Fiton dije

Çdo faqe që lexoni, ju mbusheni me informacione, që një ditë do iu hynë në punë. Njohuritë të lejojnë të përballesh me sfida. Përveç kësaj, është si një ushqim për të menduar më qartë.

Zgjerim fjalori

Sa më shumë që lexoni, aq më shumë pasuroni fjalorin tuaj personal. Dhe në këtë mënyrë do bëhet fjalori juaj i përditshëm. Gjithashtu, do fitoni një artikulim të mirë, dhe do fitoni vetëbesim dhe vetëvlerësim. Leximi i librave është gjithashtu me rëndësi jetike për mësimin e gjuhëve të reja, sepse folësit jo amtarë, kanë përdorur shumë fjalë në kontekst, të cilat përmirësojnë rrjedhën e të folurit dhe të shkruarit.

Përmirësim i memories

Kur ju lexoni do të mbani mend shumë prejardhje, ambicie, karaktere e histori të nuancave të ndryshme. Dhe kjo do të përmirësojë memorien tuaj. Ju do keni memorie afatshkurta dhe afatgjatë, të stabilizuar.

Aftësi analizuese mendimi

Keni lexuar ndonjëherë një roman misterioz, dhe para se ta mbaroni, e keni zgjidhur vetë misterin? Kjo ndodh sepse keni menduar në mënyrë kritike dhe analizuese, jeni marrë me detajet. Këtë aftësi do e zotëroni edhe për problemet tuaja në jetë, nëse i përkushtoheni leximit.

Përmirëson fokusin dhe përqendrimin

Në botë e Internetit, vëmendja jonë tërhiqet në miliona drejtime, sepse dhe gjërat që shohim janë të ndryshme. Por me librin është ndryshe, aty gjendet vazhdimësia e të njëjtës histori dhe kështu vëmendja juaj është e fokusuar në një gjë. Prandaj dhe librat ju mbajnë të fokusuar dhe të përqendruar.

Aftësi më të mira shkrimi

Kjo është pothuajse e njëjtë me zgjerimin e fjalorit. Nëse ju lexoni, do pasuroni fjalorin dhe nëse keni një fjalor të pasur do shkruani dhe vetë bukur. Do keni një stil të frymëzuar nga autorët e tjerë dhe kjo do ndikojë në vazhdimësinë e punës tuaj.

Qetësimi

Përveç relaksimit, libri që ju mund të jeni duke lexuar ju sjellë paqe shpirtërore. Tekstet e shkruara, ulin presionin e gjakut dhe sjellin një qetësi mbizotëruese. Është e rekomandueshme për njerëz që vuajnë nga sëmundjet mendore, të lexojnë libra.

Argëtim falas

Biblioteka ka plot në qytet, dhe ju nëse jeni një njeri që i doni librat i gjeni falas aty. Me pak fjalë, merr përfitime pa shpenzime./E.B-dritare.net

Tri politikane shqiptare në garë për deputete në Bruksel

Tri vajza shqiptare, Qëndresa Gërlica, Luiza Duraki dhe Habibe Duraki, kanë nisur rrugëtimin e tyre politik në, duke kandiduar për t’u bërë pjesë e parlamentit të Belgjikë.

Qëndresa Gërlica dhe Habibe Duraki janë duke kandiduar për t’u bërë deputete në Parlamentin e Blegjikës, kurse Luiza Duraki po kandidon për Parlamentin Federal Belg.

Qëndresa vazhdon ende studimet universitare për shkenca politike dhe ka qenë kandidatja më e re për Asamblenë Komunale të kryeqendrës administrative të Belgjikës dhe të BE-së, duke shtuar kështu suksese të reja rrugëtimin e saj politik.

Luiza ka studiuar drejtesine ne Universitetin e Lire te Brukselit. Ajo ka punuar ne gjykatesin e tregtise ndersa tani punon ne Pallatin e drejtesise.

E Habibe Duraki momentalisht mban pozitën e nënkryetares së komunës Evere. në Bruksel, pas zgjedhjeve që u mbajtën në tetor të vitit 2018, ku edhe ishte një ndër gratë më të votuara.

Luiza Duraki mban numrin 12, në garën për Parlamentin Federal Belg, kurse në garën për Parlamentin e Brukselit,  Habibe Duraku mban numrin 35 dhe Qëndresa Gërlica me numrin 47.

