Shqiptarë të famshëm në Perandorinë Osmane

Është e dëshmuar se shqiptarët qenë për 500 vite pjesë integrale dhe e pandarë e Perandorisë Osmane. Përgjatë këtyre viteve shqiptarët kanë luajtur rol tepër të rëndësishëm e po thuaj të pazëvendësueshëm në shumë aspekte të kësaj perandorie kolosale. Roli i shqiptarëve ishte i rëndësishëm jo vetëm në politikë, ekonomi, ushtri, administratë a gjyqësor, por edhe në art, shkencë e kulturë. Pikërisht për këtë të fundit, po fillojmë një seri shkrimesh mbi personalitetet kulmore me origjinë shqiptare që kanë dhënë kontribut të shquar në kuadër të qytetërimit osman që kulmin e tij e arriti në shekujt XVI-XVII.

Jahja bej Dukagjini (1498-1582)

Jahja bej Dukagjini i njohur edhe si Dukaginzâde Yahyâ bey apo Taşlicali Yahyâ bey me origjinë nga veriu i Shqipërisë, konkretisht sipas Robert Elsie-t, pasaardhës i familjes së madhe Dukagjini, territoret e së cilës familje përfshinin territore malore pranë Bjeshkëve të Nemuna. Qysh herët u rekrutua nga sistemi i devshirmesë, sistem ky që e dërgoi në Stamboll. Përgjatë gjithë shkollimit në rrugën për t’u bërë jeniçer, ai u dallua me trimëri, aftësi e mençuri. Këto tipare i mundësuan atij që të ketë më shumë liri, të cilën ai e përdori për t’u njohur me veprat e Kadri Efendiut, Ibn Kemalit, Nishandji Tadji-zade Dja’fer Çelebiut, Pargalı Ibrahim Pashës, dhe İskender Çelebiut.

Përveç se poet i shquar, Jahja bej Dukagjini u dallua për aftësitë e tij ushtarake. Si për të na e kujtuar këtë, Sami Frashëri shumë vite pas, shkruan : “ishte i shpatës (luftëtar) dhe i penës (shkrimtar).” Jahja bej Dukagjini njihet se ka marrë pjesë gjatë rinisë së tij në Betejën e Çaldiranit të 23 gushtit 1514 të udhëhequr nga Sulltan Selimi I (1512-1520) , gjithashtu në Luftën Otomane-Mamluke të 1516-17, dhe në ekspeditën e Bagdadit të vitit 1535 nën Sulejmanin I Ligjvënësin (1520-1566). Pikërisht këto vite ishin vitet më të ndritshme të kësaj perandorie. Megjithë trimërinë që e karakterizonte, ai u bë më tepër i njohur në mesin e shtetasve të Perandorisë, pikërisht për shkak të poezive të tij madhështore. Madje në këto poezi ai ishte i vetëdijshëm për origjinën e tij shqiptare dhe e pohonte vazhdimisht në vargjet e tij, gjë që nuk kishte ndodhur me shumicën e të rekrutuarve të sistemit të Devshirmesë që zakonisht zveniteshin nga ndjenjat kombëtare.

Në poezinë e tij “Trëndafili i ndritur” dëshmonte para botës se ishte me origjinë shqiptare:

“Farefisi im rrjedh nga paria shqiptare,
Sojin e kam prej princërve të Dukagjinit
Sado që u bëra rob i osmanëve
Nuk e fsheh dot
Lumturine time që gëzoj,
Krenohem duke luftuar në fushëbeteja
Me flamur të kuq në dorë…”

Edhe në një rast tjetër në përmbledhjen “Thesare të fshehura”, si rrallë kush në Perandorinë Osmane, madje me krenari, ai shkruante mbi prejardhjen e tij, mbi shqiptarët, e mbi vendin që tashmë e kishte lënë e kishte shumë mall:

“Raca shqiptare është raca ime,
Mbarë populli mban shpatën pranë,
Ata trima si petrita nuk e kanë për gjë,
Të ngrënë shtëpitë mes shkëmbinjve,
Kjo është dhunti e racës shqiptare,
Ata njerëz janë gurë të çmuar mes shkëmbinjsh.“

Sipas studiuesve turq, aspekti më i rëndësishëm i Taşlicali Yahyâ bey është se ai ishte njëri nga pionerët e poetëve që shkroi poezi në letërsinë turke me stil të tij, stil ky i kuptuar nga populli si dhe i shkruar në gjuhë amtare larg nga ndikimi i shembujve të të shkruarit në gjuhën perse që në atë kohë ishte shumë e përhapur në Stamboll. Shumë osmanlinj madje i kishin zili duke u shprehur se poeti i cili sipas tyre erdhi nga një vend i varfër e i shkretë si Shqipëria, kishte poezi e libra të pakrahasueshem me të tjerët.

Sipas E.J.W. Gibb, poezia e këtij autori ka qenë aq interesante sa ishte jeta e tij poashtu. Madje Gibbi, orientalist skocez, Dukagjinin e fut në mesin e poetëve më eminentë të shekullit XVI.

Pa e zgjatur shumë, do përmendim edhe disa nga veprat e tij më të mëdha për të cilat vlerësohen edhe sot e kësaj dite.

Şah ü Geda – Mbreti dhe lypësi

Yusuf ve Züleyha – Jusufi dhe Zylejhaja

Gencine-i Raz – Thesari i fshehtë

Gülşen-i Envar – Kopshti i trëndafilave

Kitab-ı Usul – Libri i procedurave

E veçantë mbetet edhe një vepër me 2000 vargje e quajtur “Suleymanname” që i kushtohet udhëheqësit të asaj kohe, Sulltan Sulejmanit (1520-1566). Kjo vepër si duket mbeti e papërfunduar.

Madje është shumë e famshme elegjia që Jahja Bej Dukagjini i ka kushtuar Shehzade Mustafasë, djalit të ekzekutuar të Sulltan Sulejmanit. Fill pas kësaj dhe akuzave të rënda që mori nga oborri perandorak, ai si për t’u shfajësuar u përgjgj : “ Ne e dënojmë atë me padishahun, por e vajtojmë me popullin”. Kjo përgjigjje dëshmonte se kemi të bëjmë me një mendje gjeniale që edhe në situata shumë të ndërlikuara gjente zgjidhje.

Për fund iu mbetet studiuesve shqiptarë të fillojnë të hulumtojnë për këtë personalitet të madh për të cilin pak është shtruar e ka shumë nevojë të shkruhet në gjuhën shqipe. Ky shkrim më shumë ka për qëllim nxitjen e studimeve më të thelluara për këtë personalitet shumë të rrallë me përmasa botërore. / KultPlus.com

Nga Valdrin Rrahmani

Majlinda Kelmendi: Për Kosovën e jap 200 përqindëshin

Majlinda Kelmendi thotë se gjithmonë është e gatshme ta japë 200 përqindëshin nga vetja për Kosovën dhe është se etur të fitojë medalje vazhdimisht, pavarësisht e ka fituar shumë në karrierën e vet të bujshme.

Majlinda e fitoi medaljen e artë në Lojërat Evropiane Minks 2019 të shtunën, të parën në histori të Kosovës, duke e shtuar një tjetër të artë në koleksionin e saj madhështor, që ruan medalje ta arta olimpike, botërore dhe evropiane, shkruan Gazeta Express.  

E pyetur se si ndihen kundërshtarët e saj kur ndeshen me kampionen olimpike, Kelmendi tha se votimi duhet të jetë gjithmonë i shtuar.

“Natyrisht motivi është i madh. Ama unë harroj që jam kampione e botës dhe e olimpike. Dua të mendoj vetëm për medalje të reja”, tha Delmendi për televizionin publik.

Ajo është mirënjohëse për përkrahjen që e mori në finale për medalje të artë ndaj ruses  Natalia Kuziutina, e cila e kishte përkrahjen e shtetit fqinj, Bjellorusisë, aty ku po mbahen lojërat.

“Po, keni mundur ta vëreni në finale çfarë atmosfere ishte, i gjithë publiku ka qenë me Kuziutinen. Mirëpo, as unë nuk kam qenë vetë, kam pasur përkrahës në sallë. Nëse ata thoshim Rusia, tonët thoshin Bravo Majlinda. Lufta ka qenë shumë e fortë. Unë e jap 200 për qindëshin”, shtoi ajo.

E pyetur çfarë e mban të motivuar, 28-vjeçrja tha: “Kurrë nuk jam e kënaqur, dua gjithmonë të fitoj dhe të lajm në krye, kjo është arsyeja pse punoj kaq fort.” / KultPlus.com

“Çamëria është e do mbetet plagë e hapur në trupin e shqiptarisë”

Nga Kim Mehmeti

“Çamëria është ‘det’ i thellë 75 vite, i mbushur me lotët për mbi 2.900 çamët të masakruar. Çamëria është edhe emri i mallit për vendlindjen, i qindra mijë çamëve të dëbuar nga vatrat familjare, e që edhe sot nuk mund t’i vizitojnë as varret e të parëve të tyre. Çamëria është e do mbetet plagë e hapur në trupin e shqiptarisë. Si dhe peshore që saktësisht matë paaftësinë e politikanëve tanë për ta shëruar këtë plagë, e të cilët, me heshtjen e tyre për të shkuarën tragjike çame, e ‘blejnë’ fqinjësinë e mirë me Greqinë! Çamëria është mbëmendja e shqiptarisë për vetveten, andaj nëse ndodh e pamundura që ta harrojmë atë, atëherë do zgjedhim ta jetojmë mallkimin e gjithë çamëve të vrarë e të dëbuar nga vatrat e tyre!” (Kim Mehmeti)

Dua Lipa, artistja e parë femër në histori që ka tri këngë të dëgjuara mbi 800 milionë herë në Spotify

Duket se sukseset për artisten shqiptare me renome botërore, Dua Lipën, nuk kanë të ndaluar.

