Shkolla fillore “Dëshmorët e Kombit” në fshatin Shqiponjë, në komunën e Gjakovës, po mahnitë të gjithë me rregullimin dhe mirëmbajtjen që ka, shkruan KultPlus.
Ajo çka ka tërhequr më së shumti vëmendjen është oborri i shkollës i cili është i gjithi në gjelbërim dhe me lule.
Kjo pamje fantastike e kësaj shkolle po bën që kjo shkollë të cilësohet më e mira në Kosovë, e madje të krahasohet edhe me shkollat zvicerane. Por, lëvdata të shumtë kanë marr edhe nxënësit e kësaj shkollë për kujdesin e treguar ndaj mirëmbajtjes së ambientit ku shkollohen.
Në
oborrin e shkollës janë vendosur edhe thënie të ndryshme për ambientin, si
mesazh për fëmijët që ambienti duhet të ruhet e mbrohet .
Më poshtë po ju sjellim disa fotografi nga pamja e kësaj shkollë. / KultPlus.com
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se pas paraqitjes së fotografisë nga deputetja, Flora Brovina, është hapur hetimi bazuar në pohimin e saj se kjo fotografi dëshmon dhunimin e një gruaje nga ushtarët serbë gjatë luftës në Kosovë.
Përmes një komunikate për media, thuhet se fotografia në fjalë është dërguar për ekspertizë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, e cila ka konstatuar se fotografia e paraqitur nga deputetja, Flora Brovina, është e printuar në format A4 kolor dhe nuk ka asnjë të dhënë, e cila kishte mundësuar hulumtimin e origjinës së fotografisë dhe nuk ka asnjë shenjë nga është printuar.
“Kjo fotografi është krahasuar me një fotografi tjetër të siguruar nga interneti dhe u konstatua se në të dy fotografit është paraqitur ngjarja e njëjtë”, thuhet në komunikatë.
Bazuar në të dhënat nga ekspertiza dhe provat tjera të nxjerra gjatë hetimit, Prokuroria Speciale e Republikës e Kosovës ka konkluduar se ngjarja nga fotografia e paraqitur nga deputetja Brovina, është nxjerr nga interneti dhe nuk ka të bëjë me ndonjë rast të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Me recitimin e vargjeve të Sevasti Qiriazit nga Safete Rugova, u bë hapja e edicionit të 21 të Panairit të Librit në Prishtinë, ku organizatori Edon Zeneli, përfaqësuesi i shtëpive të botuesve të Kosovës u shpreh se, me gjithë sfidat e panumërta, lexuesi është i vetëdijshëm dhe më i pranishëm se kurrë.
Duke kërkuar përkrahjen nga personat me ndikim,
institucionet publike, u kërkua që të veprohet për Bibliotekat në vendin tonë,
që janë në gjendje letargjie e krijuar, ku rrjedhimisht lexuesi nuk është i
pranishëm, u shpreh përfaqësuesi i Shoqatës së Botuesve, Edon Zeneli.
Zeneli u shpreh se gjatë Panairit, do të ketë aktivitete
të shumta dhe se ka botime të pothuajse çdo fushe, e të secilit interes. Më tej
ai shtoi se, janë të pranishëm më shumë se 100 botues nga Kosova, Shqipëria,
Maqedonia Veriore e Diaspora. “Do të prezantohen qindra tituj, dhe kemi rreth
5500-7000 tituj që kanë dalë vitet e kaluara dhe prezantohen në këtë Panair.
Panairi është i hapur deri të dielën, dhe prania juaj është e çmuar sikundër e domosdoshme për ne”, tha Zeneli,
i cili falënderoi Komunën e Prishtinës për mbështetjen e aktiviteteve dhe për
përkrahjen që e kanë dhënë vazhdimisht ata.
Kurse kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti bëri
thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe në Panair, i cili u shpreh i kënaqur me
përkthimin e literaturës botërore në gjuhën shqipe. “Kemi pjesëmarrës një numër
të madh të shkrimtarëve tanë që janë sot këtu dhe jemi të kënaqur që Panairi i
21-të, përkon me çlirimin e Prishtinës. Bëj thirrje që qytetarët sa më shumë ta
frekuentojnë Panairin dhe të blejnë libra, sepse leximi është baza e kulturës
së çdo kombi”, tha Ahmeti ku edhe bëri hapjen e Panairit.
Veçanti e Panairit të 21-të është prezenca e
shkrimtarit shqiptar të madh Fatos Kongoli, i cili merr pjesë në këtë ngjarje
pas një kohe. Ai shprehet mirënjohës për ftesën e Shoqatës së Botuesve.
Kongoli, do ta prezantojë romanin e tij më të ri, tek stenda e Shtëpisë Botuese
“Toena”.
“Jam shumë i prekur për fjalët e mira, që u thanë
për mua. Ndjehem i lumtur që jam në Prishtinë, ku edhe do ta prezantojë romanin
tim më të ri”, tha ai për mediat.
Edhe një emër i njohur i letërsisë bashkëkohore
ishte pjesëmarrës në hapje. Shkrimtari i shquar francez Juan Asensio, u shpreh i lumtur që gjendet në mesin e
shqiptarëve, dhe sheh shumë dashuri për kulturën e librin në kryeqytetin
kosovarë. Dashuria e shqiptarëve për librin i ka lënë mbresa atij dhe është gjë
e bukur që romani i tij është sjell në gjuhën shqipe.
Kurse ambasadori
i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi i
lumtur për pjesëmarrjen në këtë ngjarje
u shpreh: “Kudo në Kosovë festohet 20-vjetori, ndërsa këtu festohet 21-vjetori.
Është diçka unike, që Kosova gjatë kohës së luftës festoi hapjen për herë të parë
të Panairit të Librit shqip, që sipas Minxhozit është ngjarje madhore
historike. Ai thotë se libri krahas pushkës solli lirinë që kemi sot.
E shkrimtari Daut Demaku në fjalimin e tij, foli për
ligjin e krijimit me të cilin tha se u mor gjatë. “Jeta ec veç përpara, libri
është një mundësi që çel dritë në rrugën e ecjes përpara. Krejt ata që i doni,
ftoni le ta marrin librin, të bashkëjetojnë me të, e jo me thashetheme që janë
jo vetëm kot, por janë edhe në kundërshti me ligjin e jetës që ec përpara”, përfundoi
ai.
Panairi i 21-të i librit në Prishtinë do të vazhdojë deri më 9 qershor. Në kuadër të tij, do të mbahen shumë aktivitete, e parashihen ta vizitojnë përafërsisht rreth 40000 qytetarë, në mesin e tyre studentë, nxënës, e personalitete të shquara të jetës kulturore shqiptare./KultPlus.com
Gati 80 vjet më parë Snowdonia përgatitej për të mirëpritur në malësi disa prej pikturave më të mira të thesarit botëror. Anekënd Evropës nazistët avancues kishin grabitur apo shkatërruar miliona paundë vlera të artit.
Derisa trupat aleate u arratisën në Dunkirk e bombat binin mbi Londër dhe pushtimi gjerman dukej i pashmangshëm, vëmendja u kthye në atë sesi të mbrohej koleksioni i Galerisë Kombëtare të Londrës. Qysh prej fillimit të Luftës së Dytë Botërore pikturat ruheshin në vende të ndryshme e të përkohshme në Walles, por ato nuk ishin tamam të përshtatshme për përdorim afatgjatë.
Më 1940, Winston Churchilli e bëri deklaratën e famshme për thesaret kombëtare të artit: “Fshihni ato në shpella e qilarë, por asnjë pikturë të mos largohet prej ishullit”.
Ekspertët zhbiruan gjithandej Mbretërisë së Bashkuar për një vend të fshehtë, derisa në fund gjetën gurorën Manod në Blaenau Ffestiniog në Gwynedd të Walesit.
Mali Manod për më tepër se një shekull kishte shërbyer si gurore. Gërmimet kishin krijuar një hapësirë plot shpella në zemër të malit, dhe duke qenë e mbuluar me qindra rrasa e granite ajo ishte praktikisht e papërshkueshme nga bombardimi.
Edhe largësia e tij e madhe e bënte të lehtë mbajtjen e misionit si top-sekret.
Suzanne Bosman, hulumtuese në Galerinë Kombëtare të Londrës dhe autore e librit “The National Gallery in Wartime”, botuar më 2008, ka shpjeguar se bartja e pothuajse 2000 veprave të Leonardo da Vincit, Rembrandtit, Van Dyckit, Turnerit dhe Constablet qëlloi të ishte një goxha ndërmarrje.
“I ftohti, guroret plot lagështi nuk janë vendet më të mira për veprat e paçmueshme të artit, kështu që para se të barteshin ato, gjashtë kasolle me tulla u ndërtuan në brendi të malit”, shpjegon ajo. “Në të vërtetë, kushtet në të cilat ato ruheshin në Manod ishin më të mira sesa ato në të cilat ishin shpërfaqur në Galerinë Kombëtare para luftës, dhe evakuimi e mësoi stafin me shumë gjëra sa i përket ruajtjes, edhe pas luftës”.
Pikturat më të mëdha u paketuan në “çanta elefant”, të sajuara mu për këtë qëllim, dhe u transportuan përmes rrugës.
Pikturat më të vogla u transportuan me furgonët e Zyrës Postare dhe me kamionë shpërndarjeje me qëllim që të shmangej tërheqja e vëmendjes.
Nga aty, ato u ngarkuan në një hekurudhë të ngushtë që i barti në vagonë të mbyllur deri në dyert e kasolleve, ku u shkarkuan sapo hynë brenda hapësirës rreptësisht me ajër të kondicionuar.
Sidoqoftë, zonja Bosman thotë se jo gjithçka shkonte vaj.
“Vepra e Van Dyckut me portretin ekuestrian të Karlit I si përbindësh, dhe çanta e tij, e ngarkuar në shpinën e një kamioni, konsiderohej më e larta”, ka thënë ajo. “Duke iu afruar gurores aty ndodhej një lakesë e ngushtë, mu aty ku rruga kalon poshtë harkut të një ure hekurudhore. Unë e ndërlidh me përpjekjen e tyre për të gjetur një divan afër këndit të shkallëve; kishte mjaftueshëm gjatësi, por vetëm nëse goditej saktësisht cepi i djathtë. Në fund atyre iu desh të gërmonin sipërfaqen e rrugës që të sheshohej për disa inçë, dhe sot e kësaj dite mund të shihet sesi trotuari në këtë pjesë është dukshëm më i lartë sesa në pjesën tjetër të rrugës; është një dëshmi e asaj sesa i rëndësishëm ishte evakuimi”.
Qeveria e mbajti qiranë në Manod deri në fund të viteve ’50, dhe mendohej se do të kryente të njëjtin rol edhe në rast të një lufte të tretë botërore.
Megjithatë, gurorja dhe kasollet brenda janë në një gjendje të ligshtë të riparimit dhe qasja aty është rreptësisht e kontrolluar.
Zonja Bosman u bë një nga pak njerëzit që hynë në brendi, atëbotë kur iu bashkua shkrimtarit dhe eksploruesit Will Millard si pjesë e serisë së BBC-së “Hidden Wales”.
Zoti Millard e përshkroi atë si njërën prej përvojave më drithëruese të jetës së tij profesionale.
“Unë isha fort i lemeritur mbi atë se çfarë u arrit aty për vetëm gjashtë muaj, është me të vërtetë një dëshmi mbi zgjuarsinë dhe vendosmërinë e Britanisë gjatë luftës”, ka thënë ai. “Në brendi ende mund të shohësh shenjat në mure ku vareshin pikturat, kurse dyshemeja është përplot me higrometra dhe termometra që duhej të kontrollonin çdo aspekt të kushteve. Është turp që vetëm pak njerëz do ta shohin atë në të ardhmen. Ne kemi lënë që një pjesë të trashëgimisë sonë kombëtare të na rrëshqasë”/BBC, Koha Ditore / KultPlus.com
Pionier i terapisë së kafshëve, i tmerruar nga numri 62, i kënaqur me veset e tyre. Ja cilat janë aspektet e habitshme të jetës së Sigmund Frojdit, “babait” të psikoanalizës dhe interpretimit të ëndrrave.
Kush ishte Sigmund Frojdi
Lindi më 6 maj 1856 në Frajberg (Pribor), në Republikën e sotme Çeke. Doktor dhe themelues i psikoanalizës, ai e identifikoi tek e pandërgjegjshmja vendin e instikteve dhe të dëshirave, dhe tek konfliktet e pazgjidhura, shkakun e histerive dhe neurozave. Duke përmbysur një traditë mijëvjeçare, që e shihte psikikën si diçka të padepërtueshme ndaj arsyes, ai e bëri atë pikënisjen prej nga ku do të analizonte pacientin. Edhe sot Frojdi është objekt i studimeve, por sa ishte gjallë puna e tij nuk u vlerësua sa duhet, dhe teoritë e tij shiheshin me dyshim.
Pioner i terapisë së kafshëve
Frojdi mbante gjithmonë në studion e tij, Jofin, qenin e tij të racës Choë Choë. Frojdi e konsideronte jetike praninë e tij gjatë seancave të psikoanalizës, pasi ishte qetësuese për pacientët. Jofi u mësua të ndjekë seancat e të zotit, sa që me nisi të llogarisë kohën e çdo takimi. Kur qeni ngrihej në këmbë, Frojdi e dinte se seanca kishte mbaruar.
Frikërat e njeriut që zbulonte fobitë
Thuhet se Frojdi ishte i fiksuar pas numrit 62. Ai besonte se pikërisht në atë moshë, 62 vjeç, ai do të vdiste (në fakt jetoi deri në moshën 83-vjeçare). Për këtë arsye, ai nuk fjeti kurrë në një dhomë hoteli që kishte atë numër.
Një rutinë gjeniale
Zakonet e Frojdit, ishin shumë strikte. Paraditen ua kushtonte pacientëve, hante çdo ditë drekën në orën 13:00. Donte mish viçi, dhe urrente mishin e pulës. Pas drekës, dilte për një shëtitje prej 3 kilometrash, duke ndjekur gjithmonë të njëjtat rrugë. Pasdite merrej sërish me vizitat, dhe pas darke luante letra me gruan ose vajzën e tij.
Divani ishte një dhuratë
Divan i famshëm, ku ai psikoanalizonte pacientët, ishte dhuratë nga një paciente, zonja Benevenists. Ideja që pacientët të qëndronin të shtrirë në divan, i erdhi në kohën kur ai praktikoi hipnozën, dhe zbuloi se njerëzit binin më shpejt në një gjendje transi, nëse ishin shtrirë.
Konsumator frenetik i duhanit
Frojdi i adhuronte purot. Ai tymoste 20 në ditë. Për shkak të purove dhe cigareve që pinte kur ishte i ri, Frojdi u prek nga një tumor i rëndë në fyts, që çoi edhe në vdekjen e tij në vitin 1939. Kur dhimbjet e kancerit u bënë të padurueshme, ai kërkoi që t’i ndihmohej të vdiste. Mjeku i injektoi një dozë të madhe me morfinë.
Pak rroba
Në garderobën e tij, ai kishte vetëm 3 kostume, 3 palë të brendshme dhe 3 palë këpucë. Ndoshta sepse kursente para? Jo, thjesht i dukej e padobishme të blinte rroba të tjera.
Migrena dhe kokaina
Frojdi vuante shpesh nga dhimbje tmerrshme të kokës. Nga leximi i kujtimeve të tij, u arrit në përfundimin se ai vuante nga migrena, të cilën psikoanalisti u përpoq të shëronte duke përdorur kokainë. E kishte zbuluar këtë drogë që në moshën 28 vjeçare. Nisi ta përdorte si një ilaç kundër ankthit, por u bë i varur prej tij, të paktën deri në moshën 40 vjeçare.
Arratia
Kur Gjermania aneksoi Austrinë gjatë Luftës së Dytë Botërore, nazistët pasi dogjën në shesh librat e tij, i hynë në banesë, duke arrestuar vajzën e Frojdit Anën. ‘Babai” i psikoanalizës ishte hebre, por mbi të gjitha simpatizantët e Fyhrerit nuk e pëlqyen hetimin e tij mbi të pavetëdijshmen, dhe instinktet e qenies njerëzore.
Falë ndërhyrjes së njërës prej pacienteve të tij, Princeshës Mari Bonapart, Frojdi me gruan dhe vajzën ia dolën të emigrojnë në Paris dhe më pas në Londër. Por 4 motrat e tij, Roza, Maria, Adolfina dhe Paulina, u zhdukën në një kamp përqendrimi. Frojdi arriti të korruptonte disa nazistë, që mbrojtën arkivin dhe një pjesë të trashëgimisë së tij.
Poliglot autodidakt
Përveç gjermanishtes, Frojdi zotëronte mirë edhe gjuhën angleze. Kur ishte adoleshent, ai mësoi spanjishten me një shok të klasës, për të lexuar në original “Don Kishotin”. Frojdi ishte një admirues i madh i Servantesit.
Dedikim ndaj Duçes
Shkrimtari Xhakinto Romano, që kishte shkruar një dramë me Napoleonin dhe Musolinin si personazhe, i dhuroi Frojdit një kopje me një dedikim të tillë:”Për Sigmund Frojdin, që do ta bëjë botën më të mirë, me admirim dhe mirënjohje Benito Mussolini dhe G. Forzano”.
Nuk dihet nëse Musolini kishte dijeni, por disa besonin se Frojdi ishte dashamirës ndaj udhëheqësit italian.
Frojdi reagoi me një shkrim ku i drejtohej Duçes me pyetjen “Ëarum Krieg”? (Pse luftë?), të bashkëshkruar me Albert Ajnshtajn. Dhe një dedikim:”Për Benito Mussolini, me përshëndetjet e një plaku që tek mbajtësi i pushtetit, njeh heroin e civilizimit”. Historianët e shpjegojnë këtë respekt me faktin se Frojdi besonte se Duçe mund të parandalonte Anshlusin, domethënë aneksimin e Austrisë në Rajhun Gjerman.
Frojdi “shkoi” në Hënë
Në satelitin natyror të Tokës, ekziston një krater i vogël që mban emrin e psikoanalistit gjerman. Ajo ndodhet disa kilometra në perëndim të Vallis Schröteri, një luginë e gjerë dhe e thepisur hënore, që ka një diametër prej vetëm 2 kilometrash.
Pati 12 nominime për Çmimin Nobel
Por në fakt nuk fitoi asnjërin. Dhe nominimet u ndërprenë kur një ekspert, i emëruar nga komiteti i Nobelit, pohoi se puna e Frojdit nuk kishte baza shkencore.
Grumbulloi gati 2000 objekte arkeologjike
Sot kjo do të qe diçka e paligjshme, por në kohën e Frojdit cilësohej e pranueshme. Shumë prej relikeve vinin nga nga gërmimet në mbarë botën. Ato ndodhen edhe sot në shtëpinë e vjetër të familjes, që sot është një muze i hapur për publikun.
Çfarë na mbetet nga Frojdi?
Shumë aspekte të analizës së tij, janë hedhur poshtë nga psikologjia moderne. Por, tek Frojdi vlerësojmë intuitën gjeniale, si fakti që ndjenjat, idetë, impulset, dëshirat, ngjarjet dhe veprimet kanë kuptime të rëndësishme dhe shpesh të pavetëdijshme (pa ndjenja); se eksitimi seksual nuk kufizohet vetëm në organet gjenitale; se e shkuara ka gjithmonë një ndikim në të tashmen, dhe se të folurit ndihmon në lehtësimin e ankthit, dhe çliron mendjen e një personi.
Studjoi edhe gazrat
Frojdi studjoi skutat më të errëta të shpirtit të njeriut, deri edhe tek gazrat që ai lëshon. Në parathënien e edicionit të dytë të librit “Eskursioni dhe Qytetërimi”, Xhon Burke zbuloi motivet e pavetëdijshme të neverisë që kanë njerëzit ndaj fryrjes së barkut dhe gazrave. “Njerëzit e civilizuar ndihen në siklet, nga gjithçka i kujton atyre origjinën e tyre shtazore. Ata përpiqen dëshpërimisht të imitojnë engjëjt e përsosur, por tek ta mbetet ende një gjurmë tokësore, që mezi durohet”.
Kantautori I njohur shqiptar Vlashent Sata, që vepron dhe jeton në Paris, sjell për publikun mbarëshqiptar një këngë tejet të veçantë si për nga përmbajtja e tekstit, edhe për muzikën plot stil dhe zërin e tij karakteristik.
E kjo e ngjizur shumë bukur artistikisht me një video bardh e zi ku në brendi ka një vajzë pa makiazh (make up), e thjeshtë dhe e plotë. Vajza në fjalë është Dojna Mema, prezantuesja e njohur shqiptare.
Kënga flet për copëzat, ato pjesë që na
karakterizojnë gjithsecilin dhe na bëjnë më
të ndjeshëm, por që shpesh duam
ti fshehim. Sipas kantautorit “…Të gjithë ne, por sidomos vajzat,
janë edhe më shumë nën presion në shoqërinë e sotme, si duken, a janë të
pranuara, si duhet të sillen…
Dhe çuditem sepse ato copëza apo detajet
që gjithsecila i ka, i bëjnë më unike jo standarde dhe
uniform!
Janë shumë të bukura ashtu siç janë , ashtu siç zgjohen nga gjumi, me flokët e shpupurisura, pa makiazh, dhe mbi te gjitha janë te bukura kur janë te lira për të qenë ashtu si ndihen. / KultPlus.com
Regjisori Edmond Budina është vlerësuar me filmin e tij “Broken” me dy çmime në Festivalin e Filmit të Gardës në Itali.
Në këtë konkurrim filmi “Broken” (Të thyer) u shpall më i miri, por mori dhe vlerësimin e jurisë së kritikëve. Producentja Adele Budina shprehet se ndihet krenare për këtë vlerësim të filmit.
“Dy fitore të tjera për “Broken” filmi i fundit i Edmond Budinës, i prodhuar nga mua, i cili jo vetëm fiton konkursin zyrtar të Festivalit të Filmit të Gardës si film më i mirë, por gjithashtu fitoi edhe çmimin e jurisë së kritikëve të kinematografisë ndërkombëtare”, shprehet Adele Budina.
Në 2018 filmi “Broken” (Të thyer) me skenar dhe regji nga Edmond Budina u shpall fitues i festivalit të 72 të Salernos në Itali. Me skenar dhe regji nga Edmond Budina në role janë aktorët Laert Vasili, Nikolla Llambro, Gladiola Harizaj, Sotiraq Bratko, Zamira Kita, etj.
Filmi vjen si një bashkëprodhim shqiptaro-italian-bullgaro-maqedonas dhe është xhiruar në Shqipëri, Itali dhe Maqedoni. Një politikan i ri i inkriminuar, që për karrierë ka shitur gjithçka vjen i interpretuar nga aktori i njohur Laert Vasili.
Filmi u xhirua në 2015 dhe siç ka pohuar dhe më herët regjisori ka punuar disa vite për këtë projekt filmi. Skenarist, regjisor, por në filmin “Të thyer” Edmond Budina vjen dhe me një rol, ku interpreton personazhin e babait, i cili kalon një pjesë të madhe të jetës në burg. Projekti më i fundit i regjisorit të njohur, ka në vëmendje realitetin shqiptar dhe problemet e tij.
Më herët ai është shprehur se është një film ku mund ta gjejnë veten shqiptarët, ku trajtohet ndotja e ambientit, korrupsioni, raporti prind-fëmijë. /atsh / KultPlus.com
Imagjino sikur të mos ketë parajsë e thjeshtë ta provosh… Pa ferr poshtë nesh, vetëm qiell mbi ne. Imagjino gjithë njerëzit të jetonin të sotmen..
Imagjino të mos ketë shtete s’është e vështirë ta bësh; asgjë për të cilën të vrasësh ose të vdesësh, dhe as religjion gjithashtu.. Imagjino gjithë njerëzimin në paqe të jetonte…
Ti… Ti mund të thuash jam një utopist/ëndërrimtar por nuk jam i vetmi. Shpresoj që një ditë, ti të bashkohesh me ne, dhe bota të jetë një…
Imagjino pa zotërime, pyes veten nëse mundesh. Pa nevojë për lakmi apo uri, sall vëllazëria jonë njerëzore… Imagjino gjithë njerëzit ta ndajnë botën,
O moj Shqypni, e mjera Shqypni, Kush te ka qitë me krye n’hi? Ti ke pas kenë një zojë e randë, Burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pasë shumë t’mira e begati, Me varza t’bukura e me djelm t’ri, Gja e vend shumë, ara e bashtina, Me armë të bardha, me pushkë ltina,
Me burra trima, me gra të dlira; Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira. Kur kriste pushka si me shkrep moti, Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun. Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë, I ka shti dridhën gjithë Rumelisë; Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra, Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da. Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je? Po sikur lisi i rrxuem përdhe, Shkon bota sipri, me kambë, të shklet E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet. Si mal me borë, si fushë me lule Ke pas qenë veshun, sot je me crule, E s’të ka mbetun as em’n as besë; Vet e ke prishun për faqe t’zezë. Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra, Ndër nji qind ceta jeni shpërnda; Ca thone kam fè ca thonë kam din; Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin” Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë, Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë! Priftnit e hoxhët ju kanë hutue, Për me ju damun me ju vorfnue! Vjen njeri i huej e ju rri n’votër, Me ju turpnue me grue e motër,
E për sa pare qi do t’fitoni, Besën e t’parëve t’gjith e harroni, Baheni robt e njerit t’huej, Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej. Qani ju shpata e ju dyfeqe, Shqiptari u zu si zog ndër leqe! Qani ju trima bashkë me ne, Se ra Shqypnia me faqe n’dhe! E s’i ka mbetun as bukë as mish, As zjarm në votër, as dritë, as pishë; As gjak në faqe, as nder ndër shokë, Por asht rrëxue e bamun trokë! Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra, M’ata sy t’bukur q’dini me qa, Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë, Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder; Ka mbet e vejë si grue pa burrë, Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë! Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?
Këtë nanë të dashtun a do ta lamë, Qi njeri i huej ta shklasë me kambë? Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!
Para se t’hupet kështu Shqypnia, Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia! Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu, Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia: Feja e shqyptarit asht shqyptaria! Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë, Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,
Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë Kush mos na e preki, se desim t’tanë Të desim si burrat që vdiqnë motit Edhe mos marrohna përpara zotit. / KultPlus.com
Gjykata e Lartë në Podgoricë e ka dënuar Vllado Zmajeviqin me 14 vjet burg për krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë.
Ai u shpall fajtor për vrasjen e katër civilëve shqiptarë në fshatin Zhegër të Gjilanit në vitin 1999.
Kryetari i Trupit Gjykues, Dragoje Jovoviq, në shpjegimin e aktgjykimit të tij, deklaroi se dëshmitë e paraqitura padyshim se “vërtetuan se krimet e luftës janë kryer, pasi për ato kanë dëshmuar dëshmitarët, por edhe vetë i akuzuari e ka pranuar në fazën e parë hetimore, por më vonë i ka mohuar ato deklarata”, transmeton rel.
Zmajeviq ka të drejtë të apelojë aktgjykimin në Gjykatën e Apelit.
Në gusht të vitit 2016, Prokuroria Speciale e Mali të Zi për krim të organizuar dhe krime lufte konfirmoi se kishte arrestuar Vllado Zmajeviqin (47 vjeç) nga Nikshiqi me dyshimin se “ka kryer krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë më 1999”.
Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj i kishte thënë Radios Evropa e Lirë, se Vllado Zmajeviq ishte i pari në listë për krimet në Zhegër të Gjilanit.
Në bazë të hulumtimeve gjatë vitit 2000, Fondi ka dokumentuar se në këtë krim janë vrarë gjashtë persona, më 29 dhe 30 mars 1999.
“Në bazë të dëshmive të dëshmitarëve, më 29 mars 1999, tetë autobusë, sipas të gjitha gjasave, me vullnetarë të Ushtrisë Jugosllave, kanë arritur në fshat dhe kanë vrarë gjashtë persona. Natyrisht, të gjithë civilë të përkatësisë shqiptare, në mesin e të cilëve edhe pleq dhe gra”, kishte deklaruar Blakaj.
Kur flitet për impresionizmin në pikturë, vetvetiu na vije në mendje emri i Claude Monetit, themeltarit të kësaj lëvizje, që më pas pushtoi mbarë botën, pasi paraprakisht qe shpërfillur nga ana e hierarkisë. Impresionizmi, si lëvizje nisi nga një grup artistësh që performonin nëpër rrugë, duke vendosur kavaletën dhe duke kapur pamjet e çastit, të cilat i bënin më pas pjesë të tablove të tyre.
Njëri
nga këta artistë ishte Moneti, i cili vërtitej rrugëve të Parisit me kavaletën
në dorë, me atë pamjen interesante, mjekër bardhë, i pashëm me ecje të hijshme.
Arti i tij kaloi nëpër shumë pengesa, dhe madje u përbuz nga paria e qytetit,
pra nga akademikët që e shihnin si jo të denjë për pikturën, e madje mendonin
se ai nuk e meritonte të jetë pjesëmarrës nëpër sallonet që mbaheshin atë kohë.
Shkurt: arti i Monetit nuk çmohej, e nuk u çmua po thuajse deri sa ishte
gjallë.
Claude
Monet lindi në Paris, më 14 nëntor të vitit 1840. Rininë e kaloi në Havre, vend
në të cilin i ati bënte tregti. Vizatimin e kishte çdoherë preferencë që fëmijë;
megjithatë, prindërit donin që ai të shkonte në shkollë të biznesit por nuk e
realizuan dëshirën e tyre, sepse i biri ju përkushtua vetëm artit.
I
rrethuar nga shumë vështirësi, të llojeve të ndryshme ky djalosh vazhdonte të
pikturonte duke mos u dorëzuar në asnjë çast. Në një qytet të madh si Parisi, që
gëlonte nga idetë për artin, Moneti u rrek të krijonte diçka interesante, të
hapte një faqe të re në art. Pikturat e tij nuk u morën parasysh në fillim, e
madje ato asnjëherë nuk u paraqitën në sallonet e kryeqytetit francez. Fuller në
veprën e tij, shkruan:
“Një
burrë ecën nëpër rrugët e Parisit gjatë ditës, duke mbajtur nën krah një pikturë
që kishte provuar ta shiste. Tregtarët nuk donin t’ia blinin, për shkak se ata
nuk mund të merrnin pikturën e një artisti, veprat e të cilit nuk ishin pranuar
në Sallon”.[1]
Pikturat
e Monetit, shprehin ndjeshmëri origjinale duke e vënë në pah kreativitetin
individual. Siç e cekëm më sipër, natyra ishte shumë e rëndësishme për
impresionistët; Moneti e sheh natyrën si mënyrë me të cilën paraqet metodën e
tij të të bërit art. Ngjyrat e shumta që hedh, paraqesin më së miri përshtypjen
e tij, ku me bukurinë gërshetohet poezia dhe madhështia e peizazhit plot jetë.
Këto
peizazhe që krijon Moneti, posedojnë në vete fuqi të jashtëzakonshme që ndikon
direkt tek shikuesi – detajet e thjeshta dhe nganjëherë të pavetëdijshme e
honepsin atë. Këtu, është edhe thelbi i artit impresionist.
Në
secilën tablo të tij, dominon drita si element kryesor i artit monetian. Kur
shihen pikturat e tij, krijohet një atmosferë e veçantë; ato peizazhe me plot gjelbërim
rrotull janë të skalitura aq bukur saqë shikuesve të pikturave, iu duket sikur
janë aty, në natyrë, duke thithur ajrin e pastër.
“Nuk
është e pranueshme të flitet për veten; pale që në disa pika kujtesa edhe mund
të më dështojë. Por ajo që di është se jeta për mua ishte mjaft e vështirë, po
ashtu edhe për miqtë e mi. Sa më gjatë që jetoj aq më mirë e kuptoj se sa e vështirë
është piktura. Ajo rritet vit pas viti porsi idealet e njeriut që arrijnë lartë
dhe kërkojnë interpretim fisnik” – thoshte ai.
Vërtet,
për sa kohë që ishte gjallë nuk arriti ta shijojë suksesin e punës së tij, por megjithëse
përballej me vështirësi, ai nuk u ndal. Pas vdekjes më 5 dhjetor të vitit 1926,
u kthye vëmendja kah arti i tij, dhe sot muzetë gëlojnë nga vizitorët që duan
t’i shijojnë tablotë, e nëse njëri syresh dëshiron ta ketë ndonjërën nga to në
koleksion, duhet t’i paguajë milionat për ta blerë.
Ai
madje shënoi kohët e fundit rekord të ri në shitje, kur tabloja e tij “Mullari”
u shit për 110 milionë euro. Këtë pikturë e kishte përfunduar në vitin 1980 si
pjesë e serisë së tij Meules (Mullarët) ku përshkruhen rajonet rurale, pranë
shtëpisë së tij në Normandi.
Disa
nga tablotë e famshme të Claude Monet:
Regatta at Sainte-AdresseWomen in the GardenImpression, SunriseBain à la GrenouillèreLe Grand CanalWheatstacks (End of Summer)
[1] William H. Fuller, Claude Monet and his paintings, New York, 1899. / KultPlus.com
Në qytetin Asti të Italisë dje për herë të parë u mbajt kuizi i diturisë i nxënësve shqiptarë me mësimin plotësues në gjuhën shqipe në këtë vend.
Kuizi u organizua nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në bashkëpunim me Lidhjen e Mësuesve Shqiptarë në Itali. Nga 18 shkolla të pranishme, 13 morën pjesë në gara, njofton MDIS. Në kuiz morën pjesë rreth 400 pjesëmarrës. Secili grup kishte 6-8 nxënës, përcjell albinfo.ch.
Juria, e përbërë nga mësues të mësimit plotësues në Itali dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës i shpalli fitues të gjithë pjesëmarrësit.
Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike gjatë dy javëve të ardhshme do të organizojë kuize të diturisë në Austri, Zvicër dhe Greqi, në bashkëpunim me lidhjet e mësuesve të këtyre tri vendeve. / KultPlus.com
Dita ndërkombëtare e mjedisit është caktuar 45 vjet më parë nga Asambleja e përgjithshme e OKB-së, me qëllim për të shtuar vetëdijen rreth çështjeve të mjedisit dhe për të tërhequr vëmendjen politike ndaj këtyre çështjeve si dhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim.
5 qershori u caktua si Dita Botërore e Mjedisit në vitin 1972, nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. U zgjodh kjo datë sepse përkon me ditën e hapjes e Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Mjedisin, që u mbajt në vitin 1972 në Stokholm, nën udhëheqjen e Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara.
Qëllimi i kësaj ngjarje është të nxisë aktivitete dhe aksione për të arritur ndryshime pozitive në mbrojtjen e mjedisit. Kjo ditë zakonisht përcillet me një tematikë të caktuar.
Në të kaluarën tema të kësaj ngjarje kanë qenë kujdesi për tokën dhe ujin, mbrojtja e shtresës së ozonit, ndryshimet klimatike dhe zhvillimi i qëndrueshëm duke pasur gjithnjë në fokus ruajtjen e shëndetit human. / KultPlus.com
Christian Dours ka një nga koleksionet më të mëdha në Evropë të tankeve amerikane nga Lufta e Dytë Botërore, në gjendje pune dhe me pjesët origjinale. Në moshën 69-vjeçare, ai po përgatitet të marrë pjesë, siç ka bërë 15 vitet e shkuara, në paradat në nder të përvjetorit të 75-të të zbarkimit në Normandi.
“Aktualisht kam 10 tanke, përfshirë 7 tanke ‘Sherman’. Ata janë të viteve 1942-’43 dhe jam i pari koleksionist evropian tankesh ‘Sherman’ në gjendjen e tyre origjinale, me motorët e epokës”, tha Christian Dours, koleksionist.
Kur ishte fëmijë, ai luante me modele të tankeve amerikane të Luftës së Dytë Botërore. Sot, ai zotëron një nga koleksionet më të mëdha në Evropë të modeleve të vërteta.
“Të gjitha tanket e mia funksionojnë dhe kam bërë disa filma me ta. Kam marrë pjesë edhe në demonstrime dhe parada”, tha Christian Dours.
“Unë ia bleva tankun tim të parë një polici në Francën veriore, – rrëfen më tej ai. – Ai e shiti sepse gati kishte vrarë veten duke u marrë me të”.
Atij i është dashur të krijojë madje një rrjet të apasionuarish që e ndihmojnë atë me pjesë origjinale tankesh nga e gjithë bota.
Ideja e hapjes së një muzeu nuk duket se i pëlqen shumë. “Ajo që më pëlqen, – thotë ai, – është të ngas tanket e mia në fushën përreth shtëpisë, pavarësisht se konsumojnë rreth 420 litra karburant për orë. Si dhe t’i shoh tanket në përkujtimore e parada, në mesin e mijëra njerëzve”.
“Një muze, – thotë ai, – është statik, është vdekje”.
“My year” ishte kënga e fundit e rep-artistit shqiptar që po bën bujë të madhe edhe përtej oqeanit Atlantik.
Bëhet fjalë për rep-artistin, Gashin, i cili në realitet quhet Labinot Gashi, që jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara.
Por, gjatë ditës së sotme këngëtari ka publikuar edhe një këngë të re, i cili pritet të jetë një hit i ri ndërkombëtar.
“Roses” titullohet kënga e re e 29-vjeçarit, të cilën e ka shoqëruar edhe me një video të veçantë.
“Për të gjithë fansat e mi, të rinj apo të vjetër. Faleminderit për mbështetjen. Kënga e re sapo ka dal”, ka shkruar ndër të tjerash ai në rrjetet sociale.
Ndryshe, këngëtari pritet që gjatë verës të jetë në Prishtinë, ku do të performojë në festivalin “Sunny Hill”. /Telegrafi/ KultPlus.com
Sot hapet panairi i 21-të i librit “Prishtina 2019” që do të mbahet deri më 9 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.
Në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, panairi i 21-të i librit është pjesë e 20 aktiviteteve kulturore, sportive e inovative për përkujtimin e 20 vjetorit të çlirimit të qytetit të Prishtinës.
Ceremonia e hapjes do të bëhet sot në orën 12:00, ndërsa do të qëndrojë i hapur për vizitorë nga ora 09:00 deri në ora 20:00.
Pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora, ndërsa numri i titujve të rinj vlerësohet të jetë mbi 1500 të tilla. Numri i titujve të viteve të fundit është rreth 5500.
Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë, kryesisht studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.
Çdo gjë kuptohet nga duart, nga mënyra me të cilën presin, me të cilën kapin, me të cilën ndahen. Njëqind karaktere mund të zbulosh nga mënyra se si i kapin duart paratë, si i zhubrosin dhe i shtrëngojnë me lëvizje nervoze. Karakteri i njeriut zbulohet në kumar nga vetë dora e tij. Sepse të gjithë ose pothuajse të gjithë kumarxhinjtë kanë mësuar se si të mos tradhtohen nga fytyra. Ata ruajnë maskën e ftohtë në fytyrë që i tregon të paprekshëm… Por pikërisht ngaqë tërë vëmendja përqendrohet te fytyra, ata harrojnë duart, që zbulojnë pa turp të fshehtën e madhe…
***
-Ngrihuni shpejt! Këtë çast…
Mirëpo atëherë ndodhi diçka e papritur. U kthye rrëmbimthi,
po fytyra që më shikonte nuk ishte më e përvuajtur dhe e turpshme, ishte fytyra
e një budallai, e një të çmenduri, me sy të flakëruar e buzë që i dridheshin
nga inati.
-Lermëni rehat! – thirri. –Sa herë që vini ju, humbas.
Kështu bëtë dje, kështu po bëni dhe sot. Shkoni!
Mbeta një çast si e ngurosur. Përballë marrëzisë së tij
shpërtheu dhe inati im.
-Unë ju kam sjellë tersin? – e sulmova. – Gënjeshtar,
hajdut, m’u betuat…
Po s’munda të vazhdoja, sepse ai i çmendur brofi në këmbë
dhe më shtyu, pa çarë kokën për zhurmën që nisi të bëhej rreth nesh.
-Lermëni rehat! – thirri si i xhindosur. – Unë s’jam nën
mbrojtjen tuaj… Na… na…, merrini paratë që ju kam borxh, – dhe më hodhi disa
kartëmonedha qindëshe. – E tani lermëni të qetë!
***
Kanë kaluar njëzet e katër vjet që atëherë, e megjithatë,
tek më kujtohet ai çast kur rrija atje e fshikulluar nga ironia e tij, më ngrin
gjaku në rremba. Dhe e ndjej përsëri me lebeti se çfarë lënde e dobët, e ngratë
dhe e mjerë duhet të jetë ajo që ne, me fjalë tepër të mëdha, e quajmë botë të
brendshme, shpirt, ndjenjë, ajo që ne e quajmë dhimbje, sepse të gjitha këto,
qoftë dhe në kulm, nuk janë në gjendje ta dërrmojnë krejt trupin e munduar –
pse rrojmë prapëseprapë në të tilla çaste, me gjakun që na rreh në deje si
çekan, në vend që të vdesim, të këputemi e të biem si ajo pema kur e godet
rrufeja. Po ashtu është si ju thashë: dhimbja qenka e poshtër, u mposhtka nga
dëshira cipëplasur për të jetuar që, siç duket, ka hedhur në mishin tonë rrënjë
më të thella nga të gjitha pasionet e vdekshme të shpirtit.
Shfaqja e një artisti që flet broçkulla teksa i thur lavde një politikani të krimbur nga mashtrimet dhe korrupsioni është pamje e shëmtuar.
Në Shqipëri kjo ndodh shpesh dhe në mënyrë fare vulgare,
çfarë tregon jo vetëm degradimin politik të pushtetarëve, por edhe mungesën e
thellë të dinjitetit të shumë artistëve dhe intelektualëve, të cilët pranojnë
të përdoren në mënyrë kaq flagrante.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është ndoshta
politikani që e ushtron më së shumti këtë përçudnim. Kryeministri Rama duket më
i kursyer, ndoshta për shkak se nuk e lë narcizizmi dhe përçmimi që duket se ka
për kolegët e tij artistë.
Qeveritë e mëparshme i kanë përdorur imazhe të tilla,
gjithashtu, por jo në nivelin telendisës siç di t’i përdorë Veliaj. Ai nuk ka
lënë zë publik pa e përfshirë në mbjellje pemësh, aktivitete, shfaqje, pritje,
spote reklamuese, duke i vënë të gjithë, aktorë, këngëtarë, drejtues emisionesh
të recitojnë lavde nga më banalet për të.
Në këtë kuptim, Eneda Tarifa ishte thjesht fruti i rradhës i
shtrydhur për të zbutur neverinë popullore të mbledhur në këto gjashtë vite.
Zëri i saj iu bashkua tashmë korit të stonaturave propagandistike të masës së
atyre artistëve, që e shesin imazhin për pesë lekë në tezgat e politikës.
Në takimin e hapjes së fushatës së PS-së për zgjedhjet
njëpartiake të 30 qershorit, Tarifa tha:
“Nëse do kishte bërë nëna nja tre si Erion Veliaj, nuk e di
ku do të ishim këtë katërvjeçar. Unë jam në krah të Erionit sot, jo sepse kam
një background socialist, as sepse kam një teserë partie; jam këtu, sepse
besoj tek ky djali që kam këtu pranë; besoj, sepse kam parë atë që ka ndodhur
me Tiranën tonë të dashur.”
Pa dyshim, nëse Eneda do të ishte anëtare e PS-së dhe do të
merrte pjesë në takim si militante, do të kish qenë shumë herë më e
justifikuar. Ka edhe në botë artistë që besojnë në parti të ndryshme dhe
militojnë në rradhët e tyre dhe, pavarësisht se ka gjithmonë kritika kundër
tyre, kjo gjë mund të jetë e pranueshme.
Por kur ajo përpiqet ta shesë patetizmin kundrejt Kryetarit
të Bashkisë si një vlerësim të paanshëm, që vjen nga një pozicion i depolitizuar,
gjithçka kthehet në një falsitet propagandistik banal. Zonja në fjalë është
vetëm duke kontrabanduar profilin e artistit në shërbim të një propagande
politike, pikërisht me mjetet tipike të kësaj propagande: mashtrimin publik.
Nuk po ndalem të analizoj ato që këngëtarja tha në lidhje me
punët e mëdha të kësaj bashkie, që e paskan entuziazmuar aq shumë sa të
braktisë pozicionin e saj gjoja jopolitik.
Nga ana tjetër, kuptohet se skenari ku ajo u përfshi është
problematik dhe i përgatitur nga të tjerë. Madje edhe teksti duket se është
hartuar në tavolinat e propagandës të Veliajt, pasi bart të njëjtin stil
mediokriteti propagandistik, të stisur për të gënjyer turmat, që shfaq çdo
fjalim i tij.
Vetë ideja e të pasurit nja tre Erionë Veliaj, si një mjet
retorik banal për të treguar se Erion si ky nuk bën më nëna, është një
instrument propagandistik që, përveç ndjesisë se të ka zënë makina, nuk
shkakton asnjë sugjestion te dëgjuesi.
Të imagjinuarit e tre Erionëve në krye të bashkisë është
shpërdorim i madh i fantazisë, aq më tepër për një qytet të shpërfytyruar si ky
i yni. E megjithatë, zonja Tarifa nuk shikon aspak se si ky qytet po degradon
nga korrupsioni, uzurpimi i hapësirave, shkatërrimi i zonave kulturore,
historike e identitare, betonizimi, ndotja, taksat, trafiku, mungesa e
hapësirave për parkim e parqe dhe nga kostoja e lartë e jetesës.
Jo, ajo shikon vetëm Tiranën 3D të videoklipeve të bashkisë,
që shumëfishohen kudo nëpër ekranet e klientëve të saj.
Në Republikën e tij, Platoni i vendos artistët në fundin e
hierarkisë shoqërore. Ai e shikon artin si një rrezik, një instrument që
manipulon të vërtetën te njerëzit. Për këtë arsye, artistët duhen mbajtur larg.
Në fakt, arti bart një potencial të madh ndikimi në shoqëri,
ndaj edhe pushteti ka qenë gjithmonë i interesuar ta përdorë atë. Por arti ka
një mision të vetin dhe ai i drejtohet publikut duke iu referuar një sfere të
lartë të vlerave njerëzore. Ai shtjellon të bukurën, të drejtën, të vërtetën
dhe gjërat më sublime te njeriu, ndaj dhe pritet që artisti të rrezatojë moral
të lartë dhe fisnikëri. Nëse i shet të gjitha këto për t’i shërbyer pushtetit,
ai ka tradhëtuar publikun dhe veprën e vet.
Për këtë arsye shoqëria priret t’i shohë artistët larg
politikës. Çdo përzierje me të mund të shpjerë në kompromentimin e veprës së
tyre, ndaj depolitizimi është parë si një mënyrë për ta mbrojtur artin nga
politika. Megjithatë ka edhe një pikëpamje tjetër, që e sheh vetë krijimin
artistik si një akt thellësisht politik. Artisti nuk mund të qëndrojë larg problemeve
të shoqërisë, ndaj edhe arti është një mënyrë për të vetëdijësuar shoqërinë mbi
to.
Sërish, edhe në këtë kuptim arti politizohet, duke mbetur
gjithmonë thellësisht opozitar dhe kurrë në krah të pushtetit, aq më pak akoma
të shndërrohet në një instrument propagandistik në funksion të tij. Përfshirja
e artistëve në fushata elektorale apo në qëndrime politike është parë me
kriticizëm kudo.
I përfshirë në një debat mbi angazhimet e artistëve kundër
Presidentit Tramp në SHBA, një roker karizmatik si Alice Cooper reagoi
para disa muajsh, duke thenë se artisti mund të angazhohet në politikë vetëm në
shërbim të një kauze dhe kurrë në shërbim të një partie apo udhëheqësi.
Shtrohet pyetja: Cila është kauza e Eneda Tarifës dhe e shumë të tjerëve si
ajo, që i bëjnë qokë Lali Erit? Pylli orbital, stadiumi me kullë, Sheshi
Skënderbej, apo aktivitetet e ditëve pa makina?
Pjesa më e trishtë në këtë histori është konstatimi sesa i
vlen pazari një artisti. Mungesa e dinjitetit, e konstatuar në mënyrë dramatike
në rastin e teatrit, tregon se ndër ta ka një klasë të përdhunuar moralisht, me
një mungesë të thellë dinjiteti dhe vetëdijeje për t’u ngritur në lartësinë e
statusit të tyre.
Të dalë nga një regjim totalitar, që i përdorte si kllounë
të një propagande groteske kriminale, ata duket se nuk janë çliruar dot nga
vesi i të shërbyerit, dhe më e keqja është se këtë ves ua kanë trashëguar
tashmë edhe artistëve të rinj. Kjo është arsyeja përse sot politika i nënshtron
thuajse të gjithë, në çdo fushë, dhe shumë pak individë kurajozë sheh të marrin
përsipër t’i kundërvihen paudhësive të pushtetit.
Të gjithë sot flasin për Shqipërinë e Madhe, ndërsa kur numërojmë territorin e saj, ai nuk i kalon as 60 mijë kilometra katrorë. Pra, sikur e ngatërrojnë qëllimisht Shqipërinë etnike, e cila edhe aktualisht ka më shumë se një 100.000 kilometra katrorë, dhe prapë është shumë e vogël se “Shqipëria e pavarur” – “Indipendent Albania” e Ali Pashë Tepelenës.
Ky projekt që për fatkeqësinë e shqiptarëve nuk u realizua u
kthye në kob për një komb të tërë, është Shqipëria e vërtetë, e mbijetuar
pjesërisht prej Ilirisë, kur ishte disa herë më e madhe se sa ky projekt-shtet
i Ali Pashës.
Por, shteti i Ali Pashës përfshinte gati të gjithë shqiptarët në Ballkan, dhe
pa dyshim që sot do të ishte shteti më i madh me territor pas Rumanisë, dhe po
ashtu popullsia nuk do të ishte më pak se njëzet milionë shqiptarë.
Greqia vështirë se do të ekzistonte si shtet, po ashtu as
Mali i Zi nuk do të krijohej dot, dhe as që bëhet fjalë për ekzistimin e
Maqedonisë, ndërsa Serbia edhe nëse do të ishte krijuar nuk do të kishte as sot
territor më të madh se sa pashallëku i Beogradit, shkruan njëkomb.com.
Sipas dokumenteve të gjetura në Angli nga Irakli Koçollari,
Ali Pasha kishte marrë të gjitha masat për krijimin e shtetit shqiptar dhe këtë
e kishte bërë në pajtim me tre pashallqet tjera shqiptare. “Ali Pasha kishte
deklaruar: “Unë jam përgatitur dhe i kam marrë të gjitha masat që në një moment
të caktuar, unë të shkëputem dhe të shpall pavarësinë e atdheut tim”.
Vetëm territori i principatës së Ali Pashës do të shtrihej
në këtë hapësirë: Nga Elbasani, pra si veri kishte Shkumbinin dhe më pas në
Ohër, deri në afërsi të Manastirit, gjithë territoret e Maqedonisë së sotme,
deri në afërsi të Selanikut më pas në Thesali, Magnezi e Peloponez, pa
përfshirë këtu Athinën, edhe pse në atë kohë nuk ishte ende një qytet, por një
fshat i banuar nga arvanitasit”.
Ku do të shtrihej më tej ky shtet?
Ali Pasha ishte kategorik se marrëveshja ishte bërë me dy
pashallarët tjerë në veri, por edhe me një pasha më në jug në Greqi, që
sundonte tokat shqiptare: “Unë kam biseduar edhe me ata të dy dhe ne kemi rënë
dakord që të krijojmë një shtet të përbashkët me të gjitha pashallëqet, madje
bashkë edhe me ne të tre, pra Shkodrës, Beratit dhe Janinës, do të bashkohet
edhe Selim Pasha i Seresit”. Seresi është një qytet në Greqi, u kishte
deklaruar Ali Pasha britanikëve.
Sipas shtrirjes së Pashallëkut të Janinës, dhe të atij të
Serezit, i bie që rreth gjysma e Greqisë së sotme të ishte shtet shqiptar, më
së paku 60 mijë kilometra katrorë, plus territori i Shqipërisë së sotme, dhe
territori i Maqedonisë së sotme, që bëjnë së bashku afër 54 mijë kilometra
katrorë, Kosova e sotme dhe Sanxhaku, shumica e territorit të Malit të Zi dhe
një pjesë tjetër e Serbisë deri tek portat e Nishit, do të përbënin rreth 50
mijë kilometra katrorë të tjera, dhe me një përfarim, shteti shqiptar i Ali
Pashë Tepelenës së bashku me tri pashallëqet tjera do të kishte jo më pak se
150 mijë kilometra katrorë dhe mund të shkonin me një nxitje të bashkimit të
shqiptarëve për rreth deri në rreth 200 mijë kilometra katrorë.
Shumica e njerëzve nuk do ta konsideronin fare si ofertë kur
bëhet fjalë për një kompjuter pothuajse jofunksional për shkak të vjetërsisë,
por nëse është një nga kompjuterët e parë të ndërtuar ndonjëherë nga Apple? Kjo
është një histori krejtësisht tjetër.
Një kompjuter origjinal i Apple-1 i prodhuar në vitin 1976 –
i ndërtuar nga vet Steve Wozniak – u shit për gjysmë milioni dollarë në një
ankand të Christie’s. Kompjuteri vjen brenda një çante lëkure me një tastierë
të integruar.
Mendohet se janë prodhuar rreth 200 kompjuterë Apple I,
shumica e të cilave besohet se janë shkatërruar. Kjo është një ndër arsyet pse
e bën të veçantë këtë kompjuter dhe normalisht çmimi i tij rritet
jashtëzakonisht shumë, krahasuar me shërbimet që ofron.
Regjistri tregon se ky kompjuter, Apple-1, i është shitur
Rick Conte, i cili e bleu për të mësuar se si të programojë BASIC. Ai e dhuroi
atë në Muzeun Personal të Kompjuterit në Maine në vitin 2009, pas të cilit u
shit në një sërë pronarësh privatë.
Gjithashtu të përfshira në ankand ishin shumë pjesë tjera të historisë së këtij modeli – manualet origjinale, një pjesë të vogël revistash me artikuj rreth Apple I, një hardware, printeri Matrix, fotokopje të rralla, disa nga dokumentet origjinale të themelimit të Apple dhe të tjera.
Talenti më i ri shqiptar i zbuluar së fundmi është Kiara Dokaj, vajza 9 vjeçare e lindur në Kanda dhe me origjinë shqiptare.
Fillimisht talentin e saj e ka vërejtur nëna e saj Afërdita e cila është mbështetësja më e fuqishme e së bijës, e cila në intervistën e dhënë për Blitz, thotë se “Kiarën e kemi konstatuar që ka talent dhe pasion ndaj muzikës rreth moshës 2- 3 vjeçe, edhe pse shumë e vogël ajo ka qenë një fëmijë hiperaktiv. Një gjë e pazakontë që ndodhte me të ishte se Kiara merrte dhe i binte kitarës dhe këndonte duke improvizuar me fjalët e saj të çastit. Në këtë moment kuptuam se nuk ishte thjeshtë një fëmijë që luante me lodrat e saj, këndonte me pasion dhe me aq shumë dëshirë.”
https://www.instagram.com/p/BwHhzEmjPYa/
Kiara frymëzohet nga Jessi J apo Lady Gaga, ndërsa nga këngëtarët
e saj të preferuar shqiptarë janë Aurela Gaçe dhe Flor Mumajesi.
Është vlerësuar me çertifikata gold dhe silver gjithashtu është mjaft aktive në aktivitete te tjera festive. Në performancat e saj që ka dhënë përballë publikut duket sikur fokusohet të këndojë dhe nuk ndikohet nga emocionet.
https://www.instagram.com/p/Bo67keUBYxT/
“Ka një vetkontroll të emocioneve. Mendoj se fakti që këndon
me shumë dëshirë bën që të mos ketë emocione.Perfomancat e saj në skenë janë
ato që organizojnë nëpërmjet shkollës së muzikës, ambjente të ndryshme festive,
qendra tregtare në raste koncertesh për femijë etj”, shprehet Afërdita.
Sipas nënës së saj, Kiara ka dëshirë të bëhet e famshme si Dua Lipa, gjithashtu një veti tjetër e veçantë e kësaj vogëlushe janë aktivitetet e saj për të grumbulluar para për ti ndihmuar fëmijët në nevojë dhe të sëmurë.
Një dyshim, një hezitim, pastaj gjithçka qartësohet falë një klikimi: çdo ditë, miliona përdorues të rrjetit në mbarë botën e shfrytëzojnë mundësinë e përkthimit “online”.
Inteligjenca artificiale mund të dëshmohet një ndihmë e vyer; algoritmet mësojnë gjuhën e natyrshme të njeriut, synojnë korrigjimet e gabimeve e madje tentojnë edhe kapërcimin e pengesave të përkthimit letrar. E ndërsa suksesi i tyre është i madh, ai nuk është i pakufishëm.
Inteligjenca artificiale mund të bëjë shumë gjëra, por ka
diçka të cilën ajo nuk arriti ta bënte: përkthimin e dorëshkrimit Voynich, i
konsideruar si “libri më misterioz i botës”. Kodiku me ilustrime daton që në
shekullin XV, i krijuar me një sistem shkrimi që nuk është deshifruar ende.
Në të është përdorur një alfabet i panjohur, ka ilustrime
bimësh që nuk janë arritur të identifikohen, diagrama astrologjike, kështjella
e dragonj; duket gati si harta e një parku antik, por shkencëtarët mendojnë se
mund të jetë edhe ndonjë përmbledhje e karakterit mjekësor.
Kopja e vetme e tij ruhet me shumë kujdes në bibliotekën e
librave dhe dorëshkrimeve të rralla në universitetin amerikan të Yale. Një sërë
studiuesish janë përpjekur ta zbardhin përmbajtjen e këtij libri, por pa
sukses. Të fundit që e provuan, një grup shkencëtarësh kanadezë, vendosën të
përdornin algoritmet.
Rezultati qe thuajse një dështim. Algoritmi i tyre u tha se
kishte mundur të identifikonte në dorëshkrim një idiomë hebraike, por ekspertët
thonë se ai është “trajnuar” vetëm për gjuhët e ditëve tona, ndërsa dorëshkrimi
me karbon daton në shekullin XV. /Top Channel/
Në momentet më të vështira, letërsia mund të jetë ilaçi më i mirë. Në vazhdim keni pjesë të debatit të veçantë të organizuar nga BBC Culture, me shkrimtarë të njohur të Anglisë.
Ditët e fundit ishin të tmerrshme për Theresa Mayn. Ajo
shpejtë do të jetë ish-kryeministre, por pasi do ta lë Numrin 10, cilët libra
mund të lexojë për të zbutur shpirtin e trazuar?
Mund të fillojë me romanin klasik të vitit 1978, të shkrimtarit
amerikan Hubert Selby Jr, “Rekuiem për një ëndërr”, të cilën e
sugjeron “biblioterapistja” Ella Berthoud. Rrëfimi për katër njerëz që në
mënyra të ndryshme e luftojnë varësinë nga droga – më vonë i përshtatur në
film, në fillim të mijëvjeçarit – mund të jetë “i zymtë, por mendoj se do
të lidhet me të”, thekson Berthoud. “Mesazhi i përgjithshëm i librit
është që të përpiqemi t’ju përmbahemi parimeve; ta kapin momentin edhe një
herë. Ndaj, shpresoj se do ta lexojë dhe se do të ndjehet e pastruar dhe e
ripërtërirë”.
Ky rekomandim erdhi gjatë një diskutimi interesant për vlerën
terapeutike të romaneve. Nën moderimin e shkrimtares dhe gazetares së
BBC-së, Hephzibah Anderson, paneli i debatit me temën “Shërimi
tekstual: A mund të shërojë proza letrare?”kishte Berthoudin, autore dhe
agjente letrar, e cila dha këshilla personale për lexim dhe mendimet sesi
letërsia përmirëson shëndetin mendor. Në debat me të ishin edhe
romancierët Jessie Burton dhe Alex Wheatle.
Pra, si mundet libri të të ribalancojë?
Mbi të gjitha, siç u pajtuan panelistët, librat ofrojnë një
formë të arratisjes, që është më intensive sesa çdo formë tjetër arti.
“Me një shfaqje filmike ose televizive ju jepen pamjet,
kurse me një roman e shpikni vetveten, ndaj është një ngjarje më e fuqishme
sepse ju jeni të përfshirë aty”, theksoi Berthoud.
Wheatle ofroi një shembull të fuqishëm të efektit
transportues të prozës letrare, kur kujtoi zbulimin e “Hakëllberi Finit” të Mark
Twainit, teksa jetonte në një shtëpi për fëmijë në jug të Londrës. “Libri
ishte vendi ku mund të ikja nga trazirat e mia të përditshme. Të paktën mund të
fshihesha nën mbulesa, me pishtarin tim të vogël, të kaloja nëpër ato faqe e të
imagjinoja se isha lundrues në Misisipi, në një anije me avull ku unë merrja
vendimet e mia se kur do të haja e kur do të pushoja”.
Me tregimet e strukturuara, romanet mund të sjellin rend në
një mendje të çrregulluar. Burton i tha audiencës së mbledhur se
romanet e saj të preferuar për t’u lexuar gjatë kohëve të turbullta, ishin ato
të serisë së CJ Sansomit, për misteret historike të Anglisë së kohës së
dinastisë Tudor. Kur pak vite më parë, suksesi i debutimit të Burtonit –
vepra “Miniaturisti” – shkaktoi një episod të ankthit, ishte Sansomi
ku u kthye për ngushëllim: “Duke u përfshirë në komplot të zymtë që ju
mund të përpiqeni ta zgjidhni, ky është aktivitet i zhvendosjes nga zhurmat e
mendjes suaj”, shpjegoi ajo.
Paneli ishte gjithashtu i bashkuar në mendimin se letërsia
nuk duhet të jenë doemos e lumtur – në fakt ajo mund të jetë pozitivisht e
zymtë. Wheatle kujtoi se kur rritej, babai do t’i tregonte për
fëmijërinë e tij në Xhamajkë, kur një “tregimtar shkonte nga fshati në
fshat, veçanërisht në kohët e korrjes, dhe se ata do të interpretonin tregimet
e skllavërisë. Kjo pjesë është shumë e zymtë, por gjithashtu afirmon luftën që
njerëzit kanë kaluar”.
Rileximi i romaneve të preferuara mund të ofrojë një lloj
biblioterapie të veçantë. Berthoud tha se ajo kishte marrëdhënie të
vazhdueshme me “Tesin e D’Erbervilëve” të Thomas Hardyt. “Herën
e parë që e lexova, kur isha 15 vjeçe, me të vërtetë identifikohesha me Tesin,
dhe herën e dytë, 10 vjet më vonë, pashë se isha pasive siç ishte ajo. Dhe,
pastaj e lexova edhe 10 vjet më vonë dhe fillova të kuptoja përsëri disa nga
vendimet e mia. Ka diçka te rikthimi në një libër, përmes jetës tuaj, gjë që
është tepër e dobishme – ju e njihni veten më mirë, sepse i vizitoni shtresat
që keni pasur gjatë viteve, si një qepë”.
Duke menduar për lexuesit më të rinj, letërsia mund të luajë
rol të rëndësishëm në trajtimin e krizës së shëndetit mendor, që është gjithnjë
e më shumë pjesë e temave në botë. Tani ekzistojnë gjithnjë e më shumë romane
për të rinj, që mund të ndihmojnë adoleshentët t’ju drejtohen çështjeve me të
cilat ata mund të merren në jetën e tyre të përditshme, që nga ngacmimi e deri
te droga, çështjet transgjinore dhe çështjet e përjashtimit social. Berthoud përmendi
romancierët Juno Dawson, Melvin Burgessdhe Malorie Blackman që
mund të jenë më të dobishëm që të shtyjnë fëmijët për të folur për “çështjet
që mund të ndodhin në jetën e tyre, por që nuk kanë qenë në gjendje t’i artikulojnë.
Unë me të vërtetë mendoj se një libër mund të jetë sëpata që thyen detin e
ngrirë brenda nesh, siç ka thënë Kafka, dhe kjo është e vërtetë për çdo moshë”.
Por, derisa leximi sjell përfitime të padyshimta
psikologjike, ç’të themi për shkrimin?
Wheatle dhe Burton pranuan se jeta e një
shkrimtari mund të jetë një qese e përzier – e të mirës dhe të keqes. Nga njëra
anë, siç sugjeroi Wheatle për shkrimet e tij mbi përvojat gjatë
kujdesit, kjo mund të jetë një mënyrë e shkëlqyer për të përpunuar dhe për të
zbrazur traumat emocionale. Nga ana tjetër, siç tha Burton, “akti i
shkrimit është jashtëzakonisht i izoluar dhe ju jeni vetëm për javë, muaj e
vite. Isha një aktore, e kjo ishte eksperiencë bashkëpunuese, përvojë që më
mungon shumë… paradoksi është që libri juaj lexohet nga mijëra njerëz, por nuk
jeni atje për ta dëshmuar këtë; nuk bëni koncert për këtë, kështu që është
ndjesi shumë e çuditshme”.
Në fund, duke parë ndikimin që një libër mund të ketë në
mirëqenien e lexuesve, kjo është gjëja më e mirë për mirëqenien e një
shkrimtari. Wheatle kujtoi një reagim të pazakontë dhe të mirë që ai
merr kohët e fundit. “Ajo tha: ‘Alex, e dua librin, më bëri të merrem me
poçeri. Mendova se ‘nuk ka asgjë për poçerinë’ në libër. Por, ajo gjithmonë
donte të merrej me poçeri dhe meqë heroina kalon në shumë pengesa në jetën e
saj dhe ajo përpiqet t’ia dalë si të mundet, kjo e ka frymëzuar atë. Rralë merr
këtë lloj reagimi, por kur e merreni bindesh se kjo është arsyeja se pse
merremi me këtë punë. /telegrafi