Jahjaga takon figura të rëndësishme, bisedon për të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë

Ish-presidentja Atifete Jahjgaga ka takuar disa persona të rëndësishëm këto ditë.  Ajo ka takuar  Amal Clooney, avokaten për të drejta të njeriut si dhe  fituesin e Çmimit Nobel për Paqe, Denis Mukwege, shkruan KultPlus.

Jahjaga përmes një postimi ka treguar se kanë biseduar për statusin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. KultPlus ju sjell postimin e plotë të Jahjagës.

Kori Siparantum prezantohet për herë të parë në Shqipëri

Kori Siparantum nga Peja do të mbajë për herë të parë një koncert në Shqipëri.

Koncerti do të mbahet të dielën me 28 prill në Kishën e Shën Françeskut duke filluar nga ora 18:00.

Koncerti do të jetë në bashkëpunim me shoqërinë kuturore “Illyrycum” nga Shkodra.

Agron Shujaku, do të luaj në piano kurse koncerti do të dirigjohet nga
Memli Kelmendi.

21 vjet nga ofensiva serbe në Jabllanicë

Luftimet u zgjeruan në Drenicë ndërsa në Llap pati përforcime Më 24 prill 1998 filloi ofensiva e madhe ushtarako-policore për marrjen e pikës strategjike në rrafsh të Dukagjinit, atë të Jabllanicës.

Në këtë kohë luftimet u zgjeruan në Drenicë ndërsa në Llap pati përforcime policore – ushtarake. Në natën mes 22 e 23 prillit 1998, derisa rreth 60 vetë nga Hereçi e Sllupi po ktheheshin nga Shqipëria në Kosovë, afër pikës C-2 në malet e Koshares, diku rreth orës 5:45 të mëngjesit ndeshen në pritën e organizuar të forcave ushtarako-policore serbe, ndaj të cilëve u përdorën edhe helmet kimike. Aty u ekzekutuan njëzet prej tyre. Më 26 prill, nga sulmet artilerike mbi Baballoq me rrethinë shkatërrohen 20 shtëpi dhe vriten 10 shqiptarë. Më 27 prill granatohen fshatrat Hulaj dhe Voksh dhe në këtë sulm vriten 3 shqiptarë dhe 4 ushtarë serbë. Më 3 maj sërish merr hov operacioni ushtarak për pastrimin e rajonit kufitar. Sulmohen fshatrat e Rekës së Keqe – Ponosheci, Brovina, Batusha e Morina.

Luftimet për një kohë zgjerohen në Komoran, Sllatinë dhe në komunën e Rahovecit. Granatohen fshatrat Ratkoc, Radostë, Bratotin dhe Brestoc. Gjatë operacioneve pushtuese, forcat serbe më 26 maj 1998 sulmuan edhe Deçanin, ku ishte vija e parë e fronit në këtë pjesë të Dukagjinit. Me këtë rast  një pjesë e popullsisë u zu rob dhe u dërgua në Kishën e Deçanit, e cila gjatë luftës ishte shndërruar në kamp përqendrimi për shqiptarët. Në këtë kohë në Deçan u vranë e u masakruan 16 shqiptarë: Bajram Gogaj, Nexhat Ibërhysaj, Haxhi Gogaj, Jahir Ibërhysaj, Haxhi Ibërhysaj, Xaje Kuçi, Haxhi Boshtraj, Hajdar Kuçi, Bekë Shabanaj, Tafë Shabanaj, Shaban Osaj, Haxhi Cacaj, Zize Cacaj, Beqir Cacaj, Qaush Bajraktari dhe Time Bajraktari. Ndërkaq në luftimet e përgjakshme të zhvilluara në Deçan bien heroikisht luftëtarët e lirisë: Himë Mushkolaj, Isa Kuçi, Ragip Cacaj dhe Valdet Kuçi.Në këtë kohë luftimet u zgjeruan në Drenicë ndërsa në Llap pati përforcime policore – ushtarake.