Ajo po vazhdon ende të jetë një prej këngëtareve më të pëlqyera dhe të dëgjuara në tregun botëror, falë hiteve që ka sjell viteve të fundit.

Faqja “Music News Facts” e cila merret me faktet më të reja rreth muzikës internacionale, ka publikuar së fundmi një statistikë rreth artistes shqiptare, që i ngrit vlerat edhe më shumë si këngëtare.

Dua është tashmë zyrtarisht femra e parë në histori të muzikës me tri këngë të dëgjuara mbi 800 milionë herë në platformën më të madhe të muzikës në botë, Spotify.

Ky fakt patjetër që e ka gëzuar në masë të madhe artisten, e cila nuk ka nguruar që këtë postim ta ndajë me ndjekësit e saj në Twitter dhe Instagram.

Këtë sukses, Dua Lipa e arriti falë tri këngëve të saj shumë të suksesshme dhe të dëgjuara si: “New Rules, “One Kiss” (bashkëpunim me Calvin Harris), dhe “IDGAF”.

Ajo përndryshe këtë vit ka qenë më shumë eangazhuar në kolona zanore, pasi ka kënduar “Swan Song” të filmit “Alita: Battle Angel”, teksa shumë shpejt do të vijë edhe me kolonën zanore të filmit më të ri të James Bond. /Telegrafi/ KultPlus.com

Një CD e hedhur nxjerr foto të reja të 11 Shtatorit (FOTO)

Persona që merren me mbledhjen e CD-ve kanë gjetur rastësisht, në një shtëpi që po shitej, 2400 foto të reja nga “Ground Zero” në Nju Jork, të shkrepura pas sulmeve të 11 shtatorit, 2001.

Fotot duket se janë bërë nga një punëtor ndërtimi që ka ndihmuar me pastrimin e rrënojave pas sulmit terrorist.

Disqet nuk ishin në gjendje të mirë, por megjithatë u morën shumë foto, të cilat janë të veçanta pasi kanë marrë pamje nga lart si dhe brenda ndërtesave të shkatërruara, përcjell tch.

Më 11 shtator të vitit 2001, terroristët islamikë të Al Kaedas, të drejtuar nga Osama Bin Laden, rrëmbyen avionë me udhëtarë dhe u ndryshuan kursin, duke i përplasur pas kullave binjake të “Qendrës Tregtare Botërore”, dy nga ndërtesat më krenare dhe simbolike të Nju Jorkut, të cilat u shembën plotësisht.

Majlinda flet pas triumfit, tregon kujt ia dedikon medaljen (VIDEO)

Majlinda Kelmendi dje ka arritur të fitoj medaljen e artë në Lojërat Evropiane “Minsk 2019”.

Pas këtij triumfi, Majlinda është shprehur tejet e lumtur.

“Sigurisht që po ndihem shumë e lumtur. Është hera e parë për mua që marrë pjesëë në Lojërat Evropiane, që në sportin tonë janë të njëjta me kampionatin evropian, arsye për të cilën marrim dy medalje në një ditë”, ka thënë fillimisht Majlinda, transmeton lajmi.net.

“Realisht ishte një ditë e vështirë dhe e gjatë, me mjaft stres, duke pasur parasysh se dy vitet e fundit nuk morra pjesë në kampionate, për arsye të lëndimeve. Sot isha mjaft e motivuar dhe besoj se gara shkoi shumë mirë.”

“Finalja shkoi ashtu siç dëshirova. Rusja është shumë e fortë fizikisht, por në fund bëra gjuajtjen e hodha dhe thjesht ndjeva atmosferën e mirë që ishte aty. Jo shpesh kemi mundësi të shohim shqiptarët të na përkrahin në këso nivele kështu që i falënderoj.”

“Këtë medalje ia dedikoj një personi që ishte shumë i veçantë për mua, djalit të tezës sime, Labinot Harbuzi, që fatkeqësisht e kemi humbur disa muaj më parë. Ai besonte gjithmonë në mua dhe këtë medalje ia dedikojë atij”, ka thënë ndër të tjerash Majlinda.

Kjo ishte medalja e parë e artë për Kosovën në një Kampionat Evropian, por gjithashtu e para edhe për Majlindën.

Më poshtë intervista e Majlindës të cilën e ka publikuar komiteti olimpik i Kosovës.

Parku Kombëtar “Shebenik- Jabllanicë”, mrekulli e natyrës në katër stinët

Parku Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë” mbetet një destinacion turistik i jashtëzakonshëm për t’u frekuentuar në katër stinët, por në veçanti në stinën e verës.

Një grup turistësh prej 30 vetash shijuan fundjavën në këtë park mes aventurës dhe bukurive që ky vend ofron.

Përgjatë dy ditëve turistët shijuan kampingun, notuan në ujërat e pastërta të liqenit të Fushë Studën gjithashtu shijuan dhe ushqimin tradicional të zonës.

Në fund të vizitës së tyre grupi me turistë u ngjitën në Malin e Gurit në lartësinë 1848 m, duke bërë që kjo eksperiencë të ishte e veçantë për ta.

Në Shebenik turistët kanë mundësi të shijojnë liqenet karstike, liqenin e Fushë-Studnës, Vlaskën, Fushën e Dorëzit, Bredhin e Fushë Kuqes, Rrapin e Taksimit, Shkallën e Skënderbeut, Gurrën e Ariut e shumë zona të tjera që presin vizitorë.

Moratoriumi i gjuetisë ka bërë që edhe kafshët e egra të shtohen për t’i dhënë më tepër gjallëri kësaj zone. /atsh / KultPlus.com

Ithtarët e teorive konspirative besojnë se Jackson ishte i pranishëm në ceremoninë e diplomimit të djalit të tij

Michael Jackson është gjallë dhe është dëgjuar në ceremoninë e diplomimit të djalit të tij Prince – pohojnë ithtarët e teorive konspirative.

Mbreti i muzikës pop ndërroi jetë në vitin 2009, mirëpo gjatë gjithë kohës ka pasur teori nga më të ndryshmet që pretendonin se është gjallë.

Ndërsa një video i ka rikthyer teoritë konspirative në lidhje me këngëtarin amerikan. Xhirimi thuhet se është bërë në muajin e kaluar gjatë ceremonisë së diplomimit të Prince në ‘Loyola Marymount University’ në Los Angeles.

Videoja e publikuar në kanalin BeLIEve në YouTube, e shfaq momentin kur thirret emri i djalit të Jackson teksa një femër thotë: “Ja ku është Prince”, ndërsa më pas dëgjohet edhe një zë tjetër që nuk kuptohet.

Ithtarët e teorive konspirative besojnë se është zëri i Michael, ndërkohë që të tjerët kërkojnë fakte reale për këto dyshime të hedhura.

“Michael Jackson është gjallë, mund ta dëgjoni zërin e Michaelit në diplomimin e djalit të tij”, thuhet në përshkrimin e videos. /Telegrafi/

Rrëfimi i dhimbshëm i plakut shqiptar, çfarë e detyruan serbët (VIDEO)

Në kohën e luftës në Kosovë, çetnikët serbë me në krye kryekriminelin Sllobodan Millosheviq e kishin detyruar një të moshuar shqiptar që të flas keq për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë një interviste të realizuar me dhunë, serbët e udhëzojnë shqiptarin që të shprehet se UÇK-ja në Reçak është në fakt ajo që po kryen krime.

“Çfarë po bëjnë ata, UÇK në fshat, fol”, dëgjohen ushtarët serbë ndërsa e udhëzojnë të moshuarin shqiptar të flasë në gjuhën serbe.

Pamja e dhimbshme e plakut fisnik shqiptar i cili refuzon të flas keq për UÇK-në dhe shqiptarët do të mbetet pa dyshim një imazhet më të tmerrshme të asaj që regjimi gjenocidal i Millosheviqit bëri në Kosovë.

Por, megjithatë ky nuk është rasti i vetëm. Pasi kemi parë dhe dëgjuar se raste të tilla të detyruar nga kriminelët serbë kemi me qindra.

Këtij populli i duhen më shumë libra, këngë, komedi, piktura, pak politikë

Intervista/ Flet Mjeshtri i Madh, Jorgo Papingji: Këtij populli i duhen më shumë libra, këngë, komedi, piktura, pak politikë.

Jemi në një moment delikat, politika duhet të jetë elastike si arti

-Si do ta cilësojë Papingji situatën politike në vend?

Nuk jam marrë më e politikë, pasi politika më e mirë për vendim tim, për kombin tim është poezia, arti. Një peoni për Atdheun është sa mijëra fjalë boshe të politikanëve. Sot më tepër se kurrë politika shqiptare duhet t’i thërrasë mendjes për të qenë e qetë, gjakftohtë, korrekte me ligjin dhe Kushtetutën që t’i shërbejë sa më mirë vendit të saj. Politikanët bëjnë ligjet, ata tensionojnë situatën pasojat i vuan populli. Me ç’të drejtë kjo klasë politike luan me fatin e popullit tonë të shumëvuajtur? Me ç’të drejtë kjo klasë politike acaron situatën që mund të degjenerojë dhe përkeqësohet më tej? Kush jua jep këtë të drejtë të luajnë me jetën e një populli që iu ka besuar me dëshirë fatet e tij? Për mendimin tim kjo klasë politike duhet të largohet pasi janë të njëjtat fytyra për shumë e shumë vjet. Ju lutem, kujdes. Jemi në zgripin e acarimit dhe të humbjes së orientimit. Kujdes, kujdes. Larg zjarrit dhe kokëfortësisë. Larg mendjemadhësisë dhe arrogancës. Larg molotovëve dhe provokimeve. Zgjedhjet të zhvillohen të qeta, sipas fregullave sipas Kushtetutës. Bibla e politikanëve është Kushtetuta. Të zbatohet siç duhet pa anësi. Këtij populli i duhen më shumë libra, këngë, komedi, piktura, pak politikë

 -Sot ka shumë këngëtarë por tekstet e këngëve vlejnë për të dëshiruar?

Sot nuk ka tekste. Sot ka fjalë. Poezi do të thotë fjalë e bukur, fjalë e artë, fjalë që të mbërthen. Poezi apo tekst kënge do të thotë: Fjalë magjie. Sot në një tekst kënge ka vetëm 4 fjalë. Kaq! Ku është fjala e magjishme?! Në poezi kur lexon të rrëqethet mishtë. Ngrihesh në këmbë nga emocionet. Kënga ka tekst, ka muzikë, ka këngëtar. Pa tekst të bukur si do të jetë një këngë e bukur?! Poezia ka ngritur në këmbë Perandorë, Presidentë, Kryeministra, një popull. Poezia është fjala më e bukur e zotit.

Në këto situata, a vazhdon Jorgo të krijojë? 

Normal është i vetmi ngushëllim. Krijimtaria më largon nga ky terr që e ka çuar vendin politika. Dëgjoj në televizione lajme të pabesueshme dhe marr lapsin. Aty gjej ngushëllim. Aty sikur largoj hallet. Tashmë po përgatitem për tekstet e disa këngëtarëve të njohur, të cilët kanë pak kohë që janë shkëputur nga pjaca e këngës, nga CD dhe kanë dëshirë të rikthehen apo kanë dëshirë me shumë pretendime. Këngëtarët e mëdhenj është e vështirë të rikthehen me të njëjtat parametra. Rikthimi është gjithmonë i vështirë dhe duhet një punë e madhe nga të dyja palët këngëtari, autori i tekstit dhe kompozitori.

–Keni qenë pjesë e shumë Festivaleve të Këngës në RTSH, kini sukseset tuaja në to, por keni pasur dhe zhgënjime? Po kështu dhe në Festivalin e Fëmijëve në Shkodër?

Normal të gjitha ndodhin. Ky është evenimenti më i madh i muzikës së lehtë shqiptare në Radio Televizion, eveniment ku unë prej afro 40- vjetësh kam qenë pjesëmarrës i rregullt. Unë kam qenë jo vetëm pjesëmarrës por fitues i shumë çmimeve dhe nga viti në vit po rris përgjegjësinë ndaj vetes, kërkesat në raport me kohën dhe pjekurinë time krijuese. Por po ashtu dua të flas për Festivalin e Fëmijëve në Shkodër. Ashtu si në Festivalin e RTSH edhe në Festivalin e Fëmijëve kam qenë po aq vjet pjesëmarrës ku aty kam marrë 27 çmime. Ky festival gjithmonë është në kërkim të formave të reja, pasi ka një natyrë tjetër. Ka një bukuri tjetër. Fëmijët janë të mrekullueshëm. Zërat e tyre janë si cicërimat e zogjve që të relaksojnë. Ky festival organizohet gjithmonë në kuadër të Festës së 1 Qershorit, Festës së Fëmijëve. Fëmijët nuk duan t’ia dinë për politikë, për hallet e shqetësimet, ata duan të realizojnë ëndrrat e tyre, dëshirat e tyre. Ata duan këngë dhe lodra. Ndaj ky festival ka afërisht gjysmë shekulli që është realizuar gjithmonë në Shkodër. Ka pasur tentativa të ndryshme që njerëzit kanë thënë që pse mos ta bëjmë në qytet tjetër, por kjo nuk është miratuar. Për mua them sepse është bërë mirë, sepse ato vende që e kanë traditën të ruajnë traditën e tyre për atë lloj aktivitetesh që ata e kanë të pasur me eksperiencë, prodhimtari dhe me raporte të ndërtuara në festival. Zgjedhja e Shkodrës për këtë Festival në monizëm s’ka qenë e rastësishme. Ky qytet ka tradita ta vjetra në muzikë. Kjo nuk do të thotë se kanë qenë të gjitha gjërat me kuptime politike, ato bëheshin me një shpërndarje gjeografike të Shqipërisë të aktiviteteve që bëjnë aktivitete të ndryshme të Shqipërisë. Dikush bënte muzikën e vet. Ku festivali i Gjirokastrës bënte muzikën Popullore, Festivali i Shkodrës merrte muzikën për fëmijë. Po nuk është vetëm shpërndarja gjeografike, që është bërë në Shkodër ka edhe një arsye tjetër që e ka zanafillën në kulturën shkodrane, në dëshirën për muzikën shkodrane, tek talentet që ka prodhuar Shkodra. Pra, është një tokë ku muzika mbillet dhe lulëzon, dhe pse mos të mbillej që në farë kjo muzikë e të pritej sa të rritej e të bënte lule. Pra, Shkodra u përzgjodh si një tokë që do talente, që e do muzikën dhe që e ka hak që të jetë aty.

–Je lidhur shumë me këtë Festival të fëmijëve ndoshta edhe si kompensim i diçkaje të munguar, pasi duhet të kesh pasur fëmijëri të vështirë?

-E vërtetë, e tillë ka qenë fëmijëria ime. Sot mund të them se kam pranë vetes shumë fëmijëri. Fëmijëria ime më ka shoqëruar gjatë gjithë kohës së rritjes sime. Brenda vetes jam sa plak aq edhe fëmijë. Dhe këtë pleqëri që mbaj ma zhduk kjo fëmijëri që mbaj brenda vetes. Unë mendoj se artisti po ta ketë brenda vetes këtë fëmijëri dhe po të dijë t’i marri erë kësaj fëmijërie nuk plaket asnjëherë. Ndoshta është një gjë e çuditshme nganjëherë, që në moshën time të hershme kam pasur dëshirë të merrem me artin. Që fëmijë i vogël në kopsht bëja teatër kukullash. Unë kam lindur në Vlorë dhe në shtëpi po ashtu bëja teatër. Ishte një tenxhere hajati dhe ne në atë tenxhere merrnim kukulla dhe e me dorën lart bënim kukulla të ngjarjes që ne kishim sajuar vetë ose kishim dëgjuar. Më vonë pastaj kur bënim fletoren e kujtimeve në fund të vitit gjithmonë më shkruanin Jorgo Papingji regjisor. Në atë kohë unë nuk e kisha idenë se çfarë ishte regjisori. Ngadalë ngadalë kjo u binjakëzua me veten time. Shpirti binjak i imi ka qenë dëshira gjithmonë për artin, kjo më bëri të shkruaj. Në atë kohë ne kishin një gazetë të Vlorës “ Fjala Jonë”, kjo ishte gazetë muri. Aty ishte një redaksi që shkruanin artikuj për fëmijë përveç problematikave të ndryshme të mëdha, si gjëra që ndodhnin në klasë etj. dhe unë u bëra kryeredaktor i asaj reviste, përvoja e parë që pastaj më ndoqi më vonë. Bëhet fjalë, që nga viti 1948. Unë kam filluar të shkruaj shumë shpejt. Kam pasur një nënë shumë të kujdesshme që na mësonte vazhdimisht edhe kur nuk kishim shkollë. Unë jam rritur pa baba dhe nënën e kishin edhe baba edhe nënë. Ajo i donte fëmijët të mirë, të edukuar dhe të kulturuar. Kjo siç duket dha frytet mbrapa, dhe pastaj erdha në Tiranë . Në Tiranë kam ardhur nga klasa e katërt fillore dhe këtu kam filluar të ndjek mësimet në një shkollë me shumë emër që në atë kohë quhej “Shkolla e kuqe”. Kjo shkollë ka pasur mësues shumë të mirë, që të gjithë kanë mbjellë diçka tek formimi im. Ato dijeni dhe vlera njerëzore që më kanë dhënë ata mësues unë i ndjej ende një filiza të mbjellë tek vetja ime. Qoftë për artin, kulturën, gjuhën e huaj etj. Dhe nuk mund të lë pa përmendur poezinë e parë që kam shkruar. Si sot më vjen në mendje kjo poezi, pasi e kam shkruar në fletoren e kujtimit.

Si zjarri që le hirin

Po lë edhe unë kujtimin

……

Aty e kam lënë për herë të parë dhe kujtimin për shokun tim, e kam lënë me poezi. Këtë ngjarje e mbajta me vete dhe pastaj e shkrova në fushën e këngës për fëmijë. Kam një këngë të bërë vite më pas kur kam ardhur këtu që e ka zanafillën në ato materiale të kohës së fëmijërisë p.sh.

Kur u ula të mendohem

Për një lodër të mendoja,

Nisa penën ta kafshoja

Më shpëtoi një pikë me bojë.

Rri mendoj e rri mendoj,

si t’ia bëj njollës me bojë.

Fletën e bëra pis 

si t’ia bëj ta fshi apo ta gris.

S’do ta fshij e s’do ta gris,

fletën që e bëra pis.

 Përditë ta shikoj

 e më mos të gaboj.

Një poezi e formuar, që përkon me vitet e hershme të rinisë ?

-Bëhet fjalë për klasë të parë gjimnaz, d.m.th, në klasë të 8-të. Unë atëherë isha prezantuar si krijues. Dhe në festivalin e fëmijëve që u bë dy vjet më vonë unë u paraqita me Aleksandër Lalon, dhe pastaj shkuam në Shkodër. Pastaj çdo varg që që kam shkruar e ka pasur fëmijërinë brenda si; shqetësimet e fëmijëve, lodrat e fëmijëve. Marrëdhëniet e fëmijëve, inatin, dashurisë e fëmijës. Edhe në rrugë kur më shikonin ndoshta thoshin se ky nuk është normal, ecja me letër përpara kur shikoja p.sh. vajza që luanin me litar unë e skicoja dhe thosha se këtë do ta bëj këngë për fëmijë.

Dhe e kam bërë. E ndjej veten shumë mirë se të gjitha lodrat e fëmijëve kanë nga një këngë, si e ka kush e ka, loja symbyllazi, një nga vajzat me litar etj. Kam një këngë që ka fituar çmim dhe këndohet edhe sot si p.sh.

Hapa dollapa 

kush është fshehur mbrapa

Hopa Albana dil se të kapa

Genci Ermira ja Beni Zamira

Ja edhe Çiljeta, të gjithë i gjeta!

Kjo është lojë dhe këndohet kur luhet ajo lojë. Prandaj është e asimilueshme dhe e bukur.

-Sa këngë për fëmijë keni shkruar?

Deri më sot unë kam shkruar mbi 600 këngë për fëmijë, ndoshta mund ta ketë kaluar pak, të cilat pothuajse të gjitha kanë çmime. Vetëm në këto vitet e fundit në festivalet e Shkodrës unë kam qenë i pari në çmim. Ka aktivitet që i kam marrë çmimet e para dhe të dyta dhe të treta bashkë. Ka pasur 1 deri në 3 dhe jo më tepër se tre, sepse nuk lejohet. Kanë qenë të kërkuara dhe unë jam detyruar t’i bëj. Kur ka njerëz që të kërkojnë, nuk i thua dot jo. Se ka prindër që fëmijën e vet ta nxjerrin sa më mirë, por atë do edhe kompozitori e që e kompozon atë tekst, por atë do edhe organizatori që e organizon festivalin që janë disa parametra që të detyrojnë të shkruash. Në jetën time unë i kam provuar të gjitha gjinitë e letrave, kam shkruar këngë për fëmijë, për të rinj, për festivale dhe këngë për të gjitha llojet e festivaleve që bëhen në Shqipëri si “Kënga magjike” etj.

-Po studimet e larta?

-Shpesh herë kur mblidhemi, se unë kam punuar në arsim dhe kam qenë drejtor shkolle dhe pastaj kam punuar në Shtëpinë e Pionierit Nr.4, dhe sa herë organizoheshim dhe kur ndaheshim pastaj thoshin se ne të letërsisë ndahemi këtej. Unë i thosha, jo, se unë kam mbarur Shkencat e Natyrës, Fizikën. Në jetën time kam dhënë Fizikë.

-Si ka mundësi që ju që ishit dhe ndiheshit që fëmijë regjisor të shkolloheni për Fizikë?

-Për nxënësit e mirë të shkollave të mesme, para se të dilte e drejta e studimit, organizoheshin olimpiada. Qe një mënyrë për të gjetur njerëz të aftë, për të gjetur nxënës të mirë, që të fitonin me meritë bursë. Atëherë unë isha nxënës i mirë dhe me prirje të jashtëzakonshme për fizikën, sensi im ishte orientuar si vrojtues i thellë i natyrës dhe saktësisë. Madje i kisha me aq shumë dëshirë sa në periudhën e gjimnazit dhe të shtatëvjeçares unë mbaja çelësat e laboratorit të fizikës dhe të kimisë. Unë luaja rolin e laborantit për profesorët etj. Unë atë që do të bëja mësim e kisha lexuar nga kurioziteti. Pjesëmarrja ime në një olimpiadë dhe fitimi i çmimit të parë i kësaj olimpiade të Fizikës që u bë në vitin 1960, kur isha maturant në shkollën “Çajupi” ku kaluam nga shkolla e “ kuqe” në shkollën “Çajupi”. Atëherë nxënësit më të mirë i merrnin shkencat e natyrës. Fillova fakultetin e Fizikës duke mos pasur qejf të dilja mësues. Kisha shumë dëshirë të studioja për inxhinieri elektrike. Më vonë nuk pata mundësi të hyja tek inxhinieria elektrike dhe vazhdova Fizikën.

-Në kohën që ju ishit shumë i lidhur me Fizikën, a nuk ishit i lidhur me mësuesin e letërsisë fare?

-Edhe me mësuesin e letërsisë kam qenë shumë i lidhur, sepse unë i doja letrat dhe leximin shumë, shkruaja shumë bukur, ku hartimet e mia lexoheshin shumë herë para klasës. Madje hartimet i shkruaja edhe në vargje. Në shkollë jam mbajtur me prirje të mira për letërsinë. Të gjitha i kam pasur brenda vetes si Letërsinë, edhe Fizikën, edhe Regjisorin, edhe Skenaristin dhe i kam bërë të gjitha këto punë. Kam punuar edhe në shtëpitë e pionierit dhe grupet artistike dhe koncertet i kam ndërtuar vetë, skenarin vetë dhe të gjitha vetë. Isha një njeri me disa duar që i bëja vetë dhe prandaj shkonin gjërat aq mirë sa nuk ishte nevoja të mblidhja të tjerët.

-Kë do të veçonit si ditën më të bukur të jetës suaj në kuadrin e krijimtarisë?

-Në kuadrin e krijimtarisë ditën më të bukur të jetës sime do të veçoja ditën kur mora pjesë në Festivalin e të rriturve dhe për herë të parë fitova çmim të tretë. Kjo u realizua në festivalin e 14-të. Kjo ka qenë një këngë me Aleksandër Lalon. Atmosfera mbas festivalit të 11-të ishte shumë e ngrirë, mungonte kuraja për të shkruar tema të lira, sepse pati edhe pasoja. Atëherë poetët nuk kishin kurajë të shkruanin tema lirike. Në atë vit unë shkrova një temë lirike. Aty thjesht ishte një temë që tregonte vetëm dashurinë dhe që nuk merrej fare as me politikë dhe as me probleme të tjera shoqërore. Këngët që kanë fituar çmime të para kanë qenë këngë të bukura, me muzikë shumë të bukur. Kënga që unë fitova dhe mora çmim të tretë titullohej “Kur jemi bashkë të dy”. Kënga ka qenë shumë muzikale e kënduar nga Liliana Kondakçi dhe Luan Zhegu. Ky çmim më dha një gëzim të madh dhe që nga ai vit asnjëherë nuk i jam ndarë festivalit.

-Atë moment kur kënga juaj mori çmim të tretë, ku ishit dhe si u ndjetë?

-Kur kënga mori çmim të tretë unë isha duke pirë kafenë me Aleksandër Lalon, me autorin e muzikës dhe në një radio që kishim, dëgjuam çmimet. Çmimi ishte një pikturë dhe jo lekë. Çmimi u paguhej 14 lekë të vjetra me 12 vargje. Në atë kohë Ministria e Kulturës ua blinte pikturat piktorëve për t’i ndihmuar ato, dhe një pjesë e tyre i shpërndante në festivale. Mbas disa vitesh pastaj kam edhe një çmim të parë, për të cilin është edhe më i bukur kujtimi. Në atë periudhë m’u dogj edhe televizori dhe për mua ishte shumë. Në atë kohë fitova çmimin dhe më dhanë një televizor SONY.

-Për ç’vit bëhet fjalë?

-Këtë çmim e fitova para 12 vjetësh, në 1996. Kam shumë çmime të para, por ky ishte çmimi i parë i madh. Festivali mbaronte, më 29 dhjetor dhe unë nuk kisha televizor për Vit të Ri. Dhe në të gjithë këtë situatë mërzitjeje del që një firmë që sponsorizoi Festivalin dha televizor.

-Ku ndjeni më shumë emocion, tek festivalet për fëmijë apo tek ata për të rritur?

Description: http://telegraf.al/wp-content/uploads/2019/06/jorgo7777.jpg

-Çdo lloj aktiviteti ka emocionet e veta që nuk krahasohen me njëri -tjetrin. Unë edhe sot e kësaj dite marr pjesë në të gjitha festivalet e të rriturve, por kënaqësinë që ma jep festivali i fëmijëve nuk ma jep asnjë festival tjetër.

-A kujtoni ndonjë emocion në festivalin e fëmijëve që mes tyre ju keni qenë I emocionuar?

-Ajo më ka ndjekur gjithë jetën. Unë çdo vit kam pjesëmarrje në festival, qoftë në atë të Tiranës qoftë edhe në atë të Shkodrës. Dhe në të gjitha rastet është bukur kur thonë që ky xhaxhi është ai që ka bërë këngën, të përqafon etj., është një kënaqësi që zgjat shumë dhe të kënaq.

-Unë kam vënë re një zbrazëti të madhe shpirtërore, unë e lidh shumë kompozimin e muzikës me tekstin. Sot këngët e Festivalit të Radio Televizionit nuk kanë tekst, pra ka përsëritje fjalësh dhe një refren me dy tri fjalë, kur teksti është ai që të mbërthen të mallëngjen.

Çfarë do të thoni ju për këto tekstet e sotme të këtyre këngëve?

-Unë nuk marr përsipër të tekste e këngëve të tjerëve. Gjithmonë çdo njeri që krijon ka sensin e krahasimit. Mund të them që ka nga të gjitha asortimentet, ka të bukura. Dhe shija e njerëzve nuk ka marrë një formim të plotë ku tenton dhe kjo ka arsyen e vet. Ne u hapëm, se ishim të mbyllur dhe kështu hynë të gjitha gjërat. Mbas kaq vjetësh po kalon ajo që ne kopjuam dhe shkunden ato të tepërtat dhe del një gjethe e gjelbër dhe e bukur. Unë them se kjo është një kohë që do të kalojë në krijimtari dhe do ta filtrojë. Unë po ndjej se tekstit po i jepet më shumë rëndësi. Një tekst i bukur duhet muzikuar bukur, kur muzika nuk thotë dot atë që thotë teksti nuk del kënga bukur.

-A është marrë ndonjëherë me politikë profesori dhe a keni ndonjë peng në jetë?

-E ndjej politikën si pjesë që duam nuk duam ne është në krye të gjithçkaje që ti do të arrish. Është e lidhur me mentalitetin që ke ti për jetën. Me dëshirat që ke. Dhe gënjen ai që thotë që nuk e ndjek politikën. Unë kam vetëm një peng në jetë, që nuk kam njohur tim atë! Babai im ka vdekur kur unë isha gjashtë muajsh!

-E shikoj që duhanin e keni pjesë të jetës, mund t’ju pyes, pse?

-Të gjithë krijuesit kanë tekat e tyre. Unë nuk filloj të shkruaj në qoftë se nuk pi duhan. Dhe gjatë gjithë kohës e mbaj në dorë qoftë edhe kur shikoj tymin. Kjo është tekë tek të gjithë krijuesit. Unë p.sh., kam e dhe një tekë tjetër, nuk mund të shkruaj në një dhomë komode . Unë marr çantën time dhe shkoj punoj në një kafe ku ka shumë zhurmë dhe, në fund, kur mbaroj krijimin , vetëm më pas gjatë kohës që përmendem them , unë kam dëgjuar këtë zhurmë këtu dhe përsëri të nesërmen shkoj atje./Gazeta Telegraf

Giûha shqype

Poezi nga Ndre Mjeda

Permbî za qi lshon bylbyli,

Giûha shqipe m’shungullon

Permbi érë qi nep zymyli,

Pá dá zêmren m’a ngushllon.

Nder kómbë tjerë, ndër dhéna tjera,

Kû e shkoj jetën tesh sa mot,

Veç për ty m’rreh zêmra e mjera

E prej mállit derdhi lot.

Njikto giuhë qi jam tui ndie,

Janë të bukra me themel;

Por prep këjo, si diell pa hije,

Për mue t’tanave iu del.

Edhé zogu kerkon lisin

Mbî shpi t’artë ku rri me mbret;

E shtetgtari dishron fisin

Permbî vênd qi s’asht i vet.

O Shqypnî e mjerë Shqypnija,

Plot me burra e trima plot

Ti’j dit’ ishe ; por lumnija

Qi ké pasun nuk â sot.

Nen njat tokë qi ta shklet kâmba

Zân e t’moçmeve veshtò:

Per bij t’tashem, porsi e ama

E t’koritunve, gjimò.

Nâm e zâ, qi kishe, t’treti,

E veç turpi e mârrja t’mbëloj;

Per lumni veç kóre t’mbeti

Qysh se fara e mirë mbaroj.

Majlinda Kelmendi mposhti xhudisten ruse, fiton medaljen e artë

Driton Kuka duket se i është gëzuar shumë suksesit të Majlinda Kelmendit dhe Nora Gjakovës në Minks të Bjellorusisë.

Kosova ka fituar një medalje të artë dhe një të argjendtë në xhudo në Lojërat e dyta Evropiane, e që padyshim se është një moment historik.

Kelmendi u stolis me medaljen e artë, pasi në finale mposhti xhudisten ruse, Natalia Kuziutina, ndërsa Gjakova fitoi të argjendtën në përballjen ndaj Daria Mezhetskaia.

Trajneri Kuka ka postuar një fotografi në rrjetet sociale, ku shihet së bashku me kryetarin e Federatës së Xhudos, Agron Kuka dhe dy xhudistët tona.

 “Trepça prodhon ari edhe argjend! Majlinda e artë. Nora e argjendtë. Lojërat Olimpike Evropiane 🥇🇽🇰. Kosova mbi të gjitha …”, ka shkruar ai në Facebook e Instagram.

Kjo është medalja e parë e artë në histori të Kosovës në dy pjesëmarrjet në Lojërat Evropiane, ndërsa për Majlindën është titulli i katërt. /Telegrafi/

Mbjellja e pemëve kursen në shpenzimet për energjinë

Një kompani që furnizon me energji elektrike zonën e Uashingtonit u ka dhënë falas një mijë pemë banorëve me qëllim kursimin e energjisë. Pepco është një prej dhjetëra kompanive në Amerikë që bashkëpunon me Fondacionin Arbor Day për të realizuar këtë plan. Ndërsa qëllimi kryesor është kursimi i energjisë, zyrtarët thonë se pemët sjellin përfitime të ndryshme për banorët dhe lagjet ku jetojnë ata. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Faiza Emasry sjell më shumë hollësi nga qyteti Hyattsville i shtetit Meriland.

Anka Meyer është e dhënë pas kopshtarisë dhe kryesisht mbjelljes së pemëve në oborrin e shtëpisë.

“Tani do të lulëzojnë, pastaj do të gjelbërojnë dhe në vjeshtë gjethet do të ndryshojnë ngjyrën. Pemët sjellin lumturi”, thotë ajo.

Pemët po ashtu përmirësojnë cilësinë e ajrit dhe ulin nxehtësinë gjatë verës.

“Pemët kanë ndikim të madh tek klima përreth shtëpisë dhe po ashtu në kursimin e energjisë. Kryesisht nëse lëshojnë hije nga ana jugore dhe perëndimore”, thotë ajo.

Zonja Meyer po merr pjesë për të dytin vit radhazi në programin “Energy-Saving Trees”.

Këtë vit, ajo mori falas pemën “Dogwood” nga programi i drejtuar nga kompania energjitike Pepco dhe Fondacioni Arbor Day, që është një organizatë jofitimprurëse.

“Këto pemë i përkasin rajonit tonë dhe nuk rriten në temperatura të ftohta. Janë pemë të bukura”, thotë zonja Meyer.

Vitin e kaluar ajo mbolli një panjë të kuqe.

“Është viti i dytë dhe pema është rritur mirë, është zgjatur sa unë.”

Gjatë dimrit pema i pret erërat dhe në verë krijon hije, duke ndihmuar pronarët e shtëpive të kursejnë energji dhe para.

Kristen Bousquet është menaxhere e programit me Fondacionin Arbor Day.

“Pemët në oborr e rrisin vlerën e pronës. Ne themi se mbjellja e pemëve e rrit deri në 18 përqind vlerën e pronës”, thotë zonja Bousquet.

Fondacioni Arbor Day mendon se programi për mbjelljen e pemëve do të zgjerohet.

“Fondacioni Arbor Day sapo filloi nismën me partnerët tanë … të quajtur Nisma e Kohës për Pemët. Përmes kësaj nisme do të mbillen 100 milion pemë dhe nxisim mbjelljen e 5 milion pemëve në mbarë globin”, thotë ajo.

Sipas zëdhënëses së kompanisë Pepco, Christina Harper, programi në zonën e Uashingtonit është bërë edhe më popullor gjatë tetë viteve të fundit.

“Një pemë e mbjellë siç duhet mund të kursejë për pronarët e shtëpive nga 15 deri 30 përqind në shpenzimet e tyre për ngrohjen dhe ftohjen. Në faqen e internetit të Fondacionit Arbor Day jepen detaje për mbjelljen e pemëve”, thotë zonja Harper.

E apasionuara pas natyrës, Anka Meyer, inkurajon edhe të tjerët që të marrin pjesë në program dhe të mbjellin pemë.

“Zgjidhni pemët që rriten më së miri dhe përshtaten me zonën tuaj. Zgjidhni një vend të mirë për ta mbjellur jo shumë afër shtëpisë”, thotë zonja Meyer.

Ky është ndikimi që organizatorët e programit shpresojnë të kenë, të nxisin sa më shumë njerëz në mbarë botë për të mbjellë pemë.

AJO publikon këngën ‘Besa’ (VIDEO)

BESA do të publikohet me 28 qershor dhe është punuar nga emra të njohur dhe respektuar në industrinë e muzikës në Angli.

Kënga është shkruar dhe komponuar nga Vjollca Robelli Mripa dhe miksi i saj është bërë nga Andrew Phillips, i cili është kompozitor i nominuar për Oscar dhe Emmy. Master i këngës është bërë nga Max Gilkes, pjesë e 1Sonic Production Studio, të nominuar për Grammy dhe Mercury.

“Besa është zakon i ruajtur me shekuj ndër shqiptarë. Kjo kangë na përkujton vetitë e mira si popull që kemi ose të pakten që kemi pas. Mikpritja është një nga tiparet që na dallon nga popujt tjerë dhe me këtë kangë dua që të bëjë thirrje që të mos e harrojmë atë, të këndojmë, vallzojmë e t’i festojmë të mirat tona. Shpresoj që me këtë kangë të sjell gëzim tek ju”, ka thënë AJO për KultPlus.

AJO po sjell tek publiku këngën e parë nga EP album i saj, i cili pritet të publikohet së shpejti.

Pse meshkujt i duan femrat?

Paulo Coelho

Ne meshkujt i duam femrat, sepse ato ndihen adoleshente edhe pasi moshohen; sepse ato buzëqeshin sa herë u kalon afër një fëmijë i vogël; sepse kur ecin rrugës, e mbajnë shikimin drejt duke mos ia kthyer komplimentat apo buzëqeshjet një mashkulli që i ngacmon; sepse ato nuk ankohen për gjithë sakrificat që bëjnë për t’u dukur bukur, që nga qëndrimet në parukeri e deri tek lodhjet në palestër për të pasur një trup të bukur.

Ne i duam femrat, sepse nëse ato duan të dinë se si duken, pyesin femrat e tjera rreth tyre për të mos na bezdisur neve me pyetje të tilla; sepse ato kanë mënyrën e tyre të të zgjidhurit të problemeve që ne nuk kemi për ta kuptuar kurrë dhe kjo na tendos nervat; sepse ato nuk e kanë zakon të ankohen edhe për gjërat e vogla që ne meshkujt i kemi të parat në ankesat tona, si ftohja, apo dhimbjet e lodhjet.

Në i duam ato, sepse ato guxojnë të shkojnë në punë të veshura edhe si meshkuj, ndërkohë që ne nuk shkojmë kurrsesi në punë të veshur si femrat. I duam sepse ato përherë e gjejnë një defekt që ne nuk e vëmë re tek femrat që i lavdërojmë si të bukura, duke na bërë neve të pasigurtë për shijet tona.

Meshkujt i duan femrat, sepse ato nuk e vrasin shumë mendjen t’i bëjnë përshtypje një mashkulli, nëse ndihen mjaftueshëm në rregull me veten e tyre. Ne i duam ato, sepse kemi lindur prej tyre dhe jeta vazhdon prej tyre.

Gazeta franceze: Zakonet e popullit shqiptar mbi përdorimin e armëve, mikpritja dhe respekti ndaj gruas

Nga Aurenc Bebja

Gazeta franceze, “Le Radical”, ka botuar, të enjten e 8 gushtit 1912, në faqen n°3, shkrimin e medias britanike, “Morning Post”, mbi traditat dhe zakonet shqiptare, në të cilin hasim trajtimin e temave të ndryshme si përdorimi i armëve, mikpritja, respekti për gruan apo rritja (edukimi) i fëmijëve.

Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip.

Zakonet shqiptare

“Londër, 7 gusht. – Morning Post jep, në vijim, detaje interesante mbi traditat dhe zakonet e popullit shqiptar :Nuk ka asgjë moderne te shqiptarët përveç armëve të tyre, të cilat janë të shkëlqyera sepse në këtë fushë ata janë njohës të vërtetë. Ceremonia vjetore e bekimit të pushkëve, në fisin e mirditorëve, është shumë mbresëlënëse. Një fis shqiptar drejtohet në mënyrë arbitrare nga një udhëheqës, i cili ka të drejtën të vendosë për jetën dhe vdekjen e anëtarëve të këtij fisi.Frika është një ves i panjohur te shqiptarët sepse, që nga lindja, ata kanë jetuar në një atmosferë luftimi dhe përleshjet e tyre me fqinjët janë më të shpeshta se ndeshjet e futbollit në Angli.Ushqimi i tyre është shumë i thjeshtë. Ata janë shumë mikpritës.Burrat, në përgjithësi, janë të mëdhenj, dhe sytë e tyre janë jashtëzakonisht të gjallë ; gratë, me një karakter më të butë, kanë një shprehje të thellë ; durimi dhe butësia e nënës shqiptare për fëmijët e saj nuk mund të tejkalohet.Ajo nuk keqtrajtohet, sepse personi i saj është i shenjtë për gjininë dominuese. Shqipëtari e shfryn zemërimin e tij mbi armikun dhe nëse harron e godet një grua, ai do të dëbohet nga fisi.Për një fjalë përbuzëse apo një poshtërim disi të dhunshëm, ai duhet të japë llogari përpara pleqve, dhe nëse familja e gruas e merr vesh, kjo mund t’i kushtojë jetën.Nëna shqiptare zbaton të njëjtin kujdes, me të cilin është rritur, për fëmijët e saj. Goditja e një fëmije konsiderohet një mëkat monstruoz, dhe mohimi i diçkaje, derisa ai të arrijë moshën e arsyes, nuk shihet me sy të mirë.Ky trajtim njerëzor nuk duket se e llaston (përkëdhel) të riun shqiptar. Ai rrallëherë bërtet, dhe kërkesat e tij janë të thjeshta.

Beteja e tij e parë është dita e madhe që ai pret dhe për të cilën përgatitet sa më shpejt që të jetë i aftë të mbajë një pushkë.”

Filmat shqiptarë që korrën sukses në të gjithë botën

“I Dashur Armik”, “Syri Magjik”, “Mao Ce Dun”, “Shqiptari”, janë këto disa nga filmat e pas viteve 2000 që kanë fituar çmime në festivalet ndërkombëtare të filmit. Por, për të arritur deri këtu, në një kohë kur çdo regjizor mund të bëhet pjesë e një festivali ndërkombëtar, është ndjekur një rrugë e gjatë e që me lehtësi mund të ndahet në kinematografinë shqiptare para viteve ’90 dhe kinemaja e pas viteve ’90.

Në vitet e komunizmit, në kohën kur çdo gjë kalonte në filtrat e partisë-shtet, nuk ishte dhe aq e lehtë të realizoje një film dhe mbi të gjitha ta paraqisje atë në aktivitete ndërkombëtare. Ja çfarë na tregon kineasti Artan Minarolli për atë periudhë.

“Për të paraqitur një film në një festival të caktuar, kjo i nënshtrohej mbledhjeve dhe vendimeve të pafundme. Kinemaja para vteve ’90 ishte kinema lokale ku filmi ishte domestik dhe për interesa lokale. Imazhi i Shqipërisë duhej të paraqitej i shkëlqyer, personazhi kryesor ishte gjithmonë pozitiv, me ide komuniste dhe moral të lartë. Në fund duhej të dilte gjithmonë fitimtar dhe për gabimet e vogla të shoqërisë ai duhej t’i ndërgjegjësonte dhe t’i bënte edhe ata si veten”, shprehet Minarolli.

Pavarësisht këtyre kritereve, filmi shqiptar mund të paraqitej rrallëherë në sektore të veçanta të festivaleve jashtë vendit. Siç na thotë një nga kineastët, pas viteve ’80 ka shkuar në një festival, por i shoqëruar nga 2 persona të tjerë që nuk kishin asnjë lidhje me filmin dhe kinemanë.

E megjithatë, egzistojnë disa filma që në dhjetëvjecarin e fundit të sistemit “bunker” kanë marrë disa çmime. Kështu përpiqet të sjellë në mendje disa prej tyre, regjizori Eno Milkani: “Xhanfise Keko, kryesisht regjizore e filmave për fëmijë, por jo vetëm, në 1978 ka fituar çmim në festivalin e filmit Giffoni me “Beni Ecën Vetë”, po kështu edhe “Gjurma” e më pas “Kur po Xhirohej Një Film”.

Numërohen me gishta filmat e parademokracisë që kanë arritur të fitojnë një çmim ndërkombëtar. Në këtë listë mund të përmendim edhe filmin e heroit tonë kombëtar “Skënderbeu”, i cili është një prodhim ruso-shqiptar. Ky realizim ka fituar çmimin në Kanë. Sot po mendohet për një “restaurim” të këtij filmi për ta sjellë sa më afër Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Sot, jemi në një tjetër kohë kur filmat shqiptarë prej disa vitesh konkurojnë denjësisht në aktivitetet ndërkombëtare duke rrëmbyer edhe çmime prestigjoze. Kjo epokë e re fillon më filmin “Parullat” nga regjizori Gjergj Xhuvani e për të vazhduar më pas me “Nata pa hënë”, “Trishtimi i zonjës Shnajder”, “Tirana viti 0”, “Gjallë”. Dhe më i fundit është filmi “Amnistia” nga Bujar Alimani.

“Kinemaja shqiptare nuk është një kinema sot, është gjithëpërfshirëse, është universale, duhet të ketë një mesazh të kuptueshëm, shkurt, duhet të jetë një film me një mesazh për qytetarin botëror”, përfundon Artan Minarolli.

Hapet panairi i veshjeve tradicionale

Panairi është hapur në ora 10:00

Sot në Prizren me organizim të Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik të kësaj komune, organizohet Panairi i veshjeve tradicionale.

Ky panair do të hapet në ora 10:00 në sheshin Shatërvan, përballë xhamisë së Sinan Pashës. Dhjetëra biznese artizanale pritet të të ekspozojnë punën e tyre apo veshjet tradicionale kombëtare të trojeve shqiptare.


Mexhit Premçi: Në skicat për varfërinë të Musine Kokalarit, ndihet protesta aktuale

Në skicat për varfërinë, aktuale dhe sot, të Musine Kokalarit ndjehet protesta dhe mospajtimi me të keqen, Lasgush Poradeci: Musine Kokalari hyn në thellësi drejtpërdrejt në thelbin psikologjik.

NGA MEXHIT PRENCI

1

Skica letrare e Musine Kokalarit është formësuar si nja strukturë e shkurtër e prozës, që rrok esencën e një dukurie, ngjarjeje, episodi, situate apo problemi. Stili i mprehtë, dinamik dhe ekspresiv shpreh domethënien ideoartistike të skicës, atë koncentrat mendimi dhe ndjenje që i transmetohen lexuesit. Teksti formësohet si një strukturë koncize, ekspresive, pa përshkrime e rrëfime të thata e të gjata.

2.

Sipas meje kriteri më i mirë konstruktiv dhe modern i gjykimit të një vepre letrare, është ai që ka në bazë analizën e tekstit.. Aplikimi i kritikës tekstore është kahja e duhur e kritiku apo studiuesit, që e vlerëson veprën nëpërmjet analizës konkrete: çfarë del prej asaj që është shkruar në libër çka sfidohen faktorët jashtë letrarë ideologjik dhe politik Mendoj se kjo qasje kritike është konstruktive në përcaktimin e vlerave të larta, mesatare apo minivlerave dhe jovlerave. të një vepre artistike; prozë, poezi, dramë apo komedi.

3

Që në leximin e parë të tekstit të librit “T’isha një lule“ kritiku profesionist, percepton dhe shquan profilin i shkrimtares, eseistes dhe intelektuales Musine Kokalari, si një zë i veçantë në letërsinë e viteve ’30, ku elemente të realizmit kritik, artistikë dhe estetikë, ndërthuren me elemente publicistikë dhe të eseistikës filozofike. Proza e shkurtër e Kokalarit, e formësuar si skicë letrare, u jep përparësi elementeve artistikë dhe estetikë në procesin e krijimit, në raport elementët publicistikë e filozofike

4

Në çdo krijim të saj, siç del prej tekstit, lexohet shkrimtarja e shqetësuar për: Njeriun, realitetin, kohën fundviteve 1930, ku varfëria dhe mjerimi ishin refren i ditës, siç shkruante Migjeni, ku nuk shihej dritë gjëkundi, ku shpresa ishte arratisur. Ky ishte shqetësimi i shkrimtares dhe qytetares, që përbëjnë thelbin e krijimtarisë që përfshihet në librin “T’isha një lule “.

5

Kritika ndaj këtij realiteti prej shkrimtares Kokalari, është e fuqishme, me kulturë dhe art, ku idetë filozofike mishërohen artistikisht ashtu si idetë patriotike, ekzistenciale, emancipuese, për të ndezur zemrat dhe ndërgjegjësuar shoqërinë që të kuptojë se vetëm lufta, në radhë të parë me veten, pastaj me të tjerët, është promotor i lëvizjeve dhe progresit.

6

Për vitet 1930 kur u shkruan skicat letrare me elemente eseistike dhe e filozofike të saj, qëndrimi kritik i shkrimtares ndaj realitetit është konstruktiv dhe vizionar, për ta ndryshuar atë. Nga tekstit me e shtresa e nënshtresa semantike, burojnë kumtet për diçka më të mirë, më progresiste, për mirëqenien e njerëzve, për ndryshimin e jetës patriarkale e kanunore. Kjo veçori ideore dhe stilistikore është një vlerë cilësore, e skicave të Musine Kokalari..

7

Prej tekstit letrar të kësaj proze, shquaj edhe personalitetin e saj në rrafshin shoqëror, etiko-moral, politik, ku figura e shkrimtares ridimensionohet si një luftëtare e emancipimit të shoqërisë në tërësi dhe sidomos të gruas në veçanti. Kjo shprehet nëpërmjet qëndrimit kritik të autores ndaj realitetit, siç e theksova më sipër ku shkrimtarja Kokalari, eseistja Kokalari, publicistja Kokalari dhe intelektualja Kokalari, përbëjnë një unitet, një tërësi, që formësojnë personalitetin e saj të spikatur, një personalitete e shquar që lufton për fatet e njeriut dhe të shoqërisë shqiptare.

8

Krijimet e përfshira në librin “T’isha një lule”, ngërthejnë tema e nëntema të larmishme, ku ndër më kryesoret do të veçoja: temën e varfërisë dhe të mjerimit, temën e luftës kundër patriarkalizmit dhe kundër zakoneve të egra e primitive, temën e vetmisë, të dëshpërimit dhe të humbjes së shpresës; temën e imigrimit dhe të humanizmit, të dashurisë njerëzore dhe të urrejtjes ndaj shkaktarëve të mjerimit. Ashtu si Migjeni te “Poema e mjerimit” edhe Kokalari e vë theksin te plagët e shoqërisë shqiptare në vitet ’30. Në këto tema, qëndrimi kritik i autores, i jep prozës së saj tiparet e një realizmi kritik në zhvillim.

9

Një tjetër veçori që barabitet me vlerat më të mira artistike dhe estetike, janë mesazhet e larmishme, të rëndësishme, të fuqishme, mesazhe që kumtojnë zgjimin e njeriut, ndjenjën e zjarrit të brendshëm, që siç thotë Niçja: “ … i them po çdogjëje që jep forcë, grumbullon forcë, justifikon ndjenjën e forcës”

Ja, disa prej kumteve më të rëndësishme:

Nga skica “Në jetë” sipas formulimit tim:” Që ta përballosh jetën, duhet të kuptosh se jeta është luftë & që të fitosh duhet të guxosh. Ndërsa nga skica “Kolla e vdekjes “ përcillet  akuza ndaj shoqërisë dhe gjithkujt që braktis njeriun e mjeruar.

10

Në skicat për varfërinë që përfshihen në këtë libër, ndjehet protesta dhe mospajtimi me të keqen. Diku thellë në nënshtresat polisemike të teksteve burojnë edhe kumtet që shprehin mesazhe për më të mirën dhe të bukurën, të cilat nuk janë në sipërfaqe. Po kështu edhe në skicën: “Kur sundon zakoni “ dhe në ato të emancipimit të femrës në tërësi, ku paraqitet jo vetëm gruaja e nënshtruar: skllave në shtëpinë e prindërve, skllave në shtëpinë e burrit, skllave në jetën shoqërore dhe në punë, por mbahet edhe qëndrim kritikk duke stigmatizuar realiteti të shëmtuar të kohës, sa shkaktarët të urrehen e në ë njejtën kohë, të ndezësh fitilët e zjarrit të brendëshëm, për të kërkuar më shumë liri, më shumë dinjitet, më shumë emancipim.

11

Skica që mban edhe titullin e librit “T’isha një lule”,

siç konstaton edhe kritiku Ramadan Musliu, shpreh thelbin e unit krijues të Musine Kokalarit, shpreh atë filozofi njerëzore që kumton dashuri dhe lumturi për njeriun. Autorja do, të ishte lule, që t’u jepte kënaqësi të dashuruarve, fëmijëve, të varfërve; do të ishte lule që aroma e saj të shpërndahej anekand, të mbushte me aromë, mjediset, hapsirat, ajrin; madje do të ishte lule që të mbinte edhe përmbi varre. Kjo ishte edhe kredoja e shkrimtares.

12

Pas analizës së tekstit të librit ”T’isha një lule“, komkluddoj se shkrimtarja Musine Kokalari, është një zë i veçantë në letërsinë e viteve ’30, si në rrafshin letrar ashtu edhe atë eseistik dhe publicistik, çka e dëshmojnë edhe vlerësimet mbi krijimtarinë më të  gjërë të saj nga disa personalitete:

LASGUSH PORADECI: “Musine Kokalari hyn në thellësi drejtpërdrejt në thelbin psikologjik. Menjëherë ajo bashkëjeton me ato që na rrëfen (artistikisht MP)

ANGELO LEOTTI: “Kam lexuar, rilexuar dhe vazhdoj të lexoj librin tuaj të mrekullueshëm Siç më thotë nëna plakë. “Është shkruar me të vërtetë mirë dhe ju paraqes përgëzimet e mia të gjalla”.

SOTIR KOLEA: (Nga një korrespondencë)

“Pjesa, “Sa u tund jeta” që më çuat, – m’u rrëmbye duarsh që ditën që erdhi dhe mbeti nëpër duar të botës për një muaj. M’u kthye tashti vonë, të gjithë e prisnin si ujë të pakët; kush e këndoi dy herë, kush tri a katër herë, duke shtënë shkak se ua këndonte miqve e mikeshave”.

13

Ashtu si disa personalitete të talentuar në rrafshin e letrave, që e patën jetën të shkurtër e veprën të pakët dhe erdhën në letërsi si elitarë, edhe Musine Kokalari e tillë ka hyrë në pallatin e lavdisë së letrave, me individualitetin dhe personalitetin e saj, në brezin e shkrimtarëve të viteve ’30.

Vepra e saj duhet të studiohet, të vlerësohet dhe rivlerësohet nga njerëzit me dije dhe me shije dhe të gjejë vendin që meriton, në tekste, antologji dhe historinë e letërsisë shqipe.

Rrugëve

Fragment nga skica

“Shëtita gjatë për të mësuar, vështrova çdo vend për të kuptuar. Takova të marrë, me habi më vështruan, iu lashë rrugën dhe shkuan. Takova të mençur, mësova ato që nuk dinja. Takova të pasur, më qeshnë, më dëbuan, më tringëllinë xhepet dhe me frikë m’u larguan. Takova të varfër, më përqafuan, më rrethuan. U bëmë shokë të pa ndarë…  Një gjë na bashkonte, një këngë varfërie në zemër na tingëllonte. Shetita gjatë që të qeshnja, vështrova çdo vend që të mallkonja. Vizitova anembanë. Vura re kudo. Pashë të ligun që quhej i mirë, pashë gënjeshtarin që kishte të drejtë, pashë katilin që nuk i skuqesh faqja. Qesha se ky ishte brumi i shoqërisë.

Shetita rrugëve, ashtu i mjerë nga xhepi, i pastër nga shpirti. Këmbët u lodhën, mendja gjithashtu. Më zuri gjumi në këndin e një rruge, ndënë strehën e një shtëpije të varfër dhe…. për pak kohë harrova çdo gjë…”

“Ditët e Shkollës Shqipe”, tryezë diskutimi në Zvicër

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Zvicër, Ilir Gjoni mori pjesë në aktivitetin “Ditët e Shkollës Shqipe”, organizuar me nismën e kryetarëve të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) të kantonit të Argaut dhe atij të St. Gallen, respektivisht Riza Dema e Vaxhid Sejdiu.

Seria e aktiviteteve nisi dje me tryezën kushtuar organizimit të shkollës shqipe me temë “Si ta bëjmë shkollën shqipe më mirë”.

Të pranishmit në këtë aktivitet evidentuan problematikat, ofruan mendime e sugjerime si të përmirësohet situata e mësimdhënies së gjuhës shqipe, nënvizuan nevojën e masivizimit të pjesëmarrjes dhe ndërgjegjësimit për domosdoshmërinë e nxitjes së fëmijëve e prindërve për nevojën e arsimimit në gjuhën e kulturën shqipe, si dhe u bënë apel institucioneve shtetërore të jenë me konkretë e të pranishëm në mbështetje të procesit të mësimit të gjuhës shqipe.

Konkluzionet dhe sugjerimet e kësaj tryeze do t’i përcillen Konferencës së 15-të të Arsimit në Diasporë që do të zhvillohet në Kosovë në 1-3 gusht 2019 në bashkëpunim mes dy ministrive të Arsimit të Shqipërisë e Kosovës dhe mësimdhënësve nga diaspora.

Në këtë aktivitet, i cili u zhvillua në Spreitenbach, ishin të ftuar edhe prof. dr. Zymet Neziri, prof. dr. Teki Kurti, prof. dr. Frashër Demaj.

Në pamundësi financiare nuk këndojnë dot “Miqtë e Muzikës” në Shkodër

Në Ditën Ndërkombëtare të Muzikës, të rinjtë dhe të rejat e shoqatës kulturore “ Miqtë e Muzikës”, “Rozafa Expression” në Shkodër nuk mundën të këndojnë.

Pas 20 vitesh, ata janë detyruar që të ndërpresin aktivitetin e tyre artistik për shkak të një detyrimi financiar. Në këto vite gjithçka është bërë vullnetarisht e madje edhe ambjenti i është dhuruar shoqatës thotë drejtuesi dhe dirigjenti Zef Çoba.

Këtë vit shoqata do të festonte edhe 20 vjetorin e krijimit prandaj, kishte planifikuar qe per herë të parë në Shqipëri të organizonte Festivalin Ballkanik Koral.
Ata kanë kërkuar edhe ndihmën e bashkisë së Shkodrës dhe krye bashkiakes Voltana Ademi, por kanë marrë këtë përgjigje.

Në këto vite “Miqtë e Muzikës”, “Rozafa Expression” ka marrë pjesë në mbi 30 aktivitete ndërkombëtare në të gjithë Europën.

“Apartamenti në katin e katërt” i Charles Casha në shqip

Me një galeri komplekse personazhesh dhe botë të pasur psikologjike, shkrimtari Charles Casha jep përmes veprës së tij një thirrje për reflektim shoqëror. I lindur në Marsa në vitin 1943, Charles u arsimua në Lyceum dhe pas përfundimit të një kursi 2-vjeçar në kolegjin “St. Michael”, u diplomua si mësues në vitin 1965.

Më 1982 Universiteti i Maltës i dha një certifikatë vlerësimi mbi Teknikat bazë të punës në bibliotekë dhe tre vjet më vonë (1985) një diplomë në Studimin e gjuhës malteze. Por kontributi i tij ishte edhe më i gjerë. Për shumë vjet ai ishte anëtar aktiv në organizata të ndryshme rinore të tilla, si: Këshilli Rinor Konsultativ i Maltës dhe Rrethi Rinor Shëtitës.

Në të njëjtën kohë, e gjejmë të përfshirë në projekte të ndryshme pune vullnetare në Kalabri dhe Maltë, si pjesë e Trupës së Shërbimit Vullnetar (Maltë). Po ashtu, ai dha kontributin e tij edhe në organizata e lëvizje letrare, siç ishte Moviment Qawmien Letterarju (Lëvizja për promovimin e letërsisë).

Përgjatë viteve Casha është vlerësuar me një sërë çmimesh. Në vitin 2007 këshilli lokal i Marsës i akordoi çmimin Gieh il-Marsa dhe në vitin 2013 këshilli lokal i Zabbar-it e nderoi me çmimin Hieh Haż-Żabbar. Po ashtu në vitin 2012 u vlerësua me Midalja Ghall-Qadi tar-Repubblika (Medalje për shërbimin ndaj Republikës) me motivacionin shërbim i dalluar ndaj Maltës si shkrimtar.

Aktualisht ai është anëtar i L-Akkademja tal-Malti (Akademisë Malteze) dhe për nëntë vjet ka dhënë një kontribut të çmuar edhe në Kunsill Nazzjonali tal-Ktieb (Këshillin Kombëtar të Librit). Libri i tij Il-Klabb – L-Ghaxar Anniversarju, kryesisht për adoleshentë, fitoi çmimin e letërsisë për fëmijë në vitin 1998. Tre vjet më vonë (2001) iu dha i njëjti çmim, këtë radhë për librin Gummienu.

Por autori është jo pak i njohur edhe në lëmin ndërkombëtar. Në tetor 2012 përfaqësoi Maltën në Festivalin e Letërsisë Tanpinar në Stamboll dhe tregimi i tij Il-Fjura tat-Tlitt Ilëien (Lulja trengjyrëshe) u botua në anglisht dhe turqisht në dy antologjitë Șehir Ve Korku (Qyteti dhe frika). Po ashtu, një përzgjedhje nga romani L-Appartament fir-Raba’ Sular (Apartamenti në katin e katërt) u botua në anglisht në antologjinë Përtej detit të mëndafsh në vitin 2016.

Një version anglisht i librit është botuar nga shtëpia botuese “Midsea Books”. Vlen të përmendet edhe fakti që Casha ishte autori i parë maltez që ka kontribuar në Bibliotekën Digjitale Ndërkombëtare për Fëmijë me librin Pandolino/ Galatea. Rrugëtimi i tij drejt suksesit nisi në vitin 1960, kur ishte ende student. Ai njihet kryesisht si autor i librave për fëmijë, por jo vetëm. Casha ka shkruar edhe tregime e romane për të rritur, ndër të cilët është edhe Apartamenti në katin e katërt.

Ky roman, i cili konsiderohet si një nga librat e tij më të mirë, është vlerësuar me çmimin e dytë në Konkursin Kombëtar të Letërsisë në vitin 2005. Aty Casha eksploron personazhe dhe situata të marra nga jeta e përditshme, duke i përshkruar me ngjyra kaq realiste, saqë lexuesi bëhet kurioz të mësojë më shumë. Tema kryesore që përshkon gjithë romanin lidhet me idenë që koha dhe hapësira janë ato që mbrujnë dhe formësojnë fatin e personazheve. Koncepti që të gjithë jemi viktima të njëri-tjetrit spikat dukshëm në roman.

Historia e secilit prej personazheve është mjaft e goditur dhe e përshkruar me shumë dashuri, sikur të ishin pjesë e një tabloje ku secili përballet me vështirësitë e jetës në mënyra të ndryshme, aq sa edhe vetë lexuesi arrin ta gjejë veten aty. Një tjetër temë është edhe ajo e dashurisë për nënën, e cila jepet me një freski që gati-gati të prek.

Epilogu i qëndron besnik rrjedhës së ngjarjeve që, në thelb, përshkruajnë një dramë të pastër njerëzore. Samueli, personazhi kryesor, duket se ka dështuar të integrohet e të bëhet pjesë e shoqërisë. Portreti i tij na serviret në mënyrë mjaft bindëse. Diçka e lënë përgjysmë vite më parë është makthi me të cilin duhet të përballet tani. I gjendur vetëm dhe pa një sup ku mund të mbështetet, i mbetet të çajë përpara krejt i vetëm dhe të mundohet të jetojë në botën reale dhe jo në botën imagjinare të njerëzve që i thërret në emër. Herë pas here vërehen pikëtakime me diçka që shkon përtej jetës, pikëpyetje mbi atë që ndodhet përtej varrit ku vendosen lule çdo muaj.

E vërteta mund të jetë e dhimbshme dhe e vështirë për t’u pranuar, por rrugëtimi drejt saj është mënyra e vetme për të mësuar më shumë. Në fund shikojmë që Samueli zgjedh të jetojë në apartamentin e katit të katërt si një formë shpagimi. Sidoqoftë, i mbetet lexuesit të thellohet mbi arsyet që e shtyjnë të marrë këtë vendim, duke e shndërruar kësisoj këtë roman në një thriller të vërtetë psikologjik që të tërheq deri në fund.

“Verë dhe portokalle”, spektakli i humorit shkon në Bulqizë

Aktorët e humorit zgjodhën Bulqizën, si destinacionin e radhës.

Mes duartrokitjeve dhe larg tensioneve politike, qytetarët e Bulqizës mbushën pedonalen e qytetit, teksa shijuan një spektakël që u mungon prej shumë kohësh banorëve.

Banorët shijuan për më shumë se dy orë spektaklin dhe në jo pak raste shoqëruan aktorët në batutat e roleve të tyre.

Të gjithë protagonistët e spektaklit shijuan duartrokitjet dhe vlerësuan mikpritjen.