Kohë e humbun

Poezi nga Ha Jin

ka muej qi fletorja më ka mbetë shprazët
falë dritës qi ti e derdh
përqark meje. s’më duhet gja
lapsi, qi kotet
ngeshëm pa pikëllim.

s’asht kurrgja ma mirë se me jetue
nji jetë pa rrëfime qi s’lypë
me shkrue për m’i dhanë kuptim —
kur t’më soset ymri, le të thonë gjindja
se e hupën nji njeri të lumtun
ndonëse asnjani s’din se sa i lumtun jam kanë.

Përktheu: Plator Gashi / KultPlus.com

I këndoj nji toke të vjetër

Poezi nga Ha Jin
Përktheu: Vlora Konushevci

I këndoj nji toke të vjetër
ku perënditë janë strehu nën tokë,
ku idhujt njerëzorë e bajnë kurban njeriun,
ku urrejtja e udhëheq biznesin e filantropisë,
ku dragonjtë flakërues terrojnë fantazmat e dëmtueme,
ku heshtja e buzëqeshjet janë shtigje t’mençunisë,
ku fjalët imitojnë shtiza e shpata,
ku e vërteta asht gjithmonë nji legjendë e përgjakshme.

Ju flas për nji tokë të vjetër
jo prej dashnisë a mrekullisë.
Ashtu si paraardhësit e mi, që u përhapën në furtuna të tymosuna,
u përpjekën me u largu prej shtëpisë
ose u ngutën drejt anmiqve që afroheshin,
unë jam pjesë e atyne që ikën e u kthyen,
që u zhdukën në toka tjera
pa pasë asnji shpresë veç kambënguljes, pa nder veç rrëfimit,
pa pasuni veç prindve e fëmijëve,
tue këndu nji mallkim të përjetshëm,
nji mallkim që na ka lidh bashkë
e na ka rranjos thellë në rrënojat
e atdheut tonë.

E preki atë tokë natën –
Duart e mija gjurmojnë hartën në mur,
prej maleve tek fshatnat e lumenjtë,
prej fushave tek qytetet e brigjet.
I shoh fushat e gjelbërta të Jugut,
tokën e errët e pyjet e thuprueme të Veriut,
dhe borën që shakullinë n’ verë.

E andrroj veten në atë tokë,
jo për lumtuni apo korrje.
Andrroj me vuejt bashkë me popullin tem,
me kanë i mirëkuptuem e i dobishëm,
me m’lanë rahat e me mujt me flejtë,
fëmijët me ma refuzu atdheun
që mos me e përsëritë jetem tem,
me folë e me ecë me miq,
me e kry punën e me dekë me lehtësi.

Vajtoj për nji tokë të vjetër,
për ngushtësinë e saj t’pafundme,
për budallakun e saj të thellë,
për kaosin dhe kambënguljen e saj,
për fuqinë e saj me e pushtu sojin tem
me na hangër për së gjalli
me na i zaptu zemrat e grykat
e me na i përzie ofshamat me kangë-

kangë të dinjitetit të përçudnuem
e përkushtimi të pamëshiruem,
këngë që janë çmend prej epokave të asaj toke.

Xuefei Jin është poet e shkrimtar amerikano-kinez që shkruan nën emrin Ha Jin. Poezia e tij lidhet me lëvizjen e Poetëve të Mjegullës “Misty Poets”, lëvizje kjo e përbërë nga një grup poetësh kinezë të shekullit të 20-të që reaguan kundër kufizimeve mbi artin gjatë Revolucionit Kulturor. Shumica e tyre u shpërngulën pas protestave të Sheshit Tiananmen në vitin 1989.

Ha Jin është fitues i shumë çmimeve letrare siç janë:  Flannery O’Connor Award for Short Fiction (1996), Hemingway Foundation/PEN Award (1997), Guggenheim Fellowship (1999), National Book Award (1999),  PEN/Faulkner Award (2000), Asian Fellowship (2000–2002), Townsend Prize for Fiction (2002), PEN/Faulkner Award (2005), Fellow of American Academy of Arts and Sciences (2006), Dayton Literary Peace Prize, runner-up, Nanjing Requiem (2012).