Në natën mes 22 e 23 prillit 1998, derisa rreth 60 vetë nga Hereçi e Sllupi po ktheheshin nga Shqipëria në Kosovë, afër pikës C-2 në malet e Koshares, diku rreth orës 5:45 të mëngjesit ndeshen në pritën e organizuar të forcave ushtarako-policore serbe, ndaj të cilëve u përdorën edhe helmet kimike. Aty u ekzekutuan njëzet prej tyre. Më 26 prill, nga sulmet artilerike mbi Baballoq me rrethinë shkatërrohen 20 shtëpi dhe vriten 10 shqiptarë. Më 27 prill granatohen fshatrat Hulaj dhe Voksh dhe në këtë sulm vriten 3 shqiptarë dhe 4 ushtarë serbë. Më 3 maj sërish merr hov operacioni ushtarak për pastrimin e rajonit kufitar. Sulmohen fshatrat e Rekës së Keqe – Ponosheci, Brovina, Batusha e Morina. Luftimet për një kohë zgjerohen në Komoran, Sllatinë dhe në komunën e Rahovecit. Granatohen fshatrat Ratkoc, Radostë, Bratotin dhe Brestoc. Gjatë operacioneve pushtuese, forcat serbe më 26 maj 1998 sulmuan edhe Deçanin, ku ishte vija e parë e fronit në këtë pjesë të Dukagjinit. Me këtë rast  një pjesë e popullsisë u zu rob dhe u dërgua në Kishën e Deçanit, e cila gjatë luftës ishte shndërruar në kamp përqendrimi për shqiptarët. Në këtë kohë në Deçan u vranë e u masakruan 16 shqiptarë: Bajram Gogaj, Nexhat Ibërhysaj, Haxhi Gogaj, Jahir Ibërhysaj, Haxhi Ibërhysaj, Xaje Kuçi, Haxhi Boshtraj, Hajdar Kuçi, Bekë Shabanaj, Tafë Shabanaj, Shaban Osaj, Haxhi Cacaj, Zize Cacaj, Beqir Cacaj, Qaush Bajraktari dhe Time Bajraktari. Ndërkaq në luftimet e përgjakshme të zhvilluara në Deçan bien heroikisht luftëtarët e lirisë: Himë Mushkolaj, Isa Kuçi, Ragip Cacaj dhe Valdet Kuçi.

I këndoj nji toke të vjetër

Poezi nga Ha Jin
Përktheu: Vlora Konushevci

I këndoj nji toke të vjetër
ku perënditë janë strehu nën tokë,
ku idhujt njerëzorë e bajnë kurban njeriun,
ku urrejtja e udhëheq biznesin e filantropisë,
ku dragonjtë flakërues terrojnë fantazmat e dëmtueme,
ku heshtja e buzëqeshjet janë shtigje t’mençunisë,
ku fjalët imitojnë shtiza e shpata,
ku e vërteta asht gjithmonë nji legjendë e përgjakshme.

Ju flas për nji tokë të vjetër
jo prej dashnisë a mrekullisë.
Ashtu si paraardhësit e mi, që u përhapën në furtuna të tymosuna,
u përpjekën me u largu prej shtëpisë
ose u ngutën drejt anmiqve që afroheshin,
unë jam pjesë e atyne që ikën e u kthyen,
që u zhdukën në toka tjera
pa pasë asnji shpresë veç kambënguljes, pa nder veç rrëfimit,
pa pasuni veç prindve e fëmijëve,
tue këndu nji mallkim të përjetshëm,
nji mallkim që na ka lidh bashkë
e na ka rranjos thellë në rrënojat
e atdheut tonë.

E preki atë tokë natën –
Duart e mija gjurmojnë hartën në mur,
prej maleve tek fshatnat e lumenjtë,
prej fushave tek qytetet e brigjet.
I shoh fushat e gjelbërta të Jugut,
tokën e errët e pyjet e thuprueme të Veriut,
dhe borën që shakullinë n’ verë.

E andrroj veten në atë tokë,
jo për lumtuni apo korrje.
Andrroj me vuejt bashkë me popullin tem,
me kanë i mirëkuptuem e i dobishëm,
me m’lanë rahat e me mujt me flejtë,
fëmijët me ma refuzu atdheun
që mos me e përsëritë jetem tem,
me folë e me ecë me miq,
me e kry punën e me dekë me lehtësi.

Vajtoj për nji tokë të vjetër,
për ngushtësinë e saj t’pafundme,
për budallakun e saj të thellë,
për kaosin dhe kambënguljen e saj,
për fuqinë e saj me e pushtu sojin tem
me na hangër për së gjalli
me na i zaptu zemrat e grykat
e me na i përzie ofshamat me kangë-

kangë të dinjitetit të përçudnuem
e përkushtimi të pamëshiruem,
këngë që janë çmend prej epokave të asaj toke.

Xuefei Jin është poet e shkrimtar amerikano-kinez që shkruan nën emrin Ha Jin. Poezia e tij lidhet me lëvizjen e Poetëve të Mjegullës “Misty Poets”, lëvizje kjo e përbërë nga një grup poetësh kinezë të shekullit të 20-të që reaguan kundër kufizimeve mbi artin gjatë Revolucionit Kulturor. Shumica e tyre u shpërngulën pas protestave të Sheshit Tiananmen në vitin 1989.

Ha Jin është fitues i shumë çmimeve letrare siç janë:  Flannery O’Connor Award for Short Fiction (1996), Hemingway Foundation/PEN Award (1997), Guggenheim Fellowship (1999), National Book Award (1999),  PEN/Faulkner Award (2000), Asian Fellowship (2000–2002), Townsend Prize for Fiction (2002), PEN/Faulkner Award (2005), Fellow of American Academy of Arts and Sciences (2006), Dayton Literary Peace Prize, runner-up, Nanjing Requiem (2012).

“Mos më hiqni asnjë rrudhë! I kam paguar shtrenjtë të gjitha”

Anna Magnani ishte një aktore italiane dhe aktore e filmit. Ajo fitoi çmimin e Akademisë për Aktoren më të Mirë, së bashku me katër çmime të tjera ndërkombëtare, për rolin e saj në The Rose Tattoo.

E lindur m ë 7 mars 1908 në Romë, ajo ka punuar rrugën e saj përmes Akademisë së Artit Dramatik të Romës duke kënduar në klubet e natës.

Revista Time e përshkroi personalitetin e saj si “të zjarrtë” dhe kritiku drama Harold Clurman tha se aktrimi i saj ishte “vullkanik”. Në fushën e kinemasë italiane ajo ishte “pasionante, e patrembur dhe emocionuese”, një aktore që historiani i filmit Barry Monush e quan “nëna vullkanike e të gjithë kinemave italiane”.

Drejtori Roberto Rossellini e quajti atë “gjeniu më i madh i veprimit që prej Eleonora Duse “. Shkrimtari Tennessee  Williams u bë admirues i aktrimit të saj dhe shkroi The Rose Tattoo në mënyrë specifike për të që të dilte një yll, një rol për të cilin mori një Oskar në vitin 1955.

Si aktore ajo u bë e njohur për portretizimet e saj dinamike dhe të fuqishme të “grave tokësore të ulëta” në filma të tillë si L’Amore (1948), Bellissima (1951), The Rose Tattoo (1955), The Fugitive Kind 1960) dhe Mamma Roma (1962). Që në fillim të vitit 1950 Revista Life kishte deklaruar tashmë se Magnani ishte “një nga aktoret më mbresëlënëse që nga Garbo”.

KultPlus, ju sjell sot një thënie të njohur të aktores italiane: ‘Mos më hiqni asnjë rrudhë! I kam paguar shtrenjtë të gjitha”. / KultPlus.com

S’flas!

Poezi nga Rinor Murati.

S’flas se ngurrojë,

Ngurrojë t’tregoj për poshtrimin që m’bëhet,

Për anashkalimin tim nga “të fuqishmit”,

Anashkaluesit.

S’flas!

S’flas për fjalët që më rëndojnë çdoherë,

Për sëpatat pa teh e që thumbojnë shpirtin tim dita ditës,

Që më vrasin çdo sekondë të jetës sime.

S’flas!

S’flas se kam frikë të flas,

Kam fobi prej të të shprehurit të asaj se çfarë rënkon shpirti im,

Ky shpirt me jetë, pa jetë.

S’flas!

S’flas se s’kam përkrahje,

Ndoshta, përkrahje kam, po s’kam fuqi t’a kërkojë atë,

Nuk mundem thjeshtë dhe kaq!

Për atë s’flas,

S’flas se s’kam jetë po qe se flas,

Se pastaj, do jem shënjestër,

E ashtu s’mundem.

S’flas!

Se po që se flas shpirti im nuk do ketë se nga çfarë të rënkojë,

E ky shpirt pa rënkim nuk është msu,

E ashtu, nuk mundet me jetu. / KultPlus.com

“Unë nuk pata fatin ta njohë kurrë babën Zymer”, rrëfehet djali i cili humbi babën në luftë

Lufta e fundit në Kosovë la pasoja të mëdha për vendin tonë, por dhimbja më e madhe është humbja e mijëra njerëzve, ndërsa i tmerrshëm është fakti se në mesin e tyre ka endë të zhdukur për fatin e të cilëve familjet ende presin përgjigje, ata duan t’i kenë trupat e familjarëve sepse vetëm atë herë shpirti i tyre do të ishte më i qetë.

Por, në këtë aspekt tash e 20 vite ndonëse është punuar për zbardhjen e fatit të tyre, ende rezultojnë të zhdukur rreth 1,648 persona.

Një histori të dhimbshme sot për KultPlus e ka ndarë edhe Atdhe Krasniqi. Djali 20 vjeçar që sot e feston ditëlindjen e tij por edhe kësaj radhe në mungesë të informacionit për babin e tij të zhdukur në luftë.

“Unë jam djali i Zymerit që nuk e njoha kurrë !”, thotë Atdheu, emri i të cilit dëshmon për dashurinë e familjes së tij për vendin e vet.

“Sot 20-të vite më parë erdha në jetë … Kur në vitin 1999 familjen time e larguan forcat serbe nga Kosova unë isha në mbrojtjen më të mirë , në barkun e nanës Lume! Unë linda në Shqipëri dhe isha sugari i prindërve, por unë nuk pata fatin ta njohë kurrë babën Zymer e sot e 20-të vite kam mall për të ! Po jetoj në një shtet pa respektin dhe mbrojtje, pa përparësi dhe përgjegjësi. Unë sot festoj ditë lindjen e 20-të dhe malli për babën Zymer nuk më shuhet asnjë herë ”, ka rrëfyer dhimbjen e tij Atdheu. / KultPlus.com

Aplikoi në skemën kombëtare, banorja nga Shëngjergji hap pikë agroturizmi

Bukuria natyrore dhe monumentet e trashëgimisë kulturore e bëjnë fshatin e Shëngjergjit, rreth 40 km në lindje të Tiranës, një destinacion që ia vlen të vizitohet gjatë fundjavës.

Kjo e ka shtyrë Albina Çukon, që ta kthejë shtëpinë e saj në një pikë agroturizmi pasi aplikoi në vitin 2018 për subvencionim në skemën kombëtare në bujqësi.

Gjatë çeljes së programit të mbështetjes së bujqësisë 2019, Çuko theksoi se “jam aplikuese e vitit 2018 në skemat qeverisëse për zhvillimin e turizmit dhe agroturizmit në vendin tonë”.

“Meqenëse Shëngjergji është në projektin e 100 fshatrave duke pasur këtë shtëpi banimi mora inicativën dhe aplikova në Agjencinë e Zhvillimit Rural”, -nënvizoi Çuko.

Falë ndihmës së agjencisë, vijon ajo, arrita të realizoj ëndrrën time për ta kthyer këtë shtëpi në bujtinë.

“Sot shtëpia është e realizuar dhe është gati të mirëpresë miqtë vendas e të huaj”, – tha Çuko.

Ajo ftoi banorët e Shën Gjergjit të aplikojnë në këtë skemë.

“Ftoj të gjithë banorët e komunitetit të aplikojnë në skemat e 2019 për zhvillimin e turizmit në këtë fshat të bukur”, tha Çuko.

Shëngjergji, dukej si një vend shumë larg nga Tirana, por sot është kaq afër. Nga njëra anë lumi e nga ana tjetër natyra malore e bëjnë një zonë tërheqëse për t’u vizituar.

Shëngjergji ka një reliev malor ku kuota më e ulët është shtrati i lumit Erzen dhe kuota më e lartë është Mali me Gropa. Kjo zonë me pamje të mrekullueshme, me terrene kodrinore dhe malore është e pasur me burime të shumta ujore dhe liqene.

Mendohet se në shekujt XII-XIV quhej “Tomadhe” ose “Tame Dea” – Perëndeshë e Burimeve Ujore “. Pas vitit 1600, mori emrin “Shën Gjergji “.

Këtu mund të vizitoni ujëvarën e Shëngjinit, Rrënojat e Kështjellës së Shëngjinit, Kalaja e Shën Gjergjit, Shpellën e Valit, Vendi i shenjtë dhe varri i vjetër si dhe Mali i Gropa./k.s/ Kultplus